• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

Kosova e  lirë nga 12 Qershori 1999, me NATO-n…

June 13, 2025 by s p

-Në 12 Qershor 1999 – Ditën e Lirisë  së Kosovës raportoja drejtpërdrejë nga kolona e tankeve të para të NATO-s që prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës hynin në Kosovë, duke filluar nga ora 05 e 17 minuta të përcjella nga helikopterët Apaçë/

 -Liria Kosovës po i vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe që bënin spastrim etnik, masakra e gjenocid kundër shqiptarëve/

-Viti 2005 – Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova për 12 Qershorin – Ditën e Lirisë: Dita më e madhe në historinë e re të Kosovës…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI 

-12 Qershor 2025, plot 10 vjet shkrimesh-raportimesh  nga Kosova për Gazetën DIELLI të Federatës Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA/

PRISHTINË, Qershor  2025/ Me axhendë shtetërore Kosova feston Ditën e Lirisë dhe Paqes – 12 Qershorin.

Para 26 viteve Kosovës nisi t’i ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët Apaçë nisën të hynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Lajmin e madh për gjithë shqiptarët e botën e raportoja drejt Tiranës për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të focës ushtarake më të madhe planetare, e cila të nesërmen merrte në kontroll edhe kryeqytetin, Prishtinën, ndërsa  duke kaluar kufirin nga Shqipëria nëpër Morin-Vërmicë shkonte edhe drejt Prizrenit…

 Uturima e fortë e helikopterëve Apaçë dhe e kolonës së gjatë të tankeve të NATO-s, që hyri në Kosovë në mëngjesin e hershëm të 12 Qershorit 1999 nuk kishte kend ta zgjonte në qytezën kosovare Hani i Elezit, mu në pikën e kufirit me Maqedoninë. Forca më e madhe e botës, NATO, kalonte nëpër qytezën fantazmë, të mbetur pa banorët e dëbuar, të boshatisur nga jeta, të djegur e bërë shkrum nga gjenocidi e spastrimi etnik i forcave okupatore të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës.

Me përshkrimin e kësaj pamje të tmerrshme të Kosovës së mbetur pa njerëzit e saj, por edhe me gëzimin më të madh se në atë mëngjes plot shkërqim të diellit që po lindëte kishte ardhë ajo dita e ora e madhe e ëndërrave – Dita e Lirisë së Kosovës, po vazhdoja të japë me telefon raportin e nisur në orën 05 e 17 minuta, me kryelajmin më të madh në botë:  “Taknet e para të NATO-s hynë në Kosovë, në këtë orë të lume, në këtë mëngjes të 12 Qershorit 1999, në këtë ditë të madhe historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët…”

Më shumë se lajm ishte një shpërthim ndjenjash, që në reportazhin e asaj dite mundohesha t’i tregojë edhe me këto fjalë: “Çlirimi i Kosovës nuk është ëndërr, është më shumë se gëzim, po ndodhë…”

Me një ndjenjë krenarie erdhën pastaj pëshëndetjet për NATO-n në Kosovë nga një grup i luftëtarëve të lirisë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili doli të presë e përshëndes forcen aleate. Ishin me uniformat dhe simbolet e ushtrisë me shqipnjën dykrenare, e të paarmatosur.

Uniforma të tjera dhe ushtarë të tjerë nën armë, pjesëtarë të forcave serbe, u gjetën ca më vonë në një tunel, tek në ikje minonin për t’ia mbyllë rrugën NATO-s. Ata u çarmatosën dhe u detyruan vet t’i heqin minat, dhe marshi i NATO-s vazhdoi pas një ndalje e vonese te tuneli.

Një ndalje e gjatë e kolonës, më se katër orë, ishte te Ura e Kashanit mbi lumen Lepenc në Grykën e Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepali dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvilluan operacionin për mënjanimin e rreziqeve të mundshme nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin e helikopterëve mbi të, fillimisht helikopterë më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githënjë e më të rëndë e në numër më të madh…

Kishte kaluar ora 15 e pasditës dhe ura po kalohej…

 Kishte edhe rreziqe e pengesa të tjera në terrene të luftës së sapopërfunduar. “Asnjë hap jashtë asfalti”, ishte urdhëri për gazetarët që ishim në kolonën e NATO-s. Mina të vendosura nga forcat serbe mund të kishte kudo.

Në Grykën e Kaçanikut forcat serbe kishin lënë prapa edhe shumë grafite në faqe shkëmbinjësh. Për grafitin serb “Kosova është zemra e Serbisë” si një antigrafit ishte komenti i  një gazetari: “E si mund të jetë zemra jashtë trupit?!”. “Serbia deri në Durrës” ishte një nga grafitet që shkonin në të pamundurën e edhe shumë më larg: “Serbia deri në Tokio”,  “Serbia deri në Sidnei”, që pretendonin se edhe Japonia dhe Australia qenkan Serbi. Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës shqiptare tradicionale të Kosovës Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri serbe dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…

Për të hyrë me NATO-n në Kosovë “të akredituar deri natën e 11/12 Qershorit,  diku pas mesnate,  ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën historike Rilindja, për të cilën ka shkruar-raportuar e fotografuar në 12 Qershor 1999, kur kishim fatin historik të hyjmë në Kosovë me NATO-n që sillte lirinë…

Përtej grafiteve të përçudshme serbe, si një përgjigje dhe realitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 Shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit të Kosovës, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi, e që pasonte Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990 të miratuar para dyerve të mbyllura të ndërtesës së Kuvendit kosovar në Prishtinë nën shtetrrethim edhe me tanke e snajperë të forcave okupatore të Serbisë.

 Një pjesë e forcave të NATO-s u ndal në Kaçanik, ndërsa kolona vazhdoi rrugën drejt Fushës së Pajtimit dhe qytetit të Ferizajt, në orët e pasditës…

 Ora 16. Mbi qytetin e Ferizajt shiheshin re tymi. Për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO-Kosova e Lirë”, kishin dalë ata pak banorë shqiptarë që kishin mbetur në Ferizaj. Ata kishin dalë përkundër kërcënimeve e shumë rreziqeve se ende forcat serbe nuk kishin ikur. “Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin në largim e sipër”, tregonin banorët shqiptarë.

 Në një cep të rrugës ishin ndalur ushtarakë të NATO-s dhe fëmijëve u shpërndanin bombone – ëmbëlsira. Fëmijtë ishin tërë gëzim. Një vajzë 10-vjeçare, shumë smpatike, po shtrëngonte ëmbëlsirën në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”. Për ta ruajtur, veç një herë e afroi te buzët bombonin ajo vajzë që muaj të tërë as s’kishte parë ëmbëlsira e kishte vujtur edhe nga uria në mungesë të bukës. Vajza tregonte se ajo është Shega Asllani dhe se është nxënëse shembullore e klasës së katërt të tetëvjeçares. Një e afërme e saj, Bardha Asllani, me gazetarët spanjollë fliste spanisht, ndërsa për të shprehur falenderimin e madh të gjithë fëmijët përreth brohorisinin për Solanën, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, për Presidentin Amerikan Clinton, Kryeministrin Britanik Bler…

Pas ndonjë ore edhe fushat rreth Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arrijnë deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet mbetet për të nesërmen…

Me gazetarët që nuk u pritej u nisëm për në Prishtinë edhe pse rreziku ishte i madh para se të hynin forcat e NATO-s. Ishte edhe festë lajmi që e jepja drejt Tiranës se po hyja në Prishtinë dhe afër ishin forcat e NATO-s që do hynin…

Po kthehesha në Prishtinë, para mbrëmjes së 12 Qershorit, duke kujtuar edhe largimin drejt kufirit jugor të Kosovës pasi në mbrëmjen e 24 Marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  nga Prishtina në Tiranë për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…

Atë parambrëmje të 12 Qershorit 1999 në qendër të kryeqytetit, te Hotel Grandi, shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar. Në të gjitha anët kishte të shtëna armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur…

 Edhe në atë situatë, mes shumë rreziqesh, po bëja një raportim edhe për gazetën Rilindja, e cila pas ndalimit nga forcat serbe në Kosovë vazhdonte të dalë në Zvicër, Shqipëri…Nuk dola fare nga automjeti që u ndal para hotelit, dolën vetëm gazetarët nga bota.

 Paramilitarët serbë i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotel, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po largoheshim me shpejtësi me automjetin ku ishim…

Po ku të shkonim, ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 Majit 1999 nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.

Në lajmin e 6 Majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”.

“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli i lajmit që kisha raportuar nga Kufiri jugor i Kosovës në 6 Maj 1999, ku theksoja: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëper objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja”…

Në kryeqytetin e Kosovës edhe gjatë gjithë natës së 12-13 Qershorit 1999 breshëritë e armëve serbe vazhdonin dhe plumbat qorr binin mbi kulmin e banesës së boshatisur, ku u strehuam. Nata e fundit e forcave serbe në Prishtinë ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte shqiptarë të vranë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje.

Në mëngjesin e 13 Qershorit 1999 qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolona e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste nga kodrina e Veternikut dhe mbushte sheshet dhe rrugët e Prishtinës. “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat serbe të largohen…” Lajmi që po raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe drejtpërdrejtë i lidhur edhe me Radio Televizionin Shqiptar po shkonte nga Prishtina në Tiranë me telefonin me lidhje zvicerane satelitore, sepse lidhjet tjera telefonike ishin të pamundura. Telefonin që më mundësonte raportimet – lidhjet me Tiranën  ma kishin sjellë familjarë nga Zvicëra – djali Guri Jashari derisa isha në Maqedoni refugjat lufte.  

Në Prishtinën e shkatërruar ndihej erë shkrumi e shtëpive e obekteve tjera të djegura. Nga forcat serbe ishin djegur edhe selia e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe selia e Presidencës së Kosovës. Dyqanet dhe klubet të gjitha ishin të mbyllura dhe të plaçkitura. Hotel Grandi ishte i hapur, por ende jo për shqiptarët. Thuhej se bodrumet e hotelit ishin shndërruar në qendër turturash për shqiparët e rrëmbyer e të arrestuar nga forcat serbe.

Vetëm edhe një lokal-klub tjetër i vogël përball hotelit ishte i hapur. Ai ishte i mbushur plot me njerëzit që pinin kafenë e parë në Prishtinën e lirë. Në Kosovë, edhe në Prishtinë, ku po ndodhte liria…

Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se dje e sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”

Pasditen e 13 Qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe gazeta Rilindja, të cilën e shpërndanim në Kosovën që po çlirohej,  në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.

Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.  

Dhe, vazhdoja raportimin: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12-katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.

Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.

Në qytetin e Kaçanikut, në jug të Kosovës, ushtarët e Ushtirisë Çlirimtare të Kosovës ishin vendosur në ndërtesën e Stacionit të Policisë, prej nga kishin ikur forcat serbe…

Kështu ishte 26 vite më parë…

 Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, mbi 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër një milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, gjeneral britanik, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 Qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes.

Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  poashtu para 17 viteve në 9 Prill, më pak se dy maj pas 17 Shkurtit historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 119 shtete të botës anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara…

MIRËNJOHJE DHE FALËNDERIM PËRJETSHËM PËR MIRËPRITJEN E PËRKUJDESJEN VËLLAZËRORE SHQIPTARE PËR TË DËBUARIT NGA KOSOVA – REFUGJATË TË LUFTËS SË PËRFUNDUAR NË PRANVERËN E LIRISË TË VITIT 1999

Si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, në vitin 1999 të kohës së luftës, të dëbimit të mëse 1 milion shqiptarëve nga Kosova, për rreth dy muaj “selia” e raportimeve të mia ishte kufiri jugor i Kosovës, si dhe Tetova e fshati i afërt Dobrosht – shtëpia e familjes së Mesut Veselit, ku më parë kishin mbërritur njerëz të familjes sime të dëbuar nga forcat serbe… Raportoja edhe nga Shkupi e vende tjera në Maqedoni.

 Akreditimi mu dha nga Ministria e Informatave e Maqedonisë të njëjtën ditë të kërkesës dërguar me telefax nga Agjencia Telegrafike Shqiptare në 5 Prill 1999. Ishte mëngjesi i ditës sime të parë refugjat jashtë kampit të Bllacës, ku pas qëndrimit disaditësh natën kisha kaluar kufirin…

Mirënjohje dhe falënderim të përjetshëm për mirëpritjen e përkujdesjen vëllazërore shqiptare për të dëbuarit nga Kosova refugjatë të luftës së përfunduar në pranverën e lirisë të vitit 1999.

VITI 2005 – MESAZHI I FUNDIT I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA PËR 12 QERSHORIN, DITËN E LIRISË SË KOSOVËS

PRISHTINË, 12 Qershor 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Lirisë të Kosovës, u ka drejtuar qytetarëve të Kosovës një mesazh urimi me këtë përmbajtje:


Me rastin e 12 Qershorit, 6 vjetorit të Ditës së hyrjes të trupave të NATO-s në Kosovë, që është Ditë e Lirisë së vendit tonë, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Dita e 12 Qershorit, pra Dita e Lirisë së Kosovës, është një ditë e madhe që e siguroi qenien tonë nacionale e njerëzore dhe të ardhmen më të lumtur për të gjithë ne.


Në këtë Ditë feste, urime të përzemërta i shprehim Komandantit të KFOR it, Gjeneralit Iv dë Kermabon dhe ushtarëve të Tij.


Njëherësh urime të sinqerta i shprehim UNMIK-ut dhe OSBE-së.


Urime të sinqerta po ashtu u shprehim përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e vendit tonë, në Prishtinë.
Dhashtë Zoti që 12 Qershorin e ardhshëm, Ditën e Lirisë, ta festojmë me njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.

 12 QERSHOR 2005 – PRESIDENTI RUGOVA: 12 QERSHORI MBETET DITA MË E MADHE NË HISTORINË E RE TË KOSOVËS

PRISHTINË, 12 Qershor 2005/ Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në mbrëmjen e 12 Qershorit 2005 në Prishtinë shtroi një darkë solemne për nder të Ditës së Lirisë – 6 vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Të ftuar ishin përfaqësues të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë.


Në këtë solemnitet Presidenti Rugova deklaroi se Kosova është e lirë falë ndihmës së NATO-s. Ai gjithashtu u shprehu mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përpjekjet e bërë për lirinë dhe pavarësinë.


“Kjo do të jetë dita më e madhe në historinë e re të vendit tonë, sepse me të u kurorëzua liria e kombit tonë, që ishte ëndërr dhe përpjekje e shumë gjeneratave”, theksoi në fillim të fjalës së tij Presidenti Rugova.


Duke folur për periudhën e pasluftës, Presdenti Rugova vlerësoi se gjatë këtyre gjashtë vjetëve Kosova ka pasur një progress të madh në të gjitha fushat e jetës, të cilin e ka arritur “me NATO/KFOR-in, që ka bërë dhe po bën sigurinë e Kosovës, si dhe bashkë me UNMIK-un e me OSBE-në në planin civil”.


Ndërsa, duke folur për momentin aktual, ai tha se institucionet po punojnë në përmbushjen e standardeve prioritare dhe në vlerësimin e progresit, që do të krijonte mundësi për pavarësinë e vendit tonë simbas rrugës ndërkombëtare.


“Por, siç e dini, unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe BE sa më shpejtë. Kështu Kosova si vend i pavarur e demokratik është e vendosur për integrim në BE e në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Kjo do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës dhe do të krijonte sigurinë e të ardhmes së të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ritheksoi edhe me këtë rast Presidenti Rugova.


Në vazhdim të fjalës së tij, Presisdenti Rugova lavdëroi punën e paqeruajtësve në Kosovë, duke thënë se “NATO/KFOR-i për gjashtë vjet ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit për të gjithë qytetarët. Kështu KFOR-i mbetet forcë e dashur dhe e nderuar nga i gjithë populli i Kosovës”.


Ai u shprehu mirënjohje ushtarëve të KFOR-it, që në kryrje të detyrave humbën jetën e tyre.
“Në këtë ditë i përkujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

 Njëherësh i shprehim mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të UÇK-së për përpjekjet e bëra për lirinë dhe pavarësinë e tonë”, theksoi Presidenti Rugova, duke përshëndetur me këtë rast Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, që përkrahin Kosovën.

Poashtu ai përkujtoi me pietet të lartë Papa Gjon Palin II që ka ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe përshëndeti Atit e Shenjtë Benedikti XVI, me dëshirë që të lutet për njohjen formale të pavarësisë së vendit tonë.


Presidenti Rugova e luti gjeneralin Kermabon që t’ua përcjellë ushtarëve të KFOR-it urimet e tij të përzemërta dhe të popullit të Kosovës për Ditën e Lirisë së Kosovës, 12 Qershorin, Ditën e NATO-s në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it Iv de Kermabon theksoi se përkushtimi i NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit mbetet i njëjtë si përpara gjashtë viteve, kur u vendosëm në Kosovë.


“Është e rëndësishme të përkujtojmë se KFOR-i nuk vepron i vetëm. Puna që ne bëjmë me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe liderët vendorë mbetet esenciale për ndërtimin e paqes. Pra, partneriteti ynë nuk është vetëm ndërmjet KFOR-it dhe UNMIK-ut, por përshinë edhe partnerët tanë vendorë dhe mbështetja e tyre është esenciale”, tha Kermabon.


Ndërsa Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë Filip Goldberg duke folur në emër të përfaqësive diplomatike në Prishtinë theksoi se ata ndihen krenarë për atë që bënë më 1999.


“Ne jemi shumë krenarë për atë që bëmë në vitin 1999 dhe duam të mbetemi të tillë për atë që do të ndodhë më 2005, 2006 dhe 2007, që do të thotë një Kosovë e cila do të reflektojë vlera demokratike në respektim të njëri-tjetrit, pa marrë parasysh etnitë apo besimin. Janë këto vlera që ne i sollëm më 1999”, theksoi Goldberg.


Në këtë darkë solemne Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dekoroi ushtarët e KFOR-it me Medaljen e Sigurisë.

12 QERSHOR 2019: KOSOVA 20 VJET LIRI, NË FESTËN E MADHE AMERIKA -CLINTON , ALBRIGHT, PALMER…

 Në 12 Qershor 2019 kam raportuar për Gazetën DIELLI, mes tjerash: Festë të madhe sot ka Kosova për 20 vjetorin e lirisë, është festë e gjithë shqiptarëve, urime e përgëzime vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të botës së lirë e demokratike. Presidenti Amerikan Bill Clinton dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright, nga koha e luftës dhe e fitores së paqes e lirisë në Kosovë, si dhe zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit Amerikan, Mattheë Palmer, ishin sot dhe mbajtën fjalime në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në Sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë. Mes shumë pjesëmarrësve ishe edhe ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, i cili ka drejtuar ndërhyrjen shpëtimtare-humanitare në kohën e luftës në Kosovë. Në festimin madhështor ishin drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike dhe diaspora.

Më Prishtinë sot bëhet edhe përurimi i Bustit të Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj, afër American School of Kosova – te Newborn.

Pjesë e festës, mbrëmjen e djeshme u mbajt koncerti i Filarmonisë së Kosovës, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Kosova po feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.

12 QERSHOR 2025, 10 VJET SHKRIMESH-RAPORTIMESH  NGA KOSOVA PËR GAZETËN DIELLI NË AMERIKË

  Në 12 Qershor 2025 bëhen dhjetë vjet të shkrimeve – raportimeve që bëj si korrespondent nga Kosova i Gazetës DIELLI që e njoha nga historia e kombit dhe shtypit shqiptar. E që edhe shumë vite para 12 Qershorit 2015 botonte shkrimet e mia që i merrte nga Agjencia Shtetërore Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë e në shtypin shqiptar.

Raportimet për DIELLIN i nisa pikërisht në Ditën e Lirisë, në përvjetorin e 16-të të hyrjes së NATO-s në Kosovë, me një reportazh për ngjarjen historike, ku në 12 Qershor 1999 isha gazetar i akredituar në kolonën e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare që kishte nisur misionin shpëtimtar e paqerujtës…

Me shumë respekt e vlerësim për gazetën më të  herëshme shqiptare, DIELLI, që në 15 Shkurt 2025 festoi 116 vjetorin, e themeluar nga personalitetet e mëdha të kombit Fan Noli e Faik Konica, organ i Federatës Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA, për të gjithë shqiptarët në SHBA që aq shumë kontribuan për Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet tjera etnike. Falënderime e mirënjohje të përgjithëmonëshme…

 Uroj që gazeta e VATRËS së shqiptarëve në Amerikë të mos shuhet kurrë e të shëndrisë gjithmonë ashtu si DIELLI, emrin e të cilit e ka…

Edhe në Ditën e Lirisë së Kosovës – 12 Qershor 2025 uroj Federaten Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA për festën e saj të 113 vjetorit.

Uroj Kryetarin e VATRËS Elmi Berisha, Kryesinë, Këshillin dhe të gjithë VATRANËT, Shqiptarët në Amerikë…

Me shumë respekt,

Behlul Jashari

Filed Under: Histori

“Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme” Monografi e autorëve Prof. Hamit Boriçi dhe Dr. Jolanda Lila

June 13, 2025 by s p

QSPA/

Ky studim i thelluar mbi zhvillimin historik të shtypit arbëresh shtrihet në kohë prej gjysmës së parë të shek. XIX deri në ditët e sotme dhe studion në mënyrë tërësore historinë e shtypit, sepse nuk kufizohet vetëm tek arbëreshët e Italisë, por edhe tek arvanitasit në Greqi dhe arbneshët e Zarës në Kroaci. Për herë të parë në mënyrë të përmbledhur dhe analitike paraqitet rrugëtimi i gazetarisë arbëreshe, si një dëshmi e gjallë e identitetit, qëndresës dhe zhvillimit kulturor të komunitetit arbëresh në Itali mbi një bazë të gjerë burimesh arkivore dhe bibliografike, me analiza të hollësishme të gazetave, revistave dhe botimeve më përfaqësuese të diasporës arbëreshe. Me një qasje ndërdisiplinore dhe me vëmendje ndaj kontekstit historik, politik dhe shoqëror të secilës periudhë, sillet në dritë mënyra se si shtypi arbëresh ka ndikuar në ruajtjen e gjuhës, në përçimin e vlerave kombëtare dhe në lidhjen me trungun amtar shqiptar. Kapitujt tematikë ndjekin kronologjikisht zhvillimet kryesore të shtypit arbëresh, që nga botimi i gazetës së parë “L’Albanese d’Italia” në vitin 1848 nga De Rada, deri te botimet më të reja, kryesisht në trajtë digjitale, duke përfshirë edhe sfidat e globalizimit dhe ndryshimet teknologjike që kanë ndikuar në natyrën e medias arbëreshe në shek. XXI.

Filed Under: Fejton

Kuvendi i Kosovës, perpetuum mobile e seancave pa kufi

June 13, 2025 by s p

Me inat e kryeneçësi nuk ndërtohet shteti i Kosovës, nuk mund të ecët përpara

Nga dr. Sadik Elshani

Atmosferë e zymtë në skenën politike të Kosovës

Kanë kaluar katër muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe deputetët e zgjedhur, udhëheqësit e partive politike ende nuk jenë në gjendje t’i formojnë, instuticionet: kuvendin dhe qeverinë. Me këtë ata po tregojnë se janë të paaftë të udhhiqni shtetin e Kosovës, janë duke treguar papjekuri e mungesë të kulturës politike. U mungon përkushtimi, këmbëngulja, vullneti për të punuar për mirëqenjen e popullit të Kosovës. Arroganca, cinizmi, kapadaizmi, mosrespekti për njëri-tjetrin nuk janë veti të një udhëheqësi të mirë. Kjo çka po ndodh në Kuvendin e Kosovës është diçka shumë e shëmtuar, është tallje me popullin e shtetin e Kosovës. Por, është diçka edhe më keq që rrezikon shtetësinë e Kosovës, duke e dëmtuar rëndë reputacionin e saj në arenën ndërkombëtare.Një shteti të qëndrueshëm i duhen institucionet demokratike funksionale, e që për fat të keq Kosava gjer më sot ka dështuar t’i formojë. Kur përfaqësuesit e zgjedhur me votën e lirë të popullit, me mosveprimet e tyre, nuk po e respektojnë shtetësinë e Kosovës, si mund të kërkojnë nga të tjerët që ta njohin shtetin e Kosovës? Deri kur të huajt duhet të na kryejnë punët që ne vetë duhet t’i kryejmë? Të habit indiferenca, gjakftohësia, joserioziteti i tyre, thua se asgjë e keqe nuk është duke i ndodhur Kosovës. Si mund t’j marrë dikush seriozisht kur vetë nuk janë seriozë? Siç ndodh zakonisht në mesin tonë, fajin gjithmonë e ka pala tjetër.

Në sistemet parlamentare, siç është ai i Kosovës, vetëm kur një parti e fiton shumicën absolute (61 deputetë) mund ta formojë qeverinë pa patur nevojë për votat e partive të tjera. Por, kjo ndodh rrallë, prandaj, në shumicën e rasteve duhet koalicion me partitë e tjera. Gjuha e acaruar gjatë fushatës zgjedhore, marrëdhëniet jo të mira të udhëheqësve pariakë me njëri-tjetrin, mungesa e bashkëpunimit, guximit e komunikimit të sinqertë.janë bërë pengesë për të arritur një marrëveshje të pranueshme për të gjitha palët. Këto pengesa mund të tejkalohen kur politikanët e Kosovës ivënë përpara interesat jetike të Kosovës e jo egot e tyre të sëmura. Zgjidhja e këtij ngërci politik nuk është e vështire, vetëm duhet pak mirëkuptim, respekt për njëri-tjetrin dhe institucionet e Kosovës, respekt e përkulje për të gjitha ato breza të shqiptarëve që ndër shekuj luftuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

Kjo është një krizë e vetëkrijuar nga deputetët e Kosovës. Problemet shndërrohen në kriza vetëm atëherë kur dështojmë të veprojmë e t’i zgjidhim ato. Ato mund t’i zgjidhin vetëm njerëzit e vullnetit të mirë. “Në çaste krizash njerëzit e mencur ndërtojnë ura, ndërsa budallenjtë ndërtojnë diga”, e lexova diku këtë thënie të bukur. Fajtorë janë edhe përkrahësit e disa udhëheqësve politik të Kosovës, të cilët duhet ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre për t’i bindur ata që të ndërrojnë qasjen e tyre e jo për t’i nxitur që t’i ngulin këmbët e të mos e bëjnë një hap përpara. Të gjithe po mundohen të thirren në emrin e dr. Ibrahim Rugovës, të gjithë po mundohen që ta përvetësojnë trashëgiminë e tij politike për interesat e tyre të ngushta politike, por asnjëri nuk po mundohet që ta ndjekë shembullin e tij. Edhe partia e dr. Rugovës disa herë doli partia e parë në zgjedhje, por nuk i kishte numrat e mjaftueshëm për ta formuar qeverinë, atëherë ai bënte koalicione herë më partinë e dytë e herë më partinë e tretë. Për hir të interesave madhore të Kosovës, ai i linte mënjanë mospajtimet, dallimet ideologjike.

Zgjidhje ka, vetëm duhet përkushtim e vullnet i mire

Pas disa manovrimeve proceduriale, negociatave ndërpartiake me qëllime të mira, ky ngërç nuk ka qenë dashtë të mënjanohej. Por, ja, deri sa po i shkruaj këto radhë, dështoi edhe seanca e 29 -të për ta zgjedhur kryeparlamentarin/kryeparlamentaren. Nëse vazhdon kështu, pa bërë ndonjë hap pozitiv në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje në mes partive, atëherë seancat e tilla do të vazhdojnë gjer në pakufi. “Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet me të njejtat pikëpamje të cilat i kemi përdorur kur i kemi krijuar ato”, është një thënie e Ajnshtajnit. Seanca e parë ka qenë rasti më i mirë për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe formimin e qeverisë, ndërsa rasti i dytë më i mirë është tani, sot. Votimi duhet të jetë i hapur e jo i fshehtë. Votuesit duhet ta dinë se si kanë votuar të zgjedhurit e tyre. Po ashtu, do t’i mënjanonte teoritë konspirative thashethemet e akuzat se dikush ka bashkëpunuar me këtë apo atë parti. Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të jenë opsioni i fundit, pasi të jenë shfrytëzuar të gjitha opsionet tjera. Ato mund të japin përsëri një rezultat të ngjashëm. Vetëm nëse zgjedhësit (elektorati) e ndryshojnë mendësinë dhe përceptimin e tyre për partitë politike, atëherë mund të ketë ndonjë ndryshim të dukshëm. Zgjidhja më e mirë do të ishte ndryshimi i qëndrimeve kokëforta e inatçore të krerëve të partive politike. Zonja Haxhiu, nëse i ka mbetur një fije dinjiteti njerëzor, pas gjithë këtyre seancave të dështuara duhet ta tërheqë kandidaturën e saj e t’i hapë rrugë një kandidati tjetër, që është më i pranushëm nga shumica e deputetëve. Edhe z. Kurti nuk duhet të luajë me dinjitetin e një zonjeje. Të mblidhen përfaqësuesit e partive e të arrijnë një pajtim për një kandidat që është përbashkues dhe që i mishëron vlerat e parlamentarizmit. Preidentja e Kosovës, zonja Osmani – Sadriu duhet të jetë më aktive në këto procese, të mundohet t’i bëjë bashkë krerët e partive. Këtë rol ia përcakton edhe Kushtetuta e Kosovës, neni 84, pika2: (Presidenti) “garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”.

Disa masa plotësuese, korrektuese

Për të mos u përseritur sitautat e njejta në të ardhmen është e nevojshme që të ndërmirren disa masa plotësuese, korrektuese. Kushtetuta e Kosovës, Gjykata Kushtetuese apo rregullorja, ligji i Kuvendit duhet të saktësojë procedurat e zgjedhjes së kryeparlamentarit e të qeverisë: duhet të ketë një afat kohor të caktuar, etj. Duhet të ketë planin B, C…Kryesuesi i seancave të Kuvendit, në këtë rast z. Avni Dehari, duhet vetëm t’i zbatojë procedurat e Kuvendit e jo t’i ndryshojë rregullat sipas direktivave të partisë së tij.

Një fjalë e urtë e Sami Frashërit thotë: “Mirësia që pritet të bëhet për një kohë të gjatë, humb vlerën kur ralizohet”. Ju keni humbur shumë kohë, prandaj, politikanë dhe udhëheqës të Kosovës është çasti i fundit që të veproni.

Filed Under: Analiza

Lidhja e Prizrenit, thirrje për bashkim edhe në ditët e sotme

June 13, 2025 by s p

Eneida Jaçaj, Nju Jork/

Për shqiptarët ka buruar një thirrje e vazhdueshme, e pakohë, një thirrje për zgjim apo bashkim, brenda vendit dhe jashtë trojeve të saj, në diasporë. Duke pasur parasysh ecurinë e zhvillimit të ngjarjeve politike në këto 34 vite, ku Shqipërisë i është vjedhur shpresa, e ardhmja, nuk ka alternativë por vetëm errësirë, për shkak të qëllimeve grabitqare të qeveritarëve për të vjedhur dhe për t’u pasuruar në kurriz të qytetarëve të saj, është një thirrje tashmë “e ngjirur”, për të vënë në funksion të gjithë aparaturën e shtetit, për ta shkundur nga apatia dhe pluhuri i korrupsionit ndër vite, veprimtarinë institucionale, miratimin e politikave ekonomike-sociale veçanërisht për rritjen e punësimit dhe ndërmarrjen e masave që u vinë në ndihmë grupeve të caktuar të shoqërisë, arsimin, shëndetësinë, ndërtimin e infrastrukturës për zhvillimin e turizmit vendas dhe të huaj, etj. Është një klithmë që vjen nga atdheu i largët, por i afërt në zemër dhe në shpirt, pasi ngado që të shkelësh, është ai që e ka vulosur identitetin tonë dhe Shqipëria ka nevojë të rindërtohet në bazë të funksionimit të ligjeve dhe mirëqënies, për të vazhduar ekzistencën e saj në aspektin shtetëror dhe kulturor. 

Shqiptarët janë larguar nga vendi të detyruar që prej kohës së Skëndërbeut, gjatë periudhës së pushtimit osman, por të paktën, edhe pse në vend të huaj, intelektualët kanë punuar për këto troje që kemi sot; ndërsa pas periudhës së tranzicionit, edhe në ditët e sotme, bashkëkombasit po dynden drejt viseve të huaja për një jetë më të mirë, duke lënë vendin dhe shtëpitë e tyre bosh, por duke marrë me vete kujtimet që shërbejnë si ushqim për të mbajtur shpirtin gjallë. Ajka, kokat më të mençura, intelektualët e mirëfilltë që kanë përfunduar studimet në universitetet më të mira në SHBA dhe Europë, kanë qëndruar duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në vendet respektive ku jetojnë, pasi mendojnë se vendi tyre nuk afron asgjë. Atëherë, kush do ta bëjë Shqipërinë?! Nuk ka figura të përshtatshme, qoftë nga PS apo PD, që të mund të derdhin mendjen e tyre për të ardhmen e Shqipërisë. Në politikë kanë hyrë individë që e kanë blerë mandatin me para, ndërsa edhe ato pak figura që e meritojnë të jenë në krye, kryetarët i injorojnë, pasi nuk kanë derdhur para në fushatë. Shqetësimi është se, çfarë do të ndodhë me Shqipërinë e nesërme?! Dua të heq një paralele me Lidhjen e Prizrenit, e cila u mbajt më 10 qershor 1878, 146 vjet më parë, ku shënoi fillimin e një epoke të re, atë të vetëdijes kombëtare dhe të luftës për liri. 

Shqiptarët u bashkuan pa dallim feje e krahine, në një kohë të vështirë, kur Evropa po ndante kufijtë sipas interesave të saj. Pikërisht, në qytetin e Prizrenit u ndez flaka e vetëdijes kombëtare shqiptare, që vetëm përmes bashkimit ndërtuan rrugën që i çoi drejt Pavarësisë. Kjo Lidhje u formua në një moment kritik, kur pas Luftës Ruso-Turke, fuqitë e mëdha evropiane ishin gati të ndanin trojet shqiptare midis shteteve fqinje. Por shqiptarët nuk pranuan të heshtnin. Nga të katër anët e tokave shqiptare, u mblodhën përfaqësues për të mbrojtur trojet e tyre dhe të kërkojnë të drejtat e tyre si komb. Lidhja e Prizrenit nuk ishte një veprim i rastësishëm. Ajo u organizua me vizion, me strukturë politike dhe ushtarake, dhe me një frymë të fortë bashkimi. Në krye qëndruan figura të shquara si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Ali Pasha i Gucisë e Sylejman Vokshi, burra që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Të njëjtat përpjekje duhet të ndërmerren edhe në ditët e sotme, ku mendjet më të ndritura të bashkohen jo kundër pushtuesve të huaj, por ndaj atyre vendas që e kanë kapur peng Shqipërinë për 34 vite me rradhë. Nëse do të vazhdohet me këto politika korruptive, me këtë mendësi që e ka vyshkur demokracinë në palcë, pa shpresë, pa të ardhme, Shqipëria do të zbrazet, dhe, ndoshta të huajt do ta pushtojnë në tërësi, ashtu siç po bëhet në Jug të vendit, ku qeveritarët për interesa të tyre u kanë shitur pjesë toke të huajve për të ngritur bizneset e tyre. Mesazhi që na përcjell Lidhja e Prizrenit është se: vetëm përmes bashkimit, vizionit dhe vendosmërisë mund të arrihen qëllime të mëdha për një popull dhe për territoret e vendit.

Më 10 qershor 1878, ishte dita kur shqiptarët vendosën të mos qëndronin më në heshtje, por të ngrinin zërin për të mbrojtur tokat e tyre, identitetin e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Lidhja e Prizrenit nuk ishte vetëm një mbledhje politike, ajo ishte zgjimi i shpirtit kombëtar. Sot, ndërsa përballemi me sfida të reja si komb, është më e rëndësishme se kurrë të kujtojmë se vetëm të bashkuar mund të ecim përpara. Lidhja e Prizrenit nuk është thjesht një faqe historie, është frymëzim për të sotmen dhe besim për të ardhmen. Lidhja e Prizrenit na mëson se bashkimi kombëtar nuk është vetëm një ëndërr, por një mundësi reale kur populli e do dhe e kërkon me përkushtim. Na mëson se identiteti nuk dhurohet, ai mbrohet, me vullnet, me sakrifica dhe me qëndresë. Sot, 146 vjet më pas, kujtimi i Lidhjes së Prizrenit është më i gjallë se kurrë. Është një thirrje për bashkim, për ruajtjen e identitetit tonë dhe për respekt ndaj atyre që ngritën themelet e kombit shqiptar. Sepse historia nuk është vetëm ajo që ndodhi, është edhe ajo që na frymëzon të jemi më të fortë, më të bashkuar dhe më krenarë për atë që jemi. Lidhja e Prizrenit, ishte hapi i parë drejt ndërgjegjes kombëtare shqiptare, e cila duhet të riformësohet edhe sot, për t’i dhënë Shqipërisë shpresën e munguar dhe për të vendosur në shina funksionimit e shtetit drejt një mirëqënie të begatë. 

Filed Under: Interviste

Propaganda serbe kundër UÇK-së

June 13, 2025 by s p

Hisen Berisha/

(Në vend të urimit në Ditën e Lirisë së Kosovës)

Në vitet e fundit të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, ndërsa lufta në Kosovë arrinte kulmin, makineria propagandistike e regjimit të Sllobodan Millosheviqit ishte vendosur në funksion të plotë. Ajo kishte dy objektiva kryesore: së pari, të konsolidonte opinionin publik serb përmes demonizimit të shqiptarëve të Kosovës dhe UÇK-së si “terroristë islamikë”, dhe së dyti, të shtrembëronte realitetin e luftës për publikun ndërkombëtar, për të penguar ndërhyrjen dhe legjitimitetin e aksioneve të NATO-s.

Ka shumë shembuj konkretë të propagandës serbe, në raport me luftën me UÇK, që janë thelbësorë për të ilustruar dimensionin sistematik, të organizuar dhe afatgjatë të kësaj makinerie propaganduese. Ky segment, pra, makineria e propagandës serbe si instrumentet dhe produktet konkrete përqendrohet në mjetet konkrete të propagandës serbe që kanë pasur në shënjestër UÇK-në dhe veçanërisht Betejën e Koshares.

Beteja e Koshares në sy të propagandës serbe

Në sytë e propagandës serbe, Beteja e Koshares, e cila nisi më 9 prill 1999 dhe zgjati deri në përfundim të luftës me Serbin, shënoi një ndër momentet më të lavdishme të rezistencës së armatosur të UÇK-së.

Aty me forcën e armës, u hoq kufiri në mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke i dhënë dimensionin strategjik fitores së UÇK me organizimin e mëtejshëm të rezistencës.

Kjo betejë, nga perspektiva e propagandës serbe, përfaqësonte një humbje të madhe për Serbin, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe në aspektin psikologjik. Prandaj, menjëherë pas fillimit të luftimeve në Koshare, propaganda shtetërore serbe u mobilizua për të shpërndarë dezinformata, duke tentuar të:

– Minimizojë rëndësinë e betejës, duke e paraqitur si një përleshje të vogël me “grupe të vogla të infiltruar nga Shqipëria”.

– Etiketojë luftëtarët e UÇK-së si mercenarë të huaj, “talibanë”, apo “banditë të drogës”, me qëllim të errësimit të karakterit çlirimtar të UÇK-së.

– Publikojë raporte të rreme për numrin e të vrarëve, duke ekzagjeruar humbjet shqiptare dhe mohuar humbjet e ushtrisë serbe. Kjo makineri e propagandës gjatë luftës fshehi humbjet duke i zhdukur kufomat e të rënëve në fushëbeteja.

– Shpërndajë narratives për “krime të UÇK-së”, për të krijuar një barazi morale të rrejshme mes agresorit dhe viktimës. Edhe sot, trupat e të rënëve dhe viktimave të luftës që u zhdukën në Minierën e Maçkaticës dhe varreza masive në Serbi, si persona të zhdukur i faturohen UÇK – Kosovës.

Ndërsa në versioni heroizues, duke rënë në kundërshtim me versionin viktimizues, në narracionin e filmit “Pakao Koshara – Ferri Koshare” për njësitë sulmuese në frontin e Koshares deklarojnë se: në valën e parë të sulmit kanë qenë 3 – 4 mijë terrorist, ndërsa deri në fund kanë arritur deri në 7 mijë terroriste, të mbështetur nga FA të Shqipërisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, SHBA, etj.”

Po ashtu, për disa muaj rresht, pas Qershorit 1999, … na i kërkuan edhe 600 pjesëtarë të Forcave serbe, si gjoja të zënë robër lufte, deri … në tre muajt e fundit të atij viti, kur me insistimin e HQ/KFOR – të shoqëruar me Urdhërin e KOM/UÇK Gjen. Agim Çeku, ua mundësuam dhe i ndihmuam ti gjëjnë, identifikojnë e marin kufomat e të vrarëve në Frontin e Koshares. Po ashtu, sipas rrëfimit të Gjeneralit serb që udhëhoqi luftimet në “Qafë Morinë” dhe brenda territorit të Shqipërisë në rrethin e Tropojes, në operacionin “Obruč / Rethimi”, ku deklaron se “za nekolikp časova ratovanja ubijeni su 251 domibranaca, i niko ih ne pominje kao da nisu ratovali za otadzbinu, samo one iz sluzbenog vojnog roka” / “për disa orë luftime, janë vrarë 251 vullnetarë serb ….”; 108 rekrut të shërbimit të detyrueshëm ushtarak i pranojnë të vrarë në përballjen e parë të valës së sulmit; sipas dëshmisë së një Oficeri të Forcave serbe, por i përkatësis shqiptare, 1200 trupa pa jetë janë transportuar nga Kosharja. Pra, demantohen vetëvetiu në pretendimin e tyre doktrinor politik, për heroizimin e humbjes së turpshme përballë UÇK.

Ndër instrumentet e propagandës serbe, në këtë fushatë dezinformuese, që i përdori regjimi serb ishin: RTS-në (Radio Televizioni i Serbisë), gazetat si “Politika” e “Vecernje Novosti”, dhe rrjetet diplomatike, si dhe një numër portalesh të lidhura me shërbimet sekrete.

Gjithashtu, përmes diplomacisë agresive dhe lobimit në Perëndim, Serbia përpiqej ta paraqiste luftën në Kosovë si një përballje me “terrorizmin islamik ndërkombëtar”, duke përfituar nga klima e pas-11 Shtatorit, në mesin e aleatëve ndërkombëtarë, edhe pse kjo ndodhi më vonë, propagandën e kishin përgatitur për atë lloj terreni.

Në terren, realiteti ishte krejt tjetër nga mohimi që provonte makineria serbe e propagandës.

Derisa UÇK-ja në Koshare përfaqësonte një formacion të organizuar ushtarak, të përbërë kryesisht nga shqiptarë vendas, shumë prej të cilëve kishin kaluar përgatitje të rregullt ushtarake në Shqipëri apo vende tjera. Disiplina, morali i lartë dhe përkushtimi ndaj çështjes së lirisë e bënin atë betejë jo vetëm ushtarakisht të suksesshme, por edhe simbolikisht lirimtare.

Pikërisht për këtë arsye, Beteja e Koshares u bë e papërballueshme për propagandën serbe. Ajo ekspozoi dobësinë e ushtrisë jugosllave në mbrojtjen e një kufiri që i kishte shërbyer më shumë si instrument izolimi për shqiptarët sesa si kufi real shtetëror.

Trashëgimia e propagandës: nga e kaluara në të tashmen

Edhe pas përfundimit të luftës, propaganda serbe nuk ndaloi. Përmes instituteve të kontrolluara nga shteti, përfshirë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, janë bërë përpjekje sistematike për të rishkruar historinë e luftës, për të kriminalizuar UÇK-në në opinionin ndërkombëtar, dhe për të ndikuar procese të drejtësisë ndërkombëtare, si në rastin e Gjykatës Speciale.

Beteja e Koshares, në thelb, është jo vetëm një moment i lavdisë ushtarake të UÇK-së, por edhe një pikë kritike ku u përplasën dy botë: bota e lirisë dhe vullnetit për çlirim të shqiptarëve të Kosovës dhe bota e shtypjes, manipulimit dhe propagandës serbe.

Duke folur sot për propagandën serbe gjatë kësaj periudhe, është e domosdoshme të kujtojmë se luftërat moderne nuk fitohen vetëm me armë – por edhe me të vërtetën. Dhe në rastin e Kosovës, e vërteta ka dalë në shesh, pavarësisht përpjekjeve për ta fshehur ose deformuar.

Makineria e propagandës serbe – instrumentet dhe produktet konkrete

Pas humbjes së kontrollit real mbi Kosovën, regjimi serb nuk ndaloi së luftuari veçse ai thjesht ndryshoi fushëbetejën. Propaganda u bë mjeti i preferuar për të zhbërë fitoret ushtarake dhe morale të shqiptarëve. Kjo propagandë nuk ishte spontane; ishte e organizuar, e financuar nga shteti, dhe shumëdimensionale.

Produktet e propagandës janë:

Filmat propagandistikë dhe dokumentarët e luftës:

– „Pakao Košara“ (Ferri i Koshares) – Një film dokumentar i prodhuar nga RTS dhe strukturat ushtarake serbe, që tenton ta paraqesë betejën si një përballje heroike të ushtarëve serbë kundër një armiku të “fuqishëm, të huaj dhe të egër”. Narrativa është e qartë: glorifikimi i ushtrisë jugosllave dhe demonizimi i UÇK-së.

– „Drugi kosovski boj” apo “Vijetnam u Košarama“ (Beteja e dytë e Kosovës – Vietnami në Koshare) – Një seri emisionesh me tone emocionale, i mbushur me intervista të ish-ushtarakëve, luftëtarëve, paramilitarëve dhe strukturave kriminale serbe, që flasin për luftime të pamundura dhe për një armik “të paemërtueshëm”, duke e vendosur veten në rolin e viktimës dhe heroizuar humbjen.

Këto filma nuk janë thjesht rrëfime; janë konstrukte ideologjike që synojnë të shërbejnë si mjet edukimi për brezat e rinj dhe për mobilizim shoqëror në linjën nacionaliste.

Emisione televizive dhe programet speciale

Qindra orë transmetimi janë dedikuar kësaj teme, veçanërisht nga:

– RTS, TV Pink, Happy TV, dhe media tjera pro-qeveritare.

– Emisione me ish-oficerë, luftëtarë vullnetarë, analistë ushtarakë, dhe përfaqësues të kishës ortodokse – që e vendosin UÇK-në në kontekstin e një “kërcënimi të përhershëm” ndaj kombit serb.

– Dokumentarë të prodhuar për përvjetorë, ku UÇK-ja paraqitet si një organizatë kriminale dhe Beteja e Koshares si një “luftë për mbrojtje të Evropës”.

Librat dhe tekstet shkollore

Në shkollat serbe, veçanërisht në Serbi dhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë, janë përdorur:

– Tekste të historisë ku UÇK-ja përshkruhet si një organizatë e mbështetur nga terroristë ndërkombëtarë dhe NATO.

– Libra të ilustruar për fëmijë, me rrëfime për “trimat serbë në Koshare”, ku shqiptarët shpesh përshkruhen me terma si “pushtues”, “të egër”, apo “të huaj”.

– Manuale ushtarake dhe kujtime të komandantëve, të botuara me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, ku gënjeshtra historike shndërrohen në narrativë zyrtare.

Përdorimi i kishës dhe simbolikës fetare

Kisha Ortodokse Serbe është pjesë e kësaj makinerie propagandistike. Në shumë raste:

– Lutjet publike për “heronjtë e Koshares” janë shndërruar në mesazhe politike kundër pavarësisë së Kosovës.

– Monumente dhe lapidarë janë ngritur në Serbi për ushtarët e vrarë në Koshare, me përshkrime që e barazojnë këtë betejë me betejën e parë të Kosovës më 1389 – duke krijuar një mitologji të re serbe, ku Kosharja shihet si “beteja moderne për mbrojtjen e kombit”.

Platforma digjitale dhe rrjetet sociale

Në dekadën e fundit, propaganda është transferuar edhe në formate moderne:

– Video në YouTube me tituj si “Istina o UČK” (E vërteta për UÇK-në), të mbushura me manipulime, montazhe selektive dhe intervista të orkestruara.

– Rrjete si Telegram, ku qarkullojnë narrativat për “krime të UÇK-së” pa burime të verifikuara.

– Botime pseudo-akademike në internet që tentojnë të krijojnë “versionin serb të historisë së luftës”, për ta sfiduar versionin e pranuar ndërkombëtarisht.

Qëllimi përfundimtar: Zhbërja e narrativës së luftës çlirimtare

Makineria propagandistike serbe vazhdon të prodhojë mite dhe deformime rreth luftës në Kosovë. Filmat, librat, rrjetet sociale, kisha dhe shkollat – janë bërë platforma për të zhbërë narrativën e drejtë të çlirimit. Por siç u fitua lufta në terren, po ashtu duhet të fitohet edhe lufta për të vërtetën.”

E gjitha kjo propagandë ka një synim të qartë: të rrëzojë legjitimitetin moral dhe historik të luftës së UÇK-së, duke e vendosur atë në një kategori me organizata kriminale, për të nxitur revizionizëm dhe për të vonuar apo bllokuar proceset e normalizimit.

Përballë kësaj makinerie të sofistikuar, është thelbësore që e vërteta historike dhe dëshmia e gjallë e popullit të Kosovës të mos heshtin. Sepse ashtu siç u fitua lufta në terren, duhet të fitohet edhe lufta për kujtesën kolektive dhe historinë e drejtë.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT