• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vučić, dialgu për Kosovën- manovër taktike?

August 17, 2017 by dgreca

Presidenti i Serbisë, Vučić bën thirrje për dialog për Kosovën dhe për “pajtim historik me shqiptarët”. Për këtë, disa e brohorasin si vizionar. Kritikët dyshojnë për një manovër taktike.1 Dacic

Presidenti serb ka në bazë të kushtetutës së Serbisë vetëm funksione përfaqësuese – posti i tij është simbolik, pa kompetenca praktike. Por Aleksandar Vučić ka prej pesë vitesh të gjithë frerët e pushtetit në duar, si shef i partisë së fuqishme të Përparimit: në fillim si zëvendëskryeministër, pastaj si Kryeministër dhe tani si President i shtetit.

Herë pas here, Vučići vendos të merret me gjëra të mëdha. Prej javësh dominon thirrja e tij për “dialog të brendshëm serb” për temën e Kosovës, në interpretimin e tij “një shans historik” për pajtimin me shqiptarët. E gjitha ka elementë hollivudianë: pikërisht ky President, që në vitet nëntëdhjetë qe një nacionalist i etur për gjak, i cili i shante përditë shqiptarët, dëshiron ta zgjidhë përfundimisht këtë çështje.

Dialog me një autokrat?

Problemi në këtë punë: Presidenti e “hapi” diskutimin pa ofruar një platformë. Kështu në Beograd vrasin mendjen, se si, kur, ku dhe për se do të flitet. Fjalën duhet ta marrin të gjithë aktorët, edhe Kisha Ortodokse tepër konservatore Serbe – më tepër Vučić-i nuk tha. Ai vetë fillimisht do të dëgjojë ato që do të thuhen dhe në fund do të marrë një vendim. A mund të ketë një pamje të tillë një dialog historik?

“Në thelb, Aleksandar Vučić nuk ka një ide të qartë, por që përpara i diskualifikon të tjerët, që kanë mendim të ndryshëm nga ai”, thotë Dusan Janjic nga Forumi i Beogradit për marrëdhëniet ndëretnike, i cili merret intensivisht me çështjen e Kosovës. Sipas Janjicit, thirrja e Vučić-it për dialog nuk është gjë tjetër veçse një manovër taktike: “Krejtësisht sipas motos:  ju pyeta, nuk thatë asgjë, pra unë edhe më tej do të vendos vetë – por përgjegjësinë do ta ndaj me ju.”

Dusan Janjic (DW/B. Cani)Dusan Janjic

Opozita e shoqërisë civile nuk pranon fare të merret me këtë- me një autokrat nuk mund të bësh gjithsesi dialog, thuhet. Partitë e copëzuara të djathta, të cilat mund të mbledhin 15 përqind të votave, nuhasin tradhëti: sipas tyre, me shqiptarët as që duhet folur fare.  Në medie dëgjohen edhe disa ide, të cilat flasin për një ndarje të Kosovës e deri për një anëtarësi të mundshme të Kosovës në OKB.

Në një kohë kur në mënyrë diplomatike Presidenti i mirëpret të gjitha propozimet, shokët e partisë së tij sulen çdo ditë në mediet e afërta me qeverinë kundër kundërshtarëve politikë. Kështu ata damkosen si “frikacakë”, kur heshtin për temën e Kosovës, ose si “patriotë falsë” dhe “urryes të serbëve”, kur shprehen për këtë temë.

Gjueti shtrigash ndaj kritikëve

Pavarësinë e ish-provincës serbe Kosovë sot e njohin 111 shtete në të gjithë botën, por jo pesë anëtarë të BE dhe fuqitë me të drejtë vetoje në OKB, Rusia dhe Kina. Në Beograd kjo punë shihet në mënyrë të veçantë: pavarësia e Kosovës nuk duhet të njihet, por realiteti duhet pranuar. Marrëveshja e arritur në vitin 2013 në Bruksel me qeverinë në Prishtinë parashikon kështu integrimin e plotë të Veriut të Kosovës të banuar kryesisht me serbë në republikën e Kosovës, gjë që shumë vëzhgues e interpretojnë si një njohje faktike.

Një tezë që e ndesh dendur thotë: si nacionalist ekstremist që ka qenë, Presidenti Vučić duhet të sillet sot në mënyrë pragmatike për çështjen e Kosovës, në mënyrë që Perëndimi ta durojë në heshtje stilin e tij princëror të qeverisjes.

Kjo taktikë duket se po funksionon. Në një kohë kur partia e tij e Përparimit bën gjueti shtrigash kundër kritikëve në vend, i ndan vendet e punës dhe postet në bazë të listës partiake dhe kufizon të drejtat e punëtorëve, Vučić-in e lëvdojnë në Bruksel dhe në Berlin si shtyllë të stabilitetit në Ballkan, si reformator aktiv dhe madje si vizioner. Kritika për nepotizmin ose për mungesën e sundimit të ligjit përmendet me zë të lartë vetëm rrallë dhe vetëm në periferi të raporteve të progresit të BE.

Pas thirrjes së tij për dialogun për Kosovën, pati që u habitën në Beograd, kur në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” u shkrua se Vučić-i “po kërcen mbi hijen e errët të historisë serbe”. Një këngë me lëvdata, për të cilën më parë ai vetëm mund të ëndërronte.

 Debatte Tepic Djukanovic Serbien (DW/ N. Rujevic)Vladimir Gjukanovic

Tema e Kosovës nxit emocionet dhe populizmin

A mund t’ia lejojë vetes pushtetmbajtësi serb, për të cilin bujarisht thuhet se ka guxim, që ta shuajë preambulën për Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë? Kjo është pyetja më e vështirë. Sepse megjithëse serbët që jetojnë në mjerim ekonomik nuk interesohen fort për Kosovën – vetëm dy deri në tre përqind e shohin Kosovën si temë të rëndësishme – tema e Kosovës ngërthen edhe më tej emocione të mëdha. Duke iu referuar betejës në Fushën e Kosovës (në vitin 1389) Kosova vazhdon të quhet “djepi i serbizmit”. Edhe më tej 80 përqind e serbëve mendojnë se pavarësia e Kosovës nuk duhet të njihet në asnjë mënyrë.

“Nuk kemi ide, zotëri, edhe mendja më e mençur e Serbisë nuk mund të ofrojë zgjidhje për momentin. Më parë duhet të shohim se si do ta shohim në të ardhmen Kosovën dhe Metohinë, çfarë mund të marrim, pa qenë të detyruar që ta njohim pavarësinë e Kosovës”, thotë Vladimir Gjukanovic, deputet i Partisë së Përparimit në pushtet. Edhe ai, si Vučić-i, ka qenë më parë një nacionalist ekstremist. “Kosova dhe Metohija” – emri zyrtar i “provincës së pabindur” konsiderohet si deklaratë politike. Ky togfjalësh ka qenë i detyrueshëm për të gjithë ata që kanë pasur njëfarë pushteti në Beograd.

“Ky gënjim i vetvetes ofron mundësi për populizëm”, mendon Dragoljub Micunovic, një nga anëtarët më të vjetër të Partisë Demokratike në opozitë. Me këtë, deputeti më i vjetë r i vendit kritikon edhe kreun e partisë së tij, që e përsërit me zell formulën magjike “Kosova është Serbi”. “Politikanët e paraqesin veten si mbrojtës të së përgjithshmes – ekonominë tonë, kulturën dhe të tjera ata nuk mund t’i shpëtojnë, por Kosovën po! Kjo mbrojtje e Kosovës nuk ka nevojë për dëshmi, mjafton tregimi.”

Shqiptarët e Kosovës po merren aktualisht me veten – në Kosovë po punohet për një qeveri të re – por në përgjithësi tregojnë pak entuziazëm për atë që dëgjohet nga Serbia. Po nuk përfundoi me njohjen e pavarësisë, dialogu brendaserb është i kotë, shkroi në twitter ministri i Jashtëm në largim i Kosovës, Enver Hoxhaj.(Kortezi: Nemanja Rujevic DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: disi per Kosoven, manovër taktike?, te flasim, Vucic

Maqedoni: Qeveri-Kuvend, rritje e transparencës apo marketing politik?

August 17, 2017 by dgreca

Nga Isuf Kadriu/1 Maqedoni

Qeveria e Maqedonisë ka kërkuar nga Kuvendi kontroll më të madh të punës së saj, respektivisht, institucioni ligjvënës të caktojë çdo javë nga një seancë, në të cilën deputetët do të mund të interesoheshin apo të pyetnin anëtarët e Qeverisë për çështje tematike. Kërkesa e Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, synon rritjen e transparencës në punën e saj, apo që për çështjet madhore me interes të qytetarëve të jenë të njoftuar ose të dalin me propozime edhe përfaqësuesit e zgjedhur në Kuvend.

Aktualisht deputetët në bazë të rregullores mbi punën e Kuvendit kanë të drejtën të parashtrojnë pyetje për ekzekutivin, por vetëm një herë në muaj, por seancat e tilla deri më tani ose nuk janë mbajtur ose kanë kaluar në polemika të ashpra mes pushtetit dhe opozitës për çështje kryesisht politike.

Kërkesa e fundit e Qeverisë vjen në kohën kur të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare kanë kritikuar raportet Qeveri-Kuvend, duke konstatuar anashkalimin e institucionit ligjvënës, apo vënien e tij në shërbim të ekzekutivit, që në realitet duhej të ishte e kundërta.

Ish-kryetari i Kuvendit, Stojan Andov, thotë për Radion Evropa e Lirë se ideja është e mirë dhe është një kopje që praktikohet në disa vende të zhvilluara evropiane, por që këtu të praktikohet nevojitet, sipas tij, përgjegjësi më e madhe e politikanëve apo që nismat e tilla të mos i ndërmarrin për pikë politike, por me qëllimin e sinqertë për ngritjen e nivelit të institucioneve.

“Nëse kjo realizohet, Kuvendi do të kishte kontroll më të madh mbi Qeverinë, por duhet parë nëse kjo do të keqpërdoret nga partitë. Praktika të tilla ka edhe në vende tjera, megjithatë tek ne duhet të ketë një koordinim të mirë, me qëllim që kjo nismë të realizohet sipas idesë së paraparë, e jo të keqpërdoret për pikë politike si nga Qeveria ashtu edhe nga deputetët, konkretisht nga ata të opozitës. Nëse kjo ndodhë,atëherë kjo nuk do të kishte kuptim, apo të përjetonte fatin e mbledhjeve mujore të përballjes së Qeverisë me deputetët”, thotë Andov.

Ismet Ramadani, ish-deputet në katër përbërje parlamentare thotë se raportimi i anëtarëve të Qeverisë para Kuvendit është në të mirë të transparencës jo vetëm në relacionet Qeveri-Kuvend, por edhe të institucioneve tjera të kenë përgjegjësi të raportimit para Kuvendit. Nëse këto mbledhje do të jenë efikase varet nga deputetët dhe Qeveria, thotë Ramadani duke u ndaluar në mbledhjen në të kaluarën të cilat më shumë janë shfrytëzuar për promovime se sa për dhënie të llogarisë.

“Në këtë rast, nëse Qeveria jep llogari pranë Kuvendit, atëherë është shumë e kuptueshme që edhe organet tjera do të jenë shumë më të përgjegjshme sepse një ditë edhe ato do të duhet të japin llogari për punën e tyre. Me këtë besoj se rritet autoriteti i Kuvendit, i cili përfundimisht e merr rolin e vet të cilin e ka edhe me Kushtetutë. Me këtë rritet edhe transparenca e Qeverisë dhe qytetarët do të jenë më të informuar për punën dhe aktivitetet e Qeverisë”, thotë Ramadani duke shtuar gjithashtu se çdo devijim nga ideja e nismës apo tendencat që përmes saj të përfitohen pikë politike do të prishin edhe më shumë imazhin e institucioneve.

Në bazë të anketave të realizuar nga organizata të ndryshme, Kuvendi është ndër institucionet më pak të besueshme, pa anashkaluar këtu edhe Qeverinë. Kuvendi i Maqedonisë shpesh herë është kritikuara apo është quajtur si “makineri votuese” që aspak nuk debaton për propozimet që vijnë nga Qeveria. Në të shumtën e rasteve ato miratohen në procedurë të përshpejtuar, duke forcuar kështu bindjen se deputetët fare nuk e dinë për çfarë kanë votuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Macedonia, Qeveri-Kuvend, transparence

Treni i fundit për një paqe të qëndrueshme

August 17, 2017 by dgreca

Treni i fundit për një paqe të qëndrueshme.fotoNGA HASHIM THACI/*Kosova dhe Serbia janë duke dialoguar për më shumë se gjashtë vjet tani, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara, me synim të normalizimit të marrëdhënieve.

Derisa duhet të pranojmë se janë bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim, duke arritur kulmin me nënshkrimin e Marrëveshjes së Parë mbi Parimet e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, megjithatë normalizimi i plotë i marrëdhënieve ende nuk është arritur.

Dy shtetet dhe popujt tanë aspirojnë që ta ndërtojnë një të ardhme më të mirë në të cilën janë tërësisht të integruar në familjen evropiane (e në rastin e Kosovës edhe në NATO) dhe në një të ardhme ku gëzojnë një standard dhe mirëqenie më të lartë sesa që kanë tani. Por, këto qëllime vështirë se mund të arrihen nëse vazhdohet me këtë gjendje që, në thelb, është një konflikt i ngrirë ndërmjet dy vendeve tona.

Deri më tani, Kosova dhe Serbia kanë pasur tri raunde të negociatave ndërkombëtare: në Rambuje në vitin 1999, në Vjenë në 2005-2007 dhe tani në Bruksel që nga viti 2011.

Unë kam qenë pjesë e të tri negociatave dhe jam krenar të them që Kosova gjithmonë është akorduar me marrëveshjet të cilat ishin të ndërmjetësuara nga komuniteti ndërkombëtar.

Serbia, në anën tjetër, nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të investojë shumë resurse për të penguar përpjekjet tona për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Për shkak të këtij qëndrimi armiqësor, aspirata e Serbisë për anëtarësim në BE mbetet e pasigurt.

Prandaj, të dyja shtetet janë të bllokuara dhe e ardhmja e tyre euroatlantike varet nga aftësia e tyre për të arritur një marrëveshje përfundimtare historike për normalizimin e marrëdhënieve dhe për pajtim.

Dialogu në Bruksel është zvarritur. Marrëveshja e prillit 2013 ishte një triumf politik, por kanë kaluar katër vite qëkur e njëjta u arrit dhe zbatimi i disa pikave të marrëveshjes është duke ngecur ende. Përderisa natyra teknike ishte një parakusht për t’i filluar bisedimet, tani ka ardhur koha të përballemi me thelbin e problemit-çështjen që e bën të vështirë zbatimin madje edhe të marrëveshjeve më teknike: mungesa e pajtimit dhe njohjes së ndërsjellët.

Kredibiliteti i dialogut është vënë në dyshim, përkundër të arriturave në disa fusha, mu për shkak se është e qartë, për cilindo vëzhgues të këtyre bisedave, se antagonizmi ndërmjet shteteve është i gjallë sot po aq sa edhe në të kaluarën.

Për shembull, përderisa bisedimet në Bruksel kanë prodhuar një marrëveshje mbi pjesëmarrjen e Kosovës në organizata rajonale, Serbia vazhdon të bëjë fushatë të fuqishme kundër përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, madje edhe kur nga këto anëtarësime do të përfitonte trashëgimia kulturore e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (siç ishte përpjekja për anëtarësim në UNESCO) apo serbët e Kosovës.

Sukseset graduale, në pika të veçanta, kanë qenë të gjitha të rëndësishme, por me këtë shpejtësi, marrëdhëniet tona do të mund të normalizoheshin ndoshta pas 100 vjetëve. Është e qartë se ka ardhur koha për një vizion dhe për lidership më të gjerë e më të guximshëm që i adreson çështjet ndërmjet nesh një herë e përgjithmonë.

Çështja themelore është, natyrisht, se ne vazhdojmë ta shohim njëri-tjetrin si kundërshtar. T’i fshehim ndarjet tona të thella nën qilim, nuk është zgjidhje dhe nuk do të çojë në pajtim.

Nuk mund të pajtohemi rreth asaj se ku po shkojmë nëse kemi mosmarrëveshje bazike rreth asaj se prej nga vijmë. Kjo është arsyeja pse unë i kam dyfishuar përpjekjet e mia që të merrem me disa nga pyetjet më të vështira rreth së kaluarës sonë duke krijuar një Komision për të Vërtetën dhe Pajtim.

Përfundimisht, ne besojmë se rrugëdalja do të ishte nënshkrimi i një Marrëveshjeje mbi Normalizimin dhe Pajtimin ndërmjet dy shteteve tona.

Përmes saj, ne do të angazhoheshim që të zgjidhim të gjitha mosmarrëveshjet me mjete paqësore. Në fund, marrëveshja historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të duhej të përfshijë njohjen e ndërsjellë si rrugë e vetme që t’u jepet fund të gjitha mosmarrëveshjeve njëherë e përgjithmonë.

Arritja e këtij qëllimi përfundimtar është jashtëzakonisht i vështirë për të dyja vendet dhe kërkon lidership të guximshëm dhe të mençur. Fuqimisht besoj që, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, lidershipi mbetet i përkushtuar ndaj asaj se çfarë pret populli ynë nga ne-që të arrijmë paqen ndërmjet nesh.

Që kjo të ndodhë, të gjithë duhet të jemi kreativë dhe të jemi të gatshëm që të bëjmë kompromise të mëtutjeshme. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se ky është imperativ për hir të paqes së qëndrueshme në mes të popujve tanë dhe të gjeneratave që do të vijnë.

Ashtu siç do të duhej që zgjidhja përfundimtare e konfliktit tonë të njohë realitetet historike dhe realitetet aktuale, ajo gjithashtu duhet të adresojë kërkesat e së ardhmes.

E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë, sikurse ajo e pjesës tjetër të Ballkanit, është të jenë fqinjë miqësorë brenda Bashkimit Evropian. Jam i bindur se normalizimi dhe pajtimi është hapi i parë për të na çliruar nga pesha e së kaluarës dhe një hap që do të na shtyjë në një të ardhme më të ndritur.

Është e qartë se kur ne të veprojmë kështu, Bashkimi Evropian duhet të njohë përpjekjet tona, dhe se përderisa e rrisim shpejtësinë ne në këtë cepin tonë të Evropës, shpejtësinë duhet ta rrisë edhe treni i anëtarësimit në BE, si në Bruksel ashtu edhe në kryeqytetet evropiane.

Duhet të sigurohemi që të mos humbasim trenin e fundit për një paqe të qëndrueshme.

*-Editorial i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i botuar sot – 17 gusht 2017 në të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë/

Filed Under: Editorial Tagged With: Hashim Thaci, për një paqe, të qëndrueshme, Treni i fundit

MINISTRI DEMIRAJ-PROKURORISE: ARRESTONI TE INKRIMINUARIT!

August 17, 2017 by dgreca

Ministri Demiraj, mesazh para dorëheqjes/1 Ministri Mbroj

Ministri i Brendshëm teknik Dritan Demiraj, ndërkohë që dorëhiqet nga detyra ka thyer heshtjen. Me anë të një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut, ai ka falënderuar publikisht Lulzim Bashën, për besimin që i dha duke i besuar dikasterin më të vështirë, duke nënkuptuar kështu se nuk do të jetë më pjesë e kësaj qeverie. Mes të tjerash ai i bëri thirrje prokurorisë që të arrestojë personat e inkriminuar.

Të nderuar Miq!
Këto 12 javë në detyrë si Ministër i Punëve të Brendshme, kanë qenë një nder i jashtëzakonshem në shërbim të vendit, qytetarëve dhe gjithë shtetasve që jetojnë e punojnë në Shqipëri. Dëshiroj që ti shpreh mirënjohjen më të thellë kryetarit të Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha për besimin që më dha për të kryesuar këtë dikaster në një moment të vështirë për vendin, si dhe për mbështetjen e Tij të vazhdueshme shtetare në realizimin e detyrave tona kushtetuese.

Bashkëpunimi me kolegët në qeveri, znj Mandia, Vukaj, Karabina, Kërtusha, z Bardhi dhe Beqiri, kolegët e shkëlqyer të MPB, Policisë së shtetit, SHISH, Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Avokatin e Popullit dhe gjithë agjensive ligjzbatuese të vendit, kane qenë në frymën institucionale; me ketë rast shpreh një falenderim të madh për përballimin e një serë sfidash të mëdha sic ishin, mbarëvajtja pa incidente e procesit zgjedhor, lufta pa kompromis ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, trafikimit të qënieve njerezore, lufta kundër terrorizmit, emergjencave civile dhe sigurimi i një sezoni turistik të qetë. Prioriteti im për tolerance zero ndaj drogës në bashkëpunim me policinë e shtetit prodhoi disa rezultate të dukshme: 37 tonë kanabis i sekuestruar, 40 mijë rrënjë kanabis të shkaterruara, 13 skafe të konfiskuara dhe mbi 75 vetë të arrestuar për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Masat për të goditur fenomenin e kanabisit kanë qenë maksimale, duke drejtuar operacionet bashkë me arrestimet , personalisht direkt ne terren dhe jo masa prapagandistike.

Bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, Shërbimin Informativ dhe të gjitha institucionet e përfshira në planin e masave, ka qene shumë i lartë, intensiv dhe smart. Kontrolli absolut i territorit, ka qenë dhe do të jetë detyrë që çdo individ me uniformë policore duhet të angazhohet maksimalisht.
Një falenderim të plote për cdo efektiv të ndershëm të Policise së Shtetit. Institucioni i Policisë së Shtetit ka punonjës të përkushtuar, që janë në front të parë në luftën kundër drogës në përgjithësi dhe trafiqeve të paligjshme në vecanti, Sigurisht që ka dhe individë të korruptuar, të implikuar në lejimin e fenomenit të kanabizimit të vendit dhe kjo është sfidë në vazhdim e prokurorisë, që ti dërgojë prapa hekurave këta individë të korruptuar.

Kam dhe një falenderim të sinqertë për gazetarët dhe median e lirë, të cilat në të shumtën e rasteve kanë ndihmuar në përcjelljen e mesazheve të mia publike, por në disa raste dhe ka spekulluar për të ardhmen time. Për lidershipin dhe punën time këto tre muaj janë thënë shumë të vërteta, por fatkeqësisht janë shkruar dhe disa të pavërteta për të ardhmen time që nuk ka asnjë lidhje me këtë qeveri. Kam qenë dhe do vazhdoj të jem i vendosur për të kontribuar në drejtimin e agjensive ligjzbatuese që merren me ceshtje të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare.
Pune të mëdha e presin përpara Shqipërinë!
Ju faleminderit. DD.

Përgatiti për “Dielli-n”, Shefqet Kërcelli

Filed Under: Komente Tagged With: arrestoni kriminelet, Mesazh i Ministrit, Prokurorise, Shefqet Kercelli

ZOTI KRYEMINISTËR: KTHEJANI QETËSINË ESENINIT SHQIPTAR

August 17, 2017 by dgreca

2-besim-ndregjoni-300x200

Nga Besim Ndregjoni/ President i Unionit Mbarekombetar te Integrimit te Burgosurve dhe Perndjekurve Politik te Shqiperise /

Në fillim të muajt gusht ndodhesha me pushime në Pogradec në qytetin e Mitrushit e të Lasgushit ku perla e mrekullueshme hynore liqeni,  i jep këtij qyteti, madhështinë e bukurinë natyrore  me pamjen e magjishme që  do ta kishte lakmi çdo krahine apo qytet në botë.  Po shëtisja me miqtë e mij pogradecar ish të përndjekur politike dhe rastësisht përjetova një debat  në mes dy rojeve të lokalit 1 Maj,  dhe dy zonjave të nderuara bijat e poetit të madh lirikut të pazevendësushëm  shqiptar me përmasa botërore Lasgush Poradecit. Godina e 1 Majit ishte në tokën e Lasgushit të  madh, e ndërtuar mbas viteve 90 e përkrahur nga pushtetet politike,  rojet nuk u  jepnin të drejtë zonjave të parkonin makinën në pronën e tyre të trashëguar brez mbas brezi. Debati ishte sa qesharak dhe aq tragjikë.  Ata që kishin ndërtuar godinën në tokën e Lasgushit, nuk lejonin pronaret e ligjshme të pushonin në pronën e tyre. Ata që kishin përkrahjen e mafies pushtetare, silleshin me zonjat e nderuara si xhelatë duke u mohuar  qëndrimin në pronën e ligjëshme.  Duke dëgjuar këtë debat në mes pronareve të ligjshëm dhe mbrojtsve të hotelit të pa ligjshëm, mendja të shkonte larg në kohë, kur barbarët komunistë , në vitet 44-90 i nxirrnin  pronarët nga pronat e tyre dhe i degtisnin rrugëve të Shqipërisë si muhaxhirë. Viktimat e pafajshëmm ishin bijat e Lasgushit poseduese e kësaj prone. Kurse mafia e pushtetit sillet si padrone ndaj këtyre viktimave që si qytetare të dermuar nga sorollatja nëpër gjygje për 27 vite  nuk janë në gjendje të gëzojnë pronën. Këto viktima të diktaturës dje dhe të “demokracisë”  sot , kan një emër, janë pronarët e ligjshëm zoti Kryeministër, janë Maria, dhe Konstandina dy bijat e poetit LLazi Gusho, Lasgushit të pavdekshëm. Janë qytetare dhe  pronare në  qytetin e tyre. Lasgushi i madh i poezisë shqipe dje në diktaturë,  përbuzej nga regjimi, që si thurte lavde komunizmit . Sot vajzat e Lasgushit, zoti Kryeministër e shohin veten të përbuzura, e shohin veten si “lecka të hedhura poshtë” nga ata që nuk pranojnë të trazohen nga tregimet e tyre-historira të kaluara që u kujtojnë pushtetarve karierën gjatë regjimit komunistë. Në Pogradec tregonin se turizmi e kishte  pronë një ish ministër finance të pushtetit aktual, disa hotele janë të ish ministrit të mbrendshëm, po të kësaj qeverie,  vila në Hudenisht jane të filan deputeti të  majtë në parlamentin e tanishëm shqiptar  etj .  Dhe asnjë pronarë i  ligjshëm në Pogradec nuk kishte një vilë apo një hotel. Para ndërgjegjeve të këtilla ne ballafaqohemi nga një rrezik vdeksor: Ringjallja e diktaturës me një maskë të re.

Pronarët shqiptar dje në kondita ekstreme mbrotjen të drejtën , të vertetën, njerzoren dhe nderin e kombit shqiptar. Padrejtsia në këtë vend zoti Kryeministër është kthyer  në formën ma të keqe  të sundimit  duke hedhur mbi vete  mantelin e “demokracisë’.

Kohët kan ndryshuar , sistemet diktatoriale e politike, shkojnë e vijnë, por pronarët të përndjekur me karakter  dhe koncepti i tyre njerzor  janë vlera të përhershme. “Prezenca e së keqes” në shoqërinë shqiptare  do të përfundoi në mënyrë të paevitueshme në korruptimin  e plotë  të atyre  që sundojnë, ose në revoltën e atyre që persekutohen. Është bërë  zakon në Shqipëri që për të mbuluar të vërtetën, qeveritarët  akuzohen si “shfrytëzues”e “parazite”sepse shumë prej tyre kërkojnë dhe marrin pasurinë dhe pronat e sekustruar  pa të drejtë nga regjimi diktatorial.

Në Kushtetutën Amerikane gjinden tri fjalë që përcaktojnë filozofinë e themeluesve të kësaj demokracie të madhe: liria, jeta dhe kërkim për lumturi (life, liberty and the pursuit of happiness) Në thelb, koncepti i pronës private kishte aq rëndësi sa edhe jeta dhe liria.  “Prona private “ ( the private property) është diçka që i takon vetëm pronarit të ligjshëm, don të thotë  një e drejtë   ekskluzive me e gëzue  në kuptimin më të gjërë të fjalës, çdo gjë që ka një çmim ose një interes  e konsiderohet  kryesishtë si burim pasurie.

Prona private është burimi i të ardhurave që i shërbejnë plotsimit e nevojave material  e kulturore vetiake e familjare. Një  gjendje e  këtill e bën pronarin e lire e të pamvarun nga shteti, I pamvarun në një shoqëri ku sundon ligji, individi quhet qytetar i lire. Me ardhjen e komunizmit në Shqipëri koncepti i pronës ndryshoi rrënjësisht, ajo u përcaktua  si “diçka që është në përputhje  me parimet  e një shoqërie që i përgjigjet kërkesave të moralit komunistë” Kjo don të thonte pasuri shtetërore , koperativiste dhe jo private. Natyrishtë pronarët e kundërshtuan dhe përfunduan në burgje dhe kampe përqendrimi. Kështu jetoi Shqipëria 45 vite  diktaturë.

Por absurditeti i një zhvillimi të këtill çfaqet sot kur sistemi komunist është përmbys dhe metodat e tia vazhdojnë të aplikohen nga qeveritare të indoktrinuem  që refuzojnë të pranojnë kuptimin e mirfilltë të pronës private: jetë të lire e të pamvarun nga “shteti”.  Është asurde kur shihen sot viktimat e regjimit komunistë ish pronarë të sillen vërdallë zyrë në zyrë e gjykatë në gjykatë për pasurinë e trashëgueme dhe sorollaten përpara një administrate shurdh –memece  që sundon këtë vend, dhe jo nga “shërbestarë”  e demokracisë të shoqërisë së lire.

Zoti Kryeministër kthejani qetsinë Lasgushit në botën e amshuar, kthejani pronën Eseninit shqiptar dhe gëzoni bijat e tij duke ju dhënë pronën e tyre. Aborgoe ligjin famkeqë 7501 dhe atëhere do të ndërtoni shtet, shtet të së  drejtës. Mos aborgimi i këtij ligji dhe mos kthimi i pronës tek i zoti është një këmbanë dhe paralajmrim për të gjithë ata që sot heshtin e qëndrojnë indifferent.  Koha do ta tregojë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Besim Ndregjoni, KTHEJANI QETËSINË ESENINIT SHQIPTAR, Lasgush Poradeci, Zoti Kryeministër

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1845
  • 1846
  • 1847
  • 1848
  • 1849
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT