
Artan Nati/
Ekonomistët kanë një mani të çuditshme: sa herë shpërthen një protestë, fillojnë të numërojnë pagat, inflacionin, papunësinë dhe çmimin e domateve. Sikur revolucionet të ishin thjesht një ekuacion me shumë të panjohura ekonomike. Por historia ka qenë gjithmonë më pak matematikë dhe më shumë psikologji. Revolucionet nuk fillojnë kur njerëzit mbeten pa bukë. Fillojnë kur mbeten pa dinjitet. Dinjiteti është valuta e vetme që nuk e shtyp as banka qendrore dhe nuk e subvencionon as qeveria. Ai lind kur qytetari ndihet i barabartë para ligjit, kur zëri i tij dëgjohet po aq sa ai i ministrit, kur deputeti i shërben republikës dhe jo partisë, kur meritokracia nuk është emër parrulël, por mënyrë qeverisjeje. Poshtërimi është e kundërta e kësaj. Është momenti kur qytetari kupton se vota e tij vlen vetëm një ditë në katër vjet, ndërsa telefoni i oligarkut ka linjë direkte me kabinetin qeveritar. Është çasti kur ligji bëhet akrobat si shkopi i Maliqit: i butë për të fortët dhe i tmerrshëm për të dobëtit. Pikërisht këtu duhet kërkuar shpjegimi i Revolucionit të Flamingove.
Shumë analistë u munduan ta shpjegonin si revoltë kundër një resorti luksoz, kundër betonit, kundër investimeve strategjike apo kundër një vendimi administrativ. Ishte një analizë po aq e thellë sa të thuash se ethet shkaktohen nga termometri. Shkaku i vërtetë nuk ishte resorti. Resorti ishte vetëm shkrepësja. Baruti ishte grumbulluar prej vitesh. Çdo tender i dyshimtë, çdo konkurs i paracaktuar, çdo deputet që fyente inteligjencën e publikut, çdo ministër që fliste me arrogancën e pronarit dhe jo të shërbëtorit të shtetit, çdo emërim që shpërblente besnikërinë dhe jo aftësinë, shtonte nga një dozë baruti në magazinën e zemërimit kolektiv. Shqiptari nuk doli në rrugë sepse zbuloi papritur korrupsionin. Atë e kishte njohur prej dekadash. Ai doli sepse një ditë kuptoi se korrupsioni nuk po i merrte vetëm paratë, po i merrte dinjitetin.
Kur sheh një parlament ku qytetari mezi gjen një njeri që do t’ia linte të administronte pallatin e lagjes, por që megjithatë i kërkohet ta konsiderojë “ajkën e demokracisë”, ai nuk ndihet i përfaqësuar. Ndihet i tallur. Dhe këtu fillon tragjikomedia.
Në njërën anë dëgjon fjalimet teatrale të një deputeti që e ka kthyer parlamentin në ring boksi politik. Në anën tjetër dëgjon një deputete që prodhon më shumë meme në internet sesa amendamente në ligje. Pak më tutje, një ish-ministër shpjegon me bindje absolute se problemi nuk është sistemi, por qytetarët që nuk e kuptojnë madhështinë e sistemit. Një tjetër flet sikur kushtetuta është shkruar posaçërisht për statusin e tij në Facebook. Ketu qytetari jo vetem zemërohet. Ai poshtërohet. Kur dëgjon se çdo kritik është “armik”, çdo protestues është “i manipuluar”, çdo intelektual është “i paguar”, ndërsa çdo servil shpallet “ekspert”, ai nuk ndien më vetëm padrejtësi. Ndien se inteligjenca e tij është bërë objekt humori. Prandaj Revolucioni i Flamingove nuk kërkon vetëm një pyll më shumë apo një hotel më pak. Ai kërkon diçka shumë më të rrezikshme për çdo kastë politike: barazinë morale. Në thelb, protestuesit po thonë një fjali shumë të thjeshtë: “Na shikoni në sy.” Sepse sistemi kishte filluar t’i shihte qytetarët si spektatorë të detyruar, jo si pronarë të republikës.
Demokracia është reduktuar në një shfaqje televizive ku publiku ka vetëm një të drejtë, vetëm të duartrokasë. Ironia është se elitat nuk e kuptuan këtë. Ato menduan se protestuesit kërkonin më shumë subvencione, më shumë fonde ose më shumë vende pune. Jo. Njeriu mund të jetojë me një makinë të vjetër. Mund të jetojë edhe me një pension modest. Por nuk mund të jetojë pafundësisht me ndjesinë se konsiderohet budalla nga ata që paguan për t’i mbajtur në pushtet. Historia na kujton se Bastija nuk u sulmua për bukën. Muri i Berlinit nuk u rrëzua për një rritje page.
Edhe Revolucioni i Flamingove nuk u ushqye vetëm nga pakënaqësia ekonomike. Ai u ushqye nga diçka shumë më e thellë: nga dëshira për t’u trajtuar si qytetarë dhe jo si dekor statistikor i një demokracie ceremoniale. Sepse në fund, një republikë nuk shembet kur qytetarët varfërohen. Ajo fillon të shembet kur qytetarët binden se pushteti nuk u ka marrë vetëm pasurinë, por edhe respektin. Dhe kur një popull ngrihet për të rifituar dinjitetin, ai nuk kërkon privilegje. Ai kërkon vetëm atë që kushtetutat premtojnë dhe oligarkitë harrojnë: të drejtën për të qenë i barabartë. Pikerisht erdhi një ditë si sot që shqiptarët të refuzojnë të pranojnë se mediokriteti është meritë, se servilizmi është kompetencë, se britma është argument dhe se tallja me inteligjencën e publikut quhet demokraci.
Filozofi Immanuel Kant thoshte se në këtë botë gjërat ndahen në dy kategori: ato që kanë çmim dhe ato që kanë dinjitet. Ajo që ka çmim mund të blihet, të shitet, të zëvendësohet ose të kompensohet me diçka tjetër me vlerë të barabartë. Një makinë prishet dhe blihet një tjetër. Një rrugë shembet dhe rindërtohet. Një qeveri bie dhe zëvendësohet me një tjetër. Por dinjiteti nuk funksionon sipas ligjeve të tregut. Ai nuk shitet në ankand, nuk tenderohet, nuk koncesionohet dhe nuk futet në paketën e investimeve strategjike. Dinjiteti nuk ka çmim, sepse nuk ka zëvendësues. Shqiptari e kishte kuptuar këtë shumë kohë përpara se Kant ta shkruante në libra. Ai e përmblodhi me një fjali që ka mbijetuar shekujve si busull morale: “Njeriu për një nder rron.” Jo për një rrogë. Jo për një tender. Jo për një vend pune. Për një nder. Sepse buka të mban gjallë, ndërsa nderi të jep arsye pse ia vlen të jetosh. Ndoshta këtu duhet kërkuar edhe shpjegimi i asaj vale zemërimi që shpërtheu në protestat e Revolucionit të Flamingove. Analistët folën për betonin, për resortet, për investimet, për oligarkët, për çmimet, për turizmin dhe për ekonominë. Të gjitha këto kanë rëndësi. Por ato janë vetëm kapitujt e librit.
Titulli i tij është shumë më i thjeshtë: Poshtërimi i qytetarit. Sepse kur qytetari sheh se ligji flet me dy zëra, se meritokracia është bërë figurë letrare dhe se institucionet i kujtohen vetëm në ditën e votimit, ai nuk ndien vetëm padrejtësi. Ai ndien se i është prekur nderi. Dhe shqiptari ka një zakon të vjetër: varfërinë e duron, poshtërimin e mban mend. Ironia më e madhe është se politika shqiptare vazhdon të sillet sikur gjithçka mund të blihet. Blihet vota. Blihet deputeti. Blihet eksperti. Blihet analisti. Blihet heshtja. Madje, sipas disa politikanëve, blihet edhe kujtesa. Vetëm një gjë nuk blihet.
Respekti. Prandaj protestat nuk janë thjesht një debat për një projekt apo për një qeveri. Ato janë një kërkesë që qytetari të mos trajtohet më si figurant në një teatër ku rolet kryesore luhen prej të njëjtëve aktorë prej tri dekadash. Në këtë teatër, shumica e shqiptarëve kanë filluar ta quajnë me ironi kastën politike me një mbiemër të vetëm: “Nburg”. Jo si një mbiemër familjar, por si një metaforë politike. Njëri quhet Rama Nburg. Tjetri quhet Berisha Nburg. Dy emra, një mbiemër. Dy parti, një kulturë pushteti. Dy flamuj, një mënyrë qeverisjeje. Dy armiq në televizion, por shpesh dy binjakë në mënyrën se si e kanë trajtuar shtetin si pronë dhe qytetarin si spektator. Është një satirë e hidhur që thotë më shumë se një mijë analiza politike. Sepse qytetarët nuk po u ndryshojnë mbiemrin për shkak të një vendimi gjykate, po u japin një nofkë që përmbledh perceptimin e tyre për një klasë politike që, sipas tyre, ka humbur legjitimitetin moral.
Në fund të fundit, historia nuk i kujton udhëheqësit nga pallatet që ndërtuan apo kilometrat e asfaltit që shtruan. I kujton nga mënyra se si trajtuan dinjitetin e njerëzve. Sepse rrugët mund të riparohen. Buxhetet mund të rishkruhen. Qeveritë mund të ndërrohen. Por një popull, të cilit i është shkelur nderi për vite me radhë, nuk ngrihet për të kërkuar më shumë para. Ai ngrihet për të kërkuar që ta shohin përsëri në sy si të barabartë. Dhe pikërisht atëherë politika zbulon të vërtetën më të vjetër të demokracisë: zgjedhjet fitohen me vota, por republikat mbijetojnë vetëm me dinjitet.