• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

SHQIPTARËT ME KËNGË E VALLE PARAKALUAN NË PARADËN E DITËS SË FALËNDERIMEVE NË PHILADELPHIA

November 20, 2023 by s p

Nga dr. Sadik Elshani

Fotot: Eva Dori, gazetare/

Tashmë ka shtatë vite që shoqatës sonë i është shtuar edhe një veprimtari e rëndësishme që zhvillohet në Philadelphia dhe përkon bukur me festimet tona të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit: Është pjesëmarrja jonë në paradën “Holmsburg – Mayfair Thanksgiving Parade”. Kjo paradë që nga viti 1976, viti i saj i themelimit, organizohet në Northeast Philadelphia (Filadelfia Verilindore) përgjatë Frankford Avenue, një rrugë e gjërë në këtë lagje, e përshtatshme për veprimtari të tilla. Në këtë paradë parakalojnë grupe të ndryshme: politikanë vendorë e në nivel të qytetit e shtetit, organizata, shoqata, biznese vendore, grupe artistike, banda muzikore shkollore, etj. Këtë vit parada u zhvillua ditën e diel, më 19 nentor, një ditë e ngrohtë e me diell, kohë mjaft e përshtatshme për marshim. Moti i mirë na siguroi edhe një pjesëmarrje masive me plot entuziazëm e paraqitje dinjitoze të komunitetit tonë. Numri i pjesëmarrësve të grupit tonë, nxënësve të shkollës shqipe, prindërve, anëtarëve të shoqatës e pjesëtarëve të komunitetit ishte i lakmueshëm. Ne gjithmonë e presim me padurim e me shumë entuziazëm pjesëmarrjen tonë në këtë Paradë. Siç duket po në të njejtën mënyrë e presin edhe banorët e kësaj zone: të dyja anët e rrugës nëpër të cilën zhvillohej Parada ishin mbushur me plot qytetarë të hareshëm, të cilët me fytyra të qeshura i përshëndesnin të gjithë pjesëmarrësit, vallëzonin nën ritmin e këngëve dhe valleve të grupeve, bandave muzikore pjesëmarrëse. Sidomos i pëlqejnë ritmet dhe dinamizmin e këngëve e valleve tona nga të gjitha trojet shqiptare. Tani siç duket ata janë familjarizuar mirë me paraqiotjet tona dhe e dinë çka të presin nga ne. 

Parakalimin tonë gjithmonë e shoqërojnë këngët dhe vallet tona: këngët patriotike që këndohen për nder të 28 Nëntorit, si dhe këngët: “Xhamadani vija – vija”, “Mora fjalë”, “Kuq e zi”, etj. Grupit tonë  i printë një makinë e kuqe si ngjyrat e flamurit tonë, e drejtuar nga Edi Papaj, ku ishte vendosur edhe qendra e zërit. Kjo paradë për ne është një rast i mirë për t’u paraqitur para qytetarëve të Philadelphias, veshjet (kostumet) tona shumëngjyrëshe kombëtare nga të gjuitha trojet tona etnike, muzikën dhe vlerat tona kombëtare, për ta bërë të njohur shoqatën dhe bashkësinë (komunitetin) tonë që tani është bërë një pjesë e organizuar e jetës së qytetit të Philadelphias. Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, që drejtohet nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, ishin veshur me veshjet e bukura kombëtare dhe së bashku me prindërit e bashkëkombasit e shumtë marshonin të shoqëruar nga këngët e vallet shqiptare, ku mbizotëronin ato me motive atdhetare, duke filluar nga Himni ynë Kombëtar që gjithmonë i prinë marshimit të grupit tonë. Gati të gjithë pjesëtarët e grupit tonë mbanin në duar dhe valvisnin flamujt kuqezi dhe ata amerikanë. Kënga dhe vallja shqiptare jehonte në të katër anët e kësaj pjese të qytetit, përcjellësit e shumtë të kësaj parade i pëlqenin shumë kostumet tona me ngjyra vezëlluese e të stolisura e të dizejnuara me plot shije. Ndërsa shumë prej tyre me gjeste me duar e me lëvizje trupore u bashkoheshin ritmeve plot dinamizëm të muzikës sonë. Në pikën e fundit ku mbaronte parada të gjitha grupet shfaqnin një program treminutësh, ndërsa grupi yne vallëzonte nën ritmin e valleve tona popullore, mjaft dinamike e ritmike. Konferencierët (paraqitësit) bën edhe një paraqitje të shkurtër për shoqatën tone dhe misionin e saj. Paraqitja jonë edhe këtë vit, si edhe viteve të tjera, ishte mjaft dinjitoze dhe e organizuar mirë dhe të gjithe mezi që po presim për paradën e ardhshme, sidomos fëmijët, për të cilët kjo duhet të jetë një përvojë e mirë jetësore dhe atdhedashuri, krenarie kombëtare. 

Për këtë organizim të mirë meritat i takojnë kryesisë së shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe mësuseve tona të përkushtuara: Rajmonda Bardhi, Irini Zenelaj, Rudina Bani, Afërdita Muzhaqi dhe Mimoza Sotiri, të cilat së bashku me prindërit ishin kujdesur që fëmijët të dukeshin sa më bukur në veshjet tona kombëtare. Këtu duhet vlerësuar edhe puna e gazetares, Eva Dori, e cila me plot profesionalizëm e përkushtim ka bërë shumë fotografi e inçizime gjatë tërë rrugëtimit të kësaj parade. Ditën e diel ne i zhvillojmë mësimet në shkollën tonë shqipe, por pjesëmarrja e nxënësve në këtë paradë ishte një mësim i mirë atdhedashurie, historie, krenarie kombëtare. Jo çdo gjë e vlerë mësohet vetëm nga librat, por edhe nga përvoja jetësore, shembulli i njerëzvë që punojnë, sakrifikojnë për të mirën e kombit e atdheut.

Philadelphia, më 19 nëntor, 2023

Sadik Elshani është ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: Fejton

PËRUROHEN PUNIMET NË KISHËN E KUVENDIT TË ARBËRIT  NË AFËRSI TË LEZHËS

November 20, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Sipas nismëtarit të këtij projekti të madh por edhe shumë të tjerave në ato anë, Dom Nikë Ukgjinit dhe bazuar në informacion nga rrjetët sociale, të shtunën me 18 Nëntor, 2023 në Mërci të Lezhës u zhvillua ceremonia e përurimit të punimeve në Kishën e Kuvendit të Arbërit. Ky Kuvend Kishtar Arbëror është mbajtur aty me 14 e 15 Janar, 1703, i organizuar me porosinë nga Papa shqiptar, Klementi i XI – Albani.  Frank Shkreli: Papa Klementi  i XI me origjinë shqiptare – mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve | Gazeta Telegraf

Nën përkujdesjen e të palodhoshmit Dom Nikë Ukgjinit, të shtunën u zhvillua ceremonia e përurimit të punimeve përfundimtare — në Kishën e Shën Gjonit ku 320-vite më parë është mbajtur Kuvendi Arbërit në Mërci të Lezhës — punime të cilat kanë filluar kohë më parë për rehabilitimin e kësaj kishe historike – me vlera të mëdha fetare e kombëtare për të gjithë shqiptarët pa dallim – të rëndësishme për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe ruajtje së gjuhës shqipe.  Frank Shkreli: Kanë filluar punimet për rehabilitimin e Kishës së Kuvendit të Arbërit afër Lezhës | Gazeta Telegraf

Përurimi i punimeve të shtunën që kaloi në Kishën e Shën Gjonit – Kishën e Kuvendit të Arbërit, është një tjetër projekt i përfunduar në rrethin e Lezhës, nën përkujdesjen e Dom Nikë Ukgjinit,  Në ceremoninë e përurimit morën pjesë personalitete kishtare dhe vendore nga Shqipëria, Kosova por edhe nga vende të largëta si Dalmacia, Kroacia, Bosnja e Mali i Zi.  Nga trojet shqiptare dalloheshin, ndër pjesëmarrsit në këtë aktivitet, Arkipeshkvi i Shkodrës, Angjelo Massafra, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, Ipeshkvi i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj, Ipeshkvi i Lezhës, Ottavio Vitale, si dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, klerikë, intelektualë e historianë nga Shqipëria e Kosova. Pjesëmarrësit që folën me këtë rast, me të drejtë, vlerësuan lartë punën dhe mundin e Dom Nikë Ukgjinit, jo vetëm për realizimin e këtij projekti, por edhe shumë të tjerëve, në përpjekjet e tija të vazhdueshme për të ruajtur dhe mbrojtur atë trashëgimi qindra-vjeçare fetaro-kombëtare, që ende mund të shpëtohet nga shkatërrimi prej njerëzve dhe prej natyre.

Realizimi i këtij projekti – përurimi i punimeve të shtunën i këtij monumenti të rëndësishëm për identitetin, gjuhën dhe klutuurën shqiptare – është meritë e Dom Nikë Ukgjinit me disa bahkpuntorë të tij të ngushtë e që kanë vazhduar t’a mbështesin me mundësitë e tyre, në ringritjen e këtyre objekteve kulturoro-fetare në atë zonë – të cilat janë dëshmi e gjallë e vazhdimsisë së identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve në ato anë, prej shekujsh.  Objekte këto, të cilat, ishin lenë pas dore nga ish-regjimi komunist – bazuar në ideolgjinë e tij anti-fetare dhe anti-kombëtare — por edhe nga qeveritë post-komuniste të 30-viteve të fundit, objekte të harruara dhe lenë në mëshirë të fatit – një praktikë kjo anti-kombëtare që vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe që po kontribon në zhdukjen e trashëgimisë kulturore të mbi-dheshme dhe nën-dheshme, si dhe identitetit historic kombëtar të shqiptarëve në ato anë.  Por falënderës Zotit për shqiptarë të mirë e të palodhun, patriotë si Dom Nikë Ukgjini me bashkpuntorët e tij, i cili po mundohet të shpëtoj atë që mund të shpëtohet me mjetet e tyre të kufizuara materiale e financiare për rehabilitimin dhe ruajtjen e këtyre vendeve të shënjta, me rëndësi për historinë e asaj zone dhe mbarë trojeve shqiptare në Ballkanin Përendimor. Duhet t’i jemi mirënjohës Dom Nikës dhe të gjithë atyre mbështetsve të tij, si Gjergj Liqejza, Viktor Jushi e të tjerë, që sipas të dhënave, i janë bashkuar Dom Nikës në këtë mision të shënjtë me vlerë historike, fetare e kombëtare.

Pak të dhëna për të venë në njëfarë perspektivë historike rëndësinë që kishte në atë kohë mbajtja e Kuvendit të Arbërit dhe për rëndësinë e trashëgimisë identitare fetare dhe kombëtare që ka ose që duhet të ketë sot për të gjithë shqiptarët pa dallim.  Në një artikull botuar nga Radio Vatikani me 14 Janar, 2019 flitet për kushtet dhe rrethanat shumë të vështira nën të cilat është mbledhur Kuvendi apo Koncili i Kishës Katolike i trojeve shqiptare në atë kohë – përball sfidave dhe problemeve të mëdha që perandoria osmane kishte imponuar mbi jetën dhe veprimtarinë e Kishës Katolike shqiptare, 320-vjetë më parë. Kuvendi Kishtar i Arbërit u mor me të gjitha ato probleme të rënda që përjetonte çdo ditë fisi i shqiptarit, e sidomos përballimi me rrezikun e humbjes së identitetit kombëtar dhe zhdukjen e gjuhës shqipe dhe të drejtave fetare.   Kuvendi kishtar i Arbërit dhe mbrojtja e identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve – Vatican News   

Si rrjedhim, përveç gjendjes së mjeruar fetare në viset e Arbërisë, Kuvendi Kishtar i Arbërit i vitit 1703, ka shqyrtuar, ndër të tjera, sipas atij artikulli, kufizimet e rënda të imponuara nga okupimi Osman mbi shqiptarët e që kërcënonin seriozisht identitetin kombëtar dhe fetar të shqiptarëve – dy çeshjte këto me rëndësi e që u mbrojtën si jetike për mbijetesën e shqiptarëve si Komb me identitetin e tij të veçant kombëtar e fetar. I një rëndësie të veçantë historike, sipas historianëve dhe gjuhëtarëve, është botimi në gjuhën shqpe i punimeve të Kuvendit të Arbërit – që konsiderohet si i pari botim shqip, të pakën deri tani i akteve kishtare sinodale në gjuhën shqipe nga një takim i atij niveli të lartë, 320-vjet më parë, sipas artikullit në fjalë.   

Shkrimtari e studiuesi Tonin Çobani në një vlersim të librit të shkrimtarit e historianit të ndjerë nga Kosova, Engjell Sedaj: “Papa shqiptar Klementi XI-Albani & Kuvendi i Arbënit”, botuar më 1998 nga Ndërmarrja botuese “Gjon Buzuku”, citon autorin Sedajn të ketë shkruar në librin e tij se Kuvendi i Arbërit është një “Kujtesë e dokumentuar dhe e pashlyeshme e historisë së popullit shqiptar në dimensionet më të gjëra të jetës së tij.” 

Urime Dom Nikë Ukgjinit dhe të gjithë atyre që e mbështetën atë në këtë përpjekje të suksesshme — që me mund e mbështetje të mëdha financiare, fizike e mendore, më në fund ia dolën:  që me ceremoninë e përurimit të punimeve në Kishën e Kuvendit të Arbërit, të shtunën që kaloi, Dom Nika me bashkpuntorët e vet, përjetësuan këtë, “Kujtesë të dokumentuar dhe të pashlyeshme të historisë së popullit shqiptar në dimensionet më të gjëra të jetës së tij”, duke e kthyer këtë Monument të historisë së Kombit shqiptar – Kishën e Kuvendit të Arbërit — në identitetin e saj origjinal, duke ndriçuar kështu sadopak errësirën shekullore të historisë së kaluar të Kombit shqiptar, jo vetëm për brezat e tanishëm dhe të ardhëshm të shqiptarëve, por edhe për të huajt.

Frank Shkreli

No photo description available.

Dom Nikë Ukgjini nismëtari dhe organizator i rinovimit dhe punimeve në Kishën  historike katolike të Shën Gjonit afër Lezhës ku është mbajtur Kuvendi i Arbërit (320-vjetë më parë – Janar 1703) nën përkujdesjen e Papës me origjinë shqiptare, Klementit të XI-Albani 

                             “Populli em u ba rob, se nuk pat dien” –

Shtatorja e Papa Klementit XI – Albani, me origjinë shqiptare, nën përkujdesjen e të cilit është mbajtur Kuvendi i Arbërit — Janar 1703 — Kisha e Shën Gjonit në Mërqi të Lezhës 

Filed Under: Kronike

NË TIRANË U PROMOVUAN LIBRI “BOTA SHQIPTARE” I SKËNDER ASANIT 

November 20, 2023 by s p

Shkup, 20 nëntor 2023 – Të dielen në Tiranë, në kuadër të “Panairit të librit 2023”, në stendën e shtëpisë botuese “Toena”u promovua libri “Bota shqiptare (e veçanta dhe universalja)” i autorit Skender Asani. Ky promovim u ndoq nga një numër i konsiderueshëm i lexuesve që ishin  edhe vizitorë të panairit të sivjemë të librit në Tiranë.
Fatmir Toçi, në cilësinë e organizatorit dhe moderatorit të këtij promovimi vuri në dukje rëndësinë e këtij libri si dhe seriozitetin e autorit Skender Asani për t’iu rrekur temave të rëndësishme, të cilat jo vetëm që janë aktuale, por ato janë edhe problemore për nga mënyra se si e i ka shtjelluar autori.
Duke folur për librin, autori Skender Asani, u shpreh se ai një kohë të gjatë është marrur me çështjet që kërkojnë një përgjigje, siç është edhe bota shqiptare, e cila në kushtet dhe rrethanat aktuale, ajo por shkon duke u deatomizuar deh nuk mund të flitet më për një botë shqiptare kompakte, në aspektin territorial e socio-kulturor.
“Në këtë kontekst turbulencash demogtrafike, hapësira shqiptare në Ballkan jo vetëm që nuk mund të jetë imune ndaj pasojave që jell shpopullimi, por ajo do të përballet me probleme të tjera, ndoshta edhe më të rënda, nëse bota shqiptare nuk arrin të konfigurohet ndryshe nga ajo që është tani. Procesi i shpopullimit të vendeve tona ka krijuar një hartë të re globale të diperzimit etnik, ku tani kemi shumë shumë Shqipëri të shpërndara në çdo cep të botës dhe ky paraqet një moment të ri për të gjithë ata individë, subjekte e intitucione që në një farë mënyre merren me studimin dhe menaxhimin e botës shqiptare, në tërësinë e saj, por tani në një kontekt më të gjerë global. Ashti siç veproi Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Tereze, ecila erdhi nga perdiferia dhe e globalizoi humanzmin në  gjithë botën, edhe shqiptarët duhet të ndjekin këtë kauzë, duke bartur me vete specifikat etno-kulturore në një shtrat më të gjerë integrimesh në vendet ku ata punojnë dhe jetojnë”, tha autori i librit Skender Asani.

Për librin  “Bota shqiptare (e veçanta dhe universalja)”, foli edhe profesori universitar dhe ambasadori i ardhshëm i Maqedonisë në Gjermani, Ylber Sela, i cili tha se ky libër ngërthen brenda vetes një çështje vërtet të madhe, siç është bota shqiptare e cila vuan nga sprovat dhe paradokset historike e politike. Të gjitha këto situata të ndërlikuara, nënvizoi Sela, autori i trajton në mënyrë induktive dhe deduktive, domethënë duke e parë këtë botë si një pjesë të veçantë brenda tërësisë së përgjithshme, përkatësisht shqiptarët në kontekstin ballkanik, europian dhe në atë botëror.

“Në fakt ky libër është një vrojtim historik dhe politik i çështjes shqiptare. Dhe pikërisht si i tillë na çon në thellësi të saj, duke zbuluar e shpërfaqur shkaqet dhe arsyet e ngjarjeve të ndryshme, por edhe duke ofruar zgjidhje vizionare për veprim të drejtë e legjitim. Krahas ngjarjeve dhe proceseve që kanë ndodhur në kohë dhe në hapësirë, autori njëkohësisht merret edhe me personalitetet shqiptare si Skënderbeu, Nënë Tereza, Hasan Prishtina, Gjerasim Qiriazi, Parashqevi Qiriazi etj., të cilët janë bartës të idesë dhe të kauzës kombëtare në kuptimin etnik dhe kulturor. Në këtë kontekst, mund të vërehet se një vëmendje të veçantë ia kushton edhe Shkupit si njëra nga qendrat e rëndësishme të shqiptarëve gjatë historisë, ku janë zhvilluar shumë ngjarje, procese, vendime, lëvizje, kryengritje etj. Ky qytet nuk është thjesht vetëm një topos i nostalgjisë dhe i krenarisë historike, por sigurisht edhe një vizion aktual ku zhvillohen shumë aktivitete e nisma në interes të kauzës kombëtare. Pra, zëri intelektual i Skënder Asanit dëgjohet pikërisht nga Shkupi si induksion gjeografik dhe politik, për të shkruar drejt një deduksioni kombëtar dhe ndërkombëtar”, vuri në dukje Prof. dr. Ylber Sela.
Redaktori dhe botuesi i librit “Bota shqiptare (e veçanta dhe universalja)”, Emin Azemi, pasi vlerësoi se i studiuesit dhe historianit Skender Asani përfaqëson mendimin e artikuluar intelektual e shkencor mbi disa trajta të formimit dhe zhvillimit të botës shqiptare përballë proceseve që kanë ndodhur në një të kaluar jo shumë të largët, por edhe në përmasën aktuale, tha se me këtë libër, autori determinon nevojën e rishikimit të raporteve në mes të njerëzve dhe vendeve, por mbi disa premisa krejtësisht humane e bashkëpunuese.
“I ardhur nga bota shkencore e historisë politike, Skender Asani është një detektues preciz i proceseve, duke e shikuar të ardhmen në bazë të një empirizmi retrospektiv, por edhe të një deshifrimi të dritëhijeve nëpër të cilat po kalon aktualiteti dhe ngjarjet që e bëjnë këtë aktualitet të jetë fluid dhe here-herë i vendosur para sfidave të shumta vendore e rajonale, diplomatike e gjeopolitike.  Nga libri i Skender Asanit kuptojmë se Bota shqiptare nuk është hegjemoni e ndërtuar mbi elaborate për të pushtuar toka dhe popuj të tjerë. Bota shqiptare, sipas autorit, është integrim vlerash e idesh kulturore e shpirtëror mbi parimet e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës me kulturat dhe etnitë tjera. Libri “Bota shqiptare (e veçanta dhe universalja)” i Skender Asanit është një ofertë idesh e pikëpamjesh për të gjithë ata që iu mungon atdheu, për të gjithë ata që me vete kanë bartur një copë dhe nga vendlindja dhe në të kanë mbjellë lule kujtimi. Ky është një kapërcim kontinental mbi hartat e ngushta etnike, duke ofruar një vizion më pragmatik për të ardhmen e gjeneratave të reja, në kushtet kur ata ndodhen larg frymës dhe ndikimit kombëtar të vendlindjes”, nënvizoi Emin AZEMI.
E veçanta e këtij promovimi ishte pjesëmarrja e Rozi Dako, stërmbesa e Sevasti Qiriazit, e cila kishte ardhur enkas nga Torinoja e Italisë për të shprehur respektin dhe konsoderatat ndaj autorit të këtij libri dhe studiuesit Skender Asani. Ajo e konsideroi tepër të rëndësishëm botimin  e këtij libri dhe vuri në dukje se Skender Asani me sukses  të jashtëzakoshëm po bëhet një promotor ideve dhe kauzave sublime kombëtare. Për të nderuar punën që po bën Asani dhe ITSHKSH, ajo do të merr pjesë në pumimet e manifestimit “Ditët e Alfabetit”, duke sjellur edhe një sihariq në përmbyllje të këtij manifestimi.

Filed Under: Emigracion

XXVIII NËNTOR

November 20, 2023 by s p

Dërgoi për botim: Eugjen Merlika/

Shqiptarët shikuan Europën t’i njihte një nga një në Shtete më vehte popujt e siujdhesës Ballkane, e sicilin prej syresh të rëndojë mbi Shqipëriën, nisën të mendohen thellë dhe përnjimênd për shka i tirej Atdheut të Gjergj Kastriotit. U bindën atbotë se tepër fort qênkshin rrêjtur një palë shqiptarësh që rrëke rrëke e patën derdhur gjakun e kulluar të vetin për lirin e Greqiës ; e u bindën edhe se Tyrqia as deshte me vërtet e as kish se qysh me e pritë mynxyrën që me vrap po turrej kaha lagjet e Dheut t’onë. Duheshin masa të rrepta për me e ndalë rrebeshin. Europa qe mbledhur në Kuvênd në Berlin e, me një çinizmë të padëgjuar, pat dekretue të çkëputeshin nga kurm’i Mëmëdheës e t’i u epshin Shtetevet të rinj të Ballkanit ngasra të tëra fjeshtë shqiptare. Shqiptarët u çuan e ngritën krye forra kundër paudhësiës europjane, tuj lidhë Besë. Qênë burra me fletë, i u paçim faën, të Parët tanë t’asokohe. Nga lëvizja e tyre lindi Lidhja e Prizrenit, të tre vjetët punim të gjallë kombëtar të së cilës kanë me pushtue faqen më të bukur të historiës së Përlindjes Shqiptare. Por athue se fuqia e e drejta shqiptare do t’a çvulosnin dot çka së bashku kishin vulosur në Kuvênd të Berlinit përfaqësonjësit e Europës, t’asaj Europe q’ishte Kali me krahë i të trië Perandorivet oligarqike  që patën bërë më të madhin kob kundër qytetërimit, copëtimin ndërmjet të Polloniës ? Jo ! Europa i a shtrëngoi kështu rripat, i a ckërmiti dhëmbët Stambollit pse s’i shtrëngonte Shqiptarët t’i falshin Malit të Zi e kundër qëndresës të papërkulëshme e kreshnike të këtyre të fundit s’u turpërua të dërgojë anijet e saj n’ujërat e Ulqinit e të Tivarit ! 

Le t’i a lemë tani pakëzë fjalën Poetit q’e këndon me melankonië të trishtimtë por me kryelartësië shqiptari atë ndodhië të zezë :

Po n’a thonë se Malit t’Zi

Pjeterburgu i’a dha fjalën

Me hi mbrenda në Shqyptarí

Turbull Drini kû rreh valën ;

E veç m’kâmbë ushtrín ka çue

Ke Cetina Knjaz Nikolla

Malet t’ona me i pushtue

Kû i bân nâna djelmt sokola.

Shqiptarët i dhanë asisoj lëvizjes së tyre karakter ndërkombëtar e brênda e jashtë Shqipëriës i a filluan punës, ashtu sikundër s’kishin bërë pa ngjarë lufta ruse – tyrke. E pemët e veprimit tyre u dukën kur – tek  kazani po ziente në Ballkan, që më vonë do të pëlciste me luftën ballkane – tyrke e Shtetet ballkanas, të lidhur ndërmjet sa për të coptuar Shqipëriën, e cila i a pati krreur me pushkë  Qeveriës së Stambollit njoftimin e të 14 pikavet të njohura – Austro-Hungaria me Italiën i u duall zot të drejtavet të Kombit shqiptar në Kuvêndin e Londrës (1912-13) dhe prej Kuvêndit krryen ndërtimin e një Shteti shqiptar. 

Më 28 Nëntor 1912 shqiptarët, të mbledhur në Vlorë nën kryesië t’Ismail Qemal Beut, ngrinin Flamurin kombëtar e ay shênj i shenjtë që për katërqint e ca vjet e kish shkretuar Vêndin me çdukjen e tija, dijl prap në shesht e, madhështor si qëmoti, fillonte me u tunt n’erë nëpër qytetet, katundet, fushat, malet e kodrat e Arbëriës jetike, tuj përhapë e tuj shtië gazin e shpresën nëpër gjindjet shqiptare. Qe mbushur një mrekullië e historiës. Europa më së fundi bënte, pas aqë kohe, vepër qytetnore.

Por atë çikëzë diell që shkrepi të ngrohë dhe të shkëlzejë lagjet e Shqipëriës, e zuri përnjëherësh reja. Të zeza ditë ka shkuar Vênd’i ynë që kur , pa e gëzuar dot mirë djellin e liriës, nisi të mos i vejë buza më gas. Sido na vate filli, prap flamuri valoi, po valon e do të valojë në Shqipërië. 

Dita e 28 Nëntorit âsht e para dit’e Përlindjes s’onë dhe ndër festat t’ona kombëtare âsht pra m’e shënuara. E tillë do të jetë sa të rrojë fara shqiptare.

Ne e pritëm, edhe sivjet, këtë ditë të shënuar, me atë brohorië dhe me atë dalldië që fuqia e shpirtit t’onë âsht e zonja të ndjenjë, të mbajtur gjithënjë, nga shpresa e nga besa, që janë për ne hyll’i karvanit se nuk do t’i mungojnë Atdheut ditë të bardha. Rroftë Shqipëria ! 

KUVȆNDI Romë, e Enjte, 28 nëntor 1918                       SOTIR  GJIKA    

Filed Under: Analiza

MËSIMI SHQIP NË ABRUZZO, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE  TË ITALISË

November 20, 2023 by s p

Silvana Muço Dogani, mësuese e shkollës shqipe në Orsogna, Abruzzo e Pescara në Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Orsogna, Abruzzo e Pescara në Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Silvana Muço Dogani bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË ORSOGNA, ABRUZZO E PESCARA NË ITALI

Shkollën e parë e kam hapur në vitin 1999 në Orsogna (Abruzzo Itali), ku jetoj edhe sot, nëse nuk gaboj rezulton shkolla e parë shqipe e hapur në Itali. Motivi i cili më shtyu të marrë këtë iniciativë ka qenë eksperienca personale, e cila  më ka përballur shumë herë me gjyshër apo dhe familjar që  kur vinin për vizitë nga Shqiperia kishin vështirësi në komunikimin me nipërit, pasi këta të fundit nuk flisnin shqip. Ky fenomen sidomos në vitet e para të emigracionit  ku përveç vështirësive materiale dhe ekonomike  u përballëm  me opinionin negativ që kishin për shqiptarët në ato kohë i cili na rrënonte psikologjikisht, aq sa  iu përkushtuam më shumë përpjekjes për integrim dhe përmirësim imazhi, duke i dhënë përparësi mësimit të gjuhës së vendit pritës pa e kuptuar se po braktisim gjuhën e tonë amtare. Duke studiuar historinë e emigracionit të mëparshëm italian, frymëzimin tim të parë e pata nga shembulli i tyre, pasi  u ndeshën vetë me të njëjtin problem, ata kishin hapur shkolla italiane në vendet pritëse përkatëse. Ky shembull më mbeti gjatë në mendje dhe më rikthehej gjithnjë e më i gjallë, sa herë, me keqardhje të madhe, gjendesha përballë situatave në të cilat ishte mjaft e dukshme humbja e traditës sonë gjuhësore dhe bashkë me të edhe ajo kulturore, pra po humbisnin “rrënjët tona”. Si ish-mësuese në Shqipëri, mora guximin dhe hodha hapat e parë, duke iu drejtuar administratës lokale, veçanërisht kryetarit të bashkisë së Orsogna-s në atë kohë, Fabrizio Montepara. Nuk e mohoj që shpresat e vendosura në suksesin e projektit ishin minimale, por çuditërisht, ndryshe nga sa prisja, mora mbështetje të menjëhershme konkrete. Kështu nisi ky rrugëtim i gjatë i mbrojtjes dhe promovimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Falë punës sime si ndërmjetëse kulturore ( të kryer në bashki të ndryshme të zonës) e cila më mundësoi të njoh komunitetet e huaja dhe vështirësitë e tyre (veçanërisht atë shqiptare që është shumë e pranishme në territorin tonë), kam hasur në të njëjtat vështirësi dhe nevoja në territore të tjera fqinjë dhe kështu vendosa, jo pa vështirësi, të eksportoj shembullin e shkollës shqipe të Orsogna-s në komunat e tjera të Abruzzo-s. Kështu u hap shkolla në Tollo në vitin 2004, e ndjekur  nga ajo e Ortonës sërish në provincën e Chietit në 2021, derisa mbërriti në provincën e Pescara-s në vitin 2022 me shkollën e parë në qytetin e Pescara-s. Në vitet e mëparshme kisha pasur disa kërkesa dhe interesa nga prindërit me banim në këtë krahinë, por largësia dhe vështirësitë logjistike e kanë vonuar këtë hapje. Megjithatë, kërkesat e prindërve gradualisht u bënë më të shpeshta jo vetëm tek unë, por edhe tek institucionet shqiptare si ASCAP e  Qendra e botimeve për diasporën, të cilat më raportuan këto kërkesa tek unë. Ndaj vendosa të ndërmarr këtë sfidë të re, edhe më kërkuese. Me pamaturinë e zakonshme që më dallon, dhe kësaj radhe pa shpresuar shumë për realizimin aktual, i bëra thirrjet e para dhe fatmirësisht edhe kësaj radhe me habiti dhe më dha kënaqësi të pamasë që mora përkrahje të fuqishme si nga administrata komunale ashtu edhe nga kolegët, mësuesit e italishtes dhe shqipes, duke arritur të finalizojë këtë objektiv.

KURRIKULA MËSIMORE DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDERIT E KOMUNITETIN SHQIPTAR

TEMA : Të mësojë regullat, të tregojë përgjegjësi, në realizimin e tyre në mjedise të ndryshme. Objektivat:  Në përfundim të orës mësimore nxënësi do të jetë në gjendje. Të shpjegojë me fjalët e veta kuptimin e konceptit rregull, duke përdorur burime të ndryshme informacioni. Të përpilojë rregullat për mjedise të ndryshme duke u bazuar në kërkesat e veçanta të këtyre mjediseve. Të diskutojë për rëndësinë e rregullave, me anë të argumentave dhe shembujve që mbështesin qëndrimin e tij. Mjetet:  Fletore, laps, stilolaps, kompjuter. Në përfundim të çdo ore mësimore vijnë prindërit për të marë fëmijët dhe u shpjegojmë atyre  ecurinë e tyre dhe  detyrat që duhet të kryejnë në shtëpi (detyrat e shtëpisë janë të thjeshta ) për faktin se janë  të zënë me shkollën publike. Prindërit në zonën tonë janë prezent në çdo aktivitet që krijojmë për integrimin, e për të çuar përpara traditat e kulturën tonë e cila ka ngjallur interesin e vendasve këtu.

SI REAGON SHOQERIA ITALIANE DHE SI PRITET MËSIMI SHQIP

Në shkollat tona pothuajse gjysma e nxënësve janë nga Kosova e Maqedonia e Veriut shumë fëmijë të cilët janë më të përkushtuar se të tjerët, përveç tyre ne kemi një grup të moshës 60-70 vjeç, komunitet arbëresh që quhet “VILLA BADESSA” ku para disa muajsh erdhi dhe Presidenti i Shqipërisë Shkëlqesia e tij Z.BAJRAM  BEGAJ. Përsa i përket organeve shtetërore ne jemi të përkrahur në çdo aspekt, kjo falë dhe integrimit tonë, këtu kemi krijuar një marrëdhënie të ndërsjelltë respekti dhe një përshtypje të mirë dhe është kënaqësi të dëgjosh se komuniteti shqiptar është më i integruar se të tjerët. Kemi krijuar një rrjetë komunikimi me  gjithë shoqatat shqiptare në Itali e jo vetëm, kjo falë dhe SH.GJ.SH – Lidhja –Shkollat e Gjuhës Shqipe në Itali, ku hera-herës on-line ose fizikisht takohemi e shkëmbejmë mendime, metodat e mësimdhënies etj…

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GHUHËSI

Kompiuteri është për ne një mjet i cili  na ndihmon në shpjegim duke vendosur dhe me figura për fëmijët me dy gjuhësi. I kemi ndarë në 3 grupe nxënësit sipas njohurive që kanë, duke krijuar nivelin bazë/mesatar dhe të përparuar.  Problemi ynë madhor është se kemi shumë fëmijë e pak mësues profesionist, kam bërë kërkesë në  media sociale, shpresojmë të na vijnë në ndihmë kush mundet.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Dëshira për të mësuar gjuhën shqipe ka lindur nga prindërit,  fillesat kanë hasur pak probleme sepse siç e kam parashtruar në vitin 1999 ishin akoma vitet e para ku dhe vet shqiptarët nuk ishin integruar siç duhet, e ishte një gjë  jo me shumë interes, pak nga pak u ndërgjegjësuan dhe kërkuan që fëmijët e tyre të mësonin gjuhën amë, ka patur fëmijë që nuk kanë dashur të vijnë në fillim, ju thosha prindërve mos i detyroni nese nuk duan, do vijnë vetë kur ta mendojnë se është momenti, dhe kur kanë ardhur për të parë nga kurioziteti kanë qenë po ata fëmijë që nuk mungojnë në asnjë orë mësimore, dhe kjo ka qenë “sfida” e cila u fitua tashmë ata kërkojnë vetë të vijnë.

KUSH ËSHTË MËSUESE  SILVANA MUÇO DOGANI?

Jam lindur e rritur në Vlorë. Studimet i kam filluar në këtë qytet ku jam diplomuar në Pedagogji e më pas ne universitetin e Perugies në Itali për gjuhën italiane, në vazhdim me kurset e specializimit si Ndërmjetese Gjuhësore Kulturore (Mediatore linguistico-culturale). Falë këtyre titujve të studimeve kam filluar punë që prej janarit të vitit 2004 e deri sot në zyrën e emigracionit të qarkut të Chietit (Itali) ku përmblidhen 10 bashki.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT