• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

Katër vjet pa aktorin e madh Koço Devole

November 15, 2024 by s p

Gëzim Zilja/

Më 08.11.2024 u mbushën katër vjet, nga vdekja Koço Devoles (28.11.1945-08.11.2020) një nga personalitet e shquara të humorit shqiptar: aktor i madh, karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Pak kush do të besonte sot se filmi “Gjuetia e fundit” me skenar e regji të Koço Devoles, është prodhuar në vitin 1992, vit kur ra diktatura në Shqipëri!? Njerëzit nuk ngopeshin së pari figurën e Enver Hoxhës,të zhveshur nga gjithë ajo lavdi idiote, që i ishte imponuar shqiptarëve për 45 vjet me rradhë. Është një telekomedi që zgjat vetëm 46 minuta. Aty shqiptarët të detyruar t’i thoshnin këmbës dorë, e barit bukë, e panë diktatorin ashtu si ishte vërtetësisht: gjakatar, mizor, gënjeshtar, injorant dhe njëherazi qesharak. Merita e skenaristit qëndron, se ndërsa shikon filmin, njeriu qesh e qesh pa mbarim me personazhet sidomos ato të krijuara nga Vasillaq Vangjeli (diktatori), Koço Devole (Sillo), Marjana Kondi, (Nafija), Mehdi Malko, (Xha Braho) etj. Qesh me njeriun, që për 45 vjet e mbajti vendin të rrethuar, të izoluar dhe në mjerim. Po thellë në shpirt ndërsa qesh, njeriu shqiptar ndjen ulërimën therrëse, që i vjen nga thellësia e shpirtit: Si është e mundur të kemi duruar një rregjim të tillë kriminal? Si është e mundur të kemi përplasur duart e të kemi buzëqeshur aq shumë për një tufë kriminelësh, që e zhytën vendin në mjerim e varfëri e i detyruan njerëzit të ktheheshin në qen gjahu për të kënaqur udhëheqësin? Të qeshësh kur të vjen të ulërish e kur thellë në zemër ndjen trishtim për vitet e kaluara dëm, të qeshësh ndërsa sheh veten tënde që edhe bukën e gojës ia fal ‘’i lumtur’’ shtypësve të tu, të qeshësh kur të varrosin së gjalli e nuk ngopen së poshtëruari… Për mua ky është art i mirëfilltë, maja e groteskut jo vetëm për temën që trajton. Ndërsa filmat “’Kapedani’’, ‘’Pallati 176’’ apo ‘’Shi në plazh’’ i sheh në të gjitha stacionet televizive kombëtare e lokale, kohë e pa kohë, ‘’Gjuetia e fundit’’ e ’’Sillo 2’’, shfaqen shumë rrallë. Nuk jam përkrahës i teorive konspirative, por mendoj se nuk është harresë mos dalja më shpesh në ekrane e filmave të Koço Devoles. Ka kohë që figura e diktatorit, nga disa media po mëtohet të jepet në përmasat e dikurshme si luftëtar, ideolog dhe filozof jo vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtar. Korrente të caktuara me pushtet e para, duan të ndryshojnë historinë e të na mbushin mëndjen sidomos të rinjve se ajo kohë nuk ishte aq e keqe, se janë bërë gabime por ka patur edhe të mira se diktaturat duken të këqia por janë të nevojshme etj, etj. Mallakastra madje shpalli qytetar nderi, Mehmet Shehun, një nga kriminelët më të mëdhenjë të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Asnjë insitucion shtetëror e shoqëror nuk reagoi. Ka një dorë precise, që kontrollon e drejton këtë lloj propagande. Kjo ka të bëjë me një grup jo të vogël njerëzish, pasardhës të drejtpërdrejtë të diktaturës dhe figurave kryesore të saj, që qeverisin këto 30 vjet Shqipërinë. Nuk mund të pranojnë që vetë ata, baballarët e gjyshërit e tyre ishin kriminelë, ndryshe do t’u hiqnin dekoratat ‘’Hero i Popullit”, do të hapnin dosjet me kohë, do t’iu duhej t’i ndëshkonin, dënonin e të kërkonin falje publike. Mendoj që ishte taktikë e strategji e rafinuar tipike komuniste, që figurën e Koço Devoles e godisnin, përgojonin dhe e linin në harresë, herë pas here, diku në një cep. Gjatë viteve 1970-1977 Koçua është dërguar disa herë në punë të detyruar për “gabime” ideologjike në artin e skenës. Në vitin 1978 ai nis punën në Televizionin Shqiptar si redaktor, skenarist dhe regjisor i programeve artistike. Pothuaj 20 vjet më vonë më 1997, me marrjen e pushtetit nga socialistët drejtori i atëhershëm i RTSH-së e shkarkon si të paaftë. Koçua detyrohet të emigrojë me familjen në SHBA. Çfarë nuk shpikën e thanë për të! Iu qepën këmba-këmbës këtij krijuesi e aktori të madh, duke e lënë pa punë për shumë kohë kur ishte në kulmin e tij. Ndoshta sot do të kishim Sillo 3, Sillo 4, Sillo 5, për gjithë drejtuesit shqiptarë të demokracisë sikur të mos e mënjanonin. Tashmë shqiptarët janë bindur, që Shqipëria vazhdon të qeveriset nga sillot e soji e sorollopi i tyre. Koçua nuk është më. Po jeta e tij është një shkollë më vete për artin skenik e historinë. Një film dokumentar ashtu shpejt e shpejt për të është shumë pak. Rilindasit e rinjë vazhdojnë të tjetërsojnë qendrat e qyteteve e njëherazi të rrafshojnë kulturën, traditën, historinë, duke ngritur kulturën e betonit e ndërtesave që të marrin frymën, po perfeksionojnë e përjetësojnë shkollën e hajdutëve e të antishqiptarizmit. Kemi një monument të këndshëm të Ollgës (Violeta Manushit) në Pogradec. Po ku e ku figura e saj me atë të Sillos. Nuk mendoj se nesër do të ketë një monument për Edi Ramën, Fatos Nanon, Sali Berishën, Ilir Meten, Lul Bashën apo Spiropalin e Dumën. Por për Koço Devolen dhe veprën e tij duhet të ketë madje në një nga sheshet më të dukshëm të kryeqytetit. Ai jo vetëm na dha figura dhe skenarë të papërsëritshëm por nga të parët me veprën e tij të pavdekshme “Gjahu i fundit” vrau frikën në fillimet e demokracisë. Edhe sa vjet duhet të presim të ngrihet një monument për të? Do pyesni: kush do e ngrejë monumentin?! Zamirët? Shefqetët? Nuk besoj. Pushtetarët? Kurrë! Piedestalët në Shqipëri mjerisht do të ngelen edhe për shumë kohë bosh, derisa shoqëria shqiptare të kuptojë e vlerësojë bijtë e saj të vërtetë. Sqarim për gjarprinjtë e hijenat, që helmojnë e kafshojnë orë e çast për tu nxirë jetën njerëzve të suksesshëm e të pafajshëm. Në 26 nëntor të vitit 2002, Koçua së bashku me një mikun e tij, kapet nga policia italiane. Akuza: transport i 3 kg. heroinë. Pas tetë muajsh më 24 korrik 2003 lirohet nga burgu italian dhe pas gjyqit në Gjykatë e Riminit merr pafajësinë e më pas dëmshpërblimin për muajt e burgut.

Filed Under: Sociale

Ç’FITUAM NGA KONGRESI I MANASTIRIT?

November 15, 2024 by s p

Marrë nga: Mid’hat Abdyl Frashëri/

Tre muaj më parë, kur u lajmërua se do të mbahet në Manastir një kongres për abecenë e shqipes, shumë njerëz, mbase më të shumtët e shqiptarëve, thanë se kombi ynë s’kish arrirë në atë shkallë sa për të bërë një mbledhje të tillë për një çështje me kaq rëndësi. Edhe kështu, ajo e re e një kongresi u prit pak me ftohtësi.

Po ja se si u gënjyen, a më mirë u gënjyem, se gjithë ajo frikë na doli për të mirë dhe për gaz.

Mund të themi se pemët e kongresit janë të shumta dhe të ndryshme.

Qëllim i parë i kongresit ishte bashkimi në një abece dhe të marrët fund i ngatërrimit. Në kongres, tërë delegatët menduan me një urtësi të madhe jo dëshirat dhe anësitë e veta, po të mirën e kombit.

Pa mbledhur kongresin kishim frikë se çdo delegat do të mbronte abecenë, që përdor shoqëria, nga e cila është dërguar dhe trembeshim fort se këtu do të ndahej pa mbaruar gjë.

Tani gjithë kjo frikë na duket si një ëndërr e ligë, një ëndërr e zezë, që e përhapi drita e kongresit.

Kongresi u godit fort mirë, se pemët e tij na kënaqën të gjithëve.

Tani, pra, themi se shkrimi i gjuhës sonë u rregullua, themi se abeceja u njësua; tani do të mbledhim gjithë fuqinë, për të shkruar dhe për të përparuar gjuhën, pa humbur kohën në zihje e në grindje të abeceve. Tani gjithë dëshira jonë do të jetë për të sjellë në dritë vepra të nevojshme, për të përhapur mësimin dhe për të lulëzuar gjuhën, libra shkollarë, diturakë dhe letrarë…

Ky bashkim i abeceve, kjo ndarje nga një çështje bizantine, që na nxinte faqen gjer më sot, është pema e parë e kongresit.

Po ka edhe një pemë tjetër, që është mbase më e madhe dhe më e bukur.

Edhe kjo pemë është bashkimi i shqiptarëve.

Vërtet gjer më sot kombi ynë s’ishte bashkuar, për të bërë një punë të duhur për vendin.

Ishte,pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu e nga jugu, nga lindja e nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë, hoxhë dhe priftërinj.

Ahere kuptuam se vërtet paska një komb dhe se vërtet ky komb qenka i gjallë!

Dhëntë pra zoti dhe ky kongres qoftë si themel i një bashkimi të përjetshëm, si agim i një jete të re, i një jete urtësie e vëllazerie.

Oh, tani që i pamë shqiptarët bashkë, tani shpresën e kemi të fortë, tani zemrën e kemi të ngrohtë.

Tani dimë që qenkemi edhe ne të zotë për urtësi dhe për bashkim. Një vëllazëri në mes të mendjeve dhe të zemrave tona u rrënjos; dhe ato rrënjë do të na japin gjithnjë fuqi të re.

Mbledhja e Manastirit, sikundër na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu dhe botës u tregoi qenien dhe rrojtjen e një kombi shqiptar. Bota, që na pandehte se s’jemi të zotë për asnjë vepër qytetarie, ajo botë, ndër të edhe armiqtë tanë, kuptoi tani që shqiptarët s’qenkan ashtu si i pandehnin, s’qenkan aq “të egër” sa thuhej.

Ky kongres, kjo shenjë e parë që dhamë për qytetari, na shtoi nder përpara syve tanë dhe përpara syve të botës. Le të tregohemi, pra, gjithnjë të zotë, që të mbajmë dhe ta shtojmë këtë nder.

Lumo Skëndo (Mid’hat Abdyl Frashëri)

*Botuar në gazetën “Lirija”, Selanik 1908

Foto nga revista “Diturija” e marsit 1909

(Sipas përshkrimit të Mid’hat Frashërit në faqe 41)

…………………..

Në fytyrë të parë shohim këta veta: 1. Midhat Frashëri (Lumo Skëndo) delegat i Klubit të Selanikut dhe i Klubit të Janinës; kryetar i zgjedhur i Kongresit; dreqtonjës** i së përkohëshmes s’ënë dhe i gazetës Lirija.

2. Gjegj Fishta delegat i Shoqërisë Bashkimi në Shkodër; auktor i Lahut’ e Malsisë, Anzat e Parnasit dhe të tjera libra e vjersha; dreqtonjës i një shkolle shqipe në Shkodër.

3. Emzot Kaçorri, delegat i Durrësit dhe ndihmës i arqipeshkut të këtij qyteti.

4. Dom Nre Mjeda, delegat i Shoqërisë Agim në Shkodër, kryetar i kësaj shoqërie dhe auktor i libravet shkollare të kësaj shoqërie; vjershëtor.

5. G. D. Qiriaz Manastiri, delegat i Manastirit, nënkryetar i Kongresit dhe auktor i Hristomathi.

6. Fehim be Zavalani, delegat’ i Manastirit, kryetar i Klubit të Manastirit.

7. Dimitri Mole, delegat i Filibesë.

8. Nyzhet Vrioni, delegat’ i Beratit.

9. Rok Berisha Gjakova, delegat’ i Shkupit.

10. Bajo Topulli Gjirokastra, deputet’ i Gjirokastrës, luftëtar i lirisë.

11. Thoma Abrami, delegat’ i Korçës, dreqtonjës i së përkohshes Besa që ka dalë në Kairo.

12. Sotir Peci Dardha, delegat i Shqiptarëvet n’Amerikë dhe të Bukureshtit, dreqtonjës i gazetës Kombi në Boston.

13. Luigji Gurakuqi Shkodra, delegat’ i këtij qyteti; auktor dhe vjershëtor nën pseudonimin Lekë Gruda. 14. Shahin Kolonja, delegat i Kolonjës; dreqtonjës i gazetës Drita që dilte në Sofje; deputet i Korçës.

15. Ahil Eftim Korça, delegat i Konstancës.

16. Adam Shkaba Statobërdha, delegat i Sofjes.

17. Dimitri Buda Elbasani, delegat’ i këti qyteti.

18. Matea Logoreci Shkodra, delegat’ i shoqërisë Agim i këti qyteti.

19. Aziz, delegat i Starovës.

20. Shevqet Frashëri, delegat’ i Korçës.

21. Simeon Shuteriqi Elbasani, delegat i këti qyteti dhe shkronjës i klubit t’Elbasanit.

22. Leonidha Naçi Korça, delegat’ i Vlorës.

23. Zejnel Glina, delegat’ i Leskoviqit.

24. Sami Pojani, delegat’ i Korçës, dreqtonjës i gazetës Korça.

25. Refik Toptani, delegat’ i Tiranës.

26. Mihal Gramenua, delegat’ i Korçës, luftëtar’ i lirisë, auktori dhe vjershëtor’ i Vdekj’ e Piros dhe Mallkim i gjuhës shqipe.

Burri q’është në mes të zotit R. Toptani dhe të zotit M. Grameno është Çeço Topulli, luftëtar’ i lirisë. Më të mëngjër**** të Gramenos është Muhtari nga shokët e Çeços, dhe më të mëngjër të Muhtarit është kavas’ i klubit*** të Manastirit. Më të mëngjër të zotit Ahil Eftim është Xhelal be Poda, dhe ay q’është në mes të zotërinjvet Simeon Shuteriqi dhe Zeinel Glina është zoti Selman nga Elbasani.

Në këtë fytyrë të delegatëve mungojnë zotërinjtë: Hil Mosi, delegat’ i Shkodrës, G. Cilka, delegat i Korçës; Hafez Ibrahimi dhe Emin beu delegatët e Shkupit; Rauf beu, delegat’ i Gjinokastrës, dhe Selahedin beu nga Prizreni, delegat i Manastirit.

………………………..

**drejtues, ndreqës [shënim i administratorit të faqes]

***shoqërues, shërbëtor [shënim i administratorit të faqes]

****në të majtën [shënim i administratorit të faqes]

#HistoriaPaRetushime

#TëNjohimHistorinëTonë

Filed Under: Histori

Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha u takua me gjeneralin Wesley Clark

November 15, 2024 by s p

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha u takua në Prishtinë me gjeneralin Wesley Clark ish-komandanti suprem i NATO-s për Evropën i cili udhëhoqi ushtarakisht ndërhyrjen historike të NATO-s në vitin 1999 në bombardimin e Serbisë pas gjenocidit dhe krimeve monstruoze mbi shqiptarët e Kosovës. Dr. Berisha i shprehi mirënjohjen e thellë, respektin e veçantë dhe vlerësimin e lartë gjeneralit Clark në emër të të gjithë vatranëve e shqiptaro-amerikanëve për përkushtimin e tij dhe forcës atlantike në lirinë dhe çlirimin e Kosovës prej pushtuesve fashistë serbë. Dr. Berisha e siguroi gjeneralin Clark se Vatra do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet amerikane për të mirën e shqiptarëve në trojet etnike dhe komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dr. Berisha theksoi se kombi shqiptar i është mirënjohës përjetë popullit, kombit e vendit mik Shteteve të Bashkuara të Amerikës për gjithçka që i kanë dhënë kombit shqiptar përgjatë historisë shekullore të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane.

Filed Under: Mergata

Shqipëri e Kosovë bëhen bashkë në një ditë: Shpallen të Lumtur Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq

November 15, 2024 by s p

Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi/

Drejt Lavdisë së Altareve

Kush mund ta harrojë 5 nëntorin e vitit 2016, kur në Kishën Katedrale të Shkodrës, kremtohet Mesha për Lumturimin e 38 martirëve shqiptarë që dhanë jetën e tyre për Fe e Atdhe gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri? Një apoteozë e vërtetë me besimtarë që populluan Shkodrën atë ditë feste, duke lartësuar virtytet e bijve të këtij populli, që me shembullin e tyre heroik, realizuan fjalët profetike të filozofit dhe teologut Atë Anton Harapi:
“Çdo ndërtese i vihen themelet në dhé. Edhe në vorr, prandej, në hijshim, duhet të jemi gurt e themelit të njaj binaje të cilën sot e quejmë Shqipni”. (Vlerë Shpirtërore, Botues “Hylli i Dritës”, Tiranë 1994).

Kaluan tetë vite nga ajo datë historike, dhe Kisha Katolike, i shton listës së të Lumëve edhe dy shqiptarë të tjerë: Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq. Në fakt, nëpërmjet një komunikate, më datën 20 qershor 2024, Selia e Shenjtë shpalli dekretin e Dikasterit për çështjet e shenjtërve, përmes të cilit Ati i Shenjtë, Papa Françesku, dekreton dhe autorizon Lumnimin e Atë Luigj Paliqit dhe Dom Gjon Gazullit. Meshën solemne dhe Ritin e Lumturimit do ta kryesojë, më datën 16 Nëntor 2024, në Katedralen e Shkodrës, i dërguari i posaçëm i Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, Eminenca e Tij Kardinali Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve. Parashikohet të jetë i pranishëm, përveç autoriteteve të tjera fetare e civile nga Shqipëria e Kosova, edhe Kardinali shqiptar Dom Ernest Troshani.

Zadrima e intelektualëve dhe shenjtërve

Dom Gjon Gazulli lindi në Dajç të Zadrimës (Lezhë), më 26 mars 1893. Dhe, siç tha Kardinali shqiptar dom Ernest Troshani, në meshën që kremtoi në Blinisht, më 6. 11. 2016: “Zadrima është një popull që ka dhuruar shumë”. Pas shkollës fillore në vendin e tij, filloi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në vitin 1912 vazhdoi studimet në Romë, më vonë në Francë, e pastaj edhe në Austri, por jo gjithmonë vetëm për arsye studimi, por edhe për arsye shëndeti.

U shugurua meshtar më, 4 gusht 1919.

Qe një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog, që diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës, zona tërësisht katolike. Ngulmimi i tij për të dënuar një regjim të tillë pati pasoja: më 26 dhjetor 1926 u arrestua. Mjaft shpejt, saktësisht më 2 janar 1927, u dënua me vdekje dhe, më 5 mars të po atij viti u var.
Eshtrat e tij prehen në varrezat e Rrmajit në Shkodër dhe varri i tij tashmë është cak lutjeje për shumë shtegtarë, të cilët e vlerësojnë shenjtërinë e dom Gjonit. Janë të panumërta dëshmitë e atyre që janë shëruar dhe kanë përjetuar mrekulli me ndërmjetësinë e dom Gjonit. Edhe personalisht, jam dëshmitar i disa shërimeve që kanë ndodhur duke u lutur tek varri i tij. Fama e shenjtërisë së tij ka nxitur popullin e Zotit dhe Kishën Katolike që të ndërmarrin për të atë që quhet proçesi dioqezan për ta shpallur të Lumtur dhe të shenjtë. Lutemi me gjithë zemër që, siç ndodhi me 38 martirët e regjimit komunist në Shqipëri, ashtu edhe dom Gjoni të shpallet i Lumtur, duke u lartësuar kështu në nderin e Altareve!
Ja si e përshkruan ekzekutimin e shërbëtorit të Hyjit, oficeri i ngarkuar për varjen e tij, në një intervistë me revistën gjermane “Korrespondenz des Priestergebetsve”, botuar në “albemigrant”: https://albemigrant2011.wordpress.com/2017/02/15/daniel-gazulli-martiri-i-atdheut-dom-gjon-gazulli/):
“Ishte ora 11 para mesnate. Udhët e Shkodrës ishin endè të rrahuna prej njerëzish, pse ishte Bajram. Dhash urdhën të thirrej famullitari Gàzulli n’oborr, pse donte me folë me të Ipeshkvi. Gazulli zbriti poshtë. E kuptoj çfarë do të ndodhte.
Një françeskan me Sakramend ndej para tij (At Martin Gjoka, shënim i D. G.). … Françeskani kishte mbetë pa gojë. Famullitarit Gàzulli nuk i ndrroi aspak ngjyra e fytyrës… Ai i kapi dorën Atit e i tha: “Pater Martin, tash ke me më Rrëfye”. Ati iu lut ushtarëve të mbledhun për rreth me u largue. Mbasi na nuk u larguem, Ati i tha: – “Dom Gjon, Rrëfeju, pra, latinisht a italisht”. – “Jo, Pater, i përgjegjet Gàzulli, të mbramin Rrëfim due me e ba në gjuhë të Nanës”. E kështu Ai u rrëfye në sy tanë. Na, Muhamedanët, pak marrim vesht kësi sendesh, por mëkat nuk dëgjuem prej gojës së tij. Mandej i dha Ati një bukë të hollë, të bardhë, e rrumbullakët, që e kapërdini me një përshpirtnì të madhe. Ai u dukte se po shndritte krejt fytyret.

Tash u çil dera e burgut, e u nisëm. Ushtarët ishin para, mbrapa e në të dy anët, ma shumë se kurrë. Në mjedis ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u luten të dy me za të naltë, por unë muejta me vu ore se zani i Atit dridhej, nësa zani i famullitarit tingëllonte i qetë e i qartë. Një trimni kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time.
Kishim arrijtë te vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes. Magjypi ishte gati me litar në dorë. Një dritë elektrike e shndritte thektas famullitarin në fytyrë. Ai nuk dridhej aspak. Edhe mue më kishte kapë frika. Mue më ishte dashtë me përcjellë edhe të tjerë te ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë kisha gati si nji frikë para qetësisë së këtij Prifti. Ai ishte me të këputme i pafaj. Këte e dijshim të gjithë. Por, urdhni! Unë, sikur asht zakoni, i lash fjalën e lirë. Por ma mirë mos ta kisha ba këte gja! Ai nisi me folë me një za aq të fortë, e me fjalë të drejta e që të këputshin zemrën, sa që mue përnjimend më kapi frika. E ta kisha lanë me shkue gjatë me fjalë, kishte muejtë të gjithëve me na ba me u kthye prej vetit. Mue më duhej me mendue për përgjegjësinë teme. E i thash shkurt: Zotni, s’duem me ndje predke! Foli fjalët e mbrame. Mjaft! Atëherë Ai çoi zanin edhe ma e tha: Vetë po vdes i pafaj. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë”. Na ishim të gjithë të përmalluem fort. Lexova vendimin e dekës. I qe veshë një këmishë e bardhë. Magjypi ia vuni vjekcën e konopit në fyt e i hoq shkambin nën kambë. Ai ishte i vdekun!– Kështu foli kapiteni. Ishte dita e 5 marsit 1927” .

U realizua edhe në dom Gjonin ajo fjala e Zotit thënë në Veprat e Apostujve: “Na duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit”. (Vap. 14, 22).

Dy fjalë për Atë Luigj Paliq

Atë Luigj Paliq lindi në Janjevë (Kosovë), në Arqipeshkvninë Shkup- Prizren, më 21 shkurt 1879. Pas shkollë fillore në vendin e lindjes, u transferua në Shqipëri, ku hyri në familjen rregulltare të Fretërve Minorë, në Kuvendin e Troshanit (Lezhë). Në Troshan bëri noviciatin. Vazhdoi studimet filozofike në Itali gjatë viteve 1896- 1901. U shugurua meshtar, më 21.09.1901. Pas shugurimit shërbeu në Kosovë, në famullinë e Pejës dhe të Gllogjanit, si edhe në shenjtëroren e shën Antonit në Gjakovë. Ndërroi emër nga Mati në Luigj, sepse ishte shumë i prekur nga jeta e Shën Luigj Gonzagës.
Pas shugurimit u ndal në Romë edhe për dy vite të tjera për studime pas-universitare. Gjatë viteve 1905-1907 qe famullitar në Arqipeshkvinë e Shkodrës. Gjatë viteve 1907-1912 u emërua rektor i shenjtërores së shën Antonit të Gjakovës (Kosovë). U martirizua në Janosh afër Gjakovës, për faktin se nuk pranoi të bëhej prift ortodoks, më 7 mars 1913 dhe kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”.

Ishte një njeri i vendosur. «Luftëtari i dritës provon një lloj tmerri përpara vendimeve të rëndësishme. “Kjo është shumë e madhe për ty”, i thotë një mik. “Ec përpara, sypatrembur”, i thotë një tjetër. Dhe dyshimet e tij sa vijnë e rriten. Pas disa ditësh plot ankth, kridhet në prehje shpirtërore brenda në çadër, ku e ka zakon të ulet për të medituar dhe për t’u lutur. Ai e shpie veten në të ardhmen. Shikon se kush do të përfitojë e cili do të humbasë nga qëndrimi i tij. Ai nuk dëshiron të shkaktojë vuajtje të kota, por nuk do as të braktisë rrugën. Atëherë luftëtari e lë vendimin të dalë vetiu. Nëse duhet thënë po, do ta thotë me guxim. Nëse duhet thënë jo, e bën pa iu dridhur qerpiku». (Pjesë e shkëputur nga Manual i Luftëtarit të Dritës i Paulo Coleho). At Luigj Paliqi dhe dom Gjon Gazulli janë të vetmit martirë që i takojnë kohës para komunizmit. E bekojmë Zotin për këtë lulëzim shenjtërie që e ka bekuar popullin tonë të shumëvuajtur! 16 Nëntori 2024, në Katedralen e shën Shtjefnit në Shkodër, vulos përfundimisht një lidhje të re me vlerat, një lidhje e themeluar në gjakun e martirëve. Edhe një herë, bëhen bashkë në një ditë, Shqipëria dhe Kosova.
Foto: www.ewtnvatican.com

Filed Under: Rajon

ISH- KRYETARJA E PARLAMENTIT TË SHQIPËRISË JOZEFINA TOPALLI VIZITOI VATRËN

November 14, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 14 Nëntor 2024 – Jozefina Topalli, ish kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë zhvilloi një vizitë të përzëmërt, vëllazërore e shumë emocionuese në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ajo u prit ngrohtësisht prej vatranëve e aktivistëve të shquar të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi u njoh prej editorit me historinë shekullore të Federatës Vatra e gazetës Dielli, kontributin e jashtëzakonshëm atdhetar, veprimtarinë patriotike të shqiptarëve të Amerikës e përpjekjet e tyre për komb, atdhe e komunitet, në fjalën e mirëseardhjes arkëtari i Vatrës z.Besim Malota shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për doplomaten dhe shtetaren Jozefina Topalli, përcolli urimet në emër të kryetarit Dr. Elmi Berisha, Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës. Z.Malota shpjegoi veprimtarinë e shkëlqyer të Vatrës dhe punët e mëdha kombëtare në shërbim të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z. Malota ekspozoi veprimtarinë institucionale të Vatrës në Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë. Z. Asllan Bushati shpalosi modelet, arritjet dhe krenarinë shqiptare për sukseset e tyre në diasporën e Amerikës duke rrezatuar energji kombëtare e patriotike si modele frymëzimi për çdo shqiptar. Vera Markaj e Bashkim Shehu vlerësuan zonjën Topalli duke veçuar cilësitë atdhetare, institucionale e profesionale dhe modelin moral dhe ardhetar që ajo frymëzon. Në fjalën e saj zonja Jozefina Topalli falenderoi Vatrën e shqiptarët e Amerikës për pritjen vëllazërore dhe krenarinë me të cilën shqiptarët e Amerikës përfaqësojnë e prezantojnë kombin shqiptar në shoqërinë dhe institucionet amerikane. Zonja Topalli vlerësoi kontributin e Vatrës, historinë e çmuar dhe frymëzuese të patriotëve shqiptarë përgjatë 1 shekulli dhe dekade të mërgatës shqiptare në Amerikë. Zonja Topalli çmoi Vatrën e Diellin si institucione patriotike, mërgatën e Amerikës si aset patriotik, atdhetar, ekonomik e kulturor. Ajo diskutoi rreth shpopullimit të Shqipërisë, rrezikut të braktisjes biblike të atdheut, nevojës ekstreme për të ndaluar eksodin biblik të shqiptarëve dhe nevojës për angazhimin e të gjithë shqiptarëve të diasporës për të kontribuar për kombin e atdheun. “Kemi nevojë për kthimin e një autoriteti moral, të një fuqie shpirtërore e patriotike për të dashur atdheun e ndryshuar Shqipërinë. Shqiptarët e Amerikës kanë shkruar historinë e lavdishme të kombin tonë. Vatra e Dielli, njëra ngroh e tjera ndriçon historinë tonë kombëtare dhe identitetin tonë” u shpreh ndër të tjera zonja Topalli përgjatë takimit vëllazëror në Vatër.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT