• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

Mazja

July 7, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Mazja, se kështu i thërrisnin shkurt Elmazit, mërgoi më shumë me këmbënguljen e gruas, se të qe për të, nuk kishte ndërmend të lëvizte nga qyteti. Kozeta, pasi mbaroi klasën e nëntë kreu një kurs rrobaqepësie dhe punoi  pak kohë në një fasoneri por shpejt e la; puna ishte e vështirë dhe paguhej fare pak. Në moshën 20 vjeçare u martua me Mazen dhe brenda vitit lindi dy binjakë të shëndetshëm, me të cilët merrej gjithë ditën. I vetmi vend aty pranë, ku mund t’i nxirrte ishte gomisteria, ku punonte i shoqi.  Kozeta shkonte te puna e të shoqit ku sundonte era e grasos dhe gomave të përdorura, ulej në një karrige shtrembaluqe, nxirrte gjinjtë  e bëshëm dhe  ushqente binjakët. Punonte Mazja, si gomist aty në lagje, te Sevo Qelbashi, një shëmtirë, që vërtetonte pa mëdyshje teorinë darviniane për prejardhjen njerëzore. Në fytyrë dallonin goja e madhe, dy sytë me madhësi të ndryshme, ku i vogli vinte i shtrembër, e që lëviznin gjithandej pa komandë. Sevua, një gomar i tërë, pa mbaruar as tetëvjeçaren, ia kishte dalë të hapte një gomisteri aty pranë shtëpisë në anë të rrugës. Sa herë Kozeta ushqente fëmijët, linte çdo punë, rrinte disa hapa larg në krah të saj dhe shikonte i zilepsur ndërsa syri i shtrembër fillonte e lotonte vetvetiu. Nuk ia ndante sytë asnjë çast derisa Kozeta mbaronte së ushqyeri binjakët, e fuste gjinjtë e mëdhenjë nën bluzën e hollë. Ndodhte që djemtë e vegjël luanin aty rrotull, e Mazja ishte i zënë me punë. Sevua i dilta nga pas dhe i fuste duart e tij kockanjare gjithë graso e vajra në kofshët e gruas së re, duke bërë ohoh, me gojën e stërhapur si një shimpanze, nga i dukeshin dhëmbët e krimbur e jargët, që i vareshin nga buzët e binin mbi kominoshet zgjyrë.  – Ik ore qurrash se do të mbys me duart e mia, ik ore plehrë! – e shtynte gruaja, që pasi merrte binjakët, zhdukej ditë të tëra por nga që e mbyste mërzia vinte sërish. Të shoqit nuk i thoshte për të shmangur ndonjë sherr. Sevua pastaj mund ta largonte dhe rroga e tij ishte e vetmja e ardhur. 

– Do të ikim në Greqi! Nuk ia dalim dot këtu! Mund të gjej dhe unë ndonjë punë andej, -i tha të shoqit. Donte të shkëputej nga ai ambjent mbytës, dhe nga Sevo Qelbashi, që i ishte qepur si ato këpushat e bagëtive e nuk i shqitej. Mazja gjeti punë shpejt te një pronar, që kishte ofiçinë, ku riparoheshin makinat bujqësore. Kozeta shkoi që javën e parë të shikonte, ku punonte i shoqi. Pronari ca i vjetër, i divorcuar po shumë i komunikueshëm dhe i sjellshëm menjëherë pikasi gruan e re. Mazen e paguante jo keq, dhe i propozoi Kozetës të bënte punët e shtëpisë, madje edhe të gatuante nëse dëshironte. Shpejt gruaja e ndjeu veten në punën e re si peshku në ujë. Brenda pak kohësh ndryshoi krejtësisht pamjen dhe sjelljen. Tashmë ajo ishte një grua plot energji e besim në vetvete, e kolme, me flokë të prera shkurt, që i nxirrnin në pah fytyrën bardhoshe dhe faqet me gropëza, me ca vidhje të kërcyera për merak e gjoksin madhështor, që kishte qejf ta vinte gjithmonë në dukje. I shoqi ishte i kënaqur; fëmijët ishin rritur e shkonin në shkollë, të ardhurat ishin të mira, ndonjë lek e vinin mënjanë dhe pronari nuk linte rast pa iu bërë dhurata fëmijëve e veçanërisht së shoqes…  

Dikur Mazja, shkoi në orarin e punës në shtëpinë e pronarit për të marrë një aparat saldimi. Nga dritarja e hapur, pa Kozetën shtrirë në divan, gjysmë të zhveshur, që ledhatonte gjithandej pronarin grek, që rënkonte nga kënaqësia. I tronditur nga ajo që pa nuk hyri brenda dhe shkoi drejt në shtëpinë e vet. Ishte njeri paqësor, punëtor i madh, nuk përzihej me punët e të tjerëve dhe këtë hata nuk e priste nga e shoqja.  Gjithë jetën kishte qenë korrekt me familjen  dhe rrogën ia dorëzonte pothuaj të gjithë Kozetës. Fillimisht i shkrepi në mendje t’i fuste një sopatë kokës siç kishte bërë një bashkëkombas, (për të ruajtur nderin, kishin thënë) që përfundoi me burg përjetë dhe fëmijët morën rrugët. Pastaj i tha vetes të divorcohej, ta dëbonte nga shtëpia si grua e pabesë por sërish bëri prapaktheu. Banonin në një nga shtëpitë e pronarit dhe ai që do ikte nga shtëpia ishte vet ai, sepse fëmijët do të rrinin me t’ëmën, me të cilën ishin shumë të lidhur. Makinën me të cilën shkonte në vendlindje dhe i shiste mend Sevo pocaqisë, greku ia kishte dhuruar Kozetës për ditëlindje, shkolla e fëmijëve, puna e tij, e gruas, pastaj … Dukej fare pa rrugëdalje. Vetëtimthi i lindën disa dyshime dhe filloi të arsyetojë pak i lehtësuar: Po sikur mos të ishte e vërtetë dhe t’i kishin bërë sytë? Po sikur mos të qe e shoqja por një grua tjetër se grekun e pa mirë që ishte? Po sikur ta kishte parë dikush tjetër? Po që ishte e shoqja me gjoksin e veçantë, që ai e njihte mirë… Lëmsh e kishte mendjen, kur dera u hap dhe Kozeta e buzëqeshur ia behu, duke shpërndarë në gjithë shtëpinë një aromë të rafinuar zambakësh. – Nuk i ke marrë ende fëmijë nga shkolla? Po shkoj vet s’ka problem. Dëgjoi zhurmën e makinës, që u largua. I dërrmuar  erdhi rrotull nëpër shtëpi një copë herë dhe vendosi: Ndarja me gruan ato çaste, do të ishte katastrofë për familjen. Por pa ia thënë atë që kishte parë nuk do e linte, se nuk ishte aq legen sa ta mbante në kurriz një turp të tillë! Po le ta dëgjonte një herë ç’do të thoshte Kozeta!? Apo të priste të rriteshin dhe pak fëmijët, të grumbullonte ca para, e të ikte përgjithmonë në Shqipëri!? Do ngrinte biznesin e tij, një gomisteri, për merak… 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

FUQIA E TË PAFUQISHËMVE

July 7, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Analiza/ Fjalimi politiko-filozofik i Vaclav Havelit është model edhe sot për cilëndo shoqëri post-komuniste ose siç e quan ai shoqëri post-totalitare. Edhe pse kanë kaluar 32 vjetë nga shëmbja e Murit të Berlinit, ish-vendet e lindjes vazhdojnë të jetojmë brenda gënjeshtrës komuniste dhe jo të vërtetës historike

        –30-vjetori i vizitës së parë të Vaclav Havel-it në Washington –  

            Fuqia e të Pafuqishmëve sipas modelit të Vaclav Havel | Gazeta Telegraf

A picture containing text, suit, person, person

Description automatically generated

Më duket si jo më larg se dje.  Ishte pikërisht 21 Shkurti, 1990, kur ish-Presidenti i Çekosllovakisë, Vaclav Havel për herë të parë vizitoi Washingtonin dhe Zërin e Amerikës.  U prit nga Presidenti i atëhershëm Xhorxh Bush i vjetri dhe mbajti një fjalim historik para dy dhomave të Kongresit amerikan, një nderim i rradhë që Kongresi u akordon udhëheqësve më të dalluar të botës. Vetëm katër muaj më heret, Vaclav Havel kishte qenë në burg për aktivitete anti-komuniste.  Havel ishte i pari udhëheqës i një vendi të ish-bllokut sovjetik që pritej në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, pas shembjes së Murit të Berlinit.  Në fjalimin para Kongresit amerikan, Vaclav Havel, ish-disidenti anti-komunist çek, u foli ligjëvenëse amerikanë për rrugën e tij të jashtëzakonshme të presidencës së tij duke thënë se, “Kur më arrestuan më 27 Tetor, unë jetoja në një vend me një qeveri ndër ato regjimet më konservatore komuniste të Evropës lindore, ndërkohë që shoqëria jonë vuante nën thembrën e një sistemi totalitar sovjetik.  Sot, më pak se katër muaj më vonë, unë jam duke u folur para jush si përfaqsues i një vendi që ka vendosur rrugën e vet të pakthyeshme drejt demokracisë, të një vendi që gëzon plotësisht lirinë e fjalës, një vendi i cili po përgatitet për zgjedhje të lira dhe një vendi që do të zhvillojë një ekonomi tregu dhe të ketë politikën e vet të jashtme, të pavarur.  Të gjitha këto zhvillime janë shumë të jashtëzakonshme…”, u tha Presidenti Havel, anëtarëve të Kongresit, në vizitën e tij të parë në Washington si President i Çekosllovakisë. Çekosllovakia po i këthehet Evropës, është shprehur ai, por në vend që të kërkonte ndihmë për vendin e vet, Vaclav Havel i kërkoi Shteteve të Bashkuara që të ndihmonin Bashkimin Sovjetik, në të njëjtën rrugë, drejtë demokracisë. “Shpëtimi i botës nuk gjëndet askund tjetër përveçse në zemrën e njeriut dhe se lufta e ftohtë duhet të zevëndsohet me një periudhë, në të cilën të gjithë ne, pa dallim — të mëdhej e të vegjël — do të kemi mundësi të krijojmë atë që Presidenti juaj i madh, Abraham Linkolni e ka cilësuar si, “familjen njerëzore”, është shprehur Havel, në fjalimin e tij para Kongresit amerikan, 32jetë më parë. Fjalimi i Vaclav Havelit pasqyronte, ndër të tjera, frymën e esesë së tij të famshme politiko-filozofike, “Fuqia e të Pafuqishmëve”, një artikull i gjatë kritik, ku trajtohen çështjet shoqërore, politike dhe kulturore të asaj kohe në Çekosllavaki, por është aktuale edhe sot për cilëndo shoqëri post-komuniste ose, siç e quan ai shoqëri post-totalitare, në përgjithësi.  Në atë ese, dramaturgu Havel ka shqyrtuar në hollësi natyrën e regjimit komunist të asaj kohe, jetën brenda një regjimi të tillë dhe se si — për nga vet natyra totalitare e regjimeve të tilla — nga qyteteraë të thjeshtë, ato krijojnë disidentë dhe kundërshtarë të regjimit.  Duke thekësuar fuqinë e qytetarëve të rendomtë, të cilët para një regjimi të tillë totalitar, mund të konsiderohen si të pafuqishëm, Havel nënvijon, në atë ese, idetë dhe veprimet e mundëshme për organizmin e komuniteteve dhe individëve të ndryshëm kundër regjimit, të lidhur me një kauzë të përbashkët, siç ishte rasti i Kartës 77, një organizatë kjo çekosllovake e të drejtave të njeriut, në kohën e komunizmit. “Fuqia e të Pafuqishmëve” është në të vërtetë një manifesto që bënte thirrje për disidencë anti-komuniste në Çekosllovaki e Poloni, por edhe në vende të tjera me regjime komuniste të asaj kohe.   Se si të rezistohej sistemi totalitar dhe post-totalitar, ishte një mision që e preokuponte shumë Vaclav Havelin dhe bashkpuntorët e tij disidentë të asaj kohe. Për “sistemin post-totalitar”, Vaclav Havel ka shkruar se, “Unë nuk dua të them se me parashtesën “post”, nënkuptohet se sistemi për të cilin flasim nuk është më totalitar.  Përkundrazi, unë dua të them se ky sistem (komunist) është totalitar, në një mënyrë që është krejtësisht i ndryshëm nga diktaturat klasike”.  Biografi i Vaclav Havelit, Xhon Kiinë e përcakton kështu botën post-totalitare sipas Havelit: “Brenda sistemit, secili individ bie në një grackë, brenda rrjetit të dendur instrumentash qeveritarë të shtetit…”.  Në një sistem të tillë, post-totalitar, ka shkruar Havel, marrëdhëniet midis të fuqishëmve dhe qytetarëve të thjeshtë – “mund të cilësohen si një labirint influencash, shtypjesh, frikësimesh dhe vet-cenzure, që i gëlltit të gjithë brenda tij, ose në minimum, një labirint i tillë i bën njerëzit të heshtin përball paragjykimeve të padëshiruara të gjithëfuqishmëve”, pushtetarëve totalitarë.

A group of men sitting at a table

Description automatically generated with low confidence
A picture containing text

Description automatically generated

“Sistemi i post totalitarizmit prek njerëzit në çdo hap, por këtë e bën me dorëzat e tij ideologjike”, ka shkruar Havel.  “Kjo është arsyeja pse jeta në atë sistem është kaq e përshkuar me hipokrizi dhe gënjeshtra: qeveria me burokraci, quhet qeveri popullore; klasa punëtore skllavërohet në emër të klasës punëtore; degradimi i plotë i individit paraqitet si çlirimi i tij përfundimtar; privimi i njerëzve nga informacioni thuhet se po ua ve në dispozicion informacionin; përdorimi i fuqisë për të manipuluar, quhet kontrolli publik i pushtetit, dhe abuzimi arbitrar i pushtetit quhet respektimi i kodit ligjor; shtypja e kulturës, quhet zhvillimi i saj; zgjërimi i ndikimit perandorak paraqitet si mbështetje për të shtypurit; mungesa e shprehjes së lirë konsiderohet si forma më e lartë e lirisë; zgjedhjet qesharake bëhen forma më e lartë e demokracisë; ndalimi i mendimit të pavarur bëhet më shkencori i pikëpamjeve botërore; okupimi ushtarak bëhet ndihmë vëllazërore. Për shkak se regjimi është rob i gënjeshtrave të veta, ai duhet të falsifikojë gjithçka. Post-totalitarizmi, falsifikon të kaluarën. Ai falsifikon të tashmen dhe falsifikon të ardhmen. Falsifikon statistikat. Pretendon se nuk posedon një aparat policie të gjithëpushtetshëm dhe joparimor. Ai pretendon të respektojë të drejtat e njeriut. Pretendon se nuk përndjekë askënd. Pretendon se nuk ka frikë nga asgjë. Pretendon të mos pretendojë, asgjë”, ka shkruar Vaclav Havel në esenë, “Fuqia e të pafuqishmëve”, për sistemet post-totalitare, një ese, që në atë kohë ka shkundur themelet e komunizmit.

A group of people posing for a photo

Description automatically generated with medium confidence

Sidoqoftë, ka shumë për të shkruar për Vaclav Havelin dhe për idetë e tija politiko-filozofike kundër totalitarizmit dhe post-totalitarizmit të çfarëdo ngjyre qoftë, për diçka që unë nuk e konsideroj veten të aftë, por e përmendë këtë ese – me rastin e 30-vjetorit të vizitës së Vaclav Havelit në Washington –edhe si një shembulli i qytetarëve çekë, në atë kohë, të cilët, bazuar në idetë politiko-filozofike të Vaclav Havelit, i treguan botës se “të pafuqishmit” mundën të shembënin regjimin totalitar komunist, me mënyra paqësore.  Shëmbja e komunizmit nuk është arrijtur lehtë dhe nuk është realizuar pa përpjekje të mëdha prej dekadash, nga disidentë anti-komunistë si Vaclav Havel me shokë.  Për këto veprimtari, Vaclav Havel ishte dënuar me burg edhe gjatë vitit 1989, viti i fundit i komunizmit, për të disatën herë.  Katër muaj pasi të lirohej nga burgjet komuniste, në fund të atij viti, dhe pas “Velvet Revolution” ose “Revolucionit (paqësor) të Kadifesë” në Çekosllovaki, që zgjati nga 17 Nëntori deri me 29 Dhjetor,1989 — Vaclav Havel u zgjodh president i vendit të tij, duke i dhënë fund një herë e mirë regjimit komunist prej 41 vitesh në Çekosllovaki.  Një triumf historik ky si pasojë e demonstratave popullore dhe i “Fuqisë së të pafuqishëmve”, siç e ka cilësuar Vaclav Havel.  Në këtë 32-vjetor të vizitës në Washington, analiza politiko-filozofike e sistemeve post-totalitare e Vaclav Havelit është edhe sot më aktuale se kurrë më parë, për cilëndo shoqëri post-totalitare qoftë, sidomos për disa vende ish-komuniste, të cilat Haveli do të thoshte se në botën e tyre post-komuniste ose post- totalitare – madje edhe pas 32-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — vazhdojnë të jetojnë, brenda gënjeshtrës komuniste dhe jo brenda të vërtetës historike!  (Ribotim)

Frank Shkreli 

A picture containing text, crowd

Description automatically generated
A person holding a flag in a crowd of people

Description automatically generated with low confidence

       Fuqia e të Pafuqishmëve sipas modelit të Vaclav Havel | Gazeta Telegraf

A picture containing outdoor, building, old, government building

Description automatically generated
A picture containing text

Description automatically generated

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

MAQEDONIA – KRIZA E IDENTITETIT

July 7, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Maqedonia e Veriut 16 vjet ndodhet në sallën e pritjes të BE-së, për ta marrë datën e fillimit të bisedimeve. Për t’i filluar Shkupi bisedimet aderuese me BE-në, duhet t’i plotësojë gjashtë kërkesat e Bullgarisë:

– përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut; 

   – çështja që ka të bëjë me emrin e shkurtër dhe të gjatë të Republikës së Maqedonisë së Veriut;

  – parandalimi i gjuhës së urrejtjes kundër bullgarëve në RMV;

  – rehabilitimi i viktimave bullgare në periudhën e komunizmit në Maqedoni, kur kjo ishte pjesë e federatës jugosllave;

– vazhdimi i punës së Komisionit të përbashkët të historisë; dhe

– deklaratë e qartë për mospërzierje në punët e brendshme rë Bullgarisë.

A mund palët të arrijnë kompromis kur çështjet e sipërthëna janë të ngarkuara nga politika dhe nga historia.

1. Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së – Në ligjin themelor të vet, RMV-ja i përmend shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit dhe romët, por jo edhe bullgarët. Për t’u realizuar kjo kërkesë bullgare, duhet të ndryshohet kushtetuta. Për t’u ndryshuar kushtetuta, nevojite 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të RMV-së. Partia djathtiste dhe nacionaliste VMRO-DPMNE e cila ka 39 deputetë, e kundërshton fuqimisht çdo lëshim ndaj Bullgarisë, kështu që për t’u ndryshuar kushtetuta, do të duhej të votonin të gjitha partitë e tjera të përfshira në kuvend. Sipas regjistrimit të vitit 2002, rreth 1.500 vetë në Maqedoni janë identifikuar si bullgarë etnikë. Sipas parashikimeve për regjistrimin e vitit 2021, në RMV ka mbi 3.000 bullgarë. Por pala bullgare thotë se në RMV jetojnë rreth 120.000 bullgarë. Në këtë numër janë përfshirë të gjithë qytetarët e RMV-së të cilët vitet e fundit kanë marrë pasaporta bullgare. Disa mund ta kenë bërë këtë për të udhëtuar në mënyrë të lirë në Evropë. Sipas Sofjes, bullgarët në RMV u nënshtrohen maltretimeve, ndaj detyrohen ta fshehin përkatësinë etnike të tyre.  

2. Mospërzierja në punët e brendshme të Bullgarisë – Pala bullgare kërkon nga Shkupi të mos e shtrojë çështjen e njohjes së pakicës maqedonase në Bullgari. Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2001, të kryer në Bullgari, si maqedonas etnikë janë identifikuar 5.071 vetë, ndërsa në atë të vitit 2011 vetëm 1.654 vetë. Organizata të ndryshme politike dhe kulturore maqedonase në Bullgari pohojnë se e drejta e tyre për përcaktim etnik është kufizuar në mënyrë sistematike. Sipas tyre, kjo është bërë me qëllim të asimilimit të tyre. Organizatat maqedonase në Bullgari thonë se organet bullgare refuzojnë t’i regjistrojnë. Për 14 raste të tilla Bullgaria është dënuar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas regjistrimit të vitit 1946, në Bullgari 160.541 vetë janë deklaruar si maqedonas. Shtrohet pyetja: Ç’është nënkuptuar me fjalën “maqedonas” në vitin 1946 dhe ç’kuptohet me të sot? Në vitin 2017, Sofja dhe Shkupi nënshkruan Marrëveshje për miqësi dhe fqinjësi. Të dyja palët u morën vesh që të mos përzihen në punët e brendshme të njëra-tjetrës. U dakorduan që çështja e pakicave të zgjidhet sipas standardeve të BE-së dhe të KB-së. A do t’i përmbahet Sofja marrëveshjes së sipërthënë për pakicat apo do të ngulë këmbë që Shkupi të heqë dorë nga ideja se në Bullgari ka pakicë maqedonase.   

3. Forma e shkurtër apo e plotë e emrit Maqedoni e Veriut – Çështje kontradiktore është edhe shkrimi i emrit të Maqedonisë së Veriut. Sofja insiston që në të gjitha dokumentet zyrtare emri i Maqedonisë të shkruhet si Republika e Maqedonisë së Veriut. Sipas Sofjes, me këtë do të saktësohet se nuk është fjala për rajonin gjeografik të Maqedonisë dhe për  pjesën veriore të saj e cila ndodhet në territorin e Bullgarisë, por fjala është shtetin. Kjo çështje përbënte thelbin e mosmarrëveshjes 27-vjeçare midis Maqedonisë dhe Greqisë, gjë që përfundoi me ndryshimin zyrtar të emrit, duke ia shtuar atij fjalën “Veriut”. Për këtë u ndryshua edhe kushtetuta e shtetit. Dikur sipas Athinës, ndërsa sot sipas Sofjes, RMV-ja në një moment të caktuar, me emrin e vet mund të paraqesë kërkesa territoriale ndaj vendeve ku shtrihen pjesë gjeografike dhe historike të rajonit të Maqedonisë. Shkupi pohon se është i gatshëm të ofrojë  garanci me shkrim se emri nuk implikon kurrfarë pretendimesh territoriale ndaj Bullgarisë.

4. Rehabilitimi i viktimave të komunizmit në periudhën kur Maqedonia ndodhej në kuadër të federatës jugosllave – Sofja kërkon rehabilitim për të gjithë bullgarët të vrarë nga qëndresa komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore, e pastaj nga regjimi komunist pas ardhjes së tij në pushtet dhe shpalljes së Maqedonisë si republikë në kuadër të Jugosllavisë. Sipas Sofjes, regjimi jugosllav ka ushtruar terror të madh ndaj qytetarëve me vetëdije bullgare. Kjo gjendje është rënduar sidomos pas ndërprerjes së marrëdhënieve midis BRSS-së dhe Josip Broz Titos (1892-1980), në vitin 1948. Pas mbarimit të Luftës II Botërore, në rajon u vendosën regjime komuniste. Marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Jugosllavisë u zbutën. Në vitin 1946 Sofja i dërgoi në Shkup mbetjet mortore të Goce Delçevit (Kukush, Maqedoni e Egjeut, sot në Greqi, 1872 – Banicë, Maqedoni e Egjeut, sot në Greqi, 1903), të vrarë në vitin 1903 në fshatin Banicë, Maqedoni e Egjeut, sot në Greqi, gjatë përplasjeve me ushtarët turq. Goce Delçevi nderohet si hero kombëtar, si në Maqedoni, ashtu edhe në Bullgari. Me fjalë të tjera, të dy shtetet e konsiderojnë hero kombëtar të vet.     

Por, pas viti 1948, kur Jugosllavia i prishi marrëdhëniet me Stalinin, raportet me Sofjen u përkeqësuan dhe kjo zgjati me dekada. Në Maqedoni, sipas Sofjes, pason përndjekja e bullgarëve etnikë, burgosja e tyre, dërgimi nëpër kampet e përqendrimit, nënshtrimi torturave, madje edhe vrasja e tyre në rrethana të paqarta. Kjo është bërë në përputhje me synimin e Beogradit për debullgarizimin e zonave. Sigurimi shtetëror i Jugosllavisë, i njohur si Sektori i Mbrojtjes së Popullit (OZNA) i ka përndjekur bullgarët si armiq të federatës jugosllave. Në vitin 2008 Maqedonia miratoi Ligjin për lustrim me të cilin do të mund të zbuloheshin edhe pjesëtarët e policisë sekrete të implikuar në përndjekjen e bullgarëve. Duhet shtuar se pothuajse të gjithë arkivat e dikurshëm të policisë sekrete ruhen në Serbi.  

5. Vazhdimi i punës së Komisionit dypalësh për historinë e dy vendeve – Ky komision ishte segmenti kryesor i Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë të vitit 2017. Në vitin e parë të punës ky komision bëri një përparim të caktuar lidhur me historinë mesjetare. Puna e tij u ndal kur u shtruan çështjet që kishin të bënin me fundin e shekullit XIX dhe me fillimin e qindvjeçarit XX. Pati mosmarrëveshje lidhur me faktin në ka qenë Goce Delçevi bullgar apo maqedonas. Sipas palës bullgare, historianët maqedonas refuzojnë ta vazhdojnë punën bashkërisht. Në anën tjetër, historianët maqedonas thonë se ndaj tyre ushtrohet trysni politike. Pasoi vetoja bullgare për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut për integrim në BE. Sofja e fajëson Maqedoninë e Veriut se nuk dëshiron t’i njohë faktet historike, ndërsa Shkupi kërkon që për çështjet historike të vendosin ekspertët, pa trysni nga lartë.

Shumë figura historike, si të kohës së mesjetës, ashtu edhe të fundit të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, përvetësohen nga të dyja palët. Car Samoilin e përvetësojnë, si Shkupi, ashtu edhe Sofja. Përvetësohen prej të dyja palëve edhe personalitete të lëmit politik, letrar, kulturor, publicistik. Car Samoili apo Car Samuili ka lindur në Sofje të Bullgarisë në vitin 958, ndërsa ka vdekur në Prespë të Maqedonisë, në vitin 1014. Për historianët maqedonas, Samoili ka qenë sundimtar maqedonas i mesjetës.  

Një prej çështjeve kryesore të pazgjidhura ka të bëjë me identitetin maqedonas dhe me gjuhën maqedonase. Bullgaria nuk e njeh dhe nuk e pranon gjuhën maqedonase. Për të hyrë RMV-ja në Be, kjo çështje patjetër të zgjidhet. Sipas Sofjes, maqedonishtja është në të vërtetë dialekt i gjuhës bullgare. Kjo është diçka të cilën nuk do ta kishte pranuar asnjë maqedonas. 

Sa i përket identitetit maqedonas, pala bullgare thotë se kjo çështje është fryt i propagandës jugosllave. Apo identiteti maqedonas është formuar natyrshëm dhe paralel me atë bullgar!? 

Sipas Shkupit, kërkesat e Sofjes nuk janë veçse reflektim i politikave asimiluese bullgare nga e kaluara deri më sot dhe se Bullgaria, gjatë Luftës II Botërore e ka pushtuar një pjesë të madhe të Maqedonisë së sotme. Në anën tjetër, Bullgaria nuk e sheh veten si fuqi pushtuese. Përveç kësaj, Sofja në asnjë mënyrë nuk pajtohet me formulimet e sotme në tekstet shkollore të historisë në RMV, siç janë: “forcat pushtuese fashiste bullgare”, duke pohuar se ajo vetëm ka administruar një territor gjatë kohës së luftës.  

6. Parandalimi i gjuhës së urrejtjes ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve – Kjo është një prej kërkesave kryesore që i ka paraqitur Bullgaria në dy vitet e fundit. Sofja e fajëson Maqedoninë e Veriut se lejon dhe nuk ndërmerr asgjë për ta parandaluar gjuhën e urrejtjes ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve etnikë. Sipas Sofjes, kjo gjuhë e urrejtjes është përhapur në shoqërinë maqedonase që nga koha e Jugosllavisë, ndërsa me rastin e formimit të shtetit të Maqedonisë në vitin 1991, pasqyra e armiqve bullgarë është përdorur për forcimin e identitetit kombëtar maqedonas. Sintagma “forcat pushtuese fashiste bullgare” nuk është asgjë tjetër, përveç se gjuhë e urrejtjes. Shkupi pajtohet që termin “forcat pushtuese fashiste bullgare” ta zëvendësojë me termin “forcë pushtuese fashiste”, por Sofja nuk pajtohet me kaq. Ajo kërkon që ky term të zëvendësohet me një përkufizim më të butë: “administrimi bullgar”. Për historianët maqedonas, termi “forcë pushtuese fashiste” është përkufizim relevant për arsye se atëherë Bullgaria ka qenë aleate e Gjermanisë naziste dhe se gjatë “administrimit” bullgar qenkëshin vrarë mijëra njerëz. Përveç kësaj, Sofja thotë se në RMV janë dëmtuar një numër i madh përmendoresh bullgare, përfshi edhe rastin e fundit të shkatërrimit të varrezave të ushtarëve bullgarë të Luftë së Parë Botërore në qytetin e Kavadarit.  

Për t’u zgjidhur këto çështje, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise.  

*   *   *

Kontesti midis Shkupit dhe Sofjes, është më kompleks se ai që ishte midis Shkupit dhe Athinës. Këtu kemi të bëjmë drejtpërsëdrejti me mohimin e gjuhës maqedonase dhe të  historisë maqedonase. Kur mohohen këto dy vlera, atëherë vihet në dyshim identiteti një populli. 

Gjatë zgjidhjes së kontestit midis Athinës dhe Shkupit, shqiptarët u treguan të matur dhe vepruan në mënyrë konstruktive. Edhe në mosmarrëveshjen e përtashme të Sofjes dhe të Shkupit, shqiptarët duhet të jenë të matur dhe duhet të marrin qëndrim konstruktiv. Mosmarrëveshjen midis sllavo-maqedonasve dhe grekëve, shqiptarët e konsideronin si çështje e këtyre dy popujve. Po kështu duhet ta konsiderojnë edhe kontestin midis Sofjes dhe Shkupit. Pra, si çështje ndërmjet sllavo-maqedonasve dhe bullgarëve. Faktori shqiptar e mbështet zgjidhjen e problemit të sipërthënë, si  mundësi e vetme që Maqedonia e Veriut të përfshihet në BE. Bujar Osmani është i përfshirë në procesin e zgjidhjes së kontestit ndërmjet Shkupit  dhe Sofjes, jo vetëm si shqiptar, por edhe si funksionar i shtetit apo si ministër i Punëve të Jashtme. Me fjalë të tjera, ai vepron kryesisht, d.m.th. sipas detyrës zyrtare. Zgjidhjen e kontestit ndërmjet Sofjes dhe Shkupit, shqiptarët e mbështesin në shkallë kombi. Pikërisht për këtë, shqiptarët në gadishull gëzojnë aureolën e popullit paqeruajtës, paqedashës dhe stabilizues. 

Zgjidhja e kontestit të sipërthënë e rrit qëndrueshmërinë e RMV-së dhe të rajonit, si dhe parandalon ndikimin apo penetrimin e Moskës në këtë vend dhe në gadishull. 

Propozimi francez në asnjë mënyrë nuk e vë në dyshim, as gjuhën maqedonase, as edhe identitetin e popullit maqedonas. Protestat që i organizon para Kuvendit të RMV-së dhe para Ministrisë së Jashtme, VMRO-ja opozitare, nuk janë hap i drejtë, as i arsyeshëm. Në protestat e mbrëmjes së 5 korrikut u lënduan 47 policë, dy prej të cilëve – rëndë, ndërsa 11 protestues u arrestuan. Kjo është parti konservatore, nacionaliste dhe antishqiptare. Kjo parti s’e ka mendjen te organizmat euroatlantikë. Aq i bëhet për NATO-n dhe për BE-në. Mirëpo 700.000 mijë shqiptarë në RMV nuk mund të jenë peng i një partie retrograde dhe anakronike, siç është ajo. Kjo farë VMRO-je ishte kundër Marrëveshjes së Ohrit, të nënshkruar më 13.08.2001, kundër Marrëveshjes së Prespës, të nënshkruar më 17.06.2018, kundër zyrtarizimit të Universitetit të Tetovës, që u realizua në vitin 2004, kundër riorganizimit territorial të Maqedonisë, të realizuar në vitin 2004, kundër të drejtës së përdorimit të flamurit shqiptar, që u arrit më 27.07.2005, kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe, që u arrit më 14.01.2019. Gjithmonë kundër dhe vetëm kundër. Ithtarët kësaj partie të pareformuar kanë brohoritur “vdekje shqiptarëve”, “shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Avioimpex” – aludim për aeroplanin “JAK 42” që u rrëzua në afërsi të Ohrit më 20.11.1993, me ç’rast humbën jetën 116 vetë, pothuajse të gjithë shqiptarë. Për do ish-ministra të kësaj partie, shqiptarët nuk ishin veçse “indianë”. 

Për Marrëveshjen e Prespës, kjo parti e fajësoi LSDM-në për tradhti të lartë. Si pasojë, në zgjedhjet vendore të mbajtura më 17.10.2021, LSDM-ja mezi ia doli të fitojë në jo më shumë se gjashtë bashki të vogla. Edhe sot, VMRO-ja e fajëson LSDM-në për tradhti kombëtar, duke shpresuar se do ta mposhtë edhe në zgjedhjet parlamentare. Por, VMRO-ja duhet ta dijë se zgjidhja e kontestit midis RMV-së dhe Bullgarisë nuk është çështje partiake apo çështje grumbullimi votash dhe rrëmbimi pushteti. Maqedonia e Veriut, njëherë e mirë duhet t’i zgjidhë çështjet e hapura, si brenda, ashtu edhe me fqinjët e saj. Si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, RMV-ja dhe rajoni ndodhen në krizë të thellë – ekonomike, sociale dhe morale. I pret një dimër i acartë. Prandaj, veprimet e VMRO-së nuk janë veçse akt destruktiv dhe irracional. Politika bëhet në kuvend dhe jo në rrugë. Nga politika populiste përfiton vetëm Vladimir Putini. Vandalizmin në sheshin e Shkupit e mbështet vetëm Moska dhe askush tjetër.

Athina e zgjidhi problemin me Shkupin. Kisha Ortodokse Serbe, përkatësisht Beogradi, për t’i dalë në ndihmë Shkupit përballë Sofjes, më 24.05.2022 e njohu autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase. Tani Shkupin e kushtëzon Bullgaria. Po shqiptarët!? Çështja shqiptare në Ballkan është komplekse. Përveç kësaj, faktori shqiptar në Maqedoni, nuk ka poseduar determinatë historikë. dhe sociologjikë të mjaftueshëm për të imponuar kërkesa politike. Popujt socialë nuk arrijnë lehtë të mira politike.               

Edhe autoritetet e BE-së sigurojnë se me propozimin francez, gjuha maqedonase dhe identiteti i popullit maqedonas, assesi nuk vihen në dyshim. Është mirë që në zgjidhjen e kontestit ndërmjet Sofjes dhe Shkupit, në rolin e tertium interveniens të angazhohet Uashingtoni. 

Xhelal Zejneli                         

Filed Under: Opinion Tagged With: Xhelal Zejneli

PARA QIVURIT TE MBRETËRESHËS

July 7, 2022 by s p

Nga EUGJEN MERLIKA

( Sikur të kishte mbretëruar… )

Këto ditë shqiptarët kanë rastin të mendojnë pak më gjatë për të shkuarën e tyre e, në një farë mënyre, të pajtohen e të paqtohen me të. Këtë rast ja u jep një qivur që mban trupin pa jetë të një zonje 87 vjeçare, e lindur me emrin Geraldina Aponi në Budapestin e vitit të dytë të luftës së parë botërore. Ajo vajzë, e dalë nga një familje e lashtë fisnikësh maxharë, në moshën njëzet e tre vjeçe u kurorëzua si bashkëshorte e Mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogu i parë  e, për pasojë, si Mbretëreshë e Shqipërisë.

Në fronin e Mbretërisë më të re të Evropës qëndroi vetëm një vit, mbasi deliri musolinian për të “ringjallur” Perandorinë e lashtë të Romës në kohët moderne solli në Shqipëri ushtritë italiane. Mbreti Zog së bashku me Mbretëreshën lehonë, që dy ditë më parë i kishte dhënë Vendit të adoptuar princin e tij trashëgimtar, u larguan nga froni e nga Shqipëria.

Ajo ditë shënonte fillimin e tragjedisë së madhe që shqiptarët do t’a provonin në shpinën e tyre për më shumë se gjysëm qindvjete. Ajo ditë shënonte për Mbretëreshën e re fillimin e odisesë së gjatë të mërgimit, kësaj plage të lashtë që shpesh ka shoqëruar të mundurit. Shqipëria dhe Familja e saj mbretërore u ndanë për të ecur në drejtime të kundërta, por që të dyja patën në shpirt një brengë të madhe që i shoqëroi në udhët e tyre të gjata. Shqipëria, në të cilën çdo ditë që vinte i kishte zilinë asaj që kalonte, largohej nga rruga e dritës, e lirisë, e përparimit. Mbreti i saj me familjen do të vërtiteshin  nëpër botë, të dënuar pa atdhe e me lëngimin e fatit të tij në zemër.

Duke qëndruar në heshtje, qoftë dhe idealisht para atij qivuri, për të nderuar kujtimin e së ndjerës Mbretëreshë, një zinxhir i gjatë arsyetimesh e hamëndjesh më pushtojnë mëndjen. Përfytyrimi më çon larg, në atë 7 prillin e vitit 1939, një datë e një ngjarje që shënuan një kthesë të fortë në jetën e shqiptarëve e të Vendit të tyre. Sikur ajo kthesë  të mos ishte kryer, sikur Shqipëria të vazhdonte të ecte në drejtimin që kish marrë… si do të ishte tani?          

Duke patur parasysh mirë konceptin se historia nuk shkruhet me sikur dhe nëse, le t’i nënështrohemi një sforcimi të imagjinatës dhe të logjikës historike mbi ngjarje te pandodhura, por potencialisht të mundëshme, sikur Shqipëria e mbretit Zog të vazhdonte normalisht jetën e saj pa traumën e 7 prillit. 

Shqipëria e asaj kohe ishte një Vend me shumë probleme por dhe me shumë perspektiva. Politikisht ajo ishte një Mbretëri e drejtuar nga një klasë politike, në pjesën e saj më të madhe, e formuar në Perandorinë Turke. Si e tillë ajo pasqyronte të gjitha kufizimet e mundëshme, por e drejtuar nga një person në lartësinë e detyrës, nuk ngrinte mure  në mbrojtje të identitetit të saj dhe ishte e hapur ndaj modernizimit dhe liberalizimit të ideve. Si pasojë e ashpërsisë së luftës politike të viteve njëzet, një pjesë e mirë e klasës politike të asaj kohe jetonte në mërgim, në Vende te ndryshme, ku kishte vajtur mbas dështsprovës majtiste të Qeverisë së Nolit. Mbreti Zog kishte shpallur një amnisti, nga e cila përfituan mjaft të mërguar për t’u kthyer. Me kalimin e kohës i gjithë ai kontigjent njerëzish të politikës do të ishte në  Vendin e tij, në shërbim të një dialektike normale, që do të jepte ndihmesën në demokratizimin e plotë të jetës së Vendit.

Sistemi i partive do të funksjononte normalisht, duke pasqyruar rrymat e ndryshme të mendimit politik, por ai nuk paraqiste rrezikun e degjenerimit ekstremist, mbasi istitucioni i mbretërisë garantonte drejtpeshimin dhe pjerrjet fashiste e komuniste nuk gjenin terren lulëzimi. Për vetë formimin shpirtëror të shqiptarëve, të lidhur fort me disa koncepte si atdheu, besa, familja, respekti ndaj pronës, besimit fetar dhe autoritetit, qoftë fisnor e qoftë shtetëror, idetë komuniste do të mbeteshin pronë e pak të rijve, ndikimi i të cilëve do t’ishte i papërfillshëm në shoqërinë shqiptare.

Ky kuadër politik do të bënte të mundur evolucjonin e Vendit drejt modeleve Perëndimore të demokracisë dhe njëkohësisht do të garantonte ripërtëritjen e pandërprerë të sistemit e të klasës së tij drejtuese. Kjo presupozonte një funksjonim normal të istitucioneve të Shtetit, që duke kaluar nga amullia e viteve të para të Pavarësisë e të luftës së pare botërore, kishin bërë një hop cilësor të madh në vitet e fundit të Mbretërisë. Struktura e Shtetit ishte ndërtuar dhe funksjononte, sigurisht jo në formë të përsosur, por në raport me stadin e zhvillimit të Vendit, ishte e qëndrueshme dhe efikase. Me kohë ajo do të pësonte ndryshimet e duhura në përputhje me kërkesat e kohës, do të ripërtërihej me kuadro të reja e të pregatitura në universitetet Perëndimore, që do të garantonin modernizimin e vazhdueshëm, cilësinë dhe qëndrueshmërinë e një aparati administrativ, që nuk do t’ishte instrument vartës i politikës por shërbyes i përhershëm i shoqërisë, i Shtetit, i Kombit. Jo vetëm lidhja me tokën mëmë, por edhe stimujt materialë që Shteti i asaj kohe vinte në dispozicion të të diplomuave jashtë bënin që shumica dërmuese e tyre të kthehej e të shërbente në atdhe, duke rritur kështu numurin e intelektualëve, aqë të domosdoshëm në një Vend që kishte probleme serioze të analfabetizmit.

Në këtë mënyrë vitet dymijë do e gjenin Shqipërinë politikisht një Shtet normal e me autoritet, me zyrtarë të aftë profesionalisht, të shpërblyer në atë masë sa të mos i a kishin zilinë kolegëve të Vendeve të zhvilluara, të ndershëm e të përkushtuar ndaj detyrës, tepër larg modeleve të ngjajshëm të këtij Vendi sot.

E gjithë kjo superstrukturë shtetërore, që në tërësinë e saj do të përfshinte jo vetëm administratën publike por dhe institucionet e drejtësisë, të rendit, të arsimit, të mbrojtjes, të shëndetësisë, të marredhënieve me botën, që në kohën e Mbretërisë kishte krijuar zanafillën e saj, në Shqipërinë pa revolucion e përmbysje me dhunë do të vazhdonte ecjen e përsosjen mbi parime meritash e cilësije. Ajo do të ishte shprehje e një shoqërije të hapur, në garë me shoqëri të tjera fqinje apo më të largëta, do të merrte e do të bënte të sajën përvojën e të tjerëve, pa u kushtëzuar nga delire “madhështije” apo komplekse përulësije.

Kjo shoqëri do të kishte dhe bazën e saj ekonomike, themeli mbi  të cilin do të ngrihej perspektiva e zhvillimit. Shqipëria e dhjetëvjeçarëve të parë të qindvjetës së  njëzetë ishte një Vend i prapambetur ekonomikisht. Perandoria Turke në pesë shekuj sundimi nuk bëri investime prodhuese me karakter industrial në këtë vend, por stimuloi tregëtinë pa kufizime. Me kapitalet e pakta, të fituara nga ky aktivitet, filluan të lindin punishtet e vogla. Një zhvillim të mirë kishte në shoqërinë e asaj kohe dhe zejtariaa. Mbretëria i dha një hov të madh ndërtimit të fabrikave të para të materialeve të ndërtimit apo të industrisë së lehtë dhe ushqimore.

Strategjia ekonomike e Qeverive të Mbretërise synonte shfrytëzimin sa më të arsyeshëm të pasurive potenciale të Vendit, nëpërmjet konçesioneve kapitalit të huaj dhe stimulimin e kapitalit vendas nëpërmjet ligjeve, që garantonin pronën private dhe lehtësonin aktivitetin ekonomik. Përsa i përket pronësisë së tokës, që në një pjesë të konsiderueshme ishte në dorë të pak familjesh bejlerësh, ishte hartuar projekti i një reforme agrare që do t’u jepte mundësi bujqëve argatë pa tokë të kishin mundësinë e pronës së tyre.  

Këshilltarë të kualifikuar të huaj, të thirrur për të dhënë mendimin e tyre mbi rrugët dhe përparësitë e ndryshme të mundësive të zhvillimit, vinin para Qeverisë dhe Mbretit projektet e tyre. Kreditë afatgjata nga Shtetet e huaja, kryesisht Italia dhe forca e monedhës garantonin nga ana financiare këto projekte.

Rendi publik i siguruar më së miri, stabiliteti politik dhe kuadri ligjor i favorshëm për investimet e huaja do të kishin thithur kapitale që do t’a kthenin Shqipërinë në një kantjer të madh ku ritmet e rritjes do të arrinin në   dy shifra. Do të ishin ndërtuar infrastruktura bashkëkohore, qytete me plane rregulluese të studjuara e të respektuara, qendra turistike që do të shfrytëzonin bukuritë e spikatura të natyrës, qoftë alpine ose bregdetare, që do të sillnin në Shqipëri çdo vit qindra mijra e ndofta miliona turistë të huaj.

Ky zhvillim i gjithanshëm i ekonomisë do të kërkonte një masë njerëzish të kualifikuar,të dalë nga rinia shqiptare e pregatitur në shkollat e profileve të ndryshme në Shqipëri e jashtë saj. Ritmet e zhvillimit ishin plotësisht të mundëshme në sajë të kushteve të përgjithëshme të Shqipërisë si një Vend me një nëntokë të pasur, me një reliev natyror të harmonizuar që premtonte një zhvillim  paralel të bujqësisë e të blegtorisë, me një klimë mesdhetare që i vinte në ndihmë atyre dhe bënte të mundur praninë e një pemëtarie shumëllojëshe e prodhimtare, me pyje shekullore e të pafund, me lumenj të shumtë që ishin burime natyrore energjie etj. Të gjitha këto dhurata të natyrës, të administruara nga një sistem shoqëror demokratik, i lirë dhe i hapur, në të cilin njeriu që fëmijë do të edukohej me respektimin e ligjit, të pronës e të punës së ndershme do t’a bënin Shqipërinë e viteve dymijë një Vend normal të zhvilluar, një Zvicër të Ballkanit, siç e ëndërronin ata që u munduan t’i venë themelet.

Shqiptarët sot do të ishin një popull që do të ballafaqohej me problemet normale të një shoqërie të përparuar, si popujt e zhvilluar të Kontinentit. Nuk do të kishin patur asnjë arsye të merrnin rrugët e Evropës e të botës për t’u bërë shërbëtorë, trafikantë e prostituta, do të ruanin krenarinë e fisnikërinë e rracës së tyre në Vendin e tyre, që do t’i siguronte secilit , simbas aftësive, një të ardhme të sigurtë…Në truallin e lirë të tyre do të lulëzonte kulti i një kulture autoktone e në ballafaqim me atë të popujve të tjerë, kulturë e një shoqërie të lirë, pa kufizime, dogma, ideologjira e paragjykime, kulturë që do të respektonte e do të çonte më tej traditat më të mira të së shkuarës së këtij populli.

Në gjithë këtë kuadër do të kishte dhënë ndihmesën e Saj Mbretëresha Gjeraldinë me kulturën e Saj, me mendësinë e përparuar Perëndimore, me frymën liberale të koncepteve të Sajë për shoqërinë e për Shtetin.

Trupi i Nënës Mbretëreshë do të prehet në tokën shqiptare, kjo qe dëshira e Saj e kjo na gëzon pa masë. Ajo do të përcillet për në banesën e fundit tokësore me nderimet e duhura. I meriton ata nderime, pse në një jetë të vështirë mërgimi u end si gjethja në furtunë, duke patur në zemër fatet e Vendit të burrit të Saj, që u bë vendi i Saj e për të cilin u shpreh: “Jeta ime ka qenë e Shqipërisë.” Por mendoj se ata nderime i përkasin më shumë asaj që Ajo do të kishte bërë për Shqipërinë sikur fati dhe ngjarjet historike t’a kishin lënë në fron.

Sot Shqipëria varros zyrtarisht ish Mbretëreshën e vetme të Shtetit të saj. Eshtë një fakt inkurajues, i pa marrë me mend deri dhjetë vite më parë, një provë se kemi filluar të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë e në ç’udhë duhet të ecim. Shpresojmë e urojmë që të mos jetë i vetmi hap në drejtimin e duhur.

                                                                                                         Tetor 2002                                                                                                     

Marrë nga vëllimi “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

PROTESTO PËR SHQIPËRINË…

July 6, 2022 by s p

Sokol Paja/

Protesto për Shqipërinë, për rininë, për malin, për detin, për tokën, për qiellin, për fushat, për diellin se të gjitha po i vjedhin. Protesto për ujin, për dritat, për gazin, për naftën, për çmimet, për çdo taksë që rritet, për Shqipërinë që po grabitet. Protesto për minierat, për rrugët, për shtetin, për drejtësinë, për krimin, për çdo të keqe, protesto vraje frikën, protesto se Shqipëria po shuhet, të gjithë ikën.

Protesto o vlla, o patriot, o shok, o mik, tregoi botës se Shqipërinë e vodhën e bënë çiflig. Protesto për të rinjtë që po largohen, për vendin që po shkretohet, për zemrat e nënave që po coptohen, për Mëmëdheun që çdo ditë po rrënohet.

Protesto për vatrat që mbetën të shkreta, për prindërit që vetëm i lamë, për të varfrit që u rrënohet jeta, për ata njerëz që shpresë nuk kanë. Protesto kundër hajdutëve e grabitqarëve, kundër tradhëtarëve e zuzarëvë, kundër të ligut e të keqit se Shqipërinë ia falën dreqit.

Protesto kundër armiqve, protesto kundër mjerimit e varfërisë, kundër sistemit të makutërisë, kur zhvatjes e babëzisë, kundër politikanëve të vjetër e të ri, njerëz ta paskrupullt që po na lënë pa Shqipëri. Protesto për Shqipërinë që po tretet nga pak, protesto për Atdheun për të cilin zemra na kullon gjak.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT