• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2023

Vdekja nuk është fund…

March 5, 2023 by s p

Sokol Paja/

“Vdekja nuk është fund. Është kalim nga jeta tokësore në jetën qiellore”. Me këto fjalë ngushëlluese meshtari i kishës “Rruzarja e Shenjtë” në Staten Island New York, përpiqej të mbushte me shpresë e besim zemrat e thyera dhe shpirtrat e lënduar të familjes Loka dhe Preçi. Dy familje të nderuara fisnike nga Mirdita, ashtu si i gjithë komuniteti shqiptar në New York u tronditën me vdekjen e Blerina Lokës në moshën më të bukur të saj 36 vjeçe. Ata humben gruan, motrën, nënën, njeriun e tyre më të shtrenjtë Blerinën. “Një ndarje e përkohshme derisa të shihemi në qiell të gjithë bashkë” ngushëllonte prifti duke porositur që “misionin që e la përgjysmë Blerina ta vazhdoni ju mbi tokë. Jetoni jetën e saj, kujtoni buzëqeshjen, merrni nga forca që Blerina luftoi deri në fund, shpresa që kishte brënda vetes, dashuria që ju dhuroi të gjithëve dhe besimi që ajo kishte, le t’a bëjë të paharrueshme për të gjithë ju”. Me ikjen e saj Blerina përveç kujtimeve të paharrueshme la një mesazh të fortë jete për të luftuar për jetën, për dashurinë kundër sëmundjes e të keqes. Forca dhe këmbëngulja e Blerinës ishin mahnitëse. Paqja e amshuar është shpërblim i Zotit për njerëzit e mirë. Mes dhimbjes therëse, lotëve, trishtimit e zemërimit për ikjen e parakohshme të Blerina Lokës, familja, miqtë dhe komuniteti e përcollën me nderimet më të larta bijën e nderuar të familjes e komunitetit shqiptarnë New York. Blerina ishte një femër e fortë që nuk u dorëzua kurrë. Një aktiviste e angazhuar dhe pjesëmarrëse aktive. Sa jetoi kudo gëzonte respekt falë vlerave e mirësisë që kishte e falte tek të gjithë. Blerina Loka do pushojë trupin në banesën e përjetshme në “Moravian” në Staten Island dhe shpirti i saj nga parajsa do kujdeset për bijën e saj të vogël ëngjëll Altean dhe Lekën fatin e jetës së saj.

Filed Under: Uncategorized Tagged With: lek preci

Madhështia e një akti

March 5, 2023 by s p

Arjeta Ferlushkaj Kotrri/

Eljona Kodra është poete, mësuese dhe gazetare. Ka studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkodër dhe u largua nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2011. E ushtroi profesionin e mësueses vetëm për dy vite në Shkodër, për të vazhduar më pas një tjetër mision në Londër. Nuk ishtë i lehtë ndryshimi rrënjësor i jetës, sidomos për një vajzë që nuk e kishte menduar kurrë se do ta linte Shqipërinë. Angazhimin për t’u mbrojtur nga asimilimi e nisi duke iu mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë përmes skype. Të qenurit nënë e bënte pak më të vështirë ndjekjen e aktiviteteve që organizonte komuniteti shqiptar në Londër por edhe me fëmijë të vegjël, Eljona nuk mungonte dhe bashkë me të ishte edhe karroca e fëmijëve të saj. Malli për vendlindjen e shtynte që të mos mungonte, dhe një pjesëmarrje e tillë i jepte emocionin që i duhej për të ushqyer shpirtin. Eljona Kodra është autore e librit me poezi “Qerpikët mbetën hapun”, botuar dhe promovuar në Shkodër në vitin 2020. Në planet e afërta të saj është edhe një debutim në zhanrin e prozës.Nga angazhimet e diasporës në Londër, Eljona vlerëson punën e tyre por do të dëshironte që disa prej tyre, të linin mënjanë nevojën e etshme për t’u dukur dhe të bashkëpunonin më shumë me njëri-tjetrin, për një të mirë të përbashkët. Eljona shprehet: “Detyra jonë e përbashkët, që duhet të jetë primare, është promovimi i artit dhe i kulturës shqiptare, të trashëgohen ndër breza traditat tona si dhe të ruhen me fanatizëm gjuha e bukur dhe e pashoqe shqipe”.Eljona është e angazhuar edhe tek i vetmi televizion shqiptar në Londër, siç është “ALB UK TV”, i cili është një mbështetje shumë e madhe për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Bashkë me stafin e televizionit, Eljona shprehet se mundohen të trajtojnë tema nga më të ndryshmet, pra jo vetëm artistike por edhe nga aktualiteti, nga historia, nga bota shqiptare në përgjithësi. Sa i takon shkollave shqipe në Londër, Eljona na pohon se janë disa. Ajo sugjeron që bashkëpunimi mes këtyre shkollave e shoqatave duhej të ishte më i gjerë e më i shpeshtë, megjithatë ajo nuk ngurron të na thotë se “Eshtë e admirueshme puna që bëhet në shkollat shqipe në Londër. Po ashtu, shqiptarët janë familjarë model. Me gjithë angazhimet e jetës së përditshme, e cila është jo pak e ngarkuar, ata sërish gjejnë kohën për t’i ndjekur fëmijët e tyre në angazhime të tilla. Është madhështi t’i trashëgosh fëmijës tënd vlerat e gjuhës amë dhe t’i ruash traditat.” Për Eljonën, do të ishte një ëndërr e realizuar sikur në Londër të kishte një qendër kulturore për komunitetin shqiptar. Ajo fton bashkëkombasit e vet që përmes një investimi që është i domosdoshëm, të mund të kenë edhe shqiptarët e Londrës një qendër ku të mblidhen të gjithë bashkë. Për diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Eljona ka një ndjeshmëri mjaft pozitive. Ajo ndjek vazhdimisht angazhimet e organizatave e shkollave të ndryshme shqipe këtej në SHBA dhe mendon se nga një bashkëharmoni e tillë, duhet të marrin shembull edhe diasporat e tjera. “Kur lexoj për aktivtitetet e juaja, ndjej një kënaqësi të veçantë dhe ju arrini të përcillni emocionin e kërkuar dhe sidomos e përforconi bindjen e shqiptarëve se po, më të vërtetë, Shqipëria dhe shqiptarët, kanë për çfarë të krenohen.” Kur nga fundi i bisedës tonë, i kërkojmë Eljonës të na përcjellë një mesazh, ajo na thotë: “Të mos harrojmë se, dikur, diaspora ka qenë një zë i fortë dhe ne e kemi për detyrë jo vetëm të çojmë zërin kur Shqipëria nuk është mirë, por edhe të vazhdojmë misionin e nisur nga të parët tanë.”

Filed Under: Sociale Tagged With: arjeta ferlushkaj kotrri

Origjina e shkrimit Kunjformë

March 5, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Ky sistem i veçantë shkrimi e ka origjinën në Babiloni. Shpikësit e tij ishin njerëzit sumerian ose jo-semitë që banonin në atë vend përpara se të vendoseshin babilonasit. Ajo u zhvillua nga shkrimi i figurave, dhe në të vërtetë disa nga shenjat pikturale më të rëndësishme mund të gjurmohen ende në mënyrën kuneiformë. Ky shkrim i hershëm i pikturës ishte gdhendur në gur, por përfundimisht balta e butë u miratua si një medium dhe u zbulua se linjat e drejta të ngulitura mbi këtë medium prireshin në formën e një kunji apo një pyke. Kështu, fotografitë humbën karakterin e tyre origjinal dhe u bënë thjesht grupe konvencionale pykash. Shumësi përfaqësohej duke dyfishuar shenjën dhe një term mund të intensifikohej me shtimin e një goditjeje të caktuar: kështu, shenja për ‘shtëpi’, nëse i shtoheshin katër goditje të vogla, do të thoshte ‘shtëpi e madhe’ e kështu me radhë. . Skenari ishte shumë i përshtatshëm për gjuhën asiriane, pasi fillimisht nuk ishte krijuar për një gjuhë semite. Ai përbëhet nga rrokje të thjeshta të përbëra nga një zanore në vetvete ose një zanore dhe një bashkëtingëllore, ideograme ose shenja që shprehin një fjalë të tërë dhe rrokje të mbyllura si marr ose jap. Përsëri, shumë nga shenjat kanë më shumë se një vlerë rrokjeje dhe ato mund të përdoren si ideograme dhe fonetike. Ashtu si në shkrimin egjiptian, përcaktorët përdoren për të treguar klasën së cilës i përket fjala: kështu, një shenjë vendoset përpara emrave të personave, një tjetër para emrave territorial dhe një e treta para emrave të perëndive dhe qenieve të shenjta.
Data e epokës në të cilën filloi të përdorej për herë të parë ky shkrim ishte ndoshta rreth 4500 p.e.s. dhe vazhdoi deri në shekullin e parë p.e.s. Asirianët e përdorën atë që nga viti 1500 p.e.s. deri rreth fillimit të shekullit të gjashtë p.e.s. Kështu, kjo formë e lashtë e shkrimit u përdor fillimisht nga sumerët, pastaj nga pushtuesit e tyre babilonas dhe asirianë, pastaj nga ata persianë që përmbysën më në fund perandorinë babilonase dhe asiriane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi

THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR (1929) / FJALIMI PREKËS DHE I IMPROVIZUAR I MBRETIT ZOG PARA DELEGACIONIT TË GRAVE SHQIPTARE

March 5, 2023 by s p


Mbreti Zog – Burimi : L’Illustrazione Italiana, 1929
Mbreti Zog – Burimi : L’Illustrazione Italiana, 1929

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Mars 2023

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të hënën e 18 nëntorit 1929, në faqen n°8, fjalimin prekës dhe të improvizuar të Mbretit Zog mbajtur asokohe para delegacionit të grave shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Mbreti i Shqipërisë theksoi demokracinë e tij

Sovrani uron klerikët dhe popullin për pavarësinë që kanë fituar

Speciale nga The Christian Science Monitor

Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 18 nëntor 1929, f.8
Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 18 nëntor 1929, f.8

Tiranë, Shqipëri — Gjatë një feste të kohëve të fundit për Zogun I, Mbreti i Shqiptarëve gjeti rastin për të theksuar qëndrimin e tij demokratik ndaj popullit të tij dhe dëshirën e tij për t’i shërbyer. Natyrisht, festimet ishin kryesisht të natyrës ushtarake, duke i dhënë ushtrisë së re evropiane një mundësi për të treguar formimin, rendin, pajisjet dhe rritjen e saj të qëndrueshme, por përveç paradës pati edhe takime midis Mbretit të Shqipërisë dhe një numri të madh delegacionesh që përfaqësonin popullin shqiptar. Në një nga këto takime Zogu tha : “Kur të ktheheni në shtëpi, thuajuni fqinjëve se Mbreti i Shqipërisë nuk dëshiron të qëndrojë larg edhe një qytetari të vetëm, por është i vendosur të jetë një shërbëtor i vërtetë i Kombit, gjithmonë i gatshëm të sakrifikojë gjithçka që ka, madje edhe jetën e tij për popullin. Krijimi i Shqipërisë ishte fryt i përpjekjes më të madhe kombëtare dhe pavarësia jonë u fitua me çmimin e heroizmit dhe sakrificës tuaj. Shqiptarët nuk do të kënaqen me asgjë më pak se lirinë dhe për ta ruajtur atë do të paguajnë çdo çmim të nevojshëm.”

Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 18 nëntor 1929, f.8
Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 18 nëntor 1929, f.8

Në një takim tjetër me një delegacion grash, Mbreti i Shqipërisë, në një fjalim prekës dhe të improvizuar, të frymëzuar nga referenca e grave ndaj nënës së tij, Mbretëreshës, tha : “Ju falenderoj për këtë nderim. Unë ruaj dashurinë dhe respektin më të madh për nënën time dhe për të gjitha nënat. Janë nënat ato që mishërojnë më së miri idealet e atdheut tonë. Dhe ju lutem të mos e konsideroni familjen tonë mbretërore jashtë sferës së jetës suaj. Ne vetë kemi dalë nga mesi juaj dhe jemi bij të atdheut tuaj. Burrat në familjen mbretërore janë vëllezërit tuaj; gratë, motrat tuaja; nëna ime është nëna e të gjithë juve. Froni ynë nuk mbështetet në traditën shekullore si në vendet e tjera, por shpresoj se do të sigurohet nga dashuria juaj dhe do të gjejë një vend të fortë në zemrat e popullit sovran. Asnjë ceremoni të mos na ndajë nga ju. E gjithë familja jonë është në dispozicionin tuaj, e gatshme për t’ju shërbyer nevojave tuaja. Shpresoj që të gjitha femrat shqiptare të jenë nëna të mira, shtëpiake të mira, elegante, besnike dhe përparimtare (progresiste). Në përpjekjet tuaja për të përparuar dhe ndihmuar Kombin të përparojë, ju do të keni mbështetjen time të pakufizuar.”

Edhe pse gratë myslimane të Shqipërisë nuk po adoptojnë mënyrat moderne aq shpejt sa motrat e tyre në Turqi, shumica e më të rejave mes tyre e kanë hequr ferexhen dhe gradualisht po hedhin mënjanë kufizimet e tjera tradicionale që i kanë penguar ato.

Filed Under: Mergata Tagged With: Aurenc Bebja

Dielli me shqiptarët në Gjermani

March 5, 2023 by s p

Ersa Mani, mësuese e gjuhës shqipe në Düsseldorf, në një rrëfim ekskluziv për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpjegon me detaje punën edukative e patriotike për mësimin e gjuhës, kulturës, historisë e traditës shqipe në Düsseldorf dhe aktivitetet sociale e kulturore në dobi të komunitetit shqiptar në Düsseldorf të Gjermanisë.

Organizimi i mësimit shqip në Düsseldorf të Gjermanisë

Në landin/republikën e NRW-së ofrohet prej vitesh mësimi i gjuhës amtare për fëmijët, që kanë origjinë një vend tjetër. Kjo mundësi është për fëmijët të ruajnë e zotërojnë një gjuhë tjetër, përveç gjuhës gjermane. Mësimi i gjuhës shqipe ofrohet një herë në javë, mbasdite dhe secili grup ka tre orë mësimore. Zakonisht fillon në orën 14:00 dhe përfundon në orën 18:45. Ky orar ndryshon edhe në varësi të organizimit të shkollave dhe mësuesve. Unë jap mësim në qytetet e qarkut Mettmann, Solingen dhe Düsseldorf. Në qytetin e Düsseldorf kemi tre shkolla e janë edhe tre kolege: Mimoza Sulollari, Antoneta Micalliu dhe Marigona Sefedini. Për të marrë pjesë në mësim, prindërit plotësojnë një formular dhe ne e marrim listën e nxënësve nga Drejtoria e Arsimit. Në fund të çdo semestri shkollor, nxënësit tanë marrin dëftesën me vlerësim nga mësimi i gjuhës amtare.

Angazhimi si mësuese në Dyseldorf, Hilden, Langenfeld, Solingen, Erkrath dhe Velbert

Qytetet, ku unë punoj, janë Dyseldorf, Hilden, Langenfeld, Solingen, Erkrath dhe Velbert. Mësimi i gjuhës së origjinës ose amtare organizohet prej shumë vitesh në këto qytete. Prej muajit janar e kemi rihapur shkollën shqipe në qytetin e Velbert, ku  për disa vite fëmijët nuk kanë patur mundësi të mësojnë gjuhën e bukur shqipe. Kurrikula mësimore është e hartuar për mësimin plotësues të gjitha gjuhëve, që ofrohen dhe përmban temat mësimore, të cilat ne i zhvillojmë me nxënësit tanë. Bashkëpunimi ka patur, ka dhe do të ketë një rëndësi të veçantë sidomos në organizimet jashtë mësimit. Ndihma dhe përfshirja e prindërve është një shtysë e madhe për ne. Për festat kombëtare organizojmë me nxënësit programe artistiko-kulturore, ku kemi publik prindërit dhe bashkatdhetarë të tjerë. Përveç prindërve, ne shpesh bashkëpunojmë edhe me shoqatat shqiptare në qytetet tona.Gjithmonë kemi gjetur përkrahjen e tyre dhe bashkëpunimi ka funksionuar mirë. Gjej rastin t’ju bëj thirrje prindërve, të sjellin fëmijët në mësimin e gjuhës e gjuhës shqipe, i cili ofrohet pa pagesë në shumë qytete të landit të NRW-ë. Të mos mjaftohen vetëm me faktin, që fëmija i tyre flet shqip. 

Mësimi i gjuhës shqipe si formë e ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në Gjermani

Ruajtja e identitetit është një sfidë e madhe për ne, që jetojmë larg atdheut. Kjo sfidë vështirësohet, kur kemi të bëjmë me fëmijë, që përfaqësojnë gjeneratën e dytë ose të tretë të lindur këtej. Pjesëmarrja në mësimin shqip duhet të shihet si detyrë morale e prindërve dhe të mos i mjaftojë vetëm fakti, që fëmija shqipton disa fjalë shqip. Përveç shkrim, lexim, gramatikë, nxënësit marrin edhe njohuri për kulturën shqiptare. Ata shoqërohen me bashkëmoshatarët e tyre dhe ndajnë përvojat. Zotërimi i gjuhës shqipe do t’i ndihmojë këtyre fëmijëve në të ardhmen. Kur këta fëmijë të takojnë familjarët apo të njohurit në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoninë e Veriut nuk duhet të ndihen të huaj. Gjuha është çelësi i komunikimit, të cilin prindërit duhet t’ia mundësojnë fëmijëve duke i sjellë rregullisht në mësimin shqip. 

Shoqëria gjermane vlerëson shumë ruajtjen e mësimin e gjuhës amtare

Shoqëria gjermane vlerëson shumë ruajtjen e mësimin e gjuhës amtare duke përkrahur dhe krijuar kushte për zhvillimin e tij. Strukturat dhe institucionet gjermane i japin rëndësi mësimit të gjuhës së origjinës, pasi sipas shumë studimeve një fëmijë, që e zotëron gjuhën amtare në të folur, në të shkruar e në të lexuar  e ka më të lehtë të mësojë gjuhë të tjera. Pra, shumë studime të kryera e shohin zotërimin e gjuhës amtare si një bazë të shëndetshme. Landi i NRW-së është një ndër të paktët, që i kushton vëmendje ruajtjes së gjuhës amtare. Shoqërisë gjermane i jemi shumë mirënjohës, që ofron mundësinë e edukimit të gjuhës amtare pa pagesë. 

Shqiptarët janë të suksesshëm në Gjermani

Mjafton të dalësh në qytet dhe do të dëgjosh të flitet shqip. Kudo dëgjojmë e kemi bashkëkombas shqiptarë, të cilët pavarësisht vështirësive kanë arritur shumë  suksese në drejtimet, në të cilat punojnë. Shpesh prindër dhe shoqata e kanë ndërmarrë nismën duke mbledhur nënshkrime e regjistrime, për hapjen e shkollave të reja. Duke patur pranë nesh prindër të përkushtuar, misioni i mësimdhënies vlerësohet dhe kështu arrihet më lehtë organizimi i veprimtarive tona. E shoh me shumë rëndësi që të ruhet gjuha, pasi këta fëmijë janë e ardhmja jonë. Organizimi i mësimit shqip ka filluar që nga vitet 1975-1976 dhe me kalimin e viteve janë shtuar nxënësit. Në ditët e sotme jemi rreth 25 mësues në landin NRW-së, që jemi të angazhuar në mësimdhënien e gjuhës shqipe. 

Kush është Ersa Mani? 

Të përshkruaj veten nuk është e lehtë, por po ju shkruaj disa fjalë. Kam lindur në qytetin e Elbasanit, ku kam kryer shkollën fillore dhe të mesme. Studimet i kam vazhduar në degën gjuhë angleze drejtimi , në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës. Aty kam patur fatin të marr leksione nga pedagogë të përgatitur të gjuhës shqipe dhe angleze. Në dhjetor të vitit 2017 jam zhvendosur në Gjermani dhe kam ndjekur kurse të ndryshme. Prej vitit 2019 punoj në mësimdhënien e gjuhës shqipe dhe jam në fillim të një rrugëtimi të gjatë. Në vitin 2019 kam filluar në Düsseldorf dhe Mönchengladbach, në vitin 2020 kam punuar edhe në Moers. Për shkak të distancës, që prej vitit 2022 u detyrova të largohem nga Moers dhe Mönchengladbach. Aktualisht punoj në qytetet Düsseldorf, Hilden, Solingen, Erkrath, Langenfeld dhe Velbert. Mësimdhënia nuk është thjesht një punë për mua, por një mision i bukur dhe me vlerë. Ndihem me fat, që mund të kontribuoj në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në brezat e rinj, që po rriten larg atdheut. 

e4b1df74-cbb9-489c-b840-e75405f13614.jpeg
IMG_0910.jpeg
IMG_0305.jpeg
IMG_5179.jpeg
265dc99e-6ba7-4651-912e-e566fb99adea.jpeg

IMG_4850.jpeg

Filed Under: Kulture Tagged With: ersa mani, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT