• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

SEJDI DIDA – INTELEKTUALI QË I DHA HASIT ARSIM, KULTURË DHE IDENTITET

May 23, 2025 by s p

IMG_8118

Shkruan: Dr. Besim Muhadri

Në histori nuk mbeten vetëm ata që kanë zë të lartë, por edhe ata që kanë një fjalë të drejtë dhe një qëndrim të palëkundur. Profesori, intelektuali dhe studiuesi i mirënjohur i Hasit, Sejdi Dida, është ndër ata njerëz që fjala dhe vepra i kanë qenë një – dhe pikërisht për këtë, ai mbeti në kujtesën e shumëkujt si një nga figurat më të ndritura të arsimit, gjuhësisë dhe qytetarisë në rrethin e Hasit dhe më gjerë.

Një jetë që nisi me sakrificë dhe përkushtim

Sejdi Avdi Dida lindi më 16 korrik 1942 në Krumë të rrethit të Hasit, në një familje të varfër, por me tradita atdhetare, që jetonte nga bujqësia dhe blegtoria. Vitet e hershme të jetës së tij, ashtu sikurse të shumë familjeve hasjane, u shenjuan nga një varfëri e thellë. 

Në vitin 1949, në moshën shtatëvjeçare, filloi shkollën fillore në vendlindje. Zgjuarsia, mprehtësia, shkathtësia dhe etja për dije e kulturë u dalluan që në hapat e parë të fëmijërisë së malësorit të vogël. Varfëria dhe vështirësitë e jetës e burrëruan para kohe, dhe në vitet 1953–1956 përfundoi shkollën shtatëvjeçare me rezultate të shkëlqyera.

Udhëtimi i dijes dhe përkushtimit

Edhe pse ende i ri, horizonti i tij kërkonte më shumë. Përpara Sejdiut shpalosej një botë ëndrrash dhe përpjekjesh për dije, e cila, megjithë vështirësitë ekonomike dhe shoqërore, nuk mundi ta ndalë në përparimin e tij kulturor dhe shpirtëror. 

Në vitet 1956–1957 vazhdoi studimet në shkollën dyvjeçare pedagogjike në Shkodër. Zemërbardhësia dhe inteligjenca e bënë të mirëpritur mes bashkëmoshatarëve, duke e inkurajuar edhe më shumë në punën e tij pasionante.

Në vitin 1956, ende vetëm 16 vjeç, u emërua mësues në Shipshan të Tropojës. 

Larg familjes dhe të afërmve, djaloshi i ri mes fëmijëve malësorë, mendjekthjellët dhe fjalëzjarrtë, u bë shpejt i dashur jo vetëm për nxënësit, por edhe për burrat në oda e kuvende. I rikujtonte vitet e asaj kohe me mall të thellë.

Përgjegjësi të mëdha në moshë të re

Në janar të vitit 1961 u transferua nga Tropoja me përshtypjet më të mira. Tashmë më i pjekur dhe energjik, u emërua drejtor i shkollës shtatëvjeçare të Krumës. Ishte vetëm 19 vjeç, por serioziteti dhe përkushtimi i tij i bënë ballë përgjegjësive të mëdha. I duhej të përballonte sfidat e arsimit në Has: arsimimin e djemve dhe vajzave, përgatitjen pedagogjike e shkencore të mësuesve, si dhe shmangien e dukurive negative në sistemin arsimor. 

Frytet e kësaj pune nuk vonuan të shfaqeshin. Emri i tij përmendej me respekt në shkollë, në rrugë, në shoqëri e në kuvende burrash. Edhe të moshuarit e thërrisnin “mësues”. Kjo dashamirësi e shoqëroi gjatë gjithë jetës.

Nga inspektor arsimi në studiues të pasionuar

Në vitin 1963, falë punës së tij të palodhur, filloi punë në Seksionin e Arsimit të Rrethit të Kukësit si inspektor. Kjo detyrë i dha mundësinë të njihte më thellë jetën kulturore të zonave të ndryshme të rrethit. 

I ndërgjegjshëm për rëndësinë e përgatitjes profesionale, vazhdoi studimet në Institutin Pedagogjik dyvjeçar të Shkodrës, dega Gjuhë-Histori, të cilat i përfundoi me sukses në vitin 1965.

Në vitet 1965–1967 ishte drejtor i shkollës në Shalqin, buzë Drinit të Bardhë, ku jo vetëm u mësoi nxënësve gjuhën dhe historinë shqipe, por edhe ua përcolli të vërtetën për ndarjen e padrejtë të Kosovës nga trungu kombëtar. 

Pas përfundimit të shërbimit ushtarak në Korçë, në vitin 1969, u emërua drejtor i shkollës tetëvjeçare në Golaj, ku qëndroi për shtatë vjet. Gjatë kësaj periudhe nisi të mbledhë fjalë të urta popullore, shprehje dhe fjalë krahinore.

Kujtesa gjuhësore dhe shpirtërore e Hasit

Në vitin 1976 u emërua mësues në shkollën e mesme “Skënderbeu” në Krumë. Ky shtegtim i gjatë e i mundimshëm, por i pasur shpirtërisht – nga alpet e Tropojës deri në rrëzë të Pashtrikut – shënoi një epokë të re për studimin e kulturës dhe traditës hasjane.

Nën figurën e një gjuhëtari të mirëfilltë, Sejdiu promovoi njëherësh edhe profilin e një folkloristi dhe etnografi pasionant e të përkushtuar. Me qindra faqe nga ditari i tij janë kushtuar mbledhjes dhe shpjegimit të fjalëve krahinore të përdorura në trevat e Kukësit (Has, Tropojë e Kukës), duke qenë një ndër kontribuuesit e rëndësishëm të fjalorit të gjuhës shqipe dhe të dokumentimit të riteve, zakoneve, traditave dhe historisë hasjane. Artikujt e botuar në gazetat lokale dhe ato shkencore flasin qartë për këtë kontribut.

Pionier i fjalës dhe trashëgimisë popullore

Sejdi Dida ishte pjesëmarrës i rregullt me kumtesa në simpoziume shkencore, duke dëshmuar përkushtimin e tij ndaj kërkimit gjuhësor dhe etnokulturor. Devizë e punës së tij ishte mbledhja dhe ruajtja e fjalës dhe shprehjes së rrallë shqipe, të nxjerra drejtpërdrejt nga goja e popullit. 

Kriteri shkencor i përdorur në përzgjedhjen dhe analizën e tyre mundësoi botimin e shkrimeve të tij në revista si “Gjuha Jonë”, “Nëntori” dhe “Etja”.

Nga viti 1984 deri më 1992, vijoi me përkushtim punën e tij si mësues në shkollën tetëvjeçare të Krumës, duke e sistemuar lëndën e mbledhur me skema dhe skeda të mirëorganizuara. Paralelisht, ishte pjesë aktive e kryesisë për pajtimin e gjaqeve në krahinën e Hasit.

Në krye të muzeut dhe trashëgimisë shpirtërore

Në shtator të vitit 1992 u emërua drejtor i Muzeut të Hasit. Ky emërim u mirëprit nga bashkëqytetarët, kolegët dhe nxënësit, me bindjen se ai do të arrinte të evidentonte më mirë traditat hasjane dhe t’i vendoste në funksion të edukimit estetik dhe atdhetar të brezave të rinj. Nën drejtimin e tij, muzeu synonte të përfshinte edhe trashëgiminë kulturore të Hasit përtej kufirit. 

Bashkëpunimi me revistën “Etja” bëri të mundur dokumentimin e shumë fjalëve të rralla, të shkëputura nga përdorimi për shkak të kohës.

Trashëgimia e një mësuesi të rrallë

Profesor Sejdi Dida ndërroi jetë në moshën 51-vjeçare, në kulmin e veprimtarisë së tij pedagogjike dhe shkencore, duke lënë përgjysmë projektet e shumta që kishte për studimin e traditave popullore dhe historike të Hasit, të cilin e deshi me shpirt. 

Pas vdekjes, Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, e dekoroi Sejdi Didën me Urdhrin e Argjendtë “Naim Frashëri”, së bashku me figura të tjera të shquara të kombit.

Nga dorëshkrimet që kishte lënë, u botua një pjesë e një libri, falë përkujdesjes së bijës së tij, Valdete Cenalia (Dida). Në nder të kontributit të tij në arsim dhe kulturë, me vendim të Këshillit Bashkiak të Krumës, shkolla e re e qytetit mori emrin “Sejdi Dida”.

Përmbyllje

Në historinë e arsimit dhe të trashëgimisë shpirtërore të Hasit, emri i Sejdi Didës mbetet jo vetëm si simbol i dijes dhe përkushtimit, por edhe si një zë i urtësisë popullore që nuk u shua kurrë. Ai nuk ndërtoi vetëm shkolla, por edhe ura përtej kohës, për të ruajtur identitetin dhe fjalën shqipe.

Jam i lumtur që pata fatin ta njihja dhe për një kohë të shkurtër, aq sa lejoi jeta, edhe të bashkëpunoja me të.

Filed Under: Histori

Kur SHBA flet për Kosovën pa folur me Qeverinë

May 23, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Nuk është hera e parë që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kalojnë nëpër sprova. Por, është hera e parë që kjo marrëdhënie vihet në pikëpyetje jo për shkak të ndonjë ndryshimi në orientimin strategjik të SHBA-së, por për shkak të perceptimit se Qeveria e Kosovës po vepron e izoluar, pa koordinim të duhur, dhe nganjëherë në kundërshtim me partnerin e saj më të rëndësishëm. Në këtë kontekst, edhe pse nuk ka një deklaratë zyrtare që shpall ndonjë udhëheqës apo institucion si “persona non grata”, kemi hyrë në një fazë që shumë analistë në Prishtinë dhe jashtë saj e përshkruajnë si një “non grata në heshtje” – një formë izolimi diplomatik të pashpallur, por real.

Marrëdhënie që kanë formuar shtetin

Që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008, SHBA-të kanë qenë sponsori më i rëndësishëm i shtetndërtimit të Kosovës. Ndihma amerikane në proceset e çlirimit, sigurisë, njohjes ndërkombëtare, krijimit të institucioneve demokratike dhe mbështetjes për zhvillim ka qenë vendimtare. Kjo ka ndërtuar një marrëdhënie besimi që është konsideruar model në diplomacinë ndërkombëtare.

Por, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, ky besim ka pësuar tronditje serioze.

Shkëndija e parë: Veriu dhe zgjedhjet e kontestuara
Në prill 2023, zgjedhjet komunale në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës u bojkotuan nga komuniteti serb dhe përfaqësuesit e tij politikë. Megjithë thirrjet ndërkombëtare për shtyrje të procesit dhe krijim të kushteve për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, Qeveria vendosi të vazhdojë me zgjedhjet, duke instaluar kryetarë shqiptarë në komuna pa legjitimitet lokal.

Reagimi i SHBA-së ishte i paprecedent. Ambasadori Jeffrey Hovenier deklaroi më 30 maj 2023:Pasojë direkte ishte pezullimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet e përbashkëta ushtarake – një sinjal i qartë se mbështetja amerikane nuk është e pakushtëzuar.

Rrënja e përplasjes: Asociacioni i Komunave Serbe

Çështja më e ndjeshme mbetet refuzimi i Qeverisë së Kosovës për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të paraparë me Marrëveshjen e Brukselit (2013) dhe të konfirmuar me marrëveshjet e vitit 2023 në Bruksel dhe Ohër. Kryeministri Kurti ka kundërshtuar versionin aktual të asociacionit, duke e konsideruar si kërcënim për funksionalitetin e shtetit dhe rrezik për krijimin e një entiteti destabilizues.

Në vend të tij, është propozuar një draft-statut nga vetë Qeveria, pa koordinim me SHBA-në apo BE-në – i cili u refuzua menjëherë nga ndërmjetësit ndërkombëtarë.

Ndihmëssekretari amerikan, James O’Brien, deklaroi në mars 2024:

Kjo deklaratë u përjetua në Prishtinë si një ultimatum i paprecedent amerikan ndaj Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Një ftohje institucionale dhe strategjike
Pas deklaratave, kanë ndodhur veprime konkrete:

-Nuk ka ftesa për liderët kosovarë në vizita zyrtare në Uashington.

-SHBA nuk e përmend më Kosovën ndër prioritetet strategjike për Ballkanin.

-Mbështetja për anëtarësime në organizata ndërkombëtare është ngrirë.

-Është shtuar koordinimi me Serbinë dhe zbehur kritika ndaj Beogradit.

Në të njëjtën kohë, ambasada amerikane në Prishtinë ka shtuar kontaktet me opozitën politike, shoqërinë civile dhe median – një qasje që zakonisht paraprin ndryshimet politike të mbështetura nga jashtë.

A është kjo një “non grata” e mirëfilltë?

Ligjërisht, jo. Asnjë zyrtar i Kosovës nuk është shpallur “persona non grata” nga SHBA. Por diplomatikisht, distanca aktuale e përmbush përmasat e një “non grata në heshtje”:

-Mungesë takimesh të nivelit të lartë,

-Refuzim i bashkëpunimit në projekte strategjike,

-Mospërfshirje në planifikime rajonale,

-Paralajmërime të hapura për pasoja politike dhe financiare.

Ky është një refuzim i heshtur – por serioz. Dhe për një shtet të vogël si Kosova, ky izolim është thellësisht rrezikshëm.

Një moment kritik për Kosovën

Kosova ndodhet në një moment të brishtë: përballë një Serbie që armatoset, një BE-je të lodhur, dhe një bote që përballet me tensione të reja globale. Në këtë klimë, aleanca me SHBA-në nuk është luks, por domosdoshmëri.

Qeveria e Kosovës duhet të kuptojë se retorika nacionaliste nuk është zëvendësim për strategji shtetformuese, se bashkëpunimi me aleatët nuk është garë për rezistencë, por provë për besueshmëri. Dhe mbi të gjitha, se një “non grata në heshtje” është më e rëndë se një shpallje zyrtare – sepse ftohja ndodh pa paralajmërim dhe pa rrugë të qartë për rikthim.

Heshtja si alarm

Kur SHBA nuk flet më me ty, por flet për ty – dhe shpesh kundër teje – atëherë nuk je më partner. Je kthyer në subjekt shqyrtimi. Kosova duhet të dalë sa më shpejt nga kjo zonë e ftohtë dhe të rikthejë besimin që u ndërtua me mund dhe përkushtim ndër vite. Sepse fati i shtetit të Kosovës nuk mund të ndërtohet në vetmi, por vetëm në partneritet të ngushtë me ata që ishin aty në fillim – dhe duhet të jenë aty edhe në fund.

Filed Under: Rajon

Banaliteti i së keqes…

May 23, 2025 by s p

Artan Nati/

Ne imagjinojmë të keqen me një fytyrë të caktuar, një figurë mizore monstruoze, një ideologji të shtrembëruar ose kënaqësi sadiste në shkaktimin e dhimbjes. Por çfarë nëse e keqja mund të veshë edhe një maskë të zakonshmes, çfarë nëse disa nga krimet më të tmerrshme në histori nuk janë kryer nga njerëz demonikë, por nga njerëz që e shihnin veten thjesht si ndjekës të urdhrave, duke bërë punën e tyre? Ky paradoks i frikshëm është ajo që filozofja Hannah Arendt u përball kur bota kërkoi përgjigje pas disfatës së Gjermanisë naziste për të mbuluar gjyqin e Adolf Ikeman, një zyrtar i lartë nazist i përfshirë në logjistikën e Holokaustit. Pritej që ajo të haste një fanatik të urryer. Në vend të kësaj, ajo pa një njeri me mediokritet shqetësues. Një burokrat i shqetësuar për oraret e trenave dhe dokumentet më shumë sesa për ideologjinë. Mungesa e tij e dukshme e ligësisë e çoi atë në një përfundim thellësisht shqetësues, të përmbledhur në një frazë që vazhdon të na përndjekë, “Banaliteti i së keqes”. Holokausti nuk ishte rezultat i veprimeve të disa përbindëshave,, por rezultati i tmerrshëm i një sistemi ku mijëra individë në dukje normalë, luajtën rolin e tyre pa vënë në dyshim moralin e makinës më të madhe që i shërbenin. Ideja e saj kontraverse ishte se ndonjëherë të këqijat e mëdha kryhen nga njerëz që kanë dorëzuar aktin e të menduarit, vënies në dyshim të urdhrave, duke marrë parasysh pasojat dhe duke u përballur vërtet me moralin e veprimeve të tyre.

Ajo besonte se ai bëri një zgjedhje themelore: zgjedhjen për të hequr dorë nga gjykimi i tij moral, zgjedhjen për të ndaluar së vëni në pikëpyetje, për të ndaluar së pari viktimat e regjimit nazist si qenie njerëzore të vërteta. Ky argument thelbësor ngre një sfidë ndaj besimit tonë ngushëllues. Pyetja që shtrohet është  se ne si individë a do të silleshim ndryshe në rrethana ekstreme? A do të ishim të gjithë heronj dhe rezistues ose të përballeshim me pasojat e ashpra të sfidës? Ku e vendosim vijën ndarëse midis presioneve që një sistem ushtron mbi një individ dhe përgjegjësisë sonë përfundimtare për zgjedhjet që bëjmë?

Mbi të gjitha, në çdo zgjedhje që ne bëjmë, duhet të mendojmë se ne jemi qënie njerëzore dhe politike. Duhet të mendojmë se ndërtimi i një shoqërie më humane, të drejtë, të dhembshur dhe demokratike ndërtohet duke përdorur një etikë pragmatike të bazuar në arsyen njerëzore, përvojën dhe njohuritë e besueshme. Kur hidhni një firmë mendoni se si mund të ndikoj në jetën fëmijëve, të afërmëve, pensionistëve dhe gjithë shoqërisë, ose mund të përfundoni në burg. Ne mbi të gjitha kemi një detyrim moral, por edhe ligjor ndaj njeri tjetrit dhe njerëzimit. Kur shprehni mendimin ose hidhni votën tuaj në punë, parti, qeveri e kudo, mendoni në fillim se ne jemi qënie njerëzore mbi të gjitha dhe jo thjesht një ingranazh në mekanizmin e madh. Me veprimet tona të përditshme ne i japim kuptim jetës sonë e të gjithë shoqërisë. Kjo na bën njerëz dhe i jep kuptim jetës sonë. Kur jemi në familje apo organizata e shoqata ne duhet të mendojmë se kemi detyrim moral, por edhe shoqëror të ngremë zërin për çdo padrejtësi, për çdo manipulim që mund të bëhet për shfrytëzim nga politika ose persona të caktuar të këtyre organizatave dhe jo të fshihemi pas idesë se ne bëjmë detyrën tonë.

Kalimi i shoqërisë tonë nga totalitarizmi në një shoqëri më demokratike ose të hapur nuk është thjesht një çështje ndryshimi politik. Ai kërkon gjithashtu adresimin e ndikimeve të thella psikologjike dhe kulturore të regjimit të mëparshëm. Në shoqërinë tonë ne shpesh shpërblejmë injorancën dhe penalizojmë inteligjencën. Kjo nuk është rastësi, por produkt i remineshencave të komunizmit dhe tribalizmit. Ndoshta është produkt i mentalitetit tonë. Mos ta gjej nga unë, por ta gjej nga perëndia, themi shpesh ne. Zoti e bëri njeriun në imazhin e vetë dhe si të tillë ne kemi detyrim moral e njerëzor të ngremë zërin për çdo gjë që ne e quajmë të padrejtë. Ndryshe nga e keqja tradicionale që ne konsiderojmë, kjo forcë apo e keqe, nuk mund të arsyetohet, ekspozohet ose madje luftohet drejtpërdrejt, ajo përhapet në heshtje duke i bërë njerëzit të verbër ndaj së vërtetës dhe imunë ndaj logjikës që imponon budallallëkun. Por përse kjo forcë ose banalitet është një kërcënim më i madh se e keqja, pse është jo vetëm si një dështim intelektual, por si një krizë morale dhe shoqërore?

Banaliteti i së keqes nuk qëndron vetëm në përhapjen e besimeve irracionale, por edhe në aftësinë e tij për të shtypur diversitetin intelektual dhe diskursin kritik. Kur të gjithë në një grup shoqëror përvetësojnë të njëjtin grup idesh të pashqyrtuara, bëhet më e vështirë të sfidohen ato ide ose të merren në konsideratë perspektiva alternative. Ky homogjenizim intelektual çon në mendimin në grup, ku individët i japin përparësi konsensusit dhe harmonisë sociale mbi mendimin e pavarur dhe eksplorimin intelektual. Rezultati është një shoqëri në të cilën idetë bëhen debate të ndenjura, bëhen sipërfaqësore dhe progresi pengohet. Prandaj shpesh thuhet se: “Mashtrimi më i madh që djalli bëri ndonjëherë ishte të bindte botën se nuk ekzistonte”.

Banaliteti i së keqes nganjëherë qëndron në grumbullimin e ngadaltë të akteve të vogla të pamenduara, bindjes së dorëzuar, gjykimit dhe gërryerjes së aftësisë sonë për të parë njerëzimin tek ata që nuk pajtohen me ne. Rezistenca e vërtetë ndaj së keqes fillon jo vetëm në fushat e mëdha të betejës, por brenda vetes sonë. Ajo kërkon një angazhim të ashpër ndaj mendimit të pavarur për të bërë pyetje të vështira dhe për të pranuar realitetin e pakëndshëm se vija midis heroit dhe pjesëmarrësit mund të jetë më e hollë nga sa guxojmë të imagjinojmë. Të këqijtë dhe psikopatët e vërtetë janë, për fat të mirë, mjaft të rrallë, por, në rrethanat e duhura, të bëhesh i bindur pa ndjenja dhe çnjerëzor në këtë mënyrë mund të bëhet një gjendje e zakonshme. Kur jeta politike atrofizohet dhe debati e vënia në pikëpyetje pushojnë, ndërsa përvoja morale e menduar bllokohet nga brenda, aftësia që rezulton për të keqen mund të përhapet si një epidemi.

Filed Under: ESSE

Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të Ambasadorit Frank G. Wisner II

May 22, 2025 by s p

Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të diplomatit të shquar amerikan, mikut madh të kombit shqiptar Ambasadorit të ndjerë Frank G. Wisner II. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë krahas kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha, kryetarit të Prishtinës z.Përparim Rama, atdhetari Jim Xhema, patrioti Harry Bajraktari dhe familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore e atdhetare të cilët nderuan figurën dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme të Ambasador Wisner.

Në këtë ceremoni solemne, u theksua roli i pazëvendësueshëm që diplomati Wsner pati në mbështetjen e çështjes shqiptare dhe në procesin e shtetformimit të Kosovës.

Kontributi i Ambasadorit Wisner në Kosovë ishte i gjithanshëm dhe me ndikim afatgjatë. Ai ndihmoi në ndërtimin e themeleve të shtetit të ri, përkrahu zhvillimin e institucioneve demokratike dhe punoi pa u lodhur për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Si Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës në vitin 2005, ai luajti një rol kyç në negociatat që çuan në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Përkushtimi i tij ndaj parimeve të lirisë, drejtësisë dhe paqes ishte i palëkundur, dhe ai mbrojti me vendosmëri të drejtën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Në mesin e të pranishmëve, në shenjë mirënjohjeje për të nderuar jetën dhe veprën e Ambasador Wisner kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dëshmoi mirënjohjen e thellë që populli i Kosovës ndjen për Ambasadorin Wisner i cili do mbetet përgjithmonë në kujtesën kombëtare si një mik i çmuar dhe një mbështetës i palodhur i kauzës shqiptare.

Federata Vatra me rastin e 110 vjetorit të themelimit e nderoi dhe vlerësoi me “Mirënjohje” ambasadorin Frank G. Wisner për veprimtari të jashtëzakonshme e kontribut në shërbim të kombit shqiptar.

Filed Under: Politike

SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO AMERIKANË DHE ALEANCA SHQIPTARE NJU XHERSI (NEW JERSEY)

May 22, 2025 by s p

Përurimi i veprave : “Kush na mallkoi…?!” & “Pikëllim dhe shpresë”

Autore: Age Ivezaj (Gjokaj)

PROGRAMI:

Fjalë përshëndetëse – Kryetari i Bashkisë së Garfild-it, z. Everet E. Garnto Jr.

Fjalë përshëndetëse –Themeluesit dhe drejtuesit e Aleancës Shqiptare të Nju Xhersit

“Vështrim i thelluar mbi romanin “Kush na mallkoi?!” – Dr. Yllka Filipi, kryetare e SHSHSHA-së, shkrimtare dhe studiuese

“Saga e malësorëve në një roman” dhe “Një buqetë lulesh plot mall dhe atdhedashuri” – Dr. Bexhet Asani, shkrimtar dhe studiues

“Letërsia si mision” – Arjeta Kotrri (Ferlushkaj), studiuese

“Vështrim kritik mbi përmbledhjen poetike “Pikëllim dhe shpresë” të Age Ivezaj” – Dr. Besim Muhadri, shkrimtar dhe studiues

“Narracion i pikëllueshëm për fatin e keq në dashuri dhe emigracionin apo murtaja e bardhë për shqiptarët”, – Mëhill Velaj, shkrimtar

Fjala përshendetëse e autores, Age Ivezaj Gjokaj

Cocktail

*Me praninë e veçantë të gazetarit dhe analistit, Denion Ndrenika që mundëson lidhjen direkte me Shqipërinë, në kohë reale gjatë aktivitetit.

Garfild, Nju Xhersi

(Garfield, New Jersey)

Më 24 maj 2025

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT