• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

Ambasador Blerim Reka mori pjesë në 50 vjetorin e NCAFP (Komitetit Nacional për Politiken e Jashtme Amerikane)

October 25, 2024 by s p

Ambasador Blerim Reka Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York mori pjesë në 50 vjetorin e NCAFP (Komitetit Nacional për Politiken e Jashtme Amerikane). Në shënimin e tij në faqen zyrtare Ambasador Reka shkroi:

“Mbrëmë, në gala mbrëmjen, e 50 vjetorit të NCAFP (Komitetit Nacional për Politiken e Jashtme Amerikane).

I nderuar, si i vetmi ambasador nga Ballkani, të isha në tryezen kryesore, me presidentin e bordit, Jeffrey Shafer dhe me ish sekretarin e thesarit Robert Rubin, laureatin e çmimit prestigjioz: “Morgenthau”.

Takova shumë diplomatë, ish zyrtar të State Departamentit e të Pentagonit dhe ambasadorë në OKB.

Pas 25 vitesh ligjerimi studentëve për teorinë realiste të Morgenthaut në marrëdhëniet ndërkombëtare, mbrëmë isha në jubileun gjysmëshekullor të këtij këshilli të ambasadorëve amerikan, të themeluar pikërisht nga prof. Morgenthau!”.

Filed Under: Kronike

Ç’ KA U THA NË PARLAMENTIN E TIRANËS PËR PRESIDENTIN WILSON?

October 25, 2024 by s p

Prof. Dr. Lush Culaj- Instituti Albanologjik-Prishtinë/

Me rastin e 100 vjetorit të ndërrimit të jetës.

Vudro Wilson ndërroi jetë më 3 shkurt të vitit 1924. Të nesërmen, më 4 shkurt, në Kuvendin Kushtetues në Tiranë, u propozua mbajtja e 5 minutave nderim në kujtim të tij. Në mbledhjen e 4 shkurtit 1924, deputeti Rauf Fico do të theksonte, ndër të tjera: “Me hidhërim morëm lajmin për vdekjen e ish-Presidentit të SHBA-ve W. Wilsonit. Duke marrë parasysh shërbimet e mëdha që i ka bërë Shqipërisë propozoj të bëhen 5 minuta nderim në shenjë hidhërimi dhe t’i dërgohet një telegram ngushëllimi familjes të ndjerit.” Nga ana tjetër deputeti Jashar Erebara kërkon të bëhen 5 minuta nderimi për udhëheqësin rus, Leninin. Deputeti Avni Rrustemi shpreh keqardhje se kur përmendet emri i Leninit dëgjohen të qeshura në sallën e Parlamentit. E dinja se propozimi i Erebarës nuk do të pranohej, por megjithatë e kemi për detyrë ta propozojmë që të bëhen 5 minuta nderim si shenjë hidhërimi për vdekjen e tij.

Në mbledhjen e 11. II. 1924 u diskutua në Parlament për Presidentin Wilson.

Jehona e vdekjes së tij u pasqyrua menjëherë edhe në shtypin shqiptar. Mbi personalitetin e Wilsonit do të flitej përsëri në Kuvendin Kushtetues pas disa ditësh më 11 shkurt. Meqenëse Fan Noli nuk kishte qenë i pranishëm në mbledhjen e 4 shkurtit e kërkoi fjalën dhe foli me shumë pasion për presidentin Wilson. Noli përmendi arsyen pse Shqipëria merrte pjesë në dhimbje përkrah SHBA-ve në ato ditë zie për këtë President.

Fan Noli: Evropa nuk e deshi paqen e Wilsonit dhe Amerika e refuzoi këtë paqe

Noli, ndër të tjera, theksoi: “Titulli “amerikan” mjafton që ta bëjë popullin tonë të marrë pjesë në çdo vajtim të Amerikës, se të gjithë e dimë sa të mira kemi parë prej saj. Që më 1900 Amerika ka qenë kurbeti më i madh i shqiptarëve. Të gjithë e dinë se Guverna (Qeveria, L. Culaj) e Durrësit u organizua nën kryesinë dhe me iniciativën e një delegati të “Vatrës” të dërguar për këtë qellim me para të Amerikës. Në vijim ai do t’i përmendë disa të mira që kanë ardhur prej Amerikës drejtpërdrejt. Pas luftës, kur Shqipëria ishte e shkatërruar dhe e pllakosur prej invazioneve të huaja, Amerika dërgoi Kryqin e Kuq që t”i lehtësojë vuajtjet. E vetmja shkollë moderne qe e kemi është ajo Teknike e Amerikës. Sa i përket presidentit Wilson, përveç emrit amerikan ka edhe një emër tjetër atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar si dhe paqes të përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Amerika është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për dollarë, nuk e njohin Amerikën. E dini cili ishte programi universal i Wilsonit në Versajë. Cili prej jush nuk ka dëgjuar për katërmbëdhjetë pikat e Wilsonit të sintetizuara në paktin e Lidhjes të Kombeve? U përpoq me tërë forcën e tij që t’ua imponojë Aleatëve programin e tij, por qëllimin e tij nuk e arriti si mendoi. I vajtur në Evropë si triumfator u rikthye i zhgënjyer në Amerikë. Dhe atë copë të fitores që mundi ta shkëpusë nga thonjtë e luanëve të Versajës tani vendi i tij do t’ia rrëmbente nga duart. Senati amerikan refuzoi ta ratifikonte Paqen e Versajës dhe Wilsoni nga zeniti më i lartë, ku ka ëndërruar të hipte në historinë e botës, si njeri u rrokullis dhe u rrëzua përdhe. Dhe Evropa vazhdoi luftën nën maskën e paqes. Evropa s’e deshi paqen e Wilsonit dhe Amerika e refuzoi këtë paqe. Wilsoni vdiq. Fjeti si luan profeti bujar i paqes njerëzore, ati shpirtëror i Lidhjes të Kombeve.

Megjithatë, Wilsoni bëri më tepër se çdo njeri tjetër për independencën e Shqipërisë, duke e shpëtuar vendin tonë nga copëtimi, duke siguruar pjesëmarrjen në Lidhjen e Kombeve në kufijtë e vitit 1913. Madhështia e tij morale duket pikërisht në mbrojtjen e të drejtave të kombësive të vogla. (duartrokitje).” Më pas do të vijonte: “Në janar të vitit 1920, një erë zie dhe dëshpërimi kish rënë mbi të gjithë anët e vendit tonë, i cili qe si një i vdekur në agoni. Projekti i copëtimit të Shqipërisë, i redaktuar nga katër aleatët evropianë, ishte njohur dhe priste vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë.” Fjalimi i Nolit në Parlament u shoqërua me duartrokitje, që ishte një tregues i qartë se si u prit ky fjalim, por pati edhe reagime dhe një ndër ata që replikoi ishte deputeti Hil Mosi, që shprehu rezerva ndaj vlerësimit aq të lartë që Noli ia bëri rolit të Wilsonit në mbrojtje të çështjes shqiptare. Ai, ndër të tjera, do të theksonte: “Wilsoni qe ai që pranonte që Fiumja t’i jepej Jugosllavisë tue i lanë Vlorën Italisë e viset e Jugës Greqisë.” Mendimet e ndryshme të shprehura në Parlamentin Shqiptar dhe jashtë tij për vendin që zinte Wilsoni në historinë e Shqipërisë, nga Fan Noli dhe Faik Konica në superlativ, si dhe nga tjerët si Hil Mosi me rezerva u pasqyruan edhe në shtypin e kohës.

Faik Konica: Shpëtimi dhe liria e Shqipërisë i detyrohen kryesisht Wilsonit

Kundër kritikuesve të presidentit Wilson më ashpër ishte shprehur Faik Konica, i cili theksonte: “Jemi të bindur se çdo shqiptar di dhe kupton se ç’borç të madh i kemi Wilsonit. Në qoftë se ka ndonjë shqiptar që s’merr vesh se shpetimi dhe liria e vendit (të) tij i detyrohet krye-sisht Wilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi meshirë për verbësinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë.” Ai më tutje do të theksonte: “Shqipëria ishte dënuar me vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s’ ndritte gjëkundi. Por e papritura ngjau dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Vudro Wilsonit, vijonte me tej Faik Konica. “Ndërgjegjja e drejtësisë njohu përsëri zërin e madh dhe u drodh nga gëzimi; se Wilsoni duke e mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbronte gjithë popujt, e mbronte parimin. Gazeta “Dielli” e datës 25 mars 1924, duke iu kundërvënë diskutimit të Hil Mosit në Parlament, do të theksonte ndër të tjera: “E qortoi Wilsonin se ai i dha Vlorën Italisë, ndonëse çdo njeri duhej të kuptonte, dhe shumë kuptojnë, që dhe Vlorën Wilsoni e shpëtoi tërthori: se po të mos kish ngulur këmbë Wilsoni që të bëhej një Shqipëri, s’ mund t’i jepej kurrë rasti as Vlorës që të shpëtonte nga zgjedha italiane”.

Shtypi shqiptar është fokusuar në rolin e Wilsonit si kryetar shteti i një fuqie të madhe me potenciale të gjithanshme në rritje, si dhe në arritjet e tij në dy periudha të vështira të marrëdhënieve ndërkombëtare, në Luftën e Parë Botërore dhe në nënshkrimin e traktateve të paqes të viteve 1919-1920 me vendet që e kishin humbur luftën. Shtypi pasqyronte, në mënyrë të veçantë, platformën e tij të njohur prej 14 pikash, ku ai kishte shtruar si bazë vendosjen e paqes pas luftës, si dhe rezervat ndaj kësaj platforme të udhëheqësve të Fuqive të Mëdha evropiane, fituese të konfliktit botëror.

Në paraqitjen me zigzage të pozitës së Wilsonit në Konferencën e Paqes në Paris, shtypi shqiptar iu përmbajt zhvillimit historik të ngjarjeve duke pasuar edhe shembullin e Fan Nolit, i cili në trajtesën e tij të 11 shkurtit shfaqi, ndër të tjera, keqardhjen e thellë për atë që i kishte ndodhur presidentit të SHBA-së: “Nga zenithi më i lartë ku ka ëndërruar të hypë në histori të botës (…) u rrokullis dhe u rrëzua përdhe.”

Përgjithësisht pasqyrimi i figurës së Wilsonit, në qarqet shqiptare, është parë nga dy dimensione të kundërta. Është dhënë si figurë që i kontribuoi çështjes shqiptare dhe si figurë që nuk ndihmoi sa duhet në të mirë të saj. Kemi të bëjmë me një pasqyrim të ngjashëm me atë që është vënë në dukje nga studiuesit: se në realizimin e programit të tij në plan evropian dhe botëror Wilsoni më shumë dështoi, sesa fitoi, për shkak të opozitës evropiane në radhë të parë.

Konferenca e Parisit 1919-1920 e ndryshoi hartën politike të Evropës, Azisë dhe Afrikës. Shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre ishin aktivë dhe për rrethanat e kohës arritën atë që mund ta arrinin. Rezultatet e këtyre arritjeve nuk janë për t’u nënvlerësuar. Madje, po ta kemi parasysh raportin e pabarabartë të forcave dhe rrethanat e tjera u arrit aq sa nuk shpresohej. Shqipëria vërtet mbeti si shtet i ndarë pa pjesët më vitale të saj, sepse u morën për bazë argumentet politike, por të paktën u arrit që të rifitohej pavarësia e vendit dhe sidomos të mënjanoheshin padrejtësi të reja territoriale që do të ishin tragjedi e dyfishtë për të ardhmen e kombit.

Presidenti Wilson dhe SHBA-të për përpjekjet e tyre për ta ndihmuar çështjen shqiptare mbetën në memorien e shqiptarëve. Për këtë ka mjaft dëshmi. Profesori amerikan Elmar E. Joner gjatë vizitës në një fshat në Jug të Shqipërisë, në një gëzim mirëseardhje dëgjon edhe këngën e Presidentit Wilson. Ai entuziazmohet tejmase nga melodia dhe teksti i këngës, të cilën e përkthen dhe ia dërgon Presidentit amerikan Wilson. Presidenti i shfaq mirënjohjen profesorit nëpërmjet një letre. Ndër të tjera, ai shkruante: “S’ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura qe ushqejnë për mua në Shqipëri. Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe na sqaron më së miri pikëpamjen tonë për rastet dhe përgjegjësitë tona kombëtare.”

Konica propozon të pagëzohet me emrin Willsonwille Shën Gjergji ose Saranda

Ndërsa diplomati Faik Konica që shërbeu në SHBA ia dërgoi në vitin 1924 këtë telegram kryetarit të Kuvendit në Tiranë: “Ju lutemi të shtroni si propozim në Parlament që me rastin e vdekjes së Presidentit Wilson, shpëtimtarit të Shqipërisë, duke e nderuar Wilsonin dhe Shqipërinë në sytë e botës propozoni që t’i jepet emri Wilsonwille ose Shën Gjergjit, ose Sarandës.” Më 12 mars 1924, nën kujdesin e Faik Konicës, arrin në shtëpinë e presidentit Wilson një kurorë e bukur me 100 trëndafila, 50 të kuqe dhe 50 të bardha të lidhura me një shirit me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë kuqezi në të cilat shkruan: “From the Albanian Federation Vatra Boston Massachusetts”. Ndërsa në telegramin që ia dërgon zonjës Wilson, Konica do të shprehej: “Jepmë leje Zonjë, të bëhem me respekt dërguesi i hidhërimit të thellë që ndiejnë shqiptarët, të cilët të personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre”.

Mbi të gjitha vlen të veçohet fjalimi i Fan Nolit në Parlamentin Shqiptar, më 11 shkurt 1924, ku, ndër të tjera, do të theksonte: “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Woodrow Wilsonit. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria, e cila e quan amerikanin e madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e saj më të fortë. Presidenti Wilson provoi në shekullin XX se ka një vend, i cili edhe prodhon kalorës bujarë për t’i mbrojtur jetimët, të vejat dhe të shtypurit. Qysh ta quajmë e ta vajtojmë këtë kalorës pa frikë e pa njollë, chevalier sans peur ni reproche! Amerika, ajo nënë bujare që ia dha botës Wilsonin ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ai, kalorës të cilët do të vazhdojnë të përfundojnë veprën e Paqes, e vëllazërimit dhe mirëdashjës ndërkombëtare”.

Profecia e Nolit se “Amerika, ajo nënë bujare që ia ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ai u jetësua pas 75 vjetësh. Amerika e Madhe lindi kryekalorësin Bill Klinton, burrë i madh i shekullit që ishte në ballë të aksionit për t’i sjellë lirinë Kosovës.

Mbështetja nga ana e SHBA-së dhe presidentit Wilson, e shumëkërkuar dhe e shumëdëshiruar nga shqiptarët, nuk ishte ajo që prisnin shqiptarët. Pikërisht në atë periudhë kohore, edhe pse Amerika ishte një fuqi ekonomike gjithnjë e në rritje, ende nuk ishte fuqi e rëndë-sishme politike botërore. Ndikimi dhe pesha reale e këtij vendi të madh në vendimmarrjet më të rëndësishme të botës do të ndihej me vonë e në veçanti pas Luftës së Dytë Botërore.

Për shqiptarët mbështetja amerikane ishte vendimtare gjatë viteve të fundit, sidomos gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ndikimi vendimtar dhe qëndrimi i SHBA-së në ballë të zgjidhjes së problemit të Kosovës që nga viti 1999 e në vazhdim ngjan sikur të jetë njëfarë plotësimi i premtimit të papërmbushur, i cili u ishte bërë nga presidenti Wilson shqiptarëve në Konferencën e Versajës.

Foto: politico.com

Filed Under: Rajon

Lamtumirë mësues i nderuar Ceno Zyli!

October 25, 2024 by s p

Nga Qemal Zylo/

Me shumë dhimbje dhe trishtim e morëm lajmin e ikjes nga kjo botë të mësuesit të përkushtuar ndër breza Ceno Zylit. Kur dëgjon për cilindo që ndahet nga kjo botë ndjen keqardhje, por sidomos kur e ke njeriun e gjakut, je rritur me të, ke kaluar fëmijërinë dhimbja shumëfishohet nga kujtimet s’kanë të sosur. Jeta dhe profesionet e ndryshme na ndan, por Ceno Zyli mbeti tek rrënjët e forta si një lis në edukimin e brezave në Arrez të Madhe të Tepelenës, por dhe në rreth deri në Tiranën, kryeqytetin tonë historik. Ne ishim bashkë në shkollat tona aq të forta, edukuese me mësues shumë profesionistë dhe me një ndërgjegje të lartë për të na dhënë dijen dhe kulturën e gjerë. Këtë fakt e tregojnë se në shumë prej këtyre shkollave u arsimuan dhe dolën shumë intelektualë si inxhinierë, doktorë, mësues dhe në shumë profesione të tjera. Natyrisht në radhë të parë në këtë shkrim homazh çmojmë dhe vlerësojmë popullin arsimdashës të Arrëzës dhe bashkëpunimin me mësuesit e dashur. Ceno Zyli i lindur, më 12.05.1954 në fshatin Arrëz e Madhe Tepelenë ishte fëmija i parë i Xhaferrit dhe Najmesë, për të cilët kam mall për të dëgjuar këshillat e tyre dhe mikpritjen aq të ngrohtë që na servirnin. Fëmijërinë e tij e kaloi në Arrëz ku kreu shkollën fillore dhe 8-vjecare. Duke qenë fëmija i parë kishte dhe barrën e përkujdesit për më shumë për motrat dhe vëllezërit e tjerë që i donte aq shumë. Ja si shkruan vëllai i tij Ylli Zyli një ushtarak i lartë, i devotshëm, për ikjen e parakohshme të vëllait të tij:

“Sot pushoi së rrahuri zemra e vëllait tim, e shokut tim të parë, duke ma kthyer ditën e sotme në pikëllim dhe ndarje të rëndë. Ajo zemër që ende kishte shumë punë për të kryer e ende për të dashur bashkëshorten, djalin, vajzat, nipin, mbesat, ne, familjarët e tjere të saj dhe miq e shokë.

Na duhet të të lemë të shkosh e të të përcjellim vëllai im, Shpirt i shpirtit tim!

U prehsh në paqe dhe i përjetshëm qoftë kujtimi yt!

Shkollën e mesme Pedagogjike e kreu në Gjirokastër. Në vitin 1974 filloi punë si mësues në fshatin Progonat ku dhe në të njejtën kohë vazhdonte studimet e larta në Institutin e Fizkulturës “Vojo Kushi” në Tiranë ku dhe u diplomua si mësues i edukimit fizik. Ceno Zyli ka punuar si mësues në disa fshatra të ndryshëm të Tepelenës si Arrëz e madhe, Marricaj, Miricë, Mezhgoran, Golem, Vagalat etj… Në vitin 1983 u emërua drejtor shkolle në Arrëz të Madhe për një periudhë 5 vjeçare.

Ceno Zyli më 1985 Martohet me mësuese Leni Gjoka, ku sollën në jetë katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë, Ornela, Erisa, Fatjon dhe Algerta.

Ai punoi dhe sakrifikoi shumë, si për fëmijët e tij, por edhe për breza të shumtë duke u dhënë jo vetëm edukimin shkollor, por edhe atë të jetës.

Në kohën e demokracisë Ceno u zgjodh sekretar i komunës Lujftinjë në vitet 2003-2007. Në korrik të vitit 2007 Ceno Zyli transferohet në Tiranë familjarisht.

Në Tiranë vinte me një përvojë të madhe si mësimdhënës ndaj e ushtroi këtë preofesion duke punuar si mësues i Edukimit Fizik në disa shkolla të ndryshme si “Flabina”, Shkolla e Mesme Teknike Ekonomike Tiranë, Shkolla “Musine Kokalari”, Shkolla “Hasan Prishtina”, Shkolla “ Edith Durhami”, Shkolla “Misto Mame” etj……

Mesues Ceno Zyli e shkriu jeten e tij në arsim duke përhapur dije dhe kulturë dhe puna e tij të kujton thënien e Rilindasit të shquar Sami Frashërit i cili ka thënë: “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë.

Pasi u stabilizua familjarisht dhe profesionalisht, në vitin 2013 pati një fatkeqesi ku humbi shikimin, por asnjëherë nuk u demoralizua, ishte një mësues kurajoz, me vullnet të fortë, pozitiv, bamirës dhe filloi të përballonte situatat e vështira që i krijoheshin ashtu si ai ishte mësuar ndër vite.

Problemet shëndetësore iu shtuan në vitet e fundit të jetës. Edhe pse iu bënte ballë me durim, këmbëngjulje dhe optimizëm, ai humbi jetën duke lënë pas një trashëgimi të madhe ndër breza ku punoi gjithë jetën e tij për t’i arsimuar të tjerët dhe për t’ju siguruar një jetë më të mirë.

Të gjithë nxënësit e tij që kemi takuar ndër vite kanë folur fjalë miradie. Ai la pas katër fëmijë të mrekullueshëm, ku djali i vetëm jeton dhe punon në Florida bashkë me bashkëshorten e tij të cilët janë integruar plot kulturë në botën amerikane, çka na bëjnë krenar si fisi Zylaj dhe Diasporë.

Mesues Ceno Zylo do të kujtohet përgjithmonë nga brezat që mësoi dhe edukoi gjatë gjithë jetës së tij.

Ai u përcoll me respekt dhe nderime nga familja, të afërmit miqtë e shumtë për në banesën e fundit në Tiranë. Lamtumire njeriu i mirë, Mësues Ceno Zyli!

20 tetor, 2024

Staten Island, New York

Filed Under: Mergata

TEKTONIKA E SHPIRTIT

October 25, 2024 by s p

Libri më i ri poetik  i  Azgan Berbatit

Hyrja (Trokitje në portë)

Është nga rastet e rralla që bëj një vlerësim pa paraqitur më parë analizën. Të cilën e përgatita më vonë, me kujdes, sigurisht. Dhe për një kohë i kërkova vetes të shpjegoja këtë nxitim të panatyrshëm për mua, që në fund të fundit ishte një thyerje e procesit logjik. Të cilin nuk mund t’ia lejoja vetes. Sa më shumë investigoja veten, megjithatë, aq më shumë nuk po e kuptoja atë. Veten time. Iu riktheva vlerësimit tim për autorin dhe librin me poezi që kisha lexuar dhe u mundova ta riformuloj atë disa herë. Pak a shumë, në fakt, më dilte e njëjta gjë: “Kemi një talent të padiskutueshëm para nesh. Më shumë se kaq, kemi një talent të veçantë, madje gati të panatyrshëm në këtë pikëpamje. Dhe është vetëm 26 vjeç. Është edukuar në një sistem universitar që nuk ka lidhje me letërsinë, përkundrazi, është armik i saj. Është plotësisht “natyror” dhe po me kaq lehtësi, pra, po aq natyrshëm sa gjërat vendosen dhe kombinohen në natyrë, autori e përdor atë, natyrën, botën rreth tij, për të gjetur metaforat, figurat letrare, padiskutueshmërisht të befasishme. Ai është, prandaj, më shumë se një talent i dalë nga njerëzit që edhe konsumojnë, edhe nuk konsumojnë letërsi, që kanë në fund të fundit një raport jo domethënës me poezinë. Azgani e kapërcen këtë kufi, dhe është kjo arsyeja pse edhe rrafshi i referencës në vlerësimin e tij do të duhet të ndryshojë. Azgan Berbati i ka të gjithë treguesit e një talenti që duhet të vlerësohet si i tillë në raport jo me letrarët e zakonshëm, por me talentet. Sepse, thjesht, ai është një talent në raport me talentet e tjerë të poezisë shqipe. Megjithë stërmundimin për të verifikuar realizmin tim, nuk munda të ndryshoj këtë vlerësim për autorin edhe pasi kisha përfunduar së lexuari poezitë e tij. Pyetja mbetet, gjithsesi: pse, pse nuk prita të formuloja këtë vlerësim, pasi të kisha shkruar analizën time?! Fillova të kuptoj se isha përballë një keqkuptimi personal. I marrë prej shumë vitesh me kërkimin shkencor, te unë ishte çimentuar procesi logjik i vendosjes së fakteve para përfundimeve. Kisha harruar që në poezi nuk ndodh kështu. Në poezi analiza vjen më vonë, sepse në fillim flet shpirti. Flet ai që preket më shpejt, më shumë. I papërmbajtshmi. Pastaj vjen arsyetimi, sigurisht. Dhe vetëm kështu, ai vjen si një arsyetim i natyrshëm; vjen logjikshëm, sepse shërben për t’i ilustruar përjetimet shpirtërore të marra nga leximi. Dhe nëse ndodh kështu, pra, nëse poezitë godasin shpirtin dhe e detyrojnë atë të shprehet i pari, ato e kanë kaluar provën e madhe të tyre. Kështu ndodh me poezitë e Azgan Berbatit në këtë libër.

Udhëtim për në qendër të poezive

  Ishte e pamundur që të mos evidencoja te pjesa më e madhe e poezive të këtij libri, atë që mund të quhet “bukuri e brendshme” e tyre. Madje ta vlerësoja edhe si vlerën më thelbësore të tij. Ka shumë poezi të tilla në këtë volum, por si shembull po marr vetëm dy prej tyre: e para titullohet “Idilizëm”: Pisha plot rrënim motmotesh/Me vdekjen e hijes nëpër këmbë/Plot dhimbje lëkundet. Poezia tjetër titullohet “Paradoks”: Në atdheun tim/dhimbja nuk dhemb/e vërteta nuk tregon/liria nuk është e lirë./Në atdheun tim/atdheu mungon.

  Një teknikë shumë interesante, të cilën Berbati e përdor për t’i dhënë “fuqi” poezive të tij, është vendosja e të kundërtave në një hapësirë shumë të ngushtë brenda së njëjtës poezi. Në këtë rast, ai ndjek një parim të njohur të natyrës që “nëse nëngrimcat brenda bërthamës së një atomi shtyhen dhe ndahen (reaksionet fission), e gjitha kjo çon në çlirimin e një energjie të stërmadhe që ne e quajmë energji bërthamore”. Janë, jo pak poezi të Azganit që çlirojnë një kënaqësi estetike të jashtëzakonshme, vetëm sepse  të kundërtat janë vendosur brenda një hapësire të ngushtë të poezisë, gati për të shpërthyer… Ja se çfarë thuhet në njërën prej tyre, me titull “Këngë dashurie“: Në detin e thellë të syve tu/Lundron etja ime/Sa herë pi/Etja mbetet e pangime//Edhe fjalët lodhur m’i ke/Se në çdo “po”/Një “jo”/E ke. Apo poezia me titull “Veç një puthje”, në të cilën mallkimi nuk ndahet dot nga dashuria. Përkundrazi, mallkimi dhe dashuria bëjnë të pamundurën të mundur, duke u strehuar të dy në një hapësirë të ngushtë: “O,/Ti u mbytsh te Lumi Unë!/Po çfarë të bëj veç me një puthje?!

Pastaj vjen një nga poezitë më të fuqishme që gjendet në këtë volum, me titull “Mbyllje”. Te kjo poezi ngjethesh nga një buçimë, nga një zhgënjim mbinjerëzor, deri te përmasat e një kërcënimi “tektonik” kundër shpirtit njerëzor, kur lexon vargjet: “Ah Zot,/ mos i lër njerëzit në duart e njerëzve!”.

 Tretja e realitetit në imagjinatë dhe krijimi i një realiteti të dytë me ndihmën e imagjinatës, është gjithashtu një teknikë interesante. Poezia me titull “Blatim” mund të jetë një rast ilustrues:  Një hënë e zbehtë/Fanitet mbi drurët e vdekur/Dhe eshtrave të tyre/shkruan dramën e kohës.

  Në jo pak poezi, përfytyrimi i paanë iu jep metaforave të krijuara një fuqi të jashtëzakonshme, aq sa i universializon ato. Kështu ndodh në poezinë me titull “Pamundësi”. Në këtë poezi, në fakt, përfshihemi në një “vallëzim kundërthëniesh dhe metaforash” të krijuara nga përfytyrimi i një ekzistence të dytë të reales: “Dhimbja ime pret veten në fyt/ me një teh ylli të shuar në blunë mistike”. Aq më shumë në poezinë “Titra dashurie”, e cila mund të konsiderohet edhe si një poezi ku relativiteti i ka shpëtuar për një çast shkencës dhe është bërë pjesë e artit. Dhe ky nuk është rasti i parë, nëse rikujtojmë pikturat e Pikasos me një deformim profilesh, që mund të justifikohet vetëm me përfytyrimin relativist të objekteve që ecin me shpejtësi të krahasueshme me shpejtësinë e dritës. Në këtë poezi autori vendos pranë njëra-tjetrës gjëra që nuk asociohen; gjëra që janë krijuar për të kundërtën e tyre (ajri te peshqit, apo etja te uji). Dhe të gjithë këtë, duket se e bën për t’i dhënë fuqi absolute konstatimeve të dhimbshme, kockore, arkitra, siç janë për të “realiteti i gënjeshtërt”, apo “toka pa dashuri”: Në mesditën që digjet/Shtrihem mbi ajrin e peshqve/Mbi ujin plot etje,/Në detin me brigjet në flakë;/…./Dhe ëndërroj për një gjumë/Me kryet në prehërin tënd./Oh, ëndërroj gjithë ç’është e pamundur,/Realiteti mbet i gënjeshtërt!…./Por trishtohem/Se e di që do kthehem në tokë/Dhe aty ka pak dashuri.

 Dhe i kthehemi elegancës (lakonizmit) të poezive të këtij vëllimi. Që padyshim, e kanë shumica e tyre. Që i zbukuron ato dhe i bën pasionante për lexuesin. Sepse mendimi artikulohet me minimumin e mundshëm të fjalëve, pa humbur asgjë nga përmbajtja e tij, përkundrazi. Në këtë pikëpamje, tipike është poezia që titullohet “(Anti)virus”: “Çfarë kohe erdhi kështu zemra ime,/ Si bëjnë dashuritë në distancë,/ Dhe njerëzit si i gënjejnë puthjet?! /Raftë një sëmundje vrastare e kësaj të sotmes,/Raftë një dashuri e përbotshme mbi njerëzi,/Kjo e para pastë emrin puthje,/E dyta ashtu le të rrijë!”

 Në fund, pas një mundimi të gjatë për të “izoluar” më thelbësoren e këtij vëllimi poezish, pra në përpjekjen për të gjetur pikën ku aplikohet gravitacioni i shqetësimit, por edhe angazhimi i autorit, apo edhe bukuria shpirtërore dhe universialiteti i poezive të Azgan Berbatit, kam dalë në përfundimin, jasht çdo dyshimi, se ai mbetet zhgënjimi. Zhgënjimi ndaj një realiteti të ashpër, të dehumanizuar, të cilin autori nuk e ka takuar asnjëherë në ëndrrat e tij. Në këtë pjesë të këtij vëllimi, përfshihen poezitë: “Shpëtim”, “Dhimbja s’do mend”, “Ftohtësi”. Por, poezitë që titullohen: “(Ish)universitetit” dhe “Dhimbjet që s’vriten”, të cilat, në tërësinë e tyre, i ngjajnë më shumë se çdo gjë tjetër, një shpërthimi shpirtëror, jasht çdo kontrolli, janë, ndoshta edhe poezitë më sinjifikative, në këtë rrafsh (kontekst). Te e para, “(Ish)universitetit” përfshihen përshkrime realitetesh nga më poshtërueset, çka i ka dhënë kësaj poezie fuqinë e vajtimit, trishtimin e një procesioni varrimi. E ka shndërruar atë poezi në një klithmë. Klithmën për një “universitet të vdekur”, për të cilin autorit “i dhemb shpirti/sepse me shpirt e ka dashur”. Në këtë poezi, fuqia e përfytyrimit ndërton metafora nga më të guximshmet, gati të papërfytyrueshme, por vetëm për njerëzit që nuk kanë jetuar aty. Për ata që e kanë jetuar dhe po e jetojnë realitetin e këtij universiteti, asgjë nuk është hermetike në këtë poezi. Poezia e tjetër, “Dhimbjet që s’vriten”, mund të konsiderohet edhe si një nga poezitë më universale të shkruara për zhgënjimin, vetminë që e pjell atë. Kur e lexon, ndjehesh si pjesë e një jete tjetër, në të cilën, dhimbja është bërë aq e zakonshme, ka fituar aq pushtet mbi ty, sa mund ta imagjinosh ekzistencën tënde edhe pa diell, edhe pa ajër, vetëm jo, në asnjë mënyrë pa dhimbje: “Kaloj në shkretëtirë/Para vetes rreshtoj dhimbjet e thyera në gjunj/Bërtas si një urrejtës që s’e njoh/Dhe në emër të shpirtit/Marr shenjë për t’i vrarë/ ….. /Qëllon përherë të harroj armën/Ndofta se dhimbjet më dhimbsen/Dhe se pas kësaj mund të mbetem pa njeri”.

Recensë, parathënie, koment….. nga Besnik Gjongecaj

C:\Users\User\Desktop\download.jpg

Azgan Berbati u lind në Tropojë.

Është diplomuar në Bachelor dhe Master Shkencor, në profilin: Inxhinier Agromjedisi dhe Ekologji.

Ka përfaqësuar studentët në Qeverinë e Universitetit (senatin akademik) dhe në Komisionin Institucional Zgjedhor.  Është licensuar si trajnues në disa projekte.

Në vitin 2017-të ka fituar çmimin e parë “Poezia më e mirë” në konkursin e zhvilluar nga Klubi Letrar Pena e Re-Tiranë. Është bashkëautor në disa antologji, revista letrare, bashkëpuntor i shtypit periodik, etj. Në vitin 2019-të ka botuar librin me poezi “Britma E Heshtjes”. 

Është caktuar anëtar jurie për Festivalin Kombëtar (rinor) Letrar Tiranë, vlerësuar me medalje dhe certifikatë mirënjohje. Me librin Britma E Heshtjes ka marrë pjesë në Panairin e Librit Shqiptaro-amerikan në Stamford-SHBA, prill 2024.  Është anëtar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë në SHBA

Filed Under: LETERSI

Prof. Selim Islami, Korifeu i Arkeologjisë Shqiptare

October 25, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Plot 23 vjet më parë, më 26 tetor 2001, në castet e fundit të jetës së tij, Prof. Selim Islami u la amanet fëmijëve dhe gruas që ta çonin për ta varrosur në Çukën e Ajtoit, që është në Çamërinë e këtejme, në  pikën më jugore të kufirit Shqipëri – Greqi. Dëshira e Tij ka mbetur e palotësuar, por në Atriumin e Muzeut Historik Kombëtar është sjellë dhe montuar një nga kullat origjinale ilire të Çukës së Ajtoit. Kjo kullë të kujton përherë Prof. Selim Islamin dhe mbase Shpirti e tij i Shenjtë do të lëvizë në shkallaret dhe në gurët e kësaj kulle përjetësisht.

***

Prof. Selim Islami është një nga njerëzit  më të  ditur dhe të shkëlqyer të Shqipërisë, dijetar, arkeolog, etnograf, historian dhe shkëncëtar i shquar. Rrallë  mund të  gjesh njerëz me kaq njohuri universale të  shumë  fushave të  kulturës njerëzore e materiale. Ishte një  shumësi personalitetesh brenda një  njeriu të  vetëm, studiues i formatit evropian e botëror, që ka ngritur shumë lart kulturën e vendit të  tij, pasi e dinte mirë  se albanofobia ishte parathënia e zhdukjes së  vetë  kombit. Selimi kishte pasion dhe prirje të  veçantë  historinë  e kombit shqiptar. Qëllimi i tij i jetës ka qenë zbulimi i vetë enigmave të historisë. Ai ishte konceptuesi kryesor për shtjellimin për herë të parë, me kritere bashkëkohore, të historisë së mirëfilltë të ilirëve të lashtë. Është tepër e vështirë të them atë që duhet thënë saktësisht për Prof.Selim Islamin. Ndihem i nderuar që e kam njohur personalisht, jemi nga një fshat dhe kemi qenë miq të afërt. Ishte burrë i pashëm, autoritar, me sqimë dhe përgjithësisht serioz. Kishte një  modesti plot dinjitet.
Shpesh tek shtëpia e tij shkoja me Abaz Dojakën dhe disa miq të shoqatës Çamëria. Në  janar 1991 ndihmoi në hartimin e programit të Shoqatës dhe në njihjen të gjitha trevave të Çamërisë. Selimi fliste me entusiazëm duke u shprehur: “Erdhi koha, që të flitet e shkruhet hapur për Çamërinë e viset e tjera shqiptare përtej kufirit”.

***

Koncepti i prof. Selim Islamit për historinë i takonte shkollës materialiste, ku determinizmi i fakteve dhe i dialektikës së  tyre shtjellohet në  bazë  të  ligjësive të  brendshme. Kjo shkollë  sa e karakterit sociologjik, aq dhe filozofik,  shtroi para prof. Selim Islamit struktura kuptimore, duke e nxitur atë  të  bënte sinteza të  mëdha të  ngjajeve, të  etapave të  historisë mijëravjecare, për të  vërtetuar autoktoninë  e shqiptarëve.

Selim Islami, në veprat e tij të shumta, zbulon autoktoninë dhe vitalitetin e lartë të popullit shqiptar, qëndresën e tij të jashtëzakonshme ndaj asimilimit kulturor dhe etnik dhe e konsideron popullin shqiptar si një shembull të gjallë të faktit që një popull luftarak është në gjendje të mbijetojë edhe përballë rrebesheve më të egra të historisë. Ai zbuloi se shpirti i Kombit është  tepër i lashtë  dhe për ne shqiptarët është  gjithcka.

Nën drejtimin e tij shkenca e albanologjisë  bëri një  epokë  të  vërtetë.

Nëse Prof. Eqrem Çabej mbështeti tezën e birësisë (filiacionit) të shqiptarëve nga ilirët në rrafshin gjuhësor, Selim Islami është historiani i parë i madh, i cili udhëhoqi dhe konstruktoi në zanafillë një histori shkencore të qytetërimit ilir, të shtetit dhe të qytetit ilir. Studimet e tij janë të një rëndësie të madhe, sepse janë pika referuese të pazëvendësueshme. Selim Islami e shikon historinë politike të ilirëve, të shtetit dhe të qytetit ilir në epokën helenistike, sipas një strukture unitare. Ai ka bërë përgjithësimin më sintetik të lindjes dhe të zhvillimit të jetës qytetare në Iliri, duke bërë një shfrytëzim të plotë të të dhënave dhe të studimeve të ilirologëve dhe të arkeologëve të mëparshëm të huaj. Mund të themi se Selim Islami është krijuesi i teorisë së shtetit dhe të qytetit ilir, që respekton kronologjinë e burimeve librore dhe harmonizon të dhënat e reja dhe të panjohura të burimeve arkeologjike, duke pasuruar së tepërmi peizazhin shkencor ilir. Si arkeolog, ka marrë pjesë në gërmimet sistematike të rrënjëve ilire në Gajtan të Shkodrës, në Pazhok të Elbasanit, në Xibër të Matit, në Zgërdhesh të Krujës, në Apoloni dhe ka drejtuar ekspeditën e  njohur për gërmimin e Butrintit. Në vitet 1958-1960, Selim Islami drejtoi kërkimet shqiptaro-sovjetike në qytetin e Apolonisë, të Orikumit dhe në Çukë të Ajtoit.

Në këtë ekspeditë shkencore punoi edhe një arkeolog me emër botëror, hebreu rus Bllavacki.

***

Ilirologjia u shfaq në  gjysmën e parë  të  shekullit të  XX, duke pasur si bazë  tezën e autoktonisë. Por kishte mjaft skepticizëm në  studimet ilirologjike. Pikërisht në cakun mes trashëgimisë së  mësiprme, me arritjet dhe kontradiktat e saj, dhe traditës së  re që  po lindëte, u plazmua dhe shkëlqeu figura prej korifeu e Selim Islamit.  Ai i ndërlidhi të  dya trashëgimitë, duke sjellë  ndryshime cilësore.

Ishte kryeredaktori shumëvjeçar i revistës „Iliria“, si dhe i veprës së papërsëritshme të tekstit të historisë ilire, të botuar në vitin 1978, në frëngjisht, me titullin „Les Iliriens“. Duke u mbështetur në  burime historike, por edhe te arritjet e arkeologjisë shqiptare , Selim Islami diti të  vërë  piketa të rëndësishme për ndërlidhjen e antikitetit ilir dhe mesjetës arbërore, si vazhdimësi gjenetike dhe territoriale.

Kur fliste për periudha të  pandriçuara, ai dinte të  vendoste një  logjikë  të  pranueshme, me një  zgjuarsi të  rrallë .

***

Deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kërkimet arkeologjike në Shqipëri ishin zhvilluar nga arkeologë të huaj, të cilët ishin përqendruar kryesisht në qendrat e mëdha antike. Në atë kohë ilirët njiheshin “…si një popull i prapambetur, konservator, pasiv dhe inert ndaj qytetërimit, me organizim të ulët politik në nivelin e shtetit fisnor. Historia e tyre në rastin më të mirë shihej si shtojcë e historisë greke apo romake, nga pozita e helenocentrizmit apo romanocentrizmit”. Duhej sqaruar origjina e ilirëve, shkalla e zhvillimit, historia politike dhe vendi që ata zinin në botën antike, si dhe mjaft çështje të tjera që lidhen me zhvillimet e tyre ekonomike dhe kulturore, lidhja mes ilirëve dhe shqiptarëve etj. Për realizimin e këtij programi duhej të bëheshin gërmime dhe gjurmime arkeologjike intensive në një territor të gjërë. I porsakthyer nga studimet në Moskë, në vitet 1952-1959, prof. Islami organizoi dhe drejtoi gërmimin e 35 tumave ilire në luginën e Matit, në bashkëpunim me arkeologët H. Ceka, S. Anamali dhe F. Prendi. Ata konstatuan se kultura e dokumentuar në luginën e Matit ishte shumë e ngjashme me kulturën e dokumentuar në rajonin qendror ilir të Glasinacit në Bosnjën Qendrore, që më vonë do të njihet në literaturë me binomin kulturor Mat-Glasinac. Interesi i Prof. Islamit rreth tumave ilire shtrihet edhe në Kosovë. Në fillim të viteve ’80, një grup arkeologësh, ku bënte pjesë dhe prof. Islami, nga Qendra e Kërkimeve Arkeologjike, sot Instituti i Arkelologjisë, ndërmorën gërmime arkeologjike në tumën e Llashticës, Kosovë, ku u gjet një inventar i pasur arkeologjik, i datuar në shek.VIII-VII pr. Kr. Kultura e dokumentuar ishte shumë e ngjashme me kulturën e grupit Mat-Glasinac dhe i përkiste fisit ilir të Dardanëve. Në historiografinë bashkëkohore ka një tendencë të re për t’i paraqitur ilirët si …një popullsi e vogël që në burimet njihet me emrin “Illyrii proprie dicti” dhe që banonte në një territor shumë më të ngushtë, nga ai që u atribuohet zakonisht ilirëve. Por, për Prof. Islamin shtrirja gjeografike e ilirëve ka qenë shumë më e gjërë. Ai besonte se “Problemi i kufijve etnikë të ilirëve do të gjente një zgjidhje më të drejtë, po t’u drejtohemi burimeve që flasin për situatën etnike në krahinat periferike të tyre, aty ku kjo botë ndeshet me fqinjët” dhe, mbi këtë bazë, pas një analize të hollsishme të burimeve historike, prof. Islami pohon se, ilirët shtriheshin nga bregu i djathtë i Savës në veri, deri në Artë të Camërisë, ose “Gjirin e Ambrakisë” në Jug, nga lugina e Moravës dhe Vardarit në lindje deri në brigjet e Jonit dhe Adriatikut në perëndim. Selimi shfrytëzoi burimet antike që flisnin për karakterin jogrek të ilirëve, të epirotëve dhe të maqedonasve.

Në një artikull të botuar në vitin 1984 ai prezanton analogjitë dhe dallimet e qyteteve në Iliri dhe në Epir. Lindja e shtetit ilir dhe historia e tij politike është një nga temat themelore për të cilën prof. Islami ka punuar për një kohë të gjatë. Duke ballafaquar burimet historike me të dhënat e përftuara nga gërmimet arkeologjike, në vitin 1972 prof. Islami arrin në përfundimin se “…procesi i lindjes dhe i formimit të shtetit ilir kryhet gjatë gjysmës së parë të shek. IV pr. Kr. … ky proces ecën paralel dhe përkon me zhvillimin e jetës qytetare, madje kryhet mbi këtë bazë”. 

Studimet e prof. Islamit mbi qytetin dhe shtetin ilir bien ndesh me pikëpamjet e shumë historianëve dhe arkeologëve të huaj në dhjetëvjeçarët e fundit të shek.XIX dhe gjysma e parë e shek. XX.

Historia e shqiptarëve është për të, histori e një entiteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone dhe vazhdimësi të pandërprerë, me aftësi të madhe rigjenerimi. Ajo përfaqëson thelbin autentik të historisë së Ballkanit të lashtë. Ai shfrytëzoi edhe toponomastikën dhe shpjegoi përmes shqipes shumë toponime ilire. Selimi arriti në përfundimin se shqipja është vijuese e drejtpërdrejtë e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes dhe u bë një mbrojtës i vendosur i tezës së autoktonisë së shqiptarëve në viset e tyre të sotme. Sipas Islamit, ilirishtja është gjë gjuhë pellazge në kuptimin e gjerë të fjalës. Sipas tij, ilirët ishin një nga degët themelore të popullsisë paleoballkanike, që qëndronte më vete përballë grekëve të vjetër. 

“Ne mund të pranojmë në mënyrë të padiskutueshme se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe të epirotëve të lashtë” 

Në bazë të argumenteve historike të nxjerra nga burimet greko-latine e bizantine, Selimi arriti në përfundimin se shqiptarët mesjetarë janë vazhduesit autoktonë të popullsisë antike të ilirëve, e cila nuk u romanizua si ajo dako-trake paraardhëse e rumunëve, as nuk u zëvendësua në viset e veta nga një popullsi e mëvonshme e dyndur këtu. Duke u mbështetur në burimet bizantine, ai jep historinë e shqiptarëve mesjetarë, si një formacion etnokulturor unitar dhe si faktor politik më vete. 

Prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve si dhe autoktonia e tyre në të gjitha hapësirat shqiptare të Gadishullit Ballkanik, sot është pranuar pothuajse në të gjitha qarqet shkencore të Evropës dhe më gjerë. Historia dhe gjuha e ilirëve është njohur me një konsensus të kënaqshëm ndërkombëtar si histori dhe gjuhë e paraardhësve të shqiptarëve. Kërkimet në këtë fushë, duke nisur nga fillimi i shekullit XX, formojnë një fushë të veçantë të dijes, të njohur si ilirologji. 

Prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve përbën ndërgjegje kombëtare për kombin shqiptar.

Studimet e tij të  thelluara prof. Selim Islami pati disa referenca si :

Herodotin (rreth 484 ose 490 – 424/25 para K.), historian i Greqisë së lashtë, i quajtur baba i historisë. Gjatë udhëtimeve të tij nëpër Gadishullin Ballkanik vizitoi edhe Ilirinë, Trakinë dhe Maqedoninë. Është autor i veprës “Historia” me 9 libra, ku përmban të dhëna edhe për pellazgët. Është i pari autor që zë në gojë emrin e ilirëve.
Tukididin (460 – vdiq pas vitit 400 para K.) historian grek. Ngjarjet historike i shpjegon me mjaft realizëm, ndaj është quajtur historiani i parë i vërtetë. Në veprën e tij ka të dhëna për luftën civile të Epidamnit të vitit 436 para K. si dhe për pjesëmarrjen e Taulantëve në këtë luftë.

Gotfrid Vilhelm Lajbnicin , (1646 –1716),  filozof gjerman, i cili në  një  letë r që  daton më  10 dhjetor 1709, e quan shqipen “gjuhë e ilirëve të lashtë”.

Filozofin, shkrimtarin dhe teoricienin e historisë së  shekullit XVIII, Johann Gottfried Herder, (1744-1803), i cili në veprën e tij “Ide për historinë e njerëzimit”, 1784-1791), bën fjalë edhe për popujt e sotëm të Evropës e të botës. Herderi në këtë vepër thotë për shqiptarët: “Ata nuk janë aspak të huaj, por një popull i lashtë i familjes evropiane”. Kjo ide e Herderit pohon autoktoninë e popullit shqiptar. Për të shqiptarët janë popull me histori të lashtë dhe rrjedhin prej ilirëve.

Të  mos harojmë  se për Evropën shkencore ishte bërë e njohur edhe pikëpamja që mohonte autoktoninë e shqiptarëve (rrjedhimisht edhe prejardhjen ilire të tyre) nëpërmjet autorëve bizantinë Laonik Halkokondilit (rreth 1425-1490) dhe historianëve kishtarë Mishel Le-Quien (Michel Le Quien, 1661-1733) dhe Xhuzepe Simone Asemani (Guiseppe Simone Assemani, 1687-1768) që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e Kaukazit. 

Më 1855 ishte botuar edhe teza e doktoratës e studiuesit Nikokles në Universitetin e Hajdelbergut në të cilën, nga pozita antishkencore, ai përpiqej të argumentonte pikëpamjen mitike të ardhjes së shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e mesjetës.
Punimi i Nikoklesit mori përgjigje shkencore në vitin 1857 nga historiani dhe helenisti apo bizantinisti i shquar austriak i mesit të shekullit XIX, Jakob Filip FALMERAJERI (Jakob Philipp Fallmerayer, 1790-1861), i cili tregoi karakterin antishkencor dhe fantastik të punimit në fjalë. Udhëtoi në vende të Lindjes, në Turqi, në Maqedoni si dhe në Greqi, ku u njoh me popullsinë arbëreshe. Në veprat e tij, për prejardhjen grekëve thotë: “Populli grek nuk ka asnjë pikë gjaku të grekëve të vjetër, është një përzierje shqiptarësh dhe sllavësh, në kulturën e tij popullore nuk ka asnjë gjurmë vazhdimësie të trashëgimit kulturor antik”. Kjo pikëpamje e bëri atë një nga figurat më të luftuar në Greqi.

Po kush ishte (është) Selim Islami?

Selim Islami u lind më 18 mars 1923 në  Pandalejmon të Sarandës, ish-nënprefektura e Konispolit, në  fshatin e lashtë  piktoresk të emrave të  mëdhenj, ku studioi për pak kohë në Medrese kryerilindasi Hasan Tahsini, apo ku u rrit shkrimtari i shquar Qamil Buxheli. Rrallë kam parë në jetën time një njeri të ishte kaq krenar për faktin se ishte shqiptar që i përkiste  një familje atdhetare të Çamërisë. Këtë ai e shpallte në mënyrë sfiduese përpara të gjithëve dhe sa herë që kishte mundësi. Ashtu si Qamil Buxheli e Avni Buxheli, ai fliste për fshatin e tij të lindjes me një adhurim apologjik. Në fshatin e lindjes janë ende themelet e shtëpisë së vjetër të prindërve të tij.

Një  episod i rrallë  ka mbetur i skalitur në kujtesën time. Kur në vitin 1970-1972, (unë  isha 9 vjeç), në Pandeleimon po ndërtohej shkolla e fshatit, mbaj mend që një ditë erdhi Selimi dhe u tha fshatarëve të merrnin gurët e mureve të shtëpisë së tij të lindjes për të ndërtuar muret e shkollës.

Selim Islami, në Epokën Antifashiste, luftoi me armë në dorë si partizan dhe mund të ishte vrarë tepër i ri. Fati bëri që ai të jetë një triumfues, një nga pjesëmarrësit e fitores, por e kuptoi se nuk mund të kishte një ardhmëri në Shqipëri pa dituri të lartë. Studimet e larta për etnografi i ka kryer në Universitetin e Moskës, më 1951. U doktorua me disertacionin për etnografinë e disa enklavave shqiptare në Kaukaz. Jetoi për shumë kohë tek këta shqiptarë dhe disertacioni i tij botua rusisht në një nga revistat autoritative ruse. Kur u kthye në Shqipëri nisi punën në Muzeun Etnografik dhe Arkeologjik të Tiranës. Këtu bëri një shndërrim të papritur të vetvetes dhe interesave të tij shkencore. Nisi të merrej me zanafillat e arkeologjisë dhe, së bashku me dekanin e arkeologjisë shqiptare Hasan Cekën dhe arkeologun tjetër Skënder Anamalin, nisën të arkitekturonin shkencën e arkeologjisë. Dokumentari i parë shkencor arkeologjik i kinostudios „Shqipëria e Re“ tregon Selim Islamin e ri gjatë gërmimeve në tumat ilire të Matit, duke mbajtur në duar me kujdes si një trofe një enë tipike ilire të pikturuar. Selim Islami ka punuar si Drejtor i Muzeut Arkeologjik të Tiranës, ka qenë shef i sektorit të arkeologjisë mbi dhjetë vjet, zëvendësdekan i Historisë dhe i Filologjisë si dhe anëtar i shumë forumeve shkencore shqiptare dhe ndërkombëtare. Selim Islami ka qenë një pedagog dhe orator i denjë, dhënësi i kurseve të posaçme për arkeologjinë dhe historinë e lashtë. Puna  e tij si Mentor i dijetarëve dhe historianëve të  rinj dhe redaktorialë  është  e pafund. Selim Islami nuk u trajtua nga pushteti i kohës, siç e meritonte. Më 1966 u transferua si punonjës i thjeshtë në muzeun e Shkodrës në të ashtuquajturin qarkullim kuadrosh, ku futeshin ata që dyshoheshin për qëndrim jokonsekuent ndaj politikave maoiste të partisë. Por ai lloj margjinalizimi nuk dekurajoi aspak Selim Islamin. Në ato vite të vështira për familjen e tij, ai u angazhua me Institutin e Monumenteve në gërmimin e qytetit antik në Zgërdhesh dhe në themelimin e revistës “Monumentet”, krahas revistës “Iliria”. Falë kualifikimit të lartë shkencor dhe rezultateve të arritura në fushën e Arkeologjisë dhe Historisë, në vitin 1973 Selim Islamit i akordohet titulli i lartë shkencor “Profesor”. Është dekoruar dy herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë me Urdhërin “Naim Frashëri”.

Selim Islami i mbronte me argumente e logjikë dhe qetësi gjetjet arkeologjike, që të mos dëmtoheshin apo keqpërdoreshin. Tregonte një episod:” Nga vitet ’80 ish-kryeministri Mehmet Shehu kishte urdhëruar, që të ndërtoheshin qendra zjarri në disa ishuj, që ndodheshin midis Vlorës dhe Sarandës. Por në ato ishuj kishim gjetje arkeologjike, që dëshmonin vendbanime të epokave të hekurit e të bronxit, që do të betonoheshin sipas urdhërit të dhënë. Atëhere i dola para kryeministri dhe ia parashtrova shqetësimin tonë si arkeolog, i cili u bind dhe pezulloi ndërtimin e objekteve ushtarake në ato ishuj, sepse i vlerësoi më me vlerë gjetjet arkeologjike sesa ngritja e objekteve ushtarake.

Për kontributin e dhënë në arkeologji Selim Islamit ju dha pas vdekjes titulli “Nderi i Akademisë”.

***

Të  bësh arkeologjinë  e kujtesës është  sa emocionuese, aq dhe e vështirë. 

Prof. Selim Islami u shua më  26 tetor 2001, i shtruar për operacion në Romë të Italisë, duke lexuar librat në latinisht të Ciceronit apo të Lukianit.

Prof. Selim Islami mbetet  një  emër i përvecëm brenda kostelacionit të  figurave të  mëdha shqiptare të  shekullit të  XX. Një  kolos i dijes , me ndjenjë të theksuar kombëtare, me vepra të rralla e të pazëvëndësueshme, që la edhe shumë dorëshkrime të pabotuara.

Kemi të  bëjmë me një  iluminizëm krejtësisht shkencor, të  mrekullueshëm, që  afirmonte që origjinën e shqiptarëve, si një  nga popujt më  të  vjetër të  kontinentit, pasadhës të  ilirëve, me një  qytetëtërim origjinal të  vetin, në  bashkësinë  e popujve të  tjerë. Para Selimit kishte vakuume të  ndjeshme në  aspektin material arkeologjik dhe sociologjik historik.

Emri i Selim Islamit është  një  emër i pashlyeshëm, që do të  nderohet përherë, figurë  e madhe e arkeologjisë  shqiptare, themelues i saj. 

Me Selimin përherë të  parë  arkeologjia shqiptare u kthye në një shkencë të mirëfilltë, në  kundërshtim me mitet antishqiptare. 

Ai do të  jetë  në  kujtesën e historisë dhe në  cdo përvjetor do të  ketë  ringjalljet e tij të  mëdha.  Ai e meriton plotësisht këtë  gjë. Veprat e Selimit do të jenë pikë referimi për brezat e ardhshëm në fushën e arkeologjisë, pasi forcojnë  vetëdijen tonë  kombëtare. 

“Prof. Selim Islami, punoi me përkushtim të madh për të vërtetën historike, dhe me përgjegjësi specialisti dhe me objektivitet shkencor u angazhua për zgjidhjen e problemeve më të mëdha arkeologjike e të historisë antike të Shqipërisë dhe tokave shqiptare, që vërejtur nga sot, mund të thuhet se ka mbetur pakëz për të rishkruar e korrigjuar. Prandaj puna e Prof. Selim Islamit dhe kolegëve të tij do të qëndrojë në themel të të gjitha kërkimeve e studimeve të ardhshme të arkeologjisë shqiptare”, ka thënë  Prof. Muzafer Korkuti. Ndërsa Prof. Neritan Ceka është shprehur:“ Selim Islami dëshmoi për herë të parë procesin e etnogjenezës së ilirëve. Përgjatë gjysmë shekulli të veprimtarisë së tij, prof. Selim Islami, së  bashku me prof.Hasan Ceka, prof. Skënder Anamali dhe prof. Frano Prendi, ngritën monumentin e arkeologjisë  shqiptare. Ishin ata që përcaktuan misionin e arkeologjisë si një disiplinë historike në trajtimin dhe zgjidhjen e problematikave të etnogjenezës së ilirëve në periudhat prehistorike, të karakterit dhe tipareve të kulturës urbane ilire në periudhën e antikitetit klasik, në vazhdimësinë kulturore dhe etnike nga ilirët te shqiptarët në periudhën e antikitetit të vonë dhe Mesjetës së hershme. Kush e ka jetuar atë periudhë ndjen edhe sot ritmin dhe entuziazmin e punës në kantieret e gërmimeve, sa dhe përqendrimin, seriozitetin dhe frymën e kolegjialitetit të punës në kabinet. Në drejtim të saj qëndronte vullneti, autoriteti dhe largpamësia e Selim Islamit, që nga zyra e tij në korridorin ku gjendet sot Instituti i Arkeologjisë, apo në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ku jepte lëndën e arkeologjisë dhe mbulonte detyrën e zv.dekanit, në një sistem pararojë për universitetet e kohës, dhe pastaj në gërmimet e tij, apo në vizitat në kantieret e kolegëve, ku shoqërimi nga Hasan Ceka, Skënder Anamali apo Frano Prendi, formonte një katërshe biblike. Vetëm në dy dekada pune e përkushtimi ky grup i vogël, nën drejtimin e tij kishte formësuar plotësisht arkeologjinë shqiptare, me departamentet e saj, muzeun, bibliotekën, laboratorin dhe kabinetet e numizmatikës dhe antropologjisë. Trashëgimia kryesore e Selim Islamit janë padyshim veprat e tij shkencore të përmbledhura në vëllimet “Kultura ilire e Tumave të Matit” dhe “Historia e Ilirëve”, si një model që Moikom Zeqo e pati cilësuar në dy rreshta: “Stilist i madh i shkrimit shkencor, ai shkruante sikur skaliste”. 

***

Prof. Selim Islami përfaqëson një institucion të lartë, tipin e intelektualit kombëtar. Ky tip është  sa tip moral, aq dhe tip shkencor i mirëfilltë. Për mendimin tim Selim Islami meriton statusin Akademik post mortum, titullin e lartë “Nder i Kombit”, si dhe “Qytetar Nderi i Konisolit”, meqë  dëshira e tij ishte të  prehej në  Çuka e Aitoit.

Disa nga veprat më të rëndësishme të Prof. Selim Islamit:


1. Ilirët dhe Iliria te autorët antikë : studim shkencor / Selim Islami; Frano Prendi; Hasan Ceka, Skënder Anamali
2. V.1 : Ilirët dhe Iliria te autorët antikë / Frano Prendi, Hasan Ceka, Selim Islami, Skënder Anamali
3. Historia e ilirëve: përmbledhje punimesh / Selim Islami, Mimoza Verzivolli
4. Historia e Shqipërisë / Selim Islami, Kristo Frashëri, Stefanaq Pollo, Aleks Buda
5. Historia e popullit shqiptar / Selim Islami, Kristo Frashëri, Aleks Buda
6. Ilirët dhe Iliria te autorët antikë / Frano Prendi; Hasan Ceka; Selim Islami, Skënder Anamali, Sotir Papakristo
7. Les Illyriens : aperçu historique / Selim Islami, Skënder Anamali, Muzafer Korkuti, Frano Prendi
8. L’ Etat Illyrien, sa place et son role dans le monde mediterraneen / Selim Islami
9. Shteti ilir, vendi dhe roli i tij në botën mesdhetare : referat / Selim Islami
10. Historia e popullit shqiptar / Selim Islami, Kristo Frashëri, Aleks Buda
11. Historia e Shqipërisë / Aleks Buda, Selim Islami, Kristo Frashëri
12. L’Epire ancienare (Reflexion sur le probleme ethnique) / Selim Islami
13. Problems of Illyrian History / Selim Islami
14. Epiri antik : vështrim i shkurtër etnologjik, shënime për problemin etnik / Selim Islami
15. Iliria në mijëvjeçarin e i para erës së re [material hartografik] : hartë historike : për shkollat e larta dhe 11 vjeçare / Selim Islami – Hasan Ceka.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
“Historia e ilirëve”, i autorit Selim Islami

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT