• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

“TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO

March 14, 2026 by s p

 TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI

Unё dhe ti kemi me mijёra vite qё largohemi prej vetes

dhe sot qё i ngjajmё vetvetes mё pak se kushdo tjetёr,

tashmё jemi shumё tё vjetёr pёr t’u kthyer nё shtёpi,

nuk do tё guxonim tё hidhnim njё hap drejt saj

se jemi mёsuar nё tё qёnit larg.

Ne kemi me mijёra vite qё kalojmё pranё shtёpisё

dhe çdo herё mbetemi nё prag.

Gjithmonё ёshtё diçka qё na mban larg,

njё zё, njё perёndim a njё gjysmёfjalё.

A ndoshta jemi vetё ne qё e pyesim njёri-tjetrin:

“Kur ёshtё hera e fundit

qё e ke parё nё ёndёrr shtёpinё?”

Tё tillё janё njerёzit edhe nё parajsё

do t’i marrё malli pёr tё ashtuquajturёn shtёpi.

Vetёm se shtёpia e njerёzve si unё,

shtёpia e njerёzve si ti

ёshtё njё dikur, njё nesёr, njё letёr, njё kurrё.

E jona ёshtё njё shtёpi qё nuk ekziston

askund tjetёr pёrveçse nё fёmijёrinё tonё.

Jemi ne ata qё pasi nuk pёrkasim nё atё qё duam,

thjesht nuk mund tё pёrkasim mё askund.

Jemi ne njerёzit qё shkojnё

me tё gjitha stinёt e mbyllura brenda vetes.

A thua sikur zogjtё,

vetёm zogjtё mund t’i shpёtojnё stinёt brenda nesh?!

FËMIJA ME KOKËN MBI RE

Si njё fёmijё me kokёn mbi re,

im at nuk kishte kohё pёr dhè,

as pёr ne. 

Kur tё tjerёt nxitonin të hidhnin hapat e tyre mbi tokё, 

ai nxitoi të hidhte hapat e tij për në qiell, 

e gjitha bota pёr tё ishte atje lart mbi re

dhe diku aty mes reve endeshin

e djeshmja, e nesërmja dhe e përjetshmja. 

I tillё mbeti gjithmonё ai

njё fёmijё me kokёn mbi re

edhe kur i humbёm ato pak metra katrorë

që ne i quanim strehë 

na tha: tё paktёn tani e shohim qiellin mё shpesh.

Bijë, nuk janё zogjtё, janё njerёzit 

ata qё sot kanё mё shumё nevojё pёr qiellin. 

Kur vdiq, të gjithë njerёzit erdhёn nji më nji 

(të gjithë ata që e gjykuan se 

kurrë nuk rreshti së qëni fëmijë)

dhe mbi varr i hodhёn një grusht dhé.

O njerёz, – mё vinte tё thёrrisja,

pёrse e pritё aq larg prej asaj qё donte mё sё shumti?

Pёrse vazhdoni t’i hidhni dhè

kur gjithё jetёs ai kёrkoi veçse pak qiell?

Dhe pikërisht sot ai ёshtё mё larg qiellit se kurrё!

Por ishte tepёr vonё, gjithё dheun e kёsaj bote

tim eti tashmё ia kishim hedhur mbi shpirt.

***

Dhe e lamё tim at tё vetëm atje

tё vetёm me mijëra tё ikur tё tjerё

tё vetёm pёr pak qiell.  

NJË DITE PRILLI

Kujt i përket vallë kjo ditë 

që më erdhi sot në duar?

Nga cila strehë kujtimesh,  

nga cila strehë qiejsh e kohësh të pajetuara 

do të jetë mërguar? 

Se aroma e saj shumë e njohur m’u duk

si aroma e asaj dite që nuk e jetova kurrë.

Dhe më erdhi pak çudi se kam dëgjuar 

se çastin e pajetuar, as përjetësia ta shlyej nuk di.

                       ***

Dikur, fëmijë, bindur se vetëm ditë kisha shumë,

ndieja se si shkriheshin krahët e tyre në pëllëmbët e mia, 

hapja duart e i lija të lira. 

E ç’do të thoshte për një fëmijë një ditë më pak,

një ditë më shumë,

kur ndër duar kisha të shkruar lamtumirën e çdo stine,

lamtumirën e çdo dite, lamtumirën e çdo ikjeje

dhe kurrë nuk pyeta drejt kujt niseshin,

drejt kujt perëndonin krahët e ditëve të mia

se mendoja se kujt i fal fluturimin, 

me vete merr dhe pak nga ti

dhe unë pak prej meje i dhashë çdo dite,

pak prej meje çdo stine, pak prej meje në çdo ikje,

me sy drejt qiellit thoja atje ku më perëndojnë ditët,

atje do të jetë dhe vendi im.

                    ***

Kush do mendonte vallë se duart e një fëmije

do të ktheheshin në kafaz ditësh, në kafaz stinësh,

në kafaz dashurie…

                   ***

se kush nuk ka fluturuar kurrë, as të dhurojë flatra më nuk di.

Filed Under: LETERSI

IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR

March 14, 2026 by s p

 Nga Frank Shkreli

Vendimi që Katedralja e Shkodrës të marrë më në fund pronësinë e saj të ligjshme mund të duket si një akt normal drejtësie. Por, në të vërtetë, ai zbulon një ironi të thellë dhe një hipokrizi që shoqëron historinë e marrëdhënies së shtetit shqiptar, jo vetëm me trashëgiminë fetare dhe kulturore të vendit, por edhe qendrimet aktuale të shtetit shqiptar për pronën.

Po çfarë ç po ndodh realisht? Një institucion fetar, që e ndërtoi vetë këtë tempull, që e ruajti me sakrifica dhe që e mbrojti me gjakun e martirëve të tij, sot trajtohet sikur Kishës Katolike në Shqipëri po i bëhet një “dhuratë” pronësie nga pushteti vendor, ndërsa shohim e dëgjojmë deklarata triumfale, sikur pushteti vendor po dhuron diçka nga xhepi i vet.  Kjo pasi shteti shqiptar, nën sundimin komunist e kishte zhdukur nga faqja e dheut, për pothuaj 50-vjetë, fenë dhe entet e tjera fetare. Në këtë rast duke e kthyer atë vend të shenjtë — Katedralën e Shkodrës — në sallë sportive, duke vrarë e burgosur klerikët e saj që, lirisht, mund të thuhet se ishin ajka e kulturës kombëtare dhe të gjuhës shqipe, por varret e të cilëve — nëqoftse eshtrat e tyre nuk i ka marrë Drini — as sot nuk dihet se ku janë. Një regjim, si asnjë tjetër në botë, me një vendim e ligj absurd, kishte shpallur Shqipërinë shteti i parë ateist në botë, kundër fesë dhe Zotit. Kështuqë, në vend që të pranohet një padrejtësi historike që i është bërë gjatë dekadave Kishës Katolike dhe enteve të tjera fetare në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë, duhej të kërkohej falje në emër të shtetit për krimet e komunizmit kundër klerit dhe Kishës. E drejtë dhe morale do të ishte që të pranoheshin krimet e regjimit komunist, të korigjohet me, përulësi, padrejtësia historike ndaj të gjitha enteve fetare në Shqipëri, në vend që përfaqësuesit politikë vendor të shtetit aktual në Shkodër dhe kudo tjetër të krijojnë përshtypjen sikur shteti po tregon bujari, duke “legjitimuar”, me letër “pronësie”, Katedralën e Shkodrës.

Unë po e quaj këtë veprim si ironik dhe hipokritik!  Sepse nuk e dijë nëse, këta zotërinj dhe zonja të pushtetit vendor në Shkodër dhe më gjërë janë ose jo të vetdijshëm se Katedralja e Shkodrës nuk është thjesht një ndërtesë guri e tullash. Ajo nuk është as një banesë private e buldozuar nga shteti, në Theth dhe asnjë një copë tokë në Rrjoll të Velipojës. 

Katedralja e Shkodrës ka qenë dhe mbetet një simbol i historisë së qytetit dhe i rezistencës shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve ndaj pushtuesve të huaj. Në atë altar janë lutur breza besimtarësh, ndërsa shumë nga bijtë e bijat e saj u persekutuan, u burgosën dhe u martirizuan gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Po ai shtet që dikur e grabiti pronën dhe e përdhosi fenë, sot paraqitet si arbitër që vendos, nëse duhet apo jo dhe kur t’ia kthejë atë prone, por që nuk duhej t’i ishte marrë kurrë. Kjo është hipokrizia, por mund të interpretohet edhe si kërcënim, njëkohsisht me mesazhin se unë si pushtet, dje të kam zhdukur klerikët dhe kam kthyer katedralën në sallë sporti, sot të njoh pronësinë mbi këtë ndërtesë, por kjo nuk do të thotë se nesër, unë si pushtet, nuk t’a heq prap këtë të drejtë, pronësie, nëse dhe kur të më teket!? 

Sepse, siç e kam thënë qindra herë, tashti e më shumë se tri dekada pas rënies së komunizmit zyrtar, Shqipëria ende nuk ka bërë, zyrtarisht, një përballje dhe distancim të ndershëm nga krimet dhe padrejtësitë e së kaluarës komuniste, as me kthimin e pronave private tek i zoti. Pronat e konfiskuara nga diktatura komuniste vazhdojnë të trajtohen si një problem administrativ dhe jo si një plagë morale e historisë kombëtare. Në këtë kuptim, rasti i Katedrales në Shkodër nuk është një përjashtim. Ai është vetëm një simbol i një mentaliteti arrogant pushtetor shqiptar nga i cili shoqëria shqiptare ende nuk është çliruar, seriozisht dhe zyrtarisht, e që është trashëgimia e shtetit grabitqar komunist dhe nga mentaliteti se partia e shteti janë mbi të gjitha. 

 Në vend që kthimi i pronës të shihet si një akt drejtësie historike, ai akt shpesh shoqërohet me retorikë politike, me fotografi ceremoniale, si në këtë rast, dhe me deklarata që ata, si pushtetarë, vendorë ose qendrorë meritojnë dhe kërkojnë t’u thurin lavdi, atyre dhe partisë, për diçka që është, në çdo shoqëri normale, thjesht, detyrim moral e ligjor dhe nuk është e tyre për tu “dhuruar”, as për t’u mohuar.  I nderuar lexues, ironia më e madhe e kësaj pune, është se në një vend ku drejtësia për pronën– pas 35-viteve — duhej të ishte një akt i natyrshëm, si në shumë vende të ish-komuniste të Evropës, në Shqipëri, ajo shitet si “sukses politik” i një individi ose  një partie në pushtet.

Jam i mendimit se nëse Shqipëria dëshiron, vërtetë, të ndërtojë një shtet të drejtë dhe të besueshëm vendor e qendror, ajo duhet të heqë dorë nga kjo hipokrizi ironike. Pronat e grabitura nga diktatura komuniste – qofshin ato të Kishës Katolike, të komuniteteve të tjera fetare, apo të qytetarëve të thjeshtë – nuk janë çështje favori, as merite askujt. Prona private është e drejtë ndërkombëtare e sanksionuar me konventa dhe marrveshje ndërkombëtare. Pronat janë çështje drejtësie. Dhe drejtësia nuk jepet me bujari.  Ajo rikthehet me përgjegjësi dhe pa bujë.

Rasti i Katedrales në Shkodër është vetëm një pasqyrë e kësaj tragjikomedie kombëtare. Dihet se mijëra prona të tjera të pronarëve legjitim, të konfiskuara nga diktatura komuniste në Shqipëri, mbeten ende të bllokuara në labirintet e burokracisë shqiptare, ndërsa politika vazhdon të kërkojë merita për çdo korigjim minimal të një padrejtësie të madhe historike, siç ishte dorëzimi i letrës së pronësisës Katedralës së Shkodrës, para disa ditësh. Një shtet serioz nuk kërkon duartrokitje kur ndalon së mbajturi një pronë të grabitur ilegalisht, si kjo. Në vend të kësaj, pushteti normal kërkon falje dhe e kthen pronën pa zhurmë, tek i zoti legjitim.  Derisa kjo të kuptohet seriozisht, nga klasa politike shqitare, çdo ceremoni për “dhënien bujare” të Katedrales ose ndonjë prone tjetër, do të mbetet ajo që në të vërtetë është: një akt simbolik që zbulon, jo bujarinë e pushtetit, por zbardhë rishtas ironinë dhe hipokrizinë e tij ndaj kthimit të pronave private tek i zoti, sidomos pronat e enteve fetare.

Frank Shkreli

Filed Under: Kronike

Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare

March 14, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Dita e Verës, që festohet më 14 mars, është një nga festat më të vjetra dhe më autentike të kulturës shqiptare. Ajo shënon fundin e dimrit dhe ardhjen e pranverës, momentin kur natyra zgjohet nga gjumi i gjatë i stinës së ftohtë dhe jeta rifillon me një ritëm të ri. Për shqiptarët, kjo ditë nuk është vetëm një festë sezonale; ajo është një simbol i shpresës, i rinovimit dhe i vazhdimësisë së jetës. Studiuesit e folklorit dhe antropologjisë e shohin këtë festë si një relikt të një kalendari shumë të lashtë diellor, i cili lidhej me ciklin astronomik të natyrës dhe me ritmet e bujqësisë tradicionale.

Në traditën e vjetër shqiptare, viti ndahej në dy gjysma të mëdha: dimri dhe vera. Dita e Verës shënonte pikërisht fillimin e gjysmës së ngrohtë të vitit, kur jeta bujqësore dhe blegtorale fillonte të merrte gjallëri. Gjuhëtari dhe historiani i kulturës shqiptare Eqrem Çabej ka vënë në dukje këtë ndarje arkaike të vitit, duke theksuar se “në traditën shqiptare viti ndahej në dy pjesë: dimër dhe verë. Dita e Verës shënonte pikërisht fillimin e stinës së ngrohtë.” Kjo ndarje, që gjendet edhe në kultura të tjera të lashta evropiane, tregon se festa është shumë më e vjetër se ndikimet e mëvonshme fetare dhe lidhet me një koncept të hershëm të kohës dhe të natyrës.

Studiuesit e mitologjisë shqiptare e lidhin Ditën e Verës me kultin e diellit dhe me festat pagane që shënonin ringjalljen e natyrës. Antropologu Mark Tirta thekson se “Dita e Verës është një ndër festat më të lashta të kalendarit popullor shqiptar dhe lidhet me kultin e diellit dhe të vegjetacionit.” Sipas tij, shumë nga ritualet që kryhen në këtë festë – si ndezja e zjarreve, zbukurimi me degë të gjelbërta dhe përgatitja e ushqimeve rituale – janë mbetje të një sistemi shumë të vjetër simbolesh që lidhen me pjellorinë dhe me ciklin e jetës. Këto rite janë pjesë e një tradite të gjerë indoevropiane, ku pranvera festohej si triumfi i dritës mbi errësirën dhe i jetës mbi vdekjen e dimrit.

Edhe albanologu Robert Elsie e përshkruan këtë festë si një mbetje të besimeve pagane që kanë mbijetuar në kulturën shqiptare. Në studimin e tij mbi mitologjinë dhe traditat shqiptare, ai shkruan: “Dita e Verës është një festë pagane që kremton ardhjen e pranverës dhe ringjalljen e natyrës.” Sipas Elsie, kjo festë është një nga shembujt më të qartë të vazhdimësisë kulturore në Shqipëri, ku elemente të lashta të besimeve para-kristiane kanë mbijetuar përmes traditave popullore dhe zakoneve familjare.

Një nga përshkrimet më poetike dhe më të njohura për këtë festë e ka dhënë Faik Konica në shkrimin e tij të vitit 1911 “Ç’ është Dita e Verës?”. Konica e shihte këtë festë si një kujtim të lashtë të njerëzimit, që lidh shqiptarët me një traditë shumë të vjetër të festimit të natyrës. Ai shkruante:

“Është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romanët dhe me Grekët e vjetër perënditë e luleve, të shelgjeve e të krojeve.”

Ky përshkrim i Konicës e vendos Ditën e Verës në një kontekst më të gjerë kulturor mesdhetar, duke treguar se festa ka rrënjë të përbashkëta me traditat e tjera të lashta të Evropës jugore.

Në të njëjtin shkrim, Konica përshkruan edhe ndjesinë e çlirimit që sjell ardhja e pranverës:

“Kur çkrin dimëri, kur qaset vera buzëqeshur e hollë e e gjatë si në pikturë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barrë dhe shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël.”

Në këtë përshkrim poetik, pranvera shfaqet jo vetëm si një ndryshim stinor, por si një përvojë emocionale dhe shpirtërore. Sipas Konicës, pikërisht ky gëzim i natyrës dhe i jetës është burimi i festës:

“Në këtë gëzim stërgjyshërit tanë ndjenë një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës.”

Kjo lidhje mes festës dhe ciklit diellor është vërejtur edhe nga studiues të huaj që kanë hulumtuar kulturën shqiptare. Albanologu austriak Johann Georg von Hahn, një nga studiuesit e parë të Shqipërisë në shekullin XIX, vuri re se shumë nga zakonet shqiptare lidhen me kultin e diellit dhe me festat e pranverës. Ai shkruante se “shqiptarët kanë ruajtur një numër të madh ritesh që lidhen me kultin e diellit dhe me festat e pranverës, të cilat janë shumë më të vjetra se krishterimi.” Ky vëzhgim tregon se traditat e Ditës së Verës janë pjesë e një trashëgimie shumë të hershme që ka mbijetuar në kulturën popullore.

Edhe etnografja britanike Edith Durham, e cila udhëtoi në Shqipëri në fillim të shekullit XX, vuri re se shumë rite pranverore ndër shqiptarët mbajnë gjurmë të besimeve të lashta pagane. Në librin e saj të njohur “High Albania”, ajo shkruan se “ritet e pranverës ndër shqiptarët mbajnë gjurmë të qarta të besimeve shumë të lashta që lidhen me ciklin e diellit dhe me pjellorinë e tokës.” Për Durham, këto rite janë një dëshmi e gjallë e vazhdimësisë së traditave popullore në një rajon ku historia ka sjellë shumë ndryshime politike dhe fetare.

Një nga elementet më të dukshme të kësaj feste janë zjarret e pranverës. Në shumë zona të Shqipërisë, veçanërisht në Malësinë e Veriut, në mbrëmjen para 14 marsit ose në mëngjesin e festës ndezen zjarre të mëdha në oborre, në sheshe apo në kodra pranë fshatit. Rreth tyre mblidhen banorët, ndërsa fëmijët dhe të rinjtë shpesh kapërcejnë flakët. Ky ritual interpretohet si një simbol i pastrimit dhe i largimit të së keqes. Besohej se zjarri djeg sëmundjet, fatkeqësitë dhe energjitë negative të dimrit, duke hapur rrugën për një pranverë të begatë.

Në disa zona të Malësisë, në zjarr hidhen degë dëllinje ose barishte aromatike, të cilat sipas besimit popullor pastronin ajrin dhe sillnin fat të mirë për familjen dhe bagëtinë. Studiuesit e folklorit i shohin këto zjarre si mbetje të kulteve të lashta të diellit dhe të dritës, që festonin triumfin e pranverës mbi dimrin. Në shumë kultura indoevropiane, ndezja e zjarreve pranverore ishte një mënyrë simbolike për t’i dhënë forcë diellit dhe për të siguruar pjellorinë e tokës.

Një tjetër simbol i rëndësishëm i kësaj feste janë veroret – byzylykë të thjeshtë me fije të kuqe dhe të bardhë që lidhen në dorë ose në degë pemësh. Këto fije simbolizojnë jetën, shëndetin dhe energjinë e re që sjell pranvera. Në disa zona, verorja mbahet deri në momentin kur shfaqen dallëndyshet ose kur pemët fillojnë të lulëzojnë, dhe më pas lidhet në një degë peme si një shenjë e lidhjes së njeriut me natyrën.

Qendra historike e kësaj feste është Elbasani, ku tradita është ruajtur më fort se kudo tjetër. Prej shekujsh, familjet elbasanase përgatisin bollokumen, ëmbëlsirën simbolike të kësaj dite. Bollokumja është një biskotë tradicionale e bërë me miell misri, gjalpë dhe sheqer, dhe përgatitet sipas një rituali të vjetër familjar. Në shumë shtëpi, gratë dhe vajzat mblidhen së bashku për përgatitjen e saj, ndërsa receta ruhet me fanatizëm si një trashëgimi e çmuar. Për elbasanasit, bollokumja nuk është thjesht një ëmbëlsirë; ajo është një simbol i identitetit dhe i vazhdimësisë së traditës.

Në ditët tona, Dita e Verës është shndërruar në një festë të madhe popullore që festohet në shumë qytete shqiptare. Rrugët mbushen me njerëz, organizohen koncerte, panaire dhe aktivitete kulturore. Në Elbasan, qytetin që konsiderohet zemra historike e kësaj feste, atmosfera është veçanërisht e gjallë. Aroma e bollokumeve përhapet në çdo cep të qytetit, ndërsa njerëzit dalin në rrugë për të festuar së bashku ardhjen e pranverës.

Megjithatë, edhe në këtë formë moderne, festa vazhdon të ruajë thelbin e saj të lashtë. Zjarret e pranverës, veroret dhe ushqimet rituale janë dëshmi të një tradite që ka mbijetuar ndër shekuj. Në thelb, Dita e Verës është një festë e jetës dhe e shpresës. Ajo i kujton shqiptarëve se, ashtu si natyra që ringjallet çdo pranverë, edhe njeriu dhe shoqëria kanë gjithmonë mundësinë për një fillim të ri.

Bollokumet, veroret dhe zjarret e Malësisë janë më shumë se zakone folklorike. Ato janë shenja të një identiteti kulturor që ka mbijetuar përmes kohërave dhe që vazhdon të jetojë në kujtesën dhe në jetën e përditshme të shqiptarëve. Në këtë kuptim, Dita e Verës nuk është vetëm një festë pranverore; ajo është një lidhje e gjallë mes së kaluarës dhe së tashmes, një kujtesë e rrënjëve të thella kulturore që formojnë identitetin shqiptar.

Filed Under: Komente

Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët

March 14, 2026 by s p

Arben Iliazi/

Shkrimtari, kineasti dhe studiuesi i mirënjohur i artit, Luan Rama, vjen me një libër tjetër për piktorët francezë, që kanë pasur si tematikë shqiptarët, të titulluar “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e piktorëve francezë të Shkullit XIX”. Një libër i formatit të madh, botuar nga “Albas”, falë mbështetjes së fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”. Rama do ta prezantojë nesër, datë 14 mars, këtë botim, (në ambjentet e Kalasë së Tiranës, ora 11), shoqëruar me një Ekspozitë, që do të qëndrojë e hapur më 13, 14 dhe 15 mars 2026). Libri vjen si pjesë e një kolane librash, vija lidhëse e të cilëve është piktura dhe Shqipëria.

Si “ambasador” i shkëmbimeve ndërkulturore, i “dënuar me ndjesi”, L. Rama ka dhënë e jep kontribute të vazhdueshme, me gjuhën e artit, me filozofinë dhe kulturën e tij, duke u frymëzuar pikërisht nga kjo lidhje e pikëtakim historish, brenda një kaleidoskopi që e quajmë kulturë. Jo pak lidhje kanë ekzistuar historikisht midis Francës e Shqipërisë, veçanërisht që nga shekulli XVI, kur stradiotët shqiptarë krijuan kalorësinë e lehtë franceze të quajtur nga historianët francezë “la chevalerie albanoise”.

Përmes “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autorëve francezë të shekullit të XIX”, lexuesit mund të gjejnë rikrijojnë jetën e shqiptarëve në trojet e tyre dhe përtej kufijve në rrugëtimet e gjata të historisë. Shqiptarët hynë gjerësisht në tablotë e piktorëve të huaj veçanërisht në vitet e para të shekullit XIX, kur pas Revolucionit francez e sidomos pas fitores së Revolucionit grek, një rradhë e madhe artistësh, shkrimtarësh, historianësh, arkeologësh etj., përshkuan Greqinë që të pikëtakonin jo vetëm heronjtë e kohëve të reja por dhe të shikonin rrënojat e vjetra të një qytetërimi të jashtëzakonshëm. Shqiptarët u shfaqën në tablotë e tyre me profile e karaktere të ndryshme: herë në pozicione luftarake e herë në pamje të qeta meditimi, apo portrete të lira, ku secili nga piktorët ka shprehur origjinalitetin dhe stilin e tij piktural. Etydet mbi karakteret, tipat dhe kostumet shqiptare janë më të shumta sesa ato tablo që u bëjnë jehonë figurave apo ngjarjeve historike.

Libri hapet me portretin e hershem të Skëndërbeut në kështjellën e Beauegardit. Vijon me gravurat e Jean- Jacques Boissard, (1581), pikturën e ushtarit shqiptar dhe atë të marinarit shqiptar, gruaja në brigjet shqiptare dhe bariu shqiptar, nga Jean- Baptiste Van Maur. Piktura “Shqiptar” nga Pierre Duflos, (1784), apo “Familje shqiptare” në Kalabri. “Luftëtarë shqiptarë” dhe “Grua shqiptare”, nga Jean- Baptiste Hilaire, 1776. “Familja arvanitase në udhëtim”, nga Alphonse L. Castellan. “Gruaja shqiptare”, nga F. Fauvel,” Një burrë dhe një grua shqipatre”, “Një suliot dhe një suliote”, nga F. de Pouqueville.

Pasojnë imazhet e shqiptarëve në tablotë e jashtëzakonshme të Lois Dupre-së: “Foto Xhavella”, “Suliot në Korfuz”, “Ali pasha në liqenin e Butrintit” (1825), “Dasmë te Arvanitët në Athinë”.

Dupre shkruante nga Korfuzi: “Rrugës takova disa grekë, tiprate dhe veshja e vecantë e të cilëve nuk ngjane aspak me ato të ayre që kisha parë….Ishin suliotët, vështrimi i të cilëve shikonte me trishtim nga brigjet pëballë, si të maste distancën që i ndante nga vendi i tyre”.

Vijon me “Etyd për një personazh suliot”, 1824, nga E. Delacroix, pikturë në vaj, që ndodhet në Muzeun e Luvrit. Si dhe: “Shqiptar i Sulit, Marko Boçari i plagosur për vdekje” dhe “Dy suliotë në breg të detit”.

Nga Alexandre Decamps (1803-1860) kemi tablon e famshme “Valltarë shqiptarë”, “Duel mes shqiptarësh”, “Gra shqiptare”, nga Ch. Gleyre (1840) “Shqiptari i Janinës”, “Ushtar shqiptar”, “Dy shqiptarë në Korfuz”, 1834.

“Portret shqiptari dhe greku”, nga D. Papety, që përshkoi Çamërinë dhe Sulin: “Pamje nga Qaf-Suli”. “Luftëtar shqiptar”, “Çift shqiptar”, “prijës shqiptar”, nga Th. Valerio,(1819-1879).

Epopenë heroike të suliotëve dhe të revolucionit grek e hodhi në telajo edhe piktoori Ary Scheffer (1795-1858). “Gratë suliote” është në koleksionin e Luvrit. Një pikturë të famshme me titullin “Luftëtar shqiptar” ka lënë edhe H. Vernet (1827). Kemi gjithashtu “Luftëtar shqiptar” dhe “Dy shqiptarë”, nga Alexandre Bida, (1813-1895). ‘Prijës shqiptar”, nga A. Deveria, litografi me ngjyra. “Djalosh nga Hidra”, nga Alfred de Curzon (1820-1895). “Shqiptarja”, e Corot-së, një tablo tepër e vecantë, e pikturuar në vitin 1872. Kjo është një tablo mitike për ne shqiptarët. “Në portretin “Shqiptarja”, – shkruan kritiku i veprës së Corot, Jean Selz, në librin e tij “Jeta dhe vepra e Camille Corot”, – është dhënë një meditim i padeshifrueshëm”. Nga J. L. Gérôme, kemi pikturën “Vallja pirike, si dhe tablonë e Marko Bocarit, 1854. Ndësa nga Alphonse- Antoine Monfort, “Luftëtar arvanitas”.

Duke parë gjithë këto tablo ikonike të piktorëve të shquar francezë të shekullit XIX, që kanë udhëtuar në mijëvjeçarë me të njëjtin solemnitet dhe madhështi, në “pasarelat” e kumteve shprehëse estetike, përfshihemi natyrshëm nga entusiazmi për këto vepra arti, që rrinë si brerore të shndritshme mbi kujtesën historike dhe identitetin tonë kombëtar.

Në këndvështrim eidetik, ajo që bie në sy, në rradhë të parë, është një lloj vitaliteti i karaktereve shqiptare të pikturuara nga mjeshtrat francezë, shëmbëlltyrat transhedente të heronjvetë amshuar, karaktere që nuk janë krijuar thjesht nga imagjinata, por nga një pikëtakim i drejtpërdrejtë i tyre me këta personazhe të diasporës shqiptare. Secila prej këtyre tablove ka diçka ndryshe në atë që e quajmë ligjërim krijues. Të gjithë elementët përbërës të piktuarve, idetë, trajtimi, tonaliteti i ngjyrave, larmia stilistike dhe zgjidhjet kompozicionale, janë në themel të dekodifikimit të shprehive dhe gjesteve. Si përfaqësues të Romantizmit, me intuitë dhe imagjinatë të përsosur, piktorët francezë kanë theksuar sublimen, ekzotiken dhe mistiken, duke eksploruar marrëdhëniet midis njerëzve, historisë dhe natyrës.

Duket sikur autorët mendojnë si francezë dhe ndjejnë si shqiptarë përballë historisë dhe fatalitetit etnik. Po të vëresh me kujdes portretet, duket sikur piktorët kanë bërë një thurje të dukshme të shpirtit të tyre të padukshëm, që ka si konstitucion mendor lirinë dhe antropologjinë. Në fund të fundit, arti është domen i lirisë, që vjen nga thellësitë e kohës, për të dëshmuar mbi gjithëkohësinë e së tashmes së një komunikimi estetik.

“Ne s’do të mund t’i imagjinonim si duhej figurat e suljotëve pa pikturat e Louis Dupré, i cili i piktakoi ata në vitin 1819; ne s’do të mund të imagjinonim figurat e arnautëve pa pikturat e J. L. Gérôme, mishërimin e luftës së Marko Boçarit pa tablotë e Delacroix, fytyrën e së resë shqiptare pa tablonë e Corot, e cila u kthye në një tablo emblematike, ashtu siç u kthye dhe “Valltarët shqiptarë”. Kur Dupré mbërriti në Korfuz një nga mbresat më të veçanta të tij ishin suljotët me pamjen hijerëndë dhe veshjen e tyre që spikaste në atë mjedis. Si të gjithë artistët, Dupré kërkoi menjëherë t’i vizatonte ato figura epike dhe dramatike dhe ata nuk kundërshtuan edhe pse qëndrimi i tyre ishte hijerëndë, pasi dukej se kishin mbetur të braktisur nga bota, njerëz pa shtëpitë dhe tokën e tyre”, thotë Luan Rama.

Ka diçka ekzotike dhe romantike në këto portrete, që mund t’i konsiderojmë jo vetëm vepra të shquara të traditës artistike franceze, të romantizmit, por edhe pjesë të trashëgimisë sonë kombëtare. Ka një solidaritet të madh të përftuar nga ndjenja e flijimeve, që kapërcen dallimet e shekujve, të racave, apo kultuave, mbi cdo kufi shoqëror dhe historik. Ndaj këto vepra kanë një vlerë të shumëfishtë dhe po transmetohen brez pas brezi drejt epokës së artit universal. Në këto vepra, që lënë mbresa të rëndësishme për këdo që i sheh, lexohet atdhedashuria që personazhet historikë kanë bërë dhe janë të gatshëm të bëjnë.

Filed Under: Analiza

Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”

March 14, 2026 by s p

Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”, bashkë me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Foto: Presidenca

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ikja e heshtur e Shqipërisë, kur një komb humbet njerëzit që ndërtojnë të ardhmen
  • Kur Kosova përçahet, Serbia ëndërron rikthimin e së kaluarës
  • Republika e pesë yjeve
  • Shqipëria e Vogël në Bronx: Një Komunitet i formuar nga historia, vështirësia dhe shtëpia
  • TURPI I NJË DEKLARATE QË SFIDON TË VËRTETËN HISTORIKE
  • JEHONA QË ZGJOI NJË QYTET
  • THE TIME TO ACT IS NOW
  • Dinjiteti dhe rrënjët e revolucionit të flamingove
  • LITTLE ALBANIA IN THE BRONX
  • Jared Kushner had better drop out of his Albania project—for his own good
  • Janina e vitit 1897, kryeqyteti i Shqipërisë në perceptimin e shtypit ndërkombëtar
  • REKOMANDIME STRATEGJIKE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS – FORCIMI I INSTITUCIONEVE, DIPLOMACISË DHE KULTURËS SHTETËRORE TË MIRËNJOHJES
  • ANTHONY ATHANAS, SHQIPTARI QË NDEROI AMERIKËN DHE NUK HARROI KURRË SHQIPËRINË
  • “Malet e ndaluara” të Dino Buxatit…
  • “Shënpoeti” Petrit Ruka

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT