• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUSTAFA KRUJA,BURRË SHTETI,ANTIKOMUNIST I VENDOSUR

August 30, 2017 by dgreca

1 Mustafa Kruja

Shkruan:Eugen SHEHU/

1 eugjen shehuNë plejadën e burrave të shquar të shtetit shqiptar,të atyre burrave që muarën mbi vete përgjegjsi të mëdha në kthesat kulmore të jetës të kombit të tyre,është shkruar me germa nderi edhe emri i Mustafa (merlikës) Kruja.Ky personalitet i madh,ngjit sot shkallët e lavdisë në historinë e kombit shqiptar jo si tradhëtar (kështu e quajnë ende komunistët e shtetit amë) por si protagonist i ngjarjeve më kulmore të Shqipërisë ç’prej vitit 1912 e deri më 1944.Ai është pjesë e historisë së këtyre viteve dhe pamvarsisht se ende sot anatemohet prej disa mjeranëve,pseudohistorian ideologjik,kjo asesi nuk mund t’ia fshehë vlerat,ashtu sikundër ndonjë re e zezë,kalimtare,nuk mund të fsheh dritën e diellit. Mustafa Merlika,lindi në qytetin historik të Krujës më 15 mars 1878.Aty i mori edhe mësimet e para në gjuhën turqishte,por duke u mëkuar me legjendat e famshme të kalasë së qytetit, ku qindra vjet më parë,kryetrimi,Gjergj Kastrioti pat ngritur flamurin e lashtë arbëror.Qytetin e vet e desh me mall dhe kur shkoi në Janinë për të vazhduar gjimnazin,kish dëshirë ta thërrisnin Mustafa Kruja.Këtë mbiemër ai e mbajti me nder,deri në ditën e largët kur dhe mbylli sytë.Në qytetin shqiptarë të Janinës,tanimë në moshën 16-17 vjeçare,nga shqiptarët e atyshëm do të njihte trimërinë e Ali Pashait të Tepelenës,i cili la gjurmë në kohra sa për trimëritë,aq edhe për rrebelizimin e tij. Falë rregullave të forta të gjimnazit,Mustafa Kruja do të paisej me kulturë të madhe për kohën e vet. Ndërkaq ai do të dallohej ndër gjimnazistët e tjerë,për etjen e madhe që shfaqte në rrafsh të përvetsimit të kulturave të lashta si edhe atyre të kohës.Me nxitjen e prindërve të vet,pasi ka mbaruar mjaft mirë gjimnazin e qytetit shqiptar të Janinës,Mustafa Kruja,sikundër qindra e mijëra bashkëkombas të atyre viteve,merr rrugën për në Stamboll,në kryeqendrën e perandorisë Osmane.

Më 1905,filloi studimet e larta në Universitetin Mylkije të Stambollit,në shkencat politike dhe administrative,aty sigurisht tejet enregjik,biri i Krujës do të jetë i preferuar në shoqërinë e atdhetarëve shqiptarë,të cilët patën filluar përpjekjet për një lëvizje madhore të kombit të tyre,në kahjen e ideve të pavarsisë.Qysh herët,Mustafa Kruja,shquhet për prirjet e tij në fushën e publicistikës.Ndonëse student,mësimet nuk e pengojnë asapk të marrë lapsin dhe të shkruaj në shtypin osman të kohës,mbi problemet e mëdha që patën kapluar në fillim të shekullit 20-të perandorinë osmane.Por guximi i birit të Krujës,do t’i kalonte idetë e shprehura në faqe të gazetave. ”Atdhetari i flaktë dhe përkrahës i pamvarsisë së kombit të vet,u gjind do s’do,i përfshimë në ngjarjet politike,tue marrë pjesë aktivisht në përpjekjet për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi osman.Në 1909 u përjashtua nga Univeristeti si protagonist i një demonstrate të rreptë të studentëve në favor të minoriteteve kombëtare të perandorisë osmane”.( Mustafa Kruja “Antologji historike “ Sejko 2001 , faqe 8 ).

Edhe pas kësaj,Mustafa Kruja nuk do të rreshtete përpjekjet atdhetare për të ndihmuar çështjen tone kombëtare.Shkrimet e tij në vite 1909-1910,(me pseudonimin Asim Xhanani) do të tronditnin ate system të kalbur të autokracisë osmane,duke bërë thirrje për më shumë të drejta ndër popujt e vegjël,të rrobëruar.Në këto vite,pos të tjerave,Mustafa Kruja do të njihet edhe me atdhetarin tjetër të shquar Mid’hat Frashërin,me të cilin do ti lidh miqësi burrash të përkryer.Në verën e vitit 1910,Mustafa Kruja merr titullin në shkencat politike dhe administrative të Universitetit të Mylkijes dhe detyrën për të punuar në qytetin e Durrësit. 23 vjeçar,me dëshirën e madhe për t’i shërbyer atdheut,me aftësi të dukshem në punët e administrates,çuditërisht Mustafa Kruja nuk do të pranonte ofertën e Esat Pashë Toptanit,për të punuar si nënprefekt i Durrësit.Biri i Krujës,në shum pak takime që pati me Esat pashën,dyshoi në atdhetarizmin e tij,në të kaluarën disi të errët,ndaj edhe la pezull dorën e shtrirë për bashkëpunim të Esatit.Përkundër “Ndereve” të propozuara nga Pashai i Shqipërisë së Mesme,Mustafai u punësua në Durrës,por në detyrën që vet e dëshironte të thjeshtë dhe modeste,si mësues i matematikës.”Në këtë qytet,u lidh me Don Nikoll Kaçorin dhe Abdi bej Toptanin me të cilët zhvilloi veprimtari kombëtare”( B.Gaçe,”Ata që shpallën pavarsinë kombëtare” – Tiranë 1997 , faqe 98 ).

Në vitet 1911-1912,ndonëse jepte lëndën e matematikës në gjimnazin e Durrësit,ai kurrsesi nuk mund të ishte indiferent për gjithshka ndodhte në trojet shqiptare.Ngase bashkëpunonte me atdhetarin Abdi bej Toptanin (kushëriri i Esat Pashës) në pranverën e vitit 1912, e le gjimnazin dhe i përkushtohet me gjith shpirt ngjarjeve nacionale që po tentonin pavarsinë e trojeve tona.Me nismën e tij shkon në qytetin e Krujës falë emrit të nderur të familjes,por edhe emrit të tij,organizon çetat e para luftarake kundër sundimit osman.Më pas kalon edhe në rrethina të Matit dhe duke i shtrirë dorën e bashkëpunmit 17 vjeçarit Ahmet Zogu,arrin të ngrejë edhe aty formacionet vullnetare popullore në dobi të çështjes shqiptare.Kështu që,kur në verën e vitit 1912,forcat e garnizonit turk të krujës,donin të bënin reprezalje në qytet e rrethina,kinse flitej hapur kundër qeverisë së Stambollit,Mustafa Kruja mblodhi disa qindra luftëtarë të armatosur dhe duke rrethuar garnizonin lëshoi ultimatumin se batarja e pare e osmanlinjëve,do të ishte fillimi i luftës,mandej le të fitonte kush të ishte më i zoti.Komandanti i garnizonit të qytetit,ftoi Mustafanë në bisedë dhe pas këtij kuvendi të dy palët ulën armët.Por askush prej osmanlinjëve nuk e ndjente në ato momente vehten të sigurtë,ndërsa nacionalistët krutanë parashihnin tek figura e Mustafa Krujës,prijësin e tyre energjik dhe syçel.

Në tetorin e vitit 1912,Mustafa Krujën e shohim në Shkup,për të biseduar me udhëheqës të tjerë të lëvizjes kombëtare shqiptare siç ishin Bajram Curri,Mid’hat Frashëri,Rexhep Mitrovica,Bedri Pejani,Sali Gjuka etj.Në emër të popullit të Krujës,Mustafa Merlika çoi në Shkupin e lashtë shqiptar,mesazhin e madh të bashkimit të krejt shqiptarëve,për arritjen e pavarsisë së tyre.Ai çoi gjithashtu në zemër të Maqedonisë shqiptare,besën e madhe krutane për të luftuar deri në fund për kufijtë e rrezikuar të vilajeteve shqiptare.Ndërkaq në Krujë e rrethina,emri i Mustafa Krujës,po përcillej me respekt të madh.Nën shembullin e tij,ishin me dhjetra atdhetarë,të cilët lanë bangat e shkollave për të rrëmbyer armët në mbrojtje të flamurit kuqezi.Është kjo arsyeja që populli i qytetit të Krujës dhe rrethinave,së bashku me Abdi bej Toptanin,zgjodhi si përfaqsues në kuvendin kombëtar të vlorës(28 nëndorë 1912) edhe Mustafa Krujën,birin e vet që pat dhënë prova të pashembullta të heroizmit.Firma e tij,në listën e madhe të firmave të dhjetra patriotëve dhe atdhetarëve të tjerë ;”është shënuar me emrin,Mustafa Asim Efendija”(Lef Nosi “ Dokumente Historike – Elbasan 1924 , faqe 119 ).Në ditët historike të kuvendit të Vlorës,fjala e Mustafa Krujës u dëgjua me respekt,pamvarsisht moshës së re të tij.Në proces verbalin e mbledhjes së parë të këtij kuvendi,pasi u vërtetuan kartat e kandidatëve : “Fjalën e mori z.Salih Gjuka e tha që,duke qenë se Korça ndodhet sot e qarkuar nga ushtria e nuk mund të dërgojë delegatë dhe duke qenë se atdhetaria e Korçës është njohur,kërkon që të pëlqehen si përfaqsonjës të Korçës zotërinjtë : Pandeli Cale,Athanas Floqi e Spiro Ilua.Mbledhja me plotsinë e zerave e pelqeu kete vendim.

z.Mustafa Asim Efendiu kërkoi edhe që për Shkodrën të pëlqehet Luigj Gurakuqi,i cili ka qenë edhe në mbledhje të tjera kombëtare përfaqsues i Shkodrës dhe është nga inisiatorët e mbledhjes së sotme.Kuvendi me plotësi zërash e pelqeu z.Luigj Gurakuqi përfqsonjës i Shkodrës”.( Gazeta “Përlindja e Shqypnis” viti II,nr 6-7, datë 31 janar – 4 shkurt 1913 ).

  Ngase dallohej për ndershmëri dhe korrektësi në punët e administratës shtetërore,me propozim të Ismail Qemal Vlorës,Mustafa Kruja emërohet si nënprefekt i qytetit të Vlorës.Këtu duhet pasë parasysh se në atë kohë Vlora shërbente edhe si rezidencë e shtetit të parë shqiptar,me ç’rast detyrat dhe përgjegjsitë ishin tejet të mädha dhe të ndërlikuara.Nën trusninë e një finance të dobët,Mustafa Kruja u përpoq të bënte ç’të mundete për qytetin e Vlorës,të cilit i mungonin jo vetëm dritat,rrugët dhe shkollat por edhe buka e gojës.Po aq sa për punët administrative,Mustafa Kruja u përkujdes edhe për furnizimin e ushtrisë dhe xhandarmërisë së prefekturës së vlorës,formacionet e të cilave ishin çdo ditë në përpjekje me armiqtë e shtetit të pavarur shqiptar.Disa muaj më vonë,Mustafa Kruja emërohet në detyrën e drejtorit të arrësimit në rrethin e Elbasanit.Ai gjen përkrahje të madhe në personalitetin e Aqif Pashë Elbasanit ( asaj kohe prefekt i qytetit) dhe ndërrmer nisma të mëdha për përhapjen e arësimit dhe shkollave shqipe jo vetëm në qytet por edhe në fshatra.Energjik nga natyra por edhe njohës i mirë i mentalitetit shqiptar,Mustafa Kruja punon ditën dhe natën për shkollimin e bashkëkombasve të vet,i bindur në idenë se pavarsia e një kombi mbrohet me pushkë dhe pendë.Shtypi shqiptar i asaj kohe duke pëlqyer cilësitë e birit të Krujës,shkruante: “Një nga nënpunësit më të shkathtë dhe puntor që ka Elbasani,asht zotnija e tij Mustafa Asim Kruja,drejtor i arësimit”.(Gazeta “Përlindja e Shqynies “ 1914 ).

Ndërkaq ngjarjet në Shqipëri sa vinin e përkeqësoheshin,qeveria e Ismail Qemal Vlorës,po goditej nga të gjitha anët,si nga faktorët e brendshëm ashtu edhe ata të jashtëm.Fuqitë e Mëdha,duke paraparë në horizont interesat e tyre,dërguan në Shqipëri,Princ Vidin,i cili do të përpiqej ta kalonte krizën shqiptare.Ndër elementët turbullues më të rrezikshëm,u shfaq në vitin 1914,Esat Pashë Toptani,i cili nëpërmjet lëvizjes së Haxhi Qamilit,donte të rrëzonte Princ Vidin për të vendosur në krye të Shqipërisë së coptuar një princ tjetër.Me porosi të Aqif Pashë Elbasanit,Mustafa Kruja le detyrën e drejtorit të arësimit dhe shkon në qytetin e lindjes.Aty bashkëpunon ngushtë me Abdi Bej Toptanin dhe atdhetarë të tejrë,duke mos lënë që lëvizja rebele e Haxhi Qamilit të depërtonte në Krujë.Pas largimit të Princ Vidit,Esta Pashë Toptani u vetshpall si kryetar i parisë së Durrësit,Tiranës,Krujës e rrethinave,duke patur sigurisht ndihmën e të huajve e sidomos Italianëve.Me urdhër të tij,Mustafa Kruja internohet në Itali,në fillim në qytetin e Barit e mandej në ishullin e Favinjavës në perëdnim të Sicilisë.Dy vjet ai do t’i kalonte në këtë ishull,sigurisht larg atdheut dhe familjes,por pranë librave e studimeve që i kishte aq fort në zemër.Në verën e vitit 1917,biri i Krujës lirohet nga internimi dhe shkon në Romë.Aty bie në kontakt me atdhetarin e njohur shqiptar Sotir Gjika,me ç’rast të dy së bashku botojnë gazetën politiko-letrare “Kuvendi”. Në detyrën e kryeredaktorit të kësaj gazete,Mustafa Kruja do të shpallosë ide të shquara për ardhmërinë shqiptare.Ai do të përpiqet me çdo kusht të ringjallë tek bashkëkombasit e vet,ate ndjenjë të shquar nacionale si në vitin 1912,për të rikthyer atdheut besimin e humbur.

Në vjeshtën e vitit 1918,i ndikuar sidomos nga Sotir Gjika,Luigj Gurakuqi dhe Abdi bej Toptani,shkon sërish në Krujë dhe 1 muaj pas shkuarjes atje,populli i qytetit e zgjedh përfaqsues të tij në Kongresin e Durrësit.Siç dihet,më 25 dhjetor 1918,në Durrës u formua qeveria e përkohshme shqiptare nën drejtimin e Turhan Pashës.Falë reputacionit të madh që gëzonte,Mustafa Kruja në këtë qeveri,emërohet në detyrën e ministrit të Postë-Telegrafeve.Më pas,në vitin 1919,ai do të ishte në delegacionin shqiptar për Konferencën e Paqës në Paris ku së bashku me atdhetarë të tjerë shqiptarë do të ngrinin zërin në mbrojtje të fateve të vendit të vet. Me dhjetra telegrame, memorandume e peticione të qeverisë shqiptare në konferencën e Paqës,mbajnë pikërisht nënshkrimin e Mustafa Krujës.Një ngjarje tjetër që flet për vizionin e gjërë dhe atdhetar të Mustafa Krujës,është Këshilli Kombëtar i dalë prej zgjedhjeve parlamentare,të lirë,në vitin 1921.Në këtë Këshill Kombëtar,Mustafa zë vend si përfaqsues i popullit të Kosovës,i cili,duke u mbështetur në vetitë më të vyera të burrit e pranoi ate si zërin e vet në ngjarjet kulmore që kalonin viset shqiptare.Të dhënat e shumta arkivore,provojnë se ndër shqetsimet e mëdha të këtij Këshilli Kombëtar,ishte dhuna serbosllave në Kosovë dhe Maqedoninë shqiptare.Në diskutimet që këshilli bëri në korrik 1921,Hasan Prishtina,kërkoi që të dërgohej një komision parlamentar në Romë,Paris e Londër,dhe deri në Vashington,për t’i bërë të qartë botës  se çfar po ndodhte me shqiptarët jashtë kufijve politike të shtetit amë.Menjëherë pas fjalës së Luigj Gurakuqit,diskutoi deputeti i Kosovës,Mustafa Kruja i cili jo vetëm përkrahu Luigj Gurakuqin,por propozoi për ta vënë problemin mdhahorë të Kosovës në urdhër të ditës.Propozimi i deputetit Kruja u pranua nga të gjithë të tjerët,mandej u lexua edhe urdhëri i ditës i punuar prej Mustafa Krujës ku hidhej ideja e formimit të një komisioni parlametar prej tre vetash,për të shkuar pranë parlamenteve të kombeve kryesore “Me qëllim që të mundohen me i shty ata,për me detyru qeveritë e tyre me mjete që kan në dorë,për krijimin e të drejtave njerzore e kombëtare të vllezërve tanë”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë. Fondi 246, dosja 43 , fleta 19 ).

Në vitet 1922-1924,mërgon nga Shqipëria dhe lidhet sidomos me atdhetarët Aqif Pashë Elbasanin,Azis Çamin,Halim Pashë Derallën dhe Hajdin Dragën.Ndjen së brendshmi se ka mospërputhje të mendimeve të tij me Ahmet Zogun dhe për këtë arsye nuk pranon të bashkëpunojë me të.Vetëm 6-7 muaj shkon në Shqipëri në vitin 1924 dhe largohet po në fund të atij vitit së bashku me familjen,për t’u kthyer në atdhe në vitin 1940.Në periudhën kohore 1925-1940,më së shumti ai qëndron në Itali e Zvicër.Studiues i apasionuar,njohës i shkëlqyer i greqishtes,italishtes, turqishtes,frengjishtes dhe gjuhës sllave,punimet e tij,në këto vite do të drejtoheshin në rrafshe të ndryshëm,por kurdoherë brenda historisë dhe gjuhës së shqiptarëve.Do të ishte interesant,sjellja në këto radhë, e mendimit të thellë të Mustafa Krujës,lidhur me etimologjinë e emrit shqiptar.E them këtë,pasi Kruja,futet nëpër labirintet e gjuhës,duke patur parasysh sidomos historinë e kombit të vet.Ja çka thotë ai tekstualisht.”Mue as emri i mbretit të shpendëve s’ma mbush mendjen per etimologjinë e shqiptarit.Ma parë nuk ma rezulton që populli shqiptar,flas për popullin,për turmën,natyrisht dhe jo për poetët e shkrimtarët,t’i kenë dhënë ndonjëherë atij zogu,ndonjë farë rëndësije të veçantë,për të zgjedhur emrin e tij,per emën e vet.E quem shqipe ose shqype,shiponjë e shkabë,shkabonjë.Mundohet me e  vrame kudo që ta shohë,pra s’ka ndonji simpati të madhe për te… S’mjafton simpathija,admirimi poet edhe adhurimi per diçka,ose një trill çfardo,per me lanë nji   emen të vjetër,të trashiguem brez pas brezi,per me marrë nji të ri.Për këte duhen shkaqe me të thella,duhen shkaqe historike e psykologjike shumë të rëndësishme”.(M.Kruja “Antologji Historike” – “Sejko” 2001 , faqe 122 ).

Gjatë kohës së qëndrimit në Itali,dijetari dhe atdhetari Mustafa Kruja,pos të tjerave arrin të hulumtojë edhe në dorëshkrimet e rralla të bibliotekës së Venedikut.E cila ruante në arkivat e saj mjaft të fshehta për derën e princërve të Kastriotëve.Mendohet se pikërisht mbi bazë të këtyre dokumentave,por edhe prej hulumtimeve në Rumuni e Zvicër,Mustafa Kruja të ketë dalë në konkluzionet e mëposhtme ; “S’ka gja që s’bahet.Por me faktet historike e gjeografike që kemi sot në dorë,une them se Kastrijotëve tanë,troje me të vjetër se ato të Kastriotit të Dibrës nuk mund t’u caktohen.Dynastija e Kastrijotëve i ka pasur rranjët në Dibër të Poshtme.Origjina e Hasit lyp prova shumë ma të sigurta se ato që permenden në veprën e Fan Nolit… Gjoni,i ati i Skenderbeut,i permendur nder dokumenta qyshe prej datës 1407 ka sunduem krahinat e Dibrës,Matit, Krujës , Tiranës,Shijakut,Kavajës,Bregun e Mates deri afër Lezhës”. (M.Kruja”Antologji historike” –“Sejko” – 2001 , faqe 254 ).

Sidoqoftë,ajo ç’ka do të përflitej gjatë lidhur me personalitetin e Mustafa (Krujës) Kosovës,është padyshim detyra e tij si kryeministër i qeverisë shqiptare në vitin 1940-1941.Duke shkuar nga Zvicra për në Shqipëri,në vitin 1940,Mustafa Kosova (kështu ka qenë edhe i njohur),vendoset në Tiranë dhe me propozimin e disa intelektualëve shqiptarë inicon çeljen e Institutit të studimeve shqiptare.Tri muaj më pas,emërohet drejtor i këtij Instituti dhe në nëndorin e vitit 1940 ngarkohet me detyrën e kryeministrit të Shqipërisë.Historiografia shqiptare e dalë prej pelenave të arkitekturës bollshevike,ende sot, e merr funksionin e Mustafa krujës në ato vite,si shembull i bashkëpunimit me Italinë.Dhe ku bashkëpunimi nuk mohohet.Po Mustafa Kruja nuk hypi askurrë në atë fron për të përfituar për vehte.Ai parashihte rreziqet e mëdha që i kanoseshin krejt trevave shqiptare dhe Italinë e parshihte vetëm si instrument me anë të të cilit do të realizonte Shqipërinë Etnike dhe të rimëkëmbte sadopak ekonominë e rrënuar shqiptare.Por vlen të mos harrohet edhe diçka tjetër.Mustafa Kruja ka qenë ndër ata intelektualë shqiptarë,të cilët më tepër se kushdo,ndjenin së largu dhe parashihnin rrezikun komunist që i kanosej Shqipërisë.Tejet energjik,në detyrën e kryeministrit shqiptar,ai do të drejtonte me dorë “të hekurt” luftën kundër komunizmit,si rrymë ideologjike jashtë kontinuitetit shpirtëror e moral të shqiptarëve.Janë dhjetra lëvizje të menduara të tij,për të goditur qysh në rrënjë,pemën e helmuar të komunizmit.Mjafton të sjellim në këto radhë një prej qindra urdhërave të tij,të cilat gjenden në arkivat e shtetit shqiptar,për tu bindur pse historiografia komuniste ka dashur të nëpërkëmbe emrin dhe veprën e Mustafa Krujës. “Urdhnoj forcat tona të gjindarmërisë,të marrin masa sa ma të rrepta e t’domosdoshme,kundra gjithfarë levizjesh të komunistëve shqiptar,të shitun tek sllavo-bullgarët”(Arkivi Qendror i shtetit –Tiranë. Fondi Kryeministria, dt.6 maj 1941 ).Po aq sa ish i rreptë me komunistët shqiptarë,po aq ishte i afërt me nacionalistët e krejt trevave shqiptare.Kujdesi i Mustafa krujës,veçanërisht për Kosovën,shihet edhe në një varg zgjedhjesh që ai kreu në funksionin e Kryeministrit,sidomos për çeljen  e shkollave shqipe si edhe organizimin e mbrojtjes sonë kombëtare.Edhe mbas dorëheqjes së tij si kryeministër (kjo donte të thoshte se bashkëpunimi i tij me italianët ka patur parakushtet e veta) Mustafa Kruja nuk e ndërpreu veprimtarinë e vet atdhetare.Anipse,nuk mori më funksione shtetërore,biri i krujës do të bahskëpunonte me Rexhep Mitrovicën,Azis Camin,Bedri Pejanin, Mid’hat Frashërin dhe Fuad Dibrën duke dhënë ndihmesë të çmuar në krejt lëvizjen nacionale shqiptare.Me nismën e tij,Mustafa Kruja,ky intelektual i madh dhe i shquar,ndonëse i kishte rrugët dhe dyert e hapura në krejt Evropën,preferoi më mirë të grumbullonte dhjetra burra e të të luftonte kundër forcave komuniste,të cilat,që në traktet e para të hedhura tinëz nëpër rrugë kishin dënuar me vdekje birin e Krujës.Në verën e vitit 1944,atëherë kur forcat gjermane po e linin të detyruara Ballkanin,komunistët shqiptarë muarrën zemër dhe u vërsulën mbi nacionalistët shqiptarë.,në bashkëpunim me serbosllavët.Në këto momente,Mustafa Kruja ndodhet kurdoherë pranë mikut të vejtër të tij ,Mid’hat Frashërit,duke u përpjekur t’i bëjnë ballë sulmeve të hapura të komunistëve.Vetë historiografia shqiptare është e detyruar të pohojë se : “Kreu i Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri,ish kryeministri kuisling Fiqri Dine,Mustafa kruja e të tjerë,vinin rrotull zonave të veriut,binin në kontakt me bajraktarë e krerë tradhëtarë duke i bërë thirrje popullit që të qëndronin duke i mbajtur me shpresën se së shpejti do të zbarkojnë ushtritë anglo-amerikane”.(Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar” vëllimi 4 , faqe 511 ).

  Në rrjedhën e këtyre ngjarjeve,në shtatorin e vitit 1944,Mustafa Krujën e lajmërojnë se biri i tij,Besimi,student në Vienë,ishte sëmurë rëndë.Biri i Krujës ngarend drejt Vienës,por me gjithë kujdesin e madh,Besimi 19 vjeçar vdes.Vdekja e djalit,sidoqoftë do të shpëtonte jetën e atit.Në fillim të vitit 1945,Mustafa Kruja shkon në Itali ku rri disa vite.Më pas,në vitet e 50-të të shekullit që lamë pas e shohim në Egjypt ku ndjehet sigurisht më mirë në shoqërinë e Ahmet Zogut.Nga Egjypti shkon në Francë për tu prehur në vitet e 70 në Amerikë.Gjatë tërë kësaj kohe,ai punoi me vullnetin dhe intelegjencën që e karakterizonte,për të hedhur sa ma shumë dritë mbi fatin e mjerë të popullit shqiptar.Botoi me dhjetra artikuj në shtypin evropian dhe ate amerikan për çështjen shqiptare por meraku i tij,deri në varr,ishte “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i cili mbeti pa botuar dhe kishte mbi 2500 faqe.Një mikut të vet,më 1949 do t’i shkruante ; “Kam lanë në Shqipni nje mori dokumentash të jetës seme,që sigurisht janë bamë hi e tym ose pluhun në duer te komunistëve.S’mujshim me i bartun me vete,kur u ndava i deshpruem prej atdheut dhe familjes.Atje lash edhe dorshkrimin e fjalorit”.

  Me këtë brengë si edhe me dhimbjen e madhe për fatin e zi të kombit të vet,Mustafa Kruja,ky burrë i madh i shtetit,shkenctar,studjues e antikomunist i vendosur,mbylli sytë përgjithmonë më 27 dhjetor 1958 në qytetin Niagara Falls të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bern-Zvicër

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: ANTIKOMUNIST I VENDOSUR, burre shteti, Eugen Shehu, Mustafa Kruja

Një nga thëniet e ndritura të At’ Daniel Gjeçaj

August 30, 2017 by dgreca

Folësi i mrekullueshëm, me zë të bukur, kumbues, shpirtkulluar dhe përplot stil i Radio Vatikanit për 30 vite rresht në Seksionin Shqip…/

atdanielgjecaj

Shënimet 1977/

 Nga Xhevair Lleshi/Jemi ende të rinj. Kena lanë çdo gja pasdore, kalojm’ ditën me të shkepme, i merrna gjanat siç vin’ dhe krijojm’ grupe me katër e pesë vetë, shtojm’ përdit edhe kokoroshë e pijetar, gjejm’ talente, ushqejm’ iluzione lávdi, humbim rrugët, rrëmojm’ ndër xhepa dhe s’gjejm’ ma kurrgja, natën e ditën, verës a dimnit, rrim’ me ftyrë kah dritaret e m’dha t’botës dhe asnjëherë nuk hymë dot brenda tyne, përjetojm’ situata komike, themi batuta të shkëlqyeme, harrohemi pas të bukurës dhe pas femnave, dalim në skenë dhe ia këpusnim kot dhe plot, pa pikë turpi e kthejm’ çdo gja përmbys dhe kjo na kënaq  gjer në marrí, pa dhe me paterica, të ligur e të fishkur, futemi kudo e dalim nga kudo, xam’ tryezat ma t’mira dhe presim pa ndoj qëllim, nuk  përfillim kurrkand, nuk na del pija e nuk kujtohemi ma për asgja, kalamendemi, heqim shpirt pa ndihmën e kujt, mbështetemi pas murit me nji këmbë vënë pas të palosun, durojm’ dhimbjet me një shtrembnim të shëmtut tiparesh, herë-herë e marrim veten n’dorë, kqyrim njerëzit e tjerë rreth e rrotull, shpresojm’ për nji gja ideale pa pikën e turpit, herë jemi qytetarë të nderuem, herë hermafroditë, herë katundarë verioro-jugoro-lindoro-perëndimorë, e kena bá zanat bezdinë, s’lam’ asnje dhe asgja pa kërcnue , pastaj ngecim si miu në çark, shpërbahena në një furtunë dhe frymë dielli, shpërthejm’ nga gazi dhe pija, nga mungesa e dashnisë dhe mallkimit, përlajm’ lekë e gjellë e ç’gjejmë përpara, bahemi edhe aktorë çfarëdo edhe brilantë edhe dosido edhe coftina, po krejt siç jena, fare injorantë, rrimë ca aty ku dergjet sëmunda të cilën dimë ta  përqeshim, jemi po ne që shtyjmë t’keqen dhe t’mirën, punojm’ aq sa na bie bretku, s’duam t’ia dimë për fundin e natës a për fillimin e një ditë të re, bahena befas tejet të famshëm, dhe na njofin t’gjithë, hedhim e presim batuta e qyfra, shpërdorojm’ ç’të mundna, zgjatim duart për të mirën e njerëzimit, nuk e japim kurrë tonën, nuk dimë ku po shkojm’ e nuk dimë ç’na pret, fillojm’ faljen, bajm’ kurbane, shohim gjakun ndër këmbë, mbajm’ vesh ç’ngjet në Azinë Juglindore, kapim këdo që na e ha syri, merrna vesh mirë por ma shum’ grindemi sesa kuptohena si njerëz, e shtyjmë çdo gja për ma vonë sepse… sepse jena t’lodhun e t’shkalafitun, pastaj kur s’jemi në të sigurisht s’mbajm’ mend asgja, flasim edhe me gëzim, ka raste që edhe zhdukemi, zdërhallemi, por edhe shpërthejm’ n’brohorima, pastaj n’heshtje, shkrepim fyshekzare, themi barsoleta pa fund, dhurojm’ t’qeshuna t’bujshme, hipim madje deri në qiellin e shtatë gjithnji me raki t’pastër ball’ kazani, bajm’ qyfra politike, hapim shkolla e spitale po të duam sepse jemi vërtet t’aftë që ta bajm’ edhe politikën gazmore… dhe të gjitha kto ndodhin pasi ne vdesim për atdheun, atdheun që s’e kena ma, atë që e kërkojm’ n’hartë e s’e gjejmë, që ka humbur diku në labirintin e tmerrshëm të botës… Sepse kështu ndodh gjithnji, atdheun e duam kur s’e kemi ma. Përshkojm’ fushat dhe malet e atdheut dhe kemi gjithnji n’zemër nji breng’ të pakuptueshme. Çohu, bre burrë! O pykë në diell, o patericë, or malok, o sakat me këmbë, or lypës… Sa herë vjen ndonjë i ri për të filluar punë ne lujm’ me të se e duam atdheun! Ne e kemi atdheun – t’mirë – t’pasun – t’vorfën – t’keq – ndaj bajm’ naze, madje e shkundna gjer në fund, e pim si kupë rakie, ia mësojmë shkronjat, ia vëmë themrat nga majat dhe mallkojmë duke thanë «mos ia pafshim bojën»! E duam atdheun prandaj jena kaq t’thjeshtë dhe gati t’dhembshun dhe kur qeshna mbytena n’lot, martojmë madje trishtimin me gazmendin e tjetërfartë, mbytena edhe n’humorin tonë, kthehena n’mumje arkivi, tregojm’ saga islandeze se ato të atdheut tonë ose s’i kemi ose i kena humbur, festojm’ vetëm vitin e ri, ditëlindjen e partisë dhe të revolucionit socialist të tetorit të mëmës Rusi, marrim në vit ndonjëherë nji kilogram mish – aq sa fal Atdheu! Rroftë Atdheu! Poshtë Atdheu! Dhe qajm’ me lott breshní kur Atdheun e dashtun s’e kena ma… Amen!

Filed Under: ESSE Tagged With: At Daniel Gjecaj, thenie et ndritura, Xhevair Llesi

NJË ALBUM I SHKËLQYER I ATJON ZHITIT NË DATËLINDJEN E 22-TË TË TIJ

August 30, 2017 by dgreca

2 AtjonHappy Birthday Atjon

Në datëlindjen e 22-të e Atjon Zhitit, (30 Gusht), “studentit-engjëll” siç e quajnë të gjithë, doli dhe është shpërndarë librarive kryesore të Kryeqytetit një Album i shkëlqyer me vizatime të tij.Brenda 250 faqeve me format të madh “Opera Atjon” përmbledh skica të fëminisë dhe të adoleshencës së autorit, punime e kompozime të ndryshme, ku shpaloset një botë me plot fantazi, me lëvizje dhe dritë, me dashuri e ëndrra, që dëshmon furishëm dhe një anë tjetër të talentit shumë planësh të Atjonit.

Albumi është përgatitur nga kritiku i artit, piktor dhe botues, Gëzim Tafa. Ai ka realizuar me estetikë dhe freski një vepër, sa rinore, po aq dhe të qendrueshme, ku ngjyrat janë dhe emocione, ku linjat japin dhe mesahe, nga konturet e të cilave shpërthejnë dëshira…

Albumi është dy gjuhësh, shqip dhe italisht, nga që Atjoni studionte në Itali, në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano për Filozofi dhe ishte anëtari më i ri i PEN Clubit italian.                                                                                               Në faqen e parë të Albumit janë vënë fjalët e Eda Zhitit, mamit të Atjonit: “…këto vizatime të Atjonit, të fëminisë dhe adoleshencës së tij, i ruaja si thesar timin për të ardhmen, që t’ia jepja një ditë si befasi e bukur… por Ai, me flatra qiellore, befasisht u largua dhe na i la të gjitha për t’ua dhënë të gjithëve…”

Në parathënien e tij, “Kutia me xixëllonja” studiuesi dhe kritiku i artit, Prof. Gëzim Qendro, kuratori dhe i ekspozitës së Atjonit në Universitetin “Polis” ndër të shpjegon: “…Të rrethuar nga vallëzimi i dritëzave misterioze nisim të ecim përmes tyre dhe fillojmë të dallojmë në mugëtirën e kopshtit shëmbëllesa, forma dhe silueta shpesh të pakuptueshme…                                                                E kështu të dalldisur nga vallëzimi i xixëllonjave rrotull nesh endemi nëpër kopsht duke pyetur veten se kushedi sa mirë do të jetë ndjerë Atjoni brenda këtij kopshti të magjishëm… Demiurg i plotfuqishëm që me pak prekje dhe lëvizje krijon një univers që nuk ekzistonte më parë. Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar…”.

Dhe ja, shfletojmë, vizatimet e para, kur Atjoni ishte 3 vjeç e gjysmë, “Nënë Tereza dhe kryqet”, për të cilat do të shkruante dhe gazeta e njohur e Vatikanit “L’Osservatore Romano”. Ja ç’thotë gazetari i saj, Giampaolo Mattei: “…vizatimi i tij është një ‘strategji politike’ e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.”

Në album, krahas gazetës vatikanase, është dhe faksimilja e gazetës shqiptare “TemA” që e botoi këtë shkrim që në vitin 1999.

Dhe vijonë punët si një ditar gëzimesh fëminore, personazhe përrallash moderne televizive, kafshë të humanizuara, peizazhe, vendlindja, shkolla, pllakate, portrete, qiell me yje, galaktika, etj, etj, universi Atjon, siç e quan në pasthënie përgatitësi i Albumit, Gëzim Tafa. Ndër të tjera ai sintetizon:  “Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…”

Në kapitullin e fundit të Albumit “Opera Atjon” janë “të tjerët për Atjonin”, vizatime kushtuar atij nga Mjeshtrat e shquar Ibrahim Kodra, Nestor Jonuzi, Skender Kamberi, Maks Velo, Sali Shijaku, etj, e së fundmi nga piktori i ri Gjergj Kola.

Krahas autografëve, dhënë Atjonit nga shkrimtarë të njohur, janë dhe disa thënie të tyre për atë: “Atjoni është djali që cdo prind do të donte ta kishte të vetin” shkruan poeti Italian, Presidenti i PEN-it, Sebastiano Grasso

Ndërsa poeti me famë botërore, Adonis, që më shumë se prej 30 vjetësh jeton në Paris, do të thoshte: “Atjoni e iluminonte poezinë, sepse ai vetë ishte pothuajse një poeme magjike…”

Shkrimtarja Helena Kadare, në letrën e saj dërguar bashkarisht me shkrimtarin botëror Ismail Kadare kujton: …E kam ende të gjallë buzëqeshjen e tij të çiltër, kokën e bukur plot kaçurrele të zinj, tek vraponte galerive të Muzeut të Arteve në Vjenë, për të kapur dhe kuptuar gjithçka mahnitëse të atyre tablove të mjeshtërve të mëdhenj, që po vizitonim së bashku. I them këto se nuk është diçka e zakonshme për një fëmijë të moshës së tij ai pasion dhe ajo kureshtje, për të mësuar njëherësh dhe sa më shpejt gjithçka….

Kjo fytyrë e bukur engjëllore… Ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…”.

Ky paragraf është vendosur dhe në kopertinën e pasme të Albumit, që del pas botimit me suksese të librit me ese të Atjon Zhiti “Për atë që dua(m)” si dhe dy librave të të atit, Visar Zhiti, ku Atjoni, si të thuash është bashkautor, ilustrues i vëllimit me tregime “Valixhja e shqyer…” dhe përmbledhjes me poezi botuar në Itali “Ku është jeta?”.

Edhe pse në fillimet e tij, të ndërprera tragjikisht, Atjon Zhiti vazhdon të na magjepsë me bukurinë e shpirtit dhe të bëmave rinore, të asaj që na jep vazhdimisht si në këtë 22 vjetor të datëlindjes së tij: frymëzime dhe dritë.- Nga “Lajmëtari i së mirës”

Filed Under: ESSE Tagged With: dalip greca, NJË ALBUM I SHKËLQYER I ATJON ZHITIT NË DATËLINDJEN E 22-TË

AZEM NEZA NDËRROI JETË NË NJU JORK

August 29, 2017 by dgreca

Azem Neza

Azem NEZA 06/30/ 1937- 08-29-2017/

Familja Nezaj me banim në Nju Jork njofton miqtë, fare e fisin dhe komunitetin shqiptar, se ka ndërruar jetë në moshën 80 vjecare i dashuri i tyre Azem Neza . I ndjeri la në pikëllim të thellë bashkëshorten Merjemi(Dervishi) Neza, djalin Dritan Neza, vajzat Roberta, Natasha dhe Elvira, la nipër e mbesa dhe të gjithë fisin Neza.

I ndjeri ishte një ndër fatkeqët e dënuar nga regjimi komunist dhe së bashku me familjen e kaloi tërë jetën në internim(në Savër).

Njoftohet komuniteti se shërbimet mortore kryehen Ditën e Mërkurë me 30 Gusht 2017 nga Ora 2 pm deri në 9 pm në Shtëpinë Mortore Farenga Brodhers, që ndodhet në adresën:

920 Allerton Ave, Bronx, NY 10469

Ceremonia e Varrimit do te kryhet diten e Enjte, me 31 Gusht 2017

Telefoni i Shtëpisë Mortore:  (718) 654-0500.

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: AZEM NEZA, nderroi jete, ne Nju Jork

PER NJI ELITE PATRIOTIKE, DEMOKRATIKE, DHE PROFESIONALE

August 29, 2017 by dgreca

 1 ok Sami repishti2

Shkruan: Sami Repishti */ SHBA/

Ridgefield, Gusht 2017- Sot, shtypi shqiptar njoftoi vendimin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, parti në pushtet, për formimin e Qeverisë së re (Rama 2). Qeveria e re ashtë nji kombinim elementësh të ri – në moshë dhe në eksperiencë- me arsim të naltë, dhe shumica pa nji të kalueme politike komprometuese. Kryeministri Edi Rama pranoi se “PS ka marrë sot mandatin më të fortë në historinë e saj…” dhe “…ky është edhe një nga mandatet tona më të vështira”. Nji pohim i këtill ashtë korrekt.

Gjendja e krijueme tregon nji përqendrim të fortë të tre pushteteve në duert e nji partie politike të vetme. Teorikisht, ajo ashtë nji kombinim forcash që lehtësojnë rrugën drejt nji rregjimi autoritar i cili damton zhvillimin demokratik të vendit. Kjo strukturë më shqetëson; prandej sot shkruej!

“Të nesërmet plot këngë” që u premtuen nga revolucioni socialist në Shqipëri, u venitën nën peshën brutale të “diktaturës së proletariatit” dhe marrëzisë kolektive të ”luftës së klasave”që dërmuen fibrën morale e politike të lëvizjes të rezistencës popullore kundër pushtuesit të huej në vendin tonë. Si rrjedhim, pavarësia e rifitueme u përjetue si zgjedhë politike 45 vjeçare, ….dhe politikisht si nënshtrim ndaj të huejit!

Me ramjen finale të komunizmit, periudha e tranzicionit në demokraci tregoi se e vjetra refuzon me vdekë, dhe e reja demokratike nuk gjen fuqi të mjaftueshme me lindë dhe me u forcue. Sot, nevoja e rishqyrtimit të rrugës së kalueme gjatë këtyne 27 viteve ashtë e domosdoshme për të gjithë, sidomos tashti me krijimin e nji situate të re koncentrimi të pushtetit që rrezikon vetë demokracinë. Shqiptarët duhet të tejkalojnë “lodhjen” që ka shkaktue periudha e tranzicionit në vendin e tyne; dhe për këte, duhet të jenë ma të bashkuem se asnjiherë ma parë. Propaganda negative dhe shterpe e “rrugaçëve” të grupeve të ndryshme nuk duhet lejue me mbajtë vendin peng në nji kaos politik e konfuzion psikologjik. Kemi nevojë për ide të reja!

Çdo popull ka nji shpirt; shpirti i shqiptarit ashtë tradita shekullore e vlerave tona morale të besës, nderit, mikpritjes, burrënisë, lidhja me tokën e vendlindjes….Kur kjo traditë u thye nga uria e zgjedha politike, vendin tonë e mbuloi pabesia, shvlerësimi i nderit e burrënisë, dënimi me vdekje i mikpritjes, arratisja, e talljet publike “për meturinat e së kaluarës së errët reaksionare…” Terreni politik mbeti i hapun për abuzime, spekulime, çthurje morale e politike pa asnji pengesë.  Shpesh të inkurajuem nga vetë“pushteti i popullit”. Lindi “njeriu i ri”…! Natyrisht, faktet kanë rrjedhime, efektet e të cilëve i pësojmë edhe sot!

Edhe sot, më tingëllojnë në vesh fjalët e ish-vogëlushes Bajame Hoxha-Çeliku, emigrante në Bruxelles të Belgjikës: ”Ç’të keqe kemi bërë? Populli i thjeshtë pse na donte të vdekur?

Ç’u kishim bërë atyre?”pyeste vajza e internueme në Savër të Lushnjes.“Vllezërit Nebiu, njëkohësisht brigadierë dhe gjakpirës të vërtetë! Nuk ngopeshin me gjakun tonë! Vuajtëm por qëndruam.  Qëndruam burrëresha! Sepse luftuam me vdekjen!”Model i krenarisë së madhe, kjo vajzë e persekutueme shqiptare! Ajo edhe sot ashtë ajka e shoqënisë së djeshme dhe të sotme …motër e juej, motër e imja, motër e të gjithëve! Ashtë simbol i superioritetit moral të viktimës kundrejt xhelatit që e torturoi 45 vjet me rradhë!

Me ndryshimin e gjendjes politike në vend, 1990-91, populli i këputun nga vuejtja e randë dyzetë e pesë vjeçare, e ndjeu veten të vetmuem, të harruem, e me shpresa që gënjyen.  Ai nuk gjeti përsëri fuqinë e duhun me u ngritë, as me luftue, valën e frikëshme të degradimit moral të gjithanshëm, të vorfënisë dërmuese që përfshiu edhe marrëdhanjet ndër-personale. Shumë prej tyne, të huej në vendin e vet, morën rrugën e mërgimit, për nji copë bukë me nder, në nji vend ku jetohet pa frikën e shtypjes dhe të urisë. Dhe me të drejtë!

Shembulli ma i ri i këtij degradimi moral, ka qenë shitë-blerja e votave në zgjedhjet e fundit të 25 qershorit 2017, nji njollë e zezë për demokracinë e brishtë, e pothuejse “të dështueme” në Shqipëri. Manifestimi i plotë i efekteve të këtij“dështimi”shihet në qëndrimin pasiv, gjysëm të përgjumun, të shoqënisë shqiptare, që shijon- e nuk reagon!- programet televizive, ku politikanët e ditës sulmojnë njeni tjetrin me nji fjalor rrugaçërie që ka penetrue edhe sallën e Kuvendit Kombëtar. U përjashtue kështu revoltimi i arsyeshëm dhe pjesëmarrja aktive në transformimin demokratik të Shtetit e të shoqënisë shqiptare.

Akoma të tronditun nga persekutimet e së kaluemes jo të largët, ata që mbijetuen rregjimin komunist vegjetojnë akoma me frikë, e qëndrojnë akoma larg angazhimit serioz në jetën politike të vendit. Neutral…deri në vetë-asgjasim! Veprimtaria qytetare në Shqipëri, e pame prej së largu, paraqitet ende si “nji dëshirë” ma shumë se “nji mundësi”. Ashtë shue shpresa, bashkë me shkendinë e revoltës qytetare. Ashtu si vendet tjera të bllokut komunist të Lindjes, edhe në Shqipëri, shumica e qytetarëve janë të lodhun, të pa aftë me veprue, e kufizohen me protesta verbale në ambiente të mbylluna. E gjithë kjo, në nji “Shtet”ku manipulohen zgjedhjet, eliminohen kundërshtarët politikë, në nji vend ku mediat e informimit, -sidomos programet televizive – shërbejnë padronin qeveritar (ose të pasunit, baronët e drogës me autoritet). Në Shqipëri, turma të vorfnueme jetojnë krah më krah me nji oligarki qeveritare tejet të pasun –ose të pasun jo-qeveritarë- të gjithë të shurdhët dhe të pashpirtë, skenar i përsosun për nji pabarazi të madhe ekonomike me tone sociale të thella… Në fakt, flitet për mundësinë e nji revolucioni paqësor, si mjeti i vetëm për rrugëdalje!

Ky moment, në dukje i qetë por i mbarsun, mund të kristalizohet në Shqipëri ashtu si me ngjarjet tragjike të 2 prillit 1991 në Shkodër, me ato të vitit të mbrapshtë 1997 në të gjithë Shqipërinë e Jugut, ose të 21 janarit 2011 në Tiranë, që mund të provokohen nga “opozita”, ose të shfrytëzohen nga “pozita” për qellimet e tyne politike. Në të dy rastet humbësi i vertetë ashtë populli shqiptar, viktimë e nënshtrueme…!

“Qeverisja e mirë” dhe “opozita cilësore” janë fata morgana shqiptare! Në vitin 1924, revista amerikane TIME, në nji koment për gjendjen kaotike të ballafaqimit Zogu-Noli në Shqipëri shkruente: “Në nji vend të mbrapambetun nuk ka gja ma të randësishme se dëshira e nji ish kryministri të rrëzuem, të kthehet e të rrëzojë pasuesin që e ka rrëzue…”. Sot, nji ish kryministër aprovon:”…Një opozitë pa kompromis, dhe rikthim në pushtet!”

Përsëri, në vitin 2011, po ajo revistë komentonte:”… Tani per tani, shqiptarët shpresojnë jo vetëm që liderët e tyne t’i japin fund lodrave të pushtetit, por dhe t’i dalin zot vendit të tyne, para se të derdhet përsëri gjaku…”. Tetëdhjetë vjetë distancë kohore…asnji hap përpara drejt “shtetit ligjor”!

Anëtarët e partive politike, shumica militantë të shpërblyem dhe tru-shplarë, veprojnë të patrazuem nga zani i ndërgjegjes së mbytun prej të miravet landore. Sepse, “partia”-kjo mbretneshë e pakunorëzueme,- ka çveshë shërbyesit e saj nga dinjiteti i aktit të lirë e të pavarun, pa dhanë asnji herë përgjigje për mijëra pyetjet që ngrihen e bien e nuk tërheqin vemendjen e mendjeve të programueme. “Pavarësia e individit ashtë reaksionare; rreshtimi në legjonet e komandueme ashtë përparimtare!” thotë nji slogan i diktaturës. Duket sikur barka e jonë shqiptare lundron pa nji busull morale. A. Koestler e cilësonte këte gjendje: “kemi pirë kupën e dëshprimit deri në fund!”

Duket sikur shqiptarët nuk janë të uritun për ndryshimin e dosmosdoshëm, dhe për dëshirën me prodhue “histori”- idealizimin e marshit triumfues drejt lirisë së plotë për të gjithë. Qytetarët në përgjithësi sikur kanë humbë interesin për nji angazhim aktiv, nji qendrim ky i rrezikshëm, e në Shqipëri nuk ka dalë ende nji udhëheqës që frymëzon!  Dhe kjo si rrjedhim i qendrimit komunist shqiptar, dhe atij fashist, që zotënoheshin nga nji dëshirë e fortë: me kontrollue jo vetëm trupin, por edhe mendjen e qytetarit. Me këte qëndrim, “mendimi ndryshe”(disidenca) u trajtue si krim dhe u dënue randë. Konflikti politik u krijue artificialisht jo me shpëtue atdheun, por me shkatërrue “anmikun e klasës” U mbushën vorrezat me mendje të ndrituna; errësina diktatoriale mbuloi vendin tonë!

Sot, paguejmë akoma çmimin e kësaj marrëzie, kryesisht sepse shumica e heshtun vegjeton me ndjenjën e poshtënimit të përjetuem; ata jetojnë ankthin që vjen nga pritja e vazhdueshme e nji katastrofe të paevitueshme, si burgimi ose internimi për vite të gjata pa faj, dhe rrjedhimet për familjet. Dhe me të drejtë!

“ …Masa ekstreme –krime … Dëbohen, internohen, persekutohen familjet, fëmijtë e tyne, prishen familje, prindët që ndahen nga fëmijtë. Ky ashtë aspekti më i egër, më çnjerëzor i rregjimit 50 vjeçar…Me mijëra e mijëra janë viktimët, viktima që nuk kanë pasur asnjë faj veç lidhjeve familjare me të dënuarit…Përndjekjet familjare kanë qenë mjeti më i efektshëm i politikës represive, garancia më e mirë e shtypjes së çdo opozite…Përgjegjsia nuk ka qenë individuale, por ka qenë kolektive, familjare…” konfirmon Arben Puto.

*****

Na do të hyjmë në “histori”, në se bajmë “histori”; dhe do të bajmë “histori” vetëm atëherë kur të kuptojmë si duhet “historinë” e vendit tonë, pa paragjykime. Sot, Shqipëria, në përpjekjet e saj me ndërtue nji të ardhme të lumtun duhet të fillojë përballimin e së kaluemes saj tragjike me ndershmëninë e duhun. Andrrat e dëshirat pa bazë sjellin rreziqe, dhe përfundojnë në folklor. “Historia” do të bahet kur të kuptojmë se nji rend publik i qendrueshëm kërkon “pushtet” dhe “moralitet” njikohësisht; kur të përqafojmë sensin e përgjegjsisë sonë personale ndaj shoqënisë si qytetarë të lirë, dhe ndaj bashkësisë sonë kombëtare e ndërkombëtare! “Historia” do të bahet kur të revoltohemi nga opinionet e të huejve si:”Shqipëria ashtë nji vend pa të ardhme” (FAZeitung, 27.VII.2015) fjalë që duhet të bien si çekan mbi kokët tona, përcaktime dëshpruese që duhet të refuzojmë me kambëngulje, pa hezitim, pa rezerva…, revoltim që unë nuk e shoh!

Akoma sot diskutojmë “meritat” e pushtimit pesëshekullor otoman. Akoma sot “krenohemi” me tmerret e murtajës së kuqe 45 vjeçare në vendin tonë, dhe akoma nuk kemi gjetë kohë me zbulue të gjitha viktimët e diktaturës dhe vorrezat e tyne, me krye ritet e përkujtimit dhe nderimit që ata meritojnë. “Diktatura e proletariatit”, në fakt diktatura e nji maniaku kriminel si E.Hoxha, ka qenë nji ndër fatkeqsitë ma të mëdha historike, ndoshta ma e madhja -për popullin tonë. Shkatërrimet që ajo i ka sjellë vendit e popullit tonë janë të pallogaritëshme, dhe vazhdojnë të na torturojnë mendërisht e fizikisht akoma sot: mijëra të vramë pa faj, pa gjyq; dhetëra mijëra të tjerë të burgosun, të vdekun nga uria në burgje e kampe mesjetare nen kamxhikun e diktaturës dhe çizmen e flliqtë të policit pa mend pa zemër. Dhetëra mijëra të shpronësuem e të pa kompensuem, fëmijë të mbetun pa arsim, gra të veja e jetimët e tyne pa strehë dhe në punët ma të randa jashtë fuqive të tyne, nuk janë material per“krenari”. Kjo ashtë historia e jonë!

Përgjigja ma e mirë u dha në verën e vitit 1990 me arratisjen e dhjetëra mijërave nga shtëpitë e tyne me rrezik të jetës, 90 përqind të rij, edukue nga “Nëna Parti”, pa perspektivë, dhe 1miljon e 50.000 shqiptarë sot në mërgim, simbas statistikave shtetnore. Ik, ik, nga kolera komuniste! “Të persekutuarit, vit mbas viti, nuk ishin më nji minoritet. Përbenin një popullsi të terë…”shkruen historiani i diktaturës A. Puto, në kujtimet e tia. Le të kujtojmë gjendjen e Shqipërisë në vitin 1990… e të arrijmë në përfundimin e ndershëm pa komplekse…Kjo ashtë historia e jonë!

Kështu edhe për nostalgjinë e pushtimit otoman. Mbas vdekjes së Skënderbeut, Traktati i vitit 1479 në mes të Venedikut dhe Sulltanit njohu pushtimin otoman të Shqipërisë. Dritarja e botës perëndimore u mbyll për Shqipërinë pikërisht në nji kohë kur era frymëdhanëse e Renaissancës dhe idetë fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europë të Re me nji etje gargantueske për njohuni të reja, për hapësina dhe nji botë të re me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem të shpirtit kërkues, e thellësisht njerëzor. Pavarësisht nga faktori fetar– që mbetet gjithëherë nji çështje intime për çdo ndërgjegje personale- okupacioni otoman ka nxjerrë Shqipërinë nga historia e kontinentit europian dhe e ka dënue ate me qenë nji krahinë e humbun mbrenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Europës që po rilindëte në Perëndim”. Okupimi otoman dhe diktatura komuniste në Shqipëri kanë qenë dy fatkeqsitë ma të mëdha historike të vendit tonë, çmonte mendja e ndritun e intelektualit Ismail Kadare. Kjo ashtë historia e jonë!

“Historia” do të bahet kur të rivendosim nderin tonë kombëtar – me jetue për idealin që shërbejmë: nji Shqipëri të lirë, të pavarun, demokratike, të zhvillueme dhe europiane! “ Historia” do të shkruhet kur të formohemi si “patriotë”, dhe të bahemi shembull për breznitë e ardhme, tue tregue atyne si duhet të jetë nji “shqiptar”, dhe çfarë do të thotë të jeshë “nji shqiptar”, kur të formojmë nji “identitet shqiptar” që na ban të gjithëve krenarë. Përndryshe, na bajmë vetëm “politikë”, nji faktor spekulativ që nuk shqetësohet për natyrën e vërtetë të gjendjes në vend dhe shërimin e saj, as edhe kur mbretnon atmosfera e terrorit dhe kultura e gënjeshtrës, ashtu si e kemi përjetue…! Për fat të keq, kemi hy në fazën që Tony Judt quen “Koha e Harresës”…”Na kemi lanë mbas dore të kaluemen tonë të afërt para se të kishim zbulue kuptimin e saj!” Nganjiherë, kam përshtypjen se kaosi politik në Shqipërinë time e tuejën, ashtu si në Afrikë, nuk ashtë nji “anomali”, ose nji tragjedi që vjen e pa pritun. Ky lloj kaosi paraqitet ma shumë si nji strategji për kontrollin dhe konsolidimin e “pushtetit”.

Historikisht, masat popullore humbasin interesimin e tyne për ruejtjen e forcimin e frymës qytetare të pjesëmarrjes çdo herë që vendi nuk ka nji udhëheqës të vertetë. Sot, kjo mund të thuhet edhe për Shqipërinë e trazueme. Forcat politike veprojnë me qendrime që as ata vetë nuk i dinë se ku, dhe kur, do të përfundojnë. Ka shumë shtresa shoqënore që kanë arsye me qenë të pakënaquna me disponimin e pushtetit të sotëm.  Besimi i verbët në personalitete të paprovueme, në parim ashtë i gabuem, dhe “zgjidhjet” e shpejta e të pa mendueme mirë të problemeve duhen refuzue, sepse zakonisht janë vetëm “dëshira pseudo-intelektualësh” që nuk kanë pasë rast ose mundësi me u familjarizue me realitetin e praktikës së pushtetit. Në situata të këtilla ashtë nji imperativ kategorik për çdo intelektual të vërtetë, për çdo qytetar të ndershëm shqiptar, me folë të vërtetën haptas para sundimtarit, ashtu si e mendon dhe pa frikë. Kjo ashtë detyrë e shenjtë qytetare! Kemi nevojë për udhëheqës që nuk kërkojnë karrierë politike, por për udhëheqës që shërbejnë kauzën e shenjtë të popullit të tyne.  Duhet folë e vërteta; duhet vrarë frika!

Lavdia e madhe e revolucionit paqësor të viteve 1989 në Europën Lindore ka qenë natyra e qytetnueme, paqësore dhe civile e këtij revolucioni. Ai doli me sukses në organizimin e rezistencës civile dhe në ndërtimin e shoqënisë civile…pothuejse tanësisht me mjete jo të dhunëshme.  Ky ashtë edhe shembulli shqiptar i studentëve tonë heroikë të 8 dhetorit 1990, që shpresojmë të frymëzojë transformimin e shtetit dhe shoqënisë shqiptare në të ardhmen me zbulimin e tij të përgjegjsisë civile. Ky ashtë edhe shembulli i viktimave të komunizmit që përbuzën idenë e urrejtjes dhe hakmarrjes, dhe vunë shpresët e tyne në drejtësi…që i mashtroi randë! Qendrimi i tyne ashtë nji traditë e madhnueshme për breznitë e ardhme!

Ideologjia në përgjithësi, siguron nji lloj legjitimiteti, dhe mundëson për sundimtarët dhe sherbëtorët e tyne (aparatçikët) nji atmosferë ku ata mashtrojnë veten. Eksperienca e kalueme në Shqipëri na mëson se nuk duhet të harrojmë kurrë aftësinë tonë për vetë-mashtrim. Edhe në Shqipëri, komunizmi nuk lejoi artikulimin publikisht të aspiratave të përbashkëta. Spastrimet e njimbasnjishme dënuen të vërtetat e mohueme zyrtarisht. Vaclav Havel e cilësoi këte gjendje si “…mjedis moral i shkatërruem”. Prandej në vitin 1989, fjala kryesore ka qenë: “E vërteta do të fitojë!” dhe kjo e vërtetë nuk duhet të vritet as në vendin tonë. “Në fakt,  rregjimet komuniste mbijetuen me tehun e shpatës, dhe vdiqën nga fjala e vërtetë”(T.G.Ash). Por në Shqipëri, me ramjen e “Monarkisë së kuqe” fatkeqsisht, “monarkët e kuq” mbijetuen, dhe ata akoma e luftojnë këte të vërtetë!.

Faktori paqësor mbetet për mue nji element etik i dorës së parë. Personalisht e kam përkrahë që në fillim, sepse ky faktor tregonte edhe rrugën që duhet të ndjekim në politikë. Fillim paqësor, zhvillim paqësor, atmosferë përfundimtare paqësore. “Ata që fillojnë me helm kundër Bastille-s përfundojnë me ndërtimin e nji të reje për veten e tyne “(Adam Mishnik) Ky qendrim bindi udhëheqsit komunistë me dialogue pa përdorë bajonetën.

Sot mundësia e “fitores me bajonetë” ashtë andrra e të smurëve! Mbetet vetëm dialogu demokratik, pa presion, pa kthye Qeverinë në nji detashment të thjeshtë të “pozitës sunduese”. Në konditat e sotme, vendi i jonë gjindet në nji situatë që shembullon monarkinë ma shumë se nji demokraci parlamentare. Sot kemi nji Kryministër që ka mundësinë me u ba nji diktator i vërtetë me përkrahjen e atyne që mbushin rradhët e institucioneve tona legjislative e ekzekutive. Ma shumë se gjysma e Kuvendit janë anëtarë të zgjedhun me gisht nga Kryministri dhe të “aprovuem” nga votuesët që as i njohin fare kandidatët. Me nji Kuvend të këtill, mund të kalohen ligjë që i përshtaten vetëm “Kryministrit”. Opozita ashtë e pafuqishme me e ndalue, dhe ka zgjedhë rrugën ma të gabueme: abandonimin e Kuvendit, i vetmi forum ku flitet lirisht dhe mesazhi transmetohet për ata që duen ta ndigjojnë. Uroj që kjo eksperiencë të mos përsëritet!

Presidenti, teorikisht arbitri final i Shtetit, ashtë emnue nga Kryministri, dhe ka arsye me besue se nuk do të kundërshtojë Kryministrin në veprimet e tia, megjithëse natyra e tij e fortë mund të na vejë para situatash të pa parashikueme. Gjykata Kushtetuese varet në nji masë të madhe nga anëtarët e emnuem nga Kryministri dhe të aprovuem nga Kuvendi i kontrolluem prej tij.  Pavarësia e tre pushteteve në demokraci ashtë damtue  randë!

Nji skenar i këtill pesimist mund të jetë edhe nji pamundësi në zemër të Europës demokratike. Por shembujt e Polonisë, Hungarisë, dhe Sllovakisë tregojnë se devijime të padëshirueshme mund të ngjasin edhe sot në ish vendet e Kampit Sovietik, devijime shumë të damshme për Shqipërinë dhe demokracinë e saj të brishtë, në nji kohë kur kemi “dy fronte të ndame nga barrikadat: ajo e “elitës” politike- pozitë/opozitë, dhe ajo e popullit të lodhun nga “politika e ditës” shkruente nji vrojtues i vemendshëm. Sot, tranzicioni i pafund “demokratik”në Shqipëri ka prodhue korrupsion, e cinizmin e partive politike, populizëm mashtrues, ndërsa presioni i kapitalizmit pa fre po kthen qytetarët në konsumatorë të thjeshtë. Pa qytetari, vendi i jonë kthehet në nji turmë robotësh të drejtueme nga nji qendër “kompjuterike” të manovrueme nga “specialistët” e njohun publikisht si “elita politike e vendit”. Ky “boshllek” i rrezikshëm duhet mbulue nga forca koshiente të situatës – nji elitë patriotike, demokratike dhe profesionale!

Nga zhvillimet e 27 viteve të fundit del e qartë se qeveritë e njimbasnjishme nuk kanë synue ngritjen e nji “Shteti” funksional, i sunduem nga ligji dhe jo nga individi. Këto qeveri janë përqendrue në krijimin e legjoneve përkrahësish të bindun, ose të “bindun” ideologjikisht, si dhe spekulatorë që përfitojnë nga forca brute e Shtetit që ata mbështesin. Rezultati ashtë dalja në skenë e nji “shoqënie të nënshtrueme”, jetët e të cilëve janë lehtësisht të kontrollueme dhe të drejtueme nga nalt. Ky mentalitet ka përfshi çdo sektor të jetës politike të sotme në Shqipëri. Para nji situate të këtillë, patriotët e vërtetë që duen vendin dhe popullin e tyne, demokratët e sprovuem pa dallim ngjyre, dhe profesionalët e mirënjohun, duhet të ngrejnë zanin, dhe të marrin inisiativën për ndryshime thelbësore!

*****

E para: “pushteti legjislativ”: Shqipëria ka nji Kushtetutë e cila sanksionon pavarësinë e tre pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Pushteti legjislativ ashtë Kuvendi i “sovranit” popullit të lirë; si rrjedhim Kuvendi ashte organi ma i naltë i Shtetit. Zgjedhjet e lira dhe funksionimi i tij lirisht janë esenciale për jetën demokratike të vendit.

Kjo nuk ashtë sot në Shqipëri! Deputetët e Kuvendit nuk zgjidhen nga populli, por nga krytarët e partive politike respektive, në bazë të nji “marrëveshje” të turpshme të dy partive krysore. Deputetët nuk votohen si personë e pranueshme nga elektorati që shpesh herë nuk i njeh fare, por si “element partiak”, anëtar i nji liste të formulueme nga “Partia” respektive, nji procedurë jo-demokratike që na e kemi përjetue në monarki dhe në komunizëm. Kandidati për deputet nuk spjegon programin, bindjet, dhe planet e tij me ndihmue zhvillimin e zonës që përfaqson. Çdo deputet në Kuvend voton me karton simbas udhëzimeve të marruna para se hynë në sallë, dhe pranon antagonizmin e detyrueshëm ndaj “kundërshtarit”, që nuk ashtë tjetër veçse nji vëlla ose nji motër që mendojnë ndryshe. Ky ashtë nji turp, nji krim, dhe duhet ndryshue menjiherë- hic et nunc!

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë duhet të baj përpjekje me qenë “kulmi i arsyetimit politik dhe i elokuencës”(Lord Acton). Kjo arrihet vetëm me elementë politikisht të përgatitun dhe të arsimuem, “nji aristokraci të virtytit-inteligjencë dhe karakter” (Th.Jefferson), të zgjedhun lirisht e direkt nga vetë populli, pa privilegje. Pushteti legjislativ mbetet në duert e këtij Kuvendi të Republikës, përfaqsues direkt i popullit të lirë e sovran.

Nji skenar i këtill deputetësh të lirë pakëson shumë mundësinë e ramjes në autoritarizëm.

E dyta: pushteti ekzekutiv: Presidenti dhe Qeveria, i pari i zgjedhun direkt nga populli në votime të lira, dhe i dyti i emnuem nga Presidenti, dhe përgjegjës para Kuvendit të Republikës për aktet e tij, si dhe për programin e zhvillimit të vendit. Nji Qeveri e këtillë respekton me rigorozitet Kushtetutën dhe ligjët e vendit, ndërsa dikasteret drejtohen nga persona të kualifikuem, me përgatitje dhe eksperiencë.

Flitet shumë për ideologjinë “socialiste”. Në fakt, ky përcaktim ka humbë randësinë e vet në mentalitetin e përgjithshëm. Me mbarimin e L2B, masat e gjana që luftuen kundër nazismit e sakrifikuen, kërkuen nga qeveritë e tyne reforma që do të sigurojshin nji jetë ma të mirë mbas Luftës dhe nji siguri ma të madhe për të ardhmen e tyne. Ndërhymja e “Shtetit” u ba e domosdoshme edhe për vendet konservative si Britania e Madhe.

Sot “socialist” don të thotë reformator jo-radikal, por me theks në emancipimin e klasave të vorfëna dhe me synimin e ngritjes së tyne në nivelin e klasës së mesme. Socializmi ashtë reduktue në nji lëvizje që ideologjikisht nuk ka përsëri forcë vitale qoftë edhe për vetë masat punëtore. Reformat europiane e kanë zevendsue në shumë aspekte të veprimtarisë. Ish MPJ gjerman Joshka Fischer spjegon:” Sot, kur kemi nji kombinim të demokracisë, sundim i ligjit dhe shtet kujdestar, mund të themi se shumica e europianëve janë gati të mbrojnë këte kombinacion”.

Njikohësisht, socializmi akoma na kujton tmerrin sidomos të komunizmit primitiv të Shqipërisë së mbas L2B, edhe pse militantët nuk pranojnë as me ndryshue emnin,  “komunistë të dështuem”. “Socializëm, emën mashkullor” shkruen B -H.Levy, “ nji lloj zhanri kultural, lindi në Paris me 1848 dhe vdiq në Paris me 1968”. Tashti flitet ma shumë si “qendra e djathtë e qendra e majtë” sepse asnjena nuk kërkon të largohet nga moderacioni i qendrës. I pamë nga ky spektër, organizimi ekonomik i vendit, nga të dy partitë e mëdha, nuk paraqet nji ndryshim të madh.

Natyrisht, ekonomia ashte ajo që siguron bukën e gojës. Gjendja e saj kushtëzon zhvillimet sociale, si dhe arsimin, kulturën e artet në vend. Pikësynimi i përgjithshëm ashtë me ngritë klasën që varet në ndihmën e Shtetit në nji klasë ku secili ashtë i pavarun nga Shteti. Kjo pavarësi rritë dhe forcon “klasën e mesme” shtylla kryesore e çdo shoqënie të lirë.

E treta: Elita natyrore, ashtë ajo që vendi i jonë ka shumë nevojë; nji grup i shëndoshë qytetarësh që nuk kërkojnë karrierë, por udhëhiqen nga dëshira me sherbye nji kauze të shenjtë, siç ashtë kauza kombëtare e popullore. Unë i quej “patriotë”- të gjithë ata që duen atdheun dhe sherbejnë me devocion, të gatshëm me sakrifikue për mbrojtjen dhe përparimin e vendit. Kjo kategori patriotësh gjindet vetëm aty ku ka qytetarë të lirë dhe në nji shtet të lirë e të sunduem nga ligji.

Duhet të pyesim qytetarët cili ashtë vizioni i tyne, dhe nga këto vizione të nxjerrim përfundimet tona që duhet të jenë esenca e mendimit tonë kolektiv, dhe origjina e ngritjes sonë qytetare. Cili ashtë vizioni i kombit shqiptar në Ballkan, në Europë, në Botën e Lirë, sot në shekulin 21?

Kjo ashtë pyetja krysore që përballojmë sot në hymje të shekullit të dytë të Pavarësisë sonë kombëtare. Përgjigjja e kësaj pyetje ashtë nji imperativ kategorik, korrektësia e së cilës do të përcaktojë fatin tonë të paktën për nji shekull…e ndoshta për jetë!

———————————————————————————————————-

*  Pedagog në pension.

Filed Under: Analiza Tagged With: Demokratike, DHE PROFESIONALE, PER NJI ELITE PATRIOTIKE, Sami repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1822
  • 1823
  • 1824
  • 1825
  • 1826
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT