Sokol Paja/
“Vdekja nuk është fund. Është kalim nga jeta tokësore në jetën qiellore”. Me këto fjalë ngushëlluese meshtari i kishës “Rruzarja e Shenjtë” në Staten Island New York, përpiqej të mbushte me shpresë e besim zemrat e thyera dhe shpirtrat e lënduar të familjes Loka dhe Preçi. Dy familje të nderuara fisnike nga Mirdita, ashtu si i gjithë komuniteti shqiptar në New York u tronditën me vdekjen e Blerina Lokës në moshën më të bukur të saj 36 vjeçe. Ata humben gruan, motrën, nënën, njeriun e tyre më të shtrenjtë Blerinën. “Një ndarje e përkohshme derisa të shihemi në qiell të gjithë bashkë” ngushëllonte prifti duke porositur që “misionin që e la përgjysmë Blerina ta vazhdoni ju mbi tokë. Jetoni jetën e saj, kujtoni buzëqeshjen, merrni nga forca që Blerina luftoi deri në fund, shpresa që kishte brënda vetes, dashuria që ju dhuroi të gjithëve dhe besimi që ajo kishte, le t’a bëjë të paharrueshme për të gjithë ju”. Me ikjen e saj Blerina përveç kujtimeve të paharrueshme la një mesazh të fortë jete për të luftuar për jetën, për dashurinë kundër sëmundjes e të keqes. Forca dhe këmbëngulja e Blerinës ishin mahnitëse. Paqja e amshuar është shpërblim i Zotit për njerëzit e mirë. Mes dhimbjes therëse, lotëve, trishtimit e zemërimit për ikjen e parakohshme të Blerina Lokës, familja, miqtë dhe komuniteti e përcollën me nderimet më të larta bijën e nderuar të familjes e komunitetit shqiptarnë New York. Blerina ishte një femër e fortë që nuk u dorëzua kurrë. Një aktiviste e angazhuar dhe pjesëmarrëse aktive. Sa jetoi kudo gëzonte respekt falë vlerave e mirësisë që kishte e falte tek të gjithë. Blerina Loka do pushojë trupin në banesën e përjetshme në “Moravian” në Staten Island dhe shpirti i saj nga parajsa do kujdeset për bijën e saj të vogël ëngjëll Altean dhe Lekën fatin e jetës së saj.