• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

Si In memoriam për Albert Vërrinë

August 17, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

“Skulptori” i karaktereve në skenë,

Mjeshtri i mbikombëtares në Vlorë.

Sot në mendjen time, rivetëtiu shfaqshëm Albert Vërria. Ky artist, me ndikim të fuqishëm në jetën publike të Vlorës dhe me jehonshmëri vijuese në jetën dhe kujtesën artistike dhe aktruese të Shqipërisë, gjatë 70 viteve të shkuara dhe atyre që pasojnë.

Deri në çastin kur u “fsheh nën dhe”, aktori Vërria nuk iu nda qytetit të Vlorës duke i shtuar historisë kulturore të qytetit që tejkalon imazhin për të, edhe një fakt me peshë artefakti:

Teatrit dhe kinematografisë shqiptare, artisti Vërria u dhuroi talentshëm një galeri vetiake. Kjo galeri e bollshme me role dhe karaktere, spikatëse dhe atipike, si në lartësinë e talentit të vet, është hiseja e shqueshme e pavdekësisë që shenjohet me emrin e tij.

Qysh prej fillimit të viteve ’60, në Teatrin e Vlorës që tashmë mban emrin ” Petro Marko”, Albert Vërria mishëroi dallesat mes rolit të ri dhe pasuesit.

U lartësua në këtë artbërje, duke ia dalë të respektojë veçoritë e substancës jetësore në art dhe të vlerës artistike si specifikë e jetës. Në rolet e Vërrisë ngjet si në vargun e Rudyard Kipling:” Lindja është Lindja, Perëndimi është Perëndimi”. Xha Sulua tek ” Kapedani” është karakteri më potencial në kinokomedinë shqiptare.

I ngjashëm me ikonat e kinokomedisë italiane dhe franceze të viteve ’70 apo ’80.

Artisti Vërria është si xha Sulo, në aktin e vet artistik më triumfal. Skaliti një karakter aq tipologjik përmes një aktrimi modern e të përkorë. E imponoi shoqërinë dhe publikun (aq diversiv shqiptar), të qeshte dhe të rishihte me sytë e mendjes bashkëjetesën me brenditë dhe mendësitë obskurante e feudale, arkaike dhe ekstraurbane. Projektoi përmes peshës aq sarkastike të rolit të vet, se ishte jo vetëm artist i talentuar, por veçanërisht i rëndësishëm.

Nuk ka në rolet dhe karakteret mishëruese të Vërrisë elemente dhe substancë jashtëartistike.

Është aq pranë kësaj mundësie në rolin e Nuri Beut tek filmi “Koncert në vitin ’36”, por i mërgohet me aq elegancë dhe sharm, sa në memorien e publikut vijon të mbartet imazhi potent i atij karakteri si personazh kinematografik dhe si tip shoqëror përveçueshëm.

Albert Vërria i ndau rolet- karaktere që solli, përgjatë çdo interpretimi, me talentin dhe cilësitë unike të plastikës aktoriale. Sepse jetonte jo vetëm me ambicien krijuese e estetike, por veçanërisht me korpusin e brendshëm të kulturës, interesimit dhe dijes për galeritë jashtë tij dhe për empathitë që i mbartte si qytetar. Këto të fundit në ndërgjegjen e tij shëmbëllenin me një bahçe të papërsëdytë.

Artisti Vërria ishte armik i kaosit dhe i së paplotës në lojën dhe rolin e vet aktoresk apo kinematografik. Përmes episodit apo qoftë edhe së pjesëshmes, realizonte imazhin dhe siluetën e plotë të protagonistit pa protagonizëm skenari, të personazhit pa hapësirën e të shqueshmit, por që mbeti e shqueshme për shkak të ustait që e lozi.

Mjafton që lexuesit duke ndalur një çast shikimet në portretet e fiksuara nga celuloidi i kamerave në kohën e ” Kinostudios”, të vërrejë dhe natyrshëm të rigjejë, në frizerin e kujtesës së vet, portretet dhe karakteret e galerisë së Vërrisë.

***

Ka kohë që në Vlorë nuk ndihet as zëri dhe as hapi i Bertit, por vijon koha që e mban të shqueshëm Vërrinë e rëndësishëm. Atë zotni Bertin, që bëri një art dhe na dhuroi interpretim dhe që nga amëshimi, na imponon të saktësojmë se:

E kemi një rast artisti dhe personaliteti, prej vlerash të peshës dhe dimensioneve në nivel mbi kombëtar.

Filed Under: Kulture Tagged With: aleksander Cipa

“Atdheu është ajo gjë që të mungon sa herë që thua me krenari ‘I am Albanian’.”*

August 16, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

#SiSot, më 16 gusht 2019, u shua gazetari i spikatur, historiani, publicisti dhe pedagogu, Fatos Baxhaku.

Përmbi këto cilësime, Baxhaku ishte atdhetari i përveçëm, që përmes penës së tij autentike përshk(r)oi Shqipërinë thuajse pëllëmbë për pëllëmbë, portretizoi gjindjen dhe si një mentor për të qenë, la pas arketipe të gjinisë së reportazhit të shkruar dhe televiziv. Ngase i çmonte skrupujt, në vend të lamtumirës na kushtoi një doracak të vyer mbi atdhedashurinë (*thënia cituar në krye është e shkëputur prej këtij udhëzuesi).

Përgjatë vjetëve 1982-1986 ndoqi studimet në degën e Historisë, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë. Duke nisur nga viti 1986 e deri në vitin 1992, punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Në intervalin e vjetëve 1993-1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”. Më tej, pati detyrën e kryeredaktorit në televizionet private kryesore.

Baxhaku ishte autor dhe bashkëautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpa e Vjetër” (Digitalb), si edhe i shumë dokumentarëve. Në fushën e botimeve, publikoi “Shoqëritë e Masave Fisnore të Shqipërisë së Veriut”, “Gur” (reportazhe), “Guidë për Shkodrën”, “Në Mirditë & rreth e rrotull”, “Roje”, “Çadra e kuqe: histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX –XXI”, “Gra të të përgjithshme” 2014 (me bashkëautore Klodiana Kapo) dhe “Në emër të Noes”, botuar një vit pas ndarjes së tij nga jeta.

Më poshtë, paraqitet korrespondenca mes Institutit të Historisë me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për shfrytëzimin nga Baxhaku të dokumenteve lidhur me temën: “Historiku i coptimit të trojeve shqiptare 1876-1881”.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#FatosBaxhaku

#AQSH

Filed Under: ESSE

INTELEKTUAL I URTË DHE LARGPAMËS

August 16, 2023 by s p

Shkruan: Nuhi Bytyçi/

ME RASTIN E VDEKJES SË ZENEL KELMENDIT.

Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi, këto ditë humbën një intelektual,  mjekun e shuar, humanistin, profesorin universitar, ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës plot 2 mandate, Prof. Dr. Zenel Kelmendin. Bashkëkombasit tanë, sidomos mjekët, profesorët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës, do ta mbajnë në mend Kelmendin si njeri të heshtur, të qetë, të urtë, por mjaft energjik, largpamës dhe atdhetar. Kam pasë rastin dhe nderin që ta njoh drejtpërdrejt qysh në vitet nëntëdhjeta, kur Prof. Zenel Kelmendi ishte ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe sidomos kur mori detyrën e Rektorit të Universitetit të Prishtinës në fillim të vitit 1998. Në rrethan të okupimit me punën dhe vendosmërinë e tyre dëshmohen njerëzit, sidomos intelektualët, të cilët kishin detyra shtesë, më me përgjegjësi për të udhëhequr me institucionet e arsimit dhe institucionet e tjera. Kelmendi e kishte çmuar lartë edhe kontributin e Rektorit historirik të Universitetit të Prishtinës, të Universitetit të rezistencës Prof. Dr. Ejup Statovcit: “Vitet e punës dhe të udhëheqjes së Profesor Ejup Statovcit në Universitetin e Prishtinës janë vite të shpresës, rendi e mbijetese përballë okupimit dhe vite krenarie për ne dhe për Universitetin e Prishtinës”.                 Pas përfundimit të mandatit të rektorit Statovcit, Zenel Kelmendi gëzonte përkrahjen e studentëve dhe profesorëve të Universitetit, veçmas të liderëve të Uniionit të Pavarur të Studentëve, të cilët kishin ndikim të madh në zgjedhjen e tij rektor. Ai bashkë me rektorin Prof. Dr. Ejup Statovci dhe profesorët e tjerë mbështeti fuqishëm protestat e njohura studentore e gjithëpopullore të 1 tetorit të vitit 1997. Ndërkaq, në Kuvendin e Unionit të Pavarur të Studentëve të UP-së, mbajtur më 15 janar 1998, Rektori Kelmendi ka mbajë edhe një fjalë rasti, ku konfirmon rëndësinë e protestave të tilla, duke thënë: “Aktiviteti i UPSUP, i dha kahe të nevosjhme të rrjedhave kombëtare.  Ju drejtuat me guxim intelektual, me elan rinor dhe me vendosmëri drejtuat me sukses vrullin tuaj të ndritur për realizimin e  synimeve tona për Kosovë të lirë e të pavarur. Ishin protestat e 1 tetorit 1997, të cilat mbushën të gjitha rrugët e kryeqytetit, mahnitën botën me organizim dhe seriozitet dhe zgjkuan shpirtin kryengritës të çdo shqiptari.”

Rektori Kelmendi i ka mbështetur luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçmas studentët e Universitetit të Prishtinës, duke u shprehur: “Nuk mundem ta anashkaloj dhembjen, por edhe krenarinë për ata studentë që ranë në fushën e betejës për liri, si dhe nuk mundem pa i përshëndetur dhe shprehur përkrahjen e hapur për vajzat dhe djemtë, studentë tanë, të cilët të ngjeshur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po e mbrojnë nderin, krenarinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës, duke luftuar për mbrojtjen e atdheut.”

Ishte rektori Kelmendi, i cili propozoi dhe Senati i UP-së mori vendim që studentët nga zonat e luftës të mbështeten, duke u liruar edhe nga pagesat e ndjekjes së studimeve. 

Gjatë luftës, në prill të vitit 1999 e kam takuar Profesorin Kelemendi bashkë me Hajredin Kuçin në Tiranë për të transmetuar në Lajmet e Programit satelitor të TV Shqiptar një informatë për takimet e tyre me përfaqësues të institucioneve evropiane dhe amerikane, të cilat si më thanë ata ishin mjaft me interes për mbështetjen e Universitetit shqiptar të Prishtinës.

Pas çlirimit të Kosovës dhe largimit të forcave militrare dhe të administrates serbe  nga Kosova, më 2 gusht të vitit 1999, para Fakultetit Filologjik në Prishtinë u mbajt tubimi solemn i studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Prishtinës. Edhe me këtë rast, në fjalën e tij rektori Zenel Kelmendi, vlerësoi lartë kontributin e studentëve dhe profesorëve të UP-së gjatë luftës për liri e pavarësi. Ai do të shprehej: “Të dashur studenrtlë, të dashur profesorë, mirë se vini në Universitetin e  lirë të Prishtinës! Ju përgëzoj për këtë ditë të madhe. Urime dhe me fat! Kam privilegjë të veçantë që tu dëshuiroj kthim të mabrë të gjithëve, veçmas atyre djemëve dhe vajzave, pjestarë të Ushtrisë sonë çlirimtare, që me guxim dhe meçuri udhëhoqën dhe mbrojtën vendin tonë të shenjtë, Kosovën tone të bukur, ngritën nderin dhe lavdinë kombëtare para popullit, botës dhe para Zotit. Në mënyrë të veçantë shpreh nderimet për ata studentë që ranë në altarin e  lirisë, për ata që me jetën e tyre shënuan pavdeksinë, jo vetëm prë veten, por edhe për kombin.  

Vitet që shkuan ishin tejet të rënda, rrallëherë në historinë moderne, vitet më të vëshrtira të Universitetit tonë të ri. Mirëpo, ato ishin edhe vite kur u shënuan vargje të histories sonë më të lavdishme kombëtare.   Universiteti ynë ndau fatin bashkë me popullin të cilit i takon, për të cilin punon dhe frymon. Ne vazhduam punën, jetën ndaj pavdekshmërisë, mbijetesën ndaj vdekjes dhe punuan, jetuam e mbijetuam. Populli na ndihmoi, na i liroi shtëpitë që u shndërruan në qendër universitare, në një kala, prej nga fuqishëm mbrohej interesi kombëtar përballë okupimit të egër serb. Ne sot jemi Universitet i lirë i Prishtinës dhe do të jemi gjithnjë. Ne jemi për një Universitet të lirë, të hapur për të gjithë që jetojnë në Kosovë, Universitet me kritere të botës moderne, të jemi përkrah universiteteve tjera botërore. Pres nga ju që të mbani gjallë jetën dhe punën studentore, të përgatiteni për kohë të reja, për shekullin e ri, për ndërtimin e Kosovës sonë të lirë e të pavarur dhe realizimin e  synimeve tona shekullore.”

Fjalët e Prof. Dr. Zenel Kelmendit buronin nga shpirti i tij prej intelektuali të vërtetë, të guximshëm dhe atdhetar. 

 Vitet e fundit të jetës së tij Zenel Kelmendi ishin mjaft të vështira sa i pëket gjendjes shëndetësore. Kur fillova përgatitjen e filmit dokumentar kushtuar Prof. Dr. Ejup Statovcit, e mora në telefon Prof. Zenel Kelmendin dhei tregova për skenarin tim. Ai e m,bështeti plotësisht këtë projekt, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, nuk mund të fliste para kamerës.

Kur e realizova dhe e transmetova dokumentarin kushtuar Akademik Gazmend Zajmit, në fillim të korrikut 2023, Profesori Kelmendi më mori në telefon dhe më përgëzoi për punën e bërë në ndriçimin e figurave tona intelektuale dhe kombëtare. Me që ishte i palëvizshëm, mu lut që të shkoja në shtëpuinë e tij në Kodër të diellit dhe të bisedonim më shtruar për punën e tij në udhëheqjen e Universitetit të Prishtinës dhe opër disa “amanete” si u shpreh ai. Më tha hapur: “Nuhi, e vlerësoj shumë lartë punën tënde si gazetar profesionist, prandaj kam dëshirë që të informoj për disa gjëra shumë me rëndësi. Kur shkova në shtëpinë e Profesorit më priti me ngrohtësi të veçantë dhe u rrëfye para meje lidhur me disa momente tejet të[ rëndësishme të punës së tij derisa ishte rektor i Universitetit të Prishtinës, 2 mandate, nga fillimi i vitit 1998 e deri në vitin 2004. Kelmendi ishte shumë i drejtpërdrejtë gjatë rrëfimit disa orës të tij, duke ndarë me mua disa momente e ngjarje të rëndësishme, përjetimet e tij dhe të civilëve shqiptarë në Prishtinë gjatë luftës, veçmas pas dëbimit të shqiptarëe nga Kosova, pastaj për vazhdimin e punës së Universitetit pas luftës, për presionet nga politikanët për regjistrimin e të afërmve të tyre studentë  pa kritere, për mbështetjen e konceptit të tij para rektorëve të universiteteve të Austrisë në Graz dhe të rektorëve të universietteve të Evropës në Vjenë për ndërtimin e një Universiteti të pavarur, raportet tejet miqësore me intelektualin përmasash botërore Ismail Kadare dhe për vendimin për shpalljen e  tij doktor honoris kauza të Universiettit të Prishtinës dhe të disa figurave të shquara ndërkombëtare. Ai  më rrëfeu edhe për presionet e disa përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare për të investuar në Universitetin e Prishtinës përmes Beogradit, që Universiteti i Prishtinës të bëhet pjesë e Bashkësisë së universiteteve të Serbisë, si dhe për disa përpjekje të faktorëve ndërkombëtarë që Zenel Kelmendi të udhëheq politikisht Ushtrinë për Çlirimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Mirëpo, si më dëshmoi Profesor Kelmendi, ai kurrë nuk kishte pranuar asnjë lloj imponimi, diktati apo ndërhyrje në punët e Universitetit të Prishtinës dhe përdorimin e tij për qëllime politike e të tjera, qoftë nga faktorët vendor, qofta ata ndërkombëtarë.

Pasi dëgjova me vemendje rrëfimin, “amanetet” e Prof. Dr. Zenel Klemendit, i sygjerova që të kompletoj të gjitha dokuementet, intervistat, vendimet e rëndësishme dhe materialet e tjera e pastaj në bazë të tyre të përgatis një skenar për realizimin e një filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij me interes për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Si njeri modest, Kelmendi nuk më dha ndonjë sinjal pohimi për këtë ide timen, duke u arsyetuar në gjendjen e tij shëndetësore. Unë i propozova që pasi të kompletohen materialet e domosdoshme për këtë, të shkoj dhe ta vizitoi edhe një ditë tjetër dhe pastaj mundësisht ta caktojmë edhe ditën e fillimit të xhirimit të intervistës me të për dokumentar.                Për shkak se edhe unë nuk isha mirë me shëndet shkova në Dusseldorf të Gjermanisë për trajtim mjekësor. Pas kthimit nga Gjermania e planifikoja që ta vizitoj Prof. dr. Zenel Kelmendin dhe të shikoj a është në gjendje që ta intervistoj. Mirëpo, në mbrëmjen e 9 gushtit të këtij viti, në facebook nga profili i mikut tim Prof. Dr. Jusuf Dedushaj levova lajmin tejet të rëndë, jo vetëm për mua, por edhe për familjen dhe shoqërinë shqiptare se Zernel Kelmendi ka ndërruar jetë. Vërtetë ishte ndër lajmet më të kqia që kisha marrë në Kosovën e pasluftës. Mjerisht, ky ishte edhe dështim i skenarit për realizimin e  dokumentarit për këtë intelektual të urtë dhe largpamës. Prof. Dr. Zenel Kelmendi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën dhe trojet e tjera etnike shqiptare. Do të kujtohet përherë nga populli ynë dhe miqët tanë të shumtë ndërkombëtarë, me të ciltë bashkëpunoi.

Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Prof. Zenel Klemendit!

Filed Under: Rajon

“Bukuroshja e Fjetur” një mbresë më shumë për artdashësit e qytetit të New York-ut

August 16, 2023 by s p

Adelina Lacaj/

Me 13 Gusht , 2023, balerini Klevis Tafaj me kompaninë e tij të mirënjohur, Teatrin e Baletit Ajkun, interpretoi përpara publikut artdashes të New York-ut një tjetër vepër klasike të rradhës, “Bukuroshja e Fjetur”. Ky teatër baleti, njihet tashmë në arenë ndërkombëtare, për shfaqjet e tij tërheqëse, klasike, tradicionale, të suksesshme dhe të udhehequara me mjeshtëri nga drejtoresha artistike, koreografja e shumë çmimeve fituese, znj. Chiara Ajkun.
Në këtë shfaqje morën pjesë, miq e dashamirës te artistëve, adhurues të artit e kulturës në New York.
Baleti u luajt për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Akademia e Muzikes së Filadelfia-s, më 12 Shkurt, 1937. Ai u projektua nga Catherine Littlefield. Muzika e tij vjen nga një periudhë romantike, e kompozitorit Pyotr Ilych Tchaikovsky. Kjo muzikë, ka në thelb te saj, përdorimin e dy temave të ndërthurura muzikore, atë të së mirës, ( zana Lilac) dhe të së keqes (zana, Carabosse).
Shfaqja fillon me një mbretëri magjike, në të cilën lind një princeshë e quajtur, Aurora. Gjatë festës në gëzimin e saj të lindjes, zanat vijnë me dhurata. Aurorës i jepen dhurata të ndryshme si ato të bukurisë, guximit, dhe fatit të mirë. Ndërkohë që zana Jargavan, po përgatitej të jepte dhuratën e saj, shfaqet befasisht Carbosse, e paftuar në këtë festë. Ajo i jep princeshës një mallkim të tmerrshëm i cli kishte të bënte me vdekjen e saj në përvjetorin e gjashtëmbëdhjetë.
Zana Jargavan, pas këtij akti, arrin t’a thyej magjinë e Carbosse-it, duke e zbutur sadopak mallkimin. Aurora bie ne gjumë të thellë, prej të cilit, vetëm princi Desire (Tafaj) ka mundësinë ta shpëtoje.
Baleti është një vepër famoze sepse për herë të parë në historinë e baletit u krijua një bashkëpunim midis kompozitorit Tchaikovsky dhe koreografëve Petipa dhe Vsevolojsky. Kjo partiture muzikore adhurohet edhe sot dhe përdoret në Disney.
Te entuziazmuar dhe pas përfundimit të shfaqjes, artdashësit, u takuan me balerinët. Ata u përgëzuan për përgatitjen dhe teknikën sfiduese, delikatesën dhe emocionin e transmetuar në sallë.
Klevis-it dhe gjithë trupës së baletit i urojmë
Suksese të mëtejshme!
Staten Island, New York
15 Gusht, 2023

Filed Under: Komunitet Tagged With: Adelina Lacaj

ELABORATI FAMËKEQ I IVO ANDRIQIT për ndarjen e Shqipërisë midis Italisë dhe Jugosllavisë, i vitit 1939 

August 16, 2023 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

“Marrja e Shkodrës do të kishte një rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte zbatimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ta ushqyer Malin e Zi. Shqipëria veriore në kuadër të Jugosllavisë do t’i mundësonte Serbisë veriore dhe jugore lidhje të reja qarkullimi me Adriatikun. Me ndarjen e Shqipërisë do të eliminohej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila në një situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Eventualisht, neve do të na shtoheshin edhe 2 – 300.000 shqiptarë, por shumica e tyre janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë kurrë s’kanë qenë të mira. Edhe çështja e shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë për në Turqi do të kryhej në rrethana të reja, për arsye se nuk do të kishte kurrfarë aksioni të fortë për parandalimin e saj.” – pjesë nga elaborati i Andriqit   

*   *   *

Shqiptarët në Kosovë kërkuan që veprat e Andriqit të shlyhen nga programi i mësimit të letërsisë. Elaborati antishqiptar i këtij nobelisti dhe ai i akademikut Vasa Çubrilloviq (1897-1990) kurrë s’janë publikuar në Serbi. Ato mbahen sekret. Janë turp i inteligjencies serbe dhe i politikës serbe. Asnjë akademik apo politikan serb nuk është distancuar prej tyre. Vlerësimi i këtij personi me çmimin “Nobel” e komprometon jurinë e këtij çmimi prestigjioz.   

*   *   *

  Andriqi, si nëpunës i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë, në vitet 1937-1939 ushtronte detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme. Millan Stojadinoviqi në të njëjtën kohë ishte edhe kryeministër edhe ministër i Punëve të Jashtme. Andriqi, si diplomat karriere, ishte personi i parë i Ministrisë. Pas rënies së Stojadinoviqit nga pushteti, Andriqi u bë ambasador në Berlin. 

Konti Galeako Qano (Galeazzo Ciano, 1903-1944), ministër i Punëve të Jashtme i Musolinit, e vizitoi Jugosllavinë në janar të viti 1939. Bisedimet midis Qanos dhe Stojadinoviqit u zhvilluan në Beograd dhe në Beli. Në Beli u zhvilluan bisedime sekrete. Dhëndri i Musolinit, Qano, ofroi ndarjen e Shqipërisë.

Me kërkesën e Stojadinoviqit, u hartua elaborat zyrtar për çështjen shqiptare për përdorim intern në Ministri. Në faqen e parë të elaboratit shkruan: “Referat i z. Andriqit 30.I.1939”. Ky dokument ruhet në Arkivin e Serbisë – “Fondi i Millan Stojadinoviqit”, kutia 37. Teksti i këtij elaborati zyrtar për herë të parë u botua në “Revistë për historinë bashkëkohore”, në vitin 1977, IX, Nr. 2 (24), f. 77-89. Kryeredaktor i këtij botimi ka qenë historiani kroat Dr. Bogdan Krizman (1913-1994). Dokumenti është botuar me titullin “Elaborati i Dr. Ivo Andriqit për Shqipërinë, i vitit 1939”. 

Shkrimi i Andriqit u botua për së dyti në vitin 1988, në “Sveske”, Zadužbina Ive Andrića (Vepër bamirëse e Ivo Andriqit) Nr. 5.

Dokumenti merret me kronologjinë e rrethanave dhe të marrëdhënieve historike dhe ka 20.734 shenja shkronjash. Përmban 12 faqe të shtypura me makinë shkrimi. Teksti është shtypur me shkronja cirilike. Me faqen e parë që ndodhet në fillim të tekstit dhe ku është dhënë pasqyra e përmbajtjes, elaborati ka 13 faqe. Është i ndarë në dhjetë kapituj.  

 Shënim: Për Shqipërinë, Andriqi e përdor fjalën Arbanija, për shqiptarët ndërkaq – Arbanasi.

*   *   *

Më 18.06.1938 u mbajt në Venecie një mbledhje midis kryeministrit të Mbretërisë së Jugosllavisë, Millan Stojadinoviq dhe ministrit italian të Punëve të Jashtme Kontit Galeako Qano (Galeazzo Ciano). Në janar të viti 1939, Qano erdhi në Beograd. Me Stojadinoviqin zhvilluan bisedime sekrete. Vëmendje më të madhe në bisedime i kushtuan Shqipërisë. Me këtë rast, Stojadinoviqi i paraqiti Qanos dy zgjidhje të mundshme: 

1. Që mbretin Zog ta zëvendësojnë me ndonjë person “më të denjë” në fronin shqiptar;

2. Që Shqipëria të ndahet midis Italisë dhe Jugosllavisë. 

Mirëpo, derisa Stojadinoviqi fliste për ndarjen e Shqipërisë, Qano fliste për korrigjimin e kufirit ndaj Jugosllavisë.  

  Pasi Konti Qano u kthye në Itali, Stojadinoviqi kërkoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë, që t’i hartohen elaborate përkatëse për Shqipërinë dhe për çështjen e ndarjes së territorit shqiptar. Janë ruajtur dy elaborate interne  

– elaborati i punuar nga zyrtari i lartë i Ministrisë, Ivan Vukotiq, i datës 03.02.1939;   

– elaborati i Ivo Andriqit, i datës 30.01.1939. 

*   *   *

ELABORATI I ANDRIQIT  

I. LUFTA BALLKANIKE DHE SHQIPËRIA

Dalja e ushtrisë serbe në Adriatik – Sipas shtojcës sekrete të Marrëveshjes së aleancës midis Bullgarisë dhe Serbisë të datës 29 shkurt 1912, Serbisë i njihej e drejta për territoret turke të deriatëhershme në veri dhe në perëndim të malit Sharr. Lidhur me këtë dispozitë dhe duke synuar që vendit të tyre t’i sigurojnë dalje në det, më 15 nëntor 1912 trupat serbe arritën në Lezhë dhe hap pas hapi e zotëruan tërë Shqipërinë veriore, deri në Tiranë dhe Durrës. Më 15 nëntor 1912, në “Tajms” (The Times) të Londrës u publikua deklarata e Pashiqit ku ai thotë se Serbia e kërkon Durrësin me hinterland të konsiderueshëm. Revistë për historinë bashkëkohore të rëndësisë. Supozohej se Shqipëria nuk do të konsolidohet për shumë vite dhe se ne do të mundim ta forcojmë pozitën tonë në Shqipëri, Italinë ndërkaq, ta nxjerrin nga loja. Asnjëra nga këto parashikime mbi të cilat mbështetej politika jonë e pavarësisë së Shqipërisë, nuk u realizua. Përkundrazi, ndodhi krejt e kundërta. Shqipëria po konsolidohej dhe për arnautët tonë po bëhej qendër e irredentës. Italia ka shkelur në Ballkan dhe e mban jo vetëm Sazanin dhe nëpërmjet tij edhe kanalin e Otrantos, por e kontrollon tërë administratën në Shqipëri, civile dhe ushtarake. Ky është një fakt që nuk mund të shpërfillet dhe që nuk mund të kontestohet. Bazuar në sa më sipër është më se e qartë se interesi ynë është që Italia, në vend të krejt Shqipërisë, ta mbajë vetëm një pjesë të saj. Po të mos kishte arsye të tjera për ndarjen e Shqipërisë, do të mjaftonte vetëm kjo. 

“2) Me vetë pozitën e saj, Shqipëria – sipas Vukotiqit – paraqet pengesë për zhvillimin ekonomik të shtetit jugosllav, ndërsa me ndarjen e Shqipërisë, kufiri ynë tokësor do të zvogëlohej për rreth 300 km. 

3) Shteti dhe monarkia shqiptare janë qendër tërheqëse për një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që jetojnë te ne përgjatë kufirit. Me zotërimin dhe bashkëngjitjen e Shqipërisë veriore do të vritej irredenta shqiptare, e rrezikshme për viset tona jugore. Elementi luftarak shqiptar në territorin tonë do të mbetej në lindje dhe në perëndim dhe do të asimilohej më lehtë.

4) Kurdo që flitej për ndarjen e Shqipërisë, kërkesat tona maksimale arrinin deri në luginën e lumit Shkumbin. Gjithsesi, vija Strugë-Librazhd-Elbasan-Durrës do t’i kënaqte plotësisht kërkesat tona. Në atë territor jetojnë rreth 400.000 myslimanë. “Ndarja e Shqipërisë dhe bashkëngjitja e viseve të saj verore dhe qendrore Mbretërisë sonë, do të kishte qenë sukses yni kombëtar i madh dhe realizim i aspiratave tona të natyrshme. Në atë pjesë të kufirit, do të përmirësohej pozita jonë strategjike. Do të arriheshin përfitime ekonomike të paçmueshme dhe me lidhje natyrore do të lidheshin dy rajone të rëndësishme, i Zetës dhe i Vardarit. Irredenta shqiptare dhe shteti shqiptar që ishte sajuar dhe ishte krijuar prej armiqve tanë – do të ishin likuiduar”.  

Prandaj Vukotiqi vjen në përfundim se duhet shfrytëzuar situatën e volitshme dhe me ndarjen e Shqipërisë të kryhej një vepër e madhe popullore.          

II. NDARJA E SFERAVE TË INTERESIT NË SHQIPËRI MIDIS SERBISË DHE GREQISË

Edhe pse nën trysninë e Fuqive të Mëdha, në radhë të parë Austrisë, u detyrua të tërhiqej nga Adriatiku dhe nga Shqipëria veriore, Serbia nuk e humb shpresën. Në deklaratën që është shtojcë sekrete e Marrëveshjes për aleancën midis Greqisë dhe Serbisë të datës 19 maj 1913, u ndanë sferat e interesit midis Greqisë dhe Serbisë në Shqipërinë autonome të sapoformuar. Territori që ndodhet në veri të grykës së lumit Seman në det, pastaj në rrjedhën e këtij lumi deri në grykën e Devollit, më pas në rrjedhën e Devollit deri në malin Kamne – i takojnë sferës  serbe të ndikimit. Pjesa jugore e Shqipërisë, deri te kjo vijë, i takon sferës greke të ndikimit. Në rast trazirash në Shqipëri, të dy vendet do të merreshin vesh për zotërimet e veta. Këto janë kërkesat maksimale që i kemi paraqitur në një dokument të shkruar ndaj Shqipërisë.   

III. PAKTI I LONDRËS DHE SHQIPËRIA

Pakti i Londrës i lidhur më 26 prill 1915 midis Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Italisë lidhur me Shqipërinë i kishte dispozitat, si vijojnë: 

1) Në vërejtjen për nenin 5, thuhet: “Katër Fuqitë aleate, tokat e poshtëshënuara të Adriatikut do t’ua ndajnë Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi: […] Në Adriatikun e poshtëm (në rajonet që u interesojnë Serbisë dhe Malit të Zi) tërë bregdetin prej kepit Planka deri te lumi Drin me portet e rëndësishme Split, Dubrovnik, Kotor, Tivar, Ulqin”.

2) Në nenin 6 thuhet: “Italia do ta marrë në pronësi të plotë Vlorën dhe ishullin e Sazanit.  Përveç kësaj edhe një territor mjaft të gjerë që nevojitet për mbrojtjen e tyre, d.m.th. pjesën ndërmjet lumit Vjosa në veri dhe në lindje, kurse në jug deri në Himarë”. 

  3) Në nenin 7 thuhet: “Po qe se do të formohet një shtet i vogël autonom dhe neutral i Shqipërisë, Italia nuk do t’i kundërvihet dëshirës së Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Rusisë, që viset veriore dhe jugore të Shqipërisë të ndahen midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”. 

Krijimi i Shqipërisë autonome – Mirëpo, më 20 dhjetor 1912, Konferenca e Ambasadorëve në Londër mori vendim për krijimin e Shqipërisë autonome, duke i dhënë Serbisë vetëm të drejtë për dalje tregtare në detin Adriatik. Po kjo konferencë, më 20 mars 1913 vendos që Shkodra t’i jepet Shqipërisë. Mali i Zi refuzoi ta pranojë vendimin e Fuqive të Mëdha; në këtë aspekt e mbështet Serbia e cila i dërgon trupat e veta për ta përforcuar rrethimin e Shkodrës. Fuqitë e mëdha (më 21 mars 1913) vendosën të kryejnë demonstrim detar. Në këtë demonstrim vetëm Rusia nuk mori pjesë. Kryqëzorët austro-hungarezë, anglezë, francezë, gjermanë dhe italianë, të grumbulluar afër Tivarit, i detyruan trupat serbe të tërhiqen nga pozicionet në Shkodër. 

Bllokada e bregdetit malazez – Më 20 prill 1913, Fuqitë e Mëdha shpallën bllokadën e brigjeve detare malazeze, por qeveria e Malit të Zi e vazhdon rrethimin e Shkodrës që kapitullon më 20 prill 1913. Megjithëkëtë, Mbreti Nikkollë u detyrua të lëshojë pe dhe më 4 maj 1913, në një telegram dërguar Ser Eduard Greit  (Sir Edward Grey, 1862-1933) e dorëzoi fatin e Shkodrës në duart e Fuqive të Mëdha. Pushtimi ndërkombëtar i Shkodrës zgjati prej datës 5 maj 1913 deri në fillim të luftës botërore. 

IV. SHQIPËRIA NË KONFERENCËN E PAQES

Pikëpamja e Fuqive të Mëdha – Në Konferencën e Paqes, fuqitë aleate (Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) për veriun dhe lindjen e Shqipërisë i propozuan kufijtë që ishin përcaktuar në Konferencën e Londrës të vitit 1913; e njohin sovranitetin e plotë të Italisë ndaj Vlorës dhe ndaj prapavijës së nevojshme dhe i japin Italisë mandat për administrimin e shtetit të lirë shqiptar, nën kontrollin e Lidhjes së Kombeve (Memorandumi i datës 9 dhjetor 1919). 

Pikëpamja jonë – (Kundër mandatit të Italisë. Për Shqipëri të pavarur. Argumentet për korrigjimin e kufirit dhe për marrjen e Shkodrës dhe të Shqipërisë veriore) 

Në përgjigjen tonë të datës 8 janar 1920 ne i kemi hedhur poshtë propozimet për t’i dhënë Italisë mandat ndaj Shqipërisë, duke theksuar se kjo do të ishte përsëritje e rastit të Bosnjës dhe Hercegovinë. “Kjo zgjidhje, thuhet në përgjigjen tonë, do të krijonte në dobi të Italisë kufi ofensiv kundër shtetit tonë, i cili do të privohej nga mjetet për mbrojtje. Në një anë, kjo do të paraqiste epërsi ofensive, kurse në anën tjetër, nënshtrim strategjik të përkryer”. Ne kemi kërkuar, për shkaqe ekonomike dhe strategjike, të kryhet për ne korrigjimi i kufirit (në rrjedhën e mesme të Drinit, në Bunë dhe përkitazi me fiset Kliment dhe Kastrat) i caktuar nga  Konferenca e Londrës e viti 1913. Përpos këtij korrigjimi, delegacioni ynë ka deklaruar se zgjidhje më e mirë është sikur Shqipëria të bëhet shtet i pavarur në kufijtë e vitit 1913 dhe me administratë autonome. 

2) Në nenin 6 thuhet: “Italia do ta marrë në pronësi të plotë Vlorën, ishullin e Sazanit 

dhe përpos kësaj edhe një territor mjaft të gjerë që nevojitet për mbrojtjen e tyre, d.m.th. pjesën ndërmjet Vjosës në veri dhe në lindje, ndërsa në jug deri në Himarë”. 

            3) Në nenin 7 thuhet: “Po qe se ndodh formimi i një shteti të vogël autonom dhe neutral – Shqipërisë, Italia nuk do t’i kundërvihet dëshirës së Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Rusisë që viset veriore dhe jugore të Shqipërisë të ndahen ndërmjet Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”. Italia do të fitojë të drejtën të udhëheqë punët e jashtme të Shqipërisë. 

            Pra, qysh në vitin 1915, Fuqitë e Mëdha miratojnë parimin e ndarjes së Shqipërisë dhe e pranojnë se në Shqipëri i kanë interesat e veta Italia, Serbia dhe Greqia. Derisa këtyre dy vendeve ballkanike u jepet e drejta e korrigjimit të kufirit, Italisë i jepet Vlora si dhe protektorati ndaj Shqipërisë së cunguar. Po qe se kjo zgjidhje nuk do të pranohet apo po qe se pjesa jugore e Shqipërisë do t’u takonte shteteve të tjera, delegacioni ynë e ka kërkuar për ne pjesën veriore të Shqipërisë deri në Drin. “Shteti ynë gëzon të drejta të vjetra për këto vise”, thuhet në memorandumin tonë. Shkodra është ish-kryeqendër e sundimtarëve serbë. Populli ynë ka derdhur përrenj gjaku për Shkodrën, sidomos në luftën e viti 1913 që i kushtoi Serbisë mijëra ushtarë të saj, ndërsa malit të Zi – një të tretën e ushtrisë së saj. Për t’i plotësuar dëshirat e Fuqive të Mëdha, në vitin 1913 trupat serbe dhe malazeze u tërhoqën nga Shkodra dhe nga  Shqipëria veriore. Austria, duke mobilizuar ushtrinë, u kanos me luftë. Shkodra ka mundur t’i takojë Malit të Zi, sikur ai të ishte pajtuar që Llovqenin t’ia lëshonte Austrisë ose të kishte mbetur neutral. Por, Mali i Zi refuzoi t’ia lëshonte Austrisë këtë pozicion strategjik të rëndësishëm. Lugina e Drinit me Shkodrën përbën një tërësi gjeografike dhe ekonomike me Malin e Zi dhe me rajonet kufitare të Serbisë. Për Serbinë qendrore dhe për Malin e Zi, lugina e Drinit është e vetmja rrugë e drejtpërdrejtë dhe më e shkurtër për në Adriatik. Vija hekurudhore Danub-Adriatik duhet të kalojë nëpër luginën e Drinit. Konferenca e Ambasadorëve në Londër e vitit 1913 ia njohu Serbisë këtë të drejtë të daljes në det. Shkodra ka të bëjë edhe me çështjen e lumit Bunë, që ia çel rrugën natyrore tregtisë malazeze në det. Qysh sipas Marrëveshjes së Berlinit, Mali i Zi gëzon të drejtën e lundrimit të lirë në Bunë. Pjesa më e madhe e liqenit të Shkodrës i takon Malit të Zi. Për shkak të pakujdesisë turke, tokat më të mira malazeze ende ndodhen të përmbytura nga ujërat e liqenit të Shkodrës. Për këtë arsye, shtetit tonë më së shumti i intereson rregullimi i Bunës dhe i Drinit jo vetëm për lundrimin në Bunë, por edhe për faktin se në këtë mënyrë do të thaheshin 12 deri 20.000 hektarë tokë më pjellore dhe po aq do të bonifikoheshin. Dy të tretat e kësaj toke i takojnë Malit të Zi.

              Pikëpamja italiane – (sipas Memorandumit të datës 10 janar 1920) 

              1) Italia kërkon nga Lidhja e Kombeve mandat për ta administruar shtetin e pavarur shqiptar.

              2) Kufijtë shqiptarë në veri dhe në lindje do të jenë ata që janë përcaktuar në Konferencën e Londrës. Kufiri jugor do të jetë objekt analize,

              3) Qyteti i Vlorës do t’i jepet Italisë në sovranitet të plotë me prapavijën e nevojshme për mbrojtjen e tij dhe për zhvillim ekonomik. Aleatët pajtohen që Shkodra dhe Shqipëria veriore t’i bashkëngjiten Jugosllavisë. Duke propozua një zgjidhje të përgjithshme të çështjes së Adriatikut, Klemanso, në cilësinë e kryetarit të Konferencës së Paqes, lidhur me dhënien e Rijekës Italisë, më 13 janar 1920 i thotë Pashiqit dhe Trumbiqit: “Kur SKS-ja ta ketë Shkodrën, Drinin dhe Shën Gjon Medonanin, do të ngjitet në maje të fuqisë së vet”.  Niti ishte pajtuar me këtë, me kusht që Italia ta mbante Vlorën por të kishte edhe  mandat mbi Shqipërinë.

V. PUSHTIM ITALIAN I SHQIPËRISË PAS LUFTËS DHE TËRHEQJA PËRFUNDIMTARE PAS DËSHTIMIT NË VLORË

               Pas mbarimit të luftës, në bazë të një vendimi ushtarak midis aleatëve, trupat italiane e pushtuan tërë territorin e Shqipërisë, madje edhe atë pjesë veriore që neve na ishte njohur në Paktin e Londrës. Vetëm Shkodra ka qenë nën pushtimin e përbashkët të trupave franceze dhe italiane. Për shkak të qëndrimit armiqësor që kishte marrë në atë kohë Italia ndaj shtetit të SKS-së, pushtimin ushtarak të Shqipërisë nga Italia ne e konsideruam si rrezikun më të madh për ekzistencën tonë. Midis nesh dhe Italisë, në terrenin shqiptar u ndërmor një luftë e ashpër. Për këtë arsye, italianët shtruan çështjen malazeze dhe maqedonase, si dhe idenë për Shqipëri të Madhe deri në Kaçanik. Kundër tyre, ne kemi zhvilluar, herë aksion sekret, herë aksion publik, duke e bërë për vete parinë shqiptare dhe duke përdorur idenë “e Shqipërisë së pavarur” dhe “Ballkani popujve të Ballkanit”.

                Përgjigjja jonë e fundit dërguar Konferencës së Paqes – Në përgjigjen tonë të fundit dërguar Konferencës së Paqes, datë 14 janar 1920, ne edhe më tej mbetëm në qëndrimin se zgjidhje më e mirë do të ishte që administrimi i Shqipërisë, në kufijtë e caktuar në vitin 1913, t’i besohet qeverisë autonome vendore, pa ingjerenca të cilësdo fuqie të huaj. Po qe se zgjidhja nuk do të pranohet dhe vendoset që pjesë të territorit shqiptar t’u jepet shteteve të tjera, delegacioni ynë kërkoi një pjesë të Shqipërisë veriore (duke ia bashkëngjitur kërkesës një hartë me kufirin e shënuar), së cilës i premtoi një regjim autonom. 

                Pikëpamja e të ndjerit Pashiq – Kur dukej si e sigurt se aleatët do t’i lejojnë Italisë të përforcohet në Shqipërinë qendrore, kryetari i delegacionit tonë – Pashiqi, kah fundi i viti 1919 e njoftoi qeverinë në Beograd se ka ardhur çasti që, të shtrënguar nga rrethanat, ta ndryshojmë politikën tonë ndaj Shqipërisë. Në atë letër thuhet: “Duke qenë se për shkak të depërtimit të Italisë dhe mbështetjes së saj nga Fuqitë, në Shqipëri ne nuk mundemi ta vendosim gjendjen që ka qenë para evakuimit të ushtrisë sonë dhe shtetit të parë të Esad pashës; Fuqitë duan ta zbatojnë Marrëveshjen e Londrës ndaj nuk do të ketë Shqipëri siç e kemi mbrojtur ne;  aleatët do t’ia japin Italisë Vlorën me hinterland dhe me protektorat ndaj një pjese të Shqipërisë. Në rrethana të tilla, ne duhet të kërkojmë kufij të tjerë dhe më të mirë ndaj territoreve të Shqipërisë që do të bien nën protektoratin italian. Minimumi që do të marrim prej aleatëve është kjo: kufiri përgjatë Drinit të Zi deri në grykën e Drinit të Bardhë, e prej aty, me Drinin e madh deri në det. Prandaj duhet të kërkojmë maksimumin në mënyrë që Italia të fitojë sa më pak territor. Ky maksimum i pretendimeve tona do të kishte qenë: lumi Mat deri te burimi i tij dhe prej aty drejt lindjes deri te Drini i Zi. Pra, Mati dhe Drini do të ishin kufijtë ndaj protektoratit italian”.  

VI. SHQIPËRIA PARA KONFERENCËS SË AMBASADORËVE

              Duke qenë se me evakuimin e Shqipërisë prej trupave italiane do të pastrohej situata në terren, në nëntor të vitit 1921 Konferenca e Ambasadorëve do të mundë të merrte vendim për njohjen e Shqipërisë si shtet të pavarur dhe sovran. Në vend të premtimeve të mëhershme, përkatësisht Vlorës dhe mandatit ndaj Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha ia kanë njohur Italisë vetëm interesin special të sa për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Shqipëria ka hyrë edhe në Lidhjen e Kombeve, me shpresë se një gjë e tillë akoma më shumë do ta sigurojë pavarësinë e saj. Para Konferencës së Ambasadorëve edhe njëherë më kot u përpoqëm ta fitojmë korrigjimin e kufirit kah Shkodra dhe kah Drini, duke i theksuar për Shkodrën arsyet historike, ndërsa për Drinin – arsyet ekonomike dhe arsyet e qarkullimit. Eksperti francez në Konferencë, Larosh, kështu na ngushëllonte: “Qeveria mbretërore ka gabuar që nuk e ka pranuar atëherë propozimin francez për ndarjen e Shqipërisë. Pashiqi ishte pajtuar me këtë, por qeveria në Beograd e refuzoi një gjë të tillë”. Me fjalë të tjera, për të mos i lëshuar italianët në Vlorë, ne u detyruam të heqim dorë nga Shkodra dhe nga kufiri deri në Drin. Duke qenë se ne gjithmonë e kemi përfaqësuar idenë e pandashmërisë së territorit shqiptar, siç është caktuar ai në vitin 1913, si dhe atë të pavarësisë së Shqipërisë, do të mundë të supozohej se kjo zgjidhje e Konferencës së Ambasadorëve, ishte e kënaqshme për ne. Mirëpo, këtu kemi të bëjmë me diçka tjetër. Vështirësitë në marrëdhëniet tona me Shqipërinë dhe në marrëdhëniet tona me Italinë për shkak të Shqipërisë vazhdojnë të shtohen, përkundër shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur dhe anëtare e Lidhjes së Kombeve. 

Republika e Mirditës – Derisa Konferenca e Ambasadorëve vendoste për kufijtë e Shqipërisë dhe për organizimin e pavarësisë së saj, në gjysmën e viti 1921, me parinë e Mirditës ne kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Ishte parashikuar krijimi i shtetit të lirë të Mirditës, të cilin do ta mbronin forcat ushtarake të SKS-së dhe interesat e të cilit në botën e jashtme do t’i përfaqësonte qeveria në Beograd. Qeveria në Tiranë e shoi këtë lëvizje, ndërsa ne u fajësuam dhe u dënuam para Lidhjes së Kombeve.      

Pakënaqësia e popullatës shqiptare, të cilën edhe ne e kemi mbështetur, i detyroi italianët që në fillim të viti 1920 t’i tërheqin trupat e veta nga brendia e Shqipërisë dhe të qëndrojnë vetëm rreth Vlorës, nga ku, në qershor të po atij viti, po ashtu u detyruan të tërhiqen, duke lidhur me qeverinë e Tiranës një marrëveshje për evakuimin nga tërë territori shqiptar, me përjashtim të ishullit të Sazanit. Pra, evakuimi nga Shqipëria ndodhi për shkak të qëndresës së organizuar të shqiptarëve, por nuk duhet shpërfillur faktin se Italia në atë kohë, politikisht dhe ushtarakisht ka qenë tejet e dobët. Edhe sot ka shqiptarë që mendojnë se do të mundë t’i dëbonin italianët nga Shqipëria, kur të donin. Ky vetëbesim është fatal për ata, për arsye se nuk janë duke e parë se Italia fashiste e sotme nuk është ajo e vitit 1920, nën qeveritë parlamentare të Nitit, Gjolitit dhe Faktes.  

VII. PAKTI I ROMËS, PASHIQI, MUSOLINI DHE SHQIPËRIA

                Pakti i Romës i janarit të vitit 1924, me frymën e vet ia imponoi edhe Romës edhe Beogradit respektimin e pavarësisë dhe parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe njoftimin e ndërsjellë lidhur me ngjarjet në Shqipëri. Mirëpo kjo nuk ishte pengesë që qeveria italiane, në qershor të viti 1924 ta ndihmonte Fan Nolin për t’u rebeluar kundër Ahmet Zogut; nuk ishte pengesë as për qeverinë tonë që në dhjetor të po atij viti t’i mundësonte Ahmet Zogut të hyjë në Shqipëri nga territori ynë dhe ta marrë pushtetin. As Roma as Beogradi nuk kanë mundur t’u bëjnë ballë intrigave dhe kërkesave të “miqve” të tyre shqiptarë, të cilët kërkonin ndihmë për të ruajtur pushtetin apo për të ardhur në pushtet, duke premtuar besnikëri dhe bashkëpunim, ndërsa e ndërronin orientimin pa nguruar fare. .     

VIII. PAKTI I TIRANËS DHE GJENDJA QË KRIJOI AI

I ndjeri Pashiq, duke u dhënë udhëzime përfaqësuesve tanë për punën në Shqipëri, u thoshte: “Ne duam një Shqipëri të pavarur, por një Shqipëri të dobët dhe të parregulluar”. Koha tregoi se kjo nuk ishte e mundur të qëndronte. Një Shqipëri e dobët dhe e parregulluar patjetër të kërkonte ndihmë dhe mbrojtje aty ku ka mundur të gjejë. Regjimi që ka qenë i rrezikuar nga Italia na drejtohej neve, ndërsa ai të cilin ne donim ta rrëzonim, kërkonte mbrojtje nga Italia. Në vitin 1926, Shqipëria e dobët dhe e parregulluar kërkoi mbrojtjen dhe ndihmën e Italisë. Ahmet Zogu, së pari mori garanci për regjimin e vet dhe pastaj, në vitin 1927 u pajtua të lidhë aleancë ushtarake për 20 vjet, mori qindra milionë lira për punime publike, ekonomikisht dhe financiarisht Shqipërinë plotësisht ia nënshtroi Italisë, pranoi shumë instruktorë italianë. Me fjalë të tjera, u krijua një raport që i ngjante shumë atij protektorati kundër të cilit kemi luftuar në Konferencën e Paqes. Ajo që na ka rrezikuar më së shumti vitet e fundit nga Shqipëria, ka qenë organizimi ushtarak, fortifikimet ushtarake dhe aksionet irredentiste. Kudo kemi parë rrezik nga aksioni italian si dhe atë “kufirin ofensiv” kundër të cilit luftuam para aleatëve në Paris, kur propozonin që Italisë t’i jepej mandat në Shqipëri. Këtu është me interes të theksohet se vetëm ne kemi protestuar dhe kemi luftuar kundër penetrimit italian në Shqipëri dhe në Ballkan. Lidhur me sa më sipër, asnjë vend tjetër i Ballkanit nuk na ka mbështetur. Dy fuqitë detare mesdhetare, Franca dhe Anglia, nuk reaguan kundër mbylljes së detit Adriatik. Madje, Osten Çemberleni, në takimin me Musolinin në Livorno në vitin 1926, dha pëlqim për Paktin e Tiranës. Të gjithë përfaqësuesit francezë në Tiranë vazhdimisht i kanë dhënë këshilla Mbretit Zog të mos vijë në konflikt me italianët. 

IX. PAKTI I MIQËSISË MIDIS ITALISË DHE JUGOSLLAVISË I DATËS 25 MARS 1937

Italia dhe Jugosllavia, duke ndjekur ndaj njëra-tjetrës politikë miqësore mund të merren vesh për Shqipërinë mbi këtë bazë: Italia ka interes jetik në Vlorë, kjo pjesë e bregdetit shqiptar nuk duhet të rrezikohet prej nesh; ne duhet ta kuptojmë këtë interes dhe duhet ta respektojmë. Interes jetik i Jugosllavisë është të mos jetë e rrezikuar në kufirin ndaj Serbisë jugore, as ndaj Kosovës (të banuar me shqiptarë), as ndaj Shkodrës dhe Malit të Zi. Kësaj pa dyshim i është kushtuar kujdes kur në protokollin sekret, me paktin e miqësisë është parashikuar të pezullohet fortifikimi i mëtejmë në zonat e Librazhdit dhe të Milotit. Sa i përket aksionit ekonomiko-financiar në Shqipëri, ne për këtë nuk kemi mundësi dhe as që dëshirojmë të investojmë ndonjë farë shume mjetesh. Me fjalë të tjera, italianët mbeten pa konkurrencë dhe pa kundërshti nga ana jonë, kuptohet me kusht që të mbeten në kufijtë e detyrimit sekret të dytë që e kanë marrë përsipër ndaj nesh para dy vitesh, që nënkupton se në aspektin politik, ekonomik apo financiar nuk do të kërkojnë kurrfarë përfitimi special që do ta komprometonte drejtpërsëdrejti apo tërthorazi pavarësinë e shtetit shqiptar. Në këtë mënyrë, midis nesh dhe Italisë, pakti i miqësisë i datës 25 mars 1937 krijoi një “modus vivendi” të përballueshëm në terrenin shqiptar, në të cilin dikur kemi pasur zënka dhe dyshime të ndërsjella. Është çështje tjetër nëse ky armëpushim në Shqipëri do të mundë t’u bënte ballë sfidave të ndonjë situate më të rëndë dhe më të ndërlikuar në Detin Mesdhe apo në Ballkan.

X. RUAJTJA APO NDRYSHIMI I STATUS KUO-SË

Pavarësia e Shqipërisë është zvogëluar, por nuk është asgjësuar – Pavarësia e një vendi ndaj botës së jashtme gjithmonë është një nocion relativ. Varësisht nga rrethanat, pavarësia mund të jetë më e plotë apo e zvogëluar. Sot mund të thuhet se politika e brendshme dhe e jashtme e Shqipërisë është e pavarur nga Italia. Në bashkësinë ndërkombëtare ajo konsiderohet si shtet i pavarur. Në pikëpamje juridike ndërkombëtare, bregdeti shqiptar nuk është i Italisë, por është nën sovranitetin e një shteti ballkanik. Italia ende nuk ka hyrë në Ballkan. Ajo e ka pjesën sovrane të territorit të Zarës, por kjo nuk i ofron asaj mundësi për zhvillim të mëtejmë. Italia ka ndikim mbi Shqipërinë, por nuk ka liri aksioni si në territorin e vet. Shqiptarët e kundërshtojnë penetrimin e saj, i shkaktojnë vështirësi, e ngadalësojnë.

“Ballkani popujve të Ballkanit” – Politikë tradicionale e Serbisë është “Ballkani popujve të Ballkanit”. Ky parim është përdorur dikur në luftën kundër Perandorisë Otomane dhe Monarkisë Austro-Hungareze. Jugosllavia e ka përdorur atë me sukses kundër dispozitave të Paktit të Londrës i cili Italinë e fuste në Dalmaci dhe në Shqipëri. Në zbatimin e këtij parimi ne gjithmonë kemi parë garancinë më të mirë për paqe në Ballkan, për bashkëpunim midis popujve të Ballkanit, për zhvillimin normal të popujve të Ballkanit. Prania e një fuqie të madhe në Ballkan u hap rrugë intrigave dhe luftërave.

Ekspansioni i Italisë – A është e mundur që Italia, duke u bërë zot sovran i Shqipërisë jugore dhe qendrore, të mbetet vetëm në atë rrip bregdetar të ngushtë? Ne nuk i kemi besuar kësaj para 20 vjetëve, kur Fuqitë e Mëdha ia kanë ofruar Italisë Vlorën me hinterlandin (prapavijën – Xh. Z.). Kur Italia sot, në politikën e jashtme të saj manifeston një dinamizëm dhe guxim të theksuar, e kemi shumë më rëndë t’i besojmë kësaj. 

Një precedent i rrezikshëm – Zotërimi i një pjese të territorit ballkanik nga një Fuqi e Madhe jashtë-ballkanike, pa kurrfarë baze etnike, për të gjithë popujt e Ballkanit, pra edhe për ne, paraqet një precedent të rrezikshëm. Me pretendime të ngjashme, nga drejtime të tjera,  mund të paraqiten edhe Fuqi të Mëdha të tjera. Për ne është i rrezikshëm rasti i Italisë në Shqipëri ngase me Paktin e Londrës, për herë të parë Shqipëria jugore iu njoh Italisë; po kësaj Italie iu njoh edhe Dalmacia veriore. Precedenca për gjallërimin e dispozitave të Paktit të Londrës në një sektor të Ballkanit, i hap dyert edhe për ringjalljen e dispozitave të tjera.

Ndarja e Shqipërisë – Me rastin e vlerësimit të krejt kësaj çështjeje duhet pasur parasysh faktin që në çdo mënyrë t’i shmangemi një konflikti me Italinë, qoftë të hapur, qoftë mbyllur. Po ashtu duhet t’i shmangemi edhe mundësisë që Italia vetë ta pushtojë tërë Shqipërinë duke na rrezikuar ne në zonat tejet të ndjeshme, kah Boka e Kotorit dhe kah Kosova. Duke marrë parasysh krejt këtë që u tha më lart, për ne ndarja e Shqipërisë do të mundë të vinte parasysh vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e pashmangshme të cilës nuk mund t’i kundërvihemi dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të përfitojmë aq sa është e mundur, d.m.th. prej dy të këqijave ta zgjedhim më të voglën.

Kompensimet tona – Këto kompensime ndodhen në materialin që është përpunuar para 20 vjetëve, kur shtrohej çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që kemi kërkuar atëherë është kufiri që do të shkonte me lumin e Matit dhe të Drinit të Zi dhe që do të na jepte neve sigurimin strategjik të Malit të Zi dhe të Kosovës. Po ashtu do të duhej patjetër t’i siguronim luginat e liqenit të Ohrit dhe ato të liqenit të Prespës, duke përfshirë Pogradecin dhe fshatrat sllave të Gollo Bërdos, si dhe ato midis Prespës dhe Korçës. Me këtë rast, marrja e Shkodrës do të kishte një rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte zbatimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ta ushqyer Malin e Zi. Shqipëria veriore në kuadër të Jugosllavisë do t’i mundësonte Serbisë veriore dhe jugore lidhje të reja qarkullimi me Adriatikun. Me ndarjen e Shqipërisë do të eliminohej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila në një situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Eventualisht, neve do të na shtoheshin edhe 2 – 300.000 shqiptarë, por shumica e tyre janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë kurrë s’kanë qenë të mira. Edhe çështja e shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë për në Turqi do të kryhej në rrethana të reja, për arsye se nuk do të kishte kurrfarë aksioni të fortë për parandalimin e saj. ////////////////// 

*   *   *

Ivo Andriqi (1892-1975) ka lindur në Travnik të BH-së. Ka vdekur në Beograd. Në Vjenë ndjek ligjërata nga historia, letërsia dhe filozofia. Kalon në Fakultetin Filozofik në Krakov të Polonisë. Më 1920 e fillon karrierën diplomatike. Më 1923 i vazhdon studimet në  Fakultetin Filozofik në Gracë. Më 1924 mbron në Gracë tezën e doktoratës “Zhvillimi i jetës shpirtërore në Bosnjë nën ndikimin e sundimit turk”. Me t’u kthyer në Beograd, punon në Sektorin politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ka punuar në konsullata në shumë vende të Evropës, si Marsejë, Paris, Madrid, Bruksel; në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë etj. Avancohet në zëvendësministër të Punëve të Jashtme. Ambasador në Berlin. Letrat kredenciale ia dorëzon kancelarit Adolf Hitler. Më 1941 lë Berlinin dhe kthehet në Beograd. I përshtatet regjimit komunist të Titos. Më 1946 bëhet kryetar i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Po atë vit bëhet anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Më 1954 bëhet anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Më 1957, në moshën 66-vjeçare lidh kurorë me vejushën Anica Babiq (1909-1968), e cila ka qenë grua e diplomatit Nenad Jovanoviq (1907-1957). Dashurinë e saj e ka pritur 30 vjet. Më 1961 merr çmimin “Nobel” për letërsi. Përkthehet në mbi tridhjetë gjuhë të botës. Gjatë periudhës së sipërthënë shkruan tregime, novela, romane. Vdes në Beograd më 1975.                

*   *   *

Shënim: Konti Galeako Qano (Galeazzo Ciano, 1903-1944) – ministër i Punëve të Jashtme i Italisë në qeverinë e Musolinit; anëtar i Këshillit të Madh Fashist (Gran consiglio fascismo); dhëndër i Benito Musolinit (Benito Mussolini, 1883-1945); në vitet 1937-1940, disa herë ka ardhur në  Shqipëri; u pushkatua më 11 qershor 1944; Musolini e miratoi ekzekutimin e dhëndrit të vet.  

Millan Stojadinoviq (Milna Stojadinović, 1888 – Buenos-Aires, 1961) – politikan serb, ekonomist, profesor universiteti; në vitet 1935-1939 kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë; gjatë Luftës II Botërore, u internua në territorin grek, më pas iu dorëzua anglezëve. Në vitin 1948 vendoset në Buenos-Aires; aty, kah fundi i viti 1954, me ish-kreun e Shtetit të Pavarur Kroat, Ante Paveliq (1889 – Madrid, 1959) lidh marrëveshje për shkatërrimin dhe ndarjen e Jugosllavisë komuniste; ka qenë anëtar i Partisë Popullore Radikale  të Nikolla Pashiqit.

Nikolla Pashiqi (1845-1926) – kryeministër shumëvjeçar i Mbretërisë së Serbisë dhe i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve; u shkollua në Universitetin e Beogradit dhe në Cyrih; me profesion ishte inxhinier; këtë profesion s’e ushtroi kurrë; tërë jetën u mor me punë politike; në thelbin e politikës së tij qëndron krijimi i Serbisë së Madhe; nuk është serb; është cincar apo vlleh i familjes Pasku; sipas studiuesve bullgarë, ai është bullgar; ndaj kundërshtarëve politikë që i kundërviheshin hegjemonisë serbomadhe, zbatonte metoda represive, i përndiqte dhe i eliminonte        

Prof. Xhelal Zejneli

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT