
Prof.as.dr. Hasan Bello/
Për një periudhë tepër të gjatë prodhimi i orëve ishte produkt i zejtarëve të veçantë. Sipas disa studiuesve, prodhimi industrial i tyre u bë për herë të parë në Francë në vitin 1453, kur në Paris u ngrit reparti i parë i orëndreqësve. Menjëherë pas kësaj, prodhimi industrial i orëve filloi të organizohej edhe në shtete të tjera si në Gjermani, Angli dhe Zvicër, duke marrë një zhvillim gjithnjë e më të madh. Megjithatë duhet theksuar se deri në shek. XIX, duke përfshirë edhe Zvicrën prodhimi i orëve vijoi të mbetej kryesisht punë e zejtarëve. Reparti i parë i prodhimit të orëve, mbi bazën e ndarjes së punës midis zejtarëve lindi në Gjenevë në vitin 1804 dhe po këtu mbas njëzet vjetësh, u hap shkolla e parë profesionale për përgatitjen e orëbërësve.
Në shek. XVI mjeshtëria e prodhimit të orëve filloi edhe në Japoni. Ndërsa fabrikat për prodhimin e tyre u hapën diku nga viti 1875.
Në territoret shqiptare evidentohen disa mënyra për matjen e kohës, duke nisur që nga orët diellore, të cilat skaliteshin mbi objekte të ndryshme. Bashkë me futjen e teknologjisë së re u krijua edhe një klasë orëndreqësish dhe orëbërësish. Nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë lidhur me mjeshtrat e parë shqiptarë. Por, pothuajse në çdo qytet kryesor të Shqipërisë kishte persona të caktuar, të cilët e trashëgonin zanatin e tyre brez pas brezi. Kështu është për shembull familja e njohur Tufina në kryeqytet, e cila sot ka arritur që të ketë produktet e saj në tregjet europiane dhe ShBA.
Ndërsa historia e Nuh Sahatçisë, shkodranit që i ktheu orën oficerit gjerman, 30 vite më vonë, është një histori që qarkullon prej vitesh dhe që është e denjë për skenarë filmash.
Në koleksionet private kam parë orë të të gjitha markave, çka tregon se shqiptarët duke nisur që në shek. XIX kanë ndjekur me kujdes pothuajse të gjitha zhvillimet teknologjike të kësaj industrie.
Fatkeqësisht, sot nuk kemi një historik mbi orëndreqësit shqiptarë dhe për këtë artizanat. Ndërkohë që historia e secilit prej tyre është një shteg për të mësuar gjëra nga më interesantet…
(Bashkëngjitur një reklamë e dyqanit të orëve “Vllazën Tufina” në kryeqytet, e botuar në gazetën “Ora” më 28.11.1930)