• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

105 VJETORI (I FILLIMIT) TË KONFERENCËS SË  PAQËS NË PARIS, 18 Janar 1919- 18 Janar 2024

January 20, 2024 by s p

(PJESA E PARË)

 NDUE  BACAJ

Foto nga Konferenca e Paqës në Paris 

Data 11 nëntor 1918 , shënoi (zyrtarisht) fundin e Luftës së Parë Botërore. Pas kësaj aleatët, fituese të luftës, SHBA-ja, Anglia, Franca, Italia dhe Japonia, thirrën Konferencën e Paqës në Paris, e cila filloi punimet zyrtarisht me 18 janar 1919, në një nga sallat luksoze të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, për të caktuar kushtet e paqës me Gjermaninë dhe aleatët e saj. Një çeshtje e ndërlikuar ishte ajo e Shqipërisë. Nga fundi i luftës, Franca kishte pushtuar krahinën e Korçës, kurse Italia pjesë të tjera të vendit. Konferenca e ambasadorëve në Londër me 1913 ia kishte shkëputur Shqipërisë gjysmën e territorit dhe popullsisë së saj. Pas kësaj, Traktati i fshehtë i Londres (1915) midis Italisë dhe Aleatëve u kishte premtuar Italisë, Serbisë dhe Malit të Zi, një pjesë të mirë të territorit të tkurrur të Shqipërisë. Një tjetër traktat i fshehtë, Marrëveshja Tittoni-Venizellos midis Italisë dhe Greqisë me 1919, do t’i  jepte goditjen përfundimtare coptimit të Shqipërisë (së njohur nga konferenca e ambasadorëve në Londer me 1913). Në këtë mënyrë, në Versajë Greqia pretendoi për territore të tjera në Shqipërinë Jugore, Serbia në Veri, kurse Italia portin e Vlorës me rrethinat. U bë një debat i madh nëse duhej njohur një shtet i vogël e autonom apo ta ndanin atë midis fqinjëve ballkanik. Shqiptarëve tani u duhej të luftonin më shumë se kurr për mbijetesën e tyre si komb….1.   Në konferencë morën pjesë gjithësei diplomatë nga 32 vende dhe kombësi. Konferenca ishte e dominuar nga kryeministri francez Georges Clemenceau, kryeministri britanik David Lloyd George, presidenti i SHBA Woodrow Wilson dhe kryeministri italian Vittorio Emanuele Orlando. Konferenca kishte si qellim të parë  vendosjen e kushteve të paqës për Fuqitë Qëndrore të mundura, Gjermani, Austro-Hungari e etj.  Vendimet kryesore të Konferencës rezultojnë në pesë traktate që riorganizuan hartat e Evropës dhe pjesëve të Azisë, Afrikës dhe Ishujve të Paqësorit, si dhe vendosën “gjoba” financiare (dëmshperblime) për  vendet humbëse si Gjermania, Austro-Hungaria  etjerë, të cilat si humbëse të luftës nuk kishin zë në diskutimet e Konferencës… Gjithashtu këtu mori “udhë” krijimi i Lidhjes së Kombeve…  Katërmbëdhjetë Pikat e deklaruara nga presidenti i SHBA Woodrow Wilson u bënë baza e negociatave dhe vendimeve të Konferencës.  Katër përfaqësuesit e ”mëdhenj” do të takoheshin joformalisht 145 herë dhe do të merrnin të gjitha vendimet kryesore përpara se të ratifikoheshin zyrtarisht nga konferenca… Me 28 qershor të vitit 1919, pesë vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, u nënshkrua Traktati i Versajës duke i dhënë fund kësaj Lufte. Konferenca e Paqës e Parisit, e njohur ndryshe edhe si Konferenca e Paqes e Versajës , e cila Gjermanisë me aleatët e saj, në nenin 231, i vendosi të gjithë fajin për luftën.2. Traktati i nënshkruar (me 28 qershor të vitit 1919)…. mori pjesë nga territori i Gjermanisë, i Austrisë dhe aleatëve të tyre, Bullgarisë e Turqisë, dhe krijoi shtete të “rinj”: Poloninë, Çekosllavakinë dhe Jugosllavinë. Ai krijoi edhe Lidhjen e Kombeve për t’i dhënë shtytje bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për të siguruar paqën….3.  Pasi u arritë traktati me republikën Gjermane me 28 qershor 1919, e njëjta gjë u bë edhe me aleatët e ish perendorisë së Gjermanisë: Austrinë, Hungarinë, Bullgarinë dhe Turqinë. Në shtator të 1919, Austria nënshkroi traktatin e Shën Germenit, ndërkohë që dy muaj më vonë Bullgaria nënshkroi atë të Novilit. Për shkak të kryengritjes që ndodhi në Hungari, ky vend nënshkroi traktatin e Trianonit në janar të 1920; dhe për shkak të problemeve edhe më të mëdha të Lindjes së Afërt. Turqia nënshkroi në gusht 1920, traktatin e Savres. Këto traktate u nëshkruan nën mbikqyrjen e Këshillit të Përgjithshëm të fuqive të mëdha, i cili përbëhej nga Britania e Madhe, Franca, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu këto traktate iu diktuan vendeve të vogla të Ballkanit. Nuk është e nevojshme të përmendet se fuqitë e mëdha mbajtën anën e Serbisë, Greqisë dhe Rumanisë, vende të cilat përfituan në territore kundrejt Austrisë, Hungarisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Turqisë….4.  Më konkretisht, Konferenca e Paqes kishte dalë me pesë traktate: Traktatin e Versajës me Gjermaninë, Traktatin e Saint-Germain me Austrinë për Italinë, Traktati i Neuilly me Bullgarinë që u njoh pavarur, Traktati i Sèvres me Turqinë e cila u zhvesh nga të gjitha tokat arabe dhe nga sovraniteti ndaj ngushticave (Bosforit dhe Danardeleve) dhe Traktati i Trianonit me Hungarinë e detyruar të heqë dorë Galicia për t’ia dhënë Polonisë dhe Rumanisë rajonin e Transilvanisë. Në veçanti, Traktati i Versajës me Gjermaninë vendosi: të heqë dorë nga territoret e mëdha koloniale; t’ia japë Alsace dhe Lorraine Francës; të zvogëlojë ushtrinë e saj në 100 000 veta; t’ua paguajë të gjitha dëmet e luftës vendeve fituese dhe Belgjikës; t’ua kalojë aleatëve materialet e ndërtimit të anijeve, materialet hekurudhore dhe industriale, plus furnizimin e qymyrit për dhjetë vjet…. Traktati i Saint-Germain me Austrinë: Në praktikë, Austria u detyrua që Italisë t’ia dorëzonte Trentinon, Alto Adigen, Istrian dhe Pellgun e Epërme të Ishujve. Në vend të perandorisë së vjetër austro-hungareze u formuan republikat e Austrisë, Hungarisë, Çekosllovakisë dhe Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Ndërsa në Detin Baltik, në territoret që dikur i përkisnin Rusisë (pasi i mbante të pushtuara, N.B.), u krijuan shtetet e reja të pavarura të Finlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.5.  Serbia e Mali i Zi, megjithse mbanin troje etnike shqiptare të pushtuara që më 1912, ato kërkonin edhe veriun e Shqipërisë, e sidomos Shkodrën. Ndërsa Greqia donte Gjirokastrën dhe Korçën, ndërkaq, Italia e donte Vlorën me rrethinë…  Pra, më 1919, Shqipëria e cunguar rrezikonte ndarjen tjetër apo edhe zhbërjen. Fati deshi që presidenti amerikan Woodrow Wilson insistoi në parimin e vetëvendosjes së popujve, me çka përmbyten vendimet që janë marrë më 1915 gjatë Traktatit të Fshehtë të Londrës… Në këtë qëndrim pozitiv të palës amerikane, rol me rëndësi ka luajtur mërgata shqiptare në SHBA me në krye Fan Nolin dhe Faik Konicën….6.  Gjithashtu  Presidenti Uillson do të refuzonte kategorikisht të firmoste Traktatin e Paqës, derisa garantoi të drejten e Shqipërisë për vetqeverisje.7.   Në skenën botërore kishte dalë SHBA-ja, fuqia e re që kishte qenë vendimtare në fitimin e luftës nga aleatet. Pikërisht tek kjo, ishin mbështetur shpresat e Shqipërisë për garantimin e kufijve të saj (të pakten të vitit 1913). Jugosllavia e porsa krijuar dhe Greqia kishin ngritur një serë pretendimesh dhe nuk ishte çudi që kufijtë e 1913 të rrudheshin edhe më shumë. Aq më tepër, që Italia e cila kishte pushtuar Vlorën dhe rrethinat e saj, ishte e bindur për të mos i lëshuar ato. Delegacioni amerikan, me ndërhyrjen edhe të Vatikanit, kishte marrë përsipër mbrojtjen e Shqipërisë. Por dukej se edhe ai vete nuk ishte shumë i qartë. Për të pasur një tablo të plotë, delegacioni i kryesuar nga Presidenti Willson ngarkoi konsullin e SHBA-se në Torino, zotin Jozef Haven të bënte një vizite në Shqipëri. Me letrën e rekomandimit ne xhep dhe me një mandat të Konferencës ëe Paqës, Haven zbriti në Vlore më 1919. Qeveria e Tiranës kishte caktuar për ta shoqëruar, Tefik Mborjen, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe ish Ambasador i Shqipërisë në Romë. Mborja, i cili kishte pasur miqësi edhe më parë me Havenin, kreu një punë të mrekullueshme. Me të mbërritur në Vlorë, Haven hodhi poshtë ftesën e Gjeneral Piacentinit, komandantit italian të qytetit për të qëndruar tek ai. U vendos në shtëpinë e patriotit Qazim Kokoshi dhe më pas në shtëpinë e poetit Ali Asllani. Ai ra në kontakt me parinë e qytetit, e cila e bindi se nëse Italia nuk tërhiqej me dëshirë nga Vlora, problemi do të shkonte në ndeshje të armatosur. Haven mbeti i befasuar nga niveli i intelektualeve vlonjate. Në italisht dhe anglisht, ata i ofruan atij një tablo të panjohur, por mjaft dinjitoze të vendit të tyre. Ai u befasua sidomos kur një delegacion i grave të qytetit e siguroi në italisht, se ato do të luftonin bashkë me burrat nëse bëhej fjalë për të çliruar Vlorën. Konsulli u nis nga Vlora dhe Durrësi si dhe në Tepelenë, ku më të mbërritur, filloi një demonstratë e madhe pro SHBA-së, të cilën ushtria italiane, që mbante qytetin nuk mund ta ndalonte. Haven thotë se ai asnjëherë nuk kishte parë kaq shumë flamuj të SHBA-së, të valëviteshin me entuziazëm në erë. Nga Tepelena kaloi në Gjirokastër, ku Kryetari i Bashkisë Javer Hurshiti, bashkë me Jorgji Meksin dhe Thoma Papapanon, i bënë një pritje madhështore. Ai ishte në shtëpinë e Kryetarit të Bashkisë, kur e lajmëruan se jashtë ishte mbledhur gjithë populli i qytetit për ta përshëndetur. Një delegacion, i përberë nga ish emigrante në SHBA, erdhi për t’i sjellë mjaft dhurata dhe për ta përshëndetur në anglisht. Ai nuk kishte mbaruar ende me ta, kur një tjetër delegacion, i kryesuar nga Lame Kareco dhe Eftim Cako i kërkoi takim dhe i deklaruan se Gjirokastra është tokë greke dhe dëshira e popullsisë se saj është një bashkim i shpejtë me Athinën. Kjo dergatë provokoi mërinë e popullit të mbledhur përpara shtëpisë se Kryetarit të Bashkisë dhe konsulli u bë dëshmitar i një mërie kolektive, që desh përfundoi me vrasjen e delegateve pro greke.  Në Përmet, Leskovik dhe Kolonjë, konsulli amerikan u prit me nderime dhe me kërkesën që këto qytete të mbeteshin nën kontrollin e qeverisë së Tiranës. Problemi më i madh që në Korçë ku despoti Jakov dhe një elbasanas i quajtur Efem i bënë thirrje të gjithë të krishterëve të demonstrojnë për një bashkim me Greqinë. Por Haveni u vendos në shtëpinë e një misionari amerikan, të quajtur Kenedi, që e njihte mjaft mirë qytetin. Kenedi e siguroi atë se Korça është thjeshtë shqiptare dhe ketë ja konfirmoi edhe Komandanti i trupave franceze të qytetit. Një konfirmim me të zjarrte mori edhe nga komandanti francez në Pogradec, majori Mortier. Francezi i tha se gjithë popullsia aty ishte shqiptare dhe se shqiptarët janë një popullsi e mrekullueshme, aq sa atij i vinte keq që nuk ishte shqiptar. Pas një vizite po kaq të suksesshme në Vuno dhe Delvine, ku u prit nga Leonidha Frasheri, Jozef Haven përpiloi pjesën e parë të raportit, atë për kufijtë e Jugut. Materiali u dërgua me urgjence në Ambasadën amerikane në Romë dhe që këtej, brenda javës u vendos mbi tavolinën e punës së Uillsonit në Versaje.
Haven vazhdoi vizitën e tij në Durrës, Tiranë, Shkodër dhe Krujë ku gjeti po atë entuziazëm. Ai shoqërohej kudo nga Tefik Mborja, që duket se luajti një rol kyç. Raporti përfundimtar u hartua një muaj më pas dhe ishte vendimtar për qëndrimin amerikan. Uillsoni nuk pranoi asnjë korrigjim në kurriz të kufijve të Shqipërisë dhe u ngarkua Lidhja e Kombeve të përcaktonte kufijtë fizike të saj…8.  Vlenë të shënohet se në pallatin historik u bë vetëm nënshkrimi i traktatit të parë, ndërsa negociatat u zhvilluan në Quai d’Orsay në Paris, gjithashtu, megjithëse Konferenca e Paqës vijoj punimet me intervale deri me 21 janar 1920, procesi formal i paqës nuk përfundoi në të vërtetë deri në korrik 1923, kur u nënshkrua Traktati  Lozanës.9.  Konferenca e Paqës do t’i  njihte Shqipërisë ligjimitetin e vetqeverisjes si komb, Brenda kufijve të përcaktuar me 1913, dhe urdhëroi kombet fqinjë të tërhiqeshin në këta kufij…10.  “Presidenti Uillson bëri më shumë se kushdo për pavarësinë e Shqipërisë”. Sa cinike tingëllon deklerata e regjimit komunist ateist  shqiptar 65 vjet më vonë se: “Qeveria sovjetike , me në krye Leninin , ishte e vetmja që vertet e mbështeti dhe e mbrojti kombin  e shtypur… Kur në të vertet ishte Presidenti amerikan Uillson, aleati i besueshëm i popullit shqiptar për mbrojtjen e të drejtave  kombëtare” (Nalb. 1984, 3:25).11.  

SHQIPTARËT DHE KONFERENCA E PAQËS NË PARIS ! 

REFERENCAT:

1.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.404, Tiranë 1995.  

2.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Paqes_e_Parisit_(1919%E2%80%931920.   

3.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.406, Tiranë 1995, Gazeta “Liria, nr.2, dhjetor 1987.

4.Ferdinand Schevill, BALLKANI, Historia dhe Qytetrimi, fq.407-408, sh.b. Uegen, Tiranë, 2002.  

5. https://www.voal.ch/18-janar-1919-ne-paris-filloi-konferenca-e-paqes/multimedia/dossier/.

6.https://telegrafi.com/viti-1919-konferenca-e-padrejtesive/  

7.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Paqes_e_Parisit_(1919%E2%80%931920. 

8.https://fjala.al/2021/06/28/konferenca-e-paqes-ne-paris-si-u-vendosen-kufijte-e-shqiperise-pas-luftes-se-madhe/.  

9.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Paqes_e_Parisit_(1919%E2%80%931920.    

10.Gazeta “Liria, nr.2, dhjetor 1987.. 

11.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.406-407. 

Filed Under: Analiza

SHKURT 1939 / KUR GAZETARJA E FAMSHME MELANIE L. PFLAUM RRËFENTE UDHËTIMIN E SAJ NË SHQIPËRI : “KTHIMI MASIV I SHQIPTARËVE NË ATDHE KARAKTERIZOHET NGA MBRETËRIMI PAQËSOR I MBRETIT ZOG…”

January 20, 2024 by s p


Burimi : Wisconsin Rapids Daily Tribune, e  martë, 14 shkurt 1939, faqe n°9
Burimi : Wisconsin Rapids Daily Tribune, e martë, 14 shkurt 1939, faqe n°9

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Janar 2024

“Wisconsin Rapids Daily Tribune” ka botuar, të martën e 14 shkurtit 1939, në faqen n°9, rrëfimin e gazetares së famshme Melanie L. Pflaum mbi udhëtimin e saj asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëri

Aty ku mënyra amerikane është një shembull i shkëlqyer; Aty ku “vendasit e çuditshëm” lexojnë novela gangsterësh amerikanë 

Kthimi masiv në Atdhe karakterizohet nga mbretërimi paqësor i mbretit Zog; Asnjë dridhje nga kërcënimi italian

Burimi : Wisconsin Rapids Daily Tribune, e  martë, 14 shkurt 1939, faqe n°9
Burimi : Wisconsin Rapids Daily Tribune, e martë, 14 shkurt 1939, faqe n°9

Melanie L. Pflaum, një gazetare e famshme që jeton prej shumë vitesh në Evropë, sapo ka përfunduar një udhëtim nëpër Ballkan, i cili shtrihet drejtpërdrejt në rrugën e ekspansionit gjerman. Në pesë tregime, ajo tregon se si duken njerëzit, çfarë mendojnë. I katërti në vijim është mbi Shqipërinë.

NGA MELANIE L. PFLAUM

Tiranë, Shqipëri — Shqipëria ka emrin e të qenit pak a shumë vend i prapambetur. Kështu që është një tronditje të dëgjosh veten të ndeshur këtu më shumë se në çdo vend tjetër me “Përshëndetje! Ju jeni një amerikane, apo jo ? Nga cila pjesë e Shteteve të Bashkuara jeni ?”

Në fshatrat e thella malore, në fusha dhe në qytete, shqiptarët që dikur jetonin në Shtetet e Bashkuara dallojnë menjëherë udhëtarët anglezë ose amerikanë. Fshatari juaj shqiptar i veshur çuditërisht shpesh rezulton të jetë një ish-punëtor çeliku nga Gary, në Indiana.

Tetëdhjetë mijë shqiptarë u larguan për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës midis viteve 1885 dhe 1911. Ata shkuan atje kryesisht për arsye politike, për t’i shpëtuar luftërave ballkanike, kryengritjes së përgjakshme të vitit 1905 apo rrënimit të vendit në 1914.

Por tani kushtet civile janë më normale nën Mbretin Zog dhe të paktën 50 mijë prej tyre janë kthyer në atdheun e tyre, zakonisht për t’u martuar me gra shqiptare. Kështu në një shtëpi tipike fshati me dy dhoma, muret e lara me gëlqere të zbukuruara me frizin tradicional me një shtresë, mobiljet mund të përbëhen nga një sofër ku shërbehen ushqime të stilit turk, jastëkë, qilima, xhezve kafeje të vjetra prej bronzi, dhe armë të vjetra, por do të ketë edhe një radio amerikane, kalendarë amerikanë të Krishtlindjeve dhe disa romane gangsterësh.

Zhdukja e zënkave

Gjakmarrja tradicionale tani ndodh rrallë, dhe policia i shtyp ato sa më shpejt që të jetë e mundur, por çdo familje ka ende historitë e saj për gjakmarrje të tilla që kanë ndodhur një brez më parë.

Shqiptarët e dinë se italianët lakmojnë një pjesë të bregdetit të tyre në Adriatik, por ata besojnë se vendi i tyre është i pathyeshëm. Ata i mbajtën edhe turqit në një skaj të thjeshtë rreth skajeve të vendit, dhe ata kurrë nuk janë pushtuar plotësisht nga asnjë prej pushtuesve që kanë përfshirë Ballkanin që nga kohët e hershme.

Ekziston një tharm i dallueshëm i amerikanizmit në Shqipëri. Të rinjtë shqiptarë, edhe pse nuk dëshirojnë të shkojnë në Amerikë, imitojnë mënyrat amerikane në shumë aspekte. Një mësues i ri shkolle shpjegoi “Ne nuk mund të mësojmë asgjë nga Evropa, përveçse si të futemi në telashe. Në Amerikë ne shohim shembullin që do të donim të ndiqnim.”

Shqiptarët që janë kthyer nga Shtetet e Bashkuara janë të sinqertë në simpati me këtë “amerikanizim”, megjithëse shumica prej tyre tani janë të brezit të vjetër. Ata e shohin jetën e tyre në Shtetet e Bashkuara (dhe shumën e pagës së tyre) me nostalgji. Disa prej tyre flasin për kthimin, por është e qartë se ata nuk e dëshirojnë vërtet. Ajo që ata preferojnë në të vërtetë është jeta në Shqipëri, me “disa komoditete dhe ide amerikane më shumë”.

Kalimi nga një shoqëri patriarkale dhe feudale në një shoqëri moderne në një brez të vetëm është një detyrë e madhe, brezi aktual ka për detyrë të përshtatet me botën moderne pa humbur pavarësinë dhe forcën tradicionale të racës së tij.

Dhëndri është ai që paguan

Besëtytnitë e lashta janë ende të forta. Asnjëherë nuk duhet të lini një veshje jashtë shtëpisë pas muzgut nga frika se shpirtrat e këqij do t’ju pushtojnë gjatë natës dhe më pas do t’ju bëjnë një magji.

Shumica e njerëzve janë shqiptarë ortodoksë ose myslimanë, megjithëse ka disa katolikë romakë. Myslimanët janë më shumë muhamedanë, në mënyrën e tyre të jetesës sesa myslimanët në Turqi. Ndërkohë që në Turqi ndalohet mbajtja e plisit (qylafit) nga burrat dhe mbulimi i fytyrës së grave, këto zakone ndiqen ende në fshatrat turke në Shqipëri dhe Bullgari. Në Shqipëri, megjithatë, myslimanët janë të përzier me popullsinë e krishterë dhe nuk gravitojnë në komunitete të veçanta si në Bullgari, Jugosllavi dhe Rumani.

Situata për gratë është relativisht e mirë dhe dhëndri paguan një pajë për familjen e nuses në vend të procedurës së kundërt që praktikohet në shumë vende. Në vallet karakteristike të vendit, në përgjithësi, burrat dhe gratë kërcejnë veçmas.

Modernizimi është kryefjala në Shqipëri dhe militarizimi ka bërë shumë më pak përparim sesa në shumicën e fqinjëve të saj ballkanikë.

Filed Under: Histori

Presidenti historik dhe i Pavarësisë së përjetshme të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova u shua para 18 viteve

January 20, 2024 by s p

-Intervistat ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës,  Dr. Ibrahim Rugova që nga e para e Shtatorit 1994 deri te e fundit në Shkurt 2005 dhe deklarata tjera/

  -Disa nga raportimet që kam bërë para 18 viteve, në Janar 2006/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  Janar 2024/ Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti historik dhe i Pavarësisë së përjetshme të Kosovës, ideator dhe arkitekt i së cilës ishte, u shua para 18 viteve në 21 Janar 2006. 

Në këtë vit 2024 të çerek shekulli të Lirisë së Kosovës, veprimtaritë përkujtimore zhvillohen në prag të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008. Në veprimtaritë përkujtimore theksohet se  në Lëvizjen për Liri e Pavarësi Dr. Ibrahim Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

  Që para më shumë se tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Dr. Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 Dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 Maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) ditën e enjëte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, po edhe në raste të tjera, e falënderonte e vlerësonte shumë Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, korrespondent i së cilës isha mëse çerek shekulli, nga dita e 24 Majit 1992 kur u zgjodh President.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.

Ajo intervistë e parë e një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë zhvillohej në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”. 
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova. 
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. 

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës. 
 “Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai. 
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. 

“Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai. 

Në 11 Tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistën për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në konferencën për shtyp  të para 26 viteve – 6 Shkurt 1998 duke u përgjigjur në pyetjet që i bëja theksonte se Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë në Kosovë para se të ndodhë konflikti, ndërsa reagimi si komb i shqiptarëve është normal dhe e drejtë e çdo populli të rrezikuar.

E pyeta se, duke pasur parasysh intensitetin e shpejtësinë e zhvillimeve të rrezikshme në Kosovë, a priten masa të mjaftueshme e me kohë të bashkësisë ndërkombëtare për parandalimin e konfliktit, ndërsa Presidenti Rugova u përgegjegj:

“Ne kemi kërkuar që bashkësia ndërkombatare të intervenojë në Kosovë para se të ndodhin konfrontimet, e jo pasi të ndodhin, sepse do të bëhej vonë, dhe kemi bërë apel që të çmohet ajo që ka sakrifikuar populli i Kosovës për shumë vite që ta evitojë konfliktin. Masat parandaluese ndërkombëtare në radhë të parë duhet të jenë një presion shumë më i madh mbi Beogradin që ka përqëndruar forca të mëdh dhe kërcënon që edhe ushtarakisht ta godasë Kosovën”.

Në pyetjen tjetër që i bëra, se si i komenton deklaratat e politikanëve shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni, etj., për reagim si komb në rast konflikti në Kosovë, presidenti Rugova u përgjegj:  “Është i natyrshëm dhe mëse normal ky qëndrim i Shqipërisë, përkundër vështirësive që ka ajo sot. Shqiptarët janë të organizuar si shtet e si shoqëri edhe në Kosovë, edhe pse nën okupim. Edhe shqiptarët në Maqedoni kanë një organizim, që dita-ditës po përparon më shumë. Kemi tërhequr vërejtjen dhe të gjithëve u është bërë e ditur se po të fillojë diçka, më e keqja, në Kosovë, atëherë i gjithë rajoni do përfshihej, edhe Shqipëria, Maqedonia, Greqia, gjithësesi Serbia,  Mali i Zi dhe vende të tjera. Prandaj, është një kujdes i shtuar i bashkësisë ndërkombëtare”.

Presidenti Rugova i bëri thirrje Beogradit që t’i kthehet dialogut me ndërmjetësim ndërkombëtar për Kosovën, që të  mos e provokojë edhe më tej situatën dhe të ndërpresë dhunën. Ai tërhoqi vërejtjen edhe për seriozitetin e pohimeve se në Vojvodinë (krahinë në Serbi) regjimi serb po rekruton rezervistë për t’i dërguar në Kosovë…

Me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova kam zhvilluar intervista ekskluzive, së pari për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë e pastaj të tjera për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, isha edhe në konferencat e shumëta për shtyp që mbante para, gjatë e pas luftës në Kosovë, ku bëja pyetje e merrja përgjigje, jam takuar edhe në raste të tjera.

Në dokumentarin televiziv “Fakte – Konferencat për Shtyp të Presidentit Rugova”, autori Adnan Merovci – udhëheqësi i Protokollit të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova gjatë viteve ’90-ta dhe deri në vitin 2000, mes gazetarëve të rregulltë që vendin ku do uleshin e kishin thuese të paracaktuar të parin më përmend mua…

Para 25 viteve, në 5 Mars 1999, një takim i Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Doll – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.

Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999,  u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars paralajmëronte nënshkrimin  para 15 Marsit 1999 të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku isha atëherë korrespondent i Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë,  tani korrespondent i Gazetës DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Dhe, vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i  Ditës së Lirisë -12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë,  në vendin që në 2024-tën feston 25 vjetorin e Lirisë e 16 vjetorin e Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

Ashtu si paralajmëronte Presidenti Rugova, në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën, ndërsa Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake për Kosovën të NATO-s, forcës ushtarake më të madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Në 29 Maj 1998, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s…

 Njëmbëdhjetë vite pas takimit në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në Sheshin me Emrin e Shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit historik të Kosovës Rugova, Presidenti Amerikan Clinton shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

 
Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 i hyrjes së NATO-s në Kosovë,  për Presidentin historik e kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ngjarje e vitit 2000 ishin zgjedhjet lokale të 28 Tetorit në Kosovë, ndërsa ngjarja që do ta shënojë vitin 2001 do të jetë mbajtja e zgjedhjeve nacionale presidenciale e parlamentare.

“Të mira, të mira…”, përsëriti disa herë Presidenti Rugova, derisa e pyeta të deklarojë për gazetën Rilindja se cilat janë parashikimet e tij, në prag të Vitit të Ri 2001, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Për njohjen e pavarësisë së Kosovës “e presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksoi Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur”.

Përgjigja u shoqërua me duartrokitje të gazetarëve të pranishëm dhe me urime, në një atmosferë të gëzuar të pritjes së organizuar në Rezidencën e Rugovës në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë.

Ndërsa, duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, Rugova tha: “Unë nuk i ndërroj fjalët shumë, por kur ndryshojnë gjërat i ndryshoj edhe fjalët. Jam duke punuar në ndryshimin e gjërave të mëdha, pra, si pavarësia, etj, që të njihen”.

Presidenti historik Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve.

 “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretarin Amerikan të Shtetit Igëllberger.

 Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 Nëntorit 2002, derisa në atë kohë kur isha kryeredaktor i gazetës historike në fund të Dhjetorit 2002 zhvilloja intervistën ekskluzive për Rilindjen festive të Vitit të Ri.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte Rugova në intervistën ekskluzive që zhvillova në prag të Vitit të Ri 2003 për gazetën Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Edhe tani dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

Presidenti Rugova kaherë theksonte idenë për autostradën Shqipëri-Kosovë, Rrugën e Kombit, nëpër shtigjet e vjetra historike, derisa shprehej se, “nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”.

Me vendimin e Qeverisë kosovare, është emërtuar “Ibrahim Rugova” autostrada në Kosovë, e ndërtuar në vazhdim të autostradës në Shqipëri nga bregdeti shqiptar-Durrësi deri në portën kufitare në Morinë-Vërmicë, mes qytetit të Lidhjes së Prizrenit dhe Kukësit.

Në Tetorin e vitit 2005,  Presidenti Rugova në takim me projektuesit thoshte se se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës tregon se, “ne jemi të aftë të bëjmë dhe mbajmë shtet, dhe se e meritojmë pavarësinë”.

 “Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova në një intervistë tjetër eksluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja, të 12 Shkurtit 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, theksonte Rugova në intervistën eksluzive që në ballinë të gazetës Rilindja kishte kryetitullin: “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.

“Njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova.

Ndërsa, i pyetur për marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, shembull për rajonin dhe se si e shihte të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet euroatlantike, Rugova thoshte:

“Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë-Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë”.

Me rastin e pritjes që më bëri dhe intervistës ekskluzive në prag të 12 Shkurtit 2005 – ditës së 60 vjetorit të gazetës Rilindja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues e Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Kjo ishte intervista e fundit ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga i cili  kam regjistruar edhe deklaratën e fundit  para përfundimit të vitit 2005.

Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

Ibrahim Rugova u lind në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, ndërsa u shua në 21 Janar 2006.

 “Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar në 21 Janar 2006, në mesditë.

 “Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.

Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA

  Para 18 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, ka raportuar se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.

Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 NJERËZ – MË SE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS, NË SALLËN “1 TETORI”, TE VARREZAT E DËSHMORËVE E HERONJËVE TË KOMBIT NË LAGJEN VELANIA NË BREGUN E DIELLIT I SHPREHËN NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE PRESIDENTIT HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA.

Kryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishte BOTA NDEROI e nëntitulli NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE.

Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe pas luftës në Kosovën e lirë: PRESIDENTI RUGOVA PARASHIKOI DHE KRIJOI TË ARDHMEN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARËVE. TRI INTERVISTA EKSKLUZIVE, E PARA PARA 12 VJETËVE.

Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. IBRAHIM RUGOVA President i Kosovës (1944 – 2006).

DR. IBRAHIM RUGOVA PRESIDENT HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRGJITHMONË, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.

KOMEMORACION NË RILINDJE – NDERIMET MË TË LARTA PËR PRESIDENTIN E PAVARËSISË, DR. IBRAHIM RUGOVA

Prishtinë, 24 janar 2006 /TN /QIK – Ndërmarrja Rilindja në një mbledhje komemorative ka shprehur sot nderimet më të larta për Presidentin e Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova.

Presidenti historik i Pavarësisë së Kosovës me penën, fjalën e veprën e tij madhore gjithmonë ishte dhe do të jetë në Rilindje, tha krytetari i Këshillit Drejtues e Kryeredaktori Behlul Jashari, duke përkujtuar se kishte nderin që Dr. Rugovës t’i dhuronte Pllakatin e Jubilet të 60 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës, të shkruar me ar e argjend. Drejtori i Shtypshkronjës Vesel Makolli në fjalën e tij tha se Rilindja, shtypshkronja e saj, ishte botuesi më i madh i librave – veprës së madhe letrare të Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të Kosovës.

Të pranishmit e shumtë në koomemoracion i shprehën ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjes Rugova.

DISA NGA RAPORTIMET E MIA PËR AGJENCINË SHTETËRORE ZYRTARE TË LAJMEVE TË SHQIPËRISË PARA 18 VITEVE, JANAR 2006:

PIKËLLIM I MADH NË CERRCË, TEK MOLIKA E MBJELLË NGA IBRAHIM RUGOVA

– Nga Behlul Jashari –

     PRISHTINË, 22 Janar /ATSH/ – Pikëllim i madh ka rënë në vendlindjen e Presidentit Ibrahim Rugova, në Cerrcë të Istogut, te molika që ai kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë, kur ishte tetë vjeç. Presidenti Rugova vdiq në moshën 61-vjeçare, molika vazhdon të rritet në vendlindjen e tij edhe pas 53 vjetëve.
     Rreth asaj molike u tubuan njerëzit e fshatit, sapo morën lajmin për vdekjen e Presidenti dhe si në një vend të bekuar qëndrojnë të bashkuar edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 30 orë nga lajmi i hidhur. 
     “Me duart e veta e pat mbjellë këtë molikë”, thotë xhaxhai i Ibrahim Rugovës, Ali Rustë Rugova, njeriu që e rriti dhe e shkolloi dhe që sot pret ngushëllime. “A ende e paske molikën time?”, e kishte pyetur Rugova i lumtur xhaxhain  në vizitën e fundit që i bëri vendlindjes.
     Në luftën e fundit, forcat serbe dogjën e rrënuan shtëpitë e familjes Rugova. Aliu tregon me dorë andej ku tani nuk ka më shtëpi dhe thotë: “Në këtë vend ka lindur Ibrahimi, këtu e kemi pasur truallin e shtëpisë”.
     Por historia e familjes Rugova është edhe më e hidhur. Vetëm një muaj pasi lindi, foshnja që e kishin quajtur Ibrahim, mbeti pa babanë: Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, ndërsa më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë i pushkatuan babanë, Ukë Rugovën dhe gjyshin, Rustë Rugovën. Ky i fundit ishte luftëtar i njohur kundër grupeve çetnike që kishin depërtuar gjatë Luftës II Botërore në krahinën e Rugovës.
     “I kanë vra në Kullën e Popit. I vrau OZNA, UDB-ja. As sot nuk ua dimë eshtrat”, tregojnë njerëzit e familjes Rugova. Më e moshuara e Cerrcës, Rabë Rugova, mbi njëqind vjeçe, tregon edhe histori të tjera. “Uka, babai i Ibrahimit, ka pasë lindë pas gjashtë vajzave dhe ishte gëzim i madh për familjen e farefisin. Kur Ukën e vranë, për Ibrahimin u kujdes vëllau im, Aliu, si për djemtë e vet”.
     Në Cerrcë tregojnë se plaka Rabë shpesh çohet edhe natën dhe e puth fotografinë e të nipit, President i Kosovës. Tregojnë edhe histori të tjera. Tregojnë se tek i biri, Uka, Ibrahim Rugova ka përtërirë emrin e të atit, Ukës së vjetër. 
     Bashkë me të tjerët, pret ngushëllime edhe Ajet Hasanaj, shok i fëmijërisë dhe i shkollës i Ibrahim Rugovës. “Ibrahimi ishte i gjithë Kosovës”, flet ai me dhembje të madhe për humbjen e madhe. “Kosova do shkojë përpara edhe pas Rugovës, se ka veprën e tij të madhe. Ibrahim Rugova do mbetet përgjithmonë President i Pavarësisë së Kosovës”, thonë njerëzit në Cerrcë, në vendlindjen e Presidentit Rugova.
/pas/s.s./

KOSOVË, 15 DITË ZI KOMBËTARE PËR PRESIDENTIN RUGOVA
 

     PRISHTINË, 22 janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Këshilli Organizativ i Varrimit të Presidentit Rugova ka shpallur 15 ditë zi kombëtare në Kosovë, duke filluar nga dita e hënë, 23 janar 2006, për nder të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë të shtunën, më 21 janar 2006. 
     Për katër ditë, prej të hënës deri të enjten, në datat 23-26 janar 2006, institucionet arsimore të të gjitha niveleve në Kosovë nuk do të zhvillojnë mësim. 
     Dita e varrimit të Presidentit Rugova, e enjte, më 26 janar 2006, do të jetë ditë kur nuk do të punohet në asnjë institucion. 
     Këshilli Organizativ i Varrimit të Presidentit Rugova njofton se homazhet publike fillojnë nesër, ditë e hënë, më 23 janar 2006, duke filluar nga ora 12:00, në Kuvendin e Kosovës.      
     Qytetarët do të mund të bëjnë homazhe deri në ora 18:00. 
     Në dy ditët e tjera, të martën dhe të mërkurën, orari për homazhe publike do të jetë prej orës 09:00 deri në ora 18:00. Homazhet bëhen edhe paraditën e së enjtes, deri para nisjes së funeralit për në ceremoninë qendrore dhe varrimin, që do të bëhet në Prishtinë. 
     Qytetarët e Kosovës do të mund të shkruhen në Librat e Zisë për Presidentin e Kosovës,  Ibrahim Rugova. 
     Librat do të vendosen në të gjitha komunat e Kosovës, në Bibilotekën Kombëtare dhe Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Ndërkaq, Libri i Zisë për Trupin Diplomatik do të vendoset në Kuvendin e Kosovës./ a.jor. 

PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Zyra e SHBA-së në Prishtinë uli sot (e hënë) flamurin amerikan në gjysmështizë, në nderim të Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë një ceremonie të shkurtër, të drejtuar nga Shefi i Misionit, Philip Goldberg.
     Në fjalën që mbajti me këtë rast, z.Goldberg tha se me ndarjen nga jeta të Presidentit Rugova, Kosova ka humbur një udhëheqës të madh, por edhe SHBA humbi një mik të madh e të përkushtuar. 
     “Në botë nuk ka shumë udhëheqës apo popuj, të cilët kanë aq shumë dashuri dhe respekt për Shtetet e Bashkuara, siç pati Presidenti Rugova dhe siç ka populli i Kosovës. Dhe, për shkak të respektit për të, për miqësinë e tij me Shtetet e Bashkuara dhe respektit për popullin e Kosovës, unë e ndjej se është me vend që edhe ne të ulim flamurin amerikan në gjysmështizë gjatë periudhës së zisë”, tha z. Goldberg. 
     “Kjo ka një domethënie të madhe për ne dhe jam i sigurtë se do të ketë edhe për popullin e Kosovës”, theksoi ai, ndërsa komandanti i njësisë së Marinës së SHBA-së uli flamurin amerikan në gjysmë shtize. 
    Shefi i Misionit Goldberg solli dhe kujtimet e tij të 18 muajve të fundit, nga koha kur ai drejton Zyrën Amerikane në Prishtinë, si dhe të takimit të parë me Presidentitn Rugova, para njëmbëdhjetë vitesh, në Uashington.
    “Veç asaj që ai bëri si udhëheqës – dhe me të vërtetë si një simbol i Kosovës për botën – unë e njoha atë edhe si një njeri shumë të këndshëm dhe të përzemërt”, tha shefi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë, duke propozuar një minutë heshtje në nderim të Presidentit Rugova.
/klod/pas/

GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE

-Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës-


     PRISHTINE, 23 Janar /ATSH Behlul Jashari/ – Zyra e Shtypit e SHBA-së në Prishtinë sapo ka shpërndarë për mediat letrën që Presidenti i SHBA-së George W. Bush i ka nisur  familjes së Presidentit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës. Në letrën e nisur nga Shtëpia e Bardhë shkruhet: “Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e Kryetarit Ibrahim Rugova. Kryetari Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqë dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës.
     Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare. 
     Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë dhe Laura i shprehim ngushëllimet tona familjes së Kryetarit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës”.

AEROPORTI I PRISHTINËS DO NDIHMOHET EDHE NGA PISTA TE TJERA FQINJE

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Aeroportit të Prishtinës do t’i vijnë në ndihmë edhe disa aeroporte fqinjë, pasi ky i vetëm nuk mund t’i përballojë fluturimet e shumta speciale të delegacioneve që do marrin pjesë në  varrimin e Presidentit Ibrahim Rugova. 
     Zyrtarë të këtij aeroporti thanë sot (e hënë) se kanë shumë kërkesa për ulje dhe se për shkak të kapaciteteve të kufizuara, shumë fluturime do drejtohen për në aeroportin e Shkupit, në Maqedoni. Sipas të njëjtave burime, do shikohen mundësitë që për këtë qëllim të shfrytëzohet edhe një pistë tjetër uljeje afër Gjakovës.
 /pas/

KOSOVE, RRADHË TË GJATA QYTETARËSH PRESIN TË BËJNË HOMAZHE PRANË TRUPIT TË PAJETË TË  PRESIDENTIT RUGOVA 
 
     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Shumë qytetarë kosovarë janë mbledhur sot (e Hënë) para Kuvendit të Kosovës, në pritje për t’i bërë homazhe Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.   
     Shumë prej tyre kanë ardhur nga e gjithë Kosova dhe hapësirat e tjera shqiptare dhe kanë mbushur sheshin Skënderbej dhe rrugën “Nënë Tereza” në Prishtinë.  Qindra qytetarë presin të nënshkruajnë Librat e Zisë, që janë vendosur në Bibliotekën Kombëtare e Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
     Kosova mban zi sot për Presidentin e saj, Ibrahim Rugova, i cili vdiq të shtunën, në moshën 61 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
/s.s./lira/  

Filed Under: Kronike

Festohet pavarësia e Kosovës në New York

January 20, 2024 by s p

Festohet pavarësia e Kosovës në New York.

Filed Under: Reportazh

Vikingë dhe të tjerë

January 20, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

A ishin vërtet vikingët aq të mëdhenj sa portretizohen në filma? Sa të gjatë dhe të rëndë ishin ata?

Bazuar në skeletet e gjetura – si në Skandinavi ashtu edhe në Angli – vikingët në fakt nuk ishin shumë më të mëdhenj se vendasit. Njerëzit në Danimarkë në vitet 800 – 1100 ishin rrallë më të gjatë se 170 cm. Norvegjezët ishin pak më të mëdhenj se danezët në atë kohë, por jo aq shumë.

Sidoqoftë, skeletet tregojnë se vikingët thjesht ishin më të fortë se shumica e vendasve – skeletet ishin më të rëndë për shkak të konsumit të qumështit. Skelete vikingësh të gjetur në Angli, tregojnë gjithashtu se peshqit ishin një pjesë e madhe e dietës. Por gjithashtu, kishte shenja të kequshqyerjes kur ata ishin duke u rritur.

Kjo, e kombinuar me një fe ku vdekja në betejë ishte rruga për në jetën e përtejme dhe trajnimi me armë që nga fëmijëria, u dha atyre një avantazh. Të qenit në gjendje për të kryer një sulm të befasishëm i ndihmoi shumë gjithashtu. Dihen rregullat e betejës për vikingët:

Takoni një armik – vriteni dhe përparoni.

Takoni dy armiq, qëndroni dhe luftoni.

Takoni tre armiq, luftoni, por tërheqja është opsion.

Takoni katër dhe mund të ikni.

Mosrespektimi i rregullit tregonte se ishe frikacak tek i cili nuk mund të mbështeteshe – dhe me siguri do të ishte më mirë të vdisje.

Më vonë, në vitet 1600 – 1800 njerëzit u bënë edhe më të shkurtër. Në luftërat midis Danimarkës dhe Gjermanisë në 1864, lartësia mesatare e një ushtari danez ishte vetëm 165 cm.

*

Një tunel i gërmuar nga një specie gjigante në Brazil mbi 10,000 vjet më parë, është zbulimi më i madh arkeologjik. Të njohur si Paleoburrows, këto tunele të mëdha mund të arrijnë deri në 600 metra të thellë dhe mbi 6 metra të lartë.

Në fillim të viteve 2000, profesori Heinrich Frank i Universitetit të Rio Grande do Sul ishte duke vozitur pranë një kanioni kur diçka i ra në sy. U zbulua një vrimë e çuditshme nga ekskavatorët dhe Frank pyeti veten se deri ku shkonte ajo. Disa javë më vonë, ai u fut në tunel. Duke ecur, ai zbuloi një shpellë ku vuri re shenja kthetrash në tavan. Duke pasur parasysh ekspertizën e tij, ai e dinte se asnjë fenomen natyror nuk do të krijonte një shpellë me ato karakteristika; duhet të jetë bërë nga një kafshë e madhe.

Kafsha do të kishte qenë ajo që njihet si Megatherium, specie e zhdukur në Amerikën e Jugut.

Frank ka qenë në gjendje të gjejë dhe dokumentojë mbi 1500 Paleobrows të tjera që nga zbulimi i tij.

*

Si u mund më në fund Genghis Khan? Çfarë ndodhi me perandorinë e tij?

Ai ra nga kali, i dehur dhe vdiq, në moshën 65-vjeçare, në vitin 1227.

Brezi i parë ndërton, brezi i dytë mirëmban dhe brezi i tretë shkatërron.

Perandoria e tij u zgjerua në mënyrë të konsiderueshme gjatë djalit dhe pasuesit të tij Ogodei Khan (1227–1241). Tre khanë të tjerë të mëdhenj pasuan: Guyuk (1246–1248), Mongke (1251–1259) dhe Kubilai (1260–1294), të cilët ishin të gjithë nipërit e Xhengizit.

Khanati u shpërbë de fakto pas vdekjes së Mongke-s dhe de jure pas vdekjes së Kubilai-t. Shtetet pasardhëse ishin Hordhia e Artë në Rusi, Khanati në Persi, Khanati Chagatai në Azinë Qendrore, dhe dinastia Yuan në Kinë. Asnjë nga këto shtete pasardhëse nuk ishte jetëgjatë: i pari që u shemb ishte Khanati në Persi në 1339, pastaj Yuan në Kinë në 1354, Hordhia e Artë në 1502 dhe Chagatai në 1513.

Pas rënies së Khanatit Chagatai, Mongolët ishin shtyrë përsëri në atë që është Mongolia e sotme..

*

Michio Kaku injorohet si fizikan kërkimor. Ndoshta ka të bëjë me faktin se megjithëse ka pasur mbi 70 punime të botuara në revista shkencore, jo shumë prej tyre kanë ndryshuar plotësisht lojën siç kanë bërë të tjerët. Ai definitivisht nuk është një Hawking.

Ndërkohë, Michio Kaku kalon shumicën e kohës duke bërë popullarizimin e shkencës dhe jo kërkime të mëdha. Shkenca ka nevojë për njerëz si Bill Nye dhe Michio Kaku. Por ka pak arsye për të pritur që njerëzit që ndjekin atë rrugë karriere të shënohen për kërkimin e tyre – Carl Sagan është një nga të paktët që ishte në gjendje të bënte kërkime të nivelit të lartë dhe në të njëjtën kohë tê merrej edhe me prodhimin e gjërave si Cosmos.

*

Disa thonë se egjiptologu i famshëm Zahi Hawass është me prejardhje arabe. Ai është egjiptian. Deri në vitet 1920, egjiptianët nuk e quanin veten arabë. Është disi si njerëzit nga Peruja dhe Argjentina e quajnë veten latinë, megjithëse duken shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Disa politikanë egjiptianë vendosën të përvetësojnë etiketën arabe, që politikanët e mëparshëm e kishin refuzuar, sepse ata ishin kryesisht myslimanë dhe flisnin arabisht dhe merreshin me kolonializmin dhe imperializmin evropian në rajon dhe idenë arabe të zgjimit në përgjigje ndaj nacionalizmit turk brenda Perandorisë Osmane.

Hawass duket më shumë egjiptian i lashtë sesa arab për sa i përket fytyrës, flokëve të tij. Një studim mbi egjiptianët modernë thotë se 17% e prejardhjes egjiptiane vjen nga arabët.

Arabët pushtuan Egjiptin në shekullin e VII, por ata nuk e vranë masivisht popullsinë egjiptiane. Nuk ishte si kur evropianët u vendosën në Amerikën e Veriut dhe shkatërruan popullsinë vendase përmes sëmundjeve dhe në një masë më të vogël masakrave të mëdha. Nuk kishte asnjë përpjekje për të zhvendosur popullsinë tashmë të pranishme. Muslimanët arabë u përzien me popullsinë, por Egjipti kishte një popullsi masive në krahasim me arabët, dhe kjo është e rëndësishme të mbahet parasysh. Arabët nuk u përfshinë në zhvendosje të popullsisë, spastrim etnik, masakra masive. Përkundrazi, ata donin që egjiptianët të kalonin fenë e tyre nga krishterimi koptik në islamizënm. Me kalimin e kohës, pas disa shekujsh, të krishterët koptë bënë kalimin nga krishterimi në islam dhe egjiptiani kopt u quajt arab. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh, në përgjithësi, midis egjiptianëve koptë dhe egjiptianëve myslimanë, megjithëse këta të fundit kanë prejardhje arabe, ndërsa të krishterët koptë jo. Sigurisht, ka disa prejardhje arabe për myslimanët modernë egjiptianë, është normale, por nje egjiptian dhe një koptik duken thuajse njësoj, është feja që i përcakton.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT