• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj

March 14, 2026 by s p

Dr. Bledar Kurti

(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)/

Në historinë e kombeve ka momente kur institucionet nuk mjaftojnë më për të mbajtur gjallë besimin e qytetarëve. Në ato çaste, shoqëritë kërkojnë diçka më shumë sesa rregulla, zgjedhje apo parti: kërkojnë karakter. Kërkojnë njerëz që nuk hyjnë në politikë për karrierë, por që thirren nga detyra. Shqipëria sot duket se ndodhet pikërisht në një moment të tillë. Ajo ka nevojë për “Xhorxh Uashingtonët” e saj, njerëz që nuk kërkojnë e jetojnë për pushtet, por që janë të gatshëm ta mbajnë mbi supe përgjegjesinë kur shoqëria ua kërkon.

Në historinë politike botërore, figura e Xhorxh Uashingtonit është emblematike, e duke qenë se SHBA feston vitin e 250-të të pavarësisë vlen të merret si referim. Ai nuk ishte një politikan profesionist në kuptimin modern të fjalës. Ishte një pronar tokash, një komandant ushtarak dhe një qytetar që u thirr nga historia. Kur kolonitë amerikane u përfshinë në luftën për pavarësi, ai pranoi të udhëhiqte ushtrinë kontinentale. Kur lufta përfundoi, ai u kthye në jetën private në fermën e tij në Mount Vernon. Dhe kur më pas shteti i sapokrijuar kishte nevojë për stabilitet institucional, ai pranoi të bëhej presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara.

Por ndoshta akti më i madh politik i Uashingtonit nuk ishte pranimi i pushtetit, ishte refuzimi i tij.

Pas dy mandateve si president, ai mund të kishte vazhduar më gjatë. Popullariteti i tij ishte i pakrahasueshëm. Në një epokë kur shumë udhëheqës shndërroheshin lehtësisht në monarkë ose diktatorë, Uashingtoni bëri të kundërtën: ai vendosi të largohej vullnetarisht nga pushteti. Me këtë akt ai krijoi një standard moral për demokracinë amerikane, idenë se pushteti nuk është pronë personale, por një përgjegjësi e përkohshme.

Kjo filozofi politike është pothuajse e panjohur në kulturën politike shqiptare. Në Shqipëri politika është shndërruar prej kohësh në profesion të përhershëm. Shumë figura publike kalojnë dekada në pushtet ose në orbitën e tij, duke kaluar nga një post në tjetrin, nga një parti në tjetrën, nga një mandat në tjetrin. Pushteti rrallëherë shihet si shërbim i përkohshëm; më shpesh trajtohet si karrierë, si investim personal apo si instrument kontrolli.

Kjo nuk është vetëm problem individësh. Është një problem kulture politike.

Shoqëria shqiptare ka prodhuar shumë profesionistë të shkëlqyer: akademikë, sipërmarrës, juristë, inxhinierë, artistë dhe intelektualë që gëzojnë respekt të gjerë. Por shumica e tyre qëndrojnë larg politikës. Arsyeja është e kuptueshme: politika shihet si një terren konfliktual, i polarizuar dhe shpeshherë i kontaminuar nga interesa të ngushta. Për shumë njerëz me integritet, hyrja në këtë botë duket si një rrezik për reputacionin dhe qetësinë personale.

Megjithatë, kur njerëzit më të aftë dhe më të besueshëm tërhiqen plotësisht nga jeta publike, hapësira nuk mbetet bosh. Ajo mbushet nga ata që e kërkojnë pushtetin më shumë se sa përgjegjësinë.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka nevojë për një kulturë të re të shërbimit publik – një kulturë që i ngjan modelit të Uashingtonit.

Ideja nuk është që vendi të gjejë një figurë të vetme heroike. Demokracitë moderne nuk ndërtohen mbi individë shpëtimtarë. Ajo që nevojitet është një brez i tërë njerëzish që hyjnë në jetën publike jo për karrierë, por për detyrë. Njerëz që kanë ndërtuar më parë një jetë profesionale dhe morale jashtë politikës, dhe që janë të gatshëm të kontribuojnë për një periudhë të kufizuar.

Ky model ka disa avantazhe të rëndësishme.

Së pari, ai e zvogëlon tundimin për ta trajtuar pushtetin si pronë personale. Kur dikush e di se politika nuk është destinacioni i përhershëm i jetës së tij, është më e lehtë të marrë vendime të vështira dhe jopopullore në interes të vendit.

Së dyti, ai rrit besimin publik. Qytetarët priren të kenë më shumë besim tek njerëzit që nuk duket se janë të motivuar nga ambicia personale. Kur një figurë publike perceptohet si dikush që sakrifikon një karrierë të suksesshme për t’i shërbyer vendit, mesazhi moral është shumë i fortë.

Së treti, ky model e pasuron vetë politikën me përvojë reale nga shoqëria. Një parlament ose qeveri e përbërë vetëm nga politikanë profesionistë rrezikon të humbasë kontaktin me ekonominë, shkencën, arsimin dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

Natyrisht, një transformim i tillë nuk ndodh vetëm me dëshirë. Ai kërkon presion shoqëror dhe ndryshim mentaliteti.

Shoqëria civile, universitetet, komuniteti i biznesit dhe diaspora shqiptare mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Ata mund të inkurajojnë figura me integritet që të marrin pjesë në jetën publike, të krijojnë hapësira për debate serioze dhe të mbështesin kandidatura që nuk vijnë nga aparatet tradicionale të partive.

Po aq e rëndësishme është edhe mënyra se si ne, si shoqëri, e perceptojmë suksesin. Nëse suksesi matet vetëm me pasuri apo pushtet personal, atëherë politika do të vazhdojë të tërheqë kryesisht njerëz që e kërkojnë pikërisht këtë. Por nëse nderi publik dhe shërbimi ndaj vendit bëhen pjesë e prestigjit shoqëror, atëherë më shumë njerëz me integritet mund të ndihen të thirrur të kontribuojnë.

Historia na tregon se çdo shoqëri ka momente kur duhet të prodhojë figurat e saj të përgjegjësisë morale. Amerika e shekullit XVIII pati Uashingtonin. Evropa pas Luftës së Dytë Botërore pati një brez liderësh që rindërtuan demokracitë mbi parime të reja.

Shqipëria nuk ka nevojë për mite të reja politike. Ajo ka nevojë për një standard të ri moral në jetën publike.

Një standard ku njerëzit hyjnë në politikë sepse vendi ka nevojë për ta – dhe largohen prej saj sapo misioni të ketë përfunduar.

Në fund të fundit, demokracia nuk mbrohet vetëm nga kushtetutat dhe ligjet. Ajo mbrohet nga karakteri i njerëzve që pranojnë të shërbejnë.

Dhe ndonjëherë, ajo që i duhet më shumë një vendi nuk është një politikan tjetër profesionist. Por një qytetar që nuk do donte kurrë të bëhej politikan, derisa qyteti apo vendi e thirr të shërbejë.

Filed Under: ESSE

Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme

March 14, 2026 by s p

Eneida Jaçaj, Nju Jork/

Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon të sfidojë rendin e sigurisë evropiane, tensionet në Lindjen e Mesme dhe rivalitetet në Ballkan po tregojnë se bota po shkon në një periudhë të re krizash ndërkombëtare. Konfliktet që dikur dukeshin lokale, tani po ndërthuren, duke kërcënuar stabilitetin global dhe duke rritur pasigurinë për të gjithë.

Pas konfliktit evropian Ukrainë–Rusi, tensionet e fundit në Lindjen e Mesme duket se kanë ndryshuar dimensionin e krizës politike, strategjike dhe ekonomike, duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë global. Po ndodh ajo që është parashikuar dhe është theksuar prej kohësh nga shumë ekspertë dhe njohës të konflikteve gjeopolitike ndërkombëtare. Marrëdhëniet e tensionuara mes shteteve në konflikt mund të përdoren për të riformësuar raportet aktuale globale dhe për të çuar drejt një rendi të ri botëror, i cili do të përcaktojë se cili shtet apo aleancë do të dominojë në të ardhmen.

Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në fatin e Ukrainës përballë Rusisë.

Në një botë ku krizat ndërkombëtare zhvillohen paralelisht, vëmendja globale duket se po zhvendoset gradualisht nga lufta mes Ukrainës dhe Rusisë drejt tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme. Për më shumë se dy vite, konflikti në Ukrainë ka qenë në qendër të politikës ndërkombëtare, duke mobilizuar mbështetje të madhe ushtarake, ekonomike dhe diplomatike nga Perëndimi. Megjithatë, zhvillimet e fundit mes Iranit dhe Izraelit rrezikojnë të ndryshojnë fokusin e agjendës globale.

Lufta në Ukrainë mbetet një konflikt i madh gjeopolitik që ka sfiduar rendin e sigurisë në Evropë. Por përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, një rajon historikisht i paqëndrueshëm dhe strategjik për energjinë dhe tregtinë globale, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e fuqive të mëdha. Kjo zhvendosje e fokusit mund të ketë pasoja jo vetëm për Ukrainën, por edhe për balancën globale të fuqisë.

Në këtë kontekst, roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është vendimtar. SHBA ka qenë prej dekadash aleati më i fortë i Izraelit dhe një garantues i sigurisë së tij. Për këtë arsye, Uashingtoni jo vetëm që ka qëndruar në krah të Izraelit në përballjen me Iranin, por ka ndërmarrë edhe veprime ushtarake kundër objektivave iraniane. Sipas argumenteve të autoriteteve amerikane dhe izraelite, arsyeja kryesore është shqetësimi për programin bërthamor iranian, i cili shihet si një kërcënim potencial për stabilitetin rajonal dhe sigurinë ndërkombëtare.

Irani, nga ana tjetër, e konsideron këtë presion si pjesë të një strategjie më të gjerë për të kufizuar ndikimin e tij në rajon. Për Teheranin, përballja me Izraelin dhe SHBA-në është gjithashtu një betejë për balancën e fuqisë në Lindjen e Mesme, ku rivalitetet politike, fetare dhe strategjike janë të thella dhe komplekse.

Këto zhvillime kanë ringjallur një pyetje që prej kohësh qarkullon në analizat gjeopolitike: a mund të jetë ky përshkallëzim fillimi i një konflikti më të gjerë global? Shumica e ekspertëve mendojnë se një luftë e tretë botërore mbetet një skenar ekstrem, por rreziku i përfshirjes së më shumë aktorëve nuk mund të përjashtohet.

Nëse konflikti mes Iranit dhe Izraelit do të zgjerohej, ai mund të përfshinte një numër të madh shtetesh dhe aktorësh rajonalë. Aleatët e Izraelit, në krye me SHBA-të dhe disa vende të NATO-s, mund të përfshiheshin për të garantuar sigurinë e rajonit dhe të partnerëve të tyre strategjikë. Nga ana tjetër, Irani gëzon marrëdhënie të rëndësishme politike dhe strategjike me vende si Rusia dhe Kina, të cilat, edhe pse nuk pritet të përfshihen drejtpërdrejt ushtarakisht, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen diplomatike dhe ekonomike.

Një tjetër skenar që mund të ndikojë në balancën globale është tensioni i vazhdueshëm në Ballkan, veçanërisht konflikti mes Kosovës dhe Serbisë. Rusia vazhdon të mbështesë Beogradin për të ruajtur ndikimin e saj në rajon, duke e përdorur situatën për të avancuar interesat strategjike dhe politike në Evropën Juglindore. Kjo tregon se rivalitetet globale dhe rajonale shpesh ndërthuren, dhe konflikte që mund të dukeshin lokale mund të kenë pasoja të gjera për stabilitetin ndërkombëtar.

Përveç shteteve, në këtë konflikt mund të aktivizohen edhe aktorë jo-shtetërorë, si organizata të armatosura që operojnë në rajon, ndër të cilat një rol të rëndësishëm ka Hezbollah. Këta aktorë kanë treguar në të kaluarën se janë të gatshëm të përfshihen në përplasje të drejtpërdrejta me Izraelin, duke e bërë situatën edhe më komplekse dhe të paparashikueshme.

Në fund, ajo që po ndodh sot në skenën ndërkombëtare është një kujtesë e qartë se bota po hyn në një periudhë të re rivalitetesh gjeopolitike. Lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, rivaliteti mes fuqive të mëdha dhe situata e Ballkanit po krijojnë një realitet ku krizat nuk ndodhin më të izoluara, por ndërthuren dhe ndikojnë njëra-tjetrën.

Pikërisht për këtë arsye, diplomacia dhe përpjekjet për zgjidhje politike mbeten më të rëndësishme se kurrë. Historia ka treguar se përshkallëzimet e pakontrolluara mund të çojnë në konflikte me pasoja të mëdha për njerëzimin. Sfida e sotme për komunitetin ndërkombëtar është të parandalojë që tensionet aktuale të kthehen në një përplasje globale.

Filed Under: Mergata

IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 

March 13, 2026 by s p

Studim nga Rafael Floqi
Shkëputur nga libri në proces botimi “Noli dhe Konica në Dritën e ‘Diellit’”

 Foto: Noli dhe Konica në vitin 1909 ( edituar me ai)

Asnjë analizë e stilit nuk është e plotë pa hyrë në galeritë e figuracionit stilistik, aty ku gjuha bëhet më shumë sesa instrument komunikimi: bëhet ritëm, ngjyrë, aromë, kujtim, plagë, magji. Te Faik Konica dhe Fan Noli figuracioni nuk ka të bëjë me zbukurimin; ka të bëjë me mënyrën sesi ata e konceptonin botën. Figuracioni i tyre është struktura e mendjes dhe përjetimit moral. Ndryshe nga shumë autorë të tjerë shqiptarë, te Konica dhe Noli figura stilistike nuk janë hir, por nevojë. 

Ironia, Sarkazma dhe Polemika e Fan S. Nolit  Polemika e Fan S. Nolit nuk ishte një lojë gjuhësore, as një stolisje stilistike. Ishte një akt moral, një ligjërim alarmi, një protestë e shpirtit që kërkonte t’i jepte shqiptarëve ndjesinë e përgjegjësisë historike. Në këtë kuptim, ironia e tij vjen gjithnjë si një akt dashurie – por një dashuri e zemëruar. 

“Populli ynë ka një ves: i falet çdo sharlatanit dhe i mallkon njerëzit që i duhen”, shkruan Noli me një sarkazëm biblike që më shumë se të tallet, kërkon të shërojë. 

Në qendër të kësaj sarkazme nuk është individi, por veset: prirja për të adhuruar autoritarizmin, përçarja e brendshme, nënshtrimi ndaj fjalës së huaj. Noli e godet këtë mentalitet me një gjuhë të mprehtë, që shpesh kujton profetët e Dhiatës së Vjetër. Kritika e tij nuk lë të qetë askënd. Edhe aleatët e tij, edhe kundërshtarët politikë preken pa mëshirë nga bisturia e tij. “Shqiptarët janë të guximshëm – shkruan ai – por fatkeqësisht guximi i tyre harxhohet zakonisht në drejtim të gabuar”.

Polemika e Nolit ndaj qeverisë së Zogut dhe kompromiseve politike ishte e ngarkuar me një ironi të dendur, që dënonte përdorimin e pushtetit kundër kombit. Ai e cilësonte Zogun “burrë të fortë, por fatkeqësisht gjithë forca përdoret për të shtypur Shqipërin딳, një fjali që për nga tonet përmban gjithë peshën e zhgënjimit dhe të protestës së tij morale. 

Kjo gjuhë e ashpër kontraston bukur me “elegancën therëse” koniciane. Faik Konica e shihte Nolin si një polemist të zjarrtë, me një energji retorike të paparë në kulturën shqiptare. Në publicistikën polemike pas vitit 1924, Konica e përshkruan Nolin si figurë me energji revolucionare, por pa aftësi shtet formuese — një ide që më vonë është përmbledhur në sentencën aforistike: “Noli është i zoti të ndezë një revolucion; por nuk është i zoti të shuajë një kandil”.

1. Metafora koniciane: elegance, ftohtësi dhe finesë intelektuale

Metafora e Faik Konicës është e ftohtë, por e ndritshme si kristali. Ajo ka rrënjë franceze, shpesh ngërthen satirë aristokratike dhe është e lidhur me traditën e prozës së iluminizmit. Në shkrimet e tij, metafora nuk buron nga pasioni, por nga distanca. Konica e sheh realitetin si spektator, jo si pjesëmarrës. Kjo e bën metaforën e tij të ketë karakter të përmbajtur, të rafinuar dhe goditës pa ngarkesë sentimentale. 

Kur ai shkruan se “Shqipëria është një trëndafil i bukur në dorën e një fëmije që nuk di ta mbajë”, metafora nuk synon të ngjallë emocion, por të prodhojë njohje estetike dhe zhgënjim. Trëndafili është bukuria; fëmija është paaftësia kolektive. Kjo është metaforë e një mendjeje që analizon dhe dënon me qetësi. Tek Konica metafora është instrument racional, jo flakë. 

    2. Metafora noliane: zjarri, profecia dhe shenjtërimi i fjalës

Noli, në kontrast të plotë, përdor metafora të ngarkuara emocionalisht dhe shpesh të frymëzuara nga teksti biblik. Ato janë figura që synojnë shpirtin dhe jo arsyen. Metafora noliane nuk është ornament, por është pasqyrim i misionit të tij etik dhe fetar. Për Nolin, fjala është medium shpirtëror. 

Kur ai thotë se “Kombi ynë është si një Samson i verbër që po rrëzon muret e shtëpisë së vet”, ai ndërton një figurë që ngërthen paralelizma biblikë, tragjizëm dhe moralizim. Metafora noliane është gjithnjë shpërthyese, e thellë, e mbarsur me peshë morale. Ajo nuk synon të analizojë realitetin, por ta shkundë atë. 

   3. Antiteza si strukturë psikologjike

Të dy autorët janë mjeshtër të antitezës, por burimet e antitezës së tyre janë rrënjësisht të ndryshme. Konica përdor antitezën për të zbuluar kontradiktën e natyrës njerëzore dhe absurde të jetës politike shqiptare. Antiteza e tij është aristokratike dhe racionale. Ajo lind nga zhgënjimi dhe është pjesë e një filozofie të moderuar pesimizmi. 

Antiteza noliane, ndërkohë, lind nga përpjekja për të vënë në dukje luftën e brendshme midis së mirës dhe së keqes. Tek Noli antiteza është strukturë etike, shpirtërore dhe profetike. Kur ai thotë “Pa dritë s’ka shpëtim, pa sakrificë s’ka ringjallje”, antiteza është binom biblik, jo teknikë estetike. 

Këto dy mënyra e bëjnë antitezën çelësin e psikologjisë së secilit autor: te Konica, antitezë e mendjes; te Noli, antitezë e shpirtit. 

4. Ironia koniciane: e ftohtë, kirurgjikale dhe aristokratike 

Ironia është mjeti kryesor i Faik Konicës. Nuk ka paragraf ku ironia të mos jetë pas hirit të fjalive. Ironia e tij është e rafinuar, e heshtur dhe e vështirë për t’u përkthyer plotësisht në gjuhët e tjera, sepse është produkt i një kulture të lartë franceze. Ajo nuk bie si shi, por si vesë e hollë mbi tekst. 

Sipas Adrian Vehbiut ka momente kur ironia koniciane është më therëse se sarkazma e Nolit, pikërisht sepse nuk klith: ajo buzëqesh.“ Konicës i interesonte më shumë e vërteta sesa lavdia; dhe kjo e bën të papërshtatshëm për shoqëritë që ushqehen me vetëlavdërim.”

Ai krijoi një lloj gjuhe ‘të qytetëruar’ për shqiptarët, një idiomë që nuk ishte thjesht gjuhë, por një mentalitet.”.   “Tek Konica, ironia nuk është llastim i intelektit; është instrument i kirurgut.” 

Ironia e Konicës është forma e tij e mbrojtjes, mënyra si ai ruan distancën ndaj realitetit. Teksti i tij është një teatër i ironisë, ku çdo personazh, përfshi edhe vetveten, paraqitet me një lloj përbuzjeje estetike. Kjo ironi është shenjë e mendjes elastike dhe e shpirtit të ndritshëm, që sheh të metat e botës pa u asgjësuar prej tyre. . “Ironia e Konicës nuk ishte mënyrë e të folurit, por mënyrë e të menduarit.” 

      5. Sarkazma noliane: profecia si thikë morale

Noli nuk ishte ironik në sensin francez të fjalës. Ai ishte sarkastik. Sarkazma e tij është më e drejtpërdrejtë, më e nxehtë, më e ngarkuar emocionalisht. Kur sulmon padrejtësinë, ai nuk i shmanget tonit të ndezur. Noli nuk buzëqesh për të treguar të vërtetën; ai e klith atë. 

Sarkazma noliane është pjesë e retorikës profetike. Ajo është mjeti me të cilin ai trajton hipokrizinë politike dhe shoqërore. Ndryshe nga Konica që tallet për të qeshur, Noli përdor sarkazmën për të djegur. Është një stil që ngrihet mbi moralitetin, jo mbi estetikën e ftohtë. 

6. Paralelizmat dhe ritmi i brendshëm nolian

Paralelizmat janë një nga gurët themelorë të poezisë dhe prozës së Nolit. Janë të ardhur nga struktura e psalmeve, nga gjuha e Davidit dhe e profetëve biblikë. Paralelizmi tek Noli e krijon ritmin e brendshëm të fjalive. Ai e shton solemnitetin, harmoninë dhe peshën tekstuale. Nga ana e tij, paralelizmi është njëkohësisht edhe mjet muzikor, edhe teknikë retorike. 

Tek Konica, paralelizmat janë të rrallë dhe përdoren vetëm për efekt logjik, jo emocional. 

7. Litota koniciane: arti i të thënit duke mos thënë

Litota është një figurë ku thuhet më pak për të nënkuptuar më shumë. Është instrument i ironisë së hollë. Konica është mjeshtër i litotës. Kur ai thotë për një politikan shqiptar se “Nuk është nga më të mençurit që ka pjellë vendi ynë”, ai nënkupton të kundërtën në mënyrë elegante. Litota koniciane është barometri i estetikës së tij. 

8. Hiperbola noliane: flakë që shndrit tekstin

Hiperbola tek Noli nuk është e tepruar; është e domosdoshme. Ai e përdor për të dhënë madhështi morale, për të krijuar dramë, për të bërë shpëtimin të duket i largët por i prekshëm. Tekstet e tij, sidomos në kohë krizash politike, janë të mbushura me këtë frymë të hiperbolës profetike. 

Lidhja midis Fan Nolit dhe konceptit të ironisë është thelbësore në vlerësimin e figurës së tij, si shkrimtar, ashtu edhe si personalitet politik. Ironia shfaqet në disa dimensione të veprës dhe jetës së tij. Ironia shfaqet në këto aspekte:

Në përkthimet letrare: Noli arriti të ruajë jo vetëm peshën e fjalës, por edhe ironinë therëse në por Ag Apolloni mendon se ironia e Nolit është një lloj predikimi i gjatë: ai rrëfen, ngre dorën, godet, qorton, dhe e bën me një elegancë gjuhe që s’është e zakonshme.

Qosja e quan Faik Konicën, me një ironi karakteristike, “Dhe në polemikat mes tyre  duket qartë këto elemente të dialektikës dhe të polemikës mes tyre. rikthimet e tij të veprave madhore të letërsisë botërore, si ajo e Shekspirit, ku refreni i famshëm “Bruti është burrë nderi” përcjell sarkazmën e thellë të origjinalit. 

Në publicistikë dhe fjalime politike: Fjalimet dhe shkrimet e Nolit karakterizoheshin nga një ndërthurje e thellë e entuziazmit patriotik, dimensionit kozmopolit, dhe ironisë ideologjike. Ai përdorte shpesh ironinë për të kritikuar kundërshtarët politikë, si Ahmet Zogun, apo për të theksuar problemet e shtetit të brishtë shqiptar. 

Në poezinë e tij: Edhe në krijimtarinë e tij origjinale, si te poezia ikonike “Anës lumenjve”, Noli përdor një gjuhë që, Megjithë thelbin dramatik, mban gjurmë të pasqyrimit kritik dhe ironik të realitetit shqiptar të kohës. 

Në thelb, Noli e përdori ironinë si një mjet të fuqishëm retorik dhe letrar për të shprehur qëndrimet e tij, për të analizuar situatat politike dhe shoqërore, dhe për të angazhuar lexuesin apo dëgjuesin në një nivel më të thellë reflektimi. 

“Në këtë duel të dyanshëm, studiues si Aurel Plasari japin qartësinë teorike që mungon në polemikën e kohës. Ai e sheh Nolin si një figurë me solemnitet të lartë moral dhe Konicën si një kritik të përkryer të epokave, duke thënë: “Konica ther me elegancë; Noli godet me solemnitet. Të dy e duan të vërtetën, por me mjete të ndryshme: njëri bisturinë, tjetri çekiçin.”

Ky vlerësim jo vetëm përcakton dallimet e tyre stilistike, por edhe ndriçon natyrën e tensionit: Noli kërkon ringjalljen, Konica kërkon disiplinimin; Noli është orakull moral, Konica është kirurg estetik. 

Një tjetër studiues i rëndësishëm, Rexhep Qosja, e interpreton ironinë e Nolit si rezultat të një shpirti demokratik të pandashëm nga etika: “Noli, si polemist, nuk godet kundërshtarin si person; ai godet vesin, prapambetjen, mendjemadhësinë .Konica nuk ngurron ta akuzoj Nolin si “revolucionar i improvizuar”

“Noli është i zoti të ndezë një revolucion; por nuk është i zoti të shuajë një kandil.”  Dhe ai shton për zjarrin polemik të Nolit “I nxehti i tij është poetik, jo praktik; ai digjet në fjalë, jo në vepra.”

Polemika e Fan S. Nolit nuk ishte një lojë gjuhësore, as një stolisje stilistike. Ishte një akt moral, një ligjërim alarmi, një protestë e shpirtit që kërkonte t’i jepte shqiptarëve ndjesinë e përgjegjësisë historike. Në këtë kuptim, ironia e tij vjen gjithnjë si një akt dashurie – por një dashuri e zemëruar. “Populli ynë ka një ves: i falet çdo sharlatanit dhe i mallkon njerëzit që i duhen”, shkruan Noli me një sarkazëm biblike që më shumë se të tallet, kërkon të shërojë

Në qendër të kësaj sarkazme nuk është individi, por veset: prirja për të adhuruar autoritarizmin, përçarja e brendshme, nënshtrimi ndaj fjalës së huaj. Noli e godet këtë mentalitet me një gjuhë të mprehtë, që shpesh kujton profetët e Dhiatës së Vjetër. Kritika e tij nuk lë të qetë askënd. Edhe aleatët e tij, edhe kundërshtarët politikë preken pa mëshirë nga bisturia e tij. “Shqiptarët janë të guximshëm – shkruan ai – por fatkeqësisht guximi i tyre harxhohet zakonisht në drejtim të gabuar”

Polemika e Nolit ndaj qeverisë së Zogut dhe kompromiseve politike ishte e ngarkuar me një ironi të dendur, që dënonte përdorimin e pushtetit kundër kombit. Ai e cilësonte Zogun “burrë të fortë, por fatkeqësisht gjithë forca përdoret për të shtypur Shqipërinë”, një fjali që për nga tonet përmban gjithë peshën e zhgënjimit dhe të protestës së tij morale. 

Kjo gjuhë e ashpër kontraston bukur me “elegancën therëse” koniciane. Faik Konica e shihte Nolin si një polemist të zjarrtë, me një energji rtorike të paparë në kulturën shqiptare. “Noli është i zoti të ndezë një revolucion; por nuk është i zoti të shuajë një kandil”, shkruante Konica me një ironi të hollë, të trazuar, por edhe me një dashuri të fshehur për kundërshtarin e vet më të madh. 

Robert Elsie, në analizën e tij për stilin e Nolit, e përkufizon ironinë e tij si një armë intelektuale të shekullit xx, duke shkruar: “Noli është mjeshtër i hiperbolës ironike. Polemikat e tij kanë goditje të menjëhershme, të tipit amerikan.”Kjo ndërthurje e kulturës amerikane, formimit evropian dhe shpirtit shqiptar e bën stilin e Nolit të papërsëritshëm. 

Në fund, sarkazma e Fan S. Nolit nuk është as helmuese, as mizore. Është një mjet ndërtimi kombëtar, një mënyrë për ta zgjuar ndërgjegjen shqiptare. Dhe në këtë duel të gjatë mes tij dhe Konicës, dy zëra të kundërt, por të domosdoshëm, i dhanë Shqipërisë dy fytyrat e një të vërtete: kritikën dhe profecinë, therjen dhe ringjalljen, ironinë dhe solemnitetin. 

Të jesh jashtëzakonisht i lavdëruar si Konica dhe të jesh kaq shumë i kritikuar, kjo tregon se ai vërtet pati një ‘karakter të jashtëzakonshëm’ 

“Me Faik Konicën Noli kishte më së shumti cilësi të ngjashme dhe po aq të pangjashme. Babai i Albanisë. . . ishte një shqiptar i evropianizuar dhe, ndoshta, përfaqësuesi më i spikatur i atyre që ia ngjisin kulturës për bishti e jo për kreje: shqiptar i evropianizuar që ka humbur cilësinë themelore të shqiptarit spontan.”

Filed Under: LETERSI

MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM

March 13, 2026 by s p

Screenshot

(Pena e “Historive të pashkruara” të Shqipërisë

Nga Eugjen Merlika

Më datën 23 shkurt 2026, në qytetin Detroit të Sh.B.A. , në gjirin e familjes ndërroi jetë publiçisti, historiani, studjuesi dhe ingjinjeri i talentuar Mërgim Korça. I limdur më 1932, nga një familje intelektuale korçare, Ai mori emrin “Mërgim”, sepse babai i Tij, Xhevat Korça, ish drejtori i parë i gjimnazit shtetëror të Shkodrës, mbasi, që në moshën 17 – vjeçare kishte rrëmbyer armët në dorë për të qënë pjesë e çetës atdhetare të Themistokli Gërmenjit, në luftën për Atdheun e pavarur, atëherë ishte i mërguar politik, i larguar nga Shqipëria në krishtlindjen 1924, mbas kthimit të Ahmet Zogut nga Jugosllavia.

Atë emër shqiptar, siç ishte n’atë kohë një farë prirjeje e nacionalistëve shqiptarë për t’u a ngjitur bijve të tyre, i Ndjeri e mbajti me dinjitet e ndershmëri deri në çastet e fundit të jetës së Tij, fatmirësisht të gjatë (94 vite). Babai i Tij , i kthyer në atdhe më 1939, mbas pushtimit fashist, qe një atdhetar i përkushtuar për fatet e Vëndit të Tij, e mori pjesë në Qeverinë Nacionaliste të Mustafa Krujës, si Ministër i Arsimit, në periudhën e bashkimit të trojeve shqiptare 1941 – 1844, ku u shqua në vazhdim të misionit të ish Ministrit Koliqi, në hapjen e në organizimin e shkollave shqipe në “Tokat r lirueme”.

Si mik e bashkëpuntor i Kryetarit të Qeverisë, Ai punoi me një zell e energji të jashtzakonëshme në zhvillimin e arsimit kombëtar, kryesisht në  krahinat e shkëputura nga trungu – amë në vjeshtën e vitit 1912, një dukuri tejet e zezë, që kushtëzoi të gjithë historinë shqiptare të shekullit të njëzetë, e mbetet ende e pazgjidhur deri në ditët tona, mbas më shumë se një qindvjetori. Si pasojë e kësaj veprimtarie, Xhevat Korça u arrestua nga organet e dhunës së regjimit komunist, e u dënua me shumë vite burgim nga “drejtësia popullore” në vitin 1945. Në vitin 1959 Ai ndërroi jetë në burgun e Burrelit ku u bë nismëtar i një greve urije.

Mërgimi jetoi në Shqipërinë komuniste dhe siç shihet në kapakun e mbrapëm të librit të tij “Histori të pashkruara”, stodjoi në fushën e ingjinjerisë mekanike. Në sajë të vullnetit e aftësisë së Tij krijuese, n’atë fushë arriti të marrë titullin shkencor si “Punonjës i shquar i Shkencës dhe Teknikës”. Por me tjetërsimin e sistemit politik në Shqipëri, Ai u shpërngul në SH. B. A., pranë vëllait të vetëm, Gencit, që kishte një post të lartë si Drejtor i Përgjithshëm i Higjenës industriale në Sh. B. A . 

Atje Mërgimi, që ishte rreth gjashtëdhjetë vite, filloi një jetë të re, në një shoqëri të lirë, e pati rastin të punojë në fusha të ndryshme si publiçistika, gjuha shqipe në nivel universitar mësimdhënie të shqipes, gjuhët e huaja, studimet historike, etj., duke e paraqitur veten si ndër mëndjet më të ndritura të jetës intelektuale të Mërgatës, madje edhe të gjithë paskomunizmit shqiptar.

Si përfundim i asaj veprimtarie Ai i la popullit të tij një trashëgimi të paçmuar, kryesisht në publiçistikë e në studimet historike, në të cilët ishte njëri ndër zërat më të shquar në zbulimin e të vërtetave historike, të cilat ishin shtrembëruar e masakruar gjatë një gjysmë shekulli nga regjimi komunist në fushat e kulturës, të studimeve e të histori – shkruarjes. Ndërmjet veprave të Tij të shquara, kam menduar të riparaqes disa nga shkrimet e Tij publiçistike, të përmbledhur e të botuar në vëllimin “Histori të pashkruara”, të botuar në Tiranë, më 2005 nga “Media Enter” nën kujdesin e gazetarit e botuesit Z. Mero Baze. 

Besoj se nisma për t’i ribotuar shkrimet e Tij të dhjetëvjeçarëve më parë, është një shenjë nderimi e respekti, për ndihmesën e Tij të rrallë, në dobi të ndriçimit të shumë anëve të realitetit shqiptar në qindvjeçarë, kryesisht të atij të Shtetit të pavarur, deri në ditët e sotme.

Duke i uruar shpirtit të bardhë të Mërgimit, lumturinë e pasosur në përjetësinë e Parajsës së Zotit, të cilin Ai e deshi dhe i shërbeu gjatë gjithë jetës së Tij tokësore, përfytyroj takimin e tij në Botën e së Vërtetës, me familjarët dhe morinë e personazheve të jetës shqiptare të shumë fushave, të cilët e kanë pritur me ndjenjën e falënderimit e mirënjohjes për mëndjen e dorën eTij, që nxori në dritën e së vërtetës jetët dhe veprat e tyre.

Uroj që të njëjtat ndjenja e mendime do të prodhojnë edhe në mëndjet e të rinjve shqiptarë, që do të kenë rastin të lexojnë apo të rilexojnë shkrimet e Tij, mbas dhjtëvjeçarësh.

Filed Under: Emigracion

Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”

March 13, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Si ndjeheni përpara koncertit recital të 17 marsit në La Maison Française? Cilat janë pritshmëritë tuaja dhe cili është repertori i zgjedhur?

Së pari ju falënderoj shumë për ftesën për të bërë intervistën. Koncerti gjithmonë është një moment i veçantë, një ngjarje me shumë emocion dhe me shumë ngjyra të cilat shprehen nëpërmjet tingullit. Bota e muzikës është unike dhe e mrekullueshme. Ajo mban gjallë historinë e njerëzimit dhe të mundëson të përjetosh veçantinë e secilës periudhë kohore, pra dëgjuesi “ecën” në kohë prapa 100, 200, 300 vite. Kjo është fascinuese! Për koncertin më 17 mars po përgatitem intenzivisht dhe më gëzon fakti që interesimi i publikut për bileta është shumë i madh, përkundër ofertave të shumta kulturore që ofron Washington D.C. brenda një dite.

2. Çfarë mesazhi artistik dhe kulturor përcjell ky recital?

Se gjuha muzikore është universale dhe natyrshëm krijon ura bashkëpunimi në mes të kulturave.

3. Programi artistik që përfshin vepra nga Franz Schubert, Maurice Ravel, Johannes Brahms dhe kompozitor nga Kosova – pse e bëtë këtë zgjedhje artistike? A ka ndonjë domethënie të veçantë?

Janë bërë tani mbi 3 dekada e gjysmë që luaj piano dhe kam pasur fatin të interpretoj në shtete të ndryshme në Evropë, Azi e SHBA. Në vitet e 90-ta kur shkova si 15-vjeçare për të studiuar pianon në një universitet me renome sikur Universiteti Mozarteum në Salzburg të Austrisë, nuk kishte ende studentë shqiptarë që studionin për muzikë. Andaj, dëshiroja që me mundësitë e mia nëpërmjet muzikës të bëja diçka për vendin tim, të prezantoja dhe promovoja muzikën tonë. Në koncerte recitale në shtete të ndryshme, krahas veprave të dëshmuara pianistike nga kompozitorë botërorë, përfshij edhe vepra nga kompozitorët shqiptarë. Edhe kësaj radhe, në program kam pjesë nga kompozitorë të periudhave të ndryshme muzikore, si romantizmin me Schubertin dhe Brahmsin, impresionizmin me francezin Ravel, dhe periudhën bashkëkohore me kompozitorin nga Kosova, Fahri Beqiri.

4. Në rrugëtimin mbresëlënës artistik nga Kosova drejt skenave ndërkombëtare, suksesin tuaj kujt ia dedikoni?

Që nga fëmijëria kam pasur përkrahjen e parezervë të familjes dhe kjo vazhdon të jetë edhe sot ashtu. Në këtë profesion, disiplina strikte, dedikimi e ushtrimi në baza ditore janë thelbi. Pra pa marrë parasysh përvojën ndër vite, ushtrimi është dhe mbetet gjëja kryesore.

5. Cilat koncerte artistike në karrierën tuaj i konsideroni më të veçanta? Ku i keni ndjerë emocionet më të forta?

Secili nga koncertet e ka veçantinë e tij. Secila paraqitje para publikut është unike. Emocionet janë të dyanshme – interpreti, gjithmonë në shërbim të muzikës, performon dhe ndan ndjesitë dhe intelektin e tij me publikun, ndërsa energjia/ndjesia e publikut përcillet deri në skenë tek interpreti. Pra është një proces i mrekullueshëm ndjesish të dyanshme.

6. Si ambasadore kulturore e kombit tonë në Amerikë, sa e rëndësishme është për artistët që të përfaqësojnë kulturën shqiptare në skenat ndërkombëtare të muzikës klasike? Barra, pesha dhe përgjegjësia – a ka talente në Shqipëri e Kosovë?

Kultura është ajo nëpërmjet së cilës njerëzit identifikohen. Në fushën e muzikës klasike barra dhe përgjegjësia janë të larta, meqë ndër shekuj ekzistojnë figura që kanë vendosur tanimë standarde të arta. Duke u nisur që nga kompozitorët e njohur që njëkohësisht ishin edhe instrumentistë të shkëlqyer, si Bach-u, Mozarti etj. Për ilustrim, njëri ka lindur para gati 4 shekujve, kurse i dyti, janarin që shkoi, do ta festonte ditëlindjen e 270-të. Pra këto standarde të arta mbi interpretimin e muzikës ekzistojnë tanimë e sa shekuj. Dhe, në kohën e sotme për instrumentistin e sotëm, barra është e lartë.

Së pari nevojitet një shkollim superior që aftëson krijimin e shkathtësive për t’ia mundësuar muzicientit që të kuptojë e hulumtojë botën e kompozimeve të titaneve të literaturës muzikore, e më pastaj që të aftësohet për t’i interpretuar këto. Ky shkollim është specifik dhe duhet të fillojë që nga fëmijëria. Pastaj krahas shkollimit (muzikor), nevojitet edhe një sistem i tërë përreth, siç janë mundësitë për të interpretuar, konkurset muzikore, festivalet etj. Pra talente ka shumë, por talenti duhet të shkollohet. Viteve të fundit mundësitë janë bërë më të mira në vendet tona dhe janë hapur edhe mundësi bursash. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ka qenë e nevojshme që në baza individuale të sakrifikohet për të arritur. Rrjedhimisht, edhe duke qenë se jemi një vend i vogël, mendoj që rëndësia e artistëve që përfaqësojnë kulturën shqiptare në skenat ndërkombëtare është e madhe dhe e rëndësishme. Është një gjuhë universale që kuptohet dhe çmohet gjithandej. Një gjuhë që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit dhe ta tregosh rrëfimin e kulturës e vendit tënd në çdo anë të botës.

7. Cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë që duan të ndjekin një karrierë në muzikën klasike?

Muzika është e bukur dhe ndjesia e interpretimit është e paçmim. Por, për ta bërë profesion, nevojitet gatishmëria për sakrificë dhe një disiplinë e vullnet i madh.

8. Kush është Ardita Statovci?

Kam lindur në Prishtinë, ku edhe kam filluar mësimet e pianos që në fëmijëri. Në moshën 15-vjeçare jam pranuar për studime në Universitetin Mozarteum, në vendlindjen e Mozartit, në Salzburg të Austrisë. Pas përfundimit të studimeve të magjistraturës në Salzburg, kam vazhduar studimet pasdiplomike në Akademinë Pianistike në Imola të Italisë, si dhe në Indiana University në SHBA, ku mora ftesën për të studiuar me pianistin legjendar Menahem Pressler.

Kam performuar në recitale pianistike, si soliste me orkestra dhe në koncerte të muzikës së dhomës, në salla me renome si Musikverein në Vjenë të Austrisë, Elbphilharmonie në Hamburg të Gjermanisë, si dhe në shumë salla të njohura koncertale në Evropë, Azi dhe SHBA.

Së bashku me pianisten zvicerane Ariane Haering, prej më shumë se dhjetë vitesh kemi formuar një duo pianistike të quajtur ARIADITA Duo, me të cilën performojmë në nivel ndërkombëtar. Krahas interpretimit, përpiqem të ndihmoj pianistët e rinj nga Kosova duke u krijuar mundësi për bursa dhe paraqitje koncertale në Evropë. Gjithashtu jam pedagoge pranë Washington Conservatory of Music, ku drejtoj klasën time të pianos. Përveç kësaj, mbaj masterklasa për piano dhe muzikë kamertale në vende të ndryshme të botës dhe shërbej si anëtare jurie në konkurse pianistike. Ju falënderoj shumë për bisedën dhe pyetjet inspiruese! https://www.arditastatovci.com/en_vita_ardita.php

Foto: A. Llapashtica

Filed Under: Kulture Tagged With: Ardita Statovci, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Toka shqiptare nuk është thjesht mall: midis investimit të huaj dhe mbrojtjes së sovranitetit kombëtar
  • Princi  i gojëtarisë dhe mbledhësi i thesareve të Malësisë…
  • 80 vite nga vrasja e profesor Ymer Berishës 1912-1946
  • Arti si një shije e fituar përtej kufijve të logjikës
  • Serbia, përgjegjëse për krimet dhe dhunën ndaj shqiptarëve 1877–1999: nga dëbimet e Sanxhakut të Nishit te krimet e luftës në Kosovë
  • Filatelia e Kosovës – konsistente në promovimin e ruajtjes biodiversitetit
  • Në shërbim të atdheut!
  • “Gruaja që endej hijeve”
  • “Të kesh” dhe “të jesh”, kjo është çështja në Shqipërinë e sotme…
  • Deklaratat e ministres serbe si qasje e Beogradit ndaj Kosovës
  • Ikja e heshtur e Shqipërisë, kur një komb humbet njerëzit që ndërtojnë të ardhmen
  • Kur Kosova përçahet, Serbia ëndërron rikthimin e së kaluarës
  • Republika e pesë yjeve
  • Shqipëria e Vogël në Bronx: Një Komunitet i formuar nga historia, vështirësia dhe shtëpia
  • TURPI I NJË DEKLARATE QË SFIDON TË VËRTETËN HISTORIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT