Nga Ramazan Çeka/
Simpozium historik kushtuar jetës dhe veprës së poetit tonë të shquar Gjergj Fishta “Nderi i Kombit”.
Shoqata “Nënë Tereza” me qendër në Namur të Belgjikës është një nga organizatat më aktive në zemër të Evropës, e cila me aktivitetet e saja ka dëshmuar frymën e saj të atdhetarisë dhe seriozitetin e punës në promovimin e vlerave kombëtare shqiptare para Evropës dhe mbarë botës.
Aktiviteti i radhës ishte pasditen e dt.1 Prill në një sallë komunitare të tejmbushur me pjesëmarrës organizimi i një siompoziumi historik “At Gjergj Fishta i Kombit dhe i Zotit”.
Me një kontribut të jashtëzakonshëm aktivitetesh në Belgjikë e më gjërë, Shoqata “Nënë Tezera” zë një vënd të rëndësishëm jo vetëm në komunitetin shqiptar të Belgjikës, por edhe në mardhëniet me institucionet belge, kryesisht ato të Namurit, me të cilat prej vitesh kanë krijuar një frymë bashkëpunimi, duke u bërë edhe urë lidhëse me institucionet homologe shqiptare e Kosovare.
Atë ditë që në Namur të Bëlgjikës po flitej shqip, mbi qiellin e Europës po fluturonte simboli i letërsisë dhe i kulturës shqiptare, At Gjergj Fishta, një ndër katër avionët e Flotës Ajrore Shqiptare ishte pagëzuar me emrin e këtij poeti të madh.
Kush ishin ato që organizonin këtë aktivitet kaq madhështor?
Adnan Rexhepi, President i Shoqatës “Nënë Tereza” në Namur dhe Arian Bajraktari, drejtor i Shkollës Shqipe “Faik Konica”, organizator i këtij aktiviteti.
Po kush ishin ato shqiptarë me zemër të madhe që kishin udhëtuar në hapsirat qiellore të ëndrrave të Fishtës për të ardhur në këtë takim kaq domethënës?
Ata ishin figura të shquara, përfaqësues të kulturës dhe religjioneve fetare si: Don Dr. Mikel Sopi, Famullitar në Ferizaj – Kosovë, Hoxhë Avni Dobra, studiuesi dhe hulumtuesi i Fishtës Frano Kulli dhe historiani Ndue Bacaj.
Aty shpalosen aftësitë e tyre, patosin kombëtar, artistët Mirush Kabashi “Nderi i Kmbit” dhe Anila Dervishi me vargjet epike të Fishtës, lahutarët rapsodë Pretash Nilaj “Mjeshtër i Madh” dhe Xhavit Balidemaj, si dhe harpistja Bujana Ameti, etnografia Rita Shkurtaj, Kryetare e Shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, me veshje të demostruara nga Deart Bajraktari, Anxhela Shkurtaj dhe Denajda Bajraktari, të cilët si një trupë profesioniste dhuruan emocione të jashtëzakonshme, duke elektrizuar një sallë të tejmbushur.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij simpoziumi e kthyen këtë takim historik në një festë të madhe, falë edhe moderatoreve Linda Kavaja dhe Saranda Rexhepi, të cilat vranësirën e qiellit belg e zbutën me rrezet e ngrohta që Fishta në udhëtimin e tij ajror përcillte nga Shqipëria.
Vogëlushët e Shkollës “Faik Konica” – Namur me mësuesit Muhamed Bekteshi, Annie Celami, Elsa Haskurti, Donalda Miftaraj Noka, e pasuruan këtë event me cicërimat e tyre.
Fjalën e rastit për hapjen e tij e mbajti z. Adnan Rexhepi me cilësinë e Presidentit të Shoqatës “Nënë Tereza”, organizatore e këtij aktiviteti.
Ishin çaste emocionuese ku në një vend mik u bashkuan tingujt e Himneve tona Kombëtare dhe të pranishmit me dorë në zemër u përulen para vogëlusheve të Shkollës Shqipe “Faik Konica” që interpretuan të veshur me uniformën kuq e zi.
Gjatë simpoziumit, morën pjesë dhe përshëndetën Kryetari i Bashkisë Namurit z. Maxime Prevot, si dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë z. Pjerin Ndreu.
Me shumë dashuri dhe krenari aktivitetin e përshëndetën edhe diplomatët Viola Kaloshi dhe Miftar Kryeziu.
“Ne jemi një vend i vogël, por me histori të madhe” u shpreh në ligjeratën e tij z. Adnan Bajraktari, Drejtori i Shkollës Shqipe “Faik Konica”, por në këtë aktivitet organizator dhe kordinator, i cili foli për rëndësinë e këtij simpoziumi, duke treguar se kudo që të jemi, kemi për detyrë të bëhemi propogandues, përçues, mbrojtës dhe trashëgues të vlerave tona kombëtare.
Diaspora me aktivitetin e saj, me shoqatat, me mediat, me aktivitetet kulturore, artistike, shkencore e sportive, është siç mund ta quajmë Ambasada e interesave tona kombëtare.
Ky aktivitet u ndoq me shumë interes nga mediat lokale belge dhe ato shqiptare. Nga Shqipëria bashkë me ne udhëtoi edhe gazetari i mirënjohur, malësori i “thekur” Tom Therçaj, përfaqësues i Radio Televizionit Shqiptar, i cili referatin e tij në këtë simpozium e solli përmes kameres së tij me një dokumentar brilant kushtuar figurës madhështore të letërsisë dhe historisë shqiptare At Gjergj Fishta.
Shkuam atje me aq dëshirë për të pasqyruar këtë aktivitet në mediat tona ku kontribuojmë, Linda Kavaja dhe Maison Kavaja në TV1 Channel – Shkodër dhe unë në median e shkruar, por edhe në Televizionin “Kultura Shqiptare” në SHBA.
Në fund organizatorët shpërndanë mirënjohje dhe çertifikata pjesëmarrje në emër të shoqatës “Nënë Tereza” në Namur të Belgjikës.
Mbresat tona janë të jashtëzakonshme, pasi udhëtuam drejt një vendi që Bota e njeh si “Benelux”, por luksin e vërtetë e gjetëm mes bashkëatdhetarëve tanë, të cilët kishin ulur nga qielli “Qiellorin” At Gjergj Fishta.
Prill 2023