• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare

March 13, 2026 by s p

#ASHSH

#inmemoriam

# FanStilianNoli

Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Ai u nda nga jeta më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së. Lindi më 6 janar 1882 në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1904-ën shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç ’është e ç’do të bëhet”. Në vitin 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.

Më 9 shkurt 1908, në moshën 26-vjeçare, Fan Noli u bë diakon (dhjak) në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi si prift ortodoks. Vetëm dy javë më vonë, më 22 mars 1908, Noli i ri krenar mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në ‘Knights of Honor Hall’ në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Europë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare u përmbushën në vitin 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri në vitin 1911 ai botoi gazetën “Dielli” dhe së bashku me Faik Konicën themeloi më 1912-n Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938-n mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Më 1921-shin ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”.

Në qershor të vitit 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore. Me dështimin e këtij procesi, Noli mërgoi në Evropë dhe më pas në SHBA (1932), ku u fokusua në krijimtari letrare, historike dhe muzikologjike.

Në vitin 1938, ai u diplomua në muzikë pranë Konservatorit të Muzikës në New England, ndërsa në vitin 1945 mori gradën Doktor i Filozofisë në Histori në Universitetin e Bostonit, me një disertacion kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.

Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar atje, u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë.

www.akad.gov.al

Filed Under: Politike

Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”

March 12, 2026 by s p

Mbëmja kushtuar Festës së Mësuesit dhe Gruas do të mblidhte së bashku komunitetin shqiptar të Filadelfias organizuar nga shoqata “ Bijtë e shqipes”. Që në hyrje të zbukuruar me shumë finesë nga znj. Erina Hasa, do të dhuroheshin karajfila të kuq për cdo grua, vajzë, symbol i respektit dhe mirënjohjes për to. Këto lule u sponsorizuan nga z. Bujar Çela , anëtar i KD. Aktiviteti do të çelej me surprizën më të bukur të përgatitur nga nxënësi i shkolles shqipe Christofer Papaciu, I cili do të sillte aq bukur poezinë e Fadil Krajës, kushtuar nënës. Atmosfera do ndizej që në fillim me ritmin e valles “ Baresha” të interpretuar me shume hijeshi nga nxënëset dhe ish-nënëset e shkollës shqipe “ Gjuha jonë” të përgatitur me shume profesionalizëm nga znj. Sonja Ponoçi Zebib.

Në hyrje të aktivitetit pas përshëndetjes dhe urimit të përzemërt të Kryetarit të shoqatës z. Dritan Matraku, znj. Elda Janji do të uronte dhe përshëndeste të gjitha gratë e komunitetit shqiptar në emër të Kryesisë së Shoqatës për këto dy festa. Lule të bukura të sponsorizuara nga znj. Ida Bushi, do të jepeshin mësueseve të shkollës shqipe për kontributin dhe vlerat që ruajnë në brezin e ri të komunitetit tonë. Më pas fuqinë e morën artistët e ditës këngëtarja Mariza Ikonomi dhe Ilsi Ademi. Dy artistë që treguan jo vetëm talentin e tyre të padiskutueshëm por pasqyruan mirësi dhe respekt për të gjitha nënëat, vajzat, gratë. Spektakël në skenë ,spektal në pistë e vallëzimit. Energji që vinte nga tingujt e këngëve të Vace Zelës, të Shpat Kasapit, të Kosovës, Çamërisë, Jugut , Veriut dhe Shqiperisë së mesme.

Gjithë trojet shqiptare në një mbrëmje në këngë nga këta dy artistë plot me energji dhe talent, e të gjithë duke kërcyer pa u lodhur. Një moment i vecantë ishte vlerësimi që shoqata “ Bijtë e shqipes “ do u jepte znj. Irini Lulu, Mimoza Jahaj, Klarita Gjoleka, Arta Laco, Mirela Bani, Kaja Llari nëpërmjet Certifikatave të Mirënjohjes për kontributin dhe, ndihmesën e dhëne jo vetëm në aktivitetin e shoqatës, por edhe për ndihmesën e vyer dhëne komunitetit shqiptar në Philadelphia. Nuk munguan edhe dhuratat e sponsorizuar nga znj. Irini Lulu dhe znj. Amelia Bushaka-Gjuzi për mësueset e shkollës shqipe. Muzika dhe vallja shqiptare kanë magjinë e tyre që të mbajnë të tërhequr pas vetes. Edhe pse orari i caktuar kishte kaluar, askush nuk donte të largohej.

Gëzuar Festën e Dijes dhe të Gruas!

Me dijen e mësuesit dhe forcën e dashurisë e gruas vazhdon ardhmëria jonë e patjetërsuar dhe unike.

Rudina Bani mësuese e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”

Fotot nga Armir Koka

Filed Under: Komunitet

Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore

March 12, 2026 by s p

Artan Nati/

Në debatin publik shqiptar ndodh shpesh një paradoks komod: ne gëzojmë rehatinë e opinionit, por shmangim shqetësimin e mendimit. Opinionet prodhohen me shumicë në studio televizive, në rrjete sociale dhe në tavolina kafenesh, ndërsa mendimi kritik, mbetet luks i rrallë. Kështu krijohet një kulturë ku bindjet janë të forta, por arsyetimet shpesh të dobëta. Në historinë moderne shqiptare mitet kanë ndryshuar vetëm kostumin. Dikur shoqëria rrotullohej rreth mitit të beut dhe bajraktarit, komunizmi e zëvendësoi atë me mitin e familjes së dëshmorit. Pas vitit ’90 erdhi një tjetër figurë simbolike: politikani i forte, në thelb një përzierje moderne e beut dhe bajraktarit, si edhe oligarkut, që nuk dihet si e ka krijuar pasurinë. Personazhet ndryshuan, por mekanizmi mbeti i njëjtë. Shqipëria nuk kaloi nga kultura e mitit te kultura e analizës, por thjesht ndërroi mitologjinë. Në vend të mendimit kritik, vazhdoi prodhimi i figurave të paprekshme. Me pak fjalë, tranzicioni shqiptar nuk ishte një kalim nga miti te kritika, por një riciklim i rregullt i miteve.

Në këtë klimë lulëzojnë mitet. Ato janë të rehatshme, të njohura dhe nuk kërkojnë verifikim; mjafton t’i përsërisësh. Sa më shumë përsëriten, aq më shumë duken si të vërteta. Faktet e reja nuk përdoren për të ndryshuar mendimin, por për t’u futur me zor në interpretimet e gatshme. Një lloj dembelizmi intelektual që qetëson ndërgjegjen dhe ushqen patriotizmin e pseudo-intelektualëve. Rezultati është i dukshëm: debati publik nuk kërkon të vërtetën, por mbrojtjen e mitit të radhës, qoftë ai i historisë, i heroit apo i politikës. Dhe kur një shoqëri mbron më shumë mitet sesa faktet, ajo rrezikon të jetojë në një realitet paralel: me opinione shumë të forta, por me mendim tepër të brishtë.

Në debatin publik shqiptar ekzistojnë disa mite historike dhe shoqërore që trajtohen pothuajse si dogma. Ato nuk diskutohen, nuk rishikohen dhe rrallëherë analizohen me qetësi kritike. Problemi nuk është se shoqëritë nuk kanë mite, çdo komb ka narrativat e veta themeluese, por se në rastin shqiptar ato shpesh funksionojnë si pengesë për vetëkritikën dhe, rrjedhimisht, për procesin e europianizimit. Në debatin publik shqiptar qarkullojnë disa mite të rehatshme që funksionojnë si një manual vetëkënaqësie kombëtare. Miti i parë: shqiptarët janë “europianë që në gjak”. Europa paraqitet si një tipar biologjik, jo si një kulturë institucionesh, ligjesh dhe rregullash. Kështu ne shpallim përkatësinë europiane me pasion, ndërsa standardet europiane i trajtojmë si detaje teknike.

Miti i dytë: viktima e përhershme historike. Në versionin tonë të historisë, fajtorët janë gjithmonë të tjerët: perandoritë, fqinjët, fuqitë e mëdha. Kur përgjegjësia është gjithmonë jashtë nesh, vetëkritika bëhet e panevojshme. Miti i tretë: heroi i pagabueshëm. Figurat historike shpesh trajtohen si ikona të shenjta, jo si personazhe historike. Kritika shihet si herezi, ndërsa analiza zëvendësohet nga adhurimi. Miti i katërt: uniteti i përjetshëm kombëtar. Retorika thotë se shqiptarët janë gjithmonë të bashkuar, realiteti politik tregon se ndarjet janë pothuajse një institucion më vete.

Miti i pestë: populli “i zgjuar që gjithmonë e gjen rrugën”. Në këtë filozofi popullore, improvizimi zëvendëson institucionet dhe zgjuarsia individuale shpallet më e rëndësishme se rregullat.

Problemi nuk është që këto mite ekzistojnë, por që ato përdoren si një mënyrë elegante për të shmangur mendimin kritik. Europianizimi nuk është slogan identitar, por është një proces i lodhshëm institucionesh, rregullash dhe përgjegjësish. Prandaj edhe figurat historike në Shqipëri shpesh trajtohen në dy ekstreme: ose si heronj të paprekshëm, ose si fajtorë absolutë. Ndërsa në shumicën e vendeve perëndimore, figurat historike analizohen ndryshe: si produkte të kohës së tyre, me merita reale dhe me kufizime po aq reale. Dhe pikërisht ky realizëm kritik është, në fund të fundit, një nga shenjat më të qarta të një kulture politike europiane.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu: strategu dhe miti

Ana pozitive është e qartë. Skënderbeu do të konsiderohej në historiografinë perëndimore si një strateg ushtarak i rëndësishëm i shekullit XV dhe si një figurë që organizoi një rezistencë të qëndrueshme kundër Perandorisë Osmane. Aftësia për të krijuar aleanca dhe për të mbajtur një koalicion të brishtë princash shqiptarë për dekada do të shihej si një sukses politik i rëndësishëm.

Por në Perëndim, ai do të analizohej edhe si një princ tipik i Mesjetës, i përfshirë në lojën e ndërlikuar të aleancave me Venedikun, Napolin apo Vatikanin. Studiuesit do të theksonin pragmatizmin e tij politik, interesat dinastike dhe faktin se luftërat e tij ishin pjesë e një konteksti më të gjerë mesjetar, jo thjesht një epikë kombëtare. Pra, figura e tij nuk do të zvogëlohej, por do të çmitizohej nga aureola e paprekshmërisë.

Ismail Qemali: arkitekti dhe realiteti i shtetit të brishtë

Në analizën perëndimore, Ismail Qemali do të konsiderohej si një diplomat dhe politikan i aftë që shfrytëzoi një moment historik të favorshëm për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912. Aftësia e tij për të naviguar mes interesave të Perandorisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha do të shihej si një akt i rëndësishëm politik. Por po aq qartë do të theksoheshin edhe kufijtë e projektit të tij. Shteti shqiptar që lindi nga kjo pavarësi ishte i dobët institucionalisht, i varur nga diplomacia ndërkombëtare dhe i përfshirë në rivalitete të forta të brendshme. Në historiografinë perëndimore, kjo nuk do të shihej si dështim personal i tij, por si dëshmi se shpesh themeluesit e shteteve janë më shumë simbolikë sesa arkitektë të plotë të institucioneve.

Ahmet Zogu: modernizuesi autoritar

Në një analizë perëndimore, figura e Ahmet Zogut do të shihej si ajo e një modernizuesi autoritar tipik të Evropës Juglindore në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore. Ai do të vlerësohej për stabilizimin e një shteti të brishtë, për krijimin e institucioneve të para moderne dhe për përpjekjet për centralizimin e pushtetit. Por në të njëjtën kohë do të kritikohej për autoritarizmin, për kultin personal të pushtetit dhe për varësinë e madhe ekonomike e politike nga Italia. Në shumë vende perëndimore ai do të krahasohej me figura të ngjashme të epokës, sundimtarë që modernizuan shtetin, por duke kufizuar demokracinë.

Fan Noli: ideali dhe kufiri i politikës

Në Perëndim, Fan Noli do të shihej si një intelektual i jashtëzakonshëm: një figurë poliedrike – peshkop, përkthyes, historian, politikan dhe reformator kulturor. Kontributi i tij në kulturën shqiptare do të konsiderohej i jashtëzakonshëm. Por një analizë kritike do të vinte në dukje edhe kufirin e tij si politikan praktik. Revolucioni i vitit 1924 dhe qeverisja e shkurtër do të interpretoheshin si një projekt idealist që nuk arriti të ndërtojë një bazë të qëndrueshme pushteti. Në historiografinë perëndimore kjo nuk do të ishte një dështim moral, por një shembull i tensionit klasik mes intelektualit vizionar dhe realitetit të politikës.

Ismail Kadare: shkrimtari mes letërsisë dhe sistemit

Në Perëndim, Ismail Kadare do të analizohej kryesisht si një shkrimtar i madh europian që përdori alegorinë dhe historinë për të krijuar një univers letrar unik. Romanet e tij do të vlerësoheshin për dimensionin estetik dhe për mënyrën se si trajtojnë pushtetin, frikën dhe absurditetin e historisë. Por njëkohësisht do të studiohej edhe marrëdhënia e tij me regjimin komunist, një temë që në Perëndim trajtohet shpesh për shkrimtarë që kanë jetuar në sisteme autoritare. Në këtë kuptim, Kadareja do të vendosej në të njëjtin debat që përfshin edhe shumë autorë të Europës Lindore: si të gjykohet një vepër e madhe që ka lindur brenda një sistemi represiv.

Një dallim kulturor

Në fund, dallimi kryesor nuk qëndron tek figurat, por tek mënyra se si shoqëritë i trajtojnë ato. Në kulturën perëndimore, figurat historike janë të mëdha pikërisht sepse diskutohen pa frikë. Kritika nuk i rrëzon ato; përkundrazi, i vendos në dimensionin e tyre real historik. Ndërsa në kulturën shqiptare shpesh ekziston frika se kritika e figurave historike mund të dobësojë identitetin kombëtar. Por ndoshta ndodh e kundërta: një histori që pranon kompleksitetin e saj është gjithmonë më e fortë se një histori e mbështetur vetëm mbi mite.

Në Shqipëri kemi përballuar përmbysje regjimesh, kemi ndërruar sisteme, kemi kaluar nga izolimi total në hapje të menjëhershme, nga bustet në sheshe te bustet në magazina. Kemi përjetuar tranzicione politike që kanë tronditur ekonominë, institucionet dhe jetët private. Por ka një tronditje që do të ishte më e thellë se çdo rotacion pushteti: pranimi i qetë i gabimit kolektiv.

Nëse një ditë shqiptari do të thoshte jo vetëm “mund të kem gabuar”, por edhe “ndoshta kemi gabuar si shoqëri”, “ndoshta kemi gabuar në histori”, “ndoshta fajin më të madh e kemi ne dhe kultura jonë”, kjo do të prekte jo thjesht politikën, por themelet psikologjike të identitetit tonë.

Transformimi i një shoqërie nis pikërisht kur ajo arrin ta shohë veten pa filtra glorifikues apo demonizues. Kur pranon se historia e saj është njerëzore, ajo fiton diçka thelbësore: aftësinë për të mësuar.

Një shoqëri që e sheh historinë vetëm si epope rrezikon të përsërisë gabimet, sepse nuk i njeh ato. Një shoqëri që e pranon kompleksitetin, ndërton institucione më të forta, debat më të pjekur dhe vetëdije më kritike. Pranimi se historia nuk është vetëm legjendë, por edhe gabim, nuk e zvogëlon kombin. Përkundrazi, e çliron nga nevoja për të qenë i pagabueshëm. Dhe pikërisht aty fillon moderniteti: kur identiteti nuk mbështetet mbi mitin e pastër, por mbi vetëdijen e sinqertë.

Filed Under: Ekonomi

Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

March 12, 2026 by s p

Besnik Fishta

Filatelia nuk është vetëm një hobi koleksionistësh, por edhe një formë komunikimi kulturor dhe historik. Përmes pullave postare, shtetet shpesh përcjellin mesazhe identitare, historike dhe sociale që lidhen me vlerat e tyre më përfaqësuese. Një shembull domethënës i këtij komunikimi simbolik është emisioni postar i Postës Shqiptare i datës 25 prill 2022, kushtuar bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Në këtë emision, i cili shoqërohet me zarfin e ditës së parë (First Day Cover – FDC), me pullën postare dhe vulën përkatëse, përmes gjuhës vizuale të filatelisë paraqitet një nga tiparet më të rëndësishme të identitetit shqiptar, harmonia ndërfetare.

Ky material filatelik përbën një objekt me kuptim të fortë simbolik dhe kulturor. Ai mund të interpretohet në disa plane: vizual, historik, kulturor, fetar dhe politik. Në të gjitha këto dimensione, mesazhi kryesor mbetet i njëjtë, qe bashkëjetesa paqësore e komuniteteve fetare është një vlerë e rrënjosur në historinë dhe kulturën shqiptare.

Në planin vizual, zarfi FDC paraqet një peizazh urban të stilizuar, ku dallohen qartë simbolet kryesore të besimeve fetare në Shqipëri. Në kompozim shfaqen katër ndërtesa kulti: kishat katolike dhe ajo ortodokse, si edhe një xhami dhe një teqe bektashiane, të vendosura në të njëjtën panoramë qyteti. Kjo vendosje në të njëjtin horizont urban nuk është rastësore. Ajo përbën një metaforë të qartë vizuale për bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në shoqërinë shqiptare. Në vend që të paraqiten të ndara apo në kontrast me njëra-tjetrën, këto objekte arkitekturore shfaqen si pjesë e një hapësire të përbashkët urbane, duke krijuar një imazh simbolik të një qyteti ku komunitetet fetare jetojnë në paqe dhe respekt të ndërsjellë.

Edhe përdorimi i ngjyrave në kompozim ka rëndësi simbolike. Sfondi kalon gradualisht nga vjollca në rozë, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe harmonike. Kjo paletë ngjyrash përcjell një ndjenjë paqeje dhe stabiliteti, ndërsa yjet e vegjël në qiell i japin imazhit një dimension më hyjnor, duke sugjeruar se bashkëjetesa fetare është një vlerë që i përket jo vetëm Shqipërisë, por gjithë njerëzimit.

Një rol të rëndësishëm në realizimin artistik të këtij emisioni postar ka edhe autori i tij. Krijues i këtij dizajni është artisti shqiptar Xhoan Guga, i cili në vitet e fundit është dalluar për kontributin e tij në projektimin e disa emisioneve postare të Postës Shqiptare me nivel të lartë artistik dhe konceptual. Punimet e tij karakterizohen nga një gjuhë grafike e pastër, simbolikë e qartë dhe aftësi për të përcjellë mesazhe kulturore që vërehen qartë edhe në këtë emision kushtuar harmonisë fetare.

Për të kuptuar plotësisht domethënien e këtij emisioni postar, është e rëndësishme të merret parasysh edhe konteksti historik dhe kulturor i Shqipërisë. Shoqëria shqiptare është karakterizuar për shekuj nga pluralizmi fetar. Në territorin shqiptar kanë bashkëjetuar komunitete të ndryshme fetare, si myslimanët (sunitë dhe bektashinj), katolikët dhe ortodoksët. Ky pluralizëm është formuar gjatë periudhave të ndryshme historike, duke përfshirë periudhën bizantine, sundimin osman dhe periudhën e shtetit shqiptar modern.

                                    Ndertesat e kultit ne qytetin Shkoder

Në shumë qytete shqiptare, si Shkodra, Tirana, Berati apo Elbasani, është e zakonshme që kisha dhe xhamia të ndodhen pranë njëra-tjetrës. Këto elemente arkitekturore janë bërë pjesë e identitetit urban dhe kulturor të vendit. Për këtë arsye, peizazhi i paraqitur në zarfin FDC nuk i referohet një qyteti të vetëm konkret, por përfaqëson një sintezë të hapësirës urbane shqiptare. Ai përmbledh në mënyrë simbolike realitetin e shumë qyteteve të vendit ku komunitetet fetare jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe dhe respekt reciprok.

Dimensioni politik dhe identitar i këtij emisioni postar është gjithashtu i rëndësishëm. Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990, Shqipëria përjetoi një proces të thellë transformimi shoqëror dhe kulturor. Gjatë periudhës komuniste, feja ishte ndaluar dhe institucionet fetare ishin mbyllur. Pas rikthimit të lirisë fetare, shoqëria shqiptare u përpoq të rindërtonte traditën e saj pluraliste dhe tolerante. Në këtë kontekst, promovimi i harmonisë ndërfetare u bë një element i rëndësishëm i identitetit kombëtar dhe i imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Emisione postare si ky shërbejnë jo vetëm si objekte filatelike, por edhe si mjete komunikimi diplomatik dhe kulturor. Përmes tyre, shteti shqiptar përcjell një mesazh pozitiv për vlerat e tolerancës dhe dialogut ndërfetar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një botë ku konfliktet me bazë fetare kanë qenë shpesh burim tensioni dhe përçarjeje.

Edhe në planin fetar, kompozimi i pullës dhe zarfit paraqet një ekuilibër simbolesh. Kryqi përfaqëson traditën e krishterimit në Shqipëri, si në variantin katolik ashtu edhe në atë ortodoks. Gjysmëhëna, nga ana tjetër, simbolizon traditën islame. Vendosja e këtyre simboleve në të njëjtën hapësirë grafike përcjell një mesazh të qartë, fe të ndryshme mund të bashkëjetojnë në të njëjtën shoqëri pa konflikt dhe në respekt të ndërsjellë.

Pulla postare e këtij emisioni paraqet të njëjtin motiv grafik si zarfi. Në të shfaqet emërtimi i shtetit emetues, Shqipëria, si dhe ilustrimi i bashkëjetesës fetare. Në filateli, pulla të tilla konsiderohen tematike universale, sepse lidhen me koncepte si paqja, toleranca dhe dialogu ndërkulturor. Për këtë arsye, ato tërheqin interes jo vetëm të koleksionistëve shqiptarë, por edhe të filatelistëve ndërkombëtarë që koleksionojnë tema si religjioni, paqja apo kultura e bashkëjetesës.

Një element tjetër i rëndësishëm i këtij emisioni është vula e ditës së parë të qarkullimit. Vula përmban tekstin “Posta Shqiptare – 25.04.2022 – Bashkëjetesa Fetare në Shqipëri”. Në qendër të saj paraqiten sërish elementet arkitekturore nepermjet ndertesave te kulteve. Kjo vulë ka një funksion të dyfishtë. Së pari, ajo konfirmon datën zyrtare të hyrjes në qarkullim të pullës. Së dyti, përforcon simbolikisht temën e harmonisë ndërfetare që përshkon gjithë emisionin postar.

Nga këndvështrimi filatelik, ky zarf FDC ka një vlerë të veçantë. Ai përfaqëson një emision tematik modern të Postës Shqiptare dhe trajton një nga temat më karakteristike të identitetit shqiptar. Përtej dimensionit filatelik, ky emision postar mbart edhe një mesazh të rëndësishëm etik dhe shoqëror. Ai thekson rëndësinë e respektit për tjetrin dhe të bashkëjetesës paqësore mes komuniteteve të ndryshme fetare. Në një kohë kur shumë shoqëri përballen me tensione dhe konflikte identitare, shembulli shqiptar i tolerancës ndërfetare paraqitet si një model pozitiv.

Përfundimisht, ky emision filatelik nuk është vetëm një produkt i koleksionueshëm, por një dokument kulturor që dëshmon për traditën shqiptare të respektit dhe bashkëjetesës. Ai e ngre pullën postare nga një objekt i vogël praktik në një simbol të madh akademikisht të vlefshëm për studimin e tolerancës, identitetit dhe kohezionit shoqëror. Duke e parë në këtë dritë, pulla postare bëhet një mjet i vogël, por me ndikim të madh, për të kuptuar dhe promovuar vlerat universale të paqes dhe harmonisë.

Filed Under: Kronike

Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953

March 12, 2026 by s p

Veprimtar, drejtues dhe organizator reformator i arsimit kombëtar. Lindi në fshatin Bekaj në Triesh të Malësisë së Madhe. Kreu gjimnazin e Pozharevacit (Serbi) dhe vazhdoi studimet për dhjetë vjet për letërsi-filozofi e për drejtësi në Universitetin Mbretëror të Romës. Fillimisht punoi në Shkodër si publicist e avokat, më pas si mësues e drejtor i Gjimnazit Shtetëror të Shkodrës, mësues në Gjimnazin e Tiranës dhe ministër i Arsimit (1933-1935). Në krye të Ministrisë së Arsimit inicio dhe drejtoi reformën arsimore të vitit 1933, me anën e të cilës i shtetëzoi, kombëtarizoi dhe laicizmi shkollat shqiptare; i plotësoi tekstet e përmirësoi programet mësimore; i riparoi lokalet shkollore e forcoi disiplinën në shkollë etj. Ishte anëtar i këshillit të Shtetit (1936-1939), por pas pushtimit fashist të Shqipërisë emigroi në Turqi. Pas çlirimit u kthye në atdhe, ku regjimi komunist e dënoi me 7 vjet burg. Vdiq pas gjashtë vjetësh në burg. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit” në vitin 2003.

Instituti “Lumo Skëndo”

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Toka shqiptare nuk është thjesht mall: midis investimit të huaj dhe mbrojtjes së sovranitetit kombëtar
  • Princi  i gojëtarisë dhe mbledhësi i thesareve të Malësisë…
  • 80 vite nga vrasja e profesor Ymer Berishës 1912-1946
  • Arti si një shije e fituar përtej kufijve të logjikës
  • Serbia, përgjegjëse për krimet dhe dhunën ndaj shqiptarëve 1877–1999: nga dëbimet e Sanxhakut të Nishit te krimet e luftës në Kosovë
  • Filatelia e Kosovës – konsistente në promovimin e ruajtjes biodiversitetit
  • Në shërbim të atdheut!
  • “Gruaja që endej hijeve”
  • “Të kesh” dhe “të jesh”, kjo është çështja në Shqipërinë e sotme…
  • Deklaratat e ministres serbe si qasje e Beogradit ndaj Kosovës
  • Ikja e heshtur e Shqipërisë, kur një komb humbet njerëzit që ndërtojnë të ardhmen
  • Kur Kosova përçahet, Serbia ëndërron rikthimin e së kaluarës
  • Republika e pesë yjeve
  • Shqipëria e Vogël në Bronx: Një Komunitet i formuar nga historia, vështirësia dhe shtëpia
  • TURPI I NJË DEKLARATE QË SFIDON TË VËRTETËN HISTORIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT