• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

Gjuha e Dheut

August 31, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Gjeologjia është shkenca e Tokës që studion shkëmbinjtë dhe ndryshimet që ndodhin, ‘e bënë tokën të flasë’, por mund të përfshijë edhe lëngje në planet.

Meqenëse Toka është sferë, përshkrimet e saj në harta të sheshta rezultojnë që polet të përshkruhen anormalisht të mëdha. Kjo lloj harte quhet projeksioni Mercator.

Hartografia është studimi i hartave dhe shkenca e krijimit të tyre. Hartat moderne mund të jenë politike, gjeologjike, topografike ose meteorologjike, vetëm për të përmendur disa kategori.

Litosfera është korja dhe manteli i sipërm i sipërfaqes së Tokës. Gjeologët e ndajnë litosferën në litosfera oqeanike dhe kontinentale.

Në vitin 1935, Charles Francis Richter prezantoi “Shkallën e Momentit” para komunitetit shkencor për të përcaktuar magnitudën e tërmeteve. Që atëherë u quajt Shkalla e Righter; është rishikuar dhe është riemërtuar në shkallën e madhësisë lokale, por bazohet në punën e Richter.

Shkëmbinjtë magmatikë formohen nga ftohja e magmës në koren e Tokës. Ato përbëjnë rreth 90-95% të kores së Tokës për nga vëllimi dhe rreth 15% të sipërfaqes së tokës.

Silikatet përbëjnë shumicën e mantelit të Tokës. Manteli përbën 67% të masës së Tokës, 84% të vëllimit të saj dhe është 1800 milje i trashë.

Teoria gjeologjike e “tektonikës së pllakave” është se litosfera e Tokës përbëhet nga disa masa lëvizëse të njohura si pllaka tektonike. Mendohet se procesi filloi rreth 3.4 miliardë vjet më parë.

Hartat më të hershme ishin në fakt harta të tokës së botës së përtejme. Arkivolet në Egjiptin e lashtë pikturoheshin me përshkrime skematike dhe rrugën që do të bënte i ndjeri.

“Pika e nxehtë e Hawait” nuk i referohet motit të këndshëm të atij shteti, por është një pikë e nxehtë e aktivitetit vullkanik.

Lapis lazuli është një shkëmb metamorfik blu i errët që gjendet kryesisht në Afganistan, por edhe në disa vende të tjera në botë. Ishte popullor në bizhuteritë e lashta. Shkëmbinjtë sedimentarë formohen kur shkëmbinjtë, mineralet dhe lënda organike grumbullohen dhe çimentohen në shtresa. Rreth 8% e kores së Tokës është një shkëmb sedimentar.

Tërmeti i Madh Kilian i vitit 1960 është tërmeti më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë. Tërmeti ishte me magnitudë 9,6 ballë sipas shkallës së momentit (Righter). Tërmeti shkaktoi një cunami dhe rrëshqitje dheu.

Sapphire & Steel ishte një seri fantastiko-shkencore britanike e viteve 1980 për dy ‘udhëtarë në kohë’, Sapphire dhe Steel. Personazhet e tjerë u emëruan gjithashtu sipas mineraleve.

Shkencëtarët besojnë se “superkontinenti” i ardhshëm që do të formohet do të jetë kombinimi i Euroazisë dhe Amerikës, të cilin e quajnë “Amasia”. Por kjo nuk do të ndodhë për rreth 200 milionë vite të tjera.

Bazalt është shkëmbi magmatik më i zakonshëm në Tokë, që përfshin rreth 90% të të gjithë shkëmbinjve vullkanikë. Është gjithashtu shkëmbi më i zakonshëm në koren e Tokës.

Gjeografi Ptolemeu (rreth 100-170 es.), bëri hartën e parë që tregonte Tokën si sferë. Ai gjithashtu përfshiu linjat e gjatësisë dhe gjerësisë gjeografike dhe hipotezoi saktë se kishte më shumë kontinente.

Gurët e çmuar janë kristale minerale që shpesh priten dhe bëhen bizhuteri. Safiri, rubini, smeraldi dhe sigurisht diamanti janë të gjithë gurë të çmuar.

Mappa mundi i referohet një harte evropiane mesjetare të botës. Kjo hartë ishte shpesh diagrame të formës së byrekut që e ndanin Tokën në zona, të tretat ose të katërtat.

Antarktida është në fakt shtëpia e shumë vullkaneve, 138 vetëm në Antarktidën Perëndimore. Megjithëse shumica e vullkaneve të Antarktidës janë nënglaciale, ka katër vullkane aktive në kontinent.

Filed Under: Fejton Tagged With: Astrit Lulushi

IDENTITETI ARBËNESH

August 31, 2023 by s p

Prof. Shemsi Krasniqi/

Tash e treqind vjet arbëneshët e Zarës (Kroaci) e ruajnë emrin e vet, e flasin gjuhën e vet, e rrëfejnë historinë e vet dhe e këndojnë këngën e vet. Para tre netësh, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në kuadër të Seminarit 41 Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, këngëtaret arbëneshe nga Zara Dina Bušić dhe Melita Ivković, kënduan bukur sa s’ka! Teksti i këngëve të tyre merrej vesh deri diku dhe melodia m’dukej si diçka e njohur. S’paku, ashtu ma thoshte zemra. Kënga e fundit ishte pak më e shkurtër sesa të tjerat dhe për aq sa e mbajta mend, teksti i saj ishte ky:

“Zogu i malit po këndon,

Në llivadh, në fushë e n’arë,

Ai gjithë jetën po dikton,

Se ne jemi arbënesh.” (strofa u këndua dy herë)

Kjo se zogu i malit, duke kënduar gjithë jetën në livadhe, fusha dhe ara, dikton identitetin arbënesh, tregon sesi kultura tradicionale arbëneshe e ka përdorur natyrën si metaforë, jo vetëm për të poetizuar dhe estetizuar, përshkruar dhe krahasuar, por edhe për ta fuqizuar dhe përjetësuar vetën, për ta ngritur dhe lartësuar atë, për ta mbjellë thellë në shpirt, duke e shtrirë, shkrirë dhe bërë një me natyrën. Bukuria e asaj kënge shfaqte natyrshëm bukurinë dhe fuqinë e identitetit arbënesh.

Faleminderit këngëtareve arbëneshe, faleminderit drejtuesve të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare!

May be an image of 6 people

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Analiza

Fati i teatrit shekspirian “Globus” dhe Teatrit Kombëtar Shqiptar

August 31, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Ashtu si njerëzit dhe teatrot kanë fatin e tyre. Ata lindin e vdesin; të shumtit harrohen por ata që kanë bërë histori mbeten të përjetshëm. Në këtë shkrim do të merrem shkurt me vdekjen dhe ringjalljen e të parit Teatër shekspirian “Globus” pas 400 vitesh dhe dënimin me vdekje të Teatrit të Parë Kombëtar Shqiptar nga barbarët e sotëm. 

Teatri i parë publik në Londër u krijua në vitin 1576 me emrin e thjeshtë “Teatri.” Përshkrimi i Teatrit ruajtur deri në ditët e sotme tregon se ishte ngritur në hyrjen e një shtëpie londineze e rrethuar me dy galeri trekatëshe anësore (shiko foton) ku rrinin njerëzit e pasur dhe një pjesë para skenës, që ngrihej gati 1.5 metra mbi platenë, ku rrinin njerëzit e varfër. Gjithë pjesa e përparme platea dhe skena ishin të pambuluara dhe në ditët me shi nuk jepej shfaqje. Teatri ishte një ngrehinë e zakonshme prej druri e përshtatur në oborrin e një shtëpie për të dhënë shfaqje dhe nuk paraqiste ndonjë ndërtesë të veçantë me arkitekturë moderne për kohën. Gjatë një shfaqjeje godina mori zjarr dhe u dogj plotësisht. Dy vjet më vonë u rindërtua në të njëjtin vend, në të njëjtat përmasa dhe mori emrin Globus. Teatri “Globus” zgjati shumë vjet, gjatë së cilës u luajtën veprat e Shekspirit. Shekspiri vdiq më 23 prill 1616 ndërsa Globus mbijetoi deri në vitin 1642. Në ngjarjet e mëvonshme që përfshinë Anglinë, Teatri u braktis dhe u shkatërrua plotësisht. Hapsira u lirua për të ndërtuar shtëpi banimi dhe gjurmët e Teatrit ekzistues u fshinë përfundimisht. Katër shekuj më vonë rreth viteve ‘80 autoritetet britanike ngarkuan një grup arkeologësh për të zbuluar saktësisht vendin ku shtrihej teatri gjë që u realizua pas shumë vite gërmimesh. Ekipi i përbërë nga arkitektë të famshëm, inxhinierë dhe historianë të teatrit e ringjallën “Globusin” plotësisht ashtu siç ishte katërqind vjet më parë. Inaugurimi u bë në vitin 1997. Në teatër nuk ka ndriçim artificial dhe shfaqjet mund të bëhen e të shikohen vetëm ditën. Nga gjithë teatrot edhe ata supermodern, që ka Londra, “Globus” është më i vizituari dhe më tërheqësi. Rreth tij janë vendosur muze, ku vetëm ai i rekuizitës (Gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar me fadromë rekuizita 75 vjeçare u shkatërrua) që përbëhet nga vizatime dhe veshje të aktorëve të atij shekulli, vizitohet nga të paktën tre milion njerëz çdo sezon. Çmimi për të vizituar teatrin si një muze i teatrit të kohës së Shekspirit është 7 £ për fëmijët dhe £ 11 për të rriturit. 

English teatrit "Globus"

Në Tiranë më 24 Maj 1945 u krijua për herë të parë Teatri Popullor. Godina historike në zemër të qytetit e ndërtuar nga italianët, ishte e vetmja godinë futuriste e inxhinierit dhe arkitektit italian, Giulio Berté, projekt i nisur në fillimjanarin e vitit1938 dhe përfunduar në shtator 1939. Nga kjo  godinë  lindën institucionet  më të  rëndësishme të kulturës dhe artit: Teatri Operas dhe Baletit, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Salla e Parë e Ekspozitave të Arteve Pamore etj. Në mars të vitit 2020 Teatri Kombëtar i Shqipërisë u zgjodh nga “Europa Nostra” mes 7 monumenteve të rrezikuara në Evropë, si shembull përjashtimor të arkitekturës moderne italiane të viteve ’30 të shekullit të ‘20 dhe një nga sitet më të shquara kulturore të Shqipërisë. Pas dy muajve, më 17 maj 2020 godina e teatrit u shemb me Vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe bekimin e Kryeministrit Rama. Nëse Teatri “Globus” kishte vetëm vlera historike, Teatri Kombëtar veç vlerave të padiskutueshme historike si Teatri i Parë Kombëtar e mjaftueshme që të mos t’i vihej kazma, vlerësohej dhe si vepër e arkitekturës moderne italiane për vitet tridhjetë të shek, XX. Sot në vendin e rrafshuar të Teatrit Kombëtar punojnë fadromat dhe betonierat për ngritjen e një teatri modern me financimin e qeverisë shqiptare. 

PS Ne nuk kemi pasur teatër 500 vjeçar, si anglezët, italianët, francezët apo gjermanët. Kur Europa ngrinte Teatro e Universitete, pas vdekjes së Kalorësit të Krishtërimit Gjergj Kastriot Skënderbeut, Shqipërinë  e kishte mbuluar me qefinin e vdekjes gjysmëhënëza turke. Katërqind vjet iu deshën shqiptarëve të braktisur nga Europa, të cilës iu bënë mburojë për 25 vjet rresht, të luftonin për mbijetesë, duke ruajtur doket, zakonet, këngët, veshjet, ritet e dasmave e vajeve, të ndryshme nga ato turke dhe atë që dallon një komb thellësisht nga një komb tjetër gjuhën tonë të bukur shqipe. Tetëdhjetë vjet më parë ne krijuam Teatrin Kombëtar Shqiptar. Aty filloi një histori e mrekullueshme me Mihal Popin, Naim Frashërin, Kujtim Spahivoglin, Kadri Roshin, Violeta Manushin, Tinka Kurtin, Roza Anagnostin, Sulejman Pitarkën, Drita Pelingun, Bujar Lakon, Bujar Asqeriun, Ndriçim Xhepën, Rajmonda Bulkun etj, etj, një histori për tu mësuar, parë e treguar. E ç’bëjnë rilindasit? Ashtu si zhdukën kinematë e famshme “Republika,”  “Partizani,” “17 Nëntori,” stadiumin “Qemal Stafa” parkun e fëmijëve Shatë Xhuxhat etj, zhdukën dhe Teatrin Kombëtar për të ndërtuar një histori të re betoni e korrupsioni të Velisë, Ramës, Xhaçkës, Spiropalit e compani. Ndoshta në të ardhmen, bijtë e shqipes, do të kuptojnë çfarë ka ndodhur dhe përsëritin historinë e “Globus” në dheun e të parëve të tyre, Çdo gjë mund të ndodhë…

Filed Under: Opinion

Shën Nëna jonë Tereze ishte “Poetja” e Jetës dhe Dashurisë

August 31, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI/

Shën Nëna jonë Tereze ishte “Poetja” e Jetës dhe Dashurisë, për Zotin – Atin tonë të mirë, si dhe Njeriun – vëlla apo motër.

Ajo me Dashuri dhuroi gjithçka, sipas thënies së saj gjeniale: “Kush nuk ka asgjë, jep gjithçka, sepse dhuron vetveten.”

Nëna jonë Tereze në çdo fjalë, fjali, resht, uratë, ishte poete, si dhe çdo poezi e saj ishte uratë, prej zemrës zemrave, për fisnikërim dhe bujarim të çdo mendje dhe zemre.

Në vëllimin  Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, “Poezi dhe Uratë”, të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (SHKK), 1998, me përkthyes: Dr. Don Lush GJERGJI, Visar ZHITI, Don Pren KOLA dhe Sali BASHOTA, recenzues: Ali PODRIMJA, Frrok KRISTAJ dhe Sali BASHOTA, ia mundësuam publiku tonë që ta “shijonte” damarin poetik të Nënës tonë të Madhe.

Në vitin 2010, për 100 – vjetorin e lindjes së Gonxhes sonë,  botuam një vëllim tjetër në tri gjuhë, anglisht, shqip dhe gjermanisht, me titull kuptimplotë: Teach Mi to Love – Mësomë të dua, Lehre mich zu lieben, Rozafa, Prishtinë, 2010, me ilustrime të piktorëve me të njohur shqiptarë, në 16 faqe,  që për mendimin dhe vlerësimin tim është botimi më komplet i poezive dhe uratave të Nënës Tereze.

Përkthimin anglisht e ka bërë Avni Spahiu, ndërsa gjermanisht Hns – Hoachim Lankesch.

Me atë rast tashmë i ndjeri Ali Podrimja ndër të tjera më tha kështu: “Don Lush Gjergji, Nëna Tereze paska merituar edhe Shpërblimin Nobel për Letërsi, sepse ajo qenka gjeniale edhe në këtë lëmi.”

Unë iu përgjigja kështu: “Ali i dashur, kush është i madhe dhe frymëzuar, është i tillë në çdo lëmi dhe krijimtari. E tillë ishte Nëna jonë Tereze që nga fëmijëria dhe rinia, deri të kalimi i saj në amshim. Reshti: Nuk ka rëndësi, jepe pjesën më të mirë të vetvetes, mbetet një lloj ftese dhe  testamenti shpirtëror për të gjithë ne, sidomos për poetët tanë.”

Ju me orën letrare kushtuar Shën Nënës Tereze, jeni duke ofruar “pjesën më të mirë të vetvetes”, frymëzimin, krijimtarinë, poezitë, nderimin dhe falënderimin tuaj bujar dhe fisnik. 

Paçi shëndet, lumturi mbi të gjitha Dashuri!

Filed Under: ESSE

“Toni” i Eliotit

August 31, 2023 by s p

-kulturologji-

Zija Vukaj/

Fragmentarizmi ka mbetur një karakteristikë edhe e poezisë moderne. Veçanërisht paraqitet si një procedim që shkëput fragmente nga bota reale dhe i ripunon në vetvete me përpikmëri, por duke u kujdesur që sipërfaqet e thyerjes të mos përputhen më. Në këto poezi bota reale duket e përshkuar nga një dellëzim thyerjesh prej furçash- dhe s’është më reale.

Vijmë kështu te T. S. Eliot. Interpretimet që vepra e tij lirike ka marrë nga kritika, shpërputhen deri në papajtueshmëri. Vetëm në një pikëpamje ka dakordësi: që kjo vepër plot veçanti ushtron një fuqi magjike falë “tonit” të saj, i cili realizohet nga shkrirja e shumë toneve, një shkrirje e paharruar, edhe pse aspak harmonike. Gjuha kalon, gjithnjë në mënyrë të paparashikuar, përmes modulimeve nga më të ndryshmet: relacion i thatë, melankoli, soditje, melodi e ëmbël, nganjëherë edhe pathos e pastaj sërish ironi, sarkazëm, ton i çrregullt bisedor. Kjo polifoni lidh secilën poezi të tij më shumë se ajo që bën situata intelektuale apo shpirtërore që është në bazë të tyre…- kaq thellësisht në bazë të tyre, sa akoma askush nuk ka mundur të thotë në çfarë konsiston ajo konkretisht. Është e vërtetë se mund të dallohen tema të veçanta, si për shembull: njeriu jetim në shkretëtirën e metropoleve, të qenit kalimtar, refleksione mbi funksionin e kohës, mbi tëhuajësimin e botës. Por këto tema, më shumë se i mbështesin poezitë e tij, frymojnë përmes tyre. Çfarë i mban është ajo që vetë Elioti e quan emocion artistik dhe që duhet të jetë si diçka absolutisht pavetore. Ajo ngrihet lart e poshtë, “duke shkuar në bardh- e-blu, ngjyrat e Marisë e duke kuvenduar për gjërat më banale”, siç thonë dy vargje të “Ash- Wednesdey” (“E mërkurë e përhime”). Emocioni shtyn në “lidhje objektive”, në imazhe, evente njerëzish e gjërash. Po cilat imazhe dhe cilat evente? Eliot vëren një herë se tërheqjet themelore të epokës janë cektësia dhe kundërvënia. Por pikërisht këto janë edhe tërheqjet themelore të teknikës së tij poetike. Siç e njihte ai, ajo i përshtatet qytetërimit modern, që me kompleksitetin, kontradiktat dhe ndjeshmërinë e vet nervore kërkon një poezi që të ketë një mjedis të gjerë, por të flasë vetëm në mënyrë aluzive dhe indirekte duke u bërë domosdo e vështirë.

Në fillim të “Waste Land” (“Toka e shkretë”) është vargu: “Mbasi ti njeh vetëm një grumbull imazhesh të thyera”, dhe në fund: “Këto fragmente kam mbështetur ndaj rrënojave të mia”. Kjo duhet kuptuar si një ribashkim i fragmentarizmit. Ky është ligji i poezive të Eliotit. Ky përcakton atë mënyrë të shprehuri që për shembull, fillon me një rrëfim të vogël, e ndërpret, vazhdon me një monolog të brendshëm që këputet nga një citim, futur pa kurrfarë lidhjeje, të cilin e ndjek një copë e një dialogu të dy qenieve pa profil. Ajo që thuhet në një grup vargjesh, shkatërrohet në grupin që vazhdon ose harrohet. Kështu është edhe për imazhet dhe ngjarjet. Ato janë një montazh i bërë me fragmente me prejardhje më heterogjene, pa qenë të lidhura në një vend a një kohë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT