• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRE SHQIPTARË NË EUROVIZION 2018

February 11, 2018 by dgreca

Ermal Meta, Eleni Foureira, Eugent Bushpepa/

1 Sanremoo Ermal Meta

Nga Kolec P. Traboini/

Ermal Meta është lindur në Fier, me 20 prill 1981, në moshën 13 vjeçare ikën familjarisht emigrant në Itali. Në kujtesën e tij e mbresëlënie nga vendlindja ka mbetur ashpërsia e babait por edhe butësia e mirësia e nënës së vet shkodrane, pianistja Mira Borova. E paharruar i mbetet një këngë e kompozuar në moshën 12 vjeçare në atdhe kushtuar një vajzë bashkëmoshatare që donte.

Nëna e Ermal Metës është nga rrethi familjar i muzikantit të shquar shkodran Luan Borova. Por edhe në lidhje familjare me këngëtaren e madhe Meliha Doda që ka lind ne Shkodër dhe në moshën 22 vjeçare ka shkuar në Vlorë dhe njihet si shkodrania interpretuese e shquar e këngës qytetare vlonjate.

Duke pas parasysh gjithë këtë rreth muzikantesh (edhe babai i tij ishte muzikant) tashmë e dimë se nga buron gjeni muzikor i artistit të madh shqiptaro-italian Ermal Meta.

Le të shpresojmë të ketë të njëjtin sukses edhe në festivalin europian – Eurovizion që zhvillohet këtë vit në Portugali ku do të kemi tre shqiptarë protagonistë; Ermal Meta i Italisë, vajza shqiptare që përfaqëson Qipron, Eleni Foureira, natyrshëm dhe Eugent Bushpepa, që përfaqëson Shqipërinë me këngën “Mall”.

1 eleni1Po kush është këngëtarja qe përfaqëson Qipron ne Eurovizion 2018 në Portugali?…Eleni Foureira (emri i saj i vërtetë është Entela Fureraj) ka lindur në Fier më 7 March 1987 dhe ka jetuar familjarisht si emigrante në Greqi. Ka filluar karrierën në 2007 me grupin e vajzave greke “Mistika” por me prishjen e grupit ajo filloi karrierën individuale në 2010. Eleni-Entela është aktore, balerinë dhe stiliste mode. Është vlerësuar duke u quajtur si mbretëresha e pop artit muzikor grek. Shumë kohë ajo e ka fshehur identitetin e vet si shqiptare nga frika e një diskriminimi që do ti rrezikonte karrierën muzikore në Greqi.Që në albumin e saj të parë në 2010 ajo fitoi Çertifikatën e Platintë në Greqi.

Në 2012, dhe 2014 nxjerr nga enti diskografik “Minos EMI” dy disqe të reja “Ti poniro mou zitas (Çfarë dinakërie më kërkon)” dhe “Anemos agapis (Era e dashurisë)”. Të dy albumet qarkulluan me sukses në Greqi dhe Qipro. Në 2017 në entin diskografik “Panikos Rekord” nxori albumin e saj të katërt “Vasilica”( Mbretëresha)”.
Eleni (Entela) Foureira, është sot këngëtarja më e shquar dhe e suksesshme në Greqi, por tashmë përfaqëson Qipron. Popullaritetin e saj e tregon fakti se në një nga koncert përformimet e saj është ndjekur në You Tube nga më shumë se 100 milion shikues.1 eugent Bushpepa

Ne Foto; Eugent Bushpepa/

***

Ermal Meta, ëndrra e zgjatur e emigrantit nga Fieri

2 Meta

Ermal Meta nuk i pëlqen përrlallat. Djali që u bë i njohur dy vjet më parë në Sanremo 2016 me “Odio le favole” (I urrej përrallat), e përsërit shpesh: “Përrallat nuk më kanë pëlqyer kurrë, për mua jeta është shumë herë më interesante dhe ka më shumë fantazi në të”. E megjithëatë jeta e Ermal Metës, 37 vjeç i ngjan një përralle. Ai u bë fituesi (pasi kishr marë më parë vendin e tretë) i festivalit të këngës së lehtë italiane që shqiptarët e shihnin dikur në mënyrë klandestine.

Ermali, një emigrant nga Fieri, jo vetëm mori pjesë për të tretën herë radhazi, por doli andej edhe me çmim.  Njësoj si këtë radhë edhe vjet kënga e tij ‘E ndaluar të vdesësh’ (Vietato Morire) është vlerësuar maksimalisht nga juria dhe publiku.

Edhe pse deri para dy vitesh ai nuk njihej mirë në Shqipëri, Ermali tashmë është imponuar në tregun muzikor në Itali. Ai ka shkruar këngë për yje të famshëm si Marko Mengoni, Emma Marrone, Chiara, Annalisa, Patty Pravo etj. Natyrisht ashtu sikurse per çdo emigrant edhe per të fillimet nuk ishin të lehta. “Fillova duke kënduar në disa grupe në qytetin e Barit në Puglia. Me një në veçanti, grupin “La Fame di Camilla”, publikuam tri albume nëpërmjet etiketës diskografike “Universal”. Njëkohësisht kompozoja këngë dhe shkruaja tekste për këngëtarë me famë në Itali” tregon ai. Dhe pak nga pak emigranti nga Fieri filloi të iponohet, prtej Adriatikut. “Tregu muzikor italian është i vogël dhe për këtë arsye edhe shumë i vështirë. Dua të them që nuk ta lë njeri vendin e vet. Ndryshe nga ata që kanë lindur dhe janë rritur në Itali, ti ke lindur në Shqipëri, madje në Fier” pohon ai dhe shton: “Unë kam lindur në Fier dhe kam pasur një fëmijëri si pjesa më e madhe e fëmijëve shqiptarë në ato vite. Në Tiranë kam qenë pak herë kur isha i vogël dhe jo për arsye të lidhura me muzikën”.

***

Intervista / Nata më e gjatë e jetës

Si do ta nisje një përrallë dashurie?

Di si të nis një këngë, por jo një përrallë.

Kënga më e bukur që ke dëgjuar për një ndarje?

“Wicked Game” Chris Isaac.

Alkooli më i fortë për të mbytur dhembjen?

Rhum.

Nata më e gjatë që ke kaluar?

Nata në të cilën më thanë që ime më ishte në koma. M’u duk e gjatë një vit.

Zgjimi më romantik si mund të ishte për ty?

Çdo zgjim është romantik kur fle me dikë që ke në krevat dhe në zemër.

Mesazhi më mbresëlënës që të ka ardhur në celular?

Një mesazh në celular nuk e konsideroj mbresëlënës.

Martesa që do të ëndërroje?

Ajo që bën i moshuari mbas një jete të gjatë dhe të lirë.

Vdekja më e ëmbël si do të ishte?

Ajo pas martesës së mësipërme.

Cila është italiania më e bukur?

E dashura ime.

Por, tani shumëkush në Tiranë e njeh Ermal Metën falë paraqitjes së suksesshme në Sanremo. Ndërsa ai e kujton Shqipërinë përmes tekstit të këngës së tij: “më kujtohet ai cast kur u bëra i madh”.(Lapsi.al)

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, në Eurovizion, tre shqiptar

Kosova përgatitet për festë-10 dite festime

February 11, 2018 by dgreca

Kosova plot flamuj feste në 10 vjetorin  e Pavarësisë/

1 skendb e ekspoz

-Ekspozita Rrënjët e Shtetit e hapur në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë/1 Falmur i madh

-Pjesë e veprimtarive festive për 10 vjetorin e pavarësisë, në Prishtinë kishte edhe spektakël parashutistësh të Federatës Aeronautike me flamuj të shtetit të Kosovës/1 skend me flam

Kosova në 10 vjetorin e pavarësisë 10 ditë festime  /

 -Ekspozita Rrënjët e Shtetit e hapur në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë/

-Pjesë e veprimtarive festive për 10 vjetorin e pavarësisë, në Prishtinë kishte edhe spektakël parashutistësh të Federatës Aeronautike me flamuj të shtetit të Kosovës/

 PRISHTINË, 11 Shkurt  2018- Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kosova me plot flamuj feste në 10 vjetorin  e Pavarësisë pret ditën e 17 shkurtit të pas një jave me shumë festime, që po zhvillohen edhe sot, duke nisur në mengjes me “Vrapimi i pavarësisë” përgjatë 50 kilometrave nga Klina deri në Gllogjan, për të përfunduar në Koshare. Axhenda e festimeve të ditës së sotme përmbyllet në mbrëmje me ekspozitën multimediale “Midis ëndërrës dhe realitetit”, të Eliza Hoxhës, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës dhe me muzikë me DJ në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Në veprimtaritë e 10 ditëve të festimeve të 10 vjetorit të pavarësisë është edhe ekspozita “Rrënjët e Shtetit” e hapur në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, e cila paraqet 50 vjet të rrugëtimit të Kosovës, nga demonstratat e vitit 1968 ku kërkohej statusi i Republikës deri në shpalljen e pavarësisë në 2008-tën, përmes ballinave e faqeve tjera të gazetave botërore që raportonin për zhvillimet në Kosovë.

Edhe sot në sheshet e kryeqytetit, Prishtinës, vazhdonin të ngriheshin flamujt e shtetit të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, e të njohur deri tani nga 115 vende anëtare të OKB-së.

Pjesë e veprimtarive festive për 10 vjetorin e pavarësisë në Prishtinë ishte edhe  një spektakël parashutistësh të Federatës Aeronautike me flamuj të shtetit të Kosovës.

“Fluturimi i lirisë, një spektakël i shkëlqyer në qiell i anëtarëve të Federatës Aeronautike të Kosovës”, është shprehur me vlerësim presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, nën patronatin e të cilit mbahen festimet e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, e në kuadër të të cilave këtë javë për jubileun e parë të shtetit iu adresua qeverisë në mbledhjen ku kryeminsitri Ramush Haradinaj njoftoi për përgatitjet.

“Rrugëtimi ynë, i Kosovës, është i qartë, i saktë dhe me vizion euroatlantik”, theksoi presidenti i Republikës, ndërsa bëri tre propozime: Për ndërtimin e një Kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të Lirisë në Prishtinë.

“Në kuadër të manifestimeve për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, gjatë 10 ditëve, nga 8 deri në 18 shkurt, organizohen një sërë aktivitetesh kulturore, sportive dhe politike. Në këto aktivitete do marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare”, theksojnë në Presidencë.

 Me mbështetje e organizim nga Ministria kosovare e Punëve të Jashtme, gjatë fundjaves së kaluar në Prishtinë janë mbledhur dhjetëra wikipedianë vullnetarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, ndërkohë që javën vijuese edhe nga vende tjera evropiane për ta pasuruar enciklopedinë e lire wikipedia me artikuj dhe fotografi mbi Kosovën.

Ky aktivitet, është organizuar me rastin e shënimit të vitit jubilar të 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që synohet që të vazhdojë të shtrihet në gjithë Kosovën, duke përfshirë vullnetarë të ri dhe kreativë.

Wikipedianët vullnetarë nëpërmjet Wiki-Academy Kosovo 2018 kanë pasuruar enciklopedinë Wikipedia me qindra artikujt dhe fotografi, ndërkohë që po aq pritet të shtohen edhe gjatë ditëve të ardhshme të punës dhe brenda dy punëtorive të radhës këtë fundjavë në Qendrën e Inovacionit të Kosovës.

Sipas Ministrisë së Jashtme, Kosova e pavarur deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, kosova, pergatitet per feste

Gazeta Rilindja, deklaratë proteste

February 11, 2018 by dgreca

-GAZETA RILINDJA NË 73 VJETOR, 16 VJET DËBIM E MBYLLJE DHE NË PRITJE TË ZGJIDHJES SË LIGJËSHME – DEKLARATË PROTESTE/

1 Rilindja faqe 1-Në këtë 73-vjetor e shohim të nevojshëm edhe një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre-
1 RILINDJA 1

 Në një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë 12 Shkurt 2018 do të festonte 73 vjetorin.Por, në këtë Kosovë, në këtë 10 vjetor të Pavarësisë, në këtë muaj mbushen plot 16 vjet nga 21 Shkurti 2002, ditës së dëbimit prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm, nga administrata e UNMIK  dhe detyrimisht mbylljes së gazetës historike Rilindja, e cila kërkoi të drejtën e saj edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes të uzurpuar, “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën  Rilindja edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.

Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

“Kompensimi i punëtorëve në procesin e likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja, për dëbimin kolektiv nga puna dhe dëmet”, është kërkesa tjetër drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në  shkresën e  21 Shkurt 2014.

Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, ndërsa ish-punëtorët e saj kanë bërë kërkesa për kompensime në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cila i ka mbështetur në vazhdimësi për të drejtat e tyre të ligjëshme, si dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Një e drejtë tjetër e garantuar me ligj për punëtorët e gazetës Rilindja, por që ende nuk u realizua, është pagesa e 20 përqindëshit të vlerës së çdo prone, përfshirë Arkivin e Rilindjes, pasuri e madhe e gazetës tradicionale dhe kombëtare, për dërgimin e të cilit në Arkivin e Kosovës kemi nënshkruar marrëveshjen në 29 Janar 2007 bashkë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit – tash Privatizimit, duke pasur për këtë edhe vendimin me shkrim të Kryeministrit të Kosovës. Çështja e 20 përqindëshit presim të zgjidhet, ashtu si na është premtuar, pasi të hyjë në fuqi Ligji me ndryshime e plotësime për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i miratuar në parim në 26 janar 2018 në Kuvend të Kosovës, ku u tha se, “përmes këtij Projektligji synohet të krijohet edhe një mekanizëm për shpronësimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore që janë të nevojshme për sektorin publik” dhe se, “nëpërmjet këtij mekanizmi Qeveria e Kosovës si autoritet shpronësues do të paguajë 20 përqind të mjeteve financiare dedikuar për punëtorët përfitues të ndërmarrjeve shoqërore”…

Që nga viti 2008, qeveria e Kosovës ende nuk ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore, ndërsa ka marrë më shumë se 700 vendime për shpronësime, mes të cilave të Pallatit Rilindja.

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 73 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare. Gazeta Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua e mbyll me dhunë në 7 Gusht 1990 në situatë shtetrrethimi ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi okupues i Beogradit në Kosovë, vijoi me shkrimet e gazetarëve të saj nëpër faqet e revistave, duke nisur me revistën “Fjala” e pastaj duke dalë edhe me emrin e revistës “Bujku” nga 18 Janari 1991 gazetë e përditshme rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik.

Në kohë lufte, kur edhe “Bujku” u mbyll dhunëshëm nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe në fundvitin 1998, gazeta Rilindja doli me emrin e saj të vërtetë, e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, me punë nëpër shtëpitë e punonjësve të saj deri në dëbimin e tyre edhe nga Kosova, dhe u rikthye me kolonën e parë të forcave shpëtimitare të NATO-s që hynë në Kosovë në 12 Qershor 1999 – në Ditën e Lirisë, botim special për ngjarjen historike.

E rikthyer në Kosovë,  gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur u mbyll kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim dhunëshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë.

Dhe Rilindja përsëri nuk u ndal, me punën e gazetarëve e punonjësve tjerë të saj nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa. 

Në pritje të zgjidhjes së ligjshme, duke pasur modelin e gazetave që kishin status të njëjtë në rajon e në botë – në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e kohëpaskohëshme në 30 Dhjetor 2008, me paralajmërimin në ballinë:

“DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË”.

Në këtë 73-vjetor e shohim të nevojshëm edhe një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, ashtu si është kërkuar edhe në shkresën e 12 Shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilën po e bashkangjesim të plotë.

 *Behlul Jashari-Kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson). 

Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunëshëm

 Prishtinë, 12 Shkurt 2018                                                                          

Tel: 044 278 024

Email: behlul.j@gmail.com, g_rilindja@yahoo.com, behluljashari@hotmail.com

Filed Under: Fejton Tagged With: Behlul Jashari, deklaratë proteste, Gazeta Rilindja

MBROJTJA E SKENDERBEUT NE PARIS

February 11, 2018 by dgreca

Kur studenti Edmond Tupja mbronte në Paris Skënderbeun dhe prishte një mbledhje shkencore…/

1 skenderbNga Nga Fotaq Andrea/1 ok skenderb

Jemi në vitin 1970. “Shoqëria franceze e Historisë Moderne” bën bilancin e punës së kryer nën kryesinë e Prof. Lucien Genet. Që në seancën e saj të parë të 6 dhjetorit ka ftuar orientalistin grek Evangelos Zakhos Papazahariu të mbajë kumtesën “Skënderbeu apo peripecitë e një miti nacional”. Në atë mbledhje shkencore hijerëndë, në kërthizë të Parisit, me profesorë gjithë tituj e grada, merrte pjesë edhe një student i ri shqiptar, Edmond Tupja..1 Scopa.Çuditërisht, prej kohësh i është mëshuar fort idesë së “mitit” për figurën historike të Heroit kombëtar shqiptar. Dhe kjo nga “studiues” të angazhuar në synime të caktuara, por të zhveshur nga objektiviteti shkencor dhe të prirë kokë e këmbë drejt një subjektiviteti që përkëdhel, as më shumë e as më pak, egon e tyre në emër të gjoja ideve origjinale, mendimeve personale, gjykimeve të veçanta që veç ata dinë të japin! Sepse veç ata na qenkan në gjendje të zhbirilojnë “mite” e të na bëjnë catharsis për të ndarë “të rremen” nga e “vërteta”, “të keqen” nga “e mira”, apo në gjuhën popullore “shapin nga sheqeri”. Mirëpo, lepuri fle gjetkë, në folenë e bastardimit shkencor e të denigrimit, dhe tjetër kund e kanë hallin, sado thërrasin e bërtasin për gjoja vlerësim shkencor “me mend e me vend”. Por le t’ia lëmë më mirë fjalën Z.Papazahariu, profesor i Universitetit të Athinës, tek mban speech-in e vet në Paris, botuar në “Bulletin de la Société d’Histoire Moderne”, nr. 2, 1971, dhe mbështetur në këto pesë drejtime, nga A në E:

  1. Skënderbeu, simbol kombëtar;
  2. Historia e tij;
  3. Legjenda e tij;
  4. Si ai bëhet simbol kombëtar i shqiptarëve;
  5. Rikthimi i Skënderbeut.

1 dok skend

 Duke dashur t’i kundërvihet atmosferës së kohës pas Kuvendit II të studimeve albanologjike (janar 1968) mbajtur në Tiranë me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut me pjesëmarrje të gjerë studiuesish të huaj, prof. E. Zakhos Papazahariu hyn drejt e në thelbin e kumtesës së vet kur thotë:“Është fati i tij [i Skënderbeut], shndërruar në mënyrë të veçantë në simbol që na intereson” në një kohë kur “…miti i tij mbahet fort me një vazhdimësi të çuditshme deri në rënien e Perandorisë së tyre [të Otomanëve]!”

 

1 Scopa

Me fjalë të tjera, shndërrimin e figurës së Skënderbeut në simbol të përhershëm kombëtar të shqiptarëve, profesori grek e quan thjesht “mit”, që sipas tij u dashka zhbërë! Edhe pse ai detyrohet të pranojë se shqiptarët “me një simbol aq të lashtë dhe aq të njohur sa ç’është Skënderbeu, arritën me anë të forcës të kalisin një ndërgjegje nacionale”, përsëri, ai e sheh “paradoksin e simbolit Skënderbe në aventurën e mitit të tij gjatë pesë shekujve dhe në përligjjen e plotë të mitit nga vetë shteti komunist…”! Në fakt, kemi këtu një amalgamë vërtet të çuditshme dhe diabolike nga Papazahariu, i cili lodhet më kot ta lidhë figurën e Skënderbeut me regjimin komunist, kur fjala është për dy gjëra krejt të ndryshme dhe pa lidhje organike: sepse Skënderbeu është dhe mbetet simbol historik i përjetshëm i shqiptarëve, është pjesë koherente e vetëdijes së tyre kombëtare, dhe dashuria e tyre për të nuk njeh kufij ideologjikë e politikë, ndërkohë që regjimi komunist e diktatorial, si çdo diktaturë kalimtare dhe e përkohshme është i destinuar thjesht të zhduket, siç u zhduk! “Oburrani!” – duket sikur thërret historiani grek, një rrugë e dy punë: të dënojmë regjimin komunist, e të shembim edhe simbolin e përjetshëm kombëtar të shqiptarëve në emër të “mitit të Skënderbeut”! Ja qëllimi i errët i prof. Papazahariut qepur me pe të bardhë.

Më poshtë, në pikën B – Historia e Skënderbeut, kumtuesi grek jep me penelata të shpejta një pasqyrë të perandorisë osmane, si superfuqi e kohës, karakterizuar, siç thotë, nga “stil i ri shtetëror, sistem koherent e i plotë dhe shumë më modern nga tërë ata që ekzistonin në atë kohë”. Çfarë lajkash të pacipa, për një perandori agresore që fuqinë e saj e mbështeste thjesht në forcën numerike të skllevërve e të ushtarëve shumëkombësh e shumëmilionësh që hidhte në luftë! Dhe menjëherë pas kësaj, autori grek veç kur zë e deformon me dashje, kokë e këmbë, krejt faktet historike kokëforta që kanë të bëjnë me Heroin tonë Kombëtar dhe epopenë kastriotine, dhe konkretisht:

  1. Deformon çështjen e dhënies peng të Skënderbeut me një marifet prej pelivani kur shprehet: “I dhënë në moshën 9 apo 18 vjeçare tek Otomanët nga i ati i tij Jean [Gjon] Kastrioti si peng, na thuhet, [nënvizimi ynë], për të garantuar ndershmërinë e tij ndaj tyre, ai [Skënderbeu] frekuentoi gjatë 15 vjetëve Oborrin e Andrinopojës…”. Mjaftojnë këtu vetëm këto dy fjalë – “na thuhet” – nën penën e tij, për të hedhur hije dyshimi që Skënderbeu nuk qenka dhënë peng te sulltani! Dhe menjëherë ai del në konkluzionin se “… shumë fisnikë të popujve të krishterë të Ballkanit i dërgonin vullnetarisht bijtë e tyre në oborrin e Andrinopojës për të përqafuar këtë karrierë të re. Me sa duket, i tillë është rasti edhe për bijtë e klaneve princërore apo e kryetarëve të fiseve të Albanumit”(nënvizimet tonat). Ja pra dredhia, ja djallëzia: sipas profesorit grek, që na paska bërë një zbulim të hatashëm, Skënderbeu u dërgua vullnetarisht dhe me shumë dëshirë nga i ati Gjoni tek turqit, për të bërë karrierë ushtarake! Mendojmë se nuk ia vlen të zgjatemi me komente, por thjesht po kujtojmë këtu se aleancat martesore me pleksje gjaku në atë kohë, kishin bërë e do binin Oborri mbretëror serb me Oborrin sulltanor të Andrinopojës e Kostandinopojës (pa folur për Bizantin në rënie!), ndërkohë që shqiptarët e epokës kastriotine i shihnin agresorët osmanë si armiq dhe as që bëhej fjalë për krushqi me ta e për karrierë ushtarake nën hijen e tyre !… Përkundrazi, shqiptarët të vinin damkën e tradhtarit e të renegatit po të bëje aleancë me armikun!
  2. I cilëson shqiptarët si xhandarë të Perandorisë osmane në shërbim të skllavërisë të bujkut serb e ballkanik dhe më keq akoma si mercenarë të Venedikut, si post-roje pritash, cuba, piratë etj. që “ndërronin padronë si të donin e kur të donin, falë famës së mirë që kishin në tregjet e mercenariatit” (!) Po ashtu, i sheh ushtritë osmane mbushur dëng me “malësorë të Albanumit… [që] u shquan për nga numri në gjirin e ushtrisë osmane dhe në gjirin e trupës së jeniçerëve” (!) Pra, nuk ka më blozë!

Në fakt, dihet, dhe është meritë e tyre historike, që shqiptarët bënë emër të mirë (sidomos pas vdekjes së Skënderbeut) jo vetëm si luftëtarë të zotë të angazhuar në çështjen kombëtare, por edhe si luftëtarë me pagesë apo si mercenarë në Perëndim, nën frymën e kohës, ashtu sikurse shquheshin edhe mercenarët zviceranë, kroatë, spanjollë apo gjermanikë në ushtritë e oborreve mbretërore të Europës. Dihet po ashtu që ishin shqiptarët ata që themeluan kalorësinë e lehtë franceze dhe, më tej, kalorësinë e lehtë europiane me Gjergj e Nikolla Bastën. Dhe kjo, sepse ata dinin mbi të gjitha të bënin luftën moderne të kohës në mënyrë cilësore dhe jo sasiore, ndërkohë që perandoria osmane përdorte mish skllevërish për top duke çuar miliona njerëz në satër! Edhe më tej, shqiptarët dinin mbi të gjitha se ç’do të thoshte të ishe “fier comme un albanois – krenar si shqiptar”, sipas proverbit francez të kohës, tek mbanin mbi krye kryelartë kapelën shqiptare në pararojë dhe në shesh të luftës! E në këtë rast, i themi profesorit grek të mos harrojë se vetë grekët në ato kohëra lufte, për të shpëtuar kokën para masakrave turke, kërkonin rrugëve të Selanikut, Artës e kudo në qytete kapelën e lartë shqiptare për ta vënë mbi krye që të hiqeshin si shqiptarë e të shpëtonin kokën! Nga ana tjetër, nëse shqiptarët u dalluan si luftëtarë në artin e luftës moderne të kohës, profesori grek duhet ta dijë që po aq shqiptarët u shquan edhe në fillimet e Rilindjes italiane e europiane të Arteve të Bukura, Humanizmit dhe Letrave, me korifej të tillë si piktorët me famë botërore Francesk Albani, Mark Bazajti, Viktor Karpaçi, filozofët Leonik Tomeu, Mikel Maruli, Marin Beçikemi e sidomos me familjen e madhe Albani që dha disa kardinalë edhe vetë papa Klementin XI.

E vërteta e thjeshtë është se shqiptarët, siç bënë bëma në Perëndimin europian, u lartuan edhe në Lindje, nga Kostandinopoja në Janinë, Misir, Kajro, Misolongji, Tripoli e Tripolitza, e gjer në Urale, malet Çarçan dhe rrugëve të Dehlit në Indi! Dhe sa për emra shqiptarësh të shquar në Orient, ata njihen tashmë jo vetëm në fushën e artit të luftës, por edhe të kulturës, Letrave, historisë, enciklopedisë, administrimit shtetëror etj.etj.

Mirëpo, tjetërkund e ka hallin profesori orientalist grek në kumtesën e tij: do se s’bën (dhe këtu ai nuk është aspak origjinal, nuk është as i pari, as i fundit) që t’i qisë shqiptarët barbarë, të egër, tribalë, me kanune çnjerëzore, pa komb e kombësi, por me një “Albanitie” që, sipas tij na qenkësh thjesht nocion gjeografik, duke na përmendur madje edhe Bismarkun për të mbështetur argumentimin e tij! O temporal o mores!

  1. Vazhdon orientalisti grek të deformojë faktet historike tek shpik tezën se Skënderbeu në moshën 33 vjeçare “u dërgua, thotë ai, si kapiten në “vilajetin” e Krujës (1438) për të qeverisur zotërimet e babait të tij. Dhe këtu, vijon greku, ai [Skënderbeu] realizon projektin e tij të guximshëm: të krijojë një ushtri të përhershme me luftëtarë nga të malit të tij të lindjes dhe të bëjë luftën për hesap të vet” (!) Ipse dixit, thotë latini – E tha mu kështu profesori e ia vuri vulën! Apo, ia bëri topin! – siç thoshte ime gjyshe. Po ja që zotëria e tij e paska lexuar mbrapshtë Barlecin e të tjerë, dhe harron, i nderuari profesor, që Skënderbeu u arratis me 300 trimat e tij nga ushtria osmane, me një qëllim e mision të lartë (e jo për hesap të vet!): për të themeluar shtetin e parë të Arbrit nëpërmjet bashkimit dhe aleancave të fisnikëve të mëdhenj shqiptarë që me Lidhjen e Lezhës! Dhe që pikërisht, për këtë arsye madhore, duke i bërë qëndresë heroike 25 vjeçare Perandorisë më të madhe të kohës, Skënderbeu është dhe mbetet Heroi kombëtar i shqiptarëve dhe shembull heroizmi e frymëzimi në botë!
  2. Pa e mbështetur kumtesën e vet në dokumente, pa cituar studiues seriozë, Z. Zakhos Papazahariu parapëlqen të servirë konkluzionet e tij se Skënderbeu “në krye të malësorëve të vet bëri luftë ndaj të gjithëve, duke u përplasur me Lindjen e me Perëndimin, me Venedikun e me osmanët”. E nxjerr dhe e nxin kështu qëllimisht figurën historike të Skënderbeut si “sherrxhi”, duke anashkaluar tërësisht politikat dhe synimet imperialiste të kohës, si dhe aleancat e Skënderbeut me Papatin, i cili e vlerësoi, siç dihet, aq lart Heroin tonë me titullin e nderuar “Atlet i Krishtit”. Dhe nuk do vonojë të vijë konkluzioni i profesorit se “as shtetet e Lindjes, as shtetet e Perëndimit nuk e panë me sy të mirë nismën e tij [Skënderbeut]” dhe se “Skënderbeu … nuk mundi të çlirohet nga dara e Orientit dhe e Perëndimit”. E në këtë rast, profesori grek, nisur nga motoja “shpif, shpif se diçka do mbetet”, konkludon se edhe fundi i Skënderbeut s’ka si të ishte i lavdishëm me pushtimin e Shqipërisë, kur shqiptarët, që tashmë ai i quan “arnavutë”, do të vazhdonin të bënin “ligjin e cubit” në gadishullin ballkanik! Argumente dhe paragjykim më zi sterr ndaj shqiptarëve zor se gjen!…

Lidhur me pikën C, legjenda e Skënderbeut, ai pohon se është letërsia perëndimore ajo që rroku figurën e Skënderbeut për bëmat e tij duke e bërë këtë, citojmë autorin, “një hero në përmasën e legjendave perëndimore” dhe se, nga ana tjetër, ishin “shkrimtarët e Rilindjes [ata që] këmbëngulën së tepërmi për temën “Skënderbeu, mbrojtës i lirisë”. Këtej lind, kërkon të na mbushë mendjen profesori grek, edhe miti për Skënderbeun, sepse nocioni i lirisë te heroi shqiptar, “nocion tribal” siç e quan ai, “përputhet, me vullnetin e qyteteve italiane për të mos u përfshirë në gjirin e shteteve të gjera dhe të centralizuara…”. Duke u hequr kësisoj se po çmitizon figurën emblemë të shqiptarëve, ai në fakt nuk bën gjë tjetër veçse e deformon atë krejtësisht, e minimizon dhe orvatet ta asgjësojë aq sa të mundë, duke e konsideruar si figurë të tejkaluar, madje edhe të përfunduar në kohë. Por, nuk kanë munguar as dje, as sot të ashtuquajturit studiues që përpiqen ta paraqesin Skënderbeun një princ të vogël të një shteti të vogël, tek orvaten t’i bien malit me grusht përpara vlerësimit absolut të figurës së Skënderbeut nga korifej të mendimit njerëzor, emra të shquar të Historisë, Letrave dhe Artit ushtarak.

I pakënaqur me kaq, Zakhos Papazahariu shkon edhe më tej në “çmitizimin” e tij absurd. Citon me ironi “artikullin” (nuk thotë studimin!) e prof. Androkli Kostallarit, i cili vinte bukur në dukje se, ndërsa më 1881 bibliografi Petrovitch hartonte bibliografinë për Skënderbeun me 185 vepra historike e letrare, më 1968, prof. Kostallari nxirrte në pah që bibliografia për Skënderbeun e tejkalonte tashmë shifrën e 1000 librave e studimeve për Heroin shqiptar. Kur sot, bibliografët e figurës së Skënderbeut (siç e thotë gjithë krenari Krenar Zejno, ky botues modern, sa krijues e serioz) numërojnë mbi 2000 vepra e studime kushtuar figurës së Heroit tonë (po aq sa për N. Bonapartin!) Pa folur këtu për Artet e Bukura ku monumentet e Kastriotit të Madh zbukurojnë sheshet e Europës dhe Amerikës dhe figura e tij emblematike është dhënë në tablo nga piktorë me famë botërore. E dëshmon këtë edhe Album-Antologjia jonë e përmasave të mëdha enciklopedike “Skënderbeu, 1413-2017” me mbi 200 autorë dhe rreth 1000 ilustrime, që pret të botohet për publikun e gjerë në Vitin Skënderbeu.

Pikërisht, tërë këtë jehonë, tërë këtë madhështi europiane e botërore të Skënderbeut tonë, tërë këtë vlerësim objektiv historik e shkencor që i bënë e bëjnë figurës së tij mendimtarë të mëdhenj, Z. Papazahariu na e quan thjesht “mit”, që ai e do dhe e kërkon doemos drejt shuarjes e në asgjësim, gjoja në emër të “së vërtetës shkencore”! Por, nëse ka mit në figurën e Skënderbeut, kjo duhet kërkuar jo në legjendat me krijimtari të bukur popullore, jo në vetëdijen kombëtare të shqiptarëve që krenohen me të drejtë për figurën e tij si rrallëkush te kombet e tjerë, por në ato mangësi, në ato të pavërteta shkencore, në ato mbufatje dhe deformime me dashje apo pa dashje të figurës së tij historike, kur sot, historiografia shqiptare e botërore përherë e më shumë po fokusohen te figura e tij si burrë shteti dhe prijës i një populli liridashës.

Tek ndjek me këmbëngulje linjën e vet antishqiptare, edhe në pikat 4 dhe 5, Si u bë Skënderbeu simboli kombëtar i shqiptarëve, dhe Rikthimi i Skënderbeut, gjithë meraku i Z. Papazahariu është si e si të zhdukë e asgjësojë, aq sa të mundë, vetë bazën historike të vlerësimit të figurës së Skënderbeut, duke u hallakatur për këtë në sofizma e ekzotizma të mjera, gjer edhe të llojit “bektashi” që “ushqyen” gjoja Ali Pashë Tepelenën në veprimet dhe bëmat e tij (në parantezë, duket sikur Aliu i Tepelenit i ka mbetur Papa-Ziut halë në fyt!) …

Si mbaroi kështu ekspozenë e tij dhe si u duartrokit nga të pranishmit, në seancën “diskutime”, Z. Papazahariu hyn në dialog të stërzgjatë me Z. Portal, ku bie dukshëm në sy meraku i tyre në gjoja “idealizimin artificial” të figurës së Skënderbeut, nisur sipas tyre, nga “prapamendime a motive politike, ideologjike e fetare” që e bëjnë “Historinë të jetë subjektive”! Krejt diskutimi, gjoja “i lirë”, shfaqet inkoherent dhe pa shtyllë kurrizore, me kapërcime nga coq à l’âne (nga gjeli te magjari), ku kumtuesi grek orvatet të shpalosë në mënyrë konfuze e të pasaktë erudicionin e vet…

Dhe pikërisht, në një nga këto çaste euforike për studiuesin grek, që dukej sikur kish kapur qiellin me dorë nga suksesi, ngrihet dhe ndërhyn një djalosh shqiptar, shtat-hedhur, i hajthëm dhe elegant, i biri dhe nipi i dy Skënderëve, studenti Edmond Tupja. Dhe bën, në mënyrë modeste, të përkorë, një ndërhyrje, një koment të shpejtë tek e sheh fatin epik dhe faktin historik të shqiptarëve te “qëndresa e tyre e gjatë ndaj turqve”, te “skllavërimi dhe shtypja e përgjakshme që këta ushtruan mbi Shqipërinë dhe shqiptarët pas vdekjes së Skënderbeut” dhe te “arsyeja ekonomike e shndërrimit të 60 % të shqiptarëve nga katolikë në myslimanë”… Konkluzioni dilte vetë, nuk kish më bukur: ja pse, Zotërinj, Skënderbeu është dhe mbetet simbol i vetëdijes kombëtare shqiptare!

Pas fjalëve të djaloshit Tupja, me efektin e një bombe,  Z. Papazahariu nis atëherë të përtypë fjalët, të hidhet e të përdridhet, se nuk janë thjesht arsyet ekonomike dhe taksat motivet e shtypjes, të vuajtjes dhe qëndresës historike shqiptare; se nuk janë skllavëria dhe osmanët fatkeqësia e popujve ballkanikë (sic!) Se shqiptarët kanë gëzuar liri, sidomos ata të malit (sic)! Se kanë gëzuar privilegje… “Mos ua hedhim fajin osmanëve!” – përfundon greku me një thirrje dëshpëruese…

  1. Tupja, edhe një herë të dytë merr fjalën dhe vë në dukje se “skllavëria osmane ishte sistem social në dy rrafshe, në atë shtetëror, midis Perandorisë osmane dhe popullit shqiptar të skllavëruar, dhe në atë lokal, në vetë gjirin e shoqërisë shqiptare të kohës”…

– Jo, nuk jam dakord! e kundërshton Z. Papazahariu dhe nis e i merret goja:  – Problemi i skllavërisë, vijon ai rrëmujshëm, nuk shtrohet  midis shqiptarëve dhe osmanëve, duke qenë se shqiptarët janë edhe osmanë… Malësorët nuk janë skllevër… Në fund të fundit otomanët nuk përbëjnë një etni, as komb… Otomanët ishin kompani ushtarake … Midis tyre kishte një shumicë shqiptarësh … (!)

Ohoh! ç’kakofoni “argumentesh” e konkuzionesh absurde në gojën e një studiuesi “kompetent” të orientalistikës për t’i qepur gojën djaloshit Tupja, që rri dhe gozhdon me vështrim të rreptë Profesorin grek ftuar në Paris të ligjërojë!…

– E deklaroj mbledhjen të mbyllur! – nxiton të thotë Kryetari, pasi falënderon edhe një herë  Zotërinë e tij Papazahariu për speech-in e shkëlqyer antishqiptar që ai mbajti në prani kokash shkencore!…

(P.S. Artikullin tonë e shoqërojmë me ilustrime të figurës së Skënderbeut që ndodhen në muzeumet e Greqisë, vepra të piktorëve grekë që dëshmojnë drejtpërdrejt dashurinë e popullit grek për figurën e Heroit kombëtar të shqiptarëve).

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Edmond Tupja, Fotaq Andrea, mbrojtja, Skenderbeu

Pse Serbia është kokëlartë ndaj nesh ?

February 11, 2018 by dgreca

2Fahri-Xharra
Shkruan Fahri Xharra/

Nuk duhet harruar se sa me e madhe te behet e keqja aq me e vogel eshte mundesia per t’i parandaluar demet ne te ardhmen dhe se keto sakrifica te vogla qe behen tani jane vetem disa gure te vegjel… prandaj duhet te ndodh nje transformim rrenjesor tek kombi yne ne menyre qe te ecen i sigurt ne rrugen drejt te ardhmes se mire te tij. ( nga Gjon Keka).

 Pse Serbia është kaq kokëlartë e me krenari? Pse Serbia kaq pa druajtje dhe lirisht? Pse Serbia është kaq ballëhapur ndaj botë?   Pse Serbia flet pra dro , ecë pa dro ?  Sepseja përdorët në krye të një fjalije shkakore për të treguar shkakun  apo arsyen e diçkaje.  Pra, pse  Serbia ? Sepse……është ndajfolje  që përdorët për një arsye të panjohur,për një shkak që nuk dihet a nuk përcaktohet dot ,përse. Po mirë, a ka sepse në pyetjet e mësipërme ? Po, e kanë sepsenë  e tyre të gjitha pyetjet që u vuan më lartë. Ata janë kokë lartë sepse ne jemi kokë-ulur . Ata e ngrisin kokën sepse ne jemi mohues të vetes. Sepse  teoritë e Olsave  i pranojmë dhe i publikojmë  “ Janë tri teza me të cilat historianët shqiptar ende vazhdojnë ta manipulojnë popullatën shqiptare me qëllim të domonizimit të turqve. Njëra është se “islami ndër shqiptarë është imponuar përmes dhunës.” E dyta se “turku përveç shqiptarëve të gjithë popujve, bile edhe serbëve i ka dhënë të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare” dhe teza e tretë “bashkëpunimi serbo-turk për shpërnguljen e shqiptarëve në Anadoll me qëllim të shfarosjes së tyre”. Edhe pse marrëveshja për shpërngulje është e kohës së Turqisë republikane, historianët e LNQJ-së dhe kvazi intelektualët me egzibicione aq mirë e lidhin, e paketojnë dhe e tregojnë si një “vazhdimësi e armiqësisë 600vjeqare të turqve dhe islamit kundër shqiptarëve.”   ….sepse  shkruajnë shqiptarët.

Sepse , shqiptari tjetër Fatlum Sadiku shkruan nga Turqia“Para se me u masovizu xhamijat ne Ballkan, kurrkush nuk e ka ndi emrin SHQIPTAR. Islamizimi i albanofoneve serbe, greke, arbneshe, vllehe, llatine e te lloj-lloj kotille tjeter kishtare, e prodhoi etninë shqiptare, emertim qe s’pari n’histori gjendet i permendun, n’vitin 1703. Tek mbas ketij procesi, u perhap identiteti i perterire etnik i nje pjese te ilireve/arberve te shkaperderdhun, qe quhet shqiptar. Ata qe s’e moren kete fe, qe s’ju nenshtruan procesit etnifikues te shqiptarizimit, mbeten Arvanitas (dhe ma vone e themelune Greqine), Serbe (si Gjergji i Zi – Karagjoergjeviqi, qe e themeloi kombin-shtet serb), Malazeze (Mark Millani qe ndihmoi ne krijimin e Malit t’Zi), Vllaho-Rumune (si familja Gjika e Elenes, apo Dinastia Lupi qe e themelun Rumanine), llatino-kroate (Janjeva), arbereshe (Krispi, Gramshi etj) qe u bene nder kontributoret kryesore te themelimit te Italise etj.Rrene osht ajo qe thuhet se turku i ka nda shqitaret. “Turku” vetem i ka lone albanofonet me zgedhe se çka mu*in po dojn me kone. “Turku” edhe kur na nuk kemi dashte me u identifiku si etni e veçante, na ka shti ne ni thes, tu na qujte “aarnaute” e tu na diference prej kotillave t’hueja.” ….. sepse shkruajnë shqiptarët .

Sepse  shqiptari  Arbër Fetiu  shkriuan nga Kanada   “Shteti i Kosoves ne vend se te merret me shaminë e vullnetshme te vajzave muslimane shqiptare, do të trregone shume me shume koherence sikur te fillonte te rregullonte dhe te sanksiononte “shaminë” qe ai ka pranuar t’ia vene qarqet e huaja të cilat po e ndertojnë Kosovën si një republikë eksperimentale perëndimore ku identiteti i popullatave indigjene po shtypet me dhunë. Ajo “shami” e shtetit te Kosoves është « shami » e larme, shami e punuar neper zyra te ndryshme te Perendimit e cila ngjan me shume me një maskë qe mbulon me mjeshtri pothuajse cdo gjë që është shqipëtare. Per dallim nga shamia e vullnetshme e kokës, “shamia” e shtetit të Kosoves është “shami” qe mbulon pothuajse tërësinë e elementeve të cilat karakterizojnë shqipëtarin me shekuj. Ajo “shami” e ka shendërruar Kosovën e ketyre viteve ne një kukull marionetë e cila nuk e ka fuqine as te mendoj per vetveten pasi që jane të tjerët ata që mendojne dhe vendosin per te.

Nderkaq, besoj se i tërë ky qëndrim i qeverisë sone karshi veshjes muslimane (heshtja e qeverisë në te gjitha ato raste perjashtimi të vajzave me shami, ne rastet e diskriminimit ne tregun e punes etj) gjendet ne problemin e dialektikes sherbetor-zoteri (lexo: neve dhe nderkombetaret/Perendimi) ne te cilen gjindet Kossova e pasluftes, te cilën Fanoni e shpreh bukur duke thënë se sherbetorit (neve) vlerat e zotëriut (Perendimit) i duken të predestinuara që të jenë udheheqëse të perherëshme të botës ne te cilën ai jeton dhe kjo e shtyn shërbetorin drejt konformizmit dhe njesimit me zotëriun dhe vlerat e tij duke i hapur rrugë kështu assimilimit dhe zhdukjes së qensisë se tij origjinale. “….  Sepse  shkruajnë shqipëtarët.  

Sepse Ndrek Gjini në Përralla me Pavarësi e 28 Nëntorit shkruan :“Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë’ më 28 Nëntor 1912, ishte veç një aksion nacionalistësh iluministë, i organizuar me lejen e Austro-Hungarisë dhe Turqisë. Kjo ngjarje realisht nuk solli pavarësimin e Shqipërisë nga administrata ekzistuese otomane, austo-hungareze, apo italiane. Delegatët që u mblodhën aty pas deklaratës së shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, (deklaratë që u shkrua në shqip dhe turqisht), ngritën dhe një qeveri, e cila nuk i  ushtroi asnjëherë funksionet e saj më gjerë se në Vlorë dhe rrethinat e saj. Delegatët shprehen aty edhe nevojën për bërjen e një kushtetute për vendin, gjë që nuk u arrit të realizohej. Realisht aty u hartuan vetëm disa dokumente të përkohshme. Në fund të 1913-ës, kur Shqipëria u njoh nga fuqitë europiane si principatë me në krye një prijës të huaj, gjashte Fuqitë e Mëdha i dhuruan Shqipërisë Kushtetutën e saj të parë, të quajtur ‘Statuti Organik’. Ky ligj qëndroi në fuqi për pak muaj gjatë 1914-ës. Qeverisja e vendit në vitet vijuese u bazua në një numër ligjesh dhe kushtetutash të përkohshme të pakodifikuara. “ …..sepse shkruajne shqiptaret 

 Pra shkruajnë shqiptarët dhe mundohen të bindin botën dhe të na bindin neve, e ne në mediumet tona iu japim hapësirë ,iu duartrokasim ,iu shkojmë pas.

 Jo sepse me shkrimet e tyre krenohet  Serbia por me shkrimet e tyre po myket populli, po e harron vetveten, po katandiset në mendje e në shpirt dhe po na lindin për ditë e më tepër adhuruesit e asaj që po  i shkon për shtati Serbisë.  Me ane te këtyre mëndimeve po e bëjmë që të tjerët të ndërrojnë mendjen për ne; bota po mendon që ne s`e kemi mendjen të shkëputemi nga e kaluara,që ne jemi po ata të shekullit  të 18 –të, po ata si të shekullit të 19-të, po ata si të fillim shekullit të 20-të .   Kur bota  e ndërron mendimin  për ne dhe i këthehet bindjës së vjetër që e kishte, për të cilën edhe ata menduan që e kishin gabim atëherë Serbia serbesohet….dhe vepron… dhe i ka sukses.Ja pra ,  kështu e bëjmë Serbinë krenare në botë .

Filed Under: Analiza Tagged With: është kokëlartë, Fahri Xharra, ndaj nesh ?, Pse Serbia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1550
  • 1551
  • 1552
  • 1553
  • 1554
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT