• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

Brengat e Ismail beut

November 15, 2023 by s p

Ilir Ikonomi/

Kur studioja rrugëtimin e Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë në Vlorë, hasa në një intervistë thuajse të panjohur të tij, e cila më ndihmoi të kuptoja se në çfarë rrethanash të paimagjinueshme lindi ajo pavarësi dhe sa e brishtë ishte.

Viset shqiptare ndodheshin në mëshirë të fatit. Vlora e bllokuar nga deti kërcënohej nga uria. Qeveria e përkohshme kishte një hapësirë të kufizuar veprimi dhe nuk dihej sa mund të zgjaste.

Ismail bej Vlora e dha intervistën në Romë më 1 prill 1913, katër muaj pas shpalljes së pavarësisë. Më në fund, ai kishte arritur të dilte nga Vlora e bllokuar prej anijeve greke dhe të vizitonte kryeqytetet e Evropës.

Siç e thotë edhe vetë, atij i ishte dukur sikur kishte dalë nga një burg i vërtetë, i tillë ishte ankthi që kishte shkaktuar bllokada. Kishte mundur të largohej me jahtin e një francezi, i cili donte të bëhej princ i Shqipërisë.

Periudha për të cilën flasim ka qenë ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë: Kosova ishte pushtuar, serbët kishin ardhur deri në Durrës, Shkodra ishte e rrethuar nga Mali i Zi, ndërsa grekët, përveçse kishin bllokuar bregdetin jugor, kishin përparuar deri në Tepelenë. Në këtë situatë tragjike, ambasadorët e Fuqive të Mëdha debatonin në Londër për të përcaktuar kufijtë e Shqipërisë së re.

Gazetari që bisedoi me Ismail beun quhej Achille De Benedétti dhe intervista u botua në gazetën Il Giornale d’Italia të datës 2 prill 1913. Sot, pas 110 vjetësh, ajo na kujton se me çfarë vështirësish ekzistenciale përballej qeveria e parë kombëtare e shqiptarëve.

Ja teksti i plotë:

Ismail Qemali arriti të largohej pardje nga Vlora me jahtin e Dukës Montpensier. E takova sot në mëngjes në stacionin e trenit tek arrinte nga Bari, ku kishte lënë Isa Boletinin, që ishte pak i sëmurë, bashkë me djaloshin Luigj Gurakuqi, ministër i arsimit. Qemal beu kishte ardhur me dy nga djemtë, që e kanë shoqëruar në të gjitha këto peripeci. Plaku i shquar dukej mjaft mirë. Ishte i gëzuar që kishte mbërritur në Romë pas ikjes nga Vlora.

E pyes se si kaloi udhëtimi.

-Shkëlqyeshëm nga çdo pikëpamje, – më përgjigjet. Pak ditë më parë arriti në Vlorë ‘Mekongu’, jahti i Dukës së Montpensierit, me një flamur tregtar anglez. Duka menjëherë më ftoi në anijen e tij të mrekullueshme dhe më pyeti nëse dëshiroja të vija në Itali. Ishte fat i vërtetë. Do të kisha qenë i marrë po të mos e kisha shfrytëzuar këtë rast të rrallë. Për mua kjo do të thoshte të çlirohesha nga një burgim i çuditshëm. Ishte edhe një mundësi për ta ndihmuar pak më nga afër çështjen e vendit tim.

-Po grekët, nuk ju kapën?

-Jo. Ata na panë shumë mirë. Pastaj, mos harroni se ‘Mekongu’ kishte ardhur nga Korfuzi. Po të kishin dashur të më kapnin do ta kishin patur të lehtë. Unë nuk e fsheha aspak faktin që po nisesha. Një torpedinier grek, i ngarkuar për bllokimin e bregdetit, na vuri re dhe na lejoi të kalonim pa ndonjë problem. Udhëtimi shkoi mjaft mirë. Jahti i Dukës është vërtet i mrekullueshëm dhe jam i gëzuar që arrita të dal nga ky burgim pa asnjë shpenzim dhe në kushte kaq të mira.

-Po miqtë tuaj të Vlorës, Shkëlqesi, nuk patën kundërshtim që ju të niseshit?

-Ishin ata vetë që më këshilluan të përfitoja nga ky rast i papritur. Ata janë të bindur se çështja shqiptare nuk është në Vlorë, në këtë qytet ku liria u shpall në një lloj burgu, por gjetkë, e sidomos në Londër, ku diskutohet për fatet tona të së ardhmes. U kam lënë udhëzime të qarta miqve të mi të qeverisë, duke i bërë të reflektojnë për pasojat e rënda që do të kishte vendi, në qoftëse do të ndërmerrnin ndonjë akt të nxituar apo nëse do të fillonin ndonjë revoltë. Ata mu betuan dhe jam fare i qetë se bashkatdhetarët e mi do të mbajnë një qëndrim paqësor, ashtu siç i kam këshilluar dhe siç është dëshira ime.

-A kanë përparuar më tej grekët?

-Jo. Nuk kanë përparuar përtej Tepelenës. Në Tepelenë ndodhi diçka me rëndësi, sepse turqit prenë urën për të penguar pushtimin. Pra, grekët nuk kanë shkuar më tutje se Tepelena. Ata e dinë se Vlora është e paprekshme, sidomos për shkak të vullnetit të Italisë, por edhe të Austrisë.

-Po Beratin nuk e kanë pushtuar?

-Jo. Në të gjithë sanxhakun e Beratit, nuk kanë shkuar përtej Tepelenës.

-Si ishte gjendja në Vlorë kur u larguat?

-Shumë e qetë. Nuk ka patur vështirësi të tjera të brendshme, përveç ankthit të bllokadës detare që na ka izoluar dhe na ka bërë të na mungojnë disa elementë bazë të jetesës. Ka ndodhur vetëm diçka që është vërtet për t’u shënuar: ardhja e një oficeri austriak me veshje civile, i shoqëruar nga një prift dhe një marinar.

-Si arriti të vijë?

-Ai zbarkoi në grykën e Semanit me një anije të kompanisë Lloyd dhe, prej andej, erdhi në Vlorë me një barkë me rrema. Ju e dini se në Vlorë ekziston një element që nuk e dëshiron pavarësinë e pastër të Shqipërisë. Ky element gjithnjë më ka luftuar dhe është përpjekur të më krijojë vështirësi. Oficeri që erdhi tha se ishte në gjendje të armatoste popullatën dhe të na dhuronte armë. Mirëpo unë nuk e pata të vështirë t’i shpjegoja popullit se ne nuk kishim nevojë për makinacione të tilla dhe se mund ta realizonim sigurinë e vendit tonë me besimin tek mbrojtja që na jep Evropa.

-Në Itali shtypi ka patur një lajm për këto qëllime të austriakëve në Vlorë…

-Atëherë ky lajm, – tha duke buzëqeshur Qemal beu, – nuk qenka i ri për ju. Megjithatë, unë e njoh politikën e Vjenës dhe gjithsesi i jam mirënjohës edhe Austrisë për interesimin ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër kuptoj edhe ndryshimin mes dy politikave, të Vjenës dhe të Romës…

Në këtë pikë, Qemal beu u zhyt në një heshtje diplomatike.

-Po vështirësitë që ju krijon bllokada për t’u ushqyer?

-Oh, më mirë të mos flasim për këtë. Është diçka që të shkakton ankth. Jam i gëzuar që ndodhem në Itali edhe sepse do t’i kërkoj si qeverisë suaj ashtu edhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha apo ministrit të Greqisë që t’i japin fund kësaj mase kaq të shëmtuar dhe të kotë. Pas 20 ditësh, Vlora do të jetë në uri të plotë. Kemi bërë mrekulli që kemi arritur ta mbajmë popullin gjallë deri tani. Por nuk është e mundur të vazhdojmë më tej në këtë gjendje. Ekzistojnë tashmë arsye humanitare, për të cilat bllokadës duhet t’i jepet fund. Duke e vazhduar bllokimin e Vlorës, grekët po tregohen të padrejtë, në kundërshtim të plotë me qytetërimin e tyre. Përse duan të trullosin me katastrofën e urisë një popullsi që nuk i bën keq ndokujt me asnjanësinë e saj? Asnjë arsye nuk mund ta përligjë bllokimin e Vlorës.

-A nuk është e vërtetë që aty vërtiten trupa të Xhavit pashës?

-Janë thjesht ushtarë të çrregullt në gjendje të mjerë, që nuk përbëjnë asnjë shqetësim ushtarak. Xhavit pasha ndodhet në Lushnje afër Shkumbinit në kushte vërtet tragjike dhe nuk mund të ndërmarrë asnjë lloj veprimi kundër grekëve, as t’i dëbojë nga pozicionet që kanë kapur. Të paktën tani, grekët zotërojnë Sarandën dhe të gjitha pikat e bregdetit të bllokuar. Ata kanë deklaruar se nuk do ta prekin Vlorën, sepse ky është vullneti i dy fuqive të Adriatikut, prandaj nuk duhet t’i bien në qafë asaj me pretekstin e bllokadës. Shpresoj të bëj të ditur arsyet humanitare që kërkojnë heqjen e bllokadës.

Pastaj, Qemal beu më kërkoi t’i tregoja të rejat e fundit nga Konferenca e Londrës për Shqipërinë. Përsa u përket kufijve jugorë të Shqipërisë, i shpjegova se cila ishte teza e grekëve, të cilët kërkonin Korçën, Këlcyrën, Tepelenën si dhe Gjirokastrën e Sarandën.

-Kjo është si t’i presësh krahët e këmbët Shqipërisë, – thirri Qemal beu. Të shpresojmë se vullneti i Evropës, i cili një ditë do të triumfojë, do të çojë në integritetin e popullatave që janë shqiptare të pastra. Është vërtet e çuditshme që grekët mendokan të marrin edhe Korçën!

-Cilat janë marrëdhëniet e tanishme mes Turqisë dhe Shqipërisë?

-Janë krejtësisht paqësore. Kemi marrë në Vlorë komunikatën zyrtare të Vezirit të Madh, me të cilën njihet pavarësia shqiptare dhe e drejta e flamurit tonë. Me këtë mori përgjigje fyerja e madhe, që trupat e Xhavit pashës i bënë flamurit tonë në Tepelenë. Qeveria turke nisi një hetim dhe i bëri me dije mytesarifit të Beratit se ajo e njihte tashmë autonominë tonë dhe u kërkoi autoriteteve të fundit turke të mbetura në territorin shqiptar të respektonin emblemën tonë.

-A u zgjidh çështja e princit të shtetit tuaj?

-Oh! Çështja e pretendentëve të fronit, apo e principatës së Shqipërisë ka rrezik të fryhet tej mase. Pata rastin të takohem me Dukën e Montpensierit, i cili me ndihmën e tij humanitare më nxori nga gjendja e çuditshme në të cilën ndodhesha. Natyrisht, i shpreha atij gjithë mirënjohjen time për këtë akt fisnik dhe i thashë se Shqipëria do ta kishte për nder nëse do të kishte në krye të saj pasardhësin e një familjeje të shquar dhe historike. Por i thashë gjithashtu, për hir të sinqeritetit, se ende nuk ishte koha për të menduar mbi çështjen e princit, e cila do të duhej të zgjidhej më vonë.

-Ç’mendoni, Shkëlqesi, mbi çështjen e Shkodrës?

-Mund ta merrni vetë me mend. Mendoj se çështja e Shkodrës është tani në rrugën e zgjidhjes. Qëndrimi i Malit të Zi nuk më duket se ka shanse për sukses. Janë mjaft të njohura arsyet se përse Shkodra duhet t’i mbetet Shqipërisë. Fuqitë e Mëdha, të cilat e kuptojnë plotësisht nevojën e një vendimi të tillë, kanë rënë tashmë dakord ta bëjnë Malin e Zi të tërhiqet.

-A e keni lexuar telegramin e mbretit Nikollë, i cili flet për kështjellën e krishterimit që duhet t’i kundërvihet islamizmit?

-Pikërisht këtu qëndron edhe dobësia e tezës malazeze. Si mund të mendojë mbreti Nikollë të imponojë me armë dhe me dhunë konvertimin fetar të myslimanëve shqiptarë? A e ka menduar ai se duhet të përgatitet për shumë e shumë luftra të përgjakshme? Megjithatë, unë besoj se më në fund Mali i Zi do të tërhiqet përpara vullnetit të Evropës. Jam i gëzuar, – përfundoi Qemal beu, – që munda të dal nga Vlora për të mbrojtur më tej të drejtat e Shqipërisë në kryeqytetet evropiane, në qytetin tuaj e sidomos në Londër. Me sa duket Peja, Prizreni dhe Gjakova janë të humbura, por ka disa territore që ende mund të shpëtohen. Dhe këtë do të përpiqem të bëj me besimin tek të drejtat e shenjta të popullit tim.

Pas disa ditësh, Ismail Qemal beu do të niset për në Londër. Atje ai do të përpiqet të mbrojë çështjen e paqes jo vetëm në interes të vendit të tij, por sadopak edhe të Evropës, e cila, në çështjen shqiptare, mund të shohë dështimin e përpjekjeve të saj për ruajtjen e paqes. Ai po fillon kështu një pelegrinazh politik nëpër kryeqytetet e Evropës, ku Roma është etapa e parë e rëndësishme.

Photo: wikidata.org

Filed Under: Emigracion

Bab Dud Karbunara

November 15, 2023 by s p

I djegur nga dashuria për shqipen

NT: Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, 2008, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, thuhet se Bab Dudë Karbanura “mori pjesë si përfaqësues i popullit të Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, ku u zgjodh anëtar i Pleqësisë”.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë/

Në mbledhjen e dytë të Pleqësisë së Vlorës, më 3 dhjetor 1912, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Bej Vlora, paraqiti listën e anëtarëve të kabinetit të parë shqiptar. Si njohës i mirë i politikës dhe diplomacisë, i vetëdijshëm që puna më e madhe e qeverisë do të ishte në planin ndërkombëtar, kryeministri i parë i Shqipërisë kishte menduar si anëtarë të kabinetit “emra të njohur ndë Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë”. Zgjedhjet e Ismail Beut s’kishin të sharë, askush nuk pati asnjë vërejtje për propozimet e tij, por Babë Dudë Karbunara, veteran i çështjes kombëtare dhe më i moshuar se Plaku i Vlorës, mori fjalën dhe ndryshoi rendin e gjërave. Ai shprehu keqardhjen që në listën e anëtarëve të kabinetit nuk ishte asnjë i krishterë. Shqetësimi i tij u mor aq shumë në konsideratë, saqë mbledhja mori fund me fjalën e tij dhe votimi i qeverisë u shty për të nesërmen.

Zgjedhja e qeverisë ishte e drejtë e Kryeministrit, i cili i paraqiste propozimet për votim Kuvendit. Mënyra si u soll Ismail Beu dhe qeveria që doli prej mbledhjes së 4 dhjetorit 1912 janë një shembull tolerance i pashfaqur më në historinë e politikës shqiptare. Kryeministri ia la në dorë Kuvendit që t’i bënte propozimet dhe t’i votonte ato. Ai bëri vetëm një specifikim: kërkoi që qeveria të kishte tetë ministra dhe jo shtatë ministra, siç e kishte menduar një ditë më parë. Arsyeja e shtimit të një ministri ishte që numri i anëtarëve të kabinetit të bëhej çift dhe postet të ndaheshin në mënyrë të barabartë: katër myslimanë dhe katër të krishterë. Dhe kështu u bë.

Shqiptarë janë krenuar gjithmonë me tolerancën e tyre fetare. Kjo është një cilësi e tyre e njohur historikisht dhe në arenën ndërkombëtare. Vetëm historianët vendas nuk i kanë kushtuar vëmendje mënyrës si u krijua kabineti i parë. Nëse do t’i kishin kushtuar vëmendje, ata nuk do të kishin bërë gabime trashanike si ai që të hiqnin nga lista e firmëtarëve të pavarësisë Babë Dudë Karbunarën.

Në disa botime të Akademisë së Shkencave në vend të tij është konsideruar firmëtar i pavarësisë një person tjetër me të njëjtin mbiemër. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, 2008, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, thuhet se Bab Dudë Karbanura “mori pjesë si përfaqësues i popullit të Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, ku u zgjodh anëtar i Pleqësisë,” por nuk i përmendet fakti që ka firmosur certifikatën e lindjes së shtetit Shqiptar. Në një botim tjetër të Akademisë, albumi fotografik “Ismail Qemali, 2012, me autor Kristo Frashërin, është botuar lista e firmëtarëve të pavarësisë. Numri 4 në listë (në deklaratën origjinale firmat nuk kanë numër rendor, por e ka vënë autori i albumit), është shkruar shkronja e parë e emrit të Bab Dudës dhe mbiemri, por shpjegimi i mëtejshëm që jep Kristo Frashëri merret vesh që ai nuk e ka fjalën për patriotin veteran të Beratit. Në faqen 72 emri është shkruar në këtë formë “I(brahim). Karbunara”. Në deklaratën origjinale emri është shkruar kështu “I. Karbunara”. Në një kohë që alfabeti i shqipes nuk ishte njësuar ende, emrat shkruheshin në disa forma. Emri i Bab Dudës ishte Jorgji dhe në deklaratë është shkruar, nga vetë ai, me formën I(orgji). Ibrahim Karbunara, 1880-1947, i cili thirrej më shumë Sheh Karbunara, personi që historiani Kristo Frashëri e ka vendosur në deklaratën e pavarësisë në vend të Bab Dudës, ka qenë patriot i shquar, thuhet se ka qenë në Vlorë në 1912, por nuk e ka firmosur deklaratën e pavarësisë. Sheh Karbunara dhe i biri, Hyseni, u pushkatuan nga komunistët në 1947.

Më 1927 komisioni i Beratit për kremtimin e 25-vjetorit të qeverisjes shqiptare është treguar shumë i kujdesshëm në përpilimin e jetëshkrimit të Bab Dud Karbunarës. Ashtu ka bërë, në fakt, për të gjithë patriotët e tjerë të prefekturës së Beratit, të cilën po e sjellim të plotë, për përcjellë, veç informacionit, frymën që mbart gjuha dhe mënyra e ndërtimit të tekstit:

Bab Duda Karbunara ka lindur në lagjen Kala të Beratit në datën 3 maj 1842, ka vdekur në 19 dhetor 1917 dhe është varrosur në Kishën Shën Gjergji të lagjes në fjalë ku gjindet ende varri i tij. Ishte biri i Theodhor Karbunarës; mëma e tij quhej Aleksandra. U martua me të ndyerën Katrina e motre e Sotir Gjikës nga lagja Goricë e Beratit. I patën lindur tri vajza, të martuara, Athina, Maria, Tepsikori, nga të cilat kjo e fundit i ka vdekur.

Bab Duda kreu në vogjëli mësimet e tij në shkollën fillore të lagjes Kala të Beratit (asikohe në gjuhë greqishte), mandej shkoi në Korfus ku studioi për disa kohë dhe në fund mbaroi studimet e tij të mesme klasike në gjuhë italishte në Trieste, e mbasandej u kthye në gjirin e Atdheut të vet për të ushtruar deri në fund të jetës veprimtarinë e tij Kombëtare me një flagë të idealizmës dhe Atdhedashuris dhe kësaj idheollogjije të shenjtë i kushtoi të gjitha fuqit e tij morale, mendore e lëndore.

Bab Duda ka qenë në bashkpunim me Konstandin Kristoforidhin dhe Hoxha Tahsinin. I ndyeri veteran i frymëzuar nga ndjenjat e nxehta Kombëtare veprimtarinë e tij patriotike e kish zgjeruar edhe deri në Kishë, ku asikohe ishte mëkatë e madhe të flitej një fjalë Shqipe dhe përkundra kërcënimeve të metropolitëve të asaj kohe, shumë herë Ungjilli thehej Shqip dhe ai vetë psalte (këndonte hymne) në gjyhën Amtare. Ka qenë i persekutuar shumë herë. I ndyeri ka shërbyer edhe si mësues në shkollat e Beratit; në vjetët 1901-1902 në shkollën Rumune në lagjen Goricë për gjuhën Italishte. Në vitin 1908 pas shpalljes së konstitucionit Otoman ka dhënë mësime në gjuhën Shqipe në shkollën gjysëm gjimnazi Turqishte në Berat. Prap po në atë vjet ka qenë mësues i gjuhës Kombëtare në shkollën fillore qendrore afër xhamisë Mbret, e më pastaj në vitin 1910 në shkollën fillore të lagjes Murat Çelepi të Beratit. Pas konstitucionit Otoman në Qershor të vitit 1908 ka qenë një nga themeluesit e KLUBIT BASHKIMI në Berat. Pas çpalljes së mëvehtësis Shqiptare në datën 28 nëndor 1912 ka shkuar në Vlorë ku ishte dërguar i zgjedhur si pjestar i delegatëcies Beratase. Në vitet shkollore 1912-13-14 ka shërbyer si mësues i kursit Shqip për t’u mësuar nëpunësve të asaj kohe gjuhën Amtare. Pas turbullimeve të rebelizmës që filluan në Berat, Veterani plak Bab Duda u burgos bashkë me shumë nacionalista të tjerë Beratas”.

Profecia e Bab Dud Karbunarës: në 27 nëntor 1937, në Berat u përurua busti në mermer i tij, në një shesh që mban emrin “Babë Duda”. Busti u vendos me vendim të komisioni të Beratit për kremtimin e 25-vjetorit të pavarësisë.

Burimet historike për Bab Dudën nuk janë të shumta, por dhe në këto që kemi mundur të gjejmë ka disa mospërputhje që ia vlen t’i përmendim. Në një artikull të datës 27 qershor 2012, në gazetën Telegraf, autori Viktor Papa jep datëlindje të ndryshme nga komisioni i 37-ës dhe djegien e shtëpisë tij. Sipas këtij burimi, i cili i referohet shtypit të kohës (pa dhënë detaje të mëtejshme), shtëpia e Bab Dudës është djegur “duke u gdhirë 14 shtator 1894”, kurse komisioni, siç e kemi cituar më sipër, thotë kjo ngjarje ka ndodhur në 1895. Viktor Papa flet për një fotografi të Bab Dudës, në shpinën e së cilës ai vetë ka shënuar kushtimin për dy nipërit, kohën e daljes, tetor 1910, dhe ditëlindjen e tij, 22 prill 1942. Dhe, po aty, thotë Papa, është shkruar një fjali, e cila përcjell gjithë thelbin e jetës së Bab Dudës: “Ay që s’mëson gjuhën e vet, është i dënuar përjetë”.

Shënim: Emrin e personazhit e kam shkruar Bab Dudë dhe jo Babë Dudë, siç gjendet në botimet akademike, duke ruajtur formën si e përdornin bashkohësit e tij dhe komisioni i 25-vjetorit të qeverisjes së Shqipërisë. Për këtë artikull janë konsultuar disa burime. Në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta. Për natyrën eseistike të Shenjës nuk janë përfshirë në këtë botim. Burimet e konsultuara janë: AQSH, Fondi 170, Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, Shtypshkronja Nënë Tereza, Tiranë; Nevila Nika, Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare, 1910-1912, botim i Institutit të Historisë-Prishtinë, 2003; Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Fjalor enciklopedik shqiptar”, tre vëllime, Tiranë, 2008; gazeta Telegraf, Tiranë. Kristo Frashëri, “Ismail Qemali”, album, Tiranë, 2012.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Kronike

SHTJEFËN GJEÇOVI DHE FLAMURI KOMBËTAR

November 15, 2023 by s p

Jaho Brahaj/

Që në rininë e tij të hershme Shtjefën Gjeçovi u ngazëllye e ju perkushtua simbolit të kombit të vetë, Flamurit Kombëtar Shqiptarë. Si e dëshmon epistolari, që e trashëgojmë nga ky atdhetar e shkencëtar i shquar, në vitet e shkollimit ai endërronte për ditën kur në atdheun tonë që ishte i robëruar të shpalosej i lirë flamuri me shqiponjën dykrenare1.

Në vitet e mëvonshme sipas një letëre, që Gjeçovi i dergoi priftit të Prizrenit, (tekstin e letrës nuk e njohim) , por kemi në dorë pergjigjen, që i kthej Gac Shestani nga ky qytet, me 23.III.1899 2 që e njofton se letrën e ka lexuar perpara besimtarve katolikë shqiptarë të Prizrenit e vazhdon: “Unë gjithkuej i kam diftue punët e zotnisë Juej, e tanë po gëzohen qi n’Shqipni mu gjet ksi far njerzish të menshem e bujar… Ju diftova letren e zotnisë suej e shumë qefi ju ba, pse muarne vesh qi Shqipnija (tokat shqiptare J.B.) e mjerë deri tash e dame po fillon m’u afrue e si vllazen po i shtrim doren njeni tjetrit”. Në këto vite dimë, se Gjeçovi ishte i lidhur me parinë e Pejës, dhe letra me sa duket bënë fjalë për këshillimin, që ju bën ky prizrenasve për pjesmarrje në lëvizjen kombëtare të atyre viteve me emrin “Lidhja e Pejës”. Nga këto vite ruhet një thirrje e shkruar prej tij. Ajo titullohet: “Ngrehu Shqypni! Shqyptar vllazen!” Në mes të tjerave shkruan: “Sod asht koha që të qesim n’fushë dashninë e zemres… Ta ngrefim flamurin e mamës t’dashtun… Besa e hershme të pertërihet nder ne, e shqyptar vllazen, ajo asht, qi na pshtoj deri tash, ajo ka me na shtue fuqinë”.3

Në poezitë e tija që në fillim tema më e preferuar e Gjeçovit është atdhedashuria, dhe simboli i kombit tonë. Në poezinë “E drejta”,4 që mban datën 25.V. 1902, poeti 28 vjeçar ju drejton bashkëatdhetarve thirrjen poetike; “Shqipja dy-krenshe, t’parëve u printe, / N’flamur t’perflakshem, që boten dridhte / Me sytë e rrebtë kand më kand perpinte / M’thoja shkyte, kudo që u sillte / t’tan pervlote, rrezonte, digjte, grite…/”. Në ato vite kombi ishte nën darën e pushtimit dhe kush guxonte të fliste për Flamurin Shqiptar syrgjynosej ose pushkatohej. Gjeçovi në këto vite i bën thirrje popullit të vetë të ngrihet nën hijen e flamurit të të parvet, duke treguar me saktësi dhe paraqitjen grafike të flamurit: Shqipe dykrenare, n’flamuj të perflakët (perflakët, ngjyrë e perflakët-ngjyrë e kuqe). Ne rrjeshtat e fundit të kësaj poezije thirrja në lidhje me simbolin tonë kombëtar është e hapur; “M’kambë flamurin e Shqypnisë qit-e n’dritë”.

Në këtë vazhdë është poezia-thirrje e vitit 1908, që e pergaditi të ishte hapje për librin “Agimi i Qytetnisë”5, por që ju censurua gjatë proçesit të botimit. Thirrja është vetëm kater vargje: “Ngrehu burra, çoju trima \ Per Shqypni ta derdhim gjakun \ N’luftë shqyptarë po si vetima / Lirin t’lypim, t’lypim hakun”. Në vitin 1908 si rezultat i kryengritjeve të vazhdueshme të kater vilajeteve shqiptare Sulltani u detyrua të shpallte kushtetutën e re, dhe kudo në qytetet shqiptare dualën hapur flamujt kombëtar shqiptarë, por duke njohur flamurin e Perandorisë së Turqisë. Në këto ditë Gjeçovi i vihet punës për të përgaditur flamuj kombëtar për famullinë e tij, Gomsiqe por edhe për të shpërndarë kudo nepër malësi. Nga kjo periudhë na ruhet një fragment vizatimi nga dora e tij e shqiponjës së flamurit tonë.6 Flamuri edhe në vazhdim ruhej në qelë, këtë e kuptojmë nga një letër e mikut të tij Nikoll Sheldija, që i dergon në fillim të vitit 1913, ku e permend flamurin, që ruante Gjeçovi dhe ja kerkon që ta ngrinin me ceremoni në fshatin Mjedë.7 Kronika e kohës na jep edhe hollësi të tjera për këtë rast: “Vetë Gjeçovi e ngre flamurin kombëtar në kalanë e Dejës”.8 Është fjala për ngritjen me ceremoni të flamurit nga populli i kësaj krahine në Lugun e Shën Markut pranë kishës shekullore rrëz Kalasë historike të Danjës së moçme. Për organizimin e këtij manifestimi është interesimi i drejtëpërdrejtë i Gjeçovit, i cili e këshillon mikun e tij, famulltarin e këtij fshati për organizimin: “Mirë asht me ardhë do gjind… e me ba do pushkë”, si ishte zakoni shqiptar për kremtime.9 Flamuri u ngrit në ditët e fundit të shkurtit 1913 me entusiazem, megjithëse në një atmosferë të rëndë, sepse Shkodra ishte e rrethuar nga malazezët.

Flamuri që u ngrit ju la në roje banorve të zonës, si simbol që edhe kjo krahinë ju bashkangjitë Shtetit Shqiptar të sapoformuar në Vlorën historike. Ato e ruajten si nji kujtim të çmuar e relike të këtij evinimenti historik, por dhe si dhuratë e çmuar e atdhetarit e luftëtarit për pavarsi, shokut të tyre të llogoreve Atë Gjeçovit.10

Së shpejti dhe Shkodra mori frymë e lirë, me 19 mars 1914 në kështjellën e lashtë të Shkodrës me një miting madhështor, me pjesmarrës nga qyteti dhe zonat për rreth u valavit flamuri i lashtë pas 500 vjetësh. Kronisti i kohës na sjell një të dhënë teper interesante në lidhje me dashurinë dhe lidhjen e Gjeçovit me simbolin tonë kombëtar, simbolin e lirisë së popullit tonë. Gjeçovi është i lidhur me flamurin, ai mban gjithmon me vehte një flamur11. Kronika thotë: “… I pari flamur kombëtar që valavitej prapë i lirshem (me 19 mars 1914 në Kalan e Shkodrës) ishte flamuri i një françeskani, i një atdhetari të flaktë, i Pater Shtjefën Gjeçovit”. Praninë dhe ngjyrat e flamurit Gjeçovi i kerkonte të ishin të pranishme kudo në veprimtarin e shtetit shqiptarë e në mënyrë të veçantë në pervjetorët e festat mbarëkombëtare. Në vitin 1914 Gjeçovi i shkruan Fishtës: “Edhe ne kishim me pasë shkak për t’ardhun të Mbretit tonë (V.Widit), të perkohshmen (gazetën) e frorit me e stolisun me ngjyra të Flamurit tonë… (Kjo) të ketë fillesë prej françeskanëve të Shqypnisë, kjo stolisje si veshë kombëtare e s’perkohshmes tonë. Këtë nder e pret prej tejet hem Shqypnija, hem yti me zemer At Gjeçovi”.12

Në vitet e Luftës së Parë Botërore Gjeçovi i vazhdon punën për hapjen e shkollave kombëtare shqipe në Thëth, Shalë, fshatra të Pejës, e në këto shkolla vend kryesor në program zinte historija e lavdishme e popullit tonë, e kudo ai shpaloste Flamurin e Kombit e të shtetit shqiptar. Për meritat e tija në lëmin atdhetar e të kulturës Kongresi Kombëtar i Lushnjës i vitit 1920 i dergoi një falenderim.13

Në vitin 1920 transferohet në Vlorën e pushtuar nga italianët. Vlora pothuajse nuk ka fare popullsi katolike latine, por në këtë qytet ruhej një kishë katolike më shumë për nevojat shpirtërore të të huajve, konsuj, tregëtar etj. Në këtë kishë ishte vendosur gjatë atyre viteve të pushtimit kapelani (prifti ushtarak) italian. Sapo shkon Gjeçovi në Vlorë, së pari përzen kapelanin e ushtrisë pushtuese nga kisha. Gjeçovi ishte me karakter i prerë për problemet e traditës e pasurisë shpirtërore shqiptare, nuk lejonte futjen e hundëve të të huajve në problemet tona. Në Vlorën e luftës ato ditë Atë Gjeçovi u bashkua me popullsinë e qytetit e u bë një nga perkrahësit e frymëzues i rezistencës dhe luftës kundra pushtuesit. Si shkruan edhe vetë ai, në Vlorë nuk pati asnjë fanatizëm,14 dhe ky lëvizte nëpër qytet duke propoganduar madhështinë dhe shenjëtërinë e luftës çlirimtare. Gjeçovi shkoi me këmbë në verën e vitit 1920 edhe në fshatrat e Vlorës si bashkëluftëtar i ngazëllyer me heroizmin e luftëtarve, që luftuan kundra dhunuesve të flamurit e të lirisë. Për këto ditë Gjeçovi shkruan: “Filluan luftën të peshtetun në shpresë të bashkimit vllaznuer, e paten sosë a me mbetë të gjithë në lamë të luftës, ose me shperthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve… e nuk durojnë që ti vurgnoset ftyra e asajë shqypje dhe ati Flamuri, që e pati ngul dora e prarueme e të pa harruemit Plak, zotit Ismail Qemali, të cilit i qoftë lumnija, e nder kangë e valle ju kendoftë emni…”15

Kontributi i Gjeçovit në Luften e Vlorës 1920, u respektua dhe u çmua nga vlonjatët. Me datën 3 shtator kur luftëtarët hynë në Vlorën e çliruar, vlonjatët e nderojnë Gjeçovin duke e vënë në krye të vendit. Ai së bashku me atdhetarin Ahmet Lepenica do lartësoi flamurin kombëtar në varrin e I. Qemalit që ishte në Kaninë. Ky ishte dhe momenti kulmor i kremtimit të fitores historike. Ishin patriotët, ushtarët e lirisë, nanat vlonjate që humben djemt e burrat, ishin motrat që mbetën pa vllezër nga lufta e shenjët, që nderonin këtë burrë nga Janjeva shqiptare, duke ja lënë në dorë Flamurin Kombëtar ta lartësonte në këtë vend të shenjët për shqiptarët, si një mesazh per Plakun vlonjat. Këtë amanet simbolik e percjell Gjeçovi në Kaninën e lashtë, që edhe emrin në letrat shqipe në ato vite e mbante “Komnen Kanina”. Nuk e kemi tekstin e fjalës së tij në këtë rast, por pas pak ditësh shkruan: “Rroftë bashkimi!…Kënaqu e gëzohu o qytet i Vlonës, se pernjimend paske qenë fatlumë tuj ushqye ksi farë zotnish-djem në prehnin tand. Knaqu e madhnohuni o nanat e vlonjatëve se pernjimend paskeni pasë në gji e rritë djem petrita”.

Vlonjatët nuk e harrojnë Gjeçovin, i kerkojnë që të shkruante historinë e kesaj epopeje të lavdishme, por kjo nuk u realizua se Gjeçovi u nis për aty ku kerkohej e ishte më shumë i nevojshem.

Vitet ‘20 të shekullit XX ishin vite tepër të vështira për shqiptarët që në ndarjen (sakatimin) e kufijve ngelën nën pushtimin serb. Kudo kishte djegje, masakra, dëbim, u ndalua shkrimi e shkolla në gjuhën shqipe. Gjeçovi kthehet në Gjakovë e Zym, sepse aty më shumë se kudo kishte nevojë për luftëtarë të shqiptarizmes, dhe ai ishte një nga më të vendosurit, e kishte vendosur e e kishte të qartë se mundëj ta priste dhe vdekja, por kjo nuk e frigësonte: “Ne jesim ndoshta e me gjakun tonë do të lahena, por djemt tonë kanë me na ngreh permendore. Na jesim por djemve t’onë do tu lirohen kambët e duart prej vargojsh”, ishte testamenti i tij. Në Gjakovë e Zym bashkë me kryqin si françeskan e katolik i devotshem që ishte, mbante flamurin kombëtar.16 Ai nuk i frigohej plumbit të armikut, më shumë i trembej çkombtarizimit të vllezërve, prandaj e kishte vendosur të digjej si pishtar i kombit, por tu ndriçonte rrugën e mundimshme brezave drejt lirisë.

Nga një dëshmi të terthortë, që kemi rezulton, se krahas flamurit kombëtar që mbante me vete gjithmonë, ai kishte dhe një flamur në qelë. Këtë fakt na e sjell mësuesi, që sherbeu në shkollën e Zymit në vitet 1941-43, por dhe kujtimet e bashkëkohësve të mbledhura për Gjecovin. Në këto vite u bë perkujtimi i vrasjes së Gjeçovit. Në poezinë e shkruar në ato ditë nga Nikoll Preka, në strofën 11, vargjet 41- 48, tregon: “Edhe un due me u diftue/ çë mbante Ati nen krahnuer/ Mbesa e ti, qe ju ka prue /Me gjasë të zembres nji flamur/ prej këti muer fuqi Gjeçovi/ Mos me u lodh kurr per atdhe/.”17

———————–

1). AQSH. Leter e Gjeçovit drejtuar Gjergj Fishtës, Gomsiqe, 9. I. 914. Fondi 58, dosja 96, f.13. “A të bjen nder mend kur ishim në Bosnje (studentë J.B.), si shtypej (gazeta) nder kremtime kombëtare me bojna t’Flamurit t’kombit të tyne?”

2). Prifti i Prizrenit Gac Shestani i kthen pergjigje Gjeçovit, se letrën e tij e ka lexuar perpara besimtarve në kishën e Prizrenit. Letra e G. Shestanit ruhet në AQSH. F. 58, d. 95\42. Si e thamë edhe më lartë nuk e njohim tekstin e letrës së Gjeçovit, por duke gjykuar nga lidhjet e ngushta që pati ai në fund të shekullit XIX me parinë e Pejës dhe perpjekjet për “Lidhjen e Pejës” mendojmë se fjala është për bashkimin e popullsisë së kasaj krahinë në luftën kundra pushtuesit.

3). Th. Murzaku: Dorëshkrime të Shtjefën Gjeçovit në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë. Kultura Popullore, 1980, Nr 1, f. 157.

4). Së pari kjo poezi është botuar në “Albania” e Faik Konicës në vitin 1902. Është përfshirë dhe në: Sh. Gjeçovi – Vepra, Rilindja, Prishtinë 1985, vëllimi II, f. 251- 254.

5). Agimi i Gjytetnisë, dorëshkrimi ruhet në AQSH, d. 45\46, fl.1. Libri është botuar në Shkoder, më 1910, por dorëshkrimi ku është edhe poezija-thirrje “Ngrehuni Shqyptar” është i viteve 1908-9 e pa perfshirë në këtë botim.

6). Vizatimi na është ruajtur në dorëshkrimin e Gjeçovit: “Trashëgime Pellazgjësh: Bet, Besimet e do doke tjera mas s’cillash dishmohet vjetersia e komit shqyptar”. Per hollësi shih; Sh Gjeçovi, Shtyllat e Kombit, përgadtur nga J. Brahaj, Publicistikë, Tiranë 1999.

7). Në letrën që Nikoll Sheldija i dergon Gjeçovit, i shkruan: “Bajrakun ta ngrefim atë që ke gadi Z. Juej. A per pelqim të Emz. Kolecit tash bjen t’vedin. Me thanë ma mirë po çojmë (ngremë) tonin… me vedi bjere (flamurin)”. AQSH. F. 58, d, 95\57, fl.243.

😎. Ruzhdi Mata: Shtjefën Gjeçovi. Jeta dhe Vepra, Tiranë 1982. Shih kapitullin VIII – Shpallja e Pavarsisë.

9).”Na patme mendimin me ndez do zjarme n’buzë t’natës permbi kala, permbi Suk t’Mjedës e permi Lak të Karroqit… Si më thot zotnija e juej po baj…Pra me sa t’mundi me mbledh po i bashkoi te Lugu i Sh’Markut e aty po perpiqena, por para 11 sahatit…” AQSH. Letra e Famulltarit të Laçit (Va Dejës) dërguar Gjeçovit me 28 shkurt 1913, d. 95\57, fl. 241. Shih dhe R. Mata identik si shënimi 8.

10). Flamuri i ngritur nga Gjeçovi u dorzua në Muzeun Historik të Shkodres pas 67 vjetësh, në fillim të vitit 1980 me punën e perkushtuar të muzeologut Njazi Vedahi. Për këtë shih Z. i Popullit, Një inisiativë me vlera të mëdha edukative, nga R. Dajti, 20 mars 1980, f. 1-3.

11). Donat Kurti: “Flamuri kombëtar në krahinën e Shkodrë, Hylli i Dritës, Nëntor 1937, f. 535.

12). AQSH. Letër e Gjeçovit derguar Gjergj Fishtës nga Gomsiqja, me 9.I.914, dosja 96, f. 13.

13).Shih; Sh. Gjeçovi, Ditar udhëtimi, Shkoder-Tiranë-Elbasan, AQSH, dosja 59.

14). Në një letër që Gjeçovi nis nga Vlora, shkruan: “Këtu asnjëfarë fanatizmi nuk ka, zojat myslimane të Vlonës nuk ishin si fanatiket e Shkodres…Këtu ku të jetë puna e patriotizmës i gjenë në çdo rast gadi me kremtue ditët që janë në shënjë.” Shih Gjeçovi, Shtyllat e Kombit, T. 1999, f. 73.

15). Shih: Sh. Gjeçovi, Rroftë Bashkimi në “Shtyllat e Kombit”, T. 1999, f.58.

16). Sipas kujtimeve të fshatarve të Zymit, kur u shikua vendi i ngjarjes te kufoma e vrarë e Sh. Gjeçovit, ju gjet një flamur kombëtar shqiptar. Ky fakt i irritoi autoritet pushtuese serbe, dhe dhanë urdhër, që atij t’i bëhej një percillej dhe varrim pa ceremoni. Dhe vertet në varrimin e Gjeçovit në kishën e Shna Prendes në Karashengjergj (2 km larg Zymit), nuk u mbajtën fjalime, por populli e percolli me nderime. Edhe studiuesi F. Kristaj thotë se, Gjeçovi kur u vra kishte flamurin kombëtar me vehte.

17). Nikoll Preka: “Te vorri i Gjeçovit”, poezi me 56 vargje në 14 strofa. Poezija është shkruar me sa duket me 14 tetor 1941 me rastin e perkujtimit të Gjeçovit nga populli i Zymit dhe të Prizrenit, sepse i kushtohet një date perkujtimore. Nikoll Kerhanaj thotë se perkujtime i Gjeçovit është bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore për tre vjet rrjesht 1941-1943. Shih; N. Kerhanaj: Abetarja e Zymit, Zym, 1997. Poezija e N. Prekës ruhet në AQSH, D.113, fl, 1. Gjeçovi në Zym kishte një kushërirë e cila i sherbente në kishë e në qelë. Ajo si njeri i afert dinte çdo gjë per At Shtjefnin. Poezija na tregon se ajo në ditën e perkujtimit solli tek varri flamurin shqiptar që ai ruante. Në vitet 1941-44 në Kosovë lejohej të mbahej publikishtë flamuri kombëtar shqiptar, ky do ketë qënë rasti, që ajo publikishtë pa frigë të tregoi këtë relike të shtrejtë të Gjeçovit.

Filed Under: Histori

Promovohet libri i ri “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” i Shaban Muratit

November 15, 2023 by s p

Në hotel Tirana u promovua libri i ri i diplomatit dhe studjuesit Shaban Murati “Aleanca e duhur Shqiperi -Kroaci”, organizuar nga Fondacioni Cameria “Hasan Tahsini”, qe është edhe botuesi i librit. I ftuar i posacem i nderit ishte ish-presidenti i Kroacise Stjepan Mesic, qe erdhi posacerisht nga Kroacia.

Fjalen e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit Cameria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu. Pastaj mbajten fjalet e rastit ish-presidenti Stjepan Mesic, i cili u shpreh se “libri po del në momentin e duhur dhe tregon marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe kroatëve”. Per librin dhe krijimtarine e autorit folen ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministrja e jashteme Arta Dade, kryetarja e komisionit te politikes se jashteme ne Kuvendin e Shqiperise Mimi Kodheli dhe prof.dr. Ksenofon Krisafi.

Kryetari i Fondacionit Cameria “Hasan Tahsini” Alket Veliu i akordoi ish-presidentit te Kroacise Stjepan Mesic medaljen e argjente “Miku i madh i kombit shqiptar”.

Ne fund autori falenderoi per vleresimet e librit dhe te krijimtarise se tij.

Filed Under: Emigracion

DITA E KADRI CAKRANIT NË SHTETIN ILLINOIS NË SHBA

November 15, 2023 by s p

Në Shtetin e Illinois-it në SHBA, guvernori i tij JB Pritzker me anë të një proklamate shpalli për komandantin shqiptar në Luftën e Dytë Botërore “Ditën e Kadri Cakranit”, ku renditen bëmat e tij sa heroike dhe humane si shpëtimi i qendra hebrenjve në Shqipëri nga përndjekja e pushtuesve nazistë, shpëtimi i infermiereve të ushtrisë amerikane, etj, emri i të cilit është tani që nga muzeumi “Solomon” i qytetit të Beratit, ne muzeume në botë të holokaustit në Aushvic, në memoriale të mëdha në SHBA, Izrael, etj.

Dita e Kadri Cakranit, 11 nëntori, do të shoqërohej me veprimtari universitare, duke kujtuar se 35 pasardhës të tij punojnë, jetojnë apo shkollohen në Shtetin e Illinosit.

Në Tiranë është avokati I njohur Kujtim Cakrani.

Komandand i Ballit Kombëtar, Kadri Cakrani, mbi të gjitha komandant shqiptar, ushtarak karriere, patriot dhe humanist në kohë të vështira, diti të vështrojë edhe në kaosin e luftës nga ana e duhur e historisë, nga Perëndimi, ai erdhi emigrand politik në SHBA jo vetëm për t’i shpëtuar përndjekjes së diktaturës komuniste, por dhe për ta vazhduar misionin atdhetar. Ndërkaq ai la memoriet e tij, një libër të shkëlqyer, “Të vërtetat e jetës time”, dëshmi dhe shkoqitje të historisë, një monument, akademi dhe katedër, me rëndësi për të njohur dhe kuptuar konfliktin e të vërtetave, kohën si të shkuar, pasuri e të ardhmes.

Libri është botim i “Onufrit”, doli në 2020 nën kujdesin e avokat Kujtim Cakranit, ndërsa një nga parathëniet është e shkrimtarit Visar Zhiti, që po e sjellim të plotë.

KUR HISTORIA SHKRUHET

NGA ATA QË KANË BËRË HISTORI

– Të vërteta të “luftës së jetës” të Kadri Cakranit –

Nga Visar ZHITI

Besojmë dhe themi që Atdheu është si një familje e madhe, po kështu ka dhe familje të mëdha që janë si atdheu. Që mbartin fatin e tij, nga drama e përjetësisë së tij, që marrin dhe japin nga identiteti i përbashkët nëpër kohëra, nga himni dhe ajo hijeshi ideale, e patjetërsueshme. Familja dhe Atdheu bëhen njësh me jetët e tyre dhe punën, me përjekjet dhe paqen dhe më shumë me luftën dhe vdekjet, me fitoret e vështira dhe ato humbje që farkëtuan bashkë me qëndresën dhe ndërgjegjen kolektive, gjithë antropologjinë, ngjarjet, karakteret, vetë lavdinë e kombit duke paraprirë ardhmërinë, e cila bëhet e tashme, duke shtuar përvojën dhe pasi ikën e shumta si çdo e shkuar, lë dhe histori dhe mbetet si truall. Por dhe si frymë. Si legjendë. Antike dhe moderne.

Familja e madhe Cakrani është një histori e gjallë e Shqipërisë së pavarur, tashmë dhe e shkruar mrekullisht, që përfshin dy shekujt e fundit, kapërcimin e shekullit XIX bashkë me robërinë e gjatë dhe të rëndë otomane dhe zë të gjithë shekullin XX, me pavarësinë dhe konfliktet ballkanike me armë, Luftën e Parë Botërore, Kongresin e Lushnjës si pavarësi e dytë e Shqipërisë, pushtimin fashist dhe Luftën e Dytë Botërore, fitimtarët dhe vendosjen e diktaturës së tyre, më të egrën në vendin më të vogël në të gjithë perandorinë komuniste dhe ikjet prej saj.

Familja Cakrani është kështu dhe një rrënjë e futur thellë, që përshkon nëpër Perandorinë Otomane dhe përhumb në atë Bizantine. Si e tillë, kjo familje e njohur feudale ka patur dhe fatin e rrënjës, e mbetur nëntokë, ushqimdhënëse, por dhe me trungje të prera përsipër, në harresën e re vrastare. Por siç arriti ta parashikonte dhe njëri nga personazhet e shumtë të këtij libri memoaristik, politikani dhe shkrimtari i ikur Ernest Koliqi në dramën e tij “Rrajët lëvizin”, do të vinte dhe koha e një kujtese tjetër, e një ringjalljeje shpirtërore, ku bashkë me vlerat dhe virtytet do të çrroposeshin dhe emrat e atyre që punuan “për Shqipëri”, duke shkrirë jo vetëm pasuritë, por edhe jetët, duke vënë në shërbim nderin dhe fatin.

LIBRI I KUJTESËS

Pas librit befasues dhe i një rëndësie të shumfishtë, “Kujtimet e një firmëtari”, nga Hajredin Bej Cakrani, ndërkaq dhe dokumet historik, që mungonte për kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, madje dhe i vlerave gjuhësore në rrëfimin shqip në toskërisht dhe pa mbaruar habia mbi këtë zbulim, ja, tani del dhe libri i të birit, Kadri Cakrani, “Të vërtetat e luftës sime”, që përfshin vazhdimin, jetën e tij e të familjes dhe të Atdheut, të ndërthurura bashkë si një e tërë. Ashtu siç i mori detyrat dhe përgjegjësitë atje ku e la i ati, me ndjesitë e një misioni të lartë, me përkushtimin e birit, pasi bëri luftëtarin e atdheut, me karakterin dhe mendësitë tipike ballkanike, por sidomos ato shqiptare, ku përzihen virtyti dhe veset, pasi iku në mërgimin e detyruar, në Perëndimin e kulturuar, në fund bëri dhe një akt, nga ato prej europiani, perëndimori, la kujtimet, që i quan të vërtetat e tij, por që po aq, janë të vërtetat e shqiptarëve dhe të vetë Shqipërisë. “Shqiptarët bëjnë shumë, por shkruajnë pak”, – thoshte Dora D”Istria, shkimtarja me origjinë shqiptare, ndër gratë më të kulturura në Europë në kohën e saj. Por ja, që pas saj Cakranët e paskëshin thyer këtë çkujdesje atavike, konservatorizëm i padobishëm, jo një, por dy herë, nga ati dhe biri.

Edhe dalja e kujtimeve të Kadri Cakranit i ngjan një arkeologjie, që nuk zbulon, si të thuash veç vende, – ngjarjet nisin në vendlindjen e autorit, në Mallakastër, ku kishin domenin, “Republikën Cakrani”, vazhdojnë në Berat, ku kishin dhe aty shtëpi të madhe dhe autori shërbeu si Kryekomandant i Ballit Kombëtar, por dhe në Austri më parë, ku ai u shkollua në Akademinë Ushtarake Tereziane, vazhdimet, lufta dhe ikja e detyruar më në fund, në Itali, ende më larg, në Siri, dhe përtej oqeanit në SHBA, sikur i largohej një të keqeje, por jo kacafytjes me të. Por në këto kujtime zbulohet më e rëndëshimja, zbulohet kohë, sa vetanake, po aq dhe e përbashkët, kohë familjare dhe mbretërore, kohë për të bërë kohën, dhe vjen koha e pushtimit nazi-fashist, e luftës civile, siç e quan autori atë midis partizanëve nën udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar nën udhëheqjen e pinjollëve të familjeve të mëdha, ku ai bën pjesë si themelues dhe prijëtar, mundja e atyre që duhej të fitonin dhe fitorja e atyre që duhej të humbnin, etj, por duhej kohë tjetër që të përmbysej përmbysja, qoftë dhe si një realitet tjetër, dhe autori i këtij libri e shpalos si një realitet moral. Libri është i të vërtetave të Kadri Cakranit, rrëfim dhe qortime, për të tjerët dhe i asaj që i përkiste, por dhe ndaj vetes, që duhej të kishin bërë më shumë, por dhe ndryshe, i bindur në rrugën e tij dhe në drejtësinë e saj, me një sinqeritet të ashpër, ushtarak siç dhe ishte, që ndërsa zbatonte parimet e Organizatës së tij për një luftë kundër pushtuesit me sa më pak gjakderdhje, vetë shpërthente si hero, me moton dhe dalldinë që vrasësit duhen vrarë dhe s’e lëshoi armën kurrë nga dora, që natyrisht e përdori me pasion. E rëndesishme është që të vërtetat e Kadri Cakranit, më themeloret, shtyjnë disa të vërteta të tjera, që kishin zënë vend me dhunë dhe ishin zyrtarizuar, sipas atij ligjit që historinë e shkruajnë fitimtarët. Diktatura me historianët e saj ribëri një të kaluar ashtu siç do të donte ajo të kishte qenë, mbivendosi një realitet tjetër, por krimi gjithsesi mbeti në thelb… Nga Kadri Cakrani tani na vjen një tjetër realitet i po asaj kohe, i besueshëm mes pabesive, por dhe i natyrshëm, në natyrën e tij, kur po denatyroheshin koha dhe shqiptarët. “Të vërtetat e jetës time” kthehet në të vërtetat e jetës së atdheut. Libri të tërheq dhe si një “roman”, ku çdo ngjashmëri me ngjarje dhe njerëz realë nuk është e rastësishme, por qëllim. Nis me fëmininë në atë familje të madhe, sarajet, lojrat, futbolli, pastaj lojrat e mëdha të njerëzimit, lufta, Ballkani, Europa, bota, kthehet prapë në atdhe, ndarjet, konfliktet, takimet politike në oda burrash dhe sheshet me njerëz, jeta aristokratike, hipodromi, fushat e tenisit që ata kishin dhe ku, në Mallakstrën e atëhershme, shëtitjet me kuaj, me djem dhe vajza, të ardhur dhe nga jashtë vendit, shokët dhe miqtë e tyre. Hajredin Bej Cakrani me të vëllanë, Bekash bej Cakrani, ishin bashkëpunëtorë të Ismail Qemalit, shpallësit të Pavarësisë, e kishin mbajtur në sarajet e tyre në ato ditë dhe kishin ikur bashkë me qerre nëpër baltën e kohës të themelonin shtetin e ri shqiptar në Vlorë, kur njëri vëlla do të ishte firmëtar dhe tjetri ministër, i cili jo vetëm nuk merrte pagë për punën, por paguante administratën nga arka e shtëpisë së tij.

Në vitet e Kongresit historik të Lushnjës, ku ishin pjesëmarrës, krahas halleve, ra nëpër Europë dhe ajo që u quajt “Gripi Spanjoll” dhe “Vëllezërit Cakrani” krijuan fondacionin e parë shqiptar, duke iu gjendur popullit me ndihma dhe mbështetje, veshmbathje dhe barna, duke e kthyer konakun e tyre në spital. Bijtë e familjes Cakrani i ishin përkushtuar dhe dijes, duhet të bëheshin për atdheun ashtu siç ai priste: mbrojtës të tij, ekonomistë, agronomë, mjekë, juristë, diplomatë, politikanë, etj, dhe ishin shpërndarë nëpër universitete të famshme, në Vjenë e Paris, Romë, e Berlin, por dhe në Rumani e Poloni e Hungari, etj. dhe, nëse do të duhej, të merrnin armët në dorë sërisht, ishin dhe luftëtarë.

Motra e autorit të këtij libri, Suhade Cakrani, vajza e vetme e Hajredin Beut, që na përshfaqet paksa si një përndritje vetëtime. studionte në Firencen mahnitëse të Dantes, të Mikelanxhelos e Makiavelit, etj, të atyre që udhëhoqën Rilindjes Europiane. Po për çfarë studionte ajo? Për mjekësi, financë, shkencë? Jo, për Artet e Bukura, ashtu siç ishte dhe vetë. Se atdheut do t’i duhej dhe art, kulturë, që të bëhej sa më i bukur. Por dhe rebelimi. Kadriu do të burgosej si kundërshtar i Mbretit Zog, por dhe në burg ai do të ishte aq i hijshëm, me shokët, me borsalina e kravata e këpucët që i shkëlqenin.

Duke ndjekur rrjedhën e kujtimeve të “Princit”, siç i pëlqente ta quanin Kadri Cakranin, zbulojmë më shumë Ballkan, absurd, ku fitorja është dhe humbje dhe i munduri mund te jete firimtari, dhe, “kur monarkitë ktheheshin në republikë, Republika e Shqipërisë bëhet monarki, – thotë autori me një buzagaz të hidhur dhe përshkruan një Shqipëri kaotike, “ku atentatet u bënë si moda sot”. Mes saj është dhe ai. Protagonist. Jeta bashkohet me historinë. Konfliktet botërore mbërrijnë dhe në Mallakastër. Njësitet partizane, – tregon autori,- shpesh bënin punën e bandave dhe merrnin po përgjigje të tilla. Me armë. I biri i Shehut – partizan, i biri i Hajredin beut – ballist. Ndarje që u thellua gjithnjë e më tepër në fshat, në krahinë, në qytete, në Shqipëri. Dhe në botë. Berlini ishte ndarë më dysh, me mur në mes. Marrëveshja e shqiptarëve në Mukje u tradhtua nga komunistët. Nacionalistët nuk donin vëllavrasjen, siç e quanin hapur autori. Po ajo erdhi dhe e deshi udhëheqja e komunistëve, me saktë Enveri që ishte nën tutelën e jugosllavëve, dy misionarë të së cilës ishin në shtabin e lartë si mbështetës a këshilltarë, por në fakt ata drejtonin dhe qëllim ishte marrja e pushtetit nga ana e tyre në një Shqipëri pa Kosovën, të cilat pushtuesi i kishte bashkuar. Pas lufte plani ishte që dhe Shqipëria e gjithë të bëhej një nga republikat e Federatës Jugosllave, ndërsa nacionalistët, Balli Kombëtar, në organizatën plulariste të cilëve lider ishin bijtë e Frashërllinjve dhe të familjeve të tjera të mëdha, pra dhe të Cakrajve, dhe profesorë – patriotë të sprovuar, qëllim ishte Shqipëria, mëvetësia e saj e humbur, prosperiteti demokratik si në botën Perëndimore, duke u shtuar kështu dhe çështja tjetër, aq shumë kritike dhe shqetësuese, jo Shqipëri komuniste. Lufta midis dy të vërtetave ashtu si mes dy të drejtave bëhet gjithnjë e më e ashpër ashtu siç dhe janë luftrat civile.

PATJETËR DHE LETËRSI

“Të vërtetat e luftës sime” në arritjet më të mira është shkruar dhe si letërsi dhe patjetër nëpër faqet e tij do të gjenim dhe biseda tërheqëse për letërsinë dhe artet. Duke qenë kohë lufte, ato ndjehen dhe janë pjesë e qëndresës dhe e mbrojtjes. Në fillim ndeshim se ç’thonë mes tyre etërit Cakrani, kur njëri vëlla mbështeste filozofinë e Samiut dhe tjetri poezinë e Naimit, por nuk bëhet shteti me poezi, ia kthente njëri, po bëhet ndërgjegjia, ngulmonte tjetri. Pra duket sikur po kërkohet një strategji veprimi si strategjitë në luftë. Ndërsa bijtë, Kadri Cakrani, ushtarak profesionist, do të debatonte për letërsinë europiane me profesor Abaz Ermenjin, i pari fliste për superioritetin e letërsisë gjermane e i dyti për atë franceze, jo pa tension. etj, etj. Edhe tek biseda e tyre duket sikur po kërkohet aleati më i fortë dhe kjo nis nga kultura. Por atë që s’e prishi dot lufta, do ta shkatërronte diktatura e fitimtarëve pas luftës. Dhe në mërgimin e autorit në SHBA, ka përsëri përsiatje për letërsinë, aty nga faqet e fundit të librit, kujton Borhertin, Heminguejin, Remarkun dhe Bël-in që e ai i pëlqen, por letërsia shqipe sot nuk lexohet dot, thotë, e ka fjalën për Realizmin Socialist, por çuditërisht ka pikasur një libër ndryshe, që jep shpresë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Si ushtarak e ka tërhequr dhe tema dhe fundi, i ngjashëm me veprën e tyre. Si ideolog ai te letërsia sheh gjendjen shpirtërore të një populli dhe shpresën për të ardhmen, nëse do të ketë…

Kadri Cakrani

VAZHDIME ME VEPRA

Por le t’u kthehemi çështjeve të luftës, që zotërojnë librin. Me Kadri Cakranin bindemi gjithnjë e më shumë se komunistët kërkonin të arrinin qëllimin me çdo çmim, idealin e tyre, qoftë dhe me terror, me vrasje, pabesi dhe ndaj të vetëve, deri dhe bashkëpunim me pushtuesin, gjë që dihej fare pak ose aspak dhe fshihej nga historiografia zyrtare, kur trumbetohej e kundërta. Ndërsa Ballit Kombëtar, na tregon Kadri Cakrani, duket se i interesonte njeriu, jeta dhe fati i çdo njeriu, qoftë dhe i huaj ky, të cilët së bashku përbëjnë Atdheun. Janë të shkëlqyera aktet e humanizmit dhe të guximit të madh që na tregon Kadri Cakrani. Hebrenjtë e Beratit, rreth 450 familje, te vjetra dhe të reja, të sapo ardhura nga përndjekja në shtetet përreth, do të shpëtoheshin nën kujdesin e tij, duke u dhënë të gjithëve pasaporta shqiptare, nëpër Mallkastër, në tokat e tyre, tani nën kujdesin e xhaxhait, Bektashit. Letërkëmbimi midis tyre tashmë është në muzeumet e Holokaustit në Izrael. Akti human më i madh në Ballkan. Frika ishte se partizanët mund ta dekonspironin këtë aksion tek gjermanët, për të krijuar terror e panik e ta shfrytëzonin për fitoren e tyre. Me qeverinë e Mustafa Krujës u bë ajo që nuk ishte bërë dot në vende më të mëdha, më të fuqishme e më të kulturuar, mbrojtja e hebrenjve, duke mos dorëzuar asnjërin te nazi-fashistët dhe në fund të luftës në Shqipëri, “në atdheun e dytë të hebrenjve” kishte dyfishin e tyre. Kadri Cakranit, por sidomos të birit të Bektash beut, Kujtim Cakranit, ashtu si gjithë popullit iu hap dhe një punë tjetër e vështirë, shpëtimi i mijra ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë Fashiste, se ata kërcënoheshin nga pushtuesi gjerman si dezertorë dhe nga partizanët si pushtues, pavarësisht se një pjesë e tyre më pas, me urdhër nga aleatët, u hodh të luftonte bashkë me partizanët. Shqipëria bëri atë që s’e kishte bërë kush në botë, ushtrisë që kishte ardhur si pushtuese, pasi u mund, ushtarëve të braktisur të saj u dha bukë dhe strehë, mbi 25 mijë bij dhe i përcolli si vëllezër. Është biblike që armiqtë t’i kthesh në vëllezër.

Përsëri Kadri Cakrani, nga Kryekomandant i Ballit Kombëtar, do ta gjejmë në aksione humanitare, në shpëtimin e infermiereve amerikane, aeroplani me të cilin fluturonin, gabimisht ra në Shqipëri në zonat e luftës, ku partizanët, duke mos pyetur për jetët e tyre, donin t’i përdornin si propagandë, si zbarkim të aletarëve, na thotë Kadri Cakrani. Tjetër, lirimi i disa ushtarëve gjermanë, të kapur rob nga partizanët në Berat, kur ata, ushtarët gjermanë, nuk e dinin se partizanët do ta shkelnin marrëveshjen që kishin bërë me ta. Komanda gjermane menjëherë mori 140 pengje, shqiptarë të pafajshëm, që do t’i pushkatonte, nëse nuk ktheheshin në repart dy robërit gjermanë. Partizanët e donin masakrën, se kështu shtohej urrejtja kundër gjermanëve, por Kadri Cakrani shkoi në zonat e tyre dhe i liroi robërit gjermanë, që të shpëtonte jetët e 140 njerëzve, bashkëqytetarë të tij. Bashkë me tensionin rritet dhe mrekullia e librit. Fshehja e Kodikëve të Beratit, mijëvjeçarë, bizantinë, sidomos atë të purpurtin, që e kërkonin gjermanët dhe, po të mos ua dorëzonin, do të pushkatoheshin priftërinjtë tanë ortodoksë, sa të ishin aty. Përsëri Kadri Cakrani është në vorbull, për të gjetur zgjidhjen, teksa përkthen gjermanët e ardhur nga Tirana për këte çështje. Duheshin ruajtur priftërinjtë nga pushkatimi, por dhe kodikët patjetër dhe kush kallzonte, “do ta pushkatoj unë” – kërcënonte Kadri Cakrani si përherë. Dhe ai propozoi benë e rreme te gjermanët, pasi priftërinjtë i ishin lutur ikonës së Shën Mërisë që t’i falte për atë që do të bënin.

Libri është plot me ngjarje e kundërngjarje, zbulime dhe kundërzbulime, aleanca të fshehta e kritike, rreziqe dhe humnera, natë dhe luftë, vrasje dhe sherre kombëtare që do të zgjidheshin si do të mund të zgjidhej bota e të vendoste për Shqipërinë, etj, etj, teksa dhe çështje befas hapte të tjera e më të mëdha si rrathët e ujit, kur hidhet një gur mbi një pellg. Ato rrathë shkonin dhe më përtej vendit, në Beograd e Athinë, Londër e Moskë, e Uashington dhe s’ishin prej uji, por shpesh rrathë gjaku. Akuzat e kudërakuzat tashmë nuk kishin të sosur, krahu i partizanëve kishte mjeshtra të propagandës, gjithmonë në rritje, akuzohej Balli Kombëtar për bashkëpunim me pushtuesin, si organizatë tradhtarësh, teksa gjermanët po arrestonin dhe internonin nga radhët e Ballit, sipas Kadri Cakranit, psh, internohet poeti Kudret Kokoshi, më pas i burgosur i komunistëve etj.

Gjithsesi Balli Kombëtar, kur po dukej absurde në atë realitet të çmendur, po arrinte fitore humane e morale, duke pranuar që t’i binin mbi shpinë dhe akuzat. Ndërkaq terrori po u jepte sukses partizanëve. Që ata po e përdornin më së miri, nuk e thotë vetëm Kadri Cakrani me dëshmitë e tij, por dhe të tjerë, madje dhe nga radhët e partizanëve, p.sh, i ikuri i tyre, Xhelal Staraveska, ushtarak i lartë, por dhe teoricieni po i tyre, që kishte studiuar në Moskë, poeti Sejfulla Malëshova, ua tha në një nga konferencat që Partia Komuniste, po shndërrohej në një bandë me terroristë. Kadri Cakrani i mëshon ngulmimit që vrasësit e Shqipërisë duheshin vrarë, qofshin këta dhe shqiptarë. Lufta ka ligjet e saj, ajo nuk fitohet me falje atyre që nuk të falin. Gjermanët po mundeshin si kundërshtarë dhe po fitonin kundërshtarët e tjerë, komunistët, sipas Kadri Cakranit, dhe ajo që po humbte vërtet, ishte Shqipëria. Kadri Cakrani me gjithë krerët e Ballit Kombëtar, Legalistëve, kolaboracionistëve, etj, ikin. Humbën betejën, por jo luftën, sipas Mit’hat Frashërit. Dhe do ta vazhdonin nga jashtë “Për Shqipërinë”.

Terrori i fitimtarëve do të ishte më i keq dhe më i madh se i pushtuesve. Xhaxhain e Kadri Cakranit, Bektash bej Cakrani, ai që e kishte rritur, ministri i parë i financave në shtetin e ri shqiptar, do ta pushkatonin. Skena është heroike nga ana e të pushkatuarve, kurse nga ana e atyre që pushkatonin, kishte grotesk. Ata bënin provat e pushkatimit se pritej një i madh që do të asistonte, do të vinte ai, tashmë i lartë në pozitë, që Kadri Cakrani donte ta vriste, por nuk e kishte lënë xhaxhai, që po pushkatohej tani prej tij.

Në Shqipëri, në mes të qytetit të Fierit, varin një vëlla të Kadri Cakranit, dy të tjerë i burgosin, ndërsa e motra e tyre, ajo e Arteve të Bukura, Suhadja e bukur, vdes në moshë të re, e tmerruar në çmendinë. Si një metaforë e rinisë së asaj kohe. Një metaforë tjetër e rëndë në libër është dhe ajo me kafkën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, që mendohej se ishte në një varr të fshehtë në një Kishë të vogël në Lezhë, por duke mos treguar përkujdesjen e duhur shteti i ri, duke bërë të kundërtën, dukej se kështu do të humbte dhe ajo traditë e lashtë, zakonet, lavdia historike e shqiptarëve, etj, etj.

Edhe në SHBA, në një mledhje të OKB, ku vinte të merrte pjesë nga Tirana dhe ai, armiku i tyre, Kadri Cakrani po e priste në një rrugë të Nju Jorkut, përballë hotelit t’i bënte atentat me sanjper. Prandaj dhe në libër, në fund, gjejmë dhe skena si të filmave hollivudianë, kur Kadri Cakrani ndjek me çifte veturën e atyre që kishin qendruar dyshueshëm para restorantit së tij, që duhej të ishin vënë nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar. Libri mbyllet ashtu siç fillon, si me një ironi, me ndeshje fotbolli. A thua ashtu janë përpjekjet e gjithë kësaj jete, një lojë?

E rëndësishme në Kujtimet e Kadri Cakranit nuk janë ngjarjet, por lënda, koha që sjell dhe të vërtetat e tij përballë të vërtetave të të tjerëve, të vetë historisë zyrtare. Kjo përballje e re, dikur me armë dhe tani me libra, ndihmon kujtesën kombëtare, krijimin e një të vërtete të përbashkët, se asnjëra më vete nuk mund të jetë absolute, por nga këndvështrimet arrijmë në përfundimin se të gjithë u përpoqën për Shqipërinë, sipas asaj që besonin dhe interesave vetiake, me strategjinë dhe taktikat që njihnin apo iu imponuan. Cilët ishin në anën e duhur të historisë? Po ne ende nuk kemi një histori të përbashkët, me ngjarje dhe heronj të pranuar nga të gjithë. U dukën se ishin fitimtarët, por kur morën pushtet, ata u bënë antihistorikë të tmerrshëm. Të mundurit? Koha duket se u dha të drejtë tani që s’janë. Që nuk do të dihej si do të ishin po të kishin marrë pushtet. Por mjaftojnë idetë, vizioni, madje dhe humbja. Më mirë të humbësh në kohën që duhet, se sa të fitosh, kur nuk duhet. Janë më të rënda për një popull fitoret e dëmshme. E cilët ishin kolaboracionistë më të rrezikshëm për vendit, ata të kohës së luftës nën pushtim perëndimor apo ata të kohës së paqes me Bllokun e Lindjes? Cakrani, vetëkuptohet, është kundër të dytëve dhe i luftoi. Po jo vetëm ai. Ndërkaq po shtohen ata që mendojnë ashtu. Nëse nuk është arritur të përcaktohet se cila ishte më mira që do të duhej për atëhere, të jemi në gjendje të gjejmë se ç’ishte më e keqja, që nuk do të duhej. Të paktën të na bashkonte kjo.

Ndihmesa e librit të Kadri Cakranit në këtë çështje është e jashtazakonshme. Dhe e dashurisë pa kushte për atdheun.

NJË EPILOG I VOGËL (jashtë këtij libri)

…tashmë, që nga viti 2000, është ringritur Fondacioni “Vëllezërit Cakrani” dhe dy librat me memoaristikë, “Kujtimet e një firmëtari” dhe “Të vërtetat e luftës time” të shkruara nga ati, Hajredin Cakrani dhe biri, Kadri Cakrani, të një rëndie të veçantë, thesar mes veprave të Kujtesës Kombëtare, na vijnë për herë të parë si zbulime falë pasardhësit të tyre, avokat Kujtim Cakranit. Puna e tij, pasioni, këmbëngulja, guximi i trashëguar janë si një ringjallje, jo vetëm e Familjes së tij të Madhe.

Ai është i angazhuar edhe profesionalisht në zbulimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit, qoftë dhe moralisht, edhe pse ka munguar një Gjyq shqiptar i Nurenbergut. Së fundmi ai ka marrë një nismë të vaçantë, do të thosha të mrekullueshme, ka hedhur në gjyq institucione shtetërore, pra shtetin, që pse nuk është dhe nuk gjendet ku është Dokumenti autentik i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, ku një nga firmëtarët ësht:e dhe stërgjyshi i tij. Shqetësimi i tij e tejkalon atë familjar, është shqetësim për gjithë Familjen e Atdheut. Sipas avokat Kujtim Cakranit ai dokumet është si dokumenti i pronësisë së shtëpisë, ne e kemi shtëpinë e përbashkët, Shqipërinë, por nuk kemi dokumentin. Ku është? Pse fshihet? Pse nuk gjendet? Ai ka zbuluar se deri në 1944 ai dokument themeltar ka qenë, i ruajtur në Kasafortën e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe kur çelsat i morën fitimtarët, ai dokument u zhduk dhe përdorej një i falsifikuar, ku qenë fshirë mjaft firma, hedhësit e së cilës ishin vrarë apo burgosur nga regjimi dhe ishin shtuar firma të atyre që nuk kanë qenë në shpalljen e Pavarësisë, si p.sh, xhaxhai i diktatorit Enver Hoxha.

Avokati Kujtim Cakrani kërkon në emrin e gjithë shqiptarëve, për Shqipërinë, edhe pse e pa shpallur kështu, Dokumentin e Pavarësisë tonë. Akt i lartë, madhështor, vazhdim i udhës së të parëve të tij. Megjithëse ai dokument është në gjakun e shqiptarëve, në ajrin e atdheut, madje është dhe monument prej bronzi në kryeqytet me firmat si shtigje të ndërprera, por që i bashkon bëma e madhe, historike. Ne dhe shteti jemi të lirë dhe të të pavaruar aq sa është ky dokument vërtet brenda nesh.

Këtë kërkon të çertifikojë avokati ynë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT