Prof. Shemsi Krasniqi/
Tash e treqind vjet arbëneshët e Zarës (Kroaci) e ruajnë emrin e vet, e flasin gjuhën e vet, e rrëfejnë historinë e vet dhe e këndojnë këngën e vet. Para tre netësh, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në kuadër të Seminarit 41 Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, këngëtaret arbëneshe nga Zara Dina Bušić dhe Melita Ivković, kënduan bukur sa s’ka! Teksti i këngëve të tyre merrej vesh deri diku dhe melodia m’dukej si diçka e njohur. S’paku, ashtu ma thoshte zemra. Kënga e fundit ishte pak më e shkurtër sesa të tjerat dhe për aq sa e mbajta mend, teksti i saj ishte ky:
“Zogu i malit po këndon,
Në llivadh, në fushë e n’arë,
Ai gjithë jetën po dikton,
Se ne jemi arbënesh.” (strofa u këndua dy herë)
Kjo se zogu i malit, duke kënduar gjithë jetën në livadhe, fusha dhe ara, dikton identitetin arbënesh, tregon sesi kultura tradicionale arbëneshe e ka përdorur natyrën si metaforë, jo vetëm për të poetizuar dhe estetizuar, përshkruar dhe krahasuar, por edhe për ta fuqizuar dhe përjetësuar vetën, për ta ngritur dhe lartësuar atë, për ta mbjellë thellë në shpirt, duke e shtrirë, shkrirë dhe bërë një me natyrën. Bukuria e asaj kënge shfaqte natyrshëm bukurinë dhe fuqinë e identitetit arbënesh.
Faleminderit këngëtareve arbëneshe, faleminderit drejtuesve të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare!
See Insights and Ads
Like
Comment
Share