• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2022

HASAN PRISHTINA DHE ADEM JASHARI, DY HALLKAT MË TË RËNDËSISHME TË PËRPJEKJEVE TONA PËR LIRI E PAVARËSI

November 29, 2022 by s p

Çdo njëri nga ne sot ndjehet krenar por edhe me fat që si gjeneratë dhe si shoqëri arritëm të kurozojmë fitoren që sjell sakrifica për liri. Kuptohet që kjo sakrificë kishte kosto të lartë, por për lirinë e atdheut, çka do që të bëjmë, është pak.

Megjithatë detyrim i yni moral e patriotik është që të nderojmë kujtimin për heronjtë dhe ideologët tanë, pa të cilët nuk do ta kishim edhe lirinë që kemi sot.

Pra, imagjinojeni për një moment sikur në shiritin e kohës të mungojnë dy figura markante të kombit tonë – Hasan Prishtina dhe Adem Jashari.

A thua vallë si do të dukej ajo kohë e cila nuk do të kishte këta dy kolosë të mendimit e të pushkës? Si do ta interpretonim ne sot historinë dhe çfarë të ardhme do të kishte kombi ynë nëse do të mungonte fuqia e ndikimit politik të Hasan Prihtinës në lëvizjen tonë kombëtare dhe nëse do të mungonte rezistenca e Adem Jasharit, e cila u shndërrua në kushtrim lirie për qindar e mijëra djem e vajza të rreshtuar në UÇK-në tonë legjendare?

Por, fatbardhësisht, ata i kishim në momentin dhe vendin e duhur, atëherë kur për fatin e kombit tonë duhej të vendosnim ne, por ata i kemi edhe sot këtu në mesin tonë….

Ideologu i Pavarësisë dhe i përpjekjeve tona shtetndërtuese – Hasan Prishtina sot ndodhet krah për krah me Komandantin legjendar Adem Jashari këtu në fshatin Mushtisht, dhe ky është një nder modest që ne si gjeneratë, por edhe si familje po ua bëjmë këtyre dy vigajve të kombit tonë. Me këtë, Kosovës po i kthehen vlerat e saj edhe jasht qendrave, sepse këto vlera ndodhen të shpërndara si thërmija të çmueshme dhe ato tash vijnë natyrshëm dhe marrin formën e këtyre dy figurave në bronz që percjellin historinë njëshekullore te luftes për liri e dinjitet kombëtar, duke filluar nga Hasan Prishtina dhe Adem Jashari .

Hasan Prishtina dhe Adem Jashari, edhe pse vepruan në kohë e kontekste të ndryshme politike e kombëtare, ata megjithatë përfaqësojnë hallkat më të rëndësishme të përpjekjeve tona për liri e pavarësi . Këto dy figura markante do të donte t’i kishte çdo komb i përparuar i botës, dhe për rrjedhojë një komb që në gjiun e vet ka arritur të kultivojë figura të tilla, ai komb jo vetëm që e meriton lirine, por duhet të merret edhe si model për kombet tjera, siç po merret si model në shumë doktrina ushtarake të botës rezistenca titanike e Familjes Jashari e cila me aktin e vetflijimit dëshmoi se nuk ka fuqi në botë që mund ta shuaj dëshirën dhe vullnetin e një populli për liri dhe pavarësi.

Prandaj jo edhe rastësisht sot në Mushtisht, krah për krah me Hasan Prishtinën, po e vendosim edhe bustin e komandantit legjendar Adem Jashari, pikërisht kur ditëlindja e tij sot përkon me Ditën e shenjtë të Flamurit tone kombëtar.

Urime ditëlindjen komandant dhe kujtimi për ty dhe familjen tënde qoftë i përjetshëm.

Duke qenë krah për krah njëri tjetrit, Hasan Prishtina e Adem Jashari, tash e tutje do të jenë edhe një arsye më shumë që nga lulet e bukura të Sharrit të ndërtojmë kurorën e lavdisë dhe respektit për gjithë kontributin madhor që ata kanë dhënë për kombin. Heronjtë vetëm fizikisht shkojnë nga kjo botë. Ata vazhdojnë të jenë me ne, edhe atëherë kur menaxhimi i proceseve ka nevojë për një vëzhgim të heshtur të heronjve tanë. Jemi me fat që rrugëtimi ynë si komb u trasua falë angazhimit dhe sakrificë sublime të Hasan Prishtinës dhe Adem Jasharit, nën vëzhgimin e të cilëve do të jenë edhe proceset në vijim.

Në fund faleminderoj organizatorët dhe të gjithë juve që sot me praninë tuaj këtu nderuat dy figurat tona më të dashura- Hasan Prishtinën dhe Adem Jasharin, sepse e pakta që mund të bëjmë ne është të freskojmë kujtesën duke sjellë në vëmendje lavdinë e heronjve tanë.

Lavdi dhe Urime Dita e Flamurit të Pavarësisë!

Mehmet PRISHTINA

Mushtisht, 28 Nëntor 2022

Filed Under: ESSE Tagged With: Mehmet Prishtina

Flamuri Kuq e Zi përsëri valon në sheshin e bashkisë së Philadelphias

November 29, 2022 by s p

Anekënd botës shqiptarët sot festojnë 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, 110 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe në Philadelphia u organizua një veprimtari madhështore, ngritja me ceremoni e flamurit Kuq e Zi në sheshin e bashkisë. Që nga festimi i 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, shoqata “Bijtë e Shqipes” në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Philadelphias organizon ngritjen e flamurit tonë në bashkinë e qytetit me një ceremoni solemne. Pra, edhe ne e shënojmë një vit jubilar, dhjetëvjetorin e organizimit të kësaj ceremonie mjaft domethënëse. Kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbole kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Philadelphias. Ngritja e flamurit Kuq e Zi në bashkinë e Philadelphias, vendlindjen e ShBA-ve është nder për Shqipërinë e gjithë shqiptarët, posaçërisht për bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias.

Edhe këtë vit, në datën 28 nëntor, pikërisht në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin e bashkisë. Numri i pjesëmarrësve ishte shumë i madh në këtë ceremoni, gati i tërë sheshi ishte mbushur me bashkatdhetarë të gëzuar, të veshur me rrobat më të bukura, disa edhe me veshje kombëtare. I tërë sheshi jehonte nga këngët dhe vallet shqiptare. I tërë sheshi ishte zbukuruar me flamuj të shumtë shqiptarë e amerikanë. Kësaj ceremonie ia shtuan madhështinë edhe pjesëmarrja e mysafirëve tanë të nderuar: zëvendës ambasadori i Republikës së Kosovës në Uoshington, z. Bujar Maxhuni dhe këshilltari i kësaj ambasade, z. Drilon Zogaj; kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit, z. Avdullah Domi, i cili edhe e ngriti flamurin në mënyrë ceremoniale. Fjalën e rastit e mbajti kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, z. Bujar Gjoka. Z. Gjoka foli për rëndësinë historike të kësaj Dite të Madhe, ndihmën e Amerikës dhënë Shqipërisë e Kosovës si dhe rolin e bashkësisë shqiptaro – amerikane në zhvillimin e qytetit të Philadelphias. Ndërsa në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Philadelphias përshëndeti zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit (City representative) të Philadelphias, e cila edhe i dorëzoi kryetarit të shoqatës, z. Bujar Gjoka, Proklamatën me të cilën kryebashkiaku e nderonte Shqipërinë, kombin shqiptar dhe bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias, për nder të 28 Nëntorit, Festës sonë Kombëtare dhe e shpallte 28 Nëntorin si Ditën e Shqipërisë në Philadelphia. Në këtë ceremoni përshëndeti edhe z. Avdullah Domi. Nga Zyra për Çështjet e Imigrantëve, përshëndeti z. Alain Joinville. Shoqata “Bijtë e Shqipes” e nderoi me një mirënjohje zonjushën, Katie Katro, gazetare në kanalin 6, stacion lokal i rrjetit televiziv, abc. Zonjushet, Sara Matraku dhe Silvana Çela e moderuan për bukuri këtë ceremoni madhështore.

Për këtë veprimtari dhe veprimtaritë tjera të organizuara nga shoqata “Bijtë e Shqipes” për nder të 28 Nëntorit, në ditët në vazhdim do të përgatitet një material pak më i detajuar.

Philadelphia, më 28 nëntor, 2022

Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

Fotot: Eva Dori – gazetare

Filed Under: Opinion Tagged With: Sadik Elshani

VATRA DHE SHQIPTARËT E AMERIKËS FESTUAN 110 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË DHE FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

November 28, 2022 by s p

Sokol Paja/

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra bashkoi patriotët shqiptarë nga të gjitha shtetet e Amerikës, Kanadasë e Europës në New York dhe festuan me gëzim e madhështi 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Me pjesëmarrjen ekskluzive të Ambasador Frenk Wisner, Konsullit të Nderit të Shqipërisë Ekrem Bardha, patriotit të madh Jim Xhema, ish-Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, Mark Gjonaj, Irfan Hysenbelliu, Harry Bajraktari e shumë personalitete të shquara të kombit tonë e bënë mbrëmjen patriotike të paharrueshme. Në një ceremoni mbresëlënëse patriotike: patriotë shqiptarë, autoritete fetare, veprimtarë, kontribues të çështjes kombëtare, përfaqësues të të gjitha shoqatave shqiptare, vatranë, media, familje patriotike shqiptare në diasporën e Amerikës, përfaqësues zyrtar shtetëror nga Prishtina e Tirana, deputetë, ish-kryeministra, ish-ambasadorë, profesorë, miq e të ftuar, festuan për orë të tëra nën tingujt e muzikës së mrekullueshme shqiptare me gëzim, krenari e vëllazëri. 28 Nëntori, festa e Flamurit Kombëtar si themeli dhe identiteti ynë kombëtar shqiptar bashkoi si kurrë më parë shqiptarët nën një flamur për të festuar dhe uruar njëri-tjetrin në ditën e lirisë së shtetit e kombit shqiptar. Pavarësia si datë e veçantë në kalendarin e shtetit dhe të kombit shqiptar ku Vatra ka meritë historike në të gjitha fazat historike ku ka kaluar shteti e kombi ynë. Nën drejtimin brilant të dr.Pashko Camaj, mbrëmja patriotike filloi me këndimin e dy himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Mikela Nonaj dhe himinin kombëtar të Shqipërisë nga Gëzim Nika (Mjeshtër i Madh). Më pas fjalën e mori kryetari i Vatrës i cili u uroi mirëseardhjen të ftuarve dhe renditi në mënyrë kronolgjike rëndësinë e datës historike të 28 Nëntorit dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Vatrës në dobi të shtetit e kombit shqiptar. Imam Edin Gjoni bekoi darkën e Pavarësisë dhe u ndal ndër të tjera te kontributi i burrave të shquar të kombit në pavarësinë e Shqipërisë dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen kombëtare. Konsulli i Nderit z.Ekrem Bardha, Ambasador Frenk Wisner dhe Jim Xhema në fjalimet e tyre përshëndetëse për të pranishmit kaluan në retrospektive festimet e Pavarësisë së Shqipërisë, ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kombit shqiptar sidomos në Pavarësinë e Kosovës dhe në mbështetjen e vazhdueshme të çështjes shqiptare në institucionet amerikane. Ata u ndalen dhe në kontributin dhe rolin e Vatrës si një instutucion i fortë atdhedashurie në mërgatën shqiptare të Amerikës, si një bashkësi patriotike historike në përpjekjen për shqiptarinë, historinë kombëtare të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këngëtarët Gëzim Nika (Mjeshtër i Madh), si drejtues artistik dhe kryetar i Darkës Gala organizoi dhe performoi në mënyrë të shkëlqyer bashkë me Grupin Rozafati të drejtuar nga koreografe Angjelina Nika (Mjeshtër i Madh), këngëtaret e mirënjohur Alberie Hadergjonaj, Barbana Dini, Argjend Lloga, duke e shëndërruar këtë festë patriotike në një natë magjike me  mbresa të jashtëzakonshme te të gjithë pjesëmarrësit. Si kurrë më parë, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra udhëhoqi festimet dhe organizimet solemne të festimit të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ku Vatra ka pjesën e saj të jashtëzakonshme në historinë e shtetit shqiptar, tregoi edhe këtë herë forcën, seriozitetin, shpirtin e saj patriotik në organizimet kombëtare në nder të flamurit e historisë sonë kombëtare. Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra me rastin e Festës së Flamurit Kombëtar dhe të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nderoi me: “Mirënjohje” miq të kombit tonë, personalitete të shquara të diasporës shqiptare në Amerikë e më gjërë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në dobi të çështjes kombëtare dhe fushave të spikatura me dobi dhe interes publik kombëtar. Drejtuesit më të lartë të Vatrës kryetari Elmi Berisha, nëkryetari Alfons Grishaj, Presidenti i Nderit Agim Rexhaj, Kryetari i Këshillit të Vatrës Kolec Ndoja, përgjegjësi për degët, lobimin, zgjerimin dhe bashkëpunimin Mondi Rakaj nderuan me Mirënjohje: Ambasador Frenk Wisner, Ekrem Bardha, Avdullah Hoti, Irfan Hysenbelliu, Adem Belliu, Beqir Sina, Dritan Haxhia, Agim Aliçkaj, Bajram Hajdarmetaj, Sandra Bojaj (Tv Boin), Lulash Palushaj, Anton Raja, Halil Mula, Ruzhdija Axhoviq. Gëzuar Pavarësinë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë Shqiptarët, Zoti i bekoftë miqtë dhe aleatët e përjetshëm të popullit, shtetit e Kombit Shqiptar.

Filed Under: Featured Tagged With: 110 Vjetori, Sokol Paja

Fjala përshëndetëse e kryetarit të Vatrës Elmi Berisha në darkën gala kushtuar 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

November 28, 2022 by s p

Të nderuar zonja dhe zotërinjë, Vatranë të dashur,

Mysafirë nderi, zyrtarë të lartë, klerikë, të dashur bashkëkombas, 

Vëllezër dhe motra,

Kam kënaqësinë dhe nderin të përkujtojmë bashkë me ju sot ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe të flamurit kombëtar.

Fillimisht më lejoni që nga këtu në cilësinë e Kryetarit të organizatës më të vjetër në tokën e bekuar të Amerikës t’u uroj ju dhe gjithë shqiptarëve për 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Urime dita e flamurit kombëtar, flamurit më të mirë në botë; flamurit kuq e zi! Me këtë flamur, për këtë flamur, rreth këtij flamuri të përbashkuar kemi qëndruar e triumfuar gjithmonë, sepse ishim në të drejtën e tokën tonë.

Çdo vit e çdo përvjetor ka rëndësinë e vet. Në këtë përvjetor nderojmë së pari veprën dhe rrugëtimin e gjatë e të vështirë të një armate me patriotë shqiptarë dhe përpjekjet e gjithë brezave për arritjen dhe mbrojtjen e pavarësisë. Ju përulemi me respekt për kontributin, sakrificën, qëndrueshmërinë dhe atdhedashurinë e tyre që falë këtyre veprave shqiptarët sot janë në familjen e kombeve të lira dhe të pavarura.

Jemi mbledhur në këtë mbrëmje festive të Vatrës sepse Vatra e ka ditur jo vetëm sa e shtrenjtë është liria, por edhe sesi t’a fitojë atë. Themeluesit e Vatrës kishin jo vetëm dëshira e ëndrra por edhe vizionin e largpamësinë për t’i arritur ato. Prandaj ideatorët dhe krijuesit e Vatrës ishin gjithashtu edhe farkëtuesit e ndërgjegjes kombëtare dhe ju lanë trashëgimi brezave sesi duhet luftuar dhe punuar për kombin tonë.

Prandaj ata luftuan edhe me pushkë edhe me penë. 

Prandaj Vatra kishte një strategji mbarëkombëtare. 

Prandaj në Vatër kishte dijetarë eruditë, diplomatë por edhe edukatorë, kishte oratorë por edhe vullnetarë lufte, kishte intelektualë por edhe punëtorë krahu që mësonin shqip kur ktheheshin nga puna. Prandaj kishte njerëz të biznesit por edhe kontributorë që jepnin nga rroga e tyre mujore që atdheu i tyre, vendi i shqipeve të jetë i lirë dhe i pavarur. Atdheun e ndihmonin të gjithë që nga Përfaqësuesit e Lartë në konferenca ndërkombëtare dhe emisarët politikë deri te anëtarët e klubeve sportive dhe instrumentistët e bandës muzikore. Kjo është trashëgimia e Vatrës e cila është vërsnike me Pavarësinë e Shqipërisë. Në historinë 110 vjeçare të pavarësisë, si Vatra ashtu edhe atdheu e krejt trojet shqiptare kanë përjetuar sfida, kanë kaluar stuhi dhe acare politike, por kanë parë edhe pranvera. Sakrifica, atdhedashuria, përkushtimi, pena e pushka janë emërues i përbashkët i ecjes së shqiptarëve në këtë epokë 110 vjeçare.

Sot Shqipëria feston 110 vjetorin e mvetësisë, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, shqiptarët e trojeve etnike në Maqedoninë veriore janë element shtetformues dhe garancë e ekzistencës së këtij shteti, shqiptarët e Luginës dhe ata në trojet etnike në Mal të Zi janë në pozitë më të favorshme në realizimin e aspiratave kombëtare. Në datat e shënuara si kjo, duhet të jemi edhe më të bashkuar dhe më të motivuar dhe mos të ndalemi kurrë që trungu ynë kombëtarë të jetë në mesin e kombeve të zhvilluara dhe prosperuese.

Sot historia është me ne sepse platforma shumëdimensionale mbarëkombëtare e Vatrës në 1912 është frymëzimi dhe udhërrëfyesja e Vatrës në vitin 2022. 

Një nga firmëtarët e pavarësisë së Shqipërisë dhe luftëtari e strategu i shquar Isa Boletini ka thënë: “Unë jam mirë kur është mirë Shqipëria”.

Le ta festojmë këtë përvjetor jubilar duke dëshiruar edhe më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Le të jemi krenarë për rrugën në të cilën kemi ecur dhe shumë të vetëdijshëm për rrugën që kemi përpara.

Në këtë përvjetor të madh kur themi “Gëzuar Pavarësinë” le t’i kujtojmë vetes dhe fëmijve tanë si edhe fëmijve të fëmijve se vepra e një brezi ju takon brezave që vijnë pas dhe se duke ecur në gjurmët e tyre ne jemi pasardhës të denjë të paraardhësve tanë.

Gëzuar Pavarësia!

Zoti Bekoftë Amerikën!

Zoti i bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët në të gjitha trojet etnike!

Allow me to speak a few words in English now: 

Dear Vatrans, Honored Guests, Dignitaries, Clergy and Fellow Albanians,

It is my privilege and pleasure to gather with you at this joyous night of celebrating a landmark event. The 110 anniversary of Albania’s Independence serves as a reminder of the high price of freedom and recognition of the sacrifices made by generations before us. Vatra is also 110 years old this year. Vatra and Albania’s Independence share the same birth year and that’s no coincidence. 

The founders of Vatra developed a comprehensive national agenda around which Vatra activists and envoys rallied the Albanian community in the US, diaspora and Albanians in Albania. It sparked a national movement that brought forth the declaration of independence. We are extremely proud of Vatra’s legacy that continues to be the inspiration and guidance of many generations. In the span of 110 years there have been successes and setbacks, obstacles and immense hurdles on the way, yet the mission to promote and advance the Albanian cause has stayed the same.

We raise our glasses to celebrate Albania’s Independence and salute the sacrifices of our predecessors as we carry further the aspirations of the Albanian nation and people.

God Bless America! 

God Bless Albanians and the Albanian nation. 

God Bless You and Your Families!  

I ask the distinguished guests to say along with all of us one word: GËZUAR!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elmi Berisha

KREMTOHET 28 NËNTORI TE KISHA “Fjetja e Sh. Mërisë”, WORCESTER MA

November 28, 2022 by s p

Thanas L. Gjika


Më 26 nëntor në ambjentet e Kishës shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë” Worcester MA. u organizua nën drejtimin e Z. Frank Zdruli, kryetar i Shoqërisë “Djemtë e Sh. Mërisë”, festa e Ditës së Flamurit me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Morën pjesë mbi 250 persona të të gjitha moshave. Krahas banorëve të qytetit e rrethinave të Worcester-it, ishin atu dhe Atë Mark Doku e klerikët e rinj që e ndihmojnë; disa miq nga Boston, MA. si  i Përndershmi Arhimandrid Theofan Koja, kryekleriku i Katedrales së Sh. Gjergjit, koreografi Dhimitër Demiri, etj. Nga qyteti Natick MA kishte ardhur familja Stratobërda, nga shteti Conneticat grupi muzikor “MALLI’ me këngëtarët e shquar fjerakë Brunilda e Rik Hoxha, etj. Gazetari dhe kameramani Arben Murraj xhiroi si gjithnjë ngjarjen nga fillimi në fund.

Festën e hapi Z. F. Zdruli, i cili në fjalën e tij falenderoi drejtuesit e kishës dhe biznesmenin Kozma Cane, që mbuloi shpenzimet e ushqimit e të pijeve të gostisë, si dhe vullnetarët Klodi Melka, Ilir Mihallari dhe Renato Robo që përgatitën mezet dhe ushqimet e bollshme, z. Gaqo Gjylapi që shërbeu si banakier, si dhe grupin tjetrër të punës që ndihmoi për organizimin me sukses të kësaj feste tradicionale.

At Marku dhe Arhimandrid Koja bënë lutjet e rastit për bekimin e ushqipmit dhe falenderimin ndaj Zotit. Nëpër tavolina ishin vendosur kopje të librit “Kënga Popullore Shqiptare”, përmbledhje me këngë popullore të cilat u kënduan prej grupit muzikor dhe vetë pjesëmarrësve. Më tej u vijua me këngë të tjera erotike shqiptare, angleze dhe italiane. Grupi “Vallet Tona” dha shfaqjen e vet, e cila u shoqërua dhe me pjesëmarrjen e publikut, ku shkëlqyen krahas valltareve profesioniste dhe zonjat e zotërinjtë Terova, Danga, Robo, Gërmenji, Zdruli,, Cane, Mano, Asllani, Christo, Lito, etj dhe fëmijët e tyre. 

U bë një intermexo gjatë së cilës Z. F. Zdruli i dhuroi drejtuesit të korit të Kishës Zotit Danga si pasuri të bibliotekës së kishës sonë, librin në tre vëllime “Muzika e Kishës Otodokse Shqiptare” të studiuesit Theodhor Peci. Në vijim iu dha fjala Prof. Thanas L. Gjika, sekretarit të degës së Federatës Vatra -Worcester MA, për ta përshëndetur festën në emër të Federatës.

Midis tjerash z. Thanas Gjika tha:

28 NËNTORI NA BASHKON, POR DHE NA DETYRON…

Falenderoj kishën shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë” dhe shoqërinë “Djemtë e Sh. Mërisë” që na bashkuan sonte në këtë darkë ku festojmë Ditën e Famurit me rastin e 110-vjetorit te Pavarësisë. Kjo festë na kujton sakrificat e mëdha të rilindasve tanë, që nga Naum Veqilharxhi, Vaso Pasha, vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Fan Noli, Mic Sokoli, Dedë GjoLuli, Hasan Tahsini, Atë Gjergj Fishta, vëllezërit Topulli e Grameno, Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani, Papa Llambro Ballamçi, Spiro Bellkameni, etj, të cilët të ndihmuar dhe prej aleatëve Austri dhe Itali, arritën të krijonin shtetin e pavarur shqiptar. Por Rusia Cariste me politikën e saj shoviniste u imponoi Fuqive Europiane që shteti i ri shqiptar të mos ishte një shtet i plotë kombëtar, por gjysmak. Në këtë shtet të cunguar, të quajtur ‘Shqipëria Londineze’, u përfshinë vetëm 28.000 km katrore që banoheshin prej shqiptarëve, kurse më shumë se gjysma e tokave dhe e popullsisë shqiptare iu dhanë shteteve fqinjë: Serbisë, Greqisë e Malit të Zi.

Gjatë shekullit të XX-të në trojet shqiptare që mbetën jashtë territorit të shtetit shqiptar u ndoq një politikë e egër asimilimi, përndjekjesh dhe dëbimesh nga vatrat stërgjyshore. Në fund të shekullit të XX-të popullsia shqiptare në Greqi ishte pakësuar së tepërmi, shumica e saj ishte greqizuar. Kurse në ish-Jugosllavi, edhe pse trojet shqipfolëse ishin rrudhur, ishte ruajtur një popullsi prej mbi dy milion shqiptarësh, e cila kishte vazhduar lëvizjet për të drejta dhe liri kombëtare.

Lëvizja nacionale e popullit shqiptar brenda ish-Jugosllavisë dhe lobi shqiptar këtu në Amerikë arritën ta ndërgjegjësonin Kongresin Amerikan se populli shqiptar, një popull josllav, nuk kishte pse të jetonte nën sundimin serb si popull i robëruar. Mosbindja e qeverisë serbe të Milosheviçit ndaj presioneve diplomatike të ShBA-ve dhe BE-së për t’i dhënë popullit shqiptar në Serbi të drejta të barabarta qytetare me popullin serb, shpuri në ndërhyrjen ushtarake të NATOS dhe krijimin e Republikës së Kosovës. Kështu u krijua shteti i dytë i pavarur shqiptar. kurse popullsia shqiptare në Republikën e Maqedonisë, në Malin e Zi dhe në Serbinë Jugore fituan më shumë të drejta qytetare.

Zhvillimet ekonomike dhe politike të këtyre 20 vjetëve të fundit po tregojnë se çeshtja shqiptare ka dalë në plan të parë në Ballkanin Perëndimor. Rruga e Kombit dhe Rruga e Arbërit e kanë lehtësuar e shpeshtuar qarkullimin e popullit shqiptar dhe e kanë forcuar tregun e biznesin shqiptar në Ballkanin Perëndimor. Pra është koha që ne shqiptarët kudo ku jetojmë të mendojmë seriozisht për ngritjen e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar, detyrë që na ka mbetur e pazgjidhur që nga coptimi i kufijve në vitet 1912-1913. Sot, kur Rusia totalitare, armikja shekullore e çështjes shqiptare, po dobësohet nga lufta me Ukrainën, është koha më e përshtatshme për të punuar seriozisht për korrigjimin e padrejtësive që na u bënë në të kaluarën.

Më shumë se kushdo, ne shqiptarët që jetojmë në ShBA, në vendin ku sundon liria, na bie detyra për realizimin e kësaj detyre strategjike mbarëkombëtare. Eshtë koha të shpenzojmë më pak kohë për dëfrime personale nëpër kafene e klube dhe të ndjekim rrugën që na ka lënë Atë Fan Noli: të frekuentojmë më shumë institucionet fetare, të lexojmë më shumë gazetën “Dielli” dhe të anëtarësohemi në Federatën Panshqiptare Vatra, në këto institucione mbi 100-vjeçare, që e kanë ndihmuar më shumë se kushdo tjetër çështjen tonë kombëtare.

Po të rronin sot Atë Fan Noli e Faik Konica me shokë, jam i bindur se ne do t’i ndiqnim këshillat e tyre për t’i frekuentuar këto tri institucione të atdhetarizmit. Prandaj t’i bashkohemi me ndërgjegje trinomit INSTITUCION FETAR-GAZETA DIELLI- FEDERATA VATRA. Ta luftojmë indiferentizmin, qëndrimin tonë e sidomos të fëmijëve tanë larg këtij trinomi, sepse indiferentizmi na ka shpënë tek globalizmi dhe internacionalizmi. Globalizmi dhe internacionalizmi, pa zgjidhur ende problemin kryesor kombëtar: krijimin e shtetit kombëtar, janë të dëmshme, sepse na shpien drejt asimilimit, dobësimit dhe shuarjes së kombit.

Shqiptarët kudo ku jetojnë në Ballkanin Perëndimor e në diasporë duhet tv kujtohen se 28 Nentori na bashkon, por edhe na detyron të kujtojmë se çështja jonë kombëtare ka mbetur ende e pazgjidhur dhe duhet punuar për realizimin e kësaj detyre.

Po t’ia lemë spontanitetit detyrën që na kanë lënë rilindasit për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, si e kemi lënë deri sot, ajo do të mbetet e pazgjidhur dhe për dhjetra vjet të tjerë dhe kështu ndihma e aleatëve do të vejë dëm. Po të mos zgjohemi e po të mos aktivizohemi sot, koha dhe brezat e ardhshëm do të na dënojnë…

Ju faleminderit për vëmendjen. Gëzuar festën që na bashkon, por dhe na detyron!

* * *

Më tej vluan këngët e vallet deri në ora 11:00 PM, pastaj pjesëtarët u shpërndanë të kënaqur. Duke shkuar në shtëpitë e veta të mbushur me emocione, shumë prej tyre  thoshin se komuniteti ynë prej mbi 20.000 Shqiptaro-Amerikanësh ka nevojë të organizojë të tilla takime edhe për raste të tjera si promovim librash, përkujtim ngjarjesh të ndryshme, etj. Takime të tilla atdhetare e kulturore e ngrejnë moralin e komunitetit dhe dashurinë midis njëri tjetrit…

Filed Under: Komunitet Tagged With: Thanas Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT