• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEMOKRACIA, NJË MISION I PAPËRFUNDUAR

April 24, 2018 by dgreca

Nga Marjana Zeneli Bulku/

Për ne që e mirpritëm demokracinë si pjesë e atij brezi që jetoi 18 vjet në diktaturë, kohë kjo e mjaftueshme për të kuptuar marrëzinë e një sistemi të padrejtë diktatorial si edhe ato dhjetra arsye pse prindërit e mi, familja ime, e mijëra shqiptarë mezi e pritën demokracinë, që sot është në  emergjencë jo vetëm kombëtare, mes qindra përseve pa sepse, në një atdhe që gënjente dhe dhunonte vetveten duke na fshehur nga bota e duke pasur frikë nga civilizimi që sillte liria, demokracia sot më shumë se kurrë kërcënohet nga e kundërta e vet.  Në 28 vjetët e tjera të kësaj Odiseje ku si në të Penelopës pëlhurë thureshin e shprisheshin ëndrrat për liritë, të drejtat e munguara, mirëqenien sociale dhe atë ekonomike por edhe paqen që nuk erdhi kurrë për shkak të pajtimit me të keqen që e vret sistematikisht atë, demokracia mbeti një mision i papërfunduar, përgjysëm, peng. Po a u kuptua siç duhet ky sistem të drejtash dhe përgjegjësish?!  A ishte e përgatitur shoqëria shqiptare me intelektualët përherë në mërgim, me vlera të burgosura, dhunuara, mohuara, të ndërtonte liri mbi bazë rregullash?! Trashëgimtarët e diktaturës, ata që “ndërtuan” kopshtin shkëmbor të Evropës juglindore do të mbanin gjallë murin e izolimit edhe pse ai i Berlinit u shemb bashkë me autorët e tij, në Shqipërinë postkomuniste muri i korrupsionit na largon nga liria po aq sa ai i komunizmit që diktatura e gjatë prodhoi.  Një debat përherë i hapur që ngre dhjetra enigma të pazgjidhura, nyje të së shkuarës pa të ardhme. Ishte Vatra që na mblodhi në një bashkëbisedim mjaft të frytshëm rreth botimit më të fundit të gazetarit dhe publicistit, mendimtarit dhe refleksionistit zotit Fran Shkreli i cili nuk mungon me gjykimin plot peshë e vlerë as shtypit të Tiranës me” Demokracia nuk pret”.  Rreth Vatrës nuk mungojnë kurrë idealistët që ia mbajnë gjallë misionin për të cilin ajo u krijua. Por teksa dëgjon zërin e Dr Elez Biberaj që më shumë se zërin e Amerikës përcolli zërin e të vërtetës dhe atë të shpresës për ne shqiptarët vetmitarë e të izoluar nën dhunën e diktaturës, pohon pa mëdyshje që po, Vatra mundet që vizionin e saj ta kthejë në udhërrëfim për të ardhmen në udhëkryq.  E mendjet që i flasin botës shqiptare këtej dhe përtej me maturimin e Sami Repishtit, mprehtësinë analitike të Fran Shkrelit bëhen frymëmarrje shprese.  Dr Elez Biberaj shpalos objektivat konkrete se si dilet nga emergjenca kombëtare në të cilën është zhytur vendi në kushtet e cënimit të demokracisë dhe gangrenizimit korruptiv që vret përditë moralin kombëtar. Gazetarët e zërit të Amerikës janë vigjilentë në mbrojtje të sapolindurës së asfiksuar demokraci edhe pse me prezencën e doktor Halim Kosovës, deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin e Republikës së Shqiperisë, ndihma më e mirë do ti vinte nga vetvetja, institucionet e konsoliduara, sistemi i pastër i gjygjësorit por edhe ai legjislativ, shoqëria civile, intelektualët, pra çdo grup interesi.

Ishte vërtetë bukur që në vatër të shikoje gazetarët e zërit të Amerikës Shkreli, Biberaj, Lamaj si një akademi e vërtetë për gazetarinë e cila ka si mision të edukojë qytetarët me liri përmes mire informimit në këtë botë të mbushur plot me lajme kaotike. Demokracia nuk pret, por demokracia len shtigje meditimi e shprese përmes vullnetesh pozitive që Vatra e mijvjeçarit të 21 çel me drejtuesin e saj zotin Dritan Mishto, gazetën e saj një shekullore Dielli si një tribun lirie dhe shprese se demokracia ka shanse për jetë kur intelektualizmi patriotik nuk mungon.

“Demokracia nuk pret”, një botim që duhet shfletuar edhe për të ushqyer përmes optimizmit objektiv por edhe kriticizmit korrekt që përcjell autori tek çdokush që prej demokracisë priti e u zhgënjye, ëndërroi e u dënua, projektoi e u arratis…por gjithmonë duke pritur para se të jetë vonë.

Dhe në pëmbyllje të këtij reflektimi modest që lind natyrshëm pas atij komunikimi të frytshëm në Vatrën gjithshqiptare, po citoj zotin Fran Shkreli përmes pyetjes retorike që mban dekadat brenda: Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikpamjet pro perëndimore të intelektualëve që u mundën prej komunizmit?!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: demokracia, Marjana Zeneli Bulku, NJË MISION I PAPËRFUNDUAR

APEL: PO ZHDUKEN SHPIFSIT PA KERKUE FALJE !

April 23, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 1 fritz

IMZOT ERNESTO ÇOBA(1913 – 1980)/

 * 1913 KUR SHKODRA RRAHEJ ME TOPA NGA MALI I ZI…/

  • 16 SHKURT 1913: U LE IMZOT ERNESTO ÇOBA NË VAUN E DEJËS…/

Jo larg nga Kisha ku asht kenë kunorzue Gjergj Kastrioti, besnik i të cilit Imz. Çoba ka qendrue deri në vdekje, edhe pse gjithë jeta i kaloi nen armët e pushtuesve gjaksorë.  Asht shugurue Meshtar në vitin 1936 në Kishen e Jezuitëve. Në 1946 asht me detyra pranë Argjipeshkvisë së Shkodres, deri me 20 Prill 1952 që shugurohet Ipeshkëv nga Imzot Bernardin Shllaku, të cilin e zevendson mbas vdekjes së Tij me 21 Mars 1967, kur me “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare” të vitit 1951, Ai emnohet Kryetar i Kishës.

7 Prill 1858 ishte dita e vumjes së gurit të parë të Kishës Kathedrale të Shkodres, kur Imzot Ernesto Çoba filloi detyrën në pragun e 100 vjetorit të Asaj Kishë, që asht thirrë Kisha e Madhe. Merita e pergatitjes së asaj festë i përket Imzot Çobës, i cili me punën e madhe të Tij dhe kujtimin që ka lanë në historinë e Shkodres, do të thohet pa mdyshje se asht i paharrueshëm në zbukurimin e Kishës dhe zhvillimin e ceremonive të Festës. Imzot Çoba ka dy merita për punën artistike që u ba në ndertimin e Elterit të madh simbas projektit të arkitektit, piktorit dhe skulptorit Kol Idromeno, që kishte dhe lidhje fisnore me Imzot Ernesto Çobën, vepër që lidhej me tavanin e mbrekullueshëm të Kathedralës që ishte punue nga vetë Kola. Njëkohësisht sfondi i Elterit i punuem nga piktori At Leon Kabashi, kuadri i madh i vendosjes së gurit të parë nga piktori Simon Rrota, punimi i katekizmit ndër shtyllat e Kishës, për mungesën që dihet se nuk mund të botohej asgja për me mësue besimin fëmijët e rinia, janë vepra që meritojnë me u quejtë dinjitoze dhe shumë të guximshme tue dijtë edhe luftën e madhe që i bahej Kishës dhe Klerit nga shteti fanatik komunist i Tiranës. Por Imzot Çoba nuk mjaftohet me kaq, Ai njëkohësisht pergatitë në kushte private, përndjekje dhe survejimi disa klerikë të rijë, në një kohë që nuk ka as seminar, as profesora dhe as tekstet e nevojshme që duhen për atë qellim. Ai shuguroi: Don Simon Jubani, Don Matish Lisna, Don Martin Trushi, Don Ernest Troshani, Don Zef Simoni, Don Ndoc Nogaj, Don Luigj Kçira, Don Ndoc Volaj, Don Kolec Toni etj. si dhe dy Martirët e Kishës Don Marin Shkurti e Don Mikel Beltoja, që u pushkatuen nga komunistët tue lanë vetën të perjetshëm në Historinë e Kishës Katolike në Shqipninë e masakrueme. Imzot Çoba thonte meshë e sakramend, rrëfente, predikonte fenë dhe gjindëj kudo në rrugicat e qytetit tue shkue me kungue të sëmurët apo të pamujtunit me shkue ndër Kisha që survejoheshin nga shteti e sigurimi, e që tue u rrezikue puna rrezikohej buka e gojës.

Kjo luftë sa vjen dhe bahet ma barbare me “Revolucionin Ideologjik dhe Kultural”, që merr edhe pamjen e plotë të diktaturës terroriste komuniste me 19 Mars 1967, ku shteti merr çelsat e Kishës Kathedrale, tue i mbyllë të gjitha Kishat e vendit me dhunë.

Me mbylljën e Kishave, sigurimi kerkoi me gjetë shpifës në Shkoder, kundër Imz. Çobës dhe disa klerikëve të njohun… Besoj se shkodranët nuk e harrojnë fjalën e Burrneshës muslimane Adile Ashikja, në mbledhjen e lagjes së saj, kur i kërkohej me shpifë kundër Imz. Çobës: “Unë kam shkue me lypë tek Ai paret e bukës dhe Ai më dha ma shumë se i kerkova….Ju sot, kerkoni që Buken që më fali, me ia shperblye me shpifje! Ai asht kenë dhe mbetët për mue një Meshtar i Nderuem i Fesë Katolike në Shkoder!”

Kur shteti mori edhe çelsat e Argjipeshkvisë, Imzot Çoba ndodhët përballë Sigurimit të Shtetit që përfaqsohet me komunistin servil dhe hipokrit Angjelin Kumrija, në kontrollin që ushtrohet në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres. Ky dallkauk e spijun arrinë deri aty sa kur kontrollon dhomën e punës së Imzot Çobës, kërkon me ushtrue në mënyrë të paturpëshme kontroll në trupin e Imzotit të Nderuem, tue e detyrue me çveshë pantollonat, se mos ka mshef gja në….dhe, me të drejtë Don Mark Hasi i ka thanë ato ditë Nanës sime: “Ate që na ka ba atë ditë Angjelin Kumrija nuk na e ka ba as Sigurimi i shtetit!” por, kjo nuk ishte vepra e parë e tij si “besnik” ndaj Sigurimit.

Organizohet një mbledhje në vitin 1967, mbas arrestimit të Sekretarit të Kishës, Don Mark Hasit me 7 Prill 1967, tek shkolla Pyjore për demaskimin e Imzot Çobës. Si kudo ndër ato mbledhje nuk mungojnë as shpifsit, dhe as spijunët ordiner të PPSH në ato salla, ku mbas “duertrokitjeve” të tyne, klerikve iu venin prangat xhelatët e Sigurimit të shtetit. Por, krejt ndryshej ndodhë me Imz. Çoben, kur asht pergatitë terreni për arrestim në atë mbledhje, çohet në kambë shoferi trim Dedë Gjushi dhe, deklaron: “Sot njëkëtu, nuk guxon kush me i vue prangat Imzot Çobës!” dhe me të vërtetë “nuk guxoi askush!”. Akti i Dedës tronditi edhe ideatorët e arrestimëve, ndonse “ky emën Hero!” nuk zehet me gojë…(F.R. “Një Monument nën dhé”, fq. 304, v. 2004)

Në shfletimet e proceseve të viteve 1957, 1958 e prap ma vonë, nga deponimet false të At Rrok Gurashit, Don Ndoc Sahatçisë etj., dhe një letrës së shkrueme nga Ndoc Nogaj e Gjon Shllaku, në vitin 1958, kur këta dy largohen nga Argjipeshkvia, (letër e cila ruhet në Arkivin e Shtetit Tiranë e jepet lirisht për me u lexue për “përmbajtjen e saj”), mbi këta akte të turpëshme Sigurimi i shtetit krijon mundësinë e arrestimit të Imzot Çobës, dhe “fajsia e Tij” formulohet mbi bazën e shpifjeve e trillimeve, kështu, flet arresti lëshohet me datën 3 Prill 1976 dhe arrestimi bahet me datën 24 Prill, tue u akuzue për “trathti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor…”. Bashkë me te arrestohen edhe priftën tjerë. Një ndër to asht Don Lec Sahatçija, ish Sekretar i Imz. Frano Gjinit dhe ruejtës i dy letrave të Tija, të cilat me këte rasë zhduken, mbasi Don Leci nuk doli ma nga burgu, vdiq i dënuem 25 vjet, por duhet theksue se Ky prift mbajti qendrim burrnor edhe ndaj Imzot Çobës, gja të cilën të tjerët edhe pse ishin shugurue nga duert e Tija me ndonjë perjashtim, në gjyq nuk e bane, madje, gjatë zhvillimit të gjyqit me dyer të mbylluna edhe e randuene Imzot Çoben me akuza false, për të cilat Ai u dënue 25 vjet burg, por edhe vdiq i pafajshëm i shtrimë ndër çimentot e birucave të qelive të Sigurimit të shtetit. Fjala e Tij në gjyqin kunder Tij, besoj i kujtohet shpifsave:

“Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirtë me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje!”. (Dosja 3359/1 Arkivi i Min. Mbrendshme Tiranë, 1998). Vetem Ky ishte Imz. E. Çoba!

Imzot Ernesto Çoba me po aq Burrni asht i patundun në bankën e t’akuzuemve para Kryetarit Sheuqet Muçi, anëtarit Xhemal Gramshi dhe prokurorit të “Revolucionit Kultural”, të njohtunit Faik Minarolli. Ja qendrimi i vërtetë i Martirit Çoba, i cili nuk akuzon asnjë njeri, nuk fyen me asnjë fjalë asnjë nga shpifsit, nuk randon asnjë nga dëshmitarët e rremë dhe nuk denoncon asnjë nga veprimet jo të mira ose të dobta të shokve të vet klerikë, që akuzohet se ka heshtë ose nuk ka marrë masa ndeshkimore. Asnjë qytetar apo fshatar i Shkodres nuk asht viktimë e Tij, sëpse Ai, gjenë forca me rezistue dhe mos me folë për asnjë njeri e, mos harroni se zyra e Tij asht kenë e hapun për katolik e musliman të të gjitha monstrave e modeleve të Shkodres. Ai asht i vetdijshëm se ndodhët në atë bankë vetem pse asht Klerik Katolik dhe armik i vëndosun i komunizmit, me të cilin asnjëherë nuk ka ba asnjë kompromis në asnjë kohë. Ai asht i pastër moralisht dhe shpirtnisht para shokve, miqve, armiqve dhe mbarë Popullit Shqiptar, të cilve iu ka sherbye si fetar dhe Shqiptar, prandej edhe me gjakftohtësi pret vendimin e “pafajsisë së Tij” tue Ju nënshtrue vullnetit të Zotit,  edhe pse i dënuem me 25 vjet heqje lirie, tue kenë me një gjendje shëndetsore shumë të randë  dhe, si pasojë e vuejtjeve me datën 8 Janar 1980, Sigurimi i shtetit e mbytë edhe Këte Martir si shumë të tjerë, në një nga repartet e Spitalit Civil të Tiranës.

Në librin “Çinarët”, fq. 130, At Konrrad Gjolaj shkruen: “…Tregonte radiologu i spitalit të Shkodres, sesi një ditë erdhën dy oficera me një thes në radiologji. I kishin thanë me ba një radiografi. Kishte pregatitë aparatin e po priste radiologu se cili don me e ba prej tyne. Kur i ka thanë: “Jam gati”, ata kanë hapë thesin e kanë nxjerrë një fëmijë me fytyrë të plakun… e kanë vue tek aparati dhe, mbasi asht krye radiografia, e kanë futë prap në thes. Mbasi i kanë lidhë grykën, kanë kërkue filmin për me e çue në Tiranë. Radiologu e ka pregatitë filmin shpejtë e ka kërkue me i shkrue emnin e të sëmurit, edhe pse filmi ishte i lagun. Oficerat kanë ngurrue me i diftue emnin. Ky ka kambëngulë, mbasi, simbas rregullit, nuk lejohej që filmi me u dorëzue pa emen. Ata tue pa kambënguljen e këtij, i kanë thanë emnin: “Imzot Ernesto Çoba”…

E shkrova, thonte radiologu, e kishte njohtë ma përpara, por kurrë nuk do ta kishte besue se asht Ai, po të mos ia kishin thanë vetë ata emnin. Për sa kohë nuk m’asht hjekë nga mendja sesa e kishin ba Imzot Çoben.”

Në vitin 1964 në një bisedë… At Pjetër Mëshkalla më ka thanë këto fjalë:

Ai e përfundonte bisedën me respekt për Imzot Ernesto Çoben, kryesisht për mos tolerancën e Tij në çeshtjet dogmatike dhe e mbyllte bisedën me mendimin se:

“Vetëm Imzot Çoba asht fakt, që asht kenë adapt për këte kohë, mbasi asnjë tjetër nuk do të kishte dijtë as muejtë me veprue si Ai, për kushtet që janë kenë në Shqipni!”.

***

Kriminelët, vrasësit, torturuesit, shpifsit dhe anmiqtë e perjetshem të Klerit Katolik Shqiptar Heroik, janë shumë të knaqun me “heshtjen” ndaj Martirëve të Pafajshem!

Imzot Ernesto Çoba ka Dosja nr. 3359/1, Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, të cilen unë e kam lexue në vitin 1998.

I lutem Bahkëkohësit Imzot Ernesto Çobës, Klerikut të Nderuem, dhe Njohësit të Tij,

Shkelqësisë Kardinalit Ernest TROSHANI, që me Bekimin e Zotit, të nxjerrin haptas Pafajsinë dhe Virtytet e të Ndjerit Martir Imzot Ernesto Maria Çoba!

          Melbourne, 18 Prill 2018.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz RADOVAN, Imzot Ernesto Coba, Po zhduken Shpifsit

MUZEU “SOLOMONI” PO ÇELË DYERT NË BERAT…

April 23, 2018 by dgreca

Nga Berati per Diellin Sulo Gozhina/

1 Muze Solomoni1 simoni2 Muzeu1 Berat Solomon

BERAT – Një muze unik në Berat… I pari dhe i vetmi i llojit jo vetëm në Berat e në Shqipëri, por në mbarë hapësirën mbarëshqiptare. Është një muze me tematikë hebraike që ngërthen një hapësirë kohore 500-vjeçare, nga viti 1520 kur në Berat u vendosën 25 familjet e para hebreje, të ardhura nga Vlora, nga Italia, nga Spanja… Dhe këto 25 familje që përbënin një lagje, Mëhallën e Çifutëve do të punonin për ta ringritur Beratin e rrënuar nga pushtimi osman…Ky muze ndalet edhe tek profili mitik i Sabbatai Zevit, tek varri i tij që kërkohet ende me ngulm, vendosmëri e bindje në Bilçë, tek reflekset apo motivet hebraike që i gjen gjithandej në këto treva, të gdhendura në gur e në dru, në port e në dyer, në tavane apo kanate, në sahane apo tepsi, në filxhane apo sini. Por me theks të veçantë muzeu ndalet tek shpëtimi dhe strehimi i mbi 600 hebrenjve në kohën e Holokaustit, duke qenë Berati, kështu, qyteti që ka mbajtur barrën kryesore në këtë shpëtim, duke shpalosur për herë të parë në Berat listën e hebrenjve të shpëtuar, si dhe familjet e shtëpitë beratase që iu gjenden pranë në ato kohë të tmerrta.

Foto-fakte, fac simile dokumentesh, zbulime topnimish hebraike, kontributi i Kadri & Bektash e Kujtim Cakranit në shpëtimin e hebrenjve, do të shohësh e do të njihesh me historinë dramatike të Sarës, hebreje janinate që në rrethana dramatike do të vinte në Berat, sesi do të humbiste rrugës emrin e saj, por do të gjente e rigjente emrin e profetit Moisi, do të njihesh me fatin e hidhur të hebrejes Taisa Pisha-Batkina, do të takosh arsimimin e nxënësve hebrenj në një klasë, në një bankë me nxënës beratas, etj.etj.
Autori i Muzeut “SOLOMONI” Berat, studiuesi Simon VRUSHO, njëkohësisht ideatori, përgjegjësi, administruesi apo edhe drejtuesi i Muzeut, shprehet: “Më në fund, pas 20 vjetësh, ia dolëm… Muzeu “SOLOMONI” në Berat po çelet… Pas disa ditësh do të bëhet ceremonia zyrtare e përurimit ku do të jenë Kryetari i Bashkisë të qytetit të Beratit, kryetari i Qarkut, Prefekti, etj. sikundër kanë konfirmuar pjesëmarrjen Rabini i Tiranës, Finman, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, etj.”
Vrusho vazhdon:
“Ky nuk është muze total, ku gjasme jepen gjithçka, por është muze me profil të qartë individual dhe me metodologjim të ofruar nga terreni, koha, gjurmët, faktet dhe dokumentet. Edhe koceptimi është disi ndryshe: Vizitori, shikimtari ndihet në mjediset e muzeut edhe si i shikuar, madje edhe si i pyetur… Ai del nga muzeu me një apel në mendje dhe me një emocion në pulsim…!
Muzeu “SOLOMONI” Berat çelet më 03 maj 2018, ditën e enjte, ora 10:00 paradite, por ai thuajse është hapur… Berat. Ruga “Mihal Komneni”, Nr. 3, në krye të rrugës që të çon në kala… Madje vizitorët e pare kanë pozuar pranë stendave të muzeut dhe tashëm muzeu ka marrë rrugën e tij.

Filed Under: Histori Tagged With: Berat, muzeu solomoni, Sulo Gozhina

DEBAT NË “PARLAMENTIN” E VATRËS: DEMOKRACIA NUK PRET!

April 23, 2018 by dgreca

3 dritani salleNga Dalip GRECA/*

Vatra, dikur, në kohët e arta të saj, kur kryente rolin e shtetit të vdekur, kur siguronte financat për shtetin shqiptar, apo kur emëronte ambasadorët për Kombin nëpër Europë e Washington, ishte Parlamenti i shqiptarëve, jo vetëm në Amerikë, natyrisht jo si Parlamenti-Karnaval i sotëm.Kur do të ngrihej Parlamenti ligjor i shqiptarëve në Tiranë, Vatra do të dërgonte kryeparlamentarin e saj Fan S. Noli, të cilin më pas e shoqëruan si deputetë edhe Kristo Kirka e Loni Prifti…Në prag të 106 vjetorit të lindjes së saj(28 prill 1912-2018), Vatra,thirri Parlamentin e saj për të debatuar rreth demokracisë hibride, demokracisë së dështuar me tranzicion të tejzgjatur, me moton:DEMOKRACIA NUK PRET!

Në foltoren e Parlamentit Vatran përcollën kumte për Demokracinë: Dr. Elez Biberaj- drejtor i Euro-Azisë në Zërin e  Amerikës , Frank Shkreli-ish drejtor i Zërit të Amerikës për Euro-Azinë, Kryetari i Vatrës Dritan Mishto, deputeti i Parlamentit të Shqipërisë dr. Halim Kosova, ish gazetari i Zërit të Amerikës  Idriz Lamaj, Prof. Nikolla Pano, Prof. Sami Repishti, akademik Jusuf Buxhovi, dhe editori i gazetës “Dielli” që moderoi debatin.
Pjesë  e debatit ishin edhe shumë prej pjesmarrësve në sallë: ish ambasadori shqiptar në Bullgari e Izrael Bujar Skëndo, ish i burgosuri në burgun e Spaçit Pëllumb Lamaj,ish Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj,  dr. Azeta Kola, Marjan Cubi,Shkëlqim Bylykbashi, Lek Përlleshi,Andon Dede, Haxhi Dauti, Zef Balaj,Frederik Ndoci, Gezim Nika e të tjerë.

Kronika e Promovimit: Promovimin-Debat e ka çelë editori i Diellit, I cili ka prezantuar autorin e librit”Demokracia nuk Pret” gazetarin Frank Shkreli ish drejtor i Zërit të Amerikës për Euro Azinë. Më pas moderatori ka ftuar kryetarin e Vatrës, Dritan Mishto, për të çelë debatin dhe për të prezantuar folësin e parë Dr. Elez Biberaj, duke bërë një biografi të shkurtër të tij.

Dr. Elez Biberaj pasi ka falenderuar Vatrën për Ftesën, ka treguar lidhjet e ngushta të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” me Zërin e Amerikës, dhe ka uruar mikun dhe kolegun e tij Frank Shkreli për librin, është ndalur në karaktiristikat e publicistikës së tij, ka analizuar Demokracinë shqiptare, arritjet, dështimet, dhe ka vënë piketat tek e ardhmja.

Për Dr. Biberajn, ndërsa rekomandimi i Brukselit për Shqipërinë është shpresëdhënës, ai paraqet një moment të volitshëm që elitat qeverisëse, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e në Maqedoni, të reflektojnë mbi ato që do ti quaja rast të artaqë shqiptarët kanë humbur gjatë viteve dhe dekadave të fundit dhe që kanë ngadalësuar rrugën e tyre për konsolidimin e demokracisë. Bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të kishin filluar vite më parë. Duhet pranuar se ky dhe raste të tjera të artapër Shqipërinë dhe për Kosovën, janë humbur kryesisht si rrjedhim i i mangësive të theksuara udhëheqëse të vendim-marrësvë shqiptarë.

Sot, shqiptarët përballen me sfida të dukshme: problemet ekonomike; papunësia e lartë dhe varfëria; korrupcioni që ka depertuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë; paligjshmëria dhe mungesa e shtetit ligjor; institucionet e dobëta; dhe politikanë të papërgjegjshëm që tolerojnë e nxisin korrupcionin dhe përdorin praktika jodemokratike për të siguaruar dhe mbajtur pushtetin.

Këtyre sfidave të brendshme tani u shtohen edhe disa probleme të jashtme: prirja rajonale dhe globale e rrëshqitjes së demokracisë; forcimi i alternativës autoritare, si në Turqi dhe Rusi; dhe ndryshimi i peisazhit politik balkanik dhe evropian.

Për Dr. Biberajn duhet ndryshim thelbësor për të shkuar tek demokracia e vërtetë:

Stili i tanishëm i qeverisjes duhet të ndryshojë me themel dhe të përqëndrohet tek interesat themelore kombëtare e jo tek ato partiake ose tek objektivat politike afat-shkurtëra.

Forcat kryesore politike të bien në ujdi mbi vizionin për të ardhmen e vendit dhe mbi përpilimin dhe zbatimin e politikave madhore që do të çonin në realizimin e këtij vizioni.

Të krijohen dhe të fuqizohen institucione me të vërtetë të pavarura dhe të afta për vendosjen e shtetit ligjor dhe çrrënjosjen e korrupsionit.

Media të çlirohet nga trysnia dhe interesat politike dhe financiare.

Procesi i vendimmarrjes për çështje të rëndësishme të jetë gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë, grupeve të interesit, të shoqërisë civile, dhe ekspertëve.

Dhe se fundi, e gjithë shoqëria duhet të ndryshojë thellësisht – menyra si mendon dhe si vepron ajo.  Shqiptarët duhet të jenë më kërkues dhe ndëshkues ndaj politikanëve të tyre dhe të kërkojnë llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjshmëri më të madhe. Këto janë objektiva shumë të vështira dhe duhet vullnet politik dhe kohë që ato të arrihen.

Por shqiptarët në përgjithësi, e jo vetëm udhëheqësit dhe politikanët e tyre, ndodhen para një prove historike: të pajtohen me gjendjen e tanishme ose të zgjohen nga amullia, të kapin momentin dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të realizuar potencialin e tyre të plotë demokratik.Siç thekson Frank Shkreli, Demokracia nuk pret

Editorja e seksionit anglisht të Gazetës Dielli, Rafaela Prifti ka përcjellë mesazhin e Prof. Nikolla Pano.

Gazetari Frank Shkreli ka prezantuar mysafirin dhe mikun e tij personal, një nga personazhet e librit”Demokracia nuk Pret” Deputetin e Parlamentit Shqiptar Dr. Halim Kosova, i cili kishte ardhur enkas për këtë promovim-debat në Vatër. Dr. Kosova tha ndër të tjera se ndjehej i nderuar që ishte në Vatër dhe pjesë e debatit-promovus”Demokracia nuk pret”. Në këndvështrimin e tij Demokracia Shqiptare i ngjanë foshnjës së porsalindur, që ka probleme e anomali dhe vetëm një mjek i mirë e i kujdesshëm mund ta mbajë në jetë. Ai tregoi hyrjen e tij në politikë, duke pasur moto”Partia ime është Shqipëria” dhe rrethanat e njohjes me Frank Shkrelin pas zgjedhjeve të humbura për Bashkinë e Tiranës. E njoha Franin, tha ai, pasi kishte shkruar artikullin, dhe u habita që më kishte njohur pa më takuar. Në shenjë nderimi Dr. Halim Kosova i dhuroi një penë të argjendtë gazetarit Shkreli.

Studiuesi dhe ish gazetari i zërit të Amerikës Idriz Lamaj, në kumtesën e tij, trajtoi kontributin e Frank Shkrelit në gazetarinë shqiptaro-amerikane, duke e analizuar atë në dy epoka historike, para dhe pas viteve ’90.

Ndër të tjera Lamaj tha sjell në vëmendje revistën“Rinia shqiptare në mërgim”, të botuar nga Fran Shkreli para 46 vitesh…Fran Shkreli, djal i ri në mërgim, filloi botimin e revistës së tij “Rinija shqiptare në mërgim”me përkrahjen e pakë shokëve të ngushtë idealistë. Në janar të vitit 1972, doli këtu në Neë York  numri i parë i revistës në fjalë. Në numërin e të parë, Frani goditë pa mëshirë qendrimet e errta politike të shkrimeve të tyre kundër mërgatës nacionaliste dhe Klerit tonë Katolik. Ai i goditë  jo me metoda të formës  pro-jugosllave, siç bënin disa, por me armën Fishtiane. Në editorialet dhe në artikujt e tij, vazhdimisht e cilësoi komunizmin shqiptar si sllavo-komunizëm, si sëmundje vdekjepruse për kombin shqiptar të mbështetur dhe drejtuar nga jugosllavët gjatë gjithë ekzistencës ideologjie në Shqipëri.

Lamaj solli fragmente artikujsh, analiza, kronika, editoriale të shkruara nag Frank shkreli dhe u fokusua në këndvështrimine  kthjelltë publicistik të Shkrelit rreth Demokracisë.

Duke analizuar librin”Demokracia nuk pret: z. Lamaj arrin në përfundimin se : Përshkrimi i temave, analizat koncize, të thella e të gjithanëshme, historike, politike, ekonomike, shoqërore, ideologjike e kulturore;  densiteti dhe gjërsia e informacionit jepenë me mjeshtri e pa përsëritje të dukurive të ndryshme e ngjarjve. Pasuria e  fakteve është e padiskutueshme. Njohuritë e gjithanëshme historike, stili i rrjedhshëm dhe elokuenca e të shprehurit i kanë dhënë mundësi autorit Shkreli ti shmanget pësëritjeve monotone.

Zv. Kryetari i Vatrës Agim Rexhaj solli Kumtesën “Nëpër Kohë” përgatur nga akademiku Jusuf Buxhovi.Përmes një analize profesionale akademiku Buxhovi sillte në fokus evolimin dhe fokusimin e publicistikës shqipatre që në kohën Konicës dhe angazhimin e saj ndaj problemeve shoqërore, politike dhe atyre kulturore.

Për Buxhovin publicisti Shkreli trajton problemet shqiptare, jo me brengën e Konicës deri në dëshpërim, por me një shqetësim ngaqë, në njërën anë shoqëria shqiptare nuk po ia del që të mundë apo të lirohet nga ngarkesat ideologjike dhe mbetjet e tyre,  dhe në tjetrën anë, nuk po ia del që tëtejkalojë sa duhet ngarkesat e mentaliteteve fetare, të cilave,  Rilindja jonë kombëtare, u kishte dhënë përgjigje të duhur.

Sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu solli mesazhin  e Prof. Sami Repishtit, i cili përshëndeti takimin dhe përcolli vlerësime për gazetarin Frank Shkreli. Citoj nga përshëndetja e Prof. Repishtit:””E gjithë veprimtaria e Frank Gj.Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga tri ide kryesore, boshti i filozofisë së jetës tij;

E para: besimin në Zotin, feja e krishtenë; dhe

E dyta: sherbim për atdheun Nanën Shqipëri, që për atë përfshinë të gjithë hapësinën shqiptare në Ballkan, Me nji pikë qendrore: epoka e lavdishme skenderbegiane. “Fe e Atdhe”.

E treta; përpjekja koshiente dhe konstante me mbrojtë demokracinë liberale amerikane, dhe me luftue pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri, dhe kudo që ajo paraqitej.

E kaluemja e Frankut në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes tij në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi, tragjedia e popullit shqiptar, sidomos gjenocidi i klerit katolik shqiptar, vorfënia, shtypja, paditunia masive dhe poshtënimi i pësuem si shqiptar në nji shtet sllav kanë formue karakterin e tij, dhe kanë lanë gjurme të thella tek i riu Frank Shkreli, pa u sherue asnji herë. Lexoni “Demokracia nuk pret” e do ta kuptoni.”

Profesor Repishti i përgëzon organizatorët: Ky tubim u pagëzue nga organizatorët si “bashkëbisedim” dhe për këte unë i përgëzoi plotësisht. Ashtë nji term që përmbledh shokë e miq me mendime të ndryshme por me qellime të përbashkëta. Si akt krijimi, kjo inisiativë ashtë jashtëzakonisht e randësishme dhe i ka mungue bashkësis sonë këtu në Amerikë për shume vjet. Ka ardhë koha kur elementë pozitivë dhe të ndërgjegjshëm të mblidhen me njeni-tjetrin me shqyrtue gjendjen tonë këtu si komunitet dhe atë të hapësinës shqiptare, sepse ka nevojë urgjente për nji orientim që e kërkon e nuk e gjen. Kjo hapësinë përfshinë të gjithë ata që me ndërgjegje dhe lirisht bukën e quejnë bukë,dhe besën shqiptare e mbajnë besë shqiptare. Aty ashtë Shqipëri, pavarësisht nga ndeshtrashat politike e ndasitë kufitare. Uroj që organizatorët të inkurajohen, të ndihmohen dhe të shpërblehen me bekimet tona për këte punë me vlera të pa përshkrueshme. Këtu ashtë Shqipëria e jonë, kjo ashtë Shqipëria e jonë! Le ta ndertojmë simbas konditave të vendit shoqëninë tonë shqiptaro-amerikane, të lirë, të denjë dhe të aftë me ndihmue vëllaznit e motrat tona kudo që janë, në të gjitha fushat, kryesisht në gjuhë shqipe  e arsim.

Dhe ma në fund, si thonte Noli i madh: “Paçi uratën e Perendisë!”

Moderatori i tubimit ka sjellë në fragment nga koleksioni i Diellit të 30 Janarit 1976, ku përshkruhej një çast kulmor nga jeta e Frank Shkrelit dhe e zonjës Viktori, dita e martesës.

Gazearja Marjana Bulku, anëtare e Kryesisë së Vatrës, solli kumtesën e studiuesit Prof. Thanas Gjika, sekretar i degës së Vatrës në Uster:“Mbi vlerat dhe temat kryesore te gazetarit Frank Gjeto Shkreli”.

Prof. Th .Gjika në hyrje të kumtesës së tij theksonte se:Në vitet kur Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, “Radio Zëri i Amerikës”, luajti rolin e ambasadës amerikane për të ndihmuar popullin shqiptar për informimin e popullit shqiptar mbi ngjarjet kryesore, duke ia treguar ato me vërtetësi, ashtu si kishin ndodhur. E në këtë mision kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar një sërë burrash e djemsh shqiptarë si, Jozef Paskali, Talat Karagjozi, Xhevat Kallajxhi, Ilia (Louis) Prifti, spikerja Lulu Vrioni (mbesë e Mit’hat Frashërit), Ruzhdi Daca, Gasper Kiçi, Bardhyl Pogoni, Dr. Elez Biberaj, Idriz Lamaj dhe Frank Gjeto Shkreli.”

Gjika në analizën e tij për librin “Demokracia nuk pret” konstaton se gazetari Frank Shkreli është një politolog që jep mendime kritike ndaj shkaqeve që e pengojnë ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por atij nuk i mungon orientimi optimist për të ardhmen. Duke u mbështetur dhe te gjeopolitika dashamirëse e SHBA-ve dhe e BE-së ndaj Shqipërisë, ai ka formuluar idenë pozitive “shpresa do ta mundë dëshpërimin”…

Sipas Thanas Gjikës , Frank Shkreli ecën në rrugën e Profesor Repishtit lidhur me luftën për zbatimin e të drejtave të njeriut. Mbështetur në artikullin 19 të “Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut”, ku përcaktohet e drejta për lirinë e shprehjes së opinionit, e marrjes dhe e dhënies së informacionit, Shkreli sulmon shkeljen e kësaj të drejte në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Shqipërisë.

Më pas ai ndalet në përmbajtjen e librit:Vlerësimin e Kishës Katolike dhe i barinjve të saj, në Nostalgjia ndaj diktatorit Hoxha, si një pengesë serioze për Shqipërinë, ndalet në domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve,në analizat rreth Ballkanit Perëndimor, SHBA-tëRusia dhe Turqia; fokusohet në Idetë demokratike;në Grindjet që kanë penguar susksesin e shqiptarëve; në trajtimin që i bën Frank Shkreli Diasporës si pasuri e madhe shkencore, letrare dhe kulturore etj.

Editori  Diellit solli Kumtesën” Stili publicistik në gazetarinë e Frank Shkrelit”. Në hyrje të kumtesës së tij editori tha:Kam mendimin se libri që promovojmë “Demokracia nuk pret” i gazetarit Frank Shkreli, përveç mesazheve dhe shqetësimeve qytetare, sjell edhe përvojën e tij gazetareske, ku dallohet një stil i veçantë i të shkruarit, me një gjuhë tëpasur nga ana leksikore dhe të pastër nga fjalët e huaja, strukturat sintaksore tëfjalive janë të thjeshta, pa fjalë e fjali parazite, pa shprehje standarte e pllakateske, që vlen të studiohet dhe të merret në konsideratë nga gazetarët e rinj, natyrisht pa e imituar. Stili i tij gazetaresk nuk vuan nga mania e oratorizmit apo e ligjërimit fals, as nga moralizimet.

Në shikimin tim, z. Shkreli është një vëzhgues i kujdesshëm i zhvillimeve demokratike, i ngjarejeve të ditës dhe ato të perspektivës, veçanërisht në trevat etnike shqiptare dhe një analist gjakftohtë, që operon kujdesshëm me faktet, pa e ngarkuar tekstin. Frazat dhe fjalitë në 80 artikujt e këtij libri që promovojmë janë të zhveshura nga mbingarkesa e huazimeve të huaja dhe përdor mjaft mirë gjuhën shqipe, edhe pse ka mërguar në moshë fare të re në SHBA.

Mendoj se kapja e temës dhe vendosja e titujve përbën një model për atë që do të mësoj prej përvojës së gjatë të tij.

Editori arrinë në përfundimin se: publicistika e shkruar e z. Shkreli është e zhveshur nga fjalët bombastike, nga vlerësimet e glorifikuara, nga epitetet false. Nuk gjenë tek ai shprehjet e lodhshme që karaktirizojnë gazetarinë e rëndomtë edhe këtu në komunitet, ku të gjithë përshkruhen si të mirënjohur,të shquar e shumë të shquar, tepër të njohur, shumë të talentuar, ku të gjithëve u vihen grada dhe tituj, sa na është mbushur komuniteti me doktorë e profesorë, shkrimtarë të shquar, poetë të shquar, artist i shquar etj..etj…edhe kur nuk i kanë këto grada ua japim ne gazearët. Jo, Franku i jep secilt hakun që meriton.

Gjithësesi mendoj se publicistika e gazetarit Frank Shkreli meriton vëmendje edhe nga katedrat e fakultetet e gazetarisë në Tiranë e Prishtinë, ndërsa për ne gazetarët e komunitetit të këtushëm, dhe në përgjithësi gazetarët e diasporës,ai mbetet një model nga duhet mësuar, natyrisht jo kopjuar. Uroj: Përurofshim së shpejti dhe librin e ri me publicistikë të autorit!-tha editori.

Frank Shkreli,autori i librit ka përcjellë falenderimet e tij në mbyllje të Kumtesave:Falënderimet e mia Vatrës….Jam mirënjohës dhe falënderoj sinqerisht, Kryetarin Dritan Mishto, Kryeredaktorin e Diellit Dalip Greca dhe gjithë antarët e Kryesisë së Vatrës për këtë organizim, që na ofron mundësinë të kalojmë këtë bashkbisedim vëllazëror me ju sot – Jam shumë i kënaqur që marr pjesë në takimin tuaj kulturor të radhës,tha ai.

Dua të falënderoj Dr Elez Biberajn mikun e ngushtë ç’prej bankave të Lehman college në vitin 1972 e deri më sot: kolegun dhe mikun Idriz Lamaj, Prof Sami Repishtin dhe Prof. Nick Panon, Akademik Jusuf Buxhovin, Dr. Thanas Gjikën dhe të tjerë për meazhet e tyre, për miqësinë dhe këshillat e tyre gjatë viteve.  Një falënderim të veçant për deputetin e Partisë Demokratike të Shqipërisë Dr. Halim Kosova, i cili na nderon me pjesëmarrjen e tij.  Një sekret të vogël po e ndaj me ju. Titulli i librit, “Demokracia nuk pret”, është pronësi intelektuale e Dr. Halim Kosovës.

Botimi i vëllimit të parë — është botuar me sponsorizimin e Gazetës Telegraf, Drejtorit të saj, Engjëll Musai dhe botuesit, Klaus Çiraku.  Dua t’i falënderoj publikisht për besimin ndaj meje dhe për mbështetjen që më kanë dhënë për më shumë se një dekadë, duke botuar të gjitha shkrimet e mia, pa përjashtim.”…

Më pas ka vazhduar debati për Demokracinë shqiptare, e cila shpresat e shqiptarëve për Demokraci të ëvrtetë, i ka kthyer në zhgënjim falë kontributit të klasës politike. Kritik i ashpër ka qenë ish i burgosuri politik Pëllumb Lamaj, ndërkohë që kanë shprehë opinionet e tyre edhe: Bujar Skëndo, ish Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj,  dr. Azeta Kola, Marjan Cubi,Shkëlqim Bylykbashi, Lek Përlleshi,Andon Dede, Haxhi Dauti, Zef Balaj,Frederik Ndoci, Gezim Nika e të tjerë. Ky I fundit e ka mbyllë takimi me këngën:”Gegë e Toskë” që përcjell mesazhin e bashkimit, këngë që e këndoi bashkë me sallën.

*Fotografite i gjeni ne Facebook

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Debat ne Vater, Frank shkreli, promovim

J’accuse…! (Une akouzoj…!) e munguar shqiptare

April 23, 2018 by dgreca

1 zolaNga Sadik ELSHANI/1 gazetaNjeqind e njezet vite me pare, Emil Zola shkroi artikullin, letren e hapur, “J’accuse…!”,  drejtuar kryetarit te Frances per nje padrejtesi qe i ishte bere nje kapiteni te Ushtrise Franceze.  Kjo leter kishte ngjallur interesim te madh ne bote, prandaj me vone fjala “J’accuse…!” ka hyre ne shume gjuhe te botes si sinonim i tekstit ne te cilin shprehet nje pakenaqesi e madhe, nje neveri ndaj nje te keqe te madhe shoqerore. Eshte bere sinonim per nje paraqitje te guximshme publike te nje opinoni kunder abuzimit te pushtetit, fuqise ne pergjithesi.

1 tela“J’accuse…!” (une akuzoj) ishte nje leter e hapur (publike) e botuar me 13 janar te vitit 1898 ne gazeten “L’Aurore”, nga shkrimtari i njohur francez, themeluesi i rrymes se natyralizmit, Emil Zola (1840 – 1902). Ne kete leter Zola i drejtohej kryetarit te Frances, Felix Faure (1841 – 1899) dhe e akuzonte qeverine per antisemitizem dhe burgosjen e pafajshme te Alfred Dreyfusit (1859 – 1935). Dreyfus ishte nje kapiten ne Armaten Franceze me prejardhje hebreje, i cili ishte denuar me burg te perjetshem per spiunazh. Qysh ne fillim te letres Zola thekson se ishte detyrim  i tij qe te fliste qarte, te shprehte mendimet e tija pa nguruar: Ai nuk deshironte qe te behej bashkefajtor ne kete parodi, qe naten te vizitohej shpesh nga fantazma e nje njeriu te pafajshem qe diku larg ishte duke vuajtur nga torturat e tmerrshme per nje krim qe nuk e kishte kryer. Zola i ve ne pah gabimet juridike dhe mungesen e evidences serioze. Letra ishte botuar ne faqen e pare te gazetes dhe kishte bere buje ne France dhe ne arenen nderkombetare. Ne ate kohe Franca po perjetonte nje periudhe te antisemitizmit dhe pervec anetareve te familjes, pak njerez e kishin mbrojtur Dreyfusin. Zola argumentonte se denimi i Dreyfusit ishte bazuar ne akuza te rrejshme per spiunazh dhe kjo ishte nje shkelje e drejtesise. Pastaj ai me fakte, ne menyre te detajuar tregon se kush ishin fajtoret e vertete. Zola ishte i vetedijshem se ai mund te denohej per ato qe shkruante dhe i cek ligjet ne baze te te cileve mund te bazohej denimi i tij. Dhe vertet ashtu ndodhi, Zola u persekutua per shpifje dhe u shpall fajtor me 23 shkurt te vitit 1898. Per t’iu shmangur burgosjes, ai u arratis ne Angli dhe ne qershor te vitit 1899 u kthye perseri ne France.

Dreyfus u shpall fajtor per tradhti ne nje gjyq sekret ushtarak, gjate te cilit atij iu mohua e drejta per ta pare, per ta shqyrtuar evidencen kunder tij. Armata ia hoqi gradat ne nje ceremoni poshteruese dhe pastaj e transferuan ne Devil’s Island (Ishulli i Djallit), nje koloni ndeshkuese e vendosur prane bregut te Guianes Franceze ne Ameriken e Jugut. Me 1899 Dreyfusi u kthye ne France per rigjykim, megjithese u shpall fajtor perseri, ai u fal. Ne vitin 1906 Dreyfusi e apeloi rastin e tij per ta anuluar gjykimin e fajesise se tij. Gjithashtu, ne vitin 1906 ai u nderua me Kryqin e Legjionit te Nderit.

Shkrimi i Zoles i vitit 1898 ne nje mase te madhe vleresohet ne France si treguesi me i shquar i forces se re te intelektualeve ne formimin e opinionit publik, medieve dhe shtetit. “Une kam vetem nje pasion: t’i ndricoje ata qe jane mbajtur ne terr, ne emer te njerezimit, i cili ka vuajtur aq shume dhe ka te drejte per lumturi. Protesta ime e zjarrte eshte thjeshte britma e shpirtit tim”, shkruan Zola ne fund te letres se tij dhe ben thirrje qe ta nxjerrin para drejtesise, sepse ai eshte duke pritur. Ky eshte ai roli fisnik e atdhetar i intelektualit, qe te mos hesht para se keqes, te ngre zerin kunder padrejtesive ne shoqeri, madje edhe atehere kur reagime te tilla shoqerohen edhe me rrezik. Edhe pa kete leter Zola do te gezonte famen e padiskutueshme si shkrimtar, por me pak fisnik e intelektual. Emil Zola perfaqeson ndergjegjen e njerezimit dhe eshte misherim i intelektualit te angazhuar per ta bere boten nje vend me te mire.

Cfare dallimi i madh ne mes te qendrimit te Zoles the qendrimit te disa intelektualeve, historianeve shqiptare kundrejt diktatures se eger komuniste ne Shqiperi. Disa intelektuale, shkrimtare, shkencetare me guxim e dinjitet e kundershtuan diktaturen dhe u perballen sy me sy me diktatorin, por qe perfunduan me rrjedhoja te tmerrshme: burgosje e pushkatim (Musine Kokalari, Sabiha Kasimat, Kasem Trebeshina, Trifon Xhaxhika e shume e shume te tjere). Te gjithe e kuptojme se diktatura komuniste ne Shqiperi ishte me e egra ne gjthe boten e Lindjes se atehershme dhe nje akt si ai i Zoles, veshire qe mund te ndodhte: njerezit ruheshin per jeten e tyre dhe te familjareve te tyre, shteti kishte ne dore cdo gje. Po si mund te ndodh sot, gati pas tridhjete vjeteve te shembjes se diktatures, qe disa historiane, gazetare ta mbrojne diktaturen dhe diktatorin, t’i mbrojne krimet dhe gjithe ato tmerre qe perjetoi populli shqiptar per gjysem shekulli?! I tille ishte reagimi i profesorit te historise, Pellumb Xhufit, i cili i mohon krimet e diktatures, duke pohuar se kampi i Tepelenes nuk ishte aq i keq, kur dihet se aty kane vdekur njerez, femije e te rritur. Cfare historiani e cfare intelektuali eshte ai qe nuk e sheh historine qe ka ndodhur para syve te tyre?! Njerezit qe e kane perjetuar ate ferr ende jane gjalle, nuk ka nevoje te hulumtohet neper arkiva, vetem degjoni rrefimet e tyre te tmerrshme. Ndersa gazetari Mustafa Nano u shqiptua ne nje interviste se Enver Hoxha nuk ka qene kunder Perendimit, kunder Europes, sepse ai vishej mire dhe se Shqiperia e asaj kohe nuk ka qene edhe aq e izoluar. Cfare niveli i ulet i te menduarit, cfare injorance! Zoti Nano harron se Shqiperia e kohes se diktatures vetem neper harta gjeografike ka qene pjese e Europes, se ne realitet Shqiperia ka qene ne ndonje planet tjeter. Kurrkush nuk i akuzon personat ne fjale dhe shume te tjere qe ne ate nuk e kundershtuan diktaturen (edhe pse disa te tjere e ben), por pse sot i mbrojne krimet e diktatures, kur tani dolen ne shesh te gjitha te zezat e atij sistemi te tmerrshem e cnjerezor. Nese atehere nuk kane mundur, sot menden, por nuk duan. U mungon ndjenja e keqardhjes, ndjenja e pergjegjesise – mendesia bolshevike eshte bunkerizuar thelle ne mendjen e tyre dhe eshte duke ua bllokuar arsyen, duke ua mbyllur syte para se keqes. Ky eshte thelbi i ceshtjes. Ai qe ben krime eshte kriminel, ndersa ai qe i mbron krimet eshte edhe me kriminel. Ka njerez qe e mbrojne Pellumb Xhufin se gjoja ai eshte nje historian i mire. Ai mund te jete edhe historiani me i mire ne bote, por kjo nuk ia jep te drejten qe t’i mbroje krimet e komunizmit, te solidarizohet me diktatorin e diktaturen dhe te tallet me viktimat. Ne Perendim keto qendrime jane te papranueshme, prandaj edhe ne Bruksel u anulua nje konference per Skenderbeun, ku ishte caktuar te merrte pjese edhe Pellumb Xhufi. Por sic duket ne Shqiperi cdo gje eshte e pranueshme, cdo gje tolerohet. Vite me pare diku lexova dy vargje te nje poeti shqiptar: “Cfare populli jemi ne/kur diktatori vdes ne shtrat”. Diktatori ka 33 vite qe kla vdekur (ne shtrat) dhe diktatura ka gati 30 vjet qe u shemb, por nje pjese e mire e shqiptareve ende e adhuron diktatorin dhe regjimin e tij te eger. Kete e deshmon edhe nje vezhgim, ankete qe u publikua disas muaj me pare.

Intelektualet duhet te jene pjesa me e ndergjegjesuar e nje kombi, te ndricojne, te rrezatojne vlera kombetare e njerezore, te ngriten mbi nivel dhe jo te behen peng i politikes se dites, ideologjise e klaneve partiake. Te frymezohen nga Emil Zola, Musine Kokalari, Sabiha Kasimati e shume intelektuale te tjere te guximshem! Shoqerise shqiptare po i mungon nje: “J’accuse…!”, madje teper e vonuar.

Filadelfia, 22 prill 2018

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: e munguar shqiptare, J'accuse...! (Une akouzoj...!), Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1441
  • 1442
  • 1443
  • 1444
  • 1445
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT