• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR VIKTIMAT RRËFEJNË HISTORITË E TYRE, STRESOHEN SHKAKTARËT E KRIMEVE

May 9, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë/

“Kur viktimat rrëfejnë historitë e tyre, stresohen shkaktarët e krimeve”, ka thënë disa ditë më parë, Dr. Jörg Lüer drejtor i Komisionit Gjerman “Justitia et Pax” – “Drejtësi dhe Paqe”, si edhe zëvendës drejtor i Fondacionit gjerman “Maximilian Kolbe”, në një intervistë për radion gjermane “Deutsche Welle”. Dr. Lüer flet në intervistën e tij mbi mungesën e ndjekjeve penale për krimet e komunizmit në Shqipëri, ndërkohë që Shqipëria është përfshirë me një valë debatesh dhe një gjuhë denigruese mbi të shkuarën komuniste dhe me (mos)përballimin e shoqërisë shqiptare me atë të kaluar, 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar. “Duhet të kuptojmë”, është shprehur Dr. Jörg Lüer, “se ka viktima, ka fajtorë, kundrues, ka deformime të shumëllojta të personave e të personaliteteve për shkak të përvojës së dhunës. Shkaktarët përpiqen, si rregull nga ana politike në pozicion më të mirë, siç mund ta shohim shpesh, të hedhin pas historinë e të mos ballafaqohen me të. Viktimat, sigurisht janë të lidhura me këtë histori, ajo është një prerje jashtëzakonisht e thellë në jetën e tyre. E kur viktimat fillojnë të artikulojnë historinë që u ka ndodhur, e dimë se kjo u sjell stres autorëve të krimeve e familjeve të tyre”, ka thënë ai.

Shqipëria është plot e përplot me autorë krimesh të periudhës së komunizmit, disa, madje ende shërbejnë në detyra të larta shtetërore, përfshirë parlamentin. Shumë janë larguar nga vendi dhe ashtu të pa penduar vazhdojnë luftën ende kundër viktimave të tyre. Përveç gazetarëve dhe opinionistëve, në këtë debat dallohen edhe profesorë dhe historianë enveristë, madje edhe anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë – apologjetët e një regjimi kriminal – të cilët ende mbrojnë regjimin komunist. Nga pozitat e tyre gjithnjë të larta në shoqëri, me rroga nga taksapaguesit shqiptarë, përfshirë ish-të përndjekurit e regjimit komunist, arsyetojnë krimet e atij regjimi, nepërmjet shkrimeve dhe deklaratave të tyre publike. Kjo është e drejtë e tyre në një shoqëri demokratike që lejon ushtrimin e fjalës së lirë – ndryshe nga regjimi komunist që ata gjithnjë mbrojnë me çdo mjet në arsenalin e tyre të pa moralshëm.

Ajo që nuk i falet politikës dhe shoqërisë shqiptare – një vendi anëtar i NATO-s dhe që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është fakti se këta mbështetës të diktaturës komuniste, sot japin mësim nëpër universitete duke edukuar, ose më mirë të themi, duke helmuar brezin e ri post-komunist të shqiptarëve në këtë frymë dhe ideologji komuniste. Ndërkohë që apologjetët e komunizmit, njëherazi edhe anëtarë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, vazhdojnë edhe në “demokraci”, të bëjnë ende ligjet e vendit.

Ndërkohë që në Shqipëri zhvillohet ky debat i pabesueshëm dhe i pakuptueshëm në çerekun e parë të shekullit 21 – në të vërtetë është më shumë një kacafytje – në një vend që aspiron antarësimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që autorët e krimeve të komunizmit ose mbështetsit e tyre, u vërsulen sot viktimave të tyre të pafajshme, 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar. Është kjo një dukuri e paparë në ndonjë vend tjetër ish-komunist të Evropës. Kjo ndodhë vetëm në botën shqiptare!

Në të vërtetë, në Evropën normale post-komuniste, anëtare të Bashkimit Evropian – ndryshe nga Shqipëria anormale që nuk kujton zyrtarisht data të tilla as krimet e komunizmit – organet dhe entet zyrtare dhe jo zyrtare evropiane -– shënuan, javën e kaluar, 10-vjetorin e miratimit nga ana e Parlamentit Evropian, të rezolutës së miratuar (më 2 prill 2009) mbi, “Ndërgjegjen Evropiane dhe Totalitarizmin” (The anniversary of the European Parliament resolution on “European Conscience and Totalitarianism”).

Në njoftimin për media me rastin e 10-vjetorit të rezolutës mbi “Ndërgjegjen Evropiane dhe Totalitarizmin”, botuar më 2 Prill, 2019, në portalin më sipër, thuhet se në atë rezolutë bëhet thirrje për themelimin e një Platforme të Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane, në mbështetje të lidhjeve dhe bashkëpunimit midis institucioneve të ndryshme kombëtare, të specializuara në historinë e totalitarizmit, si dhe për krijimin e një qendre pan-evropiane dokumentacioni për viktimat e të gjitha regjimeve totalitare.

“Detyra jonë ndaj viktimave është që të vazhdojmë punën për të kujtuar e dokumentuar krimet e të gjitha regjimeve totalitare dhe të nderojmë të gjithë ata që i kanë kundërshtuar ato regjime. Këto përpjekje janë të përqendruara në të kaluarën, por janë jetike, si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen. Në qoftë se dështojmë të ruajmë dhe të kujtojmë këtë trashëgimi të dhimbshme evropiane, atëherë ne rrezikojmë që të përballemi përsëri me barbarizma të tilla”, është shprehur Dr. Lukasz Kaminski, Presidenti i Platformës së Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane, në njoftimin për media, botuar javën që kaloi.

Sa për dijeni, të atyre që mendojnë se në emër të tyre personal ose të partisë që ata përfaqësojnë duan të na paraqesin si “zyrtar” versionin e tyre të historisë së komunizmit, si të vetmen të vërtetë historike të regjimit komunist të Enver Hoxhës, sikur ata kanë monopolin mbi të vërtetën e kësaj historie, Evropa thotë se askush nuk ka monopol mbi të vërtetat historike të asaj periudhe tragjike për Evropën. Ndërsa apologjetët shqiptarë të regjimit enverist, vazhdojnë të mbrojnë tezat e tyre: O me ne ose kundër nesh!

Ndoshta ia vlen, që në këtë 10-vjetor të kësaj rezolute evropiane të kujtojmë disa nga pikat kryesore, për të cilat janë angazhuar vendet që kanë nënshkruar këtë rezolutë. Platforma e Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane, thotë se, “Asnjë ent ose parti politike nuk ka monopol mbi interpretimin e historisë, sepse ente ose parti të tilla nuk mund të pretendojnë të jenë objektive”. Për më tepër, vazhdon rezoluta, “Interpretimet zyrtare politike të fakteve historike nuk mund të imponohen nga vendimet e një shumice në parlament”. Sipas rezolutës, “Objektivi themelor i procesit të integrimit evropian është për të siguruar respektin për të drejtat bazë të njeriut dhe për rendin ligjor në të ardhmen”, anë e mbanë kontinentit evropian, ndërsa i konsideron, “Keq-interpretimet e historisë janë shkaktare të politikave përçarëse, të cilat, si rrjedhim nxitin urrejtje dhe racizëm”, thuhet në rezolutën evropiane të vitit 2009.

Rezoluta e Platformës së Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane bën thirrje, “Për të kujtuar të shkuarën tragjike evropiane, me qëllim që të nderohen viktimat, të dënohen autorët e krimeve, të bëhen përgatitjet e nevojshme për një pajtim, bazuar në të vërtetën dhe në kujtesën.” Rezoluta thekson gjithashtu se, “Është e rëndësishme që të kujtojmë të gjithë ata që aktivisht kundërshtuan regjimet totalitare, e që duhet të zënë vendin e tyre në kujtesën dhe ndërgjegjen evropiane, si heronj të periudhës totalitare, për dedikimin, besimin, nderin, guximin dhe idealet e tyre”. Në rezolutë shprehet bindja se, “Objektivi përfundimtar i hapjes së dosjeve dhe i pranimit të krimeve të kryera nga regjimet totalitare komuniste është pajtimi, i cili mund të arrihet duke pranuar përgjegjësinë, duke kërkuar falje (nga shkaktarët e krimeve) dhe duke rivendosur një rend të ri moral”, thekson ndër të tjera, rezoluta e Platformës së Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane.

Unë kam shprehur vazhdimisht mendimin tim se nuk do të ketë integrim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në qoftë se shqiptarët nuk ndajnë të njëjtat vlera të historisë së vet me evropianët, pikërisht siç është vlerësimi i paanshëm dhe objektiv i krimeve të komunizmit dhe përballimi me të shkuarën komuniste, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore. Siç ka thënë edhe poetja e njohur amerikane, Maja Angjellu: “Historia, pavarësisht plagëve të dhimbshme, nuk mund të zhbëhet. Por, nëse përballet me guxim, nuk ka nevojë të përsëritet më”.

Për më tepër, ashtu siç jam shprehur shpeshherë më përpara, sidomos duke marrë parasysh debatet e fundit në Shqipëri mbi këtë çështje – fatkeqësisht sot jam më i bindur se kurrë, se nuk do të ketë as paqe dhe as bashkim midis shqiptarëve, në qoftë se në radhët e tyre nuk ka një përballim të sinqertë me të shkuarën komuniste. Sidomos – për derisa midis tyre nuk ekziston një pikëpamje e përbashkët, ose të pakën, një përafrim pikëpamjesh rreth të shkuarës komuniste si një trashëgimi e të gjithëve, gjë që nevojit dhe meriton, jo kacafytje, por një debat të hapur, jo nga ideologë të partisë, por nga njerëz kompetentë dhe objektiv e të paanshëm – midis shqiptarëve nuk do të ketë as pajtim kombëtar. Por, “Para pajtimit duhet të flitet më parë për mospajtimin dhe lëndimet”, ka thënë para disa ditësh në intervistën me “Deutsche Welle”, Dr. Jörg Lüer, drejtor i Komisionit Gjerman “Justitia et Pax” – “Drejtësi dhe Paqe”, si edhe zëvendësdrejtor i Fondacionit gjerman “Maximilian Kolbe”.

Kjo, fatkeqësisht, nuk ka ndodhur ende në Shqipëri. Nga ky këndvështrim, Shqipëria është shumë larg Evropës dhe në nuk përfill rezolutat evropiane në kujtim të viktimave të komunizmit dhe totalitarizmit në përgjithësi. E megjithatë, të gjithëve, Gëzuar 9 Maji, Dita e Evropës!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli- Viktimat-Rrefejne Historine

Tek ripagëzohej kryeqyteti dhe Teatri i tij Kombëtar…

May 9, 2019 by dgreca

Nga Lindita KOMANI/

Një revolucion i vogël shqiptar ndodhi dje. Mbase kjo është e pashpjegueshmja brenda emocionit që lindi duke u bërë pjesë e tij, një emocion i panjohur që dukej sikur vinte nga një botë tjetër. Nga bota ku qytetari e kryen të plotë aktin qytetar, pa u tutur, i vetëdijshëm se po qytetarizon ekzistencën e vet me një standard që ia kishin mohuar por të cilin në thellësi është i bindur që e meriton, si të drejtë qytetare. 

Sa shumë shtresa kalbësirë është dashur që të zhbëhen që të mbërrinim këtu, në revolucionin e vërtetë të parë të paimportuar nga jashtë, revolucionin prodhim kryeqytetas me një shumësi dialektesh që perceptoheshin me zërat që shprehnin adhurimin për aktin e artistit e shkrimtarit Erebara aty lart mbi vinç! Me radhë shkronjat zbritën 

T
E
A
T
R
I 

K
O
M
B
E
T
A
R ishte vendosur pak më herët si akti i parë i shpëtimit të trashëgimisë nga shteti keqbërës. Një R krenare, R-ja kryeqytetare që si askund tjetër në botë mbron shtetin nga shteti. Shteti sulmoi e i vodhi kryeqytetit, shtetit e qytetarëve shkronjat e Teatrit Kombëtar, qytetarët si burimi i ekzistencës së qytetit e shtetit rezistuan dhe e ripagëzuan atë ditën.

Shkronjat u prodhuan edhe më të bukura se ishin. Nga kudo buroi dëshira për t’u bërë pjesë e rezistencës ndaj aktit madhor të dhunës shtetërore mbi kryeqytetin. Kontributet u caktuan të ishin të barabarta, askush të mos kishte të drejtë të tregohej më bujar se tjetri. Të gjithë mund të ishin vetëm qytetarë të barabartë në të drejtë e përgjegjshmëri.

Në letra Tirana është kryeqytet prej vitit 1920. Me vepra, për mua Tirana prej dje 7 maj 2019 është realisht kryeqyteti shqiptar.

8 maj 2019

Filed Under: Politike Tagged With: Linda Komani-Teatri Kombetar

NË KËRKIM TË FJALËS SË URTË

May 9, 2019 by dgreca

ANTON ÇEFA NË SOFRËN POETIKE TË DIELLIT/

NË KËRKIM TË FJALËS SË URTË/

Me nji shkallë që m’çon jashtë kohe

Ngjitem shtat fill mbi qiell

Në kërkim të Fjalës së Urtë,

U ngjall apo s’u ngjall

U mbrue apo s’u mbrue ai brumë i urtë i fjalës

E zbres shtat pash nën dhe, e zbres e ngjitem

Në kërkim të fjalës së urtë

E zbres e ngjitem në nji shkallë qi m’çon jashtë kohe,

Po fjalën e urtë nuk e shqipton askush,

Fjalën e urtë që dhemb në gjoks

E therë mendimin, atë ma të fismin

E therë mendimin e plagës që lëngon mu n’zemër të tokës sonë.

A thue nga alkimi e kohës së pakohë,

E asaj kohe të çmendun

I ka humbë pesha urtisë së gurtë të fjalës,

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit ?

                             *

Ju orkauj qi më rrini

Te kambët e kohës sonë të çoroditun

E më flisni me za Kasandre pa pushim

E shpallni me zhurmë e bujë

Se fruti i urtë i fjalës ka ra

Siç bie nji frut i kalbun nga degë e pemës

Se guri nuk qenka ma i randë n’ vend të vet

E ai nuk qenka i randë as në dhe të huej.

Shporrnju u tham, si Edgard Poe dikur korbit të zi

Mbi bustin borë të bardhë të Palladë Atenës,

Shporrnju nga busti i bardhë i  fjalës e i kohës.

Po rishtas zani i tyne, ai za Kasandre

Gjimon kërcnues e ndjell kumbonët e vdekjes

E kumbonët bien në nji anë përzishëm

Përzishëm bien për vdekje të fjalës së urtë

Që ra e bie nga pema si frut i kalbun.

Kur unë në zgrip të fjalës sime, mu në zgrip

Pres se po bie nga pema frut i pjekun

I fjalës së urtë, i fjalës së ringjalljes

Për ty, o toka ime e djegun.

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit të urtisë së fjalës

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit?

                                      *

Ju orakuj qi shpallni me zhurmë e bujë

Se s’ka ma peshë urtia e gurtë e fjalës,

Nuk mbin ma bar mendimi t’pjekun

E thahet bima e fisme e fjalës

E urta bimë e fjalës.

Shporrnju prej vargut tim, shporrnju që  këtej

 E qafën thefshi në kapërcyell të shtegut të lig të kohës,

Se mue urtinë e fjalës ma mësoi nji plak i bardhë

Me dy kokrra gruni në çdo qelizë të fjalës.

“Ç’do komb, – tha  ai, – shkon udhës së kalvarit

E zbret e ngjitet prap, Sizif mundimesh të pathana,

çohet e rrxohet golgotave të kohëve

E atje pret kryqzimin e mbas çdo kryqzimi

Vjen fjala e urtë e ngjalljes, bekimi urtë  i saj.

Kështu edhe për ty, o Toka ime e djegun,

O toka ime e idhtë, o toka ime e ambel,

Do të rritet nji ditë bima e urtë e ngjalljes,

Bima e urtë e jetës.

II

Si Sizifi, deri në zgrip të fjalës shkoj

Me torbën randue me ranën e mendimeve

Me torbën e randë sa guri i Sizifit

Që nji lugat i zi e trazon papra.

Deri në zgrip të fjalës shkoj e me Sizifin

Kaptoj errësinat e këtejme e të përtejme,

E prap më rrokulliset torba mu në maje

Të kodrës së errtë të heshtjes.

Torba me litanitë e mëdha që jeh u bajnë

Kumonëve që bien perzishem.

Ka vdekë filani e fisteku.

Thue se ata nuk qenë të vdekun

Mbi rrasë e nen rrasë, mbi gur e nen gur

Mbi dhe e nen dhe të kohës së pakohë.

A thue guri e humb peshën e fjala e urtë kuptimin,

A thue humbet fjala e urtë e farës

Që hodha dikur në zagna fletësh ?

Të gjithë e dinë se guri i randë peshon n’vend t’vet,

Por ne e morem peshë, e hodhem tutje tej

E rrokullisem rrëmoreve të mergimit,

rrëgallave, humnerave të udhëve të pafund.

Në zgrip të fjalës e të heshtjes bana udhë e udhë,

Në zgrip të udhës eca, mu në zgrip

Si ban nji fjalë e urtë, nji fjalë e thënë

Për zgripet e kohëve të pakohë,

Kohëve të stihisë që hangrën nandë djelm e nandë nuse

E që banë kërdinë e zezë, kërdinë e kuqe

E luftë e murtajë, e zjarr e rrenim,

Stihi e zezë që i hangri nanës nandë djemt

Në atë kohë të pakohë, mësyshje e mendimit të çmendur,

Në atë kohë të pakohë kur Kostantini harroi besë e fe

E nuk i hypi revan kalit të besës

E Duruntinës s’i binte ndër mend per vallet.

Në atë kohë fjalën nën gur e lashë,

E gur mbi gur, e gur nën gur

I vuna porta territ e zezonës,

Zezonës së zezë, zezonës së kuqe.

Po atë fjalë të bardhë në gropën e errtë

Ku e pata lanë dikur, e gjeta të urtën,

e gur nën gur e gur mbi gur

ku e pata lanë dikur, e gjeta, të urtën.

E vazhdimisht zbres e ngjitem, ngjitem e zbres

Në nji shkallë që m’çon jashtë kohe,

E shkoj deri te sofra e Zotave që Homeri shtroi n’Iliadë

E ata gërvallen në bankete

E qiell e dhe e shkundin me kangë e britma,

Gajasen së qeshuni e shajnë e grinden

E venën e çojnë me katrova dashtnije e urrejtje,

E nuk pyesin fare per kercnimet e Zeusit

Dhe fjalën e urtë nuk e thotë askush.

As Zeusi në qiell, as Posejdoni në det

E as Hadi, i plotfuqishmi i zi i territ

Fjalën e urtë që dhemb në gjoks

E ther mendimin, atë ma fisnikun,

Mendimin e shtegut të lirë, që i prinë fjalës së urtë

Askush se thotë.

.

Dhe unë ngjitem e zbres, e zbres e ngjitem

Në shkallën që më çon jashtë kohe

E zbres e ngjitem, e ngjitem e zbres në kerkim të fjalës së urtë.

Ç’të shoh!Fjalën e urtë kryqzue me gozhda e gjak

Mbi kryq të kohës së pakohë.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa-Ne Kerkim-Te fjales se Urte

Mbi mendësinë

May 8, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Nuk ka gjë më sunduese sesa mendësia, ajo nuk shkëputet, por, e mbyll njeriun e rënduar të kërruset në bunker a në një botë të kufizuar.
Edhe Shqipëria vazhdon të vuajë nga plagët e brendshme. Sepse plagët mbulohen. Të gjithë mendojnë se nuk ka shërim më të mirë për një grindje familjare a kombëtare, sesa ardhja papritur e një ngacmimi nga fqinji; kur të afërmit i hanë kokën njëri-tjetrit, një gur i hedhur nga kopshti i fqinjit, krijon një plage të vetme të re, që bëhet gjoja shkaku i shërimit.
Duket sikur popullsia jeton e vepron me mendjen e kohës së shkuar, kur kishte marë natyrën e misrit; për sa kohë që një popull mund të korrej dhe bluhej brenda një vitit, gjithnjë kishte një furnizim të bollshëm për shpatën e diktaturës për vazhduar të korrte koka të tjera në vitin pasues.
Nëse Partia i kishte mposhtur të gjithë armiqtë e popullit, përse i dërgonte njerëzit në zbore e të rinjtë ushtarë?Nëse sukseset ekonomike ishin të jashzakonshëm, pse 2/3 e popullsisë ushqehej me misër? E vërteta është se fitore të tilla ishin të turpshme – ndërkohë që shtypja dhe izolimi i vendit nga bota, ishin të vetmet gjëra reale. Kjo mendësi duhet ndryshuar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Mendesia

KRYETARI I VATRËS DHE EDITORI I DIELLIT U TAKUAN NË MANHATTAN ME DR. VILI MINAROLLI

May 8, 2019 by dgreca

SHKRIMTARI VILI MINAROLLI DHUROI 8 LIBRA TË SHKRUARA PREJ TIJ PËR BIBLIOTEKËN E VATRËS/

Dr. Vili Minarolli është një figurë e njohur e politikës, diplomacisë, por edhe e publicistikës dhe letërsisë shqipe. Edhe pse ai zyrtarisht është tërhequr nga politika, herë pas here, shfaqet me prononcime publike, kryesisht në faqen e tij në rrjetet sociale dhe analizon apo jep këshilla për politikën, siç ka qenë rasti  i mesazhit publik me të pakënaqurit e Partisë Demokratike ose Letra publike drejtuar së bijës së Azem Hajdarit etj.

      Dr. Minarolli e kalon jetën mes Tiranës dhe Otavës në Kanada, ku ka marrë edhe shtetësinë kanadeze. Sot, e Mërkurë 8 Maj 2019, ai ishte për vizitë turistike në Nju Jork, në kryeqendrën e  biznesit botëror, në Manhattan dhe në pamundësi për të ardhur në VATËR, për shkak të kohës së kufizuar, ai u takua në Manhattan me Kryetarin e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, z. Dritan Mishto, dhe Kreredaktorin e Diellit, Dalip Greca. Ishte një takim i ngrohtë miqësh për një kafe të mëngjesit.

         Kryetari i Vatrës e informoi z. Minarolli për veprimtaritë dhe qëndrimet e Vatrës, ndërkohë që editori i përcolli detaje nga veprimtaritë e Vatrës të organizuara për 110 vjetorin e Gazetës DIELLI. U shkëmbyen mendime për situatën në Shqipëri dhe krizën politike që ka mbërthyer vendin si dhe për rolin e diasporës në zhvillimet e vendit të lindjes.

    Dr. Minarolli ka qenë dhe mbetet një figurë me kontribute cilësore në politikën dhe Diplomacinë shqiptare, por edhe në publicistikë me analiza e opinione, ndërsa pas dorëheqjes nga funksionet që mbante në politikë e diplomaci, i është kthyer pasionit të vjetër të Letërsisë. Ai i ka dhënë lexuesit shqiptar romane, që pasqyrojnë jetën e shqiptarëve jo vetëm në rreth 3 dekadat e  tanzicionit, por më gjërë.

        Shkrimtari Minarolli dhuroi për bibliotekën e VATRËS romanet e  tij: “APOKALIPS” botuar nga Shtëpia botuse”Dituria”, “KONTRABANDISTI”-2016; “NË KAFENENË E BENIT NË SHESHIN OMONIA”-2016; “FYTYRA DHE MASKA”-2016; “TRAFIKANTI” -2016, “NDODHI NGA XHUNGLA”-2017, “JETA E DYFISHTË E NJË AGJENTI”-2019, si dhe librin”NGJARJE QË NUK HARROHEN-BISEDË ME VETVETEN”-2017, me përkushtimin:”Prindërve të mi, të cilët vuajtën fizikisht dhe shpirtërisht gjatë regjimit të egër e antinjerëzor komunist në Shqipëri.

Të gjitha librat mbajnë dedikimin për bibliotekën e Federatës VATRA prej autorit Vili Minarolli.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Vili Minarolli-Kryetari Dritan Mishto-Editori Dalip Greca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1022
  • 1023
  • 1024
  • 1025
  • 1026
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT