• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

Branko Merxhani, nga figurat më të shquara të mendimit shqiptar të gjysmës së parë të shekullit të XX-të

April 18, 2025 by s p

Arian Gladini/

Branko Merxhani është një nga figurat më të shquara të mendimit shqiptar të gjysmës së parë të shekullit të XX-të. Filozof, publicist dhe eseist i spikatur, ai mbetet një prej zërave më të ndritur që ka kontribuar në zhvillimin e shqiptarizmit si një projekt intelektual dhe kombëtar. Përmes artikujve të tij në shtypin e kohës, veçanërisht në revistën “Përpjekja Shqiptare”, dhe përmes konceptit të tij novator të Neo-shqiptarizmit, Merxhani krijoi një platformë filozofike dhe ideologjike që ka mbetur aktuale edhe sot.
Në thelb të mendimit të tij qëndronte ideja e shqiptarizmit si një përpjekje për të harmonizuar shpirtin kombëtar me modernitetin. Merxhani e shihte shqiptarizmin si një mision të ndërtimit të një kombi që nuk do të ishte thjesht mbijetesë kulturore apo politike, por një komb që kontribuon në zhvillimin e qytetërimit europian.
Në një nga artikujt e tij të famshëm, Merxhani shkruan:

“Shqiptarizmi nuk është as etje për lavdi dhe as përkatësi e verbër ndaj një race; ai është një filozofi, një përpjekje për të gjetur identitetin tonë në mesin e popujve të përparuar të Europës.” Kjo qasje e thellë e ndan atë nga nacionalizmi romantik dhe e lidh me një patriotizëm të bazuar në arsim, kulturë dhe zhvillim ekonomik.
Koncepti i Neo-shqiptarizmit, i propozuar nga Merxhani, është një ndër idetë më origjinale në mendimin politik dhe kulturor shqiptar. Për Merxhanin, Neoshqiptarizmi përfaqësonte një përpjekje për të rindërtuar shpirtin kombëtar përmes një qasjeje të re filozofike dhe praktike. Në shkrimet e tij, ai e shihte Neoshqiptarizmin si një alternativë ndaj dy ekstremeve të dëmshme: konservatorizmit të ngurtë që refuzonte modernizimin dhe revolucionarizmit që shkatërronte traditat.

Në shkrimin e tij të famshëm “Neoshqiptarizmi”, Merxhani thekson:
“Ne nuk mund të jemi as imitues të verbër të Perëndimit dhe as robër të së kaluarës sonë. Rruga jonë është e mesme: ta marrim më të mirën nga të dy botët dhe ta ndërtojmë identitetin tonë mbi këtë harmoni.” Kjo ide, e përmbledhur në moton e tij të njohur “Nacionalizëm konstruktiv”, pasqyronte vizionin e tij për një Shqipëri që përparon duke ruajtur shpirtin e saj unik kombëtar.
Një nga temat më të rëndësishme në mendimin e Merxhanit është roli i intelektualit si arkitekt i kombit. Ai besonte fuqimisht se kombet nuk ndërtohen thjesht nga forcat politike, por nga elitat intelektuale që i udhëheqin popujt drejt përparimit.
Në një nga esetë e tij, Merxhani shkruan:

“Një komb që nuk ushtron mendimin, është një komb që mbetet rob i fatit dhe i të huajve.” Ai ftonte të rinjtë shqiptarë të bëheshin pjesë e një “elite të ndritur”, që do të vendoste arsimimin, kulturën dhe drejtësinë në qendër të përpjekjeve të tyre. Edhe pse shkrimet e Merxhanit paraprijnë periudhën komuniste, mendimi i tij ofron një kritikë të qartë dhe të fuqishme ndaj ideologjive totalitare dhe përpjekjeve për të krijuar një “Njeri të Ri” të shkëputur nga rrënjët kombëtare dhe shpirtërore. Për Merxhanin, çdo përpjekje për të imponuar një ideologji homogjene mbi shoqërinë është në vetvete një shkatërrim i shpirtit njerëzor dhe kolektiv.

Në këtë drejtim, Neo-shqiptarizmi i tij ofron një alternativë të shëndetshme për një komb të lirë, të ndërgjegjshëm dhe të aftë për të mbrojtur identitetin e tij nga deformimet ideologjike.
Mendimi i Merxhanit ka një rezonancë të thellë me filozofët dhe mendimtarët konservatorë ndërkombëtarë. Në shumë mënyra, idetë e tij janë të krahasueshme me ato të Edmund Burke, i cili theksonte ruajtjen e traditës dhe institucioneve si baza të një shoqërie të shëndetshme. Një tjetër paralele mund të gjendet në mendimin e Michael Oakeshott, i cili mbrojti idenë e evolucionit të natyrshëm të shoqërisë në vend të revolucionit shkatërrues.
Neo-shqiptarizmi i Merxhanit mund të konsiderohet gjithashtu si një pararendës i ideve të Roger Scruton, veçanërisht në mbrojtjen e identitetit kulturor dhe ruajtjen e vlerave kombëtare përballë presioneve të globalizimit.

Branko Merxhani nuk ishte thjesht një publicist apo mendimtar i kohës së tij; ai ishte një vizionar që e shihte kombin shqiptar si një pjesë të pandarë të qytetërimit europian. Përmes idesë së Neo-shqiptarizmit, ai na la një udhërrëfyes për të ardhmen, një doktrinë që mbetet aktuale edhe sot, veçanërisht në përballjen me sfidat e globalizimit, polarizimit politik dhe krizës së identitetit.
Në një nga shkrimet e tij, ai thotë: “Ne jemi të thirrur për ta bërë Shqipërinë jo vetëm një vend të lirë, por një shembull të qytetërimit dhe përparimit për të gjitha kombet e tjera.”
Ky vizion mbetet një thirrje për brezat e sotëm dhe të ardhshëm për të ndjekur rrugën e ndritur që ai përvijoi. Branko Merxhani mbetet një nga mendimtarët më të rëndësi shëm shqiptarë, dhe trashëgimia e tij është një thesar i paçmuar për çdo përpjekje për ta ripërtërirë shpirtin kombëtar. Neo shqiptarizmi i tij ofron jo vetëm një kritikë të thellë ndaj të kaluarës, por edhe një vizion të qartë për të ardhmen. Në një kohë kur Shqipëria përballet me sfida të shumta, mendimi i Merxhanit na kujton rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe përpjekjen për të ndërtuar një komb të lirë, të drejtë dhe të ndritur. Në këtë kontekst, Neo-shqiptarizmi mbetet jo vetëm një koncept, por një mision për të ardhmen.

Filed Under: Opinion

Parashqevi Qiriazi, edukatore e burrneshë shteti 

April 17, 2025 by s p

Përgatiti  Rafael Floqi

Nga Dr. Edward A. Miller, ’89, Profesor i Arsimit në “Oberlin alumni magazine, v.23 no.4 1927. Botuar në Oberlin, Ohio

Parashqevi Qiriazi (2 qershor 1880[1]–1970) ishte Mësuese e Popullit, magjistre e arsimit, pedagoge, intelektuale e shquar, veprimtare e arsimimit të femrës shqiptare, pjesëmarrëse e Kongresit të Manastirit, autore e abetares së parë shqipe sipas alfabetit të Manastirit dhe e himnit të tij, e para femër shqiptare autore e një projekti arsimor. Parashqevi Qiriazi u lind më 2 qershor të vitit 1880 në Manastir (sot Republika e Maqedonisë së Veriut). Ishte fëmija i dhjetë dhe më e vogla e çiftit Maria dhe Dhimitër Qiriazi (Tashko, Konstandin, Gjerasim, Gjergj, Naum, Kristo, Pandeli, Fankë, Sevasti dhe Parashqevi).[2] Shkollën fillore dhe shkollën e mesme i kreu në qytetin e saj të lindjes në Manastir. Në vitin 1900 filloi studimet në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll (anglisht: American College for Girls), institucion ky i cili vepronte në kuadër të të ashtuquajturit Robert College, në degën e letërsisë, ku në vitin e fundit të studimeve ishte edhe presidente e organizatës studentore. Pas diplomimit në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll, në vitin 1904 filloi punën si mësuese dhe më vonë drejtuese në Shkollën Shqipe të Vashave në Korçë.

Në vitin 1912, Parashqevi Qiriazi regjistrohet në studimet pasuniversitare master në Fakultetin e Pedagogjisë (Edukimit) të Kolegjit të Oberlinit në Ohio, Shtetet e Bashkuara. Në qershor të vitit 1913, në Universitetin e Oberlinit përfundoi me sukses studimet master ku edhe mbrojti temën me titull: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri”. Me këtë mori thirrjen akademike, M.A. magjistre e edukimit (master of education).  Ajo është e para shqiptare me këtë kualifikim. Ndërkohë, ajo në SHBA hartoi edhe programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit. Po në këtë vit shkroi dhe botoi në Çikago veprën “Shkolla e vashave – Korçë“ (The School for Girl – Kortcha, Albania).  Për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore, në vitin 1914, detyrohet të largohet nga Shqipëria.  

Në revistën e universitetit “Oberlin alumni magazine, v.23 no.4 1927. Botuar në Oberlin, Ohio zbuluam gjetëm këtë artikull nga pedagogët e saj kushtuar Parshqevisë sonë kur e takojnë atë në Shqipëri në shkollën e vashave që drejtonte me të motrën dhe të kunatin Kristo Dakon. Edhe Parashqevia, sikurse rilindësit e tjerë, e vlerësoi shumë rëndësinë e arsimit, qëllimi i të cilit ishte “t`a bënjë njerinë të mbaruarë, njeri me karakter të qëndrueshëm”; ai na bënë të rrojmë me dinjitet, “të bëhemi të dobishëm për vehten tonë edhe për kombin tonë.” Arsimi “është më i madhi mirëbërës i botës.” Sipas saj, “arsimi kombëtar është shtylla e hekurt e rojtjes së kombit.” Prandaj, ajo thekson se në mbarë botën është “i pranuar parimi, se ç`do njeri që sjell Perëndia ndë këtë botë, ka të drejtë të plotë të arsimohet…

Ky artikull është i dyti shkruan autori në një seri mbi Gratë Pioniere të Kolegjit Oberlin, redaktuar nga Profesorja e Asociuar Emeritus Frances J. Hosford, ’91. Ai i takon siç duhet është paraqitur më vonë në serinë, por për arsye të veçanta evropiane. kam qenë në turne në Amerikë, duke konkurruar me futbollin për pozicione të spikatura në faqen sportive dhe në faqen e parë të gazetave tona metropolitane: Suzanne, mbretëresha e mbretërisë së tenisit dhe Marie, mbretëresha e rumunëve. Nuk është qëllimi im t’ju tregoj për asnjërën prej tyre, por është një artikull me interes që një nga të diplomuaret tona të Oberlin-it ishte për një kohë anëtar i familjes së Mbretëreshës Marie dhe shoqëruesja e saj. 

“Ajo grua e re është Parashqevi Qiriazi, një shqiptare, e cila u dëbua nga vendi i saj gjatë luftës dhe gjeti strehim te Mbretëresha Mari në Rumani. Shkurtin e kaluar zonja Miller dhe unë patëm mundësinë të vizitonim Zsh Qiriazi dhe të shihnim punën e saj në Shqipëri. Parashqevi D. Qiriazi mori diplomën e saj Master në Kolegjin Oberlin në vitin 1913. Zonja Qiriazi është aktualisht drejtuese e Liceut Qiriazi në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë. Liceu Qiriazi, ose Shkolla Qiriazi, u themelua në vitin 1891, si shkolla e parë për vajza në Shqipëri. Që nga themelimi i saj e deri në fitimin e pavarësisë së Shqipërisë, qeveria turke zhvilloi një fushatë kundër saj, por nën drejtimin e vëllait të zonjushës Qiriazi, motrës së saj dhe asaj, në luftë, përndjekje dhe masakër, kjo shkollë ka ecur vazhdimisht përpara. 

Liceu Qiriazi është e vetmja shkollë e mesme apo e lartë për vajza në Shqipëri dhe e vetmja që ka qenë ndonjëherë. Është qendra në të cilën vijnë vajzat nga familjet e larta shqiptare dhe nga e cila kthehen në fshatrat e tyre të ndryshme si mësuese, si drejtuese të komunitetit, për t’u bërë vetë qendra kulture, mësimi, jetese higjienike. Pa diskutim Parashqevi Qiriazi zë pozicionin më të lartë të çdo gruaje në Shqipëri dhe respektin dhe nderimin e bashkatdhetarëve të saj dhe në atë që ka bërë për mirëqenien e tyre. Ajo ishte e vetmja grua delegate nga çdo komb në Konferencën e Paqes në Paris. Gjatë konferencës ajo ishte në detyrë si kryetare e delegacionit shqiptar, dhe kryesisht falë taktit dhe aftësisë së saj, Shqipëria ruajti pavarësinë e saj dhe u pranua në Lidhjen e Kombeve, Republika më e re dhe më e vogla që kishte anëtarësim në Lidhje. 

Kur vizitova Konsullatën Shqiptare në Romë për të marrë vizën time për në Shqipëri, konsulli shqiptar tha: “S’mund të gjejmë një njeri në Shqipëri më mirë se zonjusha Qiriazi”. Pas marrjes së vizës, zonja Miller dhe unë u nisëm me trenin e natës për në Bari në bregdetin Adriatik të Italisë. Në Bari, me largpamësinë e zonjushës Qiriazi, të nesërmen në mëngjes na takoi Andre Ekonomi, një shqiptar, i cili flet rrjedhshëm njëmbëdhjetë gjuhë dhe të paktën njërën prej tyre vazhdimisht, por fatkeqësisht nuk e përfshin anglishten në listën e tij. Megjithatë, një përzierje e frëngjishtes, gjermanishtes dhe italishtes, me përdorimin e shpeshtë të gjuhës primitive të shenjave, e cila i ka kaluar të gjitha, bëri të mundur një ditë interesante në Bari dhe një shkëmbim shumë të konsiderueshëm idesh. 

Këtu u informova përsëri se zonjusha Qiriazi ishte padyshim forca më e madhe e së mirës në Shqipëri dhe fakti që unë kisha qenë mësuesja e saj më autorizonte që ta nderoja dhe ta respektoja dhe çdo shërbim që mund të më bënte zoti Ekonomi apo ndonjë shqiptar tjetër në Bari. Këtë ai ma tha në të gjitha gjuhët që mund t’i kuptoja dhe, sipas besimit tim, goditi me çekiç në tetë ose nëntë të tjera. Në orët e natës, zoti Ekonomi na la shëndoshë e mirë në bordin e avullores së vogël italiane për në Durrës. Pas një udhëtimi dymbëdhjetë orësh, kryesisht, por duke lundruar përpara, hymë në portin e Durrësit, Durachiumi i lashtë i themeluar rreth vitit 580 p.e.s. 

Këtu na takuan zonjushën Qiriazi dhe Kristo Dakon, kunatin e saj, një i diplomuar në Seminarin Teologjik Oberlin në vitin 1913 dhe i morën gjithashtu në bord në Durrës. Kjo e fundit, me urdhër të Presidentit të Republikës, për t’i bërë nder zonjushës Qiriazi. Si edhe neve dhe mësueses së saj amerikane. Kjo përshëndetje e papritur na habiti, por kishte më vijuar më shumë. Po zbrisnim në vendin që do të na çonte në bankinë, zonjusha Qiriazi na tha mënjanë se në zbarkim do të na takonin forcat ushtarake të Durrësit. Ky kishte një tingull disi të keq, por përsëri zonjusha Kyrias na erdhi në ndihmë. “Kur të paraqesin krahët, duhet të ngrini kapelën tuaj,” pëshpëriti ajo. Vrapuam me xhaketën ushtarake të padëmtuar, e me kapelë në dorë. Më pas zbuluam se ishte e nevojshme të prisnim dy orë që të kalonte një kohë përpara se t’i bënim një thirrje ceremoniale Guvernatorit. Pas këtij formaliteti na vendosën në një Ford që priste që do të na çonte në Tiranë. Na thanë se ky ishte i njëjti Ford, i drejtuar nga i njëjti shofer, në të cilin hipnin dy amerikanët që ishin qëlluar në pritë rreth një vit më parë, në një degë të së njëjtës rrugë. Na u shpjegua se të shtënat ishin të gjitha një gabim, por meqenëse rezultatet ishin aq fatale, sikur të ishin të qëllimshme, kishte një ndjenjë të lehtë se nuk do ta shijonim peizazhin aq sa prisnim. Synimi kishte qenë, siç na thanë, që të qëlloheshin disa liderë politikë që ishin larguar nga Tirana me një makinë më përpara. Fatkeqësisht, kjo makinë pati probleme me gomat dhe Fordi, duke e kaluar aty, u fut në pritë dhe u godit nga plumbat. Ne paralajmëruam shoferin që të mos kalonte asnjë makinë në lëvizje ose të palëvizshme. Mbërritëm në Tiranë, megjithatë, pa ndonjë incident dhe u pritëm mikpritës në shtëpinë e zotit dhe zonjës Dako. Në mbrëmje vajzat e shkollës na shtruan një darkë dhe pritje, një darkë shqiptare me supë të thartë dhe pilaf turk, pjata me shije të çuditshme për një shije amerikane, por një pritje që ishte një zbulim për origjinalitetin, shijen e mirë dhe miqësinë. Unë pata nderin të isha burri i parë që isha i pranishëm në një vakt me vajzat e shkollës. Ishin pesëdhjetë prej tyre, muhamedane, ortodokse, katolike, por të gjitha shqiptarë dhe jetonin së bashku pa menduar për dallimet fetare. Ne i gjetëm të gjitha këto vajza që flisnin lehtësisht anglisht dhe frëngjisht, megjithëse asnjëra prej tyre nuk dinte gjuhë tjetër përveç shqipes kur hyri në shkollë. Një nga vajzat më të mëdha na priti në një fjalim të zgjuar në anglisht. Më pas na argëtuan me vallëzime vendase, me këngë franceze dhe angleze dhe me gjuhën e tyre e në anglisht. Të gjitha punët në klasë në shkollë kryhen në anglisht, megjithëse përdoren tekste mësimore në frëngjisht dhe anglisht, pasi në disa raste në ato frëngjisht mund të blihet më lirë. Unë fola në anglisht me një grup vajzash më të mëdha që po përgatiteshin për të dhënë mësim dhe që po përdornin si tekst në Historinë e Arsimit. Historia Pedagogjike e Compayré. Zonja Miller dhe unë ishim të dy shumë të impresionuar gjatë qëndrimit tonë me cilësitë e shkëlqyera tw vendaseve dhe aftësinë intelektuale të këtyre vajzave dhe punën e jashtëzakonshme që zonjusha Qiriazi po bën për to në shkollën e saj. Qëndruam për një javë në Tiranë, duke shijuar mikpritjen e ngrohtë të shtëpisë Dako, miqësinë e shqiptarëve, hijeshinë dhe mirësjelljen e vajzave të shkollës dhe çuditshmërinë e mjedisit tonë, me gratë e mbuluara, me thirrjen e myezinit drejtuar besimtarëve nga minaret e shumta, pesë prej tyre, që i shihnim e dëgjonim nga dritarja e anës nga tregu pamje piktoreske dhe plot risi për sytë tanë perëndimorë. Ne takuam shumë zyrtarë të qeverisë gjatë qëndrimit tonë, si dhe ministrat francezë dhe rumunë dhe ministrin tonë të SHBA-së nga brezi i misrit të Indianës. Ndër të tjera thirrën ministri i Jashtëm, ai i Arsimit dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe të gjitha këto thirrje duhej t’u ktheheshin menjëherë. 

Nga secili dëgjuam të njëjtin vlerësim të lartë të zonjushës Qiriazi dhe të vlerës së punës së saj. Ishte shumë e qartë se këto thirrje do t’i bënin nder asaj dhe shkollës që ajo kishte ndjekur, kolegjin e largët në Amerikën e largët. Një ditë para se të largoheshim nga Tirana, u thirrëm në një audiencë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ahmet Bej Zogu. Presidenti është një i ri i fuqishëm, energjik, rreth tridhjetë e katër vjeç, ambicioz për ta nxjerrë Shqipërinë nga rruga e saj primitive në jetën e qytetërimit modern perëndimor. Ai është, ndoshta, diçka si një Musolini në metodën e tij, por ka në zemër interesat më të mira të vendit të tij dhe është i gatshëm të japë jetën e tij në shërbim të tij. Gjatë intervistës ai iu drejtua zonjushës Qiriazi, e cila vepronte si përkthyese, dhe tha se “e ardhmja e vendit tonë nuk është në duart e presidentëve, kabineteve dhe parlamenteve, por në duart e mësuesve si Zsh. Qiriazi dhe e vajzave që ata edukojnë, të cilat në shtëpitë shqiptare do ta çojnë brezin e ri në një jetë të re”. Gjatë javës që ishim atje u hap terreni për ndërtesën e re të Liceut Qiriazi. Një vend i bukur është siguruar rreth katër milje larg qytetit, në një luginë të rrethuar nga male, në një pllajë të pyllëzuar me pamje nga një përrua simpatik. Rrjedh nga një nga malet e largëta nga fshati ku lindi Skënderbeu, heroi i madh kombëtar i Shqipërisë, e shikon me përposh shkollën e re. Gati pesëqind vjet më parë Skënderbeu udhëhoqi shqiptarët, “Bijtë e shqiponjës së malit” kundër turkut dhe hodhi poshtë sundimin turk. Fshati i tij i lindjes tani shikon një fushë një betejë paqësore, në të cilën gratë shqiptare po çlirohen nga sundimi i injorancës, besëtytnive dhe intolerancës fetare, nën udhëheqjen e njërës prej vajzave të Oberlinit. Në ceremonitë e thjeshta që shënuan hapjen e themeleve morën pjesë mësuesit dhe vajzat e shkollës, përfaqësues të qeverisë shqiptare, ministri rumun me bashkëshorten e tij dhe shumë miq personal të Dakos dhe Zsh Qiriazi. Dy qengja u flijuan sipas riteve të lashta shqiptare, u shtrua një drekë në barbekju dhe soditja e parë në faqen e re u kthye nga zonjusha Qiriazi. Vajzat e shkollës thurën kurora me lule të egra dhe i varën në qafë, në kapelë, në krahë, derisa u bëmë buqeta të animuara. Kujtimi im më i këndshëm është pamja e këtyre vajzave shqiptare që luajnë lojëra vendase dhe kërcejnë në një livadh me bar midis pllajës dhe lumit. Ato ishin të zbuluara të gjitha, një gjë e re për shumë prej tyre në publik; ato ishin të gjitha të lumtura dhe të gëzuara; dhe muhamedane, ortodokse dhe Katolike, ato ishin të gjitha një familje ndërsa luanin, kërcenin dhe këndonin himnin e tyre. Ato janë të bashkuara, prindërit e tyre janë të bashkuar, shqiptarët kudo janë të bashkuar në dashurinë dhe nderin që kanë për zonjushën Qiriazi. 

Parashqevi Qiriazi është një grua e jashtëzakonshme. Ajo po bën një punë të jashtëzakonshme për njerëzit e saj. Jam krenare që kam qenë mësuesja e saj. Kolegji Oberlin mund të jetë krenar që e numëron atë ndër vajzat e saj studente.”

Filed Under: Kronike

Vepra “Rezonanca magnetike” e Prof. Eshref Ymerit

April 17, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Ditë më parë mora si dhuratë nga prof. Eshref Ymeri librin studimor “Rezonanca magnetike” për Rusinë dhe rusët. Libri përbëhet me mjaft përmbledhje citate, aforizma dhe mbresa të personaliteteve të ndryshme, rusë dhe të huaj. Studimi është mjaft interesant dhe i ndërtuar me thënie nga personalitete botërore na njohin me Rusinë, por dhe me punën shekullore për formimin psikologjik të popullit rus. Profesor Eshref Ymeri shtysën për përgatitjen e librit e mori nga sulmi agresiv i Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022. Profesori e përcakton këtë sulm, të tipit fashist, e që ishte i papritur për botën. Nxitje e fuqishme për shkrimin e librit ishte dhe masakra e kryer në qytetin Buça të qarkut të Kievit.

Në këtë qytet ushtria fashiste ruse vrau 461 njerëz të pafajshëm, ku midis tyre kishte burra, gra, pleq, plaka dhe fëmijë, ndërsa në të gjithë rajonin, të masakruarit arriti në 1137 veta. Egërsira ruse arriti deri aty sa t’i groposë në varre massive, duke e kthyer qytetin e Buçës në simbol të shtazërisë së ushtrisë ruse. Autori i librit shkruan me indinjatë për mitingun në Sheshin e Kuq të Moskës, për të festuar pushtimin e disa territoreve të Ukrainës.
Profesori shprehet se si ka përfunduar populli rus, i sëmurë nga trutë, prej politikës së Putinit të grumbullohej dhe të ngazëllehej me krimet e përbindshme të ushtrisë së tij fashiste në Ukrainë. Autori duke e njohur popullin rus, nga periudha e studimeve cuditet se pa e çarë kaptinën fare dhe për dhjetra mijë ushtarët e tij, të vrarë në frontin e luftës. Dhe ironia qëndron se pas kryerjes së masakrës barbare, presidenti Putin dekoron “për heroizmin dhe trimërinë masive, qëndresën dhe burrërinë që tregoi personeli i brigadës në aksionet luftarake për mbrojtjen e atdheut dhe të interesave shtetërore në kushtet e konflikteve të armatosura”.
Duke u kthyer në histori para dy shekuj sjell në vëmendje një Testamentit të Pjetrit të Parë që përfaqëson një plan strategjik me veprime për trashëgimtarët e Carit për gjatë shekujve pasardhës, me synimin strategjik për vënien e mbarë botës nën sundimin e Rusisë.

Në realitet historiografia ruse e ka pasë vlerësuar Testamentin, por duke e klasifikuar si një material të fabrikuar. Por ngjarjet në këto dy shekuj kanë vërtetuar se sundimtarët e mëvonshëm të Rusisë në një formë apo tjetër kanë patur synim zbatimin e Testamentit “të fabrikuar” të Pjetrit të Parë. Dëshmitë dalin të qarta edhe në porositë e lënë nga sundimtarë rusë të çdo periudhe për brezat pasardhës të Rusisë.
Autori ka lexuar mjaft studime nga fusha e historisë, ku ka gjetur të pasqyruar dhe qëndrimin tradicional të politikës ruse ndaj kombit shqipar. Rusia cariste ishte në Kongresin Berlinit të vitit 1878 dhe në Konferencën e Londrës të vitit 1913, luajti në pazare të politikës europiane për copëtimin trojeve etnike. Ndërsa në Traktarin e Fshehtë të Londrës 1915 përfaqesuesi rus kishte theksuar fshirjen nga harta Europës të ngasrës të quajtur “Shqipëri”.

Në fundin e shek. XX politika ruse thelloi dhe më shunë qëndrimin armiqësor të mbajtur dhe vazhdon ta mbajë edhe sot ndaj popullit shqiptar të Dardanisë. Ajo ende mbron me pasio regjimin e Millosheviçit dhe të pasuesëve të tij. Autori në vitet e fundit ka botuar në shtyp dhe në internet analiza dhe komente mjaft interesante të cilat kanë demaskuar me fakte politikën armiqësore të Rusisë ndaj kombit shqiptar. Të gjitha këto analiza i ka trajtuar në librin e botuar me titull “Shqiptarët përballë politikës rusomadhe”.
Me fillimin e epokës së internetit, informacioni u bë mjaft i bollshëm. Mësojmë se pas sulmit të Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941, popullit sovjetik përballoi situata të rënda. Ushtria sovjetike e mundi nazizmit gjerman. Nga të dhënat del se në luftë kishin rënë robër të ushtrisë gjermane 5.3 milionë ushtarë sovjetike. Po kështu mësojmë se pas hyrjes së ushtrisë sovjetike në territorin e Gjermanisë në fillimin e vitit 1945, kishte kryer krime, përdhunime etj.

Në luftën në Ukrahinë, duket se historia e viktimave po përsëritej. Ushtarët rusë vijuan të kryejnë përdhunime, të bënin masakra në gra, fëmijë dhe të moshuar. Autori jep mjaft shembuj nga këto vepra të turpshme të ushtarëve pushtues të Putinit. Ndaj dhe librin autori ja kushton popullit heroik të Ukrainës dhe Forcave të Armatosura të këti populli, të cilët po luftojnë me heroizën për të thyer “madhështinë” e Rusisë fashiste.
Sot Rusia putiniste, duke qenë pasardhëse e Bashkimit Sovjetik, ka të përvetësuar të gjithë trashëgiminë e saj. Duke synuar rikrijimin e perandorisë sovjetike, Putini e kishte përgatitur me kohë sulmin për pushtimin e Ukrainës.

Në kongresin e tetorit 1961, kryetari i partisë, Nikita Hrushovi, deklaroi se në vitin 1980, Bashkimin Sovjetik ka përfunduar ndërtimin e komunizmit. Por rrjedha e ngjarjeve na vërtetoi se pikërisht në vitet 1980 shënoi krizë ekonomike, dhe përfundoi e me shembjen e perandorisë sovjetike dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Putini duke pasur përkrahjen mbarëpopullore të cilit populli rus vazhdon të përkrah luftën agresive kundër popullit ukrainas. Në këtë vend, në kohën e sotme janë kryer krime të rënda nga ushtria fashiste ruse. Autori shtron dhe pyetjet se ç’është Rusia dhe populli rus? Në shtrimin llogjik të këtyre pyetjeve, autori argumenton se gjatë shekujve, rusët e kanë vlerësuar dhe vazhdojnë ta vlerësojnë veten popull i madh, dhe që mund të orientojë popujt e tjerë se ç’farë duhet të bëjnë, mund të sulmojë shtete fqinje, të shkatërrojë miliona jetë njerëzish, duke luftuar kundër njëfarë të keqeje mitike.

Autori sjell mjaft shembuj nga njerëz në histori, që kanë patur guximin për të thënë të vërtetën për Rusinë dhe popullin e saj. Profesori sjell 426 personalitete të rusisë dhe të huaja, ku prej tyre 168 janë personalitete të vendit rus. Të gjitha mbresat dhe thëniet e arta të tyre janë shkruar në këtë libër, mbresat e të cilëve pasqyrohen në libër.
426 personalitete që kanë theksuar siç i quan autori “margaritarë urtësie” nga fusha e politikës, nga fusha e dijës, na vijnë në mjaft citate, mbresa, aforizma dhe mendime etj. Autori e ka thjeshtësuar punën duke i renditur me emrave, sipas alfabetit, duke njohur dhe jetëshkrimin e çdo personaliteti.
Libri është vlerësuar nga Prof. dr. Fatmir Tereziu, Mjeshtër i Madh, i cili thekson në parathënie se prof. Eshref Ymeri ka kaluar Rusinë dhe rusët në skanerin e personaliteteve, duke konkluduar se “Rusia qëndron në mënyrë të qartë e të kuptueshme kundër perëndimit. Kjo ka tëbëjë me traditën agresive. Aty jeton dhe vetë putinizmi”.
Ndërsa akademik Prof. dr. Beqir Meta arrin në përfundimin se “në këtë botim bëhet edhe një rivlerësim interesant i historisë më të re ruse, ku evidentohen ngjarje dhe fakte të fshehura më parë, që flasin për veprime Aantihumane, për natyrën agresive të shettit rus”.
Prof. Eshref Ymeri ka prurë një libër orgjinal, pasi aty shtjellohen thenië shekullore nga njerëz e autorë të njohur në botë, për studime dhe analiza botërore për Rusinë dhe rusët. Libri në vetvete është një përfaqësim i mjaft mendimeve, fakteve të realitetit në kohë të ndryshme, port ë pasqyruar me mjeshtëri nga autori i cili ka ditur që nëpërmjet këtyre mbresave të pasqyrojë realitetin mbi Rusinë dhe mbi formimin e popullit rus. Libri është një botim i përkryer dhe me përfundime të sakta, ku çdo lexues shqiptar qartëson mendimin për “atmosferën që po e bren Rusinë”, si dhe për të njohur më mirë tedencat deh ndikimin e tij në të ardhmen europiane.

Filed Under: Analiza

“Përgjakja e Ukrainës, damka e legjitimimit të pushtuesit” !

April 17, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Në kapacitetin e Senior Expertit të Sigurisë Kombëtare, Ballkanit dhe USA/NATO-s, si dhe për shkak të angazhimeve me Institutin e Luftës, McCain, AC, CSCE, etj., në Washington, Bruksel, etj, e kam ndjekur me vëmendje strategjike 1150 ditë luftime të përgjakshme në fushëbetejën me/për Ukrainën. Në vijim, gjeni një përmbledhje të dinamikës deri në gjendjen aktuale, si dhe 3 opsioneve për ndalimin e gjakderdhjes në Ukrainë, por edhe të përfundimit të aventurës neo-naziste në Europë.

Më 24 shkurt 2022, Rusia putiniste ndërmori një sulm ushtarak të papreçedentë që nga përfundimi i Luftës së II-të Botërore (duke përdorur njëherësh kapacitete tokësore, ajrore dhe detare) ndaj tërësisë territoriale të një shteti sovran. Qëllimi i Putinit ishte jo vetëm të mposhte “shpejt e shpejt” ushtrinë e Ukrainës (maksimumi deri më 9 maj 2022), por edhe të poshtëronte rendin global, kufijtë e demokracisë, kohezionin, vlerat perëndimore, si dhe fuqinë ushtarake të Aleancës Euroatlantike. Falë qëndresës martire të ukrainasve, si dhe mbështetjes kritike të SHBA/NATO pas 3 vjetësh e 2 muaj luftime të përgjakshme, asnjë nga këto objektiva strategjike nuk është arritur arritur Rusia neo-Staliniste.

I. Gjendja e palëve ndërluftuese mbas 38 muaj luftimesh të përgjakshme:

Territore të pushtuara nga Rusia: Megjithë rezistencën stoike dhe disa kundërsulme të suksesshme nga Ukraina (përfshi çlirimin e territoreve të pushtuara, si Kherson, etj), krahina të rëndësishm janë pushtuar nga Rusia, si Donbasi, Luhansk, Donetsk, Krimea, Mariupol dhe Zaporizhzhia. Në total, Rusia kontrollon 15%-20% të Ukrainës. Për ta bërë më të thjeshtë për opinionin publik, ndërsa Ukraina është mbi 600 mijë km2 (3 herë më shumë se gjithë Ballkani Perëndimor), Rusia sot zotëron rreth 3 herë sa territori i RSh!

Humbjet njerëzore. rreth 1.5 million ushtarë dhe civilë janë vrarë ose plagosur nga të 2 palët. Humbjet e trupave ruse janë më të shumta (mbi 1 milion) dhe Ukraina më pak se ½ e Rusisë.

Kostoja ekonomike. Lufta ka kosto të jashtëzakonshme. Sipas disa llogaritjeve, Rusia ka shpenzuar deri në 35 miliardë € në muaj, që në total shkojnë mbi 10 trilionë €, ose 5 fish i GDP-së së Rusisë për 2024. Si rezultat i sanksioneve Rusia ka pësuar humbje të mëdha edhe në burime natyrore (gaz & naftë) si dhe armatime ushtarake (avionëve, dronëve, tankeve, raketave). Sigurisht, edhe ekonomia e Ukrainës ka pësuar dëme te medha në infrastrukturë, dhe vështirë për t’u rimëkëmbur në planin afatshkurtër.

Gjendja e trupave Ruse në fushëbetejë. Pavarësisht mbi 1 milion të vrarë dhe moralit të rrënuar, Rusia mban ende në frontin e luftës rreth 350,000 ushtarë aktivë, shumica nga mobilizimi i detyruar ose mercenarë nga Koreja e Veriut, Mali dhe Kina; ka shumë tanke T-80 & T-90; një flotë të madhe avionësh Su-30, Su-35 dhe Su-25; raketa balistike dhe taktike S-400 & Iskander; sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore S-400 & Pantsir, por ka probleme serioze furnizimin e trupave me municion, karburant, etj për shkak të mbrojtjes ajrore të Ukrainës si dhe pasigurisë në linjat e furnizimit.

Gjendja e ushtrisë ukrainase. Aktualisht, ka rreth 300,000 ushtarë aktivë; tanke Leopard 2 dhe Challenger 2, si edhe T-64/T-72 nga inventari saj; avionët Su-27 dhe MiG-29; mbrojtje ajrore të fuqishme, përfshirë S-300, Patriot dhe NASAMS; sisteme të artilerisë së lëvizshme, si HIMARS, që godasin me precizion të lartë Rusët në territoret e pushtuara. Ukraina ka patur dhe vijon të ketë mbështetje konstante nga SHBA/Perëndimit (+ ½ trilion €), armatime, teknologji moderne dhe sisteme të inteligjencës, për të parandaluar sulmet ruse dhe për të optimizuar operacionet ushtarake.

II. Plani i Paqes i Presidentit të SHBA, Donald Trump: “ndalimi i menjëhershëm i luftimeve (gjakderdhjes), si dhe vendosja e një forme autonomie të përkohshme për disa nga rajonet e Ukrainës që janë nën kontrollin Rus”! Presidenti Trump kurrësesi nuk e ka definuar statusin dhe marrëdhëniet mes humbësit dhe fitimtarit të luftës, ndërkohë që në terren Rusia ende vazhdon bombardimet e përgjakshme duke mos kursyer as popullsinë civile, spitalet dhe shkollat në Kiev (!?). Ky plan ka kundërshtime të forta nga BE, pasi e gjejnë si një plan që legjitimon pushtimin e territorit të Ukrainës.

Por çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan palët? Ajo që i bashkon është ndalimi i gjakderdhjes njerëzore. Por ndërsa Ukraina këmbëngul të rikthejë çdo pëllëmbë të pushtuar të territorit të saj (përfshirë Krimenë), Rusia kërkon të mbajë/legjitimojë territoret e pushtuara. Por kush mund të jenë tre opsionet që mund të çojnë në një zgjidhje të qëndrueshme konfliktit:

Opsioni Nr 1: Marrëveshje paqeje rreth statusquosë së territorit (Pajtimi në tavolinë): Rusia dhe Ukraina do duhet të dakordohen për të ndaluar luftimet si dhe do të vijonin për t’i dhënë zgjidhje diplomatike territoreve të pushtuara. Në këtë opsion, pjesa më e madhe e teritoreve të pushtuara mbetet me një autonomi+ ose një formë që mund të mos shkelë sovranitetin territorial të Ukrainës. Ky opsion do të shmangte vazhdimin e luftës, por mund të shkaktojë tensione të brendshme në Ukrainë, pasi ukrainasit do ta merrnin si një dorëzim në tavolinë të sovranitetit të vendit. Po ashtu, në rrafshin global, ky opsion e konsideron Rusinë si “palë fituese”, duke krijuar një “kuti pandore” të rrezikshëme për pushtimet e tjera.

Opsioni Nr.2: një marrëveshje të garantuar nga OKB dhe USA/NATO. Ky opsion mund të përfshijë një ndalim të luftimeve dhe krijimin e një zone të sigurt për një periudhë kalimtare, gjatë së cilës do të vijonin negociatat për të arritur një marrëveshje afatgjatë. Forcat paqeruajtëse ndërkombëtare mund të vendosen në territoret e pushtuara për të garantuar paqen. Ky opsion respekton disi integritetin territorial të Ukrainës. Por do duhej angazhimi fuqishëm i BE dhe ShBA/NATO-s, që mbështetur edhe nga dështimi në Afganistan mund të mos e pranojnë kurrësesi një rol kaq të drejtpërdrejtë.

Opsioni Nr.3: Fitore e plotë ushtarake e Ukrainës ose e Rusisë, pra “kapitullim” i njërës palë. Nëse Ukraina me ndihmën e Perëndimit arrin të çlirojë të gjitha territoret e pushtuara, konfirmohet një kapitullim i Rusisë dhe një tërheqje e plotë e ushtrisë nga Ukraina.

Nëse Rusia arrin të mposhtë Ukrainën dhe të marrë legjitimitet të plotë mbi territoret e pushtuara, pra edhe njohjen e tyre si pjesë e hartës sëMëmës-Rusi. Kjo edhe mund të çojë në një paqe të shkurtër, por në planin afatgjatë do të shkaktojë më shumë pasiguri dhe tensione globale. Ky opsion është më i rrezikshëm, pasi mund të sjellë një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës që mund të çojë në shkatërrimin fatal të Ukrainës si dhe një izolim të mëtejshëm të Rusisë nga komuniteti ndërkombëtar.

Gjithësesi, çdo opsion mbart mundësi për paqe por edhe rreziqe potenciale. Marrëveshja diplomatike sigurisht ka qenë dhe mbetet më e dëshirueshme për të shmangur humbjen e jetëve njerëzore si dhe shkatërrimin e vendeve ndêrluftuese. Prandaj, e ardhmja do të varet shumë nga vendosmëria për të arritur një zgjidhje të pranueshme dhe afatgjatë për të dyja palët si dhe nga faktorët ndërkombëtarë.

Në shtesë, për të vërtetë me opinionin publik, historia botërore e luftërave nuk e njeh këtë model paqe (të gjithë fitues, ose Win-Win), pasi gjithmonë, ka pasur një palë humbëse dhe një palë fituese. Marrëveshjet e përkohshme mes palëve ndërluftuese (si pushtimi dhe autonomia+ e Krimesë në 2014) mund t’i kenë kënaqur liderët e kohës, por koha na tregoi se nuk u prodhua paqe afatgjatë, përkundrazi. Prandaj, do të lutesha të isha shumë gabim, por një Rusi, qoftë edhe pjesërisht e fituar, që do t’i zgjaste jetën sundimit stalinist të Putinit, nuk do të prodhojë paqe afatgjatë as për Ukrainën dhe Rusinë e gjakosur por as stabilitet për vendet e gjunjëzuara nga demokracia fasadë, shtetet e dështuara dhe pushtetarët e korruptuar.

Ndërsa për oshilacionet staliniste të Putinit, Lavrovit, Vuçiçit, Dodikëve, etj e përsëris edhe më fortë se nuk ka asnjë referencë krahasuese pasi: “Kosova ishte e pushtuar dhe përgjakur në shekuj nga Serbia. Lufta përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës, ndërsa në 9 Qershor 1999 në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja ushtarake ndërmjet “palës humbëse” Ushtria e Millosheviçit si dhe një “palës fitimtare” USA/NATO” !

Nga: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për SK, Rajonin & NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut, ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PDSh,

Këshilltar i Presidentit; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO.

Filed Under: Komente

VENDI I KRIMIT ENDE PA SIMBOLIN E KUJTESËS

April 17, 2025 by s p

80-vjetori i Masakrës së Tivarit(1945-2025)

Në vendet më traditë demokratike me rastin e datave jubilare qeveritë përkatëse formojnë komisione të veçanta për shënimin e ngjarjeve historike. Pikërisht diçka e tillë është pritur të ndodhë me rastin e 80-vjetorit të Masakrës së Tivarit(1 prill 1945), por mungoi angazhimi konkret si nga Kosova dhe Shqipëria, sepse ka qenë e udhës që qeveritë jo veç e veç por së bashku të shënojnë këtë jubile, por siç duket në mungesë të koordinimit dhe të agjendave tjera qeveritare, ky jubile mbeti në heshtje, që nuk mund të arsyetohet, sepse ngjarjet e tilla janë obligim i institucionëve shtetërore.

Nail Draga

Për Masakrën e Tivarit, pas vitit 1990 janë botuar studime dhe botime të veçanta nga autor të ndryshëm shqiptarë duke i ofruar opinionit të gjerë të dhëna për të parën herë për një ngjarje tragjike e cila ishte ideuar e realizuar sipas skenarit të ushtrisë jugosllave. Por pa përgjegjësi nuk është as pushteti në Shqipëri, sepse kolonat e kosovarëve në rrugëtimin e tyre për në Tivar, kanë kaluar nëpër territorin e Shqipërisë, të përcjellur me roje të ushtrisë jugosllave. Dhe pikërisht me 1 prill 1945, ata u masakruan në Tivar te Monopoli i duhanit, ku janë vrarë qindra shqiptarë të Kosovës. Të dhënat numërike janë të ndryshme varësisht prej burimeve, që janë nga disa qindra(454 indvidë) e deri mbi njëmijë. Por, deri sa nuk do të hapën dosjet e arkivave ushtarake e të UDB-ës jugosllave nuk do të kemi të dhëna definitive për numrin e të masakruarve shqiptarë në Tivar. Por, është e pakontestueshme se ata u likuiduan, vetëm se ishin shqiptarë, me qellim të spastrimit etnik te Kosovës, që ishte strategjia e politikës jugosllave të kohës.

Tryezë shkencore në Prishtinë

Më rastin e 80-vjetorit të Masakrës së Tivarit(1945-2025), është pritur që si në Kosovë e Shqipëri ky përvjetor të shënohet me ndonjë veprimtari të veçantë, apo të përbashkët të dy qeverive, por si në të kaluarën edhe ky përvjetor kaloj në heshtje, që nuk mund të arsyetohet më asgjë.
Por, ate që nuk e bënë qeveritë si në Kosovë e Shqipëri për të parën herë në organizim të Institutit Albanologjik në Prishtinë me 3 prill është mbajtur Tryeza Shkencore ”Masakrat ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi 1944-1945(me rastin e 80-vjetorittë Maskrës së Tivarit të vitit 1945)”.
Ishte ky organizimi i parë kushtuar kësaj ngjarje historike në pluralizëm, ku referuesit nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Shqipëria me kumtesat e tyre ofruan të dhëna me interes për masakrat kundër shqiptarëve në përgjithësi e ajo e Tivarit në veçanti.

Konferenca e parë në Ulqin

Cekim me këtë rast se nga data 30-31 mars 2013, në Ulqin në organizim të KKSH, është mbajtur konferenca shkencore “Masakra e Tivarit 1945”, ku me kumtesa kanë marrë pjesë studiues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali Zi (të cilat ende nuk janë botuar) ku për të parën herë është trajtuar çështja e kësaj ngjarje tragjike e shqiptarëve nga Kosova. Ishte ky një takim i veçantë, sepse pjesëmarrësit me 31 mars kanë shkuar në vendin e krimit në Tivar, ku për të parën herë në nderim të viktimave është vendosur kurora me lule.Po ashtu lule janë vendosur edhe më pas në vitin 2015 dhe 2025, por ende mungon pllaka apo monumenti përkujtimor i shkruar në tri gjuhë, si referim për të gjithë ata që duan ta vizitojnë vendin e krimit.

Presidentin nuk ka kush ta këshillojë

Pasi nga data 9-11 shkurt në vizitë zyrtare në Mal të Zi, ishte presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Bajram Begaj, në takimin e zhvilluar me homologun malazias Jakov Milatoviq, sipas mediave janë diskutuar çështje me rëndësi të bashkëpunimit të dy vendëve. Por, në këtë takim me 10 shkurt në Podgoricë presidenti J.Milatoviq, njoftoj se i është kërkuar presidentit Begaj, që në vendin ku kanë humbur jetën në det në afërsi të Shën Gjinit një numër i konsideruar malazezësh më 6 janar të vitit 1916, në nderim të tyre të vendoset një pllakë përkujtimore, e cila nga presidenti Begaj është pranuar më kënaqësi.

Një qendrim i tillë nga presidenti Begaj, është për respekt, por ai është dashur që në këtë takim të inicojë, në mënyrë analoge që në nderim të vrarëve në Masakrën e Tivarit(1 prill 1945), aty të vendoset një pllakë përkujtimore. Por, reagimi i munguar lënë për të kuptuar, së ai nuk ka qenë i informuar personalisht apo nga këshilltarët e tij, duke hapur dilema tjera, që kanë të bëjnë me këtë tragjedi të shqiptarëve nga Kosova në fund të Luftës së Dytë Botërore. Por, shpresoj së një lëshim i tillë, ka mundësi të përmirësohet, sepse deri në vitin tjetër ekziston mundësia të evitohet ky lëshim, sepse të vendi i krimit të monopoli i duhanit në Tivar, duhet të vendoset më së pakut pllaka përkujtimore, si dëshmi e simbolit të kujtesës për këtë ngjarje tragjike.

Përfundim

Përkujtimi i ngjarjeve historike si në nivel lokal e ate kombëtar, përkatësisht shtetëror, paraqet moment reflektimi për qytetarët e mjedisit përkatës ku kontributin e tyre e japin individët, shoqëria civile e sidomos institucionet përkatëse lokale apo ato shtetërore. Por, në këtë aspekt përjashtim bëjnë vendet e pakonsoliduara të cilat nuk janë të përkushtuara ndaj ngjarjeve të tilla ku si rast tipik kemi Masakrën e Tivarit(1 prill 1945), e cila edhe tash në pluralizëm është margjinalizuar nga institucionet qeveritare te Shqipërisë dhe te Kosovës veprim që nuk mund të arsyetohet më asgjë sepse shënimi apo përkujtimi i ngjarjeve të tilla historike është obligim moral, kombëtar, qytetar e institucional si kudo në vendet demokratike.
(Prill 2025)

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT