• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË KAPITULL I RI I MARRËDHËNIEVE MES KOSOVËS DHE AMERIKËS

November 20, 2017 by dgreca

Lansohet Fondacioni Kosovar i Mijëvjeçarit/

-Entiteti që do të implementoj projektet prej 49 milion dollarësh të Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është lansuar sot në Prishtinë, përmes një konference të nivelit të lartë, ku morën pjesë dhe folën Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, zëvendësambasadorja në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Colleen Hyland, kongresisti Amerikan, Eliot Engel dhe Zyrtari Kryesor Operues i MCC, Jonathan Nash/

PRISHTINË, 20 NËNTOR 2017-GAZETA DIELLI/

Korporata e Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Republikës së Kosovës lansuan sot në Prishtinë, Fondacionin Kosovar të Mijëvjeçarit, entitet i themeluar për të implementuar projekte në vlerë 49 milionë dollarë, asistencë nga Qeveria Amerikane.‘Kalimi i pragut përmes rritjes’, konferenca një ditore që u organizua me këtë rast ka mbledhur personalitete të rëndësishme politike nga Kosova, SHBA-të dhe Shqipëria. Konferenca u hap me fjalimin e kryeministrit Haradinaj, i cili u shpreh i bindur që projektet e aprovuara nga MCC për asistencë në rritjen ekonomike të Kosovës, do të tregojnë rezultatet e duhura, duke i hapur Kosovës rrugë për bashkëpunime të reja dhe investime më të mëdha.‘Në bisedë me miqtë tanë në Amerikë, jam siguruar që nëse Kosova vazhdon me trendin e përmirësimit të indikatorëve kryesor demokratik të vendit tonë, mundësitë për bashkëpunime të mëtejme dhe investime shumëfish më të mëdha janë të sigurta’, ka thënë kryeministri Haradinaj në fjalimin e tij, duke falënderuar mysafirin special të kësaj konference z.Eliot Engel, kongresist Amerikan, dhe figurë e rëndësishme e proceseve politike të vendit tonë.Në vazhdim, për të pranishmit, foli edhe zëvendës ambasadorja në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, zonja Colleen Hyland e cila foli për rrugën e MCC-së drejt Kosovës dhe falënderoi ekipet e angazhuara në Uashington dhe Prishtinë, për punën e madhe që kanë bërë për të arritur deri te projektet e aprovuara dhe lansimin i këtij entiteti.Për punën e madhe të bërë nga të gjitha ekipet e angazhuara ka folur edhe Drejtuesi Global i MCC, Jonathan Nash. Ai mes tjerash ka folur për rëndësinë strategjike të këtij kapitulli të ri në investimet amerikane në Kosovë.Kurse kongresisti Eliot Engel, në një tregim tepër emocional, ka folur për historinë e tij me Kosovën dhe njerëzit që e kanë mirëpritur atë që nga vitet e 90-ta.

Fjalimet e hapjes janë moderuar nga Koordinatori Nacional i Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit pranë Zyrës së Kryeministrit, Petrit Selimi, i cili është përgëzuar nga të gjithë folësit për punën e mirë në krijimin e ekipit dhe asistencën profesionale në drejtimin e ekipit, hulumtimin dhe dizajnimin e projekteve investuese.Pas fjalimeve, konferenca ka vazhduar me tri panele të planifikuara, ku kanë marrë pjesë zonja Senida Mesi, zëvendëskryeministre në Qeverinë e Shqipërisë, Tim Judah, autor dhe kontribues për gazetën The Economist, Marco Mantovanelli, drejtues regjional i Bankës Botërore, Alessandra Roccasalvo, zëvendës reprezentuese në UNDP në Kosovë, Agon Maliqi, analist i pavarur, Stefan Osborne, ekonomist kryesor nga MCC si dhe Hira Sidiqqui, menaxhere e programit Social Impact, program që ka bërë gjetjet e reja statistikore rreth punësimit në Kosovë.Përveç paneleve, në këtë konferencë është publikuar edhe Analiza e Ngecjeve të Kosovës, një raport që hedhë dritë mbi arsyet e ngecjes ekonomike në Kosovë.Dy projektet madhore investuese të MCC në Kosovë janë projekti i Qeverisjes Transparente dhe të Përgjegjshme, si dhe ai i krijimit të një peizazhi të besueshëm të furnizimit me energji elektrike.Mungesa e transparencës në institucionet publike dhe furnizimi me energji elektrike nga burime jo stabile, janë identifikuara si çështje të cilat e kanë ngecur zhvillimin ekonomik në Kosovë.

MCC dhe Zyra e Kryeministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, kanë themeluar ekipin punues për hulumtim dhe dizajnim të projekteve në fillim të vitit 2016. Ekspertët e Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit në Kosovë dhe përfaqësuesit e MCC nga Uashingtoni, kanë kryer një numër vizitash në Kosovë dhe janë takuar me disa qindra bashkëfolës nga komuniteti i donatorëve, institucione kosovare, shoqëri civile si dhe përfaqësues të biznesit.Kualifikimi i Kosovës për një nga programet më inovative dhe transformuese të ofruara në Kosovë, e obligon vendin tonë të punojë dhe raportojë për arritjet e standardeve të larta në qeverisje të mirë, luftim të korrupsionit dhe liritë ekonomike.Kosova është parakualifikuar për programe të MCC në nëntor të 2015, ndërsa projektet e para do të aprovohen dhe fillojnë së implementuari në fillim të vitit 2018./B.J/

KRYEMINISTRI HARADINAJ: SOT, PO E KONFIRMOJMË NJË KAPITULL TË RI TË MARRËDHËNIEVE NDËRMJET KOSOVËS DHE AMERIKËS/

1 Nisma e mijevjecarit

PRISHTINË, 20 Nëntor 2017- Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën për lansimin e Fondacionit Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, në të cilën ishin të pranishëm edhe kongresisti amerikan Eliot Engel, zëvendës ambasadorja amerikane në Kosovë, Colleen Hyland, Zyrtari Kryesor Operues i MCC  ( Sfidat e Mijëvjeçarit), Jonathan Nash, si dhe personalitete tjera të institucioneve vendore e ndërkombëtare në vend. 

Fjala e kryeministrit Haradinaj në lansimin e fondacionit Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë:

 “Shpreh kënaqësinë dhe ju uroj mirëseardhje në këtë konferencë sot, vetëm një ditë pas përfundimit të ciklit zgjedhor në Kosovë. Është e vërtetë që ndoshta i kemi lodhur qytetarët me zgjedhje por ajo që është me rëndësi të potencohet është niveli i lartë i demokracisë që kemi arritur në zgjedhje, në vigjilje të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Zgjedhjet ishin fer, transparente, demokratike dhe si të tilla janë  shtyllë e shtetësisë, por edhe e integrimit në familjen euroatlantike dhe uroj gjithë qytetarët, të gjitha partitë për suksesin dhe për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.Sot, po e konfirmojmë një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Amerikës.Ishte kongresisti Engel që para më shumë se 30 vjetësh, i bindur nga burrat e ndershëm shqiptar, si z.Harry Bajraktari, miku ynë, dhe shumë shqiptaro-amerikan të tjerë nisën betejën në Kongresin Amerikan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Kongresisti Engel dhe miqtë tjerë në Kongres, në Senat, në Qeverinë Amerikane, kanë dhënë kontributin kryesor që ne fituam lirinë dhe pavarësinë dhe sot po japin një kontribut të madh edhe në zhvillimin tonë politik dhe ekonomik.

Mua para 15 vjetëve, më kanë thënë miqtë amerikanë që të fokusohem në Fondin e Korporatës së Mijëvjeçarit, por ne atëherë as nuk kishim shtet, as nuk i plotësonim kushtet.

Kaluan disa vite, e dini që disa prej atyre viteve nuk kam qenë në Kosovë, andaj gëzohem sot shumë kur shoh që këshilla e miqve amerikanë dhe puna e madhe është finalizuar dhe ne tani kemi Agjencionin Amerikan duke vepruar në Kosovë nëpërmjet Fondacionit të Mijëvjeçarit të Kosovës.
Qytetarët e Kosovës kanë qenë të informuar për nënshkrimin e marrëveshjes mes Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit dhe Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje u nënshkrua për herë të parë në histori të këtij Agjencioni Amerikan në Kongres, falë përkrahjes së kongresistit Engel. Populli i Kosovës ju falënderon kongresist Engel.

Nuk jemi këtu vetëm të festojmë, por jemi këtu të fillojmë punën. Kjo marrëveshje sjellë sot 49 milionë dollarë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për sektorin e energjisë, por edhe për sektorin e drejtësisë.
Unë kam udhëzuar ministritë përkatëse, agjencionet dhe institucionet tjera, të bashkëpunojmë plotësisht në implementimin e kësaj marrëveshje. Mendoj se tri gjëra janë të rëndësishme sot, derisa po zhvillohet kjo konferencë;  E para është se ky është një grant, një donacion i pakthyeshëm nga populli amerikan. Nuk është borxh apo kredi, por një ndihmë konkrete në projekte konkrete. Kjo ndihmë ka qenë e kushtëzuar në disa kushte, ne tani i kemi plotësuar ato kushte dhe po punojmë t’i marrim rezultatet e mira të punës sonë, t’i komunikojmë ato me publikun dhe me donatorët dhe synojmë rezultate edhe më të mira; E dyta është se fushat që do të financohen nga ky grant janë fusha që i kemi përzgjedhur vetë; E treta është se ne nuk do të ndalemi derisa të sjellim edhe investime tjera.

Nëse mbajmë mirë rezultatet e qeverisjes, e që me rëndësi në luftën kundër korrupsionit, nëse përforcojmë sundimin e ligjit, unë kam marrë siguri se Kosova mund të marrë edhe shumëfishin e kësaj shume, shumë shpejtë. Fati jonë është në duart tona dhe zhvillimi ynë ekonomik varet nga puna jonë.Unë do të punoj shumë që zhvillimet pozitive të ndodhin, por edhe të raportohen dhe që në këtë punë të kemi një trekëndësh të mirë të bashkëpunimit mes Qeverisë, shoqërisë civile dhe sektorit privat.
Programi i MCC-së fokusohet në dy fusha, e para është energjetika dhe e dyta qeverisja transparente.

Sot, MCC dhe Zyra e Sfidave që punon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, do të prezantojë dy produktet e para të punës, analizën makroekonomike të pengesave kyçe ekonomike, por edhe një sondazh të madh, një hulumtim të tregut të punës që është financuar nga paratë amerikane, me ekspertë amerikanë, me mbi 8.500 familje kosovare.
Mendoj se është shumë me rëndësi të cekim edhe njëherë se themelimi i fondacionit sot, është rezultat i punës së përbashkët.
Falënderoj edhe presidentin Thaçi, por edhe ish-presidenten Jahjaga për ndihmesën që kanë dhënë në zhvillimin e procesit dhe nënshkrimin e marrëveshjes. Falënderoj edhe ish-kryeministrin Mustafa për kontribut. Duhet të falënderojmë edhe Koordinatorin Nacional të Sfidave të Mijëvjeçarit, Petrit Selimi, që me ekipin e tij kanë punuar shpejtë dhe mirë që këto mjete t’i sjellin në Kosovë.
Falënderim të posaçëm do t’i kushtojë Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe USAID-it, si dhe agjencioneve të OKB-së në krye me UNDP-në, që kanë punuar bashkë këto tri vjet për të raportuar indikatorët e MCC-së, dhe për të zhvilluar programin që po finalizohet sot këtu.
Prandaj, pa e zgjatur shumë, në kuadër të ingerencave të mia, dhe konform marrëveshjes ndërkombëtare që kemi nënshkruar me Qeverinë Amerikane, po e shpalli të hapur Fondacionin eMijëvjeçarit të Kosovës.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën e Kosovës, zoti i bekoftë miqtë e Kosovës dhe zoti e bekoftë aleancën tonë të përjetshme.

1 Nash Haradinaj

Kryeministri Haradinaj priti në takim Zyrtarin Kryesor Operues të MCC, Jonathan Nash

Prishtinë, 20 nëntor 2017- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Zyrtari Kryesor Operues i MCC, Jonathan Nash, me të cilin bisedoi rreth lansimit të sotëm të Fondacionit Kosovar të Mijëvjeçarit, si dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me implementimin e tij.Kryeministri Haradinaj me këtë rast falënderoi Jonathan Nash dhe SHBA-të për kontributin e gjithanshëm që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për popullin dhe shtetin e Kosovës, duke thënë se Qeveria e Kosovës do të punoj fuqishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, përshpejtimin e projektit të Termocentralit “Kosova e Re”, dhe aspekte tjera me rëndësi për vendin.“Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për ndihmën që populli amerikan dhe SHBA-të, kanë dhënë për Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj.Zyrtari Kryesor Operues i MCC, Jonathan Nash, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke vlerësuar përkushtimin e tij në agjendën shtetërore.Më tej, Nash tha se ndihet mirë që ishte i pranishëm në lansimin e Fondacionit të Korporatës së Mijëvjeçarit në Kosovë, dhe vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka qenë partner në këtë rrugëtim duke mirëpritur thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Fondi i Mijevjecarit, Haradinaj, kapitull i ri, Kosove-Amerike

HARADINAJ-ENGEL, KURORA LULESH PËR VIKTIMAT HEBREJE

November 20, 2017 by dgreca

-Kryeministri Ramush Haradinaj priti kongresistin amerikan Eliot Engel/

1 engel varrezat

Prishtinë, 20 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI/

1 lule engelKryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot kongresistin amerikan Eliot Engel, i cili njihet për mbështetje të madhe që i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi që nga zgjedhja e tij në Kongresin amerikan.Fillimisht, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kongresisti amerikan, Eliot Engel, kanë vënë kurora lulesh për viktimat hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore, te pllaka përkujtimore që shenjëzon vendin ku ishte Sinagoga e fundit.Ata kanë përkujtuar dhe nderuar kujtimin për këto viktima me një minutë heshtje para pllakës që gjendet në oborrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: HARADINAJ-ENGEL, KURORA LULESH, PËR VIKTIMAT HEBREJE

KONGRESISTI ENGEL NË KOSOVË FLET PËR GAZETËN DIELLI

November 20, 2017 by dgreca

1 engel Ramush

-Kongresisti Amerikan Eliot Engel, i pyetur nga korrespondenti i Gazetës DIELLI në Prishtinë: Mrekulli në Kosovë, shoh progres të madh dhe kam vetëm ndjenja të mira për të ardhmen/

1 Behluli Engel – Behlul JASHARI-Korrespondent i Gazetes “DIELLI”: Z.Engel, pyetja vjen nga një gazetë shqiptare në Amerikë, është gazeta më e hershme, e parë, shqiptare në botë që ka dalë para 109 viteve, është gazeta DIELLI, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ju keni pritur shumë herë në Nju Jork, në Amerikë, shqiptarë, i keni përkrahur, jeni  pritur shumë herë në Kosovë, jeni dekoruar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova në vitin 2005. Tash jeni përsëri në Kosovë, si shumë herë. Kosova është në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë. Kosova dje mbajti balotazhin e zgjedhjeve lokale të gjashta në Liri, të tretave në Pavarësi, ka mbajtë edhe gjashtë palë zgjedhje tjera nacionale, gjithësej dymbëdhjetë.   Pyetja është: Si ndihet Kongresisti  Engel, Miku i Madh i Shqiptarëve dhe i Kosovës, sot në Kosovë, në Prishtinë?…//

-Posta e Kosovës, pullë postare me emrin dhe fotografinë e Eliot Engel/

1 Ramush Engel 1

-Kongresisti Eliot Engel i dhuroi Kryeministrit Ramush Haradinaj Flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka valuar në ndërtesën e Kongresit të SHBA-ve

1 Behluli

 SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

1 pulla Engel

PRISHTINË, 20 Nëntor 2017/ Ndihem mrekullueshëm në Kosovë, shoh progres të madh dhe kam vetëm ndjenja të mira për të ardhmen e këtij vendi, tha sot në Prishtinë Kongresisti Amerikan, Eliot Engel, i pyetur nga korrespondenti i Gazetës DIELLI në një vizitë vendit që ka gjithë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të tij e që pas më pak se tre muajve do festojë 10 vjetorin e Pavarësisë, ndërsa sapo votoi dje në balotazhin e zgjedhjeve të gjashta lokale në liri.

-“Ndihem mrekullueshëm, faleminderit që i përmendët zgjedhjet e djeshme sepse natyrisht një prej gjërave më të rëndësishme që një vend i pavaur dhe demokratik duhet të ketë janë zgjedhjet e lira dhe demokratike, dhe i pashë të gjithë ata njerëz duke votuar, njerëz të rëndomtë për të cilët vota ishte e rëndësishme. Ky shtet nuk ka pasur këtë të drejtë deri vonë, edhe nëse ka pasur farë votimesh (sham elections) ato nuk kanë pasur fuqi të ndryshimit. Por, ajo çfarë pamë dje janë vota të vërteta (reale), demokraci e vërtetë, njerëz që zgjedhin qeverisjen e tyre dhe kjo ishte një gjë e mrekullueshme për të parë”, u shpreh Kongresisti Amerikan Engel.Tani, vijoi ai, kur kthehem prapa në kohën  kur kam filluar për herë të parë punën në Kongres në viti 1998 dhe e mendoj  atë që ka ndodhë në atë kohë dhe tani e mendoj vitin 2017 e shoh që ky shtet ka bërë shumë përparime me gjithë veshtirësitë dhe sfidat që ka pasur.

“Kur e shoh këtë progres të madh që Kosova ka bërë në këto vite kam vetëm ndjenja të mira për të ardhmen e këtij vendi”, theksoi kongresisti amerikan nga Nju Jorku, Engel, i pyetur në Prishtinë nga korrespondenti i Gazetës DIELLI.

Në konferenën për shtyp korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI iu drejtua me shumë respekt e mirënjohje Kongresistit Amerikan Eliot Engel, kështu:

Z.Engel, pyetja vjen nga një gazetë shqiptare në Amerikë, është gazeta më e hershme, e parë, shqiptare në botë që ka dalë para 109 viteve, është gazeta DIELLI, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ju keni pritur shumë herë në Nju Jork, në Amerikë, shqiptarë, i keni përkrahur, jeni  pritur shumë herë në Kosovë, jeni dekoruar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova në vitin 2005. Tash jeni përsëri në Kosovë, si shumë herë. Kosova është në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë. Kosova dje mbajti balotazhin e zgjedhjeve lokale të gjashta në Liri, të tretave në Pavarësi, ka mbajtë edhe gjashtë palë zgjedhje tjera nacionale, gjithësej dymbëdhjetë.   Pyetja është: Si ndihet Kongresisti  Engel, Miku i Madh i Shqiptarëve dhe i Kosovës, sot në Kosovë, në Prishtinë?

Pas mbledhjes solemne të qeverisë së Republikës së Kosovës, ku mbajti edhe një fjalim, Kongresisti Amerikan Eliot Engel dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj mbajtën një konferencë për shtyp.

“Ju dhe unë jemi njohur sa e sa vite dhe jam shumë i lumtur që po punoj me juve për të bërë përparimin e duhur për të dy vendet tona”, tha Kongresisti Amerikan Engel duke iu drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Haradinaj.

“Kemi lidhje të forta. Diaspora shqiptaro-kosovare në SHBA është e fuqishme dhe ne ndajmë bekimet e lirisë dhe demokracisë. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i vjetër demokratik në botë, ndërsa Kosova është një prej vendeve më të reja demokratike në botë”, u shpreh Engel.

Ballkani, vijoi ai,  me vite të tëra ka qenë një shkaktar i destabilitetit.

“Tash kemi një demokraci ku të gjithë pjesëtarët e shoqërisë mund të marrin pjesë në të, dhe një shoqëri shumetnike si Kosova, që i tregon gjithë botës se çka mund të arrihet duke i lënë prapa kohët e këqija dhe duke ecur përpara. Ajo është një vend i ri, i pavarur dhe demokratik, me një të ardhme për të rinjtë e këtij vendi. Me vite të tëra jam përpjekur duke punuar dhe duke luftuar për pavarësinë e Kosovës. Kam folur në Uashington për një Kosovë të lirë dhe të pavarur dhe njerëzit më kanë thënë se ishte vetëm një ëndërr që nuk do të ndodhte kurrë”, theksoi Kongresisti Amerikan Engel.

Tani juve Kryeministër dhe Qeverisë së re, vijoi ai, ju dëshiroj gjithë të mirat dhe ta dini se do ta keni gjithmonë mbështetjen time.

“Kosovarët gjithmonë do ta kenë mbështetjen tonë. Kosova do të trajtohet në mënyrë të duhur me respektin që e meriton”, tha Kongresisti Amerikan.

Në vijim ai përkujtoi edhe fillimet e angazhimeve për Kosovën.

“Kur jam zgjedhur për herë të parë në Kongres më 1998, miku im i mirë Harry Bajraktari që ka lindur në këtë vend, por ka ardhur në Amerikë kur ka qenë 19 vjeçar, ka ardhur dhe më ka treguar se çfarë po ndodh në këtë vend që dikur quhej ish-Jugosllavi. Dhe sa më shumë që hulumtonim, e pash që dëshiroj të isha pjesë e kësaj lufte dhe filluam që t’i njoftojmë kolegët e mi, një nga një. Filluam me gjithë ato gjëra që i kishim atëherë, por njerëzit gjithmonë e thoshin se kurrë nuk do të ndodhte liria. Tash kjo ka ndodhur dhe i përgëzoj të gjithë qytetarët e Kosovës, Kryeministrin dhe gjithë të tjerët që janë këtu dhe që janë në Qeveri, se gjithmonë do ta keni ndihmën dhe mbështetjen time”, theksoi Engel.

Gjatë konferencës për shtyp, Kongresisti Eliot Engel i dhuroi Kryeministrit Ramush Haradinaj Flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka valuar në ndërtesën e Kongresit të SHBA-ve.

Në këtë rast, Kongresisti Engel tha: “Në 4 korrik 2017 ky flamur është valëvitur në ndërtesën e Kongresit me kërkesën time, për nder të Kryeministrit Ramush Haradinaj, andaj kam nderin që t’ia prezantoj këtë si një simbol të demokracisë një Kryeministri të zgjedhur të Republikës së Kosovës”.

Kryeministri Haradinaj tha se, është nder dhe kënaqësi që miqësinë që e kemi nga kohët e vështira, populli i Kosovës me Amerikën, po e thellojmë tani në avancimin e demokracisë në Kosovë, forcimin e lirisë për të gjithë ne që jetojmë në Kosovë, për të gjitha komunitetet.

“Ishte nder i madh që edhe dje në raundin e dytë të zgjedhjeve, ju kishim ju si dëshmitar, që ta konstatojmë së bashku, që Kosova vërtetë është një demokraci premtuese. Kosova ka ende tema të hapura, por e ka përcaktimin euroatlantik. Në temat e mbetura të hapura, ne e kërkojmë ndihmën e Amerikës, por po ashtu ju premtojmë se do ta nderojmë këtë ndihmë me kujdesin më të madh për avancimin e demokracisë, të rendit dhe të ligjit, për luftimin e krimit dhe të korrupsionit, për një Kosovë që është e lirë për të gjithë qytetarët e vendit”, theksoi Kryeministri Haradinaj duke iu drejtuar Kongresistit Engel.

Sot, vijoi ai, na bëtë nder me adresimin tuaj në mbledhjen solemne të Qeverisë së vendit tonë, që u mbajt për nderimin tuaj, edhe unë, edhe kolegët e mi të kabinetit dhe populli i Kosovës ju falënderojmë.

“Njëkohësisht dua t’ju prezantoj se Posta e Kosovës e ka bërë një pullë postare për nderin tuaj, me emrin dhe fotografinë tuaj, dhe dëshiroj ta falënderoj Postën e Kosovës dhe të gjithë popullin e Kosovës për dashurinë që shprehin, ndaj jush dhe ndaj Amerikës në përgjithësi.

E kam nderin që t’ju dorëzoj këtë dhe po ashtu t’ju them se ne jemi me fat që ju kemi mik.

Faleminderit shumë!”, përfundoi Kryeministri Haradinaj duke iu drejtuar Kongresistit Engel.

Javën e kaluar, në 18 nëntor  mbërriti për vizitë në Kosovë përfaqësuesi në Kongresin e SHBA-së, demokrati nga Nju Jorku, Eliot Engel, i pritur në Aeroport nga Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili së bashku me Zëvendësambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Colleen Hyland, i uroi mirëseardhje në Prishtinë mikut të madh të Kosovës.

Në mbrëmje, kogresisti Engel u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

Të dielën e djeshme, në ditën e balotazhit në 19 komuna e të rivotimit në një komunë në zgjedhjet lokale 2017, të zhvilluara në raundon e parë në 22 tetor, Kongresisti Amerikan, Eliot Engel vizitoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe vëzhguesit e koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.

Me rastin e vizitës së Kongresistit Amerikan Eliot Engel në Kosovë, në axhendën e dërguar  nga Qeveria të Kryeministrit Ramush Haradinaj, për ditën e sotme janë paraparë këto ngjarje:

Homazhe tek Pllaka përkujtimore për viktimat hebraike në Kosovë- në oborrin e qeverisë së Kosovës – ora 07:45; mbledhja solemne e Qeverisë së Kosovës – ora 08:00; konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Haradinaj dhe Kongresmenit Engel – ora 09:00.

Në axhendën e njoftuar nga Qeveria është edhe pjesëmarrja kryeministrit në konferencën për lansimin e Fondacionit Sfidat e Mileniumit në Kosovë – ora 10:00 dhe takimi me Jonathan Nash, kryeshef ekzekutiv i MCC (Sfidat e Mijëvjeçarit).

Demokrati nga Nju Jorku, Komisioni për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, në vizitën e në Kosovë pritet të  zhvillojë takime edhe me drejtues tjerë institucionalë e politikë.

Ambasada e SHBA në Kosovë në njoftimin e dërguar paralajmëron edhe një ngjarje të hapur për median të hënën në 20 nëntor, në orën 15:15 – vizitën e Kongresistit Engel fabrikës së paneleve solare “Jaha” afër Aeroportit të Prishtinës.

Në 7 korrik 2005, kur në Kosovë qëndroi Kongresisti Amerikan Eliot Engel Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë për kontributin e tij për Pavarësinë e Kosovës. Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Engel tha se Kosova do të jetë shumë shpejt e pavarur.

 Me rastin e shënimit të 25 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990, Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne në 2 Korrik 2015. Në seancën solemne, për rëndësinë e miratimit të kësaj Deklarate folën edhe Senatori Amerikan Eliot Engël dhe Kryetari i Legjislaturës dhjetor 1989-maj 1992, Ilaz Ramajli, i kohës kur u shpall Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut e e Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, kur u mbajt Refrendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur në fundshtatorin 1991, kur u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, e kur u zhvilluan edhe ngjarje të tjera historike për Kosovën e shqiptarët. Kongresisti Amerikan Eliot Engel duke çmuar të arriturat e Kosovës premtoi se do të vazhdojë të angazhohet për të mirën e Kosovës edhe në të ardhmen.
Engel tha se Qeveria, Kongresi dhe populli amerikan, do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit euro-atlantik.

Në 5 shkurt 2014 Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  Ramush Haradinaj, në vizitën zyrtare që zhvilloi në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në ndarjen e Urdhrit të Flamurit për Kongresistin Amerikan, Eliot Engel.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, flet Per Diellin, Kongresisti Engel

Vend e Liri

November 20, 2017 by dgreca

Vend e Liri/
Astrit Lulushi/

1 astrit LULUSHI

E dua vendin kur e imagjinoj/
Vetëm si njeri të përvecëm,/
Sepse kur e shoh me njerëz/
Gjendja shumë më dëshpëron./

Liqenet, lumenjtë e tij i dua/
Fshatin, ku pushimet e verës kaloja/
Kroin ku etjen ndalesha për të shuar/
(s’më harrohet uji i tij i kulluar)./

Detin, bregun, fushat, malet/
Kodrat pa bunkere “stolisur”/
dhe shtëpinë ku u linda, i dua./

Më kujtohet kur isha fëmijë,/
Dhe u zgjata të prekja sobën./
Nëna u mundua të më ndalte,/
Por babai i tha ‘Le ta prekë!’/

Dhe unë e preka, e u dogja
(papushim atë natë qava);
Ky ishte mësimi im i parë
Mbi kuptimin e lirisë.

Nga të gjithë objektet e pajetë,
Libra janë miqtë më të ngushtë,
Pasi përmbajnë mendimet tona,
Ambiciet, indinjatat, iluzionet, Besnikërinë ndaj së vërtetës, dhe
Prirjen e vazhdueshme drejt gabimit.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Astrit Lulushi, Sofra e Diellit, Vend e Liri

Këmbana alarmi!!!

November 20, 2017 by dgreca

1-alma-Lico-ok-300x170

NGA ALMA N LIÇO/

Z H G E N J I M…./

….Kombinimi i këtyre shkronjave përcjell një ndjeshmëri të virgjër, një emocion naiv që lidhet me mospërmbushjen e pritshmërive. Ai ngjason me një kockë të mbetur në fyt që akuzon paaftësinë për ta kapërdirë. Ngecet aty,  dhe gati më ze frymën. Pabesisht, më serviret çdo ditë nga politika, në të gjitha mënyrat e imagjinueshme dhe të paimagjinueshme. Reflektimi që lidhet me politikën e mbrapshtë që ka kushtëzuar e komprometuar përditshmërinë, është kthyer në një makth të vërtetë…

Ngjarjet e fundit politike, si: (çadra e opozitës dhe marrëveshja zhgënjyese që e pasoi, zgjedhjet  e bojkotuara në shumicë,  konfigurimi i parlamentit, riaktivizimi i figurave të urryera të diktaturës, dosjet e cunguara të Sigurimit të Shtetit e shantazhimi i fragmentuar me to, trafiku i drogës dhe politikanët e përfshire në të, pandëshkueshmëria e krimit…e shumë e shumë të tjera..) më rikthejnë në shinat e padëshiruara të reflektimit.

Ehhh….më kot, jam përpjekur dëshpërimisht të arratisem prej këtyre ngjarjeve torturuese, duke i izoluar ato në një skutë të fshehur të moskujtesës. Sa do dëshiroja, që si në një rrjete të padepërtueshme të ngeceshin aty, me tërë paudhësinë e tyre ulëritëse. Nëse do të qe e mundur, do të preferoja të mos mendoja fare për to, të mos trishtohesha më për banditizmin primitiv që serviret brutalisht si një çorbë e pështirë që kondicionon çdo detaj të jetës dhe perspektivës së mjegulluar.  Por është e pamundur.

E lodhur deri në cfilitje nga një situatë që nuk ka asnjë gjasë dhe vullnet të ndryshojë, një arsyetim i dhimbshëm më ka diktuar shpërfilljen deri në neveri ndaj rrugaçërisë së atyre individëve apo grupimeve që projektojnë të sotmen dhe të ardhmen. Politika e mbuluar me vellon e makutërisë e të grabitjes, sillet  herë me zhurmë, e herë tinëzisht, vrapon në tymnajen e krijuar prej saj, kthehet e rikthehet si një mallkim që më zë frymën……

Në dhjetëra vite, me një besim disi të verbër u përpoqa deri në kufijtë e absurdit të besoja e mbështesja ata politikanë që erdhën në emër të ndryshimit dhe demokracisë. Fundja, është në natyrën njerëzore të besojë në atë që shpreson. Madje, të bëjë dhe përpjekjet e mundshme brenda hapësirave imagjinare të lirisë.

Ku jemi sot?????….Viktimat e mbijetuara të komunizmit të flakur e riflakur në rrugë, të papunë, në kushtet ekstreme të mbijetesës. Ndodhen sërish para zgjedhjes së dëshpëruar për t’u arratisur nga ky vend. Sigurisht, ata që ende nuk ja kanë mbathur, pasi shumica e ka bërë me kohë. Ndjehen të pashpresë. Të keqpërdorur. Të papërfaqësuar. Të varfër. Pa të ardhme. Me prona të grabitura me ligj e pa ligj nga komunistët e pinjollët e tyre. Me dëmshpërblime të shndërruara në lëmosha selektive të turpshme, që nuk mbërrijnë kurrë në xhepat e tkurrur të dhimbjes. Me sorollatje të pafundme e cinike nëpër zyrat e shtetit arrogant, në kërkim të të drejtave legjitime të zvarritura pafundësisht. Me të moshuar që i japin lamtumirën kësaj bote, në vendet e internimit. Në mungesë totale të vullnetit politik për të siguruar një rehabilitim minimal. E si mund të ndodhë ndryshe, kur institucionet e shtetit përfaqësohen e drejtohen nga xhelatët e diktaturës, apo bijtë e tyre? Si mund të jetë ndryshe, kur nostalgjikët e diktatorit rrahin gjoksin për krimet e kryera në emër të ideologjise së tyre vrastare?

Përpjekjet foshnjarake për bashkim të bashkëvuajtësve, në vazhdimësi janë sabotuar e kanë dështuar që në hapat e tyre të para. Kur bëhet fjalë për të drejtat e ish të përndjekurve politikë, neokomunistët e partive të majta dhe ato të ashtuquajtura të djathta, sa herë ua lyp nevoja e aktrimit të turpshëm për ndarjen nga e kaluara diktatoriale, përfshihen në të njejtën retorikë qaramane e hipokrite. Por, pas atyre lotëve të gënjeshtërt fshihet përbuzja dhe refuzimi që manifestohet në çdo qëndrim të tyre ndaj atyre njerëzve të vuajtur, të cilëve e gjithë shoqëria u detyrohet aq shumë. Fatalisht, ata vazhdojnë ende sot e kësaj dite të jenë të përjashtuar nga institucionet vendimarrëse.

Sa keq. Sa turp. Viktimat e mbijetuara të komunizmit e të afërmit e tyre, nuk bëhen dot bashkë. Nuk i lejojnë. U venë shkopinj nën këmbët e tyre të gjymtuara burgjeve apo vuajtjeve të internimit. Produkt i tentativave të kontrolluara nga politika bllokuese, janë vetëm disa shoqata të përçara që nuk bashkojnë dot dhimbjen dhe shpirtin qëndrestar, fatkeqësisht të trazuar e të lodhur nga zhgënjimet e njëpasnjëshme të postkomunizmit. Nuk arrijnë të imponohen me përfaqësim politik. Janë shpërndarë si zogjtë pa fole e po mbyten në pabesinë dhe hipokrizinë që ka pushtuar çdo qelizë të jetës. Kapitullim pa kushte ndaj atyre që po u vjedhin shpresën….Shpresa…a ka më kuptim kjo fjalë e magjishme që lëviz botën?…

Ehhh….. çfarë po bëj unë??? …Thjesht po konstatoj…e kanë bërë dhe e bëjnë çdo ditë me dhjetra, qindra……gjithkush në mënyrën e tij…Këmbanat e alarmit zhurmojnë deri në çmenduri.  Vallë, do zgjohet ndonjë ditë shpirti i reagimit ndaj atyre krijesave të përbindshme që po varrosin ëndrrën e lirisë???……fundja, askush nuk e meriton drejtësinë nëse nuk lufton për ta pasur atë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma LIÇO, Këmbana alarmi!!!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1671
  • 1672
  • 1673
  • 1674
  • 1675
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT