• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MAQEDONIA, NDIHMAT E SHBA PER MBROJTJEN

August 18, 2017 by dgreca

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë: Ndihma e SHBA është me të vërtetë e madhe/

ministre Shekerinska-Kolonel Bjuken

Javën e kaluar, Ministre e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Shekerinska Jankovska, mirëpriti në zyrën e saj atasheun e ri të Mbrojtjes së SHBA në RM, Kolonel Timoti Bjuken, duke i uruar atij një qëndrim të këndshëm e produktiv në Maqedoni. Gjatë takimit Ministre Shekerinska dhe Kolonel Bjuken, shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e stërvitjes “Dragoon Guardia17”, e cila po zhvillohet aktualisht në Krivollak, duke theksuar përfitimet nga ky aktivitet i përbashkët. Ndihma e SHBA-së, është me të vërtetë e madhe, si në sektorin e mbrojtjes, ashtu dhe më gjerë, tha Shekerinska. Në këtë kontekst, ajo përmendi deklaratën e Zv.Presidentit, zoti Mike Pence, gjatë Samitit të grupit të Kartës së Adriatikut në Podgoricë, 2 gusht 2017, se SHBA mbeten të angazhuara në rajon, në Maqedoni dhe në aspiratat e vendit tonë për anëtarësim në NATO. Së fundmi, qeveria ka demonstruar përkushtimin e saj për integrimin Euro-Atlantik. Dëshmi e qartë për këtë është përmirësimi i marrdhënieve me fqinjët dhe gatishmëria për të zgjidhur ceshtjet e pazgjidhura, tha Shekerinska. Ajo përcolli deklaratën e kryeministrit Zaev, për rritjen graduale të buxhetit të Mbrojtjes dhe për kontributin në operacionet ndërkombëtare. Ministre Shekerinska-Jankovska, përshëndeti mundësinë e dhënë për arsimimin e pjestarëve të ARM-së në SHBA, si dhe përkrahjen në pajisjen dhe modernizimin e ushtrisë. Nga ana e Tij, Kolenel Bjuken falenderoi për pritjen e ngrohtë dhe tha se, mandati i tij fillon në një periudhë interesante dhe dinamike, si për Ministrinë e Mbrojtjes, ashtu dhe për Armatën e vendin në tërësi. Zoti Bjuken theksoi se, Dera e Zyrës së Atasheut të Mbrojtjes të SHBA, por dhe Ambasada në përgjithësi, gjithmonë do jetë e hapur për bashkëpunim dhe ndihmë.

{Shefqet Kërcelli, sipas Zyrës së Shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes të RM}.

Filed Under: Rajon Tagged With: Maqedonia, NDIHMAT E SHBA, per mbrojtjen, Shefqet Kercelli

“THESAR KOMBËTAR” VJEN NË TROPOJË

August 18, 2017 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/
1 Tropoja

Kuvend në paraqitjen e volumeve 7 dhe 8 /

1 Papa Kelemendi

Një telefonatë dhe një ftesë nga Z. Viron Kona: “Thesari Kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi”, vjen në Tropojë”. Nuk u habita, më më shumë u mrekullova nga ky lajm i lakmuar, pasi do të takoj miqt e mi, shkrimtarë e veprimtarë shqiptar, mërgimtarë që banojnë në Suedi, me të cilët jam njohur në Durrës, katër vite më parë, në nëntor 2013, kur u përuruan volumet 1 dhe 2. Aty unë pata nderin të përshëndes tubimin e athershëm. Me shpresë, madje më shumë me bindje, thashë këto fjalë: – “Volumet e “Thesarit Kombëtar”, janë një enciklopedi e jetës dhe e punës 40–50 vjeçare, duke filluar që me mërgimtarët e parë e deri në ditët e sotme. Pikërisht këtu do t’i gjeni të gjitha dhe do të bindeni, se si e kanë filluar ata, që nga hiçi.….. Suedezët ju dhanë “tokën”, ju dhanë edhe klimën e lirisë, që e kanë me bollëk, ndërsa ju mbollët dhe rritët “Pemën e lirisë”. Me shpirt urova: “Ju lumtë! Vazhdoni kështu se jeni në rrugë të mbarë. Koha dhe historia do ju vlerësojë, kombi do ju nderojë!”. Me lajmin që më erdhi, u ndjeva i përkëdhelur. Paskam patur të drejtë! Ata e mbajtën fjalën, vazhduan udhën e krijimtarisë atdhetare. Unë përsëri jam mes tyre, bashkë me intelektualët tropojan, në kuvendin më të ri, në përurimin e dy vëllimeve, 7 dhe 8, të këtij “Thesari” me gurë të çmuar e të rendë, në historinë dhe kulturën shqiptare.

E pranova ftesën dhe ujdisëm takimin, pasi unë do të nisesha nga Durrësi, ndërsa Viron Kona, Nuri Dragoj dhe Bashkim Saliasi më prisnin në Tiranë. Rruga kaloi bukur, mes kolegësh shkrimtarë dhe studjues, që nuk reshtën së rrëfyeri për ç’janë duke shkruar dhe ç’kanë ndërmend të botojnë së shpejti. I çuditshëm, madje i pëlqyeshëm ky soji i shkrimtarëve dhe krijuesve, që e nderojnë njëri – tjetrin dhe shpesh bëjnë vërejtje dashamirë, duke nxitur mendimin për studime, akiva, gjetje materiali dhe ndërtimin estetik të librave për botim.

Më 27 korrik, ditën e enjte, në ora 11.30 ishim në qytetin e bukur Bajram Curri, kryeqendër e Tropojës trime, ku u takuam me organizatorët dhe miqt e ardhur nga Suedia. Ora 12.00, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, i drejtuar nga z. Lulzim Logu, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptar “Papa klementi XI. Albani”, mbështetur nga Bashkia Tropojë, organizuan në mjediset e Muzeut Historik Tropojë, një takim kulturor.

Është për t’u vlerësuar pritja dhe qëndrimi i ngrohtë në mesin e komunitetit artdashës tropojas, të cilët vazhdimisht mbështesin aktivitetet e organizuara nga “Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve, Tropojë”. Të gjithë bënë çmos, për të mirëpritur e kënaqur “dasmorët” e ardhur nga larg. Kjo kuptohet lehtë edhe nga një fakt i thjeshtë, që në krye të mikpritësve është edhe nënkryetari i Bashkisë të qytetit Bajram Curri, z. Astrit Margjekaj, si dhe punonjësi kulturor i kësaj bashkie z. Can Tahiri.

Si fillim një befasi! Një spektakël muzikor. Në hollin e muzeut, të mahnisin ritmet e gjalla të valles tropojane, kërcyer nga valltaret e ansamblit “Dardania”. Të them të drejtën, si sot, asnjëherë nuk e kam ndjerë kaq pranë magjinë e valles tropojane. Në këtë kuvend letrarësh dhe artistësh, përfshiheshin përurimet e librave “Thesar Kombëtar i Mërgatës shqiptare në Suedi”, vëllimi 7 – 8. Bashkë me to edhe vepra “Arsimi shqip në Suedi”, botuar nga z. Hysen Ibrahimi, si dhe libri poetik me titull, ”Në endrra digjet nata”, i autorit Hasan Qyqalla, nga Lidhja e Shkrimtarëve shqiptar në Gjermani.

Në takim kishte krijues shqiptar nga Gjermania, Austria, Zvicra, Maqedonia, Kosova dhe Mali I Zi, të cilët e begatuan takimin me ndjesi atdhetarie e shqiptarie. Ata përcollën copëza jete dhe frymëzim malli, në interpretimet poetike me vargje të tyre, por edhe nga autorë të njohur shqiptar, si Mjeda, Fishta, Migjeni, etj. Takimin e parapriu një kuvendim i ngrohtë i të gjithë krijuesve shqiptar mesveti, njëkohësisht edhe këmbimi i librave, si pjesë e krijimtarisë më të re të tyre.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptar “Papa klementi XI. Albani”, z. Hysen Ibrahimi përshëndeti të pranishmit e shumtë që kishin mbushur sallën. Në fillim falënderoi organizatorët mikpritës, si nikoqirë të shtëpisë, njëkohësisht edhe të gjithë të mirëseardhurit në këtë kuvend letrarësh. Ai, me pak fjalë, parashtroi të gjithë veprimtarinë atdhetare të lidhjes, në këtë gjashtë-vjetor të themelimit, (26 Nëntor 2011). Më pas theksoi: E gjithë puna jonë si kryesi e lidhjes, ka synuar që, të gjithë shkrimtarët, artistët dhe krijuesit shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Suedi, t’i organizojmë e t’i bashkojmë nën një ombrellë të përbashkët, në mënyrë që, puna dhe veprimtaria e tyre të jetë më e lehtë, më institucionale, më e dobishme dhe më e suksesshme. Qëllimi madhor i lidhjes është që, publikimi i veprave letrare, artistike, publicistike dhe shkencore, t’i shërbejë, në radhë të parë atdheut e kombit, historisë, letërsisë e artit me ngjyra kombëtare. Të gjitha përbëjnë këtë “Thesar kombëtar”, ku kemi futur edhe krijime nga diaspora e shpërndarë nëpër botë, por edhe nga trojet etnike e shteti amë Shqiparia. E gjithë kjo punë përmblidhet në pak fjalë: T’i mbajmë mërgimtarët sa më të lidhur me mëmëdheun, të rrisim kapacitetet intelektuale e krijuese, duke i treguar botës se kush jemi dhe çfarw dimë të bëjmë. Vetëm me artin, kulturën dhe traditat tonë të vyera, ne rrokim dinjitet për t’u pranuar në botën e madhe”.

I dëgjoja këto fjalë dhe mendoja: Sa shumë do të bënin shqiptarët po të vepronin kështu si bashkëatdhetarët tanë në Suedi. Sa emër të mirë dhe nder, do të kidhte atdheu ynë, Shqipëria, Kosova dhe trojet tona etnike. Kam përshtypjen, (këtu dua të jem i gabuar), se organizimi i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve “Papa Klementi XI. Albani”, është model për t’u njohur dhe ndjekur nga shumë shoqata si motra, të shpërndara nëpër botë, kudo ku ka shqiptarë. Unë nuk di të ketë të dytë, për nga veprimtaritë e shumta nëpër qytete të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë dhe në Suedi, ku shpalosin vlerat e “Thesarit tonë kombëtar”. A nuk meritojnë admirim këta “heronj” të letarve, kwta idealistw që, arrijnë të punojnë, të mbijetojnë, dhe të krijojnë!? Këtyre veprimtarëve punë shumë e gjumë pak i shkojnë përshtat fjalët e të diturit Jakov Milaj, ku te “Raca shqiptare”, shprehet: “Thesari më i çmuar i një vendi nuk përbëhet prej pasurisë së tokës e të nëntokës së tij dhe prej mundësive të zhvillimit ekonomik, por prej njerëzve, prej gjakut që qarkullon nëpër venat e tyre”.

Më pas, fjalën e mori pedagogu dhe krijuesi Bedri Paci me origjinë nga Bujani i Tropojës, tani pedagog shumëvjeçar, me shumë emër, në disa Universitete të Suedisë. Kjo ishte një gjetje interesante dhe e bukur për të gjithë pjesmarrësit, sepse ai i njohu të ardhurit dhe bashkëvendorët, me aktivitetin e tij shkencor dhe krijues. Ndërsa referuan me punimet e tyre profesoresha nga Gjakova Migena Arllati, poeti Dan Kosumi, profesor Mehmet Rukiqi etj. Në takim kishte edhe vlerësime dhe mirënjohje mes krijuesve dhe aktivisteve të kulturës, pjesë e pandarë e bashkëpunimit mes shqiptarwve nga diaspora dhe Tropoja.

Takimin e përshëndeti edhe shkrimtari ynw i shumënjohur ne mesin e bashkëatdhetarëve tanë në Suedi, por edhe në Tropojë z. Viron Kona, i cili mes të tjershë, theksoi: “Të dashur motra dhe vëllezër! Ju na sillni përherë vlera lirie dhe atdhetarie! Ndihem i nderuar që, edhe në emër të miqve të mi të ardhur nga Tirana dhe Durrësi, të përshëndes sot këtë tubim të bukur dhe plotë vlera. Kam kënaqësi të përqafoj vëllezërit tanë shqiptarë të Suedisë, por dhe ata të Gjermanisë e të Kosovës, të cilët enkas, kanë ardhur sot këtu në qytetin “Bajram Curi” (Tropojë), në vendlindjen e trimërisë dhe të  heroizmit.

Mërgata shqiptare e Suedisë, ndriçon dukshëm rrugën për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe të identitetit kombëtar. Është ky një grup përfaqësues i bashkëkombësve tanë, që si zogjtë shtegtar, kanë ardhur dhe vijnë vazhdimisht, nga Europa veriore, nga Suedia, për t`i ngritur e ndritur edhe më shumë vlerat e lirisë në atdheun e tyre, herë në Tiranë e Prishtinë, herë në Durrës e Kurbin, në Pejë e Mitrovicë, në Therandë e Rugovë, në Gjakovë, Drenicë e Vushtrri dhe sot në Tropojë”.

Të pranishmit e mirëpritën dhe vlerësuan vendimin dhe veprimin, që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptar “Papa klementi XI. Albani”, pranoi “Anëtar nderi”, studjuesin e njohur z. Nuri Dragoj dhe Profesorin e shkencave sociale z. Zydi Dervishi, të cilët i’u bashkuan listës së gjatë të emrave të pranuar më parë, ku mes të tjerëve janë edhe Murat Gecaj e Viron Kona nga Tirana dhe Flora Dervishi nga Durrësi.

Po kështu me duartrokitje u përcoll nderimi me medalje, për poetin dhe gazetarin tropojas Gjon Neçaj, kompozitorin e njohur Skënder Doshlani, poetin e njohur nga Kosova Tahir Bezhani, si dhe poetin Lulzim Logu, për kontribut në shërbim të kulturës, traditës, krijimtarisë letrare dhe publicistike.

Pas këtij kuvendi të nisur e të bitisur kaq mirë e bukur, dreka në restorant “Krasniqe” në Bujan, kurorëzoi një ditë të këndëshme e të ngarkuar me shumë ndjesi atdhetarie. Një ditë e shumëlakmuar, artistike, kulturore, ditë afrimi e miqësie, mes krijuesve shqiptar, ku gjalloi kënga, vallja dhe humori i thekur, nga valltarët, artistët dhe krijuesit nikoqirë të Tropojës e Kosovës. E gjithë veprimtaria është një nismë e bekuar, është një ngjarje me vlera kombëtare, për t’u përshëndetur dhe përgjithësuar.

Urime organizatorëve! U mirëtakofshim në tubime të tjera, po kaq të mirëpritura dhe të arrira, në dobi të kulturës dhe çështjes sonë kombëtare!

 

Kadri Tarelli

 

Durrës më: 28, të Korrikut, 2017.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Kadri Tarelli, Thesare Kombetare, Tropoje

Kosova dënon sulmin në Barcelonë

August 18, 2017 by dgreca

AppleMark

Nga Ariana Kasapolli – Selani/ Ne Foto:Las Ramblas, 17 gusht/

Përfaqësues të lartë të institucioneve te Kosovës si dhe qytetarë të Kosovës kanë dënuar sulmin i cili ndodhi ditën e enjte në Barcelonë, ku u vranë të paktën 14 persona dhe u plagosën 100 të tjerë, pasi një furgon goditi këmbësorët në Las Ramblas të Barcelonës.Të anketuar për Radion Evropa e Lirë, qytetarët e Kosovës kanë shprehur keqardhje për humbjen e jetëve të njerëzve të pafajshëm.

Miranda Dula 24-vjeçare, e cila studion ne Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës thotë se askush nuk ka të drejtë të marrë jetën e tjetrit, andaj ajo e dënon sulmin e fundit që ndodhi në Barcelonë të Spanjës.“Qofshin njerëzit e fajshëm ose të pafajshëm, askush nuk ka të drejtë të marrë jetën e tjetrit. Si e vranë një person sikur dhjetë, dënimi duhet ekzistuar dhe shkojë në vend, për kryesit e aktit“, tha Kelmendi.

Edhe Sadik Morina, ekonomist me profesion thotë se dënon sulmin e ditës së enjte që ndodhi në Barcelonë.“Na vjen keq që ka ndodh kjo tragjedi, dhe kudo që ndodhin këto raste në botë duhet të dënohen. Është dhimbje e madhe”, tha Morina.

Edhe një tjetër qytetare, dramaturge me profesion, Kaltrina Berisha i tha Radios Evropa e Lirë se marrja e jetëve të pafajshme është e tmerrshme.

“Ajo çka po ndodhë në botë është e tmerrshme, dhe sulmi në Barcelonë është jashtëzakonisht e dhimbshme, pasi viktimat kanë qenë të pafajshëm, besoj ka pasur edhe njerëz që kanë shkuar për pushime atje”, tha Berisha.

Sulmin në Barcelonë e ka dënuar presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, u cili ka thënë se populli i Kosovës bashkëndjenë me familjet e viktimave si pasojë e sulmit terrorist në Barcelonë.

“Ne dënojmë ashpër këtë sulm dhe, së bashku me aleatët tanë, mbesim të palëkundur në luftën e përbashkët dhe të pa kompromis kundër terroristëve kudo në botë”.

“Vlerat demokratike që shoqëritë tona i kanë ndërtuar, nuk do të mund të përdhosen nga sulme të tilla qyqare kundër qytetarëve të pafajshëm’’,ka shkruar presidenti Thaçi në llogarinë e tij në Facebook .

IS merr përgjegjësinë për sulmin në Barcelonë

Zyrtarët në Spanjë thonë se të paktën 13 persona janë vrarë dhe 80 të tjerë janë plagosur, pasi një furgon ka goditur këmbësorët në Las Ramblas të Barcelonës.Presidenti i rajonit të Katalunisë, Carles Puigdemont, ka thënë se policia ka arrestuar dy persona lidhur me atë që ai e quajti “sulm terrorist”.

Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ka njoftuar agjencia e lajmeve Amaq, që është e afërt me grupin.Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy ka thënë se është nisur për në Barcelonë për të koordinuar përpjekjet për të forcuar sigurinë.Ai ka thënë se “terroristët kurrë nuk do të mund të shkatërrojnë njerëzit e bashkuar, të cilët e duan më shumë lirinë sesa barbarizmin”.“Ata janë vrasës, kriminelë, të cilët nuk do të mund të na terrorizojnë”, thuhet në reagimin e pallatit mbretëror të Spanjës.

Sulmin në Barcelonë e ka dënuar presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.”Shtetet e Bashkuara e dënojnë sulmin terrorist në Barcelonë të Spanjës. Ne do të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme për të ndihmuar. Bëhuni të fortë. Ne ju duam”, ka shkruar presidenti Trump në Twitter.

Rritet numri i viktimave në Spanjë

1 spanjeËshtë rritur në 14, numri i viktimave në Spanjë, pas sulmit të djeshëm terrorist dhe një përleshje të sotme në mes të policisë dhe të dyshuarve që janë konsideruar të kenë qenë “ terrorist”.

Gjatë sulmit të djeshëm në qendër të Barcelonës, Las Ramblas, kanë vdekur 13 persona.Derisa sot është bërë e ditur për një viktimë të re në qytetin bregdetar, Cambrils.Autoritetet kanë thënë, se rreth 100 persona janë lënduar, derisa numri mund të rritet.

Policia ka thënë se incidenti në Cambrils ka qenë i lidhur më sulmin në Barcelonë.Zyrtarë spanjollë kanë thënë se e kanë parandaluar sulmin e dytë terrorist, në këtë qytet, në jug të Barcelonës.Ndërkohë është duke vazhduar aksioni nga policia spanjolle, pas sulmit në Las Ramblas, në kërkim të autorëve të sulmit.Mijëra persona, në mesin e tyre edhe Mbreti Felipe VI dhe kryeministri Mariano Rajoy, kanë mbajtur një minutë heshtje, sot në mesditë, në sheshin kryesor të Barcelonës “Plaza de Catalunya”, për të nderuar viktimat e sulmit terrorist.“Minutë heshtje në Plaza de Catalunya në homazh për viktimat e sulmeve në Barcelonë dhe Cambrils. Të bashkuar kundër terrorit”, ka shkruar Rajoy në Twitter.

Policia ka dyshime se ky sulm ka qenë vetëm njëri prej disa sulmeve tjera të planifikuara.Po ashtu policia ka njoftuar se ka arrestuar personin e tretë gjatë ditës së sotme, ndonëse nuk është bërë e ditur, nëse ai është ngasësi i furgonit.

Disa orë pas sulmit, policia ka thënë se i ka vrarë pesë “terroristët”, të cilët kanë tentuar të kryejnë një sulm të ngjashëm.Policia, ka thënë, se gjashtë civilë dhe një zyrtar policor janë lënduar në Cambrils.Rripat me eksplozivë, të cilët janë gjetur në trupat e personave të vrarë nga policia në qytetin bregdetar, Cambrils, nuk kanë qenë të vërtetë, ka thënë kreu i këtij rajoni, Carles Puigdemont, për radion RAC1.

Grupi militant, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, ka marrë pjesë në një takim emergjent në Barcelonë për të koordinuar hetimet rreth sulmit terrorist.Rajoy ka udhëtuar drejt Barcelonës, të enjtën në mbrëmje, pas sulmit në qendër të këtij qyteti.Ai është takuar sot në mëngjes me ministrin e Brendshëm të Spanjës dhe me zyrtarë të policisë dhe emergjencës.

Kryeministri, ka thënë përmes Twitterit, se takimi ka pasur për qëllim, “analizimin e detajeve të fundit të ngjarjeve në Barcelonë dhe Cambrils”.Autoritetet spanjolle kanë thënë se personat nga të paktën 24 shtete, kanë qenë në mesin e viktimave.Pak kohë pas sulmit, policia ka arrestuar dy persona, njëri me nacionalitet spanjoll dhe tjetri maroken, mirëpo ka thënë se drejtuesi i furgonit është larguar dhe ende është në kërkim.

Policia ka thënë se sulmi me furgon ishte i lidhur me një shpërthim në një shtëpi në Alcanar, më herët gjatë ditës së djeshme, nga i cili një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar, derisa personat ishin duke krijuar eksplozivë.Më herët, kryeministri spanjoll, Rajoy, ka thënë se “terroristët kurrë nuk do të mund të shkatërrojnë njerëzit e bashkuar, të cilët e duan më shumë lirinë sesa barbarizmin”.Vetëm gjatë vitit të kaluar, furgonat janë përdorur në shumë sulme të ndryshme në Evropë, dukë lënë të vdekur më shumë se 100 persona, në Nicë, Berlin, Londër dhe Stokholm.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Barcelone, kosovo, solidaritet me qytetaret

Allan Gorman: Peneli i Ilo Oxës është magjepës

August 18, 2017 by dgreca

*Mbresa nga vizita në galerinë e arteve në Westwood-New Jerssey, ku u ekspozuan punime të piktorit Ilo Oxa

1 Illo 1Nga Nikoleta CABEJ/

VizitoreShpesh befasohesh kur shikon gjëra mē të bukura nga sa i pret, befasohesh edhe kur papritur takon nje mikeshë që nuk e ke parë prej më se 20 vjetësh, dhe është venitur diku ne memorjen tënde  e pa pritur e shikon në nje ambient piktorësh; befasohesh kur ndodhesh në mes të nje shoqërije me piktorë, e ti, jo vetëm që ndjehesh shumë mirë, po diskuton me ta, sugjeron e ndjehesh e lumtur ne ambientin e pikturave, që duket sikur  të flasin, sikur komunikojnë me ty dhe të tregojnë për sekretet dhe marrdhëniet me piktorin që ia ka punuar.

Illo

Befasohesh kur shikon piktorin që i ka dhënë jetë pikturës që ti ke përpara dhe e admiron.

Po befasami më i madh ishte kur piktori i talentuar e shumë i mirenjohur në rrethin e piktorëve amerikanë,Allan Gorman, thotë:” Peneli i Ilo Oxës është magjepës.Ka një forcë e talent të jashtëzakonshëm”.
Mbasi mendohet pak shton me një zë të brendshëm shpirtëror:” Ai , Z Oxa ,pikturon më mirë se mua.Unë e vlerësoj shumë artin e tij.Ka raste, kur sinqerisht dëshëroj të kem ” magjinë e penelit të tij ”
E dëgjoj dhe për një moment mendoj se nuk e kam kuptuar mirë.Afrohem ta pyes ,po ai eshte i rrethuar me shumë artdashës të tjerë e largohem për të gjetur një moment më të përshtatshëm.

Ilo-004Qëndroj para pikturës së Ilos, “NYC Skayline”dhe pa dashje fshi sytë duke buzëqeshur.Pranë kam Shqipen që pëshpërit me vehte e unë me vështirësi munda të kuptoj që po thotë:” Një mrekulli, Kryevepër!E pabesueshme që është pikturë!”
Nica me Artën e Elën janë në nje grup tjetër.I shikoj që flasin me gjallëri e herë pas here qeshin me piktorin tjeter të talentuar Cesar Santander. Duken të kënaqura. Më tutje Marjana duke diskutuar me entuziazem me piktorin Mark Oberndorf. Iloja vetë është me nje grup tjetër.
I afrohem Allan-it , e duke buzëqeshur i them:
” E dini që gjuha ime e parë është shqipja? Kjo më bën të dyshoj disa herë për ndonjë mos kuptim ose interpretim te gabuar në anglisht.”
Qesh, edhe ai qesh bashkë me mua, pa kuptuar se çfare desha të them e ku desha të dilja me këtë hyrje.
Pa u përpjekur të mbaja gazin i drejtohem:
” Pak më parë mu duk sikur thatë që do dëshëronit të kishit magjinë e penelit të Ilos. Mos ju kam kequptuar ?”
Ai më shikon disi i menduar dhe më thotë:
” Jo nuk më kini keqkuptuar. Iloja është shumë i talentuar. Unë kam një jetë të tërë që merem me këtë lloj pikture, e jam në vëndin tim. Iloja për një kohë të shkurtër ka aritur të bëjë atë që unë e shokët e mij na është dashur shumë kohë!
Dhe ai nuk ka patur kushtet tona të punës.Atij i duhet shpesh të punojë për të jetuar, jo për art!
Ka një penel magjik, nje vizion të jashtëzakonshëm prej artisti, prandaj e vleresoj .”
Qesh me të madhe dhe shton:
” E kam zili dhe i uroj me gjithe shpirt sukses !”
Edhe ne , Nica ,Shqipja, Marjana, Arta, Ela,unë e bashke me ne edhe shume bashkëatdhetarë të tjerë, të urojme suksese në rrugën e gjatë, e të vështirë ,po të bukur të artit, të pikturës, Ilo Oxa.Suksese!

Ne u ndjemē mirē qē piktori ynē bashkombas Ilo Oxa ēshtē pjesē e ekspozitēs qē u cel nē Galerinē Westwood ,ku kanē paraqitur pikturat e tyre origjinale  artistē tē njohur që punojnë në hiperrealizëm. Ekspozita u hap me 13 gusht dhe vazhdoi deri më 16 shtator 2017.Ekspozita përmbante punimet  e Allan Gorman, Cesar Santander, Mark Oberndorf dhe Ilo Oxa.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Allan Gorman: Peneli i Ilo Oxës është magjepës, Nikoleta Cabej

Stoicizmi për të mbrojtur dashurinë e vertetë është virtyt!

August 18, 2017 by dgreca

2 libri mondesKëndvështrim letrar rreth romanit “…s’i them askujt” të autores Raimonda Moisiu/
1 Zhulieta CinaNga Zhuljeta Grabocka Çina/Shkrimtarja dhe publicistja Raimonda Moisiu vjen kësaj here me gjininë e romanit për të dhënë një mesazh të fuqishëm ripërtëritës e hyjnor. Me një përvojë të spikatur krijuese, poetike, prozë e publiçistike autorja e sheh veten gjithnjë si misionare e veprimtare e emancipimit shpirtëror femëror. Pas romanit “ Pafajsia e Evës”, dhe dy librave me tregime të titulluar: “ Duke kërkuar Adrianën” dhe “Gjëmimi i moshave”, -ajo sjell për lexuesit romanin e dytë me titull joshës “….s’i them askujt…”.

I gjithë repertori tematik, që ajo na ka servirur me veprat e shumta të botuara, janë një thirrje shërruese ndaj fateve njerëzore në një kohë të trazuar si kjo që po jetojmë. Tek fati i femrës ajo shikon të mishërohet edhe vizioni për jetën. Lufta e saj sakrifikuese në emër të vlerave dhe rruga që duhet të bëjë, për t’i fituar duke luftuar në përditshmëri është një mision në zhvillim e aktual.

Romani “…s’i them askujt” është një himn për jetën edhe dashurinë e vërtetë. Dashuria si ndjenjë e përjetim është i kudo ndodhur edhe universial në të gjitha vëllimet poetike të Rajmonda Moisiut. Nëpër vëllime, ky motiv zbërthehet nëpërmjet një dialogimi sa të sinqertë e integrues plot ngjyra edhe njerëzor. Por fabula e fatit të gruas në këtë roman vjen e kushtëzuar e merr jetë nëpërmjet një subjekti të skalitur mes marrëdhënieve të personazheve mbresëlënës, që zbërthehen në situata jetësore nën kontekstin e një mentaliteti dhe psikologjie që vet emancipohet në luftë për t’u realizuar si një përsonazh sa më njerëzor. Gjithçka i nënshtrohet logjikës së një kulture, të një qyteti të nënkuptuar, siç është Korça, që e ka tejkaluar prej kohësh zvetnimin shpirtëror të mblesërive “ të karnavaleve” të Spiro Çomorës. Përshkrimet në roman përndriten në shpirtin e pastër të tharmit të serenatave e të njerëzve të thjeshtë e të ndjeshëm ndaj së mirës e së bukurës. Atuorja ka ditur të realizojë tablo e marrëdhënie familjare të goditura e përfaqësuese.

Dashuria si ndjenjë e themeli i familjes trajtohet jo vetëm në përjetimet femërore të Jolës, Klarës, Anës, por tek çdo njeri e ambjent familjar që rrit dhe edukon vazhdimësinë e brezave. Protagonistët e romanit kërkojnë e përjetojnë dramën e tyre individuale por vlerësojnë dashurinë e vërtetë për ta ruajtur prej thyerjeve të brishta të kohë pas kohshme. Edhe personazhin burrëror prozatorja e trajton larg ndëshkimit maskilist. Stoicizmi për të ruajtur dashurinë e vërtetë është virtyt. Çdo krisje në marrëdhëniet e çiftit nuk e zhvlerëson atë margaritar që rruhet në kuarcin e zemrës. Romani është një thirrje e zërit femëror të ripërtëritjes nën frytin e dashurisë. Mungesa e një fëmije në jetën e një çifti le vend për t’u diskutuar. Besoj, se ky është një diskutim, që libri e le të hapur: – Është apo jo shkak ndarjeje, ky fakt në jetën e një çfti?! Autorja i jep një zgjidhje brenda një ekulibri shpirtëror të një femre të pavarur siç është Jola!

Romani është një ftesë për lexim, për t’u larguar nga kotësia e orëve të telenovelave, që pasqyrojnë një jetë vanitoze me konflikte të stisura. Struktura e romanit është e studiuar edhe funksionale. Narracioni rrjedh nëpërmjet një gjuhe lakonike e të pasur. Romani shtron çështje filozofike e sociale të shprehura mes meditimesh e trajtesa deri diku shteruese eseistike! Kjo vepër është një vlerë e shtuar jo vetëm në krijimtarinë e autores por edhe në letërsinë mbarë shqiptare.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Raimonda Moisiu, s’i them askujt”, Zhuljeta Grabocka Cina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1843
  • 1844
  • 1845
  • 1846
  • 1847
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT