• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISHA MËSUES

March 7, 2021 by dgreca

-nga Visar Zhiti- Gazeta Dielli*

Në nderim të mësuesve të mi dua të kujtoj e të tregoj dhe unë…

Isha mësues në një fshat të largët të Kukësit, kur më arrestuan. Në sallën e gjyqit, kur më dënuan me 10 vjet burg per poezitë e mia, midis të pranishmëve të shumtë si spektatorët në teatër, kishte dhe kolegë të mij, një pjesë me dolën dhe dëshmitarë, por një tjetër, mësues dhe ai, mik imi, më bëri një shenjë fshehurazi, vendimtare per mua, tundi grushtin nga larg, “qëndro!”, deshi të më thoshte, e kam shkruar, dhe ashtu bëra, por ata që më mallëngjyen së tepërmi ishin nxënësit e mij, rreshti i tyre në krye, kokëulur nga dëshpërimi, nuk desha t’i zhgënjej, ata më frymezuan të arrij të them fjalën time të fundit në gjyq: 

…isha mësues, na krahasojnë me pishtarët e dritës, që krahas flakës, kanë dhe tym. Për të hequr tymin, mos shuani flakën… 

Më hodhën prangat dhe më çuan në burg. Atje gjeta dhe mësues të tjerë, pedagogë, profesorë, etj, shtynim vagonat me mineral si skllevër. 

Mësues e kisha patur dhe babanë, edhe atë e kishin dënuar. Edhe xhaxhai im mësues ishte, kur e vranë si nacionalist fitimtarët, me të marë pushtet. Dhe të birin e tij s’e lanë të bëhej mësues. Dhe vëllanë tim të madh e pushuan si mësues…

Në burg njoha dhe poetin Havzi Nelaj, mësues kishte qenë dhe ai dhe e varën në mes të Kukësit si armik. 

Të vrasësh mësuesit e tu? E tmerrshme!…

Vazhdonte tradita, mësues dhe burg.

Dhe 7 Marsi ishte shpallur si Festa e Mësuesit. Sepse në 7 Mars 1887 ishte hapur shkolla e parë shqipe në Korçë. Kryemësuesin e saj, Petro Nini Luarasin, do ta helmonin shovenët grekë. Në të gjithë perandorinê turke vetëm gjuha shqipe ishte e ndaluar… 

E përkujtonim dhe në burg 7 Marsin, ashtu mjerueshëm me njëri-tjetrin. Dhe thoshim se dhe mësueset e para, qe erdhen nga SHBA, Motrat Qiriazi, për të hapur shkollat e para të vajzave në Shqipëri, u persekutuan nga regjimi komunist. 

   Më të vjetrit në burg, që dinin më shumë, nga ata që qenë diplomuar universiteteve të botës, tregonin se shkollat shqipe ishin hapur dhe më herët, me shekuj, në Veri. Pse s’i kujtonin, apo kishin qenë shkolla katolike? 

Edhe universitet kishte patur, do të kerkonim të dhënat më vonë, kur të liroheshim dhe perandoria komuniste do të binte. Ja, “Universitas Studiorum Dyrrhachium, Albanian, Universiteti i Studimeve të Durrёsit, – vazhdon anglisht teksti – was a theological university, (Dyrrhachium), Albania… Medieval Kingdom of Albania…. – Shih, Mbretëria Mesjetare e Shqipërisë! – The university was established in 1380, and then transferred to Zadar in 1396…”, pra, gati 1000 vjet më parë universitet në Durrësin tonë, që 16 vjet më vonë do të shpërngulej në Zagreb, në Kroaci.

Pse s’kujtohen fakte të tilla? Pse kjo harresë e rënde, mpakje tronditëse e historisë? Kemi arsim të hershëm, pse e rrënojmë? Pse? Siç dhe shihet, në vendin ku burgosnin dhe vrisnin mësues, qoftë dhe një në fshatin më të humbur, jo më pastaj elitën, mund të ndodhë çdo e keqe…

Të besojmë te më e mira. Te institucioni i mësuesit! T’i kthehet forca dhe rëndësia kombëtare. Profesor Çabej thoshte se “mësuesi” nuk është profesion, por mision. Mësues ka qenë dhe Naimi, shkruante libra shkollorë, edhe De Rada, dhe Shenjtja jonë Nënë Tereza… Dhe Eda ime per mësuese studioi e punoi. Ne ashtu e nisëm, me atë pasion…

Le të bëhen të gjitha ditët “Ditë të mësuesit”, të dijes dhe dashurisë…

Filed Under: Histori Tagged With: Isha mesues, Visar Zhiti

GËZUAR DITËN KOMBËTARE TË SHKOLLËS, MËSUES TË DIASPORËS!

March 7, 2021 by dgreca

NJË URIM I VEÇANTË PËR MËSUESIT SHQIPTARË NË DIASPORË

Sokol PAJA – DIELLI/

Sot është një ditë shumë e veçantë për kombin tonë, dita e mësuesit, heroit sakrifikues, heroit që hedh themelet e forta e të shëndosha të shtetit dhe të ardhmes së ndritur të kombit tonë. Shkolla është institucioni më i rëndësishëm i një shoqërie, shteti dhe themeli i një kombi të zhvilluar.

Në këtë ditë feste dhe krenarie kombëtare, më shumë se kurrë dhe më fort se asnjëherë tjetër duhet të shprehim mirënjohjen për rilindasit tanë të shquar, për patriotët e nderuar, për korifejtë e lartë të dijes, për trimat e pushkës e të penës që na trashëguan ndër breza këtë gjuhë të bukur të Perëndisë. Hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë më 7 mars 1887 ishte fillimi i daljes nga errësira 5 shekullore osmane. Sot përulemi para sakrificës që bëjnë qindra mësues çdo ditë duke përshkruar me këmbë orë të tëra fshatrat e largët, të vetmuar e të harruar të Shqipërisë duke mësuar shqip. Falenderim nga zemra për mësuesit shqiptarë në çdo cep të trojeve amtare por sidomos mirënjohje të veçantë sot iu shkon mësuesve të mërgatës shqiptare në çdo cep të botës. 

Gjuha e bukur shqipe sot flitet, mësohet dhe trashëgohet denjësisht në çdo shtet dhe kontinent ku jetojnë shqiptarë. Nga Amerika në Kanada, nga Australia në Angli, Itali, Gjermani, Austri, Zvicër, Belgjikë, Greqi, Suedi, Norvegji, Danimarkë, Finlandë, Spanjë, Kroaci, Turqi e kudo ku shqipet punojnë, gëzojnë e jetojnë. Emigrimi masiv, zhvillimi teknologjik, presionet e asimilimit në vendet ku jetojnë, nevoja e përshtatjes dhe integrimit e ka vënë në rrezik harrese dhe asimilimi gjuhën shqipe, por falë punës së jashtëzakonshme të mësuesve shqiptarë në diasporë, gjuha shqipe jo vetëm nuk harrohet por lëvrohet dhe kultivohet për mrekulli.

Mësues të certefikuar në hapsirën ndërshtetërore shqiptare, profesionistë të licensuar e mirëtrajnuar me metodat më bashkëkohore të mësimdhënies në shtetet ku jetojnë, eksperiencat pedagogjike ndërkombëtare i ka bërë mësuesit e diasporës shqiptare kompetentë, virtuozë dhe dinjitozë në mësimin e gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare. Këta mësues janë shndërruar në personalitete kombëtare dhe gëzojnë një reputacion të lartë dhe në shtetet ku punojnë e jetojnë. Mësuesit shqiptarë në diasporë, me pasionin, krenarinë dhe përkushtimin për të mësuar gjuhën shqipe bashkatdhetarëve, përveç se ruajnë identitetin, kulturën, traditën, shpirtin shqiptar, ata janë shndërruar në ambasadorë të pazëvëndësueshëm të etnitetit dhe identitetit tonë në botë. Mësuesit e diasporës shqiptare mbajnë gjallë flakën e dashurisë për Mëmëdhenë, zjarrin e shpirtit të bukur arbëror dhe  krenarinë e të qënit shqiptar. Falë mësuesve të përkushtuar, distancat shpirtërore atdhetare i kanë mundur distancat gjeografike. Nga fryma e tyre atdhetare, prej duarve të tyre të bekuara, prej dijes që përcjellin, mësuesit e diasporës trashëgojnë dhe shënjojnë vazhdimësinë e kombit tonë. Mësuesit shqiptarë në diasporë na bëjnë krenarë ndër kombe e shtete tjera. Mësuesit shqiptarë janë shndërruar në fidanishte ku këndojnë bilbila dhe rriten dallëndyshe që pasi fluturojnë në qiejt blu të botës kozmopolite, përsëri nuk e harrojnë dhe kthehen në folenë e ngrohtë: Mëmëdhe. Mësuesit shqiptarë në diasporë janë ambasadorët e vërtetë të kombit shqiptarë. Ata janë krenaria jonë, vazhdimësia jonë, identiteti ynë, më të vlefshëm se diplomacia parlamentare, ministrore apo konsullore qoftë. Mirënjohje e nderim. Respekte e vlerësim sot, nesër dhe përgjithmonë.

Filed Under: Featured Tagged With: Diaspora-Shkolla shqipe, shkolla, Sokol Paja

NE 89- VJETORIN E LINDJES TE SHKRIMTARIT NAUM PRIFTI

March 7, 2021 by dgreca

-Cinxëri Këngëtar – Fabul për një Fabul/

JULIKA PRIFTI/

Cinxëri Fletartë kish vënë përpara fletoren e muzikës dhe po këndonte një melodi me nota –do – si – sol- do, mi-fa-re-sol- si- la -sol- mi.

Ishte kaq i dhënë pas këngës saqë nuk i vuri re fare dy brumbujt kur hynë në shtëpinë e tij.

Edhe brumbujt nga ana e tyre mbetën si të mahnitur nga melodia qe po dëgjonin. Më i trashi tha:

-Sa bukur këndon! Ç’zë që ka!

-Artist fare, – tha më i holli. – Le ta dëgjojmë deri në fund. 

Ndenjën të heshtur te dera duke dëgjuar Cinxërin Fletartë deri në fund, pa e ndërprerë. I trashi, sikur të mos i mjaftonin veshët, kishte hapur edhe gojën.

-Ç’të jetë kjo këngë? – pyeti më plaku.

-Unë s’marr vesh shumë nga muzika, – po, kur dëgjoj këtë melodi, më vjen të mbyll sytë dhe atëherë me del përpara një livadh me bar të njomë, mbushur me lule të kaltra, të bardha e të kuqe. Ndiej ngrohtësinë e diellit dhe shushurimën e flladit. Bari ende s’është kositur dhe livadhi bie erë tërfil e lulejonxhe, fëmijë që luajnë…Këngë për natyrën, për gëzimin e pranverës, dicka e tillë duhet të jetë.

-Për këngë është i vetmi,- tha më i trashi. Megjithatë iu duk se shoku i tij e kishte lavdëruar pak si tepër, prandaj shtoi: – C’e do, është dembel. Sic e pe edhe vetë kopshtin e ka lënë pa punuar dhe shtëpinë e ka rrëmujë.

Cinxëri Fletartë mbaroi këngën dhe nisi të shënonte notat në pentagram. Dora i ecte shpejt dhe sytë sikur i vezullonin nga frymëzimi.

-Shoku Cinxër, – i tha Brumbulli i Trashe, duke i rënë lehtazi ne sup. – Ju lutemi të na falni. Trokitëm po ju s’na dëgjuat, dhe ne hymë në dhomë.

-S’ka gjë, -u tha Cinxëri. – Uluni, ju lutem, pse rrinin në këmbë?

-Nuk mund të ulemi se s’kemi kohë. Ne na dërgoi këtu Lec Këmbëgjati.

-Kush është ky Lec? – pyeti Cinxëri.

-E ka fjalën për shokun Karkalec, – shpjegoi Brumbulli tjetër pak si me të qeshur.

-Ah, po. Me siguri për koncertin që do të jepet të shtunën në televizion. Jam duke e përfunduar. Tani sapo e mbaroj një nga këngët.

-Karkaleci qe shumë i zemëruar. Nuk di përse, – tha Brumbulli i Trashe. – Ta lajmëroni të vijë menjëhere në zyrën time, tha. -Ke berë ndonjë faj? 

Disa e kishin parë karkalecin të lexonte një libër me përralla të Lafontenit. I inatosur, filloi të bërtiste: Lipsari! Lipsari i keq! Se për kë e kishte fjalën nuk e mora vesh,- tha Brumbulli hollak.

-Mbase për La Fontenin, – tha ai trashaluqi.

-Nuk besoj, – se atëherë duhet të thërriste La Fontenin.

-Ke të drejte, – pranoi tjetri. -Ai na dha urdhër: Shkoni lajmëroni Gone Milingonën dhe Cin Cinxërin. 

-Milingonën e lajmëruam, – tha më i holli.

-Sidoqoftë, ti vëlla thuaja hapur, se vetëm e drejta të nxjerr në shesh. Po ke bërë gabim pranoje ndershmërisht, – e këshilloi Brumbulli i Trashë. –Po qe se s’është e vërtetë, atëherë mos e prano, sikur bota të përmbyset, – e këshilloi Brumbulli i Hollë.

Pa humbur kohë Cinxëri vajti dhe trokiti në zyrën e Lec Karkalecit.

Karkaleci me duart prapa kurrizit vente e vinte nëpër zyrë nga dritarja deri te dera. Në një karrike pranë dritares qe ulur Gone Milingona, kurse afër makinës se shkrimit po rrinte Lili Pilivesa. Të gjithë dukej se po prisnin Cinxërin.

-Ja tek erdhi, -tha Pilivesa,-duke i hapur derën.

Cinxëri i përshëndeti me kokë dhe me mirësjellje u ul në një karrike të lirë.

-E di pse të kemi thirrur? – e pyeti Lec Karkaleci. – Sepse ti na ke turpëruar, ke turpëruar veten tende, gjithë artistët dhe farefisin.

Cinxëri brofi në këmbë dhe pyeti:

-Më thoni, ç’kam bërë?

-Po, do të ta them. Ti, dimrin e kaluar ke shkuar në mes të dëborës dhe i ke kërkuar milingonës grurë dhe ushqime te tjera. Tamam si lipsar.

-S’është e vërtetë, – u përgjegj Cinxëri.

-Uh, çfarë gënjeshtari! – bërtiti Gone Milingona. – Pse La Fonteni kot e thotë? Lexoje vetë po deshe.

Lec Karkaleci i vuri përpara një libër të hapur te vjersha “Cinxëri dhe Milingona”. Pa e lënë të fliste, i zgjati një libër tjetër.

– Mos do të thuash se edhe Cajupi s’të ka parë? Dëgjoje se c’thotë:

“Cinxëri i marrë

Gjithë beharë

E shkoi duke kënduar

Në kopshtat të lulëzuar…”

Milingona po zgërdhihej në karrige duke u tundur.

-Keshtu, pranoje se ke trokitur te shtëpia e milingonës, i qave hallin, i the se ke mbetur pa bukë dhe ajo të pyeti: “Po në verë c’bëre, pse s’punove?” Ti iu përgjigje “Atëhere unë këndova!” Dhe milingona ta preu: “Atëherë këndove, tani kërce! Unë bukë s’të jap”. Kështu apo jo?

-Kështu, – tha milingona – si e thonë edhe në libra.

-Unë s’kam vajtur t’i kërkoj as milingonës dhe as ndonjë tjeri, qoftë edhe një kokërr gruri, – tha cinxëri i vendosur.

-Shiko ,- i tha karkaleci, -se po të dalë e kundërta do ta marr atë kitarën dhe do ta bëj copë-copë. Artistë lipsarë nuk duam.

Cinxëri vuri dorën mbi kitaren që e mbante me vete si të donte ta mbronte nga ndonjë e keqe.

-Le t’ia marrim faktet me radhë, -tha karkaleci. –Ti gjithë verën ke kënduar, livadh me livadh. Kjo është e vërtetë, apo jo?

– E vërtetë, – pranoi cinxëri.

-Pra s’ke punuar, – tha karkaleci. – Ky është fakt.

-Më falni, -tha Cinxëri, – po unë kam tjetër mendim. Pse të këndosh apo të krijosh nuk është punë? A mos është lehtë të bësh prova me javë të tëra derisa të vijë dita e koncertit dhe të dalësh në skenë para publikut? Do të doja të ishin në vendin tim që të provonit shqetësimet, netët pa gjumë, lodhjen, merakun sesi do reagojnë për një këngë apo një varg? Nuk di a më besoni, po sa herë dal në skene më dridhen gjunjët.

Karkaleci e dëgjoi i menduar. Heshtjen e prishi milingona. Ajo tha:

-Punë e madhe fort! Une s’dua vetë, po të dua, këndoj më mire nga ty!

-Hesht! – i tha karkaleci. – Mos u mburr kot! Ti s’ke zë dhe nuk këndon dot sikur edhe dymbëdhjetë vjet ta vazhdosh Liceun Artistik. Unë mezi të dëgjoj edhe këtu pranë… Pastaj, nuk është njësoj kur këndon për vete apo kur del në skenë. Unë po, diçka mund të arrija, po tani jam ftohur dhe e kam zërin pak të ngjirur. Në të vërtetë, ne si fis e kemi zërin pak të cjerrë për arsye të ushqimit. Për cinxërin, të gjithë thonë se e ka zërin të mirë dhe të kënaq kur e dëgjon, veçse harrohet pas këngëve dhe nuk e can kokën për të tjerat si për shembull rezerva ushqimore për dimër.

-Ç’i dua ushqimet rezervë?- pyeti cinxëri.

-E shikon? – gërthiti milingona. – Ja tek e tha me gojën e tij. Aha! – u gajas ajo. Pastaj iu kthye cinxërit:- Po kur të vijë dimri, c’do të bësh, ku do gjesh për të ngrënë?

-Unë në dimër nuk fut gjë në gojë, – tha cinxëri, – dhe s’arrij ta kuptoj si mund të hajë dikush gjëra të ngrira? Brrrr!

-A s’më thoni, ç’bëni ju gjithë dimrit? Mos vallë ngroheni pranë zjarrit dhe ushqeheni me tym? – e pyeti Lec Karkaleci. 

-Unë fle, – u përgjigj cinxëri, – fle ose dremit dhe ëndërroj për këngët që do kompozoj në pranverë. Deri në vjeshtë ushqehem mirë, pastaj, kur bie brymë e zë e ftohta, futem në shtëpizën time brenda në tokë dhe mbështillem në kukulen e ngrohtë dhe të butë si pambuk. As më bie ndër mend të dal nga shtëpia, se përjashta nuk ka as lule, as bar, as diell, vetëm dëborë. Unë s’jam mësuar të eci mbi dëborë, prandaj habitem me zotin La Fonten që thotë se paskam shkuar te milingona në mes të dimrit.

Pilivesa, si sekretare e zellshme, vazhdonte të shtypte në makinën e shkrimit. Paksa i hutuar, Karkaleci nisi të fërkuar ballin. Me sa dinte ai, cinxërit s’dilnin në dëborë, po atëherë, pse shkruante ashtu La Fonteni? Dicka nuk shkonte. Dhe, aty për aty, i shkrepi një mendim hopthi.

-Shiko, – i tha serioz, – mbi dëborë nuk shkoj as unë që kam këmbë më të gjata se të tuat. Mos ke shkuar nën tokë, duke hapur tunele sic e ke zakon, deri te shtëpia e milingonës? Hë?

-Jo, -kundërshtoi Cinxëri, – kur jam në kukule, unë s’kam si të eci. Pastaj, ato ushqime që u pëlqejnë milingonave, unë as që i vë në gojë. Atëherë, pse do shkoja të kërkoja ushqime nga ajo?

Karkaleci nxorri shaminë nga xhepi dhe fshiu ballin e djersitur. Sa çështje e ngatërruar! Një palë thotë po, tjetra jo.

-Milingonë, bjeri shkurt, të lutem! E ke parë me sytë e tu Cinxërin në shtëpinë tënde me një shkop e me një trastë, si thotë këtu?

Milingona u mendua.

-Unë vetë jo, po derisa e thonë të tjerët duhet ta kenë parë, – arsyetoi ajo.

-E kane parë, se kanë parë,… – u mërzit Lec Karkaleci. – Si thua ti? – tha ai duke iu kthyer sekretares. 

Kur nuk arrinte ta zgjidhte lëmshin, Karkaleci pyeste varësit.

Lili Pilivesa e la makinën e shkrimit dhe i lexoi vjershat me kujdes, pa zë. Pastaj, duke luajtur njërin krah, tha:

– La Fonteni dhe Cajupi nuk kanë parë as cinxërin as milingonën…

-Ah, jo jo, – e ndërpreu karkaleci, – këtu është e shkruar cinxëri dhe milingona. Këtu s’ma hedh dot mua!

-Po këto janë fabula, – nisi t’i shpjegonte Lili Pilivesa – dhe në fabula.…

-Hesht, se këtu nuk na the gjë, – urdhëroi karkaleci. – Më mirë të pyesim në Gjykatën e Lartë. Ata do jenë të aftë të na e sqarojnë këtë çështje te ndërlikuar. 

Po ju mund ta keni gjetur të vërtetën vetë pa vajtur fare në gjykatë.

Kur babai e përfundoi së lexuari fabulën e Cinxërit, e pyeta me kureshtje se pse në vitet 60-70, kur ishte tregimtar i njohur dhe autor dramaturg, u hodh në gjininë e përrallës aq më tepër kur në Shqipëri nuk shihej si në të njëjtën lartësi apo nivel si tregimi apo drama.

“Unë e mora shtysën nga disa rrethana familjare. Vajzat kishin dëshirë dhe unë isha i lumtur t’ua plotësoja etjen për përralla. Ishte një lloj aktiviteti familiar. Bashkëshortja Rina më nxiti që një pjesë të tyre t’i shkruaj dhe botoj. Shumë nga përrallat janë të lidhura me moshën e tyre fëminore. Pastaj kur u bëra gjysh më duhej të argëtoja brezin e ri. Nga ana tjetër, unë nuk kam patur paragjykime për gjinitë letrare. Në art nuk ka hierarki. E bukura mbetet e tillë pavarësisht se është në formë tregimi, novele, përrallë e me radhë. Për mua, përrallat janë gjini e vështirë sepse duhet të kuptohen e shijohen nga fëmijët por gjykohen nga të rriturit që ua lexojnë,” më tha.

Po për Cinxërin Këngetar, si dhe ku u frymëzove? – e pyes unë.

“Cinxëri Këngëtar u krijua pas gëzimit të shtimit të familjes me vajzën e tretë, Rafaelën. Ajo dhe unë flisnim për insekte, mikroorganizma dhe gjithfarë antropodësh. Ajo shpesh më pyeste për emrat e për gjuhën e tyre.” 

E pyeta më tej se Cinxëri Këngëtar është fabul me disa kuptime. Mua më ngjan se i kundërvihet thënies së Enver Hoxhës se shkrimtarët dhe artistët nuk janë aq të dobishëm për shoqërinë njësoj si fshatari apo punëtori. Aty Karkaleci dhe Milingona të kujtojnë lehtë personazhe dhe fenomene të kohës.

Ai përgjigjet se shkrimtari nuk mund të ketë frikë aq sa të mos shkruaj dot asgjë. Pastaj, – thotë ai me humor – nuk besoja se Enver Hoxha do lexonte pjesë të quajtura për fëmijë. Mua më pëlqente luftimi i idesë se arti krijohej me lehtësi. Në vitet ’70, si pjesë e revolucionit kulturor, u propagandua (ri)edukimi i shkrimtarëve dhe artistëve me “punë fizike” duke krikuar një kundërvënie politike të punës fizike dhe punës krijuese. Ishte një marrëzi që mendova se mund ta tregoja me gojën e Cinxërit. Më vinte shumë mirë kur shok e miq më ndalonin në rrugë dhe më përgëzonin kur u lexonin fëmijëve përrallat e mia.

-Meqë sot është ditëlindja e 89-të, a mendon se mund të bësh lojë me numrat si atëherë kur ndërroje vendet 86 me 68 apo 87 me 78? – e ngacmoj unë me shakatë e kaluara.

-Tani është e vështirë, por po ta kthej 9-shen kokëposhtë dhe ta vendos përpara 8-shes, atëherë kthehem prapë 68 ! Ha ha ha! Gjithsesi numri nuk ka rëndësi kur ende ke gjëra për të thënë e për të shkruar!  Gëzuar festën e mësuesit ty dhe gjithë mësuesve! – uron ai.

Gëzuar Ditëlindjen! Edhe 100, sipas urimit shqiptar!   

  • Kryesia e Vatres die redaksia e gazetes”Dielli” i percjellin Shume urime shkrimtarit Naum Prifti ne Diten e Lindjes.

Filed Under: Featured Tagged With: 89 vjetori, dita e Lindjes, Julika Prifti, Naum Prifti

PAGËZIMI: IKONA E LUMTURISË SË AMSHUAR

March 7, 2021 by dgreca

Nga Don Robert Kola/

Apostujt dhe pasardhësit e tyre mbahen nga Kisha edhe si “mësues të hirit.”[1] Natyra dhe hiri janë si dy faqe që përbëjnë një fytyrë të vetme në jetë. Nëse mohohet njëra faqe, fytyra gjithmonë dëmtohet. Në Kishë, si dje si sot, ngatërrimi rreth hirit dhe natyrës është përplasja më tronditëse. Duke shkërmoqur herezinë e Pelagijes, e cila shquante veprimin natyror mbi hirin, Shën Augustini i drejtohet me këto fjalë: “Në këtë qëndron rrënja e tmerrshme e gabimit tuaj: ju synoni që të dalloni dhuratën e Krishtit në shembullin e tij, ndërsa dhurata është vetë Personi.”[2]

Mjafton të hidhet një shikim për rreth nesh dhe do të hetojmë së kur hiri ndahet nga Personi i Krishtit, gjithë mësimi, katekeza, edukimi, shpërfaq vetëm moralizim dhe disiplinë.

Shën Gregori i Nazianzenit, si rrallë midis etërve të Kishës, u shqua si mësues i hirit. Me të drejtë ai quhet nga tradita e Kishës: “Teolog.” Këtë titull Kisha e përdori vetëm për Shën Gjonin Ungjilltar dhe Shën Simonin i quajtur Teolgu i Ri. Shën Gregori po ashtu mbahet edhe si “poeti i Trinisë së Shenjtë.” 

Vëzhgimet e tij teologjike i thuri sidomos gjatë homelive, në kremtimet liturgjike të mistereve, në bashkësinë e besimtarëve që e udhëhiqte si bari. Nga vatra e liturgjisë mori dritën dhe lartësimin e shikimit në njohjen e Krishtit të Ngjallur. Po në këtë dritë i përflaku edhe besimtarët. 

Këtu po shkëpus vetëm pak rreshta nga një homeli e tij të mbajtur në festën e “Dritave” apo të  “Shndritjes,” siç quhet në traditën lindore festa e Pagëzimit të Krishtit. 

Shën Gregori duke kundruar misterin e Pagëzimit të Krishtit, në të cilin shquhet edhe misteri i ynë i lindjes së re, rreth tij, veçon:

Pagëzimi ose shndritja është shkëlqim i shpirtit.

Është ndërrim i jetës.

Është pyetje drejtuar Hyjit nga ana e ndërgjegjes sonë. (khrs. 1Pj 3, 21)

Kjo shndritje është ndihmë ndaj ligështisë sonë.

Kjo shndritje është zhveshje nga mishi ynë.

Është besnikëri ndaj Shpirtit të Shenjtë.

Është bashkim me Fjalën.

Është ringritje e përngjasimit tonë, sipas shëmbëllimit të Hyjit.

Është larje e mëkateve.

Është shpërndarje e errësirës.

Pagëzimi është mjet i cili udhëheq tek Hyji.

Është shtegtim së bashku me Krishtin.

Është mbajtësja e fesë.

Është përsosje e mendjes

Është çelësi i mbretërisë.

Është ndërrimi i jetës.

Është zhdukja e skllavërisë sonë.

Është lartësimi i qenies sonë të brishtë.[3]

Në sakramentin e Pagëzimit, Shën Gregori vëren dhuratën dhe hirin më të mrekullueshëm që ofron Hyji. Dhurata e pagëzimit është aq e lartë sa nuk mund të shprehet ndryshe, pos si ajo që mbahet më e “Shenjta e shenjtëve” apo si “Kënga e këngëve.” Rreth saj ai thoshte: “Pagëzimi është hiri më i bukuri dhe më i madhërishmi nga dhuratat e Hyjit. Ashtu siç thuhet për ato gjëra që përmbajnë një kuptim të lartë, si fjala vjen: “Shenjta e shenjtëve” apo “Kënga e këngëve”, ashtu edhe pagëzimi është shndritja më e shenjta ndër të gjitha të tjerat që qëndrojnë mes nesh.

Thirret me emërime të ndryshme, ashtu si edhe vetë Krishti i cili e dhuron këtë të mirë. Edhe dhurata e tij, po ashtu, thirret me emra të ndryshëm, qoftë për gëzimin e madh që na shkakton, kur e pranojmë, qoftë për të mirat e shumëllojshme që vijnë prej tij dhe nxisin kënaqësinë e thurjes së shumë emërtimeve, ndaj kësaj dhurate. 

Ne e quajmë dhuratë, hir, pagëzim, lyerje, shndritje, veshje e pashkatërrueshmërisë, larje e rilindjes, vulë. Pra, gjithë ajo çka është e çmueshme: dhuratë, sepse është dhuruar falas; hir, sepse jepet pranë asaj që mbesim borxhli; pagëzim, sepse mëkati është varrosur në ujë; lyerje, sepse është e shenjtë dhe jepet falas; shndritje, sepse është e shkëlqyer; veshje, sepse është veli që mbulon marrëzinë tonë; larje, sepse pastron; vulë, sepse është roja dhe shenja e  Atij që sundon mbi ne. 

Pagëzimit, së bashku me ne, i gëzohet edhe qielli. Edhe engjëjt kremtojnë, pasi janë të ngjashëm me natyrën e shkëlqimit të tij. Pagëzimi është ikona e lumturisë së amshimit.“[4]

Duhet theksuar, jo dhe pa dhimbje, që në teologjinë perëndimore (nisur nga shek. VIII), filloi të zbehet teologjia mistagogjike, pasojë e të cilës, ndër të tjera, ishte dhe humbja e kuptimit që kishte simboli: në Perëndim duke u nisur nga kjo periudhë, simboli filloi thjesht të mbahej vetëm si një shenjë (signum) dhe në traditën latine përkthehej si “indicia.”[5] Kuptimi semantik i shenjës do të ndikojë dhe në kuptimin e përmbajtjes teologjike të sakramentit. Duke qenë se “logjika e shenjës kërkon saktësimin e përfshirjes të një realiteti, ndërsa ajo e simbolit kërkon të përfshijë shumësinë e kuptimeve,”[6] ndikoi që në traditën perëndimore teologjia e sakramentit të përqendrohet vetëm rreth natyrës së saktësimit të tij. Të kujtojmë vetëm diskutimet rreth saktësimit të formës dhe materies së sakramentit, duke lënë në harresë gjithë poliseminë e kuptimit që ofron simboli. “Shenja kërkon të përkufizojë dhe të përmbyllë një njëmendësi, ndërsa simboli hap horizonte të pambarueshme, përfshin nduar-nduarshmërinë e kuptimeve dhe ka natyrë polisemike […] Asnjë koment nuk mund të përfshijë dhe të përmbyllë kuptimin e shumëfishtë që përvijon simboli i pagëzimit i pranuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë, apo të gostisë eukaristike në të cilën Jezusi thotë: “Ky është korpi im që do të flijohet për ju, merrni e hani.”[7]

Kisha ka ruajtur edhe në traditën tonë perëndimorë në Ritualin romak të Pagëzimit, disa prej tropareve më të lashta të Kishës, në të cilat këndohet dhe madhërohet aq thellë dhe bukur hiri i Pagëzimit. Në njërin prej tropareve, Kisha i këndon gurrës së Pagëzimit:

Kjo është gurra e jetës që mbarë botën ujit

e që buron prej varrës së Krishtit.

Shpresoni në Mbretërinë e qiellit

ju që u rilindët nga ky burim.[8]

Sa thellë e dëshmoi këtë edhe martiri, Vinçenc Prennushi, i cili duke i kënduar dhuratës së fesë, në një poezi të veten, shquan gjithë dritën e saj që nuk fiket as në salvime të tmerrshme. Poeti dhe martiri,  ndër të tjera, i këndon hirit që pranoi në pagëzim: 

N’ ditë t’ Pagzimit me i’ petk bore

M’ a mloi shtatin kuer kjeçë fmi,

E me ‘i rreze, qi kurr s’ shkimet

M’u ba drit n’ t’ tana salvimet.[9]

Simboli është “epifani e një misteri”[10] dhe “i përket universit të parabolës,”[11] kundrimi dhe përsiatja përmes mendësisë së simbolit nuk lejon “kurrë të fiket zjarri i vatrës mistike të jetës.”[12]

Pra, pagëzimi është hir, është shndritje shpirtërore; me këtë akt hapen rrugët e lidhjes së drejtpërdrejtë me dashurinë e Hyjit dhe të Bitit të tij, Krishtit: Dashuria jote le të jetë ngushëllimi im, sipas premtimit që i bëre shërbëtorit tënd (76); hapen mundësitë e njësimit me Të, të baninimit në shtëpinë e tij, siç thuhet në Psalmin: 

“Lum ai që banon në shtëpinë tënde: 

i këndon pa fund lavdet për ty” (Ps 84, 5)

ose

E mira ime është të rri pranë Hyjit;

në Zotin tim unë e kam strehimin (Ps 73,28).

Me pagëzim zë fill jeta drejt dashurisë së mirëfilltë ndaj Krijuesit: Hyj, sipas dashurisë sate, ma jep jetën. (159); Aibëhet mirëfilli tenda jonë e shpëtimit, jo vetëm gjatë jetës sonë tokësore, po edhe në botën e përjetshme.

Pra, me pagëzim shënohemi si të shenjtë, si thoshte Nëna jonë Tereze: “Duhet të bëhemi të shenjtë jo pse duam të ndihemi të shenjtë, po pse Krishti duhet ta jetojë jetën e vet në mënyrë të plotë në ne […] Shenjtëria është bashkimi me Zotin, në lutje e në aksion”.


[1] SHËN ATANAZI, Letrat Pashkore, në Liturgjia e Orëve II, Qendra Don Bosko, Tiranë – Shkodër – Prishtinë 2006, f. 287.

[2] S. AGUSTINUS, Contra Iulianum. Opus imperfectum, 1002.

[3] GREGORIO DI NANIANZO, Tutte le Orazioni, përkth., në it., C. Moreschini, Bompiani, Il Pensiero Occidentale, Milano 2002, f. 923.

[4] GREGORIO DI NANIANZO, Tutte le Orazioni, f. 924.

[5] A. M. ORSELLI, Controversia iconoclastica e crisi del simbolismo in occidente fra VII e IX secolo, në: Culto delle immagini e crisi iconoclasta, Quaderni di synaxis, EdiOfts 1986, f. 116.

[6] M. SCOUARNEC, I simboli cristiani, Milano 2000, f. 13

[7] Po aty, f. 13.

RENDI I PAGËZIMIT PËR FEMIJËT DHE RENDI I KREZMIMIT, Boton: Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, f. 92.

[9] AT VINÇENC PRENNUSHI, Gjeth e lule, Botime Françeskane, Shkodër 2006, f. 140.

[10] G. DURAND, L’uomo religioso e i suoi simboli, në: Le origine e il problema dell’homo religiosus, Vol., 1, në përkujdesje të J. Ries, JacaBook, Milano 1989, f. 84.

[11] Po aty., f. 84.

[12] J. HUIZINGA, L’autunno del Medio Evo, Firenze 1966, f. 287.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Don Robert Kola, Pagezimi

Në nderim të pedagogut shkodran Lec Zadeja

March 7, 2021 by dgreca

Një jetë kushtue arsimit e edukimit të brezave/

Nga Pjeter Logoreci/

Për çdo shkodranë, sidomos moshat e mesme e shkue, figura karizmatike e mesuesit Lec Zadeja asht e njohtun, jo vetëm nga paraqitja e tij, por shumë kush mund t’a ketë takue atë në ndonji orë mësimi zyrtar apo privat, në ndonji sallë konference shkencore, aktivitet kulturor, historik apo sportiv.  Në shoqninë e ambientet shumë kulturore të qytetit, por edhe në fshat, Lec Zadeja ishte kudo prezent e aktiv edhe mbas pensionimit. 

Personalisht, mësues Lecin, e njoha në rrethet shoqnore ku mblidhej ajka e intelektualëve të qytetit të Shkodres, ku edhe ai bante pjesë. Në këtë shkrim për figuren e tij, dishroj me i sjellë brezave të ri, ato çka ndiva e çka msova prej tij e miqve të tij intelektual.

Lec Zadeja, i biri i Luigjit e nanë Shaqes, kje lindë në Shkodër me 6 qeshor 1927. I ati ishte me zejë marangoz, ndërsa e ama Shaqja, grue shpijake. Ishin nji familje e thjeshtë qytetare ku njihej humori, mbasi Luigji ishte figurë e dashtun si gaztor e per bejta, por edhe si personazh i përhershëm ndër karnavalet e qytetit. Luigj nuk e pat jeten e gjatë dhe vdiq nga tuberkulozi kur Leci, 14 vjeçar, pat ma nevojë se kurrë për baben e vet. Mbas dekës së babës, për Lecin u kujdes daja i tij, Pjetri. 

Qysh i vogël, Leci u dergue në nji foshnjore afër shpisë, që njihej me emnin e msueses, si “Shkolla e Lenës”, e prej aty në Kuvendin e Motrave Servite. Mësimet e fillores i mori në “Shkollen e Dugajve të reja” deri sa ju gjet vend në Shkollen Fillore Françeskane. Ndër françeskanë vazhdoj edhe Gymnazin “Illiricum” e ishte pjestar i grupit koral Scola Cantorum që drejtonte At Martin Gjoka. Kur kjo shkollë kje mbyll prej komunistëve, për të krye maturen ju desht me hy në Liceun e Shtetit ku u diplomue në nandor 1947.

Për nevoja të ekonomisë familjare, Leci filloj të punojë (nënpunës) daktilografist për Shpinë e Kulturës në  Shkoder e,  mbas, në Fabriken e Çimentos, deri sa u punësue aty ku ishte deshira e tij, në Seksionin e Arsimit si mësimdhanës e edukator në kurset e sapo hapuna për pedagogjinë. Me mbarimin e Kurseve Pedagogjike, vazhdoj me dhanë  mesim në shkollen 24 Maji e atë të mbramjes. 

Nga përvoja e krijueme e dhuntia pedagogjike, u caktue drejtor i shkolles 7 vjeçare të Oblikës, ku punoj me përkushtim deri sa u thirr ushtar. Mbas shërbimit ushtarak në Tiranë, arriti të plotësojë ambicjen e tij, të marrë diplomen për Gjuhë e Letersi në Institutin Pedagogjik Aleksandër Xhuvani në kryeqytet. 

I paisun me virtyte të nalta, talent, disiplinë e dëshirë për punë, drejtoj me aftësi shkollen e Gruemirës, të Mjedës e dha eksperiencen e tij si mësues në shkollen e Gurit të Zi, në Seksionin e Arsimit të Rrethit  Shkoder si inspektor, por  edhe në Institutit e lartë Pedagogjik si shef i administratës.  Ndër kohë plotësoj studimet e larta për Gjuhë / Letersi në ILP e dha mësim në shkolla të ndryshme në qytet; Shkollën Pyjore, Mjeksore…deri sa duel në pension pas 35 vjet pune në arsim. Por edhe pse në pension Leci ishte pedagogu i parë që dha landen e Latinishtes në Universitetin e Shkodres. 

Lec Zadeja ishte një burrë shumë i dashtun dhe i respektuem në Shkodër. Studentët, xansit, kolegët e shkodranët ishin familja e tij. Ishte burrë i dijtun dhe gjithmonë i gatshëm me ndihue kedo që i drejtohej për ndihmë. Ishte atdhetar i flakët e luftonte me të gjithë qenien e tij për t’ju ba të dijtun rinisë (xansave) trashigiminë kulturore, gojore apo monumentale që Shkodra e Shqipnia ka. 

Jetonte i vetëm me nanen në nji shpi të thjeshtë përdhese, por karakteristike shkodrane, me oborr, pus, lule borë e lule vile, me derë të vogël e karakteristike oborrit, që tregonte për vjetërsinë e saj. Oborri kishte lulishtë e shteg kalldrëmi që të qonte në hymje të shpisë, ndërsa ambientet e mbrendëshme ishin një muze i vertetë etnografik. Leci kujdesej për çdo detaj, e sidomos ndër festa, kush i shkonte mik, përjetonte nji ceremoni pritje, që veç ndër shkodranë me traditë qytetare mund ta gjeje. 

Unë i shkojshe çdo vjet, diten e Shën Kollit, që ishte dita e tij e emnit, e Leci, perveç se me raki e kafe, më nderonte me reçel shpije që e punonte vetë. Ishte veçanërisht krenar që pat kushri i Dom Ndre Zadejën, poetin e amelcisë, për jeten e të cilin, kishte mbledh material e informacione që arriti ti botojë në dy vëllime në vjetin 1995/96, tuj ja shtue kto vepra kulturës shqiptare. Leci filloj të shkruente qysh vitet 1943/ 1944 nën pseudonimin  LEJA. Ishte korespondent i disa gazetave si: Sporti, Mësuesi, Puna, Bashkimi, Jeta e re, Illiricum, ku botonte shkrime e dhjetra artikuj mbi jeten sociale, kulturore e arsimore të qytetit, muzetë, traditat, spartakiadat, përvjetore të ndryshem personazhesh apo klubesh e institucionesh, por edhe mbi luften kundër analfabetizmit. 

Ishte bashkëpunëtor i Revistave: Kumbona e së Dieles, Fjala e Paqës, Rreze Drite, Vegim Drite, Phonix, Buletini Katolik Shqiptar (që botohej në San Françisko), por edhe i Radio Tiranës, Radio Shkodres e Radio Marisë. Në aktivitetin e tij si gazetar, ai botoj si mbrenda por edhe jashtë vendit shumë skica, reportazhe, portrete apo materiale shkencorë. Në periudha të vështira ekonomike, Leci ishte i detyruem që punimet e tija ti lidhë ndër vëllime (dispencë), tuj pritë mundësinë ekonomike me i botue. Janë të njohtuna punimet e tij (të mbetuna në dispencë): 

Zhvillimi i arsimit parashkollor 1945/74.

Zhvillimi i arsimit pa shkëputje nga puna gjatë viteve 1945/55.

Mësuesi edukator dhe veprimtar shoqnor  gjatë viteve 1945/74.

Studimet mbi Drejtimet kryesore të arsimit parashkollor 1945/60.

Librin “Luigj Zadeja, bejtaxhi shkodran.

Librin “Karnavalet e Shkodres nga viti 1860 / 2005.

Lec Zadeja dha ndihmesë të madhe në hartimin e Historikut të Arsimit që pregaditi Instituti i Studimeve Pedagogjike. Me hapjen e institucioneve fetare ai ndihmoj fuqishëm në daljen e  shtypit periodik katolik dhe ishte pjestar i Komisionit të pregaditjes së librit “Martirizimi i Kishës katolike nga vitet 1944 / 90”. Gjithashtu, Leci ishte anëtar i Komisionit që pregaditi ardhjen e Papës Gjon Pali II, e së fundit, kje ngarkue nga Arqipeshkvija e Shkodres me detyren (deri 2006) e Kronistit të Kishës Katedrale.

U nderue me urdhëna e Dekorata.

  • Medalje pune me 10.2.1960
  • Medalje pune me 1.3.1961
  • Titullin (distinktivin) I dalluar për punët kulturale, marrë me 25.5.1962
  • Urdhërin Naim Frashëri KL III marrë me 24.2.1967
  • Urdherin Naim Frashëri KL II marrë me 23.3.1977
  • Titullin Mësues i Merituar marrë me 15.7.1995
  • Quhej nga qytetarët e Shkodres “Bibloteka që ecë”

Me rastin e 70 vjetorit të Lecit (6.6.1997), në shej respekti, kolegët e Universitetit, organizuen festimin e përvjetorit, ndërsa rapsodi Dedë Shyti i kushtoj atij nji kangë ku ndigjoheshin vargjet: Mos u ndal por me guxim / vazhdo si axha yt trim/ prej shokve t’ tu t’madhin urim /Lec Zadeja u bash 100…

Lec Zadeja vdiq me 14.12.2011, në moshen 82 vjeçare tuj lanë kujtime të mira e respekt ndër të gjithë ato që e njohën. 

P.S.: ky shkrim përmban kujtime përsonale dhe disa referenca nga libri “Lec Zadeja” i autorit Ludovik Shllaku.

Filed Under: ESSE Tagged With: Let Zadej, Pjeter Logoreci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • 171
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT