• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2023

Ekspozita “Shën Nënë Tereza” në Uashington

May 10, 2023 by s p

Sokol Paja/

Zois Shuttiè, artisti i shquar shqiptar do të hapë një ekspozitë kushtuar shenjtores shqiptare Shën Nënë Tereza në Uashington në Sallën Rotunda të Kongresit Amerikan. Së bashku me organizatorët po punohet që kjo ekspozitë të hapet në vjeshtë. Patrioti Anton Raja do të jetë udhëheqësi i këtij organizmi patriotik, artistik e kulturor, kaq të rëndësishëm për komunitetin shqiptar dhe kombin tonë. Nëpërmjet kësaj ekspozite institucionet amerikane i japin shoqërisë dhe artdashësve mundësinë të njihen me krijime artistike autentike të piktorit të shquar Zois Shuttiè, portrete të arrira artistikisht të Shën Nënë Terezës humanistes së famshme shqiptare që lartëson vlerat më të çmuara të kombit shqiptar. 32 vite më parë artisti Zois Shuttiè e hapi një tjetër ekspozitë artistike kushtuar Nënë Terezës në Sallën Rotunda të Kongresit Amerikan. Ekspozita e sivjetshme do të përmbajë 20 piktura. Zois Shuttiè u arratis nga Shqipëria komuniste në vitin 1964 dhe mbërriti në Philadelphia 1965. Ai ka studiuar në Akademinë e Arteve të Pensilvanisë. Që në vitin e parë si student hapi ekspozitën e parë të pikturës në “shtëpinë e miqësisë” në Philadelphia. Gjatë gjithë jetës së tij dhe krijimtarisë artistike ka realizuar mbi 3 mijë piktura dhe 200 ekspozita. Sot është 85 vjeç dhe vazhdon akoma të krijojë vepra artistike dhe shkrime të ndryshme letrare në gjuhën angleze. E gjithë shtëpia e tij është e mbushur në çdo hapësirë me piktura të realizuara ndër vitet e jetës së tij të gjallë artistike. Shtëpia e Zois Shuttiè në Bronx, New York është shtëpia më artistike shqiptare me piktura të motiveve, teknikave, profileve e gjinive të ndryshme artistike.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja, Zois Shuttie

Albania, harta e Bünting dhe rikthimi në shtëpinë e përbashkët evropiane

May 10, 2023 by s p

Dr.Dorian Koçi/

Miti i Evropës i ngjizur këtu në Ballkan, ku ajo e gënjyer nga Zeusi i shndërruar në një dem pranon t’i hipë sipër për të rendur me të, duke mos marrë kështu vetëm një vendim personal por duke filluar dhe bazat e një ideje evropiane, ngazëlleu dijetarë të shumtë, që nga Herodoti e deri tek etërit e Evropës së bashkuar, përfshi dhe ata shqiptarë.

“Jakë o dritë e bekuar që lind andej ku perëndon” do të shkruante Naim Frashëri duke shprehur qartë jo vetëm adhurimin e tij për Perëndimin por dhe influencën e kulturës evropiane, që kish influencuar aq shumë në botëkuptimin e një plejade të tërë atdhetarësh shqiptarë.

Shqipëria tashmë nis udhëtimin drejt “tokës së premtuar” ashtu si Evropa në mitin e vjetër. Shqiptaret besojne ne idene evropiane, ne po i rikthehemi andej prej nga na kane shkeputur dhunshem…

Ilustrimi më poshtë është hartë e vjetër e Europës e shekullit te XVI, vepër e humanistit Heinrich Bünting dhe është realizuar ne vitin 1582. Harta mban titullin Europa Regine (Europa Mbretëreshë) dhe simbas traditës klasike është e paraqitur si grua e kurorëzuar mbretereshë.

Harta e Bünting-ut, e cila mbështetet mbi një paraqitje më të hershme te saj nga hartografi Johannes Putsch e vitit 1537, paraqet mes atyre pak vendeve europiane, edhe Arbërinë (Albania) e cila gjatë asaj epoke kishte emër të madh në Europë, si rezultat i rezistencës antiosmane.

Kjo hartë ndodhet në hollin e Parlamentit Europian dhe është shprehje simbolike e bashkimit të kontinentit tonë qysh me fillimin e epokës moderne (e cila fillon me Rilindjen Europiane). Arbëria në mesjetë nuk ishte e njohur vetëm nga rezistenca antiosmane, pasi harta me përfshirjen e saj, respekton një mit të vjetër të kontinentit tonë.

Një nga vëllezërit e Europës ishte Kadmi, themeluesi i Tebës (Thiva e sotme në Greqi). Ai u vu në ndjekje të motrës së vet dhe pasi nuk e gjeti, u ndal duke themeluar qytetin e Thivës. Ai konsiderohet si shpikësi i alfabetit grek dhe ndërtuesi i mureve të mëdhenj të qytetit.

Sipas Bibliotheca, libër që përmblidhte në tre vëllime gjithë mitet e antikitetit, botim shekullit të II-të pas Krishtit, në moshë të madhe ai u tërhoq nga pushteti si mbret i Thivës dhe së bashku me Harmoninë, duke u shndrruar në gjarpërinj, u vendosën në brigjet e liqenit të Lyhnidës (liqeni i sotëm i Ohrit). Nga martesa e tyre lindi një djalë, Illyrion, që u bë paraardhësi i gjithë fiseve ilire.

Iliria dhe Arbëria ishin pjesë përbërëse e memories kulturore dhe historike të qytetërimit europian, ndaj Arbëria, imazhi i së cilës qe përforcuar dhe nga betejat e Gjergj Kastriot Skënderbeut zë një vend të rëndësishëm në hartë.

Filed Under: Rajon Tagged With: Dorian Koci

Kur bota u nda

May 10, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shumë kombe dhe kultura gjatë historisë kanë pohuar se janë kombi më i vjetër. Historianët kanë ndërtuar kronologji për të vërtetuar pretendimet e tyre, por datat në fund të fundit tregojnë për një ngjarje kryesore – datën e pakapshme të nje ndarjeje. Ngjarjet e Babelit ndodhën diku midis Përmbytjes dhe thirrjes së Abrahamit, por data e saktë nuk dihet.

Kombet me gjasë u ndanë gjatë jetës së Pelegut, i cili lindi 101 vjet pas Përmbytjes dhe rrojti afërsisht 300 vjet. Pelegu ; ishte djali i Eberit, stërpip i Noeut, lindur kur Toka u nda. Kjo shpesh supozohet të ketë ndodhur pak para, gjatë, ose pas dështimit të Kullës së Babelit, ndërtimi i së cilës i atribuohet Nimrodit.

Kuptimi i ndarjes së Tokës në përrenj, liqene lumenj, dete e oqeane zakonisht merret për një ndarje patriarkale të botës.

Flavius ​​Josephus, historian në fillim të erës sonë, dhe shumë burime të tjera antikuare dhe mesjetare, kanë shkruar mbi Pelegët. Kryepeshkopi Ussher, në Annals of the World thotë se në ditët e Pelegut ndodhi Konflikti dhe toka u nda për herë të dytë midis tre bijve të Noeut – ishte ndarë për herë të parë mes djemëve të Adamit. Këto shkrime përdoren shpesh për t’iu referuar kontinentit të Pangeas, (gjithdheut) që me vërshimin e ujrave u nda në kontinente që shohim.

Peleg është një emër dhe mbiemër i zakonshëm në Izrael, dhe shkronja rrënjësore për lundrim. Kuptimi në shqip është Pelazg, që ka sjellë fjalët pushim, pellg, përrua. Greqishtja biblike e përkthen poleg – ndarje. Latinishtja, pholek – pauzë. Pas Përmbytjes, toka u ripopullua nga tre djemtë e Noes, të cilët kishin gjithsej gjashtëmbëdhjetë djemë të tyre, siç shënohet në Zanafillë. Pas shpërndarjes në Babel, këta nipër të Noes u përhapën në të gjithë globin dhe themeluan kombe në zonat ku u vendosën. Shumë kultura të lashta adhuronin paraardhësit e tyre; emrat e shumë rajoneve, veçorive fizike dhe grupeve a fiseve mund të gjurmohen në një nga gjashtëmbëdhjetë nipërit e tij.

Nga shtatë djemtë e Jafetit, Gomeritët mund të gjurmohen në Evropën Perëndimore. Gjuha Uellsiane quhet Gomeraeg, dhe historia e Uellsit regjistron zbarkimin e pasardhësve të Gomerit 300 vjet pas Përmbytjes. Shumë emra të tjerë mund të gjurmohen nëpër histori tek njëri prej këtyre shtatë djemve dhe pasardhësve të tyre teksa u vendosën në të gjithë Evropën dhe Azinë Perëndimore.

Nga katër bijtë e Kamit, Bhut është emri hebraik për Libinë, Cush është emri i Etiopisë dhe Misraim fjala për Egjiptin. Djali i katërt, Kanaani, është emri i rajonit të njohur sot si Palestina.

Një hartë e vendosur në kapakun e fjalorit Etymologiae të Isidores më1472, identifikon tre kontinentet e njohura (Azia, Evropa dhe Afrika) si të populluara përkatësisht nga pasardhësit e Semit, Jafetit dhe Çamit.

Nga pesë djemtë e Semit mund të identifikojmë edhe vendin ku u vendosën pasardhësit e tyre. Elam është emri i lashtë i Persisë, zonë që ne e njohim sot si Iran. Asshur është fjala hebraike për asirianët dhe historia shënon se ai adhurohej nga pasardhësit e tij. Eberi, pasardhës i Arbaxadit, ia dha emrin e tij popullit hebre, ndërsa Lidia, tani Turqia perëndimore, ka prejardhjen e Ludit. Aramaishtja është gjuha e sirianëve, grup që mund të gjurmohet në Aram.

Pelegu, djali i Eberit, me popullin e tij që i dha emrin Pelazgë, u vendos në Evropën lindore e jugore, përreth detit Mesdhe dhe Afrikë.

Duke parë vetëm shkurtimisht nipërit dhe stërnipërit e Noes, bëhet e qartë se këta ishin individë historikë që themeluan qytetërimet më të hershme pas Përmbytjes.

Photo: https://www.etsy.com/…/antique-world-map-old-world-map…

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

7 UDHËTIMET E REPORTERIT REUBEN HENRY MARKHAM NËPËR SHQIPËRI RRËFYER NË GAZETËN AMERIKANE MË 1931 — PJESA E PESTË : “NGA VLORA PËR NË SARANDË, NDALESA NË TEPELENË DHE LEGJENDAT E ALI PASHËS…”

May 10, 2023 by s p


Reuben Henry Markham (1887 – 1949)
Reuben Henry Markham (1887 – 1949)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Maj 2023

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të shtunën e 14 marsit 1931, në ballinë dhe në faqen n°5, rrëfimin e pestë të reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth 7 udhëtimeve që ai ka realizuar asokohe nëpër Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Fortesat e Shqipërisë feudale të braktisura pasi regjimi modern vendos tokën nën udhëheqjen e një sundimtari

Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 14 mars 1931, ballinë dhe faqe n°5
Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 14 mars 1931, ballinë dhe faqe n°5

Faktorët e vështirë me të cilët përballen fermerët

Zonat përgjatë detit shpesh përmbyten dhe kodrat kanë tokë pak pjellore

Nga R. H. MARKHAM

Korrespondenti i stafit të The Christian Science Monitor

Saranda, Shqipëri — Ka dy rrugë automobilistike që shkojnë nga Vlora, porti më i mirë i Shqipërisë, deri në gjirin e vogël të Sarandës në pjesën ekstreme jugore të mbretërisë.

Më e shkurtra ndjek bregun e detit për 70 milje mbi male të thepisura e të larta të mbushura me gremina të mëdha, shkëmbinj të mëdhenj të zhveshur dhe lugina të ngushta të thella dhe është një nga rrugët më piktoreske që mund të gjendet kudo në Evropën Juglindore.

Është e rrezikshme dhe e vështirë për makinat, kështu që shoferët e shmangin atë. Megjithatë, ajo përshkohet dy herë në javë në çdo drejtim me kamion postar dhe mund të fitohet një vend në sediljen pranë shoferit për 2 dollarë. Udhëtimi zgjat gjithë ditën dhe në mesditë mund të hahet (drekohet) në qytetin e Himarës, i vetmi vendpushim i mirë veror i Shqipërisë, shumë lart mbi detin Jon. Kjo është e vetmja pjesë e bregdetit shqiptar e cila është e lartë dhe pothuajse e vetmja pjesë e pyllëzuar.

Unë mora rrugën tjetër. Është 105 milje e gjatë, kalon në lindje rreth grupit shumë të lartë të maleve bregdetare dhe kalon nëpër disa qytete interesante të Shqipërisë.

Kodrat rrethojnë Vlorën

Duke u ngjitur në kodrat që rrethojnë Vlorën, ne ndjekim rrjedhën e një lumi të vogël për një rrugë dhe më pas drejtohemi në kodra të larta, të zhveshura, shkëmbore. Kjo është hera e parë në udhëtimin tonë që largohemi nga fushat shqiptare.

Nga qyteti më verior, Shkodra, në Tiranë, kryeqytet, dhe nga Tirana në portin e Vlorës, ne përshkonim tokën e sheshtë jo shumë larg detit Adriatik, duke kaluar nëpër një pjesë të madhe të asaj që konsiderohet zona më e mirë bujqësore e Shqipërisë.

Udhëtuam nëpër fusha, pamë bimësi aty-këtu, takuam njerëz që lëronin (plugonin) dhe takuam disa qerre me dy rrota dhe madje tufa gjelash deti, por këtu në male gjithçka është e zhveshur. Nuk ka as pyje, as fusha dhe rruga jonë dredha-dredha, e cila rrotullohet njëra pas tjetrës, na çon nëpër një vend të zymtë dhe steril, ku ka disa fshatra të vegjël, të gurtë, të gjithë duken të zymtë, të ngërthyer dhe të uritur.

Të rralla dhe të pakta janë pasuritë që natyra ka shpërndarë mbi këto male. Është një vend i heshtur, i lartë dhe i vetmuar. Nuk takojmë asnjë udhëtar dhe nuk parakalon asnjë. Rruga është e mirë dhe mjaft e mirëmbajtur edhe pse e rrezikshme. Megjithatë, shoferi ynë mburret se aksidentet nuk ndodhin kurrë në asnjërën prej këtyre kthesave të pambrojtura që qarkullojnë mbi humnerat që gogëzojnë. Drejtuesit shqiptarë, thotë ai, janë të gjithë të aftë, të kujdesshëm dhe të matur.

Fortesat shqiptare të braktisura nën sundimin modern

Sado i lartë, djerrë dhe i thatë të jetë ky vend, ai nuk është shumë më pak produktiv se fushat buzë detit. Dhe kjo është një prej vështirësive më të mëdha të Shqipërisë; shumë nga ato pak fusha të vogla që zotëron nuk mund të shfrytëzohen. Ato janë shumë të ulëta dhe gjithashtu, shpesh nën ujë.

Ato janë aq moçalore dhe të lagura sa nuk mund të kultivohen. Ato përmbyten aq shpesh saqë as nuk mund të banohen, prandaj ka vetëm pak fshatra fushore.

Shtëpitë e fshatarëve zakonisht vendosen në vende të larta. Kështu, shumica e maleve janë të thata dhe të shkreta, ndërsa fushat, të paktën përgjatë detit, janë të shkreta, të shkretuara, të mbushura me insekte dhe me bimësi të padobishme. Në tokë ka fuqi prodhuese, por Shqipëria duhet ta zbusë dhe ta bëjë produktive.

Pasi udhëtuam për tre orë, zbresim nga majat e malit në një lumë të madh, me rrjedhje të shpejtë dhe ndalojmë për t’u freskuar në qytetin e vogël të Tepelenës të zhveshur dhe pa pemë. Ajo ka një rrugë të shkurtër kryesore të veshur me ndërtesa të reja dykatëshe dhe disa rreshta kasollesh të vogla të improvizuara, ndërsa pranë tyre ndodhet një kështjellë gjigante e vjetër.

Ditët e shkëlqimit oriental

I gjithë vendbanimi mund të vendosej në një cep të saj. Dhe është ndërtuar nga mjeshtra. Gurët, të gjithë të latuar dhe të matur dhe të vendosur shumë kohë më parë me kujdes njëri mbi tjetrin, qëndrojnë po aq të fortë dhe të drejtë sot si kur ishin të bardhë dhe të rinj.

Ata duken të zymtë poshtë dy luginave konvergjente po aq të frikshme dhe kërcënuese sa kur hynë në detyrë për herë të parë. Sa ditë duhet të kenë tingëlluar këtu çekiçët dhe daltat para se të formoheshin të gjithë, dhe sa tufa kuajsh e gomerësh duhet të kenë zgjedhur rrugën e tyre poshtë shtigjeve malore për të mbledhur gjithë këtë material.

Sa lloj ushtrishë duhet të jenë mbledhur këtu, sa borive u janë rënë dhe sa tinguj shpatash janë dëgjuar. Me çfarë pompoziteti hynë në këtë kamp të madh të rrethuar kryekomandantët orientalë me mjekër të gjatë e byzylykë të artë. Sa roje kanë vëzhguar nga këto kulla dhe sa roje kanë ecur, vigjilentë, përgjatë këtyre mureve të gjera.

Kjo është Shqipëria e vjetër. Kjo është një mbresë e lënë nga qeveritë e djeshme, një emblemë e anarkisë, tiranisë dhe shtypjes feudale. Kjo është kështjella e Ali Pashës, dhe ky vend i vogël i mjerë është qyteti i tij i lindjes. Lugina është plot me fshatra të shpërndara, me shtëpi të vogla, të ndrojtura, fusha të punuara keq dhe fortesa gjigante, të pafytyra.

Kjo ka qenë një tokë e pashallarëve, e pronarëve grabitqarë dhe e luftës. Kjo ishte një luginë e paqëndrueshmërisë, e tradhtisë dhe e frikës. Nuk kishte rend, drejtësi, nder dhe siguri. Popullsia e varfër ishte gjithmonë viktimë e grabitësve të guximshëm, aventurierë. Dhe nga këta më i forti dhe më i keqi ishte Ali Pasha i këtij qyteti.

Legjendat e Ali Pashës

Legjendat e tij ende e mbushin luginën. Për fuqinë dhe tmerrin e tij këngëtarët ende këndojnë. Ai dikur ndihmoi për ta çuar Shkodrën shumë më në veri. Ai jetonte pranë liqenit të bukur të Janinës, në jug. Ai aspironte të krijonte një mbretëri të gjerë duke përfshirë Maqedoninë, Greqinë dhe Shqipërinë.

Ai u përgëzua një herë nga Lord Nelson, u vizitua nga Lord Bajroni dhe u shkrua për të nga Dumas; ai negocioi me Napoleonin, sfidoi Perandorinë Turke dhe ndihmoi grekët të arrinin pavarësinë. Ai komplotoi me kusarët që dikur u dërgua për t’i kapur dhe ndau plaçkitjen e tyre, duke u dhënë atyre mbrojtjen e tij.

Ai lidhi aleancë me të krishterët kundër feudalëve myslimanë dhe me myslimanët kundër të krishterëve, dhe me tradhtinë e tij të suksesshme mblodhi një grup njerëzish të shkëlqyer rreth tij. Ai jetoi shumë i vjetër dhe kaloi në folklor si një hero shqiptar.

Dhe kështjellat e tij të mëdha të vjetra janë ende në këmbë. Por ato heshtin dhe disa prej tyre po shkërmoqen. Ato janë emblema e Shqipërisë së vjetër. Ato tregojnë se nga ka ardhur Shqipëria e re. Ato u kujtojnë vizitorëve vështirësitë me të cilat duhet të përballet Shqipëria.

E gjithë Shqipëria nuk ka qenë kurrë e bashkuar nën një sundimtar deri më tani. Nuk ka pasur kurrë ligje të shkruara për të gjithë, rend të vendosur, gjykata autoritare, libra, komunikime. Ajo ka pasur fortesa. Fshatarët e saj kanë dhënë gjysmën ose tre të katërtat e të gjithë atyre që kanë mbledhur, drejtpërdrejt zotërve në fortesa.

Qeverisja me pushkë

Pasuria e shumicës së njerëzve është varur nga kapriçot e zotërinjve të fuqishëm, të cilët nuk jepnin llogari. Vetëm banorët e guximshëm malësorë guxuan të mbronin pavarësinë e tyre, prandaj drejtësia u bë sinonim i abuzimit të mirëmenaxhuar.

Pikërisht nga ky material Mbreti Zog po përpiqet të bëjë një Shqipëri të re, të shëndoshë, të rregulluar, të ndritur me qytetarë që respektojnë ligjin. Ai nuk është një Ali tjetër, nuk është një Pasha më shumë. Ai është babai i popullit të tij, në vështirësi të mëdha që përpiqet të krijojë një shtet modern. Kështjellat e vjetra refuzohen dhe hidhen poshtë, por nuk është aq e lehtë t’i zëvendësosh ato me shkolla, gjykata dhe ferma model. Kjo kërkon kohë.

Shkoj lart lumit për 30 milje, duke parë ujin blu-jeshil të pulsojë poshtë gjetheve të rrapave të artë, pastaj kthehem në perëndim drejt detit, përsëri lart kodrave dhe poshtë në portin e vogël të Sarandës, i cili me dritat e tij vezulluese përmes errësirës i ngjan një qyteti pionier të minierave të Far West-tit.

Pjesa e parë : “Arritjet e Shqipërisë nuk duhet të krahasohen me Zvicrën apo Holandën, të cilat kanë qenë të lira për shekuj, por me atë që ajo vetë ishte dje dhe pardje”

Pjesa e dytë : “Shkodra dhe lumi që “ngacmon” të gjithë zonën. Quhet Drin, por mendoj se duhet të quhet Drin Pasha, pasi u ngjan pushtuesve të egër…”

Pjesa e tretë : “Tirana është qyteti më triumfues në këtë pjesë të botës…”

Pjesa e katërt : “Durrësi antik po shndërrohet në portin kryesor të vendit. Vlora është një nga qytetet më të mira shqiptare…”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

Dita e Evropës solli në Ohër shkëlqimin e Ansamblit shqiptar të RMV

May 10, 2023 by s p

Shkup, 10 maj 2023 –  Të martën Ohri ishte nikoqir i konferencës së  50-të Rajonale Evropiane të INTERPOL-it, ku përpos punonjësve të sektorit të sigurisë nga Maqedonia e Veriut morën pjesë edhe drejtoritë e policive rajonale  ndërkombëtare.
Ky aktivitet përkon me 9 Majin –  Ditën e Evropës dhe me shënimin e 30 vjetorit të anëtarësimit të vendit tonë në organizaten më të madhe ndërkombëtare të sigurisë – INTERPOL.
Të pranishëm ishin kryeparlamentari Talat Xhaferi, ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski dhe kryetari i INTERPOL-it Аhmed Naser Al – Raisi.
Në përmbylljen cermoniale të kësaj konfernce, u organizua edhe një program i pasur kulturor-artistik, ku Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqipe i MV shkëlqeu me një performansë të zgjedhur, që la përshtypje të jashtëzakonshme tek publiku, sidomos tek mysafirët e huaj.
Përpos Ansamblit Shqiptar, me disa pika artistike u paraqit edhe Ansambli maqedonas “Tanec” nga Shkupi.
Mbresat që u krijuan në publik lidhen me paraqitjen dinjitoze të trupës artistike të Ansamblit shqiptar, ku shquhej vallja karakteristike e përpunuar e  Kërçovës dhe „Malësorja“ si dhe  këndimi i dy solistëve Salajdin Miftari e Jetmir Rexhepi.
Kolorit ynë autentik muzikor, loja elegante e valltarëve dhe dramaciteti  i vet valleve, përbënin mizanskenat më pikante që bënë për vete publikun ndërkombëtar, i cili  nuk i kurseu edhe duratroktitjet frenetike.

Ansambli shqiptar tash më ka krijuar identitetin e vet artistik e professional, kurse paraqitja e mbrëmshme në Ohër konfirmoi arritjet e deritanishme që me dinjitetet përfaqësojnë vlerat tona edhe në ngjarje me karakter ndërkombëtar, siç ishte organizimi i konferencës së  50-të Rajonale Evropiane të INTERPOL-it në Ohër.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT