• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA MASËN 100% IA ZGJERON SERBISË…

December 28, 2018 by dgreca

-Qeveria e Kosovës, masë 100% edhe për markat, brendet e njohura ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë/

-Nismë Marrëveshje për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar/

1 qeveria-Mbledhja e 82-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës, njëherit edhe e fundit për vitin 2018, ka nisur me një minutë heshtje në shenjë respekti dhe nderimi për pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Izet Demaj/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 

PRISHTINË, 28 Dhjetor 2018/ Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për masën prej 100% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina të datës 21 nëntor 2018, nga i cili hiqet paragrafi 2 i vendimit bazë, me të cilin përjashtohen markat, brendet e njohura ndërkombëtare të vendeve tjera, të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Qeveria ka shprehur respekt të jashtëzakonshëm për sugjerimet e aleatëve që të mos vazhdohet me veprime të tjera, por është e papranueshme letra e kryeministres së Serbisë dërguar kryeministrave të vendeve që e kanë njohur pavarësinë që të tërheqin njohjen”, tha me këtë rast Kryeministri Haradinaj.

“Po ashtu, është e papranueshme heshtja e zyrtarëve të lartë të BE-së, në këtë rast e zonjës Mogherni dhe komisionerëve të tjerë, në ketë letër”, vijoi ai, i cituar në komunikatën nga mbledhja dërguar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
“Kjo është një vepër agresioni, por edhe përkundër kësaj ne nuk do të vazhdojmë me masa tjera shtesë ndaj produkteve serbe, por do ta respektojmë masën 100 për qind, ndërsa heqja e listës së brendeve është e karakterit tjetër”, tha Kryeministri Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

QEVERIA E KOSOVË, NISMË MARRËVESHJE PËR PIKA TË PËRBASHKËTA NË VENDKALIMET ME SHQIPËRINË

Qeveria kosovare në mbledhjen e sotme miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

“Me këtë Marrëveshje, palët angazhohen për thjeshtësimin dhe përshpejtimin e verifikimeve kufitare, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të shtetasve dhe mallrave”, u theksua në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi nga organet kompetente që të nisin të gjitha procedurat për ta konkretizuar në kohë vendimin e sotëm.

Në 2018-tën, në 26 nëntor, qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 mars 2015 , të tretës në 3 qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës në 27 nëntor 2017 në Korçë.

QEVERIA NJË MINUTË HESHTJE NË SHENJË RESPEKTI DHE NDERIMI PËR PJESËTARIN E POLICISË SË KOSOVËS, IZET DEMAJ

Sot, Mbledhja e 82-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës, njëherit edhe e fundit për vitin 2018, ka nisur me një minutë heshtje nga Kryeministri Haradinaj dhe Kabineti Qeveritar në shenjë respekti dhe nderimi për pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Izet Demaj, i vrarë dje në mbrojtje të rendit dhe ligjit në vend, për të vazhduar me vendimin e Qeverisë, që familjes së tij, t’i ndajë 15 mijë euro.
Dje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Istog, Izet Demaj dhe ka ftuar organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe rrethanat që kanë shtyrë deri në këtë akt qyqar.

Qeveria e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaj dhe Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre.

Vepra heroike e flijimit për të shpëtuar jetët e pafajshme është dëshmi e radhës për profesionalizimin dhe humanizmin e Policisë së Kosovës dhe vecmas të pjesëtarit të saj, njëherit ish ushtarit të UÇK-së, Izet Demaj.Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zotimin e saj se do të angazhohet me të gjitha mekanizmat për të krijuar ambient të sigurtë në Kosovë dhe se do të bëjë të pamundurën për luftimin e krimit dhe të dukurive negative në vend, duke kërkuar gjithashtu nga organet e rendit që të shtojnë masat e sigurisë që ngjarje të tilla të mos ndodhin dhe siguria e qytetarëve të jetë në nivelin e duhur.

Rastet si ky i sotmi, janë dëshmi se përkushtimi për fuqizimin e rendit dhe ligjit në vend, duhet të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjithashtu kjo vrasje nuk do të ndaloj organet e rendit që të kryejnë punët e tyre me përkushtim dhe me përgjegjësi institucionale në shërbim të të gjithëve dhe krijimit të një klime të qetë, theksohej në deklaratën e djeshme të Qeverisë së Kosovës.

PRESIDENTI SHPALL TË SHTUNËN DITË ZIE SHTETËRORE NË NDERIM TË POLICIT IZET DEMAJ

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas rënies heroike në mbrojtje të qytetarëve dhe në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Izet Demaj, ditën e shtunë më 29 dhjetor 2018, në shenjë nderimi shtetëror e ka shpallur ditë zie në Republikën e Kosovës.Në ditën e zisë shtetërore, në shenjë respekti për aktin heroik të policit Izet Demaj, në pajtim me legjislacionin në fuqi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Bell Jashari, kosovo, Serbia, taksat

MESAZHI PËR VITIN E RI: TË MBROHET FJALA E LIRË DHE DEMOKRACIA!

December 28, 2018 by dgreca

1 Frank-shkreli-Nga Frank Shkreli/

Katër organizata ndërkombëtare mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së fjalës — i janë drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe Ministres së Drejtësisë së atij vendi, Z. Etilda Gjonaj, me një letër të hapur ku i kërkojnë tërheqjen nga ligji — të propozuar prej tyre — për regjistrimin, mbikëqyrjen, gjobitjen dhe mbylljen e portaleve online, njoftojnë media të ndryshme shqiptare në portalet e tyre.  Siç dihet, ky projektligj është paraqitur disa ditë më parë nga udhëheqsi i qeverisë shqiptare, të cilin ai e ka pagëzuar, si një “paketë antishpifje”.  Në letrën, një kopje e të cilës i është dërguar edhe zyrës së OSBE-së në Tiranë, katër organizatat në fjalë: Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufijë, i kanë kërkuar Ramës të tërhiqet nga konsiderimi i këtij projektligji.  Në mesazhin e tyre drejtuar Kryeministrit shqiptar, ato shprehen se, nisma e propozuar prej Z.Rama, “Është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne”, theksohet në letrën e nënshkruar prej tyre, drejtuar qeverisë shqiptare.  Organizatat, të cilat njihen për veprimtarinë e tyre në mbështetjte të lirisë së fjalës dhe demokracisë anë e mbanë botës, paralajmërojnë Kryeministrin Rama se, “Nëse projektligjet e propozuara, miratohen nga parlamenti shqiptar, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet dhe do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim”, shkruhet në letrën e nënshkruar nga katër organizatat ndërkombëtare, të njohura për mbështetjen e tyre ndaj të drejtave të njeriut dhe demokracisë në botë.Përpiluesit e letrës dënojnë gjithashtu mënyrën e fshehtë se si është përgatitur dhe si është paraqitur ky projektligj, siç thonë ata, pa konsultim dhe pa asnjë informacion paraprak për publikun, ndërsa nënvijojnë moskënaqësinë e tyre me procesin e ndjekur në lidhje me këtë nismë: “Shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura, pa përfshirë gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile përgjatë procesit të hartimit.  Ne ju kërkojmë të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës, në çfarë do lloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët”, theksohet më tej në letrën e tyre dërguar Kryeminsitrit Edi Rama dhe Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.  Në letër thuhet gjithashtu se, “Përfaqsuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias e ka bërë të qartë se, “Shtetet anëtare nuk duhet të imponojnë regjistrim të detyrueshëm për median “online”, si kusht paraprak për punën e tyre, gjë që mund të ketë një ndikim tepër negativ mbi lirinë e medias”, në përgjithsi në ato vende.

Mediat shqiptare njoftojnë se projektligji i hartuar nga qeveria e Z. Rama, propozon themelimin e një regjistri për median “online” pranë  të ashtuquajturit Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP), përfshirë edhe vendosjen e përmbajtjes së medias “online” nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe një Këshilli Ankesash (AMA), një komision ky pranë këtij enti, i cili, nëqoftse miratohet ky projektligj, do të ketë kompetencat të gjykojë nëse media është e njëanshme apo e paanshme, nëse ajo cënon “moralin public” apo jo dhe nëse ky ent qeveritar e gjykon të arsyeshme, ai mund të vendosë gjoba deri në 8 mijë euro dhe madje të urdhërojë edhe mbylljen mediave, që ky ent vendos se kanë shkelur ligjin.

Nuk ka dyshim se nisma e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, propozimi pa këshillime me grupet e interesuara dhe paraqitja e këtij projektligji Kuvendit të Shqipërisë, ka për qëllim për të frikësuar dhe për të kontrolluar shtypin, duke kufizuar lirinë e medias – siç theksojnë edhe organizatat në fjalë në letrën drejtuar Kryeministrit shqiptar — ashtuqë nepërmjet miratimit eventual të këtij projektligji nga Kuvendi i Shqipërisë, jo vetëm të disiplinojë por edhe të dënojë median që sipas tij mund të gjykohet, si e njëanshme ose e paanashme, ose si një media që cenon “moralin publik”.  Tomas Xhefersoni, i cili konsiderohet si përpiluesi kryesor i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ka shkruar se nëqoftse me eksperimentin e demokracisë mund të konstatojmë se njeriu mund të qeveriset nga arsyeja dhe e vërteta, atëherë duhet të lëmë të gjitha rrugët e hapura që të mundësojnë që të arrihet tek e vërteta. “Rruga më me rëndësi drejtë zbulimit të së vërtertës, është liria e shtypit”, ka shkruar ai. Prandaj, “Liria e shtypit është e para që e pëson nga ata që kanë frikë nga hetimi i veprimtarive të tyre”, ka thekësuar Xhefersoni.

Thonë se Uinston Çurçilli ka deklaruar se, “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të të gjitha formave të qeverisjeve që janë provuar nga koha në kohë.”  Demokracia e vërtetë është një krijesë e brishtë, por megjithë të metat e saja, është e vetmja formë qeverisjeje që parandalon ushtrimin e pushtetit të një regjimi ose të një personi me prirje autoritare, tiranike ose despotike.  Historia na mëson që të mos përulemi para dukurive të tilla kudo qoftë, por t’i kundërshtojmë, sidomos përpjekjet arbitrare dhe imponuese nga cilado qeveri ose nga cili do udhëheqës qoftë, për të kufizuar dhe për të kontrolluar lirinë e fjalës, me anë të ligjeve të imponuara pa asnjë konsultim me grupet e interesuara të shoqërisë.  Sepse siç na këshillon edhe Tomas Xhefersoni, humbja e lirisë së fjalës, pasohet edhe nga humbja e të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut, një nga një.  Beso në të vërtetën! Beso në Demokraci! Kundërshto masat antidemokratike, sepse Demokracia nuk pret!  Thuaj JO kufizimit të lirisë së shtypit!

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, fjala e lire, Frank shkreli, mesazh, Viti i ri

ULIM KOKEN E REFLEKTOJME MBI KRIMET E PAFALESHME…..!

December 28, 2018 by dgreca

Mid’hat Frashëri Rivarroset në Shqipëri:ULIM   KOKEN  E  REFLEKTOJME MBI KRIMET  E  PAFALESHME…..!/
1-Sami-Repishti1-240x300Nga Prof. Sami Repishti/

Ridgefield, CT.- Qoftë nga turpi për baltëzimin e emnit të Mid’hat Frashërit, qoftë nga respekti i thellë që kemi për fjalën, veprën dhe personalitetin e Mid’hat Frashërit, të gjithë  duhet të “ulim kokën”. Sot, duhet të jeshë “stalinist” në Shqipëri, ose ndjekës i tij, me ofendue Mid’hat Frashërin. Nuk duhet  të jeshë “ballist” në Shqipëri, ose ndjekës i tyne, me respektue Mid’hat Frashërin. Mjafton të jeshë shqiptar!

Jam shqiptar; nuk kam qenë “ballist”! Sot “ulë kokën” me respekt për këte figurë multidimensionale të historisë së popullit tonë: model i dashunisë për Shqipërinë; i zjarrit, që nuk u shue kurrë për arsim e përparim; i fjalëve të peshueme mirë që nuk u kursyen kurrë në mbrojtjen e vendit; i punës së pandërpreme dhe cilësore për ma shumë se gjashtë dekada; dhe për jetën e tij kushtue atdheut pa hezitim, pa kondita.

Nana Shqipëri e shpërbleu; i dhuroi përjetësinë!

Që në ditët e rinisë shkollore lexova pjesë nga “Kalendari Kombiar”. Fjalia e parë: “Të kemi dashuri njeri me tjetrin, të jemi të bashkuar të gjithë tok: të Krishterë dhe Myslimanë; të ndihim me sa mundet për çdo farë të shenjtëruar, të mos shajmë  dhe përçmojmë gjuhën e mëmës sonë; po sa mundemi të levdërojmë e të lehtësojmë së gjithash etj.etj. Këto janë detyrat e një mëmëdhetari, që ngashëron mbrothësinë e gjuhës vet.”  Ashtë kjo fryma që u hodh plot 121 vjet ma parë…. !

I lexuem në nji kohë kur Shqipëria posa ishte okupue nga agresioni fashist italian, 1939, dhe në nji vend ku zemrimi i krijuem nga pushtimi ushtarak kishte arrijtë kulmin, fjalët e Mid’hat Frashërit tingëllojshin në veshët e rinisë sonë jo vetëm si nji “thirrje për revoltë”, por edhe si direktivë e rrugës që duhej ndjekë. Autori, Mid’hat Frashëri, u ngrit në nji piedestal të nderit dhe fjala e tij mori karakterin e thirrjes së “fatit” për vendin tonë: Shqipëria e shqiptarëve!

Nuk e kam takue Mid’hat Frashërin, por mesazhi i tij ka tingëllue si kanga e orës së maleve tona, frymëzuese e luftës për liri, burizane e nji ushtrie që po formohej. Fjala e tij udhëtonte krah për krah me “fatin” e vendit tonë.

Për fatin (dhe fajin) tonë zhvillimi i këtij entuziasmi çlirimtar nuk zgjati shumë. Ideologji të hueja për patriotizmin shqiptar u zhvilluen shpejt e kërcnuese në shtëpitë tona, të qytetit e të fshatit. Gënjeshtrat e fjalës indoktrinuese të shoqënueme nga fryma e nji terrorizmi të institucionalizuem si në ish Bashkimin Sovjetik -e panjohun prej nesh,- përfshiu çdo kand të vendit tashma të traumatizuem, e përfundoi në mënyrë të paevitueshme në luftë vëlla-vrasëse, pakuartier, por të studjueme simbas strategjisë staliniane : “të punojmë e të luftojmë pa hezitim, pa kondita, pa rezerva për Bashkimin Sovjetik! ” u ba urdhëni i ditës për lëvizjen e re. Përfundimet lëkundën mendjet e papërgatituna rinore, dhe forcuen grushtin e elementit terrorist.

Gënjeshtër e terror: nji përbamje toksike eksplozive efekti i së cilës na ndjek  edhe sot, nuk u asgjasuen as edhe mbas shkërmoqjes së “komunizmit”: ata mbijetojnë në mendjet e smura e ndërgjegjet e randueme nga krimi i “diktaturës së proletariatit”, çmenduria madhore e shekullit 20.

Dje, fryma iluministe e Mid’hat Frashërit dhe pikësynimet e tij për nji “Shqipëri etnike, të lirë, të pavarur dhe demokratike…” u luftuen me egërsinë e fanatizmit ideologjik “enverist” me rrjedhime katastrofike.

Dje, u krijue nji atmosferë ku qytetarë të ndershëm dhe mendje të ndrituna u rrethuen nga legjone të çmenduna dhe ekstremistë.

Dje, shumica e frikësueme nga terrori i kuq solli dekadencën e turpshme për dekada me rradhë, dhe injorancën e së kaluemes sonë fisnike…..!

Sot, para nji katastrofe të këtillë, mjafton të jeshë shqiptar me nderue Mid’hat Frashërin…!

******

“Tiranë, 14 Nentor 2018. Personaliteti i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, Mid’hat Frashëri nga sot do të prehet në Atdhe. Pas mbërritjes së eshtrave nga SHBA si dhe homazheve në Akademinë e Shkencave, eshtrat e tij janë varrosur pranë vëllezërve Frashëri tek Liqeni Artificial, pasi ai ishte bir i Abdylit dhe  i frashërllinjve të mëdhej, Samiut dhe Naimit. Për kthimin e eshtrave nga SHBA për në vendlindje të firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetrore…..”(DIELLI, November 2018, f.50)

Ky gjest fisnik në përmbajtje dhe dinjitoz në formë, na nderon të gjithëve. Për arsye të gjendjes së acarueme ishte e pritun që edhe në nji rast të këtill krejt të veçantë do të dilnin kritikat, me karakter politik për këte figurë qendrore të politikës e kulturës shqiptare.

Për KM E.Rama “…kthimi i eshtrave të tij ishte nji detyrim dhe borxh”. Sepse, spjegoi ai: “ Mid’hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e mundi”. Ai qortoi të gjithë ata që e shohin si provokim “…bënë mirë të ulin kokën e të kujtohen se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skendos….(Ata) bënë mirë të ulin kokën….dhe kthimi i eshtravet tij, të shërbejë edhe si një reflektim. Mjaft kemi gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e nji burri të dënuar në mungesë jo nga një gjykatë por nga gjyqi i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtruar të mundurit. Mjaft kemi shpifur, mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më….Mid’hat Frashëri ishte e mbetet një shembull, ndërsa koha pastroftë baltën që nisem ta pastrojmë sot….” (Fjala në ceremoninë shtetnore të përmortëshme të kthimit  të eshtrave të personalitetit të shquar Mid’hat Frashëri, 14 .nentor. 2018)

Në nji prononcim të shkurtë për mediat, kryetari i opozitës, Lulëzim Basha, deklaroi:” Eshtë një nga ditët e rralla që qëndrojmë para nji arkmortori me nji sens krenarie, nderimi por edhe kënaqsie….Kënaqsi që eshtrat e këtij burri të madh dhe shkencëtari të një dimensioni europian do të prehen simbas amanetit të tij. Një shembull që duhet të ndiqet edhe për shumë të tjerë….” Nji sugjerim pozitiv!

Para ceremonisë së përmortëshme shtetnore në Tiranë, nji tjetër ceremoni fillestare u mbajt në “Kishën Zoja e Shkodrës” Salla “Nana Tereza” në Hartsdale.N.Y. jo larg vorrit të Mid’hat Frashërit, në Ferncliff. Ambasadorja shqiptare në Washington, Zonja Luli-Faber, e lindun, e rritun, dhe e arsimueme gjatë rregjimit komunist, pranoi haptazi, se: “Duke patur parasyshë kontributin e madh patriotik të këtij personaliteti unik të letrave dhe historisë së Shqipërisë, Kryeministri ka mirëpritur lutjen e Institutit të Studimeve “Lumo Skendo” në Tiranë për mundësinë e kthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri; Sepse : Mid’hati ishte i të gjithëve”. Mirënjohje e vonueme, por e mirëseardhun. “….Asgjë nuk është rastësi, tha ajo.. Ai ishte vizionar dhe në vitet 20 u shpreh mos shikoni përreth; vetëm Amerika mund të na japë mbështetjen dhe shpëtimin e vertetë ……Kryetari i Komitetit Kombëtar ‘Shqipëria e Lirë’ eshtrat e Midh’hat Frashërit sot prehen para nesh, i rrethuar nga bashkëkombasit e tij….Ne, sot të gjithë, shërbejmë Mid’hat Frashërin duke qenë të bindur se kështu i shërbejmë edhe Shqipërisë. U prehsh në paqë Mid’hat Frashëri” përfundoi ajo.

Kjo frymë mirënjohje publike për të ndjerin Mid’hat Frashëri ashte sinjal pozitiv se gjakërat kanë fillue të  ftohen dhe se arsyeja ka fillue të triumfojë në mes nesh….! Uroj që ky hap i parë të çmohet dhe të ushqehet deri në nivelin e dialogut të hapun,  të mbështetun në fakte, me synimin e përgatitjes për breznitë e ardhme të nji paraqitje serioze e permanente të së kaluemes së zjarrët, por jo përherë të ndritun. Socialisti Pandeli Majko foli për “një të majtë reflektuese”(Panorama.8 dhetor)

Me këte rast, u ndigjue edhe fjala e aktivistit dhe historianit Uran Butka, drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skendo”, Tiranë, nismëtar i kthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit në Atdhe. Ai theksoi nji aspekt të biografisë së Mid’hat Frashërit i lanun në heshtje – rolin e tij politik si themelues e drejtues i “Ballit Kombëtar” në Shqipëri, dhe i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” në botën e jashtëme. Fara e hjedhun nga veprimtaria e këtyne dy organeve politike nuk u mbyt, deklaroi Z. Butka; “Vepra e Mid’hat Frashërit është pjesë e rëndësishme e luftës për pavarësi, për liri, për identitet e bashkim kombëtar, për shtet demokratik, për zhvillim kapitalist modern, për qytetari, kulturë dhe integrim përendimor nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Reagimet nga çdo anë ndaj kësaj inisiative, nuk munguen, dhe si zakonisht me ngjyra politike të papajtueshme: sepse sot, historia e fitimtarit baltuese dhe e gënjeshtërt po ballafaqohet me të vertetën, pak e përhapun por e dokumentueme.

Kundërshtimi i gjestit fisnik dhe plotësisht të merituem erdhi nga dy kuartiere, aleate në natyrën e tyne por të ndryshme në formë. I pari rrjedh nga “zjarri djegës partizan” elementë të zhytun thellë në përkrahjen pa kondita të “Neronit” në ditët kur “Roma” digjej flakë, dhe duertrokitës të nji sistemi politik që degradoi sistematikisht diskursin politik, mbyti çdo za e pikëpamje që e kundërshtoi, që tregoi nji mospërfillje të plotë për faktet, që demonizoi kundërshtarin tue e quejtë “armik i popullit”, e burgosi e torturoi dhe e pushkatoi.

Teorikisht, ai system trathëtoi “humanizmin marksist”, të çoroditun nga Lenini me “diktaturën e proletariatit” dhe të vramë mizorisht nga Stalini. Eksperienca staliniste në Shqipëri, ka qenë nji abces kanceroz në trupin social të shoqënisë sonë.

Për gjykimin e këtyne meturinave komuniste toksike, huazoi fjalët e Kryeministrit Edi Rama, kryetar i Partisë  Socialiste: ”Mid’hat Frashëri nuk është dënuar nga asnjë gjykatë shqiptare e ngritur sipas parimeve themelore të së drejtës, për çka është akuzuar, gjykuar, vrarë e rivrarë dhe varrosur e rivarrosur në mungesë, me baltën e miljarda herë leximeve të nekrologjisë së tij politike, për shumë dekada…..Mid’hat Frashëri i cili nuk kryesoi dhe nuk mori pjesë në ndonji qeveri kolaboracionistësh të Tiranës së viteve ’40, nuk lëshoi si Pierre Laval (i Frances,SR) urata mbi fitoret e nazi-fashistëve dhe nuk u bë asnjiherë ideolog i braktisjes së aleateve në favor të fuqive të Boshtit, kishte edhe ai apo jo (?) disa merita, madje madhore në historinë e Shqipërisë…..Këte duhet ta dëgjojnë të gjithë ata të cilëve sytë, hundët, goja, veshët u janë taposur me baltë nga 70 vjet propaganda karikatureske për Mid’hat Frashërin….”, të gjitha “mendjet e smura”, që refuzojnë të ndigjojnë të vërtetën.

Rryma e dytë ashtë ajo e “historianëve” falso që përbuzin faktet dhe refuzojnë me thanë të vërteten, tue nxjerrë pjesë jashtë kontekstit të ngjarjeve të viteve ’40.; ata me ndërgjegjsim të plotë shtrembnojnë të vërteten sepse nuk përputhet me “tezën” e tyne mashtruese.

Mbas pushtimit të vendit nga fashistët italianë, 7 prill 1939, grupet komuniste ishin të hutueme fare. Grupi i Shkodrës hodhi tezën se “pushtimi italian kishte efekt pozitiv në zhvillimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri. Italia do të industrializonte vendin tonë bujqësor, do të krijohej klasa punëtore dhe proletariati që nuk ekzistonte….dhe revolucioni! (sic!)

Pesë muej ma vonë, gusht 1939, u firmue Traktati i Mos-sulmimit në mes të nazistëve dhe Bashkimit Sovietik. Ky pakt coptoi Poloninë në mes dy shteteve grabitçare. Akti banditesk në vend që të demaskohej u përshëndet si bashkimi i “punës” kunder “kapitalit” franko-anglez. Nji vjet ma vonë, Gjermania sulmoi shtetet e Europës perëndimore dhe i pushtoi me egërsi të madhe. Bashkimi Sovjetik sulmoi Finlandën që rezistoi heroikisht dhe pushtoi pjesë të territorit fin. Asnji protestë kundër këtij akti banditesk që nuk u reparue asnjiherë.

Në ndërkohë, Gjermania sulmoi vendet ballkanike dhe shkatërroi ish Jugosllavinë dhe Greqinë, ndërsa B.S. pushtoi tri republikat baltike dhe ia aneksoi Rusisë. Përsëri asnji protestë nga komunistët. Me shkatërrimin e Jugosllavisë, italianët hynë edhe në Kosovë . Nji ndër hapat e parë ishte arrestimi i elementit komunist jugosllav. Në mes tyne profesionisti revolucionar Miladin Popoviq, dhe “muzhiku” Dushan Mugosha, të cilët u internuen në nji kamp afër Peqinit. Me urdhër të ardhun nga PK Jugosllave, nji grup aktivistësh –komunistë dhe jo-komunistë shqiptarë, liruen “dy të internuemët” nga kampi. Janë këto dy elementë që vuen themelet e nji Partie Komuniste Shqiptare, caktuen Enver Hoxhën si sekretar të përgjithshëm, dhe morën drejtimin efektiv të Partisë së re.(7 nëntor 1941)

Me 22 qershor 1941, Gjermania naziste sulmoi Bashkimin Sovjetik pa paralajmërim. Ushtritë ruse u tërhoqën në kaos drejt Moskës me humbje të mëdha. Para rrezikut nazist, B.S. u lidh me nji aleancë jo-natyrale; për fatin e të gjithë njerëzimit doli me sukses falë koalicionit anglo-sovjeto-amerikan. Në B.S. hyni në lojë “gjeneral Dimni Rus” e mundësoi disfatën naziste.

Telegramet e mirënjohjes e falënderimit për rezistencën sovjetike nga KM Churchill dhe Presidenti F.D.Roosevelt janë, në fakt, modalitete që shpesh herë mbulojnë esencën e problemit nga sytë e popullit. Lufta Nac-Çlirimtare nuk u ba kurr  që të bahemi “republika e shtatë” e Jugosllavisë. Mijëra të rij e të reja idealistë luftojshin për nji Shqipëri të lirë,  nji popull të lirë, dhe demokraci, dhe u trathëtuen!

“Çlirimi” ka qenë nji zgjim frikësues, nji trathëti e maskueme. “Liria e Shqipërisë u usurpue” tha Mid’hat Frashëri, dhe “këtu unë jam dakord me te.” deklaroi KM Edi Rama. “Dhe nuk janë veteranët e Luftës Nac-Çlirimtare, por komunistët e pas-luftës që sot gjykojnë Mid’hat Frashërin, a thue se jemi të nesërmen e fitores së luftës, e jo plot 28 vjet nga data zyrtare e vdekjes së shpresës që solli fitorja e tyre (?) ka të bëjë jo me atë luftë por me krimet qe u bënë në emër të fitores saj!” (7.000 plus të pushkatuemë me gjyq e pa gjyq,, 26.000 plus të burgosun politikë, burra e gra; 50.000 plus familjarë, shumica pleq, gra e fëmij të internuem sepse baba-gjyshi i tyne ka qenë “reaksionar”!. Ish presidenti Ramiz Alia pohonte: ”Rendi i ri shoqëror u vendos me forcën e bajonetës! Ka pasur edhe gabime, por jo krime!”( Shpresa dhe Zhgënjime” f.12) Gënjeshtar patologjik!

Në BS u riorganizue KOMINTERN-i, organizatë komuniste për mobilizimin e popujve në ndihmë të BS. Filloi organizimi i grupeve komuniste sidomos në Europë. Në Shqipëri, gjithçka “komuniste”u ba nën drejtimin e instruktorëve jugosllavë. Çetat e armatosuna filluen aksionet kundër okupatorit në pranverën e vitit 1942: komunistë, ballistë, të pavarun. Për hir të organizimit, disiplinës dhe formimit ideologjik çetat komuniste fituen epërsinë. Me metodat e tyne ma shnjerëzore, tue përfshi terrorin e hapët, u krijue atmosfera e dhunës dhe frikës që vijoi deri në fund të vitit 1944, me largimin e nazistëve nga vendi i jonë. Komunistët shqiptarë refuzuen çdo bashkëpunim politik në vrapin e tyne me marrë në dorë pushtetin absolut politik të vendit. Kundërshtarët u detyruen me lanë Atdheun. Kështu bani edhe Mid’hat Frashëri. Dokumentacioni ekzistues konfirmon varësinë e plotë të komunistëve shqiptarë nga PK Jugosllave, që vazhdoi deri në qershor të vitit 1948, me prishjen e marrëdhanjeve shqiptaro-jugosllave.

(Në burgun e Burrelit, antifashisti i njohun Prof. Gjergj Kokoshi, ish ministër i arsimit në qeverinë e parë të E.Hoxhës, dhe deputet, përsëriste: ”E çliruem Shqipërinë, dhe ia dhuruem peshqesh Titos!”)

******

I frikësuem nga nji skenar i këtill, vizionari Mid’hat Frashëri pranoi qendrimin “le të mos nxitojmë, të mos shkatërrojmë vendin, të presim e të shohim!” në luftë kundër nazistëve. Logjikisht i drejtë, por në rrethana të atyne ditëve mund të gjykohet “politikisht i gabuem”. Në situata të vështira ngjet që merren vendime për momentin të gabueme, por që me zhvillimin e ngjarjeve të mavonëshme tregohet se kanë qenë korrekte. Në fjalorin e filozofisë së etikës ekziston nji shprehje e përshtatshme për këte situatë: “conceptionalism” – nji terminologji që përdoret sot në përcaktimin e nji qendrimi ku të gjitha aksionet tona janë të drejta ose të gabueme simbas vlerës ose kundërvlerës që vjen si rrjedhojë e aktit tonë. Nji qendrim i këtill lexohet në kujtimet e ML britanik Julian Amery në librin e tij “Sons of the Eagle”. Këtu japim citatet ma të përshtatëshme për ilustrim:

“….Mid’hat Beu…ishte nji republikan me bindje të forta dhe iu përkushtue librarisë së tij. Ai ishte i formuem me kulturën europiane dhe ate të Lindjes së Mesme…nji konservativ romantik, i përfshimë nga zjarri patriotik. Ai ishte i paisun, megjithate, me nji gjykim të ftohët por të ndritun, e biseda e tij ishte tërheqse dhe fitoi admirimin tonë.

Na e akuzuem troç Ballin Kombëtar për “bashkëpunim’ me gjermanët dhe e kercënuem se do të denoncojmë lëvizjen dhe udhëheqsit e saj si armiq të Aleatëve në se ata nuk braktisin menjiherë luftimet kundër partizanëve. Mid’hat Frashëri ishte shumë i ndershëm për të mos u shtirur dhe u përgjegj: ’tash është tepër vonë. Një revolucion po përhapet në Shqipërinë e Jugut në të cilin komunistët janë të organizuem në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare me qellim të çthurin rendin social të mbrojtun nga Balli Kombëtar…Ballistët kanë qenë besnikë ndaj Aleatëve (Mukaj,1943 SR)por mbas kapitullimit italian, Enver Hoxha sulmoi Ballistët sepse nuk donte të ndante me rivalët çmimin e pushtetit politik. Lufta civile nuk ka lidhje me Çlirimin Kombëtar të cilin e kishin ndjekur të dy palët qyshë në fillim…’

Partizanët, sidoqoftë, e kanë tregue veten të pamëshirëshëm për çmimin e luftës që paguente popullsia civile dhe të fortë me armë që morën nga britanikët. Ata kanë ba trysni të fortë ndaj Ballistëve, dhe këta të fundit, sikur e kanë pasur të pamundurnji luftë në dy fronte kishin qenë të detyruur t’i pezullojnë sulmet e tyne ndaj gjermanëve të mbrojnë veten nga partizanët…Ishte për të ardhun keq që kjo luftë civile kishte marrë përparësi, ndaj zhvillimeve tjera, por ky ishte realiteti. Gjermanët tashma ishin të mundun dhe shqiptarët mund të bejnë pak me shpejtue apo vonue shkatërrimin e tyne. Pasoja e luftës civile, sidoqoftë ishte ende në dyshim dhe kishte prekë çdo aspekt të jetës së përditëshme të çdo shqiptari. Ai nuk mund t’i fajsonte vertet ata udhëheqës Ballistë të cilët për aksione të veçanta kishin pranue ndihmën nga ushtria gjermane. Ata nuk e kishin bërë këte gjë nga dashuria për gjermanët, apo nga përllogaritja e një fitorje të Gjermanisë….”

“Nga çdo njiqind armë që britanikët u dërgonin partizanëve, nandëdhjetë  zbrazeshin kundër shqiptarëve….Në se Enver Hoxha do të braktiste përpjekjet për të krye revolucionin socialist nën petkun e rezistencës patriotike, atëherë Ballistët me kënaqsi do të luftonin kundër gjermanëve. Ballistët janë miq të britanikëve, ndërsa partizanët janë vetëm agjentë të Rusisë” deklaroi Mid’hat Frashëri.

  1. Amery shton:” Ne i hodhëm poshtë me forcë argumentët e tia, duke mos dhënë asnji shenj simpatie që mund të trimronte formimin e nji fronti anti-komunist. Megjithate, ne do të pranonim në veten tonë se kishte shumë të verteta në atë që tha ai. Në revolucione ‘nuk mund të keshë pa-anësi!”,,,”Në kohën e revolucionit,ai që nuk ashtë me mue, ashtë kundër meje!” (S. Buçpapaj.Mid’hat Frashëri, prania fizike.DIELLI, 20 dhjetor 2018)

Të metat, gabimet dhe krimet e Enver Hoxhës dhe të sistemit tij nuk u spjeguen nga intelektualët serioz shqiptarë, me shumë pak përjashtime. Edhe kur u trajtuen nga intelektualë jo-komunistë, mendimet e tyne nuk u pranuen nga kuadrot e formueme gjatë rregjimit diktatorial. Akoma sot duket sikur nuk lejohemi me mendue ndryshe nga versionet zyrtare për këte Shqipëri qe na dogji zemrën me problemet e saj, e që na dekurajon me aktet e udhëheqjes saj.

“Bartës i ndershmërisë intelektuale në pohimin e së vërtetave të veta pavarësisht çmimit që ato kanë” (E.Rama), sot Mid’hat Frashëri, ky burrë shteti, na këshillon seduhet nji dozë ndershmënie frashëriane nga ana e kuadrova të rregjimit komunist, me pohue të vërteten.

“Në nëntor 1944, Mid’hat Frashëri në Shkodër, në shtëpinë e Rrojve u drejtohet të pranishëmve duke thënë: ‘Marr përgjegjsinë t’ju deklaroj se e çbëjmë organizatën eBallit Kombëtar. Ajo e kreu misionin e vet historik. Ne humbëm luftën, por jo shpresënCili kuadër komunist ka guximin moral me denoncue haptazi egërsinë kriminale të regjimit”. komunist në Shqipëri? Ata të pakët që folën, u vranë!

Unë mendoj se kjo mungesë guximi civil ashtë shkaku i ndasive tona sot që nuk lejon dialogun serioz, dhe eventualisht pajtimin tonë kombëtar.

Filed Under: Opinion Tagged With: feflektim, krimet, kthimi ne Shqiperi, Midhat Frasheri, Prof. Sami Repishti

Marrëdhëniet ndër shekuj mes Greqisë dhe Maqedonisë

December 27, 2018 by dgreca

– Ende në përzhitje tymi i luftës, Greqia dhe Maqedonia- Lufta për Pushtet/

Sipas Will Durant*/

1 Raimonda-Moisiu-Nga Raimonda MOISIU/

Historianët e shkruajnë historinë, duke e ndarë në epoka, vite dhe ngjarje, sipas gojëdhënave, mendimtarëve, dijetarëve, analizat  dhe veprat e shkruara e të trashëguara  historike, të cilat e identifikojnë  botën në sisteme qeverisëse social ekonomike, politike, historike e kulturore, fate njerëzore, heronj, mite, legjenda dhe personalitete të rrallë historikë, që kanë bërë dhe  bëjnë historinë, fakte historike dhe heroizma nga faktorët kushtëzuesë me të mirat, gabimet dhe konseguencat e tyre; dhe jo vetëm kaq! Se është historia ajo, që nuk bën kompromise dhe kapërxime madhore, ajo ndjek rrjedhën e saj midis epokave të ndryshimit dhe cdo faze të historisë

1 Alexandri dhe Aristoteli.JPG1 Olympia.JPG

Aleksandri i Madh – Madhështia e Perandorit Molossian nga toka e Ilirisë.

Karriera e pasur intelektuale e Aristotelit (384 -322) si filozof, mendimtar dhe shkencëtar i shquar, personalitet universal i kohës, i konsideruar gjeniu më i madh i botës antike perëndimore, e ngjashme kjo me potencialin luftarak të Aleksandrit të Madh.  Aristoteli ishte mësuesi i Aleksandrit në disa disiplina shkencore të kohës, i cili realizoi formimin e liderit befasues dhe madhështinë e një perandori të ri; të dyja jetët, ajo e Aristotelit dhe e Aleksandrit ishin pasqyrim i gjallë i Sundimit dhe Sintezës.

Aristoteli ishte filozofi që rrënjosi te brezi i ri, vrullin e bashkëjetesës në harmoni, që i dhanë dinjitet e madhështi fitoreve të Aleksandrit. Sipas gjasave Aleksandri, karakterin ambicioz e kishte të trashëguar nga i ati i tij, ndërsa gjaknxehtësinë, vrullin dhe guximin prej një luftëtari të papërsëritshëm, që vështirë të mundej nga ndokush, – e kishte të trashëguar nga gjaku amësor, Princesha e Epirit, Olympia e Molossëve. Me sa kuptohet, në venat e tij mbartej gjaku i shprishur i një pijaniku, një mbreti të madh, politikani të zgjuar dhe gjenerali të   shkëlqyer, sikundër ishte Filipi dhe intensitetin barbar të Olympias, për më tepër që Olympia e kishte prejardhjen nga Achilles -Akili. Prandaj, Iliada pati një magjepsje të vecantë në lidhje me Aleksandrin. Kur ai kaloi përmes Hellespont, ai ripërshkonte aty ku kishte kaluar Achilles-Akili. Kur pushtoi Lindjen e Largët ai synoi dhe realizoi atë që stërgjyshi i tij e pati filluar që nga Troja. Në të gjitha kryqëzatat e tij ai mbante me vete dorëshkrimet e Iliadës të shkruara nga Aristoteli; të cilat Aleksandri i mbante përherë nën jastëk së bashku me kamën e tij, si simbolika për të treguar mjetin e qëllimin e tij në formë e funksion. Leonidas, një farefis molossian i fortë dhe i rreptë nga nëna, e trajnonte atë fizikisht, Leonidas e kishte bërë të fortë e të qëndrueshëm në forcimin dhe zgjerimin e muskujve të trupit nëpërmjet stërvitjes. Lisimaku nga krahina e Dodonës pellazge i jepte mësime letërsie, ndërsa Aristoteli përpiqej të formësonte erudicionin e aftësive të tij mendore, dijet dhe mëncurinë e djaloshit. Respektin dhe dashurinë që Aleksandri ndjente për Arsitotelin, e shprehte shpesh duke thënë: “Jetën ia kam borxh Atit tim, dhe se si të jetoj, mësuesit tim” Ati i tij, Filipi dëshironte që ai të studionte filozofi, -atë që për fat të keq vetë Filipi nuk kishte mundur ta bënte më parë. Aleksandri admironte letërsinë greke dhe kishte zili, ëndërronte qytetërimin helen. Tregojnë se dy grekëve, që ishin ulur me të në një banket të cmëndur me verë, – ku ai u tregua i papërmbajtur dhe i dhunshëm dhe vrau Kleitusin, – iu tha: “A nuk iu duket vetja si gjysmëperëndi, të ulur në mëshirën dhe shoqërinë e maqedonasve? Aleksandri ishte modeli i përkryer i të rinjve, djaloshi ideal. Ai ishte i mirë në cdo lloj sporti; biles miqtë e tij e këshillonin se ai duhej të hynte e të konkuronte në Lojërat Olimpike, por ai iu përgjigj se do të ishte i gatshëm të shkonte aty, nëse kundërshtarët e tij do të ishin mbretër. Kur të tjerët dështonin dhe ai korrte sukseset, babai i tij, Filipi e vlerësoi atë me fjalët profetike: “Biri im, Maqedonia është shumë e vogël për mbretërimin tënd,  përpiqu ta shndërrosh në një perandori më të madhe e të denjë që të shkon për shtat”

Ai ishte një student i flaktë, inteligjent, enthusiast dhe i aftë të merrte përgjegjësitë.   “Ai kishte”, shprehej Plutarku, – “një etje, pasion dhe energji të pashterrëshme për të studiuar, të cila rriteshin e maturoheshin dita-ditës. Kishte etje për dije e dituri, më shumë se të kishte pushtetin e të sundonte.

Ai ishte dashamirës i përkushtuar i të gjitha zhanreve të letërsisë, njohurive, shkencës e dijes.

Pas një dite të lodhëshme marshimi ose luftimi, ai qetësohej e clodhej gjatë natës duke biseduar me dijetarë dhe shkencëtarë. Ai ishte i dashuruar me jetën dhe jetonte cdo ditë të jetës me emocion dhe shkëlqim të madhërishëm, saqë mëndja e tij nuk gjente një orë paqe. Kurrë nuk i njohu dhe pranoi gabimet, dobësitë dhe kufizimet e veta, ndërsa i pëlqente dhe kishte lakmi të pamatë për pushtet, lavdi dhe famë. Karakteri moral i tij ishte i përngjashëm kondradiktor. Ai ishte sa sentimental aq edhe emocional dhe kishte “sy melankolikë”. Ai qëndronte në vetmi me orë të tëra duke lexuar poezi dhe dëgjuar muzikë. Poezia epike nënkuptonte Homerin. Përshkrimi i tij për të kaluarën heroike të Greqisë në dy poemat e famshme, Iliadën dhe Odisenë, do të ndikonin tepër tek Aleksandri, që edhe përcaktuan drejtimin e jetës së tij. I pëlqente muzika dhe luante në harp me ndjenjë, talent dhe emocion të mrekullueshëm, që në fëmijëri.  Reputacioni fisnik dhe zemërgjerësia, e ndihmoi atë në luftërat e tij; mospërfillja e rrezikut, rendja pas aventurës, sfidat dramatike për dyluftim, guximi i çartuar edhe përpara vdekjes, ishin ndikimet e kanunit homerik, që pushtuan imagjinatën e Aleksandrit qysh në fëmijëri. Shtypi pa mëshirë një rebelim në Tebë, banorët e së cilës i shiti si skllevër. Shumë prej robërve të luftës nuk i lejoi të burgoseshin dhe qytet-shtetet që i trembeshin plackitjes hapën portat e mirëseardhjes për të. Megjithatë, “tigresha molossiane”, (nënkupto-nënën e tij Olympia) dhe miti i rrëfenjave rreth Akilit, ishin mëshiruar në gjakun, ndërgjegjen dhe personalitetin e tij, që për fatin e tij të hidhur e bënin shpesh të kalonte në ngazëllim mizor dhe barbar. Identifikonte veten me heronjtë e lashtë të Homerit, i bindur se ishte një pasardhës i Herakliut (Herkulit), nga ana e babait, dhe i Akilit nga ana e nënës. Pa dyshim ai ishte një administrator i zoti dhe i përkryer; ai qeveriste me vendosmëri dhe dorë të hekurt, ishte besnik ndaj marrëveshjeve që ai nënshkroi me gjeneralët e luftërave dhe qytet-shteteve; si dhe nuk toleronte moszbatimin e urdhërave të tij. Diplomacia e tij arriti kulmin kur ai shpalli veten e tij- Zot! Perandi! Në vitin 324 ai dërgoi fjalë te të gjitha qytet-shtetet greke, përveç Maqedonisë – që ai dëshironte tani e tutje të njihej publikisht, si biri i Zeus-Amonit.

Shumica e qytet-shteteve e miratuan thjesht për ndjeshmërinë që kishin ndaj Aleksandrit; biles edhe Spartanët kokëfortë e këmbëngulës e pranuan duke thënë, “Lëreni Aleksandrin të jetë Perëndi, nëse ai dëshiron.” Me tu kthyer në Babiloni ai braktisi edhe veten dhe u dha shumë pas pijes. Disa ditë para se të vdiste, Aleksandri mori pjesë në një banket, duke u kënaqur me gjeneralët dhe oficerët e ushtrisë së tij dhe propozoi një garë me pije, se kush pinte më shumë. Promakus piu me fund dymbëdhjetë gota cerekëshe me verë, dhe e fitoi garën si një talent me dhunti të vecantë, por tre ditë më pas Promakus vdiq. Menjëherë mbas kësaj ndodhie, Aleksandri mori pjesë në një tjetër banket me verë, dhe Aleksandri piu me fund gjashtë gota cerekëshe me verë. Të nesërmen ai piu me tepri përsëri; nga koha e ftohtë që filloi papritmas, e zunë ethet duke shfaqur temperaturë të lartë dhe si rezultat gjëndja shëndetsore e tij u përkeqësua ndjeshëm dhe ai u mbërthye në shtrat për dhjetë ditë me rradhë, duke humbur çdo mundësi komunikimi dhe ecjeje. Edhe gjatë kësaj kohe Aleksandri vazhdonte t’i jepte urdhëra nga shtrati, ushtrisë dhe flotës së tij detare. Ditën e njëmbëdhjetë ai dha shpirt në moshën tridhjetë e tre vjecare, në mes të qershorit të vitit 323, në Babiloni, para lindjes së krishtit. Lajmi i dhimbshëm se Aleksandri i Madh kishte vdekur i detyroi të gjithë oficerët, gjeneralët e ushtarët të kalonin në shenjë nderimi pranë shtratit të tij, për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Pak para se të vdiste, e pyetën Aleksandrin se kujt do t’ia besonte fronin e Perandorisë. Përgjigja e tij ishte epike: “Më të fortit”. Energjia dhe inteligjenca janë gjysma absolute e një gjeniu; ndërsa gjysma tjetër janë sundimi dhe pushteti. Dhe Aleksandri i Madh kishte një inteligjencë dhe energji të paparë, – shumë i ri në moshë – Luftonte dhe Fitonte!  Ai sundoi dhe kishte pushtetin, – ngriti Perandorinë më të madhe në botë.  Aleksandri i Madh apo Leka i Madh tashmë ishte shndërruar në mit. Ndër shekuj ai admirohet, vlerësohet dhe krahasohet me maturinë e Cezarit dhe urtësinë e mëncurinë e August-it. Ai admirohet dhe vlerësohet sikundër Napoleoni, sepse ai qëndroi i vetëm kundër gjysmës së botës. Imazhi i mitit të Aleksandrit na inkurajon me mendimin, energjinë dhe mëncurinë e jashtëzakonëshme që ekziston në forcën, pushtetin dhe madhështinë e një Perandori. Madje ndjejmë simpati dhe admirimim të natyrshëm për të; pavarësisht nga paragjykimet dhe mizoritë e tij, Aleksandri ishte një djalosh i ri, bujar dhe i dashur, i pakrahasueshëm, guximtar e trim i rrallë. Ai luftoi kundër trashëgimisë të cmendur të barbarizmit në gjakun e tij, dhe se përmes të gjitha betejave, kryqëzatave dhe gjakderdhjes, ai mbajti para syve të tij ëndrrën për të përhapur dritën e qytetërimit gjërësisht drejt një bote më të madhe.

 

Fundi i një epoke

Kur lajmi i vdekjes së Aleksandrit të Madh, mbërriti në Greqi, revoltat kundër autoritetit maqedonas shpërthyen ngado. Të mërguarit Teban në Athinë organizuan forcën speciale me patriotë e atdhetarë, të cilët rrethuan garnizonin maqedonas në Cadmeia. Biles, ishte grupi anti-maqedon në Athinë, që lutej vazhdimisht për vdekjen e Aleksandrit të Madh. Ishin po ata që kaluan në ekstazë deliri për vdekjen e tij, -dhe se lutjet e tyre tashmë u bënë realitet. Ata vunë kurora me gjethe thupre dhe festonin si të cmëndur për vdekjen e tij, – për ATË-të cilin ata vetë, dikur e kishin patur idhull dhe quajtur Perëndi, – do të shprehej Plutarku, – dhe ishin po ata të njëjtët ngadhnjimtarë, që këndonin tashmë këngët e triumfit e të fitores, sikur të ishin ata vetë, që e kishin mposhtur Aleksandrin e Madh!

Demosteni, oratori më i madh i Helladës, i cili urrente me fanatizëm maqedonasit, po shijonte lavdinë e tij. Gjatë fushatave të Aleksandrit, ai nuk ishte dalluar për mirë, madje u dënua edhe për marrje rryshfeti nga Harpalus.  Biles atëhere, Demosteni u dënua me burg për këtë, por ai mundi të arratisej nga burgu dhe jetoi nëntë muaj i fshehur në ekzil, në Troezen. Mbas vdekjes së Aleksandrit të Madh, ai u thirr përsëri dhe u dërgua emisar në Peloponez me qëllim të ringjallte e bashkonte aleatët në mbrojtje dhe për clirimin e Athinës. Forcat e bashkuara aleate të udhëhequra nga Demosteni marshuan drejt veriut, u përleshën me Antipaterin në Krannon dhe u asgjesuan. Një nga ushtarët besnikë e të vjetër, të cilit i mungonte ndjeshmëria e Aleksandrit ndaj kulturës athinase, vendosi kushtet më të  rënda e të vështira ndaj qytetit, duke iu kërkuar të paguanin kostot e luftës, të rimerrnin garnizonin maqedonas, të braktisnin kushtetutën demokratike dhe gjykatat, t’iu hiqej e drejta e votimit dhe të deportoheshin në vendbanimet koloniale,  të gjithë qytetarët që kishin në zotërim, më pak se dy mijë “drachmas” -vlera të dhuratave dhe të dorëzonin Demosthenes, Hyperereides dhe dy oratorët e tjerë anti-maqedonas. Demosthenes mundi të arratisej përsëri, kësaj here në Calauria dhe u strehua si refugjat në një tempull të shenjtë. I rrethuar nga ndjekësit maqedonas, ai piu shishkën me helm dhe vdiq para se të dilte para gjyqit të shenjtë.

Të njëjtin fund tragjik si të Demostenit, brenda vitit, pati edhe Aristoteli. Ai kishte kohë që nuk ishte më i dëshiruar dhe popullariteti i tij në Athinë kishte rënë ndjeshëm; Akademia dhe Shkolla e Isokratit nuk e pëlqenin atë jo vetëm si kritik por edhe si një kundërshtar të fortë, ndërsa bashkëkombasit e tij e shihnin atë si lider të grupit pro-maqedonas. Duke përfituar nga vdekja e Aleksandrit të Madh, ata ngritën akuza të rënda kundër Aristotelit, sikundër; pasazhe heretike nga librat e tij u paraqitën si dëshmi; gjithashtu ai u akuzua edhe për dhënien e titujve nderi e shenjtërimi diktatorit Hermeas, i cili, duke qenë skllav, nuk mund të ishte një hyjni. Aristoteli la qytetin në fshehtësi të plotë, se nuk dëshironte t’i jepte Athinës një shans të dytë, të mëkatonte kundër filozofisë. Athinasit e dënuan me vdekje në mungesë, sepse nuk kishin as mundësi as interes për ta ekzekutuar atë. Disa thonë që edhe Aristoteli piu helmin, por disa të dhëna të tjera mendohet se gjatë arratisjes ai u sëmur në stomak e cila i agravoi shumë shpejt dhe Aristoteli vdiq disa muaj pas largimit nga Athina, në moshën 63 vjeçare. Fundi i demokracisë helenike ishte një fund sa i dhunshëm, aq edhe i natyrshëm, në të cilën faktorët shkatërrimtarë ishin metodat e rebelimeve dhe trazirava të mirë-koordinuara; Shpata e Maqedonisë thjesht sa përforcoi goditjen përfundimtare. Filipi, Aleksandri dhe Antipater nuk e rrënuan krenarinë, qytetërimin dhe lirinë helene; ajo kishte rrënuar vetveten me kohë; rendin e qetësinë që ata e kishin ngritur e mbrojtur për shekuj me rradhë, duke u zgjeruar e përhapur deri në Egjipt dhe Lindjen e Largët; një qytetërim që në të kundërt mund të kishte pasur fundin e vet të një anarkie tiranike. Dhe ndërsa demokracia po prodhonte kaos në Athinë, monarkia po prodhonte kaos në Maqedoni, – dhjetëra luftëra të njëpasnjëshme, qindra vrasje dhe mijra ndërhyrje e pengesa në favor të lirisë – pa lavdinë shëlbuese të letërsisë, shkencës, filozofisë ose artit. Demokracia helene ishte e korruptuar dhe e paaftë, dhe duhej të “vdiste”. Por kur vitet e shekujt kaluan, njerëzimi kthente kokën pas në të shkuarën, dhe njerëzit kuptonin se sa bukur pati qenë lulëzimi dhe prosperiteti i saj; të gjitha gjeneratat e mëvonëshme të antikitetit iu ktheheshin pas shekujve të Perikliut e Platonit, -si zeniti i Greqisë së lashtë dhe gjithë historisë së saj.

Greqia dhe Maqedonia, marrëdhëniet ndër shekuj dhe Lufta për Pushtet.

Greqia helenike nuk e konsideronte vdekjen e Aleksandrit të Madh, si “Fundin e një Epoke”, përkundrazi, ajo e shihte atë si fillimin e kohëve “moderne”, dhe si simbolin e gjeneratës së re, të fortë dhe energjike. Më saktë Greqia nuk e shihte si ndonjë faktor në rënje, por ajo ishte e bindur në vetvete se kishte hyrë tashmë në fazën më të shëndëtshme të maturisë, dhe se liderët helenë ishin po aq madhështorë sa cilido lider në të kaluarën, me përjashtim të mbretit, që ishte i ri dhe i pashoq. Pra, në njëfarë mënyre qytetërimit helen nuk i kishte ardhur fundi i lirisë e krenarisë helene; përkundrazi, ai (qytetërimi helen) pushtoi zona të reja, duke u përqëndruar në disa drejtime, ndonëse formimi i perandorive të mëdha shkatërroi barrierat politike të mjeteve të komunikimit, kolonizimit dhe tregtisë. Në heshtje dhe vigjilentë, mijra helenë u zhvendosën në Azi dhe Egjypt, Epir dhe Maqedoni, dhe ata jo vetëm që luajtën rolin kryesor në ndërtimin dhe lulëzimin e Ionia-s, por gjaku dhe kultura greke hynë në brendësi të Azisë së Vogël, në Feniki dhe Palestinë, në Siri dhe Babiloni, përtej Efrates dhe Tigris, madje deri në Baktria dhe Indi. Një nga ndikimet më të mëdha të lulëzimit, guximit, gjallërimit të qytetërimit grek në histori ishin; letërsia, letrat, arti dhe kultura helene që kishin arritur gjerësisht një fitore si kurrë më parë.

Mbase kjo është arsyeja pse historianët e kanë shprehi t’i mbyllin faktet dhe ngjarjet historike të Greqisë me Aleksandrin e Madh; ata mendojnë se pas tij vjen historia! Shtrirja dhe kompleksiteti i botës përmbys çdo këndvështrim dhe pikëpamje konstante apo rrëfyese në vazhdimësi.  Nuk ishin vetëm tre monarkitë kryesore – Maqedonia, Seleucia dhe Egjipti; ka pasur njëqind qytet-shtete greke, e të gjitha kategorive të pavarësisë; ka pasur një labirint të aleancave dhe niveleve të ndryshme; kishte shtete gjysmë-greke në Epir, Judea, Pergamum, Bizant, Bithinia, Kapadokia, Galati, Baktria; dhe në perëndim ishin Italia Greke, dhe Sicilia, të shkëputura midis Karthage-it të lashtë dhe Romës së re. Zanafilla e rrënjëve të perandorisë së Aleksandrit të Madh, pati qenë e lidhur ngushtë me gjuhën, komunikimin, zakonet dhe besnikërinë e luftës për ekzistencë, për të mbijetuar. Ai nuk la pas njerëz të fuqishëm, dhe askush nuk mund të ishte i kënaqur me më pak sovranitet. Niveli i aftësive, karakteri dhe pangjashmëria i mbretërisë së re hodhi poshtë të gjitha standartet e demokracisë; vetëqeverisja, siç e kuptonin grekët, presupozonte një qytet-shtet, qytetarët e të cilit mund të mblidheshin në mënyrë periodike në një miting të zakonshëm; dhe për më tepër, -a nuk ishin filozofët e Athinës demokratike, që e patën gjykuar demokracinë si kurorëzimin e paditurisë, lakmisë dhe kaosit? Pasuesit e Aleksandrit – të cilët për këtë arsye quheshin Diadochi – ishin prijës maqedonas, të trajnuar me kohë, që sundonin me anë të shpatës; demokracia, me përjashtim të konsultimeve të rastit me ndihmën e tyre, kurrë nuk hyri në kokat e tyre. Pas disa sprovave të vogla me armë, që nxisnin më të vegjëlit, ata e ndanë perandorinë në pesë pjesë (321) – Antipater mori Maqedoninë dhe Greqinë, Lysimakus mori Trakën, Antigonus mori Azinë e Vogël, Seleucus mori Babyloninë dhe Ptolemeu mori Egjiptin. Ata nuk morrën në konsideratë të thërrisnin këshillin për konfirmimin e shteteve greke. Prej atëhere, me përjashtim të disa ndërhyrjeve të forta në Greqi dhe Republikës aristokrate të Romës, monarkia u vendos në Europë dhe zgjati deri në Revolucionin Francez.

*****

Parimi themelor i demokracisë është liria që grish kaosin; parimi themelor i monarkisë është autoritar që grish tiraninë, revolucionin dhe luftën. Nga Philip te Perseus, nga Chaeronea te Pydna (338-168), luftërat e jashtme civile të qytet-shtet-ve, jo vetëm që ishin shtojcë e luftërave të jashtme dhe të brendshme të mbretërive, porse edhe për shkak të prorogativës së pushtetit që tundonte qindra gjeneralëv, të cilët luftonin për fronin. Dhuna ishte aq e përhapur dhe e popullarizuar, aq mercenare dhe madhështore në Greqinë Heleniste, aq sa edhe në epokën e Rilindjes së Italisë.  Kur Antipateri vdiq, Athina u rebelua përsëri dhe vrau plakushin Focion, i cili pati sunduar atë, me sa më shumë mund e drejtësi, nën emrin e Antipater-it. Cassander, djali i Antipater, e rimori përsëri qytetin në emër të Maqedonisë (318), zgjeroi ekskluzivitetin e qiramarrësve në vlerën e një mijë dhrahmi dhe u largua si regjenti i tij filozof, dijetar dhe amator, Demetrius i Falerum, i cili i dha qytetit një dekadë; prosperitet dhe paqe. Ndërkohë Antigoni I-rë (“Ciklopi”) ëndërronte dhe shpresonte të bashkonte tërësisht perandorinë e Aleksandrit nën sundimin e tij; por ai pati disfatë në Ipsus (301), prej një komploti dhe e humbi Azinë e Vogël nga Seleucus I-rë. Djali i tij Demetri Poliorcetes (“Zaptuesi i Qyteteve”) çliroi Greqinë nga sundimi maqedonas, duke i dhuruar Athinës dymbëdhjetë vjet më shumë demokraci, si një nga “të ftuarit”, më me popullaritet dhe i pëlqyer i qytetit në Partenon. Ai solli kurtizanat të jetonin me të atje, me qëllim që të tërhiqte vëmendjen e të rinjve të demoralizuar dhe dëshpëruar, dhe të bënin dashuri me to. Ai korri një fitore të shkëlqyer detare mbi Ptolemeun I-rë në Qipro (308), dhe mbajti ishullin e Rodas-it të rrethuar për gjashtë vjet me mjete të reja rrethimi, por pa sukses. Ndonëse ai u kurorëzua mbreti i Maqedonisë në (294), i dha fund Pavarësisë Athinase me garnizone e komplote ushtarake, hyri në luftëra të reja si kurrë ndonjëherë, pësoi disftatë, u mund dhe u pushtua nga Seleucusi dhe në fund helmoi veten për vdekje. Katër vjet më vonë (279), duke marrë shkas dhe përfituar nga trazirat dhe rebelimi i shkaktuar nga lufta për pushtet në Mesdheun lindor, një hordhi Kelte (Celts), apo “gaulët” (“Gauls”) nën komandën e Brennus marshuan mespërmes Maqedonisë dhe hynë në Greqi. Brennus, -thotë Pausanias, “tregoi me gisht dobësinë e shtetit të Greqisë, sasitë e mëdha të argjendit dhe arit”. Në të njëjtën kohë shpërtheu kryengritja në Maqedoni nën udhëheqjen e Apollodorus; një pjesë e ushtrisë iu bashkua dhe ndihmoi të varfërit e irrituar dhe zemëruar në revanshin e herëpashershëm të grabitjes së tyre nga pasanikët. Gaulët, (Gauls) të drejtuar nga një udhërrëfyes grek, gjetën rrugën e tyre përmes kalimeve të fshehta përreth Termopileve, vranë dhe plaçkitën pa dallim dhe hynë në Tempullin e pasur në Delfi. Të zmbrapsur me dhunë dhe të imponuar nga stuhia e fuqishme që filloi, e cila në fenë e tyre nënkuptonte mbrojtjen e Tempullit të Shenjtë të Apollos. Brennus u tërhoq me turp dhe vrau veten, ndërsa gaulët e mbijetuar ikën drejt Azizë së Vogël.

“Ata therrën e masakruan të gjithë meshkujt”, shkruan Pausania, -dhe po me të njëjtën mënyrë masakruan edhe gratë e moshuara, dhe foshnjat që pinin në gjirin e nënës së tyre; iu pinin gjakun dhe hanin mishin e freskët e të shëndetshëm të tyre. Gratë guximtare dhe vajzat e reja kryen vetëvrasje, ata/ ato që mbijetuan iu nënshtruan cdo lloj dhune e mizorie. Disa prej grave me guxim u hodhën në shpatat e Gaulëve që të vdisnin; të tjerëve vdekja u erdhi nga mungesa e ushqimit dhe pagjumësia, pasi këta barbarë të pamëshirshëm i vranë ata, i përdhunuan dhe shfrynë epshet e tyre, pa pyetur në ishin duke dhënë shpirt apo ishin të vdekur. ”

Mbas disa vite vuajtje, rrënimi e shkatërrimi, Grekët e Azisë, korruptuan pushtuesit dhe i bindën ata të vendoseshin në Phrygia-n veriore (aty ku kolonitë e tyrë njiheshin si Galatia), Thraka (Traki) dhe Ballkani. Përgjatë dy brezave, Gaulët (Gauls) vunë taksa të larta dhe mbollën frikën nga haraci që duhet t’i paguanin Seleucusit të I-ë dhe qyteteve greke në brigjet aziatike dhe Detit të Zi; vetëm Bizantinët u paguanin atyre rreth $240,000 në vit. Ndërsa perandorët dhe gjeneralët e Romës u angazhuan t’i zbythnin sulmet e barabarëve, në shekullin e tretë pas Krishtit, – ashtu sikundër mbretërit dhe gjeneralët e Pergamum, Seleucia dhe Maqedonia, të cilët dhanë mbështje dhe energji të jashtëzakonëshme, në shekullin e tretë para Krishtit, të zmbrapsin valët e urrejtjes e zemërimit të invadimit kelt (Celtic). Gjatë gjithë historisë, qytetërimi i lashtë përjetoi epërsinë e një barbarizmi që vazhdimisht i kanosej për ta zhdukur atë. Kurajoja dhe guximi stoik i qytetarëve, të cilët vazhdimisht ishin në dijeni të rrezikut dhe ishin të përgatitur për këtë; teksa stoicizmi po jepte shpirt në Greqi ekzaktësisht në kohën e formulimit klasik të emrit të saj. Antigoni II-ë, i biri i Demetrius Poliorcetes, të cilin e thërrisnin “Gonatas”, për arsye të panjohura, dëboi Gaulin nga Maqedonia, shtypi kryengritjen e   Apollodorus dhe sundoi Maqedoninë me zgjuarësi, gjakftohtësi e drejteësi për tridhjetë e tetë vjet (277-39). Ai i dha prioritet dhe dorëhapësi letërsisë, shkëncës, dhe filozofisë, solli poetë si Aratus i Solit në oborrin e tij mbretëror; krijoi një miqësi të përjetëshme me Zeno -Stoikun. Antogoni II-ë ishte nga të parët që krijoi hendekun mes mbretërve filozofë, lidhje që u ndërpre përfundimisht me Marcus Aurelius. Sidoqoftë, gjatë sundimit të tij, Athina bëri lëvizjen e fundit për liri. Në vitin 267 partia nacionaliste erdhi në pushtet nën udhëheqjen e pasuesit të Zenonit, djaloshi Kremonides. Ai shtiri në dorë ndihmën e Egjiptit, përzuri trupat maqedonase dhe shpalli Athinën e lirë. Antigonusi iu kthye përsëri lakmisë së tij të hershëme dhe rimori qytetin në (262), forcoi ligjet dhe u shndërrua në dikushi që respektonte filozofinë dhe të moshuarit. Ai vendosi garnizone ushtarake në Pire, në Sallamitë dhe në Sunium, dhe lidhi aleanca lufte me Athinasit; megjithëse pjesën tjetër të qytetit ai e la tërësisht të lirë. Disa prej shteteve helene e zgjidhën paqësisht cështjen duke fituar pjesërisht pavarësinë me kusht. Rreth vitit 279, Etolia e vogël (Vendi I Shqiponjave) u mbipopullua njësoj si Maqedonia e përgjysmuar nga barbarët, por që kurrë nuk u pushtua nga veriorët, kështuqë filloi të organizonte qytetet-shtetet e Greqisë veriore, kryesisht ato të Amfitiatisë Delfike, pjesë e aleancave Etoliane, Akejane të Patrëss, Dyme, Pella, dhe vendbanimet e tjera përqark  qytet-shteteve të Peloponezit, bënë paqen dhe ndërmorën  masat të përbashkëta ekonomiko-financiare në të gjithë zonën- një arritje dhe bashkëpunim,  që e vlerëson shekullin e tretë në disa drejtime politikisht më mirë dhe më të zhvilluar  se në epokën e Perikliut. Liga Akejane u shndërrua në një shtet nga më të fuqishmit nga Aratus i Sykon-it. Në moshën njëzet vjecare, djaloshi Themistokli vetëm me një grusht luftëtarë cliroi Sykon-in nga diktatori i saj. Me oratori dhe bisedime serioze, të mprehta e të mëncura, që ai zhvilloi kudo në Peloponez, me përjashtim të Spartës dhe Elisit, që iu bashkuan Ligës, strategji kjo që zgjati dhjetë vjet (245-35). Me disa qindra luftëtarë ai hyri fshehurazi në Korinth, kaloi përmes Akrokorithus pothuajse të pakalueshëm, coi trupat maqedonase dhe i ktheu qytetit lirinë.   Duke kaluar përmes Tiraeus, ai korruptoi garnizonin maqedonas të mos bënin rrezistencë dhe hyri si clirimtar në Athinë.  Që prej atij momenti e deri te pushimi i Romës, Athina gëzoi vetqeverisjen unike dhe jo aq të fuqishme ushtarakisht, -vecse nuk u prek nga shtetet e tjera helenistike për arësyen se universitetet e saj shndërruan atë, – kryeqytetin e shkencës, dijes e mëncurisë greke. Athina i hapi rrugën filozofisë dhe me vetëdije i qëndroi larg politikës. Por kur ato ishin në kulmin e fuqisë së pushtetit, të dy ligat filluan të dobësohen nga grindjet dhe lufta klasore brenda llojit. Në vitin 220 Lidhja Etoliane, me Spartën dhe Elisin, luftuan “konfliktin social” ndaj Ligës Akajane dhe Maqedonase. Aratus, përvecse mbrojtës i lirisë, gjithashtu ai ishte edhe mbikqyrës financiar; në cdo qytet mbështeste pronarët e tokës. Të varfërit ankoheshin se nuk mund të merrnin pjesë në kuvendet që zhvillonte Liga, për shkak të largësisë që nuk mund ta përballonin, -që nënkuptonte heqjen e të drejtës së votës. Ata ishin skeptikë të asaj lloj lirie që do të thoshte privilegjim i të pasurve dhe të pushtetshmve, për të shfrytëzuar të varfërit e të dobëtit; gjithnjë e më shumë duartrokisnin demagogët të cilët bënin thirrje për rishpërndarjen të pronës. Njësoj si paria e një shekulli më parë, të varfërit filluan të përkrahnin Maqedoninë përkundrejt qeverisë së tyre. Megjithatë, Maqedonia u rrënua prej sinqeritetit dhe besnikërisë së Antogonusit së III-ë. Ai kishte erdhur në pushtet si mbikqyrës i djalit të gjetur, thjeshtër- Filipit, dhe pati premtuar t’ia dorëzonte fronin, kur Filipi të ishte më i rritur. Cinikët e kohës e quajtën atë “Doson” -The Promiser-me sa duket, edhe pse ai po i gënjente, ata e besonin. Gjithsesi, ai e mbajti fjalën dhe në vitin 221 Filip V-ë, shtatëmbëdhjetë vjeçar, filloi mbretërimin e tij të gjatë përmes luftrave dhe intrigave.  Ai ishte kurajoz, guximtar, i zgjuar dhe skrupuloz. Ai joshi gruan e Aratussonit, helmoi Aratusin, vrau djalin e tij me dyshimin për komplot, dhe helmoi gjatë një banketi me verë të gjitha ata që i rezistuan dhe kundërshtuan kauzën dhe planet e tij. Ai zgjeroi kufijtë dhe rriti mirëqënjen e Maqedonisë, dhe e la atë më të populluar dhe më të begatë se sa njëqind e pesëdhjetë vitet e kaluara. Por në vitin 215, Filip V-ë i trembur dhe tmerruar nga rritja e pushtetit të Romës, bëri gabimin historik të alencës me Hannibalin dhe Karthage. Një vit më vonë, Roma i shpalli luftë Maqedonisë dhe filloi pushtimin e Greqisë.

Postscriptum

Shkruar sipas veprës të titulluar “The life of Greece” e Will Durant.

Will Durant-(5 nëntor 1885 – 7 nëntor 1981) ishte shkrimtar, historian dhe filozof amerikan. Ai u bë tepër i njohur për veprat e tij voluminoze, sikundër “Historia e qytetërimit”, me 11 vëllime të shkruar në bashkëpunim me gruan e tij Ariel Durant, që u botuan në mes të viteve 1935-ë dhe 1975-ë. The Life of Greece”, është njëra prej veprave të tij, botuar për herë të pare në vitin 1939 e shekullit të kaluar, ku Durant-e përshkruan historinë e sistemit qeverisës në lashtësinë greke, industrinë, parimet, zakonet e doket morale të jetës e në shoqërinë e atij sistemi, besimi fetar, filozofinë, shkencën, letërsinë dhe artin, – që prej lashtësisë deri në pushtimin romak.

*Përgatitur nga Raimonda MOISIU

Filed Under: Histori Tagged With: Greqia, Lufta, Maqedonia, Raimonda Moisiu

Kosova 2018, rritje ekonomike 4.3 përqind

December 27, 2018 by dgreca

-Ministri  Bedri Hamza: 2018-ta, vit i suksesshëm për Ministrinë e Financave të Kosovës/

1 Ministri i financave Kos.jpg

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 27 Dhjetor 2018/ Vit të suksesshëm për Ministrinë e Financave të Qeverisë së Kosovës e ka vlerësuar 2018-tën ministri  Bedri Hamza sot në konferencën e fundit për shtyp për këtë vit fiskal.

“Duke ju falënderuar punës së madhe të stafit të Ministrisë së Financave, ne si Ministri po e përmbyllim një vit shumë të suksesshëm. Falë angazhimi të madh të stafit të MF-së dhe  një bashkëpunimi të shëndoshë me donatorët kemi arritur të nënshkruajmë 25 marrëveshje financiare, 17 prej tyre janë marrëveshje grant në vlerë prej 181 milionë euro”, u shpreh ai.

Ministri Hamza gjithashtu theksoi se gjatë vitit 2018 Ministria e Financave ka performuar lartë në fushën legjislative – janë proceduar në Kuvendin e Kosovës 14 ligje.

Ndërsa, sa i përket reformave fiskale, ministri Hamza bëri të ditur se gjatë vitit 2018  është bërë reforma më e madhe ekonomike që ka ndodhur ndonjëherë në vend, , duke filluar nga lirimet nga tatimin doganore për lëndën e parë, gjysmë produkti, linjat e prodhimit, pjesët rezerve dhe pajisjet e IT-së, si dhe lirimi nga tatimi i akcizës për lëndët ndihmëse në procesin e prodhimit.

Ministri Bedri Hamza bëri të ditur se performanca ekonomike mbetet solide, me tendencë përmirësimi. Sipas tij, Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 4.3 %, ku investimet private dhe publike, si dhe eksportet janë kontribuuesit kryesorë të  kësaj rritje.

Ai gjithashtu theksoi performancën e lartë të Ministrisë së Financave në kryerjen e obligimeve ligjore dhe përgjegjësive që ka në menaxhimin e financave publike, ku sipas tij sot MF ka arritur të kryejë të gjitha transferet sociale dhe transferet e pagave, si në nivelin qendror ashtu edhe atë komunal.

Ndërsa, sa i përket të hyrave buxhetore, ministri Hamza bëri të ditur se ka pasur rritje prej 6 për qind, ku të hyrat tatimore kanë qenë 1.5 miliard euro, shumë e cila pritet të rritet për disa milionë euro deri në fund të vitit, respektivisht deri në 31 dhjetor 2018.

Ministri theksoi se në mospërmbushjen e planit të të hyrave  ka ndikuar performanca e dobët komunave. Ai bëri thirrje për një angazhim dhe përkushtim më të madh nga komunat sa i përket të hyrave komunale.

Ministri Hamza tha se sa i përket shpenzimeve buxhetore një ndër sukseset më të mëdha në këtë vit është që për herë të parë që nga 2013-ta  investimet kapitale kanë kaluar shumën  mbi 500 milionë euro.

“Bilanci bankar është në një nivel shumë të mirë dhe presim që këtë vit të jetë 385 milionë euro, krahasuar me vitin e kaluar kur ishte 358 milionë euro. Ndërsa, deficiti buxhetor ka qenë i projektuar për 2 për qind dhe sipas rezultateve shihet që deficiti primar është 0.9 për qind”, shtoi ministri Hamza.

Ai falënderoi gazetarët për bashkëpunimin dhe qasjen profesionale ndaj Ministrisë së Financave, si dhe shfrytëzoi rastin që të urojë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për festat e fundvitit dhe për një vit të mbarë në 2019-tën.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Kosova 2018, rritje ekonomike. 4.3 përqind

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1160
  • 1161
  • 1162
  • 1163
  • 1164
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT