• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Adem Demaçi përjetëson amanetin e tij në VATËR

April 2, 2021 by dgreca

-Kolana e veprave të zgjedhura të Adem Demacit, lënë amanet nga vetë ai përmes të birit Shqiptar Demaci, u përcoll sot në Vatër nga Dr. Skënder Murtezani, kryetar i degës së Vatrës në Queens, NY.

Adem Demaçi përjetëson amanetin e tij në VATËR. Pak para se të mbyllte sytë z.Demaçi la një amanet që e tërë krijimtaria e tij letrare, politike dhe filozofike të prehet në VATRËN shqiptare të Amerikës. Shqiptar Demaçi i biri Adem Demaçit i dorëzoi përmes mikut të tij, Doktor Skënder Myrtezanit tërë krijimtarinë e tij të çmuar. Kjo është një pasuri e jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar në USA e cila do jetë e aksesueshme edhe për studjues, historianë e albanologë e kërkues shkencorë nga Universitetet perëndimore dhe e gjithë hapsira shqipfolëse. Kjo pasuri kulturore e letrare e bën të pavdekshëm kujtimin e veprës dhe idealeve të Adem Demaçit.

 Ja lista e librave që këtu e tutje do të jenë në dispozicion jo vetëm të vatranëve:

  1. FERKIME
  2. Gjarpërinjtë e Gjakut
  3. Libër për Vet Mohimin
  4. Heli e Mimoza
  5. Nëna Shegë e pesë gocat.
  6. Shkrumbnajë e Dashuri
  7. Dashuri Kuantike e Filanit
  8. Alb Prometeu
  9. Politika dhe Pushka
  10. Tung vargu im

Filed Under: Opinion Tagged With: Adem Demaci, Dr. Skender Murtezani, vepra ne Vater

Labinot Ramadani pasioni për muzikën dhe aktrimin

April 2, 2021 by dgreca

Nga Ermira B., Nju Jork/ Labinot Ramadani njihet në skenën artistike me emrin “Lab” lindur në vitin 1984 në Rahovicë, Ferizaj të Kosovës. Është këngëtar, aktor dhe shkruan tekse këngësh. Shkollën e mesme ekonomike e ka kryer në Ferizaj në 2004. Që nga viti 2006 jeton në Gjenevë, Zvicër bashkë me familjen. 

Në fëmijëri ka patur pasion karatenë, futbollin dhe këndimin. Është marë me aktrim në vitet 2000 deri 2006 nëpërmjet teatrit modern “Po Po” në Ferizaj. Nëpërmjet trupës së teatrit ka luajtur shfaqe në Gjermani, Amsterdam, Roterdam, etj dhe ka fituar disa vende të para. Përkatësisht dy shfaqet “Futja pa lidhje del me lidhje” (2005) dhe “Ku janë” (2001) me regji të Resul Jusufit kanë marrë vendin e parë në Kosovë. 

Labinot Ramadani ka luajtur në disa filma me metrazh të shkurtër në Francë dhe Zvicër si “Confiance” (2009) dhe “Les Histoire” (2011). Njihet për rolet në shfaqet e suksesshme teatrale: “Ku Janë” (2001), “Hijet dhe dritat” (2002), “Alajdini” (2003), “Kur s’ka a ka” (2004), “Futja palidhje del me lidhje” (2005), etj.

Si pjesë e trupës Teatri Modern “Po Po” Ferizaj, Labinot Ramadani mori mirënjohje nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport për pjesëmarrjen në Festivalin e Teatrove të Kosovës 2003 për dramën “Kur s’ka a ka” me autor dhe regji të Resul Jusufi. Me rastin e “Javës së kulturës” teatri modern “Po Po” mori vendin e parë për manifestimin tradicional mbajtur më 24-30 mars, 2001. Gjithashtu trupa teatrale mori një mirënjohje nga Kuvendi i komunës Fushë-Kosovë për pjesëmarrjen në manifestimin “Jeta Teatrore Fushë-Kosova 2002”, nderim për trupën e teatrit modern “Po Po” Ferizaj. 

Muzikën e ka patur pasion që në fëmijëri, dhe 7 vitet e fundit është marrë me shkrimin e teksteve të këngëve. Në vitin 2019 muzikën e mori seriozisht dhe ka lançuar tre këngë: “Anila” (2019), “Zemra” (2020) dhe “Katile” (2021). 

Përveç muzikës dhe aktrimit, Labinot Ramadani edhe pikturon. Ka mbi 60 piktura abstrakte dhe ka mbajtur dy ekspozita në Gjenevë. 

Intervistë me artistin Labinot Ramadani “Lab”

Urime për videoklin e ri “Katile”? Si u mirëprit kënga dhe videoklipi?

Labinot Ramadani: Faleminderit shumë. Mendoj që kënga dhe videoklipi janë pritur mirë dhe e falenderoj shumë publikun për mbështjen e tyre të vazhdueshme. Ju jam mirënjohës me aq ngrohtësi që më kanë pranuar. Video klipi u lançua me datën 20 mars 2021 dhe është vërshuar nga klikimet. Jam gëzuar shumë që kënga është pritur shumë mirë. 

Me kë keni bashkëpunuar pë realizimin e videoklipit? 

Labinot Ramadani: Për realizimin e videoklipit kam bashkëpunuar me kompaninë XL Films, me një ekip të shkëlqyer, që i falenderoj për punën profesionale. Realizimi i videoklipit është bërë një pjesë në natyrë në vendlindjen time në Rahovicë, dhe një pjesë në ambjet të mbyllur në Prishtinë. 

Idenë e inspirimit të këngës dhe tekstin mund ta di më së miri i nderuari ALBOS, sepse i ka bërë të gjitha. Mua më është propozuar ideja për projektin dhe e kam pranuar. 

Na tregoni pak për fillimet e tua në muzikë? Kur filluat ta merrni muzikën më seriozisht si profesion? 

Labinot Ramadani: Vazhdimisht kam shkruar tekste këngësh, ndërsa në lidhje me muzikën kam kënduar më herët, që në moshën 10 vjeçare. Kam kënguar në aktivitete shkollore gjatë shkollës së mesme. 

Muzikën e kam marrë seriozisht në vitin 2019, kur kam patur një takim të rastit me të madhin mbretin e muzikës Blerim Muharremi, që njihet në skenë Blero. 

Më seriozisht muzikën si profesion e mora pas projektit tim të parë të këngës “Anila”. Pashë që u prit mirë nga publiku dhe me një motivim nga Blero, fillova të angazhohem me seriozitet. 

Të cilit zhanër e karakterizoni muzikën tuaj?

Labinot Ramadani: Mendoj baladë moderne urbane. 

Mund të na tregoni pak më tepër për këngën tuaj të parë “Anila” dhe inspirimi për të?

Labinot Ramadani: Emigrova si i ri nga vendlindja. Dhe kur kuptova se po bëhem baba, ishte një ndjenjë tepër e veçantë, që besoj që mund ta kuptoj çdokush që është prind, diçka që nuk përshkruhet. U gëzova shumë kur u bëra baba dhe i këndoja herë pas here vajzës time, Anilës. Kështu mendova që t’ia bëj një këngë dedikuese asaj. Ndjeja nevojën që t’a gravoj diku këtë emocion dhe dashuri që ndjeva, sepse dhe shkruaj nga pak dhe tekstin e plotësoja çdo herë nga dashuria që ndjeja dhe që me jipte Anila. 

Cilat janë disa nga projektet e tjera të tua muzikore që keni?

Labinot Ramadani: Kam disa projekte të bukura dhe kur të jetë koha e përshtatshme do t’i ndaj me publikun. 

Keni patur sukses si aktor në teatër dhe film. Si kanë qenë përvojat në teatër dhe në ekran për ju? 

Labinot Ramadani: I dua të dyja si teatrin edhe filmin dhe kam patur një eksperiencë shumë të mirë. Kur je në teatër është një emocion i veçantë që e ndjen për momentin dhe nuk e kthen dot mbrapa. Ndërsa në film është një adrenaline. Të dyja më japin një emocion dhe kënaqësi që rrallë. E dua aktrimin dhe e shoh veten në botën e filmit.

Cilat performanca do veçonit nga shfaqet teatrale që ishin më mbresëlënse për ju dhe pse?

Labinot Ramadani: Po, mund të them që shfaqja “Ku janë” me regji të Resul Jusufit, shfaqe kushtuar të zhdukurve viktimave, dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për liri që ne gëzojmë sot, temë aktuale edhe sot. Si dhe shfaqja “Kur ska, a ka” që ka të bëjë me izolimin si shoqëri. Dhe kjo është temë aktuale sot sepse jemi i vetmi popull i izoluar pa të drejtë në Ballkan. 

Kush ka qenë mentori juaj që ju ka mbështetur dhe udhëzuar në artin e aktrimit? 

Labinot Ramadani: Kam bashkëpunuar me regjisorin Resul Jusufi, me të ndjerin Faruk Begoli, Milihate Çena, Fatmir Hyseni, etj. Me z. Resul Jusufi kam konsiderate të madhe, e çmoj dhe admiroj si njeri dhe artist. Resuli ka qenë rruga ime që m’i ka hapur të gjitha dyert si artist. Dhe ka qenë inspirimi për mua dhe e falenderoj për këtë. 

Mund të na tregoni më tepër për fillimet në aktrim dhe fillimet me Teatrin Modern “Po Po” në Ferizaj?  

Labinot Ramadani: Aktrimin e kam filluar në vitin 2000. Kemi patur disa shfaqje të suksesshme me regji nga Fatmir Hyseni, si “Hije dhe drita”, e cila ka fituar vendin e parë. Po ashtu dhe shfaqje “Futja pa lidhje del me lidhje” me regji nga Resul Jusufi, që mori vendin e parë.

Teatri modern “Po Po” në Ferizaj ka qenë i vetmi në Kosovë në atë kohë, si teatër i mimikës, pantomimës dhe gjestikulacionit, me mimikë dhe gjeste pantomime dhe me qëndrim skenik. Nuk ka patur tjetër përveç këtij. Në vitin 2002 bashkë me grupin teatral kemi bërë festivalin e llojit “cirku i rrugës”, që u mbajt mend shumë. Ky ishte karnavali i parë në Kosovë, që u mbajt në të gjitha qytetet e Kosovës pas lufte. 

Ku e gjeni veten më shumë midis muzikës apo aktrimit?

Labinot Ramadani: Edhe teatri dhe muzika janë pjese e botës time artistike.  Mendoj që e gjej veten në të dyja – muzika dhe aktrimi, edhe te dyja si artist besoj që më kompletojnë.  

Çfarë do të thotë muzika për ju? 

Labinot Ramadani: Muzika është ushqimi i shpirtit, që të inspiron për gjithçka në jetë.

Projektet e tuaj të rradhëse nëse mund t’i ndani me lexuesit tanë?

Labinot Ramadani: Besoj projektin e radhës do e kem nga vjeshta, detajet e tjera do jenë surprizë. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Ermira B, Labinot Ramadani, muzika dhe aktrimi

Në vend të homazheve për autorin e librit “Cafo Beg Ulqini…”

April 2, 2021 by dgreca

Shkruan: Dr. Nail  Draga– Në Prishtinë, më 18 mars 2021, në moshën 86 vjeçare vdiq Fahri Buçinca, veteran i arsimit dhe autor i disa botimeve më vlera shkencore e kulturore. Duke qenë dhëndër i Ulqinit, ka treguar një interesim të veçantë për figurën e Cafo Alibegut, i cili ka qenë personaliteti më i njohur i Ulqinit në shek.XX. Eshtë meritë e tij  dhe bashkëshortës së tij Naxhije Alibegaj, mësuese e nderuar, që për 40 vite kanë mbledhur lëndë me interes për  këtë personalitet emblematik, që u kurorëzua me botimin e librit “Cafo Beg Ulqini-jeta dhe veprimtaria politike”,Art Club, Ulqin, 2009. Ishte ky botimi i parë kushtuar këtij personaliteti të anatemuar nga pushteti monist  i kohës, duke qenë dhuratë për qytetarët e Ulqinit dhe më gjerë, me qasje shumëdimensionale për kohën kur ka jetuar e vepruar Cafo Begu.

Në nderim të autorit. më këtë rast po ribotoj recensionin për këtë libër, me rastin e përurimit të mbajtur në Ulqin, më 5.7.2009). 

MONOGRAFI QË I KA MUNGUAR LITERATURËS SHQIPE

Fahri Buçinca, CAFO BEG ULQINI-jeta dhe veprimtaria politike, Botoi: Art Club, Ulqin 2009

Gamës së gjerë të botimeve që trajtojnë tema në lidhje me shqiptarët në Mal të Zi iu shtohet edhe  një botim më vlera të veçanta. Fjala është për monografinë me titull  CAFO BEG ULQINI-jeta dhe veprimtaria politike, të autorit Fahri Buçinca.

Është ky një botim i veçantë i cili i ka munguar literaturës sonë në shqip, sepse personaliteti i Cafo Begut ka qenë i anatemuar nga pushteti i kohës sikurse disa  figura të tjera madhore kombëtare shqiptare. 

Nuk ka dilemë së një veprim i tillë nga pushteti komunist bëhëj me qellim, sepse figurat madhore ishin vazhdimisht pengesë për realizimin e planeve të tyre djallëzore. Duke i  sulmuar dhe dhënë epitete të ndryshme negative këtyre figurave tentohej që ata të largoheshin nga kujtesa e popullit. Por edhe pse diçka të tillë perjetoj edhe vet Cafo Begu ai mbeti i pamposhtur sepse   është personaliteti më i madh politik që ka dhënë Ulqini deri më sot.

Në saje të një atmosfere dhe absurditeti të tillë për Cafo Begun ka qenë e ndaluar të flitej sepse pasonin masat ndëshkuese, ndërsa të rinjtë kanë pasur mundësi vetëm të kenë dëgjuar për emrin e tij, e asgjë më shumë. Por,  duhej të ndodhnin ndryshime të mëdha për të pasur mundësi për të folur dhe shkruar për figura të tilla kombëtare siç ishte Cafo Begu. 

Dhe pikërisht rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989, ishte fillimi i fundit të sistemit komunist që pësoi disfatë  në vitin 1990, me aplikimin e pluralizmit politik. Pikërisht nga ajo kohë ngjarjet dhe figurat e anatemuara filluan të ringjallën me dimensionin e tyre të vërtetë, e jo ashtu siç na e kishin imponuar pushtetarët dhe kalemxhinjtë e tyre vite më radhë. 

Autori në ketë botim na ofron të dhëna me interes për jetën dhe veprimtarinë politike të Cafo Beg Ulqinit, nga rinia e tij e deri në momentin e vdekjes së tij në Shkodër më 24.12.1977 në Shkodër. Të dhënat e prezantuara përfshijnë jo vetëm një regjion të ngushtë siç është Ulqini me rethinën e tij, por pothuaj edhe hapësirën mbarëkombëtare.

Duke e redaktuar ketë libër  kam përjetuar momente të veçanta emocionale, sepse për të parën herë kisha mundësi të njihem me jetën dhe veprimtarinë  e Cafo Begut dhe vëllaut të tij Hodo Begut. Veprimtaria dhe jeta e tyre paraqet një dramë të veçantë familjare, që në një farë mënyre janë sinonim i vuajtjeve të përgjithshme të shqiptarëve në ketë mjedis. Nuk ka dilemë se diçka të tillë do të përjetojnë edhe lexuesit e këti libri  e në veçanti ata familje  apo pasardhësit e tyre që i  kanë përjetuar maltretimet dhe ndeshkimet e ndryshme nga ana e pushtetit të kohës.

Në  saje të këti botimi për të parën herë kemi mundësi të njihemi edhe me emra të personave dhe familjeve të ndryshme të cilët e kanë ndihmuar apo kanë qenë bashkëmenditarë të Cafo Begut. Po ashtu këtu për të parën herë paraqitet një regjistër i indivdëve të pushkatuar, dënuar dhe të përsekutuar nga ana e pushtetit komunist. Nuk ka dilemë se sëcili prej tyre paraqet çështje në vehte sepse kanë përjetuar maltretime dhe torturime të ndryshme. Të dhënat e prezantuara këtu janë vetëm epizodike, që meritojnë një qasje të veçantë për të ndriçuar të vertetën e kohës.

Por, pa dyshim  se në ketë aspekt një familje  paraqet ekzemplarë të veçantë të  qendrimit. Fjala është për familjen e Simon Gjokës-Shkrelit nga Shën Gjergji e cila për besë, nder e burrni ka vuajtur shumë. Madje vuajtjet e tyre janë biblike që pak kush mund ta imagjinojë, që shkon deri në atë nivel duke shpallur të vdekun djalin e gjallë. Një sakrificë  të tillë sublime kanë mundur ta  përjetojnë vetëm familjet me dinjitet të jashtëzakonshëm të karakterit  dhe besës shqiptare.

Ndonëse Cafo Begu pas arratisjës nga  janari i vitit 1953 jetonte në Shqipëri përkatësisht në  Shkodër ku edhe vdiq në vitin 1977, në moshën 85 vjeçare, ai kishte nostalgji të madhe për Ulqinin e tij. Me interes është një detal nga një takim që ka pasur një ulqinak në vitin 1972  më Cafo Begun në Shkodër në dyqanin ku ka punuar të Dugajt e Reja, ku në mes tjerash ai e ka pyetur së “a ka me e permend kush emnin tem në Ulqin”. 

Nëse emri i tij deri me rënien e sistemit komunist ka qenë i anatemuar, më vendosjen e pluralizmit ai filloj të marrë përmasat reale. Dhe botimi i këtij libri, dëshmon në mënyrë bindëse së Cafo Begu, është pjesë e pandarë e Ulqinit dhe si i tillë do të jetë përherë.

Në libër jepën të dhëna më interes më rastin e  vendosjes së komunistëve në Ulqin në nëntor  1944 dhe instalimit të pushtetit të tyre ku  pushtetarët e rinj burgosen, përsekutuan dhe pushkatuan një numër të konsideruar të qytetarëve të Ulqinit dhe viseve tjera, që kanë qenë përkrahesit e Cafo Begut. Dhe në ketë situatë për jetë a vdekje Cafo Begu më disa bashkëluftëtar dual në ilegalitet(nëntor 1944-janar 1953). Kjo periudhë kohore paraqet sakrificën më të madhe për jetë a vdekje sepse ai ndiqej në të gjitha anët, por ishte populli ai që e strehoj dhe e mbajti duke rrezikuar jetën e tyre si në Anë të Malit, Krajë, Shtoj, Tivari i Naltë, Shkodër e përfundimisht në Ulqin.

Cafo Begu ishte në mes dy zjarrëve. Ai  ndiqej nga të dy regjimet si në Shqipëri dhe Jugosllavi. Kjo ishte fatkeqsi e madhe sepse të ndiqej individi i cili ka punuar për çështjen kombëtare ishte utopi e kohës. Sepse  bashkimi i tokave shqiptare më shtetin amë Shqipërinë nuk mund ti mveshet Cafo Begut krim, sepse këto ishin qasjet e idealistëve kombëtarë, që janë prezantuar gjatë okupimit italian dhe ati gjerman. Madje një ide e tillë fillimisht ka qenë e përkrahur edhe nga komunistët në fillim të Luftës së Dytë Botërore, por më pas ata devijuan platformën e tyre, ku si dëshmi transparente na shërben   mbledhja historike e Mukjes. Nga një devijim i tillë del se atyre nuk iu ka interesuar çështja kombëtare shqiptare në përgjithësi, por marrja e pushtetit dhe instalimi i sistemit komunist i cili pati pasoja të mëdha për popullin shqiptarë. 

Autori i këtij  libri meriton falënderim të veçantë sepse ai ka treguar  angazhim serioz disavjeçar duke mbledhur e përpunuar një material të gjerë dhe shumëdimensional për figurën e Cafo Begut. Autori me një durim i cili është për admirim nuk është zhgenjyer as atëherë kur i kanë munguar të  dhënat e nevojshme për ca periudha përkatëse, apo kur individ të ndryshëm kanë refuzuar e ngurruar për të dhënë informacionet e duhura.

Ky botim  në një farë mënyre paraqet një dosje të çështjeve deri më tash pak apo aspak të njohura për mjedisin tonë. Andaj kur të lexohet ky libër do të kemi mundësi të gjykojmë për individet dhe rrethanat e kohës. 

Nuk ka dilemë se ky libër do të hap debate të natyrave të ndryshme. Por, jemi të mendimit se vetëm një debat i tillë do të jetë në favor të këtij botimi, sepse të dhëna të reja do të plotësojnë figurën komplekse të Cafo Begut. Ky botim avancon njohuritë për ketë personalitet dhe të bashkëmendimtarëve të të tij, ndërsa  edhe këto të dhëna janë të mjaftueshme për të kuptuar se historia e jonë meriton të rishkruhet, me dokumenta dhe fakte konkrete pa paragjykime dhe qasje ideologjike. Pikërisht nga ky konstatim, nuk dyshojmë se në sajë të të dhënave të reja që do të ofrohen, janë të gjitha gjasat që  botimi i dytë  të jetë i plotësuar dhe i zgjëruar.

Vlerë e veçantë e këtij botimi është së ai është  paisur me një numër të konsideruar të fotografive të cilat për të parën herë i prezatohen opinionit.

Duke e lexuar këtë libër  del qartë së ka ardhur koha që për ngjarjet apo figurat e ndryshme kombëtare të shkruhet e vërteta sepse gjatë periudhës së komunizmit na është imponuar një realitet tjetër. Një dukuri e tillë nuk është çudi sepse historinë e kanë shkruar fitimtarët duke ia përshtatur interesave të tyre me ngjyrim ideologjik. Ndërsa sot në rrethana të tjera është obligim moral dhe profesional që të shkruhet e vërteta ashtu si ka qenë duke u bazuar në fakte dhe argumente të kohës. Ngjarjët e kohës së Cafo Begut që na dëshmohet madje edhe përmes individeve pjesëmarrës të drejtpërdrejt, dëshmojnë një realitet tjetër i cili duhet të jetë mësim për të gjithë ata që do të merren me shkrime të kësaj periudhe kohore. Vetëm me një veprim të tillë  do ti shërbejmë realitetit sikurse veprohet kudo në botën e qytetëruar.

Duke i falënderuar këtij botimi Cafo Begu nuk është më figurë e panjohur dhe e anatemauar si e ka paraqitur pushteti i kohës, por ai është me ne, të çdo individ e familje. Andaj ky libër përfundimisht heq dilemat  dhe kureshtjen e të gjithë neve, ku padyshim lexuesi do të jetë ai që do të japë gjykimin dhe vlerësimin e vet.

Monografia e cila i kushtohet  Cafo Beg Ulqinit, duhet të jetë pjesë e çdo familje ulqinake në mënyrë të veçantë dhe të gjithë neve në përgjithësi. Ajo duhet të lexohet dhe analizohet, sepse kjo paraqet të kaluarën tonë në një periudhë të caktuar kohore. Vetëm kur të lexohet atëherë do të jemi në gjendje për të kuptuar vuajtjet e popullit tonë që duhet të jetë mësim për të sotmën dhe të ardhmen.

                                                                                      

Filed Under: Analiza Tagged With: Cafo beg Ulqini, DR. NAIL DRAGA

DJE E MBURRE SOT E SHAN

April 2, 2021 by dgreca

Fabul nga Naum Prifti/Një mëngjes të ngrohtë vere Kumria, Cinxamiu dhe Kali i Qyqes po bisedonin në një kaçube pranë kënetës. Në atë moment pelikani Kankan doli nga uji duke shpupurisur krahët dhe duke lëshuar gushën e madhe. Aty pranë e vështronte plot adhurim lejleku Gjetan që filloi të trokiste sqepin.

Kumria, pa u merakosur për temën e muhabetit deri në atë moment, tha atë që po mendonin të gjithë.

-Ama dhe ky Gjetani, mbeti pranë pelikanit! Sa qesharak duket kur i shkon pas si bisht!

-Për Gjetanin s’ka shpend më madhështor se pelikani. Ai thotë se as Mjellma nuk i afrohet për nga bukuria,- tha Kali i Qyqes që qeshte nën buzë.

-Shiko si i bën fresk pendëve për t’ia avulluar ujin më shpejt. Po përse gjithë këto shërbime? –pyeti Kumria që ishte kureshtare nga natyra.

Kali i Qyqes, në një nga fluturimet e veta për të ngritur folenë, tha se e kishte parë lejlekun të shkonte në gosti te pelikani që i jepte bretkosa e ngërthie që nuk i hante vetë.

Cinxamiu u hodh nga një degë te tjetra dhe iu tha:

-Nuk është punë gostie. Pelikani është poet i njohur dhe i nderuar në cektinë. Po ju nuk keni dëgjuar se lejleku ka filluar të shkruajë vjersha…

Shpendët u gajasën së qeshuri me këtë lajm.

Sikur t’a dinte se po flitej për të, lejlek Gjetani iu kishte ardhur aty pranë. Në qafën e hollë i varej një radiokasetofon me ngjyra.

Pa e pyetur askush filloi të fliste:

-Nuk ka poet më të madh se Pelikani. U kënaqa nja dy orë me të. Ka bërë një parodi shumë të bukur për mburravecët. Sa mirë që e mbaj kasetofonin me vete se e kam inçizuar. Sakaq u afrua aty edhe Bishttundësi që nuk e zinte vendi asnjëherë.

Lejlek Gjetani shtypi butonin e kasetofonit dhe mori një pozë solemne.

“Kali i Qyqes bukurosh,

Pendelarë e kokëbosh,

Jelekun me sumbulla,

Mendjen plot me kumbulla.

I tha motrës: Jam i fortë,

Kalë is unë s’ka në botë!

Motra hipi, e besoi,

Ai në lum’ e lëshoi…”

Kumria dhe Cinxamiu u gajasën së qeshuri kurse Kali i Qyqes u zemërua.

-Ç’është kjo? – protestoi ai. – Çuditem si ia pranojnë këto bejte? Dhe si mund të bëhen shtrembërime të tilla?

-Paroditë për të qeshur bëhen, – i shpjegoi lejleku.

-Pelikani do bënte mirë të shikonte gushën e vet që m’i varet si torbë! – shfreu i zemëruar Kali i Qyqes.

-Ju gjykoni gabim, – e qortoi lejleku Gjetan. –Dhe po e shani Kankanin pa të drejtë. Paroditë e tij i mësojnë dhe i këndojnë të gjithë. Ju u prekët se ai bën humor me fisin tuaj por po të kishte folur për një shpend tjetër, edhe ju do të kishit qeshur dhe do ta lavdëronit.

-Të tilla bejte janë marrëzira. Të gjithë e dinë se Kali i Qyqes është shkabë dhe… – tha me seriozitet Kali i Qyqes.

-Mos u bëj qesharak, – e këshilloi lejleku. – Talenti i Kankanit është i paarritshëm. Ashtu siç është edhe pamja e madhështia e tij në ujë dhe në tokë.

-Ti e lavdëron se rri gjithë ditën me të, – vërejti Kali i Qyqes.

-Ti duhet ta kesh për nder që një humorist si ai të ka kushtuar disa vargje. Unë po të isha në vendin tënd do isha shumë i kënaqur.

Dhe për t’i bindur të gjithë që ishin aty se kush ishte pelikani, lejleku shtoi edhe një fakt.

-As vezën që bën Kankani s’e bën dot asnjë nga ne.

Kjo ishte e vërtetë dhe të gjithë shpendët e dinin madhësinë e hatashme të vezëve të pelikanit. Kali i Qyqes e mbylli squpin.

Lejleku i përshëndeti dhe u largua drejt folesë së vet. Pas pak edhe shpendët e tjerë u shpërndanë duke u menduar për ato që iu tha lejleku.

Bishttundësi, që nuk mund të qëndronte gjatë në asnjë vend, shpinte e merrte të rejat që ngjisnin në kënetë dhe rreth saj.

Ai i tregoi pelikanit sesi lejleku i kishte dalë në mbrojtje dhe sesa shumë e adhuronte.

-Lejleku është i këndshëm,- tha Kankani.

-Po si të duket si poet? – e shtyu Bishttundësi.

– Si poet nuk vlen! Kot e harxhon kohën me poezi. Sqepi i lejlekut nuk ia thotë fare asaj ane,– tha pelikani.

Bishttundësin nuk e mbante më vendi. Kjo qe e reja më interesante e ditës dhe ai me padurim e shpërndau ku mundi.

Nuk kaloi shumë dhe Kumrija, Kali i Qyqes dhe Cinxamiu u bënë tok përsëri. Aty pranë lejlek Gjetani qëndronte mbi një këmbë i menduar.

Kur u dëgjua krokërrima e Kankanit që mesa duket po i shkonte mbarë gjuetia atë ditë te kallamishtja. Kumria, për t’i bërë qejfin Gjetanit, tha:

-Kankani ka zë të mirë!

Cinxamiu s’e duroi këtë lajkë dhe hopkërceu në një degë tjetër.

-Ti, ç’është e vërteta, e ke zërin më të mirë se ai, – tha Kali i Qyqes.

-Ku zëri im, e ku ai i Kankanit! – ia ktheu ajo.

Atëherë ndërhyri lejleku që duke e lëshuar edhe këmbën tjetër në tokë, tha:

-Pelikani s’ka ndonjë zë për t’ia pasur zili. Kërkërimat e tij s’mund të quhen këngë.

Kumria duke kujtuar lëvdatat e kaluara të lejlekut për pelikanin, vazhdoi me të njëjtin avaz.

-Pelikani edhe pamjen e ka te hijshme! Madhështia e tij nuk ka të krahasuar me shpendët e tjerë.

Lejleku Gjetan kërciti sqepin me nervozizëm.

-Edhe ndonjë bukuri të madhe nuk ka. Po t’ia shikosh krahët nga afër, e di sa të shtrembër i ka? Pastaj po të ishte i bukur, do kishim dëgjuar vajza të quajtuara me atë emër. Të ka zënë veshi ndonjë Pelikane? Asnjë! Kurse Kumrie ka plot, si në jug dhe në veri. Të vjen krupë kur shikon atë gushën e tij si qeskë. Kur përtypet, e kërcet sqepin krap e krrup si purteka në dërrasë, aq sa nuk mund t’i qëndrosh pranë. Pa le sa i babëzitur që është, s’ndien të ngopur…

Kali i Qyqes dëgjonte i hutuar ndërsa Cinxamiu kërceu një degë më poshtë që të mos i shpëtonte asnjë fjalë.

Gjetan Lejleku po e shante pelikanin sikur të mos ishte ai që e kishte lavdëruar dhe ngritur në qiell herën e kaluar.

-Epo nuk i duhet t’i ketë të tjerat se ai ka talentin që se ka askush, – tha Kali i Qyqes me mllef. – Paroditë e tij i pëlqejnë të gjithë dhe gjithandej veç për të flasin.

-Mos fol kot, – ia preu lejlek Gjetani i nxehur. –Me miq e me të njohur i ka botuar poezitë. Dhe çdo herë ua mbush botuesve gushën me peshk aq sa ata ngatërrojnë vlerat e peshkut me të poezisë. Ka të tjerë më të talentuar se ai…

Shpendët nuk dinin si t’i kuptonin këto akuza për pelikanin nga lejleku që deri atëherë vetëm mburrej duke thënë se edhe familjet e tyre i përkitnin një fisi.

Lejleku hapi krahët, u prapësua disa hapa dhe pastaj u ngrit me hov mbi kënetë.

-Po ky, si e ndërroi fletën kështu? – pyeti Kumria e habitur. – Ky na mburrej që e kishte shok pa lëre ç’na thoshte për talent e hijeshi.

Bishttundësi sapo e pa të largohej lejleku iu afrua me ngazëllim grupit dhe u tregoi se ç’kishte thënë pelikan Kankani për të.

Kumria që dukej se u frymëzua në moment filloi të këndonte me shpoti:

“Dje e mburre, sot e shan,

S’ka lezet kështu, Gjetan!”

Filed Under: LETERSI Tagged With: DJE E MBURRE, Fabul, Naum Prifti, SOT E SHAN

Kosova me Kuvend e Qeveri të re, do ketë edhe Presidenten e re…

April 2, 2021 by dgreca

-Adresimi i Kryeministrit Albin Kurti sot në seancën e parë plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës: Ky është një vit kur e kemi edhe  qeverinë e re edhe presidenten e re. Andaj konsiderojmë që është e udhës që ta kemi zgjedhjen e Presidentes e më pastaj edhe programin qeverisës dhe planin e punës/

-Sot seanca plenare fillimisht vendosi që gjatë Legjislaturës VIII Kuvendi të ketë 14 komisione parlamentare, ndërsa më pas, me 104 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi edhe përbërjen e tyre/ PRISHTINË,  2 Prill 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Ky është një vit kur e kemi edhe  Qeverinë e re edhe Presidenten e re, tha sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,  në adresimin e parë, në seancën e parë plenare pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Fjalimi i plotë i Kryeministrit, Albin Kurti:  

Faleminderit kryetar Konjufca,

Të nderuar deputetë, 

Të dashur qytetarë të Republikës,

Të nderuar ministra të kabinetit qeverisës,

Zëvendëskryeministra,


Jemi në kontekstin politik dhe institucional kur sot kemi një vendim shumë të rëndësishëm bashkërisht e ky është konstituimi i Komisioneve Parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e tetë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ne nëpër ministritë e linjave jemi duke e skanuar gjendjen që e kemi gjetur dhe në përputhje me këtë regjistrim, këtë evidentim të trashëgimisë që kemi hasur në kuptimin institucional politik dhe administrativ do ta përpilojmë edhe programin tonë qeverisës dhe planin e punës, natyrisht duke pasur për prioritet zotimet tona dhe vizionin e shpalosur gjatë fushatës elektorale dhe jo vetëm.

Pra rendi edhe logjik dhe kronologjik i gjërave e do që fillimisht ta bëjmë një skanim të tillë dhe gjithashtu edhe ta bëjmë zgjedhjen e presidentes së Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, meqenëse e dimë se  ky është një vit kur e kemi edhe  qeverinë e re edhe presidenten e re. Andaj konsiderojmë që është e udhës që ta kemi zgjedhjen e Presidentes e më pastaj edhe programin qeverisës dhe planin e punës.

Po të ishte ndonjë vit tjetër, nuk do të kishte nevojë të ishte kësisoj, mirëpo tash jemi të bindur që kjo është rruga më e mirë dhe më e duhur përpara.

Në anën tjetër, në zgjedhjet e vitit 2019 certifikimi i rezultateve u pat vonuar 53 ditë. Kësaj radhe ka qenë përafërsisht gjysma e asaj periudhe, 27 ditë dhe përderisa ne herën e kaluar kemi pasur bisedime 4 mujore për koalicionin qeverisës, e nganjëherë në të kaluarën kanë shkuar edhe deri në 6 muaj, kësaj radhe 9 ditë pas certifikimit të rezultateve e kemi votuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, si hap i dytë pas hapit të parë që ishte zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit.

Pra jemi më shpejtë se çdo herë më herët.

Sa i përket vaksinës, po  të ishte vaksina Pfizer ose Moderna unë nuk do të shkoja ta marr. Vetëm për shkak se ka qenë AstraZeneca e cila ka një reputacion të lënduar sot në botë jo vetëm në rajonin tonë, kam konsideruar që është e udhës që ta marrë i pari vaksinën Astra Zeneca, dhe kurrfarë synimi tjetër për të privilegjuar veten, apo për të qenë thjeshtë i pari nuk ka pasur. Një brend tjetër i vaksinës kundër COVID 19, mua nuk do më bënte marrës të parë të vaksinës. 

Ndërkaq, sa u përket çështjeve që u ngritën edhe për menaxhimin e pandemisë në njërën anë, marrjes së vaksinave sidomos, edhe të çështjes së mundësisë së shtrenjtimit të energjisë elektrike ku kemi paradoksin që liberalizimi i tregut rrezikon të na e shtrenjtojë energjinë elektrike në vend se të na e lirojë atë, do të flasin ministrat përkatës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Unë, edhe njëherë ju dëshiroj punë të mbarë, sepse me konstituimin e Komisioneve Parlamentare fillon puna përmbajtjesore e Kuvendit të Republikës dhe ju falënderoj të gjithëve për vërejtjet, sugjerimet e kritikat.

KUVENDI I KOSOVËS 14 KOMISIONE PARLAMENTARE,  7 UDHËHEQEN NGA VETËVENDOSJA…

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, u mblodh sot në seancë plenare, për të shqyrtuar propozim-vendimin për formimin e komisioneve parlamentare. Para seancës plenare, Kryesia e Kuvendit në një mbledhje u dakordua t’i propozohet seancës që edhe në këtë legjislaturë Kuvendi të ketë 14 komisione e më pas u bë ndarja e tyre midis grupeve parlamentare, sipas formulës së përcaktuar dhe të praktikuar në legjislaturat e kaluara. 

Grupi më i madh parlamentar, ai i Lëvizjes Vetëvendosje, do të udhëheq shtatë komisione: Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërrmarrësi, Komisionin për Bujqësi, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Komisionin për Qeverisje Lokale Zhvillim Rajonal dhe Media, si dhe Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

 Dy  komisione do t’i drejtojë Grupi Parlamentar i PDK-së: Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheq Komisionin për Integrime Evropiane dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

GP i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheq Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, Grupi Parlamentar i Listës Serbe Komisionin për të Drejtat e Komuniteteve dhe Kthim, ndërsa Grupi Parlamentar 6 Plus do të udhëheq Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.   

Konform propozimit, sot seanca plenare e Kuvendit fillimisht vendosi që gjatë Legjislaturës VIII Kuvendi të ketë 14 komisione parlamentare, ndërsa më pas, me 104 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi edhe përbërjen e tyre.

Fillimisht u bë betimi i deputetëve të rinj, atyre që nuk ishin betuar në seancën konstituive, si dhe deputetëve që kanë zëvendësuar ish-deputetët, tani të zgjedhur anëtarë të qeverisë.

 Seanca vijoi me deklarimet jashtë rendit të ditës, në të cilat sqarime dhanë kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.Në pyetjet parlamentare ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u përgjigj në pyetjen e adresuar nga deputeti Bekim Haxhiu.

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Qeveri e re

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 131
  • 132
  • 133
  • 134
  • 135
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT