• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pejë-Te Shtatorja dhe Kulla e atdhetarit Haxhi Zeka

January 23, 2019 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj bëri homazhe te Shtatorja dhe Kulla e atdhetarit Haxhi Zeka: Kontributi i Lidhjes së Pejës, e njohur edhe si Besëlidhja e Pejës, sepse njëri dokument është vetë besa e dhënë mes prijësve shqiptarë, të të gjitha trojeve, na mban edhe neve sot dhe falë asaj lidhje, falë angazhimit të atëhershëm mund të themi se e kemi Pejën sot, e kemi Kosovën/1 a ramushPEJË, 23 Janar 2019-Gazeta DIELLI/Per me shume foto shih ne facebook dielli vatra/

“Kontributi i Lidhjes së Pejës, e njohur edhe si Besëlidhja e Pejës, sepse njëri dokument është vetë besa e dhënë mes prijësve shqiptarë, të të gjitha trojeve, na mban edhe neve sot dhe falë asaj lidhje, falë angazhimit të atëhershëm mund të themi se e kemi Pejën sot, e kemi Kosovën”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, pas homazheve te Shtatorja dhe Kulla e atdhetarit Haxhi Zeka, me rastin e shënimit të 120 vjetorit të Lidhjes së Pejës.

Kryeministri Haradinaj tha se sot janë dy data, fillimi i punimeve të Kuvendit të Lidhjes së Pejës, që ka zgjatur deri më 28 janar dhe ka nxjerrë në atë kohë dy dokumente të rëndësishme, me të cilat është definuar e drejta e shqiptarëve.

“Lidhja e Pejës, të cilës i ka prirë Zekë Byberi, i njohur si Haxhi Zekë Byberi, edhe pse nuk ka arritur ta kryej misionin e vet, ka dërguar një porosi të shqiptarët, për të drejtën e shqiptarëve në atë kohë. E drejta jonë në atë kohë ka qenë e rrezikuar nga fqinjët, por kontributi i Lidhjes së Pejës, e njohur edhe si Besëlidhja e Pejës, sepse njëri dokument është vetë besa e dhënë mes prijësve shqiptarë, të të gjitha trojeve, jo vetëm të vilajetit të Kosovës, na mban edhe neve sot dhe falë asaj lidhje, falë angazhimit të atëhershëm mund të themi se e kemi Pejën sot, e kemi Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, tha se në të njëjtën kohë, është përvjetori i vrasjes së heroit, atdhetarit shqiptar Isa Boletini dhe në nderim të këtyre figurave janë bërë homazhe, duke dërguar porosinë se jemi në tokën tonë, nuk i kemi askujt borxh dhe nuk do të lejojmë më tutje të vazhdojnë projektet e të tjerëve që të merret prej nesh, prej shqiptarëve, prej tokës tonë, prej të drejtës tonë.

”Ne jemi të respektuar si popull, dimë t’i respektojmë ata që jetojnë me ne, dimë t’i respektojmë fqinjët, jemi mik për mikun, dimë ta respektojmë edhe armikun, por kanë ndryshuar kohërat, shqiptarët nuk japin më”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, tha se këtë vit do të fillohet me autostradën më të madhe në Kosovë, atë Pejë-Prizren, dhe se Dukagjini nuk ka qenë kurrë më i përkrahur sesa tash me projektet nacionale./b.j/

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kulla e Haxhi Zekes, Shtatorja

Rruga e nisur nga Isa Boletini nuk ka mbaruar ende

January 23, 2019 by dgreca

Mitrovicë- Kryeparlamentari Veseli: Rruga e nisur nga Isa Boletini nuk ka mbaruar ende/

1 Isa Veseli-Akademi Përkujtimore në 103 vjetorin e heroit kombëtar, krah i Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë/

1 a shtatorja Isa-Presidenti Thaçi: Amaneti i Isa Boletinit na obligon edhe sot/

1 Une jam isa

– Kryeministri Haradinaj: Isa Boletini e identifikoi veten me fatin e atdheut/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/Per me Hume foto shihni ne Facebook(Dielli vatra)

MITROVICË, 23 Janar 2019/ Rruga e nisur nga Isa Boletini nuk ka mbaruar ende, tha sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në Mitrovicë, në Akademinë Përkujtimore me rastin e 103 vjetorit të rënies së heroit kombëtar.

“Ka kaluar më shumë se një shekull nga rënia e Isa Boletinit, por koha dhe vitet nuk kanë arritur ta zbehin kujtimin e tij, as peshën historike të veprimtarisë së tij, as porosinë e një jete të kaluar në luftë për liri kombëtare”, u shpreh ai në qytetin më të madh verior të Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli tha se sa herë vjen janari kujtohen rëniet dhe vdekjet e njerëzve të mëdhenj të kombit tonë: Skënderbeut e Ismail Qemalit, por edhe luftëtarët e vonshëm të lëvizjes sonë kombëtare, që ranë po në janar: Vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.“Sot jemi bërë bashkë për të kujtuar e nderuar një personalitet të madh të Kosovës, i cili po ashtu ra në janar, heroin e Mitrovicës, heroin e Kosovës, heroin e gjithë kombit shqiptar, Isa Boletinin. Sot porosia jetësore e Isa Boletinit na flet qartë dhe drejtë, më shumë se kurrë: nuk ka jetë të mirë për individin, pavarësisht gjendjes së kombit. Ne mund të jemi mirë, veç kur kombi dhe shteti i kanë punët mirë. Kjo është dashuria e vërtetë për atdheun”, theksoi Veseli.Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se gjenerata e tanishme ka për mision që Kosova përgjithmonë të jetë e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, anëtare në familjen e shteteve sovrane, në OKB, NATO dhe BE.“Ne si gjeneratë e dimë se nga kemi ardhur, çfarë trashëgojmë dhe ku duam në shkojmë. Ne i dimë detyrat me të cilat na ka ngarkuar historia dhe nuk e kemi ndërmend, për asnjë moment, të heqim dorë prej tyre. Dhe nuk ka vend ma adekuat se sa Mitrovica për ta dhënë këtë zotim. Nuk ka, sepse Mitrovica është qyteti emblemë i kombit. Mitrovica është testamenti i Isa Boletinit. Sot dhe përgjithmonë, andej dhe këndej Ibrit do të jetë një Mitrovicë dhe një Kosovë”, tha Veseli.Ai shtoi se Kosovën nuk e frikësojnë sfidat që i dalin përpara dhe as dialogu e ballafaqimi me Serbinë.“Ne hyjmë në dialog për ta fuqizuar Kosovën, shtetin dhe kombin tonë. Bashkë me partnerët dhe aleatët tanë të mëdhenj në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe të jeni të sigurtë se kemi me ia dalë. Do të fitojmë”, theksoi kryeparlamentari kosovar Veseli.

Akademia u mbajt në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës, në vitin 1864. U vra bashkë me shtatë nga njerëzit e tij në Mal të Zi, Podgoricë, mbi Urën e Moraçës, në 23 janar 1916.

Në vitin 1998, institucionet e Kosovës të lëvizjes për liri e pavarësi, të informuara se në vendin e varrezave në Podgoricës do të ngriheshin ndërtesa banimi, vendosën për një organzim që fshehurazi të sjellin në Mitrovicë eshtrat e Isa Boletinit dhe bashkëluftetarëve të tij për t’i ruajtur në fshehtësi, në rrethanat e rënda të okupimit e të luftës. Mëse 17 vite eshtrat qëndruan në thasë për shkakun e vetëm se familjarët e Isës donin që rivarrimi të bëhej me ceremoni ushtarake dhe u bë me manifestimet me moton “Prapë, na erdhi Baca Isë”, pjesë e të cilave ishte Garda Kombëtare Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në 10 Qershor 2005 në ditën e 137 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u kthye përgjithmonë të prehet në Boletin, vendin e lindjes në rajonin e Mitrovicës në Kosovë, prej nga para më shumë se 100 viteve me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në Vlorë, bashkëluftëtarët e Isa Boletinit përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, firmëtari i parë të Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.

PRESIDENTI THAÇI: AMANETI I ISA BOLETINIT NA OBLIGON EDHE SOT

Amaneti i Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë, që dhanë jetën për bashkimin e shqiptarëve, na obligon edhe sot, deklaroi Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.“U bënë 103 vjet nga vrasja e Isa Boletinit, njërit prej udhëheqësve kryesorë të kryengritjeve shqiptare. Bashkimi kombëtar dhe fuqizimi i kombit tonë ishte porosia që na e la Isa Boletini. Përpjekjet e tij një shekull më parë për çlirimin e trojeve etnike përbëjnë ende frymëzim për shumë breza të rinj dhe amaneti i Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë, që dhanë jetën për bashkimin e shqiptarëve, na obligon edhe sot që të punojmë pareshtur për përmbushjen e aspiratave tona”, ka shkruar Presidenti Thaçi.

KRYEMINISTRI HARADINAJ: ISA BOLETINI E IDENTIFIKOI VETEN ME FATIN E ATDHEUT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj shkruan sot: Isa Boletini e identifikoi veten me fatin e atdheut. “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria” edhe sot duhet të na udhëheqë në kërkimin për të drejtën tonë. Nëse në historinë tonë kombëtare kërkojmë vlerat më të larta atdhetare, ato i gjejmë në figurën e Isa Boletinit. Me vet veprimtarinë e tij jetësore na la një porosi, se atdheu nuk tjetërsohet dhe nuk vihet në pazar. Roje dhe dëshmi është vet prehja e tij në Boletin. Figura e Isës edhe tani le të jetë shembull për të gjithë se interesi kombëtar e shtetëror vendoset para çdo interesi tjetër. Lavdi e përjetshme!

Filed Under: Featured Tagged With: Bell Jashari, Isa Boletini, Kryeparlamentari Veseli

NJE LETER NGA KROACIA PER 110 VJETORIN E DIELLIT DHE APELI I EDITORIT

January 22, 2019 by dgreca

1 Aqif Permeti, darke ne hotel George Washington

NJE LETER NGA KROACIA PER 110 VJETORIN E DIELLIT DHE APELI I EDITORIT/

Ashtu sic kemi njoftuar që nga viti i shkuar, Viti 2019 shënon 110 vjetorin e Gazetës më të vjetër të botës shqiptare, Dielli-t, që vjen nga koha e Rilindjes Kombëtare. Thirrjes së Editorit për të kontribuar me dokumente arkivore rreth Diellit dhe Editorëve, me fotografi, me shënime biografike, me studime, etj, i janë përgjigjur edhe pasardhës të editorëve dhe menaxherëve të Diellit.

Një prej atyre, znj. Mirjam Deponte, me banim në Kroaci, mbesa e ish menaxherit të Diellit, komandantit të Trupave Vullnetare të Vatrës( Gardës Civile) Aqif Përmeti, pasi lexoi në Dielli online njoftimet për konkursin e Gazetës Dielli, për Konferencën shkencore dhe Ekspozitën fotografike, reagoi dhe është duke bashkëpunuar me editorin duke dërguar fotografi e materiale të tjera rreth gjyshit të saj. Së fundi ajo dërgoi fotografi intersante si: Betimi i oficereve me 12 mars, Shtepia e Oficereve, rruga e Kavajes, Tirane; foto Aqif Permeti me te birin Feti Permeti, ne inspektim te kufirit jugor, Hani i Delvinaqit, nentor 1940; foto nga SHBA: Darke per nder te kolonelit Akif Permeti nga Shqiperia , nga miqte himarjote ne hotel George Washington, 12 maj 1934 etj.

Edhe zonja Donika Omari, ka vënë në dispozicion materiale të ish editorit të Diellit , Bahri Omari.

Po ashtu ka reaguar znj. Burbuqe Panda, mbesa e ish Editorit të Diellit për vitet 1936-1940, Nelo Drizari, e cilia gjithashtu po bashkëpunon me editorin dhe po dërgon materiale.

Një falenderim i vecantë i shkon edhe gazetarit Ilir Ikonomi për ndihmesën që po jep, dhe gazetares Laura Konda.

Mesazhi i Editorit: U lutemi personave që kanë fotografi, dokumente arkivore, relike të ish editorëve të Diellit, menaxherëve, ish ndihmës editorëve, janë të lutur që t’i përcjellin pranë komisionit të festimit të 110 vjetorit të Diellit që funksionon pranë Vatrës, duke shfrytëzuar Email: gazetadielli@gmail.com(duke i scanuar fotografite ose materialet) ose duke i dërguar me postë në adresën:

VATRA

24 37 Southern BLVD

Bronx, NY, 10458

USA

***

KUJTESË PËR PJESMARRËSIT NË KONKURS

I kujtojmë edhe një herë ata që kanë dëshirë të marrin pjesë në Konkursin e Organizuar nga Gazeta Dielli për Librin, -Essenë më të mirë-në shqip ose anglisht, artikull studimor, Përkthimin, Dossierin, portretet etj. se afati i fundit është 31 Mars 2019, fituesit shpallen në darkën festive që përmbyll veprimtaritë, 6 Prill 2019. Për këtë qëllim është ngritur Juria e përbërë nga : Idriz Lamaj, Merita B. McCormack, Dr. Arjeta Ferlushkaj, Bujar Skendo, Alfons Grishaj, Rafaela Prifti dhe Dalip Greca.

Në fotografi: Darke per nder te kolonelit Akif Permeti nga Shqiperia , nga miqte himarjote ne hotel George Washington, 12 maj 1934

Filed Under: Featured Tagged With: AQIF PËRMETI, dalip greca, Leter nga Kroacia, Mirjam Deponte

RUGOVA – PRINC I LIRISË DARDANE !

January 22, 2019 by dgreca

1 Azgan HAKLAJ me Presidentin

Nga Azgan HAKLAJ/

Zemra e Ibrahim Rugovës pushoi së rrahuri për t’ia emërtuar fuqinë e saj të paanë një populli të tërë të zhuritur për t’i rrahur fort zemra e tij në liri e mëvetësi, siç është ai i Kosovës. Janë të rrallë ata burra shteti që si Dr. Rugova të mund të bëhen përmendore-simbol për së gjalli të bashkëkombasve aqsa dhe të lënë lavdinë e tyre gjysëm-drejtëz që horizontalisht do të udhëheqë dhe breznitë e ardhshme.

Kurrë s’e kam menduar se kaq shpejt do të shuhej kjo flakë që nisi zjarrin e madh të avenirit të një populli kaherë të robëruar, me shekuj i masakruar, në shumë fate njerëzish e kombesh i pafat. Ibrahim Rugova, ky martir i idealeve më të shenjta shqiptare të nëpërkëmbura që nga Roma e Bizanti deri tek sllavofashizmi millosheviçian sot prehet në panteonin e kombit përkrah Boletinit, Sulejman Vokshit, Haxhi Zekës, Ymer Prizrenit, Azem Galicës, Adem Jasharit…

Ndërroi jetë në kulmin e energjisë së gjigandit human i mendimit, veprimit, maturisë, diturisë, eksperiencës e lavdisë, si për t’ja kaluar zheninë e vet një populli të tërë, një kombi të ndarë në gjashtë shtete e të degdisur nga sunamët tiranikë në çdo cep të botës. Dhe këtë fuqi ai ndau bujarisht, pikërisht tani kur hartës së botës moderne do t’i shtohej më së fundi edhe shteti më i ri i nëpërkëmbur që prej dardanëve të lashtë, Kosova.

Është një humbje jo si gjithë humbjet e mëdha, është humbje që ka përmasa trillesh eskiliane. Pse pikërisht Primi dhëndër dardan ndërron jetë pak çaste para se të shohë nuse Kosovën, djepin që e lindi, që e përkundi, që i dha për zemër strallin e shkëmbinjve të Kaçanikut, që i dha për fjalë arin e zgafellave të Mitrovicës, që i dha për mendje e arsye, kthjelltësinë e ujërave të Junikut…

Fjalët janë pak për këtë burrë, këtë prijës modern të dhimbjes sonë nacionale, thembrës së Akilit të Shqipërisë me emrin Kosovë. Profesori i rrallë i historisë e letërsisë, autori origjinal i mejtimeve naimjane, afro dy dekada më parë vendosi hyjnisht ta sindërtojë në trojet dardane rilindjen e vërtetë, jo vetëm me fjalë e artë si Dante Aligieri e Fransua Rabële, por ta materializojë atë duke e konvertuar në liri e pavarësi, çka rrallë gjindet veçse në legjenda e epika intriguese.

Ky ishte dhe do të ngelet Rugova.

Kam pasur rastin fatlum që të komunikoja gjatë qënies sime si deputet i Malësisë së  Gjakovës me presidentin Rugova. Dy vite e ca më parë isha i ftuar në rezidencën e tij në Prishtinë me rastin e ceremonisë së dekorimit të mikut të tij të ditëve të vështira, Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. Na priti siç pret një vëlla, një mik, një burrë shteti. Ndenjëm gjatë e sipas zakonit arbnor që dominonte qënien e tij, na pengoi të ngriheshim pa drekuar sëbashku. Vetëm gjenitë dinë ta përdorin fjalën dhe heshtjen me atë ndërthurje plot kuptim. Vetëm ata që zbukurohen në shpirt prej Zotit dhe tërë karatet humane dinë të jenë kaq të sinqertë dhe pa asfarë pompoziteti. Do e mbroj gjatë atë filmim si pasuri e relike për t’ju treguar brezave e rifreskuar në vetvete portretin e qëndresës, të ëngjëllit që lind si orë e popullit të vet, të njeriut që mbijetesën e kthen në të zakontë, që të paarritshmen e shndërron në realitet.

Ky ishte Rugova.

Kosova humbi princin e lirisë, i cili lules që po çel shkoi t’i ujisë rrënjët e t’ja mbajë fort ato me kujdesin që vetëm ai dinte të përçonte. Lamtumirë Ibrahim Rugova, lamtumirë kalorës modern i lirisë. Në ditën e dasmës së madhe të kombit do shfaqesh sërish. Dasma është gati. Historia vetë po e përgatit. E në këtë histori, në një cep të bollshëm të saj, të ngelesh përherë autokton.

Lavdia jote u përjetësoftë e dëshira, puna, kontributi yt i pagjëshoq u bëftë pishtar në të gjithë trojet iliro-dardane. Një lot i nxehtë burri, bie mbi këto rrjeshta të thjeshtë për ty mësues i madh i qëndresës për liri. Është lot, krenari dhe mall për ty: Dr. Rugova. Çdo ditëlindje Juaja flet për Pavdekësinë Tande, dr. Ibrahim Rugova – Princ i Lirisë Dardane!

___________

Marrë nga libri i Azgan Haklajt “Gjergj Kastrioti, Moisiu ynë”, Botimet “Alb-Juris”, Tiranë, 25 dhjetor 2018 (botuar në Ditën e Krishtlindjeve).

Filed Under: ESSE Tagged With: Azgan haklaj, PRINC I LIRISË. DARDANE !, Rugova

Dheu i përgjakur i Dardanisë….

January 22, 2019 by dgreca

Hamit F. Gurguri në librin: “AS ALIA, AS ILIA”- Dheu i përgjakur i Dardanisë rrëfen!/

1 Hamit Gurguri.Libri

Shkruan: Kadri Tarelli/

Ka rreth një vit që më ra në dorë libri “As Alia, as Ilia”, të shkrimtarit Hamit F. Gurguri, shqiptar nga Dardania, sot mërgimtar në Suedi. Në ballinë, si në kornizë guri, paraqitet kambanorja e një kishe dhe minarja e një xhamie. Një mënyrë lakonike, që shpreh kuptim të dyfishtë, bashkëjetesë ose konflikt të heshtur. Nuk u befasova, sepse i kam qëlluar në shenjë mendimit të dytë.

E rifillova aty ku e kisha lënë para do kohësh, pikërisht në faqen e përthyer dhe për çudi më tërhoqi aq shumë, sa më shtyu për ta mbaruar shpejt dhe me kënaqësi deri në fund, duke i thënë vetes: Ky roman të përcëllon në dorë, të ngjeth trup e shpirt, aq sa loti nuk përton të mbushi syrin dhe të rrjedhë faqesh. Aty ngjizet, ndizet dhe fiket një histori e dashuri plot dhimbje, që noton në shtjellat e rrëmbyera të konfliktit. Dashuri mes dy të rinjve Mira dhe Aliu, që kanë kombësi, gjuhë dhe besime të ndryshme, me pak fjalë: vajza serbe dhe djali shqiptar i Kosovës.

Është libri i parë që lexoj nga ky autor, por dua të them, se ka një stil të bukur të shkruari, pa zgjatje të tepruara, dialog të shkurtër e të ngjeshur, mendim të qartë, të rrjedhshëm, në formën e një tregimi të qetë, që të mbërthen me çastet romantike dhe tragjike, të ndërthurura me shumë fantazi. Prisja me padurim të mësoja, kush është Alia dhe kush Ilia dhe pse ne kryetitull, thuhet: as njëri e as tjetri. Në faqen e fundit u zgjidh lëmshi, nga fjalët e priftit serb Rangjellko, që thotë me dy tre vargje, që nxijnë e pikojnë helm e vrer:

“As Alia, as Ilia

As me ne, as me ata.

Ku të dish, o djall, …çoje dikah…..!”

Tema e dashurisë e futur në mes të konfliktit, është shumë e njohur në letërsi, pasi kjo dhuratë e perëndisë, e hershme që kur ka lindur njeriu, nuk pranon logjikë,  nuk pyet për kombe, raca, ngjyra, klasa, pozitë shoqërore dhe pasuri, as për grindje, thashetheme dhe opinione të shoqërisë. Ajo lind aty ku nuk e pret dhe është gati të  sakrifikohet dhe të sakrifikojë gjithçka në emër të kësaj ndjenje të fuqishme, shpesh deri në marrëzi, ndaj është e bukur dhe e magjishme. Gjatë shekujve, për dashurinë janë krijuar mijëra vepra dhe kryevepra të admirueshme për të gjitha kohët. E kam fjalën për tragjedinë “Romeo dhe Zhuljeta”, të Shekspirit, si simbol të dashurisë, që pa u stepur, shkon drejt tragjedisë.

Edhe ky libër i ujdisur mjeshtërisht nga shkrimtari Hamit Gurguri, një tragjedi të tillë na rrëfen, veç në vend dhe kohë të ndryshme dhe me fund të zgjidhur ndryshe, ku heronjtë Mirushi dhe Alushi vdesin si “rastësisht”, por të pabujshëm për rrethin shoqëror, që qëndron mospërfillës, madje edhe poshtërues. Aliu, heroi i librit, është një shqiptar Kosove, mbetur jetim dhe pa pasuri, pasi xhandarët serb ia vranë babën, i dogjën shtëpinë dhe i grabitën tokën. Ai bie në dashuri me Mirën, vajzën bukuroshe serbe. Këtu hyn në veprim intriga e shtetit dhe e priftit, që shkon aq larg, sa përfshihet edhe mbreti dhe politika.

Lexuesi, shpejt, madje që në faqet e para e ndjen, se autori përdor dashurinë për një qëllim mbase më të madh, të shpjegojë politikën dhe armiqësinë mes dy popujve, mes dy kombeve, të gjuhëve dhe besimeve të ndryshme, që historia i vendosi dhunshëm dhe padrejtësisht në të njëjtin territor, që luftojnë për të njëjtin territor.

Autori e njeh mirë jetën dhe historinë e dardanëve, sepse në odën e burrave ka dëgjuar me qindra tregime, ku tema e fqinjit të pa ftuar, ishte ulur këmbëkryq, pranë çdo vatre, pranë çdo zjarri. Gjykimi i rrethanave, të cilat autori i njeh deri në hollësi, nuk janë shpikje e fantazi shkrimtari, por një realitet i prekshëm në truallin e Dardanisë, ndaj i përdor aq lirisht dhe bindës për çdo lexues.

Logjika e ngjarjeve të shtyjnë të pyesësh veten, besoj se edhe vetë autori kështu ka bërë: A mund të pajtohen dy kombe, që janë në konflikt shekullor, ku njëri kërkon ta shfarosë tjetrin, duke përdorur të gjitha mjetet politike, shtetërore dhe jo shtetërore, kishën dhe xhaminë, veprime të dukshme dhe të padukshme, mashtrime, përfshi këtu shpërnguljet, mallkimet, shpërblimet, vrasjet pas shpine, djegiet dhe fyerjet. Të gjitha këto nuk janë mjaft, sepse ideja dhe lufta për shfarosjen e shqiptareve nga Kosova, nga trojet e tyre shekullore, i shtyu deri te gjenocidi ushtarak, siç e solli fundi i shekullit njëzet, me luftën e Kosovës dhe ndërhyrjen e fuqive ndërkombëtare, për ta ndalur shpopullimin e truallit etnik. Kosova u bë e lirë dhe e mosvarme.

Ç’përgjigje pret lexuesi, ose më mirë, si do ta zgjidhte ai, fundin e këtij rrëfimi tronditës? – A mund të mbijetojë dashuria në një mjedis të tillë? Si mund të pajtohen dhe të gjejnë paqe, dy popuj të nxitur e të ushqyer me urrejtje që në djep? Këtu nuk është konflikti në mes dy të dashuruarve, që përpiqen t’i kapërcejnë pengesat, që lindin gjatë kohës, por nga politika e shtetit, në shërbim të një kombi agresor, që nuk pyet për fatin e të dashuruarve, sepse nuk i dhimbset as jeta dhe dashuria e tyre.

Autori, qëllimisht dhe mjeshtërisht fut ne lojën e madhe të politikes edhe institucionet fetare, ku predikuesit bëhen vegla, duhet thënë ushtarë dhe skllevër të politikës, njëri me bindje e tjetri me para. Dikush do të pyesë me dyshim: mirë prifti që është i një race me pushtuesin dhe kobure e fshehtë nën rrobën e zezë, po hoxha si shqiptar, si është e mundur të shesë shpirtin dhe besimin, duke i shërbyer gjakatarit? Lexuesi ka të drejtë të hamendësojë, se mbase është trillim letrar, siç ndodh në shumë raste frymëzimi.

Unë e lehtësoj dyshimin, duke iu përgjigjur me një fragment të shkurtër të mara hua, nga libri monografik dhe historik, “Ah Shqipni…. Mos thuj mbarova!”, kushtuar rapsodëve të shumë njohur, Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, të autorit Bajram Halil Gashi, i cili në gojën e emrave të vërtetë, shprehet:

“Në verën e vitit 1982, në plazhin e Durrësit vijnë për pushime plot kosovarë nga perëndimi. Ndër ta dhe një kushëriri im, Haxhi Gashi nga Prigoda e Komunës së Istogut, me mikun e tij, Ukë Berisha nga Klina, që kurrë më parë, s’i kisha pa. Kishin vite që ishin larguar në Belgjikë. Uka më rrëfen jetën maratonë të familjes së tij:

– Shpesh shikoja hoxhën e katundit, që vinte herë pas here në shtëpinë tonë, duke i bërë moral babës: – “Çka po prêt?!  Ec, mos rri! Asht sevap me e lan’ vatanin tand e me dalӫ muhaxher…….. në Turqi”. Tani pӫrfundimisht jetojmë nӫ Bruksel. – “Baba mӫ vdiq, – vazhdon Uka, – ku e di unë, me apo pa iman, hoxha e di at’punӫ, por nӫ dhe tӫ huaj i mbetӫn eshtrat. Shkonte shpesh Uka, për nӫ vendlindje nӫ Kosovӫ. Njӫ ditӫ takon hoxhӫn e katundit. Pӫrshӫndetet me ’t dhe i drejtohet:

– Hoxh’ Efendi! Ç’ka po ban?

– Ç’ka tӫ t’baj, ore?

– Ec, mos rri!

– Ku tӫ shkoj?

-Shko muhazhir! Babӫn ma hupe e as vorrin s’ia di. Po shohim, se edhe ne nӫ atӫ rrugë jemi.

– Ukӫ! – m’u drejtua hoxha: – Po ti qenke budall’, more! Po a e di ti, se as valia i Stambollit, s’e merr rogën time!. Intervistë e herëshme. Faqe 100.

Lexuesi, besoj se është në një mendje me mua, sepse kur të përfundojë faqen e fundit, do të bindet, se kjo lloj letërsie, me drama dhe tragjedi të jetuara dhimbshëm, do të vazhdojë gjatë, pasi mbart mbi shpinë, ngjarje ndodhi, drama e tragjedi, që tronditin çdo shpirt e mendje njerëzore. Shqiptarët e Kosovës, mbi më shumë se një shekull, janë ndodhur në trysni dhe gjakosje në kufijtë e mbijetesës. S’besoj se ka mbetur familje, që nuk është prekur e përgjakur. Dardania e gjakosur, por jo e nënshtruar, është pjesë e jetës dhe kujtesës kolektive. Aty çdo pëllëmbë toke është gatuar me gjak, ajo rënkon e vajton për dashuritë e humbura, për jetët e prera pa filluar, për shtëpitë e djegura shpesh me familjarët brenda, për krimin e pa ndëshkuar, për fajin e pa pranuar dhe faljen e pa dëgjuar.

Lexuesi në fund të mbarimit të librit, ka të drejtë të japë përshtypjet dhe vlerësimet për gjithçka shkruhet në të, veç me një përkushtim që buron nga shpirti i lënduar, për të gjetur fabulën e këtij romani, që të trondit. Sepse është e pamundur që të japë frute dashuria, kur heroi i pret rrënjët e trungut të vet, apo kur harron gjakun e derdhur nga të parët e fisit. Është një thirrje që ushton së brendshmi: “Mos! Mos….”. Për një rast të tillë, gjëmojnë fjalët bubullimë të poetit hungarez Shandor Petëf, që thotë: “Për dashurinë jap jetën, për atdheun jap edhe dashurinë”

Nuk është e vështirë të nxjerrim këtë përfundim, mjafton të gjykojmë veprimin e dhjetëra familjeve kosovare, që e rindërtuan brenda pak kohësh shtëpinë e Hodos, të djegur nga kolonistët serb. Janë po këta kosovarë që e braktisën në mes të sheshit, birin e tyre Aliun, aq sa nuk pranuan t’i lenë dy metra vend për varr. Ai për hir të dashurisë mohoi gjakun dhe gjeti “strehë” tek shkau, i cili me përbuzje shprehet: “As me ne as me ata, merre djall, çoje dikah…..!

Zëri i kombit, djeg si hekur i skuqur, si majë thike shpon plagët e pa mbyllura, ushton si kambanë alarmi ne veshin e çdo krijuesi dhe dëgjuesi mëmëdhetar, që ka shpirt iliriani e gjak shqiptari. Ai thërret, për të thënë kumtin e madh: Kujdes me lirinë që kemi fituar. Nuk duhet të humbasim vëmendjen dhe të hallakatemi në vogëlsira dhe grindje pa kuptim. Lufta nuk ka sosur!

Urime shkrimtarit Hamit Gurguri, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Suedisë, për vepra po kaq të bukura dhe me vlera artistike!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dheu i përgjakur, Hamit F. Gurguri, i Dardanisë, Kadri Tarelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1131
  • 1132
  • 1133
  • 1134
  • 1135
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT