Libri”Banda Kombëtare ”VATRA” me autor Akademik Vasil S. Tole, arriti në bibliotekën e Vatrës.
Ka arritur në bibliotekën e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” libri ”Banda Kombëtare”VATRA:- një histori unike shqiptaro-amerikane” i akademikut Vasil S. Tole, kompozitor dhe etnomuzikolog, anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe zëvendëskryetar i saj. Libri është botuar në vitin 2020 me rastin e 100 vjetorit të arritjes së bandës së Vatrës në Shqipëri, të 100 vjetorit të Luftës së Vlorës,si dhe të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Libri i dërguar nga Akademia e Shkencave mbanë shënimin e autorit:
VATRËS sonë të dashur të Shqiptarisë, me mirënjohje dhe përulje!
Vasil S. Tole
Tiranë 15 Dhjetor 2020.
Me mirënjohje e falenderojmë akademikun dhe e përgëzojmë për punën e shkëlqyer profesionale e shkencore që ka bërë për të sjellë në kujtesë “bëmat” kombëtare të Bandës së Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”.
Libri mbanë titullin”Banda Kombëtare”VATRA:- një histori unike shqiptaro-amerikane”, e shoqëruar me CD.
Librin e bandës së vatrës, autori Vasil S. Tole, ia dedikon: Federatës “Vatra”, Bandës Kombëtare“Vatra”, Thoma Nasit(1892-1964) dhe familjes së Tij, patriotëve të çështjes kombëtare, misionarëve të forcimit të marrdhënieve shqiptaro-amerikane, pionierëve të artit muzikor në Shqipëri,përmbushësve të aksiomës”Me pushkë e penë për mëmëdhenë”, interpretuesve të parë të “Himnit Kombëtar” në ceremonitë zyrtare të shtetit shqiptar pas vitit 1920; dhe kujtimit të presidentit amerikan Woodrow Wilson(1856-1924).
Krahas falenderimi të gjithë atyre që e ndihmuan, autori e përcjell librin edhe me një parathënie, ku ndër të tjera shkruan: Ky nuk është një libër për muzikën, por është një libër që përmes muzikës, na fton të kuptojmë historinë e Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit XX. Si i tillë ai nuk është një tekst apokrif,përkundrazi. Përmes njohjes konkrete me rolin e bandës muzikore kombëtare shqiptaro-amerikane ”Vatra”, na jepet mundësia të kuptojmë dhe të eksplorojmë historinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, në vitet e Mbretërisë Shqiptare(1928-1939), gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të ardhur deri në krijimin e formacionit të orkestrës frymore kombëtare, emërin e së cilës sot mban Orkestra Frymore Kombëtare e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Autori me dashuri dhe përkushtim,me librin e tij çel disa dritare përmes të cilave duhet ta shohim bandën”Vatra”: si formacion muzikor, si shenjë e qartë atdhedashurie, si miqësi shqiptaro-amerikane apo dhe mekanizëm për të kuptuar vendin e muzikës në shoqërinë shqiptare.
Banda VATRA shkoi në Shqipëri kur Atdheu ksihte nevojë për të. Lufta e Vlorës në vitin 1920 ishte thirrja për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kundër pushtuesëve. Thënia e Nolit”Mbahu nëne, mo ski frikë, se ke djemtë në Amerikë”, gjeti konkretizimin e saj përmes akteve sublime të 120 vullnetarëve shqiptaro-amerikanë, të mbledhur dhe të përgatitur nga federate “VATRA”, SHBA dhe te veprimtaria mbarëshqiptare e bandës kombëtare”Vatra”në atdhe.
Autori arrinë në përfundimin se: falë Thoma Nasit dhe bandës”Vatra”, roli i muzikës në vitet 1920-1926 u ridimensionua në shoqërinë shqiptare. Kryeministrat e kohës dhe vetë Mbreti Zog u angazhuan drejtëpërsëdrejti për t’i dhënë shtetit shqiptar një dimension më kulturor, për ta vendosur kulturën dhe posaçërisht muzikën në themel të identitetit të saj….Fara e bandës”Vatra” dhe pjestarët e saj ishin kudo në Shqipëri, aty ku krijohej një formacion i ri muzikor, një botim ose një shkollë e re…
Për të sjellë atmosferën që krijoi banda muzikore”Vatra”në Shqipërinë e kohës, autori citon fjalët e profesorit Sederholm, pjestar i grupit të Lidhjes së Kombeve që monitoronte kufirin jugor të Shqipërisë në vitet 1920 se”…. një komb që arrinte të krijonte të tilla grupe si banda “Vatra” dhe të donte muzikën aq sa njerëzit e shprehnin këtë me vërshimin nëpër koncerte, natyrisht që e meritonte liriën e tij…”(citohet Thoma Nasi, sipas leksionit që ai mbajti v 1960 me studentët shqiptarë të Universitetit të Harvardit).
Për të ndjekur rruëgtimin e bandës së Vatrës, autori e ka ndërtuar librin me 11 kapituj.
Për më shumë na ndiqni në Gazetën Dielli në print, ndërkohë njoftojmë studuesit dhe të interesuarit se librin mund ta shfletojnë në bibliotekën e Vatrës.
Faleminderit akademik Vasil S. Tole(Dielli)