• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESE PER ATA QE E DUAN SHQIPERINE DHE POPULLIN SHQIPTAR

November 29, 2017 by dgreca

Nga LORO STAJKA/Pavaresine Ismail Qemali e ka shpall ne 1912 dhe Bota e ka njoft , por pavaresi dhe liri per popullin shqiptar nuk ka. Identiteti kombetar po shkaterrohet, , kerkasat per emigracion sa vijne dhe rriten. E keqja nuk eshte droga ajo eshte pasoje. E keqja jane drejtuesit dhe politikanet qe populli ju jep voten prej 1991 e deri sot , dhe ata po miratojne ligje qe  kane mohuar pronen e trasheguar dhe detyrimin per te zbatuar kushtetuten. Dinjiteti , atdheu dhe liria  per çdo njeri te lire eshte prona e trasheguar. Ajo mund te cenohet vetem per nevoja publike dhe kundrejte shperblimit . Anarkia postkomuniste e prones ka vendos shqiptaret kunder shqiptareve, ka shkaktuar mbi 8000 te vrare siç e ka raportuar vete kryeministri Edi Rama dhen ky numur asht ma i madh se pushkatimet me gjyq e pa gjyq qe beri diktatuara komuniste. Po presim nese Edi Rama qe sot e ka i vetem timonin, a do kete deshiren ta zbatoje kushtetuten apo do justifikoje dhe thelloje gabimet historike qe beri ne 1991 Ramiz Alia, Sali Berisha dhe Fatos Nano

 

Filed Under: Komente Tagged With: ata qe duan Shqiperine, Kujtese, Loro Stajka

SHBA mbështetje Kosovës së lirë, të pavarur dhe me prosperitet

November 29, 2017 by dgreca

27.11.2017 Takimi_2-Zëvendës-ndihmës sekretarja Amerikane e Mbrojtjes Laura Cooper: SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë dhe të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj/

 -Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën, veçanërisht për bashkëpunimin me FSK-në/

28.11.2017 - ZKM-3

– Kryeministri Haradinaj theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake e diplomatike të SHBA-së në Kosovë dhe rajon si një faktor të stabilitetit dhe paqes dhe posaçërisht vlerësoi mbështetjen që SHBA-ja vazhdon t’i jap Kosovës në ndërtimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës/28.11.2017 - ZKM-1

1 Rustemi-Ministri Berisha e ka njoftuar zyrtaren e lartë nga SHBA-të me aktivitetet aktuale, planet e zhvillimit, sfidat si dhe procesin e zhvillimit dhe aktiviteteve konkrete për  transformim e FSK-së në FAK/

  PRISHTINË, 28 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Zëvendës ndihmës sekretarja amerikane  e Mbrojtjes, Laura Cooper, tha sot në mbrëmje në Prishtinë se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë dhe të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj.

 PRESIDENTI THAÇI: KOSOVA, MIRËNJOHËSE PËR PËRKRAHJEN E SHBA

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në 27 nëntor Zëvendës-ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-së në sektorin e sigurisë.

 Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën, veçanërisht për bashkëpunimin me FSK-në. Ai shtoi se FSK-ja ka ngritur kapacitetet e saj dhe tani është një forcë profesionale dhe gjithëpërfshirëse.

“Po punojmë, të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, që të plotësojmë të gjitha kriteret për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Sigurisë”, u shpreh presidenti Thaçi.”Dëshira jonë është që transformimi të bëhet me konsensus politik dhe nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se megjithatë “ky proces nuk mund të zgjas pafundësisht”.Zëvendës-ndihmës Sekretarja, Laura Cooper, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përkrahin Kosovën në të gjitha fushat.

Presidenti Thaçi shtoi se gjendja e sigurisë në Kosovë është shumë e mirë dhe Kosova mbetet e angazhuar për paqe dhe stabilitet në rajon.”Po kultivojmë dialog të brendshëm dhe në nivel rajonal, veçanërisht me Serbinë”, u shpreh presidenti Thaçi.

 KRYEMINISTRI HARADINAJ THEKSON RËNDËSINË E PRANISË USHTARAKE E DIPLOMATIKE TË SHBA-SË NË KOSOVË DHE RAJON

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në nëntor në takim zëvendës ndihmës sekretaren e Mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, proceset integruese të vendit dhe sfidat në fushën e sigurisë.Kryeministri Haradinaj theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake e diplomatike të SHBA-së në Kosovë dhe rajon si një faktor të stabilitetit dhe paqes dhe posaçërisht vlerësoi mbështetjen që SHBA-ja vazhdon t’i jap Kosovës në ndërtimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës.Kryeministri Haradinaj tha se me dinamikën e re qeverisëse Kosova po përshpejton zbatimin e reformave në vend në fusha të ndryshme, posaçërisht atë të sundimit të ligjit dhe të rendit dhe në zhvillimin ekonomik.
Ai tha se konsolidimi ndërkombëtar dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare i Kosovës, përfshirë mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, me qëllim të adresimit të sfidave të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, është me rëndësi të veçantë për të krijuar stabilitet dhe theksoi se ndihma e SHBA-së në këtë fushë është e domosdoshme.Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova po ndërton fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe është angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve. Ai tha se dialogu duhet të riformatohet dhe afatizohet duke sjellë një rezultat përfundimtar konkret, atë të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve. Kryeministri Haradinaj tha se në fazën përfundimtare të dialogut dhe në përmbyllje të tij është e domosdoshme përfshirja e SHBA-së si garantuese e procesit së bashku me BE-në.

Duke folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, kryeministri Haradinaj theksoi se po bëhen përpjekje në këtë drejtim brenda kuadrit kushtetues të vendit, në bashkëpunim ndërinstitucional dhe me komunitetet dhe se ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me SHBA-në. Ai tha se FAK do të jetë një forcë e ndërtuar mbi standardet ndërkombëtare, shumëetnike dhe e profesionalizuar. Kryeministri Haradinaj theksoi rëndësinë edhe të pjesëmarrjes dhe kontributit të FSK-së në Operacionet Paqeruajtëse.Zëvendës ndihmës sekretarja e mbrojtjes e SHBA-së, Laura Cooper, tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë dhe të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj, bën të ditur njoftimi i sapodërguar nga Zyra e Kryeministrit.

MINISTRI BERISHA NJOFTON PËR PROCESIN E TRANSFORMIMIT TË FSK NË FAK

 Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha e ka pritur në 28 nëntor në takim zyrtar ndihmës-sekretaren Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, aura Kuper (Laura Cooper), me bashkëpunëtorë.Në takim ministri Berisha ka falënderuar Kuper dhe SHBA-të për ndihmën e madhe që kanë dhënë për Kosovën dhe veçanërisht për FSK-në.Ai ka vlerësuar lartë shkallën dhe dinamikën e bashkëpunimit në mes të MFSK-së dhe SHBA-ve, veçanërisht bashkëpunimin me Gardën Kombëtare të Ajovës.Me këtë rast, ministri Berisha e ka falënderuar Kooper për donacionet, trajnimet, shkollimet dhe ushtrimet e përbashkëta të realizuara deri më tani, e që përbëjnë esencën e këtij bashkëpunimi të cilin duhet thelluar edhe më tej.Po ashtu ministri Berisha e ka njoftuar zyrtaren e lartë nga SHBA-të, me aktivitetet aktuale, planet e zhvillimit, sfidat si dhe procesin e zhvillimit dhe aktiviteteve konkrete për  transformim e FSK-së në FAK. Ndërsa nga ana e saj Laura Kuper u shpreh se ndihet e kënaqur kur dëgjon edhe vet për arritjet dhe sukseset e FSK-së e posaçërisht kur je kontribuuese e këtyre sukseseve. “Ne e duam Kosovën të lirë, të pavarur dhe me prosperitet. Më vjen mirë që kemi vizion të ngjashëm me ju për të ardhmen e Kosovës, po ashtu është edhe detyra e jona të ndihmojmë në realizimin e këtyre objektivave. Me rëndësi që të merret angazhimi i të gjithë faktorëve të rëndësishëm për këto ndryshime, e në këtë rast edhe i komunitetit jo shumicë”, citon komunikata e dërguar.

 Në vazhdim të takimit punues, është vlerësuar bashkëpunimi i deritashëm, ku është propozuar që të përqendrohet në bashkëpunim konkret, me fokusim në fusha dhe pika ku SHBA-të do të japin kontributin e vet në ngritjen dhe profesionalizimin e FSK-së.

Ky bashkëpunim kërkon nga dy palët që ta bazojnë mbi rangimin e objektivave sipas prioriteteve.Në takimin e përbashkët të dy delegacioneve merrnin pjesë edhe zëvendësministrat Brahim Mehmetaj dhe Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendës komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, gjenerali Zymer Halimi, Faruk Geci, si dhe stafi i lartë i FSK-së.Ndërsa, zëvendës-ndihmës Sekretaren e Departamentit të Mbrojtjes, Kuper  e shoqëronin kolonelët Kevin Hill dhe Jeffrey Fischer, nënkoloneli Walter Richter, majorët Jerimiah Wildermuth, Juan Murillo, Brian Devlin dhe Josh Rubin.Ambasada e SHBA në Kosovë në një njoftim të dërguar ka bërë të ditur  se zëvendës-ndihmës sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper, e cila po viziton Kosovën, do të marrë pjesë në 29 nentor në ceremoninë e përmbylljes së donacionit dedikuar për renovimin e shkollës fillore “Jeronim De Rada” në Ferizaj.

Filed Under: Kronike

GËZIM NIKA–35 VJETË KËNGË DHE VEPRIMTARI KOMBËTARE

November 29, 2017 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Njoftohet se me 1 dhjetor 2017, komuniteti shqiptaro-amerikan do të festojë 35-vjetorin e veprimtarisë muzikore të artistit dhe të legjendës së këngëve me motive patriotike, Gëzim Nika.

1 gezimGëzim Nika njihet mirë në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në diasporë, pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku për më shumë se 20-vjet tani jeton me familjen e tij.  Veprimtaria e tij, sidomos në lëmin e dendur muzikor, por edhe në veprimtarinë e tij patriotike është e njohur mirë tanimë anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporën shqiptare, jo vetëm në Amerikë dhe Evropë, por kudo që gjënden shqiptarët, përfshirë edhe Australinë e largët.  Këngëtari i njohur i folklorit shqiptar Gëzim Nika njihet për repertorin e tij të pasur me krijimtari të larmishme dhe si i tillë është ndër të pakët këngëtarë në diasporë dhe në trojet shqiptare që e mban gjallë këtë traditë duke ia përcjellur këtë lloj muzike edhe brezit të ri të shqiptarëve.  Vitin që kaloi, për veprimtarinë e tij artistike, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani dekoroi këngëtarin Gëzim Nika me titullin e merituar, “Mjeshtër i Madh”.1 Gezim

 

 

 

 

Me rastin fatbardhë të 35-vjetorit të daljes në skenë për të, familjen e tij dhe për shqiptarët kudo, disa bashkatdhetarë po organizojnë në fund të kësaj jave një darkë madhështore në nder të këngëtarit të njohur dhe tashmë legjendës së muzikës popullore shqiptare, i cili është gjithnjë aktiv dhe në këtë fushë dhe tepër i preferuar nga shqiptarët kudo për festat, dasmat dhe për ngjarje të ndryshme familjare, si ditëlindje dhe përvjetorë.  Pritet që në këtë solemnitet të marrin pjesë një numër i madh bashktadhetarësh nga Nju Jorku dhe nga shtetet për rreth.  Të ftuar të posaçëm në këtë darkë do të jenë një numër këngëtaresh dhe këngëtarësh si dhe artistë të njohur shqiptarë, për të nderuar veprimtarinë 35-vjeçare të kolegut të tyre të respektuar, Gëzim Nikës.

Pritet që darka të kalojë në një atmosferë përzemërsije të sinqertë dhe vëllazërore dhe si e tillë të jetë një dëshmi e nxehtë, nderim dhe falënderim për veprimtarinë muzikore dhe patriotike prej tre dekada e gjysëm të Gëzim Nikës, nga pjesëmarrësit dhe kolegët e tij artistë që do të jenë pranë tij atë mbrëmje për të festuar me ‘të, këtë jubile të shënuar për të personalisht dhe për kulturën dhe muzikën shqiptare në përgjithësi, këtë ngjarje pra tepër të rëndësishme në jetën artistike të Gëzim Nikës dhe për të gjithë admiruesit e tij sot dhe gjatë dekadave të kaluara.  Ndër pjesëmarrësit muzikantë, kolegë e kolege në këtë ngjarje me rëndësi jo vetëm për këngëtarin e njohur popullor do të jetë edhe këngëtarja e njohur Albërije Hadërgjonaj e cila ndanë me miqtë e saj në instagram njoftimin për këtë jubile dhe urimin e saj për Gëzimin – që shumë shqiptarë ndjejnë për këngëtarin e njohur dhe yllin e muzikës popullore shqiptare – dhe jo vetëm në këtë jubile, duke iu drejtuar atij me këtë mesazh: “1 Dhjetori është një festë për ty dhe për gjithë shqiptarët. Miq e mikesha, ju njoftoj se me 1 Dhjetor, Gëzim Nika feston 35-vjetorin e daljes në skenë! Unë dua të uroj paraprakisht për sukseset ndër vite me këngë që sot e përgjithmonë janë gur i rëndë në artin shqiptar. @gezimnika, ti për mua dhe familjen time je mik, vëlla që të duam fort! Këndofsh për shumë e shumë vite o Legjendë”, përfundon urimin e saj, Albërije Hadërgjonaj.

Në këngët e tija, Gëzim Nika shpreh dashuri dhe mall për kombin e vet, për shqiptarët në trojet e tyre dhe kudo janë të përhapur anë e mbanë botës.  Shpresoj se darka që komuniteti shqiptaro-amerikan po organizon me1dhjetor në nder të tij dhe të punës së tij prej 35-vitesh në skenë, të jetë sado pak një njohje e vogël, në shënjë falënderimi nga publiku — të pakën nga publiku shqiptaro-amerikan – ndaj rapsodit të shquar të kombit shqiptar, Gëzim Nikës.  Unë personalisht i jam mirënjohës, Gëzimit për këngët e tija që tani i dëgjoj rregullisht, por që dikur i dëgjonim me shumë vështirsi pasi i transmetonte radio Tirana me valë të shkurtëra në emisionin për bashkatdhetarët jashtë atdheut, këngë siç është, “Në Dardani bien tupanat” – por këngë të cilat më lehtësonin deri diku mallin për çdo gjë shqiptare, në atë kohë.  Prandaj, edhe unë bashkohem me Albërie Hadërgjonajn dhe me qindra mijëra bashktadhetarë, në Shtetet e Bashkuara, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në mbarë botën, që ndërsa Gëzim Nika kremton 35-vjetorin e tij në skenë – bashkohemi për t’i uruar atij suksese edhe në të ardhmen, në paqë e liri për shqiptarët kudo qofshin dhe në të mirën dhe përparimin e kulturës shqiptare kudo, megjithë bukurinë dhe shpirtin e saj arbëror që e dallon nga kombet e tjera.

Thashë më lartë se veprimtaria e tij artistike prej 35-vitesh, përveçse shquhet në fushën e muzikës, ajo veprimtari dallohet edhe si vepër patriotike, pasi këngët e Gëzim Nikës, siç është kënga, “Shqipëri oj Nëna ime”, përshkohen nga malli i mërgimtarit për Atdheun si edhe nga fryma e patriotizmit, ato shprehin dashurinë për popullin shqiptar si dhe besnikërinë ndaj interesave dhe vlerave të kombit, për bashkimin dhe lirinë e tij.  Gëzim Nika është dhe do të mbetet për gjithmonë, një “Gur i rëndë në artin shqiptar”.  I dashtun Gëzim, në këtë 35-vjetor të paraqitjes tënde në skenë, në mes të dollive dhe breshërisë së urimeve, mundem vetëm me të dërgue përshëndetjen që e përdornin malet tona, pasi lahutari mbaronte këngën: Sot e gjithmonë ty të lumtë goja e të këndoftë zemra dhe kënga jote u ndëgjoftë për gjithmonë: “Në Prishtinë e në Tiranë, dorë për dorë si vëllau me vëllanë”, dhe jo vetëm në Prishtinë e në Tiranë, por kudo jetojnë shqiptarët. Urimet e mia më të përzemërta në këtë përvjetor të shënuar suksesi e arritjesh…..
Unë e dua Shqipërinë
Këndon: Gezim Nika
Unë e dua Shqipërinë
Me gegninë, me toskninë
Per atë sofër bardh si borë
Ku rrinë bashk lab e malësor

Unë e dua Shqiperinë
Me Kosovën, Çamërinë
Per Ulqin e Gostivar
Dhe për lotin mërgimtar

Unë e dua tokën nan’
O bukës, bukë e ku i kanë thanë
O gjakut, gjak
O zanës, zanë
Se jam shqiptar-o
Tjetër s’kam dasht-e
Vec zemrat tona-a
Të rrahin bashkë

Unë e dua Shqipërinë
Per një vajzë gjeraqinë
Për tim bir që po lodron
Për manarin që blegron

Unë e dua Shqipërinë
Për rininë e mençurinë
Dhe për djepat me stoli
Dhe për varret me lavdi

 

Në Dardani Bien Tupanat

Këndon Gëzim Nika

Ç’janë kto gur’ t’bardh e t’zi
Dikush krushqit na i ka ngri
Na i ka ngri, o i ka bo gur
O krushqit tonë o me flamur

N’Dardani bjen nji tupan
Krushqit vijnë me kapuç t’bardh
Cili je krushku i parë që prinë?
O është Flamuri Kuq e Zi

Cili je krushku i dytë në radhë?
Skënderbeu me shpatën zjarr
Krushku i tretë o është Naimi
O Mic Sokoli thërret kushtrimin

Nji mijë vjet ecën këta krushq-e
Si e ka emnin kjo nuse?
Liri emnin o k’saj ia thonë
O lind e rrit në gjakun tonë

Nusja jonë o kurrë nuk vritet
N’çdo pikë gjaku ajo rritet
Ku e derdh Shqiptari gjakun
O n’at Liria ngre Bajrakun!

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, GËZIM NIKA–35 VJETË KËNGË DHE, VEPRIMTARI KOMBËTARE

VITI 1968: KOSOVË-SHQIPNI, JEMI NJI

November 29, 2017 by dgreca

-Kosova para 49 viteve 28 Nëntorin e festonte edhe me demonstrata me kërkesa për të drejtat e shqiptarëve/demonstratat-ne-prishtine_1968

-“Pavarësia kombëtare”, shkrim i Ibrahim Rugovës në 28 Nëntor të vitit të demonstratave 1968/demonstrata_1968_prishtine

-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në festimet e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë e të Flamurit Kombëtar Shqiptar uronte edhe për plotësimin e Pavarësisë së Shqiptare – për Pavarësinë e Kosovës dhe Njohjen Ndërkombëtare/Ibrahim-Rugova-interviste-ATSH-dhe-keshilltari-Xhemail-Mustafa-e-gazetari-Behlul-Jashari-22-shtator-1994--Kosova feston 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë edhe me koncerte e festivalet “Kosovarja këndon” e “Rapsodia Shqiptare”/

Mitrovice-Shkolla Skenderbeu

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/Gazeta-Rilindja-pavaresi-Kosove-22-shkurt-2008-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-JashariPRISHTINË, 28 Nëntor 2017/ Në Kosovë, 28 Nëntori festohet tradicionalisht edhe si Ditë e Pavarësisë së Shqipërisë edhe si Ditë e Flamurit, festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante, ndërsa para 49 viteve, në 1968, festohej edhe me demonstrata me kërkesa për të drejtat e shqiptarëve.

Prishtina-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-25-Nentor-2017

Demonstrata më e madhe ishte ajo e Prishtinës e filluar në orët e pasditës së 27 nëntorit dhe zgjati deri në orët e para të ditës së nesërme, me kërkesat për Kosovën Republikë, Kushtetutë,  Universitet, që askush të mos luajë me fatin e shqiptarëve në Kosovë e askund, e të tjera.Në Prishtinë, marshi i  fillimtarëve të demonstratës, mes të cilëve isha atëherë nxënës i vitit të tretë të Shkollës Normale, nisi nga Fakulteti Filozofik (tash Filologjik)  dhe në mbrëmjen e 27 nëntorit 1968 mbushi rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës përplot demonstrues, shqiptarë që erdhën dhe u bashkuan nga të gjitha anët.Skenderaj-Festival

Historianët kanë shënuar se, pas demonstratave të organizuara në 6 tetor në Prizren, në 8 tetor në Suharekë dhe në 19 tetor në Pejë, në  27 nëntor 1968 rinia dhe populli shqiptar demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe në 22 e 23 dhjetor në Tetovë. Parullat qendrore të këtyre demonstratave shqiptare ishin: “Kosova Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji”, etj…

Në demonstratën në Prishtinë  pati një të ri demonstrues të vrarë, ra nxënësi  Murat Mehmeti, u plagosën shumë demonstrues, u dënuan mbi 100 veta.

Njohësit dhe kronistët e zhvillimeve në Kosovë kanë vlerësuar se, në 1968 filloi ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në Jugosllavi, me jehonën që paten në botë demonstratat. Shtypi i huaj i dha hapësirë të konsiderueshme ngjarjeve, duke u marrë objektivisht me karakterin thelbësor të tyre, të cilat quheshin shpesh kryengritje shqiptare, ndërsa ishin të ndikuara edhe nga lëvizjet studentore të Evropës.

Në gazetën e studentëve “Bota e Re”, që dilte në Prishtinë, në numrin e festës së 28 Nëntorit të vitit të demontratave 1968, Ibrahim Rugova, atëherë në vitin e dytë të studimeve, kishte të botuar shkrimin me titull “Pavarësia kombëtare”, me të cilin artikull sikur paralajmëronte nismën e ideve të veta intelektuale e politike, të cilat 20 vjet më vonë, në një kohë shumë të rëndë, do t’i shprehte në mënyrë të qartë dhe konsistente si trinom: Liri, Pavarësi, Demokraci.

Rugova shkruante me rastin e përvjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, dhe  pasi e quante një nga ditët më të bardha të historisë sonë, vijonte: “Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës”.

Dhe, në përfundim të shkrimit për Ditën e Flamurit shprehej: “Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë”.

Pas mëse 21 viteve nga 28 Nëntorit 1968, Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Presidenti historik Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur, edhe si plotësim i pavarësisë shqiptare.

“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë…”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova edhe në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – ATSH, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.

Ishte 3 vjetori i Referendumit, të 26 deri 30 shtatorit 1991, për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur, të cilin gjatë intervistës Presidenti Rugova e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në 11 tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova, duke folur edhe për këtë gjatë intervistës, vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar” dhe se opcioni i parë ishte Kosova e pavarur.

Dhe, “…që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”, theksonte Presidenti i parë, historik, i Kosovës.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator që e kishte themeluar dhe e udhëheqëte, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës, të udhëhequra nga i Dërguari i Posaçëm i Sekretarit të Përgjitjhshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Të zhvilluara kështu të ndërmjetësuara e garantuara ndërkombëtarisht bisedimet për statusin -pavarësinë e Kosovës, Rugova i parashikonte e kërkonte edhe në intervisten ekskluzive, të parën të një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

“Ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet…”, shprehej ai në atë intervistë para 23 viteve.
Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen gjithësesi në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë, theksonte Presidenti Rugova, dhe shtonte se, kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova e vlerësonte shumë Agjencinë Telegrafike Shqiptare, median e parë të Shqipërisë me korrespondent në Kosovë, për informimin nga Kosova e për Kosovën, derisa intervistën e parë e cilësonte edhe një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistën që zhvillova atëherë po edhe në raste të tjera.

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në festimet e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë e të Flamurit Kombëtar Shqiptar uronte edhe për plotësimin e Pavarësisë së Shqiptare, duke përkujtuar se pavarësia u cungua pa vullnetin e shqiptarëve, uronte për Pavarësinë e Kosovës dhe Njohjen Ndërkombëtare.

Në mesazhin  e jubileut të  90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, për festën e 28 Nënrorit 2002, Rugova  president edhe i zgjedhjeve të para nacionale në Kosovën e lirë nga qershori 1999, mes tjerash theksonte:

“Dita e 28 Nëntorit është data më e shënuar në historinë moderne shqiptare pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Dita e 28 Nëntorit e vitit 1912 është po ashtu Dita e Pavarësisë shqiptare, e cila u cungua pa vullnetin e shqiptarëve.

Në këto 90 vjet, shqiptarët u forcuan në të gjitha viset e tyre. Pavarësia e Kosovës, që bazohet në vullnetin e shprehur të popullit, do të qetësonte Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe këtë pjesë të Evropës e të botës.

Pra, një Kosovë e pavarur, e integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të është përcaktimi i popullit të saj.

Në Ditën e Flamurit, do theksuar se forcimi i shqiptarëve në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, është evident dhe në progres e sipër.

Po ashtu, edhe Shqipëria është në rrugë të mirë të konsolidimit demokratik dhe ekonomik”.

Në vitin 2005, Presidenti Rugova, u ka drejtuar për herë të fundit qytetarëve të Kosovës mesazhin e urimit  për Fetsën e 28 Nëntorit :

“Ju shpreh urimet e mia të përzemërta për Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin.

Sot të gjithë e themi me krenari se 28 Nëntori i vitit 1912, Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë gjithëshqiptare që u përgjysmua, është dita më e rëndësishme në historinë moderne të kombit tonë, pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që këtë vit bie në 600-vjetorin e lindjes së Tij.

 Dhashtë Zoti që sa më shpejt të gëzojmë njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga miqtë tanë, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës”.

Më pak se dy muaj më pas Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova u shua në 21 janar 2006, në Prishtinë. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Kosovës, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik…

 Ibrahim Rugova ka lindur në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, dhe pas pak ditësh do shënohet 73 vjetori i ditëlindjes së tij.

Presidenti historik Rugova ishte arkitekti i pavarësisë së Kosovës të shpallur pas shuarjes së tij në 17 Shkurtin historik 2008 e të njohur deri tash nga 115 shtete, 10 vjetori i së cilës do festohet pas më pak se tre muajve.

 “Kosova shpalli pavarësinë bota e njeh shtetin më të ri”, ishte kryetitull balline i botimit special të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja për shpalljen e Pavarësisë së shtetit të dytë të shqiptarëve.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 Shkurti 2008 dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë”.

KOSOVA FESTON 105 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË EDHE ME KONCERTE E FESTIVALE

Në Kosovë 28 Nëntori i 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë festohet edhe me koncerte, ndërsa në qytetin e Ferizajt edhe me nisjen e festivalit tradicional “Kosovarja këndon” e në Skënderaj me festivalin “Rapsodia Shqiptare” sot edhe me ndarje çmimesh në mbrëmjen e tretë finale.

Në kryeqytet, Prishtinë, aktivitetet qendrore zhvillohen në sheshe, ku dje është hapur panairi “Blej Shqip” me pjesëmarrjen e 100 prodhuesëve, ndërsa sot mbahet koncerti festiv i shtatë shoqërive kulturore artistike e ansambleve të këngëve dhe valleve që veprojnë në komunë.

Në Gjilan, festimet e Ditës së Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë të nisura dje vazhdojnë sot edhe me rep/rok koncert  të artistëve lokalë, me  koncert  këngësh e valleesh të ansamblit me emrin e qytetit dhe solistëve e ansamble të tjera vendore gjilanase.

Organizime institucionale, koncerte festive për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë e të Flamurit Kombëtar Shqiptar mbahen edhe në qytete e lokalitete tjera, edhe nëpër shkolla të Kosovës, ndërsa ka edhe shumë organizime të tjera festive popullore, tradicionale, nëpër sheshet përplot defilime të qytetarëve e me buçitje daullesh si në dasma.

Në Mitrovicë, shkolla e mesme e ulët “Skënderbeu”, e Vaganicës, 28 Nëntorin e festës së Pavarësisë së Shqipërisë e ka edhe Ditë të Shkollës dhe e festoi edhe me koncert të nxënësve.

Kosova sot kudo me valimin e flamujve kuqezi të ngritur në festën e 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë feston edhe drejt 10 vjetorit të Pavarësisë së saj të shpallur në 17 shkurtin historik 2008.

Në Kosovë, edhe në rrethana okupimi, edhe kur ishte i ndaluar, Flamuri Kombëtar Shqiptar është shpalosur dhe ka valuar në 28 Nëntor në shtëpitë shqiptare kosovare dhe në institucionet e tyre, gjithnjë në ecje të vendosur e plot sakrifica drejt lirisë e pavarësisë. Flamuri Kombëtar kuqezi u ka prirë shqiptarëve në Kosovë edhe në të gjitha luftërat për liri, edhe në luftën e fituar në pranverën e vitit 1999, me mbështetjen e botës demokratike.

Filed Under: Politike Tagged With: 1968, Behlul Jashari, Festa e Flamurit

Përtej flijimit, Atdheu

November 29, 2017 by dgreca

Përtej flijimit, Atdheu/

4anton-cefa

Nga Anton Çefa/

 “Kriter për veprimet tona kemi dashurinë për Atdheun,/

 dashurinë pa kufi, pa kushte, dashurinë si ajo e mëmës/

 për fëminë e saj . . .  Kundrejt Atdheut kemi vetëm detyrë,/

 asnjë të drejtë, përveç të drejtës që ta adhurojmë.”/

                                                                                 Mithat Frashëri/

Filli i fjalës /

Fëmijë,/

Ia kërkova fillin fjalës:/

Përtej bukurisë, qielli./

Përtej dashurisë, nana.

Përtej flijimit, Atdheu.

Përtej vetvetes, emni.

Atdheu

Lule të trëndafilta elbaroze

Bien mbi ballin tand,

Kundërmim gjethesh e bari të blerë.

Në folenë e buzëqeshjes tande,

Gugatë nji jetë n’shperthim.

Dhimbje që grafullon në shpirt.

Nemitem para bukurisë

Dhe para gjithkohësisë sate.

*

Ma i madhi mister

Rri fshehur në truallin tand,

Etje e dhimbjes

Dhe e mallit

Që shtohet në rrjedhë të stinëve.

*

Le të buisin mbi ballin tand pergjithmonë

Stinët e blerta të jetës !

Le të shkëlqejnë mbi sytë e tu

Drita e fosfortë e një ardhmenije të lumtur !

Le të shperthejnë nga goja yte

Veç aromë gladiolash !            *

Shqiperi, ti dhimbje, dashuri e mall

Shqiperi, ti dhimbje e thekshme,

Shqiperi, ti dashuri e përjetshme,

Shqiperi, ti mall i pamatun,

A ndigjon, ti, zanin e erës

Si dikur,

Ulurimat, britmat ?

Mos harro !

Kurr mos harro

Krimin që nuk njihte vllanë,

Rrënkimet e ajrit,

Shiun që pikonte gjak prej qielli,

Mos harro natën e gjatë

Me putrat e randa të errësinës !

Fal,

Po mos harro!

*   *   *

Shqiperia në kryqëzim të kohëve

 

1912

Atdheu u nis në rrugën e tij

Të dritës,

Të Flamurit.

 

U dridh nga gëzimi dora e shejtë e Plakut

Dhe i dha fluturimin valëvitës shqiponjës

Dhe shtizës dridhjen.

 

Shtizë që nuk qëndron si duhet

Në kryqëzim të ernave e kohëve.

1913

U çanë qielli e malet

Mbi teh të ndarjes,

U nis lumi e bjeshka,

Kullat, kasollet e zemrat u nisën.

Loti i bigëzuem i Shqiponjës

Kulloi dhimbje,

Prizreni mbeti diku

Dhe Vlona në emnat e fëmijëve.

1944

E mundem pushtuesin

Tani të mos na ftohet gjaku

Pa përgjakun veten tonë.

Në skenë të kohës

Shkëlqen kamë e Makbetit

Dhe ne

Autorë dhe aktorë të nji tragjedije

Të turpshme.

1945 – 1990

Natë me shti gishtat ndër sy,

Por duhet me i thanë mëngjes,

Mëngjes me diell, bile.

Oh sa t’i  merrka dielli sytë!

Ecim përpara , me hapin lart, marshojmë,

Me kangë në gojë, në buzë!

S’e dijmë ku shkojmë,

Por të gjitha rrugët të çojnë atje . . .

. . . n’greminë.

1991

Deri në indin e ndjenjës së trazueme

Shijon ankthin e pritjes së stërzgjatun

E me duert e vrugueme të ditëve

Drejt mugullimit të dritës

Pikëzon shtegun e bardhë

Të andrrës së madhe.

Shpirtnat

Të humbun prej kohësh

Zgjohen në kërkim t’vetvetes.

1997

Me duer mizore

Nekrologjinë i ban Flamurit

Vlona.

Shpirti i Shqiponjës dihat

Në buzë të honit.

Shqiperia sot

“Pa demokratë nuk ka demokraci”

  1. Fukuyama

“Ma të zi se komunistat janë vetëm komunistat

antikomunista”

Vaclav Havel

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Atdheu, Përtej flijimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1660
  • 1661
  • 1662
  • 1663
  • 1664
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT