• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

Qeveria e Kosovës miraton Programin Legjislativ për vitin 2024, të drejta pronësore për shqiptarët e Luginës së Preshevës

January 25, 2024 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 25 Janar 2024/ Shqiptarët e Luginës së Preshevës, rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, do fitojnë të drejta pronësore në Kosovë, duke përjashtuar në këtë rast parimin e reciprocitetit. Qeveria e Republikës së Kosovës në një mbledhje ku ka miratruar Programin Legjislativ të saj për vitin 2024 ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj në Republikën e Kosovës. “Me propozimin e ri nga Ministria e Drejtësisë, qytetarët shqiptarë, pra personat fizik dhe juridik nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci do të mund të fitojnë të drejta pronësore në Kosovë, sipas kushteve të parapara me ligj, duke përjashtuar në këtë rast parimin e reciprocitetit”, bën të ditur komunikata e dërguar nga Kryeministria.

Komunikata thekson edhe se, Qeveria e Kosovës ka “aprovuar pagesën për 375 specializantë me vetëfinancim, si dhe 21 specializantë me vetëfinancim nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, dhe Mali i Zi”.

Kabineti qeveritar, mes tjerash, ka miratuar edhe nismën për negocimin e Marrëveshjes Financiare të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI) për Projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”.

“Ky projekt ka për qëllim ngritjen e kapacitetit gjenerues të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtëritshme në Kosovë. Kostoja totale e projektit është vlerësuar 107 milionë e 200 mijë euro”, vijon komunikata nga mbledhja e 186-të e Qeverisë e Republikës së Kosovës.

Filed Under: Ekonomi

“Lindja, fëmijëria dhe rinia e klonit Nikolaus Bonadei”

January 25, 2024 by s p

FATMIR MAMO*/

Romani i ri i shkrimtarit Sh. S. Noé karakterizohet nga vazhdimësia për të sjellë tek lexuesit momentet e shpërbërjes së regjimeve komuniste, dhunës dhe persekutimeve të intelektualëve. Në këtë roman Noé, me stilin dhe talentin e tij, përshkruan momentet e para të rrëzimit të regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik, kaosin por edhe dëshirën e një populli për ndryshim. Nën petkun e një shkencëtari, dhe me provokimin për të kryer një eksperiment klonimi, ai mjaft bukur tërheq lexuesin në këtë aventurë të mrekullueshme. Në brendësi të romanit lexojmë përshkrimin e një jete tashmë të integrimit midis dy kombësive, kulturave dhe mënyrave të jetesës, peripecitë dhe persekutimet për klonimin e atij lideri që hodhi hapat e para dhe krijoi komunizmin, që solli vetëm vuajtje dhe vdekje në pothuajse gjysmën e Evropës dhe e kushtëzoi për dekada. Në faqet e këtij romani shkrimtari përshkruan mjeshtërisht jetesën dhe integrimin, lindjen dhe vazhdimësinë e familjeve me dy kombësi, që tashmë eshtë një realitet. Ai nuk lë pa theksuar edhe paralelizmin midis regjimeve komuniste, sikur edhe ai në Shqipëri, ku persekuetuesit kishin ndërruar vetëm ngjyrat dhe emrin e partisë, vazhdonin të jetonin në të njëjtin ambient, me ato privilegje, duke përndjekur në një mënyrë të re ish-të përsekutuarit.

Leximi i romanit të Noé-së për mua ishte një eksperiencë emocionuese. Autori, në rreshtat e fundit te romanit, shkruan në mënyrë ngjethëse: Të pavetëdijshëm për transformimin që kishin pësuar, të gjithë shtynin vitet pa e kuptuar se nga një ditë në tjetrën ishin bërë alter ego-ja apo edhe kloni i vetvetes, ose më keq: kavie ekperimentesh në laboratorin e pamëshirshëm të kohës, të paaftë për të ndryshuar historinë e fatit së tyre. Murtaja e Kuqe e shekullit të njëzetë – më e keqe se ajo e vitit 1347 – ishte dobësuar, por nuk kishte vdekur. Ajo pandemi makabre vazhdonte ende të mbillte vdekje dhe shkatërrim, duke katandisur disidencën deri në atë pikë sa të dukej sikur nuk kish ekzituar kurrë.

Ashtu si banorët e tij, edhe Berati atje poshtë dukej si një hije e vetvetes, me natyrën e tij rebele të shndërruar në disfatizëm, në pritje të përhershme të një të Dërguari të Ri prej Qiellit që mund ta printe drejt ringjalljes jetën e tij mijëravjeçare”.

Incoscienti di quello che erano diventati, tutti tiravano a campare senza capire che da un giorno all’altro erano diventati forse l’alter ego, forse il clone di se stessi, passati come cavie nello spietato laboratorio del tempo, incapaci di cambiare il corso della loro storia.

La Peste Rossa del ventesimo secolo – peggiore di quella del 1347 – si era indebolita, ma non era morta. Quella macabra pandemia continuava ancora a seminare morte e distruzione, debellando la dissidenza fino a farlo sembrare inesistente.

Come i suoi abitanti, anche Berat laggiù sembrava l’ombra di se stessa, con la sua indole ribelle convertito in disfattismo, in attesa perenne di un nuovo Messia che potesse guidare verso il risorgimento la sua vita millenaria.

Të pavetëdijshëm për transformimin që kishin pësuar, të gjithë shtynin vitet pa e kuptuar se nga një ditë në tjetrën ishin bërë alter ego-ja apo edhe kloni i vetvetes, ose më keq: kavie ekperimentesh në laboratorin e pamëshirshëm të kohës, të paaftë për të ndryshuar historinë e fatit së tyre.

Murtaja e Kuqe e shekullit të njëzetë – më e keqe se ajo e vitit 1347 – ishte dobësuar, por nuk kishte vdekur. Ajo pandemi makabre vazhdonte ende të mbillte vdekje dhe shkatërrim, duke katandisur disidencën derinë atë pikë sa të dukej sikur nuk kish ekzituar kurrë.

Ashtu si banorët e tij, edhe Berati atje poshtë dukej si një hije e vetvetes, me natyrën e tij rebele të shndërruar në disfatizëm, në pritje të përhershme të një të Dërguari të Ri prej Qiellit që mund ta printe drejt ringjalljes jetën e tij mijëravjeçare.

*Rreth romanit te Shpend Sollaku Noé-së: “Lindja, fëmijëria dhe rinia e klonit Nikolaus Bonadei”. (“ Nascita, infanzia e gioventù del clone Nicolaus Bunadei”).

Filed Under: LETERSI

NJË LIBËR ME VLERË TË VEÇANTË PËR HISTORINË SHQIPTARE TË SHEKULLIT XVII

January 25, 2024 by s p

Rreth botimit të “Relatione Universale dell’origine, e successo della Missione Apostolica de Frati Min.ri Oss.ti Rifor.ti Del serafico P’rè S. Francisco nel Regno d’Albania” të Giacinto Sospello, sjellë në shqip nga Dr. Mark Planikaj, studiuesi i njohur i arkivave.

Nikollë Loka

Abstrakt

Etërit françeskanë nga Italia që kryen misionin e tyre jashtëzakonisht të vështirë në Shqipërinë qendrore-veriore në shekullin XVII, ne u detyrohemi edhe për relacionet e tyre që pasqyrojnë përditshmërinë shqiptare. Raportet përmbajnë përshkrime të territorit dhe të jetës së përditshme të popullsive ballkanike, statusit social dhe kulturor të popullsisë. Nga këndvështrimi antropologjik ato janë dokumente shumë interesante, me përshkrime të traditave dhe zakoneve si në jetën private dhe në jetën publike; ato fotografojnë struktura socio-politike me dallime të thella midis zonave; japin fillimet e para të përpjekjeve për shkrim-lexim, sado të kufizuara në sferën fetare, të dhëna për dinamikat e zhvillimeve politike ndërkombëtare dhe përplasjen e vazhdueshme midis Perandorisë Osmane dhe vendeve evropiane, mbi të gjitha me Republikën e Venedikut, dinamikë që kishte një peshë shumë domethënëse në jetën e misionarëve dhe motivoi martirizimin e tmerrshëm të disa prej tyre.

Një vështrim mbi Shqipërinë Qendrore-Veriore në shekullin XVII

Osmanët i pushtuan territoret nën emrin e fesë me synim përhapjen e islamit. Ideali i gazasë, luftës së shenjtë, nuk ishte vetëm një factor themelor për krijimin dhe zhvillimin e Dovletit Osman, por dhe vetë arsyeja e ekzistencës së tij. Por, xhihad nuk do të thotë të shkatërrosh medeomos botën e jobesimtarëve, Dar’l-harb, por para së gjithash ta nënshtrosh atë dh eta kthesh në Daru’l-islam(mbretërinë e vlerave të islamit). Pra, sulltanët e parë osmanë ishin kryesisht të interesuar për përhapjen e islamit dhe jo për plaçkën e përfituar nga lufta(Maksudoglü, 2017:57-58). A shprehet më qartë se aq dhuna e motivuar nga feja.

Gjatë pushtimit turk në shek. XV, shumë shqiptarë u detyruan të emigrojnë dhe katolicizmi u gjend kështu në kushte shumë të trishtueshme; klerikët ishin në një gjendje të braktisur, të paaftë për të kryer më detyrat e tyre dhe herë pas here të çrregullt. Pas pushtimit osman katedralet u shkatërruan ose u shndërruan në xhami, siç p.sh. në Lezhë ose Tivar më 1571. Ipeshkvijtë ose ikën në arrati, ose ranë në robëri osmane, prej së cilës zor se mund të shpëtoje. Dioqezat mbetën një kohë të gjatë jetime, ose vetëm sa mbuloheshin prej ipeshkvijve titullarë. Në Lezhë dhe Shkodër ipeshkvijtë u rikthyen vetëm duke u nisur prej vitit 1575, në Sapë prej vitit 1582, në Durrës prej 1640 dhe në Pult në vitin 1668. Të gjithë ipeshkvijtë e kishin selinë nëpër fshatra. Kur prej osmanëve u mor edhe ipeshkvia e fundit shqiptare në Tivar më 1571, izolimi ndaj Perëndimit u bë edhe më i dukshëm(Vrankić, 2016:66-67). Në ato kushte organizimi kishtar pësoi mjaft ndryshime në qendrat ipeshkëvnore, ku disa shuhen, e të tjera bashkohen, si dhe ndryshojnë apo dhe zhvendosen kufijtë ndërmjet tyre. Është një gjendje paqëndrueshmërie që vjen nga procesi i pashmangshëm i shpërbërjes dhe shuarjes nën presionin e islamizimit të popullsisë. Meshtarët e rinj përgatiteshin me pak arsim pranë famullive në gjuhën shqipe. Priftërinjtë u mësonin xhakojve të tyre vetëm sa të lexonin dhe pastaj ipeshkvinjtë, me shkakun se gëzonin privilegjin apostolik, në një kohë të shkurtër u jepnin urdhrat e shenjtë, pa iu bindur normës së Koncilit të Shenjtë të Trentos (Dokumente për historinë e Shqipërisë (1623- 1653), 2015: 453).

Veprimtarinë fetare në vend e mbajtën gjallë misionarët françeskanë. Në vitin 1585 kishin mbetur kuvendet e Sebastes me 10 fretër; të Lezhës 8 fretër; të Rubikut me 7 fretër; të Memlit me 7 fretër dhe të Kepit të Rodonit me 8 fretër, me një numër të përgjithshëm prej 40 fretërish. Dy vjet më vonë kishte 5 kuvende: Rubik, Lezhë, Sebaste, Kepi i Rodonit dhe Hajmel (Gonzaga, 1587: 931), por në vitin 1589 ishin shtuar edhe katër kuvende të tjera: i Velës, i Oroshit, Qafë Kërrabës dhe Kurbinit (Malaj,1998: 26)

Rreth relacioneve të Giacinto Sospello-s

Françeskanët kishin në zemër fatin e popullit dhe e kishin përqafuar plotësisht çështjen e tij. Të dëbuar në një anë, ata shkonin në një tjetër, shpesh të veshur si njerëz të thjeshtë dhe kalonin sa në një vend, në një tjetër, gjithmonë mes njerëzve, madje edhe nëpër burgje; ose nëpër male e shpella për të ngushëlluar e mbështetur kushedi sa të arratisur, duke pritur aty të qetësoheshin stuhitë dhe pastaj të ktheheshin për t’u ribashkuar në manastiret e dëmtuara, të cilat i rindërtuan me modesti, për të mos i lënë në mjerim(Sirdani, 2014:172). Gjatë predikmeve të tyre, misionarët u bënin thirrje edhe të konvertuarve në myslimanë që t’i kthehen fesë së “të vërtetë” siç e quanin ata katolicizmin. Ata mund të silleshin shpirtërisht në dy mënyra: Të mos bënin diskutime teologjike, por t’i afroheshin çdo krijese njerëzore me dashurinë e Zotit, duke e paraqitur veten si të krishterë, ose ta shpallnin fjalën e Zotit në mënyrë publike në përpjekje për të bindur të tjerët (Sammut, 2011:13).

Misionet françeskane morën përsipër detyrën e vështrirë të ruajtjes dhe të përtëritjes së besimit katolik ndër shqiptarë. Françeskanët vinin nga rajone të ndryshme të Italisë dhe për këtë arsye u përkisnin disa “Provincave”, në të cilat ishte strukturuar Urdhri: Piemonte, Veneto, etj. dhe në përfundim të misionit të tyre mund të ktheheshin në “Provincën” e tyre të përkatësisë(Nadin, 2022), ndoshta duke marrë me vete kujtime personale, që janë ruajtur në arkiva rajonale, jo vetëm ato romake, dokumente të çmuara për historinë e misioneve dhe në përgjithësi për historinë e Shqipërisë. Një dorëshkrim historik i tillë është zbuluar nga studiuesi i njohur i arkivave Mark Palnikaj, gjatë kërkimeve të tij në Bibliotekën e Bashkisë së qytetit të Fermos në Itali, të quajtur Biblioteca Civica “Romolo Spezioli”. Dorëshkrimi ka për autor misionarin Giacinto da Sospello, Vikar Apostolik i Shqipërisë dhe mban titullin “Relatione Universale dell’origine, e successo della Missione Apostolica de Frati Min.ri Oss.ti Rifor.ti Del serafico P’rè S. Francisco nel Regno d’Albania”. Libri kishte përfunduar në vitin 1652, në Perast, pranë Kotorrit në Mal të Zi, që në atë kohë ishte një qendër e rëndësishme e katolicizmit dhe përfshin periudhën kohore nga viti 1634 deri në vitin 1650(Jaçaj, 2022). Ai dorëshkrimi mbeti i pabotuar për 370 vjet dhe falë punës me përkushtim të Mark Palnikajt dhe me mbështetjen materiale të vetë atij, u botua vitin e kaluar në origjinal italisht dhe me përkthimin shqip.

Misionarët françeskanë, rrugës për në Shqipëri, qëndruan në Raguza, e cila pati rol kryesor në përgatitjen dhe mbështetjen financiare të misioneve të tyre. Francesco Bolizza-s sikurse del në korespondencën e tij, përdori lidhjet politike dhe tregtare për të ndërmjetësuar me oficerët osmanë në Shqipërinë që të garantonte sigurinë e françeskanëve. Nga këto letra del qartë se ai ishte në kontakt të ngushtë dhe të rregullt me sanxhak-bejlerët, agallarët dhe jeniçerët e Shkodrës, jo vetëm për shkak të rolit të tij në shërbimin postar, por edhe sepse ishte një figurë ndërmjetëse në tregtinë ndërmjet oficerëve osmanë dhe tregtarëve venedikas(Molnár, 2014:512).

Misionarët hynin në Shqipëri pothuajse në mënyrë ilegale. Ata niseshin nga Ankona, por edhe nga Venecia dhe, në shumicën e rasteve, arrinin në bregun lindor të Adriatikut me anije, duke u ankoruar në Raguzë (Dubrovniku i sotëm), një qytet nën mbrojtjen e Serenissima-s dhe prej këtu, përsëri nga deti ose nga toka kalonin në Budva dhe prej andej arrinin në Tivar (në Mal të Zi), selia e Arqipeshkëvisë, duke vazhduar më pas në vendet e misionit, ku ishin të destinuar në territorin shqiptar, apo edhe në zonat periferike në Maqedoni dhe në Kosovë. Vetë autori i relacionit, Fra Giacinto da Sospello e kishte nisur udhëtimin për Shqipëri nga Roma në vitin 1637 dhe kishte qëndruar me mission përmes peripecive të shumta deri në vitin 1650. Në vitin 1652, ai përgatiti relacionin(Nadin, 2022), që Mark Palnikaj e ka botuar në një libër.

Sospello e ka ndarë veprën në tri pjesë kryesore. Pjesa e parë prej 53 faqesh pasqyron veshtrimet personale të autorit mbi Shqipërinë dhe banorët e saj. Kapitulli I, trevat veriore të Shqipërisë, krahinat e saj dhe krishterimi;.kapitulli II, krishterimi i maleve të Shqipërisë; kapitulli III, cilësitë dhe zakonet e shqiptarëve nga origjina; kapitulli IV, mbi nevojën që ka Shqipëria për misionin apostolik; kapitulli V, rreth origjinës së misioneve apostolike të dërguar në Mbretërinë e Shqipërisë. Në pjesën e dytë, të titulluar “Relatione delle difficolta, succesi, gesti, frutti, traugli, e persecutioni, occorse nella missione d’Albania dall’anno 1634 sino all anno1650”, tregohet puna pesëmbëdhjetë vjeçare e misionarëve françeskanë dhe vështirsitë e tyre në Shqipëri. Kjo pjesë përmban të dhëna mbi gjeografinë dhe etnografinë e kësaj province, të perzier fetarisht. Të dhënat e misioneve françeskane janë të ndara në 16 kapituj të veçantë. Libri përshkruan historikun e 16 misioneve fetare, të kryera nga autori dhe misionarë të tjerë nga viti 1634 deri në vitin 1650. Aty përshkruhen përpjekjet që bënin misionarët katolikë për edukimin fetar dhe social të popullsisë shqiptare ku ata punuan.

Relacioni i Sosppello-s jep të dhëna të hollësishme për gjendjen e katolicizmit në veriun e Shqipërisë në shekullin XVII. Siç del nga relacioni, në atë periudhë kishte dy Arqippeshkëvi: të Durrësit dhe të Tivarit. Arqipeshkëvia e Durrësit ishte e zbrazët për më shumë se 150 vjet, pra që nga pushtimi turk deri sa u emërua Mark Skura për ta qeverisur atë. Edhe Arqipeshkëvia e Antivarit nuk kishte deri atëherë arqipeshkëv; bosh ishte edhe dioqeza e Shkodrës. Ndërsa në vitet 1635-1643, Frang Bardhin, e gjejmë si Ipeshkëv të Zadrimës, si pasues të xhaxhait të tij, të emëruar Arqipeshkëv i Tivarit.

Në libër jepet gjendja e mjerueshme e klerit vendës. Gjatë pushtimit turk (shek. XV), shumë shqiptarë u detyruan të emigrojnë dhe katolicizmi u gjend kështu në kushte shumë të trishtueshme; klerikët ishin në një gjendje të braktisur, të paaftë për të kryer më detyrat e tyre dhe herë pas here të çrregullt. Duke lexuar relacionin e Padre Giacinto Da Sospello del se ka raste të shpeshta të priftërinjve, që nuk i kishin vizituar kurrë famullitë e tyre “për të mos marrë përsipër vështirësitë e udhëtimit”, kështu që fshatra të tëra u braktisën plotësisht. Kishte raste të ndonjë vizite prej disa orësh, në një interval prej një ose dy vitesh dhe, në atë hapësirë ​​kohore, prifti detyrohej të kryente ritialet fetare në mënyrë të përmbledhur. Të tilla ishin kushtet. “Françeskanët ishin ata,- thotë Thallóczy, të cilët pas pushtimit turk morën në zotërim famullitë dhe manastiret e braktisura dhe të shpopulluara të benediktinëve; mbetën në roje dhe refugjatë në veri të Shqipërisë, edhe kur Europa nuk tregoi kurrë ndonjë interes për këtë vend dhe kur pushtimi turk bëri gjithçka për të shkatërruar çdo shenjë të krishterimit, ata arritën të mbanin gjallë fenë katolike deri në ditët e sotme”(Sirdani, 2014:172). Relacioni jep një pasqyrë të plotë të veprimtarisë misionare françeskane që nga rifillimi i misioneve dhe deri në vitin 1650, ku trajton me hollësi hospice e ndryshme: të Troshanit, të vendosur në rrëzë të malit të Kreshtës, në një vend të vetmuar dhe të Mirditës, që e kishte qendrën në Orosh; të Pultit të Epërm me qendër në Gash; hospici afër lumit Mat, midis Pdhanës dhe Zadrimës. Në vitin 1640, Fr. Cherubino, pasi u bë Prefekt i Misionit, e zgjeroi gamën e misioneve dhe mori ndihmë të re nga Roma, themeloi tri hospice të tjera në: Shas, Derven dhe Grudë; hospici i Dervenit, që vepronte në vendbanimet e fushës deri në Durrës, dhe nga ana tjetër deri në Mullet. Në male ai përfshinte të gjithë Bendën deri në Tomadhea dhe më tej deri në kufijtë e Dibrës së Sipërme, në Luginën e Sopotit, duke kaluar Vajkalin e Skënderbeut; hospici i shtatë u themelua mbi liqenin e Shasit, në një vend të shkretë, ku ishte kisha e Shën Pellegrinit, në distancë pothuajse të barabartë nga tre qytetet: Shkodër, Ulqin dhe Tivar.

Libri i Sospellos është një lloj historie jo vetëm e ngjarjeve dhe e rrjedhave që e cilësuan periudhën e përmendur në rrafshin fetar e shpirtëror, po dhe në atë shoqëror, politik, ekonomik, kulturor dhe arsimor në një hapësirë të madhe të Arbërisë. Libri pasqyron qartë pozitën inferiore të katolikëve krahasuar me myslimanët, para të cilëve duhet të ishin të nënshtruar dhe të bindur. Misionarët para se të vendoseshin në një vend merrnin takim me autoritetet e vendit dhe me klerikët vendës, pra ishin në rregull me ligjet dhe traditën e vendit, megjithatë ata u nënshtroheshin rrethanave rastësore, mund të arrestoheshin nga çdo zotëri turk, të goditeshin, madje dhe të vriteshin, prandaj gjatë misionit të tyre ata i merrnin parasysh të gjitha(Sospello, 2023:67). Misionarët dhe klerikët e tjerë ishin të pambrojtur dhe u nënshtroheshin pa shkak torturave të turqëve, siç ishte rasti me famullitarin e Pdhanës, At Andrea Karlanji(Sospello, 2023: 225-226). At Giacinto goditet me shkop nga një turk, vetëm për faktin se nuk ngrihet në këmbë kur kalon ai(Sospello, 2023:325). Në vitin 1636, misionarët kërcënohen në Mazrrek(Sospello, 2023:67). Në Gjakovë misionarët kishin paguar për lirimin e tyre. Në vitin 1637, ushtarët turq kihsin hyrë në uratoren e Trushit, duke i detyruar misionarët që të largoheshin(Sospello, 2023:116).

Një i krishterë ishte kapur në qytetin e Pejës nga turqit sepse kishte një borgj, dhe e kishin kërcënuar se nëse nuk do ta paguante t’u çonte vajzën, ndryshe do ta varnin. Dhe ai pranoi më mirë vdekjen për vete se dhunimin e të bijës(Sospello, 2023:265-266).

Të krishterët e konvertuar në myslimanë nganjëherë mbajnë qëndrim dashamirës, madje dhe praktikojnë disa rite të krishtera. Gratë e myslimanëve shkonin te misionari që të dëgjonin besimin e shenjtë dhe kishin devocion për virgjërën tejet të shenjtë që ato e quanin Mejreme(Sospello, 2023: 160). N

Kishte raste që myslimanët riktheheshin në krishterim në prag të vdekjes(Sospello, 2022: 111).

Popullsia shqiptare kishte bestytni, ndaj të cilave misionarët u desh të ndërhynin shumë, në mënyrë që t’i çlironin prej tyre(Nadin, 2021: 14).At Giacinto me Fra Bonaventuren shpëtuan në Perasht gra që I kishin lidhur dhe po I hidhnin në det, të përgojuara si shtriga. Priftërinjë gati kudo pagëzonin edhe fëmijët e myslimanëve, jo që të bëheshin të krishterë, por që të kishin shëndetin e trupit, të mos kishin erë të keqe, e të mos shqyheshin nga ujqërit.

Misionarët ishin pranuar përgjithësisht nga popullsia, por edhe nga autoritetet për shkak të anagzhimit të tyre si mjekë. Edhe myslimanët i merrnin misionarët për shërbime shendetësore dhe besonin në aftësitë shëruese të tyre.At Kerubini shëroi një të çmendur, të birin e Alisak Begut. At Giacinto kishte shëruar djalin e Hysen pashës së Pdhanës, i cili studionte për hoxhë.(Sospello, 2023: 230-231). Në Hospicin e Troshanit ndodhej edhe infermieri, Fra Felice. Edhe Fra Humile ishte infermier, që kishte shëruar shuëm të sëmurë(Sospello, 2023: 106-109). Në Pdhanë, një zotëri mysliman u kishte kërkuar misionarëve që të ngrinin një Hospic atje dhe të merrnin një infermier laik që të kujdesej për të sëmurët që vdisnin pa asnjë ilaç dhe kujdes (Sospello, 2023:128). At Kerubini ishte thirrur që të shkonte me një frat infermier në një fshat pranë Shkodrës, për të shëruar një mysliman që ishte çmendur, i cili ishte vëllai i njërit prej drejtuesve kryesorë. (Sospello, 2023: 156). Fra Kozimo, që ishte misionar në Shën Pelegrin, afër lumit Buna, ishte infermier i virtutshëm dhe i gjindshëm, si dhe shumë praktik në lëndën e kirurgjisë dhe në përgatitjen e ilaçeve dhe medikamenteve. Tek ai shkonin dhe zotërinj turq të Tivarit, Ulqinit dhe të Shkodrës(Sospello, 2023:288).

Por myslimanët, ashtu si dhe të krishterët besonin se Ungjilli kishte aftësi shëruese, vepronte kundër sëmundjeve, mbi fushat, vreshtat dhe kundër çdo pranie djallëzore dhe sëmundje (Sospello, 2023: 159). Ishte gjë e zakonëshme në të gjitha anët e Shqipërisë, që fretërit të thërriteshin nga të sëmurët që t’u lexohej Ungjilli dhe t’u shkruheshin letra, pavarësisht nëse ishin të krishterë apo turq.Një mysliman në Derven që i kishte dhënë tokën Misionit u sëmurë dhe At Antoni nga Spoleto që banonte aty i lexoi Ungjillin dhe ai ndjeu një përmirësim(Sospello, 2023: 285-286). Ka shumë raste të tilla që jepen në libër.

Edhe një herë për konvertimin e katolikëve në myslimanë

Administrata osmane provoi mënyra të ndryshme për të ruajtur sundimin e tyre mbi shqiptarët, veçanërisht duke u imponuar fenë myslimane shqiptarëve me anë të masave diskriminuese fetare. Sipas historianëve shqiptarë, islami u përhap më gjerësisht në Shqipëri se në viset e tjera të Ballkanit për shkak se mjetet e shtrëngimi i përdorur atje ishin më të mëdha. Me anë të betejave të organizuara për të nënshtruar të krishterët ortodoksë të Sulit, Himarës dhe krahinave të tjera që përfitonin nga njëfarë pavarësie, ai i detyroi shqiptarët të zgjedhin islamin për t’i shpëtuar mizorisë osmane(Daniel, 1990: 6-7). Nuk ka dyshim se gjatë kalimit nga oikumene latino bizantine në umetin multietnik mysliman, shumë njerëz u përballën me dhunën politike, paragjykimet fetare dhe brutalitetin ushtarak, që luajtën një rol të rëndësishëm Kopañski, 1997: 193). Përderisa greku më parë jepte lirinë se besimin, te shqiptarët mesatarisht ishte e kundërta. Shqiptari është i gatshëm të paguajë lirinë nga shtypja politike me çmimin e besimit të trashëguar. Kjo bindje ka gjetur shprehjen e saj në proverbin e njohur shqiptar “ku është shpata, është feja“(Hahn,1854: 35).

Për të gjykuar mbi konvertimin e katolikëve duhet marr në konsideratë gjendja e Shqipërisë Qendrore-Veriore në shekullin XVII. Armiqësia midis Shqipërisë katolike dhe Perandorië osmane çoi në shkatërrim të gjërë të zonave të rezistencës nga osmanët, midis viteve 1466-1479. Në Dibër e Mat midis dy të tretave dhe tre të katërtave të popullsisë u vranë soe u morën skllevër. Mbrojtësit e Drishtit, qendrës kulturore të kulturës katolike të Shqipërisë Veriore, të famëshme për shkollën e saj latine dhe priftërinjtë shumë të arsimuar u masakruan mu përpara mureve të Shkodrës. Pas rezistencës shqiptare, shumica dërmuese e objekteve të kultit u shkatërruan dhe pjesa më e madhe e klerikëve u larguan jashtë vendit apo u strehuan nëpër male. Në atë periudhë ishte vështirë të ishe katolik, për shkak të sakrificave që duheshin bërë, qoftë me pranimin e një statusi më të ulët shoqëror, ashtu dhe të diskriminimit të qartë ekonomik që shprehet me ngërkesën me më shumë taksa krahasuar me myslimanët. Në përgjithësi, presioni ekonomik që ushtrohej mbi të krishterët nëpërmjet taksës së xhizjes që ishte detyrimi që paguhej pasi nuk i nënshtroheshin shërbimit ushtarak. Me përkeqësimin progresiv të buxhetit të shtetit osman, gjendja ekonomike e të krishterëve u bë gjithnjë e më e rëndë dhe për pasojë ka qenë gjithmonë e më e fortë shtysa për të hequr dorë nga krishterimi dhe për të përqafuar islamin Sciarra, 1996:4). Taksat dhe detyrimet e rënda të një pushteti tiranik turk, angaritë e përbindëshme dhe shtërngesat e ulta nga zotërinjë feudal bëjnë që të krishterët “të humbasin jetën e përjetshme për jetën në këtë tokë. Në këto rrethana dhe kushte ka përfunduar Benda, pjesa më e madhe e Musisë, Bandisa, matia, pjhesa e Çermenikës dhe vende të tjera(Sospello, 2022:29). Nga Fusha e Durrësit disa të kristerë ishin larguar nga vendet e tyre dhe kishin shkuar në Turqinë e brendëshme, ku ishin bërë kolonë të zotërinjëve turq, punojnë tokën, duke jetuar në mjrim të madh bashkë me familjet e tyre(Sospello, 2022:8). Për të paguar taksat, banorët e Nënshkodrës ishin të detyruar të shisnin pjesën më të madhe të pasurive të tundëshme dhe të patundëshme e për këtë arsye kishin përfunduar në mjerim të madh e kështu, me vështirësi mund ta dallosh të pasurin nga i varfëri, fisnikun nga jofisniku, duke qenë se të gjithë kishin kaluar në mjerim dhe ishin të veshur me lecka(Sospello, 2022:4). Për të shpëtuar nga taksat, në Zadrimë ktheheshin në myslimanë, merrnin ndonjë myslimane për grua ose u japing myslimanëve vajzat për martesë(Sospello, 2022:153)

Ajo pjesë e klerikëve që vazhduan të shërbenin në vend e paguan devocionin e tyre me humbjen e jetës, çka nuk kishte si të mos ndikonte te besimtarët. Vrasjet e klerikëve ishin dukuri me të cilët njerëzit nuk ishin mësuar, prandaj shoqëroheshin me frikë dhe pasiguri. Katolikët shqiptarë në atë periudhë nuk kishte kush t’i mbronte dhe ata nuk kishin ku të ankoheshin për çfarëdo lloj dhune të ushtruar ndaj tyre. Arsyetimi historik për konvertimin u gjet në “natyrën agresive” të fesë islame, e shprehur në konceptin e luftës së shenjtë (xhihad). Me fjalë të tjera, konvertimet u konsideruan të kishin ndodhur nën detyrim – qoftë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Kështu, duke e paraqitur popullsinë vendase të islamizuar si viktimë të persekutimit(Minkov, 2004:64). Anastasia Zelyazkova e shmang me kujdes përdorimin e termit konvertim “vullnetar” në Islam duke adoptuar termat “shtrëngim i drejtpërdrejtë” dhe “indirekt” ose “ekonomik”. Detyrimi “i drejtpërdrejtë”, si konvertimi përmes institucioneve të skllavërisë dhe devshirme, shihet se ndodh “nën kontrollin dhe me pjesëmarrjen e qeverisë qendrore”. Në këtë formë konvertimi “mundësia e zgjedhjes personale, aq më pak, e vullnetarizmit, është plotësisht e përjashtuar”(Minkov, 2004:65). Edhe pse llojet e tjera të konvertimit nuk nxiten nga qeveria dhe duken në sipërfaqe si vullnetare, ato ende konsiderohen shtërngim “indirekt” për shkak të “integrimit të detyruar të popullit të pushtuar në struktura e mekanizmit perandorak.

Vetë historianët turq e përziejnë dhunën osmane me fenë. Në librin “Historia Osmane dhe institucionet I”, ku çdo pushtim të ri, të kryer me luftë, e konsiderojnë si “hapje ndaj islamit”(Maksudoglü,2017:170-196). Trajtime të tilla shoqërohen me kontradikta në arsyetim. Kështu, ndërsa flet për përhapjen paqësore të islamit, Mahmudoglü shkruan se “Fatih Mehmeti dërgoi Isa Beun, të birin e Evrenozit në krye të 40 mijë kalorësve, për t’u hakmarrë ndaj disfatës së shkaktuar nga shqiptarët, si dhe për të vazhduar misionin e përhapjes së islamit në këtë rajon(Maksudoglü,2017:168-169). Për t’u hakmarrë me ushtri, pra duke përdorur dhunën, njëkohësisht duke përhapur dhe fenë. Po si u përhapka feja në mënyrë paqësore nga ushtria që përdor dhunën(!)

Të konvertuarit e parë duket se kanë qenë robërit e luftës. Sipas Zelyazkovës(1990:150-151), konvertimi i popullsisë ballkanike nëpërmjet skllavërisë ishte karakteristikë e fazave fillestare të ekspansionit osman në Ballkan, një proces që zakonisht paraprihet nga përfshirja aktuale e një rajoni të caktuar në shtetin osman. Për të vërtetuar se përfundimisht shumica e skllevërve u konvertuan në islam, ajo tregon për praktika mes myslimanëve të devotshëm të lirimit të skllevërve, pas konvertimit të tyre dhe për tregtinë e gjerë osmane të skllevërve në kohët e mëvonshme(Minkov, 2004:66). Meqenëse pushtimi i territoreve shqiptare është bërë pas luftërave të ashpra, pushtuesit osmanë kanë përdorur forma brutale të shtypjes së rezistencës, ku krahas vrasjeve të meshkujve të aftë për luftë, është përdorur skllavërimi i pjesës tjetër të popullsisë. Skllavëria realizohej dhe përmes sistemit të haremit dhe devshirmesë.

Vajza të bukura, të marra peng mbylleshin në haremet burgje, ku dhe konvertoheshin në myslimane dhe pastaj shërbenin si objekte seksuale për sulltanët, vezirët dhe pashallarët osmanë. Në rastin e konvertimeve në islam nëpërmjet institucionit të devshirmesë, ithtarët e “teorisë së detyrimit” duket të jenë të saktë kur pohojnë se “konvertimi i detyruar në një shkallë të madhe ka ndodhur me të vërtetë”. Termi devshirme i referohet taksës qeveritare të fëmijëve meshkuj nga popullata jomuslimane, e vendosur periodikisht nga fillimi i shekullit të pesëmbëdhjetë e në vazhdim, e krijuar për të mbushur radhët e korpusit të jeniçerëve. Zhvillimi ishte një risi osmane; e rregulluar vetëm me ligjin sulltanor (kanun) dhe duket se është një shpërfillje flagrante e parimeve të ligjit islam që prekin statusin e dhimmit. Sipas çdo standardi, largimi i një djali nga familja e tij duhet të ketë qenë një ngjarje traumatike për të dyja palët(Minkov, 2004:65, 70), si për djalin dhe familjen e tij.

Martirizimi i klerit katolik

Në studime të ndryshme martirizimi është përshkruar si tregues i “shpërthimit të fanatizmit mysliman gjatë realizimit të islamizimit masiv”. Theksohet se martirëve u bënë presion dhe i torturuan për t’u konvertuar në islam dhe në fund i vranë sepse refuzuan ta bënin këtë(Minkov, 2004:84). Megjithëse veprimtaria misionare në Shqipërinë e shekullit XVII ishte një nga më të rrezikshmit në Gadishullin Ballkanik nën sundimin osman(Molnár,2014:512-513), ashtu si në shekujt e parë të krishterimit, përndjekjet nga turqit në Shqipëri nuk ishin gjithmonë intensive Sirdani, 2014:172). Persekutimi i katolikëve u intensifikua pas luftës turko-veneciane të vitit 1645, kur ata u konsideruan si armiq për shkak të marrëdhënieve të tyre me Papatin, Napolin dhe Venedikun. Në atë periudhë, kishte një presion në rritje nga turqit për të konvertuar të gjithë shqiptarët në islam Lederer, 1994:333).

Të krishterët mund të jetonin në Shqipërinë e sunduar nga osmanët vetëm si qytetarë të dorës së dytë; mund të përndiqeshin, burgoseshin dhe rriheshin. Më keq ishte pozicioni i klerikëve katolikë dhe sidomos i misionarëve, të cilët mund të akuzoheshin lehtësisht si “bashkëpuntorë të shteteve armike”, “spiunë” etj., të burgoseshin dhe të vriteshin me lehtësi. Falë gatishmërisë së tyre për flijim apostolik dhe qëndrueshmërisë, ata kishin marrë përsipër punën baritore-shpirtërore gjithëkund në shekujt vijues në territoret katolike ku kishin kryer punët baritore-shpirtërore. Mirëpo ky veprim u kishte kushtuar me vdekje martire shumë françeskanëve misionarë guximtarë. Kështu në vitin 1624 prifti i zellshëm Markus nga Kizanji, një fshat i cili sot nuk ekziston më, burgoset dhe pasi që ai refuzon kalimin e tij në islam vritet. Kufoma e tij, mbas një pagese që kishin dhënë besimtarët e tij për nxjerrjen e saj, varroset në famullinë e vendlindjes(Stadmüller, 1955: 404-429).

Dhuna ekstreme përdorej me raste, për të terrorizuar të gjallët, ndërsa rrahjet, burgossjet, djegiet e kishave dhe hospiceve, kërcënimet, grabitjet e klerikëve etj. ishin veprime të përditëshme. Në vitin 1639, P.Bernardo da Verona qe arrestuar dhe dërguar para Pashait të Gjakovës, ku pas presioneve për të ndryshuar fenë, meqë nuk kishte pranuar e kishin rrahur dhe ishte liruar kur të krishterët kishin dorëzuar 30 reale. Në Randësia disa burra nuk pranuan të bëhej turq, por duruan tortura të tmërrëshme(Sospello, 2022:143)Fra Bernardo Veronese dhe fra Gregori nga Novara ishin dërguar para kajmekamit dhe Kadiut, të cilët i kërcënuan se do t’i dënonin me vdekje dhe nga frika të krishterët paguan 30 reale e i liruan(Sospello, 2022: 147).

Mungesa e sigurisë në vend u linte dorë të lire elementeve kriminelë që për llogari të tyre të vinin dorë mbi klerikët. Kur vrasja ndodhte nga katolikë është dëshmi e degradimit të jetës shpirtërore të besimtarëve, pasi klerikët ishin aq të mbrojtur, sa asnjë besimtar nuk do të guxonte as ta kalonte nëpër mend vrasjen e tyre. Në vitin 1644, etërit françeskanë Paulo da Montova dhe Salvadore da Ofida u nisën nga Gruda për në Kelmend për të kryer atje shërbimin shpirtëror për popullsinë. Megjithëse ishin paralajmëruar nga banorët vendës që të mos shkonin se mund të vriteshin, ata kishin vazhduar udhëtimin nën shoqërinë e një gruaje të quajtur Margarita Deda, meqenëse burrat e Grudës kishin rënë në gjak. Dy fretërit kishin qëndruar te kreu i fshatit Prenk Nika, i cili mbante konkubina. Gjatë meshës dhe pas saj, të dy fretërit misionarë kishin kërkuar që të gjitha ata të cilët mbanin konkubina të liroheshin prej tyre dhe të respektonin martesën e ligjshme. Rrugës në kthim ata ishin vrarë për t’i grabitur ose pse u bënë shkaktarë që të dëbohej nga shtëpia e burrit ku ata kishin predikuar gruaja e pa kurorë. Në procesin hetimor që u zhvillua pas vrasjes, ishte dhe frati misionar Xhakomo da Sarnano, i cili vite më vonë do të martirizohej në tregun e Shkodrës(Malaj,2020:194).

Në vitin 1645, pas shpërthimit të luftës venediko -turke në Kretë(1645-1669), ipeshkvijtë katolikë të Durrësit, Shkodrës dhe Lezhës të nxitur nga Arqipeshkvi i Tivarit, ishin angazhuar në favor të venedikasëve. Plani zbulohet dhe dështon. Kjo ka qenë një arsye e re e për përndjekjen e popullsisë katolike. Me këtë rast, arqipeshkvijtë e Shkodrës dhe Sapës ishin detyruar të iknin në territorin venedikas, për t’iu shmangur vdekjes. Por dy françeskanë, Ferdinandi nga Abbisola dhe Jakobi nga Sarnano, që trimërisht qëndruan në Shkodër, i ngulën në hu të gardhit me urdhërin e pashait(Stadmüller, 1955: 404-429). Po kështu ishin vrarë edhe të tjerë. Nga viti 1620 deri në vitin 1750 janë vrarë 11 fretër vetëm në dioqezat e Pultit dhe Shkodrës. Shqipëria në shekullin e 17-të, shkollat shqipe dhe kleri katolik përballë sunduesve osmanë(Jaçaj, 2022). Mënyra e vrasjes së tyre, e bërë publikisht nga turma të irrituara apo të ekzaltuara, nga grupe të armatosura, apo dhe ushtarë që i sulmojnë shpesh gjatë takimit rastësor me ta nuk mund ta fshehin faktin se ishin të orekstruara nga zyrtarë shtetërorë, pasi vrasësve nuk u hyn ferrë në këmbë për krimet e kryera.

Marrëdhëniet ndërfetare

Me pushtimin osman dhe përhapjen e islamit, pasoi një formë unike e sinkretizmit fetar me krishterimit, islamit dhe paganizmit, i cili manifestohej më së miri në fenomenin e kriptokrishterëve dhe dëshirës për t’u ndarë sakramentet edhe të afrëmve myslimanë, si shenjë dashamirësie dhe lidhje farefisnore Vrankić, 2016:8). Katolikët nuk i kanë përfillur ndërhyrjet e klerikëve dhe martesat e përziera kanë qenë një dukuri e zakonshme në disa krahina. Populli kishte gjetur zgjidhje me tolerancë fetare në çështjet e koklavitura të këtyre familjeve. Në mes të tjerash, po përmendim rregullin e përgjithshëm që djemtë të mbanin besimin e t’et, kurse vajzat të nënës. Në relacionet e Giacinto da Sospello-s del se “turqizimi” ishte një dukuri e zakonshme dhe të turqizuarit e katolikët e mbetur jetonin së bashku në një familje” Stadmüller,1955:404-429), në një përzierje besimi, pasi i kishin të përbashkëta interesat, zakonet shoqërore, ndjenjat dhe shërbesat fetare. Muslimanët për shembull vazhdonin t’i ruanin traditat e krishtera. Nuk punonin të dielën, merrnin dhe jepnin vajza për martesë ndër katolikët, shkonin te Frati për të lexuar Ungjillin, kur kishin ndonjë familjaër të sëmurë. Kishte raste që fëmijëve u kishin vendosur dy emra, një mysliman dhe një të krishterë Kordinjano, 2011: 131).

Edhe kur islamizimi u përhap në vise të ndryshme të trevës malore, feja e re nuk mundi ta prishë vëllazërinë midis malësorëve. Në kushtet e luftës kundër sundimit osman e të diskriminimit të egër fetar, kërkohej një bashkëpunim i fortë ndërmjet malësorëve. Kësaj çështje i shërbente vazhdimi i lidhjeve martesore pa marrë parasysh besimin, si një faktor i rëndësishëm bashkimi. Ishin të shumta doket e zakonet e malësorëve (kumbaria, vëllamëria, etj.) që binin në kundërshtim të hapur me urdhrat e fesë. Kumbaria e martesës është më e vonë se ajo e flokëve, por megjithëkëtë malësorët edhe këtu nuk bënin dallim fetar. Ata zgjidhnin për kumbarë edhe ortodoksë e myslimanë(Ulqini, 2014).

Rastet e bashkëjetesës të evokuara këtu dominohen nga familje të përziera të formuara kryesisht nga gra katolike dhe burra myslimanë (burimet përmendin raste të rralla kur burrat katolikë martoheshin me gra muslimane, por zakonisht martesa të tilla çuan në konvertimin e këtyre të fundit në katolicizëm. Lidhja farefisnore e krijuar në këtë mënyrë midis familjeve myslimane dhe të krishtera. nënkuptonte detyrime të tilla si p.sh. pjesëmarrja në funeralet myslimane ose në festat dhe banketet e organizuara nga të afërmit myslimanë për përkujtimin e të dashurve të tyre që kishin ndërruar jetë. Festat e zakonshme nuk organizoheshin vetëm nga myslimanët; në fakt, disa burime i referohen zakonit të keq të shumë katolikëve për të organizuar festa për tre ditë për çdo të huaj (përfshirë myslimanët); një shoqërizim ritual që nuk merrte parasysh dallimet fetare. Duke iu rikthyer çështjes së martesave të përziera, mund të vërehet se shumica e burimeve i referohen atyre si në kundërshtim me kanunet kishtare, sidomos ato të miratuara nga Këshilli i Trentit(Chelaru,2011:307) Natyrisht, mund të jetë gjithashtu rasti që burrat muslimanë ishin të krishterë renegatë, të cilët dëshironin të mbanin të paktën gratë e tyre nën mbrojtjen e kishës romake(Chelaru,2011:30) . Kjo gjë i detyroi disa klerikë shqiptar si Gjergj Bardhi më 1632 e Frang Bardhi më 1637 të kërkonin nga Roma që të njihej realiteti i Malësive shqiptare.

Kisha katolike është orvatur që këto martesa të përziera t’i pengojë. Nëpërmjet një dekreti të posaçëm, më 1641 Kuria (SeliaShenjte, vër. e përkthyesit) ua ndaloi pagëzimin fëmijëve që kishin prindër myslimanë dhe më 1678 sinodi ipeshkvnor i Shkodrës ua ndalon shprehimisht, grave që jetojnë me “turqit” të marrin sakramentet(Bartl,2006). Myslimanët nuk duhet që të shërbenin si kumbarë në pagëzimin e fëmijëve. Martesat e grave të krishtera me burra turq duheshin konsideruar si thyerje kurore, urdhëroheshin që të ndaheshin, përndryshe do t’u ndaloheshin sakramentet. .(Sospello, 2023; 152). Klerikët në Gjakovë i kishin këshilluar vajzat e krishtera që më mirë të rrinin të pamartuara, sesa të merrnin myslimanë(Sospello, 2023;77).

Në kuvendin e parë të Arbnit më 1703 u vendos që të mos njihej e të mos kryhej asnjë martesë e katolikëve me myslimanë e me ortodoksë. Ndërsa kleri mysliman e pranonte martesën e një burri me një grua të krishterë, për ta kthyer në fenë islame; sheriati ndalonte martesën e një myslimaneje me një të krishterë. Përgjithësisht malësorët nuk i kanë përfillur ndërhyrjet e klerikëve dhe martesat e përziera kanë qenë një dukuri e zakonshme në disa krahina. Misionarët e huaj që shërbenin në vendin tonë i kanë akuzuar klerikët e thjeshtë vendas se ishin pajtuar me atë gjendje ku popullsia u binte ndesh urdhëresave të Romës. Ky qëndrim i klerit të ulët e kishte burimin në radhë të parë në faktin se ata kishin lindur e ishin rritur në atë mjedis, të shumtën e herës pa arsim fetar e pa nivel teologjik në krahasim me klerikët e huaj. Por klerikët e thjeshtë katolikë shqiptarë i kuptonin më mirë se kushdo tjetër rrethanat që kalonte shoqëria shqiptare e kohës(Ulqini, 2014). Shoqëria shqiptare kishte trashëguar diversitet fetar që me ndarjen e kishës së krishterë në ortodokse dhe katolike dhe sipas të drejtës zakonore shqiptare iu përgjigj kushteve të vendit tonë me popullsi fetarisht të përzier, praktikë që u vazhdua dhe gjatë pushtimit osman.

Libri “Relacion universal i zanafillës dhe I suksesit të Fretërve Minorë Observant të Reformuar të Atit serafik Shën Françeskut në Mbretërinë e Shqipërisë” që e sjell në shqip për herë të parë studiuesi Mark Palnikaj është një kontribut me shumë vlerë në historinë e Shqipërisë Qendrore-Veriore të shekullit XVII, duke dhënë pamjen më të plotë e më gjithëpërfshirëse të asaj shoqërie, e cila jetonte midis pushtimit dhe përpjekjeve për çlirim, midis asimilimit fetar dhe qëndrueshmërisë në fe, midis vuajtjeve dhe zhgënjimeve dhe forcës që vinte nga misionarët, të cilët ua përcollën të gjallë shembëllturën e Krishtit në kryq besimtarëve.

Bibliografi

Bartl, Peter. Kriptokrishtenizmi dhe format e sinkretizmit religjioz te shqiptarët. https://xn--cdaaa.academia.edu/ 44595621/Kriptokrishtenizmi_dhe_format_e_sinkretizmit_religjioz_te_shqiptar%C3%ABt_Peter_Bartl_P%C3%ABrktheu_Albert_Ramaj

Berisha, Anton Nikë. Një vepër shumëfish e rëndësishme e rrjedhës jetësore në arbërinë e viteve 1634 – 1650, https://exlibris.al/anton-nike-berisha-nje-veper…/

Chelaru, Rafael-Dorian. The Catholics from Ëestern Balkans under Ottoman rule: Betëeen Tolerance and Assimilation (17th-18th centuries)”, Medieval and Early Modern Studies for Central and Eastern Europ III, 2011.

Jaçaj, Eneida. Shqipëria në shekullin e 17-të, shkollat shqipe dhe kleri katolik përballë sunduesve osmanë, Gazeta “Dielli, 21 prill 2022, https://gazetadielli.com/shqiperia-ne-shekullin-e-17-te…/

Kopañski, Ataullah Bogdan. lslamization of Albanians in the Middle Ages, The Primary sources and the predicament of the Modern Historiography, Islamic Studies, Vol. 36, No. 2/3, Special Issue: Islam in the Balkans, (Summer/Autumn 1997).

Kordinjano, Fulvio. Shqipëria përmes veprës dhe shkrimeve të misionarit Italian At Domenico Pazi (1847-1914), vëll.III, botimet “Plejad”, Tiranë 2011.

Lederer, Gyorgy. Islam in Albania, Central Asian Survey Nr.13, 1994.

Maksudoglü,Mehmet, Historia osmane dhe institucionet, botimet “Alsar”, Tiranë 2017, f.170-196.

Malaj, Edmond. Martirizimet e klerit katolik gjatë shekujve XVII-XVIII të pushtimit osman në Shkodër e rrethina,Hylli i Dritës Nr.1, vjeti XL, Shkodër 2020

Minkov, Anton. Conversion to Islam in the Balkans, Kisve BahasÌ Petitions and Ottoman Social Life, 1670-1730, Brill, Leiden-Boston, 2004

Molnár, Antal. A Forgotten Bridgehead betëeen Rome, Venice,and the Ottoman Empire: Cattaro and the BalkanMissions in the Sixteenth and Seventeenth Centuries,Hungarian Historical Revieë 3, no. 3, 2014.

Nadin, Lucia. Il primissimo francescano che nell’Albania del secolo XVII imparò la lingua albanese. P. Cherubino da Trento.https://xn--cdaaa.xn--albanianes-57a.al/…/primissimo…

Nadin, Luçia, Françeskanët venecianë në Shqipërinë e shekullit XVII, Studime Filologjike, Nr.1-2, viti 2021.

Sciarra, Lino. L’islam in Albania, Oriente Moderno, 76(3),1996.

Sirdani P. Marin OFM, “Storia, religione e societa tra Oriente e Occidente(secoli IX-XIX)” Raccolta di saggi con studio introduttivo a cura di Attilio Vaccaro, Eparchia di Lungro, Argo 2014.

Sospello, Fra Giacinto da Relacion universal i zanafillës dhe i suskesit të misionit apostolik të fretërve minorë observantë të reformuar të atit serafik Shën Francescut në Mbretërinë e Shqipërisë, përgatitur për botim nga Mark Planikaj, Tiranë 2022.

Stadmüller, Georg. Die Islamisierung bei den Albanern, Jahrbücher für Geschichte Osteuropas, Bd.3, München 1955.

Ulqini, Kahreman. E drejta kanunore shqiptare përballë të drejtës kanonike dhe sheriatit, https://xn--cdaaa.zeriislam.com/ artikulli.php?id=2771

Vrankić, Petar. Aktiviteti misionar në Shqipëri në dritën e sinodeve plenare shqiptare të shekujve XVIII dhe XIX, Shejzat Nr.1-2, janar-qeershor 2016.

Zelyazkova, Anastasia. The Spread of Islam in the Ëestern Balkan Lands under Ottoman Rule 15th–18th Centuries, Sofia, 1990

Filed Under: Komente

ANA TJETËR E MEDALJES

January 25, 2024 by s p

Jerida Kulla/

Në sofrën e madhe të arsimit ka vend për të gjithë ata që punojnë në heshtje, me thjeshtësi e përkushtim.

24 janar, Dita ndërkombëtare e arsimit – Arsimi, një e drejtë ndërkombëtare për të gjithë fëmijët anë e kënd botës. Në këtë ditë të shënuar, plasi facebboku nga “fjalët e bukura” dhe nga lëvdatat, duke ngritur në piedestal arsimin!

Në emër të kësaj dite dhe të arsimit, po rrihen gjokset se kush e kush të ngrejë lart punën e tij/saj, përkushtimin e tij/saj. Po ku jemi ne në raport me këtë ditë, në raport me peshën që mbart arsimi?!

Ne jemi nga fundi.

Nuk dua të shumëzoj me zero punën që është bërë e bëhet për arsimin, se po të mos ishte bërë punë, nuk do të kishim kuadro dhe edukatorë të përkushtuar që kanë dhënë gjithçka për të.

Në sofrën e madhe të arsimit ka vend për të gjithë ata që punojnë në heshtje, me thjeshtësi e përkushtim, ashtu si ka thënë edhe Kadareja “të thjeshtat deri në madhështi”.

Qëndrojnë larg kamerave e televizioneve, larg atyre që rrahin gjoksin, sikur kanë shpikur “alfabetin”. Madje edhe nëse ndonjë prej tyre, rastësisht u përmendet emri për punën e bërë, “madhështorët” hidhërohen, se nuk dolën dot këtë radhë në televizion, madje mundohen të rrëmojnë, sa shpikin lloj-lloj historish…

Do thoni ju, se ç’na duhen këto?!

Vërtet, nuk kanë ç’ju duhen.

Po janë pikërisht, këta “madhështorët”, që në fakt, me fudullëkun e tyre se dinë gjithçka, po pengojnë zhvillimin dhe përhapjen e dijes, te ata që kanë vërtetë nevojë, po u vënë shkopinj nën rrota atyre që punojnë, se po të përmenden punëtorët, mbetet në hije “madhështia” e tyre.

Më duket se u zgjata me këto gjëra.

Po mundohem të flas më shkoqur, siç thotë populli.

Arsimi shqiptar nuk është aty ku duhet të jetë, si brenda, ashtu edhe jashtë. Nëse do të kesh arsim cilësor, investo te mësuesit, te kualifikimet e tyre; krijo tekste cilësore, jo copy-paste të literaturave të viteve të shkuara, që u ka ikur moda në vendet ku kanë qenë dhe ne i marrim dhe i stërmundojmë nxënësit dhe mësuesit, me tekste bajate, me gabime konceptuale e drejtshkrimore.

Fatkeqësisht, edhe pse në kopertinë e paskopertinë të librave është një grup pune, i ngritur për këtë tekst, libri ka jo një qerre me gabime, po një karvan. Çfarë ka bërë ky grup pune? Nuk i kanë parë këto gabime?

Në fakt, teksti mësimor sot është kthyer në biznes, pa i kushtuar rëndësi cilësisë dhe asaj që duhet të mësohet nga nxënësit.

Nëse për krijimin e një teksti mësimor, do të merrej mendimi i mësuesve që i kalojnë temat e mësimit, që e dinë se ku duhet të theksohet më shumë koncepti dhe se si mund të shtrohen konceptet, që të jenë të kuptueshme për të gjitha nivelet e nxënësve, do të rritej cilësia e arsimit dhe prindi nuk do të nxjerrë në faqet e facebook-ut se si bëhen këto ushtrimet e djalit/vajzës, në klasë të tretë…

Mësuesit e ngrenë zërin e tyre, kuptohet ata mësues që u dhemb në shpirt që nxënësi mbaron nëntëvjeçaren dhe nuk di të shkruajë saktë emrin e tij.

Ua kanë marrë frymën mësuesve me shkresa e dokumente, me regjistra elektronikë, me fletore-regjistër, me lloj-lloj letrash, sa në fund të ditës mësuesi thonë me vete: “O si nuk kam një grusht të fortë!”

Të mos flasim për komunikimin e pasdites në rrjete sociale, whatuup, viber, ku duhet të raportohet te drejtori për shumë “gjëra të rëndësishme”… Dhe ikën dita dhe mësuesi është i rraskapitur, sa nuk ka kohë të merret as me fëmijët e tij.

Kështu që nuk mund të flasim për punë kërkimore apo shkencore që duhet të bëjë vetë mësuesi për të rritur nivelin e tij pedagogjik.

Ku të ankohet mësuesi?

Askush nuk e dëgjon. Sindikatë që ta mbrojë, nuk ka. Kështu që i mbetet të heshtë e të kërruset mbi letrat, si personazh i Kafkës e të tërheqë zvarrë peshën e burokracirave, se edhe ai ka familje, ka fëmijë që kërkon t’i shkollojë.

Po në Diasporë, si është situata?

Në përgjithësi, në vende si: Zvicra, Gjermania, Anglia, Suedia etj, mësimi i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare është në rrugë të mbarë.

Në Greqi? Ah Greqia!

Gjithmonë mësuesit e Greqisë janë jetimë, me dekada punojnë vullnetarisht, nën presione e vështirësi të shumta.

Ku është shteti ynë, që t’u japë zgjidhje problemeve që ngrenë mësuesit, mjediset ku do të zhvillohet mësimi dhe pagesa e tyre?! Ku është?!

Ju, të dashur lexues, për sa kohë do të punoni falas?

Misioni ynë, dhënia e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, me të vërtetë është i shenjtë. Kur kam qenë në Shqipëri, edhe pse e kam dhënë dhe e jap me pasion gjuhën shqipe, nuk e kam ndier këtë shenjtëri.

Në 7 vite e gjysmë emigracion, punë vullnetare, e ndiej dhe më vjen keq që jemi në këtë gjendje.

Kjo është ana tjetër e medaljes, jo ajo e bukura, me ngjyra, që serviret në facebook.

Të përpiqemi të jemi sa më bashkëpunues, bashkëveprues, që aty ku është e mundur, të përmirësohet procesi i mësimdhënies etj.

Në këtë aspekt, shumë bukur mund të shfrytëzohen përvojat që kanë dhënë rezultate pozitive në vende, si: Gjermania, Zvicra etj.

Mund të përshtatet përvoja e mësimdhënies në këto vende, bashkëpunimi që ka vendosur qeveria e Kosovës me vendet pritëse, se si është ndërtuar sistemi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe, ku ka shqiptarë në këto vende; si janë marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me këto vende.

Mbase mund të gjendjet një zgjidhje, që këto përvoja mund të përshtaten në Greqi.

Filed Under: ESSE

Ali Pashë Tepelena, kjo figurë komplekse dhe unike e historisë

January 25, 2024 by s p

Albert Vataj/

Ali Pashë Tepelena është ndoshta personazhi më kompleks i historisë së shqiptarëve. Lavdia e tij është e mbuluar nga një mantel i zi kujash dhe krimi të mbrujtura në një mëndje të errët dhe hakmarrëse. Ali Pash Tepelena e farkëtoi emrin e tij të lavdishëm në flakët më të përbindshme të tmerrit, përgjakjes, intrigave dhe poshtërsisë.

Bëri këtë ndoshta ngase nuk kishte tjetër rrugë për të arritur tek qëllimet dhe përmbushur ambicieve e tij. Një veçori e spikatur e “Luanit të Janinës” është menaxhimi që ai i bëri sundimit dhe luftës për pushtet që buronte nga frika që kultivoi dhe sjelljet prej xhelati të një paranojaku. I vetëm kundër të gjithëve, ai mundi të ishte i zoti vetëm si i tillë, siç e përshkruajnë penat e kohës lavdinë e tij prej mizori.

Ai ishte dhe mbeti figura historike shqiptare më e lakuar dhe më e shënjuar nga kronistë, historianë, udhëtarë, piktorë dhe shkrimtarë. Publicitetin e tij do ta kishte zili edhe sot çdo burrështetas. Janë botuar libra, janë shkruar faqe pafund; histori, të vërteta dhe trillime për të, janë realizuar piktura dhe shkruar këngë. Pas Skënderbeut ai është më i njohuri botërisht dhe kjo falë aftësisë së tij për të mbetur i pavdekshëm, një përjetësi të cilën ai e bleu me para, dhurata dhe suvenire të kushtueshme.

Edhe vdekja më 24 janar 1822, ashtu sikurse edhe e gjithë veprimtaria e tij si sundues, është e përshkuar nga një fill tejshpues legjende, siç e thotë edhe kënga… Koka në Stamboll e trupi në Janinë…

Fama dhe lavdia e tij janë të njëjta me shumë sundues dhe fisnikë të tjerë të botës, dhe është pikërisht kjo, magjia që i rrethjen këtij imazhi, kësaj figure, gjithëasaj madhështie të katapultuar në qiell përmes një larmie manifestimesh njohëse dhe promovuese. Ndoshta gjithçka sa është thënë dhe shkruar për të, ishte shumë më shumë se sa ai ishte në të vërtetë. Duke e mitizuar, duke e anatemuar dhe glorifikuar, duke e përngjasuar me satrapë dhe despotë të atyre ambicieve që ai kishte si sundues, koha shkroi jo vetëm historinë e një sundimtari, por arriti të skaliste me daltë të ashpër dhe ngulm të rrëmbimshëm kryeveprën e një shqiptari të famëmadh, i cili nga realiteti hyri në legjendë dhe prej andej kaploi përjetësinë për të mbetur një mit i mbuluar prej aq shumë historish, trillesh dhe të vërtetash që e pamundësojnë gjithkënd që ta deshifrojë në mënyrë tërësore, se kush ai në të vërtetë, më shumë se lavdia që u shtrua për të.

Konica më 1902, në 120-vjetorin e vrasjes së Aliut shkruan: “Ali Pasha, i pamësuar, pa shokë, i rrethuar me armiq, arriti vetëm me forcën e vullnetit të tij në një shkallë pothuaj mbretërore. Njerëz, si lord Bajroni, si admirali Nelson, si mbeti Gustaf Adolf i Suedisë e kishin për nder të piqeshin me të. Shqiptarët u ngjallën, u bashkuan, u ndjenë një komb nën sundimin e tij”.

Për kohën, rrethanat, zhvillimet e stuhishme, ngërthimet hakmarrëse, mosbindja nga Portës së Lartë, nevojat për mbështetje për të bërë qëndresë, duke mos përjashtuar asnjë opsion, sado absurd të ishte në kontekstin kohor, Ali Pashë Tepelena, ishte dhe mbeti i rrallë. Erdhi, sundoi dhe iku, duke qëndruar ikonik në histori, i dritshëm nga ana e dritës dhe i zi stërr nga ana e errët.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT