
Nga Ramazan Çeka/
Ku ka këngë, ka shpresë dhe jetë.
Kudo ku këndohet, aty rreh zemra e një komuniteti; aty përjetimi shndërrohet në jehonë, tradita bëhet identitet dhe jeta merr frymë me ritmin e brezave.
Pikërisht këtë të vërtetë e dëshmoi edhe edicioni i tretë i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës”, i zhvilluar më 26 dhe 27 qershor, kur Memaliaj u kthye në një skenë të madhe të kulturës shqiptare.
Dy net me radhë, qyteti jetoi ndryshe. Rrugët, sheshet dhe mjediset e tij u mbushën me këngë, valle, kostume shumëngjyrëshe dhe tinguj instrumentesh që vinin nga të gjitha trevat shqiptare. Banorët dhe vizitorët u bënë pjesë e një parade të jashtëzakonshme festive, ku arti popullor shpërtheu me tërë madhështinë e tij.
Memaliaj dukej sikur po përjetonte një rilindje të vërtetë. Zërat e artistëve, hapat e valltarëve dhe duartrokitjet e publikut rindezën atmosferën e një qyteti që për dy ditë e net rifitoi gjallërinë e dikurshme. Për një çast, koha dukej sikur kishte ndalur. Kënga nuk solli vetëm emocione; ajo riktheu ndjenjën e përkatësisë, krenarinë dhe besimin se kultura mbetet një nga forcat më jetëdhënëse të një shoqërie.
Por çdo nismë që lë gjurmë në jetën e një komuniteti ka historinë e saj. Asnjë ngjarje e rëndësishme nuk lind rastësisht. Fillimisht ajo është një mendim i heshtur, më pas një ëndërr që piqet me kalimin e viteve, derisa gjen njerëzit që besojnë se ëndrrat duhen kthyer në realitet. Edhe “Jehona e Vjosës” nisi pikërisht kështu. Ajo nuk lindi nga një projekt administrativ i hartuar në tavolinat e institucioneve, por nga dashuria e pastër për kulturën dhe traditën.
Për vite me radhë, kjo ëndërr jetoi në mendjen dhe zemrën e Viktor Aliut. Ishte një dëshirë e heshtur, por e pandalshme: krijimi i një festivali që do të bashkonte artistët nga të gjitha trojet shqiptare dhe do ta kthente Memaliajn në një vatër të rëndësishme të jetës folklorike kombëtare.
Ky moment erdhi me zgjedhjen e Albert Malajt në krye të Bashkisë së Memaliajt, çka ndryshoi edhe mënyrën e konceptimit të rolit që kultura mund të kishte në jetën e qytetit. Kryebashkiaku jo vetëm dëgjoi me vëmendje projektin e ish-profesorit të tij, por pa tek ai një mundësi të shkëlqyer për të ndërtuar një identitet më të fuqishëm kulturor për Memaliajn.
Nga takimi i një ëndrre personale me një vizion institucional lindi bashkëpunimi që i dha jetë festivalit. Pikërisht kjo ndërthurje mes përkushtimit njerëzor dhe mbështetjes institucionale u bë themeli mbi të cilin u ngrit “Jehona e Vjosës”.
Edhe emri i festivalit mbart një simbolikë të veçantë. Vjosa, lumi i fundit i egër i Evropës, rrjedh e lirë ndër shekuj duke ruajtur natyrshmërinë dhe dinjitetin e saj. Ajo është simbol i qëndrueshmërisë, lirisë dhe vazhdimësisë. Ashtu si lumi që nuk ndalet së rrjedhuri, edhe folklori shqiptar ka vazhduar të jetojë përmes kohës. Ai ka mbijetuar në odat e burrave, në sofrat familjare, në dasma e festa, duke kaluar nga një brez te tjetri pa humbur autenticitetin.
Prandaj “Jehona e Vjosës” nuk është vetëm emri i një festivali. Ajo është metafora e një zëri që buron nga brigjet e lumit dhe përhapet në të gjitha trojet shqiptare, duke na kujtuar se tradita nuk është një relike e së kaluarës, burim i harruar, por një organizëm i gjallë që jeton përmes nesh.
Qëllimi i kësaj nisme është i qartë dhe fisnik: promovimi, motivimi dhe ruajtja e trashëgimisë sonë shpirtërore. Mbi të gjitha, ai synon të edukojë brezin e ri me dashurinë për këngën, vallen, kostumin popullor dhe zakonet tradicionale. Në këtë mision qëndron edhe forca më e madhe e “Jehonës së Vjosës”. Më shumë se një festival folklorik, ajo është një urë që bashkon të kaluarën me të ardhmen, mjeshtrit me artistët e rinj, rrënjët me shpresën.
KUR TË GJITHA TROJET SHQIPTARE U TAKUAN NË MEMALIAJ
Dy edicionet e para hodhën themelet, fituan besimin e artistëve dhe zgjuan interesin e publikut, ndërsa ky edicion i tretë e vulosi përfundimisht identitetin e festivalit në hartën kombëtare të folklorit.
Madhështia e këtij suksesi matet me numrin e artistëve, shtrirjen gjeografike të pjesëtarëve dhe, mbi të gjitha, me besimin e madh te kjo skenë.
Gjatë tri edicioneve, mbi 900 artistë popullorë kanë sjellë në Memaliaj këngët, vallet, kostumet dhe traditat e krahinave të tyre, duke e kthyer qytetin në një mozaik të jashtëzakonshëm kulturor.
Nga Drenica heroike, vendlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, nga Deçani, Klina, Ferizaj dhe Ansambli “Shote Galica” i Drenasit, nga Medvegja, Struga dhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqiptarëve në Shkup, e deri tek Ulqini, çdo trevë solli në Memaliaj zërin, ngjyrat dhe shpirtin e saj. Jehona e festivalit kapërceu edhe kufijtë e Ballkanit, duke sjellë në skenë artistë të diasporës shqiptare, si grupi “Malli i Mërgimtarit” nga Greqia, si dëshmi se largësia nuk e zbeh lidhjen me rrënjët.
Në ato dy ditë e net, Memaliaj u bë shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Në skenën e tij u ngjitën grupet polifonike të Tepelenës, Gjirokastrës, Delvinës, Sarandës, Himarës, Pilurit, Vlorës, Selenicës dhe Mallakastrës, duke sjellë madhështinë e polifonisë labe, një prej pasurive më të rralla të trashëgimisë sonë shpirtërore. Skena u ndez nga ritmet magjepsëse të Kcimit të Tropojës, kryeveprës sonë që sot mbrohet nga UNESCO, duke sjellë gjithë forcën dhe dritën e traditës së veriut. Ritmi dhe harmonia u plotësuan magjishëm me këngën me lahutë dhe çifteli të Dukagjinit, që përmes grupit “Tre tinguj, një melodi”, shkrihej në një melodi të vetme, duke dëshmuar forcën e trashëgimisë sonë epike. Vallet e Matit e të Dibrës, si dhe meloditë e Tiranës, Kamzës, Librazhdit, Gramshit, Përmetit e Kolonjës, të gjitha së bashku krijuan një panoramë etnografike të gjerë, nga Alpet deri në brigjet e Jonit.
Në edicionon e tretë, skena e “Jehonës së Vjosës” mirëpriti 24 grupe artistike, ansamble folklorike, shoqëri kulturore, rapsodë, instrumentistë dhe valltarë, të cilët sollën para publikut thesaret më autentike të trevave të tyre. Çdo interpretim mbante vulën e origjinalitetit; këngët buronin nga odat e vjetra, vallet kishin udhëtuar brez pas brezi, ndërsa kostumet popullore ruanin ende aromën e historisë dhe punës së palodhur të dorës.
Publiku që mbushi për dy mbrëmje radhazi Sheshin “Minatori” përjetoi një lartësim të vërtetë shpirtëror. Në atë skenë u bënë bashkë madhështia e polifonisë labe me epikën e këngëve të veriut. Isoja jehonte si oshëtima e maleve të Kurveleshit, ndërsa lahuta dhe çiftelia kumbonin me forcën e Alpeve, të Sharrit dhe të Karadakut. Ritmet plot gjallëri të valleve të Kosovës u ndërthurën natyrshëm me elegancën e Shqipërisë së Mesme dhe finesën e Devollit.
Por ajo që preku më shumë zemrat e të pranishmëve ishte simbolika: në atë skenë u përqafuan plisi me qylafin, fustanella me xhubletën, jeleku i Labërisë me xhamadanin e Kosovës. U dëgjuan shumë dialekte, por vetëm një gjuhë zemre. Nga brigjet e Bistricës dhe Vjosës, përgjatë Semanit e Shkumbinit, deri në luginat e Drinit, Valbonës e Bunës, rrjedhat shpirtërore të kombit u derdhën simbolikisht në Memaliaj. Vetëm arti popullor ka fuqinë të bashkojë troje që historia i ndau dhe të afrojë njerëz që gjeografia i largoi.
ATJE KU ARTI BËHET RRËNJË
Një festival konkurrues vlerësohet për emocionin që përcjell dhe për gjurmën që lë në kohë. Për këtë arsye, detyra e jurisë në këtë edicion të tretë ishte sa e bukur, aq edhe e vështirë.
Siç u shpreh edhe kryetari i jurisë, Xheladin Beqiri, festivali dëshmoi një nivel të admirueshëm artistik, me formacione cilësore, vokale të fuqishme, melodi autentike dhe interpretime që ruanin me besnikëri karakterin burimor të folklorit tonë.
Në përfundim, juria ndau 22 çmime dhe vlerësime. Megjithatë, pothuajse çdo grup u largua me dinjitetin e fituesit, pasi fitoi duartrokitjet e ngrohta dhe respektin e publikut, që jetojnë shumë më gjatë se çdo trofe.
Në fund të fundit, juria jep çmime, vlerësime dhe kupa, por koha jep pavdekësinë. Prandaj, fituesi i vërtetë i këtij edicioni ishte vetë folklori shqiptar, këngët që u kanë mbijetuar shekujve, vallet që rrëfejnë historinë tonë dhe zërat që bashkojnë shqiptarët kudo ku ata jetojnë.
EPILOG – JEHONA QË NUK SHUHET
Kur u fikën dritat e skenës dhe tingujt e fundit u tretën në ajrin e mbrëmjes, Memaliaj nuk mbeti më i njëjti qytet. Diçka e bukur mbeti pezull mbi shesh, mbi rrugët e qytetit dhe mbi brigjet e Vjosës. Ishte jehona e trashëgimisë së një kombi.
Në një kohë ku globalizimi rrezikon të zbehë veçantitë tona kulturore, festivale të tilla bëhen mburoja të vyera. Ato na kujtojnë se një popull mbetet i fortë jo vetëm nga zhvillimi ekonomik, por mbi të gjitha nga aftësia për të ruajtur rrënjët e veta. E shpirti i shqiptarëve ka kënduar gjithmonë, në gëzime e mes lotësh në mall, në dasma e në kurbet, për lirinë, besën dhe vendlindjen.
Prandaj, sa herë që në brigjet e Vjosës do të ngrihet kjo skenë, nuk do të festohet vetëm një festival, burim i ri kulturor, por vazhdimësia e shpirtit shqiptar. Sepse lumenjtë rrjedhin drejt detit, ndërsa këngët e një populli rrjedhin drejt përjetësisë. Dhe për sa kohë do të ketë zëra që këndojnë e këmbë që vallëzojnë mbi këtë tokë, do të ketë edhe jetë.