• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LDK 8 KOMUNA, VETEVENDOSJA RIMERR PRISHTINEN, I RREMBEN PDK PRIZRENIN

November 20, 2017 by dgreca

-Në Prishtinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti ka fituar 50,19, ndërkaq kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka fituar 49,82. Kandidati i Vetëvendosjes në Prizren, Mytaher Haskuka ka fituar 50,32 për qind ndërkaq kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj ka fituar 49,68 të votave./

1 Grafiku

Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Kosovë dëshmuan përcaktimin e qytetarëve, që me votën e tyre të ndikojnë në disa ndryshime të nevojshme në skenën politike, thonë analistët. Sipas tyre, skena politike pas këtyre zgjedhjeve, po i nënshtrohet një lloj rikonfigurimi.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas të dhënave të postuara në faqen zyrtare, ka procesuar 100 për qind të vendvotimeve. Në këto rezultate nuk janë përfshirë votat me kusht, atyre më postë dhepersonave me nevoja të veçanta.

Në disa nga 19 komunat ku është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave në Kosovë, përfshirë këtu qendrat e mëdha si Prishtinën dhe Prizreni, përqindja e kandidatëve është e ngushtë.

Në Prishtinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti ka fituar 50,19, ndërkaq kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka fituar 49,82. Kandidati i Vetëvendosjes në Prizren, Mytaher Haskuka ka fituar 50,32 për qind ndërkaq kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj ka fituar 49,68 të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka njoftuar për numrin e përgjithshëm të votave me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta. Por, KQZ përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar puna sipas detyrimeve ligjore.

Sipas KQZ-së, pas përfundimit të të gjitha procedurave, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të paraqesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një raport të detajuar lidhur me numrin e votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta; dhe votave përmes postës.

“Në QNR është duke u punuar me kapacitete të plota dhe KQZ-ja është e përkushtuar që brenda pak ditësh të fillojë me numërimin e këtyre votave për të proceduar më tej drejt shpalljes së Rezultateve Përfundimtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetar Komune dhe nga rivotimi për Kryetar të Komunës së Parteshit”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me qëllim të transparencës do të njoftojë me kohë mediat dhe vëzhguesit për fillimin e numërimit të votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës – në mënyrë që të mund ta përcjellin nga afër këtë proces”, thuhet në njoftimin për media të KQZ-së.

Ndërkohë analistë të çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se në këto zgjedhje qytetarët dëshmuan se kërkojnë ndryshime dhe qeverisje më të mirë.

Analisti i çështjeve politike Artan Muhaxheri thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë proces zgjedhor u dëshmua që elektorati në Kosovë është më i avancuar sesa partitë politike.

“Tani të kemi disa faktorë që janë të rëndësishëm në nivelin lokal për dallim nga herët e kaluar ku kryesisht kanë qenë dy parti të e mëdha që kanë qenë dominante”.

“Në mënyrë të qartë elektorati ndëshkojë kandidatët dhe iu dha një mesazh partive politike që në të ardhmen duhet të kenë kujdes sa iu përket kandidatëve, fushatave zgjedhore si dhe premtimeve të cilat duhet të jenë më të përafruar me nevojat e qytetarëve dhe jo me vendimmarrje e grupeve të ngushta brenda strukturave partiake”, thotë Muhaxhiri.

Analisti i çështjeve politike Imer Mushkolaj, në një prononcim për Radion Evropë e Lirë vlerëson se zgjedhjet lokale të këtij viti sjellën rikonfigurim të skenën politike të Kosovës dhe po ashtu një qasje të re të votuesve ndaj përgjegjësisë që kanë për votën që e hedhin në kutin e votimit.

“Tani nuk mund të flasim për fuqi politike të partive të caktuar, ashtu siç pretendonin se i kishin, kam parasysh këtu Partinë Demokratike të Kosovës e cila ka humbur më së shumti në këto zgjedhje, por njëkohësisht nuk mund të flasim as për një situatë që qytetarët doemos duhet të votojnë për një parti të caktuar politike pa e vlerësuar mbase në mënyrë të duhur votën e tyre”, vlerëson.

Rezultati shumë i ngushtë në disa komuna, në veçanti në komunat e mëdha të vendit, shton Mushkolaj tregon për vetëdijen e qytetarëve karshi votës dhe përgjegjësisë që kanë për të ardhmen e tyre në komunat ku ata jetojnë.

Zgjedhjet lokale të këtij vitim sipas Mushkolajt, u treguan të ashpra me partitë politike në kuptimin se nuk iu lanë komoditetin që ato pretendonin se e kishin.

“Në këto zgjedhje më së shumti ka fituar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila ka arritur të rikthej disa nga komuna e rëndësishme që i ka humbur në vitin 2013. Po ashtu, Lidhja Demokratike e Kosovës arriti të ruajë një konsolidim të ruaj një siguri të pasjes së qeverisjes në komunat në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje pavarësisht se mori numër të vogël të komunave, fitorja në Prizren është e madhe për të dhe humbje e madh për PDK-në”, thotë Mushkolaj.(Kortezi-Europa e Lire-Luljeta Krasniqi-Veseli)

Filed Under: Featured Tagged With: Harta e re, Kosove, zgjedhjet lokale

Krijues shqiptarë në Antologjinë e PEN-Club në Austri

November 20, 2017 by dgreca

1 Hazir Mehmeti

Hazir Mehmeti, Vjenë /

  Helmuth A. Niederle: Platforma letrare “literatur*grenzenlos” ( literaturë pa kufi) ofron në miniaturë një ndërrim mendimesh me qëllim, njohjen dhe kuptimin më të mirë të njëri tjetrit”.

1 ahtologjia

Nga PEN-Clubs Austria mbi platformën “literatur*grenzenlos” u botua antologjia e re me titull “Wir, bevegende Steine” (Ne, gurëlëvizës) me botime të shumë urorëve austriak dhe me prejardhje nga vende tjera, përfshirë këtu edhe tre krijues shqiptarë. Drejtuesi i PEN-it z.Helmuth A. Niederle me bashkëpunëtorët e tij, janë kujdesur për zgjedhjen e krijimeve cilësore dhe gjithëpërfshirëse  të poezive, eseve, prozave duke bërë një botë gjithë shprehëse dhe gjithë njohëse me elementet e saja specifike artistike. Në fjalën hyrëse të tij shkruan: “Akoma asnjëherë nuk kemi një shoqëri njerëzore, e cila nuk ka nevojë për zhvillim të mëtejmë, me vështirësi të tejkaluara, për tu ndeshur me ato që vijnë”… Është kjo një antologji me artin e veçantë nga autor e autore me origjinë kontinentesh e vendesh të ndryshme të cilët në Austri kanë gjetur një atdhe të ri, një kontakt me rrethin letrar të autorëve e autoreve të lindura në Austri. Platforma letrare “literatur*grenzenlos” ( literaturë pa kufi) ofron në miniaturë një ndërrim mendimesh me qëllim, njohja dhe kuptimi më i mirë i njëri tjetrit”.
Në antologji janë prezantuar 31 autor në 120 faqe. Promovimi i saj u bë me 20 qershor 2017, me një orë letrare ku krahas prezantimit të librit lexuan disa nga krijuesit me origjinë vende e gjuhë të ndryshme.
Nga autorët shqiptarë që jetojnë e krijojnë në Austri janë prezantuar me sukses Anton Marku dhe Besim Xhelili, anëtar të parë të BEN-Clubit me poezitë e tyre dhe Hazir Mehmeti në prozë, me tregimin “Hetuesi”, temë nga jeta e azilantit. Nga poezia  e Anton Markut “Bewegende Steine”, “Gurëlëvizës” rrjedh edhe titulli kuptimplotë i antologjisë “Ne, gurëlëvizës.    Kontaktet e vazhdueshme mbi të cilat u ndërtua bashkëpunimi mes Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” me PEN-Clubin falë miqve e dashamirëve ndaj krijuesve shqiptarë u organizuan vazhdimisht lexime letrare të përbashkëta në gjuhën gjermane dhe gjuhën shqipe. Këtu figura e mikut tonë të nderuar Peter Paul Wiplinger mbetet e shënuar në kronikën e ngjarjeve letrare të Lidhjes sonë këtyre viteve në Austri.
Aktivitet letrare të përbashkëta me krijues kombesh të ndryshme po e afirmojnë krijimtarinë letrare në gjuhën shqipe që kultivohet në Austri. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” është shembulli më i mirë i ngritjes së imazhit shqiptar në Austri dhe mërgatë. Puna madhore e kryesisë, veçane në hartimin e programit dhe projekteve kanë bërë realizimin e promovimeve të shumë veprave të autorëve shqiptarë tani e gjashtë vite me radhë, integrimin në krijimtarinë shumë kombesh në Austri. Tani nga radhët e krijuesve shqiptarë kemi dy poetë anëtarë të P.E.N Clubit të njohura austriak, Anton Marku dhe Besim Xhelili. Botimi i dy antologjive “Iliricum I” dhe “Iliricum II” me krijime të zhanreve të ndryshme krijimtarie krijon histori të re në kulturën shqiptare. Si pikë programore e re u themelua “Konkursi letrar “ ku  konkurrojnë krijues nga e gjithë Austria në prozë e poezi. Kjo e ka pasuruar në kualitativet aktivitetin letrarë artistik. I fundit u përkrah nga Ministria e Diasporës ku morën pjesë me krijime në prozë e poezi rreth 20 krijues shqiptarë në Austri. Fituesit do lexojnë krijimet e tyre në orën letrare festive me rastin e Ditës së Flamurit, 28 Nëntor në Vjenë, në KunstGalerinë tani të njohur në  qendër të Vjenës.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Antologji, Austri, Hazir Mehmeti, Krijusit shqiptar

“LABERIA”-NDER I KOMBITPER BUJAR NISHANIN

November 20, 2017 by dgreca

1 Bujari 1 okMë 19 nëntor 2017, Shoqata “Labëria”, “Nder i Kombit”, dekoron Shkëlqesin e Tij Bujar Nishani ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë “Personalitet i Shquar i Labërisë”/ 

Presidenti-i-Republikes-Bujar-Nishani-1

Nga Enver MEMISHAJ/
1 ok Laberia2Ceremonia e dekorimit u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar ne prani të shumë personalitete shtetrore dhe të kulturës dhe nje numuri të madh qytetarësh. Pas flalës së kryetarit të Shoqatës prof. Ago Nezha, Zotria e Tij Bujar Nishani mbajti një fjalë emocionuse si bir i denj i Labërisë.

Grupet folkloriste “Bejkë e Bardhë” , “Çipini” etj kënduan këngë polifonike, artistët Mirush Kabashi e Bujar Asqeriu, recituan poezi atdhetare nga treva e Labërisë.

*       *      *

Më imponohesh edhe mua një detyrë shoqërore për të shkruar për zotrin e nderuar Bujar Nishani ashtu si njoha unë. Le ta vlerësojnë këtë burrë shteti bashkë me mua, çdo njeri që e ka njohur nga afër, që e ka njohur nëpërmjet punës dhe çdo shqiptar që e njohu nga detyrat e larta shtetërore që mbajti në shërbim të popullit të tij duke i kryer ato me patriotizëm të flaktë, dhe mendoj se puna që ai kreu në krye të shtetit do të mbetet një kujtim i pa harruar në analet e historisë sonë. Në detyrat e larta që ai ushtroi si ministër dhe si president  dha  gjithçka nga mëndja dhe nga shpirti tij dhe jo pa sukses e vlerësim, për të mirën e shoqërisë.

Njohja

Të nderuarin zotri Bujar Nishani e kam pas njohur që në fillimet e proçeseve demokratike, si propagandist të  flaktë  të ideve demokratike, veprimtari që e kryente me pathos kombëtar  dhe si një këshillues shpirtnor të zgjimit të popullit nga gjumi letragjik i ideve dhe pushtimit komunist,  por vetëm nga larg.

E kam njoh nga afër kur rrethanat më shpunë  të punoja pranë tij si këshilltar dhe aty pashë se ai njeri kishte një moral të lartë, sakrifikonte gjithçka për kryerjen e detyrës me përkushtim dhe me ndërgjegje. Jam krenar qe punova ne krah te tij.

Ishte njeri i detyrës, ndofta shkolla ushtarake që ndoqi e kishte edukuar që të mos tërhiqej përpara vështirësive dhe pengesava, ai kërkonte gjithmonë fitore.

Në rrymat e ndryshme politike që përfshinë  vendin tonë pas përmbysjes së diktaturës komuniste ai burrë dijti të orjentohej drejt, falë burrërisë, besës dhe inteligjencës së tij dhe nuk u tërhoq as nga interesat e xhepit dhe as si tregëtar flamujsh partish si shumë të tjerë rreth tij.

Njeri i detyrës

  1. Bujar është njeri i detyrës, pra, që detyrat e larta shtetërore i ka ushtruar me përkushtim. Për vartësit dinte të krijonte situata që detyra të kryhej me ndërgjegje. Ai i respektonte vartësit si askush tjetër dhe kishte besim në detyrat që u ngarkonte. Dinte të bisedonte bukur dhe shtruar.

Në vitin 2008 ai kaloi një sëmundje. Ende pa u shëruar ai vinte çdo ditë në punë duke u bërë shembull për administratën që drejtonte, shembulli i nëpunësit  të ndërgjegjshëm dhe të përkushtuar.

Ai dinte si me magji te rekrutonte personelin qe do te ishin ndihmesat dhe keshilltaret e tij dhe kështu personaliteti tij merrte më shumë vlera.  Për këtë, të gjith e respektonin dhe e ndienin veten te detyruar para tij, kjo i bënte vartësit e tij ta kryenin detyren si duhej.

Një burrë shteti model

Zoti Nishani ka një karierë të shkëlqyer politike : Anëtar i Partisë Demokratike  që në vitin 1991; sekretari i Degës së Partisë Demokratike të Tiranës, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në korrik të vitit 2005, z. Nishani, u zgjodh deputet, në zonën zgjedhore 34, në Tiranë dhe u rizgjodh përsëri në qershor të vitit 2009.

Por edhe një karierë të shkëlqyer në administratën shtetërore.

Nga marsi të vitit 2007 z. Nishani shërbeu si Ministër i Brendshëm;  më pas ministër i drejtësisë, dhe në prill 2011 rikthehet edhe një herë në Ministrinë e Brendshme. Në këtë detyrë të lartë  qëndroi deri në qershor 2012 kur u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës.

Më 24 korrik 2012, zoti Bujar Nishani u betua si Presidenti i Republikës përpara Kuvendit të Shqipërisë.

I datëlindjes 1966, sot në moshën 51 vjeçare zotsia tij dhe fati i kanë falur pa kursim gjithëçka çfarë mund të ëndërrojë e dëshërojë njeriu.

Ngjitja në shkallët më të larta politike dhe administrative është pasojë e karakterit të tij burrëror, e dashurisë që ka për atdheun dhe popullin e tij, e inteligjencës dhe arsimit që ka marrë me pasion. Ai është officer, ushtarak i shkëlqyer, një jurist i shkëlqyer, një mësues, një nëpunës i lartë me studime të thelluara pas universitare dhe kualifikime në vëndet perëndimore. Ai flet rrjedhshëm anglisht.

Personaliteti

  1. Bujar Nishani është një nga pionierët e parë që propaganduan idetë demokratike në Shqipëri dhe jo vetëm propaganduan por edhe i zbatuan në praktikë me qeveritë e kohës të z. Aleksandër Meksi dhe të z. Sali Berisha. Ai vetë ishte ministër dhe në krye të shtetit shqiptar si president.

Bujar Nishani i ka sjellë vendit të tij shërbime të shquara dhe vepra patriotike.

Në krye të shtetit ai studjoi gjith krahinat e Shqipërisë dhe nxorri nga harresa ngjarje të shënuara të cilat ishin mbuluar me harresë dhe falsifikuar me mashtrime nga diktatura komuniste. Ai vlerësoi kryngritjen e Postribës të vitit 1946, dekori udhëheqësit e kësaj kryengritje, vlerësoi e dekoroi Kompaninë 4000, dekori Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare që udhëhoqi  Luftën e Vlorës më 1920 dhe rishpalli pavarësinë e Shqipërisë të përmbysuar nga Lufta e Parë Botëerore, Betejën e Lopsit të vitit 1914, ansamblet e Vlorës dhe Mirditës. Vlerësoi ngjarje të tjera dhe fshatra të vendit tonë pa bërë dallime nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim.

Vuri në vend nderi shumë personalitete me kontribute të shoqërisë sonë si desantët që lanë rehatin në perëndim dhe erdhën të vdisnin këtu për lirinë e vendit të tyre, dekoroi 67 ballistë të pushkatuar në një ditë nga krimineli skizofren Mehmet Shehu.

Ai u ngriti monument shumë personaliteteve të historisë sonë që i kishin shërbyer popullit të tyre, por që ishin sharë e mallëkuar nga komunistët shqiptarë si Hysni Lepenica , Ymer Dishnica, Safet Butka, Abas Kupi, Mustafa Gjinishi, Uran Kostreci, Bujar Leskaj, Baba Ahmet Turani,  Tom Kola, Ded mëhilli, Amik Kasoruho, etj.

Ai i pa të gjitha krahinat me syrin e një patrioti vizionar, të gjitha fusht e dijes dhe të jetës dhe dijti me mënçuri të ngrejë lart personalitete me vlera. Në fushën e artit dhe kulturës përmendim Mihallaq Luarasin, Justina Alia, Visar Zhiti e shumë të jerë. Portretizimin e këtyrë vlerësimeve të Presidentit të Republikës e bëri Justina Alia, e cila tha:

“Kur isha e vogël merrja distinktivë, ju e dini, ka qenë koha e tyre, dhe ngjitesha me vrap për t’ia çuar nënës e babait. Sot është krejt ndryshe. Atdheu sot më ka vënë një vello mbi krye, të respektit dhe të dashurisë. Këtë titull, unë do të vrapoj si atëherë fëmijë 10- vjeçar, për t’ia çuar fëmijëve të mi. I nderuar qofshi zoti President! Ashtu siç na nderoni, Zoti ju nderoftë edhe më shumë!”.

Zotria i nderur Bujar Nishani para së gjithash e mbi të gjitha i nënshtrohej detyrës që i impononte ndërgjegja e tij dhe asnjë interesi. Duke ecuar në këtë udhë qytetarie ai pati edhe kundërshtarë. Unë jam i bindur se do të vi një ditë kur burra e shërbëtorë të Shqipërisë si z. Bujar Nishani, pionierë të idesë kombëtare demokratike  nesër do të nderohen, vlerësohen e mbulohen me lule.

Bujar Nishani si njeri.

Zotnia i nderuar Bujar Nishani është një qytetar me virtyte të rralla. Ai nuk lodhej e nuk mërzitej duke i ndihmuar të gjithë, prandaj e respektonin vartësit e tij.

Ai është gjithnjë i pranishëm, pranë mikut dhe shokut, në festë, në dasëm, qoftë edhe në mort,  dhe takimet me atë burrë mbahen mënt gjatë.

Edhe Odetën bashkëshorten, e kishte gjetur si vetja. Ishin një çift i zgjedhur. Odeta me fisnikërinë dhe bujarinë e saji, me hiret e një femre të zgjuar i siguroi atij një jetë të bardhë  dhe u bë mbështetja kryesore që ai të ecte në udhën e karierës si shërbestar i Shqipërisë.

Ajo i dhuroi dy fëmijë, Ersin që është si i ati dhe  Fjona, të bukur dhe të qeshur si e ëma.

Bujar Nishanin e kam njohur si alturist,  të gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi për t’i bërë mirë tjetrit.

Të dy z. Bujari dhe znj. Odeta hodhën themelet e shtëpisë qytetare në Tiranë, duke e ngritur emërin e familjes dhe fisit më lart.

Nga bindja z. Bujar është thjesht një shpirt i pastër demokrati. Ishte për çdo rast kundër dhunës dhe kërkonte me durim ta bindnin kundërshtarin apo atë që kishte gabuar dhe në çdo rast ta trajtonim me dashuri.  Miqëve dhe shokëve që kishin mbetur më atë anë të barikadës demokratike me sa di unë nuk ua ktheu shpinën.

Bashkë përshkruam një pjesë të udhës së jetës dhe jam krenar që eca përkrah tij.

Bujar Nishanin e respektojnë të gjith ata që e njohën si qytetar, si politikan, si nëpunës të lartë, si ministër, si president por edhe si baba, vëlla, mik e shok nga më të mirët.

Një patriot si Bujar Nishani

Emërin, jetën, punën, mirësinë,  dashurinë e tij do t’i kenë si model në udhën e jetës, Ersi dhe Fjona dhe të gjith ata që e kanë njohur e kanë punuar krah tij, sepse ai ka lënë gjurmë si patriot,  shembullin e një nëpunësi, shërbëtor i popullit të tij, të një qytetari të denj, të një shoku të një miku.

Filed Under: ESSE Tagged With: bujar nishani, Enver Lepenica, Nder i combi

Qarqet politike sllavomaqedone, lojë dhe denigrim për Gjuhën Shqipe!

November 20, 2017 by dgreca

1-karacica
Nga Skender Karacica/
Në Maqedoni vetëm pas Luftës së Dytë Botërore përfudnoi krijimi i ,,gjuhës letrare,,(sic!),duke marrë për bazën e saj e folmja e qytetit të Velesit,në sajë të angazhimit të linguistit maqedon Blazhe Koneskit.
Tashti këso kohe,pushteti aktual sllavomaqedonas dhe qeveria e Zaevit po bënë,,ligje,,për Gjuhën Shqipe për njëfarë ,,zyrtarizimi,,që po i vjen era lojë e kolovajzës politike sa shqiptarët në hapësirën e vet mund të flasin gjuhën e tyre amtare!
Gjuha Shqipe është një nga gjuhët më të vjetra në Evropë,atëherë pse po bëhet lojë politike në qarqet e pushtetit aktual,ku edhe një rom ,,zyrtar,,në Shkup u lut për ,,mëshirën,,e tij se gjuha shqipe duhet të flitet pa problem tek shqiptarët në Maqedoni(sic!).
Në Maqedoni nuk kemi ,,gjuhë maqedone,,ky është fakt i fortë shkencor,ndonëse me ato pak fjalë ( e folmja e Velesit)mezi e bënë një ,,alfabet,,që fund e krye është një model i gjuhës bullgarishte!
Jo lojë politike me Gjuhën Shqipe në Maqedoni!
Çikago,Nentor 2017

Filed Under: Komente Tagged With: gruñen shqipe, Skender Karacica. Loja maqedonse

Fantazma që trazon “gjumin” e “shenjtorëve”

November 20, 2017 by dgreca

1 Kasem Trebeshina

Nga Dukagjin Hata/ Sot, njëzet e shtatë vjet pas hapjes së Shqipërisë së izoluar në ferrin komunist, klanet e letrave që përcaktuan fatin e trishtë të letërsisë dhe kulturës proletare janë të mbyllura dhe të pacenuara në “shenjtërinë” e tyre të përdhosur nga damka e krimit. Të njejtët që përcaktuan rregullat e sjelljes së shkrimtarit në hierarkinë e Oborrit të Kuq, po tentojnë të krijojnë mitin e antikomunizimit dhe disidencës. Shkrimtarët që u kalvarizuan në analet e persekutimit të përbidshëm, duke u burgosur, internuar, vrarë e varrosur në gropa anomime, të tjerë që iu ndaluan librat dhe u dërguan “në bazë” për t’u “edukuar”, vazhdojnë të jenë të paragjykuar e të harruar.    

Disidenca po bëhet një fantazëm që vërtitet tutje-tëhu sa në faqet e gazetave, në studio televizive, aq në podumet politike, por nuk po kuptohet kush është shenjti e kush dreqi, kush ka qenë dissident e kush persekutor. Më së shumti ulërijnë në kor ata që kanë qenë censorë, që për shkak të militantizmit të tyre politik të sëmurë, përgjonin deri dhe jetën intime të shkrimtarëve dhe artistëve,  iu bllokonin botimet dhe iu censuronin veprat.

E vërteta është se Shqipërisë nuk i kanë munguar rastet ekstreme të persekutimit për shkak të krijimtarisë artistike, (letërsi, pikturë, muzikë…) aq sa shumë shkrimtarë, artistë, kulturologë ose janë detyruar të heshtin dhe të punojnë jashtë fushës ku ndiheshin në tokën e tyre, në sistemin e dhuntive dhe përgatitjes akademike e estetike, ose kanë guxuar të shkruajnë, pikturojnë, kompozojnë ndryshe dhe kanë paguar një çmim të rëndë në jetën e tyre artistike e njerëzore.

Në saj të aplikimit të metodës së realizmit socialist, arti, kultura dhe letërsia shqipe kishin pësuar një atak të rëndë dhe të pariparueshëm, ku qenë rrafshuar individualitetet, nxituir mediokriteti e skematizmi dhe  kufizuar e ndëshkuar ata që krijonin, shkruanin, kompozonin, pikturonin ndryshe nga parimet bazë të sanksionuara me ligj të manifestit të metodës famëkeqe. Në këtë mënyrë, shkrimtarët e shquar të traditës sonë letrare, që kishin bërë epokë me kualitetet e larta estetike, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, figura të tilla emblematike si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Petro Marko e të tjerë u lanë në hije, u rrethuan me heshtje e keqkuptime të qëllimshme, për të ngritur në piedestal shkrimtarë të panjohur, pa biografi letrare, mediokër që shquheshin vetëm për zbatimin me rigorozitet të direktivave të PPSH-së.

Ish partizanët dhe komandantët e luftës që kishin bërë epokë me aktet e tyre idealiste dhe që tentonin të shkruanin të vërtetën, si shkrimtari Kasem Trebeshina, poeti Pano Taçi etj u ndaluan, burgosën e persekutuan. Të tjerë patën një fat akoma më të keq, u pushkatuan për një shkrim, për një poezi, për një akt letrar të spërkatur me pluhur mospajtimi me regjimin, siç ishte rasti i Genc Lekës e Vilson Blloshmit etj.

Në Shqipërinë e pasluftës, me plagë e dhimbje, me dyzim e vetmi, një nga fushat më të goditura nga mekanizmat diabolikë të regjimit komunist ishte letërsia dhe shkrimtarët qenë ata që e pësuan më shumë në kurriz kamxhikun ndëshkues të klikës komuniste, për shkak të cilësisë së veprës së tyre, që dilte jashtë rrethit të shtampave deklarative të agjipropit të kuq.

Nisi kështu një kalvar biblik, i pashmebullt në gjithë perandorinë komunsite, “gjuetia e shtrigave”, djegia dhe bërja karton e librave të padëshirueshëm, përgjimi, dëbimi, internimi, burgosja e vrasja e shkrimtarëve dhe poetëve; revolucioni kulturor lejfenist shqiptar goditi në çdo qelizë letërsinë dhe artin e shëndetshëm, shkrimtarët dhe artistët që krijuan vepra dinjitoze, jashtë formulave të thata dhe marrsheve demagogjike të kohës.

Kam rreth dhjetë vjet që njoh njërin prej tyre, Sali Leka quhet, me origjinë nga fshati Selbë i Tiranës, një burrë rreth të shtatëdhjetë e pesave, një autor i ndaluar nga entet botuese të komunizmit, nga shtypi dhe mediat e kohës së Diktaturës. Ai vazhdon të njejtën luftë me ata që dikur ia dolën t’ia ndalonin botimet dhe sot tundin flamujt e zhuburosur nga keqpërdorimi të pseudo“disidencës”. Sali Leka u ndëshkua me burg politik për shkak të veprave të tij, që nuk çonin ujë në mullirin e soc-realizmit, nuk i përgjigjeshin frymës së kohës, që presupozonte t’i bëje jehonë një revolucioni kulturor lejfenist e denigrues deri në absurditet. Pse ishte i pa pranueshëm Sali Leka për censurën e Diktaturës komuniste? Sepse tentonte që me anë të historive të vjetra, të ngritura në rrëfime poetike, të prekte plagët e kohës, të vetëdijësonte bashkëkombasit e tij për përmasat e absurdit të kuq.

Ai paraqiti për botim në entet shtetërore të botimit të kohës 85 vepra letrare, tregime, poezi, romane, asnjërën prej tyre nuk ia botuan, duke ia refuzuar botimin për shkak se ato, sipas redaktorëve dhe çensorëve, kishin frymë erotike dhe moderniste, nuk përçonin frymën e kohës dhe parimet e realizmit socialist.

Sot, nën vellon e antikomunizmit dhe të disidencës, gëlojnë në studio televizive dhe faqet e gazetave ata që vetëm pak dekada më parë ia ndaluan librat shkrimtarit Sali Leka, ndaj ky i fundit refuzon të ulet me ta në të njetën studio televizive e të ndajë me ta të njejtat faqe gazetash.  

Sali Leka vazhdon të bëjë të njejtën luftë të radhës, të demaskoj personazhet e dikurshme të çensurës dhe persekutimit diabolik, pjesë e strukturave të sigurimit të shtetit, që janë mpleksur sot qëndrimin public mediatik, duke i “ngatërruar” fijet e kohëve dhe duke e bërë të pathyeshme “nyjen gordiane” të keqkuptimit të madh.

Këta “analistë”, “studiues” dhe “kritikë” shkruajnë se në regjimet e mbyllura diktatoraile, si ai që përjetuam gjysëm shekulli ne shqiptarët, mund të shkruhen dhe botohen vepra të mëdha letrare dhe artistike. Iluzioni i tyre se në diktaturë, me mungesë totale lirie, janë shkruar e botuar “vepra të mëdha” është një absurditet dhe një reminishencë e ekskatedrës. Kjo psikozë vazhdon të mbajë në kuotën e majës më të lartë vepra dhe autorë të socrealizmit, duke nxitur dhe sponsorizmin e botimit të veprës së tyre të partishme, ndërkohë që vepra e shkrimtarëve të mirëfilltë disidentë, jo vetëm që nuk botohet, por vazhdon të sulmohet e të anatemohet.

Nuk mund të krahasohet asnjë vepër e krijuar në Diktaturë, qofshin dhe ato që kanë bërë emër, falë propogandës më të ethshme komuniste të kohës, me veprat monumentale të krijuara në demokraci të At Zef Pllumit e Fatos Lubonjës, Kasem trebeshinës e Lekë Pervizit, Pjetër Arbnorit e Agim Mustës, Spartak Ngjelës e Sali Lekës, Kurt Kolës e Pano Taçit, Ahmet Kolgjinit e Ylber Merdanit, Frederik Rreshpjes e Eugjen Merlikës etj etj.

Pohimet e personazheve të censurës mizore nga ekrani magjik i kohës së sotme se kanë qenë të sulmuar dhe kanë jetuar si “gjarpëri nën gur” në kohën e regjimit monstër, se në një formë apo një tjetër kanë kërkuar apo edhe kanë ndihmuar në rënien e tij, janë një përbaltje që dishepujt e Diktaurës i bëjnë demokracisë dhe mendimit të lirë. Axhaminj, që nuk kanë asnjë lidhje me letërsinë, kanë krijuar “modele” persekutimi duke sajuar dosje disidence për ata që kanë pasur në dorë çelsat e censurës dhe i kanë përdorur ata për mbylljen e veprave më të mira që janë shkruar në Diktaturë dhe ndëshkimin e autorëve të tyre.

Fiksimi për të shpallur disidentë figurat e censurës dhe katrahurës së kalvarit të kuq vjen nga kompleksi i fajit, nga pesha e rëndë e mëkatit që ata mbartin nga analet e së kaluarës së trishtë.

E vërteta nuk mund të mbulohet me gjethe fiku: me apo pa dëshirë, shkrimtarët dhe, në përgjithësi inteklektulët e soc-realizmit, i kanë shërbyer regjimit, duke e ndihmuar atë në një prej krimeve më të rënda, atë të përpjekjes për të shkatërruar shpirtin edhe natyrën njerëzore, duke tentuar të imponojnë idetë marksiste-leniniste. Askush tjetër përpos artistëve dhe shkrimtarëve nuk mund ta bënte këtë.  Prandaj duket e çuditshme kur sheh “shkrimtarë të mëdhenj” të periudhës komuniste të shfaqen befas si disidentë, ndërkohë, që kanë qenë pikërisht këta që i kanë thurur himne partisë dhe udhëheqësit e saj.

Sali Leka ka të drejtë që nuk denjon të ulet në studio televizive me këto soj “disidentësh”, pasi janë po ata që vetëm tre dekada më parë kanë qenë në avanguardë të mbylljes së librave të tij dhe sot, ngaqë nuk duan që të prishet shëmbëllimi ikonak i soc-realizmit, sajojnë “disidentë të komanduar”, që të mund të vazhdojnë të tundin banderolat e agjitpropit të vjetër në kohën e re të lirisë dhe demokracisë së premtuar.

Filed Under: Komente Tagged With: “gjumin”, Dukagjin Hata, e “shenjtorëve”, Fantazma që trazon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1672
  • 1673
  • 1674
  • 1675
  • 1676
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT