• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vandalët e vërtetë të Shqipërisë?

April 4, 2018 by dgreca

1 andon Deda 2

Nga Andon Dede, Nju York/

Para se të filloj të shtjelloj mendimet e mija për zhvillimet e fundit në Shqipëri, po i bëj të ditur lexuesit të mundshëm të këtyre shënimeve se jam absolutisht kundër dhunës, në përgjithësi, e çfardo forme e rrethane qoftë ajo. Për më tepër, më revoltojnë protestat që përfundojnë me shkatërrime e zjarre të objekteve, cilatdo qofshin ato, private apo shtëtërore. Më lindi kjo ide për të shkruar për “dhunën kundër dhunës”, qysh në protestat e Greqisë, vite më parë, nisur nga e vërteta e thjeshtë se ç’faj kishin bizneset e atyre mjediseve ku protestuesit shkatërruan e dogjën gjithçka mundën në sheshet e Athinës?! Ose, të kthehemi pas në kohë, në vendin tonë, në fillimet e pluralizmit apo dhe në “vitin e mbrapshtë” të ’97-ës: e ç’fituam nga ato shkatërrime barbare që ndodhën?! Veç, të mos harrojmë një gjë: shkatërimet që ndodhën në fillim të pluralizmit tek ne, vërtet që na kushtuan aq shtrenjt, por ato na  dhanë një mesazh që, për fatin tonë të keq, është aktual edhe tani, pas afro tre dekadash: ato treguan se popullit, sado i urtë e i nënshtruar qoftë ai, si ky yni, po i erdhi shpirti në majë të hundës, deri atje ku nuk mban më, ai shpërthen në revolta të dhunshme, madje humbet edhe logjkën më elementare dhe një Zot e di se ç’bën. Të ruajtë Perëndia nga momente të tilla që nuk do t’ia dëshëroja as hasmit!

As më shumë e as më pak, kjo ndodhi, pak ditë më parë, me kuksianët e, jo vetëm me ata: u kishte shkuar thika deri në palcë nga varfëria ekstreme që po përjetonin e nga padrejtësitë e spekullimet që po bëheshin në kurriz të tyre. (Kur e them këtë, kam parasysh se Kukësi, në veçanti, apo dhe gjithë Veri-Lindja e Shqipërisë, në përgjithësi, kanë tërë ato pasuri nën e mbi tokësore). Dhe, në vend që qeveria t’iu qante hallin e t’ua lehtësontë sadapak dhimbjen e mjerimin që iu duhej të përballonin, pa pasur asnjë faj, i rëndon edhe më tepër me tarifën që iu vuri. Siç tregojnë shumë syresh, ata, kuksianët, edhe për të kryer shërbimet më të thjeshta e të përditëshme, duhet të paguanin tarifën e rrugës. Për më tepër, në vend që t’iu qajmë hallin e t’i mëshirojmë, i shajmë e i përbuzim duke i etiketuar me fjalorin më të poshtër, më fyes e më denigrues, si vandalë, barbarë, kriminelë etj.etj. A i meritojnë ata, protestuesit, gjithë këto? Absolutisht jo, siç e kanë pohuar tashmë bindshëm shumë politikanë e analistë që iu dhimbsen ata të gjorë që dolën në protestë jo për favore e lukse të pamerituara, as për vila në Gjirin e Lalëzit apo në Surrel, siç po i shijojnë politikanët tanë, në pushtet apo në opozitë qofshin, por për bukën e gojës, për të mbijetuar, në një regjim që me zullumet e veta, po ia kalon çdo diktature që ka njohur jo vetëm populli ynë i shumëvuajtur por dhe njerëzimi mbarë.

Fjalën “vandal”, unë, (ma merr mendja, si gjithë të tjerët), e kam ditur prej kohësh. Megjithatë, për të qënë sa më i saktë në këto përsiatje, nuk përtova të hap Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe. Po riprodhoj këtu, fjalë për fjalë, gjithë sa shkruhet atje, për vandalin:

“Pjestar i një popullsie të hershme gjermanike, e cila në shekullin e pestë u dynd nga brigjet e lumit Oder, pushtoi një pjesë të Perandorisë Romake, plaçkiti Romën dhe shkatërroi shumë monumente të artit e të kulturës.”. Ky qe kuptimi i parë apo etimologjik i fjalës. Dhe ja tani përdorimi i sotshëm, i figurshëm: “Ai që prish e shkatërron në mënyrë barbare monumentet e artit e të kulturës dhe çdo gjë tjetër me vlerë; njeri i egër e barbar, shkatërrimtar i pamëshirshëm”.

Po a ka njeri që është akuzuar si i tillë, në vendin tonë, për shkatërrime të monumenteve të kulturës, sidomos në kryeqytet, por dhe gjetkë, për të ndërtuar kulla e objekte të tjera fitimprurëse, se sa Rama, kryeminstri aktual?! Dhe, një akuzë e tillë, nuk vjen nga opozita apo persona të tjerë, të panjohur nga ai, si puna ime, por nga ish-miqtë e shokët e tij më të ngushtë, si Ngjela, Lubonja, Zheji, Blushi, Lesi, Bejtja, etj., për të mos u zgjatur më tepër?!  Pra, nëse ka një njeri në Shqipëri që e meriton katërcipërisht fjalën “vandal”, në kuptimin e mirëfilltë të saj, është pikërisht ai, kryeministri aktual dhe tërë ata që, pa iu dhimbsur vendi e populli, kanë shkatërruar çdo gjë me vlerë në vendin tonë, vetëm e vetëm për përfitime personale. Për këdo, pra, me pesë pare mend në kokë, e ka më se të qartë se vandalët e vërtetë të Shqipërisë, nuk janë ata hallexhenj, që mezi mbushin barkun me bukë e që iu ka ardhur shpirti në majë të hundës e, në momente dëshpërimi të skajshëm, nuk dinë se ç’bëjnë, (si të gjithë ne, në rrethana të tilla), por ata që për afro tre dekada, e kanë mashtruar këtë popull dhe e kanë katandisur në këtë derexhe, sa që atij mund t’i falet çdo gjë që bën. (Sigurisht që rrënjët e realitetit të sotëm shqiptar, shkojnë thellë në histori, por nuk po merremi me këtë, se zgjatemi e dalim jashtë kësaj teme). Përfytyroni një fëmijë që e ka kapur dikush, një rrugaç apo i sëmurë psiqik, dhe po e torturon, gati ta mbysë…Për vetë-mbrojtje, ai, sa gjen rastin, kundërvepron dhe arrin ta mposhtë viktimën e ta çojë në botën tjetër…Hë, pra, kush është vandali, në këtë rast? As më shumë e as më pak, në të tilla kushte është jo vetëm Kukësi por gati gjithë Shqipëria sot, me përjashtim të oligarkëve, bashkëpuntorë të kryeminstrit, që me paturpësi dalin tani në mbështetje të tij, në vend që të bashkëbisedojnë me popullin hallexhi e të gjejnë zgjidhje të arsyeshme. Të gjithë ata janë fajtorë përderisa kanë pranuar zgjidhjet kriminale e mashtruese të kryepushtetarit, duke u bërë palë e shkatërrimeve masive të vendit, në emër të përfitimeve vetjake.

Situata ka mbërritur në një pikë sa që s’mban më. E thashë që në fillim se jam kundër dhunës, por me sa duket, qënkam i gabuar, nëse mendoj se Rama e ata që i venë pas, mund të largohen nga pushteti me rrugë të tjera, veç asaj të kuksianëve. Këtë e them me dhimbje, por nuk është hera e parë që detyrohem të pranoj mangësitë e mija, si çdo krijesë tjetër njerëzore e kësaj bote. Askush nuk është perfekt, thonë amerikanët.

“Me vandalët, – tha Rama, në fjalën qaramane pas revoltës kuksiane, duke iu marrë fryma, – ne do sillemi siç e meritojnë shkelësit e ligjit”. Bukur e drejt! Është këshilla më e mirë e më e vlefshme që mund t’i jepej popullit tonë të mashtruar e të shkelur me këmbë nga vandalë si ai, për të dalë nga kjo gjendje e mjerueshme.

Nju York, 3 prill 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Vandalet e Shqiperise

NDËRROI JETË “KOSOVARI” NGA GJIROKASTRA

April 4, 2018 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Komuniteti shqiptaro-amerikan humbi edhe një  prej aktivistëve më të dalluar të tij dhe më të dedikuar ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi, për më shumë se një gjysëm shekulli. Inxhinier Agim Karagjozi ndërroi jetë fund javën që kaloi në moshën 92-vjeçare dhe u varros të mërkurën më 4 prill në varrezat Pinelawn në Farmingdale të Nju Jorkut.   Në një njoftim të gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra të Amerikës — të cilën ai e drejtoi si Kryetar i saj për dy dekada – thuhet se i ndjeri Agim Karagjozi ndërroi jetë në një spital në Long Island të Nju Jorkut, duke lënë në pikëllim Zonjën Rozi, djemtë Zyhdinë dhe Shpëtimin, vajzën Angel, motrën Bukuroshe, vëllanë Vesim, mbesën Miranda (Telegrafi) nipin Armand (Vincani), si dhe shumë nipa e mbesa, kushërinj e familjarë të shumtë në SHBA dhe në Shqipëri

1 karagjozi1-300x225Kush ishte Agim Karagjozi?  Sipas biografisë zyrtare të botuar në gazetën Dielli, Agim Karagjozi lindi në Gjirokastër, me 1 shtator 1926.  Arsimin fillor e nisi në qytetin e Lindjes, ku kreu katër klasat e para ndërsa klasën e pestë e vijoi në Vlorë.  Në vitet 1938 –1944 vazhdoi shkollimin në liceun e Korçës, në gjimnazin e Gjirokastrës dhe në gjimnazin e Tiranës.  Edhe pse i ri u përfshi në Luftën e Dytë Botërore, ku u bë pjesë e Ballit Kombëtar dhe u aktivizua me Rininë e Ballit, në vitete 1943-1944, kryesisht, në sektorin e propagandës, por mori pjesë në luftë edhe me armë në dorë, duke shkuar deri në Kosovë, verën e vitit 1944 si vullnetar në batalionin “Besnik Çano”, që shkoi në Kosovë për të luftuar kundër forcave të Mihajloviçit në Qafë të Morinës.

Si shumë bashkohas të tij, anëtarë të Ballit Kombëtar dhe nacionalistë të tjerë, në nëntor të vitit 1944, largohet nga Shqipëria me shumë bashkluftarë të vet dhe pas pothuaj katër vitesh qendrimi në kampe refugjatësh në Itali, bashkë me babanë, emigruan në Turqi.   Nga viti shkollor 1948–49 deri në qershor të 1955, Agim Karagjozi ndoqi studimet në kolegjin amerikan Robert College në Stamboll të Turqisë, ku u diplomua në inxhinieri, dega elektrike.

Përfundimisht, ashtu si shumë bashkvendas të tij anti-komunistë, në vitin 1956, vendoset në Amerikë.  Që nga viti 1960, bëhet pjesë e Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe nga viti 1992-2010, ishte edhe kryetar i saj, ndërkohë që pat drejtuar edhe degën nr. 29 të kësaj Federate në Nju Jork, thuhet në portretin e përgatitur nga Kryeredaktori i Diellit, Dalip Greca. Në mars të viti 2010, për arsye shëndetësore, ai dha dorëheqjen si kryetar dhe Vatra e zgjodhi president nderi.

Përjetoi më shumë se gjysëm shekulli jetën si vatran aktiv dhe udhëheqës i saj dhe si anëtar i nderuar i komunitetit shqiptaro-amerikan.  Njohu Imzot Nolin, përfaqësoi vatranët e Nju Jork-ut dhe Nju Xhersit në ceremoninë zyrtare të varrimit të Imzot Nolit dhe udhëhoqi fondin për ndërtesën e Vatrës.  Ishte mik i presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, mik i heroit të Demokracisë Shqiptare Azem Hajdari, i presidentit të parë demokrat të Shqiptarëve Dr. Sali Berisha etj.  Në kohën e luftës së Kosovës, megjithse në moshë të shkuar, me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë vatranë – sikur donte të përfundonte misionin e tij të filluar në Kosovë në vitin 19944 ku shkoi për të luftuar forcat sllave — shkojnë deri në Tropojë, ku u takuan me luftëtarët e plagosur të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, dhuruan ndihma në medikamente dhe të holla për Luftën Çlirimtare të Kosovës. Më kujtohet me një rast në Washigton ku kishte ardhë për të marrë pjesë në takimet e shumta me zyrtarë të lartë amerikanë gjatë krizës në Kosovë, përfshir Presidentin Klinton siç mund të shihet në fotografinë më poshtë – i ndjeri Karagjozi më tha se edhe “Unë jam Kosovar, megjithse kam lindë në Gjirokastër”.  Ishte një mbështetës i fuqishëm i proceseve demokratike në Shqipëri e Kosovë, megjithse më në fund edhe ai – si shumë ne të tjerët në këtë vend – dhe si patriot që ishte, shkoi i zhgënjyer për mungesën e përparimit drejtë demokracisë dhe integrimeve të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike, madje pothuaj 30-vjet pas shembjes së regjimit komunist në Shqipëri dhe 10-vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ishte një njeri dhe patriot, që edhe po të kishe ndonjë kundërshtim me ‘të, të bënte ta doje dhe respektoje për parimet dhe atdhedashurinë që ushtronte vet dhe të cilat përpiqej, deri në ditët e fundit të jetës së vet – me shembullin e tij — t’ua kalonte këtë frymëzim edhe brezave të ri në Vatër dhe në mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan.

Në këtë frymë ishte edhe pjesëmarrja e tij në takimin me Presidentin Klinton në Shtëpinë e Bardhë për të inkurajuar administratën amerikane të asaj kohe dhe për të sensibilizuar politikën amerikane në pëgjithësi, përfshirë Kongresin amerikan, që të ndërhynte për të penguar shtypjen e përgjakshme nga forcat terroriste të policisë dhe ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.

1 Harry

Nga takimi i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me Presidentin Bill Klinton dhe këshilltarë të sigurimit kombëtar amerikan në Shtëpinë e Bardhë, për të biseduar mbi krizën në Kosovë, pranverën e vitit 1999.  Agim Karagjozi është i dyti në të djathtë.

Në një shkrim kushtuar Agim Karagjozit me rastin e vdekjes, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe shprehet se ish-kryetari i Vatrës i ka dhënë intrevista të shumta VOA-s shqip, në të cilat Zoti Karagjozi ka shprehur dëshirën që Shqipëria të njihte përparim në rrugën e re të demokracisë dhe inkurajonte shqiptarët e Amerikës që të ndihmonin me të gjitha mjetet atdheun që po rilindëte.   Ai do të mbahet mend për shpirtin atdhedashës, që shërbeu si frymëzim për anëtarët e Vatrës dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan.  Ai dha një ndihmesë të dorës së parë për ruajtjen e vazhdimësisë së Vatrës dhe organizoi punën që gazeta e saj “Dielli” të dilte pa ndërprerje, megjithë vështirësitë financiare.  Të gjithë ata shqiptaro-amerikanë që e njohën atë, qoftë për së afërmi qoftë për së largu, janë dakort me vlerësimin e radios se, “Agim Karagjozi do të mbahet mend si njeriu i përkushtuar, që luftoi deri në fund për të bërë detyrën ndaj atdheut, edhe në rrethanat më të vështira.”

Në këtë frymë edhe unë, si dashamirës i kahmotshëm i Agim Karagjozit si dhe i shumë bashk-kohasve të tij, të cilët megjithse larg dhe të përbuzur për 50-vjet nga komunizmi, qëndruan përkrahës të ndritur të çështjes kombëtare shqiptare anë e mbanë trojeve tona – marr pjesë në pikëllimin e familjes së tij dhe të mbarë komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara për humbjen e madhe me zhdukjen nga kjo jetë e inxhinier Agim Karagjozit –me ndjenjat më të gjalla miqësie, ndërkohë që i dërgoj përdhimtimet e mia më të sinqerta familjes së tij të ngushtë dhe mbarë farefisit këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kosovari, nga Gjirkastra

Njeriu dhe e vërteta

April 4, 2018 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Besimi është gjëja kryesore. Pa të njeriu nuk ka dëshirë e interes për asgjë. Besimi është frymë që vë trupin në lëvizje. Edhe ai që nuk beson në Zot, beson në diçka tjetër a tek vetja. Eshtë kjo arsyeja që njeriu nuk ka një të vërtetë apo gjithmonë është në kërkim të saj. Kur e vërteta është e qartë, e pakundërshtueshme, është e pamundur për njerëzit të përçahen, të ndahen a krijojnë parti e fraksione. Prandaj sot nuk kemi ajnshtainistë, galileolistë apo kolomboistë, sepse e vërteta e zbulimeve të tyre është e pranueshme, e qartë; por kemi marksistë, leninistë, stalinistë e çdo ‘istë’ tjetër, pasi e vërteta prej tyre mbytet, e drejta mohohet, liria shtypet.

Nëse natyra u përket të gjithëve, aq më shumë mbinatyra, e pakufishmja është pronë e tyre. Max Mūller thoshte se ajo që sot quhet Fe, në kohë të lashta quhej Ligj, Lidhje, Besë, fjalë e dhënë midis njeriut dhe perëndive. Një interpretim vjen nga Ciceroni, që e lidh fenë me “relego”, rilexim, lexim me vemendje për ta kuptuar thellësisht. Besimi, feja ishte diçka e brendshme e njeriut, ishte, kuptimi, fryma e tij. Më pas studiues në kohët tona, si Joseph Campbell, do të favorizonin po latinishten “ligare” e “ri- ligare” që solli “religion”, rilidhje midis Njeriut dhe Zotit.

Çfarë ishte është, qoftë politikan, i shtypur ose njeri i thjeshtë. Paranoja është imagjinatë, jo haluçinacion, e lindur nga persekutimi, që mund të quhet edhe fillimi i gjithçkaje, nga koha e Big Bangut të shkencës, apo e Fillesës së Zotit. Nuk ka njeri normal të mos ketë brenda vetes një lloj ndjenje faji, dhe nuk ka njeri që nuk ndjehet i përndjekur, qoftë edhe nga vetja.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Njeriu dhe e vërteta

Ing. Agim Karagjozi, Luftetar i Paepur per Lirine e Shqiptareve

April 4, 2018 by dgreca

agim Karagj SaliNga Dr. Sali BERISHA/

Agim Karagjozi mbylli syte pergjithmone!
Te dashur miq,
keto dite mbylli syte pergjithmone ne New York persidenti i nderit i Federates Panshqiptare te Amerikes “Vatra”, personaliteti i shquar i dispores dhe mbare kombit shqiptar, ikone e vertet e virtuteve me te arrira te shqiptarit, atdhetari i flakte, luftetari i paepur per lirine e shqiptareve, Agim Karagjozi.
Me ndarjen nga jeta te Agim Karagjozit familja e tij e nderuar humbi bashkeshortin, prindin e dashur e shembullor, Federata Panshqiptare “Vatra” humbi presidentin e saj te nderuar, qe e udhehoqi ate me vizion, vendosmeri e mençuri, miqte e tij humben mikun qe i beri krenar me miqesine e tij, diaspora jone dhe kombi shqiptar humbi birin e vet te shquar, antikomunistin e pathyeshem, avokatin e pamposhtur te lirise, te drejtave dhe dinjitetit te shqiptareve.
Me kete rast ju ftoj te dashur miq te shprehim ngushellimet tona me te sinqerta familjes se nderuar Karagjozi dhe mirenjohjen tone te pakufishme Agim Karagjozit, ketij burri te urte dhe te shquar te kombit tone!

Filed Under: Komente Tagged With: agim karagjozi, Dr. Sali berisha, ngushellime

PRESIDENTI META, NGUSHELLIME PER IKJEN E AGIM KARAGJOZIT

April 4, 2018 by dgreca

Presidenti Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit të Nderit të Federatës Pan-Shqiptare “VATRA”/1 Ilir MetaTirane- 4 prill 2018/

“U trishtova jashtë mase kur mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të atdhetarit të pashoq, shqiptaro-amerikanit të spikatur, Agim Karagjozit.

Në këto momente dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut të shtrenjtë, dëshiroj t’u gjendem shpirtërisht pranë familjarëve dhe të afërmve të tij, duke iu shprehur atyre ngushëllimet e mia më të sinqerta!

Jeta dhe veprimtaria e tij në shërbim të atdheut, në përkrahje dhe mbështetje të palodhur të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe vëllezërve e motrave tona në Amerikë, në mbrojtje dhe përhapje të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, duke drejtuar me mençuri dhe largpamësi Federatën Pan-Shqiptare “VATRA”, do të na shërbejë si një shembull e burim frymëzimi i pashtershëm atdhedashurie e përkushtimi.

I pastë dritë shpirti!

Ilir META

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Mta, Karagjozi, ngushellon, presidenti, VATRËN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1471
  • 1472
  • 1473
  • 1474
  • 1475
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT