• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

VATRA në krah të liderëve të UÇK-së: procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë dhe i paanshëm

May 13, 2025 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra qëndron në krah të liderëve të UÇK-së dhe shpreh besimin e palëkundur në pastërtinë e luftës çlirimtare dhe kërkon që procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë e i paanshëm. Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha deklaroi pas takimit me deputetin e Parlamentit të Kosovës z. Artan Behrami. “Sot prita në një takim të veçantë z. Artan Behrami, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për procesin që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave të lirisë që udhëhoqën një luftë të drejtë për çlirimin e popullit të Kosovës nga një regjim shtypës dhe kriminal.

Federata VATRA, si zëri historik dhe institucional i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpreh besimin e palëkundur në pastërtinë e luftës çlirimtare dhe kërkon që procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë, i paanshëm dhe të garantojë transparencën që meriton historia jonë kolektive.

VATRA qëndron krah liderëve të UÇK-së që sot padrejtësisht po mbahen larg atdheut, me bindjen se drejtësia do të triumfojë dhe do të vulosë edhe një herë legjitimitetin e luftës sonë për liri” deklaroi kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha.

Filed Under: Rajon

ZEFI I VOGËL NË KRYENGRITJEN E VITIT 1912

May 13, 2025 by s p

Prof. Dr. Lush Culaj/

Zef Kolë Ndoka (Zefi i Vogël) ka qenë biri i Kolë Ndokës nga Shëngjini i Fanit. Familja e tij ishte shpërngulur e vendosur në qytetin e Gjakovës për arsye ekonomike. Aty edhe lindi Zefi i Vogël më 1883. Për fëmijërinë e tij nuk kemi shumë të dhëna. Dimë se familja e tij ishte një familje atdhetare dhe se këto ide u bartën te Zefi që në vegjëli. Në moshë fare te re ishte armatosur bashkë me vëllezërit, të cilët kishin hyrë në radhët e luftërave të lirisë, në çetat e maleve nën udhëheqjen e Bajram Currit. Bashkëkohësit e tij e quanin Zefin e Vogël trim prej natyre, luftëtar e atdhetar që e donte me gjithë shpirt vendin e tij. Zefi i Vogël, duke qenë se banonte në Kosovë, e lidhi luftën e tij me atë të luftëtarëve kosovarë. Pikërisht në Gjakovë, edhe me sugjerimin e Bajram Currit, krijoi një çetë kryengritëse, e cila me luftërat e saj heroike u bë shumë e dëgjuar në Kosovë. Ajo u bë tmerr për pushtuesit turq dhe më vonë për ata serbë. Me guximin dhe trimëritë e tij, Zefi i Vogël u bë shumë i njohur në gjithë Kosovën dhe, me të drejtë, cilësohej si një ndër udhëheqësit e çetave dhe ndër veprimtarët politikë më të shquar, jo vetëm në atë trevë, por edhe në të gjithë Shqipërinë Verilindore. Kudo dhe kurdoherë ai frymëzohej nga ideale të qarta kombëtare, propagandonte gjithnjë e pa u lodhur luftën kundër zgjedhës së rëndë të pushtuesit turk. Aktiviteti atdhetar i Zefit të Vogël zgjati me dekada por unë do të ndalem ta shtjelloj veprimtarinë e këtij trimi dhe atdhetari të shquar vetëm në kryengritjen shqiptare të vitit 1912.

Ndonëse në moshë të re, Zefi i Vogël arriti të kuptonte nevojën e bashkimit të forcave kryengritëse kundër pushtuesit turk, se pa një bashkim të tillë nuk mund të arrihej fitorja e dëshiruar dhe për ta ngulitur këtë mendim e bindje ai punoi me shumë përkushtim. Për çështjen e bashkimit kombëtar ai punoi në të dyja anët, si në Kosovë, ashtu dhe me atdhetarët e vendlindjes së tij.

Në zbatim të këtyre ideve, Zefi i Vogël ishte ndër luftëtarët që më 1912 kërkuan krijimin e një komiteti të përgjithshëm për drejtimin e gjithë veprimeve luftarake kundër pushtuesve turq dhe ishte njëri ndër nënshkruesit e parë të këtij akti. Çeta e Zefit të Vogël përbëhej kryesisht nga fandës me banim në Gjakovë e rrethinë, të gjithë besnikë të prijësit tyre. Zefi i Vogël u lidh me miqësi e bashkëpunim të ngushtë me Bajram Currin, Bajram Daklanin, Bajram Nimanin, Sali Manin, Sali Nivicen, Niman Ferizin, Asllan Currin, Mehmet Zajmin, Mark Nikoll Çetën, Preng Tuc Dodën etj. Bashkëluftëtarë të tij të dalluar ishin edhe luftëtarët e tjerë të shquar për lirinë e Kosovës: Zef Gjidoda dhe Pjetër Çeli.

Zefi i Vogël( 1883-1922)

Në rrethin e Pejës dhe të Gjakovës filluan përleshjet e armatosura më të shpeshta ndërmjet çetave dhe reparteve të ushtrisë turke. Ndeshjet e armatosura shpejt u përhapën në Vuçitërnë dhe në Llap, ku turqit e rinj agjitonin kundër Hasan Prishtinës dhe aty lindi konflikti i armatosur. Për përgatitjen e kryengritjes së armatosur krahas veprimtarisë që po zhvillonin Komiteti Qendror dhe komitetet e fshehta për në nahijen e Gjakovës dhe në kazanë e Pejës u shquan Zefi i Vogël, Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Pjetër Çeli, Halil Mehmeti etj. Edhe në kryengritjen e vitit 1910 Zefi i Vogël me çetën e tij ishin shumë aktivë dhe qëndruan përkrah atdhetarëve më të shquar të Kosovës.

Për të siguruar udhëtimin e mëtejshëm të Komisionit për në Prizren, më 10 mars, skuadra zbulimit, e cila e shoqëronte ministrin e Stambollit, shkoi për të spastruar rrugën, e cila ishte bllokuar nga kryengritësit. Ndonëse forcave përcjellëse të komisionit u shkoi në ndihmë ushtria e garnizonit të Gjakovës, ajo u sulmua nga dy çeta të mëdha shqiptare, që drejtoheshin nga Mahmut Zajmi, Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani. Beteja që u zhvillua afër fshatit Bishtazhin ishte shumë e rreptë dhe zgjati katër orë. Ushtria turke përdori edhe topat dhe pushkëmitralozat. Megjithatë, ajo pësoi humbje të madhe duke lënë në fushën e luftës 40 luftëtarë të vrarë dhe 20 të plagosur. Trimëria e Zefit të Vogël dhe bashkëluftëtarëve spikati në këtë betejë. Ekspeditat ushtarake që qarkullonin në viset shqiptare përherë lëviznin me drojë nga çeta e Zefit të Vogël dhe çetat e tjera çlirimtare që vepronin në Kosovë. Këtë e dëshmon e dhëna se si rrugës për në Shkodër, për t’iu shmangur sulmeve të çetave kryengritëse, Haxhi Adil Beu pranoi të kalonte nëpër rrugë tërthore, nëpër të cilat mezi mund të përbiroheshin kuajt. Megjithëkëtë, jo larg Urës së Vezirit, në kufirin midis Lumës e Mirditës, eskorta e ministrit osman u sulmua nga çetat e Zefit të Vogël, Mahmut Zajmit, Bajram Daklanit dhe Pjetër Çelit. Gjatë këtyre përleshjeve u plagosën disa nëpunës. Njëra ndër përparësitë e Zefit të Vogël ishte se ai, si udhëheqës i çetës, ishte njohës i mirë i terrenit dhe krahas afinitetit luftarak dinte të shfrytëzonte me mjeshtri edhe terrenin e përshtatshëm për të zënë prita për forcat armike.

Përleshje ndërmjet çetave shqiptare dhe forcave të ushtrisë e të xhandarmërisë u zhvilluan edhe në kazanë e Prishtinës. Më 11 mars u zhvilluan luftime disaorëshe midis kryengritësve të Rekës së Gjakovës dhe forcave të ushtrisë e xhandarmërisë osmane. Nga një njoftim i argjipeshkvit të Shkupit, Lazër Mjedës, bëhej e ditur se në fillim të marsit të vitit 1912 çetat kryengritëse, siç thuhej, të përbëra “nga myslimanë e të krishterë” po përlesheshin jashtë qyteteve dhe po vrisnin ushtarë osmanë.

Pas humbjeve mytesarifi i Pejës në shenjë hakmarrjeje urdhëroi sulmin e forcave të tij mbi fshatin e Novosellës, që ishte pronë e Mahmut Zajmit. Mahmut Zajmi ishte nipi i Bajram Currit dhe ishte i përndjekur nga forcat turke. Ushtria e rrethoi fshatin dhe e bombardoi pamëshirshëm me artileri, duke djegur e rrënuar kullën e këtij prijësi dhe shtëpinë e fshatit. Nga tronditjet e granatimeve vdiq edhe e ëma e tij (motra e Bajram Currit, kurse nga përleshje që u zhvillua midis një çete shqiptare dhe forcave të ushtrisë dhe të xhandarmërisë osmane, pranë fshatit Zllakuçan, afër Pejës, mbetën të vrarë tre ushtarë dhe dy xhandarë. Pa dyshim se edhe në këtë aksion do të ishte prezent Zefi i Vogël, aq më tepër kur dihen lidhjet e tij me kryengritësit e këtij rrethi.

Meqenëse kjo lëvizje kishte për bazë kauzën kombëtare, gjithnjë e më shumë po gjente mbështetjen e popullit dhe radhët e çetave kryengritëse po shtoheshin dita ditës. Kështu, prijësit e qëndresës së armatosur në Sanxhakun e Pejës – Mahmut Zajmi e Zefi i Vogël, në fillim të marsit kishin në radhët e tyre 700 kryengritës, kryesisht të kazasë së Pejës. Shtëpitë që kishin më shumë se 3 djem duhej që njërin prej tyre ta çonin në radhët e luftëtarëve, ose të paguanin 55 lira. Një organizim i tillë siguroi edhe suksese të lakmueshme të kryengritësve. Kështu, vetëm çeta e Mahmut Zajmit dhe e Zefit të Vogël, që nga fillimi i përleshjeve me forcat e ushtrisë dhe të xhandarmërisë e deri në fillim të prillit kishte vrarë rreth 200 ushtarë dhe 20 oficerë osmanë. Edhe kjo e dhënë dëshmon për trimëritë e Zefit të Vogël dhe të çetës të tij, por edhe për urrejtjen që kishin forcat ushtarake turke ndaj tij. Emri i tij ishte bërë tmerr për forcat pushtuese.

Zgjerimi i kryengritjes së çetave të armatosura në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Malësinë e Gjakovës parashtroi nevojën për t’i vënë ato nën një qendër drejtuese. Kjo ishte arsyeja që, në mbarim të prillit të vitit 1912, drejtuesit e kryengritjes së këtyre zonave Mahmut Zajmi, Pjetër Çeli, Zefi i Vogël, Halil Mehmeti dhe Ibush Jahja u bënë thirrje të gjitha shoqërive e klubeve kombëtare dhe përgjithësisht atdhetarëve brenda dhe jashtë atdheut të bashkoheshin nën një komitet dhe me luftë të përbashkët të jetësohej pavarësia e Shqipërisë. Një rol dhe kontribut të veçantë në këtë drejtim e dha edhe ideologu i kryengritjes të vitit 1912, Hasan Prishtina. Zefi i Vogël gëzonte respekt të veçantë edhe nga Hasan Prishtina. Ai respekt nuk ishte arritur me fjalë, por me veprime konkrete luftarake dhe përkushtimin e Zefit të Vogël ndaj çështjes kombëtare.

Ndërkohë luftime të përgjakshme po zhvilloheshin në Kazanë e Pejës. Në Malësinë e saj prej kohësh kishte filluar grumbullimi i forcave të mëdha kryengritëse. Gazeta “L’indepedent” shkruante se çetat përreth Pejës po shumoheshin dhe se në krye të tyre ishte Mahmut Zajmi, me bashkëpunëtor të ngushtë Zefin e Vogël. Shkrimi i gazetave të huaja dhe pasqyrimi i luftës çlirimtare të Zefit të Vogël dhe çetës të tij është edhe një dëshmi për autoritetin që e kishte krijuar Zefi në përmasa të gjera. E njëjta gazetë shkruan se Çetës së Mahmut Zajmit iu bashkua edhe Hasan Ballanca, ish-deputet i Dibrës. Sipas raportit të konsullit austro-hungarez më 6 maj kryengritësit e anës së Pejës, të prirë nga rugovasit, prenë lidhjet telegrafike ndërmjet Pejës, Plavës, Gucisë dhe Rozhajës. Ndërkaq, Çeta e Mahmut Zajmit dhe e Zefit të Vogël sulmoi forcat osmane që po i shkonin në ndihmë garnizonit të Pejës nga Gjakova, duke ndërprerë lidhjet midis forcave osmane të këtyre dy qyteteve. Po kështu u ndërprenë edhe lidhjet telegrafike midis Pejës, Gjakovës dhe Mitrovicës.

Në thirrjen drejtuar popullit shqiptar, në fillim të muajit maj, nga Malësia e Gjakovës shtrohej kërkesa e bashkimit të kryengritësve nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar, i cili duke pasur edhe një organ shtypi në gjuhë të huaj do ta propagandonte programin e luftës së armatosur të popullit shqiptar: “Lirinë administratore të Shqypëniës”. Thirrja ishte nënshkruar nga Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Pjetër Çeli, Halil Mehmeti, Idriz Jaha, Hasan Ballanca dhe nga Sali Hoxhë Elbasani, si sekretar i përgjithshëm. Çetat shqiptare vepronin varësisht nga rrethanat. Herë bashkë e herë ndaras. Ato i shkonin në ndihmë njëra-tjetrës. E rëndësishme ishte që ato koordinoheshin mes tyre shumë mirë. Edhe luftëtarët e çetave ndodhte që lëviznin nga njëra çetë në tjetrën, por në shumicën e sulmeve dhe betejave pranë Zefit të Vogël ka qëndruar shoku dhe bashkëluftëtari i tij Pjetër Çeli. Edhe veprimtaria atdhetare e tij përmendet në një sërë dokumentesh e materialesh historike.

Pas vendimit që komandantët e forcave kryengritëse morën në Rekë, nisi sulmi mbi Gjakovën më 10 maj 1912 nga të katër anët. Sulmi zgjati tri ditë e tri net. Në sulm mori pjesë e gjithë nahija e Gjakovës. Një pjesë e kryengritësve, nën drejtimin e Zefit të Vogël Bajram Daklanit dhe Zog Avdylit filluan sulmin, kurse nga një drejtim tjetër sulmuan forcat e drejtuara nga Ali Binaku, Qerim Binaku dhe bajraktari i Krasniqes, Bajram Mani, Hasjanët, nën komandën e Myftyr Sylës, sulmuan nga Ura e Tabakëve, kurse grupi i katërt marshoi drejt lagjes së romëve. Pikëtakimi ishte lënë te sarajet e kajmekamit. Kryengritësit patën mbështetje edhe të banorëve të qytetit. Mbrojtësit kishin epërsi në armatim të rëndë, artileri dhe mitraloza. Luftimet zgjatën deri në mëngjesin e ditës së nesërme. Përleshjet ishin të ashpra e të përgjakshme. Kryengritësit depërtuan në pjesën periferike të qytetit në lagjen Gecaj, prej nga u furnizuan me gjashtë arka municion, që i kishte lënë ushtria osmane, e cila u tërhoq në qendër të qytetit.

Sulmi mbi qytet filloi në mëngjesin e 11 majit. U zhvilluan luftime të përgjakshme që, siç u tha, zgjatën tri ditë. Edhe pse u vunë nën zjarrin e dendur të mitralozave dhe të artilerisë, kryengritësit luftuan me vendosmëri. Mirëpo, për mungesë të municioneve, u detyruan të pranonin një armëpushim dhjetëditor që u arrit me ndërmjetësinë e Riza bej Kryeziut. Megjithatë, sulmi mbi Gjakovë pati jehonë në trevat e tjera dhe përshpejtoi përfshirjen e popullsisë së tyre në luftën e armatosur.

Bashkëpunimin dhe unitetin ndërmjet krerëve të kryengritjes na dëshmon edhe Ernest Koliqi në librin Kryengritja e Dedë Gjo Lulit (1911-1971), botuar në Romë në vitin 1971, ku ndër të tjera në nëndarjen “Vllaznimi i elementeve” theksonte: “Kurrë ndërmejt të myslimanëve e të krishterëve s’ asht kenë ma vllaznim i ngushtë se tash. Mbrojtja e idealit kombëtar ka zhduk çdo mëri. “Fandësit e Kosovës, nën prirjën e Zefit te Vogel trim me za, të Pjetër Çelit e të Zef Gjidodës, luftuen përherë e luftojnë me partinë e Bajram Beg Currit” Kryengritësit kishin marrë me kohë masat e nevojshme mbrojtëse për mbajtjen e Kuvendit në Junikut, i cili përfundoi me miratimin e kërkesave ose një memorandumi prej 6 pikash, të cilat ua paraqitën përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Shkup dhe Portës së Lartë.

Në këtë memorandum përfshiheshin këta kërkesa kryesore:

Shqipërisë t’i jepet autonomia;

Në tërë Shqipërinë të ngrihet flamuri kombëtar;

Guvernatori i përgjithshëm i Shqipërisë të zgjidhej nga pasardhës të princave e princërve shqiptarë;

Në vend të nëpunësve të huaj të viheshin nëpunës shqiptarë;

Gjuhë zyrtare të bëhej gjuha shqipe;

Zbatimi i këtyre kërkesave të garantohej nga Fuqitë e Mëdha

Edhe në Kuvendin e Junikut Zefi i Vogël ishte ndër udhëheqësit e çetave që respektohej në mënyrë të veçantë. Fjala dhe mendimi i tij respektoheshin nga të gjithë krerët shqiptarë të mbledhur në këtë kuvend.

Përballë një kryengritjeje të re shqiptare, të fuqishme dhe të organizuar, me një program politik që u shpall botërisht në Kuvendin e Junikut, xhonturqit përqendruan forca të shumta ushtarake në Kosovë. Në Ferizaj u sollën tri regjimente të Divizionit të Stambollit. Në Mitrovicë ishin përqendruar një regjiment i plotë, një batalion pushkatarësh dhe dy bateri artilerie; në Prishtinë një regjiment kalorësie dhe një bateri artilerie; në Prizren një regjimet kalorësie dhe në Pejë një regjiment tjetër këmbësorie. Në Gjakovë gjendeshin në gatishmëri një regjiment këmbësorie, një regjiment artilerie fushore dhe një batalion pushkatarësh. Në fundin e majit kryengritësit filluan veprimet e organizuara luftarake kundër trupave turke. Të parët u hodhën në luftë, pas Kuvendit të Junikut, kryengritësit që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit dhe që udhëhiqeshin nga Hasan Prishtina e nga Bajram Curri. Një pjesë e këtyre forcave, rreth 2000 veta, të përqendruara në fshatin Strellc, nën drejtimin e Isa Boletinit, të Bajram Daklanit, të Sadik Ramës, të Mahmut Zajmit, të Zefit të Vogël etj. filluan më 31 maj sulmin mbi Pejë, ku asgjësuan pozicionet ushtarake dhe postat e xhandarmërisë të rrethinave të saj. Luftimet ishin të rrepta dhe zgjatën disa ditë. Garnizoni i qytetit ishte në prag të kapitullimit. Në ndihmën atij i erdhën forca të reja ushtarake.

Në betejën e Istogut u vra me dinakëri edhe Miftar Syla, bajraktar i Bytyçit. Ndërkaq, dy taborë që u dërguan në ndihmë nga Jeni Pazari, ndeshën në rezistencën e fuqishme të kryengritësve shqiptarë te Hani i Rakoshit, më 5 qershor 1912.

Kryengritësit nga kazaja e Pejës, Drenica, Shala dhe Llapi, të prirë nga Mahmut Zajmi e Zefi i Vogël i shpartalluan plotësisht forcat osmane. Në shenjë hakmarrjeje forcat osmane bombarduan fshatin Veriq në lindje të Gurrakocit, ku u vranë 60 burra, gra e fëmijë. Me gjithë masakrat e bëra nga pushtuesit, Zefi i Vogël me bashkëluftëtarë ishte i vendosur në idenë e tij për jetësimin e Kuvendit të Junikut dhe platformën për luftë çlirimtare.

Gjithsesi epiqendra e kryengritjes së përgjithshme gjithnjë mbetej Vilajeti i Kosovës. Menjëherë pas përfundimit të punimeve të Kuvendit një pjesë e drejtuesve të kryengritjes shkuan në krahinat e tyre për organizimin e kryengritjes dhe për udhëheqjen e saj. Hasan Prishtina me drejtuesit e çetave hartuan planin për sulmin e përgjithshëm në qytetin e Pejës. Rreth 2000 kryengritës së Malësisë së Gjakovës, të Vokshit, të Rekës së Keqe dhe të Kazasë së Pejës u përqendruan në fshatin Strellc, në jug të Pejës. Pjesa tjetër e tyre mbeti edhe më tej në Junik, për ta penguar depërtimin e forcave osmane nga Gjakova në Pejë nga ky drejtim.

Sipas njoftimeve, duke filluar prej 20 korrikut, Bajram Curri nuk ishte paraqitur në asnjë vend publik, prandaj turqve të rinj, u zgjonte kureshtje edhe humbja e gjurmëve të Bajram Currit. Në të vërtetë, ky me bashkëpunëtorët dhe bashkëluftëtarët e vet kishte arritur në Ferizaj. Aty u takua me luftëtarët dhe prijësit e Gjakovës dhe të rrethinës, siç ishin Zefi i Vogël, Shaban Binaku, Bajram Daklani etj. që gjendeshin aty që nga 14 korriku. Bajram Curri kishte respekt të veçantë për Zefin e Vogël, por realisht respekti dhe bashkëpunimi i sinqertë ishte i ndërsjellë.

Aksionet e armatosura të çetave kryengritëse u fuqizuan në gjysmën e muajit korrik në Malësinë e Gjakovës dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Në këto krahina, gjithnjë kryengritëse e liridashëse, i kishin formuar çetat kryengritësve që më parë Zefi i Vogël, Bajram Daklani, Mahmut Zajmi dhe Mehmet Belegu, të cilat përbënin një forcë kryengritëse deri në 500 veta.

Pas mbarimit të afatit dyjavor të armëpushimit, i lidhur midis drejtuesve të kryengritjes së Malësisë së Gjakovës dhe kajmekamit të Gjakovës, Zija Beut, u mbajt takimi i drejtuesve të kryengritjes së kësaj zone, sikurse ishin: Mahmut Zajmi, Halil Mehmeti, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Pjetër Çeli, disa prijës së Maleve të Dibrës, si dhe Hoxhë Myslimi i Elbasanit, i njohur si njeri i Ismail Qemalit. Pasi e kishin çliruar Gjakovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, kryengritësit i përqendruan forcat e tyre në luftën për ta marrë Prishtinën, të cilën e çliruan më 21 korrik 1912.

Marshimi i grupit më të madh të kryengritësve nga Ferizaj u bë me anë të rrugëve tokësore nga Karadaku, përmes Grykës së Kaçanikut, si dhe me anë të hekurudhës Mitrovicë-Shkup. Më 9 gusht Hasan Prishtina ia paraqiti qeverisë turke programin prej 14 pikash dhe, meqë qeveria turke e vonoi përgjigjen ndaj 14 kërkesave të shqiptarëve, kryengritësit marshuan drejt Shkupit. Grupi i parë, i udhëhequr nga Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani, hynë të parët në Shkup më 12 gusht. Pikërisht hyrja e çetës së parë të Zefit të Vogël në Shkup është edhe një dëshmi shtesë për trimërinë e tij e të çetës së tij dhe për përkushtimin e vendosmërinë për ta çliruar kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës. Ushtria turke në qytet, me gjithë përgatitjet, nuk bëri rezistencë. Më 13 gusht arriti grupi tjetër i kryesuar nga Isa Boletini, ndërsa një ditë më vonë edhe grupi kryesor i përbërë prej 6000 vetash me muzikë dhe flamuj kombëtarë, i drejtuar nga Bajram Curri.

Gazeta e Sofjes “Preporec” shkruante se kryengritësit u pritën si çlirues në stacionin e trenit nga mijëra qytetarë. Gazeta “Shkupi” shkruante se Bajram Daklani, bashkë me kryengritës e qytetarë, sapo hyri në qytet nisi luante valle në sheshin e qytetit.

Hyrja në Shkup e kryengritësve shqiptarë, nga të gjitha viset e Kosovës, të udhëhequr nga atdhetarë të shquar, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Budakova, Idriz Seferi, Zefi i Vogël, Bajram Daklani, Mehmet Shpendi etj. ishte shumë entuziaste.

Ushtria turke që gjendej në qytet, ashtu siç ndodhi edhe në Prishtinë, ishte shumë e frikësuar dhe e shqetësuar e nuk dinte se ç’po ndodhte. Ajo nuk bëri kurrfarë rezistence. Me të hyrë të kryengritësve në Shkup, ata ia mësyjnë burgut, ku liruan ata afro 1000 të burgosur politikë shqiptarë e kryengritës të tjerë.

Askush s’mund t’i mbante lotët nga gëzimi. Në popull flitej se Hasan Hyseni, së bashku me Bajram Daklanin, Mehmet Shpendin e Zefin e Vogël, e kishin ngritur të parët flamurin shqiptar në Shkup, më 12 gusht 1912. Për këtë akt madhështor dhe për veprimtarinë atdhetare të Zefit të Vogël në çlirimin e Shkupit shkruan shumë gazeta vendëse dhe të huaja. Nami dhe reputacioni i Zefit të Vogël u ngrit edhe më shumë.

Si rezultat i luftërave antiturke, të cilat u përmbyllën me kryengritjen e madhe të vitit 1912 dhe si rezultat i mbështetjes ndërkombëtare, në veçanti asaj që vinte nga Austro-Hungaria, u arrit të shpallej Pavarësia e Shqipërisë. Për ta arritur në këtë fitore të madhe pa dyshim që një ndihmesë të rëndësishme e ka dhënë edhe Zefi i Vogël me çetën e tij. Në kuvendin kombëtar të Vlorës Zefi i Vogël ishte pjesëmarrës, duke e radhitur veten e tij ndër atdhetarët e shquar të kombit shqiptar, si njëri ndër përkrahësit dhe themeluesit e shtetit të parë shqiptar.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë ishte akti më kulmor, ishte kurorëzim i gjitha luftërave shumëshekullore të popullit shqiptar, por me këtë akt nuk mori fund çdo gjë. Për shqiptarët u krijua një gjendje e re politike tepër e rëndë dhe e rrezikshme. Trojet shqiptare u sulmuan tani nga pushtuesit e rinj ballkanikë, të cilët synonin t’i copëtonin tokat shqiptare për t’i përmbushur lakmitë e tyre shoviniste. Përpara patriotëve e para gjithë popullit shqiptar dilnin detyra të reja dhe më të vështira për t’i bërë ballë këtij pushtimi të ri, për ta mbrojtur me çdo kusht vendin nga këta pushtues, për ta rimarrë përsëri në dorë fatin e shtetit të ri të sapokrijuar.

Në të gjitha luftimet që i zhvilloi Çeta e Zefit të Vogël, si kundër ushtrisë turke, ashtu edhe kundër ushtrisë serbe, tregoi trimëri e heroizëm të rrallë. Ata qenë të pranishëm kudo që e kerkonte nevoja në mbrojtje të popullsisë civile si dhe në luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga ky pushtim i ri. Duke vështruar me kujdes jetën dhe veprimtarinë e Zefit të Vogël, të bie në sy se ai kishte raporte të mira me të gjithë krerët e lëvizjes çlirimtare në Kosovë, por në veçanti me Bajram Currin, me të cilin asnjëherë nuk i shkëputi lidhjet.

Edhe në këtë periudhë luftërash për mbrojtjen e shtetit shqiptar, spikati veprimtaria atdhetare e Zefit të Vogël të Fanit. Çeta e tij u bë tmerr për ushtritë serbe në gjithë krahinën midis Gjakovës dhe Prizrenit. Banorët e fshatrave Bordosanë, Kusar, Bishtazhin e Marmull, Resnje, Doblibare e Reke e pritën dhe e përcollën Zefin e Vogël me çetën e tij si djalin e tyre, si kreshnik të lirisë që i mbrojti në çdo rast nga sulmet dhe zullumet serbo-malazeze. Udhëheqësit e Serbisë nuk i kursyen dhuratat, paratë e gradat, për t’i bindur patriotët shqiptarë e çetat e tyre kryengritëse të ulnin qëndresën e tyre dhe kështu t’i asgjësonin drejtuesit e tyre, por e gjithë kjo nuk dha rezultat. Urrejtja për Serbinë ishte e madhe dhe mizoritë e tyre shqiptarët i mbanin mend përjetë.

Në betejat kundër pushtuesve serbë në Rrafshin e Dukagjinit, përballë forcave të shumta serbe, qëndronin çetat e Zefit të Vogël, Sadik Ramës, Abaz Ostrobuzit etj., të cilat me luftërat e tyre vetëmohuese arritën të çlironin shumë fshatra midis Pejës dhe Istogut.

Kur ia hedhim një shikim këtij pasqyrimi të aktivitetit të Zefit të Vogël vetëm brenda një viti dhe shohim pjesëmarrjen e tij në aq shumë aksione, në të cilat u printe luftëtarëve të tij për çlirimin e Kosovës, vërtet e shohim se kemi të bëjmë me një personalitet dhe luftëtar të madh të çështjes kombëtare.

Filed Under: Histori

Më 13 maj 1944 u krijua “Lidhja Shkodrane”

May 13, 2025 by s p

Instituti “Lumo Skendo”/

Në Shkodër më 13 maj 1944 u krijua nga 150 përfaqësues së qarkut të Shkodrës e më gjerë, “Lidhja Shkodrane”, një marrëveshje midis Ballit Kombëtar, nënshkruar prej Mid’hat Frashërit dhe Lec Kurtit, legalitetit të përfaqësuar nga Ndoc Çobaj e Shefqet Muka, dhe Indipendentët, nga Gjon Marka Gjoni e Sulçe beg Bushati, me program qëndresën ndaj mësymjes të ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe luftën kundër bashkëpunimit komunist shqiptaro-jugosllav, që po rezikonte ekzistencën e kombit shqiptar. U formua edhe Komiteti Ekzekutiv i Lidhjes, me pjesëmarrës nga të tre grupimet kryesore.

Filed Under: Emigracion

EKREM BARDHA NJË ZEMËR E MADHE E NJË SHPIRT I BARDHË – VEPRIMTAR, ATDHETAR DHE VIZIONAR I PËRKUSHTUAR I KOMBIT SHQIPTAR

May 13, 2025 by s p

Xhemail Peci/

Ekrem Bardha i takon brezit të atdhetarëve shqiptarë të cilët u larguan nga mëmëdheu të shtrënguar nga rrethanat e kohës, por që nuk ia kthyen shpinën kurrë tokës që i lindi e i rriti. Pa dyshim, një brez mëmëdhetarësh të devotshëm, të cilët ndonëse larg atdheut, i vunë krahët atdheut dhe bën të pamundurën të mundur.

Përveç se është një njeri i dëshmuar i sukseseve të shumta, Ekrem Bardha është para së gjithash e mbi të gjitha, një atdhetar i devotshëm, i cili tërë jetën e tij mendoi, punoi e veproi për çështjen e madhe të kombit, për lirinë dhe demokracinë e tij.

Tek ai mishërohen më mirë se kudo, dashuria e pakufishme për atdheun, përkushtimi i palodhur për kauzën e shenjtë kombëtare si dhe veprimtaria e gjithanshme në shërbim të kësaj kauze. Tek ai shpaloset jo vetëm krenari e të qenunit shqiptar e bir shqiptari, por edhe gatishmëria për t’i shërbyer një misioni sa fisnik po aq edhe bujar, të trashëguar nga të gjithë brezat e atdhetarëve shqiptarë, misionit për ta ribërë Shqipërinë dhe për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve, jo vetëm me një devotshmëri të paparë por edhe me një shpresë të gjallë e me një besim të patundur, se triumfi i idealeve kombëtare nuk është thjesht një ëndërr, por një imperativ që koha ua vuri atyre me peshën e viteve mbi supe.

Ekrem Bardha është personaliteti aq i veçantë, që të kujton thënien e njohur se atdheu fillon tek zemra e nënës, tek Lokemadhja me emrin Bule Bardha. Shqipëria fillon tek ajo, sepse Shqipëria merr jetë tek ajo, sepse është ajo që merr forcë dhe zemër nga Shqipëria, sepse është pikërisht ajo që ua mbajti të gjallë kujtimin dhe dashurinë për Shqipërinë të bijve të saj, edhe kur u larguan nga toka mëmë. Pa dyshim një zonjë fisnike, e shquar për dashuri ndaj atdheut dhe njerëzve të tij, por e shquar edhe për shpirtmadhësi e për një qëndresë epike.

Në të vërtetë, shqiptarët e Amerikës kanë një vend nderi, jo vetëm në historinë e shtetformimit të Shqipërisë, por edhe në konsolidimin e këtij shteti e të lirisë së saj.. Jo një herë, me sakrificat e tyre më sublime, me dashurinë e tyre të zjarrtë për atdheun, për gjuhën, për flamurin, për kombin dhe për kulturën shqiptare, ata i dolën zot Shqipërisë dhe fateve të saj. Sa herë që e kërkoi koha, sa herë që i thirri zëri i shenjtë i atdheut, flaka e dashurisë për të morri hov në zemrat e tyre dhe ata u vunë me gjithë qenien në shërbim të rilindjes së një kombi martir, të cilin historia dhe padrejtësitë e saj të shumta e kishin dënuar jashtëzakonisht rëndë. Vëllezërit vatranë, siç do të shprehej profesori erudit Selamn Riza, u bënë kështu flamurtarët e shqiptarizmës së rilindur.

Si në një rastësi mitesh dhe legjendash, Rilindjen e madhe e kishte filluar duke shpalosur Flamurin e Arbërit, bardi i madh Jeronim De Rada, poeti i parë kombëtar, i cili ndonëse Arbërinë matanë detit (siç shpreheshin shpesh arbreshët për mëmëdheun e tyre) e kishte fare pranë, ai e shihte ate vetëm përtej brigjeve të Adriatikut, pa mundur kurrë të shkelte në tokën stërgjyshore!

Po këtë Rilindje, po këtë zjarr, po këtë vrull, po këtë gjakim për ta ribërë Shqipërinë e për t’ia rikthyer lirinë dhe dinjitetin e nëpërkëbur padrejtësisht, në vazhdimësinë e përpjekjeve të parreshtura të të gjithë brezave atdhetarë, në njërin nga aktet finale të tragjedisë së madhe, do t’i jepnin ndihmën e tyre të pakursyer, vulën e përpjekjeve të tyre titanike politike e diplomatike, shqiptarët e Amerikës, të cilët me trup ishin larg-përtej Atlantikut, por me mendje, me zemër dhe me shpirt ishin gjithmonë me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Shqiptarët e Amerikës, doemos se na kujtojnë ate që është thënë për Lasgush Poradecin, princin e hirshëm të poezisë shqipe e këngëtarin e hollë të thelpinjve të lirikës shqiptare, se mërgimi është një bekim hyjnor. Prandaj, shqiptarët e Amerikës meritojnë shprehjen e ndjenjave më të thella të mirënjohjes e të respektit pa kufi, për të gjitha ato që kanë bërë për Shqipërinë, për Kosovën dhe për gjithë kombin shqiptar.

Ekrem Bardha është njëri nga ata që me kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ka lënë gjurmë dhe ka vënë vulë në përpjekjet e panumërta për ta aktualizuar dhe riaktualizuar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka nënkuptuar çlirimin e Kosovës, si një prej fazave më të rënëdësishme të kësaj lufte.

Ndonëse siç e thotë në librin e tij të pare gtë kujtimeve, Larg dhe Pranë Shqipërisë, sfidat ishin të panumërta, vetëm një përpjekje kolosale, vetëm një dashuri e madhe e me një zjarr të shenjtë për atdheun, vetëm një besim i patundur, iu bë dritë në një mision sa të rrallë po aq edhe fisnik.

Po të lexosh me vëmendje kujtimet e tij, po të ndalesh në detajet e këtyre kujtimeve, po të analizosh personazhet dhe ngjarjet e tyre, po të kundrosh nëpërmes tyre rrugën që kaluar jo vetëm një brezni por edhe një komb i tërë, po të shikosh dokumentet dhe letërkëmbimet në shërbim të lirisë së Kosovës, po të analizosh sfidat e shumta të trajektores së lirisë së shumëpritur, po të nënvizosh takimet dhe bisedat e shumta me përfaqësuesit kryesorë të politikës amerikane, nuk është e vështirë për të kuptuar se lajtmotiv i një njeriu bëhet e vërteta, mision i shenjtë bëhet liria, vizion i papërsëritshëm bëhet ardhmëria e kombit të tij.

Ai vepron me krenari por flet me modesti për të bëmat e tij, ai shpalos jo vetëm fisnikërinë e tij të origjinës nga dera e madhe e Konicës, por njëkohësisht edhe bujarinë dhe shpirtmadhësinë e njerëzve që krenarinë e vejnë mbi lumturinë, çështjen kombëtare përmbi interest personale.

Të brumosur me ndjenjën e atdhedashurisë, të gatuar me dashurinë për vëllazërinë gjithëshqiptare, ata rendin pas një njeriu që shndrohet në një pishtar drite e atdhedashurie: Sulo Bardha, Sulo Komica. Është i ati i Ekrem Bardhës, një mishërim drite, bujarie e fisniëria. Por jo më pak edhe Bule Bardha: ‘Përkulur mbi makinë, ajo qepte deri natëm vonë për të mbaruar porositë e grave nga fshatrat rreth e rrotull, Podë, Shalës, Gërmenj. Gumëzhitja e makinës ishte si një ninulë që na vinte në gjumë.’

Në mes të një realitieti të hidhur e mes ndeshtrashash të shumta, shpalosen ndjenjat e mëdha njerëzore, dashuria për Radanin-fshatin e lindjes, malli për erën ledhatare të Leskovikut, krenaria për kolonjërat trima patriotë e të mençur, për të bëmat e njërit prej levendve të lirisë së Shqipërisë-Zylyftar Poda ‘një nga kapedanët e Ali Pashë Tepelenës’, si dhe për trimëritë e luftëtarit të paepur Gani Butka:

‘Këngët, së bashku me ngjarjet që rrëfesheshin për burrat e dëgjuar të Kolonjës, Leskovikut dhe Dangëllisë, që nga vëllezërit Frashëri, Petro Nini Luarasi, Themistokli Gërmenji, Zalo Prodani, Sali Butka, dëshmonin se njerëzit i kujtonin me mirënjohje të gjithë ata që ishin përpjekur për të mirën e mëmëdheut.’

Shpalosen kështu faqe krenari e lavdie, faqe atdhedashurie por edhe faqet e një tragjedie që lanë flakët e luftës Italo-Greke, si edhe të çarjes së madhe të dy kampeve shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vërehet qartë zemër-klithja e autorit për luftën vëllavrasëse e të pakuptimtë, pasojat e së cilës fatkeqësisht ndihen edhe sot në politikën dhe barikadimet shqiptare në kampe të ndryshme ideologjike.

Parakalojnë në kujtime të thadruara bukur Butkallinjtë: Gani Butka, Safet Butka e Sali Butka, Mumtaz Kokolari – i derës atdhetare të Kokolarëve, por me një gdhendje të rrallë edhe Dervish Hajdar Ramolli, si njeri i Zotit me një shembëlltyre të rralë homerike. Djalin e tij, Xhevdetin-ballist, siç thekson në kujtimet e tij z. Bardha, e kishin vrarë partizanët, dhe kur turma thërriste vazhdimisht për hakmarrje, një ndërgjegje e kulluar kombëtare shqiptare ngritet në lartësitë e Baba-Tomorrit:

‘Pikërisht atë çast doli në krye të varrit Dervish Hajdar Ramolli. Ai tha: Mos zini në gojë hakmarrje, se lëndoni Zotin dhe mua. Për djalin tim nuk dua as t’i vejë gjak nga hundët ndonjerit, kushdo qoftë. Djalin ia kam falur Shqipërisë. E pat kët fat im bir, por nuk dua të vriten të rinj të tjerë për shkak të tij.

Qëndrimi burrëror, me të cilin përballoi humbjet e të birit, dhe fjalët e tij prej njeriu të shenjtë, lanë mbresa të thella tek të gjithë pjesëmarrësit në varrim. Fjalët e tij të urta u përhapën në krahinën e Leskovikut dhe të Kolonjës si balsam, edhe pse ajo vrasje pa kuptim i kishte acaruar të gjithë.’

Jo më pak madhështore del edhe portreti i nacionalistit të ndershëm Kaja Vasha, një figureë e veçantë si Kajo Babjeni, por edhe ajo e nënës së Petrit Shehut, e cila nuk lë derë pa trokitur që dënimin me pushkatim për Kajon, ta kthenet me dënim të përjetshëm, në këmbim të faktit se ai ia kishte ‘shpëtuar djalin e saj partizan nga vdekja.’

Nga ky prizëm, autori nxjerr konkluzionin që e përshkon jo vetëm librin por edhe gjithë jetën e tij: ‘Po të kishte pasur Shqipëria më shumë burra të tillë nga të dyja krahët, sot do të ishim ndryshe.’

Ky është lajtmotivi që ka Ekrem Bardha. Lajtmotivi i faljes, i paqes dhe i bashkimit, në vend të hakmarrjes dhe ndasive dhe mërive të pakuptimta. Me një lajtmotiv të tillë, ai i flet jo vetëm kujtesë historike por edhe ndërgjegjës kombëtare. I vetëdijshëm se kombi ka aq shumë nevojë të mbyllen plagët tona, siç do të shprehej Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), Ekrem Bardha është rreshtuar drejt dhe ka mbajtur qëndrimin parimor për të përafruar e për të përbashkuar radhët e vëllazërisë gjithëshqiptare, sepse siç do të shprehej Ernest Koliqi, vetëm dashuria për Shqipërinë shumëfishon forcat e saj.

Gjithsesi, përmes shembëlltyrave epike të njerëzve të tillë, veçmas përmes figurës së nënës (si Buleja e si nëna e Petrit Shehut), ngriten lart virtytet dhe tiparet më sublime të një kombi të lashtë e fisnik.

Në veprimatrinë e tij të shumanshme, të vurllshme e të bujshme atdhetare, Ekrem Bardha priret nga parimi i së vërtetës, nga parimi i faljes e i bashkimit, si dhe nga parimi i madh moral e intelektual se: ‘Nëse heshtim ne, hesht e vërteta’(në librin e tij të dytë me kujtime, E Vërteta, Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora) , pra nga parimi i ndërgjegjësimit kombëtar shqiptar; ashtu siç e ka thenë edhe kolosi i mendimit dhe veprimit romantim europian, Viktor Hygo: ‘E vërteta, e drejat dhe liria: ja kush është Perëndia!’

E sintagma Shqiptarët e Amerikës, na bën sa krenarë po aq edhe kontribon në rizgjimin kombëtar, sepse kjo sintagmë dhe këta bashkatdhetarë të cilët e kanë mbajtur për më shumë se një shekull të gjallë zjarrin e shenjtë të atdhdashurisë, na përkujton se ndaj nesh shekujt janë treguar mjaft tinzarë, prandaj siç e ka theksuar poeti i hymnit kombëtar Asdreni, vetë të përbashkuar do të jemi të denjët e një dite që patjetër se do të vijë, të denjët e drite që patjetër se do të gdhijë.

Shqiptarët e Amerikës, që nga brezi i princit të gjuhës shqipe Faik Konicës, e deri tek brezi i Ekrem Bardhës, ka pasur vetëm një mision, vetëm një mision, të cilin e ka shpalosur Konica në mermerin më monumental të flatrave të fjalës shqipe: përparimin dhe qytetërimin e Shqipërisë, siç e ka pasur ajo dikur në kohët e Ilirisë.

Kjo thirrje drite dhe shprese ka një sfond legjende. E po në këtë sfond një njeri, si nëpër mitet dhe legjendat, hyn dhe del në portat e mëdha të diplomacisë e të politikës amerikane, duke takuar si askush më parë, të shtatë presidentët e saj. Sërish, një bardhësi legjende dhe një bekim i një nëne për të mos e harruar atdheun kurrë, një testament prej breznive orëmira që na la Lokemadhja Bule Bardha.

Le të jetë pra ky rast solemn, i Ditëlindjes së 92-të të Zotit Ekrem Bardha, një rast i veçantë i një kënaqësie dhe i një krenarie të rrallë, i shprehjes së urimeve më të përzemërta, të respektit më të thellë, të mirënjohjes pa kufi si dhe i konsiderateve më të larta, me të cilat kemi nderin të jemi, duke i dëshiruar shëndet, suksese, gëzime, mbarësi, mirësi e lumturi: pa kufi!

Ashtu siç na ka mësuar poeti tjetër kombëtar Naimi i Frashëllinjve, i cili sa bukur ka thënë, që e pastë bekimin aty ku ka rënë:

Ua paçim për jetë hua!

Juve, shume i nderuar Zoti Bardha, si dhe brezit tuaj mëmëdhetar, vëllezërve tanë dhe motrave tona përtej Atlantiku, në krenarinë e tyre të ligjshme të të qenunit shqiptarë e bij dhe bija shqiptarësh!

Filed Under: Politike

Deklarata e gjeneral Teodoros Pangallos mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe të drejtat e minoriteteve (1925–1926)

May 13, 2025 by s p

Dr.Nikollë Loka/

Pas Luftës së Parë Botërore, marrëdhëniet greko-shqiptare u përfshinë në një klimë mosbesimi dhe tensioni, të shkaktuara nga pretendime territoriale, trajtimi i pakicave dhe çështje identiteti etnik. Në këtë kontekst delikat diplomatik, një intervistë e realizuar në vitin 1926 nga gazetari Vangjel Nasho Qirko me Presidentin e Greqisë arvanitasin Teodoros Pangallos ofron një pasqyrë të politikës së jashtme greke dhe qasjes së saj ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjenerali Pangallos, i njohur për retorikën e tij direkte dhe rolin e tij në stabilizimin e Greqisë pas katastrofës së Anadollit, në intervistën e dhënë deklaron një orientim të qartë drejt paqes dhe stabilitetit rajonal. Ai shprehet se “Greqia ka arritur kufijtë e saj natyrorë dhe se politika ekspansioniste ka përfunduar. Në këtë kuadër, ai shpreh dëshirën për ndërtimin e marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë, të cilën e cilëson si “motër të vogël” me të cilën Greqia ka ndarë “lidhje origjine, gjaku e luftërash të përbashkëta”.

Përpara se të shqyrtojmë dhe analizojmë deklaratën e kryeministrit të Greqisë, është e nevojshme të përmendim një informacion të rëndësishëm të dërguar nga Mid’hat Frashëri nga Athina më 17 tetor 1925, drejtuar Hysen Vrionit, ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Ky informacion ka të bëjë me një takim të zhvilluar me zotin Pangallos dhe përmban detaje që pasqyrojnë orientimin diplomatik të zotit Pangallos. Në këtë letër, Midhat Frashëri shprehet: “Sot poqa zotin Pangallos… u përgjegj se dëshironte edhe ay fort shumë që të jemi miq, ndaj ka dhënë urdhër në Ministri të Punëvet të Jashtme të kërkohet nga Shqipëria, agrementi për gjeneral Kondulin, si ministër. Shtoi se Kondulin e ka mik personal dhe se është dashamir i shqiptarëve”. Ky informacion, i botuar në vëllimin e tetë të veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit, ofron një pasqyrë të rëndësishme të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë gjatë vitit 1925, duke u theksuar jo vetëm përpjekjet për të zhvilluar marrëdhënie miqësore, por edhe figura kyçe që mund të ndihmonin në forcimin e këtyre lidhjeve, siç është rasti i Gjeneral Kondulin, i konsideruar prej tij si mik i shqiptarëve.

Deklarata e gjeneral Teodoros Pangallos, si president i Greqisë (1925–1926), përbën një nga momentet më të veçanta në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Qasja e tij, e shprehur në termat më të qartë dhe të drejtpërdrejtë, dëshmon një përpjekje për të çliruar politikën greke nga trashëgimia e nacionalizmit ortodoks dhe për të ndërtuar një raport fqinjësor mbi baza respekti reciprok dhe realizmi etnopolitik. Një nga elementet më domethënës të kësaj deklarate është mohimi i doktrinës tradicionale greke që e identifikonte ortodoksinë me grekësinë. Pangallos artikulon qartësisht se kombësia nuk mund të ndërtohet mbi përkatësi fetare, por mbi racë, gjuhë dhe ndërgjegje kombëtare: “Ortodoksët shqiptarë, nga raca, gjuha, kombësia, janë shqiptarë…”. Ky qëndrim paraqet një ndryshim rrënjësor nga pozicionet e mëparshme të Athinës zyrtare, të cilat kishin përdorur ortodoksinë si mjet politik për të justifikuar pretendimet mbi Jugun e Shqipërisë, të quajtur nga qarqet greke “Vorio Epir”.

Deklarata përmban një tjetër komponent të rëndësishëm: njohjen zyrtare të minoritetit shqiptar në Greqi. “Çamëve u njihen gjithë të drejtat si minoritet shqiptar në Greqi…”. Pangallos nënvizon se problemet e pakicave etnike nuk duhet të shërbejnë si burim tensioni, por përkundrazi si ura bashkëpunimi. Ai thekson njohjen e minoritetit shqiptar në Epir dhe premton zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare në favor të tyre, duke premtuar ndëshkim të elementëve lokalë përgjegjës për shkelje të të drejtave të tyre në të kaluarën. Në një kohë kur çamët përballeshin me diskriminim sistematik dhe më vonë u dëbuan me forcë nga trojet e tyre në vitet 1944–1945, ky qëndrim i Pangallos ishte revolucionar dhe largpamës, duke parashikuar standardet ndërkombëtare për të drejtat e pakicave.

Pangallos merr një pozicion të prerë kundër organizatave nacionaliste si klubet “vorio-epirote”: “Do të shpërndajmë të gjitha klubet vorio-epirote dhe organizata të tjera të tilla…”Kjo ishte një politikë e paimagjinueshme për shumë qarqe greke të kohës. Për herë të parë, një udhëheqës grek i nivelit të lartë e konsideronte të nevojshme çmontimin e një mekanizmi institucional që ushqente tensione dhe destabilitet në Shqipëri, me qëllim ndërtimin e një marrëdhënieje të sinqertë e të barabartë. Përveç çështjeve etnike e identitare, deklarata merr një kthesë të qartë në sferën praktike: Kjo përfaqëson një model bashkëpunimi të bazuar në interesin e ndërsjellë, një qasje që mungonte në marrëdhëniet shqiptaro-greke, zakonisht të ngarkuara nga tensione politike dhe pretendime territoriale.

Që nga fundi i marsit 1926, nisën përpjekjet për nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Greqisë, që kishin si synim zhvillimin e tregtisë dypalëshe dhe rregullimin e çështjeve konsullore, të nënshtetësisë dhe të ekstradimit. Pangallos e kuptonte se stabiliteti rajonal ndërtohet mbi ndërlidhje ekonomike dhe komunikim të hapur, jo mbi politika përjashtuese. Më tej, ai përdor një gjuhë të butë, dashamirëse dhe afirmative, që ishte jashtë normës për një figurë ushtarake në krye të shtetit:“Duhet të japim prova të gjalla kundrejt motrës së vogël, Shqipërisë, që ushqejmë ndjenjat më të sinqerta…”Ky ton afektiv dhe paternalist, megjithëse mund të ngjajë romantik, përfaqëson një përpjekje të sinqertë për çlirimin e marrëdhënieve nga trauma historike, përfshirë Luftën e Parë Botërore dhe përplasjet e hershme për kufijtë.

Deklarata e Pangallosit është një dëshmi unike e një alternative politike që fatkeqësisht nuk u përqafua nga pasardhësit e tij. Me rrëzimin e tij nga pushteti dhe rikthimin e nacionalistëve konservatorë, Greqia rifilloi politikat hegjemoniste ndaj Shqipërisë dhe mohoi ekzistencën e pakicave shqiptare në territorin e saj. Megjithatë, ky moment historik mbetet një shembull i një mundësie të humbur për fqinjësi të mirë, bazuar në respekt, realizëm dhe të drejta të barabarta. Ai tregon se edhe në një rajon të ngarkuar me konflikte etnike dhe pretendime territoriale, është e mundur të artikulohen politika të guximshme dhe paqësore, nëse ekziston vullnet politik dhe vizion shtetformues.

Në përfundim, deklarata e gjeneral Teodoros Pangallos përbën një moment të rrallë qartësie politike dhe largpamësie në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Ajo sfidoi doktrinën tradicionale greke që identifikonte ortodoksinë me grekësinë, njohu të drejtat e minoritetit shqiptar në Greqi dhe propozoi një model fqinjësie të bazuar në barazi dhe bashkëpunim ekonomik. Megjithëse kjo qasje nuk gjeti vazhdimësi, ajo mbetet dëshmi se është e mundur të ndërtohen marrëdhënie ndërfqinjësore të qëndrueshme nëse respektohen identitetet kombëtare dhe të drejtat themelore të pakicave. Sot, në një kontekst evropian integrues, ky model përbën një referencë të vlefshme për politikën e jashtme dhe për zgjidhjen paqësore të çështjeve të trashëguara.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT