• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

NË PËRVJETORIN E SREBRENICËS TË MOS HARROHET EDHE GJENOCIDI NË KOSOVË!

July 11, 2022 by s p

MASKARADA NDËRKOMBËTARE E DREJTËSISË!

Bardhyl Mahmuti/

Para dy vjetësh, në njëzetë e pesë vjetorin e vrasjes së mbi 8000 civilëve në Srebrenicë të Bosnjës, Rusia e Putinit përdori veton në Këshillin e Sigurimit dhe pengoi miratimin e rezolutës së propozuar nga Britania e Madhe përmes së cilës dënohej gjenocidi i forcave serbe. Ironia më e madhe e qëndrimit rus ka të bëjë me kualifikimin e projekt-rezolutës si “të motivuar politikisht”.

Nuk ka ironi më të madhe se kur ky cilësim bëhet pikërisht nga ata që janë aq të zëshëm për krijimin e një Gjykate Speciale për të dënuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më poshtë po sjell provat se nëse diçka ka “të motivuar politikisht” në MASKARADËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË kjo është Gjykata speciale.

Për të kuptuar kontekstin historik të motiveve politike të idesë për krijimin e një gjykate speciale për Kosovën më duhet të sjell për lexuesin faktin se një muaj e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës doli nga shtypi libri autobiografik i Carla Del Ponte-s, «Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës». Fokusimi i vëmendjes mediatike në supozimet për trafikim të organeve njerëzore që gjoja ishte bërë nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nxori në rend të ditës një çështje tanimë të mbyllur.

Përmasat e efekteve që shkaktoi kjo “informatë” bëri që edhe ish-zëdhënësja e Prokurores së Përgjithshme, Florence Hartmann-i të deklarohet publikisht dhe ta cilësojë veprimin e Carla Del Ponte-s si të PAPËRGJEGJSHËM.

Në një shkrim të publikuar në gazetën «Le Temps» të datës 16 prill 2008 dhe të titulluar «Carla Del Ponte dhe thashethemet për trafikimin me organe në Kosovë», Florence Hartmann-i shpreh habinë e vet se si është e mundshme që “Carla Del Ponte, puna e të cilës konsistonte që të kërkohet e vërteta sot të na fundosë në kohën më të errët të propagandës.”

Aktualizimin e një çështjeje të mbyllur pesë vjet para publikimit të këtij libri, të mbyllur për arsye se nuk u gjet as prova më e vogël, revoltoi ish-zëdhënësen e Carla Del Ponte-s. Për Florence Harmann-in “të flitet sot, përderisa për pesë vjet nuk u soll asnjë element i ri që do ta mbështeste këtë tezë, është papërgjegjësi.” Ndërsa “është jo dinjitoze emërtimi, në mënyrë të nënkuptueshme, i atyre që urdhëruan një krim të padëshmuar, nën arsyetimin se disa liderë shqiptar të Kosovës kanë qenë të dyshuar për krime tjera.”

Sado “skandaloze”, të “papërgjegjshme” dhe “jo dinjitoze” të kualifikoheshin veprimet e Carla Del Ponte-s, libri i saj bëri bujë në opinionin publik dhe u shërbeu si pretekst të gjitha qarqeve që ishin të mobilizuara në kulm kundër pavarësisë së Kosovës.

Më 15 prill 2008, deputeti rus i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev-i, dorëzoi propozimin për rezolutë lidhur me “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve”.

Deputetët nënshkrues të këtij propozimi u mbështetën vetëm në thëniet e Carla del Ponte-s dhe në propozimin e tyre citohet nga libri i saj se gjoja “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në vitin 1998, kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u ishin hequr organet vitale, që u dërguan nga Aeroporti i Rinasit në klinikat jashtë shtetit, për t’u transplantuar pacientëve që paguanin”.

Një ditë pas kësaj projekt-rezolute, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të mbajtur nga 14 deri më 18 prill 2008, delegacioni parlamentar zviceran dhe ai suedez, propozuan të hapet debat lidhur me «pasojat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës». Gjatë këtij debati, që u zhvillua më 16 prill 2008, një vend të rëndësishëm zë fjala e Dick Marty-t.

Ishte një rast i volitshëm për të që t’i përsëriste qëndrimet e veta të mëparshme. Në fillim të fjalës së tij, Dick Marty tërhoqi vërejtjen se “ajo që është shqetësuese lidhet me bilancin e veprimeve ndërkombëtare në Kosovë.”

Sipas tij ky bilanc është tejet negativ. “Pas dhjetë vjet të administrimit ndërkombëtar, Kosova gjendet pa një shoqëri të mirëfilltë civile. Të gjithë ata që preokupohen për kriminalitetin e dinë se Kosova -mjerisht! – ka qenë gjithmonë, e ndoshta sot më shumë se dje, një qendër e kriminalitetit ndërkombëtar e krimit të organizuar (…) gjendja ekonomike është katastrofike (…) minoritetet nuk mund të jetojnë në Kosovë, pos të mbrojtur nga trupat e huaja…” Dhe, kuptohet, këtë gjendje të keqe, sipas tij, e krijoi pikërisht ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë dhe mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare. “Kjo filloi me bombardimet e NATO-s, bombardime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, që u bënë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit (…) dhe pas shkeljes flagrante të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit që garantonte integritetin territorial të Serbisë…!”

Nuk mund ta di saktësisht se deri në cilën shkallë ndikoi fjalimi i Dick Marty-t, i mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill 2008, por, ajo që konstatohet pas këtij fjalimi është fakti se hetimet lidhur me thëniet për “trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim kundërligjor të organeve njerëzore në Kosovë” iu ngarkuan Dick Marty-t.

Në qëndrimin propagandistik të regjimit të Beogradit dhe të atyre që për shkak të verbërimit nga «antiamerikanizmi» u rreshtuan përkrah kësaj propagande, “shkelja e të drejtës ndërkombëtare dhe sidomos e rezolutës 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së” përbëjnë shtyllat kryesore për t’ia mohuar legjitimitetin shtetit të ri të Kosovës.

Propaganda për “trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim kundërligjor të organeve njerëzore në Kosovë” arriti efektet e veta politike. Të inkurajuar nga qëndrimet e qarqeve antiamerikane që shihnin “në shtetin e Kosovës bazën më të madhe ushtarake të SHBA-ve në botë” Serbia ndërmori iniciativën për të gjetur mbështetje në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Në sesionin e 63 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të datës 8 tetor 2008, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremić-i, shtroi për miratim një projekt-rezolutë përmes të cilës kërkohej që kjo asamble të kërkonte mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ministri serb i punëve të jashtme i shtroi motivet e kësaj kërkese. Ndër të tjera, ai theksoi se “më 17 shkurt 2008, institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes autonome të krahinës jugore serbe të Kosovës dhe Metohisë e shpallën njëanshëm pavarësinë. Ne e larguam mundësinë që të përdorim forcën dhe t’i vëmë sanksione ekonomike kësaj krahine që kërkonte ndarjen. Serbia ka vendosur që ta mbrojë sovranitetin e vet dhe integritetin e saj territorial duke iu drejtuar diplomacisë dhe të drejtës ndërkombëtare… Sa i përket legalitetit të kësaj deklarate të njëanshme të pavarësisë, ne vendosëm të kërkojmë mendimin konsultativ nga GJND-ja. Duke e bartur këtë çështje në Gjykatë, “Republika e Serbisë vlerëson se mund të shmanget që kriza e Kosovës të mos përbëjë një precedent skajshmërish problematik në regjionet tjera të botës apo të ambicieve për shkëputje në shumë situata ekzistuese… Ne mendojmë gjithashtu se mendimi konsultativ i Gjykatës, do të ofronte një mendim politikisht neutral dhe vendeve të shumta të cilët ende pyesin se si ta konsiderojnë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës karshi të drejtës ndërkombëtare do tu jepte mundësi të gjenin përgjigje nga këndvështrimi juridik.”

Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin se akti “i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare.”

Përkundër vendimit të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë qarqet serbo-ruse përpiqen të mbajnë akuzat e sajuara me motive politike kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me qëllim që të përmbyset perspektiva, dhe në vend të përgjegjësisë për gjenocidin e kryer në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë ata të paraqiten si viktima! Dhe rrjedhimisht të mohojnë ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Fatkeqësisht mohimi rus i gjenocidit të ushtruar nga Serbia nuk është mohim i vetëm dhe ky mohim nuk kufizohet vetëm në rastin e Srebrenicës. Një numër intelektualësh të fushave të ndryshme dhe politikanë të spektrave ideologjike që shkon nga e majta ekstreme e deri te e djathta ekstreme mohojnë këtë gjenocid.

Parlamenti Evropian gjatë seancës së 9 korrikut 2015 miratoi një rezolutë që dënon fuqishëm gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë dhe dënoi veton e përdorur nga Rusia kundër projekt-rezolutës së propozuar nga Britania e Madhe.

Vetoja ruse përball fakteve të pakontestueshme të gjenocidit në Srebrenicë duhet t’i bëjë të mendojnë ndryshe ata përfaqësues të demokracive perëndimore që po ushtrojnë presion ndaj përfaqësuesve të Kosovës për të miratuar krijimin e një gjykate të motivuar politikisht dhe ideologjikisht nga «antiamerikanizmi».

Rezoluta e Parlamentit evropian është një hap tejet pozitiv dhe domethënës për përcaktimin e institucioneve demokratike të Evropës, për të dënuar krimin e gjenocidit dhe ata që pengojnë dënimin ndërkombëtar të këtij krimi. POR, në përvjetorin e Srebrenicës të mos harrohet gjenocidi në Kosovë!

Filed Under: ESSE

Edhe në Kosovë ndodhte Srebrenica, gjenocidi i forcave serbe…

July 11, 2022 by s p

-Para 24 viteve, në Korrik 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti Ibrahim Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën…/

-Gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” e 22 Korrikut 1998: Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën. Letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Korrik 2022/ Edhe në Kosovë përkujtohet sot gjenocidi-masakra e forcave serbe e para 27 viteve në Srebrenicë – Bosnjë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar: “27 vjet pas gjenocidit të Srebrenicës, ne kujtojmë 8,372 djemtë dhe burrat boshnjakë të vrarë pa mëshirë nga forcat serbe. Sot, zemrat tona janë me të dashurit e tyre. Ne të gjithë duhet të jemi të bashkuar kundër përpjekjeve për të lavdëruar ose mohuar këto mizori të tmerrshme”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mes tjerash, shkruan:

“Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara”.

Edhe liderët opozitarë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj kanë përkujtuar Masakrën e Srebrenicës – aktin më të tmerrshëm të gjenocidit që nga Lufta e Dytë Botërore, duke theksuar se ekzekutuesit tani kanë një trashëgimi të fortë në Serbi dhe se gjenocidi në Srebrenicë dhe vrasjet tjera masive në Ballkan, mbeten njolla të pashlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia…

E para 24 viteve, në Korrik 1998, për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si dhe për Radio Televizionin Shqiptar kam raportuar se, edhe “në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”…

“Të dhëna dramatike për masakra në Rahovec – Bosnja po ndodh në Kosovë – Srebrenica në Rahovec”, citoheshin raportimet edhe në mbititullin e kryetitullin e gazetës kosovare të rezistencës “Bujku”, të 22 Korrikut 1998, në ballinën e së cilës ishte edhe mbititulli “Gjendje alarmante në Rahovec dhe rrethinë” dhe titulli “Të masakruar, të vrarë dhe të djegur”.

Ndërsa, në botimin e 25 Korrikut 1998 gazeta “Bujku” në ballinë kishte kryetitullin “Pamjet e Rahovecit ngjajnë me ato të Vukovarit”. Me titullin “Rahoveci shembull i spastrimit të egër etnik të Kosovës” citohej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga konferenca për shtyp. “Shumë të vrarë, të humbur pa gjurmë e të arrestur”, ishte titulli nga informata për ngjarjet në Rahovec e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

“Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën”, ishte mbititull e titull tjetër në ballinen e gazetës, e cila theksonte edhe se letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë…

Gazeta e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmes të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë…

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Në 19 Korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur.

Raportoja se edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 Korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Për situatën në Rahovec para 24 viteve, në 23 Korrik 1998 në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” raportoja se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj.

Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.

Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojnë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera, masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec, e krahasojnë me Srebrenicën.”

Ndërsa, në 24 Korrik 1998, po para 24 viteve, raportoja që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”.

“‘Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.

‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se, edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.

‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.

Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

Sias citimit të gazetës “Bujku”, pyetja ime drejtuar Presidentit Rugova në atë konferencë shtypi ishte kjo: “A po vonohet bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, kur dihen vlerësimet gjithnjë e më të shpeshta se këtu po ndodh Bosnja?”…

Në raportimet nëpër vite kam theksuar se, në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.

Sipas të dhënave të bashkësive të familjarëve të të zhdukurve, të të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së përfunduar para 23 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Menjëherë pas luftës në Kosovë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi.

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, në një bisedë që kam zhvilluar.

Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”, ka thënë Gruda.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e 7 Korrikut 2021 votoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

“Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”, theksohej në të parën nga 6 pikat e Rezolutës…

Filed Under: Opinion

SPIUNËT QË “MASAKRUAN” VATRËN…

July 9, 2022 by s p

VATRA NË DOSJET E SIGURIMIT TË SHTETIT SHQIPTAR NË VITET 1960 -70-TË.

Sokol Paja*/

Sigurimi i Shtetit Shqiptar përgjatë diktaturës komuniste në Shqipëri është përpjekur me çdo kusht që Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra jo vetëm ta kishte nën kontroll por edhe ti kushtëzonte apo drejtonte veprimtarinë e saj nëpërmjet spiunëve të rekrutuar në Vatër dhe informatorëve afër saj. Sigurimi i Shtetit ishte një levë shumë e rëndësishme në aparatin shtetëror diktatorial. Nëpërmjet informacioneve që Sigurimi i Shtetit siguronte në mërgatën shqiptare të Amerikës përmes spiunëve të rregullt, bashkëpunëtorëve dhe informatorëve, ndërtohej edhe plani i masave që Sigurimi u jepte spiunëve për të kryer detyrat që u ngarkoheshin për të sulmuar Vatrën dhe informuar mbi mërgatën shqiptare të Amerikës. Vatra në Dosjet e Sigurimit të Shtetit në vitet 60-70_të përbën një aspekt studimor të pa trajtuar më parë dhe sjell risi shkencore mbi metoda dhe plane masash sekrete sesi vepronte Sigurimi i Shtetit. Zbardhja e të dhënave që përmban dosja e Sigurimit për Vatrën sjell një dobi shoqërore, pasi nxjerr në pah veprimtarinë e shqiptarëve të mërgatës së Amerikës, kushtet politiko-shoqërore, personalitete, veprimtarë dhe përpjekje konkrete e lëvizje të shqiptarëve të Amerikës. Në bazë të politikave që ndiqte shteti komunist në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit vepronte dhe përforconte politikën e jashtme të propagandës kundër “armiqve imperialist”. Sigurimi e ndjek Vatrën në çdo veprimtari që në fillim të viteve 50-të e deri në shembjen e komunizmit në Shqipëri. 

PËRMBAJTJA E DOSJES SË VATRËS NË VITET 60-70-TË

Dosja e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” në Sigurimin e Shtetit në vitet 60-70-të marrë prej Autoritetit të Dosjeve në Shqipëri përmban 296 fletë, emërtohet me numër 102 dhe titullohet “Dosja e Objektit Vatra – Sekret”. Në këtë dosje përfshihet me detaje Veprimtaria e Federatës Vatra në vitet që kemi marrë në shqyrtim, veprimtaria e gazetës Dielli, përplasjet në Federatën Vatra dhe gazetën Dielli, historia e detajuar e Federatës Vatra, degët e Federatës, organet drejtues etë Federatës, funksionet dhe veprimtarinë me detaje të çdo organi drejtues e personi përgjegjës në këto organe drejtuese të Vatrës. Në dosjet paraqitet situata e emigracionit politik dhe ekonomik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përplasjet dhe tentativat për bashkim të Vatrës dhe të “Shqipërisë së Lirë”. Raportet informative përshkruajnë Fan Nolin si të tërhequr në veprimtaritë e Vatrës dhe të lodhur nga sherret e njëpasnjëshme në Vatër dhe të pakënaqur me regjimin e Tiranës dhe se njeriut që Sigurimi i Shtetit ia kishte më shumë frikën ishte Editori i Diellit Qerim Panariti të cilin Sigurimi e shihte si agjent të Departamentit të Shtetit Amerikan. Dosja nr. 1 në faqen 37 në dokumentin informativ: “Relacion mbi gjendjen e kolonisë shqiptare në Amerikë” thuhet: “Vatra është organizata më e vjetër dhe në kryesi ka agjentë të amerikanëve. Qëndrimi i kësaj organizate dhe gazetës së saj Dielli nuk është i mirë. Gazeta dielli zhvillon një propagandë reaksionare kundër Republikës sonë dhe kampit të socializmit”. Prijësi  i shqiptarëve myslimanë në Amerikë për kohën që flasim Imam Vehbi Ismajli Sigurimi i Shtetit të dosje e klasifikon si agjent të Amerikanëve dhe të Mbretit Zog, ndërsa Dervish Rexhepin e Bektashinjve e quajnë si agjent të Amerikanëve. Kundër Vatrës shteti komunist ndërseu një mori spiunësh e bashkëpunëtorësh si dhe të gjitha levat ndihmëse të institucioneve të shtetit komunist me qëllim nënshtrimin e Vatrës, deri në shkatërrimin përfundimtar të saj. Komunistët në Shqipëri dhe në Misionin e tyre në New York përdorën presione me të afërm në Shqipëri për burgosje, përndjekje e tortura e rrengje nga më të pabesueshmet, u përdorën të riatdhesuarit, apo vizitorët, u nxitën, u sajuan u dirigjuan dhe u frynë konfliktet e mosmarrëveshjet e brendshme në Vatër, u ngritën kurthe të sofistikuara, biseda informative, presione nga më të ndryshmet me qëllim shkatërrimin e Vatrës dhe zbehjen e efektit të gazetës Dielli. Informacioni përcillet në Dosjet e Sigurimit sipas tipologjisë informative të shkëmbimit të informacionit sipas kategorive: raporte informative, relacione, plane masash, telefonata informative, biseda informative, studime, vendime, lista, letër operative, informatë, ekstrakt, telegrame, shënime etj. Gjatë periudhës së regjimit komunist, me dosjen sekrete të vatrës janë njohur 15 persona të cilët kanë lënë shënimet përkatëse. Arsyeja e hapjes së dosjes së Vatrës nga Sigurimi  i shtetit shënohet për veprimtari me zbulimet armike ndaj pushtetit popullor në Shqipërinë komuniste. Vatranët, editorët e diellit dhe personat me ndikim në emigracionin politik shqiptar në Amerikë që iu përmendet emri më shumë në dosjen e Sigurimit të Shtetit janë: Qerim Panariti, Xhon Nase, Kristo Thanasi, Antoni Athanas, Vasil Germenji, Hasan Dosti, Halit Ciko, Petraq Ktona, Athanas Gegaj, Dom Zef Oroshi, Rexhep Krasniqi, Niko Kreshpani, Refat Gurazezi, Agim Karagjozi, Selaudin Velaj, Eduard Liço, Peter Çikozi, Arshi Pipa, Hajdar Tanuzi, Bilal Xhaferri, Ernest Koliqi, Sami Repishti, Dom Ndrevashaj, Dhimitër Trebicka, etj. 

KUSH ISHIN SPIUNËT, KODET E TYRE DHE PSEUDONIMET

Sigurimi i Shtetit kishte depërtuar në Vatër, në Diell, në çdo organizatë dhe familje shqiptare të emigracionit politik të kohës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga shqyrtimi i dosjes së Vatrës në vitet 60-7-të del se Punëtorët Operativë, drejtorët e degës së zbulimit dhe punonjës shqiptarë të zbulimit që kanë përpunuar informacionet sekrete të Vatrës kanë qenë: Jonuz Mersini, Hasan Luçi, Idajet Danaj, Servet Memetko, Ropi Llazi, Kleanth Andoni, Sokrat Como, Enver Mileti, Xhezair Hodo, Mustafa Kadiu, Belul Zoto, B. Mehmetaj, M.Hila, J.Proko, N.Cano, K.Moja, L.Xhemali, I.Xhanaj, T.Rizo, M.Tusha. Pseudonimet e spiunëve në Dosjen e Vatrës: “Luani”, “Kalaja”, “Ngjala”,  “Lirija”, “Fletori”, “Liqeni”, “Tablloja”, “Linkolni”, “Vullneti”, “Korabi”, “Pellgu”, “Klika”, “Shkumbini”, “Mali”, “Besimi”, “Selita”, “Toqi”, “Shqiponja”, “Malësia”, “Sazani”, “Piktori”. Burimi informative sipas kodifikimit: “221”, “315”, “349”, “347”, “82”, “372”, “302”, “368”, “361”, “335”, “500”, “504”, “803”, “805”, “502”, “939”, “501”, “801”, “410”. 

PLANI I MASAVE TË SIGURIMIT TË SHTETIT PËR TË SHKATËRRUAR VATRËN E DIELLIN

Vatra në të gjitha relacionet, udhëzimet, planet operative për paralizimin e saj, raportet informative, telefonatat informative etj, etiketohet si reaksionare, armiqësore, vegël e Departamentit të Shtetit, bashkëpunëtore me FBI e CIA. Në veprimtarinë agjenturore Sigurimi kërkonte prej rrjetit të spiunëve dhe institucioneve mbështetëse që : Të shtoheshin divergjencat e përçarjet mes vatranëve, të nxitej pakënaqësia te vatranët dhe shqiptarët e Amerikës për bashkëpunimin e Vatrës me Vatikanin, demaskim i kurdohershëm i Diellit dhe Vatrës e drejtuesve të tyre, të përçahej sa më shumë Peshkopata me Vatranët dhe me Vatikanin, nxitje e konflikteve të ashpra e përplasjeve mes vatranëve e komunitetit, të demaskohej në shtypin shqiptar krerët e vatrës dhe veprimtaria e tyre. Dosje objekti “Vatra”, nr.102, deklasifikuar me vendim nr.12, dt. 17.06.2019 ka numër total fletësh 277 (të dixhitalizuara 296 faqe). 

Dosja përmban raportime të agjentëve të Misionit Shqiptar në Nju Jork, si dhe Drejtorive përkatëse të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme, emra të rekurtuarish përreth dhe brenda Vatrës, Plane operative kundër Vatrës, Studime rreth veprimtarisë “armiqësore” të Vatrës dhe masat e Shqipërisë komuniste për ta paralizuar vatrën, Plan Masash Agjenturor-Operativ për ndjekjen, Zbulimin dhe Parandalimin e Veprimtarisë së Vatra dhe gazetës së saj Dielli, raportime e shkëmbime të ndryshme informacionesh informative.

Në shënjestër të Sigurimit të Shtetit ishin editorët e Diellit, kryetarët e Vatrës, anëtarët e kryesisë e degëve të Vatrës.  Sigurimi shqiptar duket se ka investuar shumë në drejtim të paralizimit të Vatrës dhe të krijimit të konflikteve të saj me organizatat e tjera nacionaliste të Diasporës në SHBA. Një front tjetër ishte injektimi i konflikteve brenda Vatrës duke nxitur përplasjen mes grupit të intelektualëve me vatranët e tjerë, apo vatranët e vjetër me të arratisurit, apo mes vatranëve patriotë siç shprehen ofiqarët e Sigurimit dhe agjentëve jugosllavë brenda Vatrës apo Organizatave të tjera. 

Sigurimi i Shtetit Shqiptar porosiste spiunët, bashkëpunëtorët, informatorët dhe njerëzit me interes informativ në masa konkrete që duheshin ndjekur kundër Vatrës: “Duke aktivizuar burimet agjenturore dhe miqësore, duke shfrytëzuar të riatdhesuarit e vizitorët dhe materialet legale, të zbulojmë: 

 a- Qëllimet dhe planet konkrete që zbulimi amerikan ka në drejtim të Organizatës VATRA. b-Kuadrot dhe agjentët e zbulimit dhe K/zbulimit amerikan që punojnë në radhët e Organizatës VATRA, format dhe metodat e punës së tyre.

Gjendja e tanishme reale në këtë Organizatë: a-Të sigurojmë Listat e plota të anëtarësisë së Vatrës, të ndarë sipas degëve, organizimin me hollësi, Këshillin qendror dhe këshillat e degëve,

b- Personat që lëkunden tani, e sidomos ata që largohen prej Vatrës, ose ata që hidhen në pasivitet tani, kur në krye të kësaj organizate janë vënë të arratisurit.

c-Marrëdhëniet e organizatës Vatra me organizatave të tjera të emigracionit reaksionar, sidomos me Komitetin Shqipëria  e Lirë.

Ç-Kontradiktat që ekzistojnë në radhët e Organizatës: Në mes krerëve dhe masës së anëtarëve, në mes degëve të veçanta dhe qendrës, në mes krerëve me njeri-tjetrin, në mes kësaj Organizate dhe organizatave të  tjera të emigracionit reaksionar ose ekonomik dhe në mes të saj dhe zbulimit Amerikan, dhe të shihet mundësia si mund të shtohen këto kontradikta.

II- Të punojmë aktivisht për shtimin e kontradiktave brenda Vatrës, të nxisim që të largohen nga Vatra sa më shumë patriotë, të bëjmë që Vatra e tanishme të demaskohet plotësisht si organizatë në duart e kriminelëve të luftës, e cila punon kundër interesave të Atdheut. Nëpërmjet miqve ose duke marrë kontakte drekte me ta, t’i bëhet presion Fan Nolit që të japë dorëheqjen nga pozita e tanishme si “Kryetar Nderi” i Vatrës. T’i bëhet e qartë atij se në rast se do të vazhdojë në këtë post do të kompromentohet si përkrahës i kriminelëve, të cilët i ka pasur luftuar, dhe ne do të detyrohemi ta demaskojmë atë vetë(Nolin). 

Të demaskojmë me anë të shtypit , radios, dhe miqve që kemi në radhët e shqiptarëve të Amerikës,

Personat e arratisur që kanë hyrë në Vatër tani dhe në radhë të parë Editorin e Diellit Athanas Gegaj, për të cilin po grumbullojmë material se është agjent i zbulimeve të huaja. Po ashtu të demaskojmë edhe ata persona nga radhët e organizatave reaksionare që tani janë në organet drejtuese të Vatrës ose që shkruajnë artikuj në gazetën Dielli. 

-Të demaskojmë ata persona reaksionarë nga vatranët e vjetër si Peter Chikozi, Miko Kokalari, Vahit Çika e të tjerë, të cilët me tradhtinë e tyre ua dorëzuan këtë organizatë patriotike kriminelëve të shitur tek të huajte. Në demaskimin e këtyre të kemi parasysh që sipas situatave, të bëjmë ndonjë diferencim: Në radhë të parë , goditjen kryesore ta bëjmë kundër krerëve të arratisur që janë në Vatër dhe përkrahësve aktivë të tyre-Meqenëse Qerim Panariti tani është i pakënaqur mund të mos e godasim përkohësisht. 

Të hedhim në luftë të hapur kundër Vatrës së tanishme ata vatranë të vjetër që janë larguar nga kjo organizatë, si dhe ata që do të largohen tani. T’u kushtojmë kujdes të veçantë  personave me rëndësi si ish kryetarit Th P, i cili tani dha dorëheqjen nga Vatra. Për këta persona të marrim masa që të punojë Rezidentura jonë në SHBA dhe gjithashtu të punojmë edhe në qendër, duke gjetur lidhjet e rëndësishme të tyre këtu në Shqipëri, me anën e të cilëve, me letra, të bëhet presion që të aktivizohen kundër kriminelëve, tradhtarë të Atdheut.

Ç- Duke u konsultuar për këtë problem me Ministrinë e Punëve të Brendshme të vendoset se çfarë do të bëhet me Vatranët që do të largohen nga Vatra dhe me degën e Pitsburgut të kësaj Organizate, e cila po qëndron mirë: Do të punohet për krijimin e një Vatre të re apo do të nxiten këta  të hyjnë në Organizatën “Shqipëria e Lirë” dhe kjo të forcohet e të luftojë Vatrën?

d-Me anë të miqve të shfrytëzohen me kujdes kontradiktat dhe pakënaqësitë e Qerim Panaritit ndaj udhëheqjes dhe  ky të hidhet në luftë kundër Vatrës duke zhvilluar aktivitet përçarës.

Për zbatimin e detyrave të mësipërme, Pasi të jetë vendosur edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme, t’i dërgohet Rezidenturës në Nju Jork edhe një udhëzim me detyra konkrete me qëllim që ajo:

 1- Të aktivizojë në drejtim të Vatrës burimet agjenturore, qofshin edhe në radhët e emigracionit reaksionar.

2-Të aktivizojmë burimet miqësore dhe t’i shtojë këto, sidomos duke afruar persona të rinj, nga ata vatranë që lëkunden, ose ata që japin dorëheqje nga Vatra.

 3- Të studiojë 1 ose 2 persona nga ata që janë në pozita udhëheqëse të Vatrës dhe të shihet mundësia për t’i rekrutuar në shërbimin tonë” përfundon në faqen 120 të dosjes së Vatrës pranë Sigurimit të Shtetit Komunist Shqiptar”. 

*Pjesë nga Kumtesa e mbajtur në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me rastin e 110 vjetorit të Federatës Vatra.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

POEZIA SHQIPE PREZENTOHET NË FESTIVALIN NDERKOMBËTAR ”TRANÅS AT THE FRINGE” NË TRANÅS TË REGJIONIT SMÅLAND TË SUEDISË

July 9, 2022 by s p

Sokol Demaku/

Në organzim të Komunës së Tranås, Shoqatës kulturore Kultivera, Literaturcetnrum, Populär poesi, Regjioni i Jönköping, Akademisë Suedeze, Kulturens dhe Këshllit Komëtar për Kulturë të Suedisë nga data 2 – 9 korrik 2022 në këtë qytezë të vogël suedeze u mbajt Festivali Ndërkombetar i kuklturës ”Tranås at the Fringe” në të cilin u prezentuan vlerat nga lamia e muzikës, pikturës, vallëzimit, prozë e poezisë, haiku, filmit, dramës, poezisë së dramatizuar, nga artistë nga vende të ndryshme të botës.

    Në mesin e poetëve nga mbar bota në këtë Festival me renome Ndërkombëtare në mënyrë madhështore u prezentua dhe paraqitë edhe poezia shqipe në oganzim të Qendres Kulturore Shqiptare Migjeni nga Borås i Suedisë, me poetet eminent dhe në zë në fushën e krijimtarisë letrare e sidomos poezisë shqipe dhe poezisë në gjuhën suedeze si Rizah Sheqiri, Anxhela Ziso, Bahtir Latifi, Gladiola Jorbus dhe Sokol Demaku.

     Prezentimi i denjë i vargut shqip nga këta autor të rryer të poezisë shqipe bëri jehonë dhe u prit me duartrokitje të gjata frenetike nga të pranishmit, ku një nga adhuruesit suedez te fjalës shqipe u shpreh se sa muzikale qenka kjo gjuhë për të cilën kishte dëgjua por nuk kishte pasur rast të di e mësoj më shumë, por ja me prezentimin e denjë të këtyre mjeshterve të vargut shqip sot thotë se u ndjeva mirë dhe tani di dhe kam më shumë njohuri për gjuhën shqipe dhe shqiptarët. 

     Kishte poet, gazetar, punëtor kulture këtu të cilët kishin bërë udhetime në Ballkan, të cilët vite me radhë kishin qenë prezetn edhe në trojet shqiptare dhe ishin të interesuar për biseda dhe dinin më shumë për Shqipërinë, Kosovën, trojet shqiptare dhe ishin të interesuar për biseda dhe infoirmacione nga dora e parë për gjuhën shqipe, kulturën shqipe, traditën dhe shqiptarët.

     Në një shenim të mëhershëm anëtaret e kësaj Qendre por vetë Qendren Kulturore Shqiptare Migjeni në Borås të Suedisë i patëm quajtur ambasadorë në Skandinavi dhe këtu u bindem se me të vertetë këta njerëz që veprojne në kuadër të kesaj Qendre janë ambasadorë të vertë të gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare jo vetëm në Suedi por edhe në botë, me punën, aktivitete dhe prezentimin që i bëjnë cdo gjëje shqiptare.

     Me këtë rast për të pranishmit u shpernda falas libri më i ri botuar nga Qendra Kulturore Shqiptare Migjeni në Borås të Suedisë në Gjuhën suedeze me titull ”Shqiptarët një popull autokton në Ballkan”, libër i cili u prit me entuziazëm dhe kënaqesi nga të pranishmit.

      Gjatë ditës dhe mbremjes u zhvilluan kontakte, takime dh biseda me poetë suedez por edhe nga vende të ndryshme të botës të cilët ishin prezent në Festival dhe kjo me qellim të krijimit të lidhjeve bashkëpunimi mes poeteve por edhe shoqatave.

     Në përfundim të ditës nga organzatori ishte përgatitur një banket solem për të gjithë të pranishmit ku me këtë rast mes peoteve edhe u bë kembimi i librit në menyrë që edhe letërsia të jetë një mjet njohje mes popujve, kombeve, potëve dhe kulturave në përgjithësi. E kjo u pa dhe vertetua gjatë kësaj jave në Tranås në fsetivalin ”Tranås at the Fringe” ku merrnin pjesë poet, piktor, punetor filmi, prozator, artist, vallëzues, fotograf nga pothuj nga shum evende të botës. Sipas Rizah Sheqirit me rëndësi për poetët shiqptar ishte komunkimi me poetët japonez të cilët në Festival u prezentuan me poezinë HAIKU e cila te ne kultivohet më pak e me siguri ata këtu morën inspirim që edhe ky lloj poezie të ze vend në projektet e tyre në të ardhmen. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Sokol Demaku

100 VJETORI, MIRËNJOHJE AMERIKËS

July 9, 2022 by s p

Marjan Cubi/

Këtë muaj ne festojmë 1 shekull marrëdhënie diplomatike me Amerikën, aleatin tonë më besnik dhe partnerin tonë që na ndihmuar në moment të vështira për Shqipërinë e Kosovën. Më shumë se prej një shekulli shqiptarët vuajnë prej padrejtësive e rrethanave historike. Një komb i ndarë në gjashtë shtete ballkanike i cili ka kaluar në momente historike shumë delikate dhe pa mbështetjen e Amerikës do vihej në rrezik ekzistenca jonë kombetare. Që nga lufta e parë botërore, Konferenca e Paqes, Lufta e Dytë Boterore, Komunizmi, lufta e Kosovës e deri të Pavarësia e Kosoves, janë momente ku vetëm falë Amerikës ne kemi arritur të ekzistojmë si shtet dhe si komb. Regjimi genocidal i Millosheviçit mori fund vetëm me ndërhyrjen e Amerikës, NATO-s, miqve e Aleatëve tanë. Sot më shumë se kurrë ne duhet ti jemi mirënjohës popullit e kombit mik amerikan për çdo mbështetje që vazhdon edhe sot të na e japë pa kursim. Amerika u dha fund vuajtjeve të shqiptarëve. Nëse s’do kishte Amerikë, Serbia fyn në Tiranë e Prishtinë brënda pak orëve. Falë Amerikës ne jemi vend i sigurtë dhe me plot prosperitet. Në Kosovë kanë vdek me dhjetëra mijera Shqiptarë të pafajshëm, serbët kanë dhunuar e përdhunuar më shumë se 20 mijë femra dhe kanë zhdukur më shumë se 1,700 shqiptarë të pafajshëm. Torturat, burgosjet, dhuna, tmerri që kanë përjetuar shqiptarët në Kosovë nën regjimin e Serbisë kanë qenë të llahtarshme. Gjithmonë ka ekzistu një frikë se serbët do i rikthehet krimeve e genocideve të vjetra në Kosovë. Duke pas parasysh luftën në Ukrainë dhe konfliktin dhe rrezikun global që paraqet sot Rusia, nevojitet që shqiptarët të jenë të bashkuar, te jenë me Amerikën. Duhet që Kosova sa më shpejt të jetë e mundur të anëtarësohet në NATO dhe në Bashkimin Europian. Shqiptarët e Kosovës po mbahen të izoluar ne menyre te padrejte. Europa duhet të liberalizojë vizat dhe të na trajtojë me respekt dhe dinjitet te plote. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Kosovës i duhet drita jeshile europiane per prosperitet dhe zhvillim. Zgjerimi i NATO-s me dy vendet e reja europiane Finlanda dhe Suedia, do të krijojë një precedent që edhe Kosova të bashkohet me familjen europiane ne keto kohe. Kosova në NATO dhe në Bashkësinë Europiane, do të thotë Shqipëri më e sigurtë, Kosovë më e sigurtë, Ballkan më i sigurtë dhe Europë më e bashkuar dhe më e sigurtë. Mirënjohje përjetë Amerikës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Marjan Cubi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT