• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Portrete mërgimtarësh – Haxhi Muhaxheri-Australi

April 22, 2018 by dgreca

Portrete mërgimtarësh krijues/
SUKSESET E PAKONTESTUESHME TË HAXHI MUHAXHERIT/
Nga Sabit Avduli/ Zelande e Re/
Jam larg nga vendlindja sa nuk ka më larg në planetin Tokë dhe interneti është e vetmja dritare prej nga shoh e përcjell ato që ndodhin në  tokat shqiptare e botë. Përmes internetit hap faqet e gazetave, dëgjoj radiot të lidhura në internet, jam në rrjedha të asaj që ndodh në kulturë etj. Emri  i mërgimtarit që më fascinon me energjinë e tij hulumtuese, me punën krijuese e të  dobishme në fushën e letërsisë, këngës, muzikës e historisë shqiptare prej të cilit mësoj unë e diaspora shqiptare është Haxhi Muhaxheri.  Haxhiu administron webfaqe, revista elektronike, radio, që aq bukur informojnë, afirmojnë, kujtojnë njerëzit që kanë dhënë shumë kulturës e historisë shqiptare të mos harrohen. Webfaqet  e tija me programe të shëndosha kanë me mijëra anëtarë që shkruajnë, komentojnë, njoftojnë diasporën shqiptare për arritjen në fushën e letërsisë e arteve tjera. Në google mjafton të shkruhet emri i tij dhe hapen me dhjeta faqe të cilat i administron Haxhiu. Faqe këto që afirmojnë emra të rinj krijuesish, afirmojnë poezinë, këngën, muzikën e të vërtetën tonë e gjithçkaje tjetër shqiptare. Ideali i Haxhiut, kam vërejtur në punën e tij, është realizimi i synimeve të brezave  për  të qenë i lirë e zot në tokat e veta shqiptari. Nga biografia e Haxhiut shihet se ai edhe në Kosovë ka bë shumë për kulturën shqiptare, si gazetar, publicist, shkrimtar e botues gazetash. Në mërgim Haxhiu vetëm vazhdoi veprimtarin e tij fisnike por tash, duke gjetur rrugën më të mirë e më të shpejt përmes internetit për të arritur kështu suksese të pakontestueshme sikur të ishte institucion kulturor  i paguar. Me ketë shkrim të pakët sa një pikë uji në det për Haxhiun e punën e tij kaq të madhe jap opinionin time personal në bazë të shkrimeve të postuara në internet, komunikimit me Te prej së largu unë në Zelandën e Re ai në Austri. Autori i shumë veprave e fitues i çmimeve letrare Haxhi Muhaxheri shkollën fillore e kreu në Gllogjan të Pejës, të mesmen në Klinë, ndërsa studimet (letërsi dhe gjuhë) në Universitetin e Prishtinës. Muhaxheri një kohë ka qenë  kryetar i Shoqatës së Letrarëve të Rinj të Kosovës, editor i Shtëpisë Botuese “Pena”, kryeredaktorë i të parës revistë erotike “Amori”.  Gëzon fakti se Muhaxheri është aktiv dhe nuk ndalet së punuari e administruari webfaqe, portale  dhe Radio Lirinë me seli në Austri, e cila dëgjohet edhe këtu në Zelandën e Re.
Sabit Abdyli
Auckland, 23 prill 2018

Filed Under: Emigracion Tagged With: Haxhi Muhaxheri, portrete Mergimtaresh, Sabit Abduli

RRUGA E KOMBIT DHE “MURI I BERLINIT”

April 22, 2018 by dgreca

…të tjera bën, të tjera thua/ që t’më marrëç mëndjen mua…/

1 rruga-e-kombit1Nga Sokol Kolgjini/
Shoqata Biznesi për Biznesin/

 Vazhdojnë shfaqjet e rradhës për rrugën e kombit. Pas videokonferencave, takimeve fasadë me drejtorë e punojës, tash së voni prej mediave na bahet i njoftun propozimi që ministria i dërgon koncesionarit.  (http://tvklan.al/kuksianet-do-te-paguajne-1-5-euro-per-rrugen-e-kombit/)…

Le ta analizojmë këtë propozim, në nënvizimet që kemi nxjerrë nga ky material:

  • Propozohet për “amendimin e disa neneve”. Menjiherë lind pyetja: A asht cilësue kjo kontratë si e ligjshme prej protestuesve që të mund të amendojmë disa nene dhe, na u zgjidhka problemi? Sigurisht që JO. Protestuesit, banorë të Kukësit, Hasit e Tropojës thanë se kjo kontratë asht antiligjore dhe e pamoralshme, e, si e tillë duhet të anullohet dhe jo të amendohet.  Veç protestuesve, edhe ekspertë të fushës, nëpër media po pranojnë se kontrata ka shkelje ligjore që nga termat Taksë-Tarifë e deri te parashikimi i punimeve në det, që nga mikstura që nuk asht as kontrate  me ligjin e PPP-së e as koncesion, që nga fakti se nuk ka ratifikim në parlament por asht vetëm me VKM.
  • Së dyti thuhet: “pas bisedimeve me banorët Kukës, Has, Tropojë…”.
    Banorët e Kukësit, Hasit e Tropojës nuk jetojnë as në television e as në videokonferenca.  Askush nuk i ka takue e as s’i ka pytë këta banorë, e kur merr vendime për ta, pa i pyetë, ata dalin vetë e të tregojnë se çka duen, siç e kanë ba gjithmonë.  Banorët e kanë tregue se çka kërkojnë me 31 Mars 2018.  Nuk asht rastësi që kanë prishë vetëm kioskat dhe traun, elementin që ata nuk e duen.  Asht e domosdoshme me e lexue mirë kërkesën e tyne e jo me krijue konfuzion me mashtrime të njëmasnjëshme.
  • Së treti, po ofrohet shuma prej 3 eurosh për banorët. Po nëse banorët thanë se kjo asht e padrejtë, atëherë lëvizja nga 10 euro në 3 euro nuk asht gja tjetër veçse zëvëndësimi i padrejtesisë ma të madhe me padrejtësi ma të vogël. E atëherë a mendohet se banorët do ta pranojnë të pa drejtën, veçse u zvoglue?   Në mënyrën e vet, ofruesi me ligësi po përpiqet me minimizue sensibilitetin popullor, me shpresën se një pjesë e tij do mashtrohet.  Nuk janë aq naiv banorët saqë të mos kuptojnë lojën bajate të ofruesve që koncesionari asht kompani private dhe si e tille kurdo mund t’i lëvizë (rrisë) tarifat me arsyetime teknike të indeksit të çmimeve, mospërballimit të kostove apo diçka tjetër të ngjashme. Banorëve duhet me ju ofrue zgjidhje të drejtë se kjo i paqton situatat, e zgjidhja e drejtë asht anullimi i kontratës knocesionare me Nr.249 e vitit 2016.  E drejta flen e qetë vetëm në shtratin e vet e askund tjetër.
  • Së katërti, ofrohet që “transporti urban do përjashtohet…” e këtu na bindin se si në rastin e kësaj kontrate koncesionare, ofruesit prapë nuk janë seriozë në atë që thonë. Duke përdorë fjalën “urban” ata as që e dinë se trau e pagesa nuk prekin transportin urban por atë interurban (urban = qytetës, interurban = nderqytetës).  Si qytete të vogla që janë, nuk kanë shërbim urban as Kukësi as Hasi e as Tropoja, por zyrtarët e mykun të institucioneve te Tiranës, ngatërrojnë termat dhe funksionet e tyne.
    Sidoqoftë, duke mendue se asht gabim teknik dhe e kanë fjalën për transport interurban, atëherë po pyesim: a klasifikohen si interurban mjetet që vijnë prej Zhuri, Prizreni, Gjakove etj?  Apo kanë euro keta “kosovarët”, se ne fakt, për ata asht vendosë kjo taksë?!
    Po mbulimi i kostove prej 120 mijë euro në vit si u llogarit?, pse janë 120 mijë e jo 119 ose 121 mijë?
    Si do të shpërndahet? Kush jetë përfitu dhe si? Apo thjeshtë do të shpërblehet dikush pë r të cilin ofruesi ka nevoje?
    Pra, kjo asht nji ofertë e padrejtë dhe jo serioze e për pasojë, nuk mund të konsiderohet nga ata që e kërkuen të drejtën qysh para dy viteve e vazhdojnë ta kërkojnë edhe sot.
  • Së pesti: ofrohen “pullat e përhershme… me çmime të reduktuara” të cilat (shënimi ynë) do të jepen në bazë të disa kritereve, e nëse nuk i ploteson kriteret, do të jepen në bazë të lidhjeve farefisnore, e nëse nuk e ploteson as këtë do të jepen me pagesa nën dorë, e nëse edhe këtë nuk e plotëson atëherë do të jepen për vota e nëse asnjëna prej këtyne nuk funksionon… mbetesh me gisht në gojë, pa pullë!
  • Së fundi, për me u’a kujtue gjithë bashkëqytetarëve tanë si edhe shqiptarëve në përgjithësi,ky tra e kjo taksë nuk asht thjesht nji grabitje ma shumë për ne por asht një “mur Berlini” në rrugën e kombit, të cilin nëse e lejojmë, do ta vuejmë përgjithmonë.Ky tra do të jetë precedent për shumë trarë të tjerë në gjithë Shqipninë e do të na përpjestojë krahinë për krahinë e qytet për qytet duke falimentue shumë biznese, veçmas ato te fermerëve në jug-përendim të vendit. Gjithashtu  ky tra do të favorizojë portin e Selanikut, përkundrejt portit të Durrësit, që nënkupton orientimin ekonomik të Kosoves drejt Selanikut. Në nji kohë kur nga nivele ma të nalta të pushtetit bahet propagandë për fatin e përbashkët, deri edhe tek propozime për “President të përbashkët”. Kanga e jugut e ban karakterizimin ma të saktë në këtë rast:  “…të tjera bën, të tjera thua/ që t’më marrëç mëndjen mua…”.
  • Do të ishte ma mirë që ofruesit ta mendojnë zgjidhjen me ndryshimin e sistemit të taksimit për mirmbajtjen e rrugëve duke marrë modele të mira si ai i Sllovenisë, Austrisë, Hungarisë, Gjermanisë apo plot shembuj të ngjashëm, e të mos jenë kokëfortë në realizimin e një keshe-sistemi që asht kryekëput improvizim allashqip, duke aplikue tre forma pagesash per të njejtin sherbim. Ofruesit ma mirë duhet me u ule me qeverinë e Kosovës e bashkërisht ta studjojnë e mandej ta vendosin nji system të përshtatshem (p.sh, sistemi me vinjeta), të vlefshëm për Shqipni e Kosovë (siç janë aktualisht siguracionet), e të heqin dorë prej mashtrimeve.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Muri i berlinit, rruga e kombit, Sokol Kolgjini

Agim Karagjozi, Vatra dhe disa kujtime të miat

April 22, 2018 by dgreca

Nga Anton Çefa/

 Pa dyshim, vepra më me vlerë e Agimit qe dhe do të mbetet themelimi i Vatrës në Nju Jork, çka i siguroi asaj jetëgjatësinë.

Me një grup të vogël shokësh të ngushtë, nga i cili mund të përmend zotërinjtë Gjon Buçaj, Agim Rexhaj (të dy nënkryetarë), Jonuz Ndreu, Musli Mulosmanaj, Zef Perndocaj, Hajdar Tonuzi, Zef Balaj, Sabit Bytyçi, Marjan Cubi, Lumo Tsungu, Mithat Gashi, Dine Dine, dhe ndonjë tjetër që tani që po shkruaj nuk më kujtohet, prandej po i kërkoj falje, Agimi krijoi a mund të themi, e solli Vatrën nga Bostoni në Nju Jork.

Ky veprim pati kundërshtarë të fortë. Më i pari, më i forti, z. Anthony Athanas i njohur dhe i vlerësuar edhe nga personalitete amerikane, dhe i çmuar shumë nga shqiptarët e Amerikës për veprimtarinë e rëndësishme atdhetare në krah të Nolit dhe Konicës. Kam pasur fatin të jem i pranishëm në këtë mbledhje, që qe për mua mbledhja e dytë në gjirin e Vatrës, mbas së parës, asaj të pranimit si anëtar i saj dhe si editor i Diellit.

Anthony Athanas, porsa e mori vesh themelimin e Vatrës në Nju York, erdhi nga Bostoni në një mbledhje të vatranëve, dhe foli shumë ashpër kundër Agimit, e dënoi veprimin e tij, dhe tha se nuk  njihej nga shqiptarët një gjë e tillë.

E mbaj në mend që Agimi i tha: “Në Boston është shuar Vatra.” Përgjigjja e tij  qe e egër dhe e menjëhershme, duke ia ndërprerë fjalën Agimit: “Atje ka lindur dhe atje le të vdesë nëse i ka ardhur koha.”

Gjithsesi, edhe pas kësaj mbledhjeje, Vatra vazhdoi normalisht punët e saj, duke pasur si

detyra parësore rritjen e anëtarëve të organizatës, dhe sqarimin ndër shqiptarë të rëndësisë së Vatrës për çështjen atdhetare shqiptare, për kulturimin e shqiptarëve të Amerikës, për demaskimin e gjendjes së mjerueshme të popullit tonë në atdhe, që po vuante nën thundrën e diktaturës komuniste, etj.

Kundërshtari tjetër qe Dr. Med. Hamdi Oruçi, organizatori, ndër sa e sa veprime të tjera, i Seminarit Ndërkombëtar të Federatës Panshqiptare Vatra, në Nju Jork me 28 – 29 – 30  Nëntor 1969, dhe për veprimtarinë atdhetare   e kulturore ndër shqiptarët e Amerikës, i njohur edhe në Evropë, sidomos në Itali, për lidhjet që kishte me Ernest Koliqin. Ky foli ashpër kundër Agimit dhë së fundi tha që kjo Vatër që keni krijuar ju nuk njihet nga shqiptarët.

Agimi në fillim, para se të drejtonte ai vetë Vatrën, ia pati besuar atë intelektualit e atdhetarit të shquar Arshi Pipës, por mbas disa muajsh, e mori vetë drejtimin dhe e mbajti përafër dy dekada. Mbas kësaj kohe, Agimi u tërhoq nga Vatra, duke ia lërë drejtimin z. Gjon Buçaj, natyrisht mbas votimit në organizatë. Si shpërblim të punës së madhe të bërë në drejtimin e Vatrës, vatranët i dhanë titullin më të lartë: “Honorary President”.

Një kujdes të veçantë, Agimi ia ka kushtuar botimit të gazetës “Dielli”, organi i Vatrës. Në ditët e para kur erdha në Amerikë, në shkurt të vitit 1993, vizitova z. Agimin në një zyrë të  zonjës Rozi, gruas së Agimit. Që në fillim, ai më foli për gjendjen e Vatrës. Në të njëjtën kohë patëm ardhur në Amerikë dhe u paraqitem te Vatra, d. m. th. , te z. Agimi, z. Naum Prifti dhe unë. Naumi u emërua sekretar, ndërsa unë editor i gazetës “Dielli”. Kishte një devocion të lartë për “Diellin”, dhe e dërgonte atë ndër shumë vende të Evropës, dhe në ndonjë vend të Azisë.

Gjithsesi, edhe mbas largimit nga drejtimi i Vatrës, mendjen e kishte te ajo. Shokët e tij të vjetër, dhe drejtuesit e rinj të kësaj organizate famëmadhe, e vizitonin shpesh në shtëpi, dhe, me praninë e tyre  ai jetonte orë të lumtura. E ndjente veten se kishte kryer detyrën ndaj Vatrës,  gjithë komunitetit shqiptar të Amerikës dhe ndaj Atdheut.

Puna e tij u vlerësua lart nga  çdo anë dhe fitoi shumë tituj. Iu dha titulli më i lartë “Nderi i Kombit”.

Filed Under: Vatra Tagged With: agim karagjozi, Anton Cefa, Vatra

Kur edhe “Muret kishin veshё…!”

April 22, 2018 by dgreca

Muretnga Ervin Dine /

Nё Shqipёri jeta vazhdon, ndёrsa varfёria e pёrditshme ёshtё bёrё tashmё pjesё e natyrshme e kёsaj jete.  Politika shqiptare i ngjan aq shumё njё komedie ose tragjikomedie, e cila vazhdon tё shfaqet nё spektaklin parlamentar nё nivele gjithnjё e mё tё ulta. Sharje, fyerje, korrupsion dhe asgjё konkrete pёr qytetarin. Pёrpara kёsaj sё sotmeje trishtuese, ka qenё nje e djeshme pёrplot me vuajtje, shumё mё e vёshtirё se e sotmja, njё tragjedi e pakufishme ku pёr dramat e asaj kohe sot dёgjon tё flitet gjithnjё e mё pak.

Jeta nё burgjet dhe kampet e diktaturёs sё tmerrshme shqiptare nuk ka pasur krahasim nё botё, me krimet e kryera kundra njerёzimit. Diktatura ka shkatёrruar mijra e mijra jetё tё pafajshme, e qё sot e kёsaj dite shfaqen dramat dhe traumat psikollogjike. Njё pjesё e kёtij populli janё burgosur dhe internuar nё kampe dhe burgje nё kushte qё as kafshёt nuk do tё mund t’i duronin.

Lind pyetja: Pse rinia shqiptare nuk i njeh kёto tё vёrteta, kёto histori tё dhimbshme e tragjike? Sigurisht edhe qeveritё shqiptare tё kёtij çerekshekulli nuk kanё dashur t’ua tregojnё kёto tё vёrteta rinisё, kёto krime monstuoze tё komunizmit dhe ta paraqesё kёtё njollё tё zezё tё historisё pёrpara publikut shqiptar dhe atij ndёrkombёtar?

Pse nuk edukohen studentёt me njё nga pjesёt mё tё turpshme tё historisё, me jetёn e kampeve dhe burgjeve tё shpёrndara nё gjithё territorin shqiptar?!?

George Santayana ka thёnё: “Ata qё nuk e kujtojnё tё kaluarёn, janё tё dёnuar ta pёrsёrisin atё!”

Dy shqiptare kurajoze kanё marrё iniciativёn qё ta formojnё njё program pёr ta edukuar shoqёrinё, por mё e rёndёsishmja rininё shqiptare pёr krimet e komunizmit.

Njёra prej tyre, artistja e njohur Alketa Xhafa, e cila ka bёrё edhe projekte tё rёndёsishme pёr tё drejtat e shqiptarёve nё Kosovё, nё projektin e saj ka marrё 140 thёnie nga tё pёrndjekurit politikё dhe me datёn 8 Maj do tё projektohen nё shtatё qytete tё Shqipёrisё nёpёr ndёrtesa tё rёndsishme shtetёrore. Zonja Xhafa, do tё pёrdorё kёshtu artin qё tё projektojё zёrat e injoruar nga organet shtetёrore shqiptare. Ajo pёrmes kёsaj paraqitjeje artistike jo vetёm kёrkon t’u japё zё kёtyre njerёzve qё deri nё ’90, kanё qёnё tё interrnuar, po qё edhe sot vazhdojnё tё jenё tё diskriminuar.

Synimi i dytё i kёtij arti ёshtё ta verё rininё shqiptare nё dijeni tё krimeve nё atё gjuhё tё cilёn ata mund ta kuptojnё.

Pёr realizimin e kёtij programi po punon prej kohёsh gazetarja Kristale Ivezaj Rama e cila do tё krijojё profile nё sitin “Muret kanё veshё” me histori krimesh dhe vuajtjesh gjatё diktaturёs.

Kristalja synon tё bёjё njё video program me profilet, dhe mё pas tё botojё edhe njё libёr. Kristalja synon t’i nxjerrё sa mё nё pah krimet e komunizmi qё kanё shkatёrruar jetёt e qindra dhe mijra jetёve, e ndёr tё tjera edhe atё tё gjyshes sё saj.

Gjyshja e Kristales ka vuajtur nё kampin famёkeq tё Tepelenёs dhe nё bisedat mes nesh, Kristalja flet pёr gjyshen e saj si pёr njё burrneshё tё fortё qё ka vuajtur por ka qёndruar me dinjitet si mijra njerёz tё pafajshёm qё u vunё pёrballё trajtimeve çnjerёzore.

Kristalja habitet me paditurinё e rinisё shqiptare pёr kёtё tё kaluar tё zezё, tё dhimbshme e tё hidhur.

Nё vizitat e saj tё herpashershme nё Shqipёri ajo ёshtё çuditur me injorancёn rinore ndaj krimeve tё komunizmit. Ajo shprehet: “çuditem kur shkoj nё fakultetin juridik dhe bёj njё pyetje tё thjeshtё, sa nga ju e dinё çfarё ka ndodhur nё kohёn e komunizmit? Qetёsi e thellё dhe  askush nuk pipёtiu nё atё sallё” – thotё ajo. Kristalja vazhdon me pyetjet “kush ne kёtё sallё e njeh Enver Hoxhёn?”  Prap qetёsi, “pёrveç njё studenti qё thotё se ka qenё udhёheqёsi mё i mirё qё ka pasur Shqipёria…!”  Eshtё kjo injorancё pёr tё cilёn zonja Rama dhe zonja Xhafa po pёrpiqen tё nxjerrin nё dritё kёndvёshtrimin e anёs tjetёr, tё atyre qё nuk kanё pasur edhe ende sot nuk kanё zё tё nxjerrin nё pah tё vёrtetёn e vuajtjeve tyre.

Çdo vend i botёs ka tё mirat dhe tё kёqiat e veta. Çdo vend ndёrgjegjsohet nёse historia pёrpiqet ta riparojё atё drejtimin tё gabuar tё kohёs dhe rrugёs nga kemi ecur.

Nё Shqipёri kjo deri mё sot nuk ka ndodhur, sepse askush nuk i kase pranuar krimet e bёra dhe askush nuk ka kёrkuar thjesht njё falje publike nga asnjё palё e politikёs. Prandaj nё Shqipёri ka ende historianё qё me paturpёsinё mё tё madhe i mohojnё krimet qё kanё ndodhur.

Projekti nё fjalё ёshtё me majft rёndёsi dhe duhet mbёshtetur nga tё gjithё tё pёrndjekurit politikё tё çdo drejtimi politik ata qofshin. Ky ёshtё njё program qё organizohet nga dy shqiptare qё kanё kontribuar pёr tё bёrё tё njohura padrejtsitё qё u kanё ndodhur shqiptarёve nё Kosovё dhe nё Shqipёri. Njё program qё synon tё nxjerrё nё pah vuajtjet qё njerёzit kanё pёrjetuar jo nga historianё tё shitur ose nga ata qё vazhdojnё tё bёjne propagandё politike. Ka ardhur koha qё ashtu si hebrenjtё edhe nё shqiptarёt ta kuptojmё historinё tonё tё dhimbshme, aspak pёr arsye hakmarrёse por thjesht qё tё mёsojmё nga ajo, dhe tё mos lejojmё mё qё krimet tё na mbajne peng e se kaluares tone.

Filed Under: Analiza Tagged With: “Muret kishin veshё...!”, Ervin Dine, Kur edhe

Pader Marin Sirdani mbledhës i ditunisëgojore per Skënderbeun

April 22, 2018 by dgreca

1 marin-sirdaniNga Kolec Çefa/Per të njohë e per të edukue identitetin tonë si shqiptar, tre libra, mendoj, janë të domosdoshëm: “Visaret e kombit” a visaret e kreshnikëve tanë në luftën per të mbrojtë këtê identitet, “Lahuta e Malcís” a Lahuta e virtyteve tona etnike e “Skanderbegu mbas gojëdhanash” a urtia popullore per Skënderbeun si “prodhimi ma hyjnuer i popullit tonë”. Para këtyne librave të gjithë jemi e duhet të jemi nxënës e të pervetësojmë me bindje thalbin e karakterit tonë, vlerësue me dashuní edhe nga të huejt, sidomos tashti që duem të hyjmë në Europë, të hyjmë me dinjitetin tonë.

Gjetoja i Dakë Gjokës, fra Simoni i Bogës, françeskani që mori emnin Marin, në kujtim të historianit bazë të Skanderbeut, do të mbesë gjithherë i paharrueshëm si njohësi ma i mirë i mençurisë popullore per Skanderbeun, si mbledhësi ma i plotë i kësaj urtie e si transmetuesi besnik e popullor i kësaj dijeje per brezat e rinj.

Më 1926 Pater Marini botoi veprën “Skanderbegu mbas gojëdhanash”,si fryt i një hulumtimi a studimi të madh, per të dëshmue nëper gojëdhana nderimin e çmimin që patën të parët tanë per Skanderbeun.

Ndërtimi i veprës: fillon me një Parathanie e Dy fjalë per lexuesit.

Gojëdhanat e mbledhuna i ndanë në dy pjesë. Në pjesën e parë tregohen kallëzime tradicionale mbi Skanderbeun dhe këto të ndame në katër kaptina e paragrafe. Kështu, në kaptinën e parë ka luftat e Skanderbeut ndër 14 paragrafe; kaptina e dytë: udhëtimet e gjyqet e Skanderbeut ndër 8 paragrafe; kaptina e tretë: vdekja e Skanderbeut me tre paragrafe; kaptina e katërt: mërgimi i shqiptarëve ndër 9 paragrafe.

Ndërsa pjesa e dytë ka disa kangë tradicionale per Skanderbeun. Kaptina e parë ka 9 kangë të tilla; kaptina e dytë ka21 kangë popullore, kaptina e tretë ka 17 kangë, per të perfundue krejt vepra me toponimet me emrin e Skanderbeut.

Pothuej, një jetë të tanë Pater Marini kërkoi gjurmët e Skanderbeut e mblodhi gojëdhana e legjenda popullore, tradita fisnore e kallëzime të vjetra, episode burrnore me virtyte shqiptare, bestytni e rite pagane dhe të gjitha këto i harmonizoi per bukuri e i ballafaqoi mjeshtërisht me historinë tue nënvizue ku kjo mençuripopullore per Skënderbeun afrohet e ku largohet nga gurrat e vërteta të historisë.

Kështu, kjo veper të duket si lahutë fishtjane, por jo me kangëepike, por si lahutë me ngjarje e gojëdhana epike per heroin tonë legjendar. Një hero i tillë, lindë drangue, foshnje me flatra a me shenja drangojsh, burrë që zhgulë lisa, që këcen sikur fluturon ndër largësi të pamasë me kalë, që me shpatë çan më dysh shkambin, per të dalë gurra me ujë të freskët, dallohet edhe per dije, besë e urtí, shkurt: një Skanderbe i kaluem nga historia në mit.

Me thjeshtësi tërheqëse âsht pershkrue takimi i Skanderbeut me Kokë Malçin, i Skuraj, plakun e meçëm, velet e hokatar që di të japë këshilla e norma kanunore në gjuhën lakonike të popullit tonë.

“Po e shoh se kenke mjaft i meçëm, or Kokë, i thotë Skanderbegu, por a ke besë?”

“A un-a, – pergjegji plaku tue rrahë gjoksin, ma të fortë se guri”.

E, kështu, fillon afrimi, miqësia, këshillimi i heroit me perfaqësuesin e zgjuarsisë e të mënçurisë së popullit tonë. E me plakun e Malçit, burrë kuvendtar e i derës bujare, ndan sa pleqni. (Ndertjera, vunë kanu “gjaku krye per krye, sepse prej të dobtit mundet me le i miri e prej të mirit i dobti”). Por, kur Koka velet bani hoka, Skanderbeu i tha: “Zoti rodin mos ta shoftë, por as me e shtue mos ta shtoftë”. Malçajt, shton Pader Marini, janë edhe tash në Skuraj, Kurbin, në za djalë mbas djali per burrní, besë, urtíe mende, por nuk janë shtue kurr ma shumë se tre-katër shtëpi.

Në burimet historike shkrimore te portreti i Skënderbeut dritësohen aftësitë e tij luftarake; në krijimtarinë artistike, Skanderbeu paraqitet i hijshëm, fisnik, etj., e deri “si pëllumb”, te Naimi; ndërsa Pater Marini na e paraqet portretin e tij, sipas fantazisë së popullit, tue na zbulue kështu, një prototip karakteri shqiptar: sa burrnor, aq edhe bujar; sa i egër në luftë, aq edhe i urtë në kuvend; sa hakmarrës kundër armiqve, aq edhe falës ndaj të penduemve; sa dorë e fortë në pushtet, aq zemërgjanë në pronësi; sa të dijshëm e serioz, aq edhe hokatar e shpotitës. Në fitoren ndaj Ballaban Pashës, Skanderbeu u shpreh: “Mbasi ushtria juej lypë me i falë, na nuk mundemi mos me e pranue propozimin e saj, pse njerëzia e burrnia lypë me kenë zemërgjanë e të dhimbshëm per të mujtunit që lypin mëshirë”. Edhe ushtarit të vet të vrazhdë, që i foli me krenì, por që kje i gatshëm me mbrojtë jetën e vet, Skanderbeu iu pergjigj: “Nuk do të ngas, por eja me mue se kenke pernjimend burrë”. Ndërsa Moisi Golemi që e tradhëtoi, kje falë prej Skanderbeut e dhanë të gjitha privilegjet e maparshme.

Me këto cilësi morale, fitoi dashuni të madhe e çmim të naltë, sa thohej: “Shoku i Skanderbeut nuk kishte le, as nuk do të lente në botë!”

Dhe Sirdani shton: “Ai me këto cilësi, nuk âsht veç një kreshnik, por edhe një engjell”.

Dy elemente tjera fantastike që krijimtaria popullore i ka gërshetue, jo rrallë, janë edhe andërrat e mordja. Lodhë prej luftash e ma shumë prej ethesh që kishin vûteposhtë shëndetin e tij, një natë pau në andërr se, sa po fillonte me u ra kumbonëve të Katedrales së Lezhës, u turr urysh një turk e i dha të shtymen aq të fortë, sa pau shtyllat, kumbonët e veten të perplasun per tokë. Ne e nesre u zgjue i ligshtuem, mblodhi shokët e u tha: “Bane Zot hajr, se per në kjoshin gja andërrat, edhe pak kohë e unë do të vdes e turku do ta rrenojë Shqypninë mbarë”.

Ndërsa po shkonte të luftonte në betejën e fundit, i doli mordja para e i tha:

“- Kthehu dalë, bre Skanderbeg!

– Po kush je ti e kah po na vjen?

– Vetë jam mordja e dije se jeta jote ka mbarue!

– Ik, ti hije e zezë, kah e di se unë do të vdes?

– Dje u hap në qiell libri i të vdekunve e dikah zdrypi si një bashk i zi mbi krye tand.”

Edhe, para se me vdekë, heroi la këshillën: “Mbani besën, bashkimin, burrninë e bujarinë. Pastaj, si puthi të birin, tha:”Kjoshi të lirë e bekue!”.

Ma vonëndodhi ajo gjama e madhe. Skanderbeu vdiq e historiani ynë na jep fjalët e vajit të Pal Dukagjinit: “Tundu Shqipní, se jeta jote u err per malet e u ndanë / shkrepat mbi krojet ranë / kumbonët e kishëve ranë së veti… e në qiell të haptë hinte zemërmadhi – Skanderbegu i pafati”. Jepen edhe vajet popullore e vallet e vashave shqiptare per të trimnue popullin në luftë. Populli filloi të perdorë në veshjet e tij veshje me ngjyrë të zezë, gjurdinë e gjokën që parandej i perdornin me ngjyra të ndryshme.

Ndihmesë të randësishme, Pader Marini, ka dhanë edhe per marrëdhëniet e papëve me Skanderbeun, per mërgimet e shqiptarëve jashtë shteti pas vdekjes së Skanderbeut, per ngulimet e tyre në Itali e se si shumë familje mërguen per të mos qendrue nën sundimin e huej. Kaedhe të dhana per fise të ndryshme, si per ejllorët (Radovanët e Kamsejt), per salvimet e dhunën e turqve ndaj katolikëve, per islamizimin e shqiptarëve, qoftë edhe të disa familjeve princore, me njoftime historike, etj.

Gjendjen e shqiptarëve të asaj kohe, Papa Pali II e pershkruen kështu: “… Gjithkund frikë, gjithkund vaj, gjithkund dekë e robni kemi parasysh. Âshtmjerim me ndie, se si âshtçatrifilue gjithshkafja. Nuk mund t’i shohim pa derdhë lot lundrat e këtyne refugjatëve që mësyjnë limanet e Italisë, familje të zhguluna prej votrave të veta tue ndejë buzë bregut të detit, çojnë duert kah qiella e mbushin dhenë me vaj e ankime.”

Një meritë tjetër e veprës në fjalë âsht se Pater Marini ka dhanë shumë bukur gjurmët e Skënderbeut në toponimí. Ai i ka mbledhë me kujdes e studjue me vemendjee na ka dhanë jo thjeshtë toponimin, por me gojëdhana toponimike, tue tregue perhapjen e tyne gjeografike. Me emnin e Skanderbeut, populli ka emërtue vende, male, kala, kroje, gurra, shkambij, rrasa. Kështu kemi: Mali i Skanderbegut, Kroni i Skanderbegut, Buza e Skanderbegut, Gurra-Mamicë, Kalaja e Skanderbegut, Tryeza e Skanderbegut, Gjurma e kalit të Skanderbegut, etj.

Perfundojmë: Vepra “Skanderbegu mbas gojëdhanash” duhet të gjindet ndër të gjitha shtëpitë tonë e duhet të lexohet nga të rijtë tanë që të njohin identitetin shqiptar, karakterin shqiptar, e të perpiqen të afrohen te ky karakter dinjitoz, para se të shkojmë në Europë.

“Dhashtë Zoti, shkruan Pater Marini, e breznia e re shqiptare u pertëriftë tue u pasqyrue në ketë kreshnik e në ketë engjell”.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Kolec Defa, Pader Marin Sirdani, Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1443
  • 1444
  • 1445
  • 1446
  • 1447
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT