• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare

March 15, 2026 by s p

#AShSh

#FaikKonica

Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, Faik Konica me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912-n u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit, SHBA.

Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën “Albania”. Kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propagandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Më 1909 Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA, ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912-n ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, shkuan në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi një veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.

Në 1921-shin u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet ’20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”.

U nda nga jeta në Uashington më 14 dhjetor 1942.

www.akad.gov.al

Filed Under: Politike

Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

March 15, 2026 by s p

Ndriçim Kulla/

Ndarja nga jeta sot e filozofit gjerman Jürgen Habermas shënon mbylljen e një epoke të mendimit evropian. Ai ishte ndër ata mendimtarë që nuk e panë filozofinë si një strehë abstrakte idesh, por si një përgjegjësi publike ndaj shoqërisë, ndaj demokracisë dhe ndaj së vërtetës.

Habermas i përkiste atij brezi intelektualësh që u përpoqën të rindërtonin ndërgjegjen morale të Evropës pas katastrofave të shekullit XX. Ai besoi se shpresa e qytetërimit modern nuk qëndron te forca, as te propaganda, por te arsyeja që dialogon dhe te argumenti që bind. Për të, demokracia ishte para së gjithash një kulturë komunikimi, një hapësirë ku qytetarët përballen me njëri-tjetrin jo si armiq, por si bashkëbisedues.

Për mua, kjo humbje ka edhe një dimension të veçantë personal. Disa nga veprat e tij pata nderin t’i botoj të përkthyera në shqip përmes shtëpisë botuese Plejad. Ishte një përpjekje modeste për të sjellë në gjuhën tonë një nga zërat më të thellë të filozofisë bashkëkohore, një mendim që i fton shoqëritë të mos dorëzohen para cinizmit dhe të mos e braktisin besimin tek arsyeja.

Në kohë të trazuara, kur shpesh dialogu zëvendësohet nga zhurma dhe e vërteta nga manipulimi, mendimi i Habermasit mbetet një kujtesë e fuqishme: demokracia jeton vetëm aty ku fjala është e lirë dhe argumenti ka peshë.

Lamtumirë një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne. Veprat dhe idetë e tij do të vazhdojnë të jenë pjesë e debatit tonë publik për shumë kohë.

Filed Under: ESSE

Hormuzi dhe Kharg: beteja për arterien e naftës botërore

March 15, 2026 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Në një ditë normale, rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, një korridor detar shumë i ngushtë mes Iranit dhe gadishullit Arabik. Kjo e bën ngushticën një nga pikat më të rëndësishme strategjike të ekonomisë globale. Megjithatë, javët e fundit trafiku i tankerëve është ulur ndjeshëm, pasi Irani ka paralajmëruar se çdo anije që hyn në këtë zonë mund të bëhet objektiv. Paralajmërimi ka shkaktuar një rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës dhe ka tronditur tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Nga këndvështrimi amerikan, situata paraqet një paradoks strategjik. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë epërsi të qartë ushtarake, por në një hapësirë të ngushtë detare si Hormuzi, Irani gëzon avantazhin gjeografik dhe taktik. Edhe një kundërshtar më i dobët mund të krijojë pengesa të mëdha në një korridor kaq të kufizuar. Administrata e presidentit Donald Trump u duk fillimisht e papërgatitur për reagimin iranian. Sipas raportimeve në mediat amerikane, zyrtarët e sigurisë kombëtare pranuan në takime konfidenciale se mbyllja e ngushticës nuk ishte parashikuar si skenar kryesor pas sulmeve ndaj objektivave iraniane. Fillimisht u diskutua që marina amerikane të eskortonte tankerët përmes ngushticës, por më pas presidenti deklaroi se anijet tregtare duhet të hyjnë vetë në Hormuz, duke theksuar se një pjesë e madhe e flotës iraniane tashmë “ndodhet në fund të oqeanit”.

Megjithatë, edhe nëse flota konvencionale e Iranit është goditur rëndë, kërcënimi real mbetet nga forcat detare të Gardës Revolucionare Islamike. Këto njësi kanë ndërtuar për dekada një strategji asimetrike për të bllokuar trafikun në Hormuz përmes një kombinimi armësh: mina detare, raketa kundër anijeve, dronë, mini-nëndetëse dhe dhjetëra anije të shpejta të armatosura.

Pse SHBA ka goditur ishullin Kharg të Iranit?

Në këtë kontekst tensioni, SHBA ndërmori një goditje të rëndësishme ndaj Ishullit Kharg, një ishull i vogël në Gjirin Persik që përbën qendrën kryesore të eksporteve të naftës iraniane. Presidenti Trump deklaroi se ushtria amerikane ka bombarduar objektivat ushtarake në ishull, duke thënë se instalimet ushtarake janë “shkatërruar plotësisht”. Megjithatë ai theksoi se SHBA ka vendosur të mos godasë infrastrukturën e naftës për të shmangur një përshkallëzim të madh ekonomik dhe ushtarak. Presidenti paralajmëroi se vendimi mund të ndryshojë nëse Irani ose aktorë të tjerë ndërhyjnë në kalimin e sigurt të anijeve në Hormuz. Nga ana tjetër, ushtria iraniane paralajmëroi se infrastruktura energjetike e kompanive që bashkëpunojnë me SHBA do të shkatërrohet menjëherë nëse goditen objektet energjetike iraniane.

Pse ishulli Kharg është kaq i rëndësishëm për Iranin?

Megjithëse është vetëm një formacion i vogël shkëmbor rreth 24 kilometra nga bregdeti iranian, ishulli Kharg ka një rëndësi strategjike të jashtëzakonshme për ekonominë e Iranit. Rreth 90 për qind e naftës bruto të vendit eksportohet përmes terminaleve të këtij ishulli. Nafta transportohet nga territori kontinental iranian përmes tubacioneve dhe më pas ngarkohet në super-tankerë gjigantë që ankorohen në portet e gjata të ishullit.

Brigjet e Kharg janë pranë ujërave të thella, gjë që e bën më të përshtatshëm për tankerët shumë të mëdhenj sesa bregdeti kontinental iranian, i cili është relativisht i cekët. Pasi ngarkohen, tankerët kalojnë nëpër Gjirin Persik dhe dalin nga Hormuzi, duke transportuar naftën kryesisht drejt Kinës, blerësi më i madh i naftës iraniane. Terminali i Kharg është gjithashtu një burim i rëndësishëm financiar për Gardën Revolucionare.

Çfarë kanë thënë SHBA dhe Irani për sulmin?

Sipas Komandës Qendrore të SHBA, operacioni amerikan goditi më shumë se 90 objektiva ushtarake iraniane në ishull. Mes objektivave të shkatërruara përfshihen depot e minave detare, bunkerët e raketave, instalimet e mbrojtjes ajrore dhe struktura të tjera operative. Presidenti Trump e përshkroi operacionin si një nga bombardimet më të fuqishme në historinë e Lindjes së Mesme, duke theksuar se të gjitha objektivat ushtarake janë neutralizuar. Ai shtoi se për arsye strategjike kishte vendosur të mos shkatërronte infrastrukturën e naftës në ishull.

Media iraniane raportoi se instalimet e naftës nuk janë dëmtuar dhe se eksportet vazhdojnë normalisht. Zyrtarët në provincën Bushehr deklaruan se nuk pati viktima dhe se aktivitetet në ishull vazhdojnë pa ndërprerje. Megjithatë ushtria iraniane paralajmëroi se infrastruktura energjetike e kompanive që bashkëpunojnë me SHBA do të kthehet në hi nëse goditen objektet energjetike iraniane.

Pse SHBA nuk goditi terminalet e naftës?

Shkatërrimi i plotë i infrastrukturës energjetike të Kharg do të kishte pasoja shumë të rënda për ekonominë iraniane, por gjithashtu do të përbënte një përshkallëzim të madh të konfliktit. Një sulm i tillë mund të rrisë ndjeshëm çmimet globale të naftës dhe të destabilizojë tregjet energjetike ndërkombëtare.

Për më tepër, një veprim i tillë mund të shtyjë Iranin të godasë infrastrukturën energjetike në gjithë Lindjen e Mesme. Irani ka ende kapacitet të përdorë dronë të shumtë të armatosur me eksplozivë që mund të godasin vendet arabe të Gjirit, anijet tregtare ose instalime kritike. Një nga objektivat më të ndjeshme mund të jenë edhe impiantet e desalinizimit që furnizojnë me ujë të pijshëm miliona njerëz në rajon.

Strategjia iraniane: luftë e ngadaltë në një korridor të ngushtë

Që nga vitet 1980, Irani ka zhvilluar një strategji që nuk synon të fitojë një betejë klasike me flotën amerikane, por të rrisë koston e pranisë amerikane në Gjirin Persik. Hormuzi është pika ideale për këtë strategji. Para fillimit të konfliktit vlerësohej se Irani kishte rreth 5,000 mina detare. Disa prej tyre janë mina të thjeshta kontakti, ndërsa të tjera janë mina moderne që aktivizohen nga ndryshime magnetike, akustike ose presioni i një anijeje që kalon mbi to. Këto mina mund të vendosen nga mini-nëndetëse, anije të vogla peshkimi të modifikuara, dronë detarë pa pilot dhe dhjetëra anije të shpejta të armatosura. Edhe një numër relativisht i vogël minash mund të paralizojë trafikun tregtar për javë të tëra.

Problemi amerikan: pastrimi i minave nuk është prioritet

Për Shtetet e Bashkuara sfida më e madhe nuk është shkatërrimi i flotës iraniane, por pastrimi i minave detare. Në vitet e fundit marina amerikane ka reduktuar flotën e saj të dedikuar për këtë mision dhe vetëm disa anije të posaçme për pastrimin e minave mbeten në inventar. Strategjia e re mbështetet në anije të tipit Littoral Combat Ship, helikopterë dhe robotë nënujorë pa pilot. Megjithatë kjo teknologji nuk është testuar ende në një konflikt të madh real. Pas Luftës së Gjirit në vitin 1991, SHBA dhe aleatët e saj u deshën 51 ditë për të pastruar 907 mina edhe pse Iraku kishte dorëzuar hartat e fushave të minave.

Përshkallëzimi i mundshëm

Nëse Hormuzi bllokohet, Uashingtoni ka disa opsione, por asnjëri nuk është ideal. Një mundësi është zgjerimi i bombardimeve ndaj Iranit për të detyruar Teheranin të ndalojë operacionet në ngushticë. Një tjetër opsion do të ishte kontrolli i drejtpërdrejtë i bregdetit iranian me marinsa ose forca speciale për të shkatërruar bazat detare dhe depot e minave. Por kjo do të nënkuptonte futjen e trupave tokësore në territor iranian dhe rrezikun e një lufte të gjatë dhe të kushtueshme.

Një luftë kohe

Në fund të fundit, strategjia iraniane nuk synon të mposhtë drejtpërdrejt SHBA-në në det. Qëllimi është të zvarritet konflikti, të rritet presioni mbi tregjet globale të energjisë dhe të krijohet presion politik mbi Uashingtonin. Çdo javë që trafiku i naftës mbetet i bllokuar në Hormuz rrit çmimet e energjisë dhe shton presionin mbi ekonominë globale. Për shumë analistë amerikanë, kriza e Hormuzit është më shumë se një përplasje detare; ajo është një provë strategjike për të parë nëse fuqia më e madhe ushtarake në botë mund të mbrojë arterien më të rëndësishme të energjisë globale pa u përfshirë në një luftë të gjatë në Gjirin Persik.

Filed Under: Ekonomi

PRANVERA E DINJITETIT – KUJTESË E SAKRIFICËS DHE GUXIMIT PËR LIRI

March 15, 2026 by s p

“Pranvera e Dinjitetit” nuk është vetëm një manifestim përkujtimor. Ajo është një kujtesë e gjallë e sakrificës, e guximit dhe e vendosmërisë së një brezi që u ngrit për liri. Kjo veprimtari kujton një nga datat më të ndritura të historisë sonë të re – 14 marsin e vitit 2001. Një datë që mbetet e gdhendur në ndërgjegjen kombëtare si momenti kur bijtë dhe bijat më të mirë të këtij kombi u ngritën për dinjitet, për barazi dhe për liri.

Rajoni ynë ka kaluar nëpër shumë sprova historike. Ka përjetuar konflikte, padrejtësi dhe përpjekje të vazhdueshme për ta zbehur identitetin dhe të drejtat tona. Por historia na ka mësuar një të vërtetë të madhe: se kur kombi shqiptar bashkohet rreth idealit të lirisë, ai bëhet i pathyeshëm.

Qëndresa jonë nuk filloi në vitin 2001. Ajo është vazhdimësi e një rruge të gjatë sakrifice. Filloi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nën udhëheqjen e Komandantit legjendar Adem Jashari, vazhdoi me Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, dhe mori hov të ri me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Lufta e vitit 2001 ishte një moment i madh i ndërgjegjes kombëtare. Në atë kohë u ngritën të rinj e të moshuar, studentë, intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë. Ata u bashkuan rreth një ideali të vetëm, t’i shërbejnë lirisë dhe dinjitetit të kombit shqiptar.

Pas 25 vitesh, ne përulemi me respekt të thellë para atyre që sakrifikuan gjithçka për këtë ideal. Kujtojmë me nderim dëshmorët tanë, bijtë dhe bijat që me gjakun dhe veprën e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit. Falë qëndresës dhe vendosmërisë së tyre u krijuan rrethana të reja politike dhe juridike, që sollën avancimin e statusit dhe të drejtave të shqiptarëve në vendin tonë.

Prandaj, kujtimi i dëshmorëve dhe respekti për sakrificën e tyre nuk është vetëm një detyrë morale. Është një obligim kombëtar për çdo shqiptar, kudo që ndodhet në botë. Le ta ruajmë këtë kujtesë, ta përcjellim te brezat e rinj dhe ta mbajmë të gjallë idealin për të cilin u sakrifikuan më të mirët tanë.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

Qoftë e lavdishme vepra e tyre!

Filed Under: Kronike

ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE

March 14, 2026 by s p



Më 12 mars 2026, në orën 10:00 të mëngjesit, në sallën prestigjioze Sala Zuccari të Senatit të Republikës Italiane, u zhvillua edicioni i tretë i Çmimit Ndërkombëtar për Ekselencë Divinamente Donna, i promovuar nga Shoqata VerbumlandiArt Aps.
Midis figurave të spikatura femërore nga fusha të ndryshme të: dijes, artit, letërsisë, kulturës, gazetarisë, biznesit, shoqërisë bashkëkohore, etjer, Çmimi Ndërkombëtar i Ekselencës për Kulturën iu akordua edhe promovueses së njohur ndërkombëtare, përkthyeses dhe shkrimtares Angela Kosta me motivimin:

“Për vlerën e lartë të angazhimit kulturor dhe letrar, e aftë të ndërtojë ura midis popujve, gjuhëve dhe ndjeshmërive të ndryshme, në shenjë të dialogut dhe paqes…
Poete, shkrimtare, gazetare dhe promovuese e palodhur kulturore, Angela Kosta ka ditur t’i japë fjalës një dimension ndërkombëtar, duke e shndërruar atë në një mjet bashkimi dhe vetëdijeje. Prodhimi i saj letrar, i thellë dhe i rafinuar, trajton me thellësi tema universale si identiteti, eksodi, dinjiteti njerëzor dhe gjendja femërore, duke ua rikthyer zërin dhe dritën, përvojave të grave në botën bashkëkohore. Përmes aktivitetit të saj të përhapjes kulturore dhe të bashkëpunimit me realitete artistike ndërkombëtare, ka kontribuar në vlerësimin e kulturës si forcë krijuese të dialogut, respektit dhe rritjes kolektive. Për koherencën e rrugëtimit të saj, për cilësinë e veprës së saj dhe për ta bërë kulturën mjet emancipimi dhe takimi midis popujve, shembull autoritar i ekselencës intelektuale dhe ndjeshmërisë njerëzore.

Ky çmim prestigjioz iu akordua gjithashtu edhe shqiptares 10 vjeçare Chanel Bashhysa, për librin e saj të parë i cili po korr shumë sukses në libraritë italiane: “Michelle e il Suo Sogno da Principessa – Mishel dhe Ëndrra e Saj si Principeshë”, me motivimin: 

“Për ndjeshmërinë dhe krijimtarinë e jashtëzakonshme të demonstruar në një moshë kaq të re, e duke ditur ta kthejë imagjinatën në një histori që mund të frymëzojë dhe të bëjë të ëndërrojë. Me librin e përrallës “Mishel dhe Ëndrra e Saj si Princeshë”, Chanel Bashhysa, vetëm dhjetë vjeçe, ofron një rrëfim delikat dhe të shndritshëm, ku dëshira nuk është vetëm fantazi, por dëshirë për rritje, guxim dhe besim në vetvete. Përmes pastërtisë së shikimit fëminor, autorja na kujton se çdo vajzë mund të jetë princesha e fatit të saj, jo për një kurorë, por për forcën e zemrës dhe bukurinë e vlerave. Për dhënien e zërit të magjisë së fëmijërisë, për inkurajimin e vajzave të tjera që të besojnë në ëndrrat e tyre dhe për demonstrimin se talenti nuk ka moshë kur lind nga pasioni autentik, premtim i ri i shkrimit dhe simbol i shpresës e së ardhmes.

Në falenderimin e saj ndaj Shoqatës VerbumlandiArtAps në të cilën është anëtare, Presidentes Regina Resta, si dhe Komitetit Shkencor të Nderit, Angela Kosta, u shpreh:

Ky çmim më jep përgjegjshmëri dhe më nxit akoma më shumë, jo vetëm të promovoj por edhe të vazhdoj më tej në ndërtimin e urave kulturore edhe aty ku nuk kam arritur deri më sot, që zëri, gjuha, letërsia shqiptare të njihen edhe në shtetet e kontinentet më të largëta.

Ndihem krenare që në këtë event madhështor, Shqipëria u përfaqësua edhe nga një tjetër figurë ekselencë, skenaristja dhe poetja e mirëfilltë Natasha Lako, për të cilën propozimi im për të u aprovua me sukses nga Shoqata Kulturore VerbumlandiArt. Tërheqja e çmimit nga ana e saj na nderon të gjithëve, jo vetëm ne femrat shqiptare, por cilindo bën pjesë në panoramën e artit dhe kulturës bashkëkohore në vendin tonë dhe kudo në diasporë.

Natasha Lako u akordua me Çmimin Ndërkombëtar të Ekselencës, me motivimin:

“Shkrimtares Natasha Lako, zë i shquar i letërsisë bashkëkohore shqiptare, në vlerësim të thellësisë së saj poetike, ndjeshmërisë kulturore dhe guximit intelektual me të cilat ajo ka pasqyruar gjendjen njerëzore, sfidat shoqërore dhe transformimet e vendit të saj.
Me veprat e saj, ajo ka ditur të ndërthurë forcën narrative me finesën e ndjeshmërisë, duke u dhënë zë historive të grave, kujtesës dhe qëndresës, si dhe duke kontribuar në vlerësimin dhe promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar në kontekstin ndërkombëtar.
Shkrimi i saj përbën një dëshmi të lirisë, krijimtarisë dhe angazhimit qytetar, të aftë për të frymëzuar reflektim dhe pjesëmarrje emocionale tek lexuesit e çdo brezi.”

Në pjesën e dytë të eventit, vazhdoi ceremonia e dhënies së çmimeve të konkursit, ku ishin prezent jo vetëm fitues nga Italia, por edhe nga shumë vende të huaj të botës. Një ndër ta ishte edhe autori shqiptar Fatmir Gjata, fitues i çmimit të I° në seksionin e autorëve të huaj, me librin e tij poetik:“Sono uno dell’esercito dei vinti”.

Përbërja e Jurisë për vitin 2026 konfirmon prestigjin e Çmimit Divinamente Donna, i cili dallohet për vëmendjen ndaj cilësisë letrare dhe artistike, kërkimit shkencor, angazhimit social dhe vlerësimit të zërave femërorë në botë.
Për të garantuar autoritetin, pluralitetin e vizionit dhe cilësinë absolute të veprave të përzgjedhura ishte Juria e jashtëzakonshme, e përbërë nga personalitete të shquara të panoramës kulturore italiane dhe ndërkombëtare e midis tyre edhe Angela Kosta për seksionin: Autorët e Huaj.

Në letrën e saj dërguar një ditë pas eventit, promovueses Angela Kosta, Presidentja e Shoqatës VerbumlandiArtAps Dr Regina Resta, shprehet:

E nderuara fituese e Çmimit Ndërkombëtar të Ekselencës “DivinaMente Donna”, Angela Kosta.

dëshiroj t’ju drejtoj një falenderim të sinqertë dhe të përzemërt për pranimin e ftesës sonë zyrtare si dhe për ardhjen në Romë për të ndarë me ne këtë ditë kaq intensive kulturore, arti dhe vlerash njerëzore. Prania juaj i dha dritë, kuptim dhe prestigj këtij eventi. Ju, me rrugëtimin, talentin dhe përkushtimin tuaj, përfaqësoni një shembull autentik të asaj force krijuese dhe morale që çmimi DivinaMente Donna dëshiron të shprehë, të ndajë dhe të festojë.

Ishte një nder t’ju dorëzonim këtë vlerësim e mbi të gjitha të dëgjonim historinë tuaj, mendimet tuaja dhe pasionin tuaj, të cilat pasurojnë botën e kulturës, gazetarisë, artit dhe angazhimit qytetar. Sërish faleminderit që sollët në Romë energjinë tuaj, ndjeshmërinë dhe talentin tuaj, duke kontribuar për ta bërë këtë edicion të çmimit, një moment të vërtetë organizimi, përqafimi, ndarjeje dhe me vlerë të lartë njerëzore. Me mirënjohje dhe vlerësim,
një përshëndetje e përzemërt me urimin që rrugëtimi i “DivinaMente Donna” të vazhdojë të bashkojë gra të jashtëzakonshme si Ju.
Faleminderit nga zemra.
Presidente: Regina Resta, 13 mars, 2026 (Romë)

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ikja e heshtur e Shqipërisë, kur një komb humbet njerëzit që ndërtojnë të ardhmen
  • Kur Kosova përçahet, Serbia ëndërron rikthimin e së kaluarës
  • Republika e pesë yjeve
  • Shqipëria e Vogël në Bronx: Një Komunitet i formuar nga historia, vështirësia dhe shtëpia
  • TURPI I NJË DEKLARATE QË SFIDON TË VËRTETËN HISTORIKE
  • JEHONA QË ZGJOI NJË QYTET
  • THE TIME TO ACT IS NOW
  • Dinjiteti dhe rrënjët e revolucionit të flamingove
  • LITTLE ALBANIA IN THE BRONX
  • Jared Kushner had better drop out of his Albania project—for his own good
  • Janina e vitit 1897, kryeqyteti i Shqipërisë në perceptimin e shtypit ndërkombëtar
  • REKOMANDIME STRATEGJIKE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS – FORCIMI I INSTITUCIONEVE, DIPLOMACISË DHE KULTURËS SHTETËRORE TË MIRËNJOHJES
  • ANTHONY ATHANAS, SHQIPTARI QË NDEROI AMERIKËN DHE NUK HARROI KURRË SHQIPËRINË
  • “Malet e ndaluara” të Dino Buxatit…
  • “Shënpoeti” Petrit Ruka

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT