-Zëvendës-ndihmës sekretarja Amerikane e Mbrojtjes Laura Cooper: SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë dhe të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj/
-Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën, veçanërisht për bashkëpunimin me FSK-në/
– Kryeministri Haradinaj theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake e diplomatike të SHBA-së në Kosovë dhe rajon si një faktor të stabilitetit dhe paqes dhe posaçërisht vlerësoi mbështetjen që SHBA-ja vazhdon t’i jap Kosovës në ndërtimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës/
-Ministri Berisha e ka njoftuar zyrtaren e lartë nga SHBA-të me aktivitetet aktuale, planet e zhvillimit, sfidat si dhe procesin e zhvillimit dhe aktiviteteve konkrete për transformim e FSK-së në FAK/
PRISHTINË, 28 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Zëvendës ndihmës sekretarja amerikane e Mbrojtjes, Laura Cooper, tha sot në mbrëmje në Prishtinë se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë dhe të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj.
PRESIDENTI THAÇI: KOSOVA, MIRËNJOHËSE PËR PËRKRAHJEN E SHBA
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në 27 nëntor Zëvendës-ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-së në sektorin e sigurisë.
Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën, veçanërisht për bashkëpunimin me FSK-në. Ai shtoi se FSK-ja ka ngritur kapacitetet e saj dhe tani është një forcë profesionale dhe gjithëpërfshirëse.
“Po punojmë, të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, që të plotësojmë të gjitha kriteret për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Sigurisë”, u shpreh presidenti Thaçi.”Dëshira jonë është që transformimi të bëhet me konsensus politik dhe nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se megjithatë “ky proces nuk mund të zgjas pafundësisht”.Zëvendës-ndihmës Sekretarja, Laura Cooper, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përkrahin Kosovën në të gjitha fushat.
Presidenti Thaçi shtoi se gjendja e sigurisë në Kosovë është shumë e mirë dhe Kosova mbetet e angazhuar për paqe dhe stabilitet në rajon.”Po kultivojmë dialog të brendshëm dhe në nivel rajonal, veçanërisht me Serbinë”, u shpreh presidenti Thaçi.
KRYEMINISTRI HARADINAJ THEKSON RËNDËSINË E PRANISË USHTARAKE E DIPLOMATIKE TË SHBA-SË NË KOSOVË DHE RAJON
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në nëntor në takim zëvendës ndihmës sekretaren e Mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, proceset integruese të vendit dhe sfidat në fushën e sigurisë.Kryeministri Haradinaj theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake e diplomatike të SHBA-së në Kosovë dhe rajon si një faktor të stabilitetit dhe paqes dhe posaçërisht vlerësoi mbështetjen që SHBA-ja vazhdon t’i jap Kosovës në ndërtimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës.Kryeministri Haradinaj tha se me dinamikën e re qeverisëse Kosova po përshpejton zbatimin e reformave në vend në fusha të ndryshme, posaçërisht atë të sundimit të ligjit dhe të rendit dhe në zhvillimin ekonomik.
Ai tha se konsolidimi ndërkombëtar dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare i Kosovës, përfshirë mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, me qëllim të adresimit të sfidave të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, është me rëndësi të veçantë për të krijuar stabilitet dhe theksoi se ndihma e SHBA-së në këtë fushë është e domosdoshme.Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova po ndërton fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe është angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve. Ai tha se dialogu duhet të riformatohet dhe afatizohet duke sjellë një rezultat përfundimtar konkret, atë të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve. Kryeministri Haradinaj tha se në fazën përfundimtare të dialogut dhe në përmbyllje të tij është e domosdoshme përfshirja e SHBA-së si garantuese e procesit së bashku me BE-në.
Duke folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, kryeministri Haradinaj theksoi se po bëhen përpjekje në këtë drejtim brenda kuadrit kushtetues të vendit, në bashkëpunim ndërinstitucional dhe me komunitetet dhe se ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me SHBA-në. Ai tha se FAK do të jetë një forcë e ndërtuar mbi standardet ndërkombëtare, shumëetnike dhe e profesionalizuar. Kryeministri Haradinaj theksoi rëndësinë edhe të pjesëmarrjes dhe kontributit të FSK-së në Operacionet Paqeruajtëse.Zëvendës ndihmës sekretarja e mbrojtjes e SHBA-së, Laura Cooper, tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë dhe të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj, bën të ditur njoftimi i sapodërguar nga Zyra e Kryeministrit.
MINISTRI BERISHA NJOFTON PËR PROCESIN E TRANSFORMIMIT TË FSK NË FAK
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha e ka pritur në 28 nëntor në takim zyrtar ndihmës-sekretaren Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, aura Kuper (Laura Cooper), me bashkëpunëtorë.Në takim ministri Berisha ka falënderuar Kuper dhe SHBA-të për ndihmën e madhe që kanë dhënë për Kosovën dhe veçanërisht për FSK-në.Ai ka vlerësuar lartë shkallën dhe dinamikën e bashkëpunimit në mes të MFSK-së dhe SHBA-ve, veçanërisht bashkëpunimin me Gardën Kombëtare të Ajovës.Me këtë rast, ministri Berisha e ka falënderuar Kooper për donacionet, trajnimet, shkollimet dhe ushtrimet e përbashkëta të realizuara deri më tani, e që përbëjnë esencën e këtij bashkëpunimi të cilin duhet thelluar edhe më tej.Po ashtu ministri Berisha e ka njoftuar zyrtaren e lartë nga SHBA-të, me aktivitetet aktuale, planet e zhvillimit, sfidat si dhe procesin e zhvillimit dhe aktiviteteve konkrete për transformim e FSK-së në FAK. Ndërsa nga ana e saj Laura Kuper u shpreh se ndihet e kënaqur kur dëgjon edhe vet për arritjet dhe sukseset e FSK-së e posaçërisht kur je kontribuuese e këtyre sukseseve. “Ne e duam Kosovën të lirë, të pavarur dhe me prosperitet. Më vjen mirë që kemi vizion të ngjashëm me ju për të ardhmen e Kosovës, po ashtu është edhe detyra e jona të ndihmojmë në realizimin e këtyre objektivave. Me rëndësi që të merret angazhimi i të gjithë faktorëve të rëndësishëm për këto ndryshime, e në këtë rast edhe i komunitetit jo shumicë”, citon komunikata e dërguar.
Në vazhdim të takimit punues, është vlerësuar bashkëpunimi i deritashëm, ku është propozuar që të përqendrohet në bashkëpunim konkret, me fokusim në fusha dhe pika ku SHBA-të do të japin kontributin e vet në ngritjen dhe profesionalizimin e FSK-së.
Ky bashkëpunim kërkon nga dy palët që ta bazojnë mbi rangimin e objektivave sipas prioriteteve.Në takimin e përbashkët të dy delegacioneve merrnin pjesë edhe zëvendësministrat Brahim Mehmetaj dhe Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendës komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, gjenerali Zymer Halimi, Faruk Geci, si dhe stafi i lartë i FSK-së.Ndërsa, zëvendës-ndihmës Sekretaren e Departamentit të Mbrojtjes, Kuper e shoqëronin kolonelët Kevin Hill dhe Jeffrey Fischer, nënkoloneli Walter Richter, majorët Jerimiah Wildermuth, Juan Murillo, Brian Devlin dhe Josh Rubin.Ambasada e SHBA në Kosovë në një njoftim të dërguar ka bërë të ditur se zëvendës-ndihmës sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper, e cila po viziton Kosovën, do të marrë pjesë në 29 nentor në ceremoninë e përmbylljes së donacionit dedikuar për renovimin e shkollës fillore “Jeronim De Rada” në Ferizaj.