• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sikur të mos ishte Edi Rama

April 18, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Vetëm Edi Rama nuk ka asnjë arsye të krenohet pse Shqipërisë iu hap rruga për çeljen e negociatave. E për më keq akoma, ata që mendojnë dhe gjykojnë se fal reformave të tia, vendi po hyn në Bashkimin Europian. E para në Shqipëri nuk janë bërë reforma, por manovra. Dhe zor se do bëhen reforma me këtë klasë ekzistuese politike. E dyta, kurrë më shumë se sot bota perëndimore nuk i është trembur asnjëherë, nga lufta e dytë botërore e këtej, influencës së re ruse në ballkan. Nuk i është trembur erës së trazirave që gatuan Kremlini me pushtetin absolut të Putinit. Apo dhe këtij sulltanit të ri, Erdoganit, i cili përmes radikalizmit fetar po kërkon të bëhet faktor si një perandori otomane e re. Reformat i njohin dhe i bëjnë ata që njohin mirë rotacionin e pushtetit. Edi Rama i do reformat po aq sa i deshi Nano, Berisha, Meta etj. Aq më tepër tani që bashkëshortja e tij përflitet si seksere a aksionere e parë në abi bankë. Edi Rama nuk i do reformat e sidomos këtë vetingun, pasi e di mirë që edhe ai është në listën e peshqëve të mëdhenj. Shqiptarët duhet ta dinë mirë dhe duhet ta fusin në mëndje se sikur të mos u kishte rënë për pjesë një si Edi Rama, do ishin bërë pjesë e bisedimeve që në 2012. Mirëpo ky Edi Rama, me bojkotet, çadrat, darkat tek krokodili, nuk dha asnjë aternative tjetër veçse tekat e tia dhe të Taulant Ballës.

Eshtë akoma një rrugë e gjatë, akoma shumë detyra shtëpie për tu bërë. Aq sa mos ju duket çudi që shiritin e anëtarësimit ta presi Lulzim Basha. Po t’i referohesh memories, traditës së rrotacionit shqiptar, ndarjes së pushtetit etj., gjasat të çojnë në këtë përfundim. Dhe Europa sikur po u ndan hisetë, njërit vizat, tjetrit negociatat. Kjo për tekata e antireformatorëve tanë, por edhe për interesat e saj. Kush e njeh pak perëndimin që ka për bazë llogjikën ekonomike, e kupton fare mirë se sa bajate duket politika shqiptare e trysnuar nga mbetjet e propagandës dhe pinjollët e saj. Kur themi do kohë, kemi si shembujt vendet fqinjë me ne, Mali i Zi dhe Serbia. Ata që duhet të gëzojnë, madje të gëzojnë me lot në sy, të qajnë…, janë shqiptarët. Biles të shkojnë deri atje sa të përzënë Edi Ramën me kompani nga rezidenca qeveritare. Pasi për shqiptarët Edi Rama nuk është asgjë tjetër, një thikë me dy presa. E pengoi Shipërinë në 2012 dhe plot gjashtë vite më vonë merr meritat e një strategu që po e afron vendin në familjen e madhe europiane. Kjo është antimeritë sidomos kur bëhet fjala për vendin, shoqërinë apo shqiptarët në përgjithësi. Sado të gëzojë ai, sado që të hidhen e gëzojnë soji dhe përkrahësit e tij, ai është modeli autoritar i nomenklaturës, i cili e do Europën për vete dhe jo për shqiptarët. Nga ana tjetër, është modeli që mendon se me anëtarësimin në familjen e madhe do shpëtojë dështimin e plotë të ekonomisë sonë. Dështim e tij dhe sojit paraardhës duke e lënë Shqipërinë me një borxh të jashtëm në vlerat më të larta karshi prodhimit në vend. Mes nesh ka shumë që e konsiderojnë si shpëtim futjen në BE, sikur mbaruan hallet.

Në fakt nuk është ashtu. E sidomos për mendësinë tonë që, shkojmë tek sporteli i asistencës me benz mercedes. Kjo ka domethënien e ndarjes sa të pabarabartë të thërrimeve sociale. Se përfiton të ardhura, ai që njeh, ai që paguan nën dorë. Do jetë një trysnin e rëndë, frymëmarrëse sepse edhe pse kanë kaluar kaq e aq vjet në ekonomi të tregut, ne nuk kemi fituar as 1% kulturë tatimesh, taksash, detyrimesh. Europa nuk është kështu. Ne jemi një tufan marramendës i bashkishit në xhep. I fishkëllimit të gomave, i dukjes etj.

Megjithatë duket sikur na erdhi shanci pasi siç e shikoni, era e luftës në Siri po kutërbon. Zonat e influencës, kufijtë, territoret, bazat etj. Perëndimi nuk do rishtas një bllok lindor matanë Puglias. Dhëntë Zoti kësaj here e kanë vulosur. Se, sa për reformat e Edi Ramës, ta dini as i çojnë nëpër mend.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Sikur, të mos ishte Edi Rama

FATI TRAGIK I FEMRAVE SHQIPTARE

April 18, 2018 by dgreca

FEMRAT SHQIPTARE TË DHUNËS SEKSUALE NGA FORCAT SERBE, NUK BËN TË MBESIN NË FATIN TRAGJIK TË TYRE/

1 treshe1 salle1 salle em Harry71 harry1 ok Harry

Nga Harry Bajraktari/

Në organizim të sociologes dhe gazetares Anna Di Lellio, e në bashkëpunim me profesorin e njohur Michael Williams, këto ditë në një sallë të  “New York University”, u shfaq filmi dokumentar “Mendoj për ty”, i cili u kushtohet grave viktima të dhunës seksuale nga paramilitarët, ushtria dhe policia serbe gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998-1999. Ky dokumentar, para se të vinte në New York, u shfaq në Prishtinë, Tiranë, Washington D.C, dhe në disa qendra të tjera të rëndësishme jashtë Kosovës për të treguar egërsinë se çka ndodhi me dhunën seksuale, të femrave shqiptare në Kosovë, nga forcat serbe.

Skenat që i pashë në këtë film dokumentar janë shqetësuese, se si ka përfunduar fati tragjik i mijëra e mijëra grave e vajzave shqiptare në duart e dhunës seksuale të kriminelëve serbë gjatë luftës dhe dëbimit të shqiptarëve nga Kosova. Numri i grave të dhunuara kap shifrën mbi 20.000 por fatkeqësisht  edhe pas 19 vjetësh të përfundimit të saj, ende nuk kemi një identifikim të saktë të kësaj dhune seksuale që u ushtrua ndaj grave e vajzave të pafajshme. Kjo dhunë seksuale, antinjerëzore, antihumane është bërë në mënyrat më barbare, duke i dhunuar ato para fëmijëve në shtëpitë e tyre, në rrugë gjatë dëbimit dhe në bodrumet e errta të shtëpive të braktisura.

Të mbijetuarat e dhunës seksuale, edhe pas 19 vjetësh, kanë mbetur në heshtje, të patrajtuara dhe të paintegruara në shoqëri, së pari nga administrata e Kombeve të Bashkuara që në Kosovë veproi e para pas lufte, me emrin UNMIK, pastaj nga qeveritë tona dhe organizatat përkatëse që do të duhej të merreshin me këtë problematikë kaq të rëndë.Këto vajza e gra të dhunuara, për shkak të ndjeshmërisë së madhe, kanë heshtur nga turpi, nga traumat dhe nga thyerja e thellë shpirtërore që u ka ndodhur. Kanë mbetur pa zë për ta ruajtur integritetin dhe qetësinë familjare. Një numër ka pësuar edhe nga bashkëshortët e tyre, duke i larguar ato nga shtëpia për shkak të tragjedisë që, pa fajin e tyre, u ka ndodhur dhuna seksuale serbe. Ndaj grave dhe vajzave të dhunuara nuk ka ndodhur vetëm një e keqe fatale, dhunim seksual, por këto janë përballë edhe më probleme tjera të rënda në familje dhe në mesin ku ato jetojnë.

Keto gra dhe vajza jane te mbijetuarat e përdhunimeve të kohës se luftës barbare, qe u ushtrua nga forcat serbe. Keto gra dhe vajza kane mbajtur nje peshe te rende mbi supet e tyre gjate gjithe ketyre 19 viteve, jo vetem nga mospersekutimi i mostrave qe ushtruan kete dhune ndaj tyre por edhe nga vuajtja ne heshtje. Nga heshtja dhe vuajta shpirterore dhe nga sakrificat e tyre qe vazhduan te bejne edhe pas luftes, si veteflijim ndaj dashurise qe kane drejt familjes, qe eshte nje nga vlerat me te medha te grave e vajzave shqiptare. Jane keto gra dhe vajza qe me ne fund meritojn ti degjohet zeri, te ndihmohen, te perkrahen dhe te integrohen ne shoqeri sic e permbenda dhe me siper.  Rastes e dhunes seksuale ndaj luftes nga forcat serbe nuk janë vetëm të nën-raportuar, por edhe të nenpenalizuar nga drejtesia.

“Shumica e përdhunuesve të luftës ende janë të lirë, mijëra viktima jetojnë në izolim – të burgosur nga turpi, diskriminimi dhe frika. Viktimat e përdhunimit të luftës në Kosovë, nuk duhej të jetonin në kushte të tilla për shumë vite pas luftës”, theksoi Atifete Jahjaga, ish presidentja e Kosovës, ku u paraqit ky dokumentar në New York.

Institucionet e Kosovës, dhunën dhe abuzimin seksuale të grave dhe vajzave, pothuajse e kanë lënë në mëshirën e vetë fatit tragjik të tyre. Kjo është për keqardhje. Shteti ynë e ka për detyrë të merret intensivisht me këtë çështje të rëndë dhe, gratë e vajzat e mbijetuara nga dhuna seksuale serbe, të trajtohen, të ndihmohen dhe t’u bëhet i mundshëm integrimi në shoqëri. Duhet të trokitet në gjitha dyert që kjo mizori e dhunës seksuale serbe të bëhet e njohur në gjithë botën. Dhunuesit dhe abuzuesit seksualë sot lëvizin lirshëm dhe për ta s’ ka ndodhur asnjë dënim dhe asnjë proces gjyqësor.

Është e turpshme që, për shkak se Kosova nuk është anëtare e OKB, kjo organizatë botërore të mos e thotë asnjë fjalë për dhunimet masive që janë bërë ndaj vajzave dhe grave shqiptare në Kosovë nga forcat serbe. Pra, edhe pas 19 vjetësh kemi një heshtje totale të kësaj organizate. Shumë dokumenta për dhunën seksuale ndaj vajzave dhe grave shqiptare i janë dorëzuar UNMIK-ut që vepronte në Kosovë, por, për çudi deri sot ato kanë mbetur të ngujuara nëpër zyret e OKB-së.

Atifete Jahjaga, ish presidentja e Kosovës, është duke bërë përpjekje që kësaj problematike t’ i shkohet më tej dhe të gjenden aktorët e dhunës seksuale serbe ndaj vajzave dhe nënave shqiptare.

Në këtë kontekst duhet parë dhe qeverine Haradinaj, e cila është e përkushtuar në këtë drejtim.

Prokurori i shtetit të Kosovës duhet të jetë maksimalisht i angazhur që të përgatis fletë arrestimet për dhunuesit, dhe kur Kosova të bëhet anëtare e Interpolit, ata të arrestohen dhe të sillen para drejtësisë për veprat e turpshme të kryera. Kriminelët e këtyre krimeve duhet të gjykohen në Kosovë, e jo jashtë saj.

Të mbijetuarat e dhunës duan drejtësi dhe drejtësia duhet të veprojë sa më shpejt për to!

Filed Under: Emigracion Tagged With: Dhuna seksuale, FATI TRAGIK, harry bajraktari, I FEMRAVE SHQIPTARE, serbet

TRAGJEDIA E “MENDJEVE TE MBYLLUNA”

April 18, 2018 by dgreca

1-Repishti-300x212

Shkruan: Sami Repishti , Ph.D.*/

Në kujtimet e tia, historiani i ndjerë Arben Puto, tregon se gjatë demonstratave studenteske të 8 dhetorit 1990, në nji vizitë tek e motra, Nefo Myftiu, bashkëshorte e kriminelit Manush Myftiu, -ish-kryetar i Komisionit për Internimet e familjarëve të personave të arratisun, kryesisht fëmijë, gra e pleq,- ajo e priti me britma histerike:”More Arben, ku të vemi tani? I kemi duart e lyera me gjak!”

Vëllau bani perpjekje me e qetësue, se nuk do të ngjante nji e keqe me ndryshimin e gjendjes. Dhe ashtu doli! Asnji pjesëtar, përsëris asnji, nga anëtarët e familjeve të ish-udhëheqësve komunistë në Shqipëri, nuk u arrestue, burgos, torturue, internue, dënue e natyrisht as pushkatue. As edhe familja e diktatorit E.Hoxha. Shembull qytetnimi të njimendtë, dhe unë, i persekutuemi, jam kryenalt!

Në Shqipëri, ky parim themelor i së drejtës civile,(vetëm “personi” që kryen krimin ashtë përgjegjës për krimin), nuk respektohej. Në vendin tonë, komunistët kishin zgjedhë “të drejtën zakonore” që konsideronte “anmik” të gjithë familjen, dhe fisin e “fajtorit”. Nji tjetër “udhëheqës”, mesjetari Haxhi Lleshi, edhe ai ish-kryetar i Komisionit për internimet, e përcaktonte: “internohen të gjithë ata që kanë ngranë në nji sofër me fajtorin”. Kështu veprohej në Shqipëri në fund të shekullit njizetë. E pabesueshme!

“Shembulli i qytetnimit të njimendtë” jepej mbas nji periudhe 45 vjeçare të diktaturës së proletariatit në vendin tonë: ma shumë se 7.000 shqiptarë, burra e gra, të pushkatuem me gjyq e pa gjyq, dhjetëra mijëra të burgosun e të torturuem, dhe ma shumë se 50.000 të internuem, kryesisht fëmijë, gra e pleq, mjaft prej tyne për nji periudhë 45 vjeçare! Nji bilanc i pabesueshëm për nji vend të vogël si Shqipëria e jonë. Shprehja e frikës së zonjës Nefo vjen nga nji personë që ka qenë plotësisht në dijeni të krimeve të bame në Shqipëri nga rregjimi komunist. Si bashkëshorte e kriminelit, ajo ka pa dhe ndigjue ma shumë se të tjerët. Ajo e dinte se nuk ka pasë lagje qyteti, as fshat të rretheve e malësive tona ku te mos kishte nji ose ma shumë të vramë, arrestuem, torturuem, burgosun, internuem ose te shpronësuem me dhunë, kur “partizanët” zbriten nga mali dhe u vendosën me terror në shtëpitë e “reaksionarëve”. Shprehja e zonjës Nefo ishte shprehja e frikës së përsëritjes së ngjarjeve të viteve 1944 dhe 1945. Për hir të frymës njerëzore që ushqejshin ish të persekutuemët, ajo katarofë nuk u përsërit. Nji fitore e madhe morale për shqiptarët!

Heshtja që i mbuloi këto krime, ka qenë nji fyemje kriminale, vrasje e dytë për viktimët, nji qendrim i pandershëm i “udhëheqësve” të vendit, pabesueshmënisht jo-koshientë të seriozitetit të katastrofës së pësueme, të plagëve të hapuna, të familjeve të sakatueme për jetë…. e për qindëra mijëra jetësh njerëzore të damtueme pa shpresë shërimi. Akoma sot, këto viktima të terrorit të kuq nuk besojnë atë që shohin e ndigjojnë rreth e rrotull tyne. Kur e paprituna kalon kufijtë e arsyes normale, bota hynë në fushën e absurdit, ku gjithçka ashtë e mundun.…edhe heshtja që vret e që mbulon krimin komunist. Ky ashtë absurdi që përballojmë sot në Shqipëri! e gjendjes së sotme në Shqipërinë tonë ai shkruen:

Në edicionin e ditës 11 prill, gazeta Panorama botoi opinionin  e nji mendje të ndritun, atë të Dom Gjergj Metës, i Ipeshkvisë së Mirditës. Tue trajtue “absurditetin”..

”Po! Ai sistem ishte kriminal, anti-shqiptar e anti-njerëzor. Nuk duan të dorëzohen qoftë ata që ishin protagonistë , në administratë apo në propagandë, e qoftë pasardhësit e tyne biologjikë e ideologjikë. Deri tani, një njeri kam hasur që ka qenë i qartë, i vendosur, fisnikërisht njeri me një sens përgjegjsie për t’u admiruar, e ky është Bashkim Shehu”. (Shenim: djali i kryekriminelit Mehmet Shehu-SR). Ai shton:

”Me vetëdije apo pa vetëdije, shohim nji përpjekje për krijimin e një nenstarti të ri, në të cilin idetë komuniste të vlerësohen përsëri e të kenë mundësi të ri-propozohen edhe politikisht”.

Nji gjykim i matun dhe korrekt i këtill më kujtoi esejen e filozofit françez Bernard Henry-Levy:“Të mbetun në kohën e errësinës”. Ai shkruen:

”Unë jam i bindun se me kolapsin e kështjellit komunist pothuej kudo në botë, në disa raste kemi pasë edhe efektin anësor e të papritun me shlye gjurmët e krimeve të tia, bile disa shenja të dukshëm të deshtimit tij, që kanë lejue disa persona me rifillue andrrimet për nji komunizëm të papërlyem, të pakomprometuem nga krimet, dhe të lumtun!”. Në anormalitetin e gjendjes sonë, a ka mundësi të përjetojmë nji paturpësi të këtill?

Fatkeqsisht po! Sidomos me polemikat e këtyne kohëve të fundit. Për shumë shqiptarë që mendojnë dhe për shumë shqiptarë që kanë vuejtë randë nga krimet komuniste kjo ashtë nji tragjedi. Por, njikohësisht, kjo ashtë nji tragjedi sidomos edhe për elementë me përgatitje intelektuale por “mendje-mbyllun” (“close-minded”) që, tue mohue të kaluemen terroriste, “ri-andrrojnë” nji komunizëm të pafaj dhe të lumtun. Dhe ky fenomen ashtë shqetësues, me tone tragjike personale dhe kombëtare që rrjedh nga “pika e dobët” në formimin e andrruesve, shkaktare e tragjedisë së tyne të paevitueshme.

Tragjedia, shprehjet e saja, u çƒaqen që në ditët e para të qytetnimit, Teorikisht, Aristoteli na mëson se ajo provokon terrorin dhe mëshirën. Mëshira lindë nga fatkeqsia e pameritueme e viktimës. Dinjiteti i viktimës rritet nga fisnikëria e kauzës që ai mbron me rrezikun e jetës, qoftë ai  qytetar i thjeshtë, qoftë si masë popullore që ngren kokën.

Fisnikëria e kauzës na shërben si mësim i historisë, si nji shembull moraliteti suprem, si nji shpalosje e psikologjisë sonë që na udhëheq, dhe si fortësi e karakterit me ndjekë pa u lëkund imperativët e kauzës. Nji fisnikëri të këtill e kemi përjetue gjatë ditëve të pushtimit të huej, në vitet e Luftës së Dytë Botënore, në vitet kur rezistenca naltësonte shpirtin tonë të luftës për çlirim, në luftën kundër të huejit dhe kundër shnjerëzimit që kërcënonte personalitetet tona. Kështu u krijue nji përkrahje e plotë e luftës çlirimtare nga zgjedha e të huejit me të gjitha zhvillimet tragjike që ajo luftë solli në vendin tonë, e që na pranuem me mendje të hapun e zemër të përgatitun për flijim.

Kanë qenë ditet e lavdishme që premtuen të nesërmet plotë kangë, “bukë e paqë edhe liri!” e që realiteti komunist i mohoi mbas “çlirimit”, tue i zevendsue me vajin, dnesën e ulurimën e viktimës së pafajshme, dhe urrejtjen e përpunueme me shkencë. Shumë shqiptarë të ndershëm ranë viktimë e kësaj kurthe monstruoze dhe e ndertesës së re që i mbështjelli pa asnji mëshirë!

Tragjedia ashtë edhe ma e randë për ata që janë të arsimuem, për ata që mendojnë si qenie të pavaruna, për ata “që dialogojnë me elementë që tejkalojnë forcat e tyne”. Në luftën e tyne të mbrendshme, ata përfundojnë ose me nënshtrimin tue pranue logjiken që jepet, dhe aksionin që imponohet, për hir të nji jete me konforte, ose në nji konflikt të mbrendshëm me njohë vetëveten, e që përfundon “me nji dashuni për botën, e zbulimin e nji farë harmonie në mes vetes dhe botës për rreth”(Jacques Morel) Ose me nji akt revoltues që i jep aksionit tonin e nevojshëm tragjik që merr përpjekja me u afirmue në momentin me nji akt të veçantë, që shpesh herë ka karakter dëshprimi. Tragjedia e përgjithëshme përvehtësohet nga heroj individ që pranon konfliktin e mbrendshëm, që krijon situatën kur ai ndërgjegjsohet me dhimbje për fatin ose fatalitetin që e pret, e natyrën e saj.  Ashtë fryma e rezistencës kundër së keqes që na imponohet e nuk pranohet. Me marrjen e nji aksioni që e shkatërron, qytetari rezistues kryen aktin ma sublim të jetës: luftën kundër fatit dhe siguron, qoftë edhe për nji minut, lirinë e tij absolute. Qenie e lirë!

Kjo ashtë madhështia e shqiptarëve dhe shqiptareve që ngritën kokën në rezistencën kundër të huejit që i vrau gjatë pushtimit të vendit tonë, dhe ma vonë, e shqiptarëve dhe shqiptareve që ngritën kokën kunder diktaturës së proletariatit që i dërmoi pa mëshirë!

*****

Nji ndryshim i shpejtë nga nji botë e mbyllun në nji shoqëni të hapun nuk mund të kalonte pa rrjedhime negative, njena nga të cilat ashtë fenomeni i “mendjeve të mbylluna” në kallepin ideologjik ku ata u formuen dhe pranuen pa rezistencë. Kjo kategori ashtë, për vetë qendrimin e tyne, i nji natyre ”konservative” pavarësisht se nominalisht ata kanë jetue nen “socializëm” ide teorikisht përparimtare me rezultate shgënjyese. Ky negativitet shihet në qendrimet e tyne në kulturë, art, letërsi e tjera. Ata  frikësohen nga spontaneiteti ose ndryshimi i botës së tyne.

Personat “me mendje të mbylluna” mund të jenë si rezultat i nji sistemi politik të veçantë që i prodhon ata ose përforcon tek ata ideologjinë e vet, siç ashtë rasti i jonë “komunist”. Nga nji herë kjo rrjedh edhe nga nji situatë traumatike në jetë; si rrjedhim, ata izolojnë vehten nga emocionet, afeksionet e  tjera.

Për ma tepër, ata mendojnë ngushtësisht në “kategori” që nuk mund të hapen (e bardhë ose e zezë!) gjatë procesit të mendimit tyne. (P.sh. të gjithë ata që ishin “ballistë” ose ‘”zogistë” dje, ose “komunistë” sot, janë njerëz të këqij”. “Të gjithë ata që nuk binden, duhen ndeshkue” e tjera) Psikologët mendojnë se “mendjet e mbylluna” nuk shërohen lehtë,  sepse ata mendojnë që kanë të drejtë kur çfaqin nji mendim, nji qendrim,  nji ide,  nji përceptim etj.

Por, ata duhet të ekspozohen me ndihmën e personave që kanë qenë viktima të nji rregjimi të veçantë politik; ata duhet të ndigjojnë rregullisht historitë e njerëzve që kanë vuejtë. (Ky sistem quhet “hypothesis of contact” -hipoteza e kontaktit”). Ky ashtë nji sugjerim për shërimin e tyne, tue i ndihmue ata të vijnë në kontakt me realitetin. Megjithate, dyshohet në se ata kanë mundësi të “shërohen plotësisht”.

Pak ditë ma parë, unë tregova në këte fletore dy raste ekstreme torturash shnjerëzore. Qellimi? Me ndihmue “mendjet e mbylluna” të ri-konsiderojnë pozicionin e tyne. Sot do të shtoj dy raste tjera, të njohuna ma shumë:

1)Në muejin tetor 1946, oficerët e Sigurimit Kolonel Vaskë Koleci dhe Majori Zoi Themeli, torturuen avokatin shkodran, të ndjerin Myzafer Pipa, me hekur te skuqun në zjarr të vendosun në shtyllën kurrizore. Zyrtarisht, “ai u vra sepse tentoi arratisjen”. Në vitin 1949, i pyetun nga Gjykatësi, Kolonel Koleci tha se ka marrë udhëzime nga Koçi Xoxe. I pyetun “trockisti” Koçi Xoxe, deklaroi se ka pasë “udhëzime nga Komandanti”…!

2)Mbas  dënimit me vdekje të ish Admiralit Teme Sejko, (1961) u dhanë udhëzime të torturohet përsëri me qellim që të nxirrnin të reja nga ai. Tre oficerë, kryekrimineli Nevzat Haznedari, nji nga torturuesët ma të frikëshëm në Shqipëri, tregon se e morën viktimën (ishin tre shokë), e shpunë në nji shtëpi afër Shijakut, porositën disa shkopij të fortë, dhe e vranë fare. Për të qenë të sigurtë se ka vdekë, shkruente ai në shtypin shqiptar te mbas 1991-it, ‘morëm nji kazëm dhe dërmuem kafkën e tij’.

Përsëri, unë tregoj këto shembuj me ndihmue “mendjet e

mbylluna” me ardhë në kontakt me realitetin.

*****

Në fund të L2B, Gjenerali D. Eisenhower, kryekomandant i forcave aleate në kontinentin europian, detyroi forcat ushtarake amerikane, dhe autoritetet lokale gjermane, si dhe popullsinë e vendit me vizitue kampet e përqendrimit, dhe me deshmue egërsinë e pabesueshme naziste; për ushtarët amerikanë me pa dhe me u njoftue me natyrën e anmikut nazist kundër të cilit ata luftojshin. Efekti ka qenë i fortë dhe i pa harrueshëm.

Përse jo edhe në Shqipëri? Le të zbulohen zonat e shumëta të krimeve komuniste:qendra torture, ekzekutime, varreza, kampe internimi, faltore të shkaterrueme e klerikë të vramë, e pronarë të pafajshëm e të shpronësuem padrejtësisht me dhunë, djegje librash e biblioteka të shkatërrueme…. e  le të deklarohen ata “objekte shenjte” për popullsinë në përgjithësi, veçanërisht për nxanësit e shkollave. Le të bahen objekte pelegrinazhi e reflektimi, e sidomos reflektimi…. për të gjithë! Na do të zbulojshim shembujt ma fisnikë të historisë shqiptare, dhe të karakterit sublim të shqiptarit që guxoi të luftojë deri në sakrificë të huejin pushtues, dhe shqiptarin shtypës të pamëshirëshëm, shembullin ma të ulët e ma të urrejtun të shoqënisë shqiptare….!

Le të organizojmë nji fushatë për mbledhjen, koleksionimin, klasifikimin, dhe ma në fund paraqitjen publike të të gjitha krimeve komuniste, të çdo natyre qofshin ata, si dokumentacion të domosdoshëm me shkrue ndershmënisht historinë e trishtë të 45 vjetëve të terrorit komunist në vendin tonë. E mirë ose jo e mirë, ajo ashtë historia e jonë, dhe duhet ta pranojmë. Ata që paguen me çmimin ma të naltë rezistencën e tyne, e kerkojnë! Dekomunizimin shoqënia shqiptare e kerkon; breznia e re në shkollët tona, e kerkon; dhe tekstet tona presin momentin kur ata të plotësojnë këte mision. Nji veprimtari e këtill ashtë nji imperativ kategorik!

Nji përpjekje e organizueme, nga Qeveria dhe organizatat jo-qeveritare me identifikue vendet, me ndihmue, me këshillue dhe me dhanë burime financiare –shtëpi, punë, pensione etj.- dhe sidomos me krijue mundësitë për arsim- kryesisht arsimin e naltë- për viktimët e familjet e tyne të harrueme, për të gjithë ata që dhanë çdo gja për vendin e popullin e tyne, ashtë nji imperativ kategorik

Kështu, qellimi i arsimit progresiv ka mundësi të ketë suksesin e pritun, vumjen e theksit në nxitjen e kuriozitetit tonë për ngritjen e zemërmirësisë sonë të mbrendshme, dhe përjashtimin e  mbrapshtisë së ideologjive totalitare.

Në “Botën e Lirë”, tregu i ideve ashtë i gjanë, dhe eventualisht zgjidhen ato që janë ma të “mira”, në shërbim të njerëzimit pa dallim, pa përjashtim, nji sistem që na sjellë në mendje “darwinizmin” dhe zgjedhjen e “ma të përshtatëshmes”. Por, në nji treg ideshë të këtilla, eksperienca na mëson se fashizmi, nazismi, komunizmi, militarizmi japonez dhe “-izmat” tjera me karakter totalitar, – siç ishte ‘enverizmi’ në Shqipëri, -forma ma e mbrapshtë e “humanizmit” marksist- nuk kanë vend.

Ka ardhë koha edhe për ne me ba hapin e madh kualifikativ, me u ba “zot të vetëvetes”, me fillue tranzicionin tonë nga faza fëminore dhe logjika e saj, në atë të burrënimit me sensin e plotë të përgjegjsisë personale; me arrijtë fazën e jetës kur kërkohet zotënimi i plotë i pasioneve të errëta, dhe tentimeve satanike, efektet e të cilave shqiptarët i njohin shumë mirë. Ka ardhë koha “me qetësue bishën që kemi përmbrenda”. Le të bajmë përpjekje me rindertue modelin e karakterit të njeriut shqiptar, me nji kulturë që inkurajon identifikimin e “të metave tona”. Kjo ashtë rruga ma e mirë me evitue tragjedi të reja në vendin tonë martir.

Identifikimi i “të metave tona” ashte hapi i parë; hapi i dytë, ashtë identifikimi i “pikave të përbashkëta, dhe bashkëpunimi me të gjithë”.

Kështu mund të arrihet “pjekunia e shoqënisë shqiptare”!

——————————————————————————-

* ish i burgosun politik (1946-56)

Filed Under: Politike Tagged With: mendjet e mbylluna, Sami repishti, tragjedia

Komisioni Europian: Të hapen bisedimet me Shqipërinë !

April 17, 2018 by dgreca

Komisioni europian do të rekomandojë zyrtarisht hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Në raportin i cili do të bëhet publik sot Komisioni vlerëson përparimet e bëra nga vendi, dhe këtë herë rekomandimi i tij është i pakushtëzuar. “Ruajtja dhe thellimi reformave aktuale në fushën kyçe të zbatimit të ligjit, në mënyrë të veçantë, në të gjitha pesë prioritetet kyçe dhe vijimi i rezultateve të vazhdueshme dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingu), do të jetë vendimtar për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë. Për të mbështetur këtë, Komisioni do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave që lidhen me gjyqësorin, të drejtat themelore dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit”, shkruhet në pjesën e rekomandimit për Shqipërinë.

Komisioni ka vlerësuar se vendi “ka vijuar të bëjë një përparim të vazhdueshëm në zbatimin e pesë prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Reforma e administratës publike u konsolidua, me qëllim përforcimin e profesionalizmit dhe depolitizimit të saj. Veprime të mëtejshme u ndërmorrën për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht përmes ecjes përpara në zbatimin e një reforme gjithëpërfshirëse në drejtësi. Kjo përfshin rezultatet e para të prekshme në rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingun), me dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të nivelit të lartë, dhe me dëgjesat e para që çuan në shkarkimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese si dhe konfirmimin në detyrë të një tjetër gjyqtareje të Gjykatës Kushtetuese”.

Komisioni europian vëren se “përpjekje të mëtejshme të vendosura u ndërmorën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshi ato në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimit të saj, duke kontribuar drejt arritjeve solide në hetime proaktive, arrestime e dënimeve. U morën masa të mëtejshme për të garantuar mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut, përfshi personat që u përkasin pakicave si dhe komunitetit rom, si dhe politikat anti-diskriminim, ashtu sikurse edhe zbatimin e të drejtave të pronës”.

Në raportin e Komisionit bëhet më pas një pasqyrë më e detajuar e ecurisë së vendit në lidhje me kriteret e ndryshme. Duke përshkruar situatën politik theksohet se “polarizimi i fortë në skenën politike ishte i pranishëm”, ndërsa sillet në vëmendje bojkoti i opozitës pranverën e shkuar “çka shtyu në kohë gjithashtu edhe ngritjen e institucioneve të Vettingut në gjyqësor” e më pas marrëveshja e Majit mes kreyministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, e cila pasoi me “organizimin pa probleme të zgjedhjeve të përgjithshme në qershor, pavarësisht nga fakti se një numër rekomandimesh të OSBE/ODIHR-it ende mbetën të paplotësuara”.

Sa i përket administratës publike Komisionir vëren se “Shqipëria është relativisht e përgatitur për reformën” në këtë fushë. Ndërsa vlerësohen përparimet e bëra, theksohet se konsolidimi i tyre “duhet të çohet përpara më tej, në mënyrë që të sigurohet një administratë më efikase, më e depolitizuar dhe më profesionale”

Lidhur më Drejtësinë, fjala kyçe është zbatimi i Reformës që “ka çuar në një përparim të mirë të përgjithshëm” dhe veçanërisht procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve i cili “ka filluar dhe po jep rezultatet e para të prekshme”. Edhe lidhur me luftën ndaj korrupsionit, ndërsa flitet për një “përparim të mirë”, sërish vihen në dukje institucionet e reja të parashikuara nga Reforma në Drejtësisë që do të merren me luftën ndaj korrupsionit e “që janë në fazën e krijimit të tyre”. Por raporti thekson se “dënime të zyrtarëve të nivelit të lartë ndodhën kryesisht në gjyqësor (gjyqtarë dhe prokurorë); megjithatë, shkalla e dënimeve përfundimtare për zyrtarët e lartë mbetet në përgjithësi shumë e ulët. Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”.

Raporti njeh përparime dhe në luftën ndaj krimit të organizuar “sidomos në luftën kundër kultivimit të kanabisit”, por kërkon që “të intensifikohet konfiskimi i pasurive që u përkasin bandave kriminale dhe të vijohet me shkatërrimin e të gjithë sasive stok të kanabisit”. Gjithashtu raporti vëren se “ka pasur pak përparim në shkatërrimin e grupeve kriminale të organizuara. Numri i dënimeve përfundimtare në rastet e krimit të organizuar ka mbetur shumë i ulët dhe është rritur vetëm pak. Nevojiten më shumë përpjekje për të trajtuar pastrimin e parave, pasuritë kriminale dhe pasurinë e pajustifikuar”. Shqipëria vlerësohet se “ka marrë pjesë me sukses në bashkëpunimin ndërkombëtar të policive, duke intensifikuar ndërveprimet e saj veçanërisht me vendet anëtare të BE”

Raporti trajton në mbyllje të kapitullit për Shqipërinë dhe çështjen e azilkërkuesve. “Numri i kërkesave të pabazuara për azil, të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në vendet anëtare të BE dhe në shtetet Schengen ka mbetur i lartë. Shqipëria është angazhuar dhe ka miratuar një numër masash, duke përfshirë forcimin e bashkëpunimit dypalësh me shtetet kryesore anëtare të BE-së. Këto masa dhanë rezultate pozitive. Veprime të mëtejshme të vendosura duhet të vazhdojnë, duke i përfshirë në kuadrin e mekanizmit të monitorimit të post liberalizimit të vizave, për të përballuar në mënyrë efektive këtë fenomen”.(Sipas VOA)

Filed Under: Analiza Tagged With: Hapen Bisedimet me Shqiperine, Komisioni Europian

Bamirësi në shtëpinë Filantropisti Richard Lukaj

April 17, 2018 by dgreca

1 ricardi flet1 orkestra1 lindita2 richi3 rich

Aktivitet bamirësie në shtëpinë e filantropistit shqiptar Richard Lukaj, “Nderi i Kombit”/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Gjithmonë më kanë ëtrhequr aktivitetet e ndryshme që janë në shërbim të Diasporës dhe të Kombit, por aktivitetet me program bamirësie më sjellin një ndjesi tjetër, sepse janë shumë më pranë thelbit njerëzor.

Shumë miq te familjes Lukaj kishin ardhur për t’iu bashkuar këtij aktiviteti që prezantonte Fondacionin Polifonik që ka misionin më fisnik dhe më human Paqen duke filluar midis Izraelit dhe vendeve arabe, që natyrisht nis me artin dhe muzikën.  Ndërsa dëgjoja me shumë kënaqësi orkestrën që interpretonin artistët e mrekullueshëm dhe të rinj që kishin udhëtuar që nga Izraeli medoemos mendoja se vetëm arti i dalë nga shpirti mund t’i sjellë botës Paqe dhe mirësi…   Misioni i tyre të kujtonte thënien e filozofit të famshëm Platonin i cili ka thënë:  “Music gives a soul to the universe, wings to the mind, flight to the imagination and life to everything,” që përkthehet: Muzika i jep shpirt universit, krah mendjes, fluturim imagjinatës dhe jetë në cdo gjë…

Fondacioni Polifonik po ndërton ura per te nxitur shoqërine civile duke mbledhur të jetojnë së bashku fëmijë arabe dhe hebrenj në Izrael, përmes muzikës.

Në se disa lider nëpër shtete të ndryshme të botës do t’i dëgjonin herë pas here këta instrumentistë të talentuar, medoemos do ta zbusnin egërsinë e pamëshirshme të tyre dhe do të ktheheshin më njerëzor, por mjerisht ende mbjellin frikë…

Z.Richard Lukaj filantropist i njohur shqiptar dhe në botë ka përshëndetur misionin e tyre plot me qëllime te bukura dhe me mision paqeje si dhe njëkohësisht ka përgëzuar të gjithë të pranishmit që ndodheshin në shtëpinë e tij, të cilët kishin ardhur për të kontribuar. për ta rritur dhe përhapur më shumë në botë emrin e Fondacionit Polifonik.

Që nga viti 2011 Fondacioni Polifonik ka ndihmuar në krijimin e një baze të njejtë përmes një zëri të përbashkët. Të rinjtë arabë dhe hebrenj kanë marrë aksese të barabarta në arsimimin muzikor, në oportunitete të ndryshme si dhe kanë dhënë koncerte së bashku.  Gjithashtu që prej vitit 2006 mbi 25 000 arabë dhe hebrenj kanë zbuluar muzikën dhe kanë gjetur shpresën nëpërmjet Fondacionit Polifonik

Në këtë aktivitet bamiresie interpretuan artistë të mirënjohur shqiptarë si Lindita Mezini Lole e cila interpretoi mjeshtërisht duet me këngën popullore shqiptare Lule bore së bashku me Laila Lukaj një artiste e re plot talent që premton shumë në të ardhmen, nën shoqërimin në piano nga Ida Tili Trebicka.  Me plot profesionalizem interpretoi në klarinet mjeshtri Igli Tuga.

Kuarteti Polifonik i harqeve në koncertin e bamirësisë kishte ndjesi magjie, ngase sillte brenda nesh botën e tyre të madhe sa rruzulli  Ata ishin si katër pëllumba Paqeje që kishin fluturuar nga Izraeli dhe kishin gjetur një folezë shpirtërore në shtëpinë e shqiptarit Richard Lukaj, origjina e të cilit Shqipëria, i kishte sjellë botës gruan më të famshme të rruzullit, Shenjtoren Gonxhe Bojaxhiun, Nënë Terezën.

Dhe kjo s’është rastësi!…

14 prill, 2018

Greenwich, Connecticut

Filed Under: Komunitet Tagged With: filantropistit Richard Lukaj, Keze Kozeta Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1450
  • 1451
  • 1452
  • 1453
  • 1454
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT