• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2022

EKZAMINIMI I DIKTATURËS NE ROMANIN “DOKTORESHA” TË FLAMUR BUÇPAPAJT

September 8, 2022 by s p

https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_03962280bb894698bb553d0becee66cd~mv2.png/v1/fill/w_360,h_360,al_c,q_85,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_03962280bb894698bb553d0becee66cd~mv2.png


Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Shkodra, metropoli i Shqipërisë së Veriut, e cilësuar nga personalitete kombëtare e ndërkombëtare, si “djepi i kulturës shqiptare”, pasi këtu arti dhe kultura kanë shtëpinë e vet, do të ishte frymëzimi i shkrimtarit Flamur Buçpapaj për romanin e tij të ri “Doktoresha”. Pikërisht nga ky qytet, i njohur për qëndresën antikomuniste, ku kaloi një pjesë të konsiderueshme të rinisë së tij, autori F.Buçpapaj, si një nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore ’90, do të skedonte ngjarjet dhe personazhet. I fokusuar tek genocidi i pashembullt që sistemi komunist ushtroi ndaj elitës shkodrane, autori ka skalitur mjeshtërisht profilet e personazheve kryesorë, dy profesorë të diplomuar në Austri dhe vajzën e njërit prej tyre “doktoreshë Zanën”, duke i bërë si askush tjetër autopsinë sistemit të kaluar diktatorial në Shqipëri e duke i dhënë kështu lexuesit një roman mjaftë tërheqës.

Eliminimi, denigrimi dhe shpërfillja e elitës

Në Shkodër, ku elita intelektuale gjatë regjimit komunist është burgosur dhe pushkatuar, dy profesorët e nderuar Martini dhe Leka, vuajnë brengën e eleminimit e denigrimit të ish shokëve e miqve të mbetur si dhe shpërfilljen e tyre nga të pashkollët që kishin marrë frenat e pushtetit. Pikërisht nga këtu nis subjekti i këtij romani. Ata janë dy aristokratë që arrijnë t’i mbijetojnë sistemit, falë aftësive të tyre, si të pazëvendësueshëm: Martini në bankën e qytetit dhe Leka, ndër profesorët më të aftë të gjimnazit dhe të institutit dy vjeçar. Autori jep detaje nga takimet e shumta të dy miqve të pandarë që nga fëmijëria, shkollimi, si ish studenteë të shkëlqyer në Graz të Austrisë (Martini për financë dhe Leka për matematikë). Madje pikërisht nga këto takime ai ndërton dialogje që të mbeten në mendje. 

“Ka mbrritur antikrishti… Dhe është mallkimi i Zotit mbi Shqipërinë tonë sa një pëllëmbë… Kush ka mbaruar jashtë, ose dënohet, ose internohet. Këta i përmbysën të gjitha dhe tani jemi kolektiv. S‘ka fe, familje, atdhe… Këta janë masonë, janë vëllazëri ujqërish…”. Këto janë në thelb bisedat që zhvillohen në fshtësi mes dy profesorëve, që autori i vendos nëpër kafene të ndryshme të Shkodrës, për t’iu ruajtur zbulimit nga ish Sigurimi. Është koha kur janë dënuar me pushkatime e burgim priftërinjtë e Shkodrës dhe i njejti fat i priste edhe ata që zbuloheshin ose etiketoheshin si anti parti. Gjithsesi, gjithkush rreth e rrotull tyre do të habitej me mënyrën e të sjellurit prej aristokratësh. Në këtë kontekst autori evidenton zakonin aristokrat sipas të cilit “në Shkodër e pinin kafenë ngadalë dhe duke bërë muhabet, zakon ky i aristokracisë shodrane, e cila për qytetari kishte emër të mirë e”. Kësisoj do vepronte edhe Martini që kishte trashëguar shumë prona, toka dyqane( por që ia konfiskuan) dhe sjelljen dhe moralin e një njeriu të madh me origjinë dhe prejardhje fisnike shkodrane.

Ishte bërë zakon, që për disa vite këta burra të mëdhenj të qytetit nuk i ndaheshin njëri tjetrit. Pasi çakërronin gotat, si shkodranë puro, dy profesorët e vërtisnin bisedën tek rreziku i zhdukjes së tyre si klasë.

“Kam pasur plot dyqint veta në punë dhe, një ditë s’ua kam vonuar rrogat. Ku i kam shtypur ata? Unë dhe familja ime veç të mira u kemi bërë. Për Zotin i kam ndihmuar këta qafirët e pafe. Po kush e dinte se do bëjnë genocid morracakët…Ua kam falur rrobat e mia të trupit, se më ka ardhur keq, se si shqiptar kam thënë: Hajt t‘i ndihmoj me u çliruar nga fashizmi. Po kush e dinte se këta janë më të këqinj?”. Mjafton qoftë dhe ky perifrazim nga romani, në një prej bisedave mes dy profesorëve, për të kuptuar bagazhin e gjerë jetësor, por dhe artin e të shkruarit nga autori Buçpapaj. Dhe nuk ngelet thjeshtë tek pesimizmi, por mbijetesën e personazheve të tij e vesh edhe me petkun e optimizmit kur vë në gojën e Martinit se: “…Dhe vërtetë na i kanë konfiskuar pronat, por do të vijë dhe dita jonë, do të paguajnë për këto padrejtësi…Janë çuar këmbët me i rënë kokës…veç këtu ka ndodhur. Por besoj te Zoti dhe te Amerika që s’do ti lejë gjatë…”. 

Autori ka meritën e përcjelljes tek lexuesi të mesazhit se ishin pikërisht të shkolluarit jashtë që ndikuan në ruajtjen e atyre pak institucioneve të domosdoshme edhe për atë sistem, falë aftësive të tyre profesionale. Kështu, Martini, që për t’i shpëtuar ndëshkimit kishte divorcuar dhe përcjellë për në Itali bashkëshorten e parë italiane, do të ishte i vetmi specialist që do të “riparonte” gabimet e pallogaritshme të të pashkollëve të punësuar në Bankën kryesore të qytetit. Ndërkohë nuk do të nguronte që në bashkëbisedimet e fshehta me profesor Lekën të shfaqte pasigurinë: “se kjo shoqëri e kafshëruar komplet s‘do të mbijetojë, sepse do të përhapet më shumë imoraliteti, homoseksualizmi, sëmundjet ngjitëse, tradhtia bashkshortore, degjenerimi i familjes e cila shthuret dhe nuk përmban njësinë themelore të shoqërisë, por shthurje totale…”. Ndërsa Leka i prezantohet lexuesit si profesori perfekt, me aftësi të rralla profesionale, që megjithë ndërhyrjet s’toleron tek nota as fëmijët e nomenklaturës komuniste.

https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_53881c69572f4cf49ac4a4321de90aad~mv2.png/v1/fill/w_360,h_534,al_c,q_85,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_53881c69572f4cf49ac4a4321de90aad~mv2.png

Koha kur lavazhi i trurit kishte marrë përmasa gjigande 

Për genocidin e pashembullt komunist në Shqipëri janë shkruar disa romane, novela e tregime, por Flamur Buçpapaj ka meritën se artistikisht, si askush tjetër jep pasojat e pallogaritshme të atij sistemi që solli mjerim dhe varfëri të tejkajshme. Duke përshkruar qartë e bukur në faqet e romanit realitetin e trishtë të afro gjysmëshekulli të sundimit komunist, ai qëllimisht i kundërve klasës sunduese mendimin progresist të dy profesorëve aristokratë. Ndaj jo pa qëllim ai vë në gojën e tyre argumentin dhe bindjen se “Nuk mund të mbijetojë një ekonomi kaq e vogël, duke u bazuar në forcat e veta, sepse s‘ka treg, s‘ka ofertë, s‘ka para në qarkullim, se fuqia blerëse është shumë e vogël…janë copa kafshësh me dy sy…”. Dhe po në këtë kontekst, me gjuhë të pasur e mjete shprehëse interesante autori evidenton pasojat e pallogaritshme që sollën eksperimentet bajate me kolektivizimin e bujqësisë, arëzat e tufëzat që varfëruan skajshëm fshatarin shqiptar të atyre viteve. Dhe të gjitha këto bëheshin në emër të krijimit të të ashtuauajtur “Njeriu i ri”. 

Dështimin e atij sistemi autori e argumenton edhe me infrastruturën e rëndomtë, ku jo pa qëllim vë në gojën e njërit prej personazheve konkluzionin se: “Ka thuajse njëzet vjet pushtet popullor dhe rrugët e Shkodrës janë krejt gropa. Futu në lagje, të mbyt pisllëku, pallate me punë vullnetare ngrihen si shëmti..”.

Për të qenë sa më bindës në artikulimin e atij realiteti trishtues, autori sjell në vëmendjen e lexuesit në një nga dialogjet mes profesorëve, konkluzionin e tyre se: “Njeriun e ri po e rritin të mangët nga truri dhe, kur të vijë koha të udhëheqin këta të rinjtë e sotëm, kush e di se ç‘do të bëjnë? Gjynah për Zotin, për këtë vend, për këta njerëz që po shkojnë me kaq vrull drejt kolektivizimit, bile do të vijë koha që dhe gratë t‘i kemi bashkë…!”. 

Për të përligjur faktin se ai sistem sillte vetëm varfëri dhe sundim nga i pashkolluari dhe i ligu, autori bën analogji me fqinjët për rreth, si për shembull me Malin e Zi, ku kishte zhvillim intensiv të turizmit dhe me tërë ish-Jugosllavinë ku sistemi i vetëadministrimit qe favorit për fshatarët, ndërkohë që pasaporta e qytetarëve jugosllavë ishte aq e vlefshme sa me të mund të emigroje lirshëm ku të doje, deri edhe në Amerikë. Në kohën që tregtarët shkodranë i njihte gjithë bota, në Shqipëri eksperimentohej fenomeni i lavazhit të trurit i cili kishte marrë përmasa gjigande.

“Dikur thonim ‘për atë Zot në qiell’, sot thuhet ‘për ideal të Partisë’. Dialogu me budallenjtë është si t‘i biesh oqeanit me not, ose të nisesh për në hënë me këmbë”, do të shprehej profesor Leka në njërën nga bisedat me Martinin.

Në këtë roman të llojit e stilit të veçantë, koha e sistemit makabër jepet edhe me detaje jetësore, si për shembull gjatë aktivitetitët të profesor Martinit në bankën e qytetit ku: “…vjen dhe të bëhet shef, të mëson, të jep leksione partie një i paaftë, që s‘di as tabelën e shumëzimit… Fodullë janë, por bishtin përpjetë. S‘kanë idenë për ç’farë janë në punë, thjeshtë marrin rrogën. S‘dinë të bëjnë bilanc, s‘dinë të caktojnë fitimin, s‘dinë të gjejnë fitimin bruto, as neto të një ndëmarrje… Këta të çnderojnë, të bëjnë prostitutë, të hedhin në plehra dhe njëkohësisht, një punëtore fabrike e bëjnë drejtoreshë kombinati… Kjo është panorama e këtyre lugetërive…”.

“Doktoresha, personazhi më i spikatur i romanit

Doktoreshë Zana, është padyshim personazhi më i spikatur i këtij romani. Ajo është vajza e profesor Martinit, e cila nga autori përshkruhet si një bukuri e rrallë, trupgjatë, syzezë, me tipare si të bëra me dorë… Dhe pikërisht nisur nga këto tipare, profesor Martinit që e ka dobësi, i duket se i ngjet motrës së tij. 

“Zana është bukuri përrallore…Është një fëmijë i mirë… E ka bërë Zoti engjëll…Vetëm studjon. Është tipike raca ime, krenare, e bukur dhe e zgjuar…”,- kështu e profilizon autori këtë krijesë të magjishme, gjithnjë në gojën e babait të saj, që vuan brengën se ajo herë pas here çalon në njërën këmbë. 

Ndonëse bijë e një aristokrati që survejohej për t’u burgosur apo internuar, Zana, përshkruhet si një studente ekselente në mjekësi, ndërkohë ishte shumë e bukur, po bukurisë së saj i ishte shtuar dhe vlera e zgjuarsisë dhe ndershmërisë. Sa herë vinte në qytet nga Tirana ku studjonte, gjithë rruga mbushej, duke e parë sa e bukur, e gjatë dhe e mençur ishte ajo krijesë që fatkeqsisht kishte filluar të çalonte. Ndaj dhe babai i saj, Martini herë pas herë shpreh shqetësimin se çalimi do t’i shtohej nëse nuk bëhej ndërhyrje kirurgjikale jashtë Shqipërisë, sepse këtu nuk kishte aparatura dhe doktorë të specializuar për të sëmundje të tillë, të pashfaqur deri tani…, ndërkohë edhe frikën e ankthin për të kërkuar vizë ta nxirrte jashtë shtetit, ku kishte miq të shumtë doktorë me të cilët ishte diplomuar në Austri, sepse do ta etiketonin si njeriun që kërkon të arratiset… Dhe duke vijuar në përvijimin e tipareve të bukurisë së kësaj “zane”, autori vë në gojën e babait të saj dashurinë e pakufishme për të: “Unë e dua Zanën time…jap jetën për të. Zoti e ka qëndisur me dorë. Ajo është krijesë mistike, e zgjuar, e bukur, njeriu më i mirë në tokë. Zoti e krijoi dhe e solli tek ne… Një vajzë simpatike, e gjatë dhe gjithë dhjeta në mësime. Çdokush do të habitej nga gërshetimi i bukurisë me inteligjencën. Një kompozim i rrallë që vështirë të përsëritet më…” . Kjo edhe për faktin se Zanës mësimi në gjuhë të huaj i dukej si në shqip, sepse fliste kater gjuhë të huaja shkëlqyer dhe i shkruante ato fiks…gjuha e saj më e preferuar, pas shqipes ishte gjermanishtja.

Duke vazhduar në këtë linjë autori e konsideron Shkodrën një qytet që e ka fat një vajzë të bukur si në legjenda ose përralla, ku bukuria triumfon bashkë me dashurinë…një vajzë që lufton për dashurinë dhe përparimin në qytetin e saj…Zana ose vajza e bukur doktoreshë që pas Rozafës është legjenda e dytë e qytetit. Pikërisht evidentimi dhe përshkrimi mjeshtëror i ngjarjeve kulminante në jetën e Zanës i japin dimensionin shumvlerësh romanit “Doktoresha”. Sepse ajo, nga një studente ekselente, kur vjen të bëjë praktikën në spitalin e Shkodrës do të bëhet protagoniste e ndryshimit rrënjësor të këtij institicioni. Ndaj dhe “Zana doktoresha, i thonin që tani në qytet…Emri i saj po përhapej kudo si me magji…Dikush bënte dhjetë herë xhiro vetëm për ta parë…”.

Trilli i autorit është mjaft tërheqës kur këtë perëndeshë të bukurisë, jashtë vullnetit të babait që e kishte porositur të dashurohej me një djalë larg influencave partiake, pa pritur e përshkruan si të dashuruar marrëzisht me djalin e vetëm ‘kadet’ të ish kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës. 

“Si është kështu puna e fëmijëve? I rrit, i shkollon dhe, vjen një ditë, ikin secili në drejtime të ndryshme, secili për luftën e vet ekzistenciale”!. Kësisoj e përshkruan autori qëndrimin meditativ të profesor Martinit, të cilit “Sytë i xixëllonin përherë para fëmijvë të tij (Zanës dhe djalit të vetëm gjimnazist me të gjitha notat dhjeta). Ajsbergu i dhimbjes nuk dukej kurrë. Ai fshihej poshtë në oqeanin e dhimbjes së tij të përditshme”. Ndaj dhe Adriana, gruaja e tij (e dytë) mësuese, e donte me shpirt, sepse Martini ishte shembull për këtë famlje. I përkushtohej që Ai të ishte i lirë në punën e tij shkencore dhe politike.

Në fantazinë e autorit, nuk është thjeshtë një akt dashurie dhe kurorëzimi në fejesë i tyre, por dhe ndikimi i Zanës tek i dashuri që ai të kuptonte pasojat e atij sistemi, që gjithsesi do të dështonte. Madje, jo vetëm kaq, por pikërisht në këtë linjë F.Buçpapaj di të përveçojë edhe faktin se edhe në atë sistem kishte kuadro deri funksionarë të lartë, si ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv apo ish Drejtori i Bankës, që ndonëse të indoktrinuar, kishin krijuar bindje në moseifiçencën dhe fundin e dështuar të atij sistemi. 

https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_f13f4748d89843db955440e0f3e1efde~mv2.jpg/v1/fill/w_360,h_244,al_c,q_80,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_f13f4748d89843db955440e0f3e1efde~mv2.jpg

KONCEPTET BASHKOHORE PËR DASHURINË

Ndryshe nga dhjetra autorë që dashurinë e identifikojnë me erotizmin, F.Buçpapaj nuk nguron që në këtë roman të shpalosë konceptet bashkkohore. Kështu, përballë hezitimit të profesor Martinit për ta fejuar doktoreshë Zanën me djalin e një funksionari të lartë komunist, ai i referohet përvojës jetësore, sipas së cilës s’ka gjë që ndalon një dashuri, qoftë baballarët apo nënat. Gjithsesei edhe në këtë rast nuk lë jashtë kontekstit shqetësimin prindëror se: “Të rinjtë s‘duan t’ia dijnë për pasojat e dashurisë, s‘ia dijnë rëndësinë humbjes fare.” Dhe po në linjën e koncepteve bashkkohore për dashurinë autori shkruan se “Dashuria është si sëmundja e kolerës që përhapet në ajër dhe s‘ke asnjë mundësi shpëtimi, sepse s’rri dot pa ajër dhe pa oksigjen. Nëse fëmija dashuron, s ‘ka rrugë tjetër veç ti thuash “urime”. Këto koncepte F.Buçpapaj i përçon tek lexuesi, duke i vënë thjeshtë dhe bukur, herë në gojën e professor Martinit dhe herë në atë të fejuarit të doktoreshë Zanës, Ditmarit, djalit të ish kryetarit të komitetit… Le të perifrazojmë disa fragmente kur autori shpreh filozofinë e tij për dashurinë:

“Askush s’e ndalon dritën e diellit dhe lidhjen e të dashuruarve të bashkohen bashkë. Është më keq se tërmeti dhe vuajtjet më të mëdha në tortura…Dashuria është e vetmja forcë që depërton kudo në hapësirën e lirë…Kur dy veta dashurohen, ata për njëri – tjetrin janë gjithshka… Dashuria është si drita e hënës që i merr hua rrezet e diellit natën për të ndriçuar tokën. Dashurinë dhe diellin asgjë s’i ndalon dot të bien mbi tokë. Është dhe në Bibël: Njerëzit që dashurojnë janë pranë Zotit dhe Zoti ua ka hapur derën për në shtëpinë e tij diku lart në qiell, në pafundësi….”.

Madje, jo pa qëllim autori e “vetësakrifikon” të fejuarin e Zanës në emër të dashurisë, i cili pasi i kanë pushkatuar babain (ish kryetarin e Komitetit, ku si edhe në dhjetra raste kuçdra ha bijtë e vetë) kryen aktin e guximshëm të minimit dhe hedhjes në erë të godinës së ish Komitetit të Partisë, dhe vetëvritet pasi i ka shprehur doktoreshë Zanës dashurinë e përjetshme edhe në botën e përtejme… Ndërsa ajo do të qëndrojë stoike edhe kur e denigrojnë, duke e transferuar si infermiere në një fshat të largët të Shkodrës.

KOHERENCA ME REALITETIN OBJEKTIV

Ndonëse ngjarjet dhe personazhet u përkasin viteve 60-70 të shekullit të kaluar kur në Shqipëri u instalua sistemi monist, autori F.Buçpapaj ka meritën e artikulimit të tyre në koherencë me realitetin objektiv. Kështu, jo pa qëllim ai vë në gojën e prof.Martinit konkluzionin se “Edhe po iku komunizmi s’ia vlen më, sepse trendi është që të jenë prapë këta. Se atdheu është i këtyre dhe janë mjeshtra manipulimi…Po erdhi Amerika, këta do të fitojnë prapë. Do të thonë, i tillë ishte regjimi. Ne jemi me Ju. Dhe ne që u dënuam për Amerikën, prapë do jemi në opozitë…(fq.188). Po nën këtë optikë e sheh dhe transmeton ai edhe konceptin e luftës për ekzistencë që sipas tij është gjithmonë lufta më e tmerrshme se çdo llojë beteje frontale…. Madje nga kjo betejë do ta pësonte edhe Kudreti, ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv i cili ndonëse qe edhe kandidat për Anëtar i Byrosë Politike ra viktimë e shpifjeve dhe veprimeve spullative të sekretarit të parë që gënjente kudo me shifra fiktive, merrte ryshfete, merrtw para për emërime… Kjo për faktin se lufta për ekzistencë i kalonte dhe kufijtë e gjakut. 

Autori sjell gjithashtu artistikisht fakte nga ajo kohë mënxyre kur zilia e njerëzve i kalonte kufijtë e njerëzores, si në rastin e porosisë së Kudretit për të birin Ditmarin se: “… politika është gënjeshtër biri im…hyra në këtë rrugë dhe ngela….tashmë duhet të marrësh lejë në byro për të fejuar djalin….deri këtu ka arritur shtetëzimi në këtë vend qesharak….”.

Po ashtu autori artikulon një ish – sekretar partie të kohës së monizmit, kur aludon edhe për ndonjë shpirtkatran tillë të kohës që jetojmë, të cilin “Zoti e ka lënë pa fëmijë se është zemërkeq dhe ka qejf t‘bëjë njerëzit të vuajnë… Mendoj se është impotent…sepse njerëzit me çrregullime seksuale janë agresivë dhe të padurushëm. Impotenca sjell edhe mosbindje të trurit ndaj organeve tjera jetësore. Ata janë më vrasës se homoseksualët, më krinelë se serbët…janë shtuar shumë…janë të sëmurë dhe s‘kanë shërim…gjaku nuk u qarkullon mirë në tru dhe lind defiçenca ose çmenduria relative sa vjen e shtohet”.

Ndaj dhe i mëshon familjes që qëndron në themel, si baza e ekzistencës së botës së qytetëruar. 

Në këtë roman F.Buçpapaj prezantohet edhe si mjeshtër i rrallë në përshkrimin e peisazheve, si në rastin e lokalit në Shirokë ku u bë ceremonia e ngushtë e fejesës së Zanës me Ditmarin. 

Flamur Buçpapaj, (që me këtë roman prezantohet edhe si njohës perfekt i shkencave ekzakte në zbatimin e elementeve përjashtues në ekuacionet termike dhe aerodinamike….. dhe i historisë, si në rastin e historikut të spitalit të Shkodrës që daton në vitin 1891 kur shkodrani Kol Kryqi ose Kryçi la për shpirt bamirësie shtëpinë e tij për spital…dhe se deri më 1928 spitali është administruar nga bashkia e Shkodrës dhe, mbas këtij viti nën administrimin qëndror shtetëror….), pas botimeve të romanit “Martesa e dytë”, vëllimit me tregime “Shiritat”, tre dramave për kukulla dhe studimit “E kaluara morfo-arkeologjike e rrethit të Tropojës, qyteza ilire e rosujës”, si edhe dy vëllezërit e tij Skënderi e Mujo – poetë, studjues e analistë, ndër më të mirër në rang kombëtar, hyn me dinjitet në historikun e fondit të artë të letrave shqipe. 

Filed Under: Reportazh

“SHQIPËRI, TË PAÇA LIGJET“ I AUTORIT PANO HALLKO, LIBËR ME VLERA NJOHËSE HISTORIKE, FILOZOFIKE, SOCIAL-POLITIKE

September 8, 2022 by s p

                                                                  

Qatip Mara

Raleigh North Carolina USA 28 .08. 2022

Udhëtimet e largëta oqeanike të lodhin e të stresojnë kur ndërron disa aeroporte nderkombëtare.Edhe pse isha shumë i lodhur nga udhëtimi 15 orë me ndalesa në aeroportet Rinas -Romë – Atlannta – Durham Raleigh North Carolina USA, nxora nga çanta dhe nisa të lexoja librin “Shqipëri të paça Ligjet” që miku i nderuar Pano Hallko më dhuroi në Tiranë. Sapo fillova ta lexoja harrova lodhjen duke lexuar përshkrime artistike letrare me kulturë gjuhësore amtare që pasqyronin kronikat e ngjarjeve të jetës të viteve 2005 – 2020 të tranzicionit demokratik të mërzitshëm e të hidhur të atdheut tonë e popullit tonë të shumë vuajtur. 

Autori I talentuar Pano Hallko me koncepte shkencore historike, filozofike, sociologjike analizon, gjykon e arsyeton me deduksione jetën politiko shoqërore në të gjitha labirintet e saj, duke dhënë një përvojë të pasur të formimit të karakterit e personalitetit të tij si qytetar, si intelektual i përkushtuar për Atdheun e Kombin Shqiptar. 

Me një penë të artë në faqet e këtij libri ka përshkruar hallet dhe dertet e popullit tonë që është mashtruar në vazhdimësi nga klasa politike e pa përgjegjshme shqiptare. Me vërtetësi ka paraqitur performancën e disa personaliteteve shkencore që rrezatojnë kulturë e atdhedashuri.

Lexuesi në faqet e këtij libri që do quaj enciklopedik shkencor, do të ndjejë rrahjet e zemrës së autorit Pano Hallko, që në çdo qelizë të gjakut të tij pulson dashuria për Atdheun, Kombin e popullin shqiptar. Me realizëm e me intuitën që e karakterizon autori Pano Hallko bën autopsinë e fenomeneve social-ekonomike e politike, duke kritikuar me guxim mashtrimet dhe korrupsionin, varfërimin e shumicës së popullit tonë, ku pakica jeton në një luks të shfrenuar. 

Me të drejtë autori shkruan : “ Në kafe, park, në autobus e kudo, do të dëgjosh njerëz që thonë : -Dua të iki… Pse ndodh kjo? Sepse këta që qeverisin, e molën mirë lopën -shtet, ose thënë më troç-popull: me tenderët që vetëm nder s’kanë mbi vete, me të drejta studimi në shkolla… Ndërruan dhe ndërrojnë parti, se fundja këmbët në zverk të popullit i kanë dhe kërkojnë “të ndryshojnë” e “të mbrojnë” të ardhmen, pa të sotmen! “

Në shkrime autori denoncon me fakte korrupsionin në administratën shtetërore -militante e partive politike, duke theksuar: “Jo se nuk ka ligje për t`i ndëshkuar fajtorët, por nuk zbatohen ligjet”. 

Autori edhe titullin e librit “Shqipëri, të paça ligjet” e ka cilësuar me ironi ku thekson : “ Ky vend nuk ka vuajtur për ligje! As në vitet e errëta zogolliane, pasi u përkthyen ligjet austriake, e as sot në këto 23 vite, të cilat duke gulçuar ne i quajmë “ekonomi tregu”, madje guxojmë t’i quajmë edhe demokraci. As sot nuk mund të shahet legjislacioni shqiptar.

Është përkthyer “mo ta mo”, legjislacioni më i përparuar i Europës……Në këtë kuptim, Shqipërinë e kanë zili deri edhe shtete që janë shumë dhjetëvjeçarësh, anëtarë të BE-së. E këtë na e thanë hapur europianët dhe amerikanët….Ata as më pak e as më shumë na thanë: -“Kapni peshqit e mëdhenj, e i ndëshkoni me ligjet që keni,se ligjet i keni në rregull. ….Mallkimi që kemi ne,mund të formulohet përmbledhtazi : i vetmi ligj në fuqi në Shqipëri , është Ligji që thotë : -Nuk zbatohet asnjë ligj!

Në shkrimin “E majta : -Nga Prometeu, te Sizifi, autori Pano Hallko analizon pozicionin shoqëror të së majtës shqiptare, kritikon lulëzimin e ekonomisë informale, ku bën kërdinë paraja e pistë, ku biznesi gjen mënyra të mos regjistrohet në zyrën e taksave, Ekziston një hendek tmerrësisht i madh ndërmjet ideologjisë dhe praktikave të ndjekura, për të ndërtuar “shtetin social”. 

Në vazhdim, autori analizon shoqërinë e dy të tretave që ëndërron pafund plotësimin e nevojave, për të përballuar kërkesat normale të standartit të jetesës. Me koncepte të qarta ekonomike, autori fshikullon të majtën shqiptare për fryrjen e tmerrshme të shifrave të borxhit shtetëror dhe publik. Autori jep mendime për rolin e shtetit ku thekson: “Prandaj shteti do duhet pajetër që të përfitojë zotësi sistematike vetërefomuese, që të mund të realizojë funksionimin e tij, jo si bisht i tregut, por si prijës e kontrollor dhe rregullator i këtij të fundit. Roli i shtetit e kapërxen fushën ideologjike, ngrihet përmbi to dhe shndërrohet në një tjetër lloj ndryshimi.

Në shkrimin “Një jetë mbi pentagram”, autori përshkruan figurat e shquara të artit muzikor-“Pyllit të lisave të mëdhenj të muzikës shqiptare, që kohët e fundit është rralluar së tepërmi. Nuk ka shqiptar të lindur gjer në fillimvitet ’90-të, që të mos ketë njohur e adhuruar, por edhe të mos jetë ndjerë krenar për emrat Feim Ibrahimit, Çesk Zadesë, Tish Daisë, Panajot Kanaçit, Ferdinand Dedës, Kujtim Laros, e shumë të tjerëve, që tashmë s’i kemi midis nesh.

Autori Pano Hallko analizon me fakte shqetësimin për krimin që ka tronditur shoqërinë shqiptare: “Krimi nuk ka as ngjyrë (rozë e blu), as kombësi. Pikëpamjet që hidhen në tregun mediatik variojnë e ndahen shumë drejtimesh.

Ato rreken të venë gishtin mbi plagë, sajojnë lloj-lloj “diagnozash” me gjuhën e drunjtë të specialistëve dhe ekspertëve, por asnjëherë nuk thonë të vërtetën e kobshme se ndoshta kështu i intereson politikës së të gjithë krahëve. Sado paradoksale të tingëllojë kjo, po të vëresh me sy të lirë dhe pa e vrarë shumë mendjen, ecurinë e politikës sonë në këto vite, del në konkluzionin se ajo (politika) ecën me moton : -Le të hanë njëri-tjetrin, e i fundit veten! Rrënjët e këtij krimi që na ka mbuluar si metastazë janë të hershme, ato zenë fill në fillimvitet ’90-të. Etja e pashuar për fitim të shpejtë të menjëhershëm e mundësisht të lehtë, me shëmbullin e dhënë në mënyrën më të keqe nga politikanët tanë, i dërgoi shqiptarët në dy drejtime të mëdha: rrugëve të botës, por edhe në (ndër)ngrënien e kokave, ata që ngelën brenda”.

Me të drejtë autori kritikon politikanët që janë pasuruar dhe kanë lidhje me krimin dhe thekson: “Klasa e pasur, e cila është politika e të gjithë krahëve, edhe kur janë të bindur se tradhtohen prej bashkshortit/es, i fusin një gotë verë pas buke, e …turpi largohet. Bëjnë secili qejfin e vet me partnerin e vet, por e mbajnë familjen për sytë e botës, e për hir të votës. Sepse kanë motiv për të jetuar, për të shijuar ato të mira që homologët e tyre në Europë e Amerikë i kanë krijuar në 5 breza duke u marrë me biznes. 

Këta tanët ….. a i keni parë sa energjikë janë në karrige? Vetëm shikojini me vërejtje në sy, sepse seç kanë disa damarë të kuq brenda tyre, damarë të cilët shprehin lëndën që marrin”…

Autori Pano Hallko në shkrimin “Drejtësia e munguar, prodhon kriminelë” analizon e kritikon duke theksuar: “Jemi mësuar shpesh të themi e të shkruajmë se varfëria e mjerimi prodhojnë krimin. Por jo rrallë mungojmë të përceptojmë, të shprehemi e të shkruajmë se fabrika më e madhe e prodhimit të krimit, është vetë sistemi i drejtësisë, kur ajo është e munguar, thënë më saktë, kur ajo “i zbardh” vendimet e saj në ….samarin e gomarit! …..Ndër vite e në mënyrë të përsëritur në këtë vend, është folur e pretendohet (për të disatën herë) Reforma në Drejtësi. E megjithatë, prokurorët, avokatët-sekserë dhe gjykatësit ……shtojnë si me magji pasuritë, bëhen çdo ditë më të “fuqishëm”, çdo ditë e më të padrejtë”.

Lexuesi do marrë një informacion të larmishëm shkencor e kulturor në shkrimin “Afganistani, siç nuk e njohim”… 

Autori Pano Hallko me vullnet të hekurt e pasion për të treguar të vërtetat historike, përshkruan bukur udhëtimin me avion në bazën ushtarake në Herat Afganistan. Me dëshirën e tij ishte regjistruar në listën e kontigjentit të ushtarakëve shqiptarë, që shërbenin në Herat-Afganistan. Me penën e tij të artë autori Pano Hallko përshkruan historinë e këtij vendi duke e cilësuar të veçantë në llojin e saj, ku thekson: “Sa i takon mbijetesës së popullit si etni dhe tërësi gjeografike, ai vend përballoi Aleksandrin e Madh, Shashanët, Arabët dhe sovjetikët.Të krijon përshtypjen e një muri të madh, të rrënuar, jo të bukur në pamje, por në fund të fundit qëndron në këmbë”. Duke vazhduar leximet e përshkrimeve interesante të autorit Pano Hallko për Afganistanin, lexuesi mëson historinë e afganëve . “Herati i ka hapur dyert e Universitetit qysh në vitin 1381. Në jug të qytetit të Heratit shtrihen ende rrënojat e Çitadelës së vjetër të Aleksandrit të Madh. Herati ka qenë djepi i kulturës persiane, shtëpia e poetëve, shkrimtarëve, piktorëve dhe e sofizmit. Madje dikur thuhej si me shaka, se… “Në Herat është e pamundur të shtrish këmbët, e të mos shkelmosh prapanicën e një poeti”. Katër shekuj më parë sesa Shekspiri të shkruante “Romeo dhe Xhuljeta”, Nazimi e kishte shkruar të njëjtën vepër në poemën e famshme “Maxhuni dhe Laila”, në dialektin farsi të gjuhës afgane. Herati pat qenë parajsë e jetës, e lulëzimit të artit, të bujqësisë dhe të zejeve. Herati i dëgjuar në kohëra për prodhimin e qilimave dhe të porcelanit”…

Në vazhdim në shkrimin për Afganistanin, autori Pano Hallko pasqyron historinë e mbretërimit në shtetin e Afganistanit, për kulturën fetare, për talebanët dhe shumë zakone të ashpëra të popullit të Afganistanit. Duke bërë përsiatje dhe refleksione për historinë e Afganistanit, autori Pano Hallko përshkruan jetën shoqërore në Afganistan. Duke bërë krahasime e gjykime për mënyrën e jetesës ku thekson: “Nuk do të ishte hiperbolë, nëse do të thuhej se logjika e këtyre njerëzve punonte në drejtim të kundërt të akrepave të sahatit, me të cilin punon njerëzimi. Në mënyrë rrënqethëse përshkruan historinë afgane të turmave të fëmijëve që imitonin baballarët e tyre në arenat e turpit, ose vendin e preferuar për vdekjen me gurë. Populli mbushte stadiumet duke goditur me gurë një thes që kishte brenda trupin e një gruaje. Ata goditnin me egërsi thesin në vrasjen makabër. “ Kjo vetëm një emër kishte: Çmenduri, pse jo, Histeri kolektive”.

Autori Pano Hallko me shumë përkushtim e dashuri atdhetare ka komunikuar duke bërë intervista me shumë personalitete të shkencës, të jetës akademike dhe letrare, duke evidentuar përvojën e tyre si pasuri diturie për Kombin Shqiptar. Në intervistën me akademikun Teki Tartari, autori Pano Hallko vlerëson arritjet e profesorit, që është anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, fitues i titullit të Universitetit të Kembrixhit, njëri prej 2000 personaliteteve më të shquara të botës për shekullin e XX-të me motivacion: “Për kontribut të shquar në shkencën e Gjenetikës dhe për përgatitjen e mijëra specialistëve të Bujqësisë, për kryerjen e ndryshimeve shkencore dhe për transformimin e bimëve”.

Pyetjet zhbiruese të drejtuara me aftësi nga autori Pano Hallko marrin informacione të shumta nga përvoja e akademikut të shquar Teki Tartari, të cilat autori me mjeshtëri artistike i ka evidentuar në librin e boturar “Shqipëri ,të paça Ligjet”. Publikimet e intervistave përbëjnë një pasuri kulturore atdhetare Kombëtare që specialistët e rinj të mësojnë nga përvoja e shkëlqyer e akademikëve të shquar. Autori Pano Hallko vlerëson akademikët duke theksuar: “Akademikët janë korifejtë, majat e një vendi.Ata mund të quhen edhe paraprijës të shoqërisë. Akademikët e një vendi, secili nga drejtimi shkencor që ka ai, i hapin horizonte e mundësi të pamata shoqërisë dhe shtetit.”

Në intervistën me Profesor dr Spiro Qirko, autori Pano Hallko e ka titulluar: “Me ritmin e zemrës”në të cilën vlerëson kontributin e shquar të Profesor dr Spiro Qirko, si kardiolog i talentuar dhe i shkëlqyer në stafin e kardiologjisë. Autori thekson: ”Profesor Spiro Qirko gjatë karierës së tij të gjatë profesionale, ka demonstruar së pari të qenët human, ashtu siç e kërkon Betimi i Hipokratit, ashtu sikurse e kërkon një shoqëri civile, qytetare, demokratike. Autori me respekt përshkruan karrierën në mjekësi të profesor dr. Spiro Qirko dhe meritimin e dekorimit me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.

Në shkrimin “Gënjejmë veten, në emër të Europës”, autori kritikon politikën shqiptare si burim konfliktesh, grindjesh dhe thekson shprehjen e komisioneres europiane: “Do më vinte turp, nëse do isha shqiptare”,-tha me një fymë e pa hezituar aspak, njëra nga komisionerët e Europës, që kishin ardhur të bisedonin me “tanët”. Mua, që nuk e njoh shumë mirë gjuhën e saj, disa herë, m’u desh të (ri)shikoj mimikën e saj, fytyrën dhe gjithë qenien e saj, disa herë në disa kanale nga tonat, që u transmetuan për dy ditë rresht.

Ajo foli me një çiltërsi të tillë që dilte nga një vajzë intelektuale e alarmuar, saqë të linte pa frymë. E ndien veten të turpëruar ajo, për llogari tonë! …Pra, foli açik, jashtë dhëmbëve, me zemër në dorë, sepse këta “tanët”, ia plasën zemrën, në orët e gjata të shkëmbimit të “breshërive” mes tyre. E vërteta është që europianët erdhën e u ulën “pajdash” me komisionerët tanë për të biseduar e ndrequr punë, duke ofruar ndihmën dhe konsulencën e tyre. …Por u ulën mbi “shilte” dhe u ngritën me …gjemba në prapanicë! Sepse ua tha edhe zonja komisionere: “20 vjet që ju njoh, kështu ju mbaj mend, duke ngrënë njëri-tjetrin”!. 

Autori kritikon mungesën e bashkëpunimit midis forcave politike shqiptare për të krijuar shtetin ligjor, një shtet me dinjitet dhe serioz, duke theksuar: 

“ Shteti, edhe prej kartoni në qoftë, të bën gjëmën, -tha dikur Çurçilli. Mirëpo ky shteti ynë është ngritur enkas prej letre, për t’u tallur me të, ca hajdutë e kodoshë, të cilët pa asnjë skrupull kanë rënë si korbat mbi kufomën e hartës (administrative) të Shqipërisë, dhe s’kanë të nginjur! Por Europa përveç kritereve teknike që i kërkon e i vlerëson, kërkon edhe… klasë politike të përgjegjshme, majtas e djathtas, kërkon edhe paralament, edhe shtet.

Në larminë e shumtë të shkrimeve në librin “Shqipëri, të paça ligjet”, autori Pano Hallko vlerëson Historianin e madh Profesor dr Kristo Frashëri, duke përshkruar jetën e tij të pasur në veprimtari e botime të shumta historike. Duke evidentuar vlerat e shumta të personalitetit të shquar Kristo Frashëri në 90 vjetorin e ditëlindjes së tij, autori përshkruan bukur artistikisht portetin fizik të ballit të profesorit të madh Kristo Frashëri. -“Vitet kanë kaluar dhe siç është e natyrshme kanë lënë shenja të dukshme në të gjithë qënien e tij njerëzore. Balli i lartë është pluguar nga brazda të thella, të cilat si në pak raste bëjnë vetëm atë rrugën e zakonshme si te të gjithë njerëzit, pra gjatësinë e “autostradës” së ballit. Përkundrazi, dy nga rrudhat e mëdha, ato më të thellat, ecin ndryshe. Ato marrin rrugë aty ku ndahen vetullat, dhe.. nisen lart, drejt kores së hemisferave të mëdha të trurit, tru i cili në personin e tij punon me një ritëm e intesitet,  që do ta kishin zili të gjithë ata që kanë më pak se gjysmën e viteve të tij, e që janë produktivë në punën e tyre intelektuale. Shikimi tij teksa flet, tretet diku larg , edhe kur ndodhesh vetëm një metër larg tij, zëri i buçet në bisedë e sipër, jo rrallë shpërthen kundër padrejtësive që ka parë e përjetuar në këtë vend gjatë…..plot 90 vitesh.

Autori pasi përshkruan dhomën e punës të Historianit të Madh Kristo Frashëri, e vlerëson si “një përjashtim biologjik kujtesën unikale fenomenale të profesorit Kristo Frashëri, që freskohet vazhdimisht, kushedi se në çfarë mënyre të rigjenerimit të neuroneve, rend në shekuj, në Mesjetën e errët të hershme e deri në lashtësi dhe hedh dritë mbi shumë ngjarje”…

Autori Pano Hallko për disa vite rresht ka bashkëpunuar me Historianin e Madh Kristo Frashëri dhe e njeh shumë mirë “ritmin e jetës në hyrjen modeste të profesorit, pulsin e saj, qysh në mëngjes herët, e deri vonë në mbrëmje”.

Autori e vlerëson Historianin e madh Kristo Frashëri: “Një pasuri kombëtare, një kapital të patundshëm, e pse jo, edhe një pikë reference për krenarinë kombëtare, në të gjithë hapësirën shqiptare..”

Në librin “Shqipëri, të paça ligjet, autori analizon Çështjen Kombëtare Shqiptare konceptet komb, kombësi dhe fatin tragjik të shqiptarëve që jetojnë të ndarë në pesë shtete. Me njohuri të sakta historike e juridike, autori argumenton domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar shqiptar, ku thekson : 

-“ Midis kombit de fakto dhe kombit de jure, shtrihet hapësira e veprimit të përbashkët të shqiptarëve. Kjo është vetë alternativa mbarëkombëtare, e cila kur është e programuar konceptualisht, realizon përputhjen e homogjenitetit të pikpamjeve me homogjenitetin e kombit. Ideja e bashkimit kombëtar nuk mund të jetë monopol i kurrkujt që flet në emër të kombit, pasi një mandat i tillë nuk ekziston”.

Në vazhdim të shkrimeve ,autori Pano Hallko vlerëson personalitetin e shquar Profesor Shaban Murati, të cilin e përcakton “Syri i tretë mbi Diplomacinë”, ku thekson: “Për vite të tëra, njerëzit mbamendës në këtë vend, sa herë lexojnë analiza, esse, opininone, por edhe librat e shumtë të diplomatit të mirënjohur Shaban Murati, pasi kanë mbaruar leximin, pyesin veten: -A i lexojnë këto shkrime segmentet përkatëse të shtetit tonë, më së paku nëpunës, diplomatë dhe Drejtoritë përkatëse në Ministrinë e Punëve të jashtme? E nëse i lexojnë, çfarë bëjnë në praktikë? 

Autori Pano Hallko analizon librin e botuar nga profesor Shaban Murati, me titull “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit”, ku vlerëson kontributin e profesor Shaban Murati, që… “S`ka të dytë në realitetin shqiptar, të një nëpunësi “të vetëpunusuar”–pa të ardhura, madje me botimet ndër vite, të një Syri që nuk bën gjumë për diplomacinë dhe mbi diplomacinë. Është shqetësimi dhe kontributi i një burri shtetbërës dhe intelektuali patriot, shpirti i të cilit trazohet sa herë shikon mosarritje, dështime dhe apati, tek ata që do duhej të ishin struktura e pathyeshme e kësaj kolone jetike të shtetit”.

Një vlerësim të merituar autori Pano Hallko i bën në libër të madhit Moikom Zeqo, ku e cilëson “Letërsi Moikomiane”. Me një dashuri atdhetare të zjarrtë, autori shpreh performancën shembullore të të mirit të të mirëve, të përveçmit Moikom Zeqo. Me ndjenjë dhimbjeje e me një zemërim të ligjshëm, autori kritikon shtetin shqiptar që goditi gjakun e të madhit Moikom Zeqo, duke e pushuar nga puna. Ky është një turp i shtetit shqiptar, i politkës shqiptare, që hakmerret ndaj eruditit të dijes, të madhit Moikom Zeqo. Pena e autorit Pano Hallko pikon lotë në çdo frazë që shkruan tek shkrimi “ ZIJA JONË MË E GJATË”, ku midis të tjerash thekson:

-“Ti, Moikomi ynë i pashoq mbete dhe do të mbetesh në historinë e këtij vendi si i papuni më i famshëm i tij, i papuni që do të vazhdojë të turpërojë shtetin shqiptar në të gjitha kohërat. Edhe kur ai të jetë ndërtuar vërtet si shtet i së drejtës (e doemos atëherë), do t`i skuqet faqja përjetësisht. Pushimi yt nga puna do të bëhet leksion për fakultetet e Drejtësisë dhe të Gazetarisë. Leksioni me temë: “ Si nuk duhet të jetë shteti”. 

Sigurisht, të gjitha shkrimet e botuara në librin “Shqipëri,të paça ligjet”, i lexova me vemendje dhe disa prej tyre i rilexoja. Sepse të gjitha fjalitë e krijuara me mjeshtëri nga autori Pano Hallko, kanë dendësi dhe thellësi mendimi për problemet e jetës në zhvillim. 

Me një gjuhë të pasur letrare autori talentuar Pano Hallko shkruan një prozë poetike, me figura të shumta artistike e stilistike dhe është afirmuar si shkrimtar i vërtetë. Është origjinal në të shkruar, duke derdhur me art mendimet dhe ndjenjat e tij fisnike. Fjala e shkruar është poetizuar artistikisht e në çdo frazë përcillen te lexuesi mesazhe të shumta etike, morale, politike, psikolgjike, për sfidat e jetës individuale dhe shoqërore. 

Njëkohësisht autori në shkrimet e shumta përcjell te lexuesi informacione e njohuri me koncepte historike, filozofike, socilogjike, juridike etj, që e bëjnë librin të lexohet dhe të rilexohet me shumë dëshirë. Ajo që bie në sy është zbatimi me korrektësi i rregullave të drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe, duke përdorur sistematikisht shenjat e pikësimit, të cilat kanë shumë rëndësi për të kuptuar çështjet që trajton autori në libër. Duke përfunduar së lexuari librin “Shqipëri, të paça ligjet”, mësova dhe pasurova dijet e mia. Autori Pano Hallko rrezaton një kulturë demokratike të spikatur në karakterin e tij solid. Personaliteti iautorit të talentuar është krijuar me punë këmbëngulëse, me dije të sakta shkencore në disa fusha të shkencës. 

I lindur në Vranishtin piktoresk të Labërisë në një familje atdhetare, autori Pano Hallko trashëgoi traditat më të mira të popullit duke u edukuar me shumë dashuri nga prindërit, të cilët krenoheshin që biri tyre eci me zotësi si një intelektual me shumë vlera. 

Ky intelektual i talentuar, është krenari e Labërisë dhe e atdheut. Me performancën e tij shembullore rrezaton dritë diturie dhe mirësie. Zemra e tij dashuron atdheun, popullin punëdashës e paqedashës, kombin shqiptar, të cilët aq bukur i paraqet në shkrimet e shumta që boton.

Poeti i mirënjohur Xhevair Spahiu duke biseduar në Vranishtin malor të Lumit të Vlorës me veteranët e luftës të vitit 1920, i ka cilësuar në shkrimin e tij të botuar në një gazetë, me titullin “Kockëfortët e Vranishtit”, duke vlerësuar trimëritë e tyre në luftërat për liri e Pavarësi. 

Edhe intelektuali i talentuar Pano Hallko, është jo vetëm Kockëfortë i Vranishtit, por edhe i atdheut tonë. 

Me penën e tij të artë, ai është farë që duhet mbjellë. I uroj jetë të gjatë me lumturi në familje dhe suksese në krijimtari.

Qatip Mara

Raleigh North Carolina USA 28 .08. 2022

Filed Under: ESSE Tagged With: Qatip Mara

MARK TIRTA, PROFESORI  MIRDITOR I ETNOKULTURËS, NJË EMËR I NJOHUR I SHKENCËS SHQIPTARE DHE MË GJERË

September 8, 2022 by s p

(Mesazh urimi me rastin e dhenies se titullit te larte “Nder i Kombit”)

Shkruar nga: FRAN GJOKA

Të shkruash për intelektual të përkushtuar e me integritet, nuk është e lehtë, pasi tek ata mungon dëshira për dukje, por kanë me shumicë, ndjenjë, pasion, dashuri e humanizem, gjëra të cilat ne i kërkojmë tek “heronjtë”. Por në të vërtetë, “heronjtë” janë njerëzit e thjeshtë, të ditur dhe të përkushtuar, që tërë jetën e tyre sakrifikojnë për një qëllim, për një ideal, dhe bëjnë të pamundurën për t’i realizuar, qoftë dhe me vetëmohim. Le të ndalemi tek njeri prej atyre njerëzve të sakrificës, të përkushtimit, të vetëmohimit dhe të pastertisë morale, i tillë është portreti i profesorit, akademikut tonë të nderuar dhe të respektuar Mark Tirta. 

Ai është një burrë i zakonshëm, i thjeshtë, i buzëqeshur, pavarësisht nga vitet që ka mbi supe, Mark Tirta është stoik në qëndrimet e tija, ndoshta mosha dhe sëmundja e kanë lodhur, por shpirti i tij mbetet gjithnjë i ri, modest dhe plot dashuri për shkencën, për artin e kulturën, për njerëzit. Vepra shumëplanëshe e Akademik Tirtes meriton respekte dhe përulje para Tij, para studimeve të Tija, para kontributit të jashtëzakonshëm që ai ka dhënë në shkencat albanologjike dhe sidomos në etnokulturë. Mark Tirta ka mbi shatullat e Tija 87 vjet jetë njerëzore, por edhe rreth 67 vjet punë kërkimore-shkencore, punë e cila e kanë rradhitur profesor Markun ndër personalitetet më të shquara të shkencës shqiptare dhe më gjerë. Si studiues i talentuar, Ai gjithçka e arriti me punë këmbëngulëse dhe me plot vullnet e dije shkencore dhe ishte rezultat i punës së Tij çdo arritje. Në vitin 2020, doktorant Nikoll Loka, me rastin e 85 vjetorit të lindjes së profesor Tirtes, shkruan: “E papritura e parë e jetës: Marku e nisi rrugën e dijes në një mënyrë krejt të veçantë. Fillimi i tij nuk lidhet me një mësues të zakonshëm, as me një klasë, por si nxënës i një kleriku që do t’i jepte bazat fillestare për të vazhduar Seminarin Papnor në Shkodër. Abati Frano Gjini, duke patur konsiderata për të atin, mendon që njëri nga djemtë të ndiqte rrugën e meshtarisë. Babai, pasi vjen në shtëpi dhe e pleqëroi kërkesën në familje, vendos që ta dërgonte pikërisht Markun, me arsyen e vetme se ”ky për punë nuk ban, ishalla ban për kalem!” Profecia e të atit doli, Marku nuk zhgënjeu. Mësuesi i parë i Mark Tirtes ishte Dom Mark Gjani, i diplomuar për teologji-filozofi në Universitetin Antonianum të Romës. Me Dom Markun djali zhvilloi lëndët: shkrim, këndim, aritmetikë nga katër herë në javë me dy orë mësim në ditë. Për të shkuar në shkollë, bënte katër orë rrugë në këmbë vajtje-ardhje nga Lgjini deri te Abacia në Orosh; kishte lodhje, ndodhte që të shkonte nëpër shi dhe borë, terreni ishte i vështirë dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kishte shpërthyer lufta e pas njëfarë kohe, mbi qiellin e Oroshit nisën të kalonin avionë të palëve ndërluftuese. Në ato kushte, ndërpreu mësimet, ndërkohë që nuk kishte një ëndërr tjetër në sirtar. Marku ka dhe një koinçidencë tjetër,  i takoi që të jetonte në mes të librave. Bilioteka i erdhi dhuratë nga dajtë prej Kryezezit të Malsisë së Lezhës. Pas vdekjes së dy vëllezërve të nënës që kishin shkollë, librat e tyre nuk kishte kush t’i lexonte, prandaj u dërguan për dy vëllezërit e Markut, Pjetrin dhe Gjonin që kishin kryer shkollën fillore.

Ne foto: Prof.Dok. Mark Tirta, Akademik – “Nder i Kombit”

 Edhe pse ende nuk dinte të lexonte mirë, Marku i kalonte librat nëpër duar dhe mendonte që sapo të hapeshin shkollat, të shkonte e të mësonte që të mund t’i lexonte.” Marku i vogël, shkollën fillore e mbaroi shkëlqyeshëm. E kishte me paion shkollën. Vijoi më vonë 7-vjeçaren në Durrës, në vitet 1948-1950. Shkollën e Mesme Pedagogjike e mbaroi në Tiranë.  Tani para tij dhe familjes së tij kishte dy alternativa: i duhej të zgjidhte të bëhej një rrogëtar e të ndihmonte familjen me rrogën që do të merrte, apo të vazhdonte dhe dy vite të tjera shkollë të lartë që të formohej plotësisht. Me pëlqimin dhe besimin e familjes, zgjodhi të vazhdonte studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Shkodrës. Më vonë, gjatë punës, plotësoi dhe studimet katërvjeçare në Fakultetin Histori-Filologji në Tiranë. Prof. Dr. Mark Tirta, etnolog, akademik i Associuar (2008), lindur në Orosh të Mirditës, më 21 maj 1935, kryen studimet në Universitetin e Shkodrës e të Tiranës për histori-gjuhësi, më 1957- 1961. Në vitet 1955-1957 dhe 1959-1967 ka qenë arsimtar në Mirditë: më tepër drejtor shkolle a inspektor arsimi (për rrethin e Mirditës). Nga viti 1961 e në vazhdim, krahas punës në arsim, merret dukshëm me kërkime në fushë të etnokulturës, bën eksplorime të shumta në Mirditë e rrethet fqinje të saj, si: mbledhje materiali etnografik e folklorik, zbulon e përshkruan qendra të reja arkeologjike të Arbrit Mesjetar, po kështu dhe kulturë ilire e romake, ngriti një muze në Rrëshen (1967), mbledh toponime, antroponime, fjalë të rralla. Botoi shkrime të ndryshme. Ka bërë një fjalor me 6500 toponime të Mirditës, depozituar në Arkivin e Institutit të Gjuhë-Letërsisë. Si rrjedhojë e kësaj pune kërkimore, më 1968 e emërojnë etnolog profesionist në Tiranë, në Institutin e Histori-Gjuhësisë, dega e etnologjisë, (sot: Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë), punë që vazhdon ta kryejë edhe në ditët e sotme, edhe pse ka dalë në pension më 2008. Më 1967-1968 ka kryer në Tiranë një kurs njëvjeçar për filozofi, si kualifikim pasuniversitar. Titujt e gradat shkencore: më 1968, për veprimtarinë shkencore si bashkëpunëtor i jashtëm për 7 vjet, i është dhënë titulli “Bashkëpunëtor Shkencor i Ri”; më 1978 ka mbrojtur disertacionin në mitologji e besime e ka fituar gradën “Kandidat i Shkencave”; më 1983 i është dhënë titulli “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”; më 1988 me temën “Migrime të Shqiptarëve”: disertacion, ka fituar gradën “Doktor i Shkencave”; më 1994 i është dhënë titulli “Prof. Dr.” (“Drejtues kërkimesh”). Është bërë Akademik i asociuar (2008). Në vitet e para, pasi është emëruar etnolog në Tiranë, ka dhënë këto provime pasuniversitare: 1. Etnologji e përgjithshme, 2. Etnologji europiane, kur përqendrimi ka qenë dukshëm te Ballkani, 3. Etnologjia shqiptare, 4. Filozofi: ka shërbyer diploma e kursit të përmendur më sipër. Më 1971 ka qenë 4 muaj për specializim në muzeologji në Rumani e në Itali. Njeh mirë gjuhën frëngjisht, rusisht, italisht, serbokroatisht; për të tëra ka dhënë provime pasuniversitare. Ka botuar në vende të huaja mbi 70 shkrime shkencore. Në Spanjë, në Francë e në Gjermani i janë kërkuar për botim librat, si: “Mitologjia ndër Shqiptarë” e “Etnologjia e Shqiptarëve”, po nuk u bënë. Ky etnolog disponon disa letra e kërkesa të bëra nga Instituti i Europës Juglindore në Vjenë, ku ftohet të bashkëpunojë në tema të popullsisë e të disa çështjeve të tjera etnologjike për Shqipërinë në një vepër madhore të këtij Instituti. I kanë kërkuar bashkëpunim për vepra madhore të emigracionit botëror të sotëm, për të bërë pjesën për Shqipërinë: Universiteti i Floridas në SHBA, një Universitet i Torontos (Kanada), një kolegj ushtarak i studimeve gjeografike në Kanada. Tërë këtyre të fundit nuk u kanë dhënë përgjigje pozitive për të mos u spostuar nga temat në studim, por dhe për mungesë të mjeteve financiare që fillimisht i duheshin për të plotësuar harta, skica, grafikë e gjëra të tjera teknike. Më 1988, këtij etnologu, i është kërkuar të plotësojë Curriculum Vitae e disa dokumente të tjera, por dhe një konfirmim vetjak pranimi, për t’u bërë anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave të Lutesës (Paris), por bashkë me dokumentet duheshin dërguar dhe një sasi dollarësh si test miratimi që i përmenduri nuk i dispononte; në bazë të statusit të kësaj Akademie duheshin paguar dhe kuota mujore, të shprehura në dollarë, gjë që ishte e pamundur të bëhej. Si rrjedhojë, kërkesën e ktheu mbrapsht me një falënderim mirësjelljeje ndaj atyre që ia propozuan këtë titull.

Ka qenë anëtar i redaksisë së përmbledhësit “Etnografia shqiptare” dhe i revistës “Kultura popullore”, përkatësisht dhe i “Ethnographie Albanaise” e në “Culture popularie albanaise”, në këtë të fundit, “Kultura Popullore”, që në themelimin e saj.

 Në përgatitje të çdo numri të tyre ka dhënë një ndihmesë të shënuar me artikuj studimorë, me reçensione librash, me informacione shkencore, me redaktime, me zgjedhje dhe përpunim materialesh për revistën dhe përmbledhësin. Si etnolog, prej shumë vitesh ka ndërmarrë ekspedita kërkimore në tërë viset shqiptare, duke përfshirë edhe Kosovë e Maqedoni Perëndimore, dëshmi që i kanë vlejtur në punën  e tij studimore, si themel mbështetës në punën e tij shkencore. Ka shkruar mbi 400 punime shkencore e kulturore në fushë të etnologjisë shqiptare e më tej, kryesisht nga temat: mitologji e besime, migrime të shqiptarëve, por është marrë dhe me temat: familja, arti popullor, e drejta kanunore, jeta sociale e fshatarësisë, veshjet popullore, toponimet në vështrim etnologjik, probleme të zhvillimit krahinor e etnik të shqiptarëve, histori e etnologjisë e njerëz të shquar, kritikë e bibliografi. Jo pak punime të këtij etnologu janë botuar në gjuhë të huaja, madje edhe në disa revista e periodikë prestigjiozë shkencorë në botën e jashtme, gjithsej mbi 70 punime shkencore. Ky etnolog ka marrë pjesë me kumtesa, me referate, në sesione shkencore, në simpoziume, në konferenca, në kongrese shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, brenda vendit e në botën e jashtme, në mbi 130 raste. Është marrë dukshëm me muzeologji: në ekspozita e muze në Tiranë, në rrethe të ndryshme të vendit, në ekspozita muzeale e veprimtari jashtë shtetit. Ka botime shkencore jashtë shtetit, mbi 70 njësi, shkrime shkencore, përfshirë dhe Kosovën e Maqedoninë. Ka bashkëpunuar në bërje të veprave madhore, si: “Qytetërimi Ballkanik” nën kujdesin e UNESKO-s; po kështu në “Atlasi i vendeve danubiane”, – drejtuar nga Instituti i Studimeve për Evropën Juglindore, në Vjenë. Në botimet madhore të Shqipërisë ka bashkëpunuar në: “Shpati i Sipërm” (i Elbasanit), “Fjalori enciklopedik shqiptar”, “Veshjet popullore shqiptare”, “E drejta kanunore shqiptare”, “Shpërngulje me forcë e qëndresë e Kosovës martire” (1998-1999); “Hasi në etnokulturën shqiptare”, “Himara në shekuj”, “Migrime nga fshatrat malore–kodrinore për në vendet paraurbane e urbane (1991-2007)” e me radhë. Ka disa shkrime shkencore në botime e periodikë të ndryshëm të Lezhës e të Mirditës. Është bashkautor i monografisë “Mirdita. Njohuri për vendlindjen” (1999). Ka në përgatitje për botim librat: “Etnologjia e Mirditës”, “Fjalori mitologjik shqiptar”, “Etnologjia e Europës Juglindore dhe e Mesdheut”.  Prej shumë vitesh ka dhënë lëndët e etnologjisë në Universitetin e Tiranës, në degët histori, sociologji. Ndër to, për tre vjet dhe në “Mitologjia” ka dhënë mësim edhe në degën e gazetarisë. Prej shtatë vitesh ka ligjëruar lëndën “Etnologjia e Evropës Juglindore dhe e Mesdheut” në Universitetin e Prishtinës. Ka udhëhequr studiuesit e rinj, si mentor, në marrje të gradave shkencore: mastër e doktor i shkencave. Në arsimin pasuniversitar ka bërë programe e ka organizuar provimet në lëndët e specialitetit të etnologjisë. Veprat e tij kryesore janë: “Migrime të Shqiptarëve” (1999), “Veshjet popullore shqiptare” (me bashkautorë), V.I (1999), V.II (2001), V.IV (2016), “Etnologjia e Përgjithshme” (2001, 2008), “Etnologjia e Shqiptarëve” (2003, 2006), “Mitologjia ndër Shqiptarë” (2004), “Lëvizje migruese të brendshme ndër Shqiptarë” (2013), “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” (2006), “Panteoni e simbolika, doke e kode…” (2007), “Etnokultura Shqiptare-Ligji Dokesor” (2016). Është vlerësuar me shumë tituj e dekorata të ndryshme, për punën e bërë në studimet shkencore. Edhe në ditë të sotme vazhdon të shkruajë e të botojë studime shkencore e kulturore në etnologji, po kështu dhe të botojë libra të natyrës shkencore e kulturore ashtu si dhe më parë. Çdo vit ka botuar (duke përfshirë dhe vitin 2018) nga 8 deri 12 shkrime të natyrës shkencore-kulturore. Ka hartuar në këto vitet e fundit dhe 152 zëra për Fjalorin Enciklopedik të Mirditës. Së fundmi është dekoruar dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Nderi i Kombit”, “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për zhvillimin e shkencës së etnologjisë në vendin tonë; për periodizimin e etnologjisë shqiptare në shtatë pjesë që nga lashtësia e deri më sot, si dhe për vënien e disiplinës së etnologjisë në një shkallë me nivelin e kësaj shkence në rajon dhe në botë.” Të gjithë miqtë dhe shoket e tij kudo që janë, i urojnë sot shëndet dhe vetëm shëndet, pleqëri të mbarë, jetë dinjitoze burrit të vlerave e virtyteve të larta njerëzore. Veprat e tij kanë qënë edhe janë e do të jenë udhërrëfyese për brezat e ardhshëm të shkencëtarëve shqiptarë dhe më gjërë.

Filed Under: Sociale Tagged With: FRAN GJOKA

Mirela Freni dhe Lukë Kaçaj

September 8, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Me 9 shkurt 2020 u shua ne Modena, ne moshen 85-vjeçare sopranoja e famshme italiane Mirela Freni, nje nga Divat e medha te botes operistike.

Freni ka debutuar ne Teatro Municipale te Modenes me 3 mars 1955 ne rolin e Micaëles ne operen Carmen te Bizet.

Debutoi ne La Scala ne vitin 1963 me rolin e Nannetes ne operan Falstaff te Verdit.

E famshme per interpretimet ne operat Aida, La Boheme, Madama Butterfly etj.

Freni e perfundoi karrieren profesionale ne moshen 70 vjeçare, me 11 prill 2005 me operen “Vajza e Orleanit” ne Operen e Washingtonit ne rolin e Zhan D’Arc.

Ka kenduar ne teatrot e operave me te famshme te botes : La Scala (Milano), Metropolitan (New York), Opera e Parisit, Bolshoj ( Moske), Covent Garden ( Londer), Staatsoper (Vienna), Colon ( Buenos Aires), Opera e Washington, Teatri Kombetar ( Tokyo) etj.

Freni ishte e preferuara e dirigjenteve dhe regjizoreve me te famshem te kohes se saj si : Von Karajan, Giulini, Pretre, Kleiber, Solti, Abbado, Sinopoli, Muti, Osawa, Visconti, Strehler, Zeffirelli, Ronconi, Barrault, Ponnelle.

Nga viti 1978, Mirela Freni ishte e martuar me basin e madh bullgar Nicolai (Kolja) Ghiaurov (1929-2004), qe kishte studjuar ne Konservatorin Çajkovski te Moskes ( bashkestudent me ajken e muzikes shqiptare: Çesk Zadeja, Tish Daija, Avni Mula, Luk Kacaj, Ibrahim Tukiçi, Mentor Xhemali etj.)

Do te ishte miqesia e bashkeshortit te saj bullgar me shqiptaret e medhenj te muzikes qe sopranoja e madhe italiane te kishte nje afeksion per Shqiperine.

Xhino Beki, Nikola Rosilomeno, Kolja Giaurov, Boris Kristov, Fjodor Shaljapin mbeten majat e basseve te botes…

Por i tille do te ishte edhe i pervuajturi jone Lukë Kaçaj, qe i mbylli vitet e punes si punetor ngarkim-shkarkimi ne ndermarrjen e Fruta Perimeve ne Tirane.

Në vitet e demokracisë “hamalli” Lukë Kaçaj filloi te levizte jashte Shqiperise per te takuar edhe miqte apo koleget e tij te cilet kishin pasur një fat krejt tjeter .

Midis tyre ai takoi ne vitin 1991 shokun bullgar te viteve te rinise ne Moske Kolja Giaurov, që italianet e quanin mbreti i basëve..

Kolja kur ishte student me Luken në Moskë asnjëherë nuk kendonte mbasi kendonte Luka …Por bassi bullgar kishte vijuar në Itali e më gjërë karieren e tij brilante.

Ato ditë kur Luka takoi mikun e tij bullgar në Itali, shfaqej opera “La Boheme” e Puçinit. Kolja me bashkeshorten kishin dy role kryesore ; Kolja rolin e filozofit Kolen dhe Mirela rolin e heroines Mimi .

Në teater ishte i ftuar i veçant i ketyre artisteve, Lukë Kaçaj. Kur perfundoi opera me shumë sukses dhe publiku po duartrokiste, dy artistet e mëdhenjë (Kolja e Mirela) u drejtuan nga lozha e porositur ku rrinte Luka, dhe me një gjest domethenes i tregojnë publikut per mikun e tyre…

Duartrokitjet e nxehta të publikut italjan tashmë ishin per bassin e madh shqiptar Lukë Kaçaj (te cilin nuk e njihnin)…

Ketë moment Shaljapini yne e perjetoi me emocione dhe lotë…

Ne shkurt 2009, Presidenti i Republikes Bamir Topi dekoroi pas vdekjes me titullin Nderi i kombit “Shaljapinin” shqiptar Lukë Kaçaj ( 1924-2001) …

Kam patur fatin te isha i pranishem ne ate ceremoni i ftuar nga nipi i tij Salvator Kaçaj

Per aresye shendetesore sopranoja Mirela Freni nuk mundi te merrte pjese ne kete ceremoni, por dergoi nje njeri te afert i cili lexoi letren e saj…

Ne kete leter emocionuese ajo shprehte edhe ndjenjat, respektin dhe dashurine e bashkeshortit te saj te ndjere Kolja Ghiaurov per kengetarin tone te madh …

“Sipas bashkeshortit tim kur studjonin ne Konservatorin Çajkovski te Moskes, Lukë Kaçaj ishte me i miri…

Kolja u be me i madhi i botes ne gjeneraten e tij, por ai gjithmone me thoshte … bassi me i madh do te ishte shqiptari Lukë Kaçaj…”

“Shaljapini” i pafat shqiptar, u shua si sot, 21 vjet ne pare me 7 shtator 2001 ne Shkoder…

Por fatkeqsisht regjimi dhe cmirzinjte e kishin vdekur shume kohe me pare…

Pse duhej burgosur bassi yne i madh?

Shqiperia nuk i ka dashur asnjehere talentet e medhenj…

Nuk e kam kuptuar kurre kete “ves” historik te kombit tone…

Filed Under: Kulture

Balada në repertorin e rapsodëve të eposit heroik legjendar shqiptar dhe audienca në kohë e hapësirë: shembuj nga lahutarët e krahinës së Rugovës

September 8, 2022 by s p

Zymer Ujkan Neziri/

(Kumtesë në konferencën e 50-të shkencore, ’’Baladat dhe audienca në kohë dhe hapësirë’’, Gjirokastër, në Universitetin ’’Eqrem Çabej’’, më 5 shtator 2022, organizuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Studimit të Baladave (Kommission für Volksdichtung) dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë)

(Abstrakt)

Balada në repertorin e rapsodëve të eposit heroik legjendar shqiptar: shembuj nga lahutarët e krahinës së Rugovës, shtrirja e saj përballë Eposit të Kreshnikëve, audienca në kohë e hapësirë në këtë krahinë të fisit të Kelmendit dhe vlerat e saj poetike, janë pikë qendrore të kësaj kumtese. Rugova është krahinë e Alpeve Shqiptare dhe ka katërmbëdhjetë katunde. Ato janë të vëllazërive të mëdha të Kelmendit: Lajç, Vukël e Nikç, si dhe pak Selcë. Ka edhe disa lagje të fiseve të tjera: Kastrat, Shalë e Shkrel, po edhe pak Berishë. Shtrihet në trekëndeshin Pejë, Plavë e Guci dhe Rozhajë. Është e njohur në histori për çështjen kombëtare në të gjitha periudhat e historisë, sidomos me Perandorinë Osmane, me Malin e Zi dhe me Serbinë. Në trashëgiminë kulturore është shumë e përmendur për të folmen e saj, sidomos për diftongun -ua, për veshjen kombëtare dhe për vijimësinë e riteve të lashta, të valleve e të këngëve. Është ndër zonat më të njohura të lahutës në Gadishullin Ilirik. Ajo është edhe shtrat i madh dhe tipik epik i këndimit të lahutarëve të këngëve të kreshnikëve dhe të baladave.

Projekti ’’Epika legjendare e Rugovës’’ (kërkime terreni për disertacion doktorate), në vitet 1979-1988, ka zgjatur rreth 600 ditë pune. Ishte ide e epikologut tonë të njohur, Qemal Haxhihasani. E realizova sidomos kërkimin e Eposit të Kreshnikëve dhe të baladave. Metodologjia e hulumtimit ishte punë kërkimore katund për katund, lagje për lagje e shtëpi për shtëpi i lahutarëve, aty, në Rugovë, dhe në Rrafsh të Dukagjinit, ku jetonin disa, si dhe i biografive dhe i repertorit të tyre të epikës legjendare.

Rezultatet janë ndër më të mëdhatë e kësaj fushe ndër ne: nga 45 lahutarë të atëhershëm janë mbledhur mbi njëqind mijë vargje, që ata kishin në repertor. Të gjitha këngët janë të incizuara në bobina magnetogoni, rreth dyqind orë. Janë edhe të traskriptuara e të shtruara në pesëmbëdhjetë vëllime. Pra, janë 355 këngë të kreshnikëve dhe vetëm 15 balada. Shumica e baladave janë mortërzime me motive të flijimit njerëzor për ndërtimin e urës, të rinjohjes vëlla me motër dhe vëlla me vëlla, të ruajtjes së nderit të rrezikuar nga borxhi i papaguar, si dhe të vëllavrasjes. Ato janë në repertorët e lahutarëve: Asllan Rama-Kastrati, Bajram Ibishi-Kuklecaj, Ibish Bajrami-Kurtbogaj, Ramë Çaushi-Elesaliaj, Ramë Cubi-Melaj, Rrustem Tahiri-Metujkaj, Mehmet Beka-Imeraliaj, Misin Nimani-Sejdaj, Rrustem Veseli-Vaçaj, Sokol Arifi-Lekëgjekaj.

Koleksioni ’’Epika legjendare e Rugovës’’ ruhen në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Kjo sasi e tij ishte sa një e katërta e shumës me katërqind mijë vargje të fondit kombëtar, nga G. Majeri, më 1897, e deri më 2012. Nga pesëmbëdhjetë sish, vetëm tri vëllime janë botuar. Vlera poetike e tyre bën pjesë në radhën e krijimeve në të mira poetike të këndimit epik legjendar në krijimtarinë tonë gojore.

Filed Under: Fejton Tagged With: Zymer Ujkan Neziri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT