• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2022

114 Vjet Alfabet 

November 22, 2022 by s p

Bledi Filipi 

 Si sot  114 vjet më parë në Kongresin e Manastirit u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe.

Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 -22 .11.1908 , për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare në atë etapë, në radhë të parë për të zgjidhur  çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, njësimi i të cilit ishte bërë problem i mprehtë politik , arsimor e kulturor dhe një kërkesë e ngutshme  e lëvizjes kombëtare. (FESh II, 2008:1258)

Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” . 

Në këtë kongres ishin të pranishëm  të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjypt, Amerikë, etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mithat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria.

Pas shumë diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin, shkronjat e të cilit plotësoheshin me dyshkronjësha (dh,gj, ll, nj,rr,sh,th,xh,zh) dhe me dyshkronjësha me shenja diakritike (ç,ë).

 Komisioni vendosi të përdoreshin të dy alfabetet, por brenda një kohe të shkurtër  fitoi epërsi alfabeti i sotëm.  (Demiraj, 1988:111)

Njësimi i alfabetit ishte një hap i rëndësishëm për njësimin e drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe.

Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e patriotëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin. 

Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.

Gjithashtu delegatët organizuan takime me dyer të mbyllura, ku u rrahën probleme të mprehta politike.

Bisedimet e zhvilluara shërbyen për të afruar pikëpamjet, për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të organizatave kombëtare e për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre.

Ky kongres ngriti lëvizjen kombëtare në një shkallë më të lartë.

Filed Under: Kulture

GJUHA SHQIPE NUK MËSOHET ME LUTJE, PO ME QEJF E DËSHIRË

November 22, 2022 by s p

Jerida Kulla

Letër bashkatdhetarit tim

T’i thërrasim mendjes sa nuk është vonë, që të mos na mallkojnë brezat që do të vijnë, që i larguam nga gjurmët e gjyshërve.

I dashur bashkatdhetari im!

Po ta shkruaj këtë letër, jo se nuk t’i thosha dot ballë për ballë këto fjalë, që në fakt t’i thashë, po për të gjithë “vëllezërit” e tu, që kanë mendimet e tua, me shpresë se ndoshta ndërroni mendim e shikoni përtej derës së shtëpisë suaj, përtej të sotmes.

Më vjen keq se, edhe pse kemi pak a shumë të njëjtën moshë, ndryshojmë shumë nga pikëpamjet që kemi për jetën, për veten tonë, për atë çfarë jemi, për atë që përfaqësojmë e për atë që na përfaqëson.

Jemi shumë të ndryshëm, për shkak të botëkuptimit, edhe pse kemi një gjak e jemi pjesë të një territori, që quhet Shqipëri. Ndoshta te ty ndikuan kushte të tjera që të bënë ky që je sot, edhe pse ka shumë të tjerë në moshën tënde, me të njëjtat kushte si ty, që mendojnë ndryshe nga ty.

Po ta shkruaj këtë letër, jo për të të gjykuar se çfarë bën me jetën tënde familjare apo me të ardhmen tënde, por, kur vjen puna te ajo që përfaqësojmë, nuk mund të hesht.

Nuk mund të hesht, për të vetmen arsye, se jam shqiptare, jo thjesht me emër, që, kur luan kombëtarja jonë, në kulmin e euforisë, bërtasin me të madhe: “O sa mirë me qenë shqiptar!”, por me gjithçka. E them këtë emër me zë të lartë, pa frikë, kurdo e kudo ku jam.

Të bëra një ftesë, që ta sjellësh vajzën në kursin e mësimit të gjuhës shqipe, që mbahet çdo të shtunë, online, falas.

T’i përmenda këto fakte, që ta dish, se kursin vajza jote mund ta ndjekë nga shtëpia, online. E mbi të gjitha, nuk ke për të paguar asgjë, është “dhoro”, si thuhet këtu, nuk ke për t’u harxhuar, se në kohë krize jemi.

E përgjigjja jote ishte se do të pyesje vajzën tënde gjashtëvjeçare, nëse dëshiron të bëjë mësimin e gjuhës shqipe.

Jam dakord se duhet të merret pëlqimi i fëmijës, pasi, sipas psikologëve, kjo krijon një lidhje të fortë midis prindit dhe fëmijës. Por jo gjithmonë duhet të miratohet dëshira e fëmijës, pasi ka dëshira, të cilat, nëse plotësohen, mund të ndikojnë negativisht në ardhmërinë e fëmijës.

Në këtë moshë, fëmija drejtohet, orientohet nga prindi. I takon prindërit ta udhëzojë, ta drejtojë në rrugën duhur. Janë disa gjëra, për të cilat nuk pyetet fëmija, por udhëzohet, jepet shembulli, që më pas të ecë në gjurmët e shembullit.

I dashur bashkatdhetari im, a e pyet ti fëmijën, nëse dëshiron të mësojë anglisht? A e pyet, nëse dëshiron të shkojë në kurs matematike?

Jam e sigurt se nuk e pyet, pasi këto janë parësore në kohën që jetojmë.

Me anglishten çan botën, se është gjuhë ndërkombëtare, e aq më shumë këtu ku jetojmë, që është vend turistik e anglishtja, është gjuha më e përdorur, pas greqishtes.

E matematika, po duhet, se jeta është matematikë.

Para se t’ia bësh këtë pyetje vajzës tënde gjashtëvjeçare, po të pyes: A i flet shqip vajzës tënde në shtëpi? A i ke folur për vendlindjen tënde, për farefisin, të parët e tu? A i ke treguar ndonjë histori apo përrallë për Gishton, Gërshetëzën, Mujin, Halilin, Gjergj Elez Alinë? Janë personazhe nga krahina nga vjen. Babai e ndoshta gjyshi yt, historitë e tyre i ka kënduar me lahutë. Apo mërgimi prej kaq vjetësh, të largoi çdo kujtim, çdo këngë të vendlindjes?

Nuk është çudi, që ti prind i dashur, baba, në shtëpi flet në gjuhë të huaj, pasi gjatë bisedës që bëmë së bashku, nga 5 fjalë, 3 ishin në gjuhë të huaj, se kështu të vinte për mbarë.

Çfarë dëshire do të ketë kjo vajzë për një gjuhë “të panjohur”, kur as ti vetë nuk e uron në gjuhën e etërve të tu: “Nadja e mirë!”? Ku as nëna nuk e ka vënë në gjumë duke i kënduar ninulla, duke e përkëdhelur shqip.

Ka ikur koha e ninullave, do të më thuash, jo vetëm ti, por edhe të tjerë. Ka ikur vërtet edhe koha e Mujit dhe e Halilit, se vitet rrjedhin, kohët ndryshojnë, por tradita nuk harrohet, kultivohet.

E di që emigrimi është i vështirë dhe lufta për mbijetesë të thith edhe pikën e fundit të fuqisë e, kur kthehesh në shtëpi, dëshiron të jesh i qetë, pa kokëçarje. Nuk ke fuqi të merresh me vajzën. Dalëngadalë edhe ti do ta harrosh gjuhën që të mëkoi nëna jote bashkë me qumështin.

Një ditë të bukur, përsëri të marr në telefon, jo për të të lutur, që vajza jote të vijë në mësim, sepse nuk ka bereqet puna, kur diçka bëhet me pahir, se gjuha shqipe nuk mësohet me lutje, po me qejf e dëshirë. Të mora në telefon për korrektesë, se më the, do të të kthej përgjigje, sa ta pyesje vajzën.

E përgjigjja ishte: “Nuk ka kohë vajza ime ta mësojë gjuhën shqipe, është e zënë me mësimet, me anglishten. Ia mësojmë ne gjuhën shqipe fëmijës”.

Dakord jam, se prindi është burimi i parë, ku fëmija pi ujë për të mësuar gjithçka, jo vetëm gjuhën shqipe. Duke biseduar me vajzën, e ndihmon ta pasurojë fjalorin. Gjuha e re mësohet shumë më lehtë, kur gjuha amtare zotërohet mirë. Fjalori i pasur në gjuhën amtare e ndihmon fëmijën ta mësojë mirë, edhe greqishten, edhe anglishten. Po ta ndihmosh fëmijën ta zhvillojë gjuhën amtare, dy apo tri gjuhë nuk do të përzihen më, edhe nëse fëmija i përdor ato në të njëjtën kohë.

Gjuha amtare është argumenti më i fuqishëm i identitetit kulturor të fëmijës. Gjuha amtare është ashti i ekzistencës tënde, i marrëdhënies tënde me vajzën. Edhe në Shqipëri prindërit ua mësojnë fëmijëve shqipen, se shqip flasin kudo, por përsëri fëmijët futen në shkollë dhe e mësojnë gjuhën shqipe me gramatikë, drejtshkrim, deri në universitet.

Pse nuk e di fëmija shqiptar, që banon në Shqipëri, që futet në shkollë? E fëmija yt, kur kudo flitet në gjuhë të huaj, në shkollë, në shoqëri, madje e familje, e ditka gjuhën shqipe?!

Në çdo shkollë, në Shqipëri, mësohet shqipja standarde, në të shkruar e në të folur, që kudo që të jenë fëmijët, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj, të kuptohen.

Si do t’ia mësosh shqipen? Do t’i mësosh shqipen dialektore, me erëza intonacioni në gjuhë të huaj. Çfarë gjuhe është kjo?

Këtu nuk po i fus të gjithë prindërit në një kategori, se ka prindër që jo vetëm mezi presin t’i futin fëmijët në kurs, por këmbëngulin që fëmijët e tyre të flasin shqipen e pastër, të qartë, pa gabime, që të mos ngatërrohet “qeni” me “çelësin”, që kur të ngushëllosh dikë, të mos i thuash: “U preftë në paçe!”, në vend të: “U prehtë në paqe!”

Edhe pse kursi i mësimit të gjuhës shqipe është falas, ti përsëri nxiton të shkosh t’i mësosh vajzës tënde gjuhë të huaj, madje të paguash shumë, ndërsa, kur vjen puna te mësimi i gjuhës shqipe, nuk ke mundësi të blesh as një Abetare. Duke pasur këtë vështirësi tënde, edhe librat, edhe Abetaren po t’i japim falas.

Po prindërve, në ç’gjuhë u flet? Nënës tënde i ther zemra, i qan syri dhe i shurdhohet veshi, kur dëgjon e shikon fëmijët e tu që nuk mund të flasin dot gjuhën shqipe. Jam e sigurt se me vete thotë: “Haram qumështi im, që nuk më jep mundësi të gëzohem me engjëjt e tu!”

Nuk të vjen turp nga vetja?

Të gjitha këto i shkrova jo për të të gjykuar se çfarë bën ti me familjen tënde, por si filologe, që më dhemb zemra, kur dëgjoj, që edhe pse e merrni vesh se jam shqiptare, më flisni në gjuhë të huaj. Unë jua kthej në shqip se nuk kuptoj (kuptoj, madje shumë). Më pas, më flet 2 fjalë çalë – çalë, duke u justifikuar se ke vite që jeton këtu dhe e ke harruar gjuhën.

Po a harrohet gjuha?

Po a harrohet emri i nënës?

Nuk harrohet gjuha po e mbajte gjallë, po e fole. Është si lulja, që po e ushqeve, e ujite, gjallërohet, hapëron aromë.

Ti nuk e ke ndier asnjëherë aromën e të folurit, e të shijuarit të shqipes. Ti nuk ke lexuar asnjë vepër shqip. Ti nuk njeh as kush është Naimi, Fishta, Konica…

Mirë të na i bëjnë… Kur ne nuk kemi respekt për veten, si mund të presim të na respektojnë të tjerët?!

Filed Under: Komente Tagged With: jerida kulla

SOTIR PECI – NJË INTELEKTUAL I SHQUAR ATDHETAR E POLITIKAN I KOMBIT

November 22, 2022 by s p

Përgatiti: Arian Çika

“Shqipëroi Shqipen – Kombësoi Kombin”

#DardhaMagicHeritage

Në ditët e Kongresit të Alfabetit (14-22 nëntor) dhe të Drejtshkrimit përmëndim me respekt Sotir Pecin, një nga figurat legjendare të kombit tonë, që ka dhënë një kontribut të spikatur për Rilindjen Kombëtare e rijetësimin e gjuhës shqipe. Sotir Peci lindi në Dardhë në 1873. Ai diplomohet në Universitetin e Athinës në degën matematikë – fizikë. Në 1905 emigron në USA. Themelon në Boston në 1906 gazetën “Kombi” në gjuhën shqipe me gërma latine, ku në ditë të vështira ju ofrua edhe ndihma e dardharëve kryesisht në Natick Mass. Peci i shtriu dorën e bashkëpunimit Fan Nolit.

Faik Bej Konica në shënimet historike për themelimin e federatës pan – shqiptare “Vatra” shkruan “Duhet të shënojmë këtu, se më parë se të themelohej Vatra, farën e shqiptarisë në Amerikë e mbolli Sotir Peci. Ai botoi në 1906, në Boston, Mass. gazetën Kombi, dhe përhapi ndjenjat kombëtare në mes të shqiptarëve të Amerikës. Sotir Peci shtroi udhën e bashkimit dhe vuri themelet e para të Lëvizjes tonë Kombëtare këtu. Me ikjen e tij në Shqipëri u mbyll gazeta Kombi. Më vonë, në 1909 doli në dritë gazeta “Dielli”, si organ i shoqërisë Besa- Besën..” Në Kongresin e Alfabetit të Manastirit 1908, Sotir Peci ishte delegati i komunitetit shqiptar të Amerikës dhe Rumanisë me 4 vota. Është vlerësuar roli i Sotir Pecit për miratimin e alfabetit shqip me gërma latine. Veprimtaria pedagogjike e Sotir Pecit në 1909 në shkollën Normale të Elbasanit ku jepte lëndët e shkencave të natyrës. Në vitet 1914 – 1918 Sotir Peci strehohet në Shkodër ku bashkë me Nikollë Ivanaj etj krijojnë organizatën “Krahu Kombëtar”. Sotir Peci ishte pjesëtar i grupit themelues të “Komisia Letrare Shqipe 1916 – 1918” të përbërë nga Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci dhe At Ambroz Marlaskaj. E mbështetur nga Konsullata dhe Komanda e Lartë Austro – Hungareze, Komisia kishte qëllim të zhvillonte e standardizonte arsimin e gjuhën shqipe pas Kongresit të Manastirit. Për të ruajtur një ekulibër gjuhësor kombëtar, Komisia vendosi të përdoret Dialekti i Elbasanit si gjuhë standarde letrare, si një dialekt në kufirin gjeografik “të mbivendosjes” të gegënishtes me toskërishten. Komisia Letrare caktoi veprimtarë që do të mblidhnin materiale të gjuhës shqipe “nga goja e popullit, përralla e këngë popullore të viseve, krejt ashtu siç tregohen dhe këndohen si nga ana e dialektit ashtu edhe rreshtimi i fjalëve të jetë i pandryshuem fare”. Komisia mori vendime “për njehsimin e drejtshkrimit të shqipes tue pasë parasysh gjithmonë të dyja dialektet”.

Sotir Peci ishte i vendosur për rëndësinë e rolin e nderuar të gegënishtes në gjuhën shqipe. U botuan 2 versione në 1917 për “Rregullat mbi orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme”. Në shkurt 1919 emërohet Drejtor i Arsimit për Tiranën. Sotir Peci drejtoi një vit Mësonjëtoren e Parë Shqipe në Korçë. Kishte projekte për 24 tekste të fushës të shkencës. Sotir Peci për 20 vite hartoi një leksikon – fjalor të gjuhës shqipe me rreth 25.000 fjalë me trajta krahasuese në 4 gjuhë të huaja, ky fjalor ndodhet dorëshkrim në Arkivin e Shtetit Shqiptar. Sotir Peci ishte nënkryetar i grupit organizator të Kongresit të Lushnjës në 1920 ku u mor edhe vendimi “gjuha letrare mbas të cilës do të shkruheshin aktet zyrtare dhe librat shkollorë të kishin si dialekt të përbashkët të shtetit shqiptar, dialektin e Elbasanit”. Sotir Peci ishte hartuesi kryesor i Statutit të Parë të Shtetit Shqiptar dhe emërohet Ministër i Arsimit nga Kryeministri Sulejman Delvina i Qeverisë të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Sotir Peci zgjidhet deputet dhe emërohet njëri nga 4 antarët e Këshillit të Lartë të Regjencës të Shqipërisë.

Sotir Peci vdiq në Follorinë në 1932. Mitrush Kuteli përcjell vdekjen e Pecit me fjalët : “…Virtutet e tij patën qënë rregëtimat e më së kthjelltës shqiptarizëm. Ky Apostull i Shndërritshëm që SHQIPËROI SHQIPEN e KOMBËSOI KOMBIN, kalon nga jeta në jetë…” Sotir Peci “Mësues i Popullit” është “Nderi i Dardhës dhe i Kombit”. Shtëpia e Sotir Pecit në Dardhë duhet të bëhet “Muzeu Sotir Peci” si një vënd pelegrinazhi kulturor që brezat të njihen dhe frymëzohen me vlerat më të larta të atdhedashurisë që AI rrezaton.

Përgatiti Arian Çika

Filed Under: Fejton

Në nderim të Festave të Nëntorit të Madh!

November 22, 2022 by s p

Promovim veprash të gjenocidit serb mbi shqiptarët!

19 Nëntor 2022
SHTUTGART

Në selinë e Konsullatës së përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtutgart, u promovuan suksesshëm veprat: “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844 – 1999” i autorit N. Pllana, libri i xhepit VERGISS NIEMALS – MOS HARRO KURRË, i autorëve Nusret Pllana e Agim Aliçkaj dhe filmat dokumentarë Kush i vret fëmijët dhe “Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844 – 1999”, të autorëve Nusret Pllana dhe Esat Shala.
Përveç shumë bashëatdhetarëve tanë, në këtë promovim veprash publicistike e dokumentare, të organizuar suksesshëm nga Konsullata e R. së Kosovës, morën pjesë aktive edhe Konsullja e përgjithshme, znj. Lumturie Lipovica, Konsujtë e kësaj Konsullate në Shtutgart, z. Besnik Miftaraj e z. Gramoz Berisha, veprimtarë e afaristë të shumtë si; Baki Mustafa, Ukë Blakaj, Faton Pllana, Can Tahiri, Shemsedin Balaj, Sejdi Rexhepi, Naim Sheremeti, Ilmi Mustafa, përfaqësues të Unionit të studentëve shqiptarë në Shtutgart në krye me z. Medjen Izairi, arsimtarja e nxënësve shqiptarë në Shtutgart, znj.Fehmije Koqinaj – Hoxhaj, e shumë adhurues të librit e të filmit dokumentar, të cilët u shprehën shumë të kënaqur me promovimin e suksesshëm të këtyre veprave dokumentare me karakter shkencor e historik, të cilat kishin vetëm një porosi – mos harresën e kujtesës historike dhe mosbarazimin e viktimës me kriminelin, tendencë kjo ogurzezë edhe e institucioneve relevante të drejtësisë ndërkombëtare, siç është edhe ajo e Tribunalit të drejtësisë ndërkombëtare në Hagë, e ashtuquajtur e Dhomave Speciale, e cila me vite i akuzon padrejtësisht kreun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krime të supozuara, ndërkaq kriminelët e Serbisë nazifashiste e gjakatare, për mijëra e mijëra krime mbi popullatën civile e duarthatë shqiptare, le që nuk i akuzon kurrë, por i ka amnistuar e rehabilituar të gjithë, edhe pse veprat tona dokumentare e argumentojnë katërcipërisht gjenocidin serb mbi shqiptarët, jo vetëm të fundluftëscsë viteve 1998/1999, por edhe të një periudhe të gjatë gati dyshekullore.
Në fund të këtij manifestimi kulturor e shkencor, që u mbajtë në nderim të Festave të Nëntorit të Madh, veprimtari i njohur i çështjes kombëtare atdhetare dhe publicisti tropojan, z. Can Tahiri dhe Konsullja e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Shtutgart, znj, Lumturie Lipovica, në shenjë respekti dhe nderimi për veprimtarinë e tij të parreshtur në shërbim të humanizmit dhe atdhedashurisë, autorit të këtyre veprave, z. N. Pllana ia ndanë mirënjohjen e Federatës Universale të Paqës, me titull Ambasador për paqe, të nënshkruar nga Rev.Dr.Sun Myung Moon, Founder dhe Dr. Hak Ja Han Moon, Co – Founder.

Shkruan: Nusret Pllana

Filed Under: Emigracion Tagged With: Nusret pllana

Porti i Durrësit- Gjejeni se kush është bedeli! Apo si Rama kopjoi projektin nga Vuçiçi

November 22, 2022 by s p

Analizë nga Rafael Floqi 

Një emigrant shqiptar që jeton në Zvicër me origjinë nga Durrësi takon rastësisht, kur po punonte në biznesin e një serbi. Pasi u përshëndetën, serbi e pyeti nga ishte dhe kur i tha që ishte shqiptar nga Durrësi, serbi që pat dëgjuar për idenë e radhës të Ramës me Alabbar, i tha: Mos bëni gabimin që bëmë ne, dhe i rrëfeu për projektin e dështuar të “ Waterfront të Beogradit” dhe idenë e Vuçiçit dhe protestat me rosa në Beograd. Po pse me rosa do thoni ju? Pasi fjala rosa serbisht “patka” tingëllon e afërt me fjalën mashtrim. 

Dje Komisioni parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi të hënën vetëm me votat e mazhorancës projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albania Seaports Development Company sh.a për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit””. Deputetët e opozitës votuan kundër dhe pretenduan se pyetjet dhe paqartësitë e tyre nuk u sqaruan nga përfaqësuesit e qeverisë. Ata ngritën shqetësimin për mungesë transparence në negociatat e zhvilluara mes qeverisë dhe investitorit arab, Muhamed Alabbar, dhënia pa garë, shkatërrimin e portit të mallrave dhe mungesën e një garancie financiare sipas ligjeve në fuqi. Deputeti Helidon Bushati vuri në dukje se ka mungesë transparence për negociatat 1-vjeçare mes qeverisë dhe investitorit arab dhe një dezinformim të publikut për atë që shkruhet në marrëveshje. “Ju thoni plazhi do të jetë publik, por në tekst e keni që nuk lejohet aksesi i qytetarëve në atë zonë,” vërejti Bushati. Kjo kërkesë për miratim ngjan sikur “ Në prill të vitit 2015, Ligji nr. 34/2015 në Serbia vendosi e rregullave të veçanta për shpronësimin, lejet e ndërtimit, tatimin dhe dhënien me qira të tokës për realizimin e projektit të Bregut të Ujit të Beogradit u miratua si ligj special me procedurë urgjente. Projekti i Beogradit nuk dëmtonte asgjë qytetin, rindërtonte zonën e stacionit të vjetër të trenit, shkatërrimi Porti i Durrësit mbetet një nyje e rëndësishme që i kalonte kufijtë kombëtarë është një tradhti kombëtare. Pasi Shqipëria do të mbesë pa port mallrash me vite dhe është si ta bësh Shqipërinë Serbi, vend pa det.   

Askush nuk është kundër investimeve të huaja, mjafton që të respektohet ato rregulla që lidhen me ekonominë dhe barazinë. Një investim sikurse është porti i Durrësit që do të bëhet port jahtesh duhet vënë në balancë përfitimet direkte dhe indirekte. Nga ana tjetër ky vendim I qeverisë për një port tregtar në Porto Romano është jashtë logjikës së ndërtimit të porteve. Porti i Durrësit me gjithë thellimin me draga madhësinë më të madhe të anijeve që lejon për shkak të cektësisë është 20 mijë ton, ndërsa porti ushtarak i Porto Romanos” është më i cektë pasi ishte hyrja e Kënetës. Dhe në fakt aty nuk ka pasur port, por një Portë ( apo Portëza e murit të qytetit që italianët i dhanë emërtim me tingëllim si Italian gjatë pushtimit fashist. 

Duke iu kthyer projektit ka një paradoks shumë të madh, sepse flitet për një investim të huaj, ndërsa shfaqen defektet që kanë shfaqur kompaninë e huaja në 30 vitet e fundit, duke mos pasur transparencë. Ofrohet përjashtime ligjore që duhen diskutuar për pasojat që mund të vijnë. Nënshkruhen marrëveshje pa konkurrencë dhe kompani off-shore dhe prandaj ngrihen hije të forta dyshimi për një marrëveshje klienteliste dhe favorizuese në vazhdën e vendimmarrje të këtyre vendime që janë marrë së fundmi, tha në një intervistë në RTV Ora, ekperti i ekonomisë Zef Preçi.

Tani projekti i propaganduar Ramës për Durrësin dhe kontrata që qeveria është duke miratuar me ligj të veçantë për ndërtimin e Portit të ri Turistik të Durrësit ka zhveshur tërësisht mitin disavjeçar të propagandës të saj se “Shqipërisë më në fund i trokiti në derë fati dhe disa pasanikë nga Emiratet Arabe po vijnë të Rilindin Durrësin dhe portin e qytetit”. Nëse lexon me kujdes planin financiar të projektit, kushtet e kontratës, përfitimet që rrjedhin nga statusi i veçantë “strategjik” dhe aktet se kush do të financojë dhe drejtojë kompaninë, kupton se në fakt po ndodh e kundërta: investitorit i ka trokitur fati dhe në një vend në zemër të Adriatikut një qeveri po e fton të vijë të investojë me risk shumë të ulët dhe fitime kolosale”, analizonte në Facebook, Ola Xhama. 

Por një ballafaqim i analizës së atij Projekti me projektin e Beogradit të nisur nga Vuçiçi më 2014 në kohën kur ishte zëvendës kryeministër dhe ende sot i papërfunduar ende. Tregon se projektet e mëdha të Ramës për Portin e Durrësit, jo vetëm janë jo vetëm korruptive por edhe një plagjiaturë, në ide në projekt, në formë  në qëllime dhe korrupsion.  Le t’i ballafaqojmë:  

“Qysh nga vitet 1920, zona bregdetare rreth stacionit kryesor të trenit në Beograd ishte një plagë në sy për Beogradin, kryeqytetin e Serbisë Më pas, në pranverën e vitit 2012 u zbulua një plan për ri zhvillimin e bregdetit të Beogradit. Ndërsa ishte në një lundrim përgjatë lumit Sava, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ul para një grupi kamerash dhe i prezantoi ambiciet e qytetit të tij. Kjo iniciativë e madhe u pagëzua në mënyrë pragmatike projekti i Bregut të Ujit të Beogradit. Dy vjet më vonë u shfaq një investitor dhe një nga projektet më të mëdha të rinovimit urban në Evropë mori vrull.  Ky investitor nuk ishte një lojtar i pushtetit vendas apo edhe një baron i pasur ndërtimi nga perëndimi i Evropës apo edhe nga Rusia, por Mohamed Alabbar – njeriu drejton firmën e zhvillimit me bazë në Abu Dhabi, Eagle Hills, i cili njihet më së miri për themelimin e Emaar. kompania përgjegjëse për ndërtimin e Burj Khalifa, ndërtesa më e lartë në botë, dhe Dubai Mall, qendra tregtare më e madhe në botë. Përveç U.A.E të tyre. zhvillimet, Eagle Hills ka qenë aktiv ndërkombtarisht, duke kryer projekte në 14 vende me vlerë mbi 20 miliardë dollarë — duke përfshirë një qark të ri të qytetit prej 700 kilometrash katrorë, me 5 milionë banorë në Kajro. Dhe ajo që Eagle Hills dëshironte të bënte ishte të ndërtonte Beogradin një qytet të nderuar për të pasurit. https://www.forbes.com/sites/wadeshepard/2016/12/08/inside-abu-dhabis-bad-joke-the-belgrade-waterfront-project/?sh=6a95a0dd6c12. 

Duke mbuluar një hapësirë prej 177 hektarësh, zhvillimi i ri do të paraqiste një milion metra katrorë apartamente luksoze për 17,000 njerëz, 750,000 metra katrorë hapësirë ????zyre dhe komerciale, së bashku me një grup hotelesh me pesë yje, një mur rrokaqiejsh që do të shfaqë ndërtesa më e lartë në Evropën Juglindore, një teatër opere dhe qendra tregtare më e madhe në kontinent. Në janar të vitit 2014, Vuçiç, i cili së shpejti do të bëhej kryeministër i Serbisë, dhe Mohamed Alabbar i Eagle Hills, zbuluan publikisht masterplanin për Bregun Ujor të Beogradit dhe projekti më i madh zhvillimor në historinë e Serbisë u lëshua zyrtarisht.  Një projekt megaloman i mbështetur nga premtimi i parave të Abu Dhabit shtyhet me forcë përpara “Është si një shaka e keqe,” tha aso kohe Mirjana Milanovic, një arkitekte serbe me bazë në Amsterdam. “Është thjesht një qendër tjetër tregtare në një vend që nuk ka para për të blerë asgjë.” Sot sipas https://www.indomio.rs/en/for-sale/flats/belgrade-waterfront-savski-venac vlerat e apartamenteve aty janë nga 260 000 deri 1.680000 euro. 

Ky ishte rasti serb. Të shohim tani propagandën e Ramës.  Po përse situata se çfarë na është prezantuar është e kundërta dhe një kopje e keqe e Edi Ramës? 

Pikësëpari, nuk bëhet fjalë për ndërtimin e një porti turistik në Durrës dhe zhvendosjen e portit tregtar. Projekti zhbën tërësisht Portin mijëvjeçar dhe sjell ndërtimin e një kompleksi me pallate, dy hotele dhe një marinë të vogël me 280 vende e cila planifikohet të ndërtohet e fundit. 84 vende do të jenë për jahte të mëdha dhe 196 për varka dhe jahte të vegjël.  Për analogji mund të bëjmë disa krahasime me koncesionet e dhëna në Shqipëri për marina turistike. Numri i vendeve të ankorimit në Portin e Kalasë së Turrës parashikohet të jetë 700, ndërsa në kontratën e parë me kompaninë Yldon në Durrës 500 Po ashtu projekti ndan ndërtimin e vendeve të jahteve për gjatësi mbi 40 metra dhe nën 40 metra. Standardi dhe konkurrenca që kanë disa nga marinat më të zhvilluara të Europës, në Antibes (jugu i Francës) apo Porto Cervo (Sardenja) është për gjatësi jahtesh mbi 170 metra , po sipas Ola Xhamas.

Qeveria shqiptare ka në plan të ofrojë pasaportë shqiptare apo rezidencë për të huajt që pranojnë të blejnë një apartament në pallatet që ajo ka në plan të ndërtojë në Portin e Durrësit në projektin kontrovers të marinës, pasi nuk ka shqiptar që t’i blejë ato apartamente  Lajmi bëhet e ditur nga një kopje e projektmarrëveshjes mes qeverisë dhe kompanive private, projektmarrëveshje që po i nënshtrohet një shqyrtimi parlamentar me procedurë të përshpejtuar, ndërsa është negociuar privatisht në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zyrtarët e qeverisë, njësoj si ligji serb. “Investitorët e huaj që blejnë drejtpërdrejt nga prona e Investitorit Strategjik në Projekt, do të kenë të drejtë të aplikojnë për shtetësi dhe/ose rezidencën e përhershme të Republikës së Shqipërisë,” shkruhet në nenin 10.11 të projektmarrëveshjes. Kjo masë ka gjasa që do të shkaktojë shqetësim në Bashkimin Evropian, një institucion që ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se skema të tilla të shitjes së shtetësisë.

Miti i dytë që rrëzohet është ai i rritjes së investimeve pasi projekti ka vlerë kolosale prej 2.1 miliard euro. Nga ana tjetër, zhvendosja e portit të mallrave në Porto Romano do të kërkojë rreth 800 milion euro për t’u investuar nga qeveria, ose kompani private koncesionare të cilat do t’i nxjerrin paratë nga tarifat portale. Por kur të mos ketë port nga se, qysh tani kompanitë e transportit po prenotojnë në drejtim të porteve të tjera të Kroacisë. 

Nëse ne na është prezantuar se kompania do të vijë të hedhë para në Shqipëri dhe mbas disa vitesh edhe mund të nxjerrë investimin e pastaj ndonjë fitim, jemi gënjyer. Në planin e biznesit thuhet se kompania do të ndërtojë fillimisht 4 mijë apartamente, parkingje, sipërfaqe tregtare dhe 1 hotel. Kjo fazë do të zgjatë 7 vjet dhe nga shitja e tyre (ku vetëm çmimi i banesave llogaritet 1500 euro/m2), do të arkëtohen 697 milion euro. Sipas tabelës të cash flow, angazhimi financiar për Eagle Hills në 3 vitet e para do të jetë rreth 140 milion euro, dhe më pas nga shitja e pasurive do të financohet investimi. Kaq të gëzuar duhet të ndihemi që po vjen një kompani që do të investojë në këto vlera sa t’i japim gjithë këto benefite?

860 mijë m2 të Portit të Durrësit do t’i kalojnë në pronësi të plotë kompanisë për vlerën 1 euro. Interesi gjeopolitik i portit të Durrësit barazohet me 1 euro, porta e Korridorit 8 vetëm një euro. Në çdo rast, nëse një zhvillues do të ndërtonte 1 pallat, do të blinte tokën e cila do të përbënte peshën kryesore të kostos ose do të hynte në marrëveshje me pronarin për të ndarë në përqindje pronën e zhvilluar. Në këtë rast nuk ndodh kjo. Kompania merr tokën për 1 euro, nis ndërtimin dhe njëkohësisht shitjen e pasurive të patundshme. Në fund të vitit do të ndajë 30% të fitimit me kompaninë Albania Seaports Development që është në pronësi të shtetit shqiptar. Sa i bie shtetit që të marrë pas 7 viteve që përfundon faza e parë sipas planit financiar? 12.6 milion euro. Po në fund të 20 viteve që përfundon gjithë projekti? 280 milion euro.

Në Beograd pika më e madhe e shitjes së Alabbar ishte se kompania e tij jo vetëm që do të hynte dhe do të zhvillonte bregdetin e Beogradit ose thjesht do të jepte kredi për të tilla, por se ai do t’i bënte të gjitha me paratë e tij. 4 miliardë dollarë investime të pastra të huaja direkte iu angazhuan Beogradit për të ndërtuar një lagje qendrore të klasit botëror dhe moderne, ndryshe nga askund në të gjithë rajonin. Në thelb, një kompani e Abu Dhabit premtoi se do të paraqitej me thasë me para dhe Serbia në thelb u dha atyre pushtet të lirë për të bërë atë që dëshironin. Por jo. gjithçka mbaroi, një sipërmarrje zyrtare e përbashkët midis qeverisë serbe dhe kompanisë Eagle Hills u nënshkrua në prill të vitit 2015 që dukej pak më ndryshe nga ajo që ishte premtuar fillimisht. Në vend që zhvilluesi i Abu Dhabi të shfaqte një çantë plot me katër miliardë dollarë, Eagle Hills thuhet se do të investonte 160 milionë dollarë dhe më pas do t’i siguronte Serbisë 300 milionë dollarë shtesë në kredi — megjithatë, raportet e mëvonshme përcaktuan IHD-të aktuale në vetëm 20 milionë dollarë. Sido që të ishte rasti, Eagle Hills do të merrte një ulje prej 68% të fitimeve dhe një qira të tokës për 99 vjet. 

Nga ana tjetër deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj thotë se kompania arabe që do të marrë investimin te Porti i Durrësit nuk është “kompani flamur” e Emirateve. “Rama mashtroi shqiptarët duke thënë se në Portin e Durrësit do investonte kompania Emaar. Rama gënjen gjithashtu kur thotë se kompania arabe North East Real Estate Holding Limited, që do marrë Portin e Durrësit, është “Kompani Flamur” e Emirateve të Bashkuara. Kjo kompani është krijuar në Nëntor 2021, nuk ka asnjë historik financiar dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë lidhje me kompaninë Emaar. Koncesioni i Portit të Durrësit është afera e radhës e kësaj qeverie të korruptuar deri në palcë”, thotë Shehaj ,Sipas planit, shumica dërrmuese e projektit “do të financohet nga shitjet”, pra një skemë e zakonshme e ndërtuesve shqiptarë që marrin lejen e ndërtimit dhe shesin që në themel. 

E njëjta kompani “Eagle Hills”, që do të marrë 800 mijë metra katrorë ndërtimi në Durrës, është mirëpritur edhe në Kroaci, për të ndërtuar “Manhatanin” e Zagrebit i gjetur ngushtë përsëriti kryeministri.  Si fillim, shkrimi i Birn për këtë çështje që ai riposton mban datën 2019, ndërsa kompania që qeveria e tij ka shpallur investitor strategjik është themeluar vetëm një vit më parë. Pra, që këtu kuptohet se nuk bëhet fjalë për të njëjtën gjë, ndonëse të dyja mbajnë emrin “Eagle Hills”. E dyta dhe më skandalozja, po të thellohej pak, Edi Rama do ta kishte mësuar se qytetarët me protesta e kanë përzënë Alabaarin, bashkë me projektin e tij nga kryeqyteti kroat, shkruan Andi Bushati . Por siç duket Rama ka ngatërruar Zagrebin me Beogradin. I gjithë ky konfuzion e ka një shpjegim. Atëherë kur ky projekt u promovua për herë të parë, në Tiranë u trumbetua plot zhurmë se këtu do të zbarkonte një kompani e madhe, që ka ndërtuar Dubain dhe Burjh Kalifën. Emaar grup, ku kishte aksione dhe monarkia e emirateve të bashkuara ishte garanci për një investim serioz. Nisur nga ky lajm, u mbulua edhe darka e ministrave te Nusreti. Gazetarë të njohur, grupe televizive, reportazhe në TV kombëtare i bënë jehonë të stërmadhe këtij evenimenti. Ky gjigandizëm, i sponsorizuar politikisht dhe mediatikisht, justifikonte faljen e tokës publike, zhvendosjen e portit më të madh në vend, dhënien pa dilema të statusit të investitorit strategjik. Por, kur ëndrra propagandistike mbaroi dhe njerëzit u ndeshën me realitetin prozaik të dokumenteve, rezultoi komplet e kundërta. Emaar kishte avulluar dhe nuk figuronte kërkund. Muhamet Alabaar do investonte si person privat, përmes një kompanie pa emër, një pjesë e partnerëve të të cilës ishin regjistruar në parajsa fiskale. Nga mbi dy miliardë që do investonte Emaar, Alabaar do hidhte vetëm 80 milionë, nga katërfishin e vendeve të punës që propagandohej me ardhjen e të parit, shifra qe reduktuar në 12 mijë, nga marina me e madhe në Mesdhe, kishte përfunduar në një port me 280 vende ankorimi. Por lehtësitë, favoret, shkelja e kushtetutës, votimi i një ligji special nga kuvendi, marrja e pasurisë publike pa garë, ishin në proporcion me gjigandizmin e Emaarit dhe jo për kompaninë me kapital 100 mijë lekë, që ishte regjistruar për herë të parë në QKB-në shqiptare. 

 Tani se kush është bedeli gjejeni vet.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT