• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

Mallkimi i diktaturave komuniste

June 18, 2025 by s p

Agim Baçi/

Shumë vende evropiane që kaluan mallkimin e diktaturave komuniste kanë mundur që të ringrihen pasi kanë mundur të shohin në sy vetveten. Pendesa e mjaft prej aktorëve të së ligësisë kriminale dhe, sidomos, kërkesa e fortë e shoqërisë për të zbardhur të shkuarën e vet, solli në këto vende që gabimet e ndërtimit të institucioneve në demokraci të ishin më të kapërcyeshme. Ndërsa ne, në 35 vite, në vend të ndëshkimit të së keqes, e lamë të shkuarën të ishte pjesë e përditshmërisë pa asnjë ndjenjë faji, pa asnjë pendesë. E për pasojë, rifituam servizlimin, hipokirizinë dhe një shoqëri të gënjeshtërt, që mbeti peng i së shkuarës. Të edukuarit me fabrikimin e së keqes na drejtuan në gjykata, prokurori, e për më tepër, në politikërje, duke i lënë rrugën të keqes që të bashkëjetojë pa u turpëruar për atë që ndodhi në gati pesëdhjetë vite krimesh e dhunimesh. Ky mosdënim i së shkuarës është edhe “ridënimi” ynë si shoqëri- një ridënim që e lamë vetë të ndodhte, sepse “dëshmitarët e rremë” të së ardhmes i morëm nga ata që diktatura i kish përgatitur për të mbajtur gjallë perversitetin e përditshëm, pa u penduar për asgjë kriminale që bënë në atë sistem.

Kështu, pasi kemi lënë këtë të keqe të triumfojë, nuk ka pse habitemi sot që Spaçi apo Qafë Bari të shkojnë drejt rrënimit, drejt zhdukjes, e në vend të tyre të lulëzojë turizmi te ish Piramida, apo te ish shtëpia e diktatorit, duke e sjellë të shkuarën kriminale të estetizuar për turistë. “Nuk ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit”, shkruan shkrimtari Kim Memhemti. Por ne e sfiduam këtë shprehje, duke i lënë projektuesit e ferrit të djeshëm të na shesin projektet e tyre për parajsën e demokracisë. Dhe harruam që demokracia bëhet nga ata që mendojnë si të tillë, që veprojnë si të tillë, e jo nga nostalgjikët e një sistemi që vetëm Njeriun me Dinjitet dhe të Drejtën nuk e përfillte kurrë.

(foto e marrë nga muri i Migen Qiraxhi)

Filed Under: Editorial

Mesdheu – Gramatika e qytetërimeve dhe roli i Shqipërisë në hartën e trashëgimisë mesdhetare

June 18, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Nëse ka një term që përmbledh më së miri ndikimin, përmasën dhe trashëgiminë që vendet përreth Detit Mesdhe kanë dhënë në historinë e qytetërimeve njerëzore, ky është “gramatika e qytetërimeve”. Ky togfjalësh nënkupton jo vetëm burimin e formimit të qytetërimeve, por edhe strukturën konceptuale që ato qytetërime kanë ndërtuar dhe kanë transmetuar brez pas brezi. Mesdheu nuk ka qenë vetëm një hapësirë ujore që ndante kontinente, por një arenë ku kultivat e mëdha të Egjiptit të lashtë, Greqisë antike, Romës perandorake, Ilirisë dhe Trakisë ndërvepruan duke krijuar themelet e botës perëndimore që njohim sot. Në këtë rrjedhë të gjatë historike, territoret në të cilat jetoj ë sot shqiptarët kanë qenë jo thjesht një zonë kalimtare, por një aktore e rëndësishme dhe shpesh përcaktuese e shumë zhvillimeve që ndërlidhen me qytetërimin mesdhetar.

Shpesh, kur flitet për historinë e qytetërimeve të mëdha, territoret shqiptare përfshihen më shumë si periferi të luftërave të mëdha, si fushëbeteja të konflikteve romake apo osmane, por rrallë si qendra kulturore apo vendimmarrëse. Megjithatë, një vështrim më i thelluar historik dhe një analizë e kujdesshme e burimeve e nxjerr territoret në të cilat sot ne banojmë – veçanërisht pjesën e saj bregdetare – si një pikë kyçe në zhvillimet politike, ekonomike, kulturore dhe shpirtërore të Mesdheut. Qyteti i Durrësit, i njohur si Dyrrhachium në kohën romake, ishte një ndër portet më të rëndësishme të Adriatikut, një pikë kyçe e rrugës Via Egnatia që lidhte Perëndimin me Lindjen, Romën me Konstantinopojën.

Nuk është rastësi që një nga veprat më interesante të letërsisë kalorsiake të shekullit XII, “Romani i Florimontit”, e vendos Durrësin si një qendër narrative të rrëfimit. Autori Turoldus, që vjen nga Franca e largët, zgjedh Durrësin si vendlindjen dhe qendrën e veprimtarisë së heroit të tij, Florimontit, një zgjedhje që dëshmon se qyteti nuk ishte thjesht një emër i panjohur për lexuesin evropian mesjetar, por përkundrazi një vend i njohur dhe me reputacion të lartë kulturor dhe strategjik. Florimonti lëviz mes kryeqendrave të Mesdheut, dhe në këtë itinerar Durrësi është jo vetëm pikënisje por edhe pikë referimi i civilizimit dhe i botës shpirtërore.

Kultura mesdhetare është një bashkësi traditash, simbolet dhe zakonesh që formësojnë jetën e popujve përreth Mesdheut. Ajo përmbledh stile arkitekturore, zakone kulinare, mënyra të jetesës dhe modele bashkëjetese që janë të dukshme edhe sot në jetën shqiptare. Tre aspekte themelore që përbëjnë thelbin e kulturës mesdhetare në hapësirën shqiptare janë:

a) Trashëgimia urbane dhe arkitektonike

Qytete si Durrësi, Apollonia, Butrinti, Shkodra, Lezha dhe Vlora përfaqësojnë nivele të larta zhvillimi urban që datojnë nga koha ilire, romake, bizantine dhe më tej. Butrinti, për shembull, është një nga qytetet më të rralla ku mund të ndiqet kontinuiteti i jetës qytetare që nga periudha helenistike deri në mesjetën e vonë. Muret, teatrat, tempujt, kështjellat dhe kishat e ndërtuara në këto qytete dëshmojnë një ndërthurje të qartë të stilit mesdhetar që përfshin ndikime nga Greqia, Roma, Bizanti dhe më pas edhe Venecia.

b) Tradita kulinare dhe bujqësore

Kuzhina shqiptare, e ndikuar thellë nga ajo mesdhetare, është një përzierje harmonike e shijes së vajit të ullirit, perimeve të freskëta, erëzave, mishit të pjekur dhe peshkut të Detit Adriatik dhe Jon. Ulliri, hardhia dhe gruri – tri nga produktet më themelore të Mesdheut – janë pjesë e pandashme e kulturës bujqësore shqiptare. Kjo dëshmon jo vetëm për praninë e traditës mesdhetare por edhe për ruajtjen e saj përmes shekujve si një mënyrë jetese.

c) Festa, mitologjia dhe muzika

Festat fetare dhe pagane që festohen në Shqipëri, si p.sh. Dita e Verës në Elbasan apo festa e Shën Kollit në bregdetin jugor, ruajnë një frymë të qartë mesdhetare që lidhet me ciklet e natyrës, me agrokulturën dhe me ritmet e jetës komunitare. Edhe muzika polifonike e Shqipërisë së Jugut, e njohur nga UNESCO si pasuri botërore, ngërthen në vete tonalitetin, rrëfimin dhe strukturën që lidhen me traditat më të hershme të këngës mesdhetare.

Shqipëria si pjesë organike e qytetërimit evropian

Kur flasim për identitetin evropian të Shqipërisë, shpesh përmendim aspekte moderne si integrimi në Bashkimin Evropian apo bashkëpunimet me vendet perëndimore. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Në të vërtetë, rrënjët e identitetit evropian të Shqipërisë janë të vendosura thellë në histori dhe në gjeografinë shpirtërore të kontinentit. Në ndërtimin e narrativës së qytetërimit evropian, historia shqiptare nuk është një periferi, por një shtyllë mbështetëse. Këtë e pohon edhe fakti se shumë studiues të huaj – nga historiani francez Georges Castellan te bizantinologët modernë – kanë theksuar rolin e trojeve shqiptare si urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, mes Bizantit dhe botës latine, mes traditës helene dhe përvojës osmane.

Në këtë mënyrë, Shqipëria e ka “pasaportën europiane” që në lindjen e saj historike. Ajo nuk është një vend që kërkon të bëhet evropian, por një vend që kërkon të njihet si i tillë. E shkuara e saj mesdhetare është një dëshmi e gjallë e këtij identiteti.

Narrativat kombëtare shpesh janë produkt i një politike historike që synon të ndërtojë vetëdijen e një kombi rreth origjinës dhe vendit të tij në botë. Në këtë kuptim, Shqipëria ka nevojë të rikthejë në vëmendje rolin e saj në qytetërimin mesdhetar, jo vetëm për të ruajtur trashëgiminë e vet, por edhe për të forcuar identitetin e saj si pjesë e pandarë e Evropës.

Romani i Florimontit është një shembull i mrekullueshëm për të reflektuar mbi mënyrën se si një qytet shqiptar si Durrësi shfaqet në hartën imagjinare të Mesdheut mesjetar. Ai tregon se në mendësinë e Evropës së asaj kohe, Shqipëria nuk ishte një margjinë, por një qendër – një pjesë e gramatikës së qytetërimeve. Nëse duam të ndërtojmë një Shqipëri moderne, evropiane dhe me vetëbesim, duhet të fillojmë nga historia jonë e thellë mesdhetare.

Burimet

1-Moikom Zeqo “Një dorëshkrim i vjetër për shqiptarët dhe Durrësin” dhe nëntitull “Pak dritë mbi enigmën e kulturës së lashtë shqiptare”,Koha Jone, 21 Shtator 1994

2- Fernand Braudel, La Mediterranee: l’espace et l’historie, les hommes et l’heritage FLAMMARION, 1986.

3-Georges Castellan, Histoire des Balkans, XIV au XX siècle, Fayard

Filed Under: Komente

Fatime Sokoli, kumbimi këndues i Dragobisë përmes zërit dhe shpirtit të një gruaje që erdhi t’i përkiste përjetësisë

June 18, 2025 by s p

Albert Vataj/

Ka zëra dhe kumbime këndues shpirti që nuk i zbeh koha, që nuk i mbyt shtjella e pluhur e harresës dhe heshtjes. Ata jehona vijnë nga thellësitë e shpirtit të një populli dhe prekin në çdo trokitje zemrat të brezave. Ata që marrin jetë përmes këtij kumimi dhe thirren në zgjimin e përjetësisë prej magjisë së asaj thellësie që buron nga çdo frymëmarrje e Dragobisë, ku koha farkëtoi zjarret e zërave, zemrave dhe majat e maleve, si rrufetë.

Nuk janë vetëm tinguj, ato janë zgjime, janë jehona, janë thirrje eterne, janë vetë kujtesa që merr frymë. Në këtë rrafsh të ndjeshëm dhe të pashlyeshëm qëndron Fatime Sokoli, një nga ato gra që guxuan të jenë më shumë sesa një emër, më shumë sesa një zë, shumë më shumë se sa etja e udhës kah ëndrra, ishin dhe mbetën shënjime, kulmime, shëmbuj, sfida, kurajo… ishin mishërim i mistikës së atyre bjeshkëve.

E lindur në një kohë e në një vend ku gruaja duhej të mbyllej pas kanateve të traditës, ajo guxoi të çlirojë veten, shkallmoi ngujimet dhe të sfidojë kufizimet, duke ju dhënë krahëve të lirisë së këngës. Me çiftelinë në dorë dhe zërin si flamur, i tregoi malësisë dhe krejt shqiptarisë se kishte ardhur me mison. Nuk këndoi për të qenë e njohur, por për të qenë e dëgjuar, e pranuar, e barabartë. Me çdo këngë të saj ajo sfidoi rregullat, thyen heshtjet dhe solli dritë aty ku kishte vetëm zëra burrash.

Ky portretim nuk është vetëm një homazh për një artiste të madhe, por një përpjekje për të rikthyer në vëmendjen tonë figurën e një gruaje që jetoi për të ndryshuar mënyrën si e shohim gruan në art, në shoqëri, në histori. Fatime Sokoli nuk ishte vetëm kujtim. Ajo erdhi për të qenë zgjim. Ajo ishte thirrje. Ajo ishte këngë që s’pushon së kumbuari në çdo gurë dhe kullë, në çdo shkrep e livadh, në çdo zemër dhe zëshmëri.

Udha e saj ishte e shkurtër, por shtegu që ajo ndoqi e çoi atë në përjetësi.

Më 12 gusht 1987, në moshën 39-vjeçare, u shua nga një sëmundje e rëndë. Kishte ikur në udhën pa kthim, këngëtarja dhe instrumentistja e shquar tropojane, Fatime Sokoli. Shuarja e saj e hershme nuk e ndali dot jehonën që zëri i saj kishte mbjellë në odat malësore, në festivalet kombëtare, në lëndinat e Valbonës dhe skenat e Evropës. Në kujtesën e brezave që e njohën, ajo mbetet si një tingull i pavdekshëm i shpirtit shqiptar; për brezat e rinj, si një figurë që pret të rizbulohet, jo vetëm si artiste, por si model i emancipimit dhe guximit.

E lindur më 18 qershor 1948 në Dragobi, në një vend ku fjalën e fundit e kishin burrat dhe ku gruaja shihej si hijë e heshtur në strehën e shtëpisë, Fatime Sokoli erdhi si një thyerje e heshtjeve, si një arsye për të besuar se meritonte shumë më shumë se normat kanunore dhe ngurtësimi i rregullave të kohës impononin.

Ajo ishte gruaja e parë që i këndoi publikut të malësisë me çifteli në dorë, e veshur si burrë, për të kaluar kufirin e ndalimit gjinor dhe për të hyrë në arenën ku gratë nuk kishin guxuar më parë.

Nuk ishte vetëm një zë i rrallë dhe një interpretuese virtuozë; ajo u kthye në simbol të një kulture të gjallë që përtej vargut e melodisë mbante brenda dramën, krenarinë dhe epikën e një populli. E formuar në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Fatimeja nuk e braktisi kurrë vendlindjen: rikthehej gjithnjë në Tropojë për të dhënë mësim, për të ndërtuar, për të kënduar, për të qenë një shembull frymëzimi dhe një model për gratë që do të guxonin të tjerë përmasa të lirisë së tyre.

Në skena të mëdha si Festivali Folklorik Kombëtar në Gjirokastër, apo edhe në Dijon të Francës (1971), në Ohër (1974) e në shumë qytete të Kosovës dhe Maqedonisë, ajo u bë zëri i një populli dhe flamuri i një gruaje që sfidonte jo vetëm zakonet, por edhe kohën. Këndoi për Bacë Bajramin, Mic Sokolin, Haxhi Zekën, Tom Kolën, këngë që ishin më shumë se interpretime, ishin aktet e saj të angazhimit kombëtar dhe shpirtëror.

Në vitet kur artistët nuk kishin mundësinë të menaxhonin imazhin apo të përfitonin nga ekspozimi, Fatime Sokoli u bë e famshme vetëm me zërin, me prezencën dhe me shpirtin e saj artistik. Në fonotekën e Radio Televizionit Shqiptar ruhen dhjetëra këngë të saj, dëshmi e një trashëgimie që nuk i përket vetëm Tropojës, por gjithë kombit.

Titujt si “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe e Punës”, nuk ishin vetëm formalitete shtetërore, por vlerësime të fituara me përpjekje, sakrifica dhe një përkushtim që nuk e ndali as skamja, as sëmundja, e për më pak paragjykimet dhe mendësia që mbahej fort mpleksur pas shkëmbinjve të moteve që nguleshin thellë në qëndresën e gjeneratave.

Ajo nuk u ndal kurrë së kënduari deri ditën që sëmundja e rëndë e largoi nga jeta. U kthye me helikopter nga spitali në Tiranë për të vdekur në vendlindje, në Dragobi, aty ku gjithçka kishte nisur. Siç thonë banorët e zonës, “kur u shua Fatimja, heshti për pak edhe vetë Valbona.”

Fatime Sokoli nuk ishte thjesht një këngëtare popullore, ajo ishte një revolucione e heshtur me çifteli në dorë. Në një kohë kur gratë në Malësi nuk mund të dilnin në skenë, ajo jo vetëm që u ngjit në të, por u kthye në simbol të saj. E bëri duke kënduar jo për modën, por për nderin, jo për t’u pëlqyer, por për të treguar se edhe gruaja mund të jetë histori, edhe ajo mund të jetë zë.

Nëse ndonjëherë jemi në kërkim të figurave që kanë tejkaluar kohën e tyre, që kanë guxuar në heshtje dhe me art të hapin dyer që ishin të mbyllura, atëherë Fatime Sokoli është një nga ato emra që nuk duhet të mungojë në asnjë faqe të kujtesës sonë kombëtare.

Te shpella e Dragobisë ku buçiti për herë të parë zëri i saj, te skenat ku u duartrokit me zë të plotë, dhe në çdo shtëpi ku kënga e saj ka kumbuar në radio apo në dasma, Fatimeja ka lënë një dëshmi të pagabueshme, se arti i vërtetë nuk njeh as kufij, as paragjykime, as kohë.

Ajo i takon përjetësisë. Neve na takon kujtimi.

Fluturoj… “Me krahë shqipesh nga Tropoja” – kjo këngë nuk ishte thjesht titulli i një krijimi, por edhe rrëfimi më i saktë i jetës së saj.

(Falë mundësisë së jashtëzakonshme të IA, solla një foto të gjallë të Fatime Sokolit, një foto që e rikthen nga ikja dhe e sjell në kujtesën e gjeneratës dhe njohjen e brezit të ri)

Filed Under: Kulture

Orët dhe orëndreqësit shqiptarë

June 18, 2025 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Për një periudhë tepër të gjatë prodhimi i orëve ishte produkt i zejtarëve të veçantë. Sipas disa studiuesve, prodhimi industrial i tyre u bë për herë të parë në Francë në vitin 1453, kur në Paris u ngrit reparti i parë i orëndreqësve. Menjëherë pas kësaj, prodhimi industrial i orëve filloi të organizohej edhe në shtete të tjera si në Gjermani, Angli dhe Zvicër, duke marrë një zhvillim gjithnjë e më të madh. Megjithatë duhet theksuar se deri në shek. XIX, duke përfshirë edhe Zvicrën prodhimi i orëve vijoi të mbetej kryesisht punë e zejtarëve. Reparti i parë i prodhimit të orëve, mbi bazën e ndarjes së punës midis zejtarëve lindi në Gjenevë në vitin 1804 dhe po këtu mbas njëzet vjetësh, u hap shkolla e parë profesionale për përgatitjen e orëbërësve.

Në shek. XVI mjeshtëria e prodhimit të orëve filloi edhe në Japoni. Ndërsa fabrikat për prodhimin e tyre u hapën diku nga viti 1875.

Në territoret shqiptare evidentohen disa mënyra për matjen e kohës, duke nisur që nga orët diellore, të cilat skaliteshin mbi objekte të ndryshme. Bashkë me futjen e teknologjisë së re u krijua edhe një klasë orëndreqësish dhe orëbërësish. Nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë lidhur me mjeshtrat e parë shqiptarë. Por, pothuajse në çdo qytet kryesor të Shqipërisë kishte persona të caktuar, të cilët e trashëgonin zanatin e tyre brez pas brezi. Kështu është për shembull familja e njohur Tufina në kryeqytet, e cila sot ka arritur që të ketë produktet e saj në tregjet europiane dhe ShBA.

Ndërsa historia e Nuh Sahatçisë, shkodranit që i ktheu orën oficerit gjerman, 30 vite më vonë, është një histori që qarkullon prej vitesh dhe që është e denjë për skenarë filmash.

Në koleksionet private kam parë orë të të gjitha markave, çka tregon se shqiptarët duke nisur që në shek. XIX kanë ndjekur me kujdes pothuajse të gjitha zhvillimet teknologjike të kësaj industrie.

Fatkeqësisht, sot nuk kemi një historik mbi orëndreqësit shqiptarë dhe për këtë artizanat. Ndërkohë që historia e secilit prej tyre është një shteg për të mësuar gjëra nga më interesantet…

(Bashkëngjitur një reklamë e dyqanit të orëve “Vllazën Tufina” në kryeqytet, e botuar në gazetën “Ora” më 28.11.1930)

Filed Under: Fejton

Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë, detyrim kombëtar

June 18, 2025 by s p

Hazir Mehmeti – Vjenë/

POROSI NGA “KUIZI MBARËKOMBËTAR I DITURISË – AUSTRIA 2025”

Kuizi, nuk është thjesht vetëm një garë, është më shumë; është takim miqësie, është njohje, është mësim, është dashuri ndaj këngës, ndaj valleve e gjuhës, ndaj atdheut. Murat Koci: “E vërteta e madhe, qenësorja, ajo kryekreje ishte së në këtë garë të gjithë dolën fitues, nxënësit po se po, por edhe mësuesit e prindërit. Të gjithë ishin të parë.

Organizuar nga Këshilli Organizativ i Kuizit të Diturisë i përbërë nga përfaqësuesit nga Lidhja e Shoqatave Shqiptare “Iliria”, Suedi i ndihmuar nga Shoqata Kulturore dhe Sportive -Kikirikët në Austri, Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës. Këshilli Organizativ: Murat Koci Xhevat Isufi, Hava Limani, dr Geranda Hoxhaj, Desara Gjonej Beqari, Isuf Bajraktari, Miradije Berisha.
“Mbështetje e ndihmesë të pakursyer kanë dhënë zj Arbërie Nagavci (ministre në MASHT), Liza Gashi (zëvendësministre në MPJD), Elis Badalli (drejtor në Departamentin e Diasporës), Besnik Desku (Zyrtar i lartë në MPJD), Besarta Balaj (zyrtare e lartë në MASHT), Komuna e Ängelholmit dhe të tjerë.”
Nga Kosova përshëndetën zyrtare në Departamentin Diasporës Barbara Sekiraqa dhe Burbuqe Matoshi. Kurse, nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, përshëndeti Elena Osmani, sekretare. Nga stafi i Ambasadës e Republikës së Shqipërisë në Austri përshëndeti Blerina Serjani, Në fjalët e tyre përshëndetëse uruan organizatorët për aktivitetin dhe punën e tyre me rëndësi kombëtare në ruajtjen e gjuhës amtare.
Në sallën e bukur shkëlqen flamuj dhe veshjet e fëmijëve valltarë, pjesëmarrës të ekipeve nga disa vende, Anglia, Austria, Greqia, Suedia, Italia, Shqipëra. Murat Koci drejtues i shoqatës “Iliria” në Suedi e cila mbledhë në vete 12 shoqata tjera, falënderoj për angazhimin e tyre në realizimin e Kuizit – Austria 2025, Klarita Selmani, Dila Rrapi, Aida Haziri, Jonida Koci, Eva Paloka, Osman Ademi, Edlira Mitre Gjoka e të tjerë.
Nxënës, prindër e mësues u priten nga vendorët nikoqir Desara Gjonaj me grupin e nxënësve të Shoqata Kulturore dhe Sportive – Kikirikët –fitues të garës nga viti i kaluar në Suedi dhe nga Shoqata “Naim Frashëri” me mësuesit Osman Ademi, Miradije Berishaj, Ibrahim Hasani etj. Kuizin e mbështet veç tjerash nga veprimtarë afaristë: Yll Blakaj, Samed Vinca, Armend Mehmeti, Zonja Lefteri Metkaj, Arian Shala.
Gara u zhvillua në platformën digjitale kahoot, ku morën pjesë gjithsejtë 13 ekipe nga gjashtë shtete të ndryshme të cilët ndjekin kursin e gjuhës amtare. I vetmi ekip nga trevat shqiptare ishte “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” nga Korça. Do ishte bukur dhe me vlerë rritja e pjesëmarrësve nga viset shqiptare në vitet e ardhme. Me dallim vogël pikësh i pari doli ekipi “Kikiriki” nga Vjena me mësuesen Desara Gjonaj Beqari. Vendi i dytë ekipit “Mölmo” me mësues Murat Koci nga Suedia dhe vendi i tretë ekipi “Besëlidhja” me mësuese Dila Rrapi nga Italia. Secili pjesëmarrës mori vërtetim, mirënjohje apo medalje në përkujtim të aktiviteti nga Vjena.
Nga Italia morën pjesë mësueset Dila Rrapi, Jonilda Dervishaj, Minire Ferati me tri ekpiet e tyre. Ekipi “Besëlidhja 1” me nxënësit: Farncesco Lo Cascio, Gaia Gjikola dhe Ilion Gega. ” Besëlidhja 2” me nxënësit: Julia Kërtusha, Samina Brahja, Anna Kërtusha dhe Klea Sena. ”Besëlidhja 3” i cili zuri vendin e tretë me nxënësit: Alissa Shullazi, Rajsa Dervishi, Sabrina Lleshi dhe Greta Capa. Nga Greqia mësueset Klarita Selmanaj dhe Jonida Koçi. Nga Athina ekpi i mësueses Klarita Selmanaj me nxënësit: Athina Shaqollari, Samantha Lekgegaj dhe Fedra Biraku. Ekipi nga Selaniku i mësueses Jonida Koçi i përbërë nga nxënësit: Xhesa Peshku, Noelia Kalija, Oliger Mema. Nga Londa, Angli mori pjesë mësuesja Aida Haziri me nxënësit: Daniel Hoxha
Adam Hoxha, Elin mecaj, Sibel Cuculi. Nga Suedia ekipi Ängelholm” i mësuest Xhavat Isufi me nxënësit: Aurela Zenel, Nekë Bytyqi, Elsa Selaci, Lorent Selaci dhe Elea Elshani. Nga qyteti Malmö ekipi i mësuesit Murat Koci ”Malmö” i cili zuri vendin e dytë me nxënësit: Tuana Musaj, Erjon Babaj, Denisa Berisha dhe Ari Berisha. Nga Shqipëria ishte ekipi nga Korça “Mësonjëtorja e Parë Shqip” i mësueseve Edlira Mitre Gjoka, Eva Paloka, Keti dhima, Ajet Shira me nxënësit: Kristi Xega, Natalia Xega, Anxhela Sulollari, Iris Jorgji dhe Natalia Tresak. Nga Vjena, Austria ekipi nikoqir ”Kikiriki” i mësueses Desara Gjonaj Beqari i cili zuri vendin e parë me nxënësit: Emma Shala, Adela Shala, Aron Shala, Leandra Gjonej, Leonard Gjonej. Ekpi i dytë i mësueses Desara Gjonaj Beqari i Gjimanzit “Stubenbastei” me nxënësit: Albanaot kuci, Alea Kuci, Anisa Shala, Mateo Pupi, Leart voca, Isra Nushi, Nita Krasniqi, Jon Pozhegu. Nga Vjena ekipi ”Dardania” me mësues Ibrahim Hasanaj i përbërë nga nxënësit: Arian Ibrahimi, Etnik Zenelaj, Adea Zenelaj, Fabiao Skeraj, Vlera Skeraj. Ekipi nga Vjena ”Arbëria” i mësuesit Osman Ademi me nxënësit: Arbër Salihu, Xhema Avdylaj, Diara Rexhepi, Fatlind Ademi, Dora Alihajdari, Fiona Vishaj.
Kuizi, nuk është thjesht vetëm një garë, është më shumë; është takim miqësie, është njohje, është mësim, është dashuri ndaj këngës, ndaj valleve e gjuhës, ndaj atdheut.
Vjena është orë historie, orë krenarie shekujve. Muzeu i Arteve të Botës pret miliona vizitor brenda vitit, mes tyre shumë shqiptarë. Aty ruhen të vetmet në origjinal shpata dhe përkrenarja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, “Atlet i Krishtit” i cili e mbrojti civilizimin evropian nga hordhitë aziatike. Poeti ynë i madh Naim Frashëri para 139 vjetësh kur i vizitoi armët e Heroit, i mallëngjyer shkroi vargjet:
“Lum ti, moj Shqipëri!” thashë,
Armët e ti’ kur i pashë
Ndë Belvedere në Vjenë,
Sikur pashë Skënderbenë.”

Tani e shumë vite, Këshilli Organizativ i Kuizit “Ilira” nga Suedia e cila ka në përbërje dymbëdhjetë shoqata, dallohet me aktivitet e shumta kulturore e sportive jo vetëm në Suedi, por edhe jashtë saj. Shoqata e drejtuar nga mësuesi me përvojë Murat Koci dhe rrethi i drejtues Xhevat Isufi, Hava Liman, Dr Geranda Hoxhaj, Isuf Bajraktari, janë shembulli më i mirë i aktiviteteve në diasporë. Kuizi tani ka marrë karakter gjithëkombëtar me synim kryesor; zgjerimin e hapësirave mësimore të gjuhës shqipe, afirmimin e saj si përcaktuesi kryesor i identitetit kombëtar.
“ Gjuha amtare na bashkon ne shqiptarëve kudo ku jemi, duke na bërë njëkohësisht të dallueshëm nga popujt e tjerë. Prej këtej besoj, buron natyrshëm detyrimi ynë si komb dhe si shtete, Shqipëria dhe Kosova, të bëjmë gjithçka mundemi për ta mbajtur gjithnjë të hapur për fëmijët e Diasporës këtë dritare, përmes së cilës mund të shihet shpirti dhe historia e një populli të lashtë evropian” (R. B.)
Ishte një ditë e bukur për mua, si autor i shkrimit, të takoja kolege e kolegë nga disa vende e shtetet me të cilët ishim njohur gjatë seminareve të organizuara për shumë vite në atdhe dhe jashtë tij. Takova kolegë e kolege të cilët nuk janë vetëm mësues, por janë veprimtarë të dalluar në dobi të kombit. Mes tyre nga Anglia ishte i pranishëm mësuesi veprimtar Lutfi Vata me zonjën e tij. Takimi me te më rikujtoj diskutimet tona në seminare. Kështu janë mësuesit e porosive të Rilindësve tanë. Takova kolege nga Greqia të cilat janë vërtet Rilindëset e Kohës, kur dihet se puna e tyre mësimore bëhet vullnetarisht dhe në rrethana të vështira të pa krahasuara me vendet tjera. Realizimi i programit u drejtua me përpikëri e përgjegjësi nga Xhevat Isufi dhe Hava Limani nga Suedia. Suksese në misionin Tuaj!

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT