• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË QELINË NR 4

December 9, 2017 by dgreca

1 Dine

NGA DINE DINE/*

…Më dërguan në qelinë nr. 4. Përgjegjësi i burgut po na priste te dera. Me një lëvizje të natyrshme futi çelësin, hapi kyçin e derës dhe tërhoqi një lloz, i cili krijoi një zhurmë të atillë, sa m’u duk se e tërë dera u plandos mbi dysheme! Me të njëjtën zhurmë dera u mbyll dhe unë u ndjeva i vetëm brenda mureve të qelisë! në të djathtë të hyrjes sipër kokës qe një dritare e vogël ndoshta me përmasat 40×40 cm. Dukej si dritare kështjelle. Ndoshta si ato të kështjellës së Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo, ku në moshën pesëvjeçare e kisha nisur për së pari internimin! Në dyshemenë e betontë kishin shtruar ca dërrasa të vjetra, por që dukej mjaft komode për kushtet. Diku pashë dy batanije të zhubrosura dhe të palara. E hapa të parën. Ishte pothuaj transparente dhe e brejtur nga minjtë. Simotra e saj, në gjendje pak më të mirë. Kështu, të parën do ta vija nën krye si jastëk, me të dytën do të mbulohesha.

Ndjehesha i rraskapitur, aq sa s’më bindeshin gjymtyrët. S’i ndjeja as këmbët as duart, por kjo s’kishte aq shumë rëndësi. Isha i uritur. kisha gjithë ditën pa futur gjë në gojë! Harrova të them se, para se të hyja në qeli më hoqën këpucët. Konsideroheshin armë e ftohtë. Me `to, në momente të caktuara, një njeri mund të vriste veten, por mund të godiste edhe të tjerët.

Sidoqoftë, në kohën që përgatitesha të shtrihesha, më shkundi e njëjta zhurmë hekurash që e kisha përjetuar pak më parë. Dera u hap me forcë dhe me krismë e një polic më solli darkën. Një pjatë me gjellë, që dukej si një lloj turlie dhe dy copa bukë. Njëra dukej e zezë e bajate, tjetra e bardhë dhe e freskët. S’po ia hiqja sytë pjatës, por as s’po merrja kurajën ta tërhiqja me duart e mia, atë pjatë që më joshte tej mase. Pata një dyshim. Në çast arsyetova, të mbaja qëndrim të mirë, që për mua do të thoshte poshtërues dhe ata mund të më servirnin bukë të freskët, në të kundërtën do të isha i detyruar të shijoja atë bajate ndaj së cilës edhe derrat duhet të kishin alergji.

E mora në duar atë copën e bukës së zezë dhe bajate dhe iu drejtova përgjegjësit të burgut:

– Ç’është kjo? – e pyeta sikur të kisha para duarve një send të çuditshëm.

– Nuk e sheh, bukë!

– Unë jam i pandehur, zoti polic dhe deri sa nuk kam dalë në gjyq tregon që fajësia ose pafajësia ime akoma nuk është provuar. Prokurori dhe hetuesi nuk më thanë se që tani qenkam i dënuar të ha një bukë të tillë që as derrat s’do ta preferonin.

Përgjegjësi i qelive i kishte fjalët e shkurtra dhe sigurisht barkun e ngopur, prandaj m’u duk sikur s’ma vari fare.

– Do ta hash a jo? – ndërhyri me ton.

Ndërkohë zorrët po më shkuleshin së bërtituri. Por sedra s’më la të epesha.

– këtë lloj buke nuk do ta ha sa kohë të jem këtu, për këtë mos të keni asnjë dyshim! Sikur të vdes këtu në qeli, (dhe bëra me gisht në drejtim të asaj bukës bajate) këtë paçavure nuk kam për ta futur në gojë! – dhe vazhdova duke luajtur një pjesë sikur të isha në teatër. – Ju lutem të më falni, sepse ju ndoshta zbatoni thjesht një urdhër dhe në një rast të tillë faji s’ka s’i bie mbi ju, prandaj më ndjeni dhe po të jetë e mundur njoftoni pak hetuesin sepse kam nevojë urgjente të flas me të. Fjala “urgjente” duket se bëri efektin e duhur pasi polici roje dhe përgjegjësi i burgut po më shihnin drejt e në sy, si dy guhakë, pa bërë zë. Në heshtje ata u tërhoqën duke më lënë në vetminë time.

Isha krejtësisht i çorientuar dhe ato çaste kisha vetëm një dëshirë; të shtrihesha, sepse shpresën, se mund të më sillnin gjë për të ngrënë atë natë, e kisha humbur. Në përpjekje për t’u qetësuar, vura kokën në jastëkun e përgatitur me atë batanijen e bërë shoshë nga minjtë ose nga të përdorurit e tepërt, ndoshta që nga Lufta e Dytë botërore. ishte e pamundur! vrimat e mëdha dhe pjesa tjetër e pagrisur, krijonin ca gropa e sopa që s’ma lejonin kokën të qëndronte në një vend. E hoqa atë që mund të quhej nënkresë dhe e vura kokën në anën e pasme të parakrahut… dhe m’u duk sikur gjeta karar. Më pas tërhoqa me kujdes batanijen-jorgan dhe mbulova kokën. Papritmas nuhata një erë të rëndë.

Ndjesia e parë qe ajo e minjve.

  • “erë myku, – thashë me vete, për t’u ngushëlluar sadopak, – batanije të harruara magazinave. S’kisha asnjë alternativë tjetër. Zbulova kokën për të evituar sadopak erën e rëndë dhe rashë në brinjë. Brinjët më kërcisnin në dërrasa. Atëherë, ndërrova stilin, vura një cep të batanijes nën kokë dhe krahun e futa nën brinjë, për të evituar kontaktin me dërrasat. S’di sa kohë vazhdoi kjo punë… kur llozi mbrapa derës kërciti sërish me zhurmë dhe dera u hap, unë instinktivisht isha në këmbë dhe me hapa të ngadaltë isha afruar. Pa më thënë asnjë fjalë dikush më ofroi ushqimin dhe unë e mora. Ishte njëlloj të kuptuari në heshtje, njëlloj aprovimi nga të dy palët. S’kisha ngè për debate.

Sapo zhurma e derës rreshti, fillova të ha. Bukë franxhollë me fasule të gatuara nga një kuzhinier mjeshtër! Vetëm ata që kanë jetuar në kampe e burgje dhe kanë provuar ndjenjën e urisë mund ta marrin me mend se me ç’shije hëngra atë natë të parë burgu. Natyrisht ai kuzhinier mjeshtër, qysh në lindje të kësaj bote, ka pasur rezultate absolute në të gjitha kohërat, sepse çdo lloj ushqimi i servirur prej tij mban vulën e veçantë të një shijeje të rrallë që mbahet mend për tërë jetën. Fatkeqësisht ne shqiptarët me këtë mjeshtër që quhet uri, u ballafaquam prej ’44, kur erdhën në fuqi komunistët, të cilët nuk u kujdesën të ushqejnë barqet e pangopura të shqiptarëve, përkundrazi për 45 vjet i ushqyen bashkatdhetarët dhe të huajt me parullat e begatisë dhe “lumturisë” së pafund të këtij populli.

Ajo natë kaloi si mos më keq.

Sikur dikush të më pyeste nëse kisha fjetur a jo, do t’i betohesha në ç’kisha më të shtrenjtë se s’kisha mbyllur sy qoftë edhe një çast. Prania e një morie ëndrrash të trazuara që kisha parë herë pas here, tregonte se kisha fjetur copa-copa, si lepur. Afër mëngjesit, duket se lodhja tej mase e kish bërë efektin e vet dhe unë s’do të isha ngritur sikur nga dritarja prej kompensate e derës dhjetë me dhjetë cm, mos të vërshonte një zë i rëndë, me një tingull metalik: “Zgjohuuuuu!”.

U përmenda për një çast po s’po merrja vesh se ku isha. “Zgjohuuuuuu! … u përsërit ai zë i metaltë me të njëjtin ton. Brinjët, krahët, kokën s’i ndjeja fare, më ishin mpirë. Ishte ora 5 e mëngjesit. Me sa dukej çdo ditë në atë orë do të bëhej zgjimi.

– Vishu shpejt! – urdhëroi sërish ai zë makabër.
Sapo desha t’i them se isha i veshur dhe s’kisha rroba të tjera për të vënë sipër, vura re se këmishën e hollë me mëngë të shkurtra, e kisha hequr gjatë natës për ta vënë si nënkresë.

Vesha këmishën dhe nisa të përmendem.

– Palos batanijet! – urdhëroi zëri, por kësaj here me një ton pak më të ulët dhe pak si i ngjirur, sikur t’i ishin dobësuar kordat vokale dhe mbylli dritarezën e vogël të kontrollit.

Çasti kur roja u largua për të më lënë përsëri në vetminë time, qe një ndjenjë e përgjithshme trishtimi. Pyetja se, çdo të bëhej me mua paskëtaj ishte e gjithëpushtetshme. U ula në dërrasa dhe shpinën e mbështeta pranë batanijeve.

Vura duart mbi kokë dhe llova të mendoj.

“nga t’ia nis më parë tani? – pyeta veten. – ia nisim nga Skënderbeu! – iu përgjigja përsëri vetë, duke rikujtuar fjalët e një shoku kur isha jashtë, shprehje me të cilën vinim në lojë enver Hoxhën. – Po sikur Skënderbeu të jetonte në kohën e enverit? Me siguri do të ishte sekretar i dytë! – dhe qesha me vete. Më pas m’u kujtua një episod tjetër: një takim në qytetin e Lushnjës midis meje, Ahmet Kolgjinit dhe Qani Seferit. Ahmeti qe dënuar në moshën 18 vjeç e sapo kish dalë nga burgu. I gjori Ahmet! Dihej që edhe të njohurit që gëzonin një punë më të favorizuar se ajo e të bërit kanale në fermë, s`kishin dëshirë të ekspozoheshin me një njeri që mbante vulën e barrës së burgut. Edhe pse Qaniu e Ahmeti kishin një farë krushqie të largët, edhe pse të dy admironin letërsinë dhe artet në përgjithësi dhe kishin dëshirë të çmalleshin, lufta për mbijetesë dhe frika nga gogoli imagjinar eklipsonte çdo lloj dëshire. Siç e thashë edhe më parë, Ahmeti kishte disa javë që kish dalë nga burgu dhe Qaniu po e takonte pas dhjetë vitesh. I kujtoj si tani dy fytyrat e tyre. Ajo e Ahmetit e zbehtë, ajo e Qaniut e terrorizuar. U përqafuam dhe Qaniu e pyeti papritmas: ku të futemi?! Ahmeti ndërhyri i pari: “në hale, se atje nuk na sheh njeri”. WC-të publike qëlluan mu përballë nesh. Qaniu vuri buzën në gaz për këtë ironi të papritur të shokut. E ç`të bëjmë? Të vëmë politikën në plan të parë! – iu përgjigj Ahmeti tërë shpoti. Atë kohë kjo ishte nga parullat më të shpeshta, e shihje të shkruar ngado.

Ashtu me duart mbi kokë seç m’u kujtuan edhe këto dy batuta të njëzet viteve më parë dhe përsëri qesha. Ndërsa ndiqja fillin e mendimeve ndjeva të hapej deriçka e kontrollit dhe ngrita kokën. Për herë të parë vura re që dera nga brenda qe veshur me një llamarinë xingato. Në mes, një stampë me bojë të zezë e me germa të mëdha “nagasaki”: o Zot, m’u shpif! M’u duk sikur të qe shkruar “rrezik vdekje” dhe s’di pse ma përshkruan trupin mornicat.

“Nagasaki” me 40.000 dhe “Hiroshima” me 80.000 të vdekur e 70.000 të plagosur!… Qëndronte aty sipër kokës sime.

Për sa kohë do të zgjaste hetuesia ime, sa herë të ngrihesha mëngjeseve do të më duhej ta përballoja atë pamje ogurzezë që po më ngjante si një send kobzi.

“Përse ta kenë vënë vallë?” – mendova me vete.Ndoshta ishte njëfarë presioni psikologjik?! O ndoshta krejtësisht një rastësi?! “ndoshta do të jetë ndonjë material importi, – thashë për t’u ngushëlluar, – i ardhur nga Vietnami, Koreja apo nga Japonia…”

“Përse s’e kanë vënë nga ana tjetër, të evitohej ajo mynxyrë? – pyesja sërish veten, ose përse nuk i kanë vënë bojë përsipër?!” Disi i nervozuar fillova të hedh gurë mbi punëtorët e ndërtimit që e kishin mballosur pa kujdes… por vetëm për një çast sepse deriçka e kontrollit prej kompensate u hap përsëri dhe u mbyll si me sustë. Në heshtje dëgjoja hapat e gardianit që shkonte birucë më birucë duke bërë të njëjtën gjë. Filli i mendimeve më qe bërë çorbë. Më dukej vetja si një i dehur, të cilit akoma s’i ka dalë rakia, por që gjithçka e sheh të dyzuar. U mbështeta përsëri pas murit dhe si me marifet, vura duart si kurorë mbi ballë, duke u bërë hije syve që mos të më dukeshin të mbyllura dhe thashë me vete se gjëja më me mend që mund të bëja ishte të merrja një sy gjumë. Dhe ashtu bëra! S’kaluan dy minuta, tamam në çastin që nisa të kotem, i kënaqur që ia arrita qëllimit, deriçka prej kompensate u hap përsëri, por jo si herët e tjera. Gardiani e tërhoqi me kujdes.

– nuk lejohet të flesh ditën! – tha sikur të më kish kapur në befasi.

– nuk po flija! – thashë me një ton shfajësimi dhe gardiani e mbylli deriçkën. Ndërsa qëndroja përballë derës, sytë m’u kthyen përsëri te llamarina. Ç’të shoh! ndoshta më bënin sytë! Ja atje, sipër fjalës “nagasaki” qëndronte një stampë me ato kafkat që poshtë u vihej diçitura “rrezik vdekje!”.

“Budallallëqe, – iu drejtova vetes për ta ngushëlluar. – kjo është thjesht një llamarinë fuçie nga ato të helmeve që vijnë nga jashtë. Me siguri nga brenda ka qenë e ndryshkur prandaj e kanë mballosur kështu…”

M’u duk sikur u qetësova disi.

Mëngjesin na e servirën me bukë dhe çaj. Buka ishte e mirë. Çaji pa sheqer. E piva çajin në vend të ujit dhe hëngra gjysmën e bukës thatë. Ishte një rriskë aq e vogël sa nuk kishte as për të ngrënë as për të lënë. E kollofita me një frymë edhe gjysmën tjetër dhe po rrija në pritje. S’po dija nga ta kapja fillin e mendimeve, sepse isha gjithmonë në pritje të vinin e të merrnin tasin e çajit…

Dhe ja… dera u hap me zhurmë dhe përgjegjësi i birucave më kërkoi tasin. Sapo u mbyll dera, ndjeva njëfarë boshllëku. Ndjenja e vetmisë kish filluar të më brente nga brenda që ditën e parë. Sa kohë do të zgjaste hetuesia? Çdo të bëhej me mua këtej e tutje? nga do t’ia nisin pyetjeve? a do të isha i aftë të përgjigjesha me dinjitet, apo do të më mashtronin që në seancat e para? ishte një institucion që do ta “shijoja” për herë të parë në jetën time dhe s’kisha asnjëfarë përvoje se si duhet të mbrohesha.

Frikesha mos me fjalët e mia mund të bija brenda… Pastaj mendova edhe diçka tjetër edhe më të rëndë: mos pa dashje mund të fusja në valle edhe ndonjë nga shokët e mi të vuajtjes dhe kjo do të ishte dërrmuese, shkatërruese. Këtë nuk do t’ia falja vetes kurrën e kurrës. Nuk isha adoleshent, kisha mbushur të tridhjetë e gjashtat. Në këtë moshë njeriu është në kulmin e fuqive të veta mendore e fizike, por ata kishin bërë shkollën e djallit dhe ta ruanin rastin apo ta gjenin pikën e dobët… dhe lehtësisht mund të të mashtronin!

U ndjeva në një siklet dhe për çudi sa herë ngrija kokën më dilnin parasysh ato stampa të mallkuara, sidomos ajo kafka me dhëmbët jashtë si qenie-lugate që s’di pse ma prisnin fillin e mendimeve si me thikë. Duke qenë në një gjendje gjysmë shoku seç m’u kujtua se disa vite më parë kisha lexuar diku, se, “ilaçi më i mirë kur njeriu është në gjendje të keqe shpirtërore është fiskultura”.

Personalisht kisha pasur bindjen se në raste të tilla as vetë shejtani s’të bën dot derman. E vetmja mënyrë do të ishte evitimi i shkaqeve që më kishin çuar në atë gjendje. Sidoqoftë u ngrita dhe bëra një lëvizje instinktive, shkunda kokën ( flokët i kisha akoma të paqethura) ashtu siç bën luani me krifën dhe me atë gjest sikur desha të shkundja apo të largoja nga vetja moralin e rënë dhe vazhdova të shëtis e të lëviz në atë zguliq të vogël që e thërrisnin birucë. Gjatë kohës që po bëja fiskulturë deriçka e kontrollit u hap disa herë, po gardiani nuk bëri zë, kështu që unë vazhdova avazin e Mukes, kur befas dëgjoj një zë që vinte nga jashtë. Afrohem me kujdes dhe ç’të shoh!… një vajzë  të re me flokë kaçurrela e me sy jeshilë. I shquaja pjesën e përparme të gjoksit dhe kokën që e mbante pak të ngritur. O Perëndi, ç’pamje romantike! Ç’ta kish sjellë vallë? Ç’kuptim kishte shfaqja e asaj krijese të tillë mu përballë dritares së birucës sime? Mos ndoshta ishte një ogur i mirë, paqeje e mirësie. Për një çast, pavetëdijshëm, i prirur kah e mira, mendova vetëm anën pozitive të asaj pamje të papritur dhe m’u kujtua një episod i fëmijërisë sime.

…isha diku rreth moshës 13 vjeçare dhe po gjuaja me llastiqe anë rrugës mbushur me plepa. Ndërsa pushoja nën hijen e një plepi vjen një gushëkuq dhe qëndron në një degë përballë meje. Gushëkuqi nuk lëvizte dhe unë siç nuk kisha bërë asnjëherë po kundroja pamjen e tij. Ngrita duart përpjetë që ta tremb ai nuk lëvizi. Pas pak filloi të këndonte. Nxjerr llastiqet nga xhepi, fus gurin në meshin dhe bëhem gati ta gjuaj. Zogu nuk lëvizte fare. I tërhoqa llastiqet dy-tre herë e njëjta gjë. E vërej me kujdes dhe shoh se syrin që e kish të ekspozuar në drejtimin tim e kish të mbyllur. Për disa minuta e dëgjova me një ëndje të veçantë refrenin e këngës së tij dhe pamjen engjëllore që re reflektonte me ngjyra të ndryshme ylberi nën ndikimin e rrezeve të diellit, që me vështirësi depërtonin nëpërmjet dritë-hijeve që krijonin gjethet e dendura të plepave. i tërhequr nga bukuria e tij dhe me një ndjenjë dhembshurie ngrihem në këmbë dhe i dal nga ana tjetër. Atëherë gushëkuqi ktheu kokën me të shpejtë ku i dallova syrin, hezitoi një çast dhe pastaj vetëtimthi u zhduk në hapësirë. Atë ditë shkova në shtëpi me një ndjenjë lehtësimi e lumturie se i kisha falur jetën një krijese të lirë e të pafajshme. S’di pse pamja e vajzës në dritaren e birucës sime më krijoi për një çast atë imazhin e rrallë të atij zogu të fëmijërisë sime dhe s’di pse në ato momente befasuese edhe këtu në boshllëkun e birucës pata një ndjenjë qetësuese të çastit! Zogu ish plagosur në një sy dikur dhe kish mbijetuar. Edhe unë… në moshën dy vjeç kisha pësuar të njëjtën gjë… isha goditur në sy nga një gur që kish ardhur nga një drejtim i panjohur. Plaga ishte mbyllur pas disa kohësh dhe unë asnjëherë nuk kisha ndjerë dobësimin në të parë të atij syri, pasi ishte kompensuar me vështrimin e fuqishëm të tjetrit… As vetë s’e di, pse n’ato momente po bëja njëfarë analogjie midis zogut dhe vetes! E sa i përket vajzës me sy të kristaltë… çdo iluzion u shua shpejt, sapo dëgjova një zë të trashë basi dhe fill pas saj pashë një fytyrë të rreshkur fshatari që më kujtoi vitet kur punoja në ndërtim. Ishte Jonuz Hadëri, një fshatar nga Hysgjokaj i Lushnjës me të cilin kisha punuar mbi gjashtë vjet. N.Sh.N-ja bënte një aneks në Degën e brendshme dhe punëtorët e ndërtimit do t’i shihja deri ditën e fundit kur pas atij gjyqi do t’i jepja lamtumirën qytetit për shumë vite. Fytyrat që po kundroja e që binin në kontrast të hapur me njëri-tjetrin i shihja që të kthenin kokën nga dritarja për të vështruar qoftë edhe për kuriozitet.

S’mbaj mend sa kohë u solla lart e poshtë duke bërë lëvizje nga më të ndryshmet, vetëm e vetëm që të mund të harroja, kur zhurma, tashmë gjithnjë e më e zakonshme e derës, më përmendi dhe përgjegjësi i birucave më urdhëroi të dilja jashtë. E ndoqa nga pas dhe menjëherë pas korridorit të errët të birucave u gjenda në një hapësirë me diell.

Një shtresë betoni e rrethuar me një mur nja dy metra të lartë në formë rrethi. Në anën e majtë të hyrjes së hapur gjendeshin nja dy WC të vogla me mur tulle të vjetër e të gërryer nga agjentët atmosferikë. Në dy ekstremet e asaj hapësire qëndronin dy roje në gatishmëri, me tytat e pushkëve drejt meje. Të them të drejtën,përshtypja e çastit kur i pashë ishte tronditëse: “Do të më vrasin!” – mendova. Pa e zgjatur u drejtova drejt WC-ve.Vetëm kur hyra brenda e ndjeva se sa nevojë kisha pasur të dilja jashtë. Fillimisht u godita nga era tmerrësisht e qelbur dhe papastërtia që manifestohej jo vetëm poshtë këmbëve të mia, por edhe nëpër muret, në derë… kudo. në të katër faqet e mureve të palyera kishte gjurmë gishtash me pisllëk. S’kishte as ujë, as letra. Në ato momente askujt nuk i shkonte mendja për komoditet, sepse isha gjithmonë nën përshtypjen e atyre tytave të pushkëve që ishin drejtuar përballë meje. Pa mbaruar punë, me mbathjet nëpër këmbë afrohem tek dera dhe po shihja nëpër të çarën e dërrasave të derës. Ushtari vazhdonte ta mbante tytën nën një kënd 45 gradë mu përballë këmbëve të mia. “Zot i madh”, – thashë me vete – ç’bëhet kështu?” S’pata kohë të mendoj më tej dhe në përpjekje për të gjetur ndonjë mjet për t’u fshirë, në qoshen e një të çare muri vura re nja dy copa letër. “Qeshë me fat”, mendova dhe sapo kreva punë pa e zgjatur, dola jashtë dhe ngadalë me mornica në trup u drejtova nga hyrja. Përgjegjësi i birucave që bisedonte qetësisht me ca oficerë të degës, më urdhëroi që të lahesha tek çezma. I hodha nja dy grushta ujë syve dhe në të njëjtën kohë po vështroja ushtarin që mbante të njëjtin qëndrim. Tjetrin e kisha mbas shpine. Jo pa frikë nisa të bëj përsëri ca hapa drejt hyrjes. Përgjegjësi u shkëput dhe të dy së bashku njëri mbas tjetrit hymë në errësirën e korridoreve për t’u prehur në qeli. Sapo u ula, përballë në anën e majtë të derës, në qoshe të murit vura re një kovë të bardhë plastike. Kova e urinës. kishte edhe pak ujë brenda. Si shpjegohej, që nuk e kisha vënë re më parë? Apo e kishin futur gjatë kohës që kisha dalë jashtë…?

Në fëmijërinë time kisha përjetuar gjëra të tilla, por ato i përkisnin tashmë një të kaluare të largët. Si mund të kryhej punë në atë kovë. Deri atëherë unë nuk e kisha ndjerë nevojën e të dalurit jashtë, prandaj prania e asaj kove më shkaktoi një tjetër ndjenjë trishtimi. Në një birucë si ajo duhej të haje, të pije e të flije … nën avujt therës të urinës! Pastaj, nga natyra isha tepër i pastër. Nuk e konceptoja dot se si mund të zhvishesha nën vështrimin e herëpashershëm të gardianit që të kontrollonte orë e çast! Megjithëse kisha jetuar në kushte tepër të vështira, Mund të them se, kisha qenë i përkëdheluri i nënës. Atë çast më erdhën ndërmend fjalët e Dedës (Dedë Gjonmarkajt), një bashkëvuajtësi, i cili kishte bërë dy herë burg kur më thoshte: “ti, Dine e ke kollaj, se nuk ke pjerdhur ndonjëherë në qyp!” – dhe qesha me vete. Ta mendoje thellë, prania e kovës së urinës në birucë në fund të fundit ishte një lehtësim, një privilegj për mos të thënë një komoditet për një të izoluar që ish i detyruar t’i nënshtrohej një regjimi të rreptë rregullash. Ishte qesharake dhe absurde të shfaqja qoftë edhe pretendimin më të vogël në ato rrethana, jo vetëm se mund të bëhesha prè e lojës së gardianëve injorantë, por mund ta paguaja dhjetëfish qëndrimin tim me masa të rrepta izolimi, në atë fe që të ankoheshe pse më kishte lindur nëna.

Nëse do të më lejonin të dilja jashtë si atë ditë, do të bëja çmos që mos të urinoja në qyp, deri sa të vinte koha. Në rast të kundërt do t’i ktheja shpinën gardianit dhe gjithçka do të shkonte paq. Sidoqoftë tani më ishte paraqitur vetë rasti të eksperimentoja fjalët e plakut Dedë, me të cilat kisha qeshur gjithmonë pa u thelluar kurrë në kuptimin e vërtetë të tyre. Po e vështroja qypin (tani po më pëlqente më tepër ta quaja ashtu se më dukej si një term profesional që e kishin përdorur më parë edhe paraardhësit e mi) si të ishte një objekt arkeologjik. Ndonëse ishte një enë e bardhë objekti në fjalë, atij i qe tjetërsuar krejtësisht, faqja e brendshme, e kish marrë një si ngjyrë kremi të ndryshkur. Në çdo dy-tre cm dalloheshin ca vija ndryshku që binin perpendikularesh në fundin e qypit, ndërsa fundi kishte, natyrisht një ngjyrë më të errët, pasojë e qëndrimit të përhershëm të urinës në fund. Me hollësi ekzaminova edhe pjesën e jashtme të enës ku, ndonëse ruante origjinalitetin e ngjyrës së bardhë, ashtu si brenda, dalloje ca vija pingule por më të gjera e më të zbehta se ato të brendshmet. Edhe doreza prej teli ishte krejtësisht e ndryshkur, sigurisht nga spërkatjet e herëpashershme të urinës nga të izoluar të ndryshëm. Me një fjalë ku të kapte syri, pisllëk. Kushedi sesa lloj shurrash kishin rënë në atë virane, që të kallte krupën e që do ta kisha parasysh sa herë të shtrohesha për të ngrënë. Ishte vetëm dita e parë, orët e para dhe më dukej se kisha muaj në qeli. Po pyesja veten se pse po merresha aq kohë me budallallëqe dhe ndjeja një lloj neverie të tillë, që ma shkaktonte paaftësia, për t’u marrë me ndonjë lloj arsyetimi që mund të më vlente sadopak në do rrethana izoluese.

Aq e fortë ishte ajo përshtypje sa filluan të më merren mendtë dhe m’u turbullua vështrimi, por, edhe kjo gjendje nuk zgjati shumë pasi në çast u shkunda nga gjëmimi i derës që u hap me forcë dhe hyri një polic. Më kapi për dore dhe ecëm në korridorin e ngushtë, deri afër disa shkallëve që të çonin në dhomat e hetuesisë. Aty ndaluam. në të djathtë vura re një karrige dhe një nga berberët e qytetit, Komin. E njoha menjëherë dhe u bëra gati ta përshëndesja, por ai duket se nuk ndjeu asnjë lloj detyrimi si ish klient i tij i përhershëm, por kur për një çast polici u largua disa hapa ai menjëherë më dha të njohur. Më pyeti me një zë të shuar; “Si je?” Unë rrudha buzët sikur t’i thosha “e si mund të jetë njeriu këtu?” ndërkohë ai filloi të më qethte me atë makinën zero. Përfitova nga rasti dhe me zë të ulët i kërkova që ta ngrinte pak dorën që mos të më dukej koka si e rruar me brisk dhe përsëri pata një ndjenjë boshllëku e kotësie për veten. Komi bëri ashtu siç ia kërkova unë dhe, kur u ndamë bëri një shenjë sikur të më thoshte: “Mos u mërzit, se do të kalojë!”

…Tek shkoja për në qeli, instinktivisht kalova gishtat e pëllëmbëve nëpër okë a si të thuash nëpër kafkë. ishte hera e parë në jetën time që e shihja veten pa okë. “Ç’poshtërim!”, mendova me vete! Ja edhe ky gjest ishte një nga poshtërimet e shumta që sistemi totalitar i bënte personalitetit të njeriut.

Ishte dita e parë në qeli dhe e kisha humbur tashmë nocionin e kohës…..

  • Fragmenti është marrë nga Romani “MBI VARKEN E KARONTIT” i autorit DINE DINE, të cilin Vatra do ta promovojë së shpejti.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Mbi varkën e Karontit”, Dine Dine, Qelia nr. 4

KOMUNIZMI, SISTEM KANIBALESH

December 9, 2017 by dgreca

NGJARJE TRONDITËSE QË NDODHIN VETËM NË NJË SISTEM KANIBALËSH, SIÇ ISHTE KOMUNIZMI/

3Kostreci hasan

NGA HASAN KOSTRECI/ Lexova para disa ditësh deklarata dhe deponime për ngjarje të ndodhura gjatë diktaturës, qe rrëfen se komunizmi nuk ishte vetëm i egër dhe mizor, por edhe kafshëror. Ështe fjala për përdhunimet e kryera nga mjaft ish zyrtarë të asaj kohe si hetuesa, drejtora kampesh, drejtora burgjesh, kryetarë degash e deri përfaqësues të ministrisë së brëndëshme. Gjeste këto, të cilat të bëjnë të mendosh për nivelin e ulët dhe ordiner të atyre që na kanë drejtuar, por kur di që të njëjtën gjë bënë edhe “çlirimtarët” e ushtrisë së kuqe ruse me vajzat dhe gratë gjermane, kur hynë mbas kapitullimit të nazizmit në Berlin, nxjerr si konkluzion se kjo lloj fare është njësoj kudo që ndodhet dhe nuk ka moral, por kur t’i bën këto i huaji, është gjysma e keqes, por shqiptari shqiptarit, është shumë më e rëndë.

Ky fenomen, sepse më kujton diçka që më ka ndodhur kur isha i ri, i cili jo edhe aq prej tronditjes që pësova, se sa për një tjetër arësye, të cilën po e rrëfej; Po udhëtoja një mbrëmje në një zonë të thellë fshati, kur pa dashur u ndesha me një stan bagëtish. Një qen i madh sa një ujk më ndjeu dhe mbasi lehu vetëm njëherë, m’u versul, m’u hodh përsipër e më rrëzoi. U rrukullisa sëbashku me të dhe kur qëndrova, pashë që ai qe fare pranë meje, por nuk më preku dhe më mbajti ashtu pa lëvizur deri sa erdhi bariu.

“Po të ishte qen rrugësh, më tha një fshatar, do të kishte xhallavitur e shqyer nga rrobat, ndërsa qeni i stanit, është ndryshe, sepse ka një lloj fisnikërie”.

Edhe në botën shtazore, mendova, paska dallime dhe jo të gjitha kafshët qënkan njësoj. Por sa kohë i është dashur atij bariut për tä krijuar atë qen rracë, ndërsa komunizmi bëri të kundërtën, sepse dhe “njeriun e ri”, që krijoi, e bëri më të keq nga vetja.

Por e çutitëshme është, se si ka mundësi që ky lloj kontigjent të hipi një ditë aq lart sa të kapi edhe pushtetin? Për dikë që e ka provuar, përgjigja është e thjeshtë dhe nuk ka vështirësi për ta kuptur, ndërsa për një tjetër, i cili e njeh komunizmin vetëm në teori dhe për aq sa ka lexuar, është ndryshe, sepse kjo ideollogji është aq e maskuar dhe e sofistikuar, sa viktima nga ajo mund të ketë kurdoherë, bile edhe në kohën e sotme dhe jo vetëm në vënde të varfëra e të pa stabilizuara, siç është Shqipëria, por edhe në ato nga më të konsoliduarat dhe demokratiket në botë. Programet e saj janë tërheqëse dhe nuk gabojnë vetëm një naiv e i pa shkollë, por edhe një idealist, edhe një të pa suksesëshëm që ka dështuar në jetë, por kur në këto grupime heterogjene, hyn e penetron edhe mashtruesi, edhe gënjashtari, bile dhe terroristi, të cilët si të djallëzuar, pak e nga pakë arrijnë e dalin në krye, kjo turrmë atëhere merr drejtim tjetër dhe bëhet e rrezikëshme. Rast tipik është përsëri vëndi ynë. Komunizmin populli shqiptar nuk e njihte, por e përqafuan, sepse ai fillimisht u paraqit si baba e si nënë. Po dyshonin më vonë, kur nisi të tregohet me ta indiferent  dhe të sillej si njerkë, po kur nga fundi u egërsua dhe u transformua në kuçedër sa nisi  të hajë e të kollofitë edhe ata vetë, iu kundërvunë dhe në nëntëdhjetën kujtuan se e vranë. Por shtatë dekada e ca që ajo jetoi, kishte pjellë e përhapur në të gjithë vëndin aq shumë nga këlyshët e vet, sa edhe demokracinë nisën që ta shkatërrojnë, prandaj rreziku prej tyre është tepër serioz dhe neqoftëse edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve, të cilët të alarmuar kanë ardhur dhe janë aktualishtsht prezent, s’do mundim dot që t’i zhdukim, kam frikë se përfundimin do kemi mjaft keq!

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Kostreci, Komunizmi, SISTEM KANIBALESH

Grindja pёr Jeruzalemin: dy tё vdekur qindra tё plagosur

December 9, 2017 by dgreca

Goma makinash qё digjen, gurё qё hidhen anё e mbanё: Pas njohjes sё Jeruzalemit nga SHBA-ja si kryeqytet i Izraelit vendi i shenjtё po tronditet nga trazirat. Nё Kёshillin e Sigurimit amerikanёt po hasin nё kritika.

Israel Jerusalem (Ost) Reaktionen nach Ankündigung Trumps zu US Botschaft (DW/Tania Kraemer)

Pas njohjes sё Jeruzalemit nga SHBA-ja si kryeqytet i Izraelit, si pasojё e trazirave nё Jeruzalem dhe nё territoret palestineze kanё gjetur vdekjen mё se 750 janё plagosur. Shumё prej tyre kanё pёsuar plagё prej tё shtёnave, shumica nga plumba gome, sikurse njofton shёrimi palestinez i shpёtimit Gjysmёhёna e Kuqe. Policia izraelite ishte prezente nё Jeruzalem me trupa tё pёrforcuara. Nё Jordanin Perёndimor janё vendosur batalione shtesё tё ushtrisё sё Izraelit. Hantifada e tretё, si dhe e shpalli tё premten “ditёn e indinjatёs”.

Palästina Ramalah Proteste gegen Trump (DW)

Nё njё seancё urgjente nё Kёshillin e Sigurimit SHBA hasi nё kritika masive tё 14 anёtarevё tё kёtij forumi. Vendimi i SHBA-sё pёr ta njohur Jeruzalemin kryeqatet tё Izraelit ёshtё „njё rast i rrezikshёm precedent“, tha ambasadori i Egjiptit tё OKB, Amr Abdellatif Aboulatta. Ambasadorёt e Britanisё sё Madhe Suedisё, Italisё dhe Gjermanisё pёrmes njё deklarate tё pёrbashkёt komunikojnё, se ky vendim nuk ёshtё nё pёrputhje me rezolutat e OKB-sё dhe nuk ёshtё i dobishёm pёr situatёn.

Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat tha nё televizionin Al-Jeezira, se populli i tij do tё negociojё sёrish me SHBA, vetёm pasi presidenti Trump ta tёrheqё vendimin e tij. Pas kёtij vendimi, sikurse njoftojnё pёrfaqёsues tё lёvizjes Fata, presidenti palestinez Mahmud Abbas nuk do ta takojё nёnpresidentin e SHBA-sё Mike Pence sipas planifikimit nё Bethlehem.

Filed Under: Politike Tagged With: dy te vdekur, Grindja per Jeruzalemin, hindra te plagosur

Lezhë, vritet në atentat vëllai ish deputetit të PS

December 9, 2017 by dgreca

1 ndoka

Në Shqipëri, mbeti i vrarë në një atentat, Aleksandër Ndoka, anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe vëllai i ish deputetit socialist Arben Ndoka, i cili dha dorëheqjen nga parlamenti i kaluar në kuadër të procesit të dekriminalizimit, për shkak të shkuarës së tij me precedentë penal. Aleksandër Ndoka, ka qenë pranë banesës së tij kur mendohet se ka rënë në pritën e vrasësve të cilët dyshohet të kenë qenë duke e pritur të fshehur në një banesë të rrënuar përballë shtëpive të vëllezërve Ndoka. Në vend ngjarje janë gjetur 14 gëzhoja armësh automatike. Dyshohet se ai është qëlluar fillimisht nga distanca dhe më pas vrasësit janë afruar duke shtënë mbi të nga afër.

Ndoka është gjetur i vrarë në automjetin e tij rreth orës 4 të mëngjesit. Policia shpjegon se ka shkuar atje pas një sinjalizimi në sallën e saj operative. Ndërsa familjarët thonë se Ndoka është gjetur nga një patrullë policie. Dyshohet që ai të jetë vrarë gjatë mbrëmjes. Me shumë gjasa ai është qëlluar me armë me silenciator, pasi të afërmit e tij kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtëna.

Aleksandër Ndoka, i zgjedhur si anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës nën siglën e partisë “Rruga e Lirisë”, nuk kishte precedent të mëparshëm penal, ndërkohë që djali i tij, është arrestuar në muajin Tetor pasi dyshohet të jetë autor i dhunimit të një përfaqësuesi të LSI-së ditën e zgjedhjeve të 25 Qershorit. Për momentin mbeten ende të paqarta motivet e kësaj vrasjeje.

Filed Under: Kronike Tagged With: Aleksandër Ndoka, vritet me atentat

Në veri të Kosovës ende ka struktura paralele

December 9, 2017 by dgreca

1Veriu

Në veri të Kosovës, ende nuk ka përfunduar procesi i shuarjes së strukturave paralele, të cilat mbështeten nga Beogradi zyrtar, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Përderisa nga Policia e Kosovës në veri të vendit, thuhet se gjendja është dukshëm më e mirë, krahasuar me vitet paraprake.Katër komunat veriore të Kosovës, ku bëjnë pjesë Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani dhe Mitrovica e veriut, janë të banuara nga popullata shumicë serbe.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se autoritetet e rendit nuk po arrijnë që të kenë kontrollin e duhur në atë pjesë.Naim Rashiti, drejtor i Grupi Ballkanik për Politika, thotë se shtyrja e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe ka bërë që në veri të Kosovës të jenë ende të pranishme institucionet paralele serbe që funksionojnë pa ndonjë pengesë ligjore.

“Të gjitha struktura e administrimit, komunat funksionojnë ende, agjencitë e ndryshme shtetërore të Serbisë. Krahas arsimit dhe shëndetësisë që veprojnë në gjithë Kosovën, funksionon lirshëm edhe një zyre të Bankës Qendrore të Serbisë. Nuk është bërë shumë për tërheqjen e tyre ose nuk është bërë asnjë plan për tërheqjen e tyre”.

“Ajo që ka ndodhur është shuarja e policisë, integrimi i policëve dhe gjykatësveqë zyrtarisht institucione të sigurisë dhe ligjit, nuk ka në veri -jo zyrtarisht natyrisht që dihet prezenca e strukturave, por zyrtarisht organet e tilla, të cilat mund të arrestojnë apo veprojnë, nuk ka në veri”, thotë Rashiti.

Sipas tij, veriu i Kosovë ka qenë i pamenaxhuar dhe i paadministruar për më gjatë se 18 vjet, dhe pothuajse edhe sot vazhdon të jetë gjendje e ngjashme.

“Fakti se 80 për qind e veturave operojnë pa tabela [regjistrimi], fakti se nuk ka regjistra të qarkullimit të njerëzve flet mjaft; nuk ka kontroll të mjaftueshëm mbi kufijtë. Ka shumë kalime ilegale si në asnjë kufi tjetër në rajon. Është kufiri më i thyer, më i qarkulluar ilegalisht, dhe kjo natyrisht që na shtyn të kuptojmë që aty ka vepra dhe zhvillohen vepra shumë të rrezikshme kriminale dhe infiltrim i shumë grupeve të interesit”, theksoi Rashiti.

Ai vlerëson se për të ndryshuar gjendja në veri të Kosovës, dhe për eliminimin e të gjitha rreziqeve dhe grupeve që qarkullojnë në mënyrë të paligjshme, duhet edhe pak kohë. Sipas tij, autoritetet e rendit, me gjithë përpjekjet, nuk janë duke vepruar atje sa duhet.

“Policia është në proces e sipër dhe është në rrugë të mirë. Unë besoj se pas një kohe do të vihet rend, por ende autoritetet e Kosovës, apo edhe KFOR-i, nuk e kontrollojnë kufirin siç duhet. Kemi parasysh që për 4-5 vjet ka qenë e pamundur të operojë Policia e Kosovës në veri. Kurse tani operon në një masë deri diku”, thekson Rashiti.

Prania e strukturave paralele nuk mohohet as nga autoritetet e rendit. Por, sipas tyre, ato struktura janë zbehur dhe nuk kanë më fuqi siç kishin vite më parë.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në veri, thotë se gjendja e sigurisë në përgjithësi është e qetë. Ai megjithatë, mendon se zhvillimet aktuale dhe dinamizmi i veprimeve politike ndikojnë në stabilitetin e asaj pjesë.

Hoti thekson se Policia në veri të Kosovës ka nevojë për mbështetje dhe përkrahej nga institucionet si ato të nivelit lokal, po ashtu edhe atij qendror.

“Sapo të kemi një stabilitet ekonomik në këtë pjesë të vendit, flasim edhe për stabilitet shoqëror. Nuk është vetëm policia, mekanizmi i vetëm i sigurisë, i cili duhet të funksionojë në tërë këtë hallkë të sigurisë së vetë qytetarëve. Mirëpo, ato detyra dhe obligime të cilat dalin me ligje dhe janë proceduar për Policinë e Kosovës, sigurisht që policia krahas shumë zhvillimeve që kanë ndodhur këto vitet e fundit me integrim e dialog, kanë ndikuar në ndryshimin e formave dhe të të menduarit për çështjen e sigurisë”, shprehet Hoti.

Kurse, sa u takon kalimeve ilegale të kufijve në veri, Hoti thotë vendkalimet kufitare janë në monitorim të plotë, por nuk përjashtohen rastet kur grupet të caktuar për interesat të ndryshme tentojnë ta kalojnë kufirin ilegalisht.

“Ka interesim të grupeve të ndryshme, të cilat tentojnë ilegalisht të fusin mjete apo persona në kalimin e kufirit jashtë pikave të autorizuar. Policia kufitare i ka detyrat e veta dhe bën punën e vet në identifikim e këtyre grupeve apo individëve”, thotë Hoti.Për autoritetet e Kosovës, shuarja strukturave paralele në veri dhe pjesët tjera të vendit, është një nga kushtet kryesore për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, si një prej marrëveshjeve kryesore të arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.(Kortezi:Arton Konushevci)

Filed Under: Opinion Tagged With: ne Mitrovice, Structural paralele

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1641
  • 1642
  • 1643
  • 1644
  • 1645
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT