• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

FALENDERIM DHE MIRËNJOHJE TË THELLË UNIONIT TE GAZETAREVE SHQIPTARE

November 13, 2023 by s p

Falenderoj perzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë Unionin e Gazetareve Shqiptare për akordimin e çmimit “Karriera.” Nderimi nga një shoqatë që përfaqëson gazetarë nga të gjitha trevat shqiptare është një privilegj i jashtëzokoshëm për mua. Falenderime te posacme edhe kolegut Armand Mero, i cili me perfaqesoi ne ceremonine qe u zhvillua ne Tirane, me 10 nentor.

Urime te gjithe kolegeve fitues te cmimeve vjetore te akorduara nga Unioni i Gazetareve Shqiptare.

*****

Mesazh Falenderimi:

10 nentor 2023

Z. Aleksandër Çipa

Kryetar

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Tiranë

I nderuar z. Çipa,

Ju falenderoj perzemërsisht, Ju personalisht dhe Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, për akordimin e çmimit “Karriera.” Ju jam thellësisht mirënjohës.

Gjatë karrierës time të gjatë kam marrë vlerësime të ndryshme, por vlerësimi Juaj ka nje domethenie të posaçme. Nderimi nga një shoqatë që përfaqëson gazetarë nga të gjitha trevat shqiptare është një privilegj i jashtëzokoshëm për mua. Unë kam mbajtur lidhje të ngushta me kolegë shqiptarë dhe kam ndjekur me admirimin veprimtarinë e tyre. Këtë çmim e mirëpres pikërisht për arsye se është një vlerësim nga Ju – nga njerezit e mi, nga kolegët e mi!

Kam qënë me fat që kam patur rastin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike siç është Zëri i Amerikës. Jam përpjekur gjithmonë t’u përmbahem parimeve dhe standarteve më të larta të gazetarisë në përmbushjen e misionin fisnik të Zërit të Amerikës – transmetimin e lajmeve dhe informacioneve të vërteta dhe objektive, përhapjen e vlerave demokratike dhe rrëfimin e historisë së pashembullt të Amerikës. Jam përpjekur gjithashtu që t’i përmbahem parimit se pasuria më e madhe e një gazetari është besueshmëria dhe llogaridhënia për veprimtarinë e tij.

Me këtë rast, dua të falenderoj kolegët e Zërit të Amerikës, me te cilët e ndaj këtë vlerësim, për bashkëpunimin, mbeshtetjen dhe miqësinë gjatë gjithë këtyre viteve. Jam jashtëzakonisht krenar për rolin që Zëri i Amerikës ka luajtur dhe vazhdon të luajë në shërbim të informimit të audiencave në hapësiren shqiptare në Balkan. Që nga fillimi i tij, para 80 vjetësh, Zëri i Amerikës ka qenë bashkëudhëtar me shqiptarët, duke u dhënë shpresë gjatë kohëve të vështira dhe duke mbeshtetur përpjekjet e tyre për t’u ankoruar qartësisht në rradhët e vendeve dhe shoqërive të përparuara dhe demokratike.

Përfitoj nga ky rast që të falenderoj publikisht edhe mediumet e tjera ndërkombëtare, që transmetojnë, ose kanë transmetuar në të kaluarën në gjuhen shqipe, për rolin e rëndësishëm që kanë luajtur, posaçërisht Radio Europa e Lirë, BBC, dhe Deutsche Welle.

Media e lirë dhe e pavarur është kurora e artë e një shoqërie të përparuar dhe demokratike. Ndonëse sot gazetarët në shumë vende punojnë në kushte të vështira dhe përballen me kërcënime për sigurinë dhe mirëqënien e tyre, misioni i tyre është më i rëndësishëm se kurrë. Ndërsa vazhdojmë të përmbushim misionin tonë fisnik për të fuqizuar audiencat me informacione që i ndihmojnë të marrin vendime më të mira, është jetike që vetë ne gazetarët, t’i rikthehemi angazhimit të parimeve bazë të gazetarisë për objektivitet, paanshmëri dhe saktësi. Vetëm kështu gazetarët mund të luajnë rolin e tyre tradicional të “pushtetit të katërt,” duke dhënë një ndihmesë të madhe për përmirësimin dhe përparimin e shoqërive të tyre.

Me lejoni që të shpreh edhe njëherë kënaqësinë e veçantë për këtë vlerësim.

Ju falenderoj përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë.

Elez Biberaj

May be an image of 3 people and text

Filed Under: ESSE Tagged With: Elez Biberaj

Aktivitete të shumta kulturore dhe shkencore në “Ditët e Alfabetit” – 2023

November 13, 2023 by s p

Prej të martën më 14 nëntor, e deri më 22 nëntor 2023, do të zhvillohet edicioni i pestë i manifestimit “Ditët e Alfabetit”, me një program të pasur kulturor dhe shkencor, për nder të 115-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 16-vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Ky aktivitet tradicional organizohet nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në bashkëpunim me institucionet relevante akademike shkencore nga vendi dhe rajoni, dhe me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Në programin e sivjetmë, për çdo ditë, duke filluar nga ora 10:00 e paradites, do të ketë paraqitje të institucioneve më larta shkencore dhe akademike nga vendi dhe rajoni.

Kështu, më 14 nëntor, në sallën solemne të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, do të bëhet hapja e manifestimit, me pjesëmarrjen e kryetarëve të tri akademive të shkencave dhe arteve (e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë), si dhe do të promovohet botimi i veçantë “Ditët e Alfabetit” nr. 4 nga edicioni i kaluar.

Më 15 nëntor, në sallë e Ohrit në ndërtesën e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Shkup, do të prezantohet Instituti i Historisë “Ali Hadri” nga Prishtina, me temën kyçe “Arkeologjia, letërsia dhe shtetndërtimi – portret i akademik Edi Shukriut”.

Më 16 nëntor, në sallën W.Wilson në ITSHKSH – Shkup, do të prezantohet Akademia e Shkencave dhe Arteve e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me botimet e saja akademike shqip – maqedonisht – anglisht.

Më 17 nëntor, në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Shkup do të prezantohet Instituti Albanologjik i Prishtinës, me temën “Institucionalizimi i studimeve shqiptare – 70 vjet të institutit albanologjik”.

Më 18 nëntor, në ITSHKSH – Shkup do të përurohet libri “Zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shekujve XIX – XX”, si botimi më i ri shkencor i ITSHKSH-së.

Më 20 nëntor, prapë në ITSHKSH – Shkup, do të prezantohet Akademia e Shkencave e Shqipërisë nga Tirana, me tre projektet madhore në albanologji (Historia e shqiptarëve, Fjalori i madh i shqipes dhe Enciklopedia shqiptare).

Më 21 nëntor, në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Shkup, do të prezantohet Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit Shqiptar nga Tirana, me përurimin e katër botimeve të reja arkivale dhe ekspozitën ‘Gjuha shqipe – nga alfabeti në drejtshkrim’.

Dhe, më 22 nëntor 2023 (e mërkurë), kur shënohet Dita e Alfebetit të Gjuhës Shqipe si festë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, do të zhvillohen disa aktivitete. Kështu, prej ora 10:00 në ITSHKSH – Shkup do të shënohet përvjetori i Kongresit të Manastirit dhe i themelimit të Institutit, si dhe do të përurohet pulla postare me figurat e Motrave Qiriazi (në bashkëpunim me Filatelinë e Postës së Maqedonisë së Veriut). Prej ora 14:00, në Filhamoninë e Maqedonisë së Veriut në Shkup, do të mbahet manifestimi qendror me Akademinë solemne. Në mbërmje ngjarjet do të zhvendosen në Manastir, ku prej ora 18:00 në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të hapet ekspozita me dokumente dhe fotografi “Qiriazët- themeltarët e arsimit kombëtar” (në bashkëpunim me Kolegjin Universitar “Qiriazi” – Tiranë), si dhe do të bëhet përurimi i Departamentit “Qiriazët” në kuadër të ITSHKSH-së në Manastir. Dhe krejt në fund, prej ora 19:00, në Shtëpinë e Kulturës në Manastir, do të jepet koncerti festiv nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Filed Under: Politike

Intervistë me gazetën franceze Journal des Débats / Përkthim nga origjinali frëngjisht

November 13, 2023 by s p

Letër nga Vjena: Ismail Qemali dhe çështja shqiptare.

Vjenë, 21 nëntor 1912

Maurice Pernot

Ismail Qemal Beu, një ndër krerët më të padiskutueshëm të kombit shqiptar ndodhet prej disa ditësh në Vjenë. Ai erdhi nga Budapesti, ku politikanët hungarezë i bënë një pritje të përzemërt dhe ku, zyrtarë të Monarkisë, pa u zhveshur nga rezervat diplomatike që ua impononin rrethanat, nuk ia fshehën simpatinë dhe interesimin për çështjen që ai mbron. Me gjithë kërkesat e tij këmbëngulëse, ai nuk mundi të pritej nga Konti Berchtold; por miqtë shpejtuan ta vënë në kontakt me disa funksionarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Vizita e tij në Budapest u bë ndërkohë që kriza austro-serbe ishte në kulmin e saj, kur çështja e konsujve krijoi shqetësime në opinionin tashmë të acaruar me qëndrimin kokëfortë të Serbisë për problemin e porteve. Ismail Qemali gjeti në Austro-Hungari një klimë të favorshme për planet e tij, ndonëse nuk dukej më pak dyshues dhe i shqetësuar.

“Do të nisem sonte për Trieste, – më tha. Një anije austriake do të më çojë në Durrës, ku shpresoj të arrij përpara ushtrisë serbe. Nuk ka më kohë për të humbur. Bashkë me miqtë e mi do të provojmë të organizojmë një komitet mbrojtjeje, një farë qeverie të përkohshme. Por duhet që Europa më në fund të heqë dorë nga indiferenca e saj dhe të manifestojë me vepra interesimin që ajo duket se ka për çështjen tonë fatkeqe. Në Austri, Gjermani si dhe në Francë e në Angli, opinioni publik është shprehur në favorin tonë; e drejta jonë është njohur njëzëri dhe ruajtja e pavarësisë sonë duket se përputhet jo vetëm me parimet e diplomacisë evropiane, por edhe me vetë interesat e Fuqive të Mëdha. Çfarë pret Europa për të na mbështetur? Ç’vlerë ka shpallja prej saj e së drejtës së kombit tonë për ekzistencë dhe autonomi kur ne të mos ekzistojmë më? Plani i serbëve është i qartë: ata djegin dhe masakrojnë çdo gjë që u del përpara; atyre nuk u mjafton pushtimi i Shqipërisë, por duan të shfarosin shqiptarët.”

Ismaili plak uli kokën dhe qëndroi për pak çaste në heshtje. Pastaj vazhdoi: “Ne nuk mundemi, nuk duam të bëhemi sllavë. Nga të gjithë kombet që popullojnë Ballkanin, i yni është më i vjetri. Është e vërtetë që nuk jemi shumë të qytetëruar, sepse na është dashur të vuajmë shumë. Por, a ka arsye të pritet një pemë e cila nuk ka lulëzuar sepse i ka munguar kujdesi? Ne ishim të parët që u ngritëm pas vitit 1908 kundër pretendimeve tiranike të qeverisë së Turqve të Rinj. Duke kërkuar reforma dhe një trajtim më të barabartë, duke protestuar kundër kërkesave që nuk përputheshin me doket dhe me zakonet tona si dhe me kushtet tona të ekzistencës, ne nuk kishim si qëllim të mbronim vetëm të drejtat e racës sonë, por edhe ato të të gjitha kombësive; programet tona të asaj kohe janë dëshmi e këtyre synimeve. Përpjekjet tona nuk patën sukses; ato u mbytën nga shtypja më e padrejtë dhe më e dhunshme. Popujt e Ballkanit janë bashkuar; tani ata kanë marrë në dorë çështjen që ne u përpoqëm ta mbrojmë. Dhe sot që ata po triumfojnë, lëvizja e tyre e parë është të kthehen kundër nesh. Ata i njohin synimet tona, të cilat nuk janë armiqësore ndaj tyre; ne i shihnim ata si aleatë. Ata e dinë se ne nuk do të ndjekim kurrë ndonjë plan për zgjerim e për propagandë; ne nuk kërkojmë veçse një gjë: që të na lënë të jetojmë në tokat ku jemi. Por këtë kërkesë ne do ta vazhdojmë deri në sakrificën e fundit. Ne nuk do të lejojmë as të na aneksojnë, as të na përçajnë e as të na mbysin në dallgën e një popullsie të huaj. Çështja e formulës politike që duhet gjetur, e qeverisë që duhet krijuar është anësore dhe tani për tani na intereson pak. Themelorja është se ndjenja kombëtare mbisundon tashmë mbi të gjitha ndjenjat e veçanta, mbi parapëlqimet politike ose mbi rivalitetet fetare. Të gjithë shqiptarët, katolikë, ortodoksë ose myslimanë janë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat e kombit dhe për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë.”

Herë pas here, Ismail Qemali përdorte fjalët “pavarësi” dhe “autonomi,” prandaj e pyeta nëse shqiptarët i kishin saktësuar synimet e tyre në këtë pikë. Ai bëri një gjest dëshpërimi: “Përse të bëjmë lojë fjalësh, – tha. Askush nuk e pat uruar më me zjarr sesa unë rimëkëmbjen e Perandorisë Osmane, askush nuk ishte më i vendosur për të sakrifikuar sa të ishte e mundur që Turqia të bëhej një shtet modern, i qeverisur dhe i administruar mirë, i qëndrueshëm dhe i fortë. E gjithë revolta jonë drejtohej kundër shpërdorimit të pushtetit nga një parti, e cila vuri në shënjestër të drejtat tona dhe synonte të na eliminonte si komb. Kjo parti tashmë e ka shkatërruar Turqinë. Çfarë mbetet në Europë nga Perandoria Osmane? Tani nuk mund të shtrohet aspak çështja e një Shqipërie autonome nën sovranitetin e Turqisë. Fijet që do të lidhnin me Perandorinë një krahinë të izoluar dhe të largët do të ishin artificiale dhe të pamundura për t’u mbajtur. Prandaj, nuk është autonomia ajo që ne kërkojmë, por pavarësia, një pavarësi që nuk kërcënon askënd dhe që madje u ofron disave garanci të caktuara.”

Ismail Qemali e dinte se para se t’i shkoja për vizitë, kisha takuar Hussein Xhahidin, ish-drejtor i gazetës Tanin, i cili ishte larguar nga Stambolli për shkak se kërcënohej të dënohej dhe ishte strehuar në Vjenë. Më pyeti se ç’mendonte Xhahidi për ngjarjet dhe si e shihte të ardhmen. Nuk ia fsheha se Xhahidi më kishte habitur me optimizmin e tij. Ai nuk e kishte humbur aspak entuziazmin dhe besimin e dikurshëm. Përvojën në Europë, ku kishte dështuar, do ta rigjallëronte në Azi, ku kishte më tepër shanse për sukses. Atje kishte më tepër probleme, më tepër pengesa. Armenët, sipas tij, nuk mund të përbënin një rrezik. Ata kishin shumë interesa të përbashkëta me turqit. Arabëve do t’u jepej një autonomi e madhe. Pak nga pak do të arrihej përparim, vendi do të organizohej dhe do të bëhej i begatë.

“Janë ëndrra,” tha Ismaili. “Asnjë realitet, sado i ashpër dhe i tmerrshëm nuk i zgjon dot këta njerëz. Me ngathtësinë dhe arrogancën e tyre ata prishën gjendjen më të bukur dhe më të papritur të krijuar në botë. Mendoni se çfarë simpatie dhe çfarë besimi gëzonte Turqia në Europë të nesërmen e revolucionit! Ishte diçka e paparashikuar, dukej sikur kjo kishte çliruar fuqinë e jetës dhe të energjisë, burime të pashtershme. E gjithë Europa i shprehu besimin Turqisë së re dhe i ofroi ta ndihmonte. Por ata nuk e kuptuan, nuk ditën aspak ta shfrytëzojnë rastin. Sa herë u përpoqa t’u hapja sytë, u lutesha të mos i humbisnin përfitimet nga kjo situatë e veçantë që nuk do të vinte më kurrë; nuk do të ishte vetëm partia e tyre që do të përfitonte, por e gjithë Perandoria. Brenda pak muajsh ata u armiqësuan me të gjithë botën; Fuqitë e Mëdha u trajtuan prej tyre me një mospërfillje të padëgjuar, ndërsa neve na kthyen kurrizin. Brenda perandorisë, kombësitë, të kërcënuara për ekzistencën e tyre nga një politikë qorre dhe e egër, nuk mund të ëndërronin gjë tjetër përveçse çlirimin nga një zgjedhë që po u bëhej e padurueshme. Rrjedhojë e gjithë kësaj ishte historia e ditëve të fundit, e cila pa dyshim ende nuk kuptohej qartë prej tyre.”

Kur po bëhesha gati të largohesha, Ismail Qemali më shprehu edhe një herë me këmbëngulje shpresën e tij se Fuqitë e Mëdha të Europës do t’i mbështesnin seriozisht kërkesat e Shqipërisë. Ai dukej mjaft i kënaqur nga atmosfera që kishte gjetur në Austro-Hungari, mjaft ndryshe nga ajo që shprehte prej disa ditësh shtypi italian. “Shtypi, – i thashë, – nuk pasqyron gjithnjë mendimin e qeverisë.” Ismaili tundi kokën dhe nuk u përgjigj.

Foto: memorie.al

(Marrë nga libri “Pavarësia”, Ilir Ikonomi 2012)

Filed Under: Komente

Gjergj Kastriot Skënderbeu mblodhi shqiptarët rreth Flamurit të përbashkuar

November 13, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

U promovuan dy librat “Scanderbeg” dhe “Iskander Soldier of the Cross” me autor Halit Daci.

Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. New York mblodhi një numër të madh shqiptarësh në mjediset plot e përplot në “Bright Side” Adult Center, Queens. Anëtarë të shoqatës, bashkëthemelues, anëtarë të rinj, përfaqësues shoqatash, personalitete të njohura morën pjesë në aktivitetin e rëndësishëm për promovimn e librave në nderim të Ditës së Flamurit.

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” Inc. nën kujdesin e Bordit të Drejtoreve si

z. Bashkim Shehu, kryetar nderi, z. Mark Qehaja kryetar nderi, Fation Zogiani anëtar i bordit të shoqatës, organizuan promovimin e librave: Scanderbeg, dhe Iskander Soldier of the Cross të përgatitura nga N/Col. Halit Daci ushtarak shqiptar në pension.

Të ftuar special ishin grupi i mirënjohur “Thesaret Labe” të ardhur nga Shqipëria me ftesë të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” me themelues z.Qemal Zylo.

Me tavolinat kuq e zi dhe simbolet e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. salla dukej dhe më madhështore dhe më rrezëllitëse.

Aktiviteti filloi me intepretimin e Himneve Kombëtare të Shqipërisë, Amerikës si dhe Himnin e Republikës së Kosovës.

Pas Himneve u mbajt një minutë heshtje për Heroin më të fundit të Kombit Afrim Bunjaku i cili u vra mizorisht nga paramilitarët serbë në Veriun e Kosovës.

Ishte krenari për shoqatën tonë të shikoje kaq shumë njerëz në sallë, ndonese kishim dhe më shumë kërkesa, por për shkak të kapacitetit të sallës nuk mundën te merrnin pjesë. Moderatorja Zylo falënderoi familjen e z. Dalip Greca ish editor i Gazetës “Dielli” duke e kujtuar me respekt dhe mirënjohje për veprën e tij që la pas. Ata kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë promovim me plot vlera.

Në prag të ditës së shenjtë të Flamurit nga Bordi dhe grupi i punës ka qenë e mirëmenduar bukur të sillnin një promovim krejtësisht të vecantë. Studjuesi skrupuloz Daci ka hulumtuar dokumente në arshivat historike dhe me majën e penës ka sjellë shkrimtarët

anglo-amerikanë që janë frymëzuar nga Heroi Kombetar Gjergj Kastriot Skënderbeu të cilët kanë shkruar një mori dramash, poezi, balada.

Dy librat voluminoz janë një pasuri e vyer kombëtare pasi lexuesit dhe studjuesit do të gjejnë material, drama, tragjedi, poema disa prej tyre të papublikuara më parë. E ndërsa kumtojmë me plot krenari Gjergjin e Madh në prag të Flamurit nuk ka se si brenda zemrës sonë si emigrantë të larguar nga Atdheu të mos sjellim ndërmend marrjen peng të tij nga Sulltani dhe kthimin heroik në tokat arbërore. Le të kujtojmë sot se cfarë shkruan Noli, elite e Kombit në vitin 1915, ku personalisht përjetoj një emocion të fuqishëm rreth takimit të Skënderbeut me nënën e tij Vojsavën si: Në mos je hije a fantazmë që vjen të gënjesh një plakë të varfër, një qyqe të neveritur, ti je im bir, ti je Gjergji im. Folë! Folë! Mos më mundo.

Flamuri i huaj u hoq dhe tani valon në erë Flamuri i Shqipërisë. Kështu u ngrit më 1443, në vjeshtën e tretë, në kryeqytetin e vjetër të Shqipërisë, Flamuri i kuq me shkabën e zezë me dy krerë…

Programi rreth promovimit të dy librave për Skënderbeun

Në emër të Bordit të drejtorëve të Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. fjalën e hapjes e mbajti z. Bashkim Shehu Kryetar Nderi dhe ish ZV/Ministër i Mbrojtes së Republikës së Shqipërisë.

Në emër të Federatës PanShqiptare “Vatra” përshëndeti Dr. Pashko Camaj Shef i Kabinetit pranë Vatrës famëmadhe.

Rreth autorit të dy librave voluminoz diskutoi z. Ismet Topi, Anëtar i Shoqatës “Skënderbej”, Inc. Ndër të tjera z. Ismet Topi tha se: Autori Halit Daci ka shpalosur talentin e tij duke hulumtuar për figurat historike si për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ai ka hulumtuar thellë në arshivat shkruar nga historianët perëndimorë të cilët e kanë sjellë artistikisht dhe në skenat e ndryshme. Shkrimtarë dhe personalitete të ndryshme u frymëzuan nga Heroi ynë kombëtar, prandaj tek këto dy libra ne do të lexojmë mjaft nga fama e Skënderbeut të palexuara më parë.

Autori i dy librave Skënderbeg u mirëprit me duartrokitje dhe para të pranishmëve solli fragmente të ndryshme si dhe autorë anglo amerikanë që kanë shkruar për Heroin tonë Kombëtar. Në një slide show solli në ekran gjithë punën rreth librave për Skënderbeun, ku të pranishmit mësuan më shumë dhe më thellësisht rreth tij. Natyrshëm dy librat volominoz duhen studjuar për të njohur se si bota perëndimore anglo saksone ishte frymëzuar nga bëmat dhe heroizmi i pashoq i këtij strategu ushtarak.

Zonjusha Elisa Qehaja një studente brilante në universitet në Amerikë ftoi në skenë Prof. James A. Anderson, Lehman College, Guest Speaker i cili e vlerësoi mjaft lart punën dhe veprën e z. Halit Daci rreth veprave të Skënderbeut. Ndonëse z. Halit Daci i ardhur nga Shqipëria në Amerikë e kishte edukimin e lartë, tha prof. Anderson, përsëri ai vazhdoi studimet në Lehman College master për letërsinë angleze dhe shkencat politike. Dhe ja ku e kemi sot me dy librat studimor rreth Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Shumë interesante ishte leximi i poemës “Scanderbeg”, voice recording of the “Scanderbeg” poem read by poet Padraic Colum, në vitin 1964

Zonjusha Elisa ftoi në emër të Bordit për të përshëndetur Zotin Isham Habibi drejtor i qendrës “Bright Side Adult Center” i cili në mënyrë gjeneroze siguroi mjediset si dhe ushqimin. Z. Habibi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e shumtë dhe tha se ishte i befasuar me këtë pjesëmarrje të gjerë të publikut. Ai vazhdoi se është kënaqësi të vazhdojmë lidhjet dhe komunikimet tona të mëtejshme me ju. Fjalën e tij e pëktheu zonjusha Bukuroshe Cora një vajzë patriote dhe e dashur.

Z. Agim Aliçkaj atdhetar i madh, një luftëtar i Kombit si dhe anëtar i Bordit pranë Ligës shqiptaro amerikane që drejtohet nga kongresisti Joe Di Guardi përshëndeti të pranishmit dhe i uroi autorit Daci punë të mbarë në këtë ndërmarrje sa të vështirë po aq dhe historike.

Programi artistik

Në këtë aktivitet të jashtëzakonshëm dhe madhështor të ftuar special ishin Grupi “Thesaret Labe” me artistët si: Viktor Aliu, Artistic Director dhe solist, Pëllumb Alia, poet dhe solist, Margarita Shehaj, solist, Adnand Aliu solist, Gëzim Aliu solist, Valter Aliu solist, Zylyftar Alia iso ardhur nga Shqipëria në New York. Grupi “Thesaret Labe” është grupi i parë që vjen dhe performon në Diasporën Shqiptaro Amerikane. “Iso-polifonia popullore shqiptare”është në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO.

Ata e filluan me këngën e famshme dhe aq tënjohur si:

Tungjatjeta moj Kosovë,

Vjen nga motër Labëria,

Të bekoi Zoti me dorë,

Kemi një gjak të dyja.

Ata vazhduan me këngë për Gjergj Fishtën dhe Gjuhën Shqipe.

Në fund të performancës së tyre z. Mark Qehaja në emër të Bordit të Shoqatës “Skënderbej” vlerësoi me pllakën e mirënjohjes grupin “Thesaret Labe” me këtë motivacion: Në mirënjohje të kulturës, traditës, këngës labe dhe traditave folklorike të historisë kombëtare shqiptare. Kjo certificatë jepet në Ditën e Flamurit dhe të promovimit të librave për Skënderbeun nga Bordi i Drejtorëve të Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej”Inc.

Para pulikut erdhën tri artistët e mirënjohur dhe dy patriotë të shquar të cilët sollën Interpretimin artistik realizuar nga z. Shaban Lajçi, z. Tom Gjergji, në bashkëpunim me lahutarin Hysen Kurtaj ardhur nga Dardania. Ata interpretuan me plot kulturë dhe profesionalizëm për Gjergj Fishtën, Prek Calin si dhe Lufta e Shekullarit. Lahutari Hysen Kurtaj solli pranë nesh Lahutën, një vegël muzikore autoktone shqiptare mijëra vjecare, por mjerisht e gllabëruar nga serbët. Performanca e tyre ishte e jashtëzakonshme, plot vitalitet dhe kulturë.

Z. Isa Brecani interpretoi vargje nga krijimtaria e tij dhe u duartrokit nga publiku.

Programi u mbyll me artisten Ana Kodra, një artiste që premton shumë dhe është zëri i të rinjve pranë Shoqatës Skënderbej e sjellë nga Shqipëria nga kjo shoqatë. Ana është një vajzë që po vazhdon ëndrrën amerikane që edhe pse në moshë shumë të re ka korrur suksese në skenat shqiptare dhe më gjerë.

Të pranishmit drekuan së bashku dhe u argëtuan me tinguj të muzikës drejtuar nga

Diar Xani, artist dhe anëtar i shoqatës.

Aktiviteti u filmua nga z. Qemal Zylo drejtor dhe producent i TV “Alba Life”, New York ndihmuar nga z. Odise Salillari anëtar i stafit të TV dhe njëkohësisht kryetar i Shoqatës “Devolli”. Së shpejti aktiviteti do të transmetohet në kanalet televizive.

Autorja e shkrimit ishte njëkohësisht dhe moderatore e aktivitetit.

12 Nëntor, 2023

Filed Under: Opinion

Futbolli shqiptar në zi, ndërron jetë Raphael Dwamena sulmuesi më i mirë i Kampionatit Shqiptar

November 11, 2023 by s p

Dwamena futbollisti që sfidoi vdekjen për futbollin

Nga Albano Kolonjari

Në tetor 2019, pas ekzaminimeve të reja për gjendjen e tij të zemrës, mjekët rekomanduan tërheqjen e tij të menjëhershme dhe tërheqjen nga futbolli. Në tetor 2021 në ndeshjen e Kupës së Austrisë gjatë pjesës së parë të lojës së Blau-Weiss Linz kundër Harterg, Dwamena u rrëzua në fushë dhe u trondit nga një ICD dhe u stabilizua shpejt.

Ishte minuta e 23-të e takimit. VAR, po verefikonte nëj faull të mundëshën në zonën e Partizanit gjatë takimit Egnatia-Partizani 1-1. Raphal Dwamena u rrëzua në tokë pa ndjenja. Të parë që vrapuan ishin portieri i Partizanit Hoxha dhe mbrojtësit e kuq. I menjëhershëm edhe reagimi i dy stafe mjeksorë Egnatia dhe Partizani dhe më pas aumbulanca…. futbollisti është transportuar në spitalin e Kavajës, por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën. Mësohet se është ngritur një grup hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit.
27-vjeçari iu bashkua skuadrës në janar 2023 dhe pati një ndikim të menjëhershëm, duke i ndihmuar ata të përfundonin të tretin atë sezon.

Dwamena demonstroi aftësitë e tij të shënimit duke arritur rrjetën 12 herë në 24 ndeshje në gara të ndryshme, duke demonstruar gjithashtu aftësitë e tij për të luajtur me 9 asistime.

Arritjet e tij të jashtëzakonshme tërhoqën vëmendjen e administratës së Egnatias, e cila veproi shpejt për të siguruar shërbimet e tij për sezonet e ardhshme.

Duke përfaqësuar më parë klube me reputacion si Red Bull Salzburg, FC Zurich, Real Zaragoza dhe Levante, Dwamena ka fituar përvojë të vlefshme gjatë gjithë karrierës së tij. Koha e tij në FK Egnatia ka rezultuar e frytshme, dhe klubi është i emocionuar për të ruajtur shërbimet e tij teksa synojnë të ndërtojnë mbi suksesin e tyre të fundit.

E zënë e treta në sezonin e kaluar me 52 pikë, FK Egnatia ka vendosur synime ambicioze për të ardhmen. Nënshkrimi i Dwamena forcon opsionet e tyre sulmuese dhe siguron një burim të qëndrueshëm golash për ekipin.

Ndërsa sulmuesi ganez vazhdon rrugëtimin e tij futbollistik në Shqipëri, FK Egnatia do të shpresojë që bëmat e golashënuesit dhe kontributet krijuese të Dwamena mund t’i shtyjnë ata drejt suksesit të mëtejshëm në Kupën e Shqipërisë.

I lindur në Nkawkaw, Dwamena luajti dhe u stërvit me programin zhvillimor Red Bull Gana. Në Turneun Ndërkombëtar në Croix, Francë, në vitin 2013, Dwamena ndihmoi ekipin RB Ghana U17 për të fituar medaljen e argjendtë dhe u emërua Lojtari më i mirë i turneut. Para se të ktheheshin në Ganë, Dwamena dhe shoku i tij i skuadrës, David Atanga, fillimisht udhëtuan në Austri për një provë njëjavore me FC Red Bull Salzburg. Dwamena iu bashkua ekipit të të rinjve të Salzburgut në janar 2014, dhe menjëherë pati një ndikim në skuadrën U18. Në një turne në qershor, ai shënoi shtatë gola në katër ndeshje. Edhe pse Salzburgu përfundoi në vendin e tretë, ai fitoi Këpucën e Artë.
FC Liefering
Në korrik 2014, Dwamena u promovua në FC Liefering, skuadra e Salzburgut që luan në Ligën e Parë të Futbollit Austriak. Ai bëri debutimin e tij profesional më 18 korrik, ku në minutën e 82-të të fitores 3–0 ndaj Hartberg, Dwamena u zëvendësua nga Nikola Dovedan. Ai ishte një nga gjashtë lojtarët e Liefering që bënë debutimin e tyre profesional atë ditë. Ai luajti edhe një ndeshje atë sezon. Gjatë sezonit 2015–16, Dwamena bëri fillimin e tij të parë për Liefering më 21 gusht kundër Wiener Neustadt. Ai luajti 90 minutat në vend të Smail Prevljakut. Më 18 shtator, në fillimin e tij të pestë radhazi, Dwamena shënoi golin e tij të parë profesional. Ai shënoi në një fitore 4–1 ndaj Austria Klagenfurt.
Austri Lustenau
Dwamena shijoi një gjysmë-sezon të suksesshëm me Austria Lustenau, duke shënuar 18 gola në 20 ndeshje, përpara transferimit të tij në FC Zürich.
FC Zürich
Raphael Dwamena përfundoi një transferim te FC Zürich më 27 janar 2017. Ai bëri një ndikim të menjëhershëm në klubin e tij të ri duke shënuar 12 gola në 18 ndeshje, duke ndihmuar Zürich për të fituar Ligën Swiss Challenge 2016–17 dhe për të fituar promovimin në Superligën Zvicerane.

Në debutimin e tij në Super Ligën Zvicerane, Dwamena shënoi dy gola kundër Grasshoppers.

Më 21 gusht 2017, Zürich ra dakord për një tarifë me klubin e Premier League Brighton & Hove Albion për transferimin e Dwamena. Ai ishte vendosur t’i bashkohej Brighton-it, me kusht që të kalonte një ekzaminim mjekësor, të merrte një leje pune dhe leje ndërkombëtare, megjithatë marrëveshja dështoi pasi Dwamena dështoi mjekësore për shkak të një sëmundjeje të zemrës. Në vend të kësaj, ai mbeti një lojtar i FC Zürich.
Levante dhe huazim te Zaragoza
Më 7 gusht 2018, Dwamena nënshkroi një kontratë katërvjeçare me skuadrën e La Ligës, Levante UD. 16 korrikun vijues, ai u huazua te klubi i Segunda División Real Zaragoza për një vit.

Në tetor 2019, pas ekzaminimeve të reja për gjendjen e tij të zemrës, mjekët rekomanduan tërheqjen e tij të menjëhershme dhe tërheqjen nga futbolli. Ai, megjithatë, vazhdoi pasi kishte zbatuar një kardioverter-defibrilator të implantueshëm (ICD) në janar 2020.
Kthimi në Austri
Më 25 qershor 2021 ai u kthye në Austri dhe nënshkroi një kontratë dyvjeçare me Blau-Weiß Linz. Më 28 tetor 2021, Dwamena u rrëzua në fushë gjatë një ndeshjeje të Kupës së Austrisë kundër TSV Hartberg ndërsa loja u braktis. Ai u shërua në spital, por nuk ka luajtur që atëherë.

Karriera ndërkombëtare

Dwamena nuk pati mundësinë të luajë për ekipet kombëtare të të rinjve të vendit të tij Gana. Raphael Dwamena u thirr në ekipin e të moshuarve si pjesë e skuadrës prej 30 lojtarësh për Kupën e Kombeve Afrikane 2017, por u hoq nga skuadra me 23 lojtarë.

Raphael Dwamena bëri debutimin e tij ndërkombëtar më 11 qershor 2017 në një ndeshje kualifikuese të Kupës së Kombeve Afrikane kundër Etiopisë, ku ai shënoi një dygolësh për të shënuar epokën e re të të rinjve që futeshin në ekipin kombëtar.

Jeta personale

Dwamena u diagnostikua me një sëmundje të zemrës në vitin 2017. Në janar 2020, ndërsa ishte në Levante UD, atij iu implantua një kardioverter-defibrillator i implantueshëm (ICD) përmes operacionit, i cili i mundësoi klubit të tij të monitoronte zemrën e tij gjatë ndeshjeve. Në tetor 2020, ICD tregoi vlera të cilat u konsideruan shumë të larta dhe klubi i tij në atë kohë, Vejle Boldklub, e tërhoqi atë nga aktivitetet e ekipit si rezultat.

Në tetor 2021 në ndeshjen e Kupës së Austrisë gjatë pjesës së parë të lojës së Blau-Weiss Linz kundër Harterg, Dwamena u rrëzua në fushë dhe u trondit nga një ICD dhe u stabilizua shpejt.

Vdekja
Më 11 nëntor 2023, ai u rrëzua sërish në fushë në minutën e 23-të të pjesës së parë, por këtë herë nuk ia doli. Ai kishte një arrest kardiak dhe nuk do ta kalonte në Spitalin e Kavajës

Fitues
FC Cyrih
Swiss Challenge League: 2016–17
Kupa e Zvicrës: 2017–18[30][31]
KF Egnatia
Kupa e Shqipërisë: 2022–23

Mesazh ngushëllimi nga Federata Shqiptare e Futbollit:

Federata Shqiptare e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për tragjedinë e ndodhur sot gjatë ndeshjes së javës së 13-të të “Abissnet Superiore”, Egnatia-Partizani.
Futbollisti Raphael Dwamena ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve në fushën e lojës është transportuar me ambulancë për në spital.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve specialistë dhe të gjitha përpjekjeve të mëpasshme për ta rikthyer në jetë, futbollisti për fat të keq ka ndërruar jetë.
FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.
Federata e Futbollit bën me dije se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë.

Filed Under: Sport

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT